Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 31 December 2025Sinjali

‘Shpërthejnë’ protestat në Iran kundër inflacionit dhe zhvlerësimit të monedhës

30 December 2025 at 23:51

Protestat dhe grevat për shkak të inflacionit dhe zhvlerësimit të monedhës në Iran po përhapen nga kryeqyteti Teheran në qytete të tjera në ditën e tretë të trazirave.

Sipas mediave të huaja, tensionet nisën të dielën kur dyqanxhinjtë në Pazarin e Madh të Teheranit organizuan një grevë, pasi rial-i iranian arriti nivelin më të ulët rekord kundrejt dollarit amerikan në tregun e hapur.

Që atëherë, videot e verifikuara nga BBC Persian kanë dokumentuar demonstrata në qytetet Karaj, Hamedan, Qeshm, Malard, Isfahan, Kermanshah, Shiraz dhe Yazd. Policia është parë duke përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.

Qeveria iraniane tha se “i njeh protestat” dhe do t’i dëgjojë “me durim, edhe nëse përballet me zëra të ashpër”.

Presidenti Masoud Pezeshkian, në platformën ‘X’, deklaroi vonë të hënën se kishte udhëzuar ministrin e Brendshëm të zhvillonte bisedime me ata që ai i përshkroi si “përfaqësues” të protestuesve, për të marrë masa “për të zgjidhur problemet dhe për të vepruar me përgjegjësi”.

Ai gjithashtu njoftoi dorëheqjen e guvernatorit të Bankës Qëndrore të Iranit, Mohammadreza Farzin, duke emëruar ish-ministrin e Ekonomisë dhe Financave, Abdolnasser Hemmati, si zëvendësues.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post ‘Shpërthejnë’ protestat në Iran kundër inflacionit dhe zhvlerësimit të monedhës appeared first on Sinjali.

Danimarka i thotë lamtumirë postierit klasik, bëhet vendi i parë në botë që ndalon shpërndarjen e letrave

30 December 2025 at 23:39

Për herë të parë në histori, Danimarka ka vendosur të ndalojë postën tradicionale në letër, duke dhënë lamtumirën postierit klasik dhe një shërbimi që funksiononte pa ndërprerje prej 400 vitesh. Vendimi u mor nga shërbimi postar “PostNord”, i cili njoftoi ndalimin e menjëhershëm të dërgesave të letrave.

Shërbimi postar danez u themelua në vitin 1624 nga Mbreti Christian IV si një “dhuratë Krishtlindjesh” për popullin e tij. Sot, katër shekuj më vonë, teknologjia ka bërë që kjo dhuratë të konsiderohet e vjetruar.

Danimarka është një nga vendet më të digjitalizuara në botë, ku komunikimi me qeverinë dhe bizneset kryhet pothuajse ekskluzivisht online. Statistikat tregojnë se në 25 vitet e fundit, vëllimi i letrave fizike ka rënë me 90%, duke sjellë humbje financiare për kompaninë prej rreth 57 milionë eurosh vetëm në vitin 2024.

“Pothuajse të gjithë danezët janë plotësisht digjitalë. Shumica e komunikimeve tona tani mbërrijnë në kutitë tona të email-it,” tha Andreas Brethvad, zëdhënës i PostNord.

Ky transformim ka pasur edhe kosto sociale dhe kulturore. PostNord ka njoftuar shkurtimin e 1,500 vendeve të punës, ndërsa 1,500 kutitë postare ikonike me ngjyrë të kuqe, pjesë e peizazhit urban për 170 vjet, janë nxjerrë në shitje. Interesi i qytetarëve për të mbajtur një copëz historie ishte i jashtëzakonshëm, me danezët që paguanin deri në 300 dollarë për një kuti postare të vjetër.

Nga sot, qytetarët që duan të dërgojnë letra fizike nuk mund t’i hedhin më në kuti postare apo të presin postierin. Ata duhet t’i dorëzojnë ato në kioska të posaçme në dyqane, nga ku do të shpërndahen përmes kompanisë private DAO. PostNord do të vazhdojë të funksionojë vetëm për dorëzimin e pakove, një sektor që po lulëzon falë blerjeve online.

Edhe pse Danimarka është pionere në këtë hap, ekspertët paralajmërojnë se lëvizja mund të izolojë grupet e margjinalizuara, veçanërisht të moshuarit që nuk kanë aftësi digjitale, një problem që mbetet shqetësues në nivel global.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Danimarka i thotë lamtumirë postierit klasik, bëhet vendi i parë në botë që ndalon shpërndarjen e letrave appeared first on Sinjali.

Zelensky i mohon akuzat e Rusisë për sulmin ndaj rezidencës së Putinit: Gënjeshtër

30 December 2025 at 23:25

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka mohuar të martën akuzat e Rusisë se Kievi ka kryer një sulm me dron ndaj njërës prej rezidencave të presidentit Vladimir Putin, duke e cilësuar pretendimin si një përpjekje të Moskës për të penguar bisedimet e paqes dhe për të justifikuar sulme të reja ndaj Ukrainës.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, deklaroi se Ukraina kishte ndërmarrë natën e së dielës një sulm me 91 mjete ajrore pa pilot (UAV) me rreze të gjatë veprimi, të cilat sipas tij kishin shënjestruar rezidencën shtetërore të Putinit në rajonin veriperëndimor të Novgorodit. Rusia njoftoi gjithashtu se, pas këtij incidenti të pretenduar, do të rishikojë qëndrimin e saj në negociatat e paqes. Ende nuk dihet se ku ndodhej Putin në momentin e sulmit të supozuar.

