Normal view

Pushteti nuk fitohet nga dështimi i tjetrit

28 July 2026 at 22:00

Nga Shpëtim Luku

Sa herë meditoj rreth politikës shqiptare dhe mënyrës se si duhet të funksionojë ajo, shembujt më vijnë nga biznesi.

Andej nga vitet 2000, kur privatizimi i pronave publike u intensifikua, disa biznesmenë shpikën teorinë e favorizimit të biznesmenëve vendas në ankandet e privatizimit. “T’i marrin pronat shqiptarët, të mbetet leku këtu”, ishte argumenti i tyre. Dhe nuk është se nuk ia panë hajrin kësaj logjike.

Birra Tirana ishte një nga pronat publike që u privatizua nën ndikimin e kësaj fryme. Në atë kohë, fituese e ankandit rezultoi kompania italiane Moretti, por letrat u rregulluan në mënyrë të tillë që prona përfundoi në duart e një grupi biznesmenësh shqiptarë. Më pas aksionet kaluan nga njëri te tjetri, derisa sot kompania është pronë e një aksioneri të vetëm.

Por realiteti pas privatizimit nuk solli ndonjë histori suksesi. Përkundrazi, Birra Tirana u shndërrua nga një prej zgjedhjeve të para të konsumatorëve në një markë pothuajse të padukshme në treg. E njëjta histori u përsërit edhe me shumë prona të tjera publike, të cilat nuk gjetën kujdestarin më të aftë, sepse konkurrimi nuk ishte i lirë dhe fituesi nuk ishte domosdoshmërisht më i miri.

Sa më shumë kalojnë vitet, aq më tepër bindem se edhe politika funksionon me të njëjtën logjikë.

Në politikë shpesh dëgjojmë thirrje që kundërshtari të largohet, të dorëhiqet ose të shpallet i padenjë për të qeverisur. Në pamje të parë kjo duket logjike. Por, në të vërtetë, nëse kundërshtari është i korruptuar, qeveris keq apo krijon pakënaqësi, ai po prodhon pikërisht atë që opozitës i nevojitet më shumë: arsyet pse qytetarët duhet të kërkojnë ndryshim.

Dështimet e qeverisë janë lënda e parë e opozitës. Por lënda e parë, sado e bollshme të jetë, nuk mjafton për të ndërtuar një alternativë.

Ashtu si një biznes nuk fiton tregun vetëm sepse rivali i tij ka dështuar, edhe një parti politike nuk fiton pushtetin vetëm sepse qeveria ka konsumuar besimin e qytetarëve. Duhet një program i besueshëm, një vizion i qartë, njerëzit e duhur dhe, mbi të gjitha, aftësia për të krijuar “kiminë” e nevojshme me votuesit.

Sepse, po të ishte e mjaftueshme të prisje gabimet e kundërshtarit, pushteti do të ndërrohej çdo javë. Por qytetarët nuk votojnë vetëm për të ndëshkuar dikë, ata votojnë edhe për t’i besuar dikujt.

Ashtu si në biznes, nuk fiton domosdoshmërisht ai që përfiton nga dobësitë e tjetrit. Fiton ai që bind se është kujdestari më i mirë i asaj që kërkon të marrë në dorë. Në privatizim, kur prona nuk i jepet atij që di ta zhvillojë, humbet prona. Në politikë, kur pushteti nuk i besohet atij që di të qeverisë më mirë, humbet e gjithë shoqëria.

Prandaj alternativa nuk ndërtohet duke pritur rrëzimin e kundërshtarit. Ajo ndërtohet duke u bërë çdo ditë arsyeja pse qytetarët duhet të të zgjedhin ty. Vetëm atëherë rotacioni nuk është thjesht ndërrim pushteti, por një përmirësim i vërtetë i qeverisjes.

Aksident tragjik në Fushë-Krujë, një i vdekur dhe një i plagosur, detajet e para

28 July 2026 at 21:52

Një aksident i rëndë rrugor me pasojë vdekjen e një personi është regjistruar në një aks rural që lidh fshatin Bilaj me pjesën tjetër të Fushë-Krujës.

Ngjarja ndodhi mesditën e sotme, ku dy automjete u përplasën me forcë në një segment të ngushtë e të rrezikshëm.

Sipas të dhënave paraprake, në aksident u përfshinë një automjet tip Volkswagen, i drejtuar nga shtetasi me inicile V. D., dhe një Mercedes-Benz, që drejtohej nga shtetasi K. L..

Përplasja rezultoi fatale për V. D., banor i fshatit Bilaj, i cili humbi jetën në vendngjarje.

Drejtuesi i automjetit tjetër, K. L., mbeti i plagosur rëndë dhe u transportua me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore.

Policia e Shtetit njoftoi se shkak paraprak i aksidentit dyshohet të ketë qenë shpejtësia e lartë me të cilën lëvizte automjeti i drejtuar nga shtetasi K. L.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.

Regjimi iranian nuk gjen qetësi, ekzekuton dy protestues të rinj

By: S T
28 July 2026 at 21:46

Regjimi iranian vijon terrorin, ekzekuton dy protestues të rinj; Rajavi
Të rinjtë e ekzekutuar

Regjimi iranian ekzekutoi publikisht në Isfahan dy protestues të rinj, Abolfazl Sepahi dhe Amirhossein Safari, të arrestuar gjatë kryengritjes së janarit 2026. Megjithë praninë masive të forcave të sigurisë, qytetarët protestuan dhe u përballën me gaz lotsjellës…

Në agimin e së martës, më 28 korrik 2026, Abolfazl Sepahi Badjani, 24 vjeç, dhe Amirhossein Safari Hosseinabadi, 27 vjeç, dy prej të arrestuarve gjatë kryengritjes së janarit 2026, u ekzekutuan publikisht në sheshin Alikhani të Isfahanit. Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit deklaroi se regjimi i kreu këto ekzekutime publike për të përhapur frikë në shoqëri dhe për të parandaluar zgjerimin e protestave popullore.

Sipas raportit, përpara ekzekutimit, forcat e sigurisë dhe njësitë represive, nga frika e reagimit të qytetarëve, kishin dislokuar agjentë në rrugët përreth sheshit Alikhani dhe në tarracat e ndërtesave aty pranë. Pavarësisht pranisë së gjerë të forcave të sigurisë, disa nga qytetarët e pranishëm protestuan kundër ekzekutimit të dy të rinjve, duke thirrur: “Të pandershëm, të pandershëm!”. Forcat e regjimit sulmuan turmën dhe përdorën gaz lotsjellës për ta shpërndarë.

Ekzekutimi i Abolfazl Sepahit dhe Amirhossein Safarit lidhet me çështjen e njohur si “Dosja e Sheshit Alikhani”. Kjo çështje përfshin një grup të rinjsh të arrestuar gjatë kryengritjes së janarit 2026 në Isfahan. Sipas deklaratës së Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit, sistemi gjyqësor i regjimit ka dënuar me vdekje 12 protestues në kuadër të kësaj dosjeje.

Përpara ekzekutimit të Abolfazl Sepahit dhe Amirhossein Safarit, ishin ekzekutuar edhe Erfan Esfandiari dhe Gol-Mohammad Mohammadi, dy të burgosur të tjerë të së njëjtës dosje. Në këtë mënyrë, deri tani katër prej të dënuarve në çështjen e Sheshit Alikhani kanë humbur jetën për shkak të zbatimit të dënimeve me vdekje, ndërsa tetë të rinj të tjerë vazhdojnë të përballen me rrezikun e ekzekutimit të afërt.

Këshilli Kombëtar i Rezistencës e ka cilësuar procesin gjyqësor si të privuar nga standardet më themelore të një gjykimi të drejtë. Sipas deklaratës, seancat u zhvilluan nga Mohammad Barati-Dorcheh dhe Mohammad-Reza Tavakoli, ndërsa të pandehurve iu mohua e drejta për të zgjedhur lirisht avokatët e tyre. Madje edhe avokatëve të caktuar nga gjykata nuk iu lejua qasje e plotë në dosjet dhe dokumentet e klientëve. Këto rrethana kanë ngritur shqetësime serioze për mungesën e transparencës gjyqësore, mohimin e së drejtës së mbrojtjes dhe dhënien e vendimeve të paracaktuara.

Rezistenca Iraniane kishte paralajmëruar më 19 korrik 2026 për rrezikun e afërt të ekzekutimit të këtyre të burgosurve. Ajo u kishte bërë thirrje Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe organizatave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut që të ndërhynin menjëherë për të parandaluar zbatimin e dënimeve. Pavarësisht këtyre paralajmërimeve, Abolfazl Sepahi dhe Amirhossein Safari u ekzekutuan publikisht.

Tetë të burgosurit e tjerë që vazhdojnë të jenë nën dënim me vdekje në të njëjtën çështje janë: Alireza Sepahi, 24 vjeç; Ghaem Hosseini, 20 vjeç; Shervin Bagherian, 18 vjeç; Amirhossein Ebrahimi Analucheh, 19 vjeç; Amirhossein Maleki, 19 vjeç; Ali Dashti, 19 vjeç; Abolfazl Ebrahimi, 18 vjeç; dhe Alireza Raeisi, 21 vjeç. Mosha e tyre e re, veçanërisht prania e disa 18 dhe 19-vjeçarëve në këtë grup, e bën edhe më urgjente ndërhyrjen ndërkombëtare për shpëtimin e jetës së tyre.

Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit, e cilësoi ekzekutimin publik të Abolfazl Sepahit dhe Amirhossein Safarit si një “krim mesjetar”. Ajo deklaroi se diktatura fetare, përmes ekzekutimeve të njëpasnjëshme të të rinjve muxhahedinë dhe protestuesve të guximshëm, po përpiqet dëshpërimisht të parandalojë shpërthimin e zemërimit popullor dhe ringritjen e protestave.

Sipas zonjës Rajavi, këto ekzekutime jo vetëm që nuk do t’i ndalin protestat, por do ta forcojnë më tej vendosmërinë e të rinjve kryengritës për përmbysjen e regjimit gjakatar.

Maryam Rajavi u bëri thirrje Kombeve të Bashkuara, të gjitha organizatave të të drejtave të njeriut, Bashkimit Evropian dhe vendeve të tij anëtare që ta dënojnë me vendosmëri ekzekutimin publik të dy të rinjve. Ajo kërkoi gjithashtu masa të menjëhershme dhe efektive për ndalimin e makinës së ekzekutimit dhe represionit, si dhe për shpëtimin e të burgosurve politikë të dënuar me vdekje, veçanërisht tetë të rinjve të mbetur në dosjen e Isfahanit.

Në përfundim të deklaratës, Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit theksoi se heshtja dhe mosveprimi i bashkësisë ndërkombëtare i japin regjimit iranian dritë jeshile për vazhdimin dhe intensifikimin e ekzekutimeve. Këshilli kërkoi që dosja e shkeljeve të të drejtave të njeriut në Iran t’i referohet Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe që drejtuesit e regjimit të dalin para drejtësisë për krime kundër njerëzimit.

Burimi: https://al.ncr-iran.org

Zjarret, evakuohen 330 mijë persona në Francë & Spanjë, operacioni më i madh civil në kohë paqeje

28 July 2026 at 21:45

Një valë e paprecedentë zjarresh masive ka përfshirë Francën jugperëndimore dhe Spanjën, duke detyruar zhvendosjen e rreth 330 mijë personave nga shtëpitë dhe zonat turistike. Autoritetet franceze urdhëruan të martën evakuimin e gati 4,000 personave të tjerë nga vendpushimet në bregdetin e Atlantikut, ndërsa të nxehtit ekstrem kërcënon punën e zjarrfikësve në rajonin e Girondës.

Sipas të dhënave zyrtare, zjarri në perëndim të Bordeaux ka djegur një sipërfaqe prej 420 kilometrash katrorë — katër herë më e madhe se sipërfaqja e Parisit — dhe ka detyruar evakuimin e 220,000 njerëzve vetëm në këtë zonë.

Operacioni më i madh i evakuimit civil në kohë paqeje

Përmasat e kësaj krize mjedisore kanë sjellë lëvizje masive të popullsisë, të cilat autoritetet franceze i konsiderojnë historike.

“Franca mund të mos ketë parë kurrë një evakuim të kësaj shkalle në kohë paqeje”, tha ministri i Brendshëm Laurent Nuñez. Sipas tij, ky ishte operacioni më i madh i evakuimit civil të kryer ndonjëherë në vend jashtë luftës.

Ndërkohë, sa i përket ecurisë së flakëve në terren, përfaqësuesit e shërbimeve të emergjencës nënvizojnë brishtësinë e situatës.

“Jemi në një pikë brishtësie. Ne do të vazhdojmë të luftojmë këtë zjarr pavarësisht rritjes së parashikuar të temperaturave.”, tha Eric Brocardi, Zëdhënës i federatës kombëtare të zjarrfikësve të Francës.

Në rajonin e Girondës, zjarret kanë shkaktuar edhe fenomene meteorologjike të pazakonta, duke krijuar për herë të parë në Francë stuhi stuhish me re të zeza, vetëtima dhe erëra të forta që kanë përhapur vatrat e reja.

Spanja përballet me zjarrin më të madh në historinë e saj

Në Spanjë, situata mbetet kritike ndërsa vendi përgatitet për valën e katërt të të nxehtit, me temperatura që parashikohet të kalojnë 40 gradë Celsius. Autoritetet spanjolle kanë evakuuar rreth 79,000 njerëz dhe kanë urdhëruar 30,000 të tjerë të izolohen në banesa, ndërsa qeveria ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme kombëtare.

Deri më tani, në Spanjë janë djegur 1,530 kilometra katrorë sipërfaqe dhe kanë humbur jetën të paktën 13 persona.

Një vatër e madhe në provincën e Ávilës, në perëndim të Madridit, është kthyer në zjarrin më të madh të regjistruar ndonjëherë në Spanjë, duke djegur mbi 500 kilometra katrorë.

Tymi dhe aroma e hirit nga zjarret pyjore kanë arritur deri në lagjet qendrore dhe lindore të Madridit.

Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez ka bërë thirrje për një pakt kombëtar kundër zjarreve, duke ia atribuuar përkeqësimin e situatës ndryshimeve klimatike.

Sipas shërbimit klimatik “Copernicus” të Bashkimit Evropian, Evropa po ngrohet me më shumë se dyfishin e mesatares globale, ndërsa Evropa Perëndimore regjistroi qershorin më të nxehtë në histori.

Kërkohej për tentativë vrasje, forcat speciale greke arrestojnë shqiptarin (EMRI)

28 July 2026 at 21:37

Në orët e mëngjesit të sotëm, pas një vlerësimi informacioni dhe pas një operacioni të koordinuar, me ndihmën e forcave speciale greke EKAM dhe Grupeve Operacionale të DAOE, nga Oficerët e Policisë së Departamentit të Ndjekjes së Krimeve me Zhvatje të policisë greke, u arrestua shtetasi shqiptar Adriano Bushi 32 vjeç.

Ai u kap brenda një shtëpie ku ai banonte përkohësisht në zonën e Ovryas të Patrës, sepse ndaj tij ishte në pritje një Urdhër Arresti nga Departamenti i 2-të i Rregullt Hetimor i Prokurorisë së Shkallës së Parë të Akaisë, për veprat penale “vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe për shkelje të legjislacionit “për Armët dhe Lëndët Eksplozive”.

Sipas burimeve policore, Bushi akuzohet për një ngjarje të prillit të këtij viti. Më 07.04.2026, Adriano Bushi, së bashku me Dimitrios Georgakopoulo, Georgio Giova dhe një shtetas ende të paidentifikuar, u takuan në rrugën Ryakiou në N. Souli, Patra, me Panagiotis Moraiti dhe Panagiotis Theodorakopoulo, për shkak të një mosmarrëveshjeje midis Giovas dhe Moraitit.

Kur Theodorakopoulos dhe Moraitis mbërritën në takimin e paracaktuar, ata u qëlluan me një plumb të drejtpërdrejtë me qëllim vrasjeje nga Adriano Bushi dhe shtetasi i paidentifikuar, duke rezultuar në plagosjen e Moraitis.

Siç u përcaktua më pas, Moraitis pësoi plagë depërtuese në të dy gastrocnemiusët, ndërsa ishte shkaktuar edhe një frakturë e fibulës së majtë.

Odisea i Matt Damon dhe Odisea i Bekim Fehmiut

28 July 2026 at 21:29

Nga Ben Blushi

Dy ditët e fundit pashë dy Odise.

Atë të Matt Damon që po përmbyt kinematë e botës dhe Odisean e aktorit kosovar Bekim Fehmiu të xhiruar në vitin 1968 nga italianët.

Me një sy të shpejtë, versioni i ri ngjan me bagazhin e një kamioni të mbushur me emigrantë që zihen me njëri-tjetrin ndërsa ndiqen nga policia, kurse varianti i vjetër i ngjan një varke që lundron ne det të hapur ndërsa pasagjerët e saj vuajnë nga kujdesi i tepërt i perëndive.

Si në cdo veprimtari të paligjshme edhe në filmin e ri problemi më i dukshëm janë burrat.

Ankthi i pandërprerë i shokëve të Odisesë është linja që përshkon filmin nga fillimi deri në skenën e fundit që mbaron si episodi i paxhiruar i filmit Titanik, kur Odisea dhe Penelopa largohen me anije për të shijuar dashurinë e tyre në vende të panjohura.

Duket sikur në përfundim të xhirimeve rregjisori është bërë pishman dhe pasi ka folur me gruan në telefon ajo i është lutur që atë zymtësi dhe ankth ta mbyllë me një skenë romantike që i përcjell spektatorët në shtëpi me një shije pak më të ëmbël në gojë.

Pra filmi mbaron me një happy end standard që është gjetja më e konsumuar e kinemasë amerikane.

