Normal view

Received — 28 August 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Identifikohet autori i dyshuar i zjarrvënies në Vajkal, procedohet penalisht

28 August 2026 at 22:15

TIRANË, 28 gusht/ATSH/Shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, pas njoftimit se në malin e fshatit Vajkal, Njësia Administrative Fushë-Bulqizë, kishte rënë zjarr, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, në mbështetje të forcave zjarrfikëse, si dhe për kryerjen e veprimeve hetimore për përcaktimin e rrethanave dhe zbardhjen e autorësisë së zjarrvënies.

Nga veprimet hetimore të kryera, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Bulqizë kanë bërë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar të zjarrvënies, shtetasin A. M., 49 vjeç, banues në fshatin Vajkal, ndaj të cilit u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë, pasi vuan nga probleme të shëndetit mendor. 49-vjeçari, u dërgua në Spitalin Psikiatrik Shkodër për trajtim të specializuar.

Drejtoria Vendore e Policisë Dibër apelon për të gjithë qytetarët të mos ndezin zjarre për djegien e mbetjeve, barishteve apo për qëllime të tjera, pasi përhapja e flakëve mund të sjellë pasoja të rënda për jetën, pronën dhe mjedisin.

Gjithashtu, policia fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112 çdo rast zjarrvënieje apo paligjshmërie tjetër, duke garantuar reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm.

The post Identifikohet autori i dyshuar i zjarrvënies në Vajkal, procedohet penalisht appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbetjet mortore të gjetura në Zubin Potok dërgohen në Hagë për identifikim përmes ADN-së

28 August 2026 at 18:37

PRISHTINË, 28 gusht /ATSH/ Autoritetet në Kosovë thanë se të paktën dhjetë mbetje kockore të gjetura në tri varrezat masive në Zubin Potok, janë dërguar në Hagë për identifikim përmes ADN-së.

Ministri në detyrë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, gjatë një vizite në Kalludër – një nga lokacionet ku u gjetën mbetje mortore – së bashku me familjarët e të zhdukurve, tha se mbetjet mortore të gjetura në këtë vend janë dërguar në laboratorin e Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur në Hagë, ku do të bëhet krahasimi me mostrat e dhëna nga familjarët e të zhdukurve.

Pritet që shpejt të arrijnë rezultatet e para nga Haga pas dërgimit të mbetjeve kockore, thanë nga Institutit i Mjekësisë Ligjore.

Gërmimet kishin nisur në korrik dhe më 21 gusht, autoritetet njoftuan se kishte përfunduar procesi i gërmimeve dhe i zhvarrosjes të mbetjeve mortore në tri lokacione në Kalludër të Vogël dhe Jabukë të Zubin Potokut. Në tri varret masive, Prokuroria Speciale ka deklaruar se janë gjetur mbetje mortore të të paktën 23 personave.

Lidhur me këtë rast, tre persona janë arrestuar nën dyshime për krime lufte kundër popullatës civile dhe aktualisht të njëjtit janë në paraburgim.

Autoritetet në Kosovë dyshojnë se mbetjet mortore të gjetura në varrezat masive në Kalludër të Vogël dhe në Jabukë të Zubin Potokut mund t’i përkasin “grupit të intelektualëve të Mitrovicës”.

Grupi prej 23 personash është i zhdukur që nga 19 prilli i vitit 1999. Në mesin e tyre kishte mjekë, profesorë, avokatë dhe profile të tjera.

Prokuroria Speciale e Kosovës tha se rastin e 23 personave të zhdukur e kanë trajtuar prej shtatë vjetësh dhe se provat e mbledhura deri tani çojnë hetimin drejt tyre, por vetëm përmes identifikimit me ADN do të vërtetohet nëse bëhet fjalë për ta.

Udhëheqësja e Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur (ICMP) në Ballkanin Perëndimor, Samira Krehiq, ditë më parë tha për Radion Evropa e Lirë se gjetja e mbetjeve mortore është vetëm fillimi i një procesi kompleks të identifikimit.

Sipas saj, gjendja e mbetjeve, degradimi i ADN-së dhe mungesa e mostrave të mjaftueshme nga familjarët mund ta vështirësojnë identifikimin. Në rastet më komplekse, sipas Krehiq, mund të kërkohen ekspertizë, analiza dhe përpjekje shtesë.

Ajo u shpreh se identiteti i viktimave dhe ngjarja nuk duhet të paragjykohen para përfundimit të analizave të ADN-së.

