Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 30 January 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

Rritje e transportit të mallrave dhe pasagjerëve në porte

30 January 2026 at 12:55

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Porti i Durrësit vijon të mbetet qendra kryesore e transportit detar, duke përfaqësuar 93,8 % të volumit të mallrave të transportuara gjatë tremujorit të katërt të vitit 2025, ose 1.9 milionë tonë, një rritje prej 5,5 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Volumi i mallrave të transportuara përmes detit gjatë periudhës tetor-dhjetor llogaritet 2.1 milionë tonë.

Grupet kryesore të mallrave të transportuara nëpërmjet rrugëve detare përfshijnë koksin dhe produktet e rafinuara të naftës, që përbëjnë 15,2 % të volumit të përgjithshëm të mallrave, metale bazë dhe produkte metalike të fabrikuara, përveç makinerive dhe pajisjeve, me 12,5 %, si dhe produkte të tjera minerale jo metalike, me 12,2 %.

Një pjesë tjetër e konsiderueshme e transportit përbëhet nga qymyri dhe linjiti, nafta bruto dhe gazi natyror, që zënë 11,3 % të volumit të mallrave të dërguara përmes porteve.

Në katër porte detare, të Durrësit, Vlorës, Shëngjinit dhe porti i Limjonit (Sarandë), gjatë këtij tremujori kanë hyrë dhe dalë 268 anije, kryesisht të huaja, ndërsa numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar përmes portave është 221.628, ku Durrësi udhëhiqet me 61,9 % të totalit, ndjekur nga Saranda me 30,8 % dhe Vlora me 7,3 %.

Importet dominuan tregun me 64,5 % të totalit të mallrave të transportuara, ndërsa eksportet përbënin 35,3 %. /j.p/

1 nga 4

The post Rritje e transportit të mallrave dhe pasagjerëve në porte appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Redaksia qendrore miraton fjalësin përfundimtar të “Enciklopedisë shqiptare”

30 January 2026 at 12:55

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Në Akademinë e Shkencave është miratuar fjalësi përfundimtar i projektit “Enciklopedia shqiptare”.

Me këtë miratim u përmbyll procesi i hartimit të fjalësit të “Enciklopedisë shqiptare”, për të kaluar në fazën e përcaktimit të madhësisë së artikujve e të autoreve deri në fund të marsit e pas kësaj fillon shkrimi i artikujve. Gjatë kësaj kohe, do të evidentohen dublimet në fjalës dhe do të sistemohet alfabetikisht e tërë lënda.

Miratimi u bë në mbledhjen e përbashkët, në Tiranë, mes Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK).

Kryetarët e akademive, Skënder Gjinushi dhe Mehmet Kraja, falënderuan redaktoret e redaksive Tiranë-Prishtinë për bashkëpunimin, përgatitjen e takimit, dhe përgatitjen e materialeve përcjellëse.

Në takim ishin të pranishëm akad. Shaban Sinani, akad. Marenglen Verli, akad. Dhimitër Haxhimihali, akad. Sabri Hamiti, akad. Fejzulla Krasniqi, akad. Jusuf Bajraktari, prof. dr. Ajula Jubani, prof. dr. Valbona Toska, drejtori i Qendrës së Botimeve Albanologjike dhe Enciklopedike, Andreas Dushi dhe koordinatoret Drisela Diamanti e Enkelejda Misha.

Akad. Skënder Gjinushi u shpreh se materiali ishte përgatitur në zbatim të detyrave e rekomandimeve të përcaktuara nga redaksia qendrore në dy mbledhjet e mëparshme për paraqitjen dhe shqyrtimi e fjalësve përfundimtarë.

The post Redaksia qendrore miraton fjalësin përfundimtar të “Enciklopedisë shqiptare” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BERLIN – Gjermania kalon shifrën e tre milionë të papunëve

30 January 2026 at 12:37

BERLIN, 30 janar /ATSH-ANSA/ – Numri i të papunëve në Gjermani kaloi shifrën e 3 milionëve në muajin janar, treguan shifrat zyrtare, ndërsa shkalla e papunësisë u rrit në 6.6%.

Agjencia Federale e Punësimit regjistroi 3 085 milionë të papunë, 177 000 më shumë se muaji i kaluar dhe 92 000 nga janari i vitit 2025.

Shifra është më e larta e parë në muajin janar që nga viti 2014, ndërsa numri i të papunëve kaloi 3 milionë në gusht për herë të parë në më shumë se 10 vjet.

