Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 26 December 2025Sinjali

Ngadhnjim Arrni zgjidhet kryetar i Gjykatës Themelore në Prishtinë

26 December 2025 at 11:54

Gjyqtari Ngadhnjim Arrni është zgjedhur kryetar i Gjykatës Themelore në Prishtinë, në një mbledhje të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Arrni ka marrë tetë vota për, një abstenim dhe një kundër në votimin për zgjedhjen si kryetar.

Deri tash, Arrni ka qenë udhëheqës i Departamentit Special, shkruan Koha.

Kandidatët që i kanë plotësuar kushtet formale dhe janë propozuar për kryetar të Gjykatës, përveç Arrnit, ishin edhe Kushtrim Shyti dhe Alban Ajvazi.

Deri më tash, pozitën e kryetarit të Themelores e ka mbajtur gjykatësja Albina Shabani-Rama.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Ngadhnjim Arrni zgjidhet kryetar i Gjykatës Themelore në Prishtinë appeared first on Sinjali.

Akuzat për krime lufte: Sllagjan Trajkoviq dënohet me vetëm 10 vjet heqje lirie

26 December 2025 at 11:31

Sllagjan Trajkoviq është dënuar me 10 vite burg për krime lufte.

Trakjoviq u akuzua nga Prokuroria Speciale e Kosovës akuzohet se në periudhën kohore 1998-1999, në fshatin Reznik dhe fshatrat përreth të komunës së Vushtrrisë, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe ka kontribuar në vrasje, bastisje, rrahje, maltretim, arrestime, torturë, trajtim në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, mbajtje në kushte skllavërie, dëbim dhe deportim të mijëra civilëve shqiptarë, raporton televizioni T7.

Gjatë fjalës së tij përmbyllëse, ne seancën ekaluar ai tha se i vjen keq për viktimat, duke mohuar se e ka bërë vetë.

“U shpreh ngushëllimet e mia familjeve të viktimave”, tha Trajkoviq para trupit gjykues.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/


The post Akuzat për krime lufte: Sllagjan Trajkoviq dënohet me vetëm 10 vjet heqje lirie appeared first on Sinjali.

Ekskluzive | Grabitje me armë në orët e para të mëngjesit në Çagllavicë, i maskuari grabit 1.200 euro nga recepsioni i një vile

26 December 2025 at 11:02

Një grabitje e armatosur është shënuar në orët e para të mëngjesit të së premtes në rrugën Çagllavicë–Llapnasellë, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:00, kur një person i maskuar, i veshur me rroba të zeza dhe i armatosur, ka hyrë në recepsionin e objektit “Villa Premium”, ku ka kërcënuar me armë zjarri recepsionistin P. B.

Sipas të dhënave që ka siguruar Sinjali, i dyshuari ka kërkuar para nën kërcënimin e armës, ndërsa viktima ka dorëzuar shumën prej 1.200 euro. Pas grabitjes, personi i dyshuar është larguar në këmbë në drejtim të arave, duke u zhdukur në një drejtim të panjohur, shkruan Sinjali.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore, të cilat kanë kryer ekzaminimet e nevojshme, ndërsa në koordinim me prokurorin kompetent rasti është iniciuar si “Grabitje”.

Hetimet janë në zhvillim dhe autoritetet po punojnë për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Ekskluzive | Grabitje me armë në orët e para të mëngjesit në Çagllavicë, i maskuari grabit 1.200 euro nga recepsioni i një vile appeared first on Sinjali.

A ekziston mundësia për fund të luftës Rusi-Ukrainë: Zelensky jep sinjalin pozitiv

26 December 2025 at 10:45

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, tha se së shpejti do të takohet me homologun e tij amerikan për të avancuar bisedimet për paqen dhe për të vënë fund luftës së vazhdueshme të Rusisë, që po afrohet në katër vjet.

Një takim me Presidentin amerikan Donald Trump do të ndodhë “në të ardhmen e afërt”, tha Zelenskyy të premten, si hapi tjetër në bisedimet për të përfunduar luftën pothuajse katërvjeçare të Rusisë në Ukrainë.

“Ne nuk po humbasim asnjë ditë. Ne kemi rënë dakord për një takim në nivelin më të lartë me Presidentin Trump në të ardhmen e afërt,” shkroi Zelenskyy në X.

“Shumë gjëra mund të vendosen para Vitit të Ri,” shtoi ai. “Lavdi Ukrainës.”

Njoftimi i Zelenskyy-t erdhi pasi ai tha të enjten se kishte pasur një “bisedë të mirë” me të dërguarin e posaçëm amerikan, Steve Witkoff, dhe dhëndrin e Trump, Jared Kushner.

Uashingtoni ka nisur një përpjekje diplomatike të gjerë për të ndaluar luftën e plotë, por përpjekjet e tij janë përballur me kërkesa shumë të ndryshme nga Moska dhe Kievi.

Zelenskyy tha të martën se Ukraina mund të konsideronte të tërhiqte trupat nga zemra industriale lindore e vendit si pjesë e një plani paqeje, nëse edhe Moska të tërhiqej dhe zona bëhej një zonë e demilitarizuar e monitoruar nga forcat ndërkombëtare, shkruan Euronews.al.

Rusia nuk ka dhënë asnjë sinjal se do të pranojë të tërhiqet nga territoret që ka pushtuar. Në fakt, Moska ka insistuar që Kievi të dorëzojë territorin që mban në Donbasin lindor, që përfshin Donetsk dhe Luhansk një ultimatum që Ukraina e ka refuzuar.

Çështja e menaxhimit të centralit bërthamor të Zaporizhzhyës, i pushtuar nga trupat ruse, mbetet e pazgjidhur, si dhe kërkesa e Kremlinit që Ukraina të mos bashkohet me NATO-n.

Pritshmëria ishte që Moska të përgjigjej ndaj planit të fundit 20-pikësh të mërkurën, por deri tani nuk ka dhënë përgjigje apo koment për përmbajtjen e tij, ndërsa zëdhënësi presidencial Dmitry Peskov tha vetëm se Kremlini “po formon qëndrimin e tij”.

Në terren, sulmet me dron rusë mbi qytetin e Mykolaivit dhe periferi të tij gjatë natës deri të premten lanë një pjesë të qytetit pa energji elektrike.

Ndërkohë, Ukraina tha se të enjten goditi një rafineri të madhe nafte ruse duke përdorur raketat Storm Shadoë të furnizuara nga Mbretëria e Bashkuar.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha se forcat e tij goditën rafinerinë Novoshakhtinsk në rajonin Rostov të Rusisë.

“U regjistruan shpërthime të shumta. Objektivi u godit,” shkruhej në Telegram.