Zelensky hodhi poshtë këto pretendime, duke i quajtur “gënjeshtra tipike ruse”, të dizajnuara për t’i dhënë Kremlinit një arsye për të vazhduar agresionin ndaj Ukrainës. Ai theksoi se Rusia ka shënjestruar më parë ndërtesa qeveritare në Kiev dhe paralajmëroi se akuzat e fundit mund të sinjalizojnë sulme të reja.

“Të gjithë duhet të jenë vigjilentë tani. Absolutisht të gjithë. Një sulm mund të nisë në kryeqytet,” u shpreh Zelensky për gazetarët të hënën, duke shtuar se komentet e Moskës përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë.

Në një reagim në platformën X, presidenti ukrainas theksoi se Rusia po kërkon arsye për të vazhduar luftën dhe e sheh çdo përparim drejt një armëpushimi si një dështim. “Është thelbësore që bota të mos heshtë tani. Nuk mund ta lejojmë Rusinë të minojë punën për arritjen e një paqeje të qëndrueshme,” shkroi ai.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Zelensky i mohon akuzat e Rusisë për sulmin ndaj rezidencës së Putinit: Gënjeshtër appeared first on Sinjali.

Pas paralajmërimit të Trump, Irani kërcënon me përgjigje ‘të ashpër’ ndaj çdo sulmi

30 December 2025 at 23:18

Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, tha të martën se kundërpërgjigjja e vendit të tij ndaj çfarëdo sulmi do të ishte e ashpër, me gjasë duke reaguar ndaj një paralajmërimi nga presidenti amerikan, Donald Trump, se aim und t’u japë dritë të gjelbër sulmeve të reja kundër këtij shteti, nëse Teherani i rindërton programet bërthamore ose të raketave balistike.

“Përgjigjja e Republikës Islamike të Iranit ndaj çfarëdo agresioni mizor do të jetë e ashpër dhe dekurajuese” – tha Pezeshkiani në rrjetin X, pa dhënë hollësi, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

Trumpi i bëri komentet e tij gjatë bisedimeve të gjera me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, në rezidencën e tij Mar-a-Lago në Florida.

“Tani po dëgjoj se Irani po mundohet që të rindërtojë përsëri dhe, nëse është ashtu, ne do të detyrohemi që t’i rrëzojmë. Do t’i rrëzojmë. Do t’i rrëzojmë keq, por shpresoj se kjo nuk do të ndodhë” – paralajmëroi kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Dy udhëheqësit e diskutuan mundësinë e përtëritjes së veprimeve ushtarake kundër Teheranit gjashtë muaj pas luftës 12-ditore ajrore mes Izraelit e Iranit në qershor, e cila shpërtheu pas një sulmi të befasishëm izraelit ndaj caqeve strategjike iraniane.

Shtetet e Bashkuara kryen një varg sulmesh ndaj objekteve kyçe bërthamore të Iranit dhe më pas shpejt ndërmjetësuan një armëpushim mes Izraelit e Iranit.

Trumpi të hënën la të kuptohej se aim und të urdhërojë një sulm tjetër amerikan kundër Iranit.

“Nëse kjo vërtetohet, ata i dinë pasojat dhe pasojat do të jenë shumë të fuqishme, ndoshta më të fuqishme se herën e fundit” – paralajmëroi presidenti amerikan.

Presidenti iranian tha të shtunën se tensionet mes dy palëve tashmë janë rritur. “Ne jemi në një luftë të shkallës së plotë me ShBA-në, Izraelin dhe Evropën. Ata nuk duan që vendi ynë të mbetet stabil” – tha ai.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Pas paralajmërimit të Trump, Irani kërcënon me përgjigje ‘të ashpër’ ndaj çdo sulmi appeared first on Sinjali.

OSBE vlerëson profesionalizmin e Policisë, KQZ-së e PZAP-së në organizimin e zgjedhjeve

30 December 2025 at 23:09

Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Gerard McGurk, ka vlerësuar si të rëndësishme dhe profesionale punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe të Policisë së Kosovës në organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Në një postim në rrjetin “X”, ambasadori McGurk tha se këto institucione punuan në mënyrë profesionale, efikase dhe të sigurt.

“Ndërsa procesi i numërimit është ende në vazhdim, puna e tyre mbetet thelbësore për qëndrueshmërinë demokratike të Kosovës dhe besimin e publikut”- ka shkruar ai.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post OSBE vlerëson profesionalizmin e Policisë, KQZ-së e PZAP-së në organizimin e zgjedhjeve appeared first on Sinjali.

Yesterday — 30 December 2025Sinjali

Kurti premton konstituim të shpejtë të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë

30 December 2025 at 22:58

Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka falënderuar simpatizantët dhe votuesit e partisë pas daljes si subjekt më i votuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

“Posa të certifikohen rezultatet e kësaj fitoreje madhështore e historike, menjëherë do ta konstituojmë Kuvendin, e themelojmë qeverinë për mandatin e tretë dhe do t’i zbatojmë të gjitha zotimet tona përgjatë katër viteve një nga një, sa më shpejtë që të dimë e të mundemi”, premtoi Kurti para mbështetësve të Vetëvendosjes.