Krahasuar me dhjetorin, shkalla e papunësisë u rrit me 0.4 pikë përqindjeje në 6.6%.   /os/

The post BERLIN – Gjermania kalon shifrën e tre milionë të papunëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Amnistia Penale shkon në Qeveri, Lamallari: Përfitojnë 10 mijë shtetas, 338 lirim të menjëhershëm

30 January 2026 at 12:27

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari bëri të ditur sot se nga Amnistia Penale do të përfitojnë rreth 10 mijë shtetas shqiptarë.

Në një konferencë për mediet, Lamallari bëri të ditur se “338 të dënuar do të lirohen menjëherë ndërsa 980 të tjerë do të përfitojnë ulje dënimi.

“Amnistia penale është dërguar në Këshillin e Ministrave dhe do të kemi miratimin e aktit në mbledhjen e qeverisë dhe në vijim depozitimin në Kuvend. Është një kategori shumë e madhe që përfitojnë, nga shifrat paraprake, duke përfshirë dhe procedimet e vitit 2024, numri i përfituesve është i lartë, 10 mijë shtetas që përfitojnë. 338 përfitojnë lirim të menjëhershme, 980 që përfitojnë ulje dënimi”, tha ai.

Lamallari theksoi se në këtë kategori personash hyjnë grupe vulnerabël, duke përfshirë dhe gra dhe të mitur që përfitojnë nga ky akt human.

“Kjo tregon që jemi shoqëri që duhet të orientohet drejt parandalimit, rehabilitimit dhe t’i japim një mundësi të dytë dhe mbështetje personave që në momente të caktuara bien pre e zbatimit represiv të ligjit. Duhet të ndryshojmë qasje dhe mendësi. Arresti me burg duhet të jetë fjala e fundit”, tha Lamallari.

The post Amnistia Penale shkon në Qeveri, Lamallari: Përfitojnë 10 mijë shtetas, 338 lirim të menjëhershëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ibrahimaj: Kualifikim profesional dhe marrëveshje për punonjës të huaj për plotësimin e mungesave në treg

30 January 2026 at 12:19

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi sot gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Punës se mungesa e fuqisë punëtore dhe nevoja për kualifikim janë ndër prioritetet kryesore për tregun e punës në vitin 2026.

Ministrja Ibrahimaj vuri në dukje se adresimi i mungesës së fuqisë punëtore kërkon masa të koordinuara, përfshirë kualifikimin profesional dhe marrëveshjet me vendet e treta për plotësimin e nevojave të tregut të punës.

“Siç jeni në dijeni qeveria shqiptare ka një politikë për migracionin, ka një strategji kombëtare për migracionin e cila ka të parashikuar një sërë masash. Adresimi i mungesës së fuqisë punëtore, por edhe i fuqisë punëtore të kualifikuar do të jetë pjesë e diskutimeve të ditës së sotme, ku në fakt qeveria shqiptare ka ndërmarrë masa të rëndësishme me qëllim kualifikimin e fuqisë punëtore, por edhe me qëllim plotësimin e nevojave për fuqi punëtore edhe nëpërmjet marrëveshjeve që na jemi duke nënshkruar me vendet të treat”, tha ajo.

Në kuadër të diskutimeve u theksua rëndësia e rishikimit të Kodit të Punës dhe përafrimit të legjislacionit me standardet e Bashkimit Europian, si dhe roli i pagës minimale në përmirësimin e mirëqenies së punonjësve, ku qeveria synon rritjen graduale të saj gjatë katërvjeçarit të ardhshëm, duke e afruar atë me standardin europian, minimalisht 60% e pagës mesatare.

Një tjetër çështje është statusi i minatorit, për të cilën ministrja tha se synohet zgjidhje e qëndrueshme në bashkëpunim me palët sociale.

“Çështja e statusit të minatorëve dhe problematikat e lidhura me përfitimin 1% apo 0,6% për 1136 minatorët, është një element që sigurisht ka marrë vëmendje dhe diskutime dhe në mbledhjet e mëparshme të Këshillit Kombëtar të Punës dhe besoj që sot do të kemi një diskutim shterrues për këtë çështje”, tha ajo.

Në kuadër të reformave, u prezantua gjithashtu Krijimi i Komitetit Ndërministror për Çështjet e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë dhe ndryshimet në ligjin për nxitjen e punësimit, të cilat synojnë modernizimin e shërbimeve, digjitalizimin e proceseve, forcimin e Garancisë Rinore dhe krijimin e Observatorit të Tregut të Punës.

