Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 25 December 2025Agjencia Telegrafike Shqiptare

Këngëtari Ilir Shaqiri sjell këngën e tij më të re “Çlirimtarët”

25 December 2025 at 21:50

PRISHTINË, 25 dhjetor/ATSH/ Ilir Shaqiri vazhdon të sjellë në repertorin e tij këngë emocionuese dhe me tematikë nga lufta jonë çlirimtare.

Kënga e radhës “Çlirimtarët”, e cila ka zgjuar interesim të madh tek audienca e muzikës vendase. Kënga iu kushtohet ish-krerëve të luftës çlirimtare Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, të cilat tash e pesë vjet po mbahen padrejtësisht në Hagë.

Së bashku me Ilirin, tingujve të këngës “Çlirimtarët” i bashkohen edhe Korab e Alte Shaqiri.

Teksti dhe muzika e këngës është shkruar nga vetë Ilir Shaqiri, ndërsa orkestrimi nga Korab Shaqiri.

/KosovaPress/

The post Këngëtari Ilir Shaqiri sjell këngën e tij më të re “Çlirimtarët” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ushtarët italianë të KFOR-it kryejnë patrullime në Kosovë

25 December 2025 at 21:47

PRISHTINË, 25 dhjetor/ATSH/ Ushtarët italianë nga Komanda Rajonale-Perëndim, pjesë e misionit të KFOR-it, vazhdojnë të zhvillojnë aktivitetet e tyre ditore përgjatë vijës kufitare në Kosovë.

Ata zhvilluan patrulla me qëllim sigurimin e një prezence të dukshme dhe siguruese në terren

Përmes profesionalizmit dhe angazhimit të tyre, ata kontribuojnë në stabilitetin rajonal dhe luajnë një rol kyç në misionin e KFOR-it për të mbajtur një ambient të sigurt.

KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin për Sundim të Ligjit të Bashkimit Evropian në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.

/KosovaPress/

The post Ushtarët italianë të KFOR-it kryejnë patrullime në Kosovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Osmani për Krishtlindje në Janjevë: Kosova është më e fortë falë solidaritetit

25 December 2025 at 21:45

PRISHTINË, 25 dhjetor/ATSH/ Në festat e fundvitit, kur vlerat njerëzore marrin kuptim më të thellë dhe shtëpitë mbushen me ngrohtësi, presidentja Vjosa Osmani qëndroi mbrëmë për vizitë në familjen e Vjekoslav Toshiç nga komuniteti kroat dhe në familjen e Anton Gashit në Janjevë.

Osmani me këtë rast përçoi urimet më të sinqerta dhe frymën përbashkuese të festës së Krishtlindjes duke përkujtuar se  Kosova është më e fortë falë bashkëjetesës, mikpritjes dhe solidariteti ndër breza.

“Festat gjithnjë na kujtojnë se paqja, dashuria dhe shpresa janë vlera që jetojnë në familjet tona dhe në traditën tonë të përbashkët për kremtimin e festave, siç i kemi ndarë gjithmonë, së bashku, me respekt e mirëkuptim”, shkruan Osmani në një reagim për mediet.

/KosovaPress/

The post Osmani për Krishtlindje në Janjevë: Kosova është më e fortë falë solidaritetit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Teatri i Kukullave rikthehet në Gjirokastër pas 34 vitesh mungesë

25 December 2025 at 18:46

TIRANË, 25 dhjetor/ATSH/ Në qytetin e Gjirokastrës në këtë fundvit janë rikthyer pas 34 viteve mungesë shfaqjet e Teatrit të Kukullave për fëmijë.

Rikthimi i traditës së shfaqjeve synon argëtimin dhe edukimin e fëmijëve gjirokastritë.

Aktori Bujar Sulejmani, i cili ka pasur një karrierë të gjatë prej 55 vitesh në Teatrin e Kukullave të Gjirokastrës tha për mediet se prej disa ditësh po japim shfaqje dhe fëmijët gjirokastritë po argëtohen në këto festa të fundvitit.

“Fëmijët duhet të heqin dorë nga telefoni të vijnë në teatër se ka shumë gjëra të bukura, shfaqjet janë argëtuese dhe edukative dhe ju bën shumë mirë”, tha aktori Niko Ura.

Ndërsa aktori Fredi Beqo shprehet se “shfaqjet na kishin munguar shumë edhe ne aktorëve, por edhe fëmijëve të vegjël, pasi këtu vijnë dhe argëtohen. Po t’i shikosh sa të kënaqur dalin kur përfundon shfaqja është një emocion i madh për ne”.

Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi thekson se “përgjatë fundjavave me bashkëpunimin e aktorëve të vjetër të qytetit, në skenën e ngritur rishtazi do të shfaqen pjesë për fëmijë”.

Shfaqjet po jepen me rastin e festave të fundvitit, ndërsa në vijim fëmijët e çerdheve, kopshteve dhe shkollave do të kenë mundësi të ndjekin shfaqje çdo fundjavë.

/k.s/a.f/

The post Teatri i Kukullave rikthehet në Gjirokastër pas 34 vitesh mungesë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Peleshi uron Krishtlindjen: Nevojë për paqe dhe vëllazëri mes të gjithëve

25 December 2025 at 18:27

TIRANË, 25 dhjetor/ATSH/ Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, përcolli sot nga Korça urimet për besimtarët e krishterë me rastin e festës së Krishtlindjeve.

Në një prononcim për mediet, Peleshi tha se shoqëria shqiptare ka sot më shumë se kurrë nevojë për bashkim e mirëkuptim.

