Festat shpesh perceptohen si periudha e qetësisë, afrimitetit dhe pushimit. Megjithatë, për shumë njerëz, kjo kohë shoqërohet me shqetësim të brendshëm, nervozizëm dhe lodhje emocionale, të cilat bien ndesh me idenë se si “duhet” të përjetohet kjo periudhë.
Kur gjithçka rreth nesh flet për gëzim dhe relaks, ndërsa brenda ndjejmë tension, lind një ndjenjë faji pse nuk po e shijojmë pushimin “siç duhet”.
Psikologët theksojnë se kjo ndjenjë nuk është shenjë dobësie, por një sinjal i rëndësishëm për të kuptuar nevojat tona të brendshme.
Pushimi që nuk sjell qetësi
Në nivel psikologjik, shqetësimi gjatë festave nuk është rastësor. Ndryshimi i rutinës dhe hapësirat e zbrazura që lihen pas angazhimeve të përditshme bëjnë që të dalin në sipërfaqe ndjenjat e shtyra gjatë vitit: lodhja akumuluar, pakënaqësia e pashprehur dhe nevoja për pushim të vërtetë.
Festat shpesh krijojnë një paradoks: dëshira për të ngadalësuar ritmin dhe për t’u qetësuar ndeshet me pritshmëritë e takimeve, vizitave dhe përgjegjësive emocionale, duke kthyer pushimin në burim tensioni.
Nervozizmi – shenjë e mbingarkesës
Nervozizmi që shfaqet gjatë festave rrallë lidhet me të tjerët. Ai buron kryesisht nga presioni i brendshëm për të qenë i mjaftueshëm, i disponueshëm dhe i fortë për të gjithë. Frika për të mos zhgënjyer të tjerët, vështirësia për të thënë “jo” dhe ndjenja se pushimi duhet merituar rrisin ngarkesën emocionale.
Trupi ndjen këtë presion në mënyrë konkrete: tension në kraharor, ngurtësi në qafë, lodhje e vazhdueshme, irritim i shpejtë ose ndjenja shqetësimi pa arsye të qarta janë shenja të një sistemi nervor që mbetet në gjendje vigjilence, edhe kur rrethanat duken të qeta.
Shumë njerëz përpiqen ta menaxhojnë këtë tension përmes aktivitetit të vazhdueshëm: organizimi, gatimi, pastrimi dhe planifikimi krijojnë një ndjenjë kontrolli. Kur lodhja bëhet e madhe, shpërqendrimi me telefon, ushqim, seriale apo alkool ofron qetësi vetëm përkohësisht.
Si ta menaxhojmë realisht ritmi
Psikologët sugjerojnë se shqetësimi dhe nervozizmi gjatë festave tregojnë një mungesë të pushimit të vërtetë dhe kujdesit ndaj vetes. Festat e bëjnë këtë mungesë më të dukshme dhe ndalimi i ritmit mund të ndihet i pakëndshëm.
Hapat që ndihmojnë për t’u ndjerë më mirë janë:
Vendosja e kufijve të butë për detyrat dhe pritshmëritë.
Rikthimi i një gjumi të rregullt.
Momente të vogla qetësie pa produktivitet.
Shkëputja nga zhurma digjitale.
Pranimi se nuk duhet të jemi gjithmonë të disponueshëm.
Shqetësimi dhe nervozizmi nuk duhet shtypur ose injoruar. Ata janë mesazhe që tregojnë se ritmi dhe mënyra se si kujdeseni për veten kanë nevojë për rishikim. Dëgjimi i këtyre sinjaleve mund të kthejë festat nga burim tensioni në një mundësi për të ndërtuar një marrëdhënie më të shëndetshme me pushimin dhe qetësinë personale.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
/GazetaSinjali/
The post Çka sinjalizon shqetësimi dhe nervozizmi i brendshëm gjatë festave? appeared first on Sinjali.