Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u ka bërë thirrje mbështetësve të tij të mblidhen në bulevard për të shprehur kundërshtimin ndaj qeverisë, por edhe kësaj herë militantët e kanë braktisur.
Ndryshe nga pritshmëritë e organizatorëve, pjesëmarrja ishte e ulët dhe hapësira përpara podiumit ishte pothuajse bosh.
Pamjet e sotme nuk janë të panjohura, pasi bulevardi bosh ka qenë epilogu i çdo foltoreje, që ka organizuar deri tani Sali Berisha./e.t
Nuk janë mobiliet e shtrenjta ato që krijojnë luksin, por ndjesia, drita, detajet dhe harmonia që e bëjnë një hapësirë të duket elegante, e ngrohtë dhe e menduar me kujdes
Kur mendojmë për luksin, shpesh na shkojnë ndër mend mobile të shtrenjta apo detaje dizajnerësh. Në realitet, luksi ka shumë pak lidhje me çmimin dhe shumë më tepër me ndjesinë. Një shtëpi që duket luksoze nuk është e ftohtë, e paarritshme apo sterile. Është një hapësirë ku hyn me lehtësim, ku dëshiron të ulesh, të qëndrosh dhe të marrësh frymë thellë. Luksi i vërtetë është një ndërthurje e rehatisë, identitetit personal dhe vëmendjes ndaj detajeve.
Një shtëpi që duket luksoze nuk është një shtëpi perfekte. Është një hapësirë ku ndiheni mirë, të sigurt dhe vetvetja. Kur bashkoni rehatinë, dritën, objektet personale, rregullin dhe elementet natyrore, krijoni një interier që nuk përpiqet të impresionojë, por e bën këtë në mënyrë krejt spontane.
Ekzistojnë disa rregulla të thjeshta që e krijojnë këtë efekt pothuajse pa u vënë re, por me siguri.
Truku 1: Tekstura që ndihen nën gishta
Një shtëpi luksoze nuk perceptohet vetëm me sy, por përjetohet edhe përmes prekjes. Jastëkë të butë, batanije ku mund të mbështilleni, qilima që këmbët zbathur i njohin si diçka të këndshme, të gjitha këto ndërtojnë ndjesinë e ngrohtësisë dhe sigurisë. Nuk bëhet fjalë për grumbullim, por për materiale të zgjedhura me kujdes, që ftojnë kontaktin. Kur një hapësirë ka thellësi teksturash, ajo automatikisht duket më e pasur dhe më e menduar.
Truku 2: Dritë që ndryshon atmosferën
Ndriçimi është një nga elementet më të nënvlerësuara të interierit, por në fakt bën diferencë të madhe. Një dritë e vetme qendrore nuk krijon kurrë ndjesi luksi. Ndriçimi i ngrohtë, një llambë tavoline në qoshe, drita muri, llamba diskrete pranë shtratit apo divanit, qirinj që nuk shërbejnë vetëm si dekor, por edhe si burim atmosfere, të gjitha i japin hapësirës thellësi dhe qetësi. Drita që nuk verbëron, por qetëson, gjithmonë duket më e shtrenjtë.
Truku 3: Objekte që kanë histori
Një shtëpi që duket luksoze nuk ndërtohet kurrë vetëm me sende të reja dhe të përgjithshme. Në të ka objekte me histori. Një fotografi familjare në një kornizë të bukur, një pjatë e vjetër, një libër me dedikim, një pikturë e blerë gjatë udhëtimit apo një mobile që mbart kujtime. Këto detaje i japin hapësirës identitet. Ato tregojnë se në atë shtëpi dikush jeton vërtet, jo thjesht qëndron.
Truku 4: Rregulli që sjell qetësi
Luksi dhe kaosi nuk shkojnë bashkë. Një hapësirë e rregullt nuk do të thotë sterilitet, por qartësi. Kur çdo gjë ka vendin e vet, kur nuk ka tepri që e ngarkon ambientin, shtëpia bëhet më e lehtë për t’u jetuar. Pastërtia dhe organizimi krijojnë ndjesi kontrolli dhe qetësie – ky është një luks që sot vlerësohet më shumë se kurrë. Një hapësirë ku merr frymë lirshëm gjithmonë duket më e shtrenjtë sesa është.
Truku 5: Elementet natyrore si bazë
Bimët, druri, guri, mermeri dhe materialet natyrore gjithmonë e ngritin nivelin e një ambienti. Gjelbërimi sjell jetë dhe ekuilibër, ndërsa druri dhe guri japin ngrohtësi dhe ndjesi qëndrueshmërie. Edhe një bimë e vetme, e vendosur mirë, mund të ndryshojë tërësisht përshtypjen e një dhome. Natyra në interier nuk është trend, por nevojë dhe pikërisht për këtë arsye duket elegante, e qetë dhe luksoze. /e.t
Pasagjerët e një fluturimi të “Ryanair” për në Tenerife të Spanjës, u lënduan kur aeroplani hasi turbulenca të forta menjëherë pas ngritjes, duke e detyruar atë të bënte një kthim emergjent në aeroportin e nisjes.
Kompania ajrore tha se “një numër i vogël pasagjerësh morën ndihmë mjekësore”, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Sipas ‘Independent’, fluturimi FR1121, një Boeing 737 Max, u nis nga Birmingham në mesditë të dielën (28 dhjetor). Aeroplani u nis në orën 15:05 pasdite dhe rreth 40 minuta më vonë arriti në 37,000 këmbë ndërsa kalonte bregdetin francez dhe mbërriti në qytetin Morlaix në Brittany.
Në atë kohë, shërbimi i pasagjerëve ishte në zhvillim e sipër në kabinë kur avioni hyri në një zonë me turbulenca të forta. Pilotët morën vendimin për t’u kthyer në Mbretërinë e Bashkuar.
Aeroplani u ul normalisht në Birmingham rreth 90 minuta pas ngritjes dhe u parkua në një vend të largët, ndërsa pasagjerët zbritën dhe u kthyen në terminal.