Por derisa të vish te ky happy end që zgjat vetëm dy minuta, ke kaluar tre orë ankth dhe errësirë të sajuar me efekte kompjuterike të cilat i kanë bërë plazhet e Mesdheut të duken si peisazhe tropikale që Hollivudi i përdor për filmat me Tarzanin.

Aktorët që shoqërojnë Odisenë mund të jenë pasqyra reale e kohës sonë, kur burrat torturohen në trafik, rrudhen në punë, plaken në vetmi, sëmuren nga divorcet dhe lënë gjithë kursimet e jetës në spitale të tmerrshme, por ata nuk kanë asnjë lidhje me monotoninë lineare të banorëve të Mesdheut para tre mijë vitesh.

Në atë kohë njerëzit kishin shumë frikë por nuk kishin stres.

Kurse aktorët e Kristofer Nolan kanë edhe frikë edhe stres.

Ata nuk kanë asnjë çast qetësije, asnjë pushim, asnjë gëzim. Ata nuk e shijojnë diellin, kripën dhe shoqërinë e perëndive të mrekullueshme që në atë epokë kanë qenë shumë të pranishme në jetën e njerëzve duke krijuar njëkohësisht pasiguri dhe siguri.

Perënditë e Odisesë së ri jo vetëm nuk janë njerëzore dhe shpëtimtare por janë një katalog sëmundjesh epidemike të kohës sonë. Ato janë stresi, paniku i përhershëm, pasiguria, vetmia dhe errësira e shpirtit të dënuar nga urbanizmi i jetës së përditshme.

Edhe vetë Kali i Trojës, simboli më i madh teknologjik i Epokës së Bronzit, në filmin e Kristofer Nolan i ngjan një makine të ditëve tona që duket sikur ka dalë nga varrezat e hekurishteve të kontintentit amerikan dhe rastësisht është gjendur në një plazh mesdhetar.

Kali i Trojës nuk ishte vetëm një dhuratë por ishte një shpikje dhe kjo është arsyeja pse trojanët e morën për të kuptuar si funksiononte ajo makinë lufte që ka shërbyer si tanku i parë në histori. Njëlloj si në tank aty u fshehën luftëtarët duke detyruar armiqtë e tyre t’i marrin në shtëpi pa e ditur se ata janë brenda.

Kristofer Nolan nuk e trajton Kalin e Trojës si një shpikje të Odiseut por si një mbetje ushtarake.

Mirëpo makina e përdorur e Kalit të Trojës nuk është asgjë para deformimit të grave që shfaqen në këtë film sikur sapo kanë dalë nga puna.

Aktoret ngjajnë me shitëset e supërmarketeve amerikane ku shoferët e kamionave të mbushur me mallra konsumi ndalojnë për t’u furnizuar, për të ngrënë ndonjë hamburger të ftohtë dhe për të shkuar në tualetin e shpifur të banalitetit të rrugëve.

Nuk besoj se ka ndonjë film tjetër që i ka shëmtuar gratë më shumë.

Megjithatë çështja nuk është se gratë e Odisesë janë të shëmtuara. Çështja është se ato duken si gratë nevrastenike të kohës sonë që dalin nga fabrikat kapitaliste, që janë gjithë kohën të bezdisura dhe prandaj ngacmojnë cdo njeri që ju del përpara me fjalorin e dhunshëm të instagramit.

Problemi nuk është se Helena është e zezë por sepse ajo nuk ka klas. Për atë zhubravitje me shenjë në faqe nuk ja vlen të bësh asnjë luftë.

Helena duket si një kamariere zevzeke që gjithë kohën shan klientët pasi përcmon burrin e vet idiot, ndërkohë që shtriga Circe ngjan si një pastruese motelesh diku mes Teksasit dhe Arizonës, Kalipso është një mësuese e lodhur nga braktisja e një adoleshenti të llastuar, kurse Penelopa jo vetëm nuk është inteligjente, por mban mbi lëkurë të gjitha rrudhat e vanitetit që ju krijohen grave angleze nga rutina e cajit të pasdites.

Odisea është një histori e mbushur me eros. Por pikërisht erosi është elementi që i mungon aktoreve të Kristofer Nolan.

Ky është një film pa asnjë puthje në kohën kur njerëzit shkonin në luftë për një puthje.

Seicilës prej këtyre grave i mungon tharmi, pra tërheqja e fortë për të cilën Odisea sakrifikon jetën duke udhëtuar njëzet vjet nga një grua tek tjetra.

Odisea është udhëtimi i cdo burri në botën e misterëshme të grave. Gjatë këtij udhëtimi ai shijon, provon, teston dhe mëson derisa kupton se çfarë do.

Odisea është historia e një burri që pasi njeh një shtrigë djallëzore si Circja, një bukuri të pavdekshme si Kalipso dhe një lolitë qumështore si Nausika zgjedh të jetojë me gruan e vet të zakonshme dhe të vdekshme.

Drejt saj e con erosi, vdekja dhe kujtimet.

Por ndryshimi i grave të filmit të vjetër të viteve 60, me ato të filmit të ri është edhe më i thjeshtë : të parat janë më të bukura, me sensuale por më të ngathëta, kurse të dytat janë të shëmtuara, të egra dhe shumë histerike. Aktoret e Odisesë së ri mezi presin të mbarojë xhirimi për të pirë një antidepresiv që ju është djersitur në xhep nga dielli i fortë i Mesdheut që ato i bën me dhimbje koke.

Fytyrat e tyre kanë një shqetësim që gratë tre mijë vjet më parë nuk e kanë njohur. Është shqetësimi i karrierës, i punës, i shpejtësisë së jetës, i avionave, lëvizjeve, cmimit të bukurisë, plakjes plastike, kozmetikave të skaduara dhe potencës së dyshimtë të burrave. Gratë e Homerit nuk i kanë patur këto halle. Ato ishin shtëpiake, nuk i jepnin makinave, nuk kishin tik tok dhe zbukuroheshin me produkte natyralë vaj, bimë, gjallesa deti, gjethe të lagura nga vesa dhe puthje të gjata.

Por shëmtija e grave nuk është asgjë para deformimit virtual që Kristofer Nolan ju ka bërë përbindëshave të bukur mitologjikë.

Në vitet 60 filmat nuk bëheshin me kompjuter dhe përbindëshat ishin aktorë të zmadhuar me lente. Megjithatë Polifemi italian është shumë më i vërtetë se kakzozi i verdhë që kishte sajuar Kristofer Nolan. Ky gjarpër kaucuku me dy këmbë të cilit në asnjë cast nuk iu duk organi mitologjik që ka ndryshuar letërsinë e botës, pra syri i vetëm, është një shpifësirë. Aty filmi ngjan me një lojë fëmijësh ku epërsia teknologjike vret krijesën e saj.

Përbindëshat e Odisesë nuk kanë ekzistuar. Ato ishin metaforat e vështirësive të jetës dhe prandaj ishin të bukura, në harmoni me natyrën dhe kishin tipare njerëzore. Duket sikur Kristofor Nolan ka besuar vërtet se ato qenije kanë ekzistuar dhe arsyet e këtij keqkuptimi duhen kërkuar në fëmijërinë e leximeve të tij të cekëta.

Mua më vjen keq pse ka zhdukur sirenat e detit që simbolizojnë dhe sot joshjen vrastare, por pikërisht kjo zhdukje e ka bërë vuajtjen e Matt Damon të duket shumë artificiale. Ky cast magjik i mbushur me muzikë hyjnore gjatë të cilës Odisea është i lidhur me litarë kalon shumë shpejt, megjithëse ky është momenti kur Odisea testohet si burrë dhe jo si luftëtar dhe as si prijës.

Për fat të keq Kristofer Nolan e ka zhveshur Odisenë jo vetëm nga burrëria, por edhe nga të gjithë tiparet e tij dalluese që janë madhështia, dinakëria, egërsia dhe maskuliniteti.

Matt Damon nuk është as madhështor, as dinak, as obsesiv, as i egër dhe as mashkullor.

Portreti i tij ka gjurmët e të gjitha halleve të burrave të shekullit tonë që Odisea nuk i njihte. Ai mendon për spektatorët, për rrudhat e fytyrës, për dietën, për ekologjinë trupore, për yndyrën e tepërt, për palestrën e famës së shpejtë, për cmimet Oscar, por asnjë cast nuk mendon për natyrën, për dashurinë, për dhimbjen, për vetminë dhe lavdinë pas vdekjes.

Matt Damon është një Odise që nuk mendon. Ai nuk ka shpirt, nuk ka egërsi, nuk ka forcë, nuk ka seks.

Ai është fake.

Në krahasim me Bekim Fehmiun, Matt Damon duket si një balerin plastik që ka frikë të hidhet mbi dallgët e kohës. Në asnjë cast mendja e tij dinake nuk thotë dicka të zgjuar, nuk zgjidh një krizë, nuk krijon një befasi dhe nuk shkakton një furtunë.

Matt Damon nuk është asnjëherë shkaku. Ai është pasoja e vendimeve që marrin forcat e tjera.