“Kënaqësi e veçantë që uroj Krishtlindjet për besimtarët ortodoksë dhe gjithë shqiptarët, siç e kemi zakon nga Korça, nga vendlindja ime, ku Krishtlindja festohet më bukur se kudo tjetër”, tha Peleshi.

“Korça është një kryeqytet i Krishtlindjes dhe më vjen mirë që këtë vit është frekuentuar edhe më tepër nga shqiptarë nga e gjithë Shqipëra që festojnë me njëri-tjetrin. Në këtë periudhë shoqëria shqiptare ka shumë nevojë për mesazhet që sjell Krishtlindja, për paqe dhe vëllazëri mes të gjithëve”, pohoi Peleshi.

/e.i/a.f/

The post Peleshi uron Krishtlindjen: Nevojë për paqe dhe vëllazëri mes të gjithëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOMENT – Përse mbushja e tregut me automjete kineze alarmon Evropën?

25 December 2025 at 16:59

ROME, 25 dhjetor /ATSH/ – Pasi i kaloi dy dekada karrierë të suksesshme duke prodhuar interiore për markat kryesore botërore të automobilave, Tomasi, ish-menaxher i lartë në një kompani shumëkombëshe italiane, u largua nga industria e makinave në vjeshtën e vitit 2025.

“Mendoj se është e mbaruar”, theksoi ai duke shpjeguar arsyen kryesore pse u largua nga biznesi.

“Industria ka marrë fund”, shtoi Tomasi, i cili kërkoi që mbiemri i tij të mos përdoret në këtë tekst.

Industria e famshme evropiane e automobilave përballet me rrezikun e një vërshimi automjetesh kineze me cilësi të lartë dhe çmime jashtëzakonisht të ulëta – disa deri në 10.290 euro në tregje të caktuara – të cilat nisën të mbërrijnë në kontinent veçanërisht pas pandemisë së Covid-19.

Ekspertët paralajmërojnë se ky fluks rrezikon një industri që për dekada ka shërbyer si shtylla kurrizore e prodhimit evropian.

Pavarësisht tarifave të vendosura nga Brukseli në vitin 2024, deri në 35 për qind për disa automjete elektrike (EV) kineze, përveç një takse importi prej 10 për qind, shitjet e automjeteve kineze në Evropë pothuajse u dyfishuan mes viteve 2024 dhe 2025.

Mbi gjysmë milioni modele kineze janë shitur vetëm në nëntë muajt e parë të këtij viti.

Gjiganti kinez i automjeteve elektrike, BYD, raportoi rritje vjetore të shitjeve prej 225 për qind, duke u bërë prodhuesi kryesor i automjeteve elektrike më i shitur në BE gjatë disa muajve të vitit 2025, pavarësisht tarifave.

Prodhues të tjerë i anashkaluan barrierat tregtare të BE-së për automjetet elektrike duke dërguar automjete me motorë me djegie të brendshme dhe hibride, të cilat nuk i nënshtrohen të njëjtave detyrime.

Industria automobilistike e Kinës daton që nga vitet ‘50, por prodhuesit e saj për një kohë të gjatë kanë vuajtur nga reputacioni i cilësisë së dobët dhe dizajnit të rëndomtë, prandaj edhe industria e saj nuk lulëzonte në botë.

Por, kjo ka ndryshuar së fundmi.

Para se ekonomia botërore të ndalej në vitin 2020 për shkak të pandemisë së koronavirusit, Tomas thotë se profesionistët teknikë në industrinë evropiane të automobilave i shpërfillnin markat kineze, duke thënë: “janë të tmerrshme, nuk dinë të prodhojnë. Do t’u duhen 20, 30, 40 vjet për të arritur nivelin tonë dhe deri atëherë ne do të jemi shumë më përpara”.

“Ajo që ndodhi është se, praktikisht për pesë vjet, ata na tejkaluan”, tha ai.

“Tani makinat e tyre janë vërtet të jashtëzakonshme”.

Një stuhi e përsosur

Prodhuesit kinezë kanë gëzuar kamotshëm përparësi në kosto falë përdorimit të energjisë së lirë, kryesisht me bazë qymyri, si dhe një fuqie punëtore me fuqi minimale negociuese. Por së fundmi, një stuhi e përsosur faktorësh ka bërë të mundur që makinat kineze të kenë çmim shumë më të ulët se konkurrentët perëndimorë.

Si reagim ndaj pushtimit të Ukrainës nga Kremlini në vitin 2022, BE-ja ndaloi importet e çelikut nga Rusia. Kina, ndërkohë, ka rritur ndjeshëm importet e metaleve me cilësi të lartë nga ky vend.

Për më tepër, industria automobilistike kineze ka qenë në gjendje të shfrytëzojë rritjen e paparë të prodhimit gjatë dekadës së fundit. Industria e makinave në Kinë ishte më e madhja në botë qysh në vitin 2009, por prodhuesit ishin kryesisht të përqendruar në tregun e brendshëm të tejngopur.

Kjo ndryshoi kur luftërat e ashpra të çmimeve brenda Kinës i shtynë prodhuesit të shikonin jashtë. Në vitin 2023, Kina e tejkaloi Japoninë duke u bërë eksportuesi më i madh i makinave në botë, duke prodhuar dhjetëra milionë automjete çdo vit.

Dhe pastaj kemi subvencionet e dyshuara në këtë industri.

Kina e ka mohuar se i mbështet prodhuesit e makinave, por një hetim i BE-së në vitin 2024 zbuloi se fondet publike ishin “të pranishme në të gjithë zinxhirin e furnizimit”, nga minierat që nxjerrin lëndët e para deri te anijet që transportojnë automjetet elektrike drejt Evropës.

