Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 16 January 2026Gazeta Fjala

11:00 Ndërprerje e rrjetit hekurudhor në Tokio për shkak të zjarrit në transformator, probleme për 673 mijë pasagjerë

By: Klara
16 January 2026 at 11:00

Një ndërprerje e energjisë elektrike në rrjetin hekurudhor të Tokios këtë mëngjes ndërpreu udhëtimin e gati 673,000 pasagjerëve, pasi dy linja kryesore, Yamanote dhe Keihin-Tohoku, që shërbejnë disa nga stacionet më të ngarkuara në botë, u pezulluan.

JR East, kompania më e madhe hekurudhore e Japonisë, tha se pamundësia për të rivendosur energjinë elektrike gjatë mirëmbajtjes gjatë natës në stacionin Tamachi të Tokios kishte rezultuar në mungesë të energjisë elektrike sot për të dyja linjat.

Një zëdhënës i kompanisë tha se u pa tym që vinte nga një transformator pranë stacionit. Pasagjerët zbritën nga një tren Keihin-Tohoku që ishte ndaluar midis stacioneve dhe ecën përgjatë shinave për t’u evakuuar me ndihmën e zjarrfikësve dhe stafit të hekurudhës. Një zjarr u raportua në shinat pranë Stacionit Tamachi, ku takohen dy linjat, pak para orës 8 të mëngjesit, raportoi transmetuesi publik NHK. Zjarri në transformator u shua rreth 30 minuta më vonë, tha i njëjti burim.

Linja Yamanote shërben stacione të tilla si Shinjuku, e cila pret rreth 3.5 milionë pasagjerë çdo ditë, ndërsa Linja Keihin-Tohoku lidh qendra të mëdha si Tokio dhe Yokohama./K.M

10:50 Apeli i GJKKO rrëzon Argita dhe Jamarbër Malltezi, lë në fuqi sekuestron e pasurive

By: Klara
16 January 2026 at 10:50

Apeli i GJKKO ka rrëzuar kërkesën e Argita dhe Jamarbër Malltezi për heqjen e sekuestros së pasurive. Në këtë mënyrë Apeli I GJKKO ka lënë në fuqi vendimin.

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 16.01.2026, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 13, datë 07.01.2026 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankuesve A.M. dhe J.M., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 662 akti, datë 27.10.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për heqjen e sekuestros preventive”, dhe vendosi: Miratimin e vendimit nr. 662 Akti, datë 27.10.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Pasuritë janë sekuestruar në kuadër të hetimeve për aferën “Partizani”./K.M

10:40 Fjalori i ri i Gjuhës Shqipe/ Ina Zhupa: Mungesë profesionalizmi. Akademia e Shkencave do të thirret në dëgjesë!

By: Klara
16 January 2026 at 10:40

Kryetarja e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Ina Zhupa, ka ngritur shqetësime të forta ndaj draftit të ri të Fjalorit të Gjuhës Shqipe të hartuar nga Akademia e Shkencave, duke e cilësuar atë si problematik në disa nivele dhe larg standardeve shkencore.

Sipas saj, fjalori, si akt kulturor dhe kombëtar i financuar me fonde publike, duhet të reflektojë seriozitet, përgjegjësi dhe zhvillimin bashkëkohor të shoqërisë, gjë që në këtë rast mungon.

Zhupa rendit disa shembuj konkretë që, sipas saj, dëshmojnë punë jo cilësore: futjen e fjalëve të huaja si “abandonim” dhe “onlajn” pa nevojë reale gjuhësore, si dhe përkufizime thellësisht diskriminuese për fjalët “djalë” dhe “vajzë”, ku vajza paraqitet me nota negative dhe paragjykuese.

Ajo thekson se kjo qasje nuk është vetëm e papranueshme shkencërisht, por edhe e rrezikshme shoqërisht, pasi normalizon një mentalitet maskilist përmes një dokumenti normativ të gjuhës.

 

Në këtë kuadër, Zhupa paralajmëron se do të kërkojë një seancë dëgjimore në Komisionin e Kulturës, ku Akademia e Shkencave të japë shpjegime të hapura mbi procesin e hartimit të fjalorit, grupet e punës dhe kriteret shkencore të përdorura. Ajo nënvizon se kjo çështje nuk do të trajtohet politikisht, por si një interes publik dhe kombëtar, duke kërkuar një diskutim serioz për një nga shtyllat kryesore të identitetit shqiptar: gjuhën./K.M

foto galeri

10:30 Niveli i ujit në rënie/ Si paraqitet situata nga përmbytjet në Qarkun e Shkodrës

By: Klara
16 January 2026 at 10:30

Prefektura e Shkodrës ka dhënë informacione lidhur me situatën e përmbytjeve në këtë qark. Në zonën e Dajçit në Bashkinë e Shkodrës, ka rënie të nivelit të ujit. Edhe në aksin rrugor të Obotit ka rënie të ujit ndonëse vijon të ketë prezencë uji rreth 20–30 cm.

Transporti i banorëve në zonat e prekura vijon të realizohet me një automjet me kalueshmëri të lartë dhe 5 efektivë të Forcave të Armatosura.

Në territorin e Bashkisë Vau i Dejës, Malësi e Madhe, Pukë dhe Fushë-Arrëz situata paraqitet e qëndrueshme dhe nën kontroll. Raportohet gjithashtu se qarkullimi në akset Qafë Mali-Fierzë dhe K/Hadroj- Q/Bënë kryhet me goma dimërore/zinxhirë për shkak të dëborës.

Njoftimi i plotë:

Situata në territorin e Qarkut Shkodër, sot më datë 16.01.2026, paraqitet e qëndrueshme dhe në përmirësim gradual.

Në territorin e Bashkisë Shkodër, në zonën e Dajçit vërehet rënie e nivelit të ujit, ndërsa te “Urrelat e Shirqit” nuk ka më prezencë uji. Aksi rrugor i Obotit vijon të ketë prezencë uji rreth 20–30 cm, por me tendencë rënieje të vazhdueshme. Transporti i banorëve në zonat e prekura vijon të realizohet nga Regjimenti i Këmbësorisë së Veriut, me një automjet me kalueshmëri të lartë dhe 5 efektivë të Forcave të Armatosura.

Në territorin e bashkisë Vau Dejës, Malësi e Madhe, Pukë dhe Fushë Arrëz situata paraqitet e qëndrueshme dhe nën kontroll. Nuk raportohen problematika apo situata emergjente.

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit Lezhë, nivelet e ujit në pikat monitoruese vijojnë të jenë nën kuotat kritike. Niveli i lumit Drin në Bahçallëk është në kuotën 7.2 m, ndërsa lumi Buna regjistrohet në kuotën 8.30 m në Pazar dhe 6.40 m në Dajç. Hidrovoret e Velipojës vijojnë të funksionojnë normalisht në kuotën -1.90 m dhe punojnë në kapacitet të plotë, duke garantuar menaxhimin e prurjeve.

Nga DRV Shkodër raportohet se nuk ka probleme me qarkullimin rrugor. Në akset malore rekomandohet qarkullimi me goma dimërore dhe/ose zinxhirë.

Kontraktorët e Mirëmbajtjes Rrugore

• Qarkullimi në akset Qafë Mali – Fierzë dhe K/Hadroj – Q/Bënë kryhet me goma dimërore/zinxhirë.

• Akset rrugore Dedaj–Razëm, Bogë–Qafë Thore-Theth dhe Hani Hotit-Vermosh janë të kalueshme, por kërkohet respektim rigoroz i rregullave të qarkullimit, sinjalistikës dhe përdorimi i gomave dimërore ose zinxhirëve.

Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër, në bashkëpunim me strukturat përgjegjëse, vijon të jetë në terren, duke monitoruar në mënyrë të vazhdueshme situatën./K.M

10:20 Yll Limani merr një vendim të rëndësishëm për 2026-ën: Disa këngë nuk janë bërë për klube

By: Klara
16 January 2026 at 10:20

Yll Limani ka marrë një vendim të rëndësishëm për karrierën e tij. Këngëtari bën me dije përmes një njoftimi në rrjetet sociale se gjatë vitit 2026 nuk do të performojë në klubet e natës.

Ylli shkruan se ajo hapësirë e ka bërë të përjetojë kujtime dhe e ka fuqizuar muzikën e tij, por disa këngë kërkojnë tjetër fokus. Ai thotë se është momenti për përgatitjen e një takimi ndryshe që do të ndodhë së shpejti.

“Për shumë vjet, jemi takuar pothuajse çdo fundjavë në klube të ndryshme, kudo ku ka pasur njerëz që e duan muzikën time. Prania juaj, energjia, afërsia dhe dashuria që më keni dhënë, ma gëzojnë zemrën dhe jam pafundësisht falënderues. Tani, kam vendosur të ndalem pak. Në vitin 2026 nuk do të mbaj performanca në klube. Jo sepse po largohem nga muzika apo sepse klubet nuk janë pjesë e rëndësishme e historisë sime; klubet janë vendi ku muzika ime është rritur, ku kam kënduar bashkë me ju dhe ku kam kujtime të paharrueshme. Disa këngë nuk janë bërë për klube. Disa momente kërkojnë një hapësirë tjetër për t’u ndier ashtu siç duhet. Disa gjëra në jetë kërkojnë kohë. Fokus. Një frymëmarrje tjetër. Ky është thjesht një vendim për të krijuar hapësirë për diçka më të madhe. Për t’u përgatitur. Për t’u takuar ndryshe. Faleminderit për çdo natë që e kemi ndarë bashkë deri sot. Shihemi shumë shpejt, ashtu siç ju pëlqen. Ju dua”, përmbyll artisti./K.M

10:10 Shkencëtarët zbulojnë trupa të mumifikuar gepardi në shpella në Arabinë Saudite

By: Klara
16 January 2026 at 10:10

Shkencëtarët kanë bërë një zbulim të pabesueshëm në Arabinë Saudite. Janë gjetur gepardë të mumifikuar që varionin nga 130 deri në mbi 1,800 vjeç, brenda shpellave.

Studiuesit gërmuan dhe gjetën shtatë kufoma të tëra së bashku me kockat e 54 gepardëve të tjerë në një vend pranë qytetit të Arar.

Procesi i mumifikimit parandalon dekompozimin e një kufome, duke e mbajtur trupin praktikisht të paprekur.

Ndërsa mumjet egjiptiane janë ndoshta më të famshmet, për shkak të ritualeve të lashta, procesi mund të ndodhë edhe natyrshëm në vende si akullnajat, shkretëtirat dhe kënetat./K.M

10:00 Jan Palah, pishtari i lirisë së Pragës

By: Leonard
16 January 2026 at 10:00

Në 16 janar të vitit 1969, studenti Jan Palah, u vetdoq si porm proteste ndaj pushtimit të Çekosllovakisë nga trupat e Traktatit të Varshavës

Nga Leonard Veizi

Në janar të vitit 1969, qytetarët e traumatizuar të Pragës nën çizmen e ushtarit sovjetik, nuk ndoqën indiferentë “spektaklin” ku një njeri digjej në mes të qytetit. Ata u solidarizuan njëherazi me një ndërgjegje që refuzoi të heshtë. Akti i Jan Palahut, student çek i historisë dhe ekonomisë politike në Universitetin “Karl”, nuk ishte vetëm një vetëflijim tragjik; ishte një akt akuzë i drejtpërdrejtë ndaj frikës kolektive, kompromisit moral dhe nënshtrimit që ndjek pushtimin. Në sheshin “Vaclav”, në zemër të qytetit, ai zgjodhi ta kthente trupin e tij në pishtar, për t’i kujtuar shoqërisë se liria nuk humbet vetëm kur shtypet me tanke, por edhe nëse braktiset në heshtje.

Pushtimi

Në vitin 1968, Çekosllovakia u përpoq të merrte frymë ndryshe. Pranvera e Pragës nuk ishte një rebelim kundër socializmit, por një përpjekje për ta shpëtuar atë nga dogma, për t’i kthyer njeriut dinjitetin e munguar. Aleksandër Dubçek artikuloi idenë e një “socializmi me fytyrë njerëzore”, ku fjala e lirë, mendimi kritik dhe reforma nuk do të konsideroheshin tradhti.

Por për Bashkimin Sovjetik dhe udhëheqjen e Traktatit të Varshavës, ky ishte një precedent i rrezikshëm. Liria, edhe kur kërkohet me kujdes, është ngjitëse. Prandaj, në gusht të vitit 1968, të paktën 6,300 tanke dhe rreth 500,000 trupa të Paktit të Varshavës nga Bashkimi Sovjetik, Polonia, Hungaria, Bullgaria dhe Gjermania Lindore, hynë në Pragë për të shuar jo vetëm reformat, por vetë idenë se një vend i kampit lindor mund të zgjidhte rrugën e tij. Pushtimi riktheu censurën, frikën dhe bindjen e detyruar. Por mbi të gjitha, riktheu një heshtje të rëndë morale.

Vetëflijimi

Pas pushtimit, shoqëria çeke nuk u mposht menjëherë. Popullsia reagoi me protesta paqësore, ndaluan tanket me barikada trupore dhe valëvitën flamujt Çekosllovakë si shenjë sfide. Por ajo u lodh. Rezistenca u zbeh, kompromisi u normalizua dhe frika u racionalizua. Pikërisht këtu fillon drama e vërtetë morale që prodhoi aktin e Jan Palahut. Më 16 janar 1969, ai shkoi në sheshin “Vaclav”, u lag me benzinë dhe i vuri flakën vetes. Ishte ora 14:25 kur ai nisi të vraponte nëpër shesh derisa u përplas me një tramvaj. Nuk ishte një impuls i çastit, por një vendim i menduar. Në letrat që la pas, ai e quante veten “Pishta i Parë” dhe paralajmëronte se flijimi do të vazhdonte nëse shoqëria nuk zgjohej. Kërkesat e tij ishin të qarta: fund censurës, fund propagandës së pushtuesit.

Ky ishte thelbi i aktit të tij: të tregonte se kur shoqëria hesht, individi mund të bëhet zëri i saj – edhe me çmimin e jetës. Jan Palah nuk donte të vdiste; ai donte të trondiste. Dhe ia doli.

Vdekja e tij, disa ditë më vonë, e ktheu funeralin në një protestë masive të heshtur. Një qytet i tërë ecte pas arkivolit të një studenti, sepse kishte kuptuar se ai kishte bërë atë që shumë të tjerë nuk kishin guxuar as ta mendonin.

Vazhdimësia

Vetëm një muaj më vonë, më 25 shkurt 1969, një tjetër student çek, Jan Zajic, zgjodhi të njëjtin vend dhe të njëjtën formë vetëflijimi, duke e kthyer aktin e Palahut në një thirrje që nuk mund të injorohej më. Në prill të po atij viti, ky zinxhir tragjik vazhdoi me Evzhen Ploçekun në qytetin Jihlava, ndërsa raste të tjera pasuan në heshtje, larg syrit të medias së kontrolluar.

