Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 22 January 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

Olivia Dean, Lola Young dhe Lily Allen, artistët më të nominuar në “Brit Awards 2026”

21 January 2026 at 23:21

LONDËR, 21 janar /ATSH-DPA/- Olivia Dean dhe Lola Young janë artistët më të nominuar në edicionin e këtij viti të “Brit Awards”, me nga pesë secila.

Grupi britpop “Pulp” ndërkohë ka marrë nominimin e tyre të parë në 30 vjet, në kategorinë e grupit më të mirë.

Nominimet u njoftuan sot gjatë një eventi, të transmetuar drejtpërdrejt nga “Co-op Live” në Mançester, ku Sam Fender, fituesi më i fundit i çmimit “Mercury”, mori katër nominime.

Çmimet, të prezantuara nga komediani dhe aktori Jack Whitehall, do të ndahen më 28 shkurt.

Lily Allen, albumi i së cilës “West End Girl” shkaktoi trazira kur u publikua vitin e kaluar, është nominuar në tre kategori – për albumin më të mirë, artisten e vitit dhe artisten pop më të mirë.

Albumi i saj i parë në shtatë vjet, thuhet se flet për pabesinë e supozuar të ish-bashkëshortit të saj, aktorit amerikan David Harbour.

Kantautorja Olivia Dean është kandidate për çmimin “vepra më e mirë pop”, “artistja e vitit”, “albumi më i mirë” për “The Art of Loving” dhe “kënga më e mirë” për “Man I Need”.

Young, hiti i së cilës “Messy” i siguron gjithashtu një nominim në kategorinë për këngën më të mirë, është gjithashtu kandidate për çmimin “vepra më e mirë pop” dhe “artistja e vitit”, si dhe “vepra e suksesshme”.

Fender është nominuar gjithashtu për artistin e vitit, artistin alternativ rock dhe albumin më të mirë për “People Watching”, si dhe për këngën më të mirë për “Rein Me In” – në bashkëpunimin e tij me Dean.

Aktorja dhe këngëtarja e lindur në Londër, Cynthia Erivo, është nominuar për këngën më të mirë për “Defying Gravity”, me Ariana Grande, kolona zanore e filmit “Wicked”.

Dean dhe Young përballen me konkurrencë të fortë në kategorinë e artistit të vitit, e cila dominohet nga artistet, përfshirë Jade, Pink Pantheress dhe Self Esteem.

Këngëtarja e “Wolf Alice”, Ellie Rowsell, tha se ishte “e mahnitur” nga tre nominimet e grupit, duke shtuar: “Kam punuar si kamariere te Brits kur isha adoleshente, i shërbeja tavolinës së “Pussycat Dolls”.

Në kategorinë e albumit më të mirë, Dave është nominuar për “The Boy Who Played The Harp”, së bashku me Wolf Alice për “The Clearing”.

Reperi Legxacy është gjithashtu e nominuar për artistin më të mirë hip hop dhe rap – së bashku me Dave, Central Cee, Little Simz dhe Loyle Carner – ndërsa ai është nominuar edhe në kategorinë artisti më i mirë R&B.

Në këtë kategori janë nominuar gjithashtu, Kwn, Mabel, Sasha Keable dhe Sault.

Në kategorinë e këngës së vitit, kënga “Azizam” e Ed Sheeran do të konkurrojë përballë Lewis Capaldi me “Survive”, Raye me “Where Is My Husband?” dhe Newman me “Family Matters”.

Kënga “Ordinary” e Alex Warren do të konkurrojë me yje të muzikës pop amerikane, përfshirë Taylor Swift, Chappell Roan dhe Sabrina Carpenter në kategorinë e këngës ndërkombëtare të vitit. //a.i/

The post Olivia Dean, Lola Young dhe Lily Allen, artistët më të nominuar në “Brit Awards 2026” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 21 January 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

DAVOS – Trump: Nuk do të vendosim tarifa, do të kordinohemi me NATO-n mbi Greonlandën

21 January 2026 at 22:28

DAVOS, 21 janar /ATSH-ANSA/ – Presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur haptas mendimin e tij në lidhje me Greonlandën në kanalin e tij Truth.

Trump përjashtoi përdorimin e forcës për herë të parë, por bëri thirrje për negociata të menjëhershme për kontrollin e ishullit, presidenti njoftoi në Truth.

Trump parashtoi kornizën për një marrëveshje të ardhshme me NATO-n për ishullin dhe anulimin e tarifave të kërcënuara që nga shkurti kundër vendeve evropiane që kishin dërguar ushtarët e tyre në Nuuk.

“Ne morëm gjithçka që donim, është një marrëveshje që do të zgjasë përgjithmonë. Pata një takimi shumë produktiv me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte: ne përcaktuam kornizën që mbulon në mënyrë efektive të gjithë rajonin e Arktikut. Kjo zgjidhje, nëse finalizohet, do të jetë jashtëzakonisht e dobishme për SHBA-në dhe të gjitha vendet e NATO-s. Bazuar në këtë marrëveshje, unë nuk do të vendos tarifat doganore që supozohej të hynin në fuqi më 1 shkurt”, theksoi ai.

Manjati njoftoi gjithashtu se “po zhvillohen diskutime të mëtejshme në lidhje me projektin ‘Kupola e Artë’ në lidhje me Groenlandën” dhe se “zëvendëspresidenti J.D. Vance, Sekretari i Shtetit Marco Rubio, i Dërguari Special Steve Witkoff dhe të tjerë, nëse është e nevojshme, do të jenë përgjegjës për negociatat”, duke i raportuar drejtpërdrejt atij.

“Nëse thoni jo, ne do ta mbajmë mend,” paralajmëroi ai, duke siguruar se nuk do të “përdorte forcën”.

“Nuk do të përdor forcën,” deklaroi ai në fjalimin e tij 72-minutësh, duke sjellë një psherëtimë lehtësimi për botën dhe për një audiencë të mbushur me krerët e shteteve, miliarderët dhe udhëheqësit e tjerë botërorë, të cilët kishin heshtur kur manjati filloi të përmendte ishullin danez. /os/

The post DAVOS – Trump: Nuk do të vendosim tarifa, do të kordinohemi me NATO-n mbi Greonlandën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ratifikimi i marrëveshjes së Bordit të Paqes, Kuvendi mblidhet nesër në seancë plenare

21 January 2026 at 21:57

TIRANË, 21 janar/ATSH/ Kuvendi mblidhet nesër paradite në seancë plenare për shqyrtimin dhe miratimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së
Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”.

Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi thirri seancën plenare për marrëveshjen e cila kërkon shumicë absolute votash për miratim.

Seanca do të nisë me fjalën e nismëtarit, me shprehjen e komisionit përgjegjës për Europën dhe Punët e Jashtme ndërsa parashikohen diskutime dhe votimi.

Projektligji synon ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së
Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes.
Këshilli i Ministrave ka miratuar, në parim marrëveshjen më 21 janar.

Marrëveshja synon krijimin e Bordit të Paqes si një organizatë ndërkombëtare,
me personalitet ligjor ndërkombëtar, me qëllim promovimin e stabilitetit,
rivendosjen e një qeverisjeje të besueshme e të ligjshme, si dhe sigurimin e paqes
së qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti. Bordi i Paqes
do të ndërmarrë funksione të tilla të ndërtimit të paqes në përputhje me të drejtën
ndërkombëtare dhe në përputhje me këtë Kartë, duke përfshirë zhvillimin dhe
përhapjen e praktikave më të mira të mundshme për t’u zbatuar nga të gjitha
shtetet dhe komunitetet që kërkojnë paqe.

Kuvendi publikoi dhe përmbajtjen e marrëveshjes për ratifikimin e Kartës së Bordit të Paqes ku thuhet se Bordi i Paqes është një organizatë ndërkombëtare që synon të nxisë stabilitetin, të rivendosë qeverisje të besueshme dhe të ligjshme, dhe të garantojë paqe të qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti.

Neni 2 cakton se anëtarësia në Bordin e Paqes është i kufizuar vetëm për Shtetet e ftuara nga Kryetari për të marrë pjesë, dhe fillon me njoftimin se Shteti ka pranuar të jetë i lidhur ligjërisht nga kjo Kartë, në përputhje me Kapitullin XI.

Secili Shtet Anëtar do të përfaqësohet në Bordin e Paqes nga Kryetari i Shtetit ose Qeveria me një mandat jo më shumë se tre vjet nga hyrja në fuqi e kësaj
Karte, në bazë të rinovimit nga Kryetari.

Mandati trevjeçar i anëtarësisë nuk do të aplikohet për shtetet anëtare që kontribuojnë më shumë se 1,000,000,000 USD në fonde me para të gatshme për Bordin e Paqes brenda vitit të parë të hyrjes në fuqi të Kartës.

202601212027088015FINAL CERT-KARTA E BORDIT TË PAQËS.pdf

Seanca plenare u kërkua pasditen e sotme nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste përmes një shkrese zyrtare, për ratifikimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes për pranimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes.

Nga ana tjetër Partia Demokratike u shpreh se deri pasdite nuk kishte marrë asnjë njoftim nga Kryetari i Kuvendit për mbledhje të seancës plenare gjatë kësaj jave.

Duke cituar rregulloren e Kuvendit se mbledhja e seancës plenare dhe rendi i ditës, i njoftohen deputetëve dhe publikut, si rregull 7 ditë përpara, por jo më vonë se 2 ditë përpara datës së caktuar  grupi parlamentar i PD-së u shpreh se transparenca dhe llogaridhënia ndaj qytetarëve i dikton Kuvendit  që për secilën çështje dhe vendimmarrje, të respektojë rregullat e parashikuara nga Kushtetuta dhe Rregullorja. /j.p/

The post Ratifikimi i marrëveshjes së Bordit të Paqes, Kuvendi mblidhet nesër në seancë plenare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOMENT – Cilat janë asetet ushtarake në Arktik?

21 January 2026 at 21:55

UASHINGTON, 21 janar /ATSH/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dëshiron të blejë Groenlandën, duke thënë se kjo është e vetmja mënyrë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të sigurojnë mbrojtjen e tyre, sipas “Reuters”.

Danimarka dhe Groenlanda, kanë refuzuar, duke thënë se çdo shqetësim që kishte Uashingtoni mund të adresohej përmes marrëveshjeve ekzistuese të mbrojtjes.

Tetë vende kanë territor në Arktik: Rusia, SHBA-ja, Kanadaja, Danimarka, Norvegjia, Suedia, Finlanda dhe Islanda.

Më poshtë vijon lista e aseteve të tyre ushtarake:

RUSIA

Gjysma e tokës në Arktik është territor rus. Që nga viti 2005, Moska ka rihapur dhe modernizuar dhjetëra baza ushtarake të epokës sovjetike, si në tokën arktike ashtu edhe në ishujt e saj veriorë.

Rusia mban një gjendje të lartë gatishmërie në vendin e saj të testimit bërthamor në Novaya Zemlya, një arkipelag arktik, megjithëse nuk ka kryer një test shpërthimi bërthamor që nga viti 1990.

Tetorin e kaluar, ajo kreu një testim të raketës kruz “Burevestnik” me energji bërthamore nga Novaya Zemlya.

Në Arktikun Evropian, Gadishulli Kola strehon rreth dy të tretat e aftësive bërthamore të Rusisë për sulm të dytë, për t’iu përgjigjur një sulmi bërthamor, sipas Mathieu Boulegue, një studiues në Institutin Polar të Qendrës Wilson.

Zona është gjithashtu shtëpia e Flotës Veriore të Rusisë, me seli në Severomorsk, e cila operon gjashtë nga 12 nëndetëset e armatosura bërthamore të vendit. Gjashtë të tjerat operohen nga Flota e Paqësorit, me seli në Vladivostok.

Qasja e vetme e Flotës Veriore në Atlantikun e Veriut është përmes Detit Barents, midis arkipelagut norvegjez të Svalbard dhe bregdetit verior të Evropës. Mbajtja e kësaj qasjeje të lirë është jetike për Moskën.

SHBA DHE KANADAJA

Që nga viti 1957, SHBA-ja dhe Kanadaja kanë mbrojtur së bashku territoret e tyre kundër kërcënimeve, përfshirë raketat bërthamore, përmes Komandës së Mbrojtjes Hapësinore të Amerikës së Veriut (NORAD).

Ata po modernizojnë NORAD-in: Kanadaja po blen dy sisteme radarësh mbi horizontin që mbulojnë qasjet Arktike dhe polare, me të parin që pritet të jetë funksional deri në vitin 2028.

Presidenti Trump dëshiron të ndërtojë një sistem të ri mbrojtjeje nga raketat, të quajtur “Golden Dome”, për të cilin ai thotë se Groenlanda është thelbësore.

Uashingtoni ka Bazën Hapësinore Pituffik në Groenlandën veriore sipas një marrëveshjeje mbrojtjeje me Danimarkën.