Shtetet e Bashkuara, në vitin 2024, vendosën një tarifë prej 100 për qind mbi automjetet elektrike kineze, pasi hetimi i tyre arriti në përfundimin se industria amerikane e automobilave po “dëmtohej ndjeshëm” nga disa modele të subvencionuara kineze.

Paul Bennet, partner drejtues në firmën këshilluese automobilistike Madox Square me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, i tha REL-it se hyrja rrufe e automjeteve kineze në tregun evropian mund të jetë me më shumë sesa thjesht biznes.

“Në përgjithësi, edhe pse përfitimet ekonomike janë të qarta, aspektet gjeopolitike të kësaj strategjie nuk duhen anashkaluar”, tha ai.

“Sipas mendimit tim, ka gjasa që kjo të jetë pjesë e përpjekjeve më të gjera të Kinës për të riformësuar dinamikat ekonomike globale dhe për të forcuar pozicionin e saj në skenën botërore”, sipas tij.

Derisa disa aktorë të brendshëm thonë se Evropa ende mund të ketë mundësi për t’u kundërpërgjigjur, koha po soset.

Mbrojtja ndaj tarifave

Sipas rregullave të tanishme të tregut, një automjet kinez i prodhuar brenda BE-së nuk do t’i nënshtrohej të njëjtave tarifa si ato të importuara nga jashtë bllokut. Prodhuesit kinezë po lëvizin shpejt për të shfrytëzuar këtë kusht.

BYD i Kinës është në proces të ndërtimit të një fabrike prej 4.6 miliardë dollarësh në Hungari dhe, në Barcelonë, makinat tashmë po prodhohen nga ndërmarrja e përbashkët mes Ebro-EV Motors të Spanjës dhe markës kineze Chery, shkruan REL.   /os/

The post KOMENT – Përse mbushja e tregut me automjete kineze alarmon Evropën? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ambasada e SHBA në Kosovë uron besimtarët festën e Krishtlindjes

25 December 2025 at 16:09

PRISHTINË, 25 dhjetor/ATSH/ Ambasada e SHBA-së në Kosovë, ka uruar besimtarët e krishterë festën e Krishtlindjes.

Përmes një postimi në Facebook, ambasada uroi besimtarët e krishterë që kremtojnë festën në Kosovë dhe anë e mbarë botës,

“Të gjithëve që festojnë në Kosovë dhe në botë, ju urojmë gëzuar Krishtlindjet!”, ka shkruar Ambasada e SHBA në Facebook.

The post Ambasada e SHBA në Kosovë uron besimtarët festën e Krishtlindjes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Guerot: Na duhet një qeveri me kompetenca të plota në Kosovë

25 December 2025 at 16:06

PRISHTINË, 25 dhjetor/ATSH/ Na duhet një qeveri me kompetenca të plota, thotë ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot.

Tri ditë para zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ai deklaron për KosovaPress se ndërkombëtarëve iu duhet një partner në Kosovë, për të punuar për Planin e Rritjes së BE-së, normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe për zhvillimin e Kosovës. Diplomati francez mirëpret largimin e 50 për qind të masave ndëshkuese ndaj Kosovës, derisa është më i rezervuar në pyetjet se a do të hiqen të njëjtat në tërësi në fillim të vitit të ardhshëm.

“Mesazhi është se na duhet një partner. Ne së bashku jemi mbështetësit tuaj të huaj, miqtë tuaj të huaj. Na duhet një qeveri, një qeveri e plotë, me të cilën do të mund të punonim për Planin e Rritjes, natyrisht, por edhe për shumë çështje të tjera, qoftë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por edhe për zhvillimin e Kosovës, legjislacionin e Kosovës”, thekson ai.

Kosova nuk arriti të formojë institucionet e reja pas zgjedhjeve të kaluara të 9 shkurtit.

Duke folur për krizën politike dhe mosformimin e institucioneve, diplomati francez thotë se një vit pa një qeveri me mandat të plotë ka qenë i vështirë për Kosovën.

“Ky vit pa një qeveri të plotë ka qenë pak i vështirë, duhet ta them. Jo se nuk kemi qenë në gjendje të punonim, siç thashë, në projektin e impiantit të trajtimit të ujërave të zeza. Ne kemi mundur të punojmë në nivel teknik. Kishte edhe iniciativa të tjera që mund t’i bënim në nivel teknik, por Kosova është një demokraci. Si demokraci, është nevoja për një qeveri të përgjegjshme para parlamentit”, thekson ai.

Bashkimi Evropian ditë më parë vendosi të heqë 50 për qind të masave, derisa u zotua për heqjen e të gjitha masave ndëshkuese ndaj Kosovës deri në fund të muajit janar 2026.

Ky zhvillim, sipas ambasadorit Guérot, është lajm i mirë për Kosovën, pasi do të ecin përpara shumë projekte të rëndësishme për vendin, të cilat ishin bllokuar vitet e fundit.

“Kemi një projekt shumë të rëndësishëm, që është ngadalësuar nga masat, për ndërtimin e një impianti të trajtimit të ujërave të zeza, i cili do të mbulonte Prishtinën, Obiliqin, Fushë Kosovën dhe Graçanicën. Ky është një projekt i përbashkët me Gjermaninë, në fakt. Pra, po pres me padurim që të përshpejtojmë këtë projekt, për të cilin nuk jemi ndalur së punuari kurrë në nivelin teknik. Është vetëm një nga projektet që kemi. Kemi projekte të zhvillimit me Agjencinë Franceze të Zhvillimit, sidomos për të ndihmuar Kosovën me Lojërat Mesdhetare 2030 dhe gjithashtu për ta ndihmuar atë në tranzicionin drejt një energjie më të pastër. Në Prishtinë këtu po shohim mjegullën, që është bërë si shkak i një energjie të papastër dhe agjencia po punon”, shton ai.

