Normal view

Received — 16 June 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

BOTËRORI 2026 – Tifozët senegalezë nuk lejohen të udhëtojnë drejt SHBA-së

16 June 2026 at 21:12

NJU JORK, 16 qershor /ATSH-AFP/ – Senegali po përgatitet për pjesëmarrjen e tij në Kupën e Botës 2026 me ambicie të mëdha, megjithëse ekipi do të përballet me një mungesë të rëndësishme; tifozët e tij nuk do të mund ta mbështesin në stadiume.

Autoritetet amerikane kanë refuzuar dhënien e vizave për shumë mbështetës senegalezë, si pasojë e rregullave të rrepta të emigracionit që zbatohen nga një prej vendeve organizatore të turneut.

Sekretari i përgjithshëm i Federatës senegalese të Futbollit, Abdoulaye Sow, e quajti “të pakëndshme” situatën, por theksoi se vendi i tij duhet të respektojë ligjet amerikane.

Ai pranoi se mungesa e tifozëve do të jetë një pengesë, pasi Senegali tradicionalisht ka pasur mbështetje të madhe në kompeticionet ndërkombëtare.

Ndeshja e parë e Senegalit do të zhvillohet  sot kundër France në Nju Xhersi, ndërsa më pas do të përballet me Norvegjinë.

Edhe pse tifozët zyrtarë nuk do të jenë të pranishëm, drejtuesit e ekipit shpresojnë se komunitetet afrikane dhe senegaleze që jetojnë në SHBA do të krijojnë një atmosferë mbështetëse.

Kjo është paraqitja e katërt e Senegalit në një Kupë Bote. Arritja më e madhe e kombëtares mbetet çerekfinalja e vitit 2002, ndërsa në edicionin e fundit në Katar skuadra arriti deri në fazën e 1/8-ave. Për këtë arsye, Senegali konsiderohet një nga ekipet që mund të surprizojnë edhe këtë vit.

Skuadra vazhdon të udhëhiqet nga ylli Sadio Mane dhe renditet e 16-ta në botë.

Megjithatë, muajt e fundit janë shoqëruar me polemika pas finales së Kupës së Afrikës, ku Senegali fitoi ndaj Marokut, por më pas iu hoq titulli nga Konfederata Afrikane e Futbollit për shkak të incidenteve gjatë ndeshjes.

Federata senegaleze e ka apeluar vendimin në Gjykatën of Arbitrazhit dhe pret vendimin përfundimtar.

Sipas Sow, për sa kohë çështja është ende në shqyrtim, Senegali e konsideron veten kampion të Afrikës.

Megjithatë, prioriteti i ekipit mbetet Kupa e Botës, ku synon të dëshmojë vlerat e tij pavarësisht vështirësive jashtë fushës. /Ad.Ab./

The post BOTËRORI 2026 – Tifozët senegalezë nuk lejohen të udhëtojnë drejt SHBA-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 15 June 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

BOTËRORI 2026 – Stadiumet humbasin “përkohësisht” emrat e sponsorëve

15 June 2026 at 17:05

NJU JORK, 15 qershor /ATSH-AFP/ – Tifozët që po ndjekin ndeshjet e para të Kupës së Botës 2026 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të habiten kur të shohin emra të panjohur stadiumesh.

Kjo sepse FIFA ka zbatuar politikën e saj të njohur si “stadiumi i pastër” , e cila ndalon shfaqjen e markave të kompanive që nuk janë sponsorë zyrtarë të turneut.

Si rezultat, stadiumi i njohur zakonisht si “SoFi Stadium” do të quhet gjatë turneut “Los Angeles Stadium”.

Në mënyrë të ngjashme, “MetLife Stadium” do të quhet “New York New Jersey Stadium”, ndërsa “NRG Stadium” do të njihet si “Houston Stadium”.

Këto ndryshime nuk i kanë pëlqyer sponsorëve, të cilët kanë paguar qindra miliona dollarë për të siguruar të drejtat e emërtimit të stadiumeve.

Megjithatë, ekspertët e marketingut sportiv theksojnë se kompanitë kishin pak mundësi për ta shmangur këtë situatë për shkak të rregullave të FIFA-s.

Sipas FIFA-s, emrat zyrtarë të stadiumeve për Kupën e Botës 2026 janë përshtatur me emrat e qyteteve pritëse dhe mund të ndryshojnë nga emërtimet që përdoren zakonisht në nivel lokal.

Një përjashtim është “BC Place në Kanada”, i cili nuk preket nga kjo rregullore. Ndërkohë, në “Mercedes-Benz Stadium”, FIFA ka lejuar që logoja gjigante e prodhuesit të makinave “Mercedes-Benz” të mbetet e dukshme, pasi mbulimi i saj do të rrezikonte dëmtimin e strukturës së çatisë.

Në Seattle, kompania “Lumen” zgjodhi ta trajtonte situatën me humor.

Ajo publikoi një video ku drejtuesit e saj kërkonin në stadium çdo gjurmë të logos së kompanisë për ta hequr, ndërsa në mënyrë ironike logoja shfaqej vazhdimisht në ekran.

Politika e “stadiumeve të pastra” nuk do të përfundojë me Botërorin.

Stadiumi “SoFi” do të duhet të heqë sërish markën e sponsorit edhe në vitin 2028, kur do të presë ceremoninë e hapjes dhe aktivitete të tjera të rëndësishme të Lojërave Olimpike 2028 në  Los Anxheles. /Ad.Ab./

The post BOTËRORI 2026 – Stadiumet humbasin “përkohësisht” emrat e sponsorëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 13 June 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

BOTËRORI 2026 – Dhunë, uri dhe mërgim: rruga e vështirë e Haitit drejt Kupës së Botës

13 June 2026 at 13:11

LAJPCIG, 13 qershor /ATSH-DPA/ – Trajneri  i Haitit, Sebastien Migne, e sheh me optimizëm aventurën e madhe të vendit të tij në Kupën e Botës, pavarësisht vështirësive të shumta që shoqërojnë kombin ishullor të trazuar nga krizat.

“Sigurisht që është një grup i fortë. Por, nëse e shohim nga ana pozitive, do të jemi në qendër të vëmendjes dhe ky është një shpërblim i madh për djemtë”, tha ai.

Ndeshjet kundër Skocisë, Brazilit dhe Marokut  janë një arritje jo vetëm për lojtarët, por për të gjithë popullin haitian, i cili jeton dhe merr frymë me futbollin.

Mesfushori Jean-Ricner Bellegarde kujton se kualifikimi solli gëzim në vend për disa ditë.

“Kur u kualifikuam, vendi ishte i lumtur për një ose dy ditë. Ndoshta mund ta bëjmë sërish këtë,” tha ai.

Bellegarde, që luan për “Wolverhampton Wanderers F.C” në Angli., ka një të përbashkët me trajnerin e tij: asnjëri nuk ka qenë ndonjëherë në Haiti.

“Është e pamundur sepse është shumë e rrezikshme”, tha Migne.

Ai shpjegoi se zakonisht jeton në vendet ku punon, por në Haiti kjo nuk është e mundur, pasi fluturimet ndërkombëtare drejt vendit janë ndërprerë.