Shumica e forcave të saj arktike janë të bazuara në tetë baza në Alaska, duke numëruar rreth 22 000 ushtarë.

Kanadaja ka pesë baza arktike, duke përfshirë Alert, një stacion inteligjence sinjalesh në Ishullin Ellesmere, vendbanimi më verior i përhershëm në botë.

Në jug të Rrethit Arktik, Kanadaja operon një bazë në Yellowknife, Territoret Veriperëndimore, e cila strehon një grup patrullimi dhe një bazë ajrore.

Kanadaja po ndërton një strukturë në Ishullin Baffin për të furnizuar anijet patrulluese, megjithëse projekti ka pësuar vonesa të shumta. Ndërkohë, SHBA-ja po zgjeron portet e saj ekzistuese në Nome, Alaska.

DANIMARKA

Komanda e Përbashkët Arktike e Danimarkës, me seli në kryeqytetin e Groenlandës, Nuuk, ka rreth 150 ushtarë – personel ushtarak dhe civil.

JAC është gjithashtu e pranishme në Bazën Ajrore Kangerlussuaq dhe në katër stacione më të vogla ushtarake në Groenlandën lindore dhe verilindore. JAC ka një oficer ndërlidhës në Pituffik.

Patrullat Sirius me qentë e tyre, janë njësi ushtarake që kryejnë zbulime afatgjatë në kushtet ekstreme të Groenlandës verilindore.

SUEDIA DHE FINLANDA

Suedia nuk ka baza në veri të Rrethit Arktik, por ka një bazë ajrore në Lulea, në bregun verior të Gjirit të Bothnia-s, dhe një bazë ushtarake me dy regjimente në Boden, rreth 40 km në brendësi të tokës.

Finlanda ka një bazë ajrore në Rovaniemi, në Rrethin Arktik, dhe një bazë të Brigadës Jaeger më në veri, në Laplandën finlandeze.

Që kur u bashkuan me NATO-n, të dy vendet kanë qenë duke integruar ushtritë e tyre me pjesën tjetër të aleancës.

NORVEGJIA

Norvegjia është organi mbikëqyrës i NATO-s për një zonë të gjerë detare prej rreth 2 milion km² në Atlantikun e Veriut, përfshirë Arktikun.

Shumë nga stacionimet e saj ushtarake ndodhen mbi Rrethin Arktik. Ajo ka katër baza ajrore, duke përfshirë një për avionët e rinj luftarakë F-35, dy baza detare, një sërë bazash tokësore dhe një qendër pritjeje për aleatët e NATO-s që vijnë për përforcime në rast të një sulmi.

Nuk ka instalime ushtarake në Svalbard, arkipelagun Arktik të Norvegjisë.

ISLANDA

Ishulli i Atlantikut të Veriut është anëtar i NATO-s, por nuk ka ushtri, vetëm një shërbim roje bregdetare.

Ai strehon avionë patrullimi detar P-8A Poseidon të Marinës Amerikane në një vendosje rrotulluese, të bazuar në Bazën Ajrore Keflavik, pranë Reykjavikut.

Avionët luftarakë të NATO-s rrotullohen periodikisht në Keflavik për të mbajtur hapësirën ajrore islandeze të sigurt. Zhvendosja zakonisht zgjat dy deri në tre javë, tre herë në vit. //a.i/

The post KOMENT – Cilat janë asetet ushtarake në Arktik? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump miraton rinovimin e Shtëpisë së Bardhë

21 January 2026 at 21:47

UASHINGTON, 21 janar /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan ka autorizuar ndërtimin e fshehtë të një objekti të sigurt nëntokësor nën Shtëpinë e Bardhë, të shoqëruar nga një zgjerim i ri në Krahun Lindor.

Në vitin 1941, pas sulmit japonez në Pearl Harbor, i cili shkaktoi hyrjen e SHBA-së në Luftën e Dytë Botërore, Presidenti i atëhershëm Franklin D. Roosevelt ndërtoi fshehurazi një strehë nëntokësore në Shtëpinë e Bardhë, duke prezantuar publikisht vetëm zgjerimin e Krahut Lindor, sipas Shtëpisë së Bardhë.

Më shumë se 80 vjet më vonë, Krahu Lindor është duke u rinovuar për sallën e re të ballove të Presidentit Donald Trump, me objektet e vjetra nëntokësore të hequra, dhe planifikon të rindërtojë bunkerin të mbështjellë në sekret.

Burimet i thanë CNN se zona nëntokësore ka të ngjarë të përmirësohet me teknologji të përparuar për t’iu përgjigjur kërcënimeve në zhvillim të sigurisë, megjithëse detajet mbeten të klasifikuara.

Bunkeri historikisht ka pritur operacione kritike, duke përfshirë Qendrën e Operacioneve të Emergjencave Presidenciale, planifikimin e udhëtimit të fshehtë të ish-Presidentit Joe Biden në Ukrainë dhe strehimin e zëvendëspresidentit Dick Cheney pak para sulmeve të 11 shtatorit 2001.

Në një takim të kohëve të fundit të Komisionit Kombëtar të Planifikimit të Kapitalit (NCPC), zyrtari i Shtëpisë së Bardhë, Joshua Fisher, tha se ‘’salla e re e do të përmirësojë funksionalitetin, do të forcojë sigurinë dhe do të ofrojë infrastrukturë të adaptueshme për nevojat e ardhshme’’.

Fisher tha se disa aspekte të projektit janë “tepër sekret”, duke vënë në dukje se ndërsa kjo nuk parandalon ndryshimet në strukturën mbi tokë, puna sekrete nëntokësore duhej të merrej në konsideratë, punë që nuk ishte pjesë e procesit të komisionit të planifikimit.  /os/

The post SHBA – Trump miraton rinovimin e Shtëpisë së Bardhë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama darkon me Ivanka Trump në Vlorë

21 January 2026 at 21:13

TIRANË, 21 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama mbërriti mbrëmjen e sotme në Vlorë, ku darkoi me Ivanka Trump, vajzën e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe një grup arkitektësh ndërkombëtarë.

Sipas medieve, në fokus të bisedimeve besohet se janë projekte dhe ide të reja zhvillimi, të lidhura me investime strategjike dhe vizionin urbanistik në zonën e Vlorës.

Ivanka Trump dhe Jared Kushner kanë shfaqur interes më herët për projekte zhvillimore në qytet dhe zonat përreth, me theks të veçantë në Zvërnec dhe Ishullin e Sazanit, të konsideruara si zona me potencial të lartë strategjik dhe turistik.

