TIRANË, 5 korrik /ATSH/ Qytetarët janë mbledhur sërish sot në protestën e 36 me të njëjtin itinerar, duke nisur nga sheshi “Skënderbej”, për të vijuar marshimin drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Një prej organizatorëve të protestës, Arben Kola u bëri thirrje qytetarëve me megafon nga sheshi “Skënderbej”, që të mos bien pre e propagandës.
“Në shesh dalin ata që e kanë kuptuar që protestohet në mënyrë paqësore deri në rrëzimin e kësaj qeverie”, tha Kola.
Ai u shpreh se “protesta deri në fund do të jetë paqësore pavarësisht se oligarkët dhe qeveria nxit njerëz për të parë dhunë”.
Ndërsa Albion Nikolli, një tjetër protestues që u lirua sot nga qelia pas arrestimit në protestën përpara Parlamentit, tha se është dhunuar brenda ambienteve të komisariatit.
“Nuk kemi marrë ndihmë mjekësore dhe nuk na është bërë ekspertizë. Kam shenja në trup nga dhuna, jo vetëm unë”, tha Nikolli.
Në podiumin e fjalimeve përpara godinës së Kryeministrisë, një protestues u shpreh se po kërkohet fundi i tranzicionit.
“Nuk kërkojmë më shumë se fundin e tranzicionit dhe procese demokratike. Bindju zërit të protestuesve. Dorëheqje! Hapni rrugën ajkës së Shqipërisë, të bëhet një qeveri teknike”, tha ai.
Një tjetër aktiviste e protestës, në ditën e 36-t të organizimit, u ndal te tubimi i ditës së djeshme. Ajo u shpreh se protesta e djeshme ishte ndër më masivet dhe pati jehonë edhe në mediet ndërkombëtare. “Reagime pati në BE dhe Amerikë, si pasojë e vullnetit tonë. Shqiptarët dhe diaspora bashkë dhe do ta rrëzojnë qeverinë”, tha ajo.
Një qytetare lexoi kërkesat e nismëtarëve dhe pjesëmarrësve të protestës: dorëheqja e panegociueshme të kryeministrit dhe qeverisë, krijimi i një qeverie teknike tranzitore për jo më pak se 12 muaj, ndryshime kushtetuese dhe miratimin e tyre me referendum, ku përfshihet ndryshimi i Kodit Zgjedhor dhe kufizimi i ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate.
Po ashtu, nismëtarët e kësaj proteste kërkojnë r anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, anulimin e ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore, shfuqizimin e “Paketës së Maleve” dhe statusin e kuadrit ligjor për investimet strategjike.
Në foltore kanë përcjell mesazhet e tyre qytetarë të moshave të ndryshme. Një protestuese u shpreh se “duhet të organizohemi sa më parë, të krijojmë një pol të tretë”.
“Jemi në vitin 1991 sërish, por kësaj here kërkojmë liri, demokraci dhe e duam Shqipërinë si gjithë Evropa seriozisht. Ju them që mund të krijohen disa lëvizje dhe qëllimi është të përkthehen në parti politike. Sa më shpejt ta realizojmë, aq më shpejt ndodh përmbysja e këtij sistemi. Intelektualë mos qëndroni indiferentë, është momenti për të reaguar, bëni zgjedhjen tuaj”, theksoi ajo nga foltorja e tyre para Kryeministrisë.
Ndërsa një qytetare e ardhur nga Milano u shpreh se “sot më shumë se kurrë duhet të demonstrojmë se jemi të bashkuar. Mos harroni. Ne jemi jemi rritur me diktatura të ashpra. Jemi rritur në kohën e Sali Berishës që vrau miliona bijë nënash. Nënat janë veshur me shami të zeza. Mos harroni vëllezër, Saliu hapi depot, duke shitur armët, duke futur përçarjen mes nesh, duke na vrarë djemtë e nënave dhe duke hedhur baltë mbi ne. Duhet të jemi të gjithë bashkë”.
Me thirrjet “Shqipëri e Re” dhe “Rama, jep dorëheqjen”, pas rreth dy orësh fjalime përballë Kryeministrisë, protestuesit vijuan me marshimin në rrugët e Tiranës.
/e.i/ /a.g/
The post Qytetarët vijojnë protestën para Kryeministrisë në ditën e 36 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.