Në një deklaratë, Ryanair tha:
“Fluturimi FR1121 nga Birmingham për në Tenerife më 28 dhjetor u kthye në aeroportin e nisjes menjëherë pas ngritjes për shkak të turbulencave. Avioni u ul në mënyrë të sigurt dhe një numër i vogël pasagjerësh morën trajtim mjekësor.”
Për të përfunduar itinerarin, kompania dërgoi një avion zëvendësues nga Leeds Bradford, për në Birmingham.
Pasagjerët u rikthyen në aeroplan dhe u nisën në orën 21:21, duke mbërritur në Aeroportin Jugor të Tenerife në orën 01:25 të mëngjesit, një vonesë prej më shumë se gjashtë orësh./e.t
Njoftimi i Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara për vendosjen e sanksioneve ndaj familjes Hysa, e cila është me shtetësi meksikane, por me origjinë shqiptare – për akuzën e pastrimit të parave në favor të fraksionit “Mayiza” të Kartelit të Sinaloas, i shtohet një liste të gjatë lajmesh që lidhin kartelet meksikanë me klane kriminale me origjinë shqiptare dhe ngre pyetjen: pse është bërë kaq e zakonshme lidhja mes organizatave të krimit të organizuar të Meksikës dhe Shqipërisë?
Në Meksikë dihet pak për mafien shqiptare, por ajo është shumë e rëndësishme në nivel ndërkombëtar, pasi, së bashku me ’Ndrangheta-n italiane, përbëjnë dy mafiet që kontrollojnë trafikun e drogës në Evropë dhe, për rrjedhojë, janë ndër aleatët kryesorë ndërkombëtarë të Kartelit të Sinaloas dhe Kartelit Jalisco Nueva Generación (CJNG). Përveç Evropës, ajo ka prani edhe në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Australi, përmes emigrantëve me origjinë shqiptare të vendosur në këto vende.
Në fund të viteve ’80, si mafia shqiptare, ashtu edhe ’Ndrangheta ishin relativisht të vogla krahasuar me organizata të tjera kriminale, por nga vitet ’90 nisën të rriten falë dy faktorëve kryesorë. I pari ishte dobësimi i mafieve me ndikim të madh për shkak të ndjekjes penale nga qeveritë evropiane, si mafia siciliane (Cosa Nostra), Camorra napolitane, mafia ruse, mafia galiciane apo Union Corse. Në të gjitha këto raste, autoritetet gjetën anëtarë të gatshëm të spiunonin bashkëpunëtorët e tyre, gjë që lejoi ndjekjen penale të shumë udhëheqësve dhe i bëri këto grupe partnerë më pak të besueshme për kartelet meksikanë apo kolumbianë.
Ndërsa “spiunët” dobësonin këto mafie, kartelet meksikanë dhe kolumbianë gjetën te mafia shqiptare dhe ’Ndrangheta aleatët e duhur, pasi në të dy rastet bëhet fjalë për grupe kriminale të përbëra vetëm nga persona me lidhje të drejtpërdrejta familjare – prindër, fëmijë, vëllezër, motra, xhaxhallarë e nipër – çka ul ndjeshëm rrezikun e tradhtisë, pasi lidhja e gjakut është vendimtare.
Faktori i dytë është se, në një kohë të shkurtër, falë diasporës së emigrantëve nga Shqipëria dhe Kalabria (rajon në jug të Italisë, prej nga e ka origjinën ’Ndrangheta dhe që karakterizohet nga të ardhura më të ulëta se pjesa tjetër e vendit), ata arritën të vendosin prani pothuajse në të gjitha vendet e Evropës, veçanërisht në porte, qendra të mëdha financiare, kryeqytete me popullsi të madhe dhe zona me rritje të shpejtë ekonomike.
Për shembull, mafia shqiptare ka prani në qytete shumë të rëndësishme si Londra, Berlini, Parisi, Stokholmi, Stambolli, Nju Jorku, Sidnej, Toronto, Madridi apo Roma, si dhe në porte me trafik të lartë tregtar në Evropë, si Hamburgu në Gjermani, Algeciras dhe Valencia në Spanjë, Antverpeni në Belgjikë dhe Roterdami në Holandë.
Duke qenë se portet janë pika kryesore e hyrjes së drogave si kokaina dhe fentanili në Evropë, dhe mafia shqiptare është ajo që është më e infiltruar në këto pika, ajo bëhet një aleate kyçe për organizata si Karteli i Sinaloas apo CJNG.
Por përveç këtyre dy arsyeve, ekziston edhe një e tretë që e dallon mafien shqiptare: përveç rolit kyç në trafikun e drogës, ajo u ofron organizatave meksikane edhe qasje në një rrjet shumë të gjerë pastrimi parash në Evropë dhe në pjesë të tjera të botës, si Kina.
Shqiptarët investojnë në projekte imobiliare luksoze në të gjithë Evropën; janë pronarë kazinosh, hotelesh, qendrash turistike, spa-sh dhe restorantesh, por gjithashtu kanë krijuar aleanca me kinezë dhe turq për interesa në biznese të vogla me produkte të lira dhe pirateri në qytete të ndryshme.
Po ashtu, janë identifikuar operacione të tyre në qendrat kryesore financiare të Evropës, si Cyrihu, Gjeneva, Frankfurti apo Londra, si dhe blerje kriptomonedhash, përdorimi i platformave të lojërave elektronike apo mashtrime masive përmes mjeteve digjitale.
Në përmbledhje, mafia shqiptare është bërë një partnere shumë e vlefshme për kartelet meksikanë sepse është një nga blerëset më të mëdha të drogës, ka një rrjet të gjerë shpërndarjeje në Evropë dhe vende të tjera, ofron shërbime tepër të rëndësishme si pastrimi i parave dhe madje mund të sigurojë edhe armë të rënda.
Kjo bën të mundur që i njëjti klan shqiptar të ketë marrëdhënie biznesi me kartele armike mes tyre, si Karteli i Sinaloas dhe CJNG, sepse kostoja e prishjes së marrëdhënies është më e lartë sesa tolerimi i mungesës së ekskluzivitetit.