Ministrja Ibrahimaj vlerësoi rëndësinë e dialogut social si një komponent kyç të mirëqeverisjes dhe nënvizoi se konstituimi i ri i Këshillit Kombëtar të Punës dhe mbledhja e parë që në muajin janar janë hapa konkretë për forcimin e tij. /j.p/

The post Ibrahimaj: Kualifikim profesional dhe marrëveshje për punonjës të huaj për plotësimin e mungesave në treg appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbi 1 milion mjete rrugore, dominojnë Volkswagen dhe Mercedes

30 January 2026 at 12:17

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Në tremujorin e katërt të vitit 2025, numri i mjeteve rrugore në qarkullim në Shqipëri arriti në 1.048.092, me autoveturat që përbëjnë 80,8 % të totalit, ndërsa motorët përbëjnë 6,1 % dhe automjetet për transport të përzier 5,8 %.

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave (INSTAT), Tirana zë peshën më të madhe të mjeteve, me 34,7 % të totalit, e ndjekur nga Durrësi me 13,6 %. Numrin më të ulët e kanë Gjirokastra dhe Kukësi, përkatësisht 2,1 % dhe 2,4 %.

Gjatë këtij tremujori janë regjistruar për herë të parë 24.854 mjete, nga të cilat 81,2 % ishin autovetura. Qarku i Tiranës kryeson regjistrimet e reja, me 40,3 % të totalit.

Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2024, numri total i mjeteve është rritur me 9,3 %, ndërsa regjistrimet e reja kanë shënuar rritje prej 8,5 %.

Në mesin e automjeteve të regjistruara për herë të parë, Volkswagen kryeson me 18,6 %, ndjekur nga Mercedes-Benz me 17,5 %. /j.p/

The post Mbi 1 milion mjete rrugore, dominojnë Volkswagen dhe Mercedes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SPANJË – Risi shkencore: Terapia e trefishtë mposht kancerin e pankreasit në modelet eksperimentale

30 January 2026 at 11:49

MADRID, 30 janar /ATSH-ANSA/ – Shpresa e re nga kërkimi për kancerin e pankreasit vjen nga Spanja.

Mariano Barbacid, drejtor i grupit të Onkologjisë Eksperimentale në Qendrën Kombëtare Spanjolle për Kërkime mbi Kancerin (CNIO), njoftoi rezultatet e një studimi mbi minjtë që demonstroi eliminimin e qelizave kancerogjene nga lloji më i zakonshëm dhe shkatërrues i kancerit të pankreasit, adenokarcinoma duktale pankreatike (PDAC).

Studimi zbuloi një reduktim të ndjeshëm të efekteve anësore nga terapia, e cila arriti një kohëzgjatje të paparë më parë të eliminimit të qelizave tumorale.

“Për herë të pare kemi arritur një përgjigje të plotë, të qëndrueshme dhe me toksicitet të ulët kundër kancerit të pankreasit në modelet eksperimentale. Këto rezultate tregojnë se strategjia e terapisë së kombinuar mund të ndryshojë rrjedhën e këtij tumori’’, theksoi Barbcid së bashku me bashkautoren e studimit, Carmen Guerra, Vasiliki Liaki dhe Sara Barrambana, gjatë një konference për shtyp.

Edhe pse vetë protagonisti kërkon më shumë kohë para se të kryejë një provë klinike te njerëzit, lajmi shpërthyes është se një nga tumoret më agresive, kanceri më i zakonshëm i pankreasit, adenokarcinoma duktale, u regresua në modelet shtazore (minj, në këtë rast) gjatë 200 ditëve, pa ndonjë efekt anësor të rëndësishëm, me një kombinim të tre barnave.

“Kemi arritur një përgjigje të plotë, të qëndrueshme dhe me toksicitet të ulët kundër kancerit të pankreasit në modelet eksperimentale. Këto rezultate tregojnë se strategjia e terapisë së kombinuar mund të ndryshojë rrjedhën e këtij tumori’’, shtoi Barbcid.

Një kombinim me tre ilaçe

Trajtimi i përdorur në studim është një kombinim i tre ilaçeve që synojnë mekanizmat themelorë që lejojnë qelizat tumorale të rriten: dy kundër EGFR dhe STAT3, proteina kyçe në kancerin e pankreasit, dhe një kundër onkogjenit KRAS, nxitësi kryesor i këtij tumori, të cilin ekipi spanjoll e ka studiuar për ca kohë.

Ilaçet e para që synojnë objektivat molekularë në kancerin e pankreasit

Këto ilaçe të reja bllokojnë veprimin e KRAS, një gjen i mutuar në 90% të pacientëve me kancer të pankreasit; megjithatë, efikasiteti i tyre është modest sepse tumori bëhet rezistent pas disa muajsh.

