Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 30 January 2026Gazeta Fjala

21:00 Kush tjetër? Cristiano Ronaldo sërish shënon për Al Nassr

By: EL
30 January 2026 at 21:00

Sulmuesi Cristiano Ronaldo ka shënuar golin e 961-të në karrierë, këtë herë në përballjen ndaj Al Kholood.

Pesë herë fituesi i Topit të Artë pas një bashkëpunimi me Joao Felix e dërgoi topin brenda rrjetës për të zhbllokuar rezultatin.

Felix asistoi për mrekulli te Ronaldo, i cili ishte i pagabueshëm në portën e zbrazur.

Për më shumë shikoni golin:

Ndërkohë, Al Nassr po i afrohet liderit Al Hilal në kampionat, derisa Ronaldo po vazhdon objektivin për t’u bërë futbollisti i parë që shkon në kuotën e 1 mijë golave në karrierën profesionale./ET

20:52 NASA shtyn kthimin në Hënë! Shkak bëhet moti i keq

By: EL
30 January 2026 at 20:52

Last Updated on 30/01/2026 by EL

NASA ka shtyrë datën e parë të mundshme të lëshimit për misionin Artemis 2, i cili do të dërgojë astronautët rreth hënës për herë të parë në më shumë se gjysmë shekulli. Për shkak të motit të keq, agjencia hapësinore amerikane është detyruar të shtyjë provën e fundit të madhe të raketës SLS.

Kështu, dritarja e parë e mundshme e lëshimit do të hapet të dielën, më 8 shkurt, në vend të datës 6 të muajit, siç ishte planifikuar fillimisht.  Data e re përkon me Super Bowl, ndeshjen e futbollit amerikan që tërheq gjithë vëmendjen çdo vit.

Mediat e huaja shkruajnë se, nuk është e sigurt nëse NASA do të tentojë një lëshim atë ditë, pasi testi i fundit teknik i raketës nuk është përfunduar ende. Ky test, një lloj prove gjenerale, u lejon ekspertëve të verifikojnë nëse gjithçka është gati që misioni të vazhdojë. Megjithatë, për shkak të motit të ftohtë që po prek pjesën më të madhe të Shteteve të Bashkuara, testi është shtyrë deri javën tjetër.

Në varësi të mënyrës se si do të shkojë ky test, NASA do të njoftojë edhe datën e lëshimit të misionit, i cili do të përfshijë tre astronautët amerikanë dhe një kanadez. Nga 8 shkurti deri më 30 prill, agjencia amerikane po shqyrton 14 dritare nisjeje për misionin Artemis 2.

Gjatë së njëjtës periudhë, ajo duhet të dërgojë gjithashtu një mision me pilot në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor, Crew-12. Ky mision është planifikuar për 11 shkurt, por mund të shtyhet nëse Artemis 2 niset para kësaj date, shpjegoi një zyrtar i NASA-s në një konferencë për shtyp./et

20:51 Pa qime në shtëpi, pa erë dhe pa bezdi: Ja cilat raca qensh janë zgjedhja ideale (Lifestyle)

By: EL
30 January 2026 at 20:51

Last Updated on 30/01/2026 by EL

Zbuloni cilët qen janë më të përshtatshëm për persona alergjikë, familje me fëmijë dhe ata që duan pastërti pa kompromis

Dëshironi një mik katërputrosh që ta mbani në shtëpi apo banesë, por nuk doni të gjeni qime në çdo hap. Ndoshta jeni edhe alergjik ndaj qenve, prandaj ju nevojiten qen që nuk i bien qimet dhe nuk kanë erë, sepse kjo është e vetmja mënyrë për të pasur një kafshë shtëpiake. Këto raca janë zgjedhje shumë e mirë nëse shfaqni simptoma alergjie, nëse keni fëmijë dhe në përgjithësi nuk i pëlqeni qimet e qenve mbi mobilie.

Qentë me rrezik të ulët për alergji po bëhen gjithnjë e më të popullarizuar, sepse alergjia ndaj qenve është një problem gjithnjë e më i shpeshtë. Megjithatë, ajo që duhet ditur është se asnjë qen nuk është 100% pa rrezik alergjik, sepse alergjia nuk shkaktohet nga qimet e qenit, por nga një proteinë që gjendet në sekrecionet e tij, pështymë, zbokth, urinë… Meqë qentë e lëpijnë veten, proteina Can f 1 kalon edhe në qime.

Disa raca prodhojnë më pak nga kjo proteinë, nuk i hedhin qimet dhe, si rrjedhojë, e përhapin atë më pak në ambient. Ja cilat janë këto raca qensh.

Terieri tibetian – qen që nuk i bien qimet

Terierët tibetianë janë dëshmi se një qen që nuk i hedhin qimet nuk duhet të jetë domosdoshmërisht pa qime. Këta janë qen që nuk i bien qimet, por kjo nuk do të thotë se nuk kanë nevojë për krehje.

Ata kanë qime të gjata dhe të dendura, të cilat ngatërrohen lehtë nëse neglizhohet krehja dhe prerja. Arrijnë deri në 40 centimetra lartësi dhe pesha normale në moshë të rritur është rreth 18 kilogramë.

Konsiderohen si qen shumë të bindur, me karakter të mirë dhe janë të shkëlqyer për familje me fëmijë të vegjël. Shkurt, janë qen idealë familjarë. Gjithashtu, janë edhe qen shumë të mirë roje, ndonëse kjo nuk do të mendohej në pamje të parë.

Edhe pse bëhet fjalë për një terier, pothuajse nuk ndan tiparet tipike të kësaj race. Nuk do të vrapojë i tërbuar pas brejtësve, por më tepër do të përkëdhelet me të huajt, sepse e adhuron vëmendjen.

Pudla – e vogël dhe standarde

Ekzistojnë disa madhësi të pudlës: pudla e vogël (lodër), pudla xhuxhe, pudla e mesme dhe pudla e madhe. Pudlat lodër rriten deri në 28 cm, pudlat xhuxhe deri në 35 cm, të mesmet deri në 45 cm, ndërsa të mëdhatë arrijnë deri në 60 cm.

Pudla është një nga racat më të njohura të qenve, të cilën e dallojnë lehtë edhe ata që nuk dinë shumë për qentë. Ka qime karakteristike kaçurrela, të cilat, besoni apo jo, nuk bien.

Për çdo pudël, krehja e rregullt është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse qimet e saj nuk bien vetvetiu kur arrijnë një gjatësi të caktuar. Pudla duhet krehur çdo ditë dhe çuar për prerje çdo tre javë. Është e vërtetë që kërkon kujdes të vazhdueshëm për qimet, por nëse respektohen rregullat e mirëmbajtjes, nuk do të keni asnjë problem.

Nga natyra nuk i bien qimet, bën pjesë në qentë me rrezik të ulët për alergji dhe mund të mbahet në apartament edhe nga persona me alergji të theksuar. Problemi kryesor te pudlat është se qimet u ngatërrohen nëse nuk mirëmbahen.

Gjithashtu, kanë prirje gjenetike për probleme me sistemin tretës, ndaj duhet treguar kujdes i veçantë. Mund të kenë vështirësi me kapsllëkun, prandaj nuk rekomandohet ushqimi me kocka, por me ushqim të thatë cilësor, perime dhe mish pule të zier. Në këto kushte, konsiderohen qen mjaft të shëndetshëm, që mund të jetojnë deri në 15 vjet, madje edhe më gjatë.