Sa i përket zotimit se deri në janar të vitit 2026 do të hiqen masat, ambasadori francez thotë për KosovaPress se vendimi politik tashmë është marrë nga Këshilli Evropian dhe se tani i takon Komisionit Evropian ta zbatojë.

“Detajet nuk i di. Nuk mund t’jua tregoj. Vendimi politik është marrë nga Këshilli i Ministrave dhe nga Këshilli Evropian dhe tani Komisioni do ta zbatojë atë. Prandaj nuk mund të hyj në detaje”, thotë ai.

Masat ndaj Kosovës ishin vendosur në vitin 2023, si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur kryetarët shqiptarë, të dalë nga zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët lokalë, nisën detyrën e tyre në komunat në veri./E.Zeqiri/

/KosovaPress/

The post Guerot: Na duhet një qeveri me kompetenca të plota në Kosovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AUSTRALI – Uellsi i Ri Jugor ndalon tubimet publike për dy javë

25 December 2025 at 16:03

UELLS I RI, 25 dhjetor /ATSH-AA/ –  Shteti më i populluar i Australisë, Uellsi i Ri Jugor ka ndaluar tubimet publike pasi miratoi një ligj të diskutueshëm kundër protestave, sipas të cilit njerëzve mund t’u kërkohet të heqin mbulesat e fytyrës.

Policia e Uellsit të Ri Jugor tha se është autorizuar të shpallë përkohësisht zonat publike si “të kufizuara” për tubime, pasi parlamenti rajonal dje miratoi ligje të reja pas të shtënave masive të 14 dhjetorit në plazhin Bondi. Policia tha se gjatë periudhës dyjavore, asnjë tubim publik nuk mund të autorizohet dhe çfarëdo tubimi publik do të konsiderohet i paautorizuar.

“Shpallja u bë pas konsiderimit të legjislacionit të ri dhe ndikimeve në sigurinë publike nga protestat e mëtejshme pas sulmit terrorist në Bondi”, tha policia. Shpallja do të rishqyrtohet dhe mund të zgjatet çdo dy javë për deri në tre muaj. Policia mund të kërkojë që personat e dyshuar për vepra penale të heqin mbulesat e fytyrës për identifikim.

Ndërkohë, sipas “ABC News”, autoritetet australiane po hetojnë një rast ku një automjet me dekorime për festën Hanukkah sot herët u qëllua me bombë në juglindje të Melburnit në ditën e Krishtlindjeve.

Në të shtënat në plazhin Bondi, që ndodhën gjatë një ngjarjeje për festën Hanukkah, u vranë 15 persona dhe u plagosën 42 të tjerë. Njëri nga të dyshuarit për të shtënat u vra ndërsa tjetri u plagos rëndë.

Sipas ndryshimeve në ligjin për terrorizëm, të miratuar nga parlamenti i Uellsit të Ri Jugor, protestat masive do të kufizohen, duke i ndaluar efektivisht deri në 90 ditë. Sipas legjislacionit të ri për armët, pas të shtënave masive, mbajtësit e licencave rekreative do të mund të posedojnë maksimumi katër armë zjarri dhe pronarët duhet të rivlerësojnë licencën çdo dy vjet.

Megjithatë, qeveria rajonale e Uellsit të Ri Jugor po përballet me kritika për ligjet e reja. Grupi “Palestine Action Sydney”, “The Blak Caucus” dhe “Jews Against the Occupation 48” njoftuan se do të paraqesin sfidë ligjore kushtetuese ndaj “ligjeve drakonike kundër protestave”, tha grupi palestinez në rrjetet sociale.

“Qeveria e kryeministrit të Uellsit të Ri Jugor, Chris Minns po shfrytëzon sulmin e tmerrshëm në Bondi për të avancuar një agjendë politike që shtyp kundërshtimin politik dhe kritikën ndaj Izraelit dhe kufizon liritë demokratike”, tha grupi.

The post AUSTRALI – Uellsi i Ri Jugor ndalon tubimet publike për dy javë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Babagjyshi vjen nga ajri, surprizon fëmijët në shëtitoren e Himarës

25 December 2025 at 15:40

TIRANË, 25 dhjetor/ATSH/ Në Himarë, babagjyshi ndryshe nga viti i kaluar ka ardhur nga ajri, duke kthyer Krishtlindjen në një festë magjike që fëmijët do ta mbajnë mend gjatë.

Kryetari i bashkisë së Himarës Vangjel Tavo publikoi pamje nga atmosfera e gëzueshme e fëmijëve.

“Shëtitorja e Himarës u mbush me buzëqeshje, emocione dhe gëzim të pafund për fëmijët tanë. Me rastin e festës së Krishtlindjes, u shpërndanë dhurata për më të vegjlit, duke sjellë ngrohtësi, dashuri dhe frymën e vërtetë të festës në çdo cep të qytetit.
Momenti më i veçantë i ditës ishte pa dyshim ardhja surprizë e Babagjyshit, këtë vit jo nga deti, por nga ajri, duke zbritur mbi Himarë dhe duke kthyer këtë ditë në një përvojë magjike që fëmijët do ta mbajnë mend gjatë”, theksoi Tavo.

Ardhja e Babagjyshit nga ajri ishte një surprize e bukur për të gjithë në një dite feste, ku Himara këtë vit ka zgjedhur një mënyrë të veçantë për të festuar së bashku me banorët dhe fëmijët.

“Himara feston me zemër të madhe, me vëmendje për fëmijët dhe me aktivitete që forcojnë ndjenjën e komunitetit dhe gëzimin e përbashkët. Gëzuar Krishtlindjen për të gjithë”, shkruan Tavo.