Në të kundërt Bekim Fehmiu është shkaku i tragjedisë së vet. Troja, gratë, luftërat, tradhëtitë, vuajtjet dhe aventurat janë të gjitha pasojë e veprimeve të tij. Odisea kërkon të ndëshkohet për atë që ka bërë dhe i mbijeton ndëshkimeve duke ndryshuar vendimet e perëndive.

Odisea i Bekim Fehmiut i sfidon perënditë.

Kjo është arsyeja pse ai i mbijetoi historisë. Sepse i detyroi perënditë ta kthenin në shtëpi kur e kutpuan se ai ishte i pathyeshëm.

Matt Damon nuk ka asnjë nga këto cilësi. Ai duket si një Odise i penduar. Nëse do i jepej një mundësi tjetër ai nuk do bënte më asgjë nga gjërat që ka bërë. Prandaj në fund ikën me gruan në një muaj mjalti duke hedhur poshtë jetën që ka bërë.

Pikërisht këtu ndryshon me Bekim Fehmiun. Bekimi nuk shfaq asnjë pendesë. Ai është kokëfortë, i vendosur dhe e ka shijuar jetën e vet. Ai nuk ka asnjë pishman. Do bënte cdo gjë që ka bërë pa ndryshuar asgjë.

Ndryshe nga Matt Damon, Bekim Fehmiu luan, qesh, dashuron, tradhëton, rrëzohet, ngrihet dhe niset drejt aventurës së re.

Ai nuk ka frikë.

Prandaj Bekim Fehmiu është Odisea më i vërtetë që kemi parë.

Ai është Odisea.

Protesta, Rama dhe shumica e shqiptarëve që nuk janë në protestë!

28 July 2026 at 21:25

Nga Nikoll Lesi

Kanë kaluar afro 13 vjet që kur Edi Rama drejton qeverinë shqiptare. Gjatë kësaj periudhe ai ka fituar katër mandate radhazi, ndërsa opozita, edhe pse ka organizuar protesta, bojkote parlamentare dhe akuza të vazhdueshme për keqqeverisje, korrupsion dhe deformim të zgjedhjeve, nuk ka arritur të krijojë forcën politike dhe shoqërore që do ta detyronte mazhorancën të largohej nga pushteti. Protesta qytetare para Kryeministrisë, e cila vazhdon prej afro 50 ditësh e kusur, është një tjetër provë se zemërimi politik nuk mjafton domosdoshmërisht për të prodhuar ndryshim.

Pyetja që shtrohet është e thjeshtë: pse?

Koha YouTube Channel
Një përgjigje lidhet me matematikën elektorale. Nëse mazhoranca arrin të sigurojë rreth 800 mijë vota, ndërsa opozita rreth 500 mijë, atëherë diferenca nuk është vetëm numerike, por edhe politike. Në demokraci, protestat kanë rëndësi, por legjitimiteti kryesor buron nga vota. Një qeveri që ruan një avantazh të konsiderueshëm elektoral është shumë më e vështirë të rrëzohet vetëm përmes mobilizimit në rrugë. Për më tepër, pjesëmarrja në protesta nuk përfaqëson domosdoshmërisht shumicën e qytetarëve.

Swiss Digital Desktop Reklama
Aq me tepër që kjo protestë nisi nga zemërimi i dhunës në Zvërnec, e me të drejtë, por me pas ra në duar të ndryshme, ku janë përzier të varfër që duan jetë më të mirë, mjedisorë, segmente kriminale, shërbime intelegjente të shtetëve konkurente në fushën e turizmit, segmente iraniane, njerëz idealistë, por utopistë që mendojnë se një protestë rrëzon një qeveri, siç edhe segmente që duan destabilitet për të fshehur pazaret e tyre me krimin, etj.

Por një pjesë e konsiderueshme e opinionit publik duket se është lodhur nga përplasja mes të njëjtëve protagonistë politikë që dominojnë jetën publike prej më shumë se tri dekadash. Opozita e drejtuar nga Sali Berisha vazhdon të ketë një bazë të fortë mbështetësish besnikë, por e ka më të vështirë të tërheqë votuesit gri, të rinjtë dhe qytetarët që kërkojnë një alternativë të re. Në politikë nuk mjafton të kundërshtosh qeverinë; duhet të bindësh qytetarët se je zgjidhje më e mirë se ajo që kritikon.

Në këtë aspekt, opozita ende nuk ka arritur të ndërtojë një narrativë të plotë për qeverisjen e nesërme. Akuzat ndaj qeverisë janë të shumta dhe shpesh të forta, por ato nuk shoqërohen gjithmonë me një program të detajuar ekonomik, institucional dhe social që të krijojë besim tek votuesit e pavendosur. Shumë qytetarë mund të jenë kritikë ndaj qeverisë, por njëkohësisht të mos jenë të bindur se opozita do të qeveriste më mirë.

Një faktor tjetër është kontrolli institucional që ndërtohet gjatë një qeverisjeje të gjatë. Pas 13 vitesh në pushtet, çdo qeveri krijon avantazhe politike, administrative dhe organizative që e bëjnë më të vështirë rotacionin. Kjo nuk është një veçori vetëm shqiptare; është një dukuri që është vërejtur edhe në vende të tjera ku një forcë politike qëndron gjatë në qeverisje. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se rotacioni është i pamundur, por se ai kërkon një opozitë më të bashkuar, më bindëse dhe më të aftë për të zgjeruar mbështetjen përtej elektoratit tradicional.

Një tjetër pyetje që ngrihet shpesh është: pse partnerët ndërkombëtarë nuk reagojnë më ashpër ndaj zhvillimeve politike në Shqipëri?

Në analizën politike duhet shmangur ideja se mungesa e reagimeve publike nënkupton domosdoshmërisht mbështetje pa kushte për qeverinë. Partnerët perëndimorë kanë prioritete që lidhen me stabilitetin rajonal, funksionimin e institucioneve, reformat në drejtësi dhe procesin e integrimit europian. Në shumë raste, diplomacia zgjedh dialogun institucional dhe jo konfrontimin publik. Nga kjo lind perceptimi se “mbyllin njërin sy”, por kjo është më tepër një interpretim politik sesa një fakt i provuar.

Nga ana tjetër, Bashkimi Europian ka interes strategjik që Shqipëria të vazhdojë procesin e anëtarësimit. Një vend i integruar në strukturat europiane konsiderohet më i qëndrueshëm politikisht dhe ekonomikisht. Kjo nuk do të thotë se BE-ja injoron problemet e demokracisë apo të shtetit të së drejtës, por se zakonisht preferon t’i adresojë ato përmes mekanizmave të negociatave, raporteve të progresit dhe kushteve institucionale, në vend të përfshirjes në konfliktin e përditshëm politik.

Atëherë, cila mund të jetë zgjidhja?

Së pari, opozita duhet të dalë nga logjika e protestës së përhershme dhe të kalojë tek logjika e alternativës qeverisëse. Qytetarët kërkojnë përgjigje konkrete për ekonominë, emigracionin, arsimin, shëndetësinë, pagat, pensionet dhe luftën kundër korrupsionit. Vetëm kritika nuk mjafton.

Së dyti, nevojitet një proces rinovimi politik, me më shumë hapësirë për figura të reja, ekspertë dhe profesionistë që mund të zgjerojnë besimin publik. Një opozitë që mbështetet vetëm tek elektorati tradicional e ka të vështirë të fitojë shumicën.

Së treti, edhe qeveria duhet të kuptojë se një demokraci funksionale nuk matet vetëm me fitoret elektorale. Transparenca, llogaridhënia, respekti për institucionet dhe garantimi i një gare të besueshme politike janë elementë thelbësorë për besimin e qytetarëve. Në këtë rast Edi Rama do të bënte mirë për një qeveri të re në shtator, me figura më emblematike, ku ministri të mos lerë që për çdo gjë të dalë kryeministri, por të jetë vetë një “kryeministër” i sektorit të tij! Fjala vjen, ministri i Mjedisit, mund të jetë një djalë i mirë, por nuk doli njëherë të mbronte investimin në Zvernec në sensin e mjedisit! E pse duhet një ministër i tillë!?

Në fund, Shqipëria nuk ka nevojë për një fitore të përhershme të një partie apo për një humbje të përhershme të tjetrës. Demokracia funksionon më mirë kur ekziston konkurrencë reale, rotacion i besueshëm dhe alternativa që bindin qytetarët. Nëse opozita nuk arrin të frymëzojë shumicën e shqiptarëve, protestat, sado të gjata, vështirë se do të prodhojnë ndryshim politik. Nëse qeveria nuk arrin të ruajë standardet demokratike dhe besimin publik, edhe një shumicë e madhe elektorale mund të zbehet me kalimin e kohës.

Në fund, vendimin e japin qytetarët përmes votës. Pikërisht aty matet forca reale e çdo qeverie dhe e çdo opozite.

A doni vërtetë ndryshim: E kemi para syve!