Edhe stadiumi kombëtar në Port-au-Prince është mbyllur që nga shkurti i vitit 2024.

Zona përreth stadiumit, ashtu si rreth 90 për qind e kryeqytetit, kontrollohet nga bandat kriminale.

Dhuna, korrupsioni, uria dhe paqëndrueshmëria politike kanë shndërruar jetën e 12 milionë banorëve të Haitit në një sfidë të përditshme.

Megjithatë, futbolli vazhdon të ofrojë një dritë shprese.

“Sidomos për të rinjtë që rriten në Haiti në këto rrethana, futbolli u jep besim,” tha Bellegarde. Për shkak të situatës së sigurisë, ndeshjet kualifikuese si vendas u luajtën në Curaçao, shpesh para vetëm 500 tifozëve.

Edhe në Kupën e Botës pritet një situatë e ngjashme.

Për shkak të kufizimeve të hyrjes në SHBA, haitianët pa vizë nuk mund të udhëtojnë drejt vendit organizator. Për më tepër, çmimet e biletave dhe kostot e udhëtimit janë jashtë mundësive për shumicën e tyre.

Kështu, pjesa më e madhe e tifozëve do ta ndjekë paraqitjen e dytë historike të Haitit në Kupën e Botës, pas vitit 1974, vetëm nga ekranet televizive.

Krahas Bellegarde, figurat kryesore të ekipit janë mbrojtësi Johny Placide dhe sulmuesi Duckens Nazon.

Ky i fundit ka shënuar 44 gola në 78 ndeshje me kombëtaren.

Në skuadër bën pjesë edhe portieri Josue Duverger, i cili luan për klubin gjerman “Cosmos Koblenz”.

Nën drejtimin e Migne, Haiti ka fituar disiplinë, unitet dhe vetëbesim, duke grumbulluar mesatarisht 1.83 pikë për ndeshje në 24 takime.

Trajneri 53-vjeçar mbetet realist për shanset e ekipit.

“Në një ndeshje të vetme mund të ndodhë gjithçka. Ne duam të shkruajmë një kapitull të ri në histori me këta lojtarë”, tha ai.

Pesëdhjetë e dy vjet më parë, Haiti humbi të tre ndeshjet e Kupës së Botës në Gjermaninë Perëndimore kundër Italisë, Polonisë dhe Argjentinës, me golaverazh 2-14.

Megjithatë, legjenda Emmanuel Sanon hyri në histori me dy golat e tij. Me 100 paraqitje dhe 47 gola, ai mbetet rekordmeni i kombëtares.

Nazon është vetëm tre gola larg këtij rekordi.

Rrugëtimi i tij drejt Kupës së Botës ishte po aq dramatik sa historia e vendit që përfaqëson. Sulmuesi i “Esteghlal F.C”. ndodhej në Iran kur nisën sulmet ajrore amerikano-izraelite kundër vendit.

“Në avion na thanë të zbrisnim sepse lufta sapo kishte filluar”, kujton Nazon.

Më vonë, sipas tij, një raketë goditi vetëm rreth 100 metra larg vendit ku ndodhej. Ai u largua me makinë dhe arriti të dalë nga Irani përmes Azerbajxhanit pas një udhëtimi 20-orësh.

Përvoja e ka bërë edhe më të vendosur.

“Nuk kemi frikë nga askush. Jemi modestë, por krenarë sepse jemi haitianë”, tha Nazon.

“Dua të shënoj një gol në Kupën e Botës. Nuk ka rëndësi kundër kujt”, shtoi ai./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post BOTËRORI 2026 – Dhunë, uri dhe mërgim: rruga e vështirë e Haitit drejt Kupës së Botës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 12 June 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

BOTËRORI 2026 – Turneu më i madh në histori, 48 skuadra, 104 ndeshje pushtojnë qershorin

12 June 2026 at 21:45

TIRANË, 12 qershor /ATSH/- Kupa e Botës për Meshkuj 2026 po afron me shpejtësi, me 48 skuadra që do të garojnë në 104 ndeshje përgjatë 39 ditëve, në tre shtete të Amerikës së Veriut, në një garë gjigante, për t’u shpallur kampione të botës, sipas “NBC Sports”.

Ky do të jetë turneu më i madh në historinë e futbollit, i organizuar nga Kanadaja, Meksika dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe pritshmëritë janë në maja!

Maratonë futbolli, deri në 12 orë lojë në ditë

Tifozët do të përjetojnë një spektakël të jashtëzakonshëm, gati 12 orë futboll çdo ditë gjatë fazës së grupeve.

Në dy ditët e para, zhvillohen nga dy ndeshje në ditë, me Meksikën, Kanadanë dhe SHBA-në, që shfaqen për herë të parë në arenën e tyre.

Por, më pas, nga 13 deri më 27 qershor, çdo ditë do të ketë të paktën katër ndeshje, të shpërndara nga mesdita deri pas mesnate.

Edhe më intensiv bëhet gjithçka nga 24 deri më 27 qershor, kur do të zhvillohen gjashtë ndeshje në ditë, me tre orare të ndryshme dhe dy takime që luhen paralelisht.

Në total, 72 ndeshje të fazës së grupeve do të dominojnë pjesën më të madhe të qershorit.

Skuadrat pritëse nën presion, por në formë të mirë

Tre vendet organizatore po përballen me presion të madh, por deri tani po duken të përgatitura.

Kanadaja, nën drejtimin e Jesse Marsch, po vjen me paraqitje solide në miqësore dhe duket gati për debutimin historik në Botërorin 2026 në terrenin e saj.

Gjendja fizike e Alphonso Davies mbetet një shqetësim, ndërsa dëmtimi i Marcelo Flores ka qenë një goditje e rëndë.

Megjithatë, Jonathan David, Cyle Larin dhe Tajon Buchanan pritet të jenë vendimtarë në një grup të konsideruar i përballueshëm.

Meksika vjen me besim të rritur pas fitores 5–1 ndaj Serbisë në miqësoren e fundit.

Edhe pse vitet e fundit kanë qenë të vështira, ekipi i Javier Aguirre është optimist për një grup të favorshëm dhe do të mbështetet te atmosfera elektrizuese në Meksiko Siti dhe Guadalajara.

Ndërkohë, SHBA-ja nën drejtimin e Mauricio Pochettino-s vjen pas paraqitjeve inkurajuese kundër Senegallit dhe Gjermanisë.

Sistemi taktik 3-4-2-1 po funksionon mirë dhe skuadra duket e aftë, të përfundojë në dy vendet e para të Grupit D, nëse shmang dëmtimet kryesore.

Yjet në forma të ndryshme, debatet nuk mungojnë

Emrat e mëdhenj të futbollit botëror vijnë në këtë turne në forma të ndryshme sportive.

Cristiano Ronaldo, tashmë 41 vjeç, vazhdon të shihet si favorit për Portugalinë, por gjithnjë e më shumë diskutohet roli i tij si zëvendësues i rëndësishëm, ndërsa Bruno Fernandes është në formën e tij më të mirë.