Ai vuri në dukje se rezultati i 28 dhjetorit dëshmon se fitorja e partisë së tij dhe koalicionit është më e madhe se ajo e vitit 2021.

“Në këtë orë parmbrëmë nisi të bëhet e qartë që fitorja jonë sivjet është edhe më e madhe, po e tejkalon atë të 14 shkurtit 2021. Kjo tregon që qeverisja jonë, e drejtë, e mirë, e mbarë, e vërtetë, ka qenë e vlerësuar dhe kjo është mirënjohje e madhe e popullit për neve por edhe përgjegjësi e madhe e jona për popullin”, tha ai.

Kurti shtoi se prioritetet e qeverisë së ardhshme do të përfshijnë zhvillimin e ekonomisë, arsimit, kulturës, sportit, shëndetësisë, mbrojtjes dhe sigurisë.

“Ne që vendosim vet, vendin tonë do ta ngrisim lart e më lart, edhe si ekonomi e arsim, kulturë e sport, shëndetësi, arsim, mbrojtje e siguri. Prandaj na presin shumë punë..”, përfundoi ai.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Kurti premton konstituim të shpejtë të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë appeared first on Sinjali.

Numërohen votat e mbi 60% të vendvotimeve, këta janë pesë më të votuarit nga VV, PDK, LDK e AAK

30 December 2025 at 22:47

Janë numëruar tashmë votat për kandidatët për deputetë në 62,69% të vendvotimeve, ndërsa po ashtu janë verifikuar edhe votat për subjektet politike në këto vendvotime.

Në këtë fazë të procesit, Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 47,84% të votave, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës me 21,69% dhe Lidhja Demokratike e Kosovës me 12,33%.

Këta janë pesë kandidatët më të votuar deri tani nga partitë kryesore:

VV: Albin Kurti, Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu, Hekuran Murati dhe Donika Gërvalla.

PDK: Bedri Hamza, Arian Tahiri, Përparim Gruda, Uran Ismaili dhe Sala Jashari.

LDK: Lumir Abdixhiku, Hykmete Bajrami, Ukë Rugova, Doarsa Kica-Xhelili e Avdullah Hoti.

AAK: Ramush Haradinaj, Daut Haradinaj, Besnik Tahiri, Bekë Berisha dhe Agim Çeku.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Numërohen votat e mbi 60% të vendvotimeve, këta janë pesë më të votuarit nga VV, PDK, LDK e AAK appeared first on Sinjali.

Pasuri me 10 shifra: Beyonce është zyrtarisht miliardere

30 December 2025 at 22:19

Beyoncé është zyrtarisht miliardere! Tanimë këngëtarja i bashkohet një grupi elitar të famshmish që kanë kaluar pragun me tri presje, njofton Forbes. Nga 22 artistët miliarderë të identifikuar, thuajse gjysma janë shtuar në tre vitet e fundit dhe tani ajo është këngëtarja e pestë që hyn në grup pas të shoqit, Jay-Z, Taylor Swift, Bruce Springsteen dhe Rihanna.

Turneu i saj, Renaissance, të cilin ajo e realizoi gjatë vitit 2023 u duk se ishte kulmi i karrierës. Prej tij ajo grumbulloi 600 miliardë dollarë dhe siguroi vendin e saj si një nga ikonat më të mëdha të kulturës pop në botë.

Por 44-vjeçarja nuk u ndal sepse në 2024, me albumin “Cowboy Carter” i hapi vetes mundësi të reja komerciale, një performancë në NFL për Krishtlindje dhe turneun më fitimprurës në botë gjatë 2025 duke fituar denjësisht titullin e miliarderes.

Bey zhvillon disa biznese si një linjë kujdesi për flokët, Cécred, uiski SirDavis dhe një linjë veshjesh, Ivy Park që ndali punën në 2024. Megjithatë, fitimet e saj më të mëdha vijnë nga muzika sepse zotëron të drejtat e katalogut gjigant që ka dhe grumbullon shuma marramendëse nga turnetë.

Në botën e argëtimit, nuk ka asnjë ndërmarrje më fitimprurëse sesa një këngëtar që mund të mbushë stadiume. Një biletë për turneun Cowboy Carter i garanton një spektatori që jo vetëm të shohë Beyoncé duke kënduar ‘live’ për tri orë, por edhe një makinë fluturuese, krahë robotikë që mbushin gota me SirDavis, një dem të artë mekanik dhe të ftuar specialë.

Kombinimi i fitimeve nga turnetë, katalogu muzikor dhe marrëveshjet e biznesit i kanë siguruar 148 milionë dollarë gjatë vitit 2025, thotë Forbes, duke e bërë Beyoncé këngëtaren e tretë më të paguar në botë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Pasuri me 10 shifra: Beyonce është zyrtarisht miliardere appeared first on Sinjali.

Trump dhe Netanjahu kërkojnë çarmatosjen e Hamasit

30 December 2025 at 21:53

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, janë takuar në resortin Mar-a-Lago të Trumpit në Florida, ku në fokus kanë qenë zhvillimet e fundit në Rripin e Gazës dhe çështja e Hamas-it.