Ky problem i rezistencës ndaj ilaçeve frenuese të KRAS është pikërisht ajo që trajton studimi i ri.   /os/

 

 

The post SPANJË – Risi shkencore: Terapia e trefishtë mposht kancerin e pankreasit në modelet eksperimentale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Akile Tasi, intelektuali i shquar që vdiq në burgun e regjimit komunist

30 January 2026 at 11:47

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me gjethe” përkujtoi sot intelektualin dhe ministrin e shtetit shqiptar, Akile Tasi (1891-30 janar 1961).

Tasi lindi më 1891 në Leusë të Përmetit. Arsimin e mori në vendlindje dhe e përfundoi në Boston të SHBA, ku bashkëpunoi me Fan Nolin dhe Faik Konicën në federatën “Vatra”. Emri i tij lidhet edhe me gazetën “Dielli”.

Akile Tasi u kthye në Shqipëri më 1929. Për disa vite organizoi bibliotekën e Oborrit Mbretëror. Më 1932 u emërua drejtor i Bibliotekës Kombëtare dhe e drejtoi këtë institucion deri në vitin 1941.

U zgjodh deputet në Kuvendin Kombëtar në vitin 1943 dhe u caktua drejtues i gazetës “Bashkimit i Kombit”. Më 1944 u emërua Ministër i Kulturës Popullore.

Nuk pranoi të largohej nga Shqipëria. Në dhjetor 1944 u arrestua nga partizanët dhe u dënua me 20 vjet heqje lirie nga famëkeqi Gjyqi Special. Dënimin e vuajti në kampin e Maliqit, Vloçishtit, Bedenit, si dhe në burgun e Burrelit.

Teksa vuante nga një gjendje e rëndë shëndetësore, atij iu refuzua çdo lutje me shkrim drejtuar autoriteteve. Ndërroi jetë më 30 janar 1961 në burgun e Tiranës. /j.p/

The post Akile Tasi, intelektuali i shquar që vdiq në burgun e regjimit komunist appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Policia apel qytetarëve: Kujdes me mashtrimet online, oferta të rreme për të marrë kredi

30 January 2026 at 11:45

TIRANË, 30 janar /ATSh/ Policia e Shtetit, nëpërmjet Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik, informoi sot qytetarët në lidhje me raste të mashtrimeve online që kanë të bëjnë me oferta të rreme për kredi.

Sipas policisë “janë evidentuar raste kur persona të panjohur, përmes faqeve të dyshimta në internet, rrjeteve sociale apo mesazheve elektronike, paraqiten si përfaqësues të institucioneve financiare dhe i nxisin qytetarët të aplikojnë online për kredi, me qëllim përfitimin monetar në mënyrë mashtruese”.

Policia nënvizon se këto oferta janë mashtruese dhe synojnë përvetësimin e të dhënave personale dhe financiare të qytetarëve.

Policia e Shtetit këshillon qytetarët që “të tregojnë kujdes të shtuar dhe të mos dërgojnë para, të dhëna bankare apo dokumente personale te persona të paidentifikuar apo faqe interneti të pasigurta; Përpara se të aplikojnë për kredi pranë institucioneve financiare, të verifikojnë gjithmonë informacionin; Të komunikojnë drejtpërdrejt me personelin bankar, duke përdorur vetëm kontaktet zyrtare të publikuara në faqet zyrtare të bankave përkatëse, veçanërisht në rastet kur nuk kanë mundësi të paraqiten fizikisht në degët bankare”.

Gjithashtu policia fton qytetarët që çdo rast të dyshuar për mashtrim ta denoncojnë menjëherë pranë Policisë së Shtetit, me qëllim parandalimin dhe hetimin e këtyre veprave penale.

/m.q/j.p/

The post Policia apel qytetarëve: Kujdes me mashtrimet online, oferta të rreme për të marrë kredi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Salla: Sugjerime dhe kërkesa nga fermerët për Skemën Kombëtare të mbështetjes

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Në takimin me fermerët në Divjakë për Skemën Kombëtare 2026, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla deklaroi se po rishikohet plani i mbështetjes duke marrë në konsideratë kërkesat dhe sugjerimet e fermerëve.

Gjatë fjalës së tij, Salla theksoi se deri më tani janë zhvilluar 18 takime me fermerët në qarqe të ndryshme të vendit, nga 23 të planifikuara gjithsej, duke nënvizuar se dëgjesat do të vijojnë në çdo qark.

“Komentet dhe sugjerimet e fermerëve janë të domosdoshme dhe shumë të dobishme për hartimin e Skemës Kombëtare 2026, sipas kërkesave reale të terrenit,” u shpreh ai.