28 July 2026 at 21:16

Nga Ben Andoni

Pjesa e protagonizmit në këto ditë të nxehta është ajo që e dallon më së shumti protestën, ku zëra dhe protagonistë të ndryshëm po përpiqen jo thjeshtë të identifikohen por edhe të tregojnë pikëpamjet për ndryshimin. Në disa ditë, ajo i ka frikësuar dhe tulatur pafund ligjvënësit, ku rrugën e tyre të rehatit dhe begatisë, siç mund të quhet udha drejt parlamentit e shumë syreshëve që nuk i njeh askush, u është bërë e vështirë. Por, paskëtaj, ashtu si ndodh rëndom pas protestës, deputetët janë larguar në udhët e tyre të qetësisë, kurse shumica e njerëzve që protestojnë se nuk kanë çfarë të humbasin janë larguar me besimin se i shtuan dhe një ditë aktivizëm kronologjisë së protestës. Në këto ditë, ashtu si pritet, protesta po rresht nga numrat; po shton protagonistët dhe patetikët sidomos ata të kudondodhurit e rrjeteve sociale, kontingjent vazhdimisht bjerraditës; po qetëson politikanët që qëndrojnë pas Ramës dhe Berishës dhe po lë pas një protestë nga e cila shqiptarët prisnin shumë. Ndërkohë që shumë nga shqiptarët e dinë mirë se kështu mund të vazhdohet pafund duke i kërkuar dorëheqjen Ramës, ndërsa përfitimet e protestës t’i marrë sërish qeveria Rama dhe ai vetë, madje edhe t’përfitojnë ata deputetë dhe zyrtarë që u fshehën pas tij dhe që një palë syresh shprehen në kafe (institucioni i bjerraditësve) se kështu nuk shtyhet (në fakt lexo: Kështu e duan). Kështu po zbret dhe u bjerr protesta e Serbisë, u harrua ajo e Maqedonisë së Veriut, nuk e kujton fare atë të Malit të Zi, për të mos u kujtuar më fare ato të Kosovës, tashmë mbathur me shqetësimet e saj.

Protesta e Flamingove që nuk u kthye dot në Lëvizje duhet të shikohet dhe matet me objektivat. Dhe, ato, përbëjnë pikërisht ato që mund të arrihen. E para, që afrohet më shumë me testin e parë real të kësaj proteste, janë zgjedhjet lokale. Nëse vërtetë njerëzit duan ndryshim, ata që mëtojnë se organizojnë, duhet t’i drejtohen këtij objektivi dhe të matin pritshmëritë por edhe inercinë e besimit për ndryshim.

Pak javë më parë, Veprimi Qytetar për Demokraci Funksionale dorëzoi kërkesën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për mbledhjen e 20 mijë firmave mbështetëse, lidhur me një projektligj, i cili synon ndryshime dhe shtesa në Kodin Zgjedhor. Përmes dhjetë propozimeve kryesore u identifikua ndarja e vendit në katër rajone zgjedhore, lista 100% të hapura, mundësia e kandidimit përmes listave qytetare, depolitizimi i administratës zgjedhore, lehtësimi i votimit për personat me aftësi të kufizuara dhe forcimi i kontrollit mbi financimin politik. Paketa parashikon gjithashtu masa më të ashpra ndaj shkeljeve zgjedhore dhe digjitalizimin e procesit të mbledhjes së firmave mbështetëse. Mbështetja dhe presioni për këtë nismë në parlament ishte diçka e matshme, por ndërkohë dhe përgatitëse për ndryshimin për të cilin flitet në çdo mbrëmje. Dhe, ndryshimi është kanonik, do të vijë vetëm përmes zgjedhjeve. Kështu ndodhi në kapërcyell të kohës së socializmit drejt demokracisë dhe kështu ndodhi në fund të viteve ’90 me batërdinë që i bëmë shtetit tonë. Në fund, do shkohet në kutitë e votimit dhe me këtë strategji të protestës (nëse ka), PS dhe PD, të dy partitë do e çojnë sërish Reformën Zgjedhore në hullitë e interesave të tyre, kinse duke akuzuar njëra-tjetrën. Pra, mund të kërkosh të pamundurën (dorëheqjen e Ramës); qeverinë teknike; mund të marrësh përkrahje nga europarlamentarë që do harrojnë pse erdhën; mund të dëgjosh lloj-lloj teori shteti dhe patetikë, por situata do mbetet kjo që është: Me shqiptarë që do ikin sërish; me sistem drejtësie që po ua shton barrën e vështirësive shqiptarëve; me problemin e madh të pronave të pazgjidhur dhe që është e pamundur të zgjidhet, të paktën deri në fund të këtij shekulli, kur shumë nga ne nuk do jenë më në jetë; me sistem ekonomik që  i dërrmoi grupimet e varfra dhe i kërrusi grupet taksapaguese; me sisteme shkollore dhe shëndetësore të drobitura dhe aspak efikase…Ndryshimi është para syve, por duket se paradoksalisht njerëzit me flamurin e Protestës nuk e duan ose bëjnë sikur nuk e shohin: Ai lidhet me infrastrukturën zgjedhore dhe vetë zgjedhjet. Dhe, mbi të gjitha akoma, me vetë shqiptarin, vëllezërit e motrat tona që na batërdisin në kadastra dhe kudo në administratë dhe që tani në masë janë pjesë edhe e Gjeneratës Z. Kaq e thjeshtë është: Ndryshojmë atë që të mundemi dhe me këtë ndryshojmë dhe veten. Por, me sa duket nuk e duam edhe pse mësuam se mund të protestojmë bukur. Dhe, siç e thoshte qartë i mbijetuarit i Holokaustit, nobelisti Elie Wiesel: “Mund të ketë raste kur jemi të pafuqishëm për të parandaluar padrejtësinë, por nuk duhet të ketë kurrë një kohë kur nuk dështojmë të protestojmë”. Nuk ka pse të dështohet me Flamingot, po ta duam vërtetë ndryshimin, por me sa duket aty po shkohet… (Javanews)

Fluturoi mbi centralin nuklear, kapet në Francë Ermal Beqiraj që kërkohet për “AKSHI”-n. Parisi: Spiunazh apo gabim?

28 July 2026 at 21:06

Biznesmeni shqiptar Ermal Beqiraj,, i shpallur në kërkim nga SPAK në lidhje me dosjen e bujshme të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, është arrestuar në Francë.

Sipas mediave franceze, ai u ndalua nga autoritetet pasi dyshohet se me një avion të vogël realizoi një fluturim të dyshimtë mbi centralin bërthamor Penly, në rajonin Seine-Maritime.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e së shtunës, 25 korrik, kur avioni i drejtuar nga Beqiraj ka kaluar mbi zonën e mbrojtur dhe ka ulur papritur lartësinë nën kufirin e lejuar për fluturimet mbi objekte të ndjeshme.

Pas sinjalizimit, ushtria ajrore franceze dërgoi një mjet për ta shoqëruar avionin deri në aeroportin e Albertit, në Somme, ku piloti Ermal Beqiraj u arrestua nga policia dhe u vendos në paraburgim.

Gjatë kontrollit fizik, autoritetet franceze i gjetën tre pajisje gjurmuese “AirTag”, të cilat përdoren për lokalizim. Ky element ka ngritur dyshime te hetuesit, të cilët po shqyrtojnë mundësinë që ai mund të ketë vepruar nën ndikimin ose urdhrat e një personi tjetër.

Mediat franceze raportojnë se shtetasi Ermal Beqiraj është i njohur më parë për drejtësinë franceze dhe shqiptare për çështje që lidhen me mashtrime financiare, mashtrim të organizuar dhe veprimtari të paligjshme kibernetike.

Gjatë marrjes në pyetje, biznesmeni shqiptar ka deklaruar se kishte gabuar me lartësinë e fluturimit dhe se në momentin e kalimit mbi central ishte duke folur në telefon me nënën e tij.

Sipas raportimeve, ai është dënuar në Francë me 7 mijë euro gjobë për fluturim të ndaluar mbi një zonë të mbrojtur dhe më pas i është dorëzuar strukturave kundër krimit të organizuar. Beqiraj pritet të ekstradohet në Shqipëri.

Reforma zgjedhore/ KQZ kërkon rregulla më të forta dhe kufij të qartë, zbulohen kërkesat e PS dhe PD!

By: E S
28 July 2026 at 21:00

Politika është ulur të shkruajë rregullat e reja të lojës për zgjedhjet.

Komisioneri Ilirjan Celibashi kërkoi që kodi i ri zgjedhor te vendosë kufij të qartë në mënyrë që burimet shtetërore të mos përdoren për qëllime elektorale.

‘Kodi duhet të parashikojë shprehimisht parimin e ndarjes ndërmjet shtetit dhe partisë në pushtet, si një standard i administrimit zgjedhor dhe jo si një parim politik. Në shumë vende të OSBE-së, ky është një parim me vlerë kushtetuese ose ligjore. Ka nevojë për një filozofi të re rregullatore. Kjo filozofi duhet të mbështetet në tre parime themelore. Ligji duhet të jetë i qartë. Kompetencat mbikëqyrëse duhet të jenë efektive dhe, përgjegjësia duhet të jetë reale dhe proporcionale’, tha Komisioneri Celibashi.