Pas takimit, Trump doli me një deklaratë publike të ashpër, duke paralajmëruar se Hamas-it do t’i jepet një “periudhë shumë e shkurtër” për t’u çarmatosur. Ai tha se nëse kjo nuk ndodh, grupi do të “përjetojë ferrin”.

Sipas raportimeve të mediave izraelite, gjatë takimit privat mes dy liderëve është arritur dakordësi për një afat dy-mujor për çarmatosjen e Hamas-it. Po ashtu, janë përcaktuar kritere konkrete për këtë proces, përfshirë shkatërrimin e rrjetit të gjerë të tuneleve nëntokësore që Hamasi ka ndërtuar në Rripin e Gazës.

Në rast se Hamasi refuzon të çarmatoset, përgjegjësia për hapat e mëtejshëm, sipas këtij plani, do t’i kalojë Izraelit dhe Forcave të Mbrojtjes Izraelite (IDF).

Trump theksoi gjithashtu se emisarët amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner do të mbikëqyrin procesin e zbatimit të marrëveshjes. Ai pretendoi se Hamasi kishte rënë dakord edhe më herët për çarmatosje – një pretendim që është kundërshtuar nga vetë Hamasi – dhe sugjeroi se edhe vende të tjera që kanë mbështetur marrëveshjen e armëpushimit mund të ndërhyjnë ushtarakisht nëse Hamasi refuzon të përmbushë kushtet.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Trump dhe Netanjahu kërkojnë çarmatosjen e Hamasit appeared first on Sinjali.

SHBA kërkon “veprime konkrete” nga Kosova për të rikthyer dialogun strategjik

30 December 2025 at 21:44

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka shprehur gatishmëri për thellimin e partneritetit me Qeverinë e Kosovës, përfshirë edhe rifillimin e dialogut strategjik.

Megjithatë, nga ambasada theksohet se një hap i tillë kërkon veprime konkrete nga ana e qeverisë kosovare.

“Shpresojmë të thellojmë partneritetin tonë me qeverinë e Kosovës, duke përfshirë edhe rifillimin e dialogut tonë strategjik”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës amerikane për RTV21. Sipas saj, kjo do të kërkojë angazhim për të avancuar “agjendën tonë të përbashkët të paqes rajonale, stabilitetit dhe prosperitetit të ndërsjellë ekonomik”.

Ambasada nuk ka specifikuar veprimet konkrete që pret nga Qeveria e Kosovës, por ka nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit në funksion të stabilitetit rajonal dhe zhvillimit ekonomik.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post SHBA kërkon “veprime konkrete” nga Kosova për të rikthyer dialogun strategjik appeared first on Sinjali.

Kryeministri polak shpreson për paqe në Ukrainë brenda disa javësh

30 December 2025 at 21:40

Paqja mund të arrihet në Ukrainë brenda javësh falë garancive amerikane të sigurisë, edhe pse suksesi ende është “larg të qenët 100 për qind i sigurt”, tha të martën kryeministri i Polonisë, Donald Tusk.

Ai gjithashtu dha shenjë për mundësinë e dërgimit të trupave amerikane në vijën e kontaktit mes Ukrainës e Rusisë, por nuk dha hollësi për një propozim të tillë dhe Shtëpia e Bardhë nuk i komentoi menjëherë deklaratat e tij, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Tusku është kritikues i ashpër i Rusisë për luftën e saj në Ukrainë, por komentet e tij pasqyruan një përgjigje positive nga udhëheqësit evropianë ndaj bisedimeve të së dielës mes presidentëve Donald Trump të Shteteve të Bashkuara e Volodymyr Zelensky të Ukrainës, në të cilat ky i dyti tha se ishte arritur marrëveshje për garancitë e sigurisë për Kievin.

“Paqja është në horizont, nuk ka dyshim se kanë ndodhur gjëra që japing bazë për shpresë se kjo luftë mund të përfundojë dhe goxha shpejt, por ende është shpresë, larg nga të qenët 100 për qind e sigurt” – tha Tusku në një takim qeveritar të vendit të tij pas bisedimeve me aleatë.

“Kur them se paqja është në horizont, po flas për javët në vijim, jo muajt apo vitet. Në janar, ne do të duhet të bëhemi bashkë… të marrim vendime për të ardhmen e Ukrainës, për të ardhmen e kësaj pjese të botës” – shtoi ai.

Trumpi tha të dielën se ai dhe Zelensky ishin “ndoshta shumë afër” një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës, edhe pse mbeten ende disa çështje “me gjemba”. Ai ishte më i matur se Zelensky sa u përket garancive të sigurisë.

“Rezultati kyç i ditëve të fundit është deklarata amerikane… e gatishmërisë për të marrë pjesë në garanci të sigurisë për Ukrainën pas një pakti të paqes, përfshirë praninë e trupave amerikane, për shembull, në kufi ose në vijën e kontaktit mes Ukrainës e Rusisë” – tha kryeministri polak.

“Ne do të shohim se sa konsistentë do të jenë partnerët tanë matanë Atlantikut, por kjo jep shpresë për një rezultat të suksesshëm” – shtoi ai.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Kryeministri polak shpreson për paqe në Ukrainë brenda disa javësh appeared first on Sinjali.