Ministri Salla u ndal edhe te çështjet konkrete të adresuara gjatë dëgjesave.

“Janë shumë të domosdoshme dhe të dobishme që ne ta rishikojmë pjesën e mbështetjes dhe mënyrën si do të jemi ndaj aplikantëve, për të ulur numrin e krerëve për bagëti në mënyrë që të përfitojnë sa më shumë fermerë. Kemi marrë sugjerime për bletarinë dhe kërkesa që lidhen me certifikatat e pronësisë dhe kontratat e tokave me qira”, deklaroi Salla.

Ai bëri të ditur se këto sugjerime po analizohen në mënyrë të strukturuar.

“Jemi duke i rishikuar, kemi bërë një plan me AZHBR dhe Ministrinë e Bujqësisë dhe do të shikojmë atë që na sugjeroni, për t’i përafruar edhe me skemën e naftës, ku kemi pasur problematika të shtuara sipas propozimeve të fermerëve”, tha Salla.

Ministri Salla theksoi gjithashtu nevojën për sinkronizim të të gjitha instrumenteve mbështetëse.

“Duhet të jemi sinkron, të mbështesim edhe përmes IPARD-it, ku së shpejti do të ketë mbështetje për të gjithë sektorin bujqësor. Do të ndërtohen edhe dhoma frigoriferike, do të ketë mbështetje për fermerët e të gjitha fushave, si bimët medicinale, dhe mbi të gjitha duhet të jemi në terren bashkë me fermerët. Ju do të jeni zëri dhe mbështetja për çdo punë që do të krijojmë së bashku”, përfundoi Salla.

Dëgjesat për Skemën Kombëtare 2026 do të vijojnë në të gjitha qarqet e vendit, me synimin që politikat mbështetëse të ndërtohen në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me fermerët dhe të reflektojnë nevojat reale të sektorit bujqësor.

/k.s/j.p/

The post Salla: Sugjerime dhe kërkesa nga fermerët për Skemën Kombëtare të mbështetjes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kishës Ortodokse i rikthehen 10 ikona të vjedhura nga kisha “Fjetja e Shën Mërisë”

30 January 2026 at 10:53

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, priti kryepeshkopin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Joanin.

“Falë një operacioni të suksesshëm të Policisë së Shtetit dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional, u bë i mundur shpëtimi nga trafikimi i pasurive me vlera kulturore kombëtare”, tha ministri gjatë takimit duke shpjeguar më tej se, ekspertët identifikuan 10 ikona të vjedhura nga kisha “Fjetja e Shën Mërisë” në Labovën e Kryqit, të cilat po i rikthehen Kishës Ortodokse pas 14 vitesh mungesë.

Ministri Gonxhja theksoi se, kthimi i këtyre pasurive kulturore është shembull domethënës që dëshmon se sa jetik është regjistrimi i pasurive kulturore si mjeti i vetëm dhe i besueshëm për identifikimin e origjinës së tyre, në rastet kur ato rrezikojnë të trafikohen apo humbasin.

“Ky rikthim nuk është vetëm një akt ligjor, por një akt drejtësie historike dhe shpirtërore”, tha Gonxhja.

Ministri siguroi se do të vijojë bashkëpunimi me Policinë e Shtetit, me kryepeshkopin Joan dhe të gjitha komunitetet e tjera fetare, me qëllim gjetjen dhe rikthimin e objekteve të tjera të deklaruara të humbura, në një angazhim të pa kompromis për mbrojtjen e trashëgimisë sonë kulturore.

Kryepeshkopit Joan falënderoi të gjithë ata njerëz që i gjetën dhe i mblodhën 10 ikona shumë të bukura dhe shumë të rëndësishme për historinë tonë. Ai shprehu mirënjohjen ndaj ministrit, i cili pati angazhimin dhe dëshirën për t’ia kthyer përsëri Kishës Ortodokse, këto ikona.

“Ne jemi të gjithë të angazhuar për ta mbrojtur këtë kulturë e këtë identitet dhe kjo është një nga pasaportat tona edhe për identitetin tonë evropian, e të kulturës evropiane”, tha kryepeshkopi Joan. /j.p/

 

1 nga 4

The post Kishës Ortodokse i rikthehen 10 ikona të vjedhura nga kisha “Fjetja e Shën Mërisë” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Schieder: Kultura politike në Shqipëri duhet të bëjë hap përpara, jo me molotov por me argumente

30 January 2026 at 10:40

TIRANË, 30 janar/ATSH-Maela Marini/ Raportuesi i Parlamentit Europian për Shqipërinë, Andreas Schieder deklaroi sot se ka ardhur koha që kultura politike në Shqipëri të bëjë një hap përpara dhe të mos dramatizojë gjithçka me koktejle molotovi.