Vendosja e balancës mes shtetit dhe partisë në pushtet për mazhorancën është një ekuacion i vështirë, por jo i pamundur.

Damian Gjiknuri: Si të arrijmë një balancë të drejtë mes nevojës për të qeverisur, por njëkohësisht edhe të mos krijojmë avantazhe të padrejta. Është një balancë nganjëherë e vështirë, sepse nuk besoj se ndonjë zgjidhje absolute jep rezultat në dobi të zgjedhjeve. Të vijmë me paketë ligjore brenda këtij viti.

Në prani të eksperteve ndërkombëtar opozita i shpalli lufte patronazhistëve dhe kërkoj sanksionim të shkelësve te ligjit.

Oerd Bykykbashi: Kemi edhe akte rregullatore, por në fund numri i ankesave nuk korrespondon me numrin e sanksioneve. Nuk mund të vazhdojmë ta bëjmë kornizën gjithnjë e më të rëndë, ndërkohë që, nga ana tjetër, asgjë nuk zbatohet.

Në tryezën për parandalimin e keqpërdorimit të burimeve shtetërore përfaqësuesit e OSBE dhe BE bënë thirrje për dialog në mënyrë që palët të bëjnë ndryshimet e nevojshme ligjore për të garantuar një fushë te barabarte loje./Tch

Hetoheshin prej disa javësh, arrestohen dy persona për krime lufte në Kosovë

By: E S
28 July 2026 at 19:47

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se dy persona janë arrestuar dhe janë ndaluar për 48 orë, nën dyshimet se kanë kryer krime lufte kundër popullatës civile.

“Nën dyshimin e bazuar, gjatë periudhës së luftës, përkatësisht në vitin 1999, dyshohet se dy personat kanë kryer krime ndaj popullatës civile në zonën e Mitrovicës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokuroria shton se hetimet për këtë rast janë në vazhdim dhe se, “me qëllim të ruajtjes së integritetit të procedurës penale, në këtë fazë nuk mund të bëhen publike më shumë detaje”.

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë, e mbështetur nga Beogradi – deklaroi se akuzat për krime lufte “janë shndërruar në një mjet për frikësimin e popullit tonë, e jo në një përpjekje për të vendosur drejtësi”.

Sipas saj, arrestimet janë “vazhdim i presionit” të autoriteteve të Kosovës, të udhëhequra nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ndaj komunitetit serb.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë reagoi po ashtu, duke thënë se arrestimi në Zubin Potok është “terrorizëm, hakmarrje dhe frikësim” i pjesëtarëve të komunitetit serb.

Me kap prajmin!

By: S M
28 July 2026 at 19:43

Nga Skënder Minxhozi/

 

Si fillim nuk është e vështirë të bihet dakord se ajo që bëri Agron Shehaj në Kuvend me marrëveshjen ushtarake me SHBA s’ka asnjë lidhje me shërbime të huaja, qëllime spiunazhi apo diçka tjetër të kësaj natyre. Ai turravrap koridoreve të parlamentit teksa nëpunësja që administronte marrëveshjen e ndiqte pas duke rënë nga shkallët, nuk ishte ikja e një agjenti, por e një influenceri politik. Do të ishte për të qeshur nëse zbërthehet si agjenturor ai gjest grotesk dhe banal i një deputeti që merr ca letra dhe del me vrap nga zyra si fëmijët që vjedhin tinëz hurmat e komshiut.

Gjesti i Agron Shehajt është një gjetje e radhës e një politikani që ka hyrë me celular ndezur në dorë në jetën politike. Thënë ndryshe, ai vrap koridoresh është një akt i radhës i mirëmenduar për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik. Tamam si ata lojtarët e reality show që kur afrohet spektakli i fundjavës dalin nga plogështia dhe mendojnë lloj-lloj marifetesh që të bien në sy natën e shfaqjes. Kështu edhe kjo arratia me letrat e Amerikës në dorë e Agron Shehajt. Një episod qesharak, sikur të mos ishte rrëzimi nga shkallët i asaj zonjës që e ndiqte nga pas. Një episod i stisur vetëm me një qëllim: Me kap prajmin!

Shehaj nuk është i ri në këtë qasje. I vajti kryeministrit me celular duke e filmuar në fytyrë teksa e shante e sulmonte vetëm që rriste audiencën në profilet sociale që e ndiqnin live sherrin me të parin e qeverisë. Muaj më parë u ngul në foltoren e Kuvendit duke i zënë radhën folësve demokratë derisa Noka e të tjerët e larguan fizikisht prej aty. Sërish për të kapur edicionet e lajmeve kryesore.

Ka shkaktuar sa e sa sherre verbale me ministra e kundërshtarë politikë majtas e djathtas duke transmetuar sërish në rrjetet e veta sociale atë që po bënte. E di kodin e të bërit viral, e di dhe magjinë e TikTokut e Facebookut dhe i shfrytëzon këto platforma sa herë që i paraqitet rasti. Edhe kur rastin i duhet ta sajojë nga hiçi, si kjo puna e vrapit parlamentar. Është një zgjedhje e tij mediatike, e jo politike ajo që e shtyn të jetë rregullisht në qendër konfliktesh të sajuara me qëllim që të marrë vëmendje dhe të shfaqet si e vetmja opozitë në sallën e parlamentit. Ai është dënuar plot pesë herë gjatë këtij sesioni parlamentar për sjelljet abrazive që ka treguar në Kuvend. I mungonte edhe një vrap me një tekst të klasifikuar në dorë korridoreve të parlamentit, që ta plotësonte panoramën e “përplasjes me regjimin”.

Protesta 60 ditore ka futur nën presion të gjithë klasën aktuale politike. Ku bën pjesë me patjetër edhe treshja e partive të reja që u votuan në zgjedhjet e shkuara të 11 majit. Presioni i ardhur nga sheshi prek dhe influencon secilin nga aktorët politikë sipas një dinamike të personalizuar.

Kështu fjala vjen, protesta i ka marrë gjithë fushën e lojës Berishës. Ka futur në mendime jo të pakta Edi Ramën dhe shumicën e tij. Por njëherësh ka dubluar, duke i shkelur këmbët, edhe tre parti të reja, ndër të cilat ajo e zotit Shehaj, të cilat e shohin veten rregullisht në periferi të qendrës së zërit të protestës, duke u munduar të kapin diçka nga inercia e turmës. Një turmë e cila deri më sot i ka sulmuar disa herë publikisht tre krerët e partive në fjalë. E kjo të shtyn të gjesh të tjera rrugë “të forta” për t’u faktorizuar. Si fjala vjen, të rrëmbesh ca letra ‘amerikane’!

Agron Shehaj duket se po bindet se ndodhet pranë një emërimi në postin e kryeministrit ose së paku që do të jetë pjesë e rëndësishme e së nesërmes politike të këtij vendi. Se cila do të jetë ajo alkimi numrash, rrethanash apo negociatash që do ta katapultojë aty kjo nuk është shumë e qartë por Shehajt i mjafton që ta ushqejë këtë mundësi qoftë edhe boshe. Dhe si duhet pritur kjo orë fatlume në mënyrë “krijuese”?! Duhet pritur ndër të tjera edhe duke marrë dokumenta të klasifikuara e duke ikur me vrap nëpër korridoret e shtetit. Me kusht që gjithçka të jetë duke u filmuar për t’u përdorur më pas si provë e heroizmit të deputetit që nuk ngurron të zbulojë letrat e qeverisë së korruptuar edhe kur në mes është Amerika. ‘Nice try’ thonë me ironi në këto raste matanë Atlantikut!

Flamingot-pjesa e dytë: Si po konturohet partia e revolucionit

28 July 2026 at 19:37

Nga Ylli Pata

Tentativat për krijimin e një partie të majtë të tipit revolucionar kanë nisur që herët, madje brenda gjirit të mazhorancës qeverisëse të Edi Ramës.

Pikërisht kur nisi aksioni i protestave për armët kimike. Ishte LSI-ja e Ilir Metës, e cila së bashku me eksponentë të vjetër e të rinj të PS-së, planifikuan si fillim marrjen e kontrollit të PS-së.

Zgjedhjet e 2017-s, siç dihet tashmë dogjën planin A, por jo projektin e çarjes brenda së majtës, e cila është në të vërtetë ploja bazë për të rrëzuar socialistët nga pushteti.

Monika Kryemadhi, pas zgjedhjeve të 2017-s, kur Edi Rama mori i vetëm qeverinë pa asnjë aleat tjetër, deklaroi se shumë shpejt ata do ta rrëzonin Ramën dhe do të vendosnin një qeveri teknike të drejtuar nga një socialist të vjetër.

Loja ishte përdorimi i Tik Llallës për plojën “Tahiri” dhe zgjatjen e mandatit të tij deri në krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë. As ky plan nuk eci, kështu që pati një lloj pushimi aktiv deri në verën e vjeshtën e vitit 2018 kur nisën protestat studentore.

Ishte pikërisht kjo koha e planit strategjik, kur shikoje në fushë forca të reja aktive, të cilët po zbatonin taktikat guerile të Vetëvendosjes.