Ky është personi i akuzuar se përdhunoi dhe la shtatzënë 12-vjeçaren

30 December 2025 at 21:34

Mediat në Shqipëri raportojnë se Rushan Selko është i akuzuar për përdhunimin e një 12-vjeçarje në fshatin Piskupat të Pogradecit.

Nga komunikimi që kanë me familjarët e të miturës, jashtë kamerave, ata janë shprehur se me të autorin e dyshuar kishin shumë miqësi dhe rrinin shpesh në shtëpitë e njeri tjetrit.

Ndër të tjera, ata nuk kanë patur dyshime që mund të ndodhte kjo ngjarje pasi kanë patur marrëdhënie korrekte mes dy familjeve.

Ata presin që drejtësia të bëjë punën e saj teksa paraqiten në gjendje shumë të rënduar emocionale dhe shprehen se ndihen të turpëruar nga ngjarja që ka ndodhur.

Banesat e autorit të dyshuar dhe të të miturës janë ngjitur me njëra tjetrën dhe familjarët e lejonin që të shkonte në dyqan për të ardhur në ndihmë familjes të autorit të dyshuar.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Ky është personi i akuzuar se përdhunoi dhe la shtatzënë 12-vjeçaren appeared first on Sinjali.

Fejzullahu i ZRrE-së kërkon “kursim” të energjisë ose ndryshe “diferenca duhet të importohet”

30 December 2025 at 21:30

Rritja e madhe e konsumit të energjisë elektrike ka ngritur alarmet te institucionet përgjegjëse. Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) u ka bërë thirrje qytetarëve për kursim, pasi konsumi në orët e pikut ka arritur rreth 1.500 megavat për orë, shumë mbi kapacitetin vendor prej 900 megavatësh.

Kryesuesi i Bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu, tha se “kjo diferencë duhet të importohet”, duke shtuar se sistemi përballet edhe me kufizime transmetuese e shpërndarëse.

“U bëjmë thirrje të gjithë konsumatorëve, sidomos për muajin dhjetor dhe janar, të kursejnë energji elektrike”, tha ai, duke theksuar se kursimi “do të reflektohet në tarifat e ardhshme”. Sipas Fejzullahut, konsumi i Kosovës i është afruar pikut të Shqipërisë.

Në të njëjtën mbledhje, ZRrE miratoi ulje të tarifave të ngrohjes për “Termokos” dhe NQ “Gjakova”, respektivisht 4 dhe 5 për qind për konsumatorët me matje. Tarifa në Prishtinë do të jetë 73 centë për kilovat, ndërsa në Gjakovë 72 centë në muaj.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Fejzullahu i ZRrE-së kërkon “kursim” të energjisë ose ndryshe “diferenca duhet të importohet” appeared first on Sinjali.

A mund të jenë marrëdhëniet me inteligjencën artificiale të dobishme për njerëzit?

30 December 2025 at 21:22

Marrëdhëniet mes njerëzve dhe inteligjencës artificiale po ngjallin gjithnjë e më shumë shqetësim në opinionin publik.

Paralajmërimet për ndikime negative psikologjike, përfshirë raste të lidhura me dëmtime të shëndetit mendor pas ndërveprimeve me chatbot-e, kanë dominuar titujt e mediave ndërkombëtare. Madje, termi “psikozë e lidhur me AI” është përdorur për të përshkruar gjendje si deluzione, paranojë apo shkëputje nga realiteti pas komunikimit intensiv me modele të mëdha gjuhësore.

Sipas The Guardian, këto shqetësime janë shtuar edhe nga studime që tregojnë se të rinjtë po i përqafojnë gjithnjë e më shumë marrëdhëniet me IA. Rreth gjysma e adoleshentëve bisedojnë me një “shoqërues” artificial disa herë në muaj, ndërsa një në tre e konsideron komunikimin me IA po aq, ose më të kënaqshëm sesa bisedat me miqtë realë.

Megjithatë, rreziqet ekzistojnë, por po aq reale janë edhe përfitimet e mundshme. Në varësi të asaj që do të tregojnë kërkimet shkencore në të ardhmen, marrëdhëniet me IA mund të rezultojnë të dobishme për shoqërinë.

Një histori e gjatë marrëdhëniesh “jo-njerëzore”

Njerëzit, historikisht, kanë krijuar marrëdhënie kuptimplota me entitete jo-njerëzore, kafshë shtëpiake, lodra, objekte apo edhe makina.

Shumica e këtyre marrëdhënieve, përfshirë ato parasociale (njëanshme), janë normale dhe të shëndetshme, rrallëherë patologjike.

Ajo që e bën IA-në ndryshe, është aftësia e saj për të përdorur gjuhë të rrjedhshme dhe për të simuluar mendime apo emocione gati njerëzore.

Modelet gjuhësore kanë prirjen të jenë miratuese dhe të mos sfidojnë përdoruesin, çka mund të forcojë bindje të gabuara. Kjo krijon një rrezik unik që nuk ekziston në marrëdhëniet me kafshë apo objekte.

Vetmia dhe roli i IA-së

Vetmia mbetet një problem global serioz. Një në gjashtë persona në botë e përjeton atë, me pasoja të rënda për shëndetin.