Shembulli i Palahut kapërceu kufijtë e Çekosllovakisë. Në vende të tjera të Traktatit të Varshavës, individë të izoluar, por të vendosur, imituan këtë akt ekstrem si formë proteste morale. Në Hungari, Shandor Bauer u vetëdogj më 20 janar 1969, ndërsa Marton Mojshesh e ndoqi këtë rrugë tragjike më 13 shkurt 1970.

Këta emra, të shpërndarë në hapësirë dhe kohë, dëshmojnë se flaka e një individi mund të përhapet si ide, si refuzim i bindjes së verbër dhe si akt i fundit i lirisë njerëzore.

Në Shqipëri

Në Shqipërinë e asaj kohe, nën diktaturën e Enver Hoxhës, pushtimi i Çekosllovakisë u përdor politikisht për të denoncuar “revizionizmin sovjetik”. Gjithësesi, Shqipëria ishte e vetmja anëtare e Traktatit të Varshavës që e dënoi hapur ndërhyrjen, duke e quajtur një akt agresioni imperialist dhe tradhti ndaj parimeve të socializmit.  Si pasojë, më 5 shtator 1968, Tirana shpalli daljen zyrtare nga Pakti i Varshavës, duke argumentuar se ai ishte shndërruar nga një aleancë mbrojtëse në një instrument shtypjeje.

Epilogu

Tanket e Traktatit të Varshavës qëndruan në Çekosllovaki deri në fund të viteve ’80. Por Jan Palah qëndroi më gjatë se ato – në kujtesën morale të Evropës. Në vitin 1989, gjatë Revolucionit të Kadifenjtë, emri i tij u rikthye si një akuzë e heshtur ndaj çdo pushteti që beson se mund ta shtypë lirinë pa pasoja.

Tanimë historia e Palahut nuk është vetëm një kujtim tragjik. Është një pyetje që mbetet pezull mbi çdo shoqëri të frikësuar: çfarë ndodh kur askush nuk flet dhe kush është gati ta thotë fjalën e fundit, duke sakrifikuar jetën e tij?

10:00 Sekuestrohet kokainë me vlerë rreth 20 milionë euro në Itali/ Në pranga dy shqiptarë

By: Klara
16 January 2026 at 10:00

Mbi 160 kilogramë kokainë të fshehur brenda një kamioni, janë sekuestruar në kuadër të një operacioni policor masiv nga Guardia di Finanza midis provincave të Bergamos dhe Brescias. Operacioni u finalizua me arrestimin e dy shtetasve shqiptarë dhe sekuestrimin e sasisë së drogës që nëse shitej në treg, mund të arrinte një vlerë prej afërsisht 20 milionë eurosh.

Në kuadër të operacionit u kryen një sërë kontrollesh në zonat kryesore industriale të dy provincave, zona të konsideruara strategjike për trafikimin e paligjshëm të narkotikëve. Zyrtarët e financave nga Njësia e Policisë Ekonomike dhe Financiare të Brescias vunë re aktivitet të dyshimtë rreth një kamioni me rimorkio të ndaluar në një komunë në zonën e Bergamos.

Sipas raportimeve, shoferi i kamionit, i cili vepronte në mënyrë të dyshimtë, hipi në rimorkio pak para se një makinë të ndalonte pranë kamionit. Pikërisht kur shoferi po i dorëzonte shtatë çanta të mëdha shoferit të makinës, Guardia di Finanza nisi të kontrollonte automjetin.

Brenda çantave u gjetën 150 blloqe kokaine, me një peshë totale prej më shumë se 160 kilogramësh. Dy burrat e përfshirë, të dy me origjinë shqiptare, u arrestuan dhe u transferuan në burgun e Bergamos. Hetimet po vazhdojnë për të sqaruar çdo lidhje të mundshme me organizata më të mëdha kriminale. /K.M

09:50 Komentuesit u tallën me martesën e tij të tretë, Blero s’e kursen përgjigjen!

By: Klara
16 January 2026 at 09:50

Natën e 12 janarit, në rrjet nisën të qarkullonin pamjet nga dasma e Bleros me partneren e tij, Eronita. Çifti i dha fund beqarisë në një event me shumë të ftuar, por komentet s’kanë munguar.

Për Bleron kjo është martesa e tretë pas asaj me Teuta Krasniqin, me të cilën ka vajzën, Tarën që nuk mungoi në dasmë dhe me Afrona Dikën.

Ndryshe prej tyre, bashkëshortja e tij nuk është figurë publike dhe pak dihet për të. Megjithatë, rrjeti reagoi përmes komenteve duke thënë “uroj të jetë torta e fundit”, “si nuk përton të martohesh”, “nuk paska punë tjetër veç të martohet e ndahet” etj.

Blero ua ka kthyer përgjigjen përmes një postimi.

“A ju duket sikur më… gëzuar për dashurinë!”, shkruan ai në një foto nga dasma ku shfaqet duke kërcyer./K.M

09:40 “Heshtja e Kremlinit”/ Reagim i zbehtë nga Moska për ngjarjet në Iran dhe Venezuelë

By: Klara
16 January 2026 at 09:40

Ishte takimi i parë publik i presidentin rus, Vladimir Putin, pas Vitit të Ri. Bastisjet e Shteteve të Bashkuara në Venezuelë – një aleate e ngushtë e Moskës – dhe kapja e presidentit të saj një javë më parë nuk ishin në rend dite, të paktën jo publikisht.

Po ashtu nuk u përmendën as protestat që po përshkallëzohen dhe po e tronditin Iranin – një tjetër aleat i rëndësishëm i Moskës. As Kuba, Qeveria e së cilës është nën presion për shkak të krizës në Venezuelë, nuk u diskutua.

Agjenda e takimit publik të Putinit më 12 janar – me një zëvendëskryeministër teknokrat – ishte për prodhimin industrial rus, së bashku me programin hapësinor rus, tashmë të vjetruar.

Dikush ka mundur të mendojë se një sërë aleatësh që po destabilizohen ose po shemben do ta shtynin Moskën të kishte një reagim më të fortë. Kremlini i ka kultivuar këto raporte për vite të tëra, në mos dekada, pjesërisht për arsye ekonomike dhe ushtarake, e pjesërisht për t’iu kundërvënë Shteteve të Bashkuara.

Për vite me radhë ajo ka kundërshtuar po ashtu të ashtuquajturat “revolucione me ngjyra” – protesta antiqeveritare për të cilat Moska pretendon se janë thjesht përpjekje të orkestruara nga SHBA-ja për të minuar qeveritë miqësore ndaj Rusisë.

Por, deklaratat jo fort të zëshme nga zyrtarët rusë – për të mos përmendur heshtjen e Putinit – lidhur me ngjarjet në Venezuelë dhe Iran kanë befasuar vëzhguesit që përcjellin Rusinë.

“Rusët duhet të thonë diçka për këto çështje dhe kështu [Ministria e Jashtme] do të dalë me gjuhën e pritshme dhe kritikat e zakonshme, por në përgjithësi sistemi rus nuk dëshiron ta kritikojë Shtetet e Bashkuara tepër hapur, prandaj kemi një heshtje të plotë nga Kremlini dhe nga Putini”, tha Hanna Notte, drejtoreshë e Programit për Mospërhapjen e Armëve në Euroazi në Qendrën James Martin për Studime të Mospërhapjes së Armëve.

“Kjo administratë amerikane që vepron me pandëshkueshmëri në mënyrë mjaft efektive, duke ndjekur interesat e saj, përfshirë edhe me mjete ushtarake, dhe duke mos pasur pasoja, e bën Rusinë të duket e dobët”, tha Notte. “Mendoj se Rusia në të vërtetë nuk mund të bëjë shumë për të ndryshuar kursin e veprimit të SHBA-së apo për ta frenuar atë. Dhe, në një situatë të tillë: çfarë do të thotë Vladimir Putini? Prandaj ai nuk thotë asgjë”.