Gjithashtu, është e rëndësishme të theksohet se, ndryshe nga Karteli i Sinaloas apo CJNG, mafia shqiptare nuk është një organizatë e vetme, por shumë të pavarura: çdo klan familjar funksionon si një bandë më vete, me portofolin e vet të bizneseve. Ndryshe nga organizatat kriminale meksikane, të cilat shpesh përplasen dhe konkurrojnë dhunshëm, shqiptarët rrallë përfshihen në konflikte të dhunshme dhe shumicën e kohës bashkëpunojnë mes tyre dhe ndajnë fitimet.
Për këtë arsye nuk është aspak çudi që familja Hysa, e vendosur në Meksikë, dhe që qeveria amerikane e lidh me fraksionin Mayiza, të shërbejë si urë lidhëse me klanet e mëdha evropiane dhe që, përveç pastrimit të parave përmes kazinove, të ofrojë qasje në një katalog shumë të gjerë investimesh në Evropë, gjë që është jashtëzakonisht e vështirë për t’u zbuluar nga autoritetet meksikane. Pikërisht për këtë arsye, prej vitesh marrëdhënia mes organizatave shqiptare dhe atyre meksikane është intensifikuar./e.t
Nga prodhues në konsumatorë… Migrimi nga rrethet drejt Tiranës po cenon garantimin e furnizimit me produkte ushqimore të shqiptarëve. Çrregullimet demografike të cilat po rrisin varësinë nga importi vlerësohen si një nga kërcënimet më të mëdha për Shqipërinë në pesë vitet e ardhshme.
“Imigrimi i brendshëm, veç krizës demografike po prodhon më pak fermerë e më shumë qytetarë duke realizuar kështu për fatin e keq ciklin “nga prodhues në konsumatorë”. Kjo situatë ka ardhur sa nga politikat neglizhente të qeverisë, aq edhe nga korrupsioni endemik që ka përfshirë vendin”, thotë Edison Zaçaj, pedagog në fushën e financë-kontabilitetit.
Vetë qeveria pranon në strategjinë e re të sigurisë se emigracioni, veçanërisht te të rinjtë nuk po ka të ndalur. Sipas institucioneve që kanë hartuar dokumentin kjo situatë ka prodhuar “krizë për punonjës” dhe ngadalësim të rritjes ekonomike. “Largimi i të rinjve nga njëra anë ul konsumin e nga tjetra zhyt në krizë prodhimin. “Brain drain” është një fenomen që na ka përfshirë prej vitesh. Tani është koha të ndërtojmë politika”, thotë Zaçaj.
Qeveria ka identifikuar të paktën shtatë “pika të dobëta”, përfshirë atë nga vendet jo-miqësore që mund ta përdorin ekonominë për presion politik. Të dish nga se vuan, ky është një hap më pranë shërimit. Po sa vlen kjo shprehje e zakonshme për fushën e mjekësinë edhe për ekonominë shqiptare? “Fazën e parandalimit e kemi kaluar. Tani jemi te ndalimi. Disa prej tyre si emigracioni mund të frenohen. Korrupsioni duket gati si sëmundje e pashërueshme”, thotë Zaçaj.
Për të parandaluar emigracionin, krizën demografike korrupsionin, ministria e Financave dhe Ekonomi bashkë me atë të Shëndetësisë dhe Mbrojtje Sociale, bashkë me institucionet e tjera të linjës do të duhet që brenda gjysmës së parë të vitit të ardhshëm të hartojnë panë për adresimin e këtyre sfidave./e.t
Një burrë nga India ka nxjerrë në pah një iniciativë prekëse brenda një qendre tregtare të qytetit, pasi vuri re një vend parkimi të dedikuar për nënat shtatzëna.
Akshay Raina e ndau videon në Instagram nga një zonë parkimi e një qendre tregtare në Bengaluru, duke e quajtur atë një hap të thjeshtë por kuptimplotë.
Vdeoja tregon një tabelë që shkruan “E rezervuar për nënat e ardhshme”, dhe vendi i parkimit është rozë.
Ngjyra dhe sinjalistika e veçantë e bëjnë vendin lehtësisht të dukshëm, veçanërisht në zonat e parkimit shpesh të mbushura me njerëz dhe konfuze të bodrumeve të komplekseve të mëdha tregtare.
Përdoruesit e rrjeteve sociale e lavdëruan qendrën tregtare për këtë iniciativë. /e.t
Deputeti dhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, në një konferencë për shtyp tha se ndërprerja totale e furnizimit me ujë për qytetarët e Vlorës prej 4 ditësh nuk është as “defekt tenik” dhe as një fatkeqësi natyrore, por dëshmi e dështimit të kryeministrit Edi Rama që erdhi në pushtet me premtimin për ujë të pijshëm 24 orë.
Deklarata e plotë e Tedi Blushit:
Lënia pa ujë për më shumë se 4 ditë e qytetarëve të Vlorës, nuk është as “defekt tenik” dhe as një fatkeqësi natyrore.
Është dëshmia më e qartë dhe më brutale e fytyrës kriminale dhe e babëzisë së pashtershme të Edi Ramës dhe çetës së “Rilindjes”, që erdhën në pushtet me premtimin për ujë të pijshëm 24 orë, por që sot e kanë zhytyr Kryeqytetin e Flamurit në një emergjencë jetësore, të etur për ujë, të braktisur dhe të poshtëruar, siç kanë lënë pa ujë të pijshëm Tiranën dhe gjithë Shqipërinë.
Avullimi i mbi 50 milion euro investime në rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve në Vlorë është prova se prioriteti i hajdutëve të Edi Ramës në Bashkinë e Vlorës nuk janë qytetarët, por vetëm vjedhja pa mëshirë e taksave të shqiptarëve, që në Shqipërinë e vitit 2026 që po afron nuk kanë as ujë për t’u larë në shtëpitë e tyre.