“Vetëm pasi ta dimë me siguri identitetin individual të të gjitha viktimave që janë gjetur, mund të fillojë rindërtimi i ngjarjes, jo anasjelltas”, tha Krehiq.

ICMP-ja është përfshirë në kërkimin dhe identifikimin e personave të zhdukur nga lufta në Kosovë që nga viti 1999.

Sipas Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, 1.577 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999, ndërsa janë dokumentuar gjithsej 12.230 viktima të luftës.

Kosova ka kërkuar vazhdimisht nga Serbia bashkëpunim për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe qasje në arkivat ushtarake që sipas autoriteteve mund të ndihmojnë në identifikimin e lokacioneve të varreve të mundshme.

/REL/

The post Mbetjet mortore të gjetura në Zubin Potok dërgohen në Hagë për identifikim përmes ADN-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fatjona Kasapi fiton medaljen e bronztë në Lojërat Mesdhetare

28 August 2026 at 18:13

PRISHTINË, 28 gusht /ATSH/ Xhudistja kosovare Fatjona Kasapi ka fituar medaljen e bronztë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.

Kasapi ishte e lirë në xhiron e parë, ndërsa në çerekfinale u mposht me Ippon nga francezja Pauline Cuq.

Ajo e vazhdoi garën përmes repasazhit, ku në luftën e parë ishte e lirë. Në duelin e dytë të repasazhit, Kasapi triumfoi me Yuko ndaj portugezes Maria Siderot, duke siguruar luftën për medaljen e bronztë.

Në përballjen vendimtare për podium, Kasapi e mposhti me Yuko italianen Gaia Stella dhe kështu fitoi medaljen e bronztë për Kosovën.

/Kosovapress/

The post Fatjona Kasapi fiton medaljen e bronztë në Lojërat Mesdhetare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Duka: Për herë të parë në histori, një klub shqiptar mes klubeve të Conference League

28 August 2026 at 17:04

TIRANË, 28 gusht/ATSH/ Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, ka përshëndetur përmes një reagimi në rrjetet sociale pjesëmarrjen e Egnatias në UEFA Conference League, duke e cilësuar këtë një arritje të rëndësishme për futbollin shqiptar.

“Me krenari të veçantë ndoqa sot shortin e UEFA Conference League!

Për herë të parë në histori, një klub shqiptar mes klubeve të Conference League! Një arritje e jashtëzakonshme për Egnatian dhe futbollin shqiptar!”, shkruan Duka.

Ai i ka përcjellë gjithashtu urimet klubit rrogozhinas për aventurën europiane.

“Urimet e mia dhe shumë suksese në Europë!”, përfundon presidenti i FSHF-së.

1 nga 2

The post Duka: Për herë të parë në histori, një klub shqiptar mes klubeve të Conference League appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

E premtja me mot të qëndrueshëm, reshje të izoluara në relievet malore

28 August 2026 at 07:30

TIRANË, 28 gusht/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se vendi  ynë ditën e premte ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.

Moti parashikohet me alternime kthjellimesh dhe vranësirash mesatare në orët e mesditës dhe pasdites kryesisht përgjatë relieveve malore të cilat pritet të shoqërohen me reshje lokale shiu me intensitet kryesisht të ulët.

Pas orëve të pasdites mot kryesisht i kthjellët.

Era me drejtim veriperëndim – verilindje me shpejtësi mesatare 7 m/s, përgjatë vijës bregdetare e kryesisht atë jugperëndimorë  e zonat luginore era fiton shpejtësi deri në 14m/s, valëzim në dete i forcës 1-3 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat Siglat
Shkodër 24/38 Diell
Kukës 22/38 Diell re shi
Lezhë 24/37 Diell
Dibër 20/37 Diell re shi
Durrës 24/37 Diell
Tiranë 25/38 Diell
Elbasan 24/39 Diell
Berat 22/40 Diell
Vlorë 24/38 Diell
Korçë 19/36 Diell re shi
Gjirokastër 19/40 Diell
Sarandë 26/38 Diell

The post E premtja me mot të qëndrueshëm, reshje të izoluara në relievet malore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Kujtim Buza i kushtoi artit një jetë të tërë, pjesë e trashëgimisë që pasuron kujtesën kulturore

27 August 2026 at 23:43

TIRANË, 27 gusht/ATSH/ Ministri i Kulturës, Turizmit dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të piktorit dhe studiuesit Kujtim Buza, duke e cilësuar atë një prej emrave të rëndësishëm të artit pamor shqiptar.