Kylian Mbappé kërkon rikthimin pas një periudhe të vështirë te Real Madridi, por mbetet sulmuesi kryesor francez dhe një nga favoritët për Këpucën e Artë.

Lionel Messi, që do të mbushë 39 vjeç gjatë turneut, synon të udhëheqë Argjentinën drejt një tjetër trofeu historik dhe i mungojnë vetëm katër gola, për të vendosur rekordin absolut të golashënuesit më të mirë në historinë e Botërorit.

Harry Kane vjen në formë të jashtëzakonshme pas një sezoni rekord me Bayern Munich dhe pritet të jetë lojtari kryesor i Anglisë.

Ndërkohë, Lamine Yamal i Spanjës dhe Raphinha i Brazilit po konsiderohen si lojtarë vendimtarë, ndërsa Neymar mund të jetë surpriza e fundit nga pankina, nëse rikuperohet plotësisht.

Vapa, një armik i fshehtë i turneut

Temperaturat e larta dhe lagështia në Amerikën e Veriut pritet të ndikojnë ndjeshëm në performancën e skuadrave.

Disa ekipe si Anglia kanë përdorur metoda të veçanta stërvitjeje, për t’u përshtatur me nxehtësinë, ndërsa të tjera kanë qëndruar në vendet e tyre, deri në momentin e fundit për t’u përgatitur sa më mirë.

Ekspertët paralajmërojnë se faza e grupeve mund të sjellë surpriza të mëdha, pasi shumë skuadra mund të vuajnë nga lodhja dhe kushtet ekstreme.

Kandidatët surprizë dhe “dark horse-ët”

Skocia, Norvegjia, Bregu i Fildishtë, Ekuadori dhe Senegali përmenden si skuadra që mund të befasojnë.

Edhe Portugalia, Belgjika dhe Holanda konsiderohen në formë të mirë dhe me potencial për të shkuar larg.

Ndërkohë, kombëtare si Uzbekistani, Haiti, Curaçao dhe Kepi i Gjelbër mund të sjellin rezultate surprizë, edhe pse kualifikimi në fazën me eliminim direkt, mbetet një sfidë e madhe.

Historia e Botërorit në Amerikën e Veriut kujton surprizat e mëdha të vitit 1994, kur Suedia dhe Bullgaria arritën deri në gjysmëfinale.

Dhe shumë besojnë se edhe këtë herë, mund të ketë një ose disa “histori Hirushesh”.

Një Botëror i pazakontë, i madh, intensiv dhe plot surpriza po vjen – dhe futbolli botëror po përgatitet për verën më intensive në histori. / /a.i/

The post BOTËRORI 2026 – Turneu më i madh në histori, 48 skuadra, 104 ndeshje pushtojnë qershorin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BOTËRORI 2026 – Shakira dhe BTS në finale, FIFA sjell për herë të parë spektakël muzikor

12 June 2026 at 20:30

TIRANË, 12 qershor /ATSH/- Për herë të parë në historinë e Kupës së Botës, finalja e Botërorit 2026 do të shoqërohet me një spektakël muzikor gjatë pushimit mes dy pjesëve, në një format të ngjashëm me shfaqjen e famshme të Super Bowl-it, sipas medias amerikane “TIME”.

Finalja do të zhvillohet më 19 korrik në stadiumin “MetLife” të Nju Xhersit dhe pritet të ndiqet nga një audiencë rekord globale.

FIFA synon që eventi të shërbejë jo vetëm si kulmi i turneut, por edhe si një platformë për promovimin e fondit arsimor “Fondi i FIFA-s për Edukimin Global të Qytetarëve”.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino e ka cilësuar shfaqjen, si një moment historik për Kupën e Botës dhe një spektakël të denjë për ngjarjen më të madhe sportive në botë.

Programi artistik është kuruar nga Chris Martin, ndërsa në skenë do të ngjiten emra të njohur të muzikës botërore.

Mes tyre spikat Shakira, e cila rikthehet edhe një herë, në një event madhor të futbollit pas suksesit të hit-it “Waka Waka” në Botërorin 2010.

Këngëtarja kolumbiane do të interpretojë së bashku me Burna Boy, me të cilin ka realizuar himnin zyrtare të këtij Botërori, “Dai Dai”.

Në spektakël do të marrin pjesë gjithashtu grupi koreano-jugor BTS, legjenda e muzikës pop Madonna dhe trupa e vallëzimit “Ghetto Kids” nga Uganda.

Të ardhurat e krijuara nga himni zyrtar dhe aktivitetet e lidhura me spektaklin do të mbështesin programet arsimore dhe projektet e futbollit për fëmijët, në më shumë se 200 vende të botës.

FIFA dhe organizata “Global Citizen” synojnë të mbledhin 100 milionë dollarë për këtë nismë.

Organizatorët kanë lënë të kuptohet, se gjatë mbrëmjes do të ketë edhe surpriza të tjera, ndërsa nuk është konfirmuar ende nëse vetë Chris Martin do të ngjitet në skenë gjatë finales së madhe të Botërorit 2026. //a.i/

The post BOTËRORI 2026 – Shakira dhe BTS në finale, FIFA sjell për herë të parë spektakël muzikor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BOTËRORI 2026 – Tre kartonë të kuq vendosin rekord që në ndeshjen e parë

12 June 2026 at 10:18

MEKSIKO SITI, 12 qershor /ATSH/- Ndeshja hapëse e Kupës së Botës 2026 mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut nuk u dallua aq shumë për cilësinë e futbollit, sa për dramat dhe incidentet në fushë. Në fund, vendësit e Meksikës fituan me rezultatin 2-0, duke marrë tri pikët e para në turne, sipas “TheWorldCUp.com”

Megjithatë, ajo që do të mbahet mend më shumë nga kjo përballje është numri i pazakontë i kartonëve të kuq të dhënë në pjesën e dytë të takimit. Gjyqtari brazilian Wilton Pereira Sampaio përjashtoi nga loja dy futbollistë të Afrikës së Jugut, Sphephelo Sithole dhe Themba Zwane, si dhe mbrojtësin meksikan César Montes.

Tre kartonë të kuq në një ndeshje hapëse përbëjnë një rekord të ri në historinë e Kupave të Botës. Statistika bëhet edhe më e jashtëzakonshme po të kihet parasysh se në dy edicionet e mëparshme, në vitet 2018 dhe 2022, u dhanë gjithsej vetëm katër kartonë të kuq.

Megjithatë, rekordi absolut për numrin më të madh të përjashtimeve në një ndeshje të Kupës së Botës mbetet ende i pathyer. Ai i përket sfidës së famshme të njohur si “Beteja e Nurembergut”, gjatë Kupës së Botës 2006, kur katër lojtarë u përjashtuan në ndeshjen e fazës së 1/8-ave mes Portugalisë dhe Holandës. /Ad.Ab./

The post BOTËRORI 2026 – Tre kartonë të kuq vendosin rekord që në ndeshjen e parë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 11 June 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

FUTBOLL – Botërori 2026 nis me spektakël, yjet e muzikës pushtojnë ceremonitë e hapjes

MEKSIKO SITI, 11 qershor /ATSH – Ka një moment, para se të fillojë gjithçka, kur sporti pushon së qeni një garë dhe bëhet një emocion kolektiv. Kjo do të ndodhë sonte, me ceremoninë e parë të hapjes së Kupës së Botës FIFA 2026, e cila do të mund të ndiqet e plotë në DAZN, së bashku me të gjitha 104 ndeshjet e turneut.