Pas darkës, Rama dhe Ivanka Trump kanë qëndruar për disa momente jashtë ambienteve ku u zhvillua takimi, duke shkëmbyer bisedë të shkurtër, ndërsa gjithçka është shoqëruar nga masa të rrepta sigurie.

Më pas, mediet bëjnë të ditur se Ivanka Trump është larguar me automjet, së bashku me Kryeministrin Rama, në drejtim të Orikumit.

Sipas Euronews, dhëndri i presidentit Trump, Jared Kushner nuk ka qenë pjesë e darkës. Ai ka qenë në Vlorë disa orë gjatë paradites dhe më pas është larguar për në Davos.

Ivanka Trump mbërriti sot paradite në qytetin bregdetar të Vlorës, e shoqëruar nën masa të rrepta sigurie nga Policia, teksa mësohet se qëndroi në një nga hotelet në zonën e “Ujit të ftohtë”.

Siç raportojnë korrespodentët e medieve, Ivanka Trump vizitoi zonën e Novoselës dhe më pas edhe Zvërnecin. Gjithashtu, në itinerarin e saj ka qenë edhe zona bregdetare e njohur si Porto Novo.

Kjo nuk është hera e parë që vajza e presidentit amerikan Donald Trump, Ivanka Trump  viziton Vlorën. Së bashku me bashkëshortin e saj, Jared Kushner, Ivanka Trump kaloi disa ditë nga pushimet verore qershorin e kaluar në qytetin bregdetar.

1 nga 4

/m.m/j.p/

The post Rama darkon me Ivanka Trump në Vlorë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Vaksina kundër herpesit ngadalëson plakjen

21 January 2026 at 21:03

LOS ANXhELES, 21 janar /ATSH-ANSA/ – Vaksinimi kundër ‘’herpes zoster’’ jo vetëm që mbron nga sëmundja, por mund të ndihmojë edhe në ngadalësimin e plakjes, sipas një studimi nga Universiteti  i Gjerontologjisë i cili përfshinte mbi 3 800 pjesëmarrës të moshës 70 vjeç e lart në vitin 2016.

Studimi, u botua në Journals of Gerontology, pas marrjes në konsideratë të variablave të tjerë sociodemografikë dhe shëndetësorë ku sipas studimit njerëzit e vaksinuar mesatarisht, përjetojnë plakje të përgjithshme biologjike më të ngadaltë sesa njerëzit e pavaksinuar.

Herpes zoster është një skuqje e dhimbshme e lëkurës e shkaktuar nga riaktivizimi i virusit të varicelës.

Kushdo që ka pasur li të dhenve është në rrezik ta zhvillojë atë; megjithëse mund të shfaqet në një moshë më të re, rreziku është më i lartë tek njerëzit mbi 50 vjeç dhe tek individët me imunitet të kompromentuar.

Studimet e fundit kanë nxjerrë në pah një lidhje të mundshme midis disa vaksinave, të tilla si ato kundër herpes zoster dhe gripit, dhe një rreziku të reduktuar të demencës dhe çrregullimeve të tjera neurodegjenerative.   /os/

The post FOKUS – Vaksina kundër herpesit ngadalëson plakjen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UASHINGTON – SHBA-ja akuzon grupet e ndihmës në Gaza për lidhje të fshehta me Hamasin

21 January 2026 at 20:48

UASHINGTON/GAZA, 21 janar /ATSH-DPA/- Qeveria amerikane ka akuzuar gjashtë organizata të ndihmës në Rripin e Gazës për lidhje sekrete me lëvizjen militante palestineze “Hamas”.

Organizatat e prekura janë “Waed Society Gaza”, “Al-Nur Society Gaza”, “Qawafil Society Gaza”, “Al-Falah Society Gaza”, “Merciful Hands Gaza” dhe “Al-Salameh Society Gaza”, sipas Zyrës së Kontrollit të Aseteve të Huaja në Departamentin Amerikan të Thesarit, në Uashington.

Organizatat akuzohen se pretendojnë se ofrojnë kujdes mjekësor për civilët palestinezë, ndërsa në fakt mbështesin krahun ushtarak të Hamasit.

“Natyra mashtruese e këtyre organizatave, të cilat përdorin mashtrimin për të mbledhur fonde nga donatorët ndërkombëtarë, tregon pabesinë e Hamasit dhe i privon civilët e pafajshëm nga kujdesi mjekësor që u nevojitet”, thuhet në deklaratën e Departamentit Amerikan të Thesarit.

Konferenca Popullore e Palestinezëve Jashtë Vendit është gjithashtu nën shqyrtimin e SHBA-së.

Zyrtarisht paraqitet si përfaqësuese e të gjithë palestinezëve, por SHBA-ja pretendon se kontrollohet në mënyrë klandestine nga Hamasi dhe ka mbështetur disa flotilje me ndihma në Gaza.

Autoritetet amerikane po planifikojnë të ngrijnë asetet e disa individëve.

Akuzat bazohen në dokumente të sekuestruara nga zyrat e Hamasit në Rripin e Gazës pas sulmeve të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.

Vetë organizatat nuk kanë komentuar ende mbi akuzat, të cilat nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur. //a.i/

The post UASHINGTON – SHBA-ja akuzon grupet e ndihmës në Gaza për lidhje të fshehta me Hamasin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bislimi: Rezoluta amerikane për Luginën e Preshevës, fitore për shqiptarët

21 January 2026 at 20:29

PRISHTINË, 21 janar/ATSH/ Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe aktivist për të drejtat e shqiptarëve në SHBA, Faton Bislimi njoftoi se sot nga Capitol Hill në Washington, u dëgjua zëri i Luginës së Preshevës. Ai tha se kjo jo si thirrje e vetmuar, por si qëndrim zyrtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas tij, në mbledhjen e Komitetit për Punë të Jashtme të Kongresit të SHBA u miratua (marked up) rezoluta H.R. 6411, e iniciuar nga Kongresisti Self, Kryetar i Nënkomitetit për Evropë, mbi të drejtat etnike e kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Me përkrahjen dypartiake të kryetarit Brian Mast dhe kënkryetarit Gregory Meeks, kjo rezolutë tashmë ka bekimin e Komitetit dhe pritet shumë shpejt të aprovohet nga vetë Kongresi”, shkruan Bislimi.

Sipas tij, kjo është histori;  Histori e shkruar me durim, këmbëngulje dhe besim – që nga viti 2001 nën lidershipin e palëkundur të Joe dhe Shirley DioGuardi (Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane), e deri te puna e pandalshme e bashkëkombësve tanë në Texas, nën udhëheqjen e Albanians For America. Një betejë e gjatë, e drejtë, dhe sot fitimtare.