“Nuk do të thosha se ata po heshtin”, u shpreh Nicole Grajewski, eksperte për Lindjen e Mesme dhe profesoreshë në Sciences Po, në Universitetin e Parisit. “Do të thosha se ndoshta, thjesht nuk po shohim se çfarë po bëjnë ata prapa skenës, veçanërisht në Iran”.

Ruslan Suleymanov, ish-gazetar dhe ekspert për Lindjen e Mesme, theksoi se mungesa e dënimeve të ashpra – sa i përket Iranit, Venezuelës apo edhe diktatorit të rrëzuar sirian Bashar al-Assad – po ashtu pasqyron prioritetin kryesor që Moska ka aktualisht: Ukrainën.

“Qartësisht, Kremlini është i zënë me probleme krejtësisht tjera tani”, tha për Current Time, Ruslan Suleymanov, nga Qendra për Strategji të Reja Euroaziatike, me seli në Gjermani.

“Për Putinin, kapja edhe e një fshati tjetër në Ukrainë është shumë më e rëndësishme sesa shpëtimi i regjimit të Assadit, siç e kemi parë, apo i Maduros në Venezuelë, ose edhe më shumë se kaq, i ajatollah Ali Khameneit në Iran”.

“Kategorikisht e papranueshme”

Në të kaluarën, kur ndodhte një ngjarje e madhe gjeopolitike – një sulm ushtarak, protesta destabilizuese antiqeveritare apo një zgjedhje e kontestuar – dhe Uashingtoni ishte i përfshirë drejtpërdrejt ose tërthorazi, zyrtarët rusë reagonin shpejt, duke bërë thirrje për përmbajtje ose duke u kërkuar vendeve të huaja – pra, SHBA-së – të mos ndërhynin.

Fjalimi, tashmë i famshëm, i Putinit në Munih në vitin 2007, ku ai sulmoi politikën e jashtme amerikane, ishte karakteristik: “Një shtet – Shtetet e Bashkuara – i ka tejkaluar kufijtë e tij kombëtarë në çdo sferë”.

Që nga rikthimi i presidentit amerikan, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë në janarin e vitit të kaluar, Kremlini e ka zbutur kritikën e tij të ashpër ndaj Uashingtonit, dhe duke e drejtuar vëmendjen nga Evropa dhe NATO-ja, veçmas sa i përket luftës në Ukrainë.

Pasi forcat speciale amerikane ndërhynë në Karakas më 3 janar, duke vrarë dhjetëra roje, duke kapur Nicolas Maduron dhe bashkëshorten e tij dhe duke i dërguar me nxitim në një anije luftarake amerikane që po i priste, Ministria e Jashtme e Rusisë e quajti këtë “një akt agresioni të armatosur… që ngjall shqetësim të thellë dhe kërkon dënim”.

Kur forcat amerikane sekuestruan një cisternë nafte më 7 janar, e cila ishte nisur disa javë më parë nga ujërat pranë Venezuelës – duke pretenduar se po lundronte nën flamurin rus – reagimi i parë i Moskës erdhi nga Ministria e Transportit, përmes një postimi, me përmbajtje juridike, në Telegram, i cili më pas u rishpërnda nga Ministria e Jashtme.

Kur dy shtetas rusë, që ishin ndaluar në anije u liruan nga autoritetet amerikane, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme që njihet për gjuhë të ashpër, Maria Zakharova, e falënderoi personalisht presidentin Donald Trump.

Në Iran, ku protestat antiqeveritare janë përshkallëzuar që nga shpërthimi i demonstratave më 28 dhjetor, deklaratat publike ruse kanë qenë të kufizuara.

Më 12 janar, po të njëjtën ditë kur Trump paralajmëroi se Uashingtoni po shqyrtonte “disa opsione shumë të ashpra” kundër Iranit, Sergei Shoigu, kreu i Këshillit të Sigurisë të Rusisë, zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij iranian, Ali Larijani.

Shoigu, një njeri i afërt me Putinin që një kohë të gjatë, dënoi “edhe një përpjekje tjetër të forcave të jashtme për të ndërhyrë në punët e brendshme të Iranit”.

Një ditë më vonë, Ministria e Jashtme reagoi në mënyrë më tipike, duke thënë se kërcënimet e Shtëpisë së Bardhë ndaj Teheranit ishin “kategorikisht të papranueshme”.

Zakharova gjithashtu i përshkroi protestat iraniane si një “revolucion me ngjyra”- një tregues se Moska beson që protestat janë nxitur nga forca të jashtme, të paspecifikuara.

“Irani është shumë më i rëndësishëm për Rusinë sesa ishte Venezuela”

Sa i përket Kremlinit, megjithatë, nuk ka pasur asgjë tjetër përveç heshtjes për ngjarjet e fundit.

Takimi i Putinit më 12 janar me zëvendëskryeministrin Denis Manturov ishte kryesisht teknik dhe ekonomik. Nuk u përmendën trazirat e jashtme.

Në një tjetër takim publik, të mbajtur më 14 janar, Putini diskutoi për sigurinë rrugore me një tjetër zëvendëskryeministër dhe e përgëzoi për “arritjet në industrinë e ndërtimit në vitin 2025”.

Pjesërisht, mungesa e bujës mund të shpjegohet se ato përkuan me festat ruse. Dy javët e para të janarit zakonisht janë një periudhë e qetë në Rusi, për shkak të Vitit të Ri dhe Krishtlindjes Ortodokse.

Pushtimi i Ukrainës, i cili po i afrohet përvjetorit të katërt, është po ashtu një prioritet që konsumon të gjitha burimet për Kremlinin. Konflikti ka kufizuar gjithashtu aftësinë e Moskës në mënyra të tjera, duke bërë që të shfrytëzojë burimet njerëzore dhe armatimet dhe duke tronditur ekonominë ruse.

“Nuk ka asnjë arsye që rusët të përqendrohen tepër në këto çështje”, tha Sergey Radchenko, historian dhe profesor në Shkollën për Studime të Avancuara Ndërkombëtare në Johns Hopkins. “Nëse gjërat shkojnë keq, ata nuk mund të bëjnë shumë për ta. Prandaj, ata thjesht ofruan mendime dhe lutje sa u përket sulmeve amerikano-izraelite ndaj Iranit dhe qëndruan të heshtur për Venezuelën”.

Si Notte, Radchenko argumentoi se Kremlini po përpiqet ta ketë mirë me administratën e Trumpit.

“Nuk ekziston më një botë revolucionare, dhe Kremlini është shumë larg nga pretendimi që të ketë një rol udhëheqës aty”, tha Radchenko. “Prandaj, ata mund ta trajtojnë në mënyrë pragmatike këtë çështje, duke e kuptuar se krijimi i kaosit nuk u sjell asnjë dobi dhe mund të minojë diplomacinë e Rusisë ndaj SHBA-së sa i përket konfliktit në Ukrainë”.

Mungesa e retorikës së ashpër përputhet me një model që daton nga dhjetori i vitit 2024, kur një tjetër aleat i Rusisë – Assadi i Sirisë – u rrëzua papritur nga pushteti, duke e privuar Moskën nga një partner i madh në Lindjen e Mesme, ku ajo kishte ndërhyrë për ta mbajtur në pushtet një dekadë më parë.

Me Venezuelën që është në pjesën tjetër të botës, aftësia e Moskës për të ndikuar te ngjarjet është më e kufizuar.