Kupa e Botës 2026, ceremonia e hapjes

Ceremonia e hapjes do të jetë në qendër të episodit të parë të “Times Square – World Cup Time”, programit të mbrëmjes në DAZN, i cili do të nisë jashtëzakonisht sot me një lidhje ekskluzive në orën 18:30.

Kanadaja fton Michael Bublé, Alanis Morissette dhe Alessia Cara

Një ditë më vonë do të jetë radha e Kanadasë, me Toronton gati të përjetojë një moment historik: ndeshjen e parë në shtëpi të kombëtares kanadeze në një Kupë Bote për meshkuj.

Për këtë rast, ceremonia do të ketë një kast artistësh të jashtëzakonshëm: Michael Bublé, Alanis Morissette, Alessia Cara, Jessie Reyez, William Prince, Elyanna, Vegedream, Nora Fatehi dhe DJ Sanjoy.

Një përzierje që përfshin pop-in, soul-in, kantautorët, ndikimet ndërkombëtare dhe muzikën dance, për të treguar historinë e një vendi muzikor, multikulturor dhe gjithnjë e më të rëndësishëm në skenën globale.

Spektakli në Shtetet e Bashkuara: Katy Perry, Anitta, LISA, Future dhe Rema

Ceremonia amerikane premton të jetë më spektakolarja. Në Los Anxhelos, qyteti simbol i industrisë globale të argëtimit, do të ngjiten në skenë Katy Perry, Ava Max, Future, Anitta, LISA, Rema dhe Tyla.

Një listë artistësh e menduar për t’i folur të gjithë botës: pop i renditjeve më të mira, rap, K-pop, afrobeats dhe ritme latine.

Një zgjedhje që konfirmon objektivin e Kupës së Botës 2026: të jetë shumë më tepër se një turne futbolli, duke u shndërruar në një ngjarje të madhe kulturore që bashkon sportin, muzikën dhe spektaklin.

Kupa e Botës 2026: kur fillon dhe kur përfundon turneu

Finalja është planifikuar për të dielën, më 19 korrik, në zonën New York/New Jersey.
Kjo do të jetë edicioni i 23-të i turneut, por edhe i pari me 48 kombëtare pjesëmarrëse.

Ndeshjet do të zhvillohen në Kanada, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara, në 16 qytete pritëse.

HalfTime Show në finalen e Kupës së Botës

Me tre ceremoni hapjeje dhe një listë artistësh që shkon nga Katy Perry te J Balvin, nga Michael Bublé te Alanis Morissette, nga Anitta te LISA, Kupa e Botës 2026 duket e vendosur të ngrejë edhe më lart nivelin e spektaklit.

Futbolli mbetet zemra e ngjarjes, sigurisht. Por rreth topit të futbollit do të ngrihet një skenë gjigante, e menduar për të tërhequr audienca të ndryshme, breza të ndryshëm dhe komunitete muzikore nga e gjithë bota.

Aq sa këtë vit, për herë të parë, finalja e turneut do të ketë një HalfTime Show të vërtetë, në stilin e ngjarjeve më të mëdha sportive amerikane.

Një muaj me ndeshje, emocione dhe hite muzikore: numërimi mbrapsht për Kupën e Botës 2026 ka nisur zyrtarisht.  /os/

The post FUTBOLL – Botërori 2026 nis me spektakël, yjet e muzikës pushtojnë ceremonitë e hapjes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOMENT – Botërori 2026 festa më e madhe e futbollit në botë

11 June 2026 at 12:09

MEKSIKO SITI, 11 qershor /ATSH/ – Kupa e Botës 2026 nis sot në Meksikë duke shënuar fillimin e turneut më të madh në historinë e futbollit.

Për herë të parë, kampionati organizohet nga tre vende, SHBA-ja, Kanadaja dhe Meksika dhe përfshin 48 kombëtare, një zgjerim i rëndësishëm krahasuar me formatin e mëparshëm me 32 ekipe, sipas Reuters.

Ndeshja hapëse do të zhvillohet në stadiumin legjendar “Azteca” të Meksiko Siti, ku Meksika do të përballet me Afrikën e Jugut në Grupin A.

Ky stadium hyn në histori si arena e parë që pret ndeshje të Kupës së Botës në tre edicione të ndryshme.

FIFA ka vendosur të organizojë për herë të parë tre ceremoni hapëse të ndara, nga një në secilin prej vendeve organizatore, për të pasqyruar karakterin unik të këtij Botërori.

Ceremonia e parë do të mbahet sot në Meksikë dhe do të shoqërohet me performanca artistike dhe elemente të kulturës vendase.

Ceremoni të ngjashme do të zhvillohen më pas në Toronto dhe Los Anxheles para ndeshjeve të para të Kanadasë dhe SHBA-së.

Turneu do të zgjasë deri më 19 korrik dhe do të përfshijë gjithsej 104 ndeshje, një rekord i ri për Kupën e Botës.

Takimet do të luhen në 16 qytete të Amerikës së Veriut.

Botërori sjell gjithashtu disa ndryshime në rregullore, me FIFA-n që synon të reduktojë vonesat gjatë lojës dhe të përmirësojë ritmin e ndeshjeve.

Ndryshimet përfshijnë masa më të ashpra ndaj humbjes së qëllimshme të kohës dhe zgjerim të rasteve kur mund të ndërhyjë sistemi VAR.

Argjentina hyn në turne si kampione në fuqi, ndërsa Brazili, Franca, Anglia, Gjermania dhe Spanja konsiderohen ndër favoritët kryesorë për trofeun.

Vëmendja e tifozëve është përqendruar edhe te disa prej yjeve më të mëdhenj të futbollit botëror, të cilët mund të luajnë Kupën e tyre të fundit të Botës.

Me formatin e ri, pjesëmarrjen rekord dhe organizimin në tre shtete, Botërori 2026 pritet të jetë një nga ngjarjet sportive më të ndjekura dhe më fitimprurëse në historinë e futbollit botëror./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post KOMENT – Botërori 2026 festa më e madhe e futbollit në botë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 14 May 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

BOTËRORI 2026 – Madonna, Shakira dhe BTS në finalen në “Metlife Stadium”

LONDËR, 14 maj /ATSH-DPA/ – Superyjet botërore Madonna, Shakira dhe grupi koreano-jugor, BTS do të jenë artistët kryesorë të shfaqjes së parë muzikore në pushimin e finales së Kupës së Botës 2026.

Lideri i grupit “Coldplay”, Chris Martin, i cili zbuloi listën e artistëve përmes një videoje në rrjetet sociale me personazhe të “Sesame Street” dhe “Muppets”, do të jetë kuratori i këtij spektakli historik.

Finalja e Kupës së Botës është planifikuar të zhvillohet më 19 korrik në “MetLife Stadium” në Nju Xhersi.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, i cili publikoi detajet e aktivitetit edhe në Instagram, kishte njoftuar planet për këtë shfaqje që në mars të vitit të kaluar.