“Tani, SHBA do të kërkojë përgjegjësi ligjore dhe politike nga Beogradi për diskriminimin sistematik të shqiptarëve në Luginë. Sot është ditë e bardhë për shqiptarët dhe një sinjal i qartë për çdo regjim që mendon se padrejtësia mund të zgjasë pafund”, shkruan ai.

Ai më tej ka thënë se në përvjetorin e shkuarjes në amshim të Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, nuk ka nderim më të madh se sa ta shndërrojmë vizionin e tij në veprim konkret.

“Rugova nuk ishte fjalë. Ishte rrugë. Ishte orientim. Ishte besim në aleancën me Amerikën dhe në forcën morale të kauzës sonë. Shumë flasin për rugovizëm. Por rugovizmi nuk shpallet – jetohet. Nuk promovohet me fjalë – dëshmohet me vepra”, shkruan ai.

Marrëdhënia jonë me Shtetet e Bashkuara është e pazëvendësueshme. Liria dhe pavarësia e Kosovës janë ogur i mirë për gjithë kombin shqiptar. Tani, është koha që kjo liri të shtrihet edhe te vëllezërit e motrat tona në Luginën e Preshevës.

Kongresmeni amerikan Keith Self ka prezantuar në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Aktin për Vlerësimin e Diskriminimit në Luginën e Preshevës, një nismë ligjore që synon të adresojë trajtimin e shqiptarëve nga autoritetet serbe.

Lajmi është bërë i ditur në rrjetin “X” nga “Albanians for America”, ku thuhet se sot shënohet një moment i rëndësishëm për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. /KosovaPress/

 

The post Bislimi: Rezoluta amerikane për Luginën e Preshevës, fitore për shqiptarët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ZVICËR – Trump: Shpresoj të takohem me Zelensky në Davos

21 January 2026 at 20:23

DAVOS, 21 janar /ATSH-DPA/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se planifikon të takohet me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky në Davos, ndërsa udhëheqësit u mblodhën sot në resortin zviceran për Forumin Ekonomik Botëror.

Trump tha se mendonte që udhëheqësi ukrainas donte të bënte një marrëveshje për të ndaluar luftën me Rusinë.

“Unë besoj se do të bisedoj me presidentin Zelensky dhe mendoj se ai dëshiron të bëjë një marrëveshje. Do ta takoj sot. Ai mund të jetë në audiencë tani, por ata duhet ta ndalojnë atë luftë”, tha Trump.

Por faqja e internetit e lajmeve ukrainase “Pravda” tha se një takim midis të dy liderëve në Davos ishte i mundur, megjithëse jo të mërkurën.

Zelensky tha dje se kishte shumë për të bërë në vendin e tij mes sulmeve ajrore të vazhdueshme të Rusisë, dhe se do të udhëtonte në Zvicër vetëm nëse një dokument ishte gati për t’u nënshkruar ose premtime të mëtejshme për ndihmë, siç është dorëzimi i armëve kundërajrore.

Para fjalimit të Trump, presidenti ukrainas, Zelensky postoi në “Telegram” fotografi të një takimi qeveritar në Kiev – në lidhje me furnizimin me energji elektrike.

Bombardimet e Rusisë kanë lënë shume banorë në shumë qytete pa ngrohje ose energji elektrike mes temperaturave të ulëta të dimrit.

Trump dëshiron t’i japë fund luftës në Ukrainë, të nisur në vitin 2022 nga Kremlini.

Deri më tani, negociatorët e tij kanë folur kryesisht me palën ukrainase. Aleatët evropianë të Ukrainës kanë qenë të përfshirë në disa raunde bisedimesh.

Udhëheqja ruse nuk ka marrë pjesë drejtpërdrejt, por është e përfshirë nëpërmjet lidhjes së saj me të dërguarin special të SHBA-së, Steve Witkoff, dhe dhëndrin e Trump, Jared Kushner. //a.i/

The post ZVICËR – Trump: Shpresoj të takohem me Zelensky në Davos appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mungoi në homazhet e “21 Janarit” nga mosha e thyer, Balla vizitë tek nëna e Hekuran Dedës

21 January 2026 at 20:21

TIRANË, 21 janar/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla vizitoi sot nënën e një prej viktimave të ngjarjeve të 21 Janarit në bulevard, Hekuran Dedës.

Për arsye shëndetësore, ajo sot për herë të parë në këto 15 vjet mungoi në ceremoninë përkujtimore me karafilë të kuq në vendin ku iu vra i biri.

“Sot, ndryshe nga çdo 21 Janar i këtyre 15 viteve, mungoi nëna e dëshmorit Hekuran Deda”, u shpreh Balla, duke theksuar se arsyeja e mungesës lidhet me moshën e saj të thyer.

Sipas tij, ajo mban mbi supe 87 vite jetë dhe një brengë të madhe që nuk është shuar as me kalimin e kohës.

Megjithatë, Balla tregon se e ka takuar në mbrëmje nënën e Hekuran Dedës dhe se ajo i është shfaqur e fortë me shpresën se drejtësia do të bëjë më në fund detyrën e saj.

“Son­te e gjeta të fortë në zemër dhe me shpresën se drejtësia do të arrijë t’i tregojë se me urdhër të kujt u vra djali i saj”, shprehet ai.

Balla riktheu në vëmendje plagën e hapur të 21 Janarit dhe pritjen e gjatë të familjarëve të viktimave për zbardhjen e plotë të përgjegjësive dhe vendosjen e drejtësisë.

/m.m/j.p/

The post Mungoi në homazhet e “21 Janarit” nga mosha e thyer, Balla vizitë tek nëna e Hekuran Dedës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ATHINE – Moti i keq godet Greqinë, Mitsotakis shtyn vizitën në Davos

21 January 2026 at 20:13

ATHINE, 21 janar /ATSH-ANSA/ – Një anëtar i rojes bregdetare vdiq sot në Greqi për shkak të motit të keq.

Erëra të forta dhe shira të rrëmbyeshëm kanë goditur shumë pjesë të vendit, ndërsa tragetet janë bllokuar në port.

Ministri i Marinës Tregtare Vassilis Kikilias raportoi në X se roja bregdetare vdiq ndërsa ishte “në detyrë” në qytetin bregdetar të Astros, në Peloponezin lindor.