Në një konferencë për shtyp, Schieder u shpreh se aktorët politikë duhet të argumentojnë fort në skenën politike.

“Kjo vlen edhe për opozitën edhe për qeverinë. Mbi 90% e qytetarëve shqiptarë duan integrimin në BE. Kjo është gjëja më e mirë që mund t’i tregojë Shqipëria Europës, që është një vend i bashkuar dhe ka një qasje të bashkuar”, tha Schieder.

Schieder vlerësoi se aktualisht në Shqipëri ka unanimitet për disa çështje të politikës së jashtme, ndërsa theksoi se “do të donte shumë që unanimitet të ketë edhe për çështje të tilla europiane”.

Ndaj Schieder theksoi se nevojitet përmirësimi i kulturës politike.

“Në parlament ka hapësirë për deputetët e opozitës dhe të dhe mazhorancës të diskutojnë këto çështje. Pra, është demokraci normale ku ke mosdakordësi, por mos ta dramatizojmë situatën më shumë se sa duhet. Këtu mësova se situata është më pak dramatike se sa na duhet. Unë do të zgjidhja funksionimin normal të një demokracie”, shtoi ai. /j.p/

Raportuesi i PE për Shqipërinë, Andreas Schieder në Tiranë, foto: Andrin Hoxha
1 nga 8

The post Schieder: Kultura politike në Shqipëri duhet të bëjë hap përpara, jo me molotov por me argumente appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balluku: Mbi 600 milionë lekë mbështetje për fermerët, u përthithën 95 % e fondeve

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Zv/kryeministrja njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku theksoi sot se “qeveria shqiptare është e angazhuar maksimalisht për mbështetjen e fermerëve dhe blegtorëve”.

Në takimin me fermerët në Divjakë për Skemën Kombëtare 2026, ku është i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, Balluku tha se “mjafton t’i referohemi shifrave nga viti në vit për të kuptuar se si ka ndryshuar kjo mbështetje dhe se si skemat e mbështetjes sot arrijnë të asimilohen shumë më mirë nga fermerët”.

“Në vitin 2025 mbi 600 milionë lekë janë vënë në dispozicion të skemave, të cilat janë ezauruar në 95% të tyre, gjë që tregon që tashmë edhe skemat janë më të kuptueshme edhe aplikuesit dinë ta kryejnë procesin më mirë”, theksoi Balluku.

Ministrja Balluku tha se “buxheti 2026 është më i madhi historik i vendosur në dispozicion nga qeveria shqiptare për bujqësinë, blegtorinë edhe peshkimin”.

/k.s/j.p/

The post Balluku: Mbi 600 milionë lekë mbështetje për fermerët, u përthithën 95 % e fondeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Schieder: Institucionet duhet të mbështesin punën e SPAK

30 January 2026 at 10:37

TIRANË, 30 janar/ATSH-Maela Marini/ Raportuesi i Parlamentit Europian për Shqipërinë, Andreas Schieder bëri thirrje sot që institucionet të mbështesin punën e Strukturës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Në një konferencë për shtyp, Schieder u pyet nga mediet mbi çështjen për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Në këtë drejtim, Schieder u shpreh se PE nuk komenton çështje juridike apo ligjore.

“Ky është edhe një standard i mirë europian por institucionet duhet të kryejnë punën e tyre. Në këtë rast SPAK duhet të bëjnë punën e tyre, me gjetjet e tyre dhe gjithçka që mendojnë se është e nevojshme në bazë të legjislacionit. Ne kemi thënë që të gjitha institucionet duhet të mbështesin punën e SPAK. Por PE nuk mund të ndërhyjë dhe të bëjë komente për ndonjë rast specifik”, tha ai.

Schieder shprehu bindjen se në Kuvend do të bëhen diskutimet e duhura dhe do të merren vendimet e duhura në bazë të Kushtetutës ose të rregullores. /j.p/

The post Schieder: Institucionet duhet të mbështesin punën e SPAK appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koncerti i fundit publik i “The Beatles”, nga çatia e Apple në Londër

30 January 2026 at 10:27

LONDËR, 30 janar /ATSH/ – Më 30 janar 1969, grupi legjendar britanik The Beatles realizoi koncertin e tij të fundit publik, duke performuar në mënyrë të papritur nga çatia e selisë së kompanisë Apple Corps në qendër të Londrës.