Disa studime të hershme sugjerojnë se shoqëruesit artificialë mund të ndihmojnë në uljen e ndjenjës së vetmisë, jo thjesht si shpërqendrim, por përmes vetë marrëdhënies parasociale.

“Nëse nuk e kupton pse njerëzit e kërkojnë këtë lidhje, ndoshta ke pasur fatin të mos e përjetosh vetminë”, shprehet gazetarja Sangita Lal për personat të cilët perdorin IA-në për shoqëri, duke theksuar se ata nuk duhen gjykuar, por duhen kuptuar.

IA si mjet terapeutik

Përtej shoqërimit, inteligjenca artificiale po testohet edhe si mjet në psikoterapi.

Një studim tregoi se pacientët që përdorën një chatbot terapeutik patën ulje të ndjeshme të simptomave të ankthit, edhe pse rezultatet ishin më të mira me terapistë njerëzorë.

Kjo qasje ka vlerë praktike, sidomos për miliona njerëz që nuk kanë akses në shërbime profesionale të shëndetit mendor.

Megjithatë, The Guardian thekson se kërkimi shkencor është ende në faza të hershme dhe nuk lejon përfundime përfundimtare.

Rreziku i interesave komerciale dhe roli i kufizuar i IA

Një nga shqetësimet kryesore lidhet me faktin se shumica e platformave të shoqërimit me IA zhvillohen nga kompani fitimprurëse. Këto kompani kanë interes të minimizojnë rreziqet dhe të theksojnë përfitimet, shpesh pa transparencë të mjaftueshme shkencore.

Kjo situatë mund të krahasohet me përdorimin e opiumit në histori, i dobishëm nëse përdoret me përgjegjësi për lehtësimin e dhimbjes, por shkatërrues nëse shfrytëzohet për përfitim financiar pa kontroll.

Ekziston optimizmi se IA mund të ketë vend në shoqëri, por vetëm nëse përdoret me kujdes, mbështetur në kërkime solide dhe me qëllim të mirës publike.

Shoqëruesit artificialë duhet të ndihmojnë njerëzit të zhvillojnë aftësi sociale reale, jo të zëvendësojnë marrëdhëniet njerëzore.

Qëllimi përfundimtar, duhet të jetë që këto sisteme të bëhen të panevojshme. Sado e dobishme të jetë teknologjia për të lehtësuar vetminë apo mungesën e shërbimeve, komunikimi me një njeri real mbetet gjithmonë alternativa më e mirë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post A mund të jenë marrëdhëniet me inteligjencën artificiale të dobishme për njerëzit? appeared first on Sinjali.

Real Madridi shton interesimin për yllin anglez, kontakton drejtpërdrejtë me përfaqësuesit e lojtarit

30 December 2025 at 21:06

Real Madrid ka intensifikuar përpjekjet për transferimin e qendërmbrojtësit të Crystal Palace, Marc Guehi, përpara afatit të transferimeve verore, duke informuar drejtpërdrejt përfaqësuesit e lojtarit për interesimin e tyre të fortë dhe njohurinë mbi vlerën e tij në treg.

Reprezentuesi anglez, i cili ka kontratë deri në qershor, është shfaqur si një kandidat kryesor për të forcuar repartin mbrojtës të “Los Blancos”. Klubi madrilen pritet të hapë negociata zyrtare nga 1 janari, në përputhje me rregullat e FIFA-s për nënshkrimin e parakontratave.

Sipas raportimeve të AS, Real Madrid ka shprehur shqetësim ndaj kampit të Guehit për marrëveshje të mundshme të mëparshme me Liverpool, pas thashethemeve që lindën nga një marrëveshje e dështuar prej 35 milionë eurosh verën e kaluar. Në atë kohë, mbrojtësi kishte kaluar testet mjekësore, por Crystal Palace tërhoqi ofertën pas kërcënimit për dorëheqje nga trajneri Oliver Glasner.

Burime të afërta me çështjen konfirmojnë se një marrëveshje e tillë nuk ekziston. Ndërsa Liverpool mbetet i interesuar, çdo bisedë eventuale do të niste nga e para dhe në rrethana krejtësisht të ndryshuara, pasi Guehi po i afrohet fundit të kontratës.

Guehi po mban opsionet e hapura mes interesimit nga disa klube elitare, por thuhet se do t’i jepte përparësi Real Madridit nëse klubi spanjoll konkretizon qasjen e tij, duke e parë një transferim në “Santiago Bernabeu” si një ëndërr të jetës.

Ndërkohë, alternativa të tjera si Ibrahima Konate dhe Dayot Upamecano janë ftohur për shkak të kërkesave të larta për paga nga agjentët e tyre, gjë që përputhet me mosgatishmërinë e drejtuesve madrilen për të hyrë në luftë ofertash.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Real Madridi shton interesimin për yllin anglez, kontakton drejtpërdrejtë me përfaqësuesit e lojtarit appeared first on Sinjali.

Përplasje aleatësh në Jemen, Emiratet tërhiqen pas ultimatumit 24-orësh dhe bombardimit saudit

30 December 2025 at 20:51

Lufta e gjatë në Jemen ka marrë një kthesë dramatike këtë të martë, duke shënuar një përçarje të hapur mes dy fuqive kryesore të koalicionit anti-Houthi: Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA).