Terieri i bardhë skocez

Qentë që nuk i bien qimet dhe nuk kanë erë nuk do të thotë se nuk kanë qime. Terieri i bardhë skocez është racë që e dëshmon këtë. Është një qen me rrezik të ulët për alergji, që i përshtatet më së miri familjeve aktive me fëmijë të moshës shkollore.

Ka instinkt të zhvilluar gjuetie, i pëlqen loja dhe vrapimi, ndaj rekomandohet për persona me stil jetese aktiv. Nuk këshillohet për ata që kërkojnë vetëm një qen për përkëdhelje.

Terieri i bardhë skocez ka qime dhe nënqime. Nënqimet janë të buta dhe të shkurtra, ndërsa qimet mbi to janë më të gjata dhe kërkojnë krehje të rregullt për të mos u ngatërruar.

Arrin deri në 30 centimetra lartësi dhe pesha maksimale e shëndetshme është rreth 10 kilogramë për meshkujt; femrat janë më të vogla, deri në 28 centimetra dhe rreth 7 kilogramë peshë.

Si çdo terier, është kokëfortë dhe kërkon durim në edukim. Megjithatë, shumë varet edhe nga karakteri individual i qenit. Është kafshë shtëpiake shumë e mirë për adhuruesit e qenve të vegjël: jo shumë e zhurmshme, aktive, e gëzueshme dhe dashamirëse.

Qentë që nuk i bien qimet dhe nuk kanë erë – Dachshund

Dachshund janë racë shumë e njohur, me trup të gjatë, veshë të varur dhe këmbë të shkurtra. Janë të popullarizuar për pamjen e tyre karakteristike, por një fakt më pak i njohur është se janë qen që nuk i bien qimet dhe nuk kanë erë, prandaj janë shumë të përshtatshëm për jetesë në apartament.

Ekzistojnë dachshund me qime të shkurtra, të ashpra dhe të gjata. Ata me qime të gjata nuk rekomandohen shumë për persona alergjikë; nëse dëshironi këtë racë, zgjedhja më e mirë janë ata me qime të shkurtra ose të ashpra.

Cilindo variant të zgjidhni, nuk do të pendoheni. Janë qen me natyrë të mirë, që duan përkëdheljen, shëtitjet dhe gërmimin. Dikur janë përdorur për gjueti mbi dhe nën tokë.

Janë shumë të lidhur me pronarët, madje shpesh janë edhe qen të mirë roje, ndonëse kjo nuk pritet nga madhësia e tyre. Nuk janë shumë të besueshëm ndaj të huajve dhe, për fat të keq, nuk shkojnë gjithmonë mirë me fëmijë shumë të vegjël, ndaj nuk janë zgjedhja më e mirë për familje.

Bichoni kaçurrel – kaçurrel, por nuk i bien qimet

Bichoni kaçurrel është një qen jashtëzakonisht i përshtatshëm, që mund të adaptohet pothuajse në çdo mjedis. Është ideal për jetesë në apartament, përshtatet me stilin e jetesës së pronarit dhe nuk është shumë kërkues në këtë drejtim. Megjithatë, ka nevojë për aktivitet të rregullt dhe krehje.

Këta janë qen që nuk i bien qimet dhe janë shumë të përshtatshëm për apartament; vetëm herë pas here mund të shihni ndonjë qime të tyre në mobilie. Duhet krehur rregullisht, që kaçurrelat e bukura të mos ngatërrohen dhe të mbeten të buta e me shkëlqim. Pas çdo shëtitjeje, duhet t’u lahen putrat, gjë që vlen për çdo qen. Rekomandohet larje e plotë dy herë në muaj dhe prerje një herë në muaj.

Bichonët kanë sy të ndjeshëm, ndaj duhet pastruar rregullisht për të shmangur infeksionet. Po ashtu, rekomandohet prerja e qimeve rreth syve, sepse ato priren të rriten drejt syrit.

Këta qen nuk i bien qimet, por kjo nuk do të thotë se nuk kërkojnë shumë kujdes. Janë kërkues për nga mirëmbajtja, por në këmbim ofrojnë dashuri të pakushtëzuar. /et

20:39 Ketrin O’Hara ose arti i shndërrimit, komedia si formë e inteligjencës së lartë

By: Leonard
30 January 2026 at 20:39

Last Updated on 30/01/2026 by Leonard

Nga Leonard Veizi

Në historinë e kinemasë dhe televizionit, jo gjithmonë ndodh që komedia të trajtohet si një akt i thellë kulture. Ketrin O’Hara është një nga ato përjashtime të rralla që sfidojnë çdo kategorizim të thjeshtë. Ajo nuk ishte thjesht një aktore komike, por një laborator i gjallë shndërrimi, ku grotesku, absurdi dhe ndjeshmëria njerëzore bashkëjetojnë në një ekuilibër të brishtë, por të përkryer…

…Që në fillimet e saj në skenën e “Second City”, O’Hara e kuptoi se komedia nuk lind nga batuta, por nga vëzhgimi i imët i realitetit. Ajo përthithi ritmet e jetës urbane, deformimet e karakterit njerëzor dhe i rikrijoi në figura që, edhe kur janë të ekzagjeruara, mbeten thellësisht të vërteta.

Formësimi i shkollës

Përkrah emrave si Xhon Kendi dhe Den Ejkrojd, ajo kontribuoi në formësimin e një shkolle humori që nuk tallej me njerëzit, por me dobësitë e tyre – duke i kthyer ato në pasqyrë kolektive. Në këtë prizëm duhet lexuar edhe roli i Keit MekKallisterit në filmin “Home Alone” prodhim i vitit 1990, film i cili në shqip është trasmetuar nën titullimn :I vetë,m në shtëpi”. Ankthi i saj nuk është thjesht një mekanizëm narrativ për të vënë në lëvizje fabulën, por një metaforë e frikës moderne: humbja, ndarja, pamundësia për ta mbajtur familjen të bashkuar në një botë gjithnjë e më të shpërndarë. O’Hara i jep këtij personazhi një humanizëm të rrallë, duke e zhveshur figurën e nënës nga heroizmi artificial dhe duke e bërë atë thellësisht njerëzore – të gabueshme, të frikësuar, por të palëkundur në dashuri.

Mbretëresha e mijëra fytyrave

Nëse arti i aktrimit do të ishte një mozaik ngjyrash, Ketrin O’Hara do të ishte penelata më e guximshme dhe më e paparashikueshme e tij. Ajo nuk interpreton thjesht role; ajo i pushton, u jep frymë, zë dhe një shpirt që lëkundet mes komikes absurde dhe tragjikes së heshtur. Nga britma e dëshpëruar e një nëne në “Home Alone” te aristokracia groteske e Moira Rouz në “Schitt’s Creek”, O’Hara ka skalitur një vend të pashlyeshëm në panteonin e ikonave të ekranit.

“Second City”, inkubatori i transformimit

E lindur në Toronto, në një familje të madhe me shtatë fëmijë, Catherine O’Hara u rrit në një ambient ku humori ishte mjet mbijetese dhe komunikimi. Rrugëtimi i saj artistik nisi në skenat e improvizimit të Second City, ku ajo mësoi artin e shndërrimit të menjëhershëm, aftësinë për të ndërtuar një karakter në pak sekonda dhe për ta bërë atë të paharrueshëm. Ishte pikërisht aty që ajo mprehu disiplinën dhe guximin që do ta shoqëronin gjatë gjithë karrierës.