Fronti i stuhisë, i cili po lëvizte drejt lindjes nëpër Greqi, gjeneroi erëra që tejkalonin 100 km/orë, duke i detyruar autoritetet të mbyllin shkollat ​​në Athinë dhe disa rajone të tjera.
Autoritetet kanë lëshuar paralajmërime për publikun që të shmangin të gjitha udhëtimet jo thelbësore.

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis shtyu një vizitë të planifikuar në Forumin e Davosit në Zvicër. /os/

The post ATHINE – Moti i keq godet Greqinë, Mitsotakis shtyn vizitën në Davos appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Sfida e demokratëve, mbrojtja e votës së lirë

21 January 2026 at 20:09

TIRANË, 21 janar/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh sot se sfida e demokratëve është mbrojtja e votës së lirë.

Në një bashkëbisedim me simpatizantët e degës 2 të PD-së në Tiranë, Berisha kujtoi se kur PD humbi zgjedhjet pranoi rotacionin dhe doli në opozitë duke u qëndruar vlerave dhe parimeve.

Ndërkohë, qeverisja e sotme, sipas Berishës, e shtyp pluralizmin me të gjitha mjetet dhe e shndërron në fasadë. “Edi Rama e realizon këtë nëpërmjet shndërrimit të zgjedhjeve në farsë, nëpërmjet propagandës së tij, se farsat janë votë dhe se farsat janë zgjedhje”, tha Berisha.

Kreu i PD-së u shpreh se “sot kjo forcë politike ndodhet në një moment jashtëzakonisht të vështirë, por përcaktues për fatin e Shqipërisë dhe shqiptarëve”.

Berisha u shpreh se interesi kombëtar i shqiptarëve kërkon që ne ta denoncojmë këtë farsë elektorale.

“Sot opozitarët janë njerëz të mërzitur, janë të lodhur, të keqtrajtuar dhe të dëshpëruar. Por çdo opozitari dhe opozitareje i them se jemi në kilometrin e fundit, për shkak të qëndresës sonë. Ne kemi përballë një armik të paligjshëm, që qëndron në kundërshtim me Kushtetutën, me ligjin dhe vullnetin e qytetarëve shqiptarë”, tha Berisha.

Berisha theksoi se zgjedhjet e kaluara ishin farsë, ndaj dhe “ne kemi të drejtën kombëtare, ndërkombëtare, morale, ligjore, ta rrëzojmë këtë qeveri një minutë e më parë”.

“Ne kemi çdo motiv. Dy gjëra i heqin çdo legjitimitet qeverisë: farsa zgjedhore dhe vjedhja e qytetarëve”, tha Berisha.

/m.m/j.p/

The post Berisha: Sfida e demokratëve, mbrojtja e votës së lirë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kongresisti Self ngre çështjen e diskriminimit ndaj shqiptarëve në Luginë

21 January 2026 at 20:00

PRISHTINË, 21 janar/ATSH/ Kongresmeni amerikan Keith Self ka prezantuar në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Aktin për Vlerësimin e Diskriminimit në Luginën e Preshevës, një nismë ligjore që synon të adresojë trajtimin e shqiptarëve nga autoritetet serbe.

Lajmi është bërë i ditur në rrjetin “X” nga “Albanians for America”, ku thuhet se sot shënohet një moment i rëndësishëm për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Gjatë procedurave zyrtare në Kongresin Amerikan, anëtarët e Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve trajtojnë shqetësimet e vazhdueshme për të drejtat e njeriut dhe të drejtat e pakicave në Serbinë jugore – çështje që shumë shpesh kanë mbetur jashtë shqyrtimit ndërkombëtar”, thuhet krahas pamjeve nga Kongresi.

Për këtë ka reaguar, deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi. Ai shprehu mirënjohje për kongresmenin amerikan Keith Self.

Ai tha se si qëndrim zyrtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Komiteti për Punë të Jashtme i Kongresit të SHBA miratoi rezolutën H.R. 6411, mbi të drejtat etnike dhe kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. 

“Mirënjohje e veçantë për Kongresistin Keith Self, Kryetar i Nënkomitetit për Evropë, për iniciativën dhe lidershipin e tij parimor, si dhe për përkrahjen dypartiake të Kryetarit Brian Mast dhe Nënkryetarit Gregory Meeks. Kjo rezolutë tashmë pritet të aprovohet nga vetë Kongresi i ??SHBA”, shkruan ai.

Sipas tij, Shtetet e Bashkuara po kërkojnë përgjegjësi ligjore dhe politike nga Beogradi për diskriminimin sistematik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Faleminderit të gjithë atyre që nuk u ndalën kurrë. Zëri ynë u dëgjua. Puna jonë dhe ndihma e Qeverisë së RKS për Luginë po shihet”, shkruan ai. /Kosovapress/

The post Kongresisti Self ngre çështjen e diskriminimit ndaj shqiptarëve në Luginë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

DAVOS – Trump: Kanadaja ia detyron ekzistencën e saj të vazhdueshme SHBA-së

21 January 2026 at 19:37

DAVOS, 21 janar /ATSH/- Kanadaja ia detyron ekzistencën e saj të vazhdueshme Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tha sot presidenti i SHBA-së Donald Trump, ndërsa kritikoi fjalimin e kryeministrit kanadez Mark Carney në të cilin ai dënoi masat shtrënguese nga fuqitë e mëdha, sipas “CBC News”.

Duke folur në Davos të Zvicrës, ku Trump këmbënguli për blerjen e Greonlandës nga SHBA-ja, ai tha se i duhej territori danez për “Kupolën e Artë” të propozuar nga vetë ai, një sistem mbrojtjeje nga raketat që mund të mbulojë Amerikën e Veriut.

Trump tha se kupola do ta mbronte Kanadanë për shkak të gjeografisë dhe vendi nuk ishte mjaftueshëm mirënjohës që një sistem i tillë ishte në proces.

Carney nuk ka qenë i angazhuar në të kaluarën në lidhje me pjesëmarrjen ose pagesën e Kanadasë për atë që Trump po propozon.

“Kanadaja merr shumë dhurata falas nga ne. Ata duhet të jenë mirënjohës, por nuk janë”, tha Trump.

“E pashë kryeministrin tuaj dje. Ai nuk ishte aq mirënjohës – ata duhet të jenë mirënjohës ndaj SHBA-së. Kanadaja jeton për shkak të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Trump, një referencë e dukshme për mbrojtjen ushtarake që SHBA-ja i ofron kontinentit.

“Mbaje mend këtë, Mark, herën tjetër që do të bësh deklaratat e tua”, tha ai, duke iu referuar kryeministrit kanadez, i cili u largua nga samiti para se Trump të mbante fjalimin e tij. Të dy nuk u takuan në margjinat e samitit.