Nëse veprimet e SHBA-së në Venezuelë çojnë në rrëzimin e Qeverisë komuniste në Kubë – lidhet e të cilës me Moskën datojnë që nga vitet ’60 – një gjë e tillë do të ishte gjithashtu problematike. Por, sipas ekspertëve, Rusia me gjasë nuk do të mund të përgjigjej as në një rast të tillë.

Megjithatë, me Iranin, që Rusia ndan kufi detar, situata është potencialisht më urgjente, tha Grajewski.

“Nëse Irani bie, për Rusinë nuk do të ishte vetëm poshtërim, por ndoshta edhe vendi i fundit autoritar që ka aleancë me ta… përveç Koresë së Veriut”, shtoi ajo.

“Irani është shumë më i rëndësishëm për Rusinë sesa ishte Venezuela”, tha Grajewski. “Prandaj, rusët kanë interes të madh që regjimi të mbijetojë”. /K.M

08:50 Përmbytjet/ Si paraqitet situata në qarkun e Korçës

By: Klara
16 January 2026 at 08:50

Last Updated on 16/01/2026 by Klara

Prefektura e Korçës ka dhënë detaje lidhur me situatën e përmbytjeve në qarkun e Korçës. Sipas informacioneve nga OSHEE ka ndërprerje të pjesshme të energjisë elektrike në fiderin Frigorifer NST/Gjanç, ku aktualisht janë pa energji 2 abonentë ruralë.

Bëhet me dije se ekipet teknike po punojnë për riparimin e defektit. Në akset rrugore nuk raportohen problematika dhe qarkullimi vijon pa problem. Në aksin Qafë Plloçë – Qukës po punohet për pastrimin e materialeve inerte.

Në argjinaturën e lumit Devoll vijon puna për forcimin e çarjes.

Njoftimi i plotë:

Prefektura e Qarkut Korçë

Nga strukturat përgjegjëse raportohet se:

OSHEE

Raportohet ndërprerje e pjesshme e energjisë elektrike në fiderin Frigorifer NST/Gjanç, ku aktualisht janë pa energji 2 abonentë ruralë, Kabina Krushovë.

Ekipet teknike janë në gadishmëri dhe po punojnë për riparimin e defektit.

Të gjithë fiderat që furnizojnë me energji elektrike konsumatorët e rëndësisë së veçantë janë në gjendje pune.

ARRSH – Drejtoria Qendër–Lindje

Nuk raportohen problematika. Qarkullimi rrugor vijon normalisht.

Vijon puna në aksin Qafë Plloçë – Qukës për pastrimin e materialeve inerte.

Njësitë Vendore (Bashkitë)

Nuk raportohen problematika të reja.

Vijon puna për neutralizimin e plotë të pikave të konstatuara më parë.

Në argjinaturën e lumit Devoll, Bashkia Maliq vijon punën për forcimin e çarjes.

Bashkia Pogradec

Vijon puna për pastrimin e rrugës që lidh fshatrat Osnat, Niçë, Lekas dhe Dërdushë.

Prefektura e Qarkut Korçë do të vijojë të informojë në kohë reale për çdo përditësim të mëtejshëm./K.M

08:40 “Çdo vit kostoja për taksapaguesit rritet”/ Inceneratori i Tiranës merr 1,4 miliardë lekë më 2025, totali arrin në 92 milionë euro

By: Klara
16 January 2026 at 08:40

Në vitin 2025, Integrated Energy BV SPV, kompania që mban kontratën PPP të inceneratorit të Tiranës rezulton financiarisht aktive me rreth 1,4 miliardë lekë pagesa nga buxheti i shtetit, sipas Open Data, ndërkohë që totali i fondeve publike të transferuara deri më tani ka arritur në 9,1 miliardë lekë rreth 92 milionë euro.

Fondet janë alokuar teksa objekti kryesor i kontratës, ndërtimi dhe funksionimi i inceneratorit, nuk është realizuar.

Zyrtarë të Ministrisë së Financave i kanë pohuar Monitor më parë se, pagesat kryhen mbi bazën e faktit se kontrata PPP nuk është shpallur e pavlefshme dhe vazhdon të jetë ligjërisht në fuqi. Në këto kushte, ministria argumenton se ka detyrim të zbatojë kontratën dhe të kryejë pagesat e parashikuara, pavarësisht se objekti i saj nuk është realizuar.

Pagesat nuk lidhen drejtpërdrejt me ekzistencën e inceneratorit, por me ofrimin e asaj që në kontratë quhet “shërbim i integruar i menaxhimit të mbetjeve”.

Kontrata për ndërtimin e inceneratorit është reduktuar në depozitim të mbetjeve në landfill, pa proces incinerimi, pa rikuperim energjie dhe pa teknologjinë që përbën thelbin e projektit me PPP.

Megjithatë, kontrata është hartuar në mënyrë të tillë që shteti paguan një tarifë fikse vjetore, e cila nuk kushtëzohet nga përfundimi i investimit. Kjo do të thotë se kompania përfiton fonde publike edhe në mungesë të impiantit, mjafton të deklarojë se është në “gatishmëri” për ofrimin e shërbimit.

Në terma të menaxhimit të financave publike, kjo bie ndesh me parimin bazë të eficiencës dhe të pagesës kundrejt rezultatit. Rreziku i projektit, që në një PPP normale duhet të mbahet kryesisht nga privati, është transferuar pothuajse plotësisht te shteti.

Çdo vit që kalon pa ndërprerje ose rinegocim të kontratës, kostoja për taksapaguesit rritet, pa asnjë përmirësim në trajtimin e mbetjeve urbane.

Aktualisht kompania e inceneratorit të Tiranë është në sekuestro administrohet nga Agjencia për administrimin e Pasurive të Sekuestruara.

Në këtë fazë Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara nuk është pronare e pasurive që administron. Ajo vepron si kujdestare e përkohshme për pasuri që janë nën sekuestro preventive, pra për pasuri që ende nuk janë konfiskuar me vendim të formës së prerë.

Kjo do të thotë se, ligjërisht, shteti nuk i konsideron këto pasuri si të vetat, por thjesht si asete që duhet të ruhen dhe të mos humbasin vlerë deri në përfundimin e procesit gjyqësor.

Në këtë kuadër aktiviteti ekonomik i Integrated lejohet të vazhdojë dhe të ardhurat që krijohen nuk trajtohen si të ardhura buxhetore. Ato regjistrohen në llogaritë e vetë shoqërisë së sekuestruar dhe përdoren për shpenzime operative, paga, detyrime kontraktore ose mbahen të bllokuara financiarisht në pritje të një vendimi përfundimtar. /Monitor/K.M

08:30 Von der Leyen: BE po shqyrton forcimin e sanksioneve kundër Iranit

By: Klara
16 January 2026 at 08:30

Bashkimi Evropian (BE) nuk e përjashton mundësinë e ashpërsimit të mëtejshëm të sanksioneve kundër Teheranit.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen e bëri këtë deklaratë në një konferencë të përbashkët për shtyp me Presidentin qipriot Nikos Christodoulides, i cili mori pjesë në një takim dy-ditor të komisionerëve të BE-së që filloi të enjten në Qipro.

E pyetur nëse priste që SHBA-të dhe Izraeli të ndërhynin ushtarakisht në Iran, von der Leyen tha: “Nuk mund të komentoj për veprimet e vendeve të tjera – kjo është puna e tyre. Por ne po shqyrtojmë shtrëngimin e sanksioneve kundër Iranit.”

Sipas kreut të Komisionit Evropian, pjesëmarrësit në protestat antiqeveritare në Iran i kanë bërë thirrje autoriteteve të Bashkimit Evropian që të shtojnë individë të tjerë nga vendi i tyre në listën e sanksioneve. Ajo tha gjithashtu se e kupton shumë mirë se çfarë po ndodh në Iran dhe premtoi të përmbushë kërkesat e protestuesve. “Po, ne do ta bëjmë”, tha von der Leyen.