Sulmet me dron të Ukrainës mbi rafineritë ruse me distancë të gjatë synojnë të privojnë Moskën nga të ardhurat nga eksporti i naftës që i nevojiten për të ndjekur pushtimin e saj të plotë.

Duke vazhduar strategjinë e periudhave të mëparshme dimërore, Rusia synon të dëmtojë rrjetin energjetik të Ukrainës, duke u përpjekur t’u mohojë civilëve aksesin në ngrohje, dritë dhe ujë të rrjedhshëm një përpjekje që zyrtarët e Kievit e konsiderojnë si një mënyrë për të “arsyetuar dimrin” si armë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post A ekziston mundësia për fund të luftës Rusi-Ukrainë: Zelensky jep sinjalin pozitiv appeared first on Sinjali.

Vlorë: U rrëzua gjatë lojës në “kalçeto”, ndërron jetë 42-vjeçari

26 December 2025 at 10:37

Një 42-vjeçar nga Vlora ka humbur jetën aksidentalisht teksa ishte duke luajtur futboll.

Policia tha se ngjarja ndodhi të enjten në kalçeton e fshatit Novoselë, ku shtetasi B. R., 42 vjeç, banues në Vlorë, rezident në shtetin e Gjermanisë, gjatë një loje futbolli, pasi topi e ka goditur në pjesën e kraharorit, është rrëzuar dhe gjatë transportit për në spitalin e Vlorës ka ndërruar jetë, shkruan Euronews.al.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ky shtetas ka pësuar atak kardiak.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Vlorë: U rrëzua gjatë lojës në “kalçeto”, ndërron jetë 42-vjeçari appeared first on Sinjali.

Ekskluzive | Kjo është e dyshuara që u paraqit rrejshëm si prokurore e shtetit dhe përfitoi mbi 30 mijë euro me mashtrim

26 December 2025 at 10:20

Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike në Prishtinë ka arrestuar në flagrancë Orhidea Rama Gërxhaliu, 27 vjeçare, e dyshuar për veprat penale “Mashtrim” dhe “Prezantim i rremë si person zyrtar”, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Sipas të dhënave hetimore, e dyshuara gjatë muajit dhjetor 2025 është paraqitur rrejshëm si Prokurore e Shtetit, duke vënë në lajthitje viktimën H.D, 42 vjeçar . Me pretendimin se do të “ndërhynte” në trajtimin e një ankese të lidhur me rrjetet sociale dhe se paratë do të shpërndaheshin te zyrtarë të tjerë, ajo ka arritur të përfitojë shuma të mëdha parash që kalojnë 30 mijë euro.

Burime të afërta me hetimin bëjnë me dije se ankesa për të cilën pretendohej ndërhyrja nuk ishte raportuar kurrë në Polici, ndërsa paratë janë marrë vetëm për përfitim personal, shkruan Sinjali.

Pas sigurimit të provave materiale dhe dëshmive, hetuesit e NJHP-së kanë organizuar një plan operativ, duke e arrestuar të dyshuarën në flagrancë. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, asaj i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Hetimet për këtë rast po vazhdojnë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Ekskluzive | Kjo është e dyshuara që u paraqit rrejshëm si prokurore e shtetit dhe përfitoi mbi 30 mijë euro me mashtrim appeared first on Sinjali.

Prezantohej rrejshëm si prokurore, mashtroi mbi 30 mijë euro – arrestohet në Prishtinë

26 December 2025 at 10:17

Një rast i rëndë mashtrimi është zbuluar në Prishtinë, ku një grua dyshohet se është paraqitur rrejshëm si prokurore e shtetit dhe ka përfituar mbi 30 mijë euro nga një qytetare.

Sipas informatave, rasti është raportuar më 23 dhjetor 2025 në NJHP–Prishtinë, ku viktima ka deklaruar se gjatë muajit dhjetor ka rënë pre e mashtrimit nga e dyshuara O.G. E njëjta dyshohet se ishte prezantuar si prokurore e shtetit dhe, duke shfrytëzuar këtë paraqitje të rreme, e kishte vënë viktimën në lajthitje.

Hetimet kanë zbuluar se e dyshuara, me qëllim përfitimi të kundërligjshëm pasuror, i kishte premtuar viktimës se do t’i “zgjidhte” një çështje që gjoja lidhej me ankesa në rrjete sociale, ndonëse ankesa të tilla nuk ishin raportuar asnjëherë në Polici. Nën këtë pretendim, ajo kishte kërkuar dhe marrë shuma të mëdha parash, duke pohuar se ato do t’u ndaheshin zyrtarëve të tjerë.

Si rezultat i veprimeve hetimore dhe planifikimit taktik nga NJHP–Prishtinë, më 25 dhjetor 2025, e dyshuara është arrestuar në flagrancë. Pas intervistimit dhe në konsultim me Prokurorin e Shtetit, ndaj saj është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Rasti është duke u trajtuar për veprat penale “Mashtrim” dhe “Prezantim i rremë si person zyrtar”, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të sqaruar të gjitha rrethanat dhe mundësinë e përfshirjes së personave të tjerë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Prezantohej rrejshëm si prokurore, mashtroi mbi 30 mijë euro – arrestohet në Prishtinë appeared first on Sinjali.

24 orët e fundit në Kosovë me mbi 100 aksidente trafiku e rreth 2500 gjoba

26 December 2025 at 10:15

Mos respektimi i rregullave të komunikacionit është një ndër arsyet e aksidenteve të shumta që po ndodhin çdo ditë. E një prej mënyrave të zakonshme për parandalimin e këtyre aksidenteve, është gjobitja e atyre që shkelin rregullat në trafik, shkruan Gazeta Sinjali.

Policia e Kosovës ka publikuar raportin ditor me të dhëna të përgjithshme për 24 orët e fundit, duke përfshirë statistikat e aksidenteve në trafik, arrestimet dhe gjobat e shqiptuara.

Sipas raportit, në këtë periudhë është shënuar një aksident trafiku me fatalitet, ndërsa janë regjistruar 36 aksidente me të lënduar dhe 67 të tjera me dëme materiale.

Policia ka vazhduar zbatimin e rregullave në komunikacion, ku brenda një dite ka shqiptuar gjithsej 2492 gjoba trafiku.

Në 24 orët e fundit policia ka arrestuar 10 persona, prej të cilëve 7 i ka dërguar në mbajtje dhe tre  në vuajtje të dënimit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post 24 orët e fundit në Kosovë me mbi 100 aksidente trafiku e rreth 2500 gjoba appeared first on Sinjali.