Mes gëzimit të festës dhe këtij momenti të veçantë nuk kanë munguar urimet edhe nga fëmijët e banorë të Himarës në festën e Krishtlindjeve.

/k.s/a.f/

The post Babagjyshi vjen nga ajri, surprizon fëmijët në shëtitoren e Himarës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bashkia e Tiranës shtron drekën e Krishtlindjeve në qendrën “Gonxhe Bojaxhi”

25 December 2025 at 15:34

TIRANË, 25 dhjetor/ATSH/ Bashkia e Tiranës ka shtruar drekën e Krishtlindjeve në qendrën komunitare “Gonxhe Bojaxhi”, në kryeqytet.

E kthyer tashmë në një traditë të përvitshme nga bashkia Tiranë, festat fetare vijnë më pranë qytetarëve dhe sidomos shtresave më në nevojë.

E pranishme ishte edhe kryetarja e komanduar e Bashkisë së kryeqytetit, Anuela Ristani e cila theksoi se kjo qendër shërben si një familje e madhe, ndërsa ditë pas dite e gjithë lagjja “5 Maji” ka pësuar një transformim të madh.

“Sot është ditë shumë e gëzuar dhe të ndash ushqim, është mënyra më e mirë për t’u njohur dhe për të falënderuar njëri-tjetrin. Ashtu si ndajmë edhe për familjet tona. Një tryezë pak më e madhe se ajo e shtëpive tona, por me të njëjtën ëmbëlsi, dhe të njëjtën ngrohtësi, ashtu si do ta kishim në shtëpitë tona. Më bëhet shumë qejfi që kjo qendra shërben si një familje e madhe”, tha Ristani.

Duke sjell në vëmendje investimet e realizuara në lagjen e re të pesë majit, Ristani thekson se “e gjithë lagjja ka marrë një lloj krenarie që nuk është më ajo që quhej “Bregu i Lumit”, por është lagjja e re “5 Maji”. Një lagje për të qenë krenarë, për të qenë në shtëpi, për t’u ndjerë të respektuar, por edhe për t’u ndjerë ngrohtë edhe mirë me njëri-tjetrin”.

Në fund, Ristani përcolli edhe një urim për festat e fundvitit, me apelin për të qenë gjithmonë pranë njëri-tjetrit.

“Ata nga ju që kanë mundësi, të ndihmojnë të tjerët. Ndonjëherë vetëm një fjalë e mirë, është shumë më e ngrohtë se çdo ndihmë tjetër materiale. Duhet prania dhe ngrohtësia e secilit. Puna jonë është punë fizike. Por ajo që është më e rëndësishme, është të bëjmë të tjerët të ndihen më mirë. Dhe ky do ishte mesazh dhe urimi për këtë vit, të jeni sa më mirë me veten, me njëri-tjetrin, me familjet tuaja. Suksese dhe shëndet të gjithëve. Gëzuar”, deklaroi Ristani.

Dreka e Krishtlindjeve në qendrën “Gonxhe Bojaxhi”
1 nga 3

/e.i/a.f/

The post Bashkia e Tiranës shtron drekën e Krishtlindjeve në qendrën “Gonxhe Bojaxhi” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Besimtarët e krishterë në rrethe festojnë Krishtlindjen

25 December 2025 at 15:31

TIRANË, 25 dhjetor/ATSH/ Mijëra besimtarë të krishterë në të gjithë vendin festuan sot Krishtlindjen, ku morën pjesë në meshat e organizuara ku u lutën për më shumë paqe dhe begati.

Në qytetin e Shkodrës mesha e shenjtë e Krishtlindjes u kremtua në katedralen “Shën Shtjefni”, ku Arqipeshkëvi Giovani Peragine udhëhoqi meshën e parë të Krishtlindjes që pas emërimit të tij në këtë detyrë.

Besimtarët uruan njëri-tjetrin, ndërsa një urim përcolli edhe Imzot Angelo Masafra.

Në qytetin e Korçës qindra besimtarë ortodoksë që në mëngjes herët iu drejtuan Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Korçë ku ndoqën meshën e drejtuar nga Mitropoliti i Korçës Hirësia e tij Imzot Anastasi.

Qindra besimtarë të krishterë në Lezhë iu bashkuan ritualit fetar të lindjes së Krishtit në Katedralen e Shën Nikollit në Lezhë, ndërsa mesha e shenjtë u drejtua nga ipeshkvi i Dioqezës së Lezhës, Otavio Vitale, i cili vuri theksin tek mungesa e paqes në botë.

Në Durrës besimtarët e krishterë morën pjesë në meshën e zhvilluar në Kishën Dioqezane Tiranë–Durrës, si edhe në Katedralen e Shën Astit dhe Apostullit Pal. Momente lutjeje, reflektimi dhe paqeje u bashkuan në këtë festë të shenjtë.

Krishtlindja u kremtua edhe në qytetin e Gjirokastrës, ku besimtarët uruan njëri-tjetrin për më shumë shëndet dhe mbarësi.

Besimtarët u bënë pjesë e meshës edhe në qytetin e Fierit dhe Lushnjës, ndërsa Krishtlindja u kremtua edhe në qytete të tjera të vendit.

/k.s//a.f/

The post Besimtarët e krishterë në rrethe festojnë Krishtlindjen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Krishtlindja ne Tiranë u prit me koncertin “Tinguj dhe fjalë” në sheshin Skënderbej

25 December 2025 at 15:16

TIRANË, 25 dhjetor/ATSH/ Mbrëmjen e djeshme, bashkia e Tiranës organizoi koncertin festiv “Tinguj & Fjalë, Koncert Simfonik i Natës së Krishtlindjes”, duke kthyer Sheshin Skënderbej në një skenë të hapur të muzikës klasike, elegancës dhe emocioneve të festës së shenjtë.

