Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 5 February 2026Java News

Prefektura Durrës paralajmëron reshje të dendura, apel për gatishmëri maksimale dhe masa parandaluese

By: A R
5 February 2026 at 21:57

Prefektura e Qarkut Durrës ka paralajmëruar qytetarët për reshje të dendura shiu përgjatë 4 ditëve në vijim. Në një njoftim të shpërndarë për mediat, u ka bërë thirrje qytetarëve dhe strukturave që të tregojnë gatishmëri maksimale, përgjegjësi dhe bashkëpunim.

Bazuar në informacionin e Shërbimit Meteorologjik Ushtarak për periudhën 06.02.2026 – 10.02.2026, parashikohen reshje shiu me intensitet të lartë në territorin e Qarkut Durrës, të cilat mund të shkaktojnë vështirësi dhe problematika. Nisur nga situatat e mëparshme që reshjet intensive kanë shkaktuar mbi banesat, bizneset, infrastrukturën dhe jetën e përditshme të qytetarëve, është e domosdoshme që të gjitha strukturat përgjegjëse të tregojnë gatishmëri maksimale, përgjegjësi institucionale dhe bashkëpunim të vazhdueshëm”, njofton Prefektura Durrës.

Ajo bën thirrje për marrjen e masave parandaluese, monitorimi i vazhdueshëm i situatës në terren, raportimi i menjëhershëm për çdo problematikë që mund të lind si dhe koordinim ndërinstitucional për përballimin e çdo emergjence të mundshme.

“Po bëhet një marrëveshje e ndyrë”, opozita kundër Merz për tregtinë e armëve me vendet e Gjirit

By: A R
5 February 2026 at 21:49

Partia e Majtë dhe të Gjelbrit kanë reaguar ashpër ndaj njoftimit të Kancelarit Friedrich Merz (CDU) se Gjermania do të rrisë dërgesat e armëve në Shtetet e Gjirit.

Kreu i Partisë së Majtë, Jan van Aken, e akuzoi Merzin se po i shpërfill shqetësimet për të drejtat e njeriut. “Merzi po bie drejtpërdrejt në kurthin e propagandës së Princit të Kurorës Mohammed bin Salman”, tha van Aken. Ai shtoi se të drejtat e njeriut vazhdojnë të “shkelen” në Arabinë Saudite, duke përfshirë ekzekutimet, kufizimet e të drejtave të grave dhe persekutimin e figurave të opozitës. “Kjo është një marrëveshje e ndyrë: armë në këmbim të fitimeve gjithnjë e në rritje për udhëheqësit e biznesit gjerman”, tha van Aken, i cili kundërshton në thelb eksportet e armëve.

Të Gjelbrit gjithashtu shprehën kritika të forta. Sara Nanni, zëdhënësja parlamentare e të Gjelbrit për politikën e sigurisë, tha se Merz donte të normalizonte më tej regjimin që i nevojitej për “axhendën e tij të karburanteve fosile”. “Kjo ka pak të bëjë me politikën e sigurisë”, deklaroi Nanni. Arsyet për një politikë kufizuese të eksportit ende ekzistojnë. Për shembull, Emiratet e Bashkuara Arabe luajtën një rol problematik në konfliktin e Sudanit, Arabia Saudite ishte përgjegjëse për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut dhe Katari ishte përpjekur të korruptonte politikanët evropianë.

Merz është zotuar për bashkëpunim më të ngushtë në mbrojtje me partnerët kryesorë në rajonin e Gjirit. “Kjo është në interesin tonë të ndërsjellë, sepse duam të sigurohemi që bota të bëhet më e sigurt.” Dhe do të bëhet më e sigurt vetëm nëse ne mbrojmë edhe veten, tha Merz gjatë vizitës së tij në Katar.

Nëse qeveria gjermane sheh “partnerë të besueshëm bashkëpunimi” si Katari ose, që nga dita e mëparshme, Arabia Saudite, atëherë këto vende mund të mbështeten në një bashkëpunim më intensiv në fushën e armëve sesa në vitet e fundit. “Megjithatë, kjo nuk do të thotë që tani do t’u furnizojmë të gjitha armët të gjitha vendeve plotësisht të pakontrolluara. Çdo rast do të shqyrtohet ende individualisht.”