Edi Rama që zhgryhet mes luksit të paimagjinueshëm në vendin më të varfër të Europës, që lahet me verë 33 mijë euro shishja të koordinatorit të tij me bandat, Ergys Agasit dhe që noton në pasuri të paligjshme marramendëse të krijuar nga korrupsioni i përbindshëm 13-vjeçaar është përgjegjësi direkt i përmbytjeve të Vlorës në verë dhe i tharjes së saj për ujë në dimër.
Përshëndesim protestën dinjitoze dhe frymëzuese të qytetarëve guximtarë të Vlorës, zëri i të cilëve u dëgjua në të katër anët e vendit, që pavarësisht bindjeve të tyre politike u ngritën në këmbë dhe ja bënë fora duke u përballur me sejmenët e Edi Ramës në Bashkinë e Vlorës që në vend të reagonte për mungesën e ujit të pijshëm organizonte mbrëmje gala për të vijuar talljen kriminale me qytetarët.
Sot Qarku i Vlorës është kthyer në simbolin e korrupsionit të kësaj Qeverie, që ende refuzon të dorëzojë para drejtësisë Zv/kryeministren Belinda Balluku që bashkë me Edi Ramën vodhën mbi 75 milion euro në tunelin e Llogarasë, ku i zhdukën dy urat, siç zhdukën dhe vodhën tubacionet e ujësjellësit që po thajnë sot një qytet të tërë për ujë të pijshëm.
Njësoj siç vodhën 138 milion euro për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, që noton në ujë thuajse jashtë çdo funksioni dhe siç grabitën 146 milion euro me rrugën e florinjtë dhe jashtë çdo standardi sigurie Kardhiq-Delvinë, që prodhon çdo ditë fatkeqësi të paralajamëruara për qytetarët që kalojnë aty.
Ky regjim, pa Flamur dhe pa Atdhe, e urren Vlorën njësoj siç urren çdo shqiptar të ndershëm dhe patriot, që sot mban mbi shpinë barrën e rëndë të korrupsionit të sëmurë dhe mungesën e shërbimeve më bazike.
Prandaj qëndresa e vendosur dhe e pandalshme përballë këtij narkoregjimi, deri në çlirimin e plotë të institucioneve dhe rikthimin e sovranitetit te qytetarët, është një mision historik për çdo shqiptar të lirë dhe të ndershëm, nga Vlora në Shkodër.
Askush që e do këtë vend nuk mund të pajtohet me grabitjen barbare të pasurive publike, as me shkeljen sistematike të lirive dhe të drejtave themelore nga një regjim mafioz që nuk përfaqëson vullnetin e popullit, por vetëm interesat e tij kriminale.
Përballja pa kthim me narkoshtetin, me çdo mjet demokratik dhe me përshkallëzim të pandalur të aksionit opozitar, është një betejë që nuk do të ndalet deri në fitore./e.t
‘Portë e zjarrtë drejt ferrit’ ekziston pikërisht këtu në Tokë.
Kjo pamje e kobshme, e vendosur në Turkmenistan , është quajtur me të drejtë “Porta e Ferrit”, pasi iu vu flaka për herë të parë në vitin 1971.
Më shumë se gjysmë shekulli më vonë, ajo ende digjet.
Vendi është një gropë flakëruese që ka nxjerrë gaz natyror që nga viti 1971.
Historia thotë se gjeologët sovjetikë po bënin shpime për naftë aty. Për të parandaluar rrjedhjen e metanit në atmosferë, thuhet se gjeologët ndezën njërin prej tyre, duke menduar se do të digjej për disa javë.
Por ajo ka qenë duke u djegur për më shumë se 50 vjet.
Është interesante se Turkmenistani nuk mban të dhëna zyrtare për incidentin, pasi dokumentacioni përkatës është ose i klasifikuar, i paarritshëm ose mungon në arkiva – në përputhje me politikën e sekretit të vendit.
Kjo “Portë e Ferrit” mund të gjendet pranë fshatit Darvaza, i vendosur në zemër të shkretëtirës Karakum.
Gropa djallëzore mund të shihet nga kilometra përreth dhe është bërë një atraksion i madh turistik për Turkmenistanin.
Zbritja e vetme e njohur njerëzore në gropë u ndërmor nga eksploruesi kanadez George Kourounis.
Në nëntor 2013, Kourounis u nis në fund të kraterit të gazit Darvaza me National Geographic , me qëllim mbledhjen e mostrave të tokës për të hetuar shenjat e mundshme të jetës në mjedisin e ashpër të kraterit.
I pajisur me një kostum të specializuar rezistent ndaj nxehtësisë, Kourounis arriti të kalonte afërsisht 17 minuta brenda humnerës së zjarrtë.
Kourounis e përshkroi misionin si “kërkim të jetës aliene pikërisht këtu në Tokë”.
Dhe me të vërtetë, ata zbuluan shenja jete. Ekspedita e Kourounis zbuloi disa lloje bakteresh në tokën e dyshemesë së kraterit.
Tani, në një kthesë dramatike, pasi flakët u për më shumë se 50 vjet, duket se ato më në fund po shuhen, megjithëse gradualisht. /e.t
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është kundërpërgjigjur ndaj pretendimeve se Ukraina shënjestroi një rezidencë zyrtare të Vladimir Putinit në një sulm me dron.
Sipas mediave të huaja, Presidenti ukrainas tha në përgjigje të akuzës se “këto janë gënjeshtra”.
Zelensky vazhdoi duke thënë se Rusia dëshiron të minojë përparimin midis Ukrainës dhe SHBA-së në bisedimet e paqes.
Ai paralajmëroi se Rusia po përgatit terrenin për të sulmuar ndërtesat qeveritare të Ukrainës në Kiev.
Zelensky gjithashtu i kërkoi SHBA-së të reagojë ndaj kërcënimeve ruse në përputhje me rrethanat. /e.t
Edhe pse kanë kaluar vetëm dy javë nga nisja e shitjes së biletave për Botërorin e vitit 2026, interesimi i tifozëve ka qenë i jashtëzakonshëm.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, i cili thotë se eventi i vitit të ardhshëm do të jetë spektakolar.