Nën drejtimin e dirigjentit Armand Broshka, Orkestra Sinfonike solli për publikun një program të pasur artistik, me vepra nga kompozitorë të mëdhenj si Bizet, Johann Strauss, Brahms, Dvořák, Mascagni, Verdi dhe Gruber, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë e festive në zemër të kryeqytetit.

Publiku shijoi interpretimet brilante të sopranos Eva Golemi, baritonit Armando Likaj, si dhe solistëve Edmea Krasniqi (violinë), Albana Kola (violinë) dhe Igert Zeqiri (violonçel), ndërsa drejtimi artistik u mbajt nga Ronald Gjura.

Mbrëmja festive u ndoq nga qytetarë e vizitorë te huaj, të cilët përjetuan një Krishtlindje me muzikë të përzgjedhur në zemër të Tiranës.

/e.i/a.f/

The post Krishtlindja ne Tiranë u prit me koncertin “Tinguj dhe fjalë” në sheshin Skënderbej appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Si u festua Krishtlindja nëpër botë

25 December 2025 at 15:06

PRISHTINË, 25 dhjetor/ATSH/ Lutje brenda kishave, festë në ujë të ftohtë, në plazhin e ngrohtë apo afër vijës së frontit të luftës. Secili besimtar i krishterë ka festuar në mënyrën e vet Krishtlindjen – ditën e lindjes së Jezu Krishtit, ndër ditët më të rëndësishme në kalendarin e Kishës Katolike.

Radio Evropa e Lirë ndau disa foto nga momentet më të veçanta të festimit të Krishtlindjes. foto e parë është Papa Leoni XIV përgjatë meshës së Krishtlindjes në Vatikan. Më pas janë pamjet nga ceremonia e zhvilluar në Katedralen Shën Tereza në Prishtinë.

Pamje nga ceremonia e zhvilluar në Katedralen Shën Tereza në Prishtinë.
2Pamje nga ceremonia e zhvilluar në Katedralen Shën Tereza në Prishtinë.
Një grua duke kryer lutje dhe duke ndezur një qiri në Katedralen në Prishtinë.
3Një grua duke kryer lutje dhe duke ndezur një qiri në Katedralen në Prishtinë.
Priftërinjtë duke festuar në meshën e Krishtlindjes në Kishën e Shën Pjetrit, në Antakja të Turqisë. Aty besohet se është mbajtur tubimi i parë fetar në shekullin 1, çka shënon edhe lindjen e krishterimit.
4Priftërinjtë duke festuar në meshën e Krishtlindjes në Kishën e Shën Pjetrit, në Antakja të Turqisë. Aty besohet se është mbajtur tubimi i parë fetar në shekullin 1, çka shënon edhe lindjen e krishterimit.
Presidenti amerikan, Donald Trump në darkën e Krishtlindjes në sallë ballosh në klubin e tij Mar-a-Lago në Florida.
5Presidenti amerikan, Donald Trump në darkën e Krishtlindjes në sallë ballosh në klubin e tij Mar-a-Lago në Florida.
Një anëtar i klerit mban një statujë të foshnjës së Krishtit në meshën e mesnatës në Katedralen e Shën Patrikut në qytetin e Nju Jorkut.
6Një anëtar i klerit mban një statujë të foshnjës së Krishtit në meshën e mesnatës në Katedralen e Shën Patrikut në qytetin e Nju Jorkut.
Pamje tjetër nga Katedralja e Shën Patrikut në Nju Jork.
7Pamje tjetër nga Katedralja e Shën Patrikut në Nju Jork.
Ushtarët ukrainas duke festuar afër vijës së frontit të luftës në rajonin e Harkivit.
8Ushtarët ukrainas duke festuar afër vijës së frontit të luftës në rajonin e Harkivit.
Dy besimtare duke u lutur para statujës së Krishtit në Bengaluru të Indisë.
9Dy besimtare duke u lutur para statujës së Krishtit në Bengaluru të Indisë.
Ceremonia e meshës kryesore në Kishën Shën Katerina në Betlehem, Bregun e pushtuar Perëndimor.
10Ceremonia e meshës kryesore në Kishën Shën Katerina në Betlehem, Bregun e pushtuar Perëndimor.
Festa afër Kishës së Kryqit të Kuq në Damask të Sirisë.
11Festa afër Kishës së Kryqit të Kuq në Damask të Sirisë.
Festimet në Nairobi, Kenia.
12Festimet në Nairobi, Kenia.
Ceremonia tradicionale e notit në ujë të ftohtë në Ditën e Kishtlindjes në Berlin, Gjermani.
13Ceremonia tradicionale e notit në ujë të ftohtë në Ditën e Kishtlindjes në Berlin, Gjermani.
Turistë me kostume krishtlindjesh fotografohen para pemës së Krishtlindjes në plazhin Bondi në Sidnej.
14Turistë me kostume krishtlindjesh fotografohen para pemës së Krishtlindjes në plazhin Bondi në Sidnej.

/REL/

The post Si u festua Krishtlindja nëpër botë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

VATIKAN – Leone XIV: Lutemi pë banorët e Gazës në rrënoja dhe migrantët kudo që të ndodhen

25 December 2025 at 15:03

vATIKAN, 25 dhjetor /ATSH-AA/ – Duke mbajtur fjalimin e tij të parë në Meshën e Krishtlindjeve nga Bazilika e Shën Pjetrit, Papa Leoni XIV përmendi gjendjen e vështirë të banorëve të Gazës që me javë të tëra përballen me kushte të ashpra dimërore, së bashku me refugjatët dhe personat e zhvendosur në mbarë botën.