Ky organizim mund të bëjë që pushimi i finales të zgjasë më shumë se 15 minutat tradicionale.

Shfaqja do të organizohet në mbështetje të fondit “FIFA Global Citizen Education Fund”, një nismë që synon të mbledhë 100 milionë dollarë për të zgjeruar aksesin në arsim dhe futboll për fëmijët në mbarë botën.

Shfaqjet muzikore në pushimin e ndeshjeve janë bërë një element i rëndësishëm i eventeve sportive në Shtetet e Bashkuara të Amerikës veçanërisht gjatë “Super Bowl”.

Madonna ishte artistja kryesore e spektaklit të “Super Bowl” në vitin 2012, ndërsa Shakira performoi së bashku me Jennifer Lopez në edicionin e vitit 2020.

Vitin e kaluar, FIFA organizoi një shfaqje të ngjashme në pushimin e finales së FIFA Club World Cup në “MetLife Stadium”, ku ”Chelsea F.C.” mposhti ”Paris Saint-Germain F.C.” me rezultatin 3-0.

Kupa e Botës 2026, edicioni më i madh në histori me pjesëmarrjen e 48 kombëtareve, nis më 11 qershor dhe do të organizohet në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë./ /Ad.Ab./  a.jor.

The post BOTËRORI 2026 – Madonna, Shakira dhe BTS në finalen në “Metlife Stadium” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 15 April 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Artistët përmetarë promovojnë kulturën shqiptare në Festivalin Botëror të Folklorit

TIRANË, 15 prill/ATSH/ Ansambli Folklorik i Përmetit po merr pjesë në Festivalin Botëror të Folklorit, që zhvillohet në Itali, Francë dhe Monte Karlo.

Gjatë ditës së sotme artistët përmetarë ishin të pranishëm në Sanremo, Itali, në paradën e parë të Festivalit Botëror të Folklorit”.

Me kostumet tradicionale me vlera të rralla, vallen dhe këngën që identifikon përmetarët dhe jo vetëm, artistët po çojnë një copëz Shqipërie në Sanremo, Kanë dhe Monaco.

Gjatë ditëve të festivali ansambli pritet të prezantojë një program të pasur me valle dhe këngë popullore shqiptare, duke synuar promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare në arenën ndërkombëtare. Artistët përmetarë do të përcjellin me interpretimet e tyre traditën, kulturën dhe muzikën karakteristike përmetare.

Pjesëmarrja në këtë festival është një mundësi e shkëlqyer për të promovuar trashëgiminë kulturore shqiptare në skenën botërore, si dhe për të krijuar ura bashkëpunimi me grupe të tjera folklorike nga vende të ndryshme.

 

 

/k.s/a.f/

The post Artistët përmetarë promovojnë kulturën shqiptare në Festivalin Botëror të Folklorit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 1 April 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

BOTËRORI 2026 – ”Ciao Italia!” Media ndërkombëtare nuk kursen ironinë me skualifikimin

ROMË, 1 prill /ATSH-ANSA/ – Media ndërkombëtare e përcolli përjashtimin e azzurëve nga Botërori 2026 me habi dhe, ndonjëherë, mezi e fshehu ironinë edhe pse nuk e kurseu.

Vlerësimi më i ashpër erdhi nga tabloidi gjerman ”Bild”.

“Një tjetër turp i Kupës së Botës për Italinë!”, vërejtën gjermanët.

“Ciao Italia” ishte titulli i zgjedhur nga francezja ”L’Equipe”, duke theksuar “zhgënjimin e madh për një brez të tërë futbollistësh italianë”.

“Një rënie e pafundme” ishte titulli i versionit online të mëngjesit.

”Le Figaro” ishte e qartë kur shkruante “Një fiasko e re”.

Në Spanjë, ”Marca” i kushtoi një analizë të gjatë dhe të thellë azzurëve.

“Kriza e pafundme e futbollit italian, e vetmja kombëtare e nivelit të lartë që humbet Kupën e Botës”, shkruan ajo, ndërsa e titullonte shkrimin “E marrtë dreqi, Itali!” dhe theksonte “karmën për lojtarët italianë që festuan para ndeshjes, të bindur se do të ishin të lehtë kundër Bosnjës”.

“Tragjedi” ishte fjala e zgjedhur nga ”A Bola” në Portugali.

Në Holandë, ”De Telegraaf” kishte titullin “Dramë për Italinë jashtë fushe kundër një Bosnje në delir”.

“Një tjetër dështim për Italinë: jashtë Kupës së Botës për herë të tretë radhazi”, përmblodhi gazeta ”Olé” në Argjentinë./  a.jor.

The post BOTËRORI 2026 – ”Ciao Italia!” Media ndërkombëtare nuk kursen ironinë me skualifikimin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 31 March 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Prishtina në mbrëmjen vendimtare të Kosovës për Botërorin 2026

PRISHTINË, 31 mars/ATSH/ Rrugët dhe sheshet e kryeqytetit Prishtinë janë mbushur me tifozë që valëvitin flamuj shtetërorë dhe kombëtarë në natën kur Kosova do të përballet me Turqinë në një ndeshje finale për kualifikim në Kupën e Botës 2026. Në qytet shihet edhe një prani e tifozëve turq. Dardanët e presin Turqinë në stadiumin “Fadil Vokrri” sonte në orën 20:45 dhe fituesi do të shkojë në Botërorin e kësaj vere në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Një kafene në Prishtinë vendosi një njoftim në hyrje, përmes të cilit i fton turqit të pinë kafe falas. Njoftimi në anglisht dhe turqisht, thotë: “Sot rival, por gjithmonë MIQ! Kafe dhe çaj falas për të gjithë tifozët turq. Ju paguat në vitin 1999, sot nuk paguani”.

Flamuj të Kosovës dhe një flamur amerikan janë vendosur në stadiumin “Fadil Vokrri” teksa tifozët fillojnë të shkojnë në stadum për ndeshjen vendimtare të Kosovës kundër Turqisë për kualifikim në Botëror.

13 mijë veta pritet të jenë të pranishëm sonte në ndeshjen Kosovë-Turqi. Turqit janë ankuar për numrin e vogël të biletave që u janë dhënë.

Kryeministri Albin Kurti, një orë para fillimit të ndeshjes Kosovë-Turqi shkroi: Gjithçka e jona është sonte në Stadiumin “Fadil Vokrri”. Drejt Fitores, drejt Botërorit, drejt realizimit të ëndrrës”. Postimin e shoqëroi me një foto të tij bashkë me kombëtaren e futbollit.

Kosova nuk ka qenë kurrë më afër kualifikimit në një garë të madhe në historinë e vet, dhe fitorja kundër Sllovakisë në gjysmëfinale të plajofit, javën e kaluar, e ka bërë vendin të besojë se ëndrra e Botërorit në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë, është e arritshme. /REL/

The post Prishtina në mbrëmjen vendimtare të Kosovës për Botërorin 2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kosova përballet sot me Turqinë, natë historike mes pritjeve të jashtëzakonshme

PRISHTINË, 21 mars/ATSH/ Ndeshja mes Kosovës dhe Turqisë po përjetohet si një nga momentet më të mëdha në historinë e futbollit kosovar, një përballje që mund të përcaktojë një epokë të re për “Dardanët”. Për herë të parë, Kosova ndodhet kaq pranë një arritjeje madhore, duke e kthyer këtë duel në një ngjarje që shkon përtej sportit dhe merr dimension kombëtar.