Në një reagim në rrjetet sociale, Gonxhja shprehet se lajmi për ndarjen nga jeta të Buzës është pritur me “trishtim të thellë”, ndërsa vlerëson kontributin e tij shumëvjeçar në jetën artistike dhe kulturore të vendit.

Sipas ministrit, Kujtim Buza i përkiste një familjeje të lidhur ngushtë me historinë e artit shqiptar. Ai ishte i biri i piktorit Abdurrahim Buza, një prej themeluesve dhe mjeshtërve të pikturës moderne shqiptare.
“Kujtim Buza i përkiste një familjeje që është e lidhur pazgjidhshmërisht me historinë e artit tonë. Bir i Abdurrahim Buzës, një prej themeluesve dhe mjeshtërve të pikturës moderne shqiptare, ai u rrit pranë artit dhe e vijoi këtë trashëgimi me rrugëtimin e vet krijues”, shprehet Gonxhja.

Ministri thekson se Buza, përgjatë karrierës së tij, dha një kontribut të rëndësishëm në artin dhe jetën kulturore shqiptare, duke përmendur edhe drejtimin e Galerisë Kombëtare të Arteve.

“Nga studioja ku dikur pikturonte pranë të atit, te krijimtaria e tij shumëvjeçare, drejtimi i Galerisë Kombëtare të Arteve dhe angazhimi në jetën kulturore të vendit, Kujtim Buza i kushtoi artit një jetë të tërë”, shkruan ai.

Gonxhja nënvizon gjithashtu se veprat e Kujtim Buzës, të pranishme edhe në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve, përbëjnë pjesë të trashëgimisë kulturore shqiptare dhe kontribuojnë në pasurimin e kujtesës artistike të vendit.
Në përfundim të reagimit, ministri i shpreh ngushëllimet familjes Buza, të afërmve, miqve, kolegëve dhe komunitetit të artistëve.
“U prehtë në paqe!”, përfundon Gonxhja.

The post Gonxhja: Kujtim Buza i kushtoi artit një jetë të tërë, pjesë e trashëgimisë që pasuron kujtesën kulturore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndahet nga jeta piktori dhe studiuesi Kujtim Buza

27 August 2026 at 23:00

LllTIRANË, 27 gusht/ATSH/ Piktori, studiuesi dhe një prej emrave të rëndësishëm të artit pamor shqiptar, Kujtim Buza, është ndarë nga jeta mbrëmjen e kësaj të enjteje, duke lënë pas trishtim te familjarët, miqtë, kolegët dhe dashamirësit e artit të tij.

Kujtim Buza i përkiste një familjeje të lidhur ngushtë me historinë e artit shqiptar. Ai vinte nga një familje me tradita të forta patriotike nga Gjakova dhe ishte i biri i piktorit të njohur Abdurrahim Buza, një prej themeluesve dhe mjeshtërve të pikturës moderne shqiptare.

I rritur në një familje ku arti ishte pjesë e jetës së përditshme, Kujtim Buza u njoh me pikturën që në fëmijëri. Pranë të atit, ai u formua artistikisht dhe kultivoi dashurinë për artin, të cilit më pas do t’i kushtonte gjithë jetën.

Rrugëtimi i tij krijues u shtri në disa dekada, duke e bërë atë një emër të njohur në jetën artistike dhe kulturore shqiptare. Krahas krijimtarisë në pikturë, Buza u angazhua edhe në studimin dhe dokumentimin e artit, duke dhënë kontribut në njohjen dhe ruajtjen e trashëgimisë pamore shqiptare.

Një tjetër pjesë e rëndësishme e veprimtarisë së tij ishte drejtimi i Galerisë Kombëtare të Arteve, ku kontribuoi në jetën institucionale të artit shqiptar.

Krijimtaria e Kujtim Buzës është pjesë edhe e fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve, duke mbetur pjesë e trashëgimisë artistike të vendit dhe e kujtesës kulturore shqiptare.

Ndarja e tij nga jeta shënon humbjen e një figure të rëndësishme të artit pamor shqiptar, por vepra dhe kontributi i tij mbeten pjesë e historisë së artit shqiptar.

Për ndarjen nga jeta të Kujtim Buzës kanë shprehur ngushëllime familjarët, miqtë, kolegët dhe personalitete të jetës kulturore e artistike të vendit.

/a.f/

The post Ndahet nga jeta piktori dhe studiuesi Kujtim Buza appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