Zgjedhjet pas dy ditësh, Osmani organizon sot pritjen për mërgimtarët

26 December 2025 at 10:09

Vetëm dy ditë na ndajnë nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare me shpresë “shkrirjen” e kësaj bllokade politike.

Ndërkohë, e para e vendit, Vjosa Osmani do të takohet sot me mërgimtarët që tanimë kanë ardhur në Kosovë.

Osmani vendosi që dy ditë para zgjedhjeve, t’i mirëpres ata e t’i gostisë me një pritje të organizuar nga ora 18:00 në Emerald.

Sipas njoftimit të Presidencës, kjo pritje organizohet ‘në shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje për kontributin e vazhdueshëm të mërgatës në zhvillimin dhe forcimin e shtetit të Kosovës’.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Zgjedhjet pas dy ditësh, Osmani organizon sot pritjen për mërgimtarët appeared first on Sinjali.

Ndahet nga jeta në moshë të re farmacistja Kaltrina Gashi

26 December 2025 at 09:53

Është ndarë nga jeta në moshë të re farmacistja Kaltrina Gashi.

Lajmin të ditur e ka bërë Oda e Farmacistëve të Kosovës .

“Me pikëllim të thellë, njoftojmë për ndarjen nga jeta të koleges tonë Kaltrina Gashi. Në këto çaste të rënda, Oda e Farmacistëve të Kosovës, në emër të gjithë komunitetit të farmacistëve, shpreh ngushëllimet më të thella dhe të sinqerta për familjen Gashi, të afërmit, miqtë dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohën Kaltrinen”, thuhet në njoftim.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Ndahet nga jeta në moshë të re farmacistja Kaltrina Gashi appeared first on Sinjali.

Gjendja me energjinë elektrike, ZRRE u bën thirrje qytetarëve për kursim

26 December 2025 at 09:37

Gjendja me energjinë elektrike në Kosovë vazhdon të mbetet shqetësuese, me çmime të larta dhe reduktime të shpeshta të energjisë, që po ndikojnë negativisht në jetën e përditshme të qytetarëve dhe bizneset.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka bërë thirrje të vazhdueshme për kursim të energjisë. Në një njoftim të dërguar për mediat, ZRRE u ka kërkuar qytetarëve dhe bizneseve që të tregohen të kujdesshëm dhe racionalë në përdorimin e energjisë elektrike për të ndihmuar në përballimin e situatës.

Sipas njoftimit, ZRRE ka organizuar një takim koordinues me kompanitë e licencuara në sektorin e energjisë, përfshirë përfaqësues të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (KEDS), si dhe Furnizuesit me Shërbim Universal (KESCO).

Në këtë takim, palët kanë diskutuar për situatën aktuale dhe masat që duhet të merren për të siguruar furnizimin me energji elektrike, si dhe për të menaxhuar me efikasitet burimet e energjisë. ZRRE-ja ka theksuar nevojën e vazhdueshme për kursim dhe përdorim të mençur të energjisë, duke e cilësuar këtë si një përgjegjësi të përbashkët për të përballuar sfidat që po hasen në sektorin e energjisë.

Me këto thirrje, ZRRE synon të lehtësojë ndikimin e reduktimeve dhe të ruajë stabilitetin e furnizimit me energji në muajt e ardhshëm.

Njoftimi i plotë:

Më 24.12.2025, Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka mbajtur një takim koordinues me kompanitë e licencuara në sektorin e energjisë, përkatësisht me përfaqësuesit e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (KEDS) dhe Furnizuesit me Shërbim Universal (KESCO).

Qëllimi i takimit ishte vlerësimi i sigurisë së furnizimit me energji elektrike gjatë periudhës së fundvitit, një periudhë që tradicionalisht karakterizohet nga rritje e ndjeshme e konsumit të energjisë elektrike.

Gjatë takimit u diskutuan sfidat kryesore me të cilat zakonisht përballet rrjeti energjetik në periudha festive, përfshirë ndikimin e kushteve klimatike dimërore në stabilitetin e prodhimit dhe transmetimit; kufizimet teknike të rrjetit dhe nevoja për balancim të vazhdueshëm ndërmjet prodhimit, importit dhe konsumit; përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare dhe funksionimin e sigurt të sistemit rajonal të energjisë; si dhe organizimin institucional gjatë periudhës së pushimeve dhe zgjedhjeve qendrore.

Përfaqësuesit e ndërmarrjeve të licencuara prezantuan kapacitetet teknike dhe operative për përballimin e ngarkesave të shtuara, si dhe masat parandaluese që janë ndërmarrë për të garantuar stabilitetin e furnizimit. ZRRE ka kërkuar nga operatorët përgjegjës hartimin dhe përditësimin e planeve të menaxhimit të gjendjes, përfshirë skenarë të mundshëm dhe planifikim paraprak të masave, në rast të situatave të paparashikuara.

ZRRE u bën thirrje qytetarëve dhe bizneseve që gjatë kësaj periudhe të tregohen të kujdesshëm dhe racionalë në përdorimin e energjisë elektrike. Kursimi i energjisë, veçanërisht në orët e kërkesës maksimale (pikut), kontribuon drejtpërdrejt në stabilitetin e sistemit dhe në sigurimin e furnizimit të vazhdueshëm për të gjithë konsumatorët.

Zyra e Rregullatorit për Energji do të vazhdojë të monitorojë nga afër situatën dhe të bashkëpunojë ngushtë me të gjithë operatorët e sektorit për të garantuar furnizim të sigurt dhe të qëndrueshëm me energji elektrike.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Gjendja me energjinë elektrike, ZRRE u bën thirrje qytetarëve për kursim appeared first on Sinjali.

Zgjedhjet e parakohshme – KQZ sot mban mbledhjen për përgatitjet për 28 dhjetor

26 December 2025 at 09:13

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të mbajë sot, nga ora 13:30, mbledhjen e radhës për të diskutuar përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të cilat do të zhvillohen më 28 dhjetor 2025.

Në rendin e ditës, sipas njoftimit zyrtar, është shqyrtimi i raportit të Sekretariatit të KQZ-së, lidhur me procesin zgjedhor dhe hapat e nevojshëm për organizimin e zgjedhjeve.

Kjo mbledhje është e rëndësishme për përgatitjen e të gjitha aspekteve të procesit zgjedhor, që përfshin logjistikën, administratën dhe sigurimin e një procesi zgjedhor të ndershëm dhe të organizuar.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Zgjedhjet e parakohshme – KQZ sot mban mbledhjen për përgatitjet për 28 dhjetor appeared first on Sinjali.