“Që kur Fjala u mishërua, njerëzimi tani flet duke bërtitur me dëshirën e vetë Zotit për t’u takuar me ne. Fjala ka ngritur tendën e Tij të brishtë midis nesh. Si mund të mos mendojmë atëherë për tendat në Gaza, të ekspozuara prej javësh të tëra përballë shiut, erës dhe të ftohtit?” tha Papa Leoni.

Ai gjithashtu tërhoqi vëmendjen për vështirësi të ngjashme me të cilat përballen refugjatët dhe personat e zhvendosur të tjerë në çdo kontinent, si dhe njerëzit e pastrehë që jetojnë nën “streha të improvizuara”.

“I brishtë është mishërimi i popullatave të pambrojtura të sprovuara nga kaq shumë luftëra në vazhdim ose të përfunduara, duke lënë pas rrënoja dhe plagë të hapura”, tha Papa.

Ai përmendi brishtësinë e jetës njerëzore midis të rinjve të detyruar të marrin armët, duke theksuar se ata në vijën e frontit “ndjejnë mungesën e kuptimit të asaj që u kërkohet atyre dhe gënjeshtrat që mbushin fjalimet pompoze të atyre që i dërgojnë ata në vdekjen e tyre”.

“Jezusi dëshiron që ne të prekim mjerimin njerëzor, të prekim mishin e vuajtur të të tjerëve. Ai shpreson që ne do të ndalojmë së kërkuari ato vende personale ose komunale që na strehojnë nga vorbulla e fatkeqësisë njerëzore dhe në vend të kësaj do të hyjmë në realitetin e jetës së njerëzve të tjerë dhe do ta njohim fuqinë e butësisë”, tha Papa.

Izraeli në Gaza ka vrarë më shumë se 71 mijë palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe ka shkatërruar enklavën gjatë luftës së tij dyvjeçare. Një armëpushim u arrit në tetor, por shkeljet izraelite kanë vazhduar pa u pakësuar.

Sipas zyrës së medias së qeverisë së Gazës, më shumë se 400 palestinezë janë vrarë që atëherë dhe mbi një mijë të tjerë janë plagosur në sulmet izraelite.

The post VATIKAN – Leone XIV: Lutemi pë banorët e Gazës në rrënoja dhe migrantët kudo që të ndodhen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zgjidhet formacioni më i mirë i javës së 18-të të superligës

25 December 2025 at 14:43

TIRANË, 25 dhjetor/ATSH/ Pas përfundimit të javës së 18-të të kampionatit “Abissnet Superiore”, trajnerët e ekipeve Kombëtare kanë përzgjedhur formacionin dhe trajnerin më të mirë të javës, sipas skemës 1-3-4-3.

FSHF njofton se në portë është Mario Dajsinani i Egnatias.

Treshja e mbrojtjes është Jaime Serrano Guillem (Egnatia), Emir Azemovic (AF Elbasani) dhe Jurgen Vrapi (Vora).

Sipas FSHF-së, në mesfushë janë përzgjedhur Kastriot Selmani (Egnatia), Irgi Kasalla (Vora), Klevi Qefalija (Dinamo City) dhe Andrey Yago (Vllaznia).

Në repartin ofensiv janë Dejvi Bregu (Dinamo City), Bekim Balaj (Vllaznia) dhe Serge Tabekou (Tirana).

Trajneri më i mirë i javës së 18-të është përzgjedhur tekniku i Dinamo City, Ilir Daja.

/e.i/a.f/

 

The post Zgjidhet formacioni më i mirë i javës së 18-të të superligës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gogu uron Krishtlindjen me grafikën e realizuar nga i ati

25 December 2025 at 14:24

TIRANË, 25 dhjetor/ATSH/ Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu ka ndarë sot një urim me rastin e Krishtlindjeve, duke publikuar një grafikë të realizuar nga i ati, Jorgaq Gogu në fillim të viteve ’90.

Në postimin e tij me grafikën e skenës së Lindjes së Krishtit, Gogu shprehet se ndonëse i ati nuk jeton më, kjo vepër artistike i kujton se dashuria nuk largohet kurrë, por lë gjurmë të forta dhe mbetet gjithmonë pranë njeriut.

“Gëzuar Krishtlindjen! Këtë skenë të Krishtlindjes e ka vizatuar im atë, Jorgaqi (Gaqo), në fillim të viteve ’90; ai nuk është më mes nesh, por kjo grafikë më kujton se dashuria nuk largohet kurrë, por lë gjurmë dhe na mban fort”, shkruan Gogu.

Në reflektimin e tij për festën e Krishtlindjes, ministri Gogu një besimtar i krishterë protestant thekson se kjo ditë përkujton afrimin e Perëndisë me njerëzit jo si një ide abstrakte.

“Sot festojmë se Perëndia na u afrua jo si ide, por si Njeri: Ai hyri në historinë tonë për të nisur ripërtëritjen, që të mos mbetemi rob të errësirës, fajit apo dëshpërimit”, tha Gogu.

Gogu e mbyll mesazhin e tij me urimin që kjo Krishtlindje të sjellë paqe në shtëpi, butësi në zemër dhe guxim për të nesërmen, sepse mëshira e Perëndisë e nis rishtas jetën, edhe aty ku shihet vetëm zbrazëti.

/e.i/a.f/

The post Gogu uron Krishtlindjen me grafikën e realizuar nga i ati appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SOFT NEWS – Besnikëri që thyen zemra, për ditë të tëra mbi trupin e pronarit të vdekur

25 December 2025 at 14:20

SASARI, 25 dhjetor /ATSH/ – Një histori prekëse besnikërie dhe vetmie vjen nga Ottava, një fshat pranë qytetit Sassari në Itali, shkruan La Stampa.it.