Nga ikona familjare te rilindja artistike

Edhe pse filmografia e saj është e pasur dhe shumëplanëshe, “Home Alone” mbetet pika ku O’Hara hyri në imagjinatën globale. Megjithatë, vitet e fundit shënuan atë që kritikët e quajtën “O’Harassance” – rilindja artistike e saj. Me Moira Rouz, ajo krijoi një nga personazhet më komplekse dhe më qesharake në historinë e televizionit: një figurë groteske, e thyer, teatrale, por në thelb tragjikisht njerëzore. Ky rol jo vetëm që e ktheu O’Hara-n në një ikonë të re të kulturës pop, por i solli edhe triumfin e plotë në Emmy Awards.

“Aktrimi nuk është të bëhesh dikush tjetër, por të gjesh veten brenda rrethanave të dikujt tjetër” – ky parim përshkon gjithë karrierën e saj, nga vitet e SCTV deri te bashkëpunimet brilante me Kristofer Gest në filmat mockumentary, ku improvizimi bëhet art i pastër.

Jeta përtej reflektorëve

Ndryshe nga personazhet e saj shpeshherë kaotikë, jeta private e Catherine O’Hara-s është diskrete dhe e qëndrueshme. Martesa e saj shumëvjeçare me dizajnerin Bo Uelç dhe rritja e dy djemve larg zhurmës së panevojshme të Hollivudit dëshmojnë një ekuilibër të rrallë mes famës dhe thjeshtësisë.

Sot, Ketrin O’Hara mbetet një frymëzim për brezat e rinj të aktorëve. Ajo na ka mësuar se e qeshura mund të jetë forma më e lartë e inteligjencës dhe se mosha nuk është pengesë për kreativitetin. Një forcë e qetë, por e pandalshme, që na ka befasuar në vazhdimësi, jo duke na bërë thjesht të qeshim, por duke na bërë të kuptojmë më mirë veten.

20:35 Këto simptoma tregojnë çarjen e shpretkës ,gjakderdhje e brendshme që rrezikon jetën

By: EL
30 January 2026 at 20:35

Last Updated on 30/01/2026 by EL

Dhimbja në anën e majtë të barkut, marramendja dhe rënia e tensionit mund të jenë shenja paralajmëruese të një gjendjeje potencialisht fatale

Çarja ose ruptura e shpretkës ndodh kur dëmtohet kapsula mbrojtëse ose indi i brendshëm i këtij organi, gjë që mund të çojë në gjakderdhje të rëndë të brendshme. Shpretka është një organ delikat, me madhësinë e një grushti, i vendosur në pjesën e sipërme të majtë të barkut, nën brinjët e majta.

Ajo luan një rol kyç në sistemin imunitar dhe qarkullimin e gjakut:

– filtron dhe ruan rreth 25 për qind të rruazave të kuqe të gjakut dhe trombociteve,
– ndihmon në prodhimin e qelizave të bardha të gjakut që luftojnë infeksionet.

Indi funksional i shpretkës, i quajtur “pulpa”, është i rrethuar nga një kapsulë e hollë muskulore përmes së cilës kalojnë enë të shumta gjaku, pikërisht kjo e bën shpretkën veçanërisht të ndjeshme ndaj dëmtimeve.

Çfarë e shkakton çarjen e shpretkës?

Struktura anatomike e shpretkës e bën këtë organ relativisht të lehtë për t’u dëmtuar, veçanërisht nga traumat e forta të jashtme. Kur kapsula e saj çahet ose dëmtohet, gjendja quhet rupturë e shpretkës.

Në rast se shpretka pëson çarje, ajo është organi abdominal që më së shpeshti shkakton gjakderdhje masive, potencialisht fatale. Kjo është një urgjencë mjekësore që kërkon diagnozë të shpejtë dhe ndërhyrje të menjëhershme, shpesh edhe kirurgjikale.

Shkaktarët më të zakonshëm janë:

  • Aksidentet në trafik, përgjegjëse për rreth 50–75% të rasteve
  • Dëmtimet sportive, veçanërisht në sporte kontakti si futbolli apo hokeji
  • Dhuna fizike, përfshirë goditjet, plagët me thikë apo armë zjarri

Shpretka mund të çahet menjëherë pas goditjes, por ekziston edhe ruptura e vonshme, e cila ndodh disa orë ose ditë më pas, si pasojë e ënjtjes dhe dobësimit gradual të kapsulës, transmeton Telegrafi.

A mund të çahet shpretka pa traumë?

Po, edhe pse rrallë. Ruptura spontane e shpretkës mund të ndodhë kur një sëmundje themelore shkakton zmadhimin e saj, duke dobësuar kapsulën deri në çarje.

Gjendje që mund ta favorizojnë këtë janë:

  • Sëmundjet malinje, si limfoma
  • Infeksionet, përfshirë mononukleozën infektive dhe malarien
  • Sëmundjet inflamatore kronike, si hepatiti ose pankreatiti

Cilat janë shenjat dhe simptomat e çarjes së shpretkës?

Shpretka ndodhet në kuadrantin e sipërm të majtë të barkut, nën kraharorin e majtë dhe diafragmën. Në momentin e çarjes, zakonisht shfaqet dhimbje e fortë dhe e menjëhershme në këtë zonë.

Megjithatë, për shkak se traumat që dëmtojnë shpretkën shpesh shoqërohen edhe me dëmtime të tjera (p.sh. fraktura brinjësh), pacienti mund të mos e dallojë menjëherë burimin e saktë të dhimbjes.

Një shenjë tipike është zhvendosja e dhimbjes drejt shpatullës së majtë ose kraharorit të majtë, e njohur si shenja e Ker-it (Kehr sign). Kjo ndodh sepse gjaku që grumbullohet irriton nervin frenik të majtë, i cili lidh diafragmën me qafën dhe shpatullën.

Dhimbja shpesh:

  • përkeqësohet gjatë frymëmarrjes
  • shoqërohet me ndjesi presioni në bark

Shenja të tjera alarmuese që tregojnë gjakderdhje të brendshme

Përveç dhimbjes, çarja e shpretkës mund të shkaktojë simptoma të lidhura me humbjen e gjakut dhe rënien e shpejtë të tensionit arterial, si:

  • marramendje ose humbje të vetëdijes
  • konfuzion mendor ose çorientim
  • turbullim të shikimit
  • zbehje të lëkurës, djersë të ftohta
  • ankth dhe shqetësim të theksuar
  • nauze (të përziera)

E rëndësishme: Çdo dyshim për çarje të shpretkës kërkon ndihmë urgjente mjekësore, pasi vonesa në trajtim mund të jetë fatale./et

20:32 “Cenim i pavarësisë”, SPAK refuzon komisionin “Nisma qytetare”

By: EL
30 January 2026 at 20:32

Last Updated on 30/01/2026 by EL

Komisioni i Përhershëm Parlamentar i drejtuar nga Fatmir Xhafaj kërkoi një vizitë monitoruese në SPAK mbi rezultatet në luftën kundër pastrimit të parave, por SPAK ka refuzuar.

Sipas shkresës kërkesa mbështetej në një dokument të Agjencisë së Inteligjencës Financiare dhe parashikonte zhvillimin e takimit më 6 shkurt 2026. Por SPAK e refuzoi kërkesën, duke argumentuar se një vizitë e tillë cenon pavarësinë kushtetuese të Prokurorisë së Posaçme dhe përbën kapërcim të ligjit.

“Çdo praktikë monitoruese bie ndesh me pavarësinë kushtetuese të SPAK,” thuhet në shkresën zyrtare, ku theksohet se kjo pavarësi është thelbësore për hetime të pavarura dhe të paanshme.

Megjithatë, SPAK shprehet i gatshëm për bashkëpunim institucional, duke sqaruar se mund të informojë komisionin në përputhje me ligjin, por jo t’i nënshtrohet monitorimit.

Prokuroria e Posaçme kujton gjithashtu se ka raportuar më herët mbi zbatimin e rekomandimeve të Task-Forcës, në kuadër të procesit të vlerësimit të Shqipërisë nga Moneyval./et

20:08 Ndahet nga jeta Catherine O’Hara, nëna ikonike e Kevinit që hyri në historinë e kinemasë familjare

By: Leonard
30 January 2026 at 20:08

Last Updated on 30/01/2026 by Leonard

Aktorja kanadeze Catherine O’Hara mbetet një nga figurat më të dashura të kinemasë dhe televizionit amerikan, e njohur veçanërisht për rolin e saj si Kate McCallister, nëna e Kevinit, në filmin kult “Home Alone” (“I vetëm në shtëpi”). Me interpretimin e saj të ngrohtë, energjik dhe plot humor, ajo u bë pjesë e pandashme e kujtesës kolektive të disa brezave shikuesish.

E lindur dhe rritur në Toronto, Catherine O’Hara është e dyta më e vogël nga shtatë fëmijë. Që në moshë të re ajo tregoi një prirje të fortë drejt aktrimit dhe komedisë, duke u bërë pjesë e trupës legjendare Second City, një inkubator i talenteve të mëdha të humorit amerikan.

Karriera e saj është e pasur dhe shumëdimensionale. Përveç suksesit të jashtëzakonshëm me Home Alone (1990–1992), O’Hara ka shkëlqyer në filma si “Beetlejuice”, “Best in Show”, “A Mighty Wind”, si dhe në serialin shumë të vlerësuar “Schitt’s Creek”, ku interpretimi i saj si Moira Rose i solli dy çmime Emmy, duke e konsoliduar si një nga aktoret më të fuqishme komike të kohës sonë.

Një tjetër arritje e rëndësishme në karrierën e saj është Emmy i vitit 1982, fituar për bashkë-shkrimin e skenarit të emisionit legjendar SCTV Network 90, një nga formatet më novatore të humorit televiziv.

Në jetën private, Catherine O’Hara është e martuar që prej vitit 1992 me dizajnerin e njohur të produksionit Bo Welch, të cilin e njohu gjatë xhirimeve të një filmi të Tim Burton. Çifti ka dy djem, Matthew dhe Luke.

Me një karrierë që shtrihet në më shumë se katër dekada, Catherine O’Hara mbetet një figurë e gjallë, aktive dhe thellësisht e respektuar në industrinë e argëtimit — një aktore që ka ditur të kombinojë humorin, ndjeshmërinë dhe inteligjencën artistike në role që nuk harrohen.

Catherine O’Hara vdiq pas një sëmundjeje të shkurtër në shtëpinë e saj në Los Angeles.

Ajo ishte 71 vjeç.

 

Përgatiti për botim: L.Veizi

20:04 Rezervat valutore të Bankës së Shqipërisë arrijnë nivel historik

By: EL
30 January 2026 at 20:04

Last Updated on 30/01/2026 by EL

Rezervat valutore të Bankës së Shqipërisë kanë arritur në nivelet më të larta historike, duke kapur vlerën e 7.3 miliardë eurove në fund të dhjetorit 2025. Të dhënat zyrtare tregojnë se, krahasuar me fillimin e vitit 2024, kur totali i rezervës ishte 5.6 miliardë euro, rritja ka qenë me më shumë se 30 për qind.

Në përbërjen e rezervave vërehet një shtim i dukshëm i arit, i cili ka arritur në 430 milionë euro, nga vetëm 204 milionë në fillim të periudhës së raportimit.

Po ç’domethënie ka kjo?

Ari konsiderohet aset strehë në periudha pasigurie financiare, inflacioni dhe tensione gjeopolitike, ndaj rritja e tij rrjedhimisht ulë varësinë nga valutat dhe tregjet financiare. Forcimi i rezervave valutore rrit aftësinë e bankës qendrore për të stabilizuar kursin e këmbimit, për të përballuar goditje të jashtme dhe për të garantuar mbulimin e importeve dhe detyrimeve të jashtme, duke vepruar si një “jastëk financiar” për ekonominë shqiptare, shpjegon Lapsi.al. Rritja e çmimit të arit në tregjet ndërkombëtare reflektohet edhe në rezervën e Bankës sonë Qëndrore./et

20:02 OKB rrezikon falimentin, Guterres: Përballemi me krizë financiare, shtetet nuk paguajnë tarifat

By: EL
30 January 2026 at 20:02

Last Updated on 30/01/2026 by EL

Kombet e Bashkuara janë përballë rrezikut të “kolapsit të afërt financiar” për shkak të mospagimit të tarifave të shteteve anëtare. Këtë fakt e ka bërë të ditur kreu i këtij organizmi Antonio Guterres.

António Guterres tha se OKB-ja përballet me një krizë financiare e cila po “thellohej, duke kërcënuar zbatimin e programit”, dhe se paratë mund të mbarojnë deri në korrik.

Ai shkroi në një letër drejtuar ambasadorëve se të 193 shtetet anëtare duhej të respektonin pagesat e tyre të detyrueshme ose të rishikonin rrënjësisht rregullat financiare të organizatës për të shmangur kolapsin.

Kjo vjen pasi kontribuesi më i madh i OKB-së, SHBA-të, refuzuan të kontribuonin në buxhetet e saj të rregullta dhe paqeruajtëse, dhe u tërhoqën nga disa agjenci që i quajtën “humbje parash të taksapaguesve”.

Guterres tha se OKB-ja ishte përballur me kriza financiare në të kaluarën, por se situata aktuale ishte “kategorikisht e ndryshme”.

“Vendimet për të mos respektuar kontributet e vlerësuara që financojnë një pjesë të konsiderueshme të buxhetit të rregullt të miratuar tani janë njoftuar zyrtarisht”, shkroi sekretari i përgjithshëm, pa përmendur anëtarë specifikë.

Ai tha se “integriteti i të gjithë sistemit” varej nga shtetet që i përmbaheshin detyrimit të tyre ligjor sipas kartës së OKB-së për të paguar “kontributet e tyre të vlerësuara”, duke shtuar se viti 2025 përfundoi me një shumë rekord të papaguar – ekuivalente me 77% të totalit të borxhit.

Guterres tha se një rregull që OKB-ja duhet t’u kthejë paratë e pashpenzuara anëtarëve nëse nuk mund të zbatojë një buxhet krijoi një “goditje të dyfishtë” në të cilën “pritej të kthente para që nuk ekzistojnë”.

“Nuk mund ta ekzagjeroj urgjencën e situatës me të cilën përballemi tani. Ne nuk mund të ekzekutojmë buxhete me fonde të pambledhura, as të kthejmë fonde që nuk i kemi marrë kurrë.”

Ai shkroi: “Në fund të fundit, çështja është e qartë: ose të gjitha shtetet anëtare i respektojnë detyrimet e tyre për të paguar plotësisht dhe në kohë, ose shtetet anëtare duhet të rishikojnë rrënjësisht rregullat tona financiare për të parandaluar një kolaps të afërt financiar.”

SHBA-të janë kontribuesi më i madh i organizatës ndërkombëtare, por Presidenti Donald Trump ka thënë se ajo nuk po e përmbushte “potencialin e saj të madh” dhe e ka kritikuar atë për dështimin në mbështetjen e përpjekjeve të paqes të udhëhequra nga SHBA-të.

Në janar, ai tërhoqi SHBA-të nga dhjetëra organizata ndërkombëtare, përfshirë rreth 31 agjenci të OKB-së, për të “i dhënë fund financimit dhe përfshirjes së taksapaguesve amerikanë në entitete që avancojnë axhendat globaliste mbi prioritetet e SHBA-së”.

Në fund të dhjetorit, SHBA-të premtuan 2 miliardë dollarë (1.5 miliardë paund) për të financuar programet humanitare të OKB-së – duke paralajmëruar në të njëjtën kohë se organizata duhet të “përshtatet ose të vdesë”. Kjo ishte një pjesë e vogël e shpenzimeve të saj të mëparshme. Në vitin 2022, kontributi i saj në punën humanitare të OKB-së u vlerësua në 17 miliardë dollarë. /et

19:58 Lapaj ftoi “Lëvizjen Bashkë” të bëhet pjesë e protestës së tyre, Redi Muçi e refuzon: Çdo thirrje për bashkëpunim, është në favor të Sali Berishës

By: EL
30 January 2026 at 19:58

Last Updated on 30/01/2026 by EL

Ditën e sotme, Adriatik Lapaj ftoi “Lëvizjen Bashkë” që t’i bashkohet protestës që ai do të mbajë nesër përballë Kryeministrisë.

I ftuar në Report Tv, deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, ka refuzuar ftesën e Lapajat, teksa tha se Çdo thirrje për bashkëpunim, është në favor të Sali Berishës. Muçi tha më tej se mos bashkëpunimin me Berishën, është një “kriter të panegociueshëm” për Lëvizjen Bashkë.

Çdo thirrje për bashkëpunim është në favor të Sali Berishës. Atij dhe PD-së u mungon legjitimiteti moral dhe, pa të, protestat nuk kanë efekt. Edi Rama i kalon protestat e Berishës me humor dhe ironi”, tha Muçi, duke i kujtuar Lapajt se edhe Berisha është nën hetim nga SPAK.

Ndërsa më tej, deputeti i kujtoi Lapajt përplasjet që ai pati me Endri Shabanin, tanimë Avokat Populli, në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës, si një arsye më shumë për mos bashkëpunimin mes dy lëvizjeve të reja.

Pse nuk bashkëpunojmë me Adriatik Lapajn? Nëse ne do kishim kapur dorën e shtrirë të tyre, do të kishim përfunduar në atë pikë ku hallat dhe tezet tona do ishin zënë me dajon e Shabanit dhe tezen e Adriatikut” tha ai./et

18:40 Oligarku rus Roman Abramovich mohon lidhjen me hetimin e Deutsche Bank, zëdhënësi: Ai nuk është i dyshuar

By: EL
30 January 2026 at 18:40

Last Updated on 30/01/2026 by EL

Një përgënjeshtrim kategorik ndaj publikimeve që lidhin emrin e Roman Abramovich me hetimet e autoriteteve gjermane ndaj Deutsche Bank ka bërë një përfaqësues i biznesmenit, duke sqaruar se nuk ekziston asnjë përfshirje penale e tij në këtë çështje.

Sipas deklaratës, Prokuroria e Frankfurtit, e cila po kryen hetime në zyrat e bankës, ka konfirmuar se Abramovich nuk është i dyshuar dhe se nuk është ngritur asnjë akuzë ndaj tij.

“Prokuroria e Frankfurtit, që po zhvillon hetimet në Deutsche Bank, ka konfirmuar se Abramovich nuk është i dyshuar në këtë çështje dhe se ndaj tij nuk ka akuza”, deklaroi përfaqësuesi i tij.

Sipas të njëjtës burim, kanë nisur tashmë procedura ligjore lidhur me disa publikime që, siç theksohet, “e kanë lidhur në mënyrë të pabazuar” emrin e biznesmenit me këtë çështje. Përfaqësuesi shtoi se këto raportime janë mbështetur në informacione të rreme, të cilat kanë ardhur nga një media gjermane.

Ai bëri gjithashtu të ditur se disa media kanë ndryshuar tashmë përmbajtjen e artikujve të tyre, duke hequr emrin e Roman Abramovich, ndërsa pritet që edhe media të tjera të veprojnë në të njëjtën mënyrë.

Kujtohet se në një deklaratë të mëparshme, përfaqësuesi i biznesmenit kishte theksuar se ish-pronari i klubit Chelsea nuk kishte pasur asnjë dijeni për ndonjë hetim të autoriteteve gjermane në kuadër të çështjes së Deutsche Bank dhe se gjithmonë ka vepruar në përputhje me ligjin.

Çështja doli në pah pas një publikimi të revistës Der Spiegel, e cila raportoi se hetimet në zyrat e Deutsche Bank dyshohet se lidhen me marrëdhënie biznesi të institucionit financiar me kompani që kontrollohen nga Roman Abramovich./et

18:33 Alibia e humbjes? Pse PD nuk tregon si e do ndarjen territoriale?

By: EL
30 January 2026 at 18:33

Last Updated on 30/01/2026 by EL

Nga Ylli Pata

Reforma territoriale e vitit 2014 zhduku komunat dhe krijoi 61 bashki. Me fjalë të tjera, ata që sot janë njësi administrative, më parara ishin njësi që zgjihehdhin direkt me kryetar e këshilla, që në një farë mënyrë krijonin një marrëdhënie në territor.

Realisht, komunat e vjetra krijonin një farë klientelimi dhe influence por gjithsesi ata nuk se përbëjnë gjithmonë një fuqi politike.

Ja të marrim Tiranën. Partia Demokratike qan ikjen e komunës së Paskuqanit që sot është me bashkinë e Kamzës dhe komunën e Kasharit që sot është me Bashkinë e Tiranës.

Komuna e Paskuqanit është një serbrator historik i votave të PD-së, por në zgjedhjet e fundit ka ndodhur e kundërta. Paskuqani, përkatësisht njësia administrative nuk është më bastion i PD-së. Ndërkaq, ish-komuna Kashar sot është njësia më e rëndësishme e Tiranës elektorale. Përkatësisht njësia 14 është më e madhja  në kryeqytet, pasi ka brenda saj dy njësi që janë fuqia e madhe demografike e kryeqytetit: Yzberishin dhe Astirin. Deri para pak vitesh njësia 5 dhe njësia 2 ishin më të rëndësishmet në zgjedhjet e Tiranës. Nga viti 2021, Njësi 14 është më strategjikja. Prej 5 vitesh megjithatë, si Astiri,si Yzberishi, si Kashari, apo Yrsheku e Mëzezi, kanë mbetur një bastion socialist, edhe pse demokratët kanë gjithashtu jo vetëm mbështetës pore dhe struktura të organizuara.

Nëse shikohet me kujdes ky zhvillim demografik e sheh qartë se njësia 14 nuk është gjë tjetër veçse një Komunë e Parisit e proletariatit. Përkatësisht një shumicë ardhje nga Jugu i vendit, shtresë e mesme, që kanë votuar përgjithësisht Partinë Socialiste.

Socialistët, me njësinë Kasharin, e cila u ndërtua e tillë nga PD kur e promovoi atë komunë kanë arritur fuqinë strategjike në kryqytet pasi mbajën primatin në dy njësitë më të mëdha; 5 dhe 14. PD apo e djathte k humbur dhe vendin e parë në njësinë 11 që ka qenë përgjithësisht me 2 mijë vota, apo njësinë 8 e cila është e vogël dhe në zgjedhjeparlamentare ndikon pak.

Në Durrës, ndarja e re territorial i ka prishur punë PD-së, pasi dikur kontrollonte Rrashbullin që kontrollon plazhet e Shkëmbit të Kavajës, Golemin me raste që kontrollon bregreditn e tij, ndërkohë që në Gjirin e Lalzit, ish-komuna e Ishmit ka qenë socialiste përgjithësisht.

Në Lezhë, PD ka pasur fuqi politike në njësinë vendore, ku fuqinë politike e ka asur në tre ish-kominat e mëdha; Shënkoll, Balldren dhe Zejmen, por diferenca ka qenë gjithmonë jo e pa e ndryshueshme mes të majtës dhe së djathtës. Ndryshimin politik në qark në zgjedhjet parlamentare e ka bërë pak Mirëitë por më shumë Mamirrasi dhe Fushëkuqja që janë dy ish-komuna me popullsi më të madhe në bashkinë Kurbin.

Harta e re territoriale nuk e ka prishur ekulibrin politik në qark, madje edhe në zgjedhjet e fundit, Megjithatë PD ka pasur humbje apo rrjedhje nga veriu në jug, dhe këtë ja ka vënë ndarjes. Por sa qëndron? Le të marrim për krahasim njësi bastion ttë PD-së si bashkia Shkodër përshembull që në 2023 i shkoi socialistëve me Benet Becin.

Shkodra ka qenë realisht bastion i PD, por jo i gjithë teritori. Pasi Velipoja, ish-komuna e Rrethinave, Ana e Malit janë bastione të PS-së. PD ka pasur fuqinë e saj në qytetin e Shkodrës dhe në Dajç që sot është në komunën e Vaut të Dejës. E cila ka brenda Bushatin, një basen demokrat të fortë, Mjedën gjithështu ish-bastion historic, Laçin e Vaut të Dejës që nxori politikan Nar Ndokën dhe zonat përreth. Sot E gjithë kjo zonë voton Tom Doshin ose PS-në. Në fakt jo vetëm sot, pasi ka vite që gjeopolitika ka ndryshuar. Dhe prej asaj kohe janë zhvilluar disa zgjedhje lokale, të cilat PD nuk se i ka dhënë maksimumin e energjive opozitare që vinin nga poshtë, ose ka pasur një përplasje brenda llojit siç ndodhi në 2023 në disa bashki. Ku Gaz Bardhi, atëherë sekretar i përgjithshëm i vulës përkrahu kandidatët e fotores duke sjellë probleme t mëdha, sidomos në zona specifike, ku Vau i Dejës është njëra përshembull.

Megjithatë, nëse shihet me vëmendje ka bashki, ku opozita i trajton si lugat, nëse do të kishte një motivim e mobilizim, mund t’i fitonte. Siç fitoi në ditën më të keqe Memaliajn, Pukën, Mirditën, Fusharrësin, thjesht sepse u kandiduan personazhe me dëshirë që arritën aleanca lokale fituese. Gjeografia ka efektin e vet në një konfigurim demografik të konsoliduar, por sot që doktori i solli të gjithë në Tiranë e Durrës, gjepolitika elektorale shqiptaret është më e kontrolluar. Ndarja administrative është thjeshte alibi, e për ta parë këtë mjafton të shikohen votat fshat më fshat e lagje më lagje në qytet, për të parë se e gjthë kjo fabul e një ndarje elektorale nuk mbahet në këmbë. Loja është e qartë; PD ka humbur fuqinë e barazimit në qarkun Tiranë, Durrës dhe Elbasan. Mund të kthehet kjo? Deri tani nuk ka ardhur ndonjë propozim!

Nga kampion bote në qeli, arrestohet boksieri amerikan

By: David
30 January 2026 at 18:25

Pothuajse dy javë pasi autoritetet e shpallën në kërkim, Gervonta Davis u ndalua nga forcat e rendit në Miami. Ai akuzohet për agresion fizik, ndalim të paligjshëm dhe tentativë rrëmbimi, lidhur me një incident të supozuar dhune ndaj ish-partneres së tij.

Arrestimi u krye pas një operacioni vëzhgimi që u zhvillua për disa ditë në tre qarqe të ndryshme. Autoritetet bënë të ditur se boksieri u arrestua pa rezistencë në Distriktin e Dizajnit të Miami-t. Akuzat janë ngritur nga ish-partnerja e tij, Courtney Rossel, e cila pretendon se Davis e ka sulmuar fizikisht, e ka privuar nga liria, ka tentuar ta rrëmbejë dhe i ka shkaktuar qëllimisht stres emocional.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur më 27 tetor, kur boksieri nga Baltimore thuhet se e ka sulmuar Rossel në vendin e saj të punës, pasi e kishte kërcënuar me vdekje. Në një konferencë për shtyp më 14 janar, policia e Miamit e cilësoi rastin si incident dhune në familje dhe deklaroi se hetuesit po bashkëpunonin ngushtë me autoritetet federale për lokalizimin dhe arrestimin e Davisit. Si pasojë e këtyre akuzave, Shoqata Botërore e Boksit (WBA) e ka shpallur së fundmi Davisin kampion në pushim, duke ia hequr titullin e kampionit në peshën e lehtë./ D.C

18:20 Klubi arab zyrtarizon largimin e Rey Manajt

By: EL
30 January 2026 at 18:20

Last Updated on 30/01/2026 by EL

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Rey Manaj, ka mbyllur zyrtarisht aventurën e tij me klubin Sharjah në Emiratet e Bashkuara Arabe pas vetëm gjashtë muajsh.

Klubi njoftoi përmes rrjeteve sociale se ndërprerja e kontratës është bërë me mirëkuptim të dyanshëm, duke i uruar lojtarit suksese në vijim të karrierës.

Sipas raportimeve, Manaj ka hequr dorë nga një kontratë me vlerë rreth 3.9 milionë euro për të mundësuar largimin e tij.

Destinacioni i radhës i sulmuesit pritet të jetë rikthimi te skuadra e Sivasspor në Turqi.

Gjatë përvojës së tij të mëparshme me klubin turk, ai la gjurmë të rëndësishme duke shënuar 34 gola dhe dhënë 11 asistime.

Futbollisti pritet të udhëtojë drejt Turqisë për të finalizuar marrëveshjen e re./et

Shorti i “Play-off” në Champions League, priten përballje të zjarrta në fazën e 1/8-ave

By: David
30 January 2026 at 18:15

Last Updated on 30/01/2026 by David

Këtë të premte në mesditë u hodh shorti për fazën e play off të Uefa Champions League, teksa 16 skuadrat e kualifikuara në këtë fazë njohën fatin e tyre në rrugëtimin evropian të këtij sezoni. Finalistët e sezonit të shkuar, italianët e Interit do duhet të sfidojnë  Bodo Glimt. Ndeshje e lehtë në pamje të parë për skuadrën e drejtuar nga Christian Chivu, por norvegjezët kanë shfaqur rritje cilësore në sfidat e fundit, teksa kanë mundur Cityn dhe Atletico Madridin.

Real Madrid, 15 herë fitues i Ligës së Kampionëve do të ndeshet sërish me Benficën. Vetëm pak ditë pas asaj përballje ku Benfica e Mourinhos triumfoi 4-2, shqiponjat e Lisbonës do duhet të sfidojnë sërish “Los Blancos”, këtë here në play off. Derbi francez në këtë fazë të play off, me kampionët në fuqi të PSG, që do të vihen përballë ekipit nga principata Monaco.

Bardhezinjtë e Spallettit do të kenë përballë turqve të Galatasarayt. Një përballje jo e lehtë, po të mbahet në konsideratë precedentët  në të kaluarën ekipi nga Stambolli i ka eleminuar torinezët. Atletico Madrid ndërkohë do të sfidojnë ekipin belg të Club Brugge. Bergamaskët e Atalantës do të kenë një sfidë të vështirë teksa do të përballen me Borussia Dortmund, ndërsa gjermanët e tjerë të Leverkusen do të jenë favoritë në letër, teksa do të sfidojnë grekët e Olympiacos. Kujtojmë që sfidat e para të fazëz play off në Champions League do të zhvillohen më 17 e 18 shkurt, ndërsa ato të kthimit 7 ditë më pas./ D.C

18:14 Komunat në veri votojnë sërish për t’u tërhequr nga Asociacioni i Komunave të Kosovës

By: EL
30 January 2026 at 18:14

Last Updated on 30/01/2026 by EL

Komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovica e Veriut, Leposaviqi dhe Zubin Potoku – kanë votuar për t’u tërhequr nga Asociacioni i Komunave të Kosovës të premten, pasi duan të jenë pjesë e një asociacioni të veçuar të komunave me shumicë serbe në vend.

Kjo është hera e dytë që ato votojnë për këtë, pas votimit të 18 dhjetorit të vitit të kaluar.

Por, votimi i dhjetorit ishte shpallur i paligjshëm nga ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, për shkak të parregullsive procedurale, pasi, ndër të tjera, propozimi ishte bërë nga kryetarët e komunave.

“Kjo praktikë bie ndesh me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale (neni 47.2), i cili përcakton se vetëm anëtarët e kuvendit kanë të drejtë të kërkojnë shtimin e pikave në rendin e ditës gjatë seancës, dhe atë vetëm për çështje urgjente me rëndësi publike”, kishte shkruar Krasniqi në Facebook pas votimit të dhjetorit.

Ai e kishte kritikuar Listën Serbe se me këtë votim po synonte “nxitjen e ndasive ndërmjet komuniteteve, përçarjen, mosbesimin dhe tensionet, duke treguar mungesë gatishmërie për të bashkëpunuar me komunat e tjera në kuadër të Asociacionit”.

Vendimi i ri i së premtes duhet t’i dërgohet Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për aprovim, pasi ajo është organi kryesor mbikëqyrës i komunave.

Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku u udhëhoqën nga kryetarë shqiptarë nga maji i vitit 2023 deri në zgjedhjet e tetorit 2025, pasi përfaqësuesit e Listës Serbe kishin dhënë dorëheqje në nëntor të vitit 2022, si pjesë e nismës së përbashkët të serbëve për t’i braktisur institucionet e Kosovës në shenjë kundërshtimi ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës.

Nën udhëheqjen e kryetarëve shqiptarë, këto komuna iu bashkuan Asociacionit të Komunave të Kosovës verën e vitit 2023.

Ky asociacion vepron si organizatë joqeveritare me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe mbrojtjes së interesave të anëtareve të saj.

Lista Serbe e kishte kundërshtuar asokohe anëtarësimin e komunave me shumicë serbe në të, duke vlerësuar se vendimi nuk ishte marrë “në dobi të qytetarëve dhe ishte i paligjshëm”.

Asokohe pati reaguar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke vlerësuar se komunat me shumicë serbe duhet të ishin pjesë e një asociacioni të komunave me shumicë serbe, për themelimin e të cilit Kosova dhe Serbia u pajtuan disa herë gjatë dialogut të tyre nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Kosova nuk ka bërë hapa për ta themeluar këtë asociacion, me gjithë trysninë nga bashkësia ndërkombëtare./REL

17:46 Moti i keq lë rreth 10 mijë banorë në errësirë totale, Shushica pa energji elektrike prej mbrëmjes së kaluar

By: EL
30 January 2026 at 17:46

Last Updated on 30/01/2026 by EL

Rreth 10 mijë banorë të Shushicës, në Elbasan, vijojnë të jenë pa energji elektrike që prej mbrëmjes së kaluar, si pasojë e motit të keq. Ndërprerja e zgjatur e furnizimit ka lënë fshatrat e zonës në errësirë totale, duke shkaktuar vështirësi serioze në jetën e përditshme dhe në aktivitetin ekonomik.

Mungesa e energjisë ka prekur jo vetëm familjet, por edhe bizneset lokale, të cilat raportojnë probleme në funksionimin normal, furnizimin me energji dhe ruajtjen e produkteve, veçanërisht ato ushqimore. Sipas informacioneve paraprake, shkak i ndërprerjes është bërë moti i përkeqësuar, ndërsa grupet e OSHEE-së ndodhen në terren për identifikimin e defekteve dhe rikthimin sa më të shpejtë të energjisë elektrike.

Ky nuk është rasti i parë i ndërprerjeve të gjata të energjisë në zonë, çka ka shtuar shqetësimin dhe pakënaqësinë e banorëve. Ata shprehen se po përballen me vështirësi të mëdha, sidomos familjet me fëmijë të vegjël, të moshuarit dhe personat me nevoja të veçanta.

Banorët i bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse për një zgjidhje të menjëhershme, si dhe për marrjen e masave afatgjata, pasi situata e përsëritur po ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetës dhe sigurinë e komunitetit./et

17:42 “Protestojmë me 10 shkurt në orën 5”, Berisha: Raportuesi i PE dhe Gonzato t’i kërkojnë PS imunitetin e Ballukut

By: EL
30 January 2026 at 17:42

Last Updated on 30/01/2026 by EL

Protesta e radhës e Partisë Demokratike do të mbahet më 10 shkurt, njoftim që u konfirmua nga kreu i saj, Sali Berisha, në konferencën për shtyp me gazetarët.

“Ftoj të gjithë të rinjtë shqiptarë, burrat, gratë, të moshuarit, të bashkohemi në datën 10 shkurt, në ora 5 në Tiranë, për t’i dhënë leksionin e merituar kësaj organizate kriminale me në krye Edi Ramën”, tha Berisha.