Shënjestra u caktua ministrja e Arsimit e kohës Lindita Nikolla, e cila ishte viktima e parë e gjuajtjes me lëndë ushqimore.

Drejtuesi i këtyre grupeve ishte Arlind Qori, i cili në atë kohë paraqitej si pedagog dhe mendimtar i pavarur në diskursin publik nëpër media të ndryshme.

Kur shpërthyen protestat studentore, Qori ishte natyrshëm një nga protagonistët më të rëndësishëm, e çdo zhvillim sillte si mundësi krijimin e një partie të re.

Ai ishte momenti i artë për të sjellë në skenën politike shqiptare një forcë të freskët, të re, reactive, që sipas të gjitha gjasave do të kishte efekt të menjëhershëm.

Ka shumë personazhe që kanë qenë pranë këtyre lëvizjeve që flisnin për një krijim të shpejtë të forcës së re.

Gjë që nuk ndodhi, sipas gjasave, të frenuara nga faktorë më të mëdhenj, të cilët ishin pranë në këshilla, financa e mbështetje të ndryshme; që nga logjistika në qarqe ndërkombëtare.

Dy faktorët që e ndaluan këtë zhvillim duket ishin Albin Kurti dhe Ilir Meta, të cilët patën një afrim jo demonstrative duke u afruar zgjedhjet e 2019-s dhe 2021-shit.

Megjithatë kjo kimi shikohej më shumë në temat që hidheshin në panele dhe aktorët mediatikë që përfshiheshin në betejë.

Njerëzit që mbronin më shumë Ilir Metën mediatikisht, u bënë edhe partizanët e rinj të Albin Kurtit. Duke nxjerrë në 2019 temën e famshme të shitjes së territoreve. Ku krejt pa e kalkuluar u fut edhe Ramush Haradinaj, që politikisht mori më pas konseguenca të rënda politike zgjedhje pas zgjedhjesh.

Por duke u kthyer tek protestat e 2018-s; ndryshimi i qeverisë së Edi Ramës, pra ministrat e larguar dhe personazhet e sjellë në kabinet, nëse analizohen mirë, vizatohet qartësisht lufta e vjetër e Albin Kurtit me Edi Ramën.

Fjaskoja e 2021-shit për Albin Kurtin në zgjedhjet parlamentare ishte një goditje e rëndë, ku si pasojë u la në fjetje plani i partisë së revolucionit, për tu riaktivizuar ditët e sotme.

Ku, duke ju referuar shprehjes së Edi Ramës ka një “përputhje yjesh” të disa faktorëve të majtë ndërkombëtarë për ta risjellë në skenë planin e vjetër të Albin Kurtit.

I cili duket qartë që është proxy më i madh i kësaj ploje, së bashku me detashmentin e grupeve të armiqve dhe kundërshtarëve të Edi Ramës.

Këto ditë media të rëndësishme europiane të konsideruara si “liberale” po risjellin Flamingo Revolution në skenë, si një prolog vjeshtor.

Sllovenia, aty ku ndodhet laboratori i filozofëve arqiomarksistë që ka nxjerrë Albin Kurtin si produkt, është kthyer në qendrën mediatike të publikimit të Kapitullitt ë dytë të Revolucionit të Flamingove. Ndërkaq, ky laborator i veshur me emrin e një institute studimor, për të cilin ka pasur zëra se financohet nga donatorë nga Lindja e Mesme, dekoroi Ilir Metën, pikërisht pas publikimit të videos së famshme me Dritan Priftin.

Pikërisht nga Lubjana, ku po gatuhet seria e dytë e filmit me flamingo, ka nisur një promovim mediatik të protagonistëve të revolucionit të Shqipërisë. Ku paraqiten qartësisht personazhe që janë qartësisht të majtë dhe pjesë e rrjetit European, ku bën pjesë dhe Albin Kurti.

Francezja Le Mondë ka promovuar disa personazhe të rinj, që sipas gjasave krijojnë një efekt në opinion, e japin të gjitha indicjet e një lancimi të një forcë të majtë. Mungesa e Arlind Qorit në këto shkrime provokuese tregon sipas gjasave një plan të ri politik nga këto qendra, padyshim sipas indikacioneve që shkojnë nga Prishtina në Lubjanë e më pas në këto qarqe mediatike që po promovojnë të majtën e re.

E cila në shtator pritet të publikojë më në fund fytyrën dhe emrat e saj, ku do të ketë gjithashtu fytyra të njohura, që kohët e fundit kanë dalë herë pas here. Megjithatë protagonistët që më shumë citohen nuk janë të rinjtë, por emra të njohur mediatike amjtistë, ku Fatos Lubonja pritet të jetë një nga udhëheqësit apo ideologët kryesorë. i cili në një intervistë në gazetën më e madhe sllovene, sulmon përfaqësuesen e Sllovenisë në qeverinë e BE-së, komisioneren Marta Kos meqë po përkrah Shqipërinë.

Linjë që tregon pikërisht linjën e flamingove që synon të hyjë fort në revolucionin e tetorit.

Policia italiane zbulon “fabrikën” e kokainës, tre shqiptarë në pranga, mes tyre një grua

By: E S
28 July 2026 at 19:28

Një ndarje e fshehur brenda një makine, e krijuar posaçërisht për të ruajtur një kilogram kokainë, raporti i një gruaje shqiptare që mbërriti nga Parma të Italisë, për të përfunduar marrëveshjen dhe një ‘punishte’ e vërtetë brenda një shtëpie për të paketuar drogën për shitje.

Këto janë tre elementët kryesorë të hetimit që çoi në arrestimin e tre personave nga policia në një zonë të izoluar në fshatin Palombara Sabina. Shtetasi shqiptar, i mbërritur nga Parma, sipas rindërtimit të Skuadrës Fluturuese, duhej të përfundonte marrëveshjen.

Bastisja ndaloi trafikantët, të cilët u kapën brenda pronës. U zbulua laboratori klandestin, si dhe pjesa e poshtme e rreme e makinës, informon media italiane. Droga u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me sendet e tjera të gjetura në ambiente dhe që shërbenin për ndarje e paketim.

Dyshohet se financonte një nga bandat më të fuqishme kriminale të vendit, arrestohet ish-kryebashkiaku në Ekuador

By: E S
28 July 2026 at 19:21

Policia e Ekuadorit arrestoi sot një ish-kryebashkiak të një komuniteti minerar, i cili konsiderohet si financuesi kryesor i organizatës kriminale “Los Lobos”, e përfshirë në trafikun e drogës dhe aktivitetet e paligjshme të nxjerrjes së mineraleve.

Sipas ministrit të Brendshëm, John Reimberg, Elías Baldor Bermeo, i njohur edhe me nofkën “B.B.”, konsiderohet “financuesi kryesor i një prej organizatave më të dhunshme që ka njohur ndonjëherë vendi”. Ai theksoi se arrestimi i ish-kryebashkiakut të komunës Camilo Ponce Enríquez shënon “rënien e një prej financuesve kryesorë të organizatës kriminale Los Lobos, e cila për vite me radhë ka përdorur minierat e paligjshme për të përfituar miliona dollarë”.

Me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, qeveria e presidentit të djathtë Daniel Noboa po intensifikon përpjekjet për të goditur bandat dhe kartelet e drogës që veprojnë në të gjithë vendin. Njëkohësisht, autoritetet po ndërmarrin masa edhe për të frenuar aktivitetet e paligjshme minerare.

Gjatë operacionit policor në komunën Camilo Ponce Enríquez, në provincën andine të Azuay, efektivët zbuluan shufra ari mbi të cilat ishte vendosur fotografia e trafikantit të vrarë kolumbian të drogës, Pablo Escobar. Në total u arrestuan gjashtë persona, mes tyre edhe të afërm të “B.B.”.

Ministri Reimberg deklaroi se Elías Baldor Bermeo dyshohet për përfshirje në aktivitete të paligjshme minerare, si edhe për organizimin e sulmeve me mjete shpërthyese. “Gjatë periudhës 2023–2025, ky person ka qarkulluar rreth 3.2 milionë dollarë përmes kompanive minerare”, sqaroi ministri.

Aksident i dyfishtë në Fier/ Mjeti me targa italiane përfundon në kanal, shkak parakalimi i gabuar

By: E S
28 July 2026 at 19:14

Aksident në aksin rrugor nacional Pushimi i shoferit-Fier Shegan. Dy mjete janë përplasur në dalje të fshatit Rrupaj.

Mjeti me targa greke tentoi të parakalonte mjetin me targa italiane. Manovra e gabuar e parakalimit bëri që mjeti me targa italiane të përfundojë në kanal. Tre personat që udhëtonin në të, dy bashkëshortët dhe djali i tyre i rritur u transportuan me urgjencë në spitalin e Lushnjes nga dy ambulanca.

Policia në vendngjarje po dokumenton rastin dhe po disiplinon trafikun. Ky aks rrugor nacional është tepër i ngushtë për volumin e trafikut që përballon dhe shpeshherë ka aksidente të tilla.