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë njoftuar zyrtarisht tërheqjen e forcave të tyre ushtarake nga Jemeni. Ky vendim vjen pas një ultimatumi të prerë nga Këshilli Presidencial i Jemenit, i mbështetur nga Riadi, si dhe pas një sulmi ajror saudit ndaj një dërgese të dyshuar armësh.

Pika kritike e përshkallëzimit ishte bombardimi i portit jugor të Mukallas nga aviacioni saudit. Në një deklaratë të rrallë dhe të ashpër, ushtria saudite pretendoi se kishte goditur një dërgesë që vinte nga Fujairah, në Emiratet e Bashkuara Arabe, e cila sipas tyre përmbante “sasi të madhe armësh” për separatistët e Këshillit Tranzicional Jugor (STC).

“Ekuipazhi kishte çaktivizuar pajisjet e gjurmimit. Dërgesa ishte një kërcënim i menjëhershëm”, thuhej në deklaratën e Riadit.

Nga ana tjetër, Abu Dhabi i mohoi kategorikisht akuzat për dërgim armësh, duke pranuar vetëm transferimin e automjeteve. Ministria e Jashtme e Emirateve bëri thirrje për “përmbajtje dhe mençuri”, duke mohuar çdo rol në nxitjen e konfliktit.

Reagimi politik ishte i menjëhershëm. Udhëheqësi i Këshillit Presidencial të Jemenit shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe mori dy vendime drastike: anulimin e paktit të mbrojtjes me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe dhënien e një ultimatumi 24-orësh për largimin e forcave të EBA-së nga territori jemenas.

Po ashtu, u vendos një ndalim 72-orësh për të gjitha kalimet kufitare që nuk kanë miratimin e Riadit.

Ky zhvillim nxjerr në pah tensionet e fshehura prej kohësh mes dy shteteve të Gjirit. Ndonëse të dyja janë pjesë e luftës kundër rebelëve Houthi, të lidhur me Iranin, ato mbështesin fraksione rivale brenda kampit tjetër: Arabia Saudite mbështet qeverinë qendrore, përkatësisht Këshillin Presidencial, ndërsa Emiratet janë mbështetësi kryesor i separatistëve të jugut të STC-së.

Ministria e Mbrojtjes e Emirateve të Bashkuara Arabe deklaroi se tërheqja po bëhet për shkak të “zhvillimeve të fundit”, pa dhënë një kalendar të saktë, duke lënë të hapura pikëpyetje serioze mbi të ardhmen e operacioneve kundër terrorizmit në rajon.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Përplasje aleatësh në Jemen, Emiratet tërhiqen pas ultimatumit 24-orësh dhe bombardimit saudit appeared first on Sinjali.

Hero në fluturim: Mjeku nga Peja shpëton jetën e një të riu amerikan në aeroplan

30 December 2025 at 20:40

“Ishte pothuajse pa shenja jete… pas 45 minutash hapi sytë dhe dhuroi buzëqeshje”.

Këto fjalë përmbledhin momentet dramatike të një fluturimi transatlantik nga Vjena drejt New York-ut, ku një akt humanizmi i një kosovari u kthye në mrekulli.

Protagonist është Malë Dautaj, mjek nga Peja, i cili me profesionalizëm dhe guxim arriti të shpëtojë jetën e një të riu amerikan.

Në aeroplanin e mbushur me udhëtarë, mjeku nga Kosova u gjend në këtë situatë emergjente gjatë një fluturimi, e para që i kishte ndodhur në jetë.

Këtë përvojë të jashtëzakonshme, që ai e përjetoi me përgjegjësi të madhe, por edhe me krenari profesionale, Malë Dautaj, e ndau në një rrëfim.

Ai tregoi fillimisht momentin kur u kërkua ndihmë për pasagjerin, gjendja shëndetësore e të cilit po përkeqësohej me shpejtësi dhe pothuajse ishte pa shenja jete.

“Rreth orës 16:00 pasdite, gjatë fluturimit mbi oqean, në aeroplanin e Vjenës duke shkuar në Nju Jork, kam vërejtur një situatë emergjente në mes të kabinës. Një djalë kishte filluar të përkeqësohej dhe u kërkua menjëherë ndihmë.”

Në ato çaste kritike, Dautaj iu afrua pacientit dhe e kuptoi menjëherë seriozitetin e gjendjes së tij.

“U afrova pranë pacientit dhe vërejta se në ato momente ishte i shtrirë, pothuajse pa shenja jete. Fillimisht e tërhoqëm drejt pjesës së përparme të aeroplanit, ku u shtri për të mundësuar ndërhyrje më të sigurt.”

Përballë një situate ku çdo sekondë ishte vendimtare, përgjegjësia që mori mbi vete ishte jetike për fatin e të riut amerikan.

Ai rrëfeu tutje se intervenimi ishte i domosdoshëm për ta kthyer pacientin në jetë.

Ndërhyrjen e realizoi me pajisjet personale që kishte me vete, si dhe me mjetet e ofruara nga ekuipazhi i avionit.