Një burrë 74-vjeçar u gjet i pajetë brenda një makine që e përdorte si strehë. Ai kishte ndërruar jetë prej disa ditësh.

Pranë tij, i shtrirë mbi trupin e tij, ishte qeni i tij i moshuar, Napoleone.

Qeni, rreth 10 vjeç, nuk ishte larguar asnjë moment. Për ditë të tëra kishte qëndruar aty, pa ushqim dhe pa ujë, duke ruajtur njeriun e tij deri në fund.

Zbulimi u bë nga Policia e Shtetit pas një sinjalizimi nga banorët. Në vendngjarje mbërritën edhe oficerët e mbrojtjes së kafshëve.

Pas kontrolleve, Napoleone u shpëtua dhe u dërgua në strehën e kafshëve “Qua la Zampa” në Sassari. Qeni ishte i mikroçipuar dhe ndodhej në gjendje të rëndë fizike dhe emocionale.

Vullnetarët e qendrës treguan se Napoleone është ende i mbyllur në vetvete, nuk reagon, nuk ha dhe nuk pi.

“Na theu zemrën. Duket i humbur, shikon në boshllëk. Shpresojmë që me kohë dhe dashuri të rifitojë besimin dhe dëshirën për të jetuar”, theksuan ata.

Historia e Napoleonit është dëshmi e fortë e lidhjes së pathyeshme mes njeriut dhe kafshës, një besnikëri që nuk u shua as përballë vdekjes. /os/

The post SOFT NEWS – Besnikëri që thyen zemra, për ditë të tëra mbi trupin e pronarit të vdekur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BM – Princesha e Uellsit dhe Princesha Charlotte surprizojnë me duet pianoje për Krishtlindje

25 December 2025 at 13:57

LONDER, 25 dhjetor /ATSH/ – Princesha e Uellsit dhe Princesha Charlotte performuan një duet në piano për një cerimoni të Krishtlindjeve, shkruan BBC.

Nëna dhe vajza nuk performuan drejtpërdrejt në eventin ”Together at Christmas” në Westminster Abbey në fillim të këtij muaji.

Performanca e tyre e një pjese nga kompozitori skocez Erland Cooper u regjistrua paraprakisht në Windsor Castle javën e kaluar posaçërisht për transmetimin e natës së Krishtlindjeve në ITV1.

Pallati i Kensingtonit e pa klipin para programit me një video. Ajo i tregon të dyja të ulura së bashku në piano duke luajtur “Holm Sound”, një pjesë që me sa duket e njohin mirë dhe e kanë shijuar duke e luajtur së bashku në shtëpi.

Princesha e Uellsit përdori vetëm dorën e majtë, ndërsa Charlotte luajti vetëm dorën e djathtë në sallën e Windsor Castle.

Duke rrëfyer videon, Catherine theksoi se ”në thelb, Krishtlindjet kanë të bëjnë me dashurinë që merr formë në mënyrat më të thjeshta dhe më njerëzore. Jo në gjeste sentimentale apo madhështore, por në natyrë. Një moment dëgjimi, një fjalë ngushëllimi, një bisedë miqësore, një dorë e shtrirë, një prani”.

“Këto gjeste të thjeshta kujdesi mund të duken të vogla, por ato kontribuojnë në tapetin e bukur të jetës së cilës i përkasim të gjithë”, shton ajo.

Kjo nuk është hera e parë që Catherine, e cila ka përfunduar vitin e tretë të pianos dhe vitin e pestë të teorisë, ka performuar përmes këngëve.

Në eventin inaugurues të vitit 2021, ajo e befasoi audiencën duke shoqëruar këngëtarin dhe kompozitorin Tom Walker në piano ndërsa ai këndonte këngën e tij të Krishtlindjeve “For Those Who Can’t Be Here”. /os/

The post BM – Princesha e Uellsit dhe Princesha Charlotte surprizojnë me duet pianoje për Krishtlindje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TURQI – Planifikonin sulme për festat e fundvitit, arrestohen 115 antarë të ISIS-it

25 December 2025 at 13:40

STAMBOLL, 25 dhjetor /ATSH/ – Autoritetet turke deklaruan se kanë penguar sulme të planifikuara në festimet e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri dhe kanë arrestuar më shumë se 100 anëtarë të dyshuar të të ashtuquajturit grup Shteti Islamik,shkruan BBC.

”Bastisje masive u kryen në 124 adresa në të gjithë Stambollin me armë zjarri, municione dhe “dokumente organizative” të sekuestruara.

Zyrtarët thanë se mbështetësit e ISIS kishin planifikuar në mënyrë aktive sulme në të gjithë Turqinë këtë javë, veçanërisht kundër jo-muslimanëve.

”Policia ndaloi 115 të dyshuar, por përpjekjet po vazhdojnë për të gjetur 22 të tjerë”, thuhet në një deklaratë zyrtare.

Zyra e prokurorit tha se të dyshuarit ishin në kontakt me operativë të ISIS jashtë Turqisë.

Njoftimi vjen dy ditë pasi agjentët e inteligjencës turke kryen një bastisje kundër grupit në kufirin Afganistan-Pakistan.

Një shtetas turk, i cili dyshohet se ka mbajtur një rol të lartë me krahun e ISIS që vepron në rajon, u ndalua dhe u akuzua për planifikimin e sulmeve kundër civilëve. /os/

The post TURQI – Planifikonin sulme për festat e fundvitit, arrestohen 115 antarë të ISIS-it appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