Agroni të shpjegojë pse ia futi vrapit

28 July 2026 at 19:04

Nga Mero Baze

Të gjitha arsyetimet e Agron Shehajt për rrëmbimin e marrëveshjes sekrete nga zyra e Kuvendit i kuptoj si një përpjekje e lavdërueshme për shfajësim.

E kuptoj kur thotë se donte ta lexonte me qetësi, se në sallë ka siklet ngaqë shokët i mbajnë sytë nga ai.

E kuptoj kur thotë se donte ta skanonte, t’ia jepte ChatGPT-së dhe ajo t’i shpjegonte çfarë ishte shkruar dhe cili ishte qëllimi i marrëveshjes.

E kuptoj kur thotë se donte t’ia tregonte sekretares së tij, që të mburrej se i kishin besuar të lexonte një dokument sekret.

E kuptoj kur thotë se është deputet dhe bën çfarë të dojë. E kuptoj kur pretendon se donte t’ua tregonte ndjekësve të vet në Facebook, që të rrinin të qetë se ai e kishte lexuar marrëveshjen sekrete.

E kuptoj edhe nëse do të duket si Donald Trump apo Joe Biden, që edhe ata kanë përfunduar në telashe me dokumente sekrete të mbajtura në shtëpitë e tyre të pushimit: njëri sepse nuk donte t’i kthente, tjetri sepse nuk mbante mend ku i kishte lënë.

E kuptoj kur thotë se donte të provonte gatishmërinë e stafit të Kuvendit për të ruajtur sekretin.

E kuptoj kur thotë se deshi të sfidonte Taulant Ballën, që hiqet si proamerikan.

Madje e kuptoj edhe nëse thotë se donte të konsultohej me tezen e Tikut Lapaj, njëra si shtetase greke e ky si shtetas italian, për të gjykuar rrezikun që paraqiste marrëveshja për vendet fqinje.

Pra, i kuptoj të gjitha përpjekjet e Agronit për të thënë broçkulla edhe më të mëdha se vetë budallallëku që bëri, vetëm që ajo të duket diçka normale.

I kuptoj edhe ata që e torturojnë me pyetje. E kuptoj Edi Ramën, që nuk di ç’e ka kapur të lexojë në këtë moshë Shefqet Musarajn e ta krahasojë Agronin me ballistët që hanë pula vetëm në vargjet e Shefqetit.

E kuptoj zemërimin e grave socialiste që revoltohen për sekretaren e rrëzuar.

E kuptoj edhe heshtjen e Albana Vokshit, që reagon edhe kur e shohin burra në rrugë pa i kushtuar vëmendje, duke i quajtur patronazhistë.

E kuptoj edhe sikletin e analistëve e gazetarëve që prej kohësh janë në listën e pagesave të Agronit, i vetmi deputet që financon publikisht media dhe gazetarë, dhe që përpiqen ta paraqesin këtë si një akt heroik kundër imperializmit amerikan.

Por ma shpjegoni vetëm një gjë, se këtë nuk e kuptoj dot.

Pse ia futi vrapit?

Nëse situata është kaq normale sa e vizatojnë avokatët e tij dhe arsyetimet e tij banale janë të vërteta, duhet të na shpjegojë pse ia futi vrapit. Vrapit ia fut vetëm dikush që është i ndërgjegjshëm se ka vjedhur diçka që nuk lejohet dhe nuk do që ta kapin as fizikisht derisa ta çojë në vendin që dëshiron. Agroni e vodhi dokumentin sekret dhe ia futi vrapit.

Tani dakord jam me të gjitha arsyetimet, por të gjithë ata që duan ta mbrojnë dhe ata që duan ta sulmojnë duhet të nisen nga statusi i tij si hajdut, jo si deputet.

Kështu ka kuptim debati, pasi ai nuk u kap vetëm duke vjedhur, por u kap duke ikur me vrap me mallin e vjedhur në dorë. Pra, një hajdut që e dinte çfarë kishte bërë.

Ky është një ndryshim i madh dhe nuk vlen asnjë nga arsyetimet që ai bën apo të tjerët bëjnë për të. Ato do të vlenin nëse ky do ta kishte vjedhur atë dokument me arrogancë dhe do të ecte serbes drejt zyrës së tij. Ai e vodhi dhe ia futi vrapit. Siç mund të bëjë një emigrant në Itali, nëse, kur i zë syri diçka që do të donte ta kishte, por s’e blen dot. Ndaj mos diskutoni për kontratën sekrete, as për faktin që Agroni theu ligjin duke e nxjerrë nga zyra. Na shpjegoni pse ia futi vrapit.

Nëse nuk e gjeni dot po ju ndihmoj unë. Është i vetmi zakon që tradhton një hajdut xhepash. Kështu ndoshta mund ta shpëtoni duke e cilësuar rrethanë lehtësuese.

“Vuaj nga kleptomania akute”, Balla ironizon Shehajn me video të krijuar nga Inteligjenca Artificiale

By: E B
28 July 2026 at 18:54

“Problem shëndetësor” e quan Agron Shehaj vjedhjen e marrëveshjes konfidenciale në Kuvend. Të paktën, kështu shprehet ai në një video të ideuar me Inteligjencë Artificiale që e ka postuar Taulant Balla në rrjetet sociale.

“Unë nuk doja ta vidhja marrëveshjen, kjo është e vërteta, por unë vuaj nga një problem shëndetësor që ka të bëjë me dorën. Vuaj nga kleptomania akute, nuk kam çfarë t’i bëj, lëviz dora vetë. Ja edhe tani”, thotë Shehaj duke rrëmbyer mikrofonin e njërit prej gazetarëve dhe ikën ‘sërish’ me vrap.

Kleptomania është çrregullim i shëndetit mendor që e shtyn një person drejt vjedhjes së sendeve, pa pasur nevojë për to.

Veç videos humoristike, Balla ka reaguar edhe vetë me tone të ngjashme.

“Gone ta paskan qarë këtë, njëlloj si ballistët në vakt pasi hynin në kotec për të grabitur pula”, i thotë ai drejtuesit të partisë Mundësia.

“Shqipëria po fiton terren dhe kjo i pengon disa”, analisti: Veprimi i Shehajt dëmtoi imazhin e vendit

By: E B
28 July 2026 at 18:47

Shqipëria është në shënjestrën e aktorëve që synojnë të godasin sigurinë e saj digjitale dhe institucionale.

Shtetet e Bashkuara konfirmojnë përmes një raporti të posaçëm se Irani dhe Rusia mbeten burimi I kërcënimit të Shqipërisë përmes sulmeve kibernetike dhe luftës hibride.

Raporti analizon edhe situatën e sigurisë në vend, nga ndërhyrjet e huaja deri te rreziku terrorist e kriminaliteti.

Analisti Albatros Rexhaj, i ftuar në “Tirana Live”u shpreh se forcat jo dashamirëse me Shqipërinë synojnë të gjejnë terren për të krijuar destabilitet.

Ai theksoi se kjo vjen për shkak se zhvillimi i Shqipërisë i pengon disa vende të tjera dhe synojnë ta frenojnë rritjen e saj.

“Jo vetëm protesta, por çfarëdo veprimi destabilizues në vend, mund të shfrytëzohet për të krijuar këto narrative, të cilat kanë një synim: destabilizmin e Shqipërisë, si një shtet që po fiton terren në arkitekturën e sigurisë në Mesdhe.

Sot Shqipëria është tjetër, fakti që Shqipëri është forcua, merr guximin e flet dhe kjo i pengon disa, jo vetëm Iranit dhe Rusisë. Forcat e jashtme amplifikojnë problemet në Shqipëri”, tha ai.

Ai foli dhe për huanë mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilën e cilësoi si shumë të rëndësishme. Sipas Rexhajt, nëse shqetësimi i dhënë nga Departamenti i Shtetit do kishte dalë disa ditë më parë, situata dje në Kuvend mund të ishte më “miqësore”.

“Sikur raporti i departamentit të kishte dalë tre apo katër ditë më herët, situata dje në Kuvend do ishte krejt më ndryshme. Ne jemi shqiptarë, nuk jemi një popull që ka vendosur që të ketë luksin që të ulet në disa karrige njëherësh. Ne i kemi disa përcaktime të qarta, këto kanë ardhur nga pësimet që kemi nxjerrë nga historia”, tha ai.

Gjatë intervistës, Rexhaj komentoi dhe aktin e Agron Shehajt, i cili rrëmbeu dokumentin konfidencial të marrëveshjes mes SHBA dhe iku me vrap. Sipas tij, ky veprim dëmton imazhin e vendit  dhe është i papranueshëm.

“Një mësim duhet të nxirret, sepse ne si shteti kemi dalë aspak serioz. Imagjino një skenë që merr një dokument dhe vrapon korridoreve. Fakti që dokumenti është klasifikuar si sekret shtetëror nuk vlen këtu, pjesa e transparencës. Ke të drejtë ta shohësh.

Këto janë sjelle prej fëmije që kërkon të marrësh vëmendje. Na ka nxjerrë shumë jo serioz”, theksoi  ai.

❌