Kujtojmë se trazirat në Iran filluan më 29 dhjetor pas protestave në rrugë që filluan me rënien e ndjeshme të rialit iranian dhe u përhapën në shumicën e qyteteve të mëdha. Autoritetet raportuan vdekjen e rreth 40 oficerëve të zbatimit të ligjit. Sipas Ministrit të Jashtëm iranian Abbas Araghchi, terroristë të armatosur janë shfaqur midis demonstruesve që nga 8 janari. Autoritetet iraniane kanë akuzuar Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara për organizimin e trazirave. Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka paralajmëruar më parë se po e shqyrton seriozisht përdorimin e forcës kundër Republikës Islamike./K.M

08:25 Histori/ Fundi i republikës Romake, Oktaviani kurorëzohet Perandor

By: Leonard
16 January 2026 at 08:25

Në 27 para erës sonë, Senati i Romës mori një vendim që do të ndryshonte përgjithmonë historinë e botës antike. Gai Jul Cezar Oktaviani u shpall zyrtarisht August, një titull që nënkuptonte madhështi, shenjtëri dhe autoritet të pakontestueshëm. Me këtë akt, Republika Romake mori fund dhe nisi epoka e Perandorisë Romake.

Ky moment nuk ishte thjesht një ndryshim titulli, por një transformim rrënjësor i pushtetit. Roma, e lodhur nga dekada luftërash civile, komplotesh dhe vrasjesh politike, pranoi për herë të parë sundimin e përqendruar në një njeri të vetëm. Dhe ky njeri ishte Oktaviani, nipi dhe biri i birësuar i Jul Cezarit.

Nga Apolonia në Romë

Pak dihet se rruga e Oktavianit drejt pushtetit nuk nisi në Romë. I ri dhe ende i panjohur, ai kishte ardhur në Apoloni, qytet i rëndësishëm antik në brigjet e Ilirisë, pranë Fierit të sotëm, për të studiuar filozofi, retorikë dhe arte. Aty po përgatitej për një karrierë publike, larg intrigave të kryeqytetit, kur mori lajmin tronditës për vrasjen e Jul Cezarit në vitin 44 p.e.s.

Testamenti i Cezarit e ndryshoi fatin e tij: Oktaviani ishte birësuar ligjërisht dhe shpallur trashëgimtari i tij politik. Nga një i ri student, ai u kthye papritur në një figurë qendrore të luftës për pushtet.

Luftë, gjak dhe ngritje në fron

Rruga drejt titullit August ishte gjithçka tjetër veçse paqësore. Oktaviani u përfshi në aleanca të përkohshme, si Triumvirati i Dytë me Mark Antonin dhe Lepidin, dhe nuk hezitoi të përdorte dhunën politike. Listat e proskripcioneve, ekzekutimet e kundërshtarëve dhe betejat civile shënuan këtë periudhë të errët.

Përballja përfundimtare erdhi me Mark Antonin dhe Kleopatrën, të mundur në betejën e Aktiumit në vitin 31 p.e.s. Me këtë fitore, Oktaviani mbeti i vetmi zot i Romës. Por ndryshe nga diktatorët para tij, ai nuk e shpalli veten mbret. Ai e ruajti fasadën republikane, duke e mbushur pushtetin real brenda institucioneve ekzistuese.

Augusti dhe paqja romake

Kur Senati i dha titullin August, Roma hyri në një epokë të re. Sundimi i tij, që zgjati deri në vdekjen e tij në vitin 14 të erës sonë, u bë themeli i asaj që njihet si Pax Romana – Paqja Romake.

Megjithëse pushteti i tij ishte ndërtuar mbi luftëra dhe gjakderdhje, sundimi i Augustit u shënua nga stabiliteti, rindërtimi dhe rendi. Ai reformoi administratën, ushtrinë dhe financat, ndërtoi rrugë, qytete dhe monumente, dhe i dha Perandorisë Romake një strukturë që do të mbijetonte për shekuj.

Ironia e historisë qëndron pikërisht këtu: njeriu që i dha fund republikës, i dha Romës edhe një nga periudhat më të gjata të paqes dhe prosperitetit. Dhe kështu, nga bankat e shkollës në Apoloninë ilire deri në fronin e Perandorisë më të madhe të botës antike, Oktaviani August u shndërrua në figurën që mbylli një epokë dhe hapi një tjetër.

Përgatiti: L.Veizi

08:20 Kursi i këmbimit valutor, 16 janar 2026

By: Klara
16 January 2026 at 08:20

Këtë të premte, një dollar amerikan do të blihet me 82.7 lekë dhe shitet me 83.7 lekë.

Euro blihet me 96.2 lekë dhe do të shitet me 96.9 lekë.

Franga zvicerane blihet me 102.9 lekë dhe shitet me 104 lekë.

Paundi britanik blihet me 110.6 lekë dhe shitet me 111.6 lekë.

Dollari kanadez këmbehet me 59.3 lekë në blerje dhe me 60.5 lekë në shitje./K.M

Kursi i këmbimit, e premte, 16 janar 2026

08:10 INSTAT: Kërkesat për azil nga shqiptarët në BE rriten sërish në tetor, niveli më i lartë nga janari

By: Klara
16 January 2026 at 08:10

Kërkesat e shtetasve shqiptarë për azil në një nga vendet e Bashkimit Europian kanë shënuar tendencë rritëse në fundin e vitit të kaluar, pasi kishin qene në rënie gjatë periudhës së verës.

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, në tetor 2025 u regjistruan gjithsej 505 kërkesa për azil, që është niveli më i lartë që nga muaji janar. Në gusht numri i kërkesave ishte rënë në 315.

Pavarësisht rritjes së tetorit, për 10 mujorin 2025, aplikimet për mbrojtje ndërkombëtare kanë qenë në rënie. Për periudhën janar-tetor ishin gjithsej 4345 persona që kërkuan azil, me një rënie prej 29.5% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në raport me vitin 2022, kur u shënua një kulm i ri emigracioni, pas pandemisë, me 11 mijë aplikime për 10 mujorin, tashmë ato mëse janë përgjysmuar. Franca vijon të mbetet vendi më i preferuar për të kërkuar azil për shkak të politika sociale, e ndjekur nga Gjermania.

Ndërsa kërkesat për azil për 10 mujorin janë në rënie, të dhënat e tjera të Eurostat bënë të ditur se forma më e preferuar për të ikur janë lejet e punës. Eurostat raportoi se vetëm në 2022-2024 janë dhënë mesatarisht 20 mijë leje pune në vit, kryesisht në Itali, Greqi e Gjermani, nga rreth 3-4 mijë që jepeshin një dekadë më parë.

Që nga viti 2021, Bashkimi Europian ka dhënë rreth 72 mijë leje qëndrimi për herë të parë për arsye punësimi për shtetasit shqiptarë.

Numri i atyre që po ikin me leje pune është tashmë gati dy herë më i lartë se ata që kërkojnë të largohen përmes azilit. Të dhënat e tjera të Eurostat bëjnë të ditur se në vitin 2022 kishte 15 mijë kërkesa për azil nga shtetasit shqiptarë në vendet e BE-së, në 2023 numri i tyre zbriti në 11 mijë dhe në 2024-n ishte 9.3 mijë.

Europa

Në tetor 2025, 62 010 aplikantë për herë të parë për azil (shtetas jo të BE-së) aplikuan për mbrojtje ndërkombëtare në vendet e Bashkimit Europian, duke shënuar një rënie prej 28% krahasuar me tetorin 2024 (86 470) dhe një rritje prej 6% krahasuar me shtatorin 2025 (58 495).