Befasi jo e këndshme – Djali i Sylvinhos vishet me fanellën e Serbisë

26 December 2025 at 09:04

Taty Mendes, djali i trajnerit të Kombëtares së Shqipërisë, Sylvinho, ka bërë një veprim që ka shkaktuar shumë reagime në rrjetet sociale. Ai ka postuar një foto në Instagram ku shihet duke mbajtur fanellën e Serbisë, një gjest që ka nxitur menjëherë diskutime të shumta dhe kritika nga tifozët.

Kjo fanellë i përket Aleksandar Stankovic, futbollistit të Kombëtares së Serbisë, dhe është e njohur si e veshur nga Stankovic gjatë ndeshjes mes Serbisë dhe Shqipërisë, e zhvilluar në Leskovac, ku Serbia fitoi 1-0. Pas kësaj ndeshjeje, Stankovic duket se ia ka dhuruar fanellën trajnerit të Kombëtares “kuqezi”, Sylvinho.

Ky veprim ka shkaktuar një stuhi reagimesh, duke u konsideruar si një shenjë e lidhjeve të mundshme mes dy kombëtareve, në një kohë kur tensionet politike dhe sportive mes Serbisë dhe Shqipërisë janë të njohura. Ndërkohë, shumë përdorues të rrjeteve sociale kanë komentuar ashpër, duke kërkuar shpjegime për këtë veprim të papritur.

Gjestet si ky janë shpesh herë të ndjeshme, pasi ato mund të interpretohen si mbështetje për rivalët e një kombëtari, duke u bërë kështu një temë e nxehtë debati online. Ky incident ka marrë vëmendjen e medieve dhe tifozëve, të cilët po kërkojnë një reagim nga trajneri Sylvinho dhe Taty Mendes.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Befasi jo e këndshme – Djali i Sylvinhos vishet me fanellën e Serbisë appeared first on Sinjali.

Sarajevë, Grozni dhe Kabul – tri luftëra, tri fëmijëri të ndryshme

26 December 2025 at 08:48

E kaluan fëmijërinë duke numëruar viktima, duke dëgjuar të shtëna dhe helikopterë ushtarakë, duke dëgjuar histori të tmerrshme dhe duke i folur fjalët e para si refugjatë.

Këtë vit u shënua 30-vjetori i përfundimit të luftës në Bosnje-Hercegovinë. Në periudhën e njëjtë, Çeçenia u përball me dy luftëra shkatërruese, derisa talibanët u larguan nga pushteti në Afganistan, për t’u rikthyer dy dekada më vonë.

Teksa bota këndellej nga pasojat e Luftës së Dytë Botërore, brezat e lindur në shtetet jostabile kanë përjetuar gjëra që do të mbesin të pashlyeshme në kujtesë.

Nga Bonje-Hercegovina e deri në Çeçeni e Afganistan, Radio Evropa e Lirë bisedoi me tre persona, jetët e të cilëve janë formësuar nga konfliktet e përjetuara në fëmijëri.

Gjenerata e Dejtonit në Bosnje

Nermin Mamelexhija ka lindur vetëm disa muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes së Dejtonit, e cila u dha fund luftimeve në Bosnje-Hercegovinë – konflikt që la mbi 100.000 njerëz të vrarë.

Prindërit e tij ikën në Gjermani nga vendlindja në Turbe, dhe Nermini i kaloi atje vitet e para të jetës, para se familja të rikthehej në Bosnje.

“Ne e kemi pasur një fëmijëri sikur në përralla”, thotë Nermimi, 30-vjeçar për Radion Evropa e Lirë nga Braunshfajgu i Gjermanisë.

“Mëhallët na rritën neve, na jepnin vetëm nga një copë bukë dhe ishim gjithë ditën rrugëve”.

Pavarësisht se ai u rrit në Turbe – një qytet i vogël në qendër të Bosnjës – në kohë të paqes, shteti mbeti i dëmtuar dhe i ndarë.

Ndasitë që i la mbrapa Dejtoni, u qartësuan edhe më shumë në shkollën fillore. Ai mësoi në shkolla me sistemin “dy shkolla nën një kulm”, që do të thotë se fëmijët ishin të ndarë varësisht nga etnia, pavarësisht se mësonin bazuar në kurrikula pothuajse identike.

Pas universitetit, Nermini është kthyer në Gjermani. Ai nuk ka punuar kurrë në Bosnje.

“Çfarë më ka shtyrë të largohem nga Bosnja ka qenë padrejtësia. Të duhet lidhje për gjithçka, duhet të gjesh një mënyrë për t’i kryer gjërat”, ka thënë ai.

Sipas të dhënave të organizatës ndërkombëtare, Transparency International, Bosnje-Hercegovina renditet si shteti i dytë më i korruptuar në Evropë.

Një studim i Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsi tregon se çdo i dyti i ri i moshave 18-29 vjeç po e konsideron ikjen nga Bosnja.

Kur Radio Evropa e Lirë bisedoi me Nerminin pesë vjet më parë, në përvjetorin e 25-të të marrëveshjes së Dejtonit, ai shpresonte të mos ishte në mesin e tyre që e mendonin largimin.

Ai ishte në vitin e fundit të studimeve për stomatologji dhe dëshironte të gjente punë në Bosnje që “Austria apo Gjermania të mos e merrnin një punëtor plotësisht të kualifikuar”.

“Nuk do të hiqja dorë kurrë nga pasaporta, është e vetmja gjë që më lidh me Bosnjën”, thotë ai tani.

“Bosnja më ka dhënë gjithçka… mirëpo të gjithë kanë të drejtë të vendosin çfarë duan dhe ku duan të jenë”.

Sot, kur ai flet me familjen e tij përmes platformave të ndryshme online, asnjëra prej motrave të tij nuk jeton në Bonje.

“Ende ndihem e brishtë” – nga plagët e Çeçenisë

Teksa Bosnja po dilte nga lufta, 3.000 kilometra larg, banorët e Groznit po strehoheshin nëpër bodrume.

Me përfundimin e Luftës së Parë Çeçene në gusht të vitit 1996, Hava, 8-vjeçare ishte kthyer në familjen e prindërve për ta gjetur atë shkrumb e hi. Ajo i ka kaluar disa javë duke jetuar në podrum, meqë bombat nuk ndaleshin në kryeqytetin çeçen.

Tre vjet më vonë ka nisur Lufta e Dytë Çeçene. Familja e Havës ka ikur dhe është strehuar në fshatin e gjyshes së saj. Në Grozni janë kthyer katër vjet më vonë, në një qytet të shkatërruar dhe ende në gjendje të jashtëzakonshme.

“Kur je fëmijë, je i izoluar nga gjithçka”, ka thënë ajo për Radion Evropa e Lirë.