Interesimi për këtë ndeshje ka qenë i jashtëzakonshëm që nga fillimi i këtij cikli, me mijëra tifozë që kanë kërkuar të sigurojnë një vend në stadium. Kërkesa e madhe për bileta dhe diskutimet rreth tyre vetëm sa e kanë rritur edhe më shumë tensionin dhe emocionin për këtë sfidë, duke dëshmuar se sa shumë pritet kjo përballje nga publiku.

Në të njëjtën kohë, mediat ndërkombëtare, si Reuters, BBC, Marca, MundoDeportivo, e shumë të tjera kanë po kushtojnë vëmendje të veçantë Kosovës, duke e cilësuar këtë rrugëtim si një nga historitë më të bukura të kualifikimeve. Nga një ekip i ri në arenën ndërkombëtare, Kosova është shndërruar në një skuadër që sfidon seriozisht për një vend në skenën më të madhe të futbollit botëror.

Përballë saj qëndron Turqia, një kundërshtar me përvojë dhe traditë, që e bën këtë sfidë edhe më të madhe. Megjithatë, besimi në kampin kosovar është në rritje, ndërsa vendosmëria për të shkruar histori mbetet motivi kryesor i skuadrës dhe tifozëve.

Ministri i Sportit i Turqisë, Osman Asskin Bak, ka komentuar ndeshjen e shumëpritur ndërmjet Kosovës dhe Turqisë. Ai për KosovaPress ka thënë se gjithçka do të vendoset në fushën e lojës nga vetë futbollistët, duke theksuar rëndësinë dhe nivelin e lartë të kësaj përballjeje.

 

Kjo ndeshje nuk është vetëm një finale, është një moment jetik që mund të vendosë të ardhmen e futbollit në Kosovë. Një fitore do të hynte në librat e historisë dhe do ta vendoste vendin në hartën e madhe të futbollit botëror, duke e kthyer këtë mbrëmje në një kujtim të paharrueshëm për të gjithë.

Deri në këtë pikë, Kosova arriti pas shumë përpjekjeve për anëtarësim në FIFA dhe UEFA.

Një fitore eventuale e Kosovës sot, vlen një vend në Kampionatin Botëror të futbollit 2026. /KosovaPress/

The post Kosova përballet sot me Turqinë, natë historike mes pritjeve të jashtëzakonshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 26 March 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Shqipëria humb 2-1 ndaj Polonisë, shuhet ëndrra për Botërorin 2026

26 March 2026 at 22:05

TIRANË, 26 mars /ATSH/ Shqipëria u mund sot 2-1 nga Polonia në gjysmëfinalen e play-off-it për Kupën e Botës 2026 në stadiumin “PGE Narodowy”, duke mbyllur ëndrrën për një pjesëmarrje historike në finalet e Botërorit në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

Ky rezultat i heq kuqezinjve shansin për të marrë një vend historik në finalet e Botërorit.

Golat e ndeshjes erdhën nga Arbër Hoxha në minutën e 42-të për Shqipërinë, Lewandowski në minutën e 63-të për Poloninë, dhe Zielinski në minutën e 74-t, që vulosi fitoren e vendasve.

Trajneri Sylvinho e nisi takimin me Strakoshën në portë, ndërsa mbrojtja përbëhej nga Mitaj, Gjimshiti, Ajeti dhe Hysaj. Në mesfushë aktivizoheshin Asllani, Shehu, Laçi dhe Bajrami, ndërsa në sulm luanin Hoxha dhe Uzuni. Nga ana tjetër, Polonia e drejtuar nga Jan Urban, aktivizoi Grabaran në portë, me Kiwior, Bednarek dhe Kedziora në mbrojtje, Skoras, Zielinski, Szymański dhe Cash në mesfushë, dhe Kaminski, Lewandowski dhe Rogza në sulm. Ndeshja u gjykua nga arbitri anglez Anthony Taylor.

Polonia e nisi sfidën me rrezikshmëri, por Shqipëria mbrojti me kujdes. Në minutën e 2, një aksion nga e djathta u ndal nga ndërhyrja e saktë e Juljan Shehut, ndërsa në minutën e 5, Lewandowski iu afrua golit, por goditja e tij devijohet dhe Polonia fiton këndore. Në minutën e 8, Bednarek provon me kokë, por Hysaj largon mbi vijën fatale, duke ruajtur portën e Strakoshës të paprekur.

Në minutën e 17-të Shqipëria bëri një zëvendësim të detyruar, pasi Ajeti u dëmtua dhe vendin e tij e zuri Ismajli. Në minutën e 27, Laçi rrëmben një top pranë zonës dhe provon me një gjuajtje të fortë, por topi përfundon në duart e portierit polak.

Momenti vendimtar i pjesës së parë erdhi në minutën e 42-të, kur Arbër Hoxha përfitoi nga një gafë në prapavijën polake dhe shënoi, duke dhënë avantazhin 0-1 për Shqipërinë. Pjesa e parë përfundoi me kuqezinjtë në epërsi.

Në minutën e 49-të, Zielinski provon një gjuajtje të rrezikshme, por topi kalon ngjitur me shtyllën, duke shkaktuar drithërima në portën shqiptare. Në minutën e 53-të, Hoxha shpërdoron një mundësi të artë pas një kundërsulmi të shpejtë, ndërsa një minutë më pas, Bajrami humb një rast të pastër shënimi, pasi gjuan mbi portë, pas pasimit të marrë nga Hysaj.

Polonia reagoi me Lewandowskin, dhe në minutën e 63-të barazon shifrat 1-1 pas një goditjeje këndi, ku sulmuesi e dërgon topin me kokë në rrjetë.

Shqipëria bën dy zëvendësime në minutën e 67-të, largohen Hoxha dhe Nedim Bajrami, ndërsa në fushë futen Broja dhe Stavro Pilo. Në minutën e 72-të, një tjetër mundësi e artë për kuqezinjtë shpërdorohet, pasi Broja asiston për Pilo, por tentativa e tij ndalet nga portieri polak.

Në minutën e 74-t, Polonia kalon në avantazh me një supergol të Zielinskit, duke tronditur Kombëtaren shqiptare dhe duke vulosur fitoren 2-1 të vendasve.

Shqipëria përkundër rasteve të shumta të krijuara dhe mbështetjes së zjarrtë të mbi 3 mijë tifozëve në stadium, nuk arriti të ruajë avantazhin dhe humbi shansin për të marrë pjesë në Kupën e Botës 2026.

Kjo humbje lë një shije të hidhur për lojtarët dhe tifozët shqiptarë, por mbetet një kapitull historik për Kombëtaren kuqezi, e cila për herë të parë arriti në gjysmëfinale të play-off-it të Botërorit.