“Në ditët e fundit ndoshta ju keni dëgjuar shumë për çmimin e lartë të biletave për Botërorin. Por dua të them që kemi nisur shitjen prej 2 javësh dhe kërkesat kanë arritur deri në 150 milionë. Ky event do të jetë më i ndjekuri në histori. Në 100 vite, Botërori ka pasur në total 44 milionë tifozë. Këtë vit është çmenduri.”
Numri një i institucionit më të lartë të futbollit botëror tregoi se shtetet me kërkesat më të larta kanë qenë SHBA, Gjermania dhe Anglia. Ai garantoi se të gjitha të ardhurat do të shpërndahen për federatat për zhvillimin e futbollit.
“Të gjitha të ardhurat që do të gjenerohen nga FIFA sigurisht që do të shkojnë për futbollin në të gjithë botën. Ato do t’ju shpërndahen federatave. Duhet të kuptoni që pa FIFA-n nuk mund të ketë futboll.”
Botërori i vitit 2026 do të nisë më 11 qershor me ndeshjen Meksikë-Afrikë e Jugut në stadiumin Azteka.Edhe Kombëtarja shqiptare me Kosovën janë ende në garë për të marrë pjesë në eventin madhor, por rruga kalon nga ndeshjet e “Play Off”-it të Europës./e/t
Gazetari Elton Tozaj i cili u dhunua barbarisht pak ditë më parë, ka folur ekskluzivisht për ‘Shqipëria Live’. Ai tha se ka lënë një takim me personat që thotë se e kanë dhunuar, për të sqaruar mes tyre situatën dhe reagimin e tij për lajmet që kishte publikuar.
Sipas tij pasi është takuar ata e kanë dhunuar barabarisht dhe thotë se e kanë lënë për të vdekur në mes të rrugës.
“Gjithçka ka nisur 12 ditë më parë, kur kam qenë në një emision të përditshëm të mëngjesit ku bëj pjesën e showbizit, dhe aty pata deklaruar se një vajzë publike, kishte lidhje intime me një personazh nga bota e krimit që është në kërkim nga SPAK, dhe kam paraqitur dhe videot që i kisha në telefon. Një ditë më pas më kërcënuan dhe më kërkuan që të fshij videon, unë e fshiva videon, por kërcënimet vazhduan.
Kjo gjë vazhdoi deri para katër ditësh, kur u kontaktova nga dy personazhe që i njihja, i kisha takuar vetëm një herë në jetën time. Në mirëbesim lash takim me ta, pa e ditur çfarë më priste. Pasi i takova nuk mbaj mend asgjë sepse u dhunova në mënyrë çnjerëzore. Mbaj mend një fjali ‘kush je ti që do të ndryshosh botën’. Kur u zgjova e pashë veten në rrugë të gjakosur, u çova vrapova. Kam përshtypje që më kanë lënë për të vdekur, më kanë goditur vetëm në fytyrë sepse kam përshtypjen që kanë dashur të japin mesazh mos të dal më në ekran. Nuk kam bërë akoma denoncim, pres një kontakt nga Prokuroria. Kam frikë për jetën time dhe mamanë time”, tha ai./e.t
Kjo e hënë ka nisur me një rënie të temperaturave. Anira Gjoni nga Instituti i Gjeoshkencave e ftuar në emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ tha se përveç temperaturave të ulëta në disa qarqe do të ketë edhe reshje të dobëta shiu.
“Jemi prekur nga një rënie të temperaturave pasi ndodhemi nën ndikimin e një mase të ftohtë polare. Nesër do të kemi disa reshje të dobëta shiu në disa qarqe. Ndërkohë të mërkurën dhe të enjten nuk do të kemi reshje”, tha Gjoni.
Ndër të tjera ajo theksoi se rënia e temperaturave në natën e ndërrimit të viteve (31 dhjetor dhe 1 janar) do të sjellin edhe ngrica.
Temperatuarat parashikohen:
Në zonat bregedetare 4/11 gradë celcius;
Në zonat e ulëta 0/10 gradë celcius;
Në zonat makore -1/7 gradë celcius.
Ndërkohë do të jetë e premtja ajo që do të sjellë një rritje të lehtë të temperaturave.
Sa i përket reshjeve të dëborës Gjoni nënvizoi se do të jenë të dobëta në veri, verilindje dhe juglindje të vendit./e.t
Hudhra njihet si një ushqim që forcon sistemin imunitar, por nëse doni të shmangni erën e keqe të gojës dhe të forconi imunitetin tuaj, mund të konsumoni ushqime të tjera.
Konsumimi i ushqimeve të pasura me lëndë ushqyese është një mënyrë e provuar për të forcuar sistemin imunitar dhe për të parandaluar sëmundjet. Ndërsa hudhra ka efekte anti-inflamatore që ndihmojnë në luftimin e infeksioneve, ushqime të tjera që forcojnë imunitetin mund të ndihmojnë në luftimin e infeksioneve edhe më mirë.
Fruta agrume
Frutat agrume si portokalli, grejpfruti, limoni dhe limoni janë të pasura me vitamina dhe antioksidantë, përfshirë vitaminën C. Antioksidantët janë përbërës bimorë që zvogëlojnë inflamacionin dhe luftojnë dëmtimin e qelizave.
Një dietë e pasur me antioksidantë është zbuluar se zvogëlon rrezikun e infeksioneve të sipërme të frymëmarrjes, siç është ftohja e zakonshme. Vitamina C është një antioksidant që rrit prodhimin e qelizave të bardha të gjakut, ose qelizave imune që luftojnë infeksionin.
Speca
Specat zile janë të pasura me vitaminë C dhe vitamina të tjera që forcojnë imunitetin. Specat e kuq zile përmbajnë beta-karoten, një lloj vitamine A që mbështet imunitetin. Specat zile gjithashtu ofrojnë likopen, një pigment bimor me veti anti-inflamatore.