Ndërkohë, u regjistruan edhe 14 495 aplikantë të përsëritur, që përfaqësojnë një rritje prej 80% krahasuar me tetorin 2024 (8 075) dhe një ulje prej 10% krahasuar me shtatorin 2025 (16 185).

Grupi më i madh i azilkërkuesve nga Venezuela

Në tetor 2025, venezuelianët ishin grupi më i madh i personave që kërkuan azil (8 140 aplikantë për herë të parë), të ndjekur nga afganët (5 920), bangladeshasit (3 400) dhe sirianët (2 915).

Spanja, Italia, Franca dhe Gjermania morën 74% të aplikantëve për herë të parë

Spanja (12 885), Italia (12 650), Franca (11 245) dhe Gjermania (8 815) regjistruan numrin më të lartë të aplikantëve për azil për herë të parë, duke përfaqësuar 74% të të gjithë aplikantëve për herë të parë në BE.

Në tetor 2025, kishte 13,8 aplikantë për herë të parë për azil për çdo 100 mijë banorë në BE. Krahasuar me popullsinë e secilit vend të BE-së (më 1 janar 2025), normat më të larta të aplikantëve për herë të parë u regjistruan në Greqi (58,1), e ndjekur nga Qiproja (33,9) dhe Spanja (26,3).

1 710 të mitur të pashoqëruar aplikuan për azil

Në tetor 2025, gjithsej 1 710 të mitur të pashoqëruar aplikuan për herë të parë për azil në BE. Numri më i lartë i të miturve të pashoqëruar vinte nga Somalia (245), Egjipti (215), Eritrea (200), Afganistani (190) dhe Venezuela (180).

Vendet e Bashkimit Europian që morën numrin më të lartë të aplikimeve për azil nga të mitur të pashoqëruar ishin Holanda (350), Greqia (325), Gjermania (245) dhe Spanja (215).

Vendet e Bashkimit Europian që morën numrin më të lartë të aplikimeve për azil nga të mitur të pashoqëruar ishin Holanda (350), Greqia (325), Gjermania (245) dhe Spanja (215)./Monitor/K.M

08:00 Shqipëria do t’i nënshtrohet pas 12 vitesh programit të vlerësimit të sektorit financiar

By: Klara
16 January 2026 at 08:00

Shqipëria do t’i nënshtrohet pas 12 vitesh një Programi të plotë Vlerësimi të Sektorit Financiar (FSAP), i realizuar bashkërisht nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore.

Anke Weber, shefe e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë, u shpreh në një intervistë për “Monitor” se vlerësimi do të kryhet gjatë vitit 2026 dhe do analizojë në mënyrë të thelluar qëndrueshmërinë e sektorit financiar ndaj goditjeve, do të identifikojë cenueshmëritë e fshehura dhe do të vlerësojë efektivitetin e rregullimit dhe mbikëqyrjes financiare, duke siguruar që sistemi financiar i Shqipërisë të mbetet i fortë përballë sfidave në zhvillim.

Programi i Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP), i themeluar në vitin 1999, është një vlerësim gjithëpërfshirës dhe i thelluar i sektorit financiar të një vendi.

Në ekonomitë e zhvilluara, FSAP kryhet nga FMN-ja, me fokus në vlerësimin e qëndrueshmërisë së sektorit financiar, cilësinë e kuadrit rregullator dhe mbikëqyrës, si dhe kapacitetin për të menaxhuar dhe zgjidhur krizat financiare.

Në ekonomitë në zhvillim, FSAP kryhet së bashku me Bankën Botërore.

Bazuar në gjetjet e tyre, programet FSAP prodhojnë rekomandime me natyrë mikro dhe makroprudenciale dhe rekomandime mbi nevojat e zhvillimit, të përshtatura sipas rrethanave specifike të vendit.

Programi FSAP vjen në një moment kur Shqipëria ka avancuar më tej në procesin e integrimit europian. Në veçanti, vitet në vazhdim do të jenë të rëndësishme për përafrimin e plotë të kuadrit ligjor dhe rregullator me atë të Bashkimit Europian.

Në fund të vitit të kaluar, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, paralajmëroi se në periudhën 2026-2027, kuadri ligjor dhe rregullator i sektorit bankar do të përafrohet plotësisht me atë të Bashkimit Europian. Guvernatori tha se, në këtë proces, është i domosdoshëm mirëkuptimi dhe bashkëpunimi i industrisë bankare, në mënyrë që ndryshimet të adoptohen drejt dhe përfitimet të materializohen sa më shpejt.

Ndërkohë, duke iu referuar programit FSAP, Sejko tha se ky vlerësim do të shërbejë si një certifikatë ndërkombëtare për cilësinë e kuadrit të përgjithshëm ligjor dhe nënligjor, praktikave të mbikëqyrjes dhe administrimit të rrezikut për veprimtarinë financiare, duke evidentuar njëkohësisht boshllëqet dhe duke orientuar drejt përmirësimeve të nevojshme.

Rekomandimet e FSAP 2013

Programi i fundit FSAP për Shqipërinë u zhvillua në vitin 2013, ndërsa FMN i publikoi gjetjet dhe rekomandimet kryesore në fillim të vitit 2014.

Në atë periudhë, sektori financiar në vend ndodhej në rrethana të ndryshme nga sot, veçanërisht nën trysninë e krizës së kredive me probleme./K.M

07:50 Trump për Çmimin Nobel që iu dha nga Machado: Një gjest i mrekullueshëm respekti të ndërsjellë

By: Klara
16 January 2026 at 07:50

Një takim shumë simbolik u zhvillua në Shtëpinë e Bardhë të enjten, ku udhëheqësja e opozitës venezueliane, Maria Corina Machado, i ofroi Donald Trump Çmimin Nobel për Paqen, i cili iu dha në dhjetor, një veprim që shkaktoi debat dhe reagime ndërkombëtare. Në një postim në rrjetet sociale, presidenti amerikan shkroi:

“Ishte një nder i madh të takoja sot Maria Corina Machado nga Venezuela. Ajo është një grua e mrekullueshme që ka kaluar kaq shumë. Maria më ofroi Çmimin Nobel për Paqen për punën që kam bërë. Një gjest kaq i mrekullueshëm respekti të ndërsjellë. Faleminderit, Maria!”

Vetë Machado e konfirmoi faktin, duke deklaruar se gjatë takimit dhe drekës që pati me Trumpin në Shtëpinë e Bardhë – pa praninë e gazetarëve – ajo i dorëzoi atij Medaljen Nobel për Paqen.

“I dhashë presidentit të Shteteve të Bashkuara medaljen, Çmimin Nobel për Paqen”, tha ajo, duke e lidhur këtë veprim të saj me një shembull historik nga Amerika Latine.

Siç shpjegoi ajo, ajo po i referohej Simón Bolívarit dhe faktit se dyqind vjet më parë Marquis de Lafayette i kishte dhënë atij një medalje me fytyrën e George Washingtonit, të cilën Bolívar e mbajti gjatë gjithë jetës së tij.

“Dyqind vjet më vonë, populli i Bolívarit i kthen trashëgimtarit të Washingtonit një medalje – në këtë rast Çmimin Nobel për Paqen – në njohje të angazhimit të tij unik për lirinë tonë”, tha ajo.

Kujtojmë se Komiteti Norvegjez i Çmimit Nobel e ka bërë të qartë se Çmimi Nobel për Paqen nuk dhurohet ose transferohet, gjë që krijon një problem institucional rreth simbolikës së lëvizjes.