/gj.m/r.e/a.f/

The post Shqipëria humb 2-1 ndaj Polonisë, shuhet ëndrra për Botërorin 2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëria përballet sot me Poloninë në “play-off”-in e Botërorit 2026

26 March 2026 at 07:55

TIRANË, 26 mars /ATSH/ Kombëtarja shqiptare e futbollit do të zbresë sot në fushë për një nga ndeshjet më të rëndësishme të saj, teksa përballet me Poloninë në fazën “play-off” të Kupës së Botës 2026.

Takimi do të luhet në orën 20:45 në stadiumin “PGE Narodowy” në Varshavë, ku kuqezinjtë synojnë një rezultat pozitiv për të mbajtur gjallë ëndrrën e kualifikimit. Ndeshja do të drejtohet nga arbitri anglez, Anthony Taylor.

Në total, Shqipëria dhe Polonia janë përballur 15 herë mes tyre, me bilancin që favorizon polakët: 10 fitore për Poloninë, 3 barazime dhe 2 fitore për Shqipërinë.

Ky historik dëshmon vështirësinë e sfidës, por nuk përjashton surpriza në përballjet e ardhshme.

Ndeshja e parë mes dy skuadrave daton në vitin 1949, ku Polonia fitoi 2-1 në një takim miqësor.

Shqipëria regjistroi fitoren e saj të parë në vitin 1953, duke triumfuar 2-0 në shtëpi me gola të Loro Boriçit dhe Refik Resmjes.

Në dekadat në vijim, Polonia ka dominuar kryesisht përballjet, sidomos në ndeshjet kualifikuese për kompeticionet madhore. Megjithatë, kujtimi më i fundit është pozitiv për kuqezinjtë. Shqipëria fitoi 2-0 ndaj Polonisë më 10 shtator 2023 në Tiranë, në kuadër të kualifikueseve të EURO 2024, me gola të Jasir Asanit dhe Mirlind Dakut.

Ky sukses ka rritur ndjeshëm besimin në skuadër dhe ka ndryshuar perceptimin për diferencat mes dy ekipeve, duke shtuar optimizmin në prag të sfidës së sotme.

Polonia konsiderohet favorite për shkak të faktorit fushë, por Shqipëria synon të përsërisë paraqitjen pozitive të viteve të fundit dhe të përmbysë historikun mes dy skuadrave.

Ndërkohë, Federata Shqiptare e Futbollit njofton se të gjitha biletat e vëna në dispozicion për tifozët shqiptarë për këtë ndeshje janë shitur. FSHF falënderon tifozët për mbështetjen dhe i fton të respektojnë udhëzimet e përcaktuara nga organizatorët.

Ndeshja e sotme konsiderohet një test kyç për ambiciet e Shqipërisë në rrugën drejt Botërorit 2026, ndërsa kuqezinjtë do të kërkojnë një tjetër rezultat pozitiv për të vijuar ëndrrën e madhe të kualifikimit.

/gj.m/a.f/r.e/

The post Shqipëria përballet sot me Poloninë në “play-off”-in e Botërorit 2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 25 March 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Shqipëri-Poloni, historiku i përballjeve në prag të “play off”-it për Botërorin 2026

25 March 2026 at 08:00

TIRANË, 25 mars /ATSH/ Kombëtarja kuqezi do të përballet me Poloninë në Varshavë të enjten në mbrëmje, në sfidën e parë “play off” për Kupën e Botës 2026.

Në total, dy përfaqësueset janë përballur 15 herë, me Shqipërinë që ka regjistruar dy fitore, tre barazime dhe dhjetë humbje.

Ky bilanc tregon qartë vështirësinë e sfidave ndër vite, por njëkohësisht lë të hapur mundësinë për një kthesë në përballjet e ardhshme.

Historia e ndeshjeve nis në vitin 1949, ku Polonia fitoi 2-1 në miqësore. Shqipëria arriti suksesin e parë në vitin 1953, duke triumfuar 2-0 në shtëpi me gola të Loro Boriçit dhe Refik Resmjes.

Në dekadat që pasuan, polakët dominuan kryesisht përballjet, sidomos në ndeshjet kualifikuese për kompeticionet madhore ndërkombëtare.

Megjithatë, kujtimi më i freskët është pozitiv për Shqipërinë. Fitorja 2-0 në Tiranë më 10 shtator 2023, në kuadër të kualifikueseve të EURO 2024, me gola të Jasir Asanit dhe Mirlind Dakut përbën një nga rezultatet më të rëndësishme të viteve të fundit. Ajo ndeshje rriti ndjeshëm besimin në skuadër dhe dëshmoi se kuqezinjtë mund të rivalizojnë me kundërshtarë të fortë.

Polonia vjen në këtë sfidë me një epërsi të lehtë pasi luan në fushën e vet, por suksesi i vitit 2023 ka ndryshuar perceptimin dhe ka shtuar optimizmin në prag të sfidës së radhës.

Ndeshja për “play off”-in e Botërorit konsiderohet një test kyç për ambiciet e Shqipërisë, ndërsa historiku mbetet një sfidë që kuqezinjtë synojnë ta përmbysin me një tjetër paraqitje pozitive.

/gj.m/r.e/j.p/

The post Shqipëri-Poloni, historiku i përballjeve në prag të “play off”-it për Botërorin 2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 10 January 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Kosova optimiste për play-offin e Botërorit 2026, vlerësohet trajneri Foda

10 January 2026 at 11:48

PRISHTINË, 10 janar/ATSH/ Kombëtarja e Kosovës në futboll po vlerësohet pozitivisht për performancën e deritanishme drejt play-offit për Botërorin 2026, me theks të veçantë te puna e trajnerit Franco Foda dhe rritja e dukshme e cilësisë së ekipit. Pas daljes së dytë në një grup të fortë me Zvicrën, Suedinë dhe Slloveninë, Kosova do të përballet me Sllovakinë në mars.

Profesori dhe analisti Malsor Gjonbalaj vlerëson se drejtimi i Fodës ka qenë i suksesshëm jo vetëm sportivisht, por edhe organizativisht.

“Mendoj që trajneri Foda ka vendosur disiplinë dhe një vizion të qartë për ekipin. Futbollistët tanë po luajnë në klube të njohura evropiane, duke u bërë bartës të lojës. Kjo rritje e cilësisë i jep ekipit një perspektivë të ndritur,” tha Gjonbalaj për KosovaPress.

Ai theksoi se Kosova nuk është inferiore ndaj Sllovakisë, edhe pse do të luajë si mysafir në një ambient me presion të madh:

“Ndeshja është e vështirë, sepse eliminimi nga gara e bën vendimtar çdo moment. Por Kosova duhet të shkojë e qetë dhe e përgatitur psikologjikisht, duke menaxhuar lojën dhe rezultatin pa nguti,” shtoi ai.

Trajneri Genc Sermaxhaj e konsideron përballjen me Sllovakinë si të barabartë dhe një sfidë të vështirë për Kosovën. “Sllovakia ka përvojë në botërorë dhe evropianë. Megjithatë, mundësitë janë 50-50 dhe Kosova ka futbollistë cilësorë në liga të mëdha, si Muriqi dhe Zhegrovë. Kualifikimi është i mundshëm,” tha Sermaxhaj.