“E kupton se çfarë po ndodh dhe luan lojëra të çmendura duke numëruar aeroplanët luftarakë apo helikopterët që sheh dhe garon me shokët se kush ka parë më shumë”.

Jasminko Haliloviq nga Muzeu i Luftës sugjeron se këto sjellje janë përpjekje e fëmijëve për të vendosur rregull në mesin e kaosit.

“Numërimi i shpërthimeve, mbledhja e predhave, ndërtimi i strehëve me jastëkë – të gjitha këto janë tentime për të fituar kontrollin e një botë të paparashikueshme”, vlerëson ai.

Hava, e cila ka kërkuar të mos i publikohet mbiemri, i kujton ditët pa ujë dhe rrymë, netët me orë policore dhe bërjen e detyrave me llambë gazi. Më shumë se 25 mijë njerëz janë vrarë në Luftën e Dytë Çeçene dhe mijëra të tjerë janë ende të zhdukur.

Prej vitit 2007, ky rajon rus është udhëhequr nga Ramzan Kadyrov, i akuzuar gjerësisht për abuzim me të drejta të njeriut. Shtetet e Bashkuara e kanë sanksionuar më 2020.

Hava tani punon si hulumtuese në Serbi dhe nuk ka jetuar në Çeçeni që dy vjet, mirëpo do të kthehej nëse do të zhdukej korrupsioni dhe do të kishte reforma.

“Rusia duhet të ndryshojë që unë të kthehem në Çeçeni”, thotë ajo. “Duhet të ndryshojë ashtu që të reflektojë pozitivisht në Çeçeni”.

Ndonëse lufta ka përfunduar vite më parë, ajo beson se gjenerata e saj nuk e ka përjetuar asnjëherë stabilitetin e plotë.

“Ende ndihem e brishtë sepse nuk mund të kthehem, dhe jam në një shtet tjetër duke tentuar të kuptojë se si funksionojnë gjërat”, ka thënë ajo.

 “Shkolla ishte ëndërr” në Afganistan

Kur talibanët e pushtuan Kabulin për herë të parë më 1996, Nilofar Ebrahemi ishte trevjeçare dhe vishte rroba të djemve.

“Prindërit më vishnin si djalë, ndoshta sepse dëshironin djem, ndoshta për shkaqe sigurie”, ka thënë ajo.

Nilofar e ka kuptuar se është vajzë vetëm nga një mësues feje që i ka thënë të vendoste shami kur i kishte mbushur tetë vjet.

“Unë nuk isha ajo. Unë kurrë nuk luaja me kukulla, me vajza. Nuk qaja kurrë, sepse babai më kishte thënë se duhet të isha e guximshme si djemtë”, tregon ajo.

Nën regjimin e talibanëve, askush nga familja e saj nuk mund të punonte. Ndonjëherë ata as nuk mund ta përballonin blerjen e çajit dhe pinim ujë të vluar. Nëna e saj, e cila ishte me burka është rrahur një herë me kamxhik dhe Nilofari është përjashtuar nga shkolla.

“Shkolla më ishte bërë ëndërr. Më kujtohet që e mendoja se a kishte vende tjera në botë ku vajzat shkonin në shkollë apo nëse të gjithë fëmijët ishin në gjendjen time”.

Ajo ka mësuar shkrim-lexim nga babai, i cili besonte se fëmijët duhej të ishin gati për kohëra më të mira.

Nilofar ka hyrë më në fund në shkollë pas vitit 2001, kur forcat amerikane kanë nisur luftën kundër talibanëve.

Hamid Karzai është shpall lider i përkohshëm i Afganistanit dhe më pas është bërë president. Por, prapëseprapë, situata ishte e rrezikshme.

“Kishte shpërthime në rrugë, në mëngjes gjaku përhapej rrugëve dhe njerëzit vazhdonin e kalonin. Ishte bërë diçka normale”, tregon ajo.

Nilofar ka diplomuar, ka fituar bursë për studime të nivelit master në Indi dhe është kthyer në fund të viteve 2020 për të ligjëruar në një universitet privat. Ajo ka shkruar edhe për disa media dhe ka punuar në projekte për klimën.

Krejt kjo ka zgjatur gjashtë muaj. Gjithçka ka ndryshuar në gusht të vitit 2021, kur Shtetet e Bashkuara dhe forcat aleate janë tërhequr pas gati 20 vjetëve prej Afganistanit dhe talibanët janë ngjitur në pushtet.

Kufizimet ndaj grave ua kanë zhdukur të gjitha të drejtat. Ajo as nuk ka mundur të punojë, as të studiojë apo të lëvizë lirshëm.

“Unë jam grua që ka studiuar, që ka planifikuar studimet e doktoratës, që e donte punën dhe të gjitha këto u shkatërruan”, ka thënë ajo.

Pasaportën e kishte me afat të skaduar dhe kur arriti ta merrte të renë, ishte vonë për të ikur. Në Kabul ajo e ka nisur një projekt rrobaqepësie për gratë derisa një burrë “që dukej si taliban” i ka shkuar me armë në kokë dhe i ka thënë “A po e sheh këtë?”.

Nilofar është tani në Teheran dhe kërkon një vizë për Evropë. Ambasadat i kërkojnë dëshmi që situata është e keqe për gratë ndonëse, sipas saj, “e gjithë bota e di se çfarë po ndodh në Afganistan”.

Nëse aplikimi i refuzohet, ajo duhet të kthehet në Afganistan. “Nuk e di se çfarë do të ndodhë me mua”, thotë ajo.

Ndonjëherë u merr lakmi grave të paedukuara. “Ato ishin në shtëpi vazhdimisht. Unë luftova që të studioja, punoja dhe e kalova gjithë kohën time për asgjë në fund”.

Ëndrra për t’u kthyer në shtëpi

Tashmë 30 vjet pas Dejtonit, Bosnja, që e ka formësuar fëmijërinë e Nerminit, me vështirësi ndryshon, mirëpo ai thotë se dikur do të dëshironte të kthehej, pavarësisht se ka grua në Gjermani dhe mundësi më të mira për specializim në profesion.

Edhe Hava ëndërron të kthehet në Çeçeni një ditë.

“Ëndërroj të kem një shtëpi të vogël në male dhe një shtëpi mysafirësh për turistë… pak pula, mace dhe ndoshta një dhi”, tregon ajo.

Ëndrra e Nilofarit për të studiuar në Afganistan është realizuar pjesërisht, derisa talibanët janë kthyer në pushtet. Tani ajo shpreson që të largohet nga shteti “ku gratë jetojnë sikurse në kafaz”.

Gati 30 vjet më parë, një raport i Kombeve të Bashkuara për fëmijët dhe konfliktin paralajmëronte se shumë prej tyre mund të rriten me “mungesa materiale dhe emocionale” dhe shoqëri të bëra copë – copë.

Këto fjalë janë ende të vlefshme sot në jetët e Nerminit, Havës dhe Nilofarit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Sarajevë, Grozni dhe Kabul – tri luftëra, tri fëmijëri të ndryshme appeared first on Sinjali.

BQK: Asetet e bankave në Kosovë arritën në 9.22 miliardë euro

26 December 2025 at 08:23

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), ka publikuar statistikat e bankave komerciale për muajin nëntor 2025, ku njofton se asetet e bankave komerciale, në fund të muajit nëntor 2025 kanë arritur vlerën në 9.22 miliardë euro, duke shënuar rënie për 1.23% krahasuar me muajin paraprak.

‘’Kreditë bruto – në fund të muajit nëntor 2025 kanë arritur vlerën në 6.55 miliardë euro, duke shënuar rritje prej rreth 54.49 milionë euro ose 0.84% krahasuar me muajin paraprak, kurse vlera e kredive të reja – në muajin nëntor 2025 ishte 203.75 milionë euro’’, njofton BQK.

Sipas BQK-s, norma mesatare e interesit në kredi të reja, në muajin nëntor 2025 ishte 6.69%.

‘’Depozitat e klientëve – në nëntor 2025 kanë arritur vlerën prej 7.39 miliardë euro, duke shënuar rritje prej rreth 33.00 milionë euro, ose një rritje prej 0.45% krahasuar me muajin paraprak, kurse vlera e depozitave të reja – në muajin nëntor 2025 ishte 79.62 milionë euro’’, thuhet aty.

Norma mesatare e interesit në depozita të reja – në muajin nëntor 2025 ishte 3.08%, kurse margjina e normës së interesit – në kredi dhe depozita në muajin nëntor 2025 ishte 3.61%, ndërsa raporti kredi-depozita – në muajin nëntor 2025 ishte në nivelin 88.71%.

‘’Gjithsej kapitali i bankave komerciale – në fund të muajit nëntor 2025 arriti vlerën në 1.12 miliardë euro. Ndërsa, provizionet për kredi kanë shënuar rritje prej rreth 1.60% krahasuar me muajin paraprak duke arritur vlerën 153.69 milionë euro’’, njofton Banka Qendrore e Republikës së Kosovës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post BQK: Asetet e bankave në Kosovë arritën në 9.22 miliardë euro appeared first on Sinjali.

“Pride Match”, Irani kundër ndeshjes nën ngjyrat e ylberit në Botërorin 2026

26 December 2025 at 08:03

Presidenti i Federatës Iraniane të Futbollit, Mehdi Taj, ka shprehur kundërshtimin e tij të hapur ndaj ndeshjes mes Iranit dhe Egjiptit në Kupën e Botës 2026, e cila është shpallur si “Pride Match”, në kuadër të aktiviteteve të “PrideFest”. Ndeshja, e planifikuar të luhet më 26 qershor në Seattle gjatë fazës së grupeve të Botërorit në Shtetet e Bashkuara, ka ngjallur reagime të forta nga dy kombet që do të përballen në fushë.

Sipas Tajt, zhvillimi i kësaj ndeshjeje nën ngjyrat e ylberit paraqet një “sulm ndaj vlerave islamike” dhe është një sfidë për besimet dhe traditat e këtyre shteteve. Ai ka theksuar se kjo ndeshje përkon me muajin e shenjtë të Ramazanit, një periudhë e shenjtë për myslimanët, që ndikon edhe më shumë në ndjeshmërinë ndaj këtij eventi.

Në Iran, homoseksualiteti konsiderohet si mëkat i dënueshëm, ndërsa në Egjipt është një vepër penale. Për këtë arsye, të dyja kombëtaret kanë kërkuar nga FIFA të heqë çdo lidhje me “Pride” ose të ndryshojë emrin e ndeshjes.

“Nuk duam që ndeshja jonë e tretë në Botëror të luhet nën ngjyrat e ylberit. Jemi të vendosur ta kundërshtojmë këtë iniciativë,” ka deklaruar Taj, duke shtuar se disa veprime bien ndesh me vlerat kulturore, fetare dhe shoqërore të vendeve arabe dhe islame.

Nga ana tjetër, autoritetet lokale të Seattle kanë konfirmuar se aktivitete të shumta të “PrideFest” do të zhvillohen në të gjithë qytetin, me qëllimin për të promovuar përfshirjen e komunitetit LGBTQ+. FIFA ka reaguar duke sqaruar se përgjegjësia e saj është e kufizuar vetëm në stadiume dhe zonat zyrtare të tifozëve dhe nuk mund të ndërhyjë në aktivitetet e organizuara nga komunitetet lokale jashtë këtyre hapësirave.

Ky debat ka nxitur një përplasje të fortë mes vlerave kulturore dhe përpjekjeve për të promovuar përfshirjen dhe diversitetin në nivel global.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post “Pride Match”, Irani kundër ndeshjes nën ngjyrat e ylberit në Botërorin 2026 appeared first on Sinjali.

Horoskopi sot: Si do të ndikojnë yjet në ditën tuaj?

26 December 2025 at 07:57

Dashi
Merrni kohë për të stabilizuar veten në vend që të hidheni kuturu nga një projekt në tjetrin. Do të jeni shumë më produktivë në punë sot kur të ngadalësoni dhe të organizoheni. Ndihma do të vijë nga të gjitha këndvështrimet kur ta bëni këtë.


Demi
Dikush me të cilin punon po të pengon në një farë mënyre. Ndoshta ai ose ajo po të fsheh informacion me qëllim. Afrohu me këtë person me qetësi dhe ndershmëri për ta nxjerrë të vërtetën në shesh. Në fund të fundit, kjo do t’ju ndihmojë të dyve.


Binjakët
Mundohu të mos lejosh që një qëndrim negativ të të futet në punë. Mund të të bezdisë ritmi i ngadaltë me të cilin po ecin gjërat për ty, por mos u shqetëso. Gjërat e mira kërkojnë kohë. Arritja e qëllimeve të tua në karrierë është një proces i gjatë, jo një arritje brenda natës.


Gaforrja
Je në një pozicion fantastik për të bërë hapin tënd të radhës të madh në karrierë. Mbaje mend se në këtë kohë, marrëdhëniet e tua ndërpersonale me të tjerët janë një pjesë kyçe e suksesit tënd. Mos e harro këtë si një nga pikat e tua kryesore të forta.