Merz tha se kishte pasur një lehtësim të rregullave verën e kaluar. Ai theksoi se qeveria gjermane kishte hapur rrugën për eksportin e avionëve të mëtejshëm Eurofighter në Arabinë Saudite.

Eksportet e armëve drejt shteteve autokratike të Gjirit ishin trajtuar prej kohësh me shumë kujdes nga qeveritë e mëparshme për shkak të situatës së të drejtave të njeriut dhe përfshirjes së tyre në konflikte rajonale si lufta në Jemen. Për Arabinë Saudite, një ndalim i eksportit të armëve ishte në fuqi prej shumë vitesh. Merz theksoi se ai kishte ngritur gjithashtu çështje të të drejtave të njeriut gjatë vizitës së tij në Arabinë Saudite dhe Katar. Megjithatë, ai nuk e bën këtë publikisht, por i diskuton këto çështje me homologët e tij pas dyerve të mbyllura.

“PD e vonuar, shkak lidershipi”, Salianji: Sot duhet të flisnim për kandidatët për Bashkitë

By: A R
5 February 2026 at 21:40

Ervin Salianji tha se problemi i opozitës nuk është bojkoti, por paqartësia strategjike e lidershipit të PD-së, duke theksuar se vendimmarrjet po merren nën emocion dhe pa vizion afatgjatë.

Sipas tij, PD duhet të kishte shfrytëzuar kohën për të ndërtuar një ofertë konkrete politike, në vend të luhatjeve mes bojkotit dhe pjesëmarrjes në komisione.

Salianji u shpreh se partia nuk është në rrugën e duhur për shkak të drejtimit aktual dhe paralajmëroi se opozita duhet të përgatitet seriozisht për zgjedhjet që e presin.

“Këtu nuk është problemi vetëm te bojkoti, që është provuar si i dëmshëm për opozitën. Këtu ka një problem tjetër, në këto dy muaj që kjo lëvizja po ndodh dhe po i thotë disa të vërteta. Atë që e kam thënë në disa takime, që lidershipi i PD vijon të ketë një paqartësi strategjike. Kur u zgjodh Avokati i Popullit me firmat e PD, u tha se Edi Rama nuk na e mban fjalën, është burrë i keq dhe nuk do marrim pjesë në asnjë komision. As te reforma zgjedhore as te reforma Territoriale. Tani nuk ka kaluar dy muaj, ndodhi që po shkojmë. Pse e merr një vendimmarrje nën emocion? Nga ana tjetër, cfarë bën një parti serioze? Këtë një muaj ti nuk shkon në komisionin e reformës, por mbledh gjithë drejtuesit e pushtetit lokal, mbledh Shoqatën e Bashkive, merr ekspertët që ke patur dhe del me një propozim konkret se si PD ka vizionin e vet për ndarjen territoriale. Ndarja territoriale aktuale për opozitarët është ndarje elektorale që ka bërë Rama, nuk i shërben qytetarëve. A do ishim më seriozë nëse japim ofertën tonë politike? Se kjo puna ulemi s’ulemi me Ramën.. po tani si do ju themi demokratëve ne kur të ulen me Edi Ramën?

Unë kam dalë me vonesë, dhe kjo po mund të jetë pak e gabuar. E dini pse? Sepse kam pritur atë që më është thënë, të presim raportin e OSBE/ODIHR, mos zhvendosim vëmendjen. Sot e di cfarë duhet të diskutonim ne? Sot duhet të kishim kandidatët për Bashkitë, një vit nga sot je në fushatë. PD do përballet me zgjedhje se nuk i shmangesh dot, dhe sot duhet të kishim në debatin publik, ofertën tonë politike, kandidatët tanë. Ne sot themi, paradite shkojmë te reforma, pasdite themi jo se Rama ta hedh. Si mundet të gënjehesh nga Edi Rama, për të 100 herë pas 13 vitesh?! Ajo që shoh është që PD nuk është në rrugën e duhur për shkak të lidershipit.”

“Krimi i organizuar ka ndikuar zgjedhjet”, Bozdo: Nuk i jepet zgjidhje kësaj situate me reformë

By: A R
5 February 2026 at 21:34

Ndikimi i krimit të organizuar në zgjedhje nuk mund të zgjidhet vetëm përmes reformave ligjore, por kërkohet vullnet real politik real. Kështu u shpreh në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN deputeti i Partisë Demokratike, Edi Bozdo.

“Asnjëri nga ne këtu nuk ka dