Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 30 December 2025Gazeta Fjala

14:50 Rama: AKSHI është institucion krenarie! U dha fund 7 600 viteve pritje në radhë për shqiptarët

By: Klara
30 December 2025 at 14:50

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), është institucion krenarie për kryeministrin Edi Rama.

“Jo për të ulur kokën”, theksoi ai në konferencën e fundvitit, 30 dhjetor, referuar gjithë zhurmës së krijuar me masën e sigurisë ndaj Mirlinda Karçanajt që e ka drejtuar atë institucion për shumë vite dhe hetimet për zyrtarë e biznesmenë, të dyshuar se kanë abuzuar me tenderat.

Kreu i qeverisë tha se transformimi digjital në vendin tonë ka ardhur pikërisht falë AKSHI-t, duke veçuar gjithë lehtësirat që ka krijuar platforma e-Albania për qytetarët.

“AKSHI është një institucion krenarie, që të jemi shumë të qartë bashkë, jo për të ulur kokën, por për të qenë krenar, sepse kemi qenë këtu ne, keni qenë edhe ju, kur duhet të shkonit të mbanit radha për çdo lloj letra. Kur ata që kishit jashtë duhet të vinin këtu se s’kishin shans të merrnin një copë letër, 620 miliardë lekë, që janë 620 milion euro ka kursyer AKSHI për shqiptarët, falë digjitalizimit.

Ky është studim ndërkombëtar. 7 600 vite pritje në radhë! 25 mijë rrotullime rreth Tokës, parafytyrojeni një radhë shqiptarësh që i shkon Tokës 25 mijë herë kështu.

33 milion euro kursime për shqiptarët jashtë vendit, është raport ndërkombëtar, 75 milion fletë letre të kursyera! Falë atij AKSHI-t, 3.4 mln shqiptarë janë përdorues të rregullt të e-Albania dhe vetëm në 2025-ën janë 17 milion shërbime të ofruara, 12 mln dokumente të gjeneruara, 1.45 milion shërbime në muaj. Njerëz që klikojnë dhe mbarojnë punë! Dikur jepnin lekë për të marrë një certifikatë.

Jemi vendi që një nga arsyet pse po ecim kaq shpejt me BE-në është AKSHI, kemi ndërtuar me “Diellën” një sistem që bën në një kohë të shkurtër atë që Krocisë iu deshën 7 vite ta bënte.

Skuadra e AKSHI-t ka një sërë garash të fituara brenda NATO-s dhe BE-së.

Rrini, prisni se shumë shpejt, besoj janar-shkurt do të dalim me e-Albania 2.0 falë AKSHI-t dhe do ketë shumë gjëra të reja në atë sistem për shqiptarët, prandaj ata e votojnë Partinë Socialiste. Nuk e votojnë patronazhistët! Në 2029-ën do llafosemi prapë, të tjerat, secili bën punën e vet. Shiu bën punën e vet, se sa pika ka këtu…”,deklaroi numri një i kabinetit qeveritar.

“Jeton në një shtëpi me qira, dikur e prindërve, apartament i kohës së komunizmit. Punon pa orar dhe ka udhëhequr gjithë transformimin digjital, e respektuar edhe ndërkombëtarisht. Ka respektin tim të padiskutueshëm”, tha ai për Karçanajn, e cila aktualisht ndodhet në “arrest shtëpie” dhe e ka deleguar postin e saj derisa të përfundojnë hetimet e SPAK./K.M

14:40 Partizani e mbyll me fitore vitin, triumfon ndaj Laçit

By: Klara
30 December 2025 at 14:40

Partizani fitoi ndeshjen miqësore ndaj Laçit me rezultatin 2-0, në takimin e fundit të zhvilluar për vitin 2025.

Golat e fitores për ekipin e kuq u shënuan nga Bintsuka në minutën e 87-të dhe Gudjufi në minutën e 90-të.

Skuadra kurbinase nuk arriti të konkretizonte tentativat e saj gjatë gjithë lojës.

Ky takim shënoi edhe mbylljen e vitit kalendarik për ekipin e kuq, të drejtuar nga trajneri Oltijon Kërnaja./KM

14:30 Shkarkohet kreu i UKT Tiranë, Skerdi Drenova

By: Klara
30 December 2025 at 14:30

Është shkarkuar nga detyra kreu i Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë, Skerdi Drenova, pas problemeve të shumta dhe të përsëritura me furnizimin me ujë të pijshëm në kryeqytet. Vendimi është marrë pas ankesave të vazhdueshme të qytetarëve, të cilët prej muajsh raportojnë mungesë serioze të ujit në banesat e tyre.

Sipas banorëve të disa zonave të Tiranës, furnizimi me ujë është kufizuar në vetëm një orë në ditë, një sasi e pamjaftueshme për të përmbushur nevojat më bazike të përditshmërisë, si higjiena personale, gatimi apo pastrimi. Kjo situatë ka shkaktuar shqetësim të madh dhe pakënaqësi në masë, veçanërisht për familjet me fëmijë, të moshuar apo persona me nevoja të veçanta.

Problematika është thelluar me kalimin e kohës dhe, sipas qytetarëve, nuk ka pësuar përmirësim as gjatë periudhës së dimrit, ndonëse në vend ka pasur reshje të shumta shiu. Kjo ka ngritur pikëpyetje të forta, sidomos duke marrë parasysh faktin se liqeni i Bovillës, burimi kryesor i furnizimit me ujë për Tiranën, ka qenë i mbushur dhe pa probleme të dukshme në kapacitetin e tij.

Situata ka nxitur reagime edhe në nivelet më të larta të politikës. Kryeministri Edi Rama ka shprehur publikisht kritika të forta ndaj menaxhimit të Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë, duke deklaruar se gjendja e krijuar është pasojë e keqmenaxhimit dhe mungesës së përgjegjshmërisë institucionale.

Shkarkimi i Skerdi Drenovës shihet si një hap drejt marrjes së përgjegjësive dhe pritet që autoritetet të ndërmarrin masa konkrete për të përmirësuar furnizimin me ujë. Ende nuk është bërë e ditur se kush do ta zëvendësojë atë në krye të institucionit, ndërsa pritet që në ditët në vijim të ketë një plan konkret për zgjidhjen e krizës së ujit në Tiranë./K.M

14:20 Aksidentohet autoboti me gaz në aksin “Strugë-Qafë Thanë”/ Bllokohet lëvizja e mjeteve

By: Klara
30 December 2025 at 14:20

Një aksident rrugor ka ndodhur ditën e sotme në aksin rrugor “Strugë-Qafë Thanë”, rreth 3 kilometra nga dogana maqedonase. Sipas policisë së Korçës është një autobot me gaz është përmbysur dhe ka bllokuar rrugën.

Si pasojë do të bllokohet lëvizja e mjeteve në dalje të Shqipërisë dhe në hyrje të Maqedonisë së Veriut, deri në momentin kur rruga të jetë hapur plotësisht dhe e kalueshme për mjetet.

Njoftimi i plotë:

Pika e Kalimit Kufitar Qafë Thanë:

Paraditen e sotme, jemi njoftuar nga policia e Maqedonisë së Veriut, se në aksin rrugor “Strugë-Qafë Thanë”, rreth 3 km nga dogana maqedonase, si pasojë e një aksidenti rrugor, një autobot me gaz, ka bllokuar rrugën.

Për këtë arsye ju bëjmë me dije se, do të bllokohet lëvizja e mjeteve në dalje të Republikës së Shqipërisë dhe në hyrje të Maqedonisë së Veriut, deri në momentin kur rruga të jetë hapur plotësisht dhe e kalueshme për mjetet./K.M

14:10 Bllokohet për katër orë rruga nacionale “Kapshticë-Selanik”

By: Klara
30 December 2025 at 14:10

Rruga nacionale “Kapshticë-Selanik” do të bllokohet ditën e sotme për 4 orë. Bllokimi vjen për shkak të protestës që zhvillojnë fermerët grekë.

Sipas njoftimit, bllokimi do të jetë nga ora 12:00 deri në orën 16:00 me orën greke. Bëhet me dije se do të funksionojnë vetëm rrugët dytësore për veturat.

“Ditën e sotme, nëpërmjet qendrës së përbashkët të shkëmbimit të informacionit Gjirokastër është njoftuar nga Policia Kufitare Greke se më datë 30.12.2025, nga ora 12:00 deri në orën 16:00 (me orën greke), rruga nacionale “Kapshticë-Selanik”, do të jetë e bllokuar për shkak të protestës që do të zhvillojnë fermerët grekë. Do të funksionojnë vetëm rrugët dytësore, për veturat”, thuhet në njoftimin e policisë./KM

14:00 Këmbët e rosës nuk ngrijnë në akull dhe ja arsyeja e habitshme

By: Klara
30 December 2025 at 14:00

Në botën e kafshëve, natyra fsheh mekanizma mahnitës. Njëri prej tyre është aftësia e rosës për të qëndruar për orë të tëra mbi akull pa u lënduar apo ngrirë.

Këmbët e rosës kanë një sistem unik qarkullimi të quajtur “counter-current heat exchange”, i cili ruan temperaturën e gjakut dhe parandalon humbjen e nxehtësisë. Mungesa e yndyrës dhe muskujve në pjesën e poshtme të këmbëve ndihmon të reduktohet kontakti termik me akullin.

Ky mekanizëm po studiohet nga inxhinierët për të krijuar materiale izolimi më efikase në arkitekturë dhe veshje dimërore. Një shembull konkret i inspirimit të teknologjisë nga natyra./KM

14:00 Histori/ 1972 – Bombardimet, negociatat dhe fundi i një kapitulli të përgjakshëm të Luftës së Vietnamit

By: Leonard
30 December 2025 at 14:00

Përgatiti: Leonard Veizi

Në vitin 1972, Lufta e Vietnamit kishte hyrë në fazën e saj më të lodhshme dhe kontradiktore. Për Shtetet e Bashkuara, konflikti ishte bërë politikisht i papërballueshëm: mijëra ushtarë amerikanë kishin humbur jetën, shoqëria amerikane ishte thellësisht e përçarë nga protestat kundër luftës dhe besimi në fitoren ushtarake po shuhej. Presidenti Richard Nixon kishte premtuar një “paqe me nder”, por negociatat në Paris mes SHBA-së, Vietnamit të Veriut, Vietnamit të Jugut dhe Viet Kongut kishin ngecur në mosbesim dhe kalkulime strategjike.

Ofensiva e Pashkëve

Në pranverën e vitit 1972, Vietnami i Veriut nisi të ashtuquajturën Ofensivë e Pashkëve, një sulm të gjerë konvencional kundër forcave të Vietnamit të Jugut. Kjo ofensivë e vuri në vështirësi serioze Saigonin dhe rrezikoi gjithë strategjinë amerikane të “vietnamizimit” – kalimin gradual të barrës ushtarake nga trupat amerikane te ushtria e Vietnamit të Jugut. Përballë këtij zhvillimi, administrata Nixon vendosi të rikthejë presionin maksimal ushtarak.

Në maj 1972, SHBA-ja nisi Operation Linebacker I, duke rifilluar bombardimet sistematike ndaj objektivave strategjike në Vietnamin e Veriut dhe duke minuar portin e Haiphongut, arterien kryesore të furnizimit të Hanoit nga Bashkimi Sovjetik dhe Kina. Këto sulme synonin të ndërprisnin linjat logjistike, të dobësonin kapacitetin ushtarak të Veriut dhe ta detyronin udhëheqjen komuniste të rikthehej seriozisht në tryezën e negociatave.

Refuzimi i kushteve amerikane

Megjithatë, deri në fund të vitit, bisedimet sërish u bllokuan. Hanoi refuzonte kushtet amerikane, ndërsa Nixon, i saporizgjedhur për një mandat të dytë në nëntor 1972, vendosi të përdorë mjetin më ekstrem të presionit ajror. Kështu lindi Operation Linebacker II, i njohur edhe si “Bombardimi i Krishtlindjeve”.

Nga 18 deri më 29 dhjetor 1972, për 11 ditë rresht, bombarduesit strategjikë amerikanë B-52 ndërmorën një fushatë masive ajrore mbi Hanoi dhe Haiphong. Ishte një nga bombardimet më intensive të historisë moderne: qindra avionë fluturonin çdo natë, duke hedhur mijëra tonë bomba mbi objekte ushtarake, depo furnizimi, hekurudha, centrale energjetike dhe sisteme mbrojtëse ajrore. Qytetet e Vietnamit të Veriut u tronditën nga shpërthime të pandërprera, ndërsa mbrojtja ajrore vietnameze rrëzoi disa bombardues amerikanë, duke e bërë operacionin jashtëzakonisht të rrezikshëm dhe të kushtueshëm.

Zyrtarisht, administrata amerikane deklaroi se bombardimet nuk synonin civilët, por infrastruktura urbane dhe viktimat civile ishin të pashmangshme. Pamjet e shkatërrimit dhe raportet për humbje njerëzore ngjallën reagime të forta ndërkombëtare dhe protesta të reja brenda vetë Shteteve të Bashkuara. Megjithatë, nga pikëpamja strategjike, presioni ajror dha efektin e dëshiruar.

Rinisja e bisedimeve

Në fillim të janarit 1973, Vietnami i Veriut pranoi të rikthehej në bisedimet e Parisit. Më 15 janar 1973, SHBA-ja njoftoi ndalimin e bombardimeve mbi Vietnamin e Veriut, duke shënuar fundin e fushatës Linebacker II. Vetëm pak ditë më vonë, më 27 janar, u nënshkruan Marrëveshjet e Paqes së Parisit, të cilat parashikonin armëpushim, tërheqjen e trupave amerikane dhe kthimin e të burgosurve të luftës.

Megjithëse këto marrëveshje nuk i dhanë fund luftës mes veriut dhe jugut vietnamez – e cila do të përfundonte vetëm në vitin 1975 me rënien e Saigonit – ato shënuan fundin e përfshirjes së drejtpërdrejtë ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Vietnam. Bombardimet e vitit 1972 mbetën një simbol i kontradiktës së asaj lufte: përdorimi i forcës shkatërruese për të arritur paqen dhe një përpjekje për ta mbyllur një konflikt që kishte dalë prej kohësh jashtë kontrollit.

Në këtë kuptim, ndalimi i bombardimeve dhe rikthimi i negociatave nuk ishin thjesht një manovër ushtarake, por një pranim i heshtur se Lufta e Vietnamit nuk mund të fitohej në fushëbetejë, por vetëm të mbyllej në tryezën e diplomacisë.

13:50 Hëna e plotë e parë e vitit mbërriti! Si pritet të ndikojë në secilën shenjë?

By: Klara
30 December 2025 at 13:50

Hëna e plotë e parë e vitit ka mbërritur. Ajo pritet të zgjasë nga data 29 dhjetor deri më 4 janar. Kjo hënë ngrihet në shenjën e Gaforres më 3 janar

Kjo, mund të jetë periudha e duhur për të rikthyer vëmendjen tek ëndrrat që thuajse i kishe harruar. Hëna e plotë vendos fokusin tek rritja e transformimi. Energjia e kësaj jave reflekton mbylljen e një historie dhe fillimin e një tjetre.

Dashi

Hëna e plotë në Gaforre të kujton se shtëpia është aty ku është zemra jote. Aty është vendi ku je vetvetja dhe ku arrin të mbledhësh forcat përmes dashurisë e kujdesit të ofruar nga njerëzit që të mbështesin. Këtë javë, Hëna vendos fokusin te projektet që ke përpara dhe rëndësia e realizimit të tyre.

Sezoni i Bricjapit të nxit të shkosh gjithnjë e më shumë drejt qëllimeve të tua, por mos harro të ngadalësosh ritmin kur të jetë nevoja. Çështje nga e kaluara mund të rikthehen. Mund të pajtohesh me të tjerët dhe të mësosh të menaxhosh sjelljen impulsive. Megjithatë, mos harro se prioriteti mbetesh ti.

Demi

Përgatitu për shumë bashkëpunime gjatë Hënës së plotë në Gaforre, sepse kjo energji të ndihmon të krijosh miq të rinj apo dhe të forcosh marrëdhëniet ekzistuese. Ky është një moment i favorshëm edhe për jetën profesionale, me ndihmën e Marsit dhe Saturnit që nxjerrin në pah ambicien tënde.

Kjo mund të jetë gjithashtu një periudhë romantike, Dem. Nëse je beqar rrethi i miqve do të të shërbejë për të takuar një person të ri, ndërsa nëse je në lidhje shumicën e këtyre ditëve mund ta kalosh nën praninë e partnerit/es.

Binjakët

Nëse i kishe injoruar për një kohë çështjet financiare, kjo Hënë e plotë të rikthen në rrugën e duhur. Gjatë sezonit të Bricjapit, përfundimi i punëve dhe fillimi i planifikimeve është më i lehtë. Nëse për një kohë fokusi yt ka qenë ndryshimi, ky tranzit të lejon të kuptosh gjithçka që ke arritur gjatë gjashtë muajve të fundit.

Mundësitë për më shumë vazhdojnë, pasi Jupiteri ende ndikon tek financat e tua deri në mes të vitit. Gjithsesi, mos harro të jesh i/e kujdesshëm/e me paratë duke krijuar një rutinë të qëndrueshme.

Gaforrja

Kujdesi për veten është gjëja më e rëndësishme gjatë kësaj hëne Gaforre. Merr kohën që të nevojitet për t’u fokusuar tek ajo që të motivon dhe frymëzon gjatë sezonit të Bricjapit. Hëna e plotë në shenjën tënde të pyet nëse dëshiron të vazhdosh të arrish më shumë sukses për sa kohë që Jupiteri është ende në shenjën tënde.

Ky është momenti për të përmirësuar aftësitë e tua dhe për të mësuar diçka të re. Mërkuri në Bricjap të lejon të bësh plane për të arritur atë që synon. Ky tranzit të ndihmon në gjetjen e zërit tënd të brendshëm.

Luani

Për ty, Luan, lidhja me ëndrrat është një pjesë e rëndësishme e kësaj Hëne të plotë. Po mëson të jesh krenar për punën tënde dhe nëse ke dhënë maksimumin, përgatitu për vlerësime.

Hëna e plotë në Gaforre tregon se asgjë nuk është e vendosur përfundimisht. Edhe nëse nuk je aty ku dëshiron, gjërat mund të ndryshojnë shumë shpejt.

Disa cikle po mbyllen ndërsa të tjerë po fillojnë. Përgatitu të ndriçosh në gjashtë muajt e ardhshëm.

Virgjëresha

Kjo Hënë e plotë të mëson shumë mbi optimizmin dhe besimin tek vetja, Virgjëreshë. Ky është një moment kur je i/e gatshëm/e të mësosh nga miqtë e tu, gjë që do të të rrisë vetbesimin.

Gjatë kësaj Hëne do të ndihesh më i/e sigurt tek vetja dhe do të fillosh të besosh pak më shumë tek aftësitë e tua. Po hyn në një kapitull të ri, duke forcuar grupin tënd shoqëror, por edhe duke lënë pas ata miq që nuk të shërbejnë më.

Peshorja

Hëna dhe Jupiteri takohen në pikën më të lartë të hartës tënde, duke të udhëzuar si të punosh mirë me të tjerët dhe të forcosh aftësitë e tua drejtuese. Ky pozicion i Hënës të lejon të shohësh talentet e tua dhe t’i pranosh ato.

Nëse ke kaluar periudha dyshimi nga tranziti i Saturnit në Dash vitin e kaluar, ky moment tregon se je gati të marrësh përsipër rolet që deri tani vetëm i kishe shmangur./K.M

13:40 Çështja “Balluku” në Kuvend/ Rama: Ato 16 mijë faqe nuk janë produkt i hetimit, janë studime dhe kontrata

By: Klara
30 December 2025 at 13:40

Kryeministri Edi Rama, në konferencën e fundvitit me gazetarët, është pyetur edhe për rastin “Balluku”. Rama tha se as ai dhe askush tjetër nuk ka hyrë në përmbajtjen e rastit, por tha se kur kjo çështje shkon te pushteti legjislativ patjetër që duhet të shprehen pasi Këshilli i Mandateve nuk është zyrë noterie e prokurorisë.

Sa i përket dosjes së çuar në Këshillin e Mandateve nga SPAK-u për Ballukun, Rama deklaroi se po të ishte ai vetë pjesë e Këshillit do t’u thoshte të iknin dhe të ktheheshin me një dosje të përshtatshme për deputetët.

Kryeministri deklaroi se ato 16 mijë faqe të dosjes nuk janë produkt i hetimit, por është futur brenda gjithë arkivi i ministrisë.

Rama bëri me dije se USB-ja e dorëzuar nga SPAK-u në Kuvend nuk është tërhequr nga asnjë deputet socialist dhe as nga ministrja Balluku, për arsye që askush të mos thoshte se informacioni u nxor nga Kuvendi.

Keni dëgjuar ndonjë fjalë avokatie për rastin konkret? Nuk besoj. As unë dhe askush tjetër nuk ka hyrë në përmbajtjen e rastit. Tani për momentin është në rrugën e pushtetit gjyqësor, të cilën Gjyqësori e ndjek pa pasur nevojë të ndalojë në derën tonë. Kur rasti vjen në derën tonë, të pushtetit legjislativ, atëherë pushteti legjislativ duhet të shprehet. Nuk është noter i prokurorisë. Këshilli i Mandateve nuk është zyrë noterie dhe Parlamenti nuk noterizon kërkesat që vijnë. I merr, i sheh. Po të isha unë në Këshillin e Mandateve do t’u thosha çohuni ikni dhe kthehuni me një dosje për deputetët, nuk mund të vini këtu me një dosje me 16 mijë faqe që i quani prova. Ato 16 mijë faqe nuk janë produkt i hetimit, nuk kanë si të jenë produkt. Janë 16 mijë faqe ku janë futur brenda kontrata, studime, arkivi i ministrisë është futur brenda. Një vandak me dokumente zyrtare. USB-në e sjellë nga prokuroria nuk e ka tërhequr asnjë deputet i PS-së dhe as ministrja për të mos krijuar asnjë shteg që të thonë i kanë nxjerrë këta. Rasti përpara se të vinte në Parlamnet erdhi u fut në territorin e pushtetit ekzekutiv brutalisht me një kërkesë skandaloze për pezullim, e pandodhur në historinë e botës. E kemi kërkuar gjithandej nëse ka një të dytë, nuk ka. Për këtë në Parlament do të mbajmë patjetër qëndrim. Shqipëria ka kaq shumë gjëra që kanë ndodhur”, tha Rama./KM

13:30 Ambasada e SHBA-së: Përgëzojmë hetuesin e SPAK/BKH, Eduart Kaloshi, për diplomimin në Akademinë Kombëtare të FBI-së

By: Klara
30 December 2025 at 13:30

Ambasada amerikanë në Tiranë ka përgëzuar hetuesin e SPAK/BKH, Eduart Kaloshi për diplomimin e tij në Akademinë Kombëtare të FBI-së.

Në postimin e ambasadës thuhet se arritjet e Kaloshit do të forcojnë më tej bashkëpunimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me SPAK dhe do të ndihmojnë në ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurtë për qytetarët shqiptarë.

Postimi i plotë:

Çuarja përpara e bashkëpunimit në zbatimin e ligjit mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë fillon me ofrimin e mundësive të trajnimeve të nivelit më të lartë për oficerët më të përkushtuar të Shqipërisë. Ne përgëzojmë hetuesin e SPAK/BKH, Eduart Kaloshi, për diplomimin e tij këtë muaj në Akademinë Kombëtare të FBI-së. Eduarti i bashkohet grupit të shquar të ish-studentëve ndërkombëtarë të FBI-së, duke sjellë aftësi dhe ekspertizë të re e të vlefshme në përpjekjet e vendosura të SPAK në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Arritjet e tij do të forcojnë më tej bashkëpunimin e Shteteve të Bashkuara me SPAK dhe do të ndihmojnë në ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt dhe më të begatë për Shqipërinë dhe qytetarët e saj./K.M

13:00 Materialet që vetëshërohen: hapi i radhës drejt ndërtesave të “pavdekshme”

By: Klara
30 December 2025 at 13:00

Inovacionet e fundit në laboratorë po prezantojnë materiale që riparojnë vetveten, nga çimentoja deri tek polimerët inteligjentë, duke premtuar një revolucion në fushën e ndërtimit dhe infrastrukturës.

Çimentoja me baktere aktive rikthen forcën strukturore brenda 24-72 orësh pas plasaritjeve, ndërsa polimerët inteligjentë reagojnë ndaj nxehtësisë dhe ribashkohen në mënyrë molekulare duke eliminuar dëmtimet sipërfaqësore. Kjo teknologji mund të ulë kostot e mirëmbajtjes dhe ndotjen urbane në qytetet me ndërtesa të vjetra.

Ekspertët parashikojnë se brenda një dekade, ndërtesat e reja mund të realizohen me materiale që vetë-riparohen si organizma gjallë, duke garantuar jetëgjatësi të jashtëzakonshme./KM

12:50 Cardi B reagon ndaj kritikave për marrëdhënien me Stefon Diggs

By: Klara
30 December 2025 at 12:50

Cardi B ka reaguar publikisht ndaj komenteve dhe kritikave të shumta që ka marrë ditët e fundit lidhur me marrëdhënien e saj me yllin e NFL-së, Stefon Diggs. Pas spekulimeve se çifti nuk e kishte kaluar Krishtlindjen bashkë, reperja vendosi t’u drejtohej ndjekësve të saj përmes një videoje në platformën X, duke kërkuar që situata të mos dramatizohej më tej.

Artistja 33-vjeçare u shpreh se ndjen se reagimet kanë kaluar kufijtë dhe se janë bërë të padrejta. Ajo theksoi se jeta e saj ka marrë një drejtim të ri dhe se nuk mund të ndryshojë vendime të së kaluarës. Sipas saj, e vetmja rrugë është të ecë përpara dhe të fokusohet te e ardhmja, pa u ndikuar nga gjykimet e të tjerëve.

Cardi B dhe Stefon Diggs u bënë prindër për herë të parë së bashku në muajin nëntor, kur mirëpritën një djalë. Përfaqësuesi i këngëtares konfirmoi për mediat se ajo dhe foshnja janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe shumë të lumtur. Ky është fëmija i katërt për Cardi B, e cila ka edhe tre fëmijë të tjerë nga martesa e saj e mëparshme me reperin Offset.

Nga ana tjetër, Stefon Diggs është gjithashtu baba i dy vajzave nga marrëdhënie të mëparshme. Lajmet për jetën personale të çiftit kanë qenë shpesh në qendër të vëmendjes, por Cardi B duket e vendosur të mbrojë privatësinë e saj dhe të mos lejojë që kritikat të ndikojnë në zgjedhjet e saj familjare./KM

12:40 Shpërthejnë trazirat në Iran, presidenti Pezeshkian thirrje qeverisë: Dëgjoni protestuesit

By: Klara
30 December 2025 at 12:40

Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, reagoi ndaj protestave më të fundit në vend, të nxitura nga përkeqësimi i kushteve ekonomike, duke thënë se ka udhëzuar ministrin e Brendshëm të zhvillojë bisedime me protestuesit.

Në një postim në platformën X, Pezeshkian sqaroi se i ka kerkuar ministrit Ahmad Vahidi, të “dëgjojë kërkesat legjitime të tubuesve” dhe të ndihmojë qeverinë që të “reagojë me përgjegjësi”. Pezeshkian shton se përmirësimi i jetesës së qytetarëve mbetet “shqetësimi i tij i përditshëm” dhe se reformat në sistemin bankar dhe monetar janë pjesë e axhendës.

Megjithatë, mbetet e paqartë se si do të funksionojë dialogu që ai ka propozuar ose nëse mund t’i frenojë protestat, të cilat po marrin gjithnjë e më shumë një ton politik, shkruajnë mediat e huaja. Trazirat nisën nga zemërimi për rritjen e fortë të çmimit të dollarit amerikan dhe rënien e rialit vendas, por më pas u zgjeruan shpejt duke u përhapur thuajse në të gjithë vendin, e madje duke marrë kthesë të dhunshme në disa qytete.

Trazirat kanë vazhduar gjatë natës me turmat që përsërisnin slogane kundër qeverisë. Në disa zona, thirrjet e protestuesve shënjestruan edhe autoritetin politik të Iranit, me turmat që brohorisnin “vdekje diktatorit” dhe “Ali Khamenei do të rrëzohet këtë vit”.

Në një pohim të rrallë të operacioneve të tij të fshehta brenda Iranit, agjencia izraelite e spiunazhit, Mossad sipas The Times, i bëri thirrje iranianëve të protestojnë kundër regjimit të Republikës Islamike. “Dilni të gjithë bashkë nëpër rrugë. Koha ka ardhur,” shkroi Mossad duke shtuar: Ne jemi me ju, jo thjesht larg dhe vetëm me fjalë. Ne jemi me ju në terren.”/KM

12:30 Rama: Jemi vend skandaloz, kemi më shumë të burgosur pa u dënuar, sesa të dënuar

By: Klara
30 December 2025 at 12:30

Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë përgjigjes ndaj gazetarëve se Shqipëria renditet si vendi më problematik brenda Këshillit të Europës për numrin e të burgosurve, veçanërisht atyre që qëndrojnë në paraburgim pa u dënuar ende. Sipas tij, numri i personave në burg pa vendim gjykate tejkalon ata që janë të dënuar.

“Shqipëria është vendi më skandaloz i gjithë komunitetit të Këshillit të Europës për përdorimin e paraburgimit. Jemi në fund të listës dhe kemi një diferencë të madhe krahasuar me vendet e tjera. Numri i të paraburgosurve pa gjyq është më i madh se ai i të dënuarve. Nuk e dini sa janë këta, sepse termat si ‘burg’, ‘vjedhje’ dhe ‘hajdut’ përdoren shpesh në mënyrë të zakonshme. Në këtë kontekst, Shqipëria ka kapërcyer një nivel të lartë të trajtimit të paraburgimeve, duke tejkaluar edhe Rusinë, e cila është përjashtuar nga Këshilli i Europës”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se probabiliteti që një person të gjendet në burg si i dyshuar është më i lartë se sa të përfundojë aty si fajtor. Ai theksoi se dokumentet e KiE mbi paraburgimin tregojnë situatën alarmante në vend.

“Sensi i drejtësisë demokratike është që më mirë të mbetet jashtë një person fajtor sesa një i pafajshëm të qëndrojë në burg. Në Shqipëri shpesh vendosen masa sigurie ekstreme pa argumentim të qartë, ndërsa çdo masë duhet të ketë arsyetim”, shtoi Rama./KM

12:20 Lahuta shqiptare jehonë në mediat e huaja, Anadolu i kushton reportazh prodhimit të saj

By: Klara
30 December 2025 at 12:20

Agjencia ndërkombëtare e lajmeve Anadolu i ka kushtuar një reportazh lahutës dhe prodhimit të saj në Shqipëri, ku pasqyrohet puna e një prej artizanëve shqiptarë. Lahuta shqiptare është bërë pasuri botërore e UNESCO-s, pasi është shpallur zyrtarisht pasuri e trashëgimisë kulturore jomateriale për mbrojtje urgjente, ndërkohë vazhdon të tërheq vëmendjen e mediave ndërkombëtare.

Reportazhi i përgatitur nga gazetari Fatjon Cuka ka sjellë për publikun e huaj por edhe shqiptar, punën e artizanit Gjelosh Alia në punishten e tij. Ndër të tjera theksohet se në Shqipëri, mjeshtrit e prodhimit të lahutës janë të paktë, ku njëri prej tyre është edhe 70-vjeçari Alia, që prej disa dekadash punon në punishten e tij në Tiranë.

Ish-mësuesi i gjuhës dhe letërsisë shqipe, përveç profesionit të tij si mësues ka punuar edhe si artizan, duke prodhuar për gjysmëshekulli vegla muzikore popullore, si lahutën, çiftelinë, sharkinë dhe laurinë, por ai edhe luan me instrumentet popullore. Artizani Alia shprehet për agjencinë turke se për të lahuta është një himn që e ka shoqëruar popullin shqiptar brez pas brezi dhe e ka frymëzuar dhe shton se lahuta është bërë pjesë e pandashme e jetës së tij. Përveç punës së artizanit në prodhimin e lahutave shqiptare, pasqyrohet gjithashtu edhe përfshirja e lahutës në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s, për mbrojtje urgjente.

ARTIKULLI
Lahuta shqiptare është bërë pasuri botërore e UNESCO-s, pasi është shpallur zyrtarisht pasuri e trashëgimisë kulturore jomateriale për mbrojtje urgjente. Lahuta është vegël muzikore e përbërë nga një kasë druri, e mbuluar përsipër me lëkurë e me bisht të gjatë, që ka vetëm një fill ose vetëm një tel dhe që i bien me hark të përkulur për të përcjellë këngët.

Ky instrument i traditës shqiptare ka qenë ndër shekuj pjesë e ceremonive, festave dhe traditave në zonat veriore të Shqipërisë, në Kosovë dhe në disa zona ku jetojnë shqiptarët në Mal të Zi.

Në Shqipëri, mjeshtrit e prodhimit të lahutës janë të paktë, ku njëri prej tyre është edhe 70-vjeçari Gjelosh Alia, që prej disa dekadash punon në punishten e tij në Tiranë.

Ish-mësuesi i gjuhës dhe letërsisë shqipe, përveç profesionit të tij si mësues ka punuar edhe si artizan, duke prodhuar për gjysmëshekulli vegla muzikore popullore, si lahutën, çiftelinë, sharkinë dhe laurinë.

– Lahuta është bërë pjesë e pandashme e jetës së artizanit shqiptar

Për Anadolu, Alia tregon se për 50 vjet merret me prodhimin e veglave muzikore popullore, përfshirë edhe lahutën dhe thekson se lahuta është bërë pjesë e pandashme e jetës së tij. “Nga pasioni, dëshira, kam filluar me çiftelinë, por edhe me lahutën. Këtë(zanat) jam munduar ta mbaj gjallë vazhdimisht. E kam pas në qendër të vëmendjes gjithmonë dhe jam ndier shumë mirë, sidomos kohëve të fundit që dola në pension. Jam i kënaqur që punoj, i prodhoj, luaj me to dhe janë bërë pjesë e jetës time”, shprehet ai.

Artizani shqiptar tregon se lahuta futet tek instrumentet kordofone, me tela, por ka veçoritë dhe karakteristika të veçanta, ndryshe nga kordofonet e tjera, nga çiftelia dhe shkarkia, duke filluar që nga zgjedhja e drurit.

– “Lahuta është një himn që e ka shoqëruar popullin shqiptar brez pas brezi”

Alia tregon se për prodhimin e lahutës preferon të përdorë së pari drurin e manit, pastaj arrën dhe qershinë, duke i konsideruar më të mirët për prodhimin e kësaj vegle muzikore popullore.

“Karakteristikë është dekoracioni që është koka e dhisë, është një simbolizim i qëndresës dhe i forcës. Për mua lahuta është një himn që e ka shoqëruar popullin tonë(shqiptar) brez pas brezi dhe e ka frymëzuar. Zëri(tingulli) lahutës të frymëzon shumë, ai vjen nga thellësia e zemrës”, shprehet ai. Teksa mban një qeleshe në kokë, Alia vazhdon punën në punishten e tij për të prodhuar vegla muzikore sipas metodës tradicionale, ndërsa ai ka në punim e sipër edhe disa lahuta. “Ka 50 vjet që merrem me prodhimin e veglave muzikore popullore, por lahuta për mua është e veçantë, sepse ajo të bën direkt për vete. Lahuta është bërë pjesë e pandashme e jetës time. Gjatë jetës time kam prodhuar qindra lahuta, tani së fundmi kam në dorë disa prej tyre”, tregon Alia.

– Lahuta në UNESCO

Më 9 dhjetor 2025, autoritetet shqiptare konfirmuan se lahuta shqiptare është bërë pjesë e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s, për mbrojtje urgjente. Zyrtarizimi i kësaj nisme të Shqipërisë është konsideruar si një nga sukseset më domethënëse për identitetin kulturor shqiptar. Institucionet shqiptare kanë konfirmuar se arti i të luajturit, të kënduarit dhe bërjes së lahutës është shpallur zyrtarisht pjesë e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s, duke u përfshirë në listën e elementeve që kërkojnë mbrojtje të menjëhershme.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë, e vlerëson lahutën si një nga thesaret më të çmuara të identitetit kulturor shqiptar dhe sipas këtij institucioni u përfshi në UNESCO, pas një procesi të gjatë kërkimor, të udhëhequr nga një grup studiuesish të njohur shqiptarë. Për Shqipërinë, përfshirja e lahutës në këtë listë ndërkombëtare jo vetëm e ngre këtë traditë në vëmendjen globale, por edhe thekson nevojën për ruajtjen e saj të menjëhershme, “për të siguruar vazhdimësinë e një simboli të rrallë të identitetit shqiptar”./KM 

12:10 Ndahet nga jeta ish-zv.kryeministri socialist

By: Klara
30 December 2025 at 12:10

Ish-zëvendëskryeministri dhe ish-ministri i Bujqësisë, Zyhdi Pepa, është ndarë nga jeta në moshën 79-vjeçare.

Lajmin e bëri të ditur kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, përmes rrjeteve sociale, ku i shpreh ngushëllimet familjes dhe miqve.

“Zyhdi Pepa ka përfaqësuar Partinë Socialiste si deputet në dy legjislatura. Ai ka shërbyer si Zëvendës Kryeministër dhe Ministër i Bujqësisë. U prehsh në paqe Profesor”, shkruan Balla në postimin e tij.

Pepa ka lënë gjurmë të rëndësishme në historinë e bujqësisë shqiptare, duke qenë ministër gjatë viteve 1991–1992, një periudhë kur ky sektor konsiderohej jetik për ekonominë dhe po kalonte transformime të mëdha.

Në të njëjtën periudhë, Zyhdi Pepa ka ushtruar edhe funksionin e zëvendëskryeministrit.

Gjatë karrierës së tij politike, Pepa ka lënë një kontribut të vlerësuar në bujqësinë shqiptare dhe në konsolidimin e institucioneve gjatë periudhës së tranzicionit.

Ai shërbeu si zv.kryeministër dhe ministër i Bujqësisë në qeveritë e Ylli Bufit dhe më pas të Vilson Ahmetit, duke mbetur një figurë e respektuar për kolegët dhe bashkëpunëtorët e tij./KM

12:00 “2025, vit historik për ushtrinë”/ Rama: Jemi një nga vendet më kapacitetin më të lartë të mbrojtjes kibernetike

By: Klara
30 December 2025 at 12:00

Kryeministri Edi Rama ka folur edhe për sektorin e Mbrotjes, ku u shpreh se Shqipëria ka aktualisht ushtrinë më të mirëpaguar në rajon, duke lënë pas edhe Serbinë.

Rama u shpreh se do të vijohet me rritjen e pagave për ushtrinë, me synimin për të arritur mesataren e vendeve të NATO-s. Ai e cilësoi këtë vit si historik për ushtrinë e vendit sepse sipas tij janë hedhur themelet e industrisë së mbrojtjes “Made in Albania”.

“Janë 721 rekrutë të rinj që i janë bashkuar Forcave të Armatosura këtë vit. Kemi ushtrinë më të mirëpaguar në rajon, përfshirë dhe Serbinë.Do vazhdojmë më rritjen e pagave të ushtrisë. Synimi të arrijmë mesataren e ushtrive të NATO-s. Ky vit që hyn na gjen me një sistem raketor që e kemi në Shqipëri, na gjen me 3 anije patrulluesë nga Italia, me radarë të vëzhgimit ajror.

Shqipëria është një vend prodhues i kapaciteteve ushtarake jo vetëm për nevojat e veta por edhe ti eksportojë. Ky vit është historic për ushtrinë tonë sepse janë hedhur themelet e industrisë së mbrojtjes “Made in Albania”. Më në fund do të prodhojmë uniforma dhe do ta bëjmë pikë referimi edhe për vendet e tjera. Do të prodhojmë mjete të blinduara dhe mjete të emetrgjencës civile. Po prodhohen një sërë mjetesh, si ambulance, mjete patrullimi policor. Do prodhojmë dronët ushtarakë dhe sistemet antidronë. Në 2026 do të shihni dhe produktet e para. Rritja e buxhetit të mbrotjes është historike dhe kjo dihet sepse jemi pjesë e NATO-s.

Kemi vazhduar  të vëmë rregull në pronat shtetërore. Na akuzojnë për një kompani shtetërore që kemi ngritur për shtetin. E kemi ngritur për shtetin që në zçdo lloj qasje nga të huajt në Shqipëri, shteti të marrë pjesën e vet. Kemi një sërë investimesh në mbarë vendin. Vitin e ardhsëm do të përqendrohemi në ngritjen e shkollës së aviacionit në Vlorë dhe kampusin e Forcave të Armatosura. Po punojmë për rritjen e kapaciteteve të Mbrojtjes Civilë në të gjitha drejtimet. Kemi vendosur dhe fondin për të blerë dy avionët e parë zjarrfikës”, tha Rama.

Më tej Rama foli edhe për sulmet kibernetike, ku tha se Shqipëria është një nga vendet me kapacitetin më të lartë të mbrojtjes kibernetike.

“Jemi një nga vendet më kapacitetin më të lartë të mbrojtjes kibernetike. E thonë të gjitha institucionet në Europë. Kemi marrë vlerësime për këtë. Shqipëria siç do vend, sulmohet por asnjë sulm nuk ka arritur të penetrojë në murin e strukturës tonë kibërnetike digjitale”, tha Rama.

12:00 Histori/ 1965 – Ngjitja e Ferdinand Markos-it dhe rrëshqitja e Filipineve drejt diktaturës

By: Leonard
30 December 2025 at 12:00

Përgatiti: Leonard Veizi

Në vitin 1965, në një Filipinë ende të brishtë pas dekadave të kolonializmit amerikan dhe traumave të Luftës së Dytë Botërore, Ferdinand Edralin Markos u zgjodh President i Republikës së Filipineve. Ai u paraqit para elektoratit si një politikan energjik, i arsimuar në elitën juridike të vendit, me premtime për reformë, modernizim dhe ringritje kombëtare. Retorika e tij nacionaliste dhe imazhi i një njeriu të fortë që mund t’i jepte fund kaosit dhe varfërisë, i siguruan fitoren në zgjedhje dhe e bënë Presidentin e dhjetë të Filipineve.

Fasada e qeverisjes

Në vitet e para të mandatit të tij, Markos arriti të ruajë fasadën e një qeverisjeje demokratike. Ai investoi në projekte infrastrukturore, rrugë, ura dhe ndërtesa publike, duke krijuar iluzionin e zhvillimit të shpejtë ekonomik. Por pas kësaj pamjeje progresi fshihej një sistem gjithnjë e më i centralizuar pushteti, ku besnikëria politike dhe lidhjet familjare filluan të zëvendësonin institucionet dhe ligjin.

Në vitin 1969, Markos u rizgjodh për një mandat të dytë – hera e parë në historinë e Filipineve që një president siguronte rizgjedhjen. Zgjedhjet u shoqëruan me akuza të shumta për mashtrim elektoral dhe shpenzime marramendëse, të financuara përmes borxheve të jashtme që rënduan ekonominë kombëtare. Inflacioni u rrit, pabarazitë sociale u thelluan dhe pakënaqësia popullore filloi të shpërthejë në protesta studentore dhe trazira urbane.

Duke e përdorur këtë klimë pasigurie si justifikim, më 21 shtator 1972, Ferdinand Markos shpalli ligjin ushtarak (martial law), duke pretenduar se vendi kërcënohej nga rebelë komunistë dhe kaos civil. Me këtë akt, ai pezulloi kushtetutën, shpërndau parlamentin, mbylli mediat e pavarura dhe arrestoi mijëra kundërshtarë politikë, intelektualë, gazetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile. Filipinet hynë zyrtarisht në një epokë diktature.

Ndërtimi i një regjimi

Nën parullën e “Shoqërisë së Re” (New Society), Markos ndërtoi një regjim autoritar të bazuar në kultin e personalitetit, frikë dhe dhunë sistematike. Forcat e sigurisë u bënë instrument i represionit, ndërsa raportet e organizatave ndërkombëtare dokumentuan tortura, zhdukje me forcë dhe vrasje jashtëgjyqësore. Demokracia u zëvendësua nga sundimi i një njeriu të vetëm dhe i rrethit të tij të ngushtë.

Paralelisht me represionin politik, regjimi i Markos-it u shqua për një korrupsion të përmasave epike. Ai dhe bashkëshortja e tij, Imelda Marcos, u akuzuan për grabitjen e miliarda dollarëve nga fondet shtetërore. Imelda u bë simbol i ekstravagancës së regjimit, me pallate luksoze, festa madhështore dhe një koleksion legjendar këpucësh, ndërkohë që shumica e popullsisë filipinase jetonte në varfëri të thellë.

Megjithëse ligji ushtarak u hoq zyrtarisht në vitin 1981, pushteti i Markos-it mbeti i paprekur, i mbështetur nga aparati represiv dhe manipulimi elektoral. Por në mesin e viteve ’80, kriza ekonomike, vrasja e liderit opozitar Benigno “Ninoy” Aquino Jr. dhe presioni i rritur ndërkombëtar e dobësuan rëndë regjimin.

Rrëzimi nga pushteti

Në vitin 1986, pas zgjedhjeve të kontestuara dhe shpërthimit të Revolucionit Paqësor të “People Power”, Ferdinand Markos u rrëzua nga pushteti dhe u detyrua të arratisej në Havai, ku vdiq tre vjet më vonë. Rënia e tij shënoi fundin e një prej regjimeve më të errëta në historinë e Filipineve, por trashëgimia e korrupsionit, dhunës dhe plagëve shoqërore vazhdon të ndikojë vendin edhe sot.

Kështu, zgjedhja e vitit 1965, e nisur si një proces demokratik, u shndërrua gradualisht në një paralajmërim historik se si pushteti i pakontrolluar mund të rrëshqasë nga premtimi i rendit dhe zhvillimit në tirani, frikë dhe grabitje sistematike të një kombi të tërë.

11:50 Pandat nuk janë më specie në rrezik zhdukjeje

By: Klara
30 December 2025 at 11:50

Pandat gjigante nuk konsiderohen më si specie në rrezik zhdukjeje, një lajm pozitiv për ruajtjen e natyrës në mbarë botën. Sipas Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN), statusi i tyre është përmirësuar dhe ka kaluar nga rrezik zhdukjeje në një gjendje më të qëndrueshme. Ky ndryshim vjen si rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme dhe afatgjata për mbrojtjen e kësaj specieje ikonike.

Aktualisht, rreth 1,800 panda gjigante jetojnë në natyrë, kryesisht në zonat malore të Kinës. Numri i tyre është në rritje falë masave të forta për mbrojtjen e habitateve natyrore, ndalimit të gjuetisë së paligjshme dhe programeve të shumimit të kontrolluar. Autoritetet kineze kanë krijuar rezerva të posaçme natyrore dhe kanë investuar në ruajtjen e pyjeve të bambusë, që janë burimi kryesor i ushqimit për pandat.

Megjithatë, pavarësisht këtij përmirësimi, pandat gjigante vazhdojnë të përballen me sfida serioze. Humbja e habitatit për shkak të zhvillimit urban, ndryshimet klimatike dhe ritmi i ngadaltë i riprodhimit mbeten rreziqe të vazhdueshme për mbijetesën e tyre afatgjatë.

Ndryshe nga pandat gjigante, pandat e kuqe vazhdojnë të jenë specie të rrezikuara. Ato kërcënohen kryesisht nga shkatërrimi i pyjeve në rajonet e Himalajeve dhe fragmentimi i habitatit të tyre natyror.

Rasti i pandave gjigante shihet si një shembull i qartë se përpjekjet për ruajtjen e biodiversitetit mund të japin rezultate konkrete. Megjithatë, ekspertët theksojnë se puna për mbrojtjen e natyrës duhet të vazhdojë, në mënyrë që këto arritje të mos humbasin në të ardhmen./KM

11:40 Auditimi i KLSH nxjerr në pah abuzimet në kaskadën e Drinit/ KESH me fatura të fryra konsulence, shkelje procedurash dhe rimbursimi të TVSH me dëm 13.2 mln euro

By: Klara
30 December 2025 at 11:40

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka realizuar një auditim në Korporatën Eletroenergjetike Shqiptare, KESH, në lidhje me zbatimin e projektit “Fuqia energjitike dhe siguria e digës në kaskadën e Drinit”.

Sipas auditimit të KLSH, zbatimi i projektit ka hasur problematika serioze në planifikimin e procedurave të shërbimeve të konsulencës dhe në menaxhimin e afateve, duke sjellë tejkalim të afateve të parashikuara në marrëveshjen e huasë. Megjithëse qëllimi i projektit është realizuar brenda vlerës totale të huasë, mosrespektimi i afateve ka sjellë pasoja financiare.  Si rezultat i shtyrjes së disbursimeve dhe mosrespektimit të skedulit të financimit, Ministria e Financave ka paguar ndaj KfW 382,498 euro komisione disbursimi, të cilat përbëjnë kosto shtesë për buxhetin e shtetit dhe për projektin investues.

Marrëveshja e nënhuasë dhe detyrimet e pashlyera të KESH

Në bazë të marrëveshjes së huasë, është lidhur Marrëveshja e Nënhuasë nr. 7551/2, datë 06.01.2016, midis Ministrisë së Financave dhe Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH SHA), ku detyrimet financiare (pagesa e huasë, interesit, komisioneve dhe afatet përkatëse) i janë transferuar KESH SHA.

 

Auditimi konstaton se për shkak të paaftësisë paguese të KESH SHA, detyrimet ndaj KfW janë shlyer nga Ministria e Financave. Si pasojë, deri më 31.12.2024, KESH SHA ka krijuar një detyrim të mbartur ndaj Ministrisë së Financave në shumën 13,273,274 euro. Nga ana tjetër, disbursimi i huasë nuk është kryer sipas afateve të parashikuara, çka ka detyruar miratimin e ndryshimit të skedulit të pagesave me VKM nr. 405, datë 19.06.2019. Megjithatë, auditimi evidenton se Marrëveshja e Nënhuasë nuk është përshtatur me këto ndryshime, duke krijuar mungesë koherence mbi detyrimet reale që KESH SHA ka ndaj buxhetit të shtetit.

Pagesa të kryera nga Ministria e Financave dhe ekspozimi financiar i KESH

Referuar marrëveshjes së huasë, shlyerja duhej të bëhej në 13 këste të barabarta gjashtëmujore. Nga auditimi rezulton se Ministria e Financave ka paguar 370,584 euro për interesa (deri më 31.12.2024), 12,307,692 euro për principal dhe 594,998 euro për komisione.

Këto pagesa, sipas Marrëveshjes së Nënhuasë, janë detyrim i KESH SHA dhe mosshlyerja e tyre ka ngarkuar buxhetin e shtetit me kosto shtesë. KLSH thekson se mospagesa e detyrimeve të kredisë e ekspozon KESH SHA ndaj pasojave financiare, përfshirë edhe të drejtën e Ministrisë së Financave për konfiskimin e të ardhurave nga shitja e energjisë.

Probleme në kontratat e konsulencës: rritje e pajustifikuar e vlerës dhe afateve

Auditimi ka evidentuar problematika serioze në zbatimin e kontratës së konsulencës midis KESH SHA dhe shoqërisë F, me nr. 200966531, datë 22.11.2017. Kontrata është ndryshuar 5 herë, duke rritur vlerën nga 372,000 euro në 1,526,204 euro, zgjatur afatin nga 10+6 muaj në 96 muaj.

KLSH vlerëson se këto ndryshime kanë deformuar procesin e prokurimit, duke ndikuar negativisht në konkurrencë dhe transparencë. Po ashtu, KESH SHA nuk ka kryer monitorim mbi përmbushjen e zërave të preventivit dhe nuk ka hartuar raporte mbi angazhimin e stafit, kohën dhe mjetet e përdorura.

Shkelje në rimbursimin e TVSH-së dhe procedurat tatimore

Një tjetër gjetje e rëndësishme lidhet me rimbursimin e TVSH-së për kontratat e konsulencës. KESH SHA ka rimbursuar TVSH-në e faturave të konsulentëve pa dokumente justifikuese për deklarimin dhe pagesën e saj, në kundërshtim me legjislacionin tatimor shqiptar.

Në projektin “Implementimi i Qendrës së kontrollit dhe monitorimit të HEC-eve në kaskadën e Drinit”, për periudhën 2019–2023, janë paguar 11,673,731 lekë për TVSH të rimbursueshme ndaj një kompanie zvicerane, pa dokumentacion të plotë. Gjithashtu, nuk janë mbajtur relacione për prezencën fizike të stafit të huaj në Shqipëri, çka cenon zbatimin e marrëveshjeve për shmangien e tatimit të dyfishtë.

Probleme në marrjen në dorëzim të aktiveve

Në lidhje me dorëzimin e punëve civile dhe pajisjeve, auditimi konstaton se procesi i marrjes në dorëzim është kryer nga Njësia e Menaxhimit të Projekteve sipas kontratës, por nga ana e KESH SHA nuk është respektuar Udhëzimi nr. 30, datë 27.12.2011, për menaxhimin e aktiveve në sektorin publik, konkretisht pikat 42 dhe 43 mbi marrjen në dorëzim të aktiveve të furnizuara.

Rekomandimet e KLSH-së 

Në përfundim, KLSH rekomandon që KESH SHA dhe Ministria e Financave të reflektojnë të gjitha ndryshimet e marrëveshjes së huasë në marrëveshjen e nënhuasë; të hartohet një skedul i qartë për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura; KESH SHA të parashikojë fondet për shlyerjen e huasë në programin e saj ekonomik-financiar; të përmirësohet planifikimi, monitorimi dhe kontrolli i projekteve me financim të huaj, si dhe të respektohet legjislacioni tatimor dhe procedurat për rimbursimin e TVSH-së. Auditimi evidenton se, megjithëse projekti ka rëndësi strategjike për sigurinë energjetike dhe mbrojtjen e popullatës, mangësitë në menaxhim dhe financim kanë sjellë kosto shtesë dhe rreziqe financiare të konsiderueshme për buxhetin e shtetit./KM

❌
❌