Koncerti spontan, që zgjati rreth 42 minuta, u zhvillua pa paralajmërim dhe tërhoqi vëmendjen e kalimtarëve dhe mediave, duke bllokuar përkohësisht trafikun në zonë. John Lennon, Paul McCartney, George Harrison dhe Ringo Starr, të shoqëruar nga muzikanti Billy Preston në tastierë, interpretuan disa nga këngët e tyre më të njohura, përfshirë “Get Back”, “Don’t Let Me Down” dhe “I’ve Got a Feeling”.

Performanca u ndërpre pas ankesave për zhurmën, ndërsa ndërhyrja e policisë shënoi edhe fundin simbolik të paraqitjes së fundit live të grupit. Pamjet nga koncerti u përfshinë më vonë në dokumentarin muzikor “Let It Be”, duke e kthyer këtë moment në një nga episodet më ikonike në historinë e muzikës moderne.

Koncerti në çati mbetet një nga ngjarjet më të paharrueshme të shekullit XX dhe një kapitull përmbyllës i karrierës publike të The Beatles.

The post Koncerti i fundit publik i “The Beatles”, nga çatia e Apple në Londër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

VARSHAVË – Alarm demografik në Poloni: lindjet bien më herët se parashikimet

30 January 2026 at 10:22

VARSHAVË, 30 janar /ATSH-AA/ – Shkalla e lindjeve në Poloni pritet të bie më tej në vitet e ardhshme me një ritëm që nuk ishte parashikuar më parë, raportoi të enjten transmetuesi TVP World.

Sipas të dhënave të fundit nga Statistikat e Polonisë (GUS), shkalla e lindjeve në vend po bie disa vjet më herët se sa pritej.

GUS tha se numri i përgjithshëm i lindjeve nga dhjetori 2024 deri në nëntor 2025 ishte 238.700, duke rënë nën 240 mijë për herë të parë.

Në Parashikimin e Popullsisë për vitet 2023-2060, GUS kishte parashikuar se lindjet vjetore të binin në 236.800.

Zyra e statistikave parashikoi se popullsia e Polonisë do të bie nga niveli i saj aktual prej rreth 37 milionë në rreth 36.6 milionë në vitin 2030, 35.3 milionë në vitin 2040 dhe 32.5 milionë në vitin 2060.   /os/

The post VARSHAVË – Alarm demografik në Poloni: lindjet bien më herët se parashikimet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Schieder: Në pranverë nis mbyllja e kapitujve të integrimit, kërkohet harmonizim i standardeve me BE-në

30 January 2026 at 10:18

TIRANË, 30 janar/ATSH-Maela Marini/ Raportuesi i Parlamentit Europian për Shqipërinë, Andreas Schieder vlerësoi se Shqipëria ka pasur një ecuri madhore në negociatat për integrimin në Bashkimin Europian, por nevojitet zbatimi i legjislacionit.

Gjatë një konference për shtyp, Schieder u shpreh se nëse vlerësimi i Komisionit do të ecë mirë, në pranverë do të fillojnë të mbyllen kapitujt dhe Shqipëria do të vazhdojë të jetë pararojë për zgjerimin.

“Por nuk është vetëm çështja për miratimin e legjislacionit. Ideja e legjislacionit dhe miratimit të tij është t’i afrohemi standardeve europiane në zbatim dhe të kemi harmonizim më të mirë mes standardeve në Shqipëri dhe atyre në BE”, tha ai.

Schieder vlerësoi se Shqipëria ka vendosur që të jetë tejet e vetëdijshme dhe t’i përkushtohet reformave sidomos për luftën kundër krimit të organizuar.

“Që para 10 vitesh Shqipëria ka ndërmarrë hapin e paprecedentë për të bërë vetingun e gjyqtarëve. Kjo ka sjellë ndryshimin e perceptimit të publikut”, shtoi ai. /j.p/

The post Schieder: Në pranverë nis mbyllja e kapitujve të integrimit, kërkohet harmonizim i standardeve me BE-në appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Tish Daija i dha muzikës sonë dinjitet dhe përmasë ndërkombëtare

30 January 2026 at 10:12

 

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, kujtoi në 100-vjetorin e lindjes kompozitorin Tish Daija duke e cilësuar si një nga figurat më themelore të kulturës dhe muzikës shqiptare.

“Tish Daija ishte kompozitor, akademik, pedagog dhe krijues vizionar, që vendosi gurë themeli në artin skenik e simfonik kombëtar”, shkroi ministri Blendi Gonxhja.