“Vrapova për të marrë mjetet nga çanta ime personale dhe më pas kërkova nga ekuipazhi çantat me pajisjet e nevojshme. Me ndihmën e një djalit që më asistoi gjatë gjithë kohës, filluam trajtimin emergjent. Ishte një përgjegjësi shumë e madhe, por ishte e domosdoshme ta kthenim pacientin në jetë, përndryshe situata do të ishte fatale”, tha ai për Klan Kosovën.

Përpjekjet zgjatën pothuajse një orë dhe falë reanimimit të pandërprerë dhe përkushtimit maksimal, i riu buzëqeshi.

Momentet e rikthimit në jetë të tij u shoqëruan me duartrokitje nga pasagjerët, ndërsa për mjekun nga Kosova me 27 vjet përvojë pune, ky ishte shpërblimi më i madh emocional dhe profesional.

“Vura re se pacientit i mungonte oksigjeni. Pas rreth 45 minutash reanimimi dhe ndërhyrjeje të vazhdueshme, pacienti hapi sytë dhe dhuroi buzëqeshjen e parë, moment që ishte jashtëzakonisht prekës. Pas kësaj, duartrokitjet që mora, ishin vërtetë impresionuese, pasi ishte hera e parë që bëra një veprim të tillë në aeroplan. U ndjeva me të vërtetë i lumtur” – përfundoi Dautaj rrëfimin.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Hero në fluturim: Mjeku nga Peja shpëton jetën e një të riu amerikan në aeroplan appeared first on Sinjali.

Përfundon numërimi në 9 QKN, vazhdon në 29 komuna të tjera

30 December 2025 at 20:31

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se deri të martën pasdite është përmbyllur numërimi i votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike në 9 Qendra Komunale të Numërimit (QKN).

Komunat ku është përmbyllur procesi janë: Mamushë (6 vendvotime), Shtërpcë (17), Junik (6), Hani i Elezit (11), Kllokot, Mitrovicë e Veriut (22), Novobërdë (23), Zveçan (11) dhe Viti (64).

Deri më tani, 1,221 vendvotime nga gjithsej 2,557, ose 47.75%, janë procesuar në të gjitha Qendrat Komunale të Numërimit.

Komisioni njofton se procesi i numërimit dhe verifikimit po vazhdon në 29 QKN-të tjera dhe rezultatet përfundimtare do të bëhen të ditura pas përfundimit të procesit në të gjitha komunat.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Përfundon numërimi në 9 QKN, vazhdon në 29 komuna të tjera appeared first on Sinjali.

Pesë persona të lënduar në aksidentin mes katër veturave në Pejë

30 December 2025 at 20:28

Pesë persona janë lënduar në një aksident trafiku në pasditën e sotme, në rrugën Zhujë Selmani, në Pejë, raporton Gazeta Sinjali.

Në këtë aksident janë përfshirë katër vetura, kështu konfirmoi për Sinjalin, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

Të lënduarit janë dërguar për tretman mjekësor në Spitalin Rajonal në Pejë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Pesë persona të lënduar në aksidentin mes katër veturave në Pejë appeared first on Sinjali.

Zelensky dhe Trump diskutojnë dërgimin e trupave amerikane në Ukrainë

30 December 2025 at 20:21

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka bërë të ditur të martën se Kievi po diskuton me Uashingtonin mundësinë e vendosjes së trupave amerikane në Ukrainë si pjesë e garancive të sigurisë.

Në një bisedë përmes WhatsApp me gazetarë, Zelensky tha se një prani e tillë do të përfaqësonte një nxitje të madhe të sigurisë për vendin e tij.

“Sigurisht, ne po e diskutojmë këtë me presidentin Trump dhe me përfaqësuesit e koalicionit perëndimor që mbështesin Kievin. Ne e duam këtë. Ne do ta donim këtë. Ky do të ishte një qëndrim i fortë i garancive të sigurisë,” ka deklaruar Zelensky.

Shtëpia e Bardhë nuk ka komentuar ende çështjen e dërgimit të trupave amerikane në Ukrainë sipas çdo marrëveshjeje të mundshme paqeje me Rusinë.

Zelensky gjithashtu ngriti çështjen e asaj që ai e përshkroi si një sulm të rremë ndaj rezidencës së presidentit rus, Vladimir Putin. Ai theksoi për mediat se është i përkushtuar për të vazhduar bisedimet për të dhënë fund luftës së nisur nga pushtimi rus në vitin 2022 dhe se është i gatshëm të takohet me Putinin në çdo format.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi të dielën se ai dhe Zelensky ishin “ndoshta shumë afër” një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës, megjithëse çështjet territoriale mbetën të vështira. Ai shtoi se garancitë e sigurisë ishin 95% e rrugës drejt një marrëveshjeje të tillë dhe shpresonte që vendet evropiane të merrnin përsipër një pjesë të madhe të përpjekjes me mbështetjen e SHBA-së.

Ndërkaq, të martën, Rusia njoftoi se qëndrimi i saj negociues do të ashpërsohej, duke akuzuar Kievin për sulmin ndaj një prej rezidencave presidenciale të Putinit – një akuzë që Kievi e ka quajtur të pabazë dhe e cila synonte, sipas tij, të dëmtonte bisedimet e vështira të paqes.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Zelensky dhe Trump diskutojnë dërgimin e trupave amerikane në Ukrainë appeared first on Sinjali.

❌
❌