Luani
Mos zgjidh asnjë rrugë të shkurtër sot, sepse çdo përpjekje do të ketë vetëm efekt të kundërt. Në vend që të kalosh një hap përpara konkurrencës, do të përfundosh duke mbetur një duzinë hapash prapa. Bëj gjërat sipas rregullave dhe do të bësh përparime të mëdha në punën tënde sot.


Virgjëresha
Dikush me të cilin punon është tepër kritik ndaj punës tënde sot, por mos e shiko këtë si diçka negative. Kupto që ky person po përpiqet vetëm të të ndihmojë. Komentet e tij ose të saj në fakt po nxisin suksesin tënd, prandaj sigurohu që ta pranosh këtë kritikë.


Peshorja
Je gati të ngjitesh në detyrë në punën tënde aktuale, por duket se njerëzit përreth teje po të pengojnë në një farë mënyre. Ndoshta je në një ekip me të tjerë që thjesht nuk punojnë njësoj si ti. Mos hezito të kërkosh një transferim.


Akrepi
Marrëdhëniet e mira me të tjerët janë një katalizator për suksesin tuaj në vendin e punës. Mos e nënvlerësoni dhënien e një komplimenti të sinqertë një kolegu pune. Ky person mund t’ju bëjë një nder më vonë që në fund të fundit do të çojë në suksesin tuaj.


Shigjetari
Qëndro i përqendruar në detyrat që ke në dorë, në vend që të humbasësh në ëndrra me sy hapur. Me shumë mundësi, nuk do ta kesh të vështirë të qëndrosh në rrugën e duhur sot – në fakt, ke potencialin të bësh mjaft gjëra. Je në gjendje të arrish më shumë sesa mendon.


Bricjapi
Projekti në të cilin po punoni aktualisht ka marrë një kthesë që nuk e kishit parashikuar. Përballuni sfidave dhe shikoni se kjo rrugë e re është në të vërtetë për të mirën. Mund t’ju duhet të mendoni me hapa të shpejtë sot, por ka shumë të ngjarë që kjo do të sjellë pikë të mëdha.


Ujori
Niveli juaj i produktivitetit do të rritet ndjeshëm sot – duke ju habitur edhe ju. Sekreti i suksesit tuaj është të mos shpërqendroheni nga email-et qesharake, rrjetet sociale ose mesazhet nga miqtë. Mos lejoni që bisedat e pafajshme të shndërrohen në shpërqendrime dy-orëshe nga puna juaj.


Peshqit
Shpërblimet do të vërshojnë sot në përgjigje të punës së palodhur që keni bërë. Përfitimet financiare janë afër, kështu që mos kini frikë të merrni përsipër atë që e dini se e keni fituar me të drejtë. Më shumë sesa mund të mendoni është duke ardhur drejt jush.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Horoskopi sot: Si do të ndikojnë yjet në ditën tuaj? appeared first on Sinjali.

Vetëm 3 deri në 10 minuta pritje, qarkullim normal në pikat kufitare të Kosovës

26 December 2025 at 07:52

Pikat e kalimit kufitar të Kosovës po karakterizohen nga qarkullimi normal, pa ndodhur pritje të gjata për të hyrë apo dalë nga vendi.

Sipas të dhënave më të fundit, qytetarët që kalojnë nëpër kufi nuk janë përballur me kolona të gjata, ndërsa pritjet për hyrje dhe dalje të automjeteve janë mes 3 deri në 10 minuta.

Përveç automjeteve, edhe për kamionët ka pasur qarkullim pa probleme të dukshme.

Autoritetet kufitare i bëjnë thirrje qytetarëve të mbeten të informuar për situatën e kufirit, veçanërisht gjatë orëve të pikut dhe festave, për të shmangur çdo pasiguri në udhëtimet e tyre.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Vetëm 3 deri në 10 minuta pritje, qarkullim normal në pikat kufitare të Kosovës appeared first on Sinjali.

“Sulm i fuqishëm dhe vdekjeprurës” – SHBA sulmon IS-in në Nigeri

26 December 2025 at 07:37

Presidenti Donald Trump ka thënë se SHBA-të kanë ndërmarrë një “sulm të fuqishëm dhe vdekjeprurës” kundër grupit Shteti Islamik (IS) në veriperëndim të Nigerisë. Udhëheqësi amerikan e përshkroi IS-in si “fundërrinë terroriste”, duke e akuzuar grupin se “po synon dhe po i vret në mënyrë të egër, kryesisht, të krishterët e pafajshëm”.

Trump tha se ushtria amerikane “kreu disa sulme të përkryera”, ndërsa Komanda e Afrikës e SHBA-së (Africom) njoftoi më vonë se sulmi i së enjtes u realizua në bashkërendim me Nigerinë, në shtetin Sokoto, raporton BBC, transmeton Sinjali.

Ministri i Jashtëm nigerian, Yusuf Maitama Tuggar, i tha BBC-së se ishte një “operacion i përbashkët” që synonte “terroristët” dhe se “nuk ka të bëjë me ndonjë fe të veçantë”.

Tuggar nuk i përjashtoi sulmet e tjera, duke thënë se kjo varet nga “vendimet që do të merren nga udhëheqjet e dy vendeve”.

Në postimin e tij në Truth Social, vonë të enjten, Trump tha se “nën udhëheqjen time, vendi ynë nuk do të lejojë që terrorizmi radikal islamik të lulëzojë”.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/


The post “Sulm i fuqishëm dhe vdekjeprurës” – SHBA sulmon IS-in në Nigeri appeared first on Sinjali.

10 arritjet më të rëndësishme dhe premtuese shkencore të vitit 2025

26 December 2025 at 07:30

Viti 2025 po regjistrohet si një vit historik për mjekësinë moderne. Konvergjenca e gjenomikës, inteligjencës artificiale, biologjisë molekulare dhe kërkimit klinik po transformon trajtimet, duke lëvizur drejt një modeli personalizimi dhe efektiviteti më të madh. Shkenca mjekësore po kalon nga menaxhimi i simptomave në korrigjimin e shkaqeve.

Përtej trendeve të përgjithshme, viti 2025 shquhet edhe për disa arritje shumë specifike, të cilat pritet të formësojnë të ardhmen e shkencës mjekësore:

1. Mjekësia Precize: Qasja e Personalizuar në Plan të Parë

Mjekësia precize mbështetet në gjenetikë, mjedis dhe stil jetese për të përshtatur trajtimin sipas profilit të secilit pacient.

Çfarë do të thotë kjo në praktikë?

trajtime më të synuara

më pak efekte anësore

shanse më të mira për përgjigje

Mjekësia precize po aplikohet tashmë në onkologji dhe në menaxhimin e sëmundjeve të rralla, duke ndryshuar rregullat e “lojës”.