Me një krijimtari të jashtëzakonshme, nga baleti i parë shqiptar “Halili dhe Hajria”, te operat, operetat, veprat simfonike, muzika e filmit dhe muzika e lehtë, Tish Daija ndërtoi ura mes folklorit burimor dhe shprehjes bashkëkohore, duke i dhënë muzikës sonë identitet, dinjitet dhe një përmasë ndërkombëtare.

Tish Daija ka qenë edhe drejtues i Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore dhe pedagog formues i brezave të tërë artistësh, duke mbetur pishtar i trashëgimisë dhe i shijes artistike shqiptare.

“Në këtë përvjetor jubilar, përulemi me mirënjohje përpara veprës së tij madhore, që vijon të frymëzojë, të edukoje dhe të përfaqësojë Shqipërinë me dinjitet në skenat e botës”, u shpreh kreu i MTKS-së. /j.p/

The post Gonxhja: Tish Daija i dha muzikës sonë dinjitet dhe përmasë ndërkombëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump: Do të ishte fantastike nëse nuk do të na duhej ta sulmonim Iranin

30 January 2026 at 09:41

UASHINGTON, 30 janar /ATSH-ANSA/ – Presidenti amerikan Donald Trump tha se “shpresojmë” që ndërhyrja ushtarake kundër Iranit nuk do të jetë e nevojshme.

“Kemi shumë anije të mëdha dhe shumë të fuqishme që po lundrojnë drejt Iranit tani dhe do të ishte shumë mirë nëse nuk do të na duhej t’i përdornim ato”, u tha ai gazetarëve.

“Shpresojmë që Irani të vijë shpejt ‘në tryezë’ dhe të negociojë një marrëveshje të drejtë dhe të barabartë – pa armë bërthamore – një marrëveshje që është e mirë për të gjitha palët”, tha Trump në një postim para disa ditësh në rrjetet sociale më 28 janar.

“Koha po mbaron! Siç i thashë Iranit edhe më parë, Arrini mareveshje! Ata nuk e bënë, dhe ndodhi Operacioni Çekani i Mesnatës, një shkatërrim i madh i Iranit. Sulmi i radhës do të jetë shumë më i keq!”.

Komanda Qendrore e SHBA-së njoftoi më 27 janar se një grup aeroplanmbajtësish amerikanë, nën drejtimin e USS Abraham Lincoln, ndodhej në ujërat e Lindjes së Mesme.   /os/

 

The post SHBA – Trump: Do të ishte fantastike nëse nuk do të na duhej ta sulmonim Iranin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Projektet fituese të Shtëpisë së Fëmijëve dhe Kompleksit të Inspektorateve Shtetërore

30 January 2026 at 09:30

TIRANE, 30 janar/ATSH/ Dy studio arkitekturore ndërkombëtare u shpallën fituese të Konkursit Ndërkombëtar për Shtëpinë e re të Fëmijëve dhe Kompleksin e ri të Inspektorateve Shtetërore.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga projektet fituese të dy studiove prestigjioze nga Meksika, Taller Hector Barroso dhe Rojkind Arquitectos, të cilat morën pjesë në konkursin ndërkombëtar të organizuar nga Korporata Shqiptare e Investimeve.

Juria ndërkombëtare vlerësoi se edhe pse secili prej projekteve kishte tipare shumë të mira arkitekturore, asnjë prej tyre nuk ishin plotësisht i suksesshme në trajtimin e të dyja komponentëve, Shtëpisë së re të Fëmijëve dhe Kompleksit të ri të Inspektorateve Shtetërore.

Ndaj juria vendosi të shpallë fitues studion “Taller Hector Barroso” për projektin e kampusit të fëmijëve dhe studion “Rojkind Arquitevtos S.C” për kullat shumëfunksionëshe.

Juria vendosi që dy projektet të zhvillohen nën bashkërendimin e një zhvilluesi të vetëm, ndërsa hartoi edhe një grup rekomandimesh drejt fazës zbatuese.

Projektet fituese u përzgjodhën mes propozimeve me vlera të spikatura arkitekturore, urbane dhe mbi të gjitha sociale.

Ato janë pjesë e një vizioni më të gjerë për zhvillimin e infrastrukturës publike nëpërmjet partneritetit publik-privat. Këto projekte synojnë të krijojnë kushte moderne dhe dinjitoze, veçanërisht për fëmijët në nevojë, si dhe hapësira funksionale për administratën shtetërore.

/m.m/j.p/

The post Projektet fituese të Shtëpisë së Fëmijëve dhe Kompleksit të Inspektorateve Shtetërore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