Pa e përmendur Trump me emër, Carney iu referua “hegjemonisë amerikane” dhe tha dje se fuqitë botërore po e përdornin integrimin ekonomik si “armë”.

“Kanadezët e dinë se supozimi ynë i vjetër dhe i rehatshëm se gjeografia dhe anëtarësimi ynë në aleancë automatikisht na jepnin prosperitet dhe siguri nuk është më i vlefshëm”, tha Carney.

Ndërsa përballet me këtë dinamikë të re, Carney tha se Kanadaja duhet të ishte “parimore dhe pragmatike” dhe të kthehej për të ndërtuar vendin dhe për të diversifikuar marrëdhëniet tregtare – për t’u bërë më pak e varur nga vende si SHBA-ja, tani që është e qartë se integrimi mund të çojë në “nënshtrim”.

“Kjo qasje izolacioniste, ku ekziston një “botë fortesash”, do t’i bëjë vendet më të varfra, të brishta dhe më pak të qëndrueshme”, tha Carney.

“Por, kjo po vjen gjithsesi dhe Kanadaja duhet të punojë me aleatë me të njëjtat mendje, aty ku është e mundur, për të kundërshtuar dominimin nga vendet më të mëdha, më të pasura dhe më të armatosura mirë”, shtoi ai.

“Rendi i vjetër nuk po kthehet. Nuk duhet ta vajtojmë. Nostalgjia nuk është një strategji. Por nga thyerja, ne mund të ndërtojmë diçka më të mirë, më të fortë dhe më të drejtë”, tha dje Carney në Davos.

Gjatë fjalimeve të tij të gjata dhe të paqarta, Trump iu referua sërish Kanadasë ndërsa po reklamonte përfitimet e supozuara të regjimit të tij global të tarifave.

Në një konferencë për shtyp dje në Shtëpinë e Bardhë, Trump përmendi problemet në industrinë automobilistike të Kanadasë si një nga arritjet e tij.

Trump u tha punonjësve në fabrikën “Ford në Dearborn”, javën e kaluar se amerikanët nuk kishin nevojë për makina të prodhuara në Kanada.

Automjetet janë eksporti i dytë më i madh kanadez për nga vlera, me 46,5 miliardë dollarë në vitin 2024, nga të cilat 92 % u eksportuan në SHBA.

Fabrikat e montimit të automjeteve në Brampton dhe Ingersoll, Ont., kanë qenë të bllokuara që kur Trump nisi luftën e tij tregtare.

Dhe disa prodhues makinash si “General Motors” dhe kompania mëmë e “Chrysler, Stellantis”, kanë njoftuar investime të reja në SHBA.

Megjithatë, pavarësisht retorikës së presidentit, të dhënat paraprake nga Byroja e Statistikave të Punës në SHBA tregojnë se në fakt ka pasur një tkurrje të vendeve të punës në industrinë e automobilave në jug të kufirit gjatë vitit të kaluar.

Fjalët e fundit të Trump vijnë gjithashtu një ditë pasi ai postoi një imazh të ndryshuar në media sociale të flamurit të SHBA-së mbi Kanadanë dhe Groenlandën. //a.i/

 

The post DAVOS – Trump: Kanadaja ia detyron ekzistencën e saj të vazhdueshme SHBA-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Nuk kemi arritur të krijojmë zemërimin e madh të qytetarëve ndaj korrupsionit

21 January 2026 at 19:29

TIRANË, 21 janar/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se edhe gjatë qeverisjes së djathtë ka pasur korrupsion, por kishte po ashtu edhe një luftë të hekurt kundër këtij fenomeni.

Në një bashkëbisedim me simpatizantët e degës 2 PD-së në Tiranë, Berisha u shpreh se “ne jemi forcë politike vendimesh të dhimbshme, por i kemi marrë ato në emër të një morali dhe një parimi”.

“Kemi një problem serioz, pasi për korrupsionin nuk kemi arritur që të krijojë zemërimin e madh të qytetarit. Nuk e pëlqejnë, por nuk është ai reagim që duhet të jetë. Dhe këtu është një defekt i yni, duhet ta pranojmë. Duhet të mos lodhemi së shpjeguari”, tha Berisha.

Sipas tij, PD në tetë vite administroi 30 miliardë euro. “Ne ishim parti e taksave të ulëta dhe do jemi gjithmonë. Kanë administruar në 12 vite, 67 miliardë euro. Dyfishuam rroga dhe pensione. Ndërtuam 11 mijë kilometra rrugë dhe mbi një mijë shkolla e kopshte”, tha Berisha.

Berisha theksoi se PD përfaqëson interesin e Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe ky mision u shndërrua dhe në forcën jetike të kësaj force politike.

/m.m/

The post Berisha: Nuk kemi arritur të krijojmë zemërimin e madh të qytetarëve ndaj korrupsionit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëria në Bordin e Paqes, PS kërkon mbledhjen e Kuvendit nesër për ratifikimin e marrëveshjes

21 January 2026 at 18:40

TIRANË, 21 janar/ATSH/ Partia Socialiste, përmes një shkrese zyrtare drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi ka kërkuar mbledhjen e Kuvendit ditën e enjte për ratifikimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes për pranimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes.

Në shkresën drejtuar Kuvendit, grupi parlamentar i Partisë Socialiste kërkon thirrjen e Kuvendit në 22 janar në orën 10:00 duke marrë në konsideratë rëndësinë strategjike të Bordit të Paqes.

Po ashtu PS thekson se kërkesa bazohet në Kushtetutë dhe në Rregulloren e Kuvendit dhe vjen pas vlerësimit të rëndësisë së projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes” dhe në funksion të angazhimit të vazhdueshëm të Shqipërisë për promovimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Nga ana tjetër Partia Demokratike e pyetur nga mediet për pjesëmarrjen ose jo në një seancë plenare të supozuar për t’u zhvilluar nesër, shprehet se “deri në orën 16.40, grupi parlamentar i Partisë Demokratike nuk ka marrë asnjë njoftim nga Kryetari i Kuvendit për mbledhje të seancës plenare gjatë kësaj jave.

“Me vendim të njëanshëm të mazhorancës në seancën plenare të datës 19 janar 2026, në Kalendarin e Punimeve të Kuvendit, është përcaktuar që këtë javë nuk ka seancë plenare. Seanca plenare e radhës është planifikuar për t’u zhvilluar në datën 27 janar. Sipas Rregullores së Kuvendit, mbledhja e seancës plenare dhe rendi i ditës, i njoftohen deputetëve dhe publikut, si rregull 7 ditë përpara, por jo më vonë se 2 ditë përpara datës së caktuar për seancë plenare”, thuhet në njoftimin e PD-së.