Kreu i PD-së komentoi deklaratën e raportuesit për Shqipërinë në PE, Andreas Schieder, i cili kishte kritikuar përdorimin e molotovëve në protestat e opozitës. Berisha replikoi se pret nga Schieder dhe Brukseli që t’i kërkojnë qeverisë shqiptare të respektojë standardin europian për dorëzimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë, duke iu referuar rastit të Belinda Ballukut: “Andreas Schieder është një zotëri i nderuar. Mendoj se shqiptarët prisnin prej tij dhe presin jo vetëm prej tij, por nga Brukseli, kërkesën për të mbrojtur standardin europian i cili edhe 12-13 vite më parë në këtë vend detyronte ministrat për koincidencë edhe zv/kryeministrin që kërkohej nga Prokuroria, të dorëzohej imuniteti, para se të votonte Parlamenti. Schieber, sikurse edhe zoti Gonzato, nuk e kanë kërkuar këtë”.

Socialistët i dhanë kohë deputetëve të PD-së për të vendosur nëse do të marrin pjesë në Komisionin e Reformës Territoriale, para se të ndryshojnë formulën e funksionit ndërtuar mbi barazinë e numrave.

Kërkesa erdhi nga vetë demokratët në Konferencën e Kryetarëve, Sali Berisha, ishte i prerë në përgjigjen e tij duke refuzuar pjesëmarrjen.

Revolta është rruga e përmbysjes së kësaj diktature autokratike, pohoi kreu demokrat Berisha në mbyllje të konferencës për shtyp. /et

17:21 Gozhda e Nastradinit: Faji i tranzicionit dhe detyrimi politik i Ramës për ta shkulur….

By: EL
30 January 2026 at 17:21

Last Updated on 30/01/2026 by EL

Nga Fejzo Subashi

Demokracia shqiptare lindi me një mëkat themelor: Frikën për ta zgjidhur drejt çështjen e pronës. Ky mëkat prodhoi një nga plagët më të rënda të shtetit shqiptar, Ligjin 7501, i cili nuk ishte thjesht gabim ligjor, por zgjedhje politike e vetëdijshme e klasës politike në fillimet e tranzicionit. Një zgjedhje që u shndërrua në gozhdën e Nastradinit për shtetin, shoqërinë dhe ekonominë.

Kjo gozhdë u prodhua nga klasa politike e djeshme, u mbajt me qëllim nga politika e sotme për vite me radhë, dhe vetëm politika mund ta shkulë. Nuk ka zgjidhje teknike për një problem politik. Nuk ka zgjidhje lokale për një padrejtësi kombëtare. Dhe kjo përgjegjësi, sot, i mbetet drejtpërdrejt Kryeministrit Rama dhe Qeverisë së tij. Ligji 7501 e trajtoi pronën jo si themel të kapitalizmit, por si instrument qetësimi social dhe pazari politik. Ai prodhoi abuzim masiv, pasiguri juridike, konflikte pronësie dhe një realitet absurd ku toka nuk dihet kujt i përket, pse i përket dhe çfarë funksioni ka. Pikërisht për këtë arsye, prona në Shqipëri nuk u kthye kurrë në kapital real.
Pa siguri pronësie nuk ka kapitalizëm. Pa kapitalizëm nuk ka zhvillim.

Pa zhvillim nuk ka shtet funksional. Falë kësaj gozhde, Shqipëria ka jetuar për dekada me ekonomi gjysmake, me investime të frenuara, me emigrantë që nuk kthehen dhe me investitorë të huaj që largohen. Jo sepse toka mungon, por sepse ligji mbi tokën nuk sundon. Problemi thellohet edhe më tej nga mungesa e konceptit real të pronës. Në Shqipëri ngatërrohet prona private me pronën bujqësore, sikur të ishin e njëjta gjë. Nuk janë. Juridikisht, ekonomikisht dhe praktikisht ato kanë funksione të ndryshme. Toka bujqësore nuk është thjesht pasuri; ajo është mjet prodhimi, me status, kufizime dhe detyrime publike. Kur kjo nuk kuptohet, prona degradohet, toka lihet djerrë dhe zhvillimi vdes.

Ky konfuzion nuk është rastësi. Ai është produkt i tranzicionit të deformuar, i mungesës së kulturës juridike dhe i interesave që ushqehen nga kaosi. Prandaj kjo çështje nuk është thjesht sociale apo ekonomike – është çështje shteti. Sot, regjistrimi i pronës nuk është luks dhe as favor politik. Është detyrim kushtetues dhe kusht europian. Bashkimi Europian nuk integron shtete me pronë informale, me tokë “fshati” dhe me institucione që nuk dinë çfarë administrojnë. Investitorët e huaj nuk hyjnë aty ku prona është e paqartë dhe ligji relativ.

Në këtë realitet, duhet thënë qartë: Qeveria Rama ka marrë nismën më serioze të 30 viteve për ta shkulur këtë gozhdë. Regjistrimi falas i pronës së përfituar nga Ligji 7501, azhurnimi i dokumentacionit dhe përpjekja për ta kthyer pronën në bazë të zhvillimit janë hapa të drejtë dhe të domosdoshëm.

Por kjo nismë nuk mund të mbetet gjysmake.
Nuk mund të ndalet nga rezistenca e abuzuesve.
Nuk mund të negociohet me interesat e paligjshme.

Gozhda nuk shkulet me dorë të butë. Shkulet me vullnet politik, forcë ligjore dhe përgjegjësi historike.
Kjo gozhdë duhet shkulur jo vetëm sepse na duhet neve, por sepse është kusht për kapitalizmin, për investimet e huaja dhe për hyrjen në familjen europiane. Kush nuk e kupton këtë, ose nuk e do shtetin, ose ka përfituar nga kaosi. Sot, faji i tranzicionit është i dokumentuar. Zgjidhja është politike. Dhe përgjegjësia, pa mëdyshje, i mbetet Ramës dhe Qeverisë së tij. Nëse kjo gozhdë shkulet, Shqipëria bën hap real drejt Europës. Nëse jo, mbetemi peng i gabimeve tona.

Tiranë më 30.01.2026.

17:11 Pranohen kushtet e Lapajt. PD dhe aleatët gati të ulen në tryezë me partitë e tjera opozitare

By: EL
30 January 2026 at 17:11

Last Updated on 30/01/2026 by EL

Demokratët dhe aleatët e tyre historikë pranuan iniciativën për të marrë pjesë në nismën për bashkimin e opozitës, ndërmarrë nga Ermal Hasimja. Ky i fundit njoftoi pas takimit që zhvilloi në selinë blu, se tryeza e dialogut do të mbahet nga përfaqësues të nivelit të dytë të partive, duke shmangur kështu prezencën e kryetarëve, kërkesë kjo e Adriatik Lapajt.

Ermal Hasimja vijoi takimet politike me përfaqësues të subjekteve opozitare, me synimin për t’i dhënë jetë nismës së tij, për bashkimin e një fronti unik përballë mazhorancës së Edi Ramës. Të premten ishte në selinë e PD, ku duket se gjeti dakordësinë e njerëzve të Berishës dhe aleatëve të tij tradicionalë.

Më pas edhe kryedemokrati konfirmoi se mirëpriste iniciativën, pa vendosur kushte, shkruan A2.

Për numrin dy të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ky bashkim vjen me vonesë, por megjithatë është i mirëpritur nga partia e tij.

Në ditët në vijim pritet që të mblidhen të gjitha partitë që duan të krijojnë një front të përbashkët politik, me qëllim rrëzimin e qeverisë./et

❌
❌