Edhe trajneri Robert Gjeraj shpreh optimizëm për fitore ndaj Sllovakisë dhe për kualifikim historik drejt play-offit.

Kombëtarja e Kosovës ka bërë hapa të dukshëm nën drejtimin e Fodës, me futbollistë që performojnë në nivele të larta evropiane. Analistët dhe trajnerët vlerësojnë cilësinë, disiplinën dhe perspektivën e ekipit për të përballuar sfidën ndaj Sllovakisë në mars dhe për të synuar një kualifikim historik për Botërorin 2026.

/KosovaPress/

The post Kosova optimiste për play-offin e Botërorit 2026, vlerësohet trajneri Foda appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 29 December 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

FOKUS – FIFA: Mbi 150 milionë aplikime për biletat e Botërorit

29 December 2025 at 18:38

BERLIN, 29 dhjetor /ATSH-DPA/ – FIFA ka marrë mbi 150 milionë aplikime për biletat e Botërorit të vitit të ardhshëm, në gjysmën e fazës së fundit të shitjes së tyre.

Organizata më e lartë e futbollit bëri të ditur sot se aplikimet kanë ardhur nga mbi 200 vende dhe territore.

FIFA njoftoi se turneu në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada është mbi kapacitet me 30 herë më shumë kërkesa sesa vendet e disponueshme dhe se numri i aplikimeve është 3,4 herë më i madh se pjesëmarrja totale në të gjitha botëroret e mëparshme që nga edicioni i parë në 1930-n.

“Kjo përgjigje e jashtëzakonshme nga tifozët pasionantë është një tregues i vërtetë i dashurisë globale për futbollin tonë”, tha presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.

Faza e fundit e shitjes filloi më 11 dhjetor dhe do të zgjasë deri më 13 janar, pas së cilës biletat do të vendosen me short.

Kjo është hera e parë që shumica e ndeshjeve të grupeve janë të njohura që nga shorti i 5 dhjetorit.

Ka më shumë bileta në dispozicion se në edicionet e mëparshme, pasi Botërori është zgjeruar nga 32 në 48 ekipe dhe nga 64 në 104 ndeshje.

Procesi i shitjes nuk ka kaluar pa polemika, pasi grupet e tifozëve kritikuan çmimet e larta të biletave.

FIFA më pas prezantoi disa bileta me çmim 60 dollarë për tifozët që aplikojnë për biletat nga kontingjenti i ekipeve pjesëmarrëse./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – FIFA: Mbi 150 milionë aplikime për biletat e Botërorit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 6 December 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Shqipëria përballë “Tulipanëve”, “Samurajëve Blu” dhe “Shqiponjave të Kartagjenës” në Botëror  

6 December 2025 at 08:01

TIRANË, 5 dhjetor /ATSH-Gjergji Mima/ Kombëtarja shqiptare e futbollit do të jetë pjesë e Grupit F në Kupën e Botës 2026, nëse arrin të kualifikohet përmes play-off-it të marsit, ku kuqezinjtë do të ndeshen fillimisht me Poloninë dhe më pas me fituesen e çiftit Ukrainë-Suedi.

Shorti i hedhur sonte në Uashington D.C për finalet e turneut ka rreshtuar përballë Shqipërisë tre kundërshtarë të fortë e me profile të ndryshme: Holandën, e 7-ta në renditjen e FIFA-s, Japoninë e 18-a dhe Tunizinë e 40-ta.

Kombëtarja shqiptare është ndeshur gjithsej katër herë me Holandën, të gjitha në ndeshje zyrtare, duke krijuar një histori të gjatë përballjesh me njërën prej skuadrave më të forta të Europës.

Përballjet e para mes dy ekipeve datojnë në vitin 1964, gjatë kualifikueseve të Kupës së Botës 1966.

Në sfidën e zhvilluar në Roterdam, kuqezinjtë u mposhtën 2-0, me golat e shënuar nga Daan Schrijvers dhe Bennie Muller. Në ndeshjen e kthimit, të zhvilluar në Tiranë, Holanda fitoi sërish 2-0, falë realizimeve të Hennie van Nee dhe Frans Geurtsen.

Dy përballjet e tjera kanë ardhur gjatë eliminatoreve të Euro 2008. Në ndeshjen e parë, të luajtur në Amsterdam, Shqipëria u mposht 2-1. Për Holandën shënuan Robin van Persie dhe një autogol i Arian Beqajt, ndërsa për kuqezinjtë realizoi Debatik Curri.

Takimi i dytë, i zhvilluar në Tiranë, përfundoi 1-0 për “Tulipanët”, me golin e vetëm të sfidës të shënuar në minutën e 91-të nga Ruud van Nistelrooy.

Sa i përket Japonisë, përfaqësuesja aziatike është një territor i panjohur për kombëtaren tonë. Shqipëria dhe Japonia nuk kanë luajtur asnjëherë mes tyre në nivel kombëtaresh. “Samurajët blu” njihen për ritmin e lartë të lojës dhe disiplinën taktike, duke qenë një nga ekipet më të rregullta të turneve të fundit.

As kundër Tunizisë, Shqipëria nuk ka zhvilluar kurrë një ndeshje zyrtare apo miqësore. Afrikanoveriorët, të quajtur edhe “Shqiponjat e Kartagjenës”, janë të njohur për lojën fizike dhe me intensitet, duke iu shtuar surprizave që ky grup mund të sjellë.

/r.e/a.f/

The post Shqipëria përballë “Tulipanëve”, “Samurajëve Blu” dhe “Shqiponjave të Kartagjenës” në Botëror   appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 19 November 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Kosova barazon me Zvicrën, ëndrra për në Botërorin 2026 vazhdon

18 November 2025 at 22:46

PRISHTINË, 18 nëntor/ATSH/ Ndeshja e fundit të Grupit B për kualifikimet e Botërorit 2026 zhvilluar mbrëmjen e sotme në stadiumin “Fadil Vokrri” ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, përfundoi me rezultat 1–1. Ruben Vargas kaloi Zvicrën në epërsi në minutën e 47-të, ndërsa Florent Muslija barazoi për Kosovën në minutën e 74-të, duke vendosur shifrat përfundimtare.

Me këtë rezultat, Zvicra mbyll grupin në vendin e parë me 14 pikë dhe siguron kualifikimin direkt për në Botëror. Kosova përfundon e dyta me 11 pikë, duke siguruar pjesëmarrjen në fazën e play-off-it, ndeshjet e së cilës do të zhvillohen në mars të vitit të ardhshëm.

Ky rezultat shënon një sukses historik për Dardanët, që për herë të parë arrijnë të përfundojnë si të dytët në grup në kualifikimet për një Kupë Botërore dhe të sigurojnë mundësinë për të luftuar për një vend në Botëror përmes play-off-it. Atmosfera në Prishtinë, tifozët dhe futbollistët janë bërë pjesë e një momenti historik për futbollin kosovar.

/KosovaPress//r.e/

The post Kosova barazon me Zvicrën, ëndrra për në Botërorin 2026 vazhdon appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