Sipas PD-së, “transparenca dhe llogaridhënia ndaj qytetarëve i dikton Kuvendit  që për secilën çështje dhe vendimmarrje, të respektojë rregullat e parashikuara nga Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit, në respekt edhe të përgjegjshmërisë që duhet të tregojë secili deputet gjatë ushtrimit të funksionit të tij kushtetues”.

/m.m/j.p/

The post Shqipëria në Bordin e Paqes, PS kërkon mbledhjen e Kuvendit nesër për ratifikimin e marrëveshjes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Miratohet krijimi i Agjencisë Kombëtare të Ekonomisë së Mbetjeve

TIRANË, 21 janar/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për përcaktimin e organizimit të brendshëm, të organeve drejtuese e të mënyrës së funksionimit të Agjencisë Kombëtare të Ekonomisë së Mbetjeve (AKEM).

Sipas vendimit të qeverisë, AKEM është shoqëri aksionare me kapital 100% shtetëror, e themeluar me qëllim përmbushjen e objektivave të përcaktuar në ligjin  “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”.

Autoriteti publik, që përfaqëson shtetin si pronar të 100% të aksioneve të shoqërisë aksionare, është ministria përgjegjëse për mjedisin.

AKEM ofron kundrejt pagesës, shërbimin e trajtimit fundor të mbetjeve dhe çdo shërbim tjetër, në përputhje me qëllimin e krijimit dhe statutin e saj.

Kapitali fillestar për krijimin e AKEM është 20 milionë lekë.

Ministria e Mjedisit, brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, ndjek procedurat e nevojshme ligjore për themelimin dhe miratimin e statutit të shoqërisë aksionare, regjistrimin e AKEM në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Organet drejtuese të AKEM janë: Asambleja e Përgjithshme e Aksionarit; Këshilli Mbikëqyrës dhe Administratori.

Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi për krijimin e kapitalit fillestar të shoqërisë, në vlerën 20 milionë lekë përballohen nga buxheti i Agjencisë Kombëtare të Ekonomisë së Mbetjeve.

Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Mjedisit, Ministria e Financave, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor dhe Agjencia Kombëtare e Ekonomisë së Mbetjeve.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

/k.s/j.p/

The post Miratohet krijimi i Agjencisë Kombëtare të Ekonomisë së Mbetjeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PARIS – Franca bën thirrje për stërvitje të NATO-s në Groenlandë, ndërsa Trump dyfishon përpjekjet për ishullin

21 January 2026 at 18:33

PARIS, 21 janar /ATSH-AA/ – Franca ka bërë thirrje për një stërvitje ushtarake të NATO-s në Grenlandë dhe tha se është “e gatshme të kontribuojë”, njoftoi Pallati Elysee, ndërsa tensionet rriten mes deklaratave të përsëritura të presidentit të SHBA-së, Donald Trump për marrjen e kontrollit të ishullit Arktik.

Grenlanda, një territor vetëqeverisës i Mbretërisë së Danimarkës, ka tërhequr interesin e Trumpit për shkak të vendndodhjes strategjike dhe burimeve të mëdha minerale, si dhe shqetësimeve të supozuara në lidhje me rritjen e aktivitetit rus dhe kinez.

Ndërsa Trump refuzoi të përjashtonte përdorimin e forcës për të marrë ishullin dhe postoi imazhe si meme për të mbështetur pretendimin e tij, Danimarka dhe Grenlanda kanë hedhur poshtë propozimet për ta shitur atë, duke riafirmuar sovranitetin danez mbi territorin.

Franca, Danimarka, Suedia dhe Gjermania po rrisin praninë e tyre ushtarake në Grenlandë përmes ushtrimeve dhe misioneve të zbulimit, ndërsa Trump ka këmbëngulur që territori duhet të jetë “në duart e SHBA-së” për t’iu kundërvënë Rusisë dhe Kinës.

Të shtunën, Trump tha se Washingtoni do të vendoste tarifa prej 10 për qind për mallrat nga Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Holanda dhe Finlanda duke filluar nga 1 shkurti dhe duke u rritur në 25 për qind në qershor derisa të arrihet një marrëveshje për “blerjen e plotë dhe totale të Grenlandës”.

Në përgjigje, udhëheqësit evropianë hodhën poshtë kërcënimet e Trumpit për tarifa kundër tetë vendeve evropiane dhe përsëritën solidaritetin me Danimarkën.   /os/

The post PARIS – Franca bën thirrje për stërvitje të NATO-s në Groenlandë, ndërsa Trump dyfishon përpjekjet për ishullin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BERLIN – Gjermania akuzon Rusinë për krime lufte në Ukrainë

21 January 2026 at 18:26

BERLIN, 21 janar /ATSH-DPA/- Qeveria gjermane akuzoi sot Rusinë për krime lufte në Ukrainë, pasi sulmet e përsëritura ndaj infrastrukturës energjetike të vendit lanë shumë qytetarë pa ngrohje dhe energji elektrike mes të ftohtit të dimrit.

“Qindra mijëra fëmijë, të moshuar dhe familje duhet të durojnë temperaturat e ngrirjes pa energji elektrike, ngrohje ose ujë të nxehtë”, tha zëvendëszëdhënësi i qeverisë Steffen Meyer në Berlin.

“Presidenti rus Vladimir Putin po e përdor të ftohtin si armë”, tha zëdhënësi, duke i përshkruar sulmet si thellësisht çnjerëzore dhe përçmuese për jetën njerëzore.

“Sipas mendimit tonë, Rusia e Putinit po kryen krime lufte”, shtoi ai.

Sipas presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, më shumë se 1 milion banorë janë aktualisht pa energji elektrike vetëm në Kiev, pas sulmeve të fundit ruse.

“Gjermania dënon këto sulme ruse masive të vazhdueshme në termat më të forta të mundshme”, tha zëdhënësi.

“Pavarësisht shumë mosmarrëveshjeve të tjera në skenën ndërkombëtare, ngjarjet në Ukrainë meritojnë një fokus të qartë”, tha ai.

“Përfundimi i kësaj lufte duhet të vazhdojë të jetë shqetësimi qendror i përbashkët i Evropës, Ukrainës, SHBA-së dhe gjithashtu i unionit ndërkombëtar”, shtoi ai. //a.i/

The post BERLIN – Gjermania akuzon Rusinë për krime lufte në Ukrainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