Kos
Kosi është një produkt qumështi i pasur me probiotikë, mikroorganizma të gjallë që mbështesin ekuilibrin e mikroorganizmave të zorrëve. Probiotikët nxisin tretjen dhe zvogëlojnë rrezikun e kapsllëkut. Ato gjithashtu mund të jenë të dobishme për sistemin imunitar.
Mikrobioma e zorrëve përfshin qeliza imune, dhe një ekuilibër i shëndetshëm i baktereve dhe mikroorganizmave të tjerë në traktin tretës mbështet imunitetin.
Perime me gjethe
Perimet me gjethe jeshile, të tilla si lakra jeshile, spinaqi dhe paprika zvicerane, janë një burim i shkëlqyer i vitaminave A, C dhe K, si dhe antioksidantëve dhe fibrave. Antioksidantët në perimet me gjethe jeshile zvogëlojnë inflamacionin dhe mbështesin sistemin imunitar. Konsumi i fibrave mbështet shëndetin e zorrëve dhe mund të përmirësojë sistemin imunitar.
Peshk i yndyrshëm
Një dietë e pasur me peshk të yndyrshëm mund të përmirësojë sistemin imunitar. Peshqit e yndyrshëm, si skumbri dhe salmoni, janë të pasur me acide yndyrore omega-3. Këto yndyrna të shëndetshme mbështesin shëndetin e qelizave dhe zvogëlojnë inflamacionin.
Kjo mund ta ndihmojë trupin të luftojë infeksionin dhe të shërohet. Një dietë e pasur me acide yndyrore omega-3 mund të rrisë gjithashtu numrin e baktereve të dobishme në mikrobiomën e zorrëve, duke përmirësuar shëndetin e zorrëve dhe duke mbështetur sistemin imunitar./e.t
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka depozituar kallëzim penal në SPAK ndaj drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Klevis Qose.
Në shkresën dërguar Prokurorisë së Posaçme thuhet se Qose ka shpërdoruar detyrën në disa raste, me veprimet apo mosveprimet e tij, duke i cënuar të drejtat dhe liritë Ilir Metës.
Për të provuar faktin penal, Meta bashkëngjitur kërkesës ka dërguar edhe rekomandimin e Avokatit të Popullit, për trajtimin e personave që ndodhen në paraburgim.
Kujtojmë se prej disa kohësh Meta vijon të qëndrojë në qelitë e paraburgimit, pas akuzave të ngritura nga SPAK ndaj tij për korrupsion dhe shpërdorim detyre./e.t
Ditën e sotme në strukturën e Policisë së Shtetit ka pasur disa ndryshime, shkarkime nga detyra dhe emërime të reja.
Pas vlerësimit të performancës, të kryer nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në DPPSH, proces i cili do të vazhdojë për të gjitha drejtoritë vendore, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda ka firmosur mesditën e sotme shkarkimin nga detyra të Drejtorit të Drejtorisë Vendore Lezhë, Drejtues Altin Mena dhe të zv.drejtorit për Rendin, Kryekomisar Taulant Gjoka, me motivacionin për performancë të dobët.
Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm ka komanduar në detyrën e Drejtorit të DVP Lezhë, zv/drejtorin për Hetimin e Krimit, në DVP drejtues Kujtim Gjoka.
Po me të njëjtin motivacionin janë shkarkuar nga detyra Shefi i Komisariatit të Policisë Dibër Mariglen Duçi dhe shefi i Komisariatit të Policisë Kamëz Besmir Dervishi.
Po ashtu:
Altin Mena është emëruar zëvendësdrejtor për Sigurinë Publike në DVP Kukës.
Taulant Gjoka është emëruar shef i Sektorit të Sigurisë Publike në DVP Shkodër.
Mariglen Duçi, shef i Sektorit për Hetimin e Krimeve në Kukës.
Besmir Dervishi, shef i Seksionit të Krimeve ndaj Pronës në DVP Tiranë.
Ervis Gjoshi, eshte emëruar shef i komisariatit në Dibër.
Sentilian Ndreu, emërohet përkohësisht, shef i Komisariatit nr. 5 në Tiranë. /e.t
Një person ka vdekur dhe tre të tjerë janë zhdukur pasi një varkë me emigrantë u fundos në ishullin grek të Samos herët të hënën, tha roja bregdetare.
Njëzet e gjashtë emigrantë arritën në breg në zonën e Petalides dhe njoftuan autoritetet se të tjerë ishin ende në det. Ndërkohë, varka ishte fundosur në orët e para të mëngjesit.
Anijet e rojes bregdetare, një helikopter, një varkë private dhe ekipet tokësore nisën një operacion kërkim-shpëtimi. Trupi i gruas u gjet gjatë kërkimit, ndërsa operacionet vazhduan për tre personat e zhdukur. Kombësitë e emigrantëve nuk u bënë të ditura.
Greqia ka qenë një pikë hyrëse kryesore për emigrantët dhe refugjatët në Bashkimin Evropian që nga viti 2015, me më shumë se 1 milion mbërritje të regjistruara. Qindra kanë vdekur duke u përpjekur të kalojnë detin.
Të dhënat e fundit nga Frontex, agjencia evropiane e rojeve kufitare dhe bregdetare, treguan se flukset e migracionit të parregullt përmes Mesdheut lindor ranë me 30% në 11 muajt e parë të vitit 2025 krahasuar me të njëjtën periudhë në vitin 2024, me rreth 46,200 mbërritje të regjistruara në ujërat greke këtë vit.
Megjithatë, Frontex raportoi një rritje të ndjeshme të aktivitetit përgjatë korridorit Libi-Kretë, me zbulime që u rritën me 272% nga viti në vit gjatë së njëjtës periudhë.
Incidenti vjen pas disa tragjedive të fundit me emigrantë në ujërat greke. Më 6 dhjetor, autoritetet greke nxorën 17 trupa dhe shpëtuan dy emigrantë nga një anije në brigjet e Kretës.
Më 8 dhjetor, një djalë 12-vjeçar vdiq pasi u godit nga një helikë varke kur një kontrabandist dyshohet se i detyroi emigrantët të hidheshin nga një motoskaf në Samos.