2. Telemjekësia: Mjeku… një ekran larg

Pandemia e përshpejtoi trendin, por deri në vitin 2025, telemjekësia është bërë “normale”. Pacientët mund të:

kryejnë vizita video

të monitorohen nga mjeku i tyre nga distanca

marrin rezultate elektronike të testeve dhe receta ilaçesh

të monitorohen për sëmundje kronike, pa prani fizike në spital, duke zvogëluar rreziqet e infeksioneve dhe boshllëqet në akses.

Për pacientët që jetojnë në zona të largëta ose kanë probleme me lëvizshmërinë, telemjekësia nuk është thjesht një “lehtësi” – shpesh është e vetmja mënyrë realiste për të aksesuar kujdesin shëndetësor.

3. Inteligjenca artificiale në diagnostikim

Mjetet moderne të inteligjencës artificiale tani janë në gjendje të “lexojnë” testet e imazherisë (rrezet X, CT, MRI) me saktësi mbresëlënëse, duke identifikuar lezione që shpesh i shpëtojnë syrit të njeriut. Përveç kësaj, ato janë të afta të analizojnë sasi të mëdha të të dhënave klinike dhe laboratorike, duke mbështetur procesin diagnostikues. Në vitin 2025, Inteligjenca Artificiale është transformuar nga një “pajisje” e thjeshtë në një mjet të përditshëm me një rol të rëndësishëm në industrinë e kujdesit shëndetësor. Një shembull ilustrues është BoltzGen, një model i inteligjencës artificiale për projektimin e proteinave, i cili lejon krijimin e molekulave nga e para, të projektuara posaçërisht për të synuar viruset, receptorët ose objektivat onkologjikë. Ky sistem është pjesë e një game më të gjerë mjetesh që përshpejtojnë krijimin e barnave, antitrupave dhe vaksinave të reja.

4. Gjenomika: Kur informacioni gjenetik bëhet terapi

Terapitë gjenomike nuk janë më një premtim eksperimental, por një realitet klinik. Me përdorimin e teknologjive të redaktimit të gjeneve si CRISPR, informacioni gjenetik po transformohet gradualisht nga një mjet diagnostikues në një mjet terapeutik . Zbatimet shtrihen nga kanceri dhe sëmundjet autoimune te sëmundjet e rralla gjenetike dhe infeksionet virale, shpesh në kombinim me platforma të përparuara si CAR-T dhe PROTAC.

Qëllimi nuk është më të kontrollohen simptomat për gjithë jetën. Fokusi tani është në korrigjimin e përhershëm të dëmit biologjik. Në një studim të vogël, por të rëndësishëm, një dozë e vetme e CRISPR-Cas9 që synon gjenin ANGPTL3 çoi në ulje të përhershme dhe dramatike të kolesterolit LDL dhe triglicerideve tek pacientët me dislipidemi të rëndë. Nëse konfirmohet në studime më të mëdha, kjo hap rrugën për një “rifillim” të qasjes gjenetike ndaj sëmundjeve kardiovaskulare, duke zëvendësuar terapinë me ilaçe gjatë gjithë jetës.

5. Një analizë gjaku diagnostikon sëmundjen e Alzheimerit

Lumipulse G pTau217/β-Amiloid 1-42 është testi i parë i gjakut që ndihmon në diagnostikimin e sëmundjes së Alzheimerit, duke matur dy biomarkues kritikë në gjak. Është një alternativë ndaj testeve të tilla si PET i trurit dhe punksioni lumbar, duke ulur në mënyrë drastike invazivitetin. Së bashku me ilaçet më të reja anti-amiloide, ai formëson një epokë të re të diagnostikimit dhe monitorimit të hershëm.

6. Vaksinat terapeutike kundër melanomës

Vaksina terapeutike IO102–IO103, në kombinim me pembrolizumab, tregoi përfitime klinikisht të rëndësishme tek pacientët me melanomë metastatike në një studim të fazës 3. Duke synuar molekulat imune si IDO dhe PD-L1, ajo konfirmon se vaksinat kundër kancerit nuk i përkasin më të ardhmes, por të tashmes së onkologjisë.

7. Imunoterapia fituese e Çmimit Nobel

Çmimi Nobel në Mjekësi për vitin 2025 iu dha tre shkencëtarëve për kërkimin e tyre mbi imunoterapinë. Në veçanti, puna e tyre zbuloi se si një klasë e veçantë qelizash, të quajtura qeliza T rregullatore (Tregs), veprojnë si një “mekanizëm vetëkontrolli” i sistemit imunitar dhe parandalojnë qelizat imune nga sulmi ndaj trupit, një nga shkaqet kryesore të sëmundjeve autoimune. Hulumtimi hap drejtime të reja në imunoterapi dhe trajtimin e sëmundjeve të tilla si sëmundjet autoimune, kanceri dhe refuzimi i transplantit të organeve.

8. Përpunimi molekular: Më pak kimi, më shumë inovacion

E ashtuquajtura inxhinieri molekulare u lejon kimistëve të transformojnë molekulat komplekse më shpejt, me më pak hapa dhe një gjurmë më të vogël mjedisore. Kjo përkthehet në zhvillim më të shpejtë të barnave, procese prodhimi më të pastra dhe kosto më të ulëta në shkallë masive. “Kimia e gjelbër” takohet me mjekësinë dhe sjell me vete inovacion të qëndrueshëm.

9. Omniomika: Njeriu si sistem, qelizë pas qelize

Analizimi i një lloji të vetëm të dhënash biologjike nuk është më i mjaftueshëm. Shkenca po kalon në epokën e multi-omikës – integrimi i informacionit gjenetik, proteinik, metabolik dhe epigjenetik në të njëjtën qelizë. Kjo ofron një kuptim pothuajse “tredimensional” të biologjisë njerëzore, me zbatime të drejtpërdrejta në diagnostikimin e kancerit dhe hartimin e barnave të synuara, shkruan Protothema.

10. Pajisje që vishen: Nga numërimi i thjeshtë i hapave deri te monitorimi i vërtetë i shëndetit

Orët inteligjente dhe pajisjet gjurmuese të fitnesit kanë evoluar në “qendra monitorimi” të vogla dhe portative, duke monitoruar treguesit e shëndetit si tensioni i gjakut, rrahjet e zemrës, cilësia e gjumit dhe madje edhe nivelet e sheqerit në gjak. Kjo u jep përdoruesve akses në informacione të rëndësishme rreth gjendjes së tyre shëndetësore në çdo kohë, shpesh duke i njoftuar ata për problemet para se të shfaqen simptomat.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post 10 arritjet më të rëndësishme dhe premtuese shkencore të vitit 2025 appeared first on Sinjali.

❌
❌