Shtëpia e Bardhë konfirmoi takimin, duke vënë në dukje se Presidenti Trump bëri një “vlerësim realist” të mbështetjes popullore të Machado-s, por nuk dha një afat kohor për mbajtjen e zgjedhjeve në Venezuelë.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Caroline Levitt, kishte thënë më parë se zgjedhjet nuk do të diskutoheshin në darkë, me Trump që kërkonte kryesisht të informohej për situatën në vend.

Pas takimit, Machado tha se “ne gjithmonë mund të mbështetemi te Presidenti Trump për lirinë e Venezuelës”, duke e përshkruar takimin si “të mrekullueshëm”.

Politikania, e cila kohët e fundit u largua nga Venezuela ku ishte fshehur për muaj të tërë, po kërkon të sigurojë një rol të ardhshëm në qeverisjen e vendit të saj, me gjestin e Nobelit që merr një karakter të qartë politik dhe simbolik./K.M

07:40 Mbledhje maratonë/ Çfarë pritet nga takimi i grupit parlamentar të PS? Fjalime nga Rama, Balla, Peleshi dhe krerët e komisioneve parlamentare

By: Klara
16 January 2026 at 07:40

Last Updated on 16/01/2026 by Klara

Kryeministri dhe njëherazi kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, do të zhvillojë sot në orën 10:00 një mbledhje të zgjeruar me grupin parlamentar dhe drejtuesit e komisioneve.

Mbledhja do të zhvillohet në një format të plotë vlerësimi të veprimtarisë së grupit në Kuvend dhe të performancës së çdo komisioni sektorial.

Në nisje të mbledhjes, pritet fjala e vetë Kryeministrit Rama, e pasuar nga Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, dhe Kryetari i Grupit Parlamentar, Taulant Balla. Kjo mbledhje vjen në një moment ku priten sinjale të reja politike nga Rama, veçanërisht mbi qëndrimin e PS-së për procesin e integrimit europian dhe për reformat që duhen përshpejtuar në gjysmën e dytë të mandatit.

Pas fjalimeve hyrëse, mbledhja do të fokusohet në raportet zyrtare të komisioneve parlamentare, me nga 10 minuta për çdo kryetar komisioni dhe diskutime të shkurtuara për çdo folës (jo më shumë se 2 minuta). Emrat kryesorë që do të raportojnë për punën e tyre janë: Milva Ekonomi, Ulsi Manja, Bledar Çuçi, Blendi Klosi, Anila Denaj, Evis Kushi, Eduard Shalsi, Iris Luarasi, Erion Malaj, Igli Hasani, Fatmir Xhafaj, Damian Gjiknuri dhe Arbjan Mazniku.

Një element kyç i axhendës është raporti mbi pjesëmarrjen e deputetëve në punimet parlamentare, që do të prezantohet nga Sekretari i Grupit. Ky raport pritet të evidencojë mungesat sistematike dhe angazhimin real të deputetëve në seanca, mbledhje dhe komisione.

Mbledhja do të përmbyllet me fjalët përmbyllëse të Taulant Ballës dhe vetë Edi Ramës.

Agjenda:

10:00 Hapja e Mbledhjes

Fjala e Kryeministrit, Kryetarit të PSSH, Edi Rama.

Fjala e Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.

Fjala e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PSSH, Taulant Balla.

Raporti i Veprimtarisë së Komisioneve Parlamentare

Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat – Milva Ekonomi (Koha 10’)

Diskutime jo më shumë se 2 minuta për çdo folës

Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike – Ulsi Manja (Koha 10’)

Diskutime jo më shumë se 2 minuta për çdo folës

Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes – Bledar Çuçi (Koha 10’)

Diskutime jo më shumë se 2 minuta për çdo folës

Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural – Blendi Klosi (Koha 10’)

Diskutime jo më shumë se 2 minuta për çdo folës

Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm – Anila Denaj (Koha 10’)

Diskutime jo më shumë se 2 minuta për çdo folës

Komisioni për Edukimin, Shkencën dhe Sportet – Evis Kushi (Koha 10’)

Diskutime jo më shumë se 2 minuta për çdo folës

Komisioni për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale – Eduard Shalsi (Koha 10’)

Diskutime jo më shumë se 2 minuta për çdo folës

Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik – Iris Luarasi (Koha 10’)

Diskutime jo më shumë se 2 minuta për çdo folës

Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën – Erion Malaj (Koha 10’)

Diskutime jo më shumë se 2 minuta për çdo folës

Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme – Igli Hasani (Koha 10’)

Diskutime jo më shumë se 2 minuta për çdo folës

Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale – Fatmir Xhafaj (Koha 10’)

Diskutime jo më shumë se 2 minuta për çdo folës

Komisioni Posaçëm për Realizimin e Reformës Zgjedhore – Damian Gjiknuri (Koha 10’)

Diskutime jo më shumë se 2 minuta për çdo folës

Komisioni Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale – Arbjan Mazniku (Koha 10’)

Diskutime jo më shumë se 2 minuta për çdo folës

Raporti nga Sekretari i Grupit mbi pjesëmarrjen e deputetëve në Seancat Plenare, Komisionet dhe Mbledhjet e Grupit.

13:30 – Konkluzione

Fjala e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PSSH, Taulant Balla.

Fjala e Kryeministrit, Kryetarit të PSSH, Edi Rama.

15:00 – Mbyllja e Mbledhjes/K.M

07:30 Aksident i rëndë në Durrës, makina ‘fluturon’ nga Ura e Dajlanit dhe bie 30 metra poshtë! Humb jetën 18-vjeçarja, plagosen rëndë shoferi dhe 2 këmbësorë

By: Klara
16 January 2026 at 07:30

Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen 15 janarit në Durrës, te Ura e Dajlanit. Rreth orës 22:15 një automjet tip BMW X5 ka dalë nga rruga dhe ka rënë nga ura, duke përfunduar rreth 30 metra poshtë saj.

Si pasojë e aksidentit, pasagjerja 18-vjeçare ka humbur jetën, ndërsa drejtuesi i mjetit, 26 vjeç banues në Fier, ka mbetur i plagosur rëndë dhe është transportuar drejt spitalit për ndihmë mjekësore. Gjithashtu, nën kujdesin e bluzave të bardha tashmë janë edhe 2 këmbësorë të dëmtuar nga aksidenti.

“Rreth orës 22:15, të datës 15.01.2026,  te ura e Dajlanit, në lagjen nr. 4, automjeti me drejtues shtetasin A. Xh., 26 vjeç, banues në Fier, ka rënë nga mbikalimi.

Si pasojë e aksidentit, ka ndërruar jetë pasagjerja, shtetasja V. G., 18 vjeçe, ndërsa janë dëmtuar drejtuesi i automjetit, shtetasi A. Xh., si dhe dy këmbësorë, shtetasit T. T., 33 vjeç, dhe A. M., 35 vjeç, të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve,- njofton policia.

I riu ka humbur kontrollin e automjetit dhe as mbrojtëset metalike të aksit rrugor nuk e kanë ndalur dot mjetin, i cili ka përfunduar poshtë Urës së Dajlanit.

Mësohet se në një pjesë të mbikalimit të Urës së Dajlanit janë duke u kryer punime në njërën korsi, ndërsa rruga ka qenë e pajisur me sinjalistikë dhe tabela paralajmëruese. Nuk dihet ende nëse këto nuk janë dalluar nga drejtuesi i mjetit, duke çuar në një manovër të gabuar, apo nëse ka pasur rrethana të tjera që kanë ndikuar në aksident. Gjithsesi do të jetë grupi hetimor që do të zbardhë rrethanat dhe shkaqet e aksidentit./K.M

❌
❌