Një javë më vonë, 28 emigrantë u shpëtuan dhe tre mbetën të zhdukur pasi varka e tyre u përplas me shkëmbinj në Samos./e.t
Rivlerësimi me çmimet e përafërta me tregun është një mekanizëm, që ndihmon në uljen e informalitetit në transaksionet e pasurive të paluajtshme, duke e bërë të vështirë deklarimin fiktiv të vlerave më të ulëta gjatë shitblerjeve, një problem i vazhdueshëm në praktike.
Projektligji ka për qëllim t’u ofrojë qytetarëve edhe një herë mundësinë për tëkryer rivlerësimin e pasurive të paluajtshme në një afat të kufizuar, nga data 1 janar 2026 deri më 31 dhjetor 2026.
Zgjedhja e këtij afati është bërë duke pasur parasysh balancën midis kohës së mjaftueshme, për informimin dhe përgatitjen e qytetarëve, dhe nevojës për të ruajtur karakterin e përkohshëm të masës, në mënyrë që të mos deformohet funksioni normal i tregut.
Ky projektligj do të ketë gjithashtu ndikim pozitiv në të ardhurat e buxhetit të shtetit përmes rritjes së të ardhurave nga tatimi mbi rivlerësimin, i cili propozohet të jetë në normën 5%, pa pasur nevojë për ndryshime të normave tatimore ekzistuese. Në vend janë realizuar deri më tani 3 nisma rivlerësimesh të cilat kanë pasur nivele më të ulëta tatimore./e.t
Momenti jo i Lara Colturit ka përfunduar. Skiatorja e Shqipërisë është rikthyer të shkëlqejë pas garave në Kanada dhe Francë, duke zënë podiumin në Slalomin e Austrisë të zhvilluar të dielën. 19-vjeçarja ia doli të renditej e 3, pasi vetëm ‘mbretëresha’ Michaela Shiffrin dhe zvicerania Camille Rast ishin më të shpejta se skiatorja e Shqipërisë.
Colturi në vendin e tretë ishte vetëm 97 të mijtat, më pak se një sekondë, më e ngadaltë se sa Shifrrin, e cila vijon të konsolidojë vendin e parë në renditjen e përgjithshme.
Me podiumin e siguruar të dielën Colturi vijon të qëndrojë e dyta në renditje në disiplinën ‘Slalom’, ndërsa gara e së shtunën në Giant Slalom e ka penalizuar jo pak. Për shkak se nuk arriti ta përfundonte, si pasojë e një gabimi, 19-vjeçarja renditet e 17 në renditjen e Giant Slalom. Në total, Colturi mban vendin e 7 në renditjen e përgjithshme.
Dy garat e Autrisë, të shtunë dhe të dielën, ishin të fundit për 2025 në kampionatin botëror të skive, por ky sport do të rikthehet shpejt. Të shtunën e ardhshme, me 3 janar, Colturi do të garojë në disiplinën Giant Slalom në Slloveni./e.t
Festen i Turnage-it në Royal Opera House i la të gjithë pas, por këtë vit pati edhe shumë muzikë të re të jashtëzakonshme, interpretime entuziazmuese dhe fitore të talentit, përkushtimit dhe zgjuarsisë në mbarë Mbretërinë e Bashkuar. Ja momentet tona më të mira.
Regjistrimet më të mira klasike të vitit 2025 Më shumë mbi kulturën më të mirë të vitit 2025
“Një nga premierat operistike më të jashtëzakonshme që kam dëgjuar ndonjëherë”
Këtë vit munda të ndiqja muzikë live për më pak se tre muaj, por ndër pak ngjarjet ku isha i pranishëm ishte edhe një nga premierat operistike më të jashtëzakonshme që kam dëgjuar në më shumë se 40 vjet. E porositur nga Royal Opera dhe e bazuar në filmin dhe dramën skenike me të njëjtin titull të Thomas Vinterberg-ut, Festen ishte opera e pestë në shkallë të gjerë e Mark-Anthony Turnage-it dhe tregoi qartë se si instinktet e sigurta dramatike, të shfaqura që në veprat e tij të hershme skenike Greek dhe The Silver Tassie, janë pjekur në një gjuhë operistike me fuqi dhe fleksibilitet të jashtëzakonshëm. Asnjë fjalë nga libreti i Lee Hall-it nuk shkon dëm në zbulimin e sekreteve të errëta familjare që dalin në pah gjatë një feste për ditëlindjen e 60-të, ndërsa partitura e Turnage-it, e larmishme dhe e pamëshirshme, nuk bën asnjë hap të gabuar. Tmerri i dramës u fokusua pa mëshirë nga regjia e Richard Jones-it, me një kast ku çdo rol u bë tmerrësisht i besueshëm. Opera më e mirë britanike e gjysmë shekulli të fundit? Me shumë gjasë, po.
Beethoven me shpërthim ngjyrash dhe freskie
Disa kulme janë më të parashikueshme se të tjerat. Australian Chamber Orchestra ka mahnitur publikun prej gjysmë shekulli tashmë, me Richard Tognetti-n si drejtuesin e saj rebel prej 35 vitesh. Por as kjo histori nuk mund të më përgatiste për vitalitetin e papërpunuar të paraqitjes së fundit të ACO-së në Mbretërinë e Bashkuar, në Barbican, në mars, me një program Bach, Shostakovich dhe Gubaidulina. Koncerti filloi ndërsa këta instrumentistë me tela të klasit botëror ende po hynin në skenë; ekuilibri mes kontrollit teknik dhe lirisë krijuese ishte tërësisht magjepsës që nga kontakti i parë i harkut me telin.
Disa muaj më vonë, festivali i Aldeburgh-it solli zbulimin më të paharrueshëm të vitit për mua, kur Gildas Quartet premieroi Kuartetin për Tela nr. 6 të Colin Matthews-it, krahas Three Idylls të Bridge-it dhe kuartetit të tretë “Razumovsky” të Beethoven-it. Pikërisht ky i fundit ka mbetur mbi të gjitha në kujtesën time – një shpërthim ngjyrash dhe freskie intensive, sa dukej si një interpretim i parë.
Janáček gjallërues dhe Wagner magjepsës
Kam kaluar disa mbrëmje të shkëlqyera këtë vit në Royal Opera House. Kur arrita më në fund të shihja Festen, kisha dëgjuar vlerësime entuziaste nga të gjitha anët dhe nuk u zhgënjeva. Regjia e Katie Mitchell për Çështja Makropulos e Janáček-ut nuk u pëlqye njëzëri, por për mua rishikimi i saj i historisë ishte gjallërues: e gjeta veten duke mbështetur fort anti-heroinen shekullore, siç u këndua nga Ausrine Stundyte, dhe duke u emocionuar nga tingulli orkestral – mandati i Jakub Hrůša-s si drejtor muzikor i kompanisë ka nisur mbarë.
Në maj, orkestra luajti mrekullisht për ish-drejtuesin e saj, Antonio Pappano, kur ai u rikthye për Die Walküre, pjesa e dytë e ciklit Unaza të Wagner-it. Ka prekje magjike në regjinë e Barrie Kosky-t, veçanërisht prania magjepsëse e Erda-s së moshuar, perëndeshës së tokës. Me padurim pres Siegfried-in në mars për të parë çfarë do t’i ndodhë asaj më pas
Nderim për Palestrina-n dhe Pärt-in
Fotografitë e violinistes Carolin Widmann, e detyruar së fundmi nga stafi i një linje ajrore të fluturonte duke mbajtur në prehër Guadagnini-n e saj të çmuar, të mbështjellë me një triko, ndërsa kutia bosh udhëtonte në bagazh, ishin vështirë të besueshme. Megjithatë, ato më kujtuan fuqishëm interpretimin e saj mahnitës – pikërisht me këtë instrument – të koncertit për violinë të vëllait të saj Jörg, në koncertin e BBCNOW që ai vetë dirigjoi. Një performancë vërtet elektrizuese.
Në St George’s, Bristol, koncerti i Tallis Scholars që festonte 500-vjetorin e Palestrina-s dhe 90-vjetorin e Arvo Pärt-it, një model qartësie dhe elegance linjash, ishte një nga dy programet korale më të spikatura. Në tjetrin, I Fagiolini nderuan Orazio Benevoli-n, me rezonancë të mrekullueshme dhe duke shfrytëzuar maksimalisht akustikën e bukur të sallës.
Virtuoziteti i pianistes Tamara Stefanovich në repertorin bashkëkohor dhe atë të shekullit XIX është i padiskutueshëm, ndaj recitalja e saj në Royal Welsh College of Music and Drama me muzikë nga familja Bach – Johann Sebastian, Carl Philipp Emanuel dhe Johann Christian – ishte e pazakontë, autoritative dhe e paharrueshme.
Shostakovich përvëlues
Këtë vit ndihej një frymë e vërtetë freskie dhe inovacioni. Festivali inaugurues Multitudes i Southbank Centre doli një përzierje stimuluese e ndërthurjeve artistike. London Philharmonic Orchestra bashkëpunoi me trupën australiane Circa për një interpretim akrobatik sfidues të Daphnis et Chloé të Ravel-it, ndërsa interpretimi përvëlues i Simfonisë “Leningrad” të Shostakovich-it nga Vasily Petrenko u shoqërua me imazhe provokuese nga drejtori artistik Kirill Serebrennikov dhe artisti video Ilya Shagalov.
Në skenë, regjia jashtëzakonisht e ndershme e Annilese Miskimmon për Dead Man Walking të Jake Heggie-t ishte, në mënyrë befasuese, vënia e parë e plotë profesionale e veprës në Mbretërinë e Bashkuar. English National Opera paraqiti një kast të shkëlqyer, të udhëhequr nga Christine Rice, e cila solli rezerva të mëdha emocionale në rolin e motrës Helen Prejean, murgeshës në qendër të kësaj historie të së vërtetës, dashurisë, dhembshurisë dhe shpengimit.
Së fundmi, Iván Fischer dhe Budapest Festival Orchestra treguan pse janë ndoshta orkestra më e mirë në planet, duke interpretuar Beethoven dhe Bartók në BBC Proms të këtij viti.
Në njëfarë mënyre, gjenialiteti krijues i interpretimit mbijeton
Simon Rattle thotë se muzika klasike është në “një luftë afatgjatë për ekzistencë”. Pa dyshim që është. E megjithatë, pavarësisht luftës së Arts Council England kundër ekselencës, në emër të një teorie të kalbur anti-elitiste, gjenialiteti i krijimtarisë në interpretim disi mbijeton.
Në shkurt, Regents Opera vuri në skenë një cikël bindës të Unazës së Wagner-it në një sallë boksi në lindje të Londrës, me forca të reduktuara dhe një orkestër prej vetëm 22 instrumentistësh nën drejtimin e Ben Woodward. Në nëntor, po aq e pathyeshme, Gothic Opera shpëtoi Die Rheinnixen të Offenbach-ut, që përmban shumë muzikë e cila më vonë do të rishfaqej në Tregimet e Hoffmann-it. Të dyja ishin fitore të talentit, përkushtimit dhe zgjuarsisë. Të dyja kapërcyen sfida të pafundme praktike. Asnjëra nuk mori asnjë qindarkë nga fondet e ACE-së.
“Do ta bëjmë sepse jemi të detyruar ta bëjmë,” shkroi Woodward. Fjalë heroike. Muzikantët në mbarë Mbretërinë e Bashkuar vazhdojnë të krijojnë mrekulli mes filistinizmit politik dhe shoqëror mbizotërues. Por ata – dhe nevoja universale për muzikë live – meritojnë shumë më tepër.
Burimi: theguardian.com. Përgatitur nga: Andrew Clements, Erica Jeal, Flora Willson, Martin Kettle, Rian Evans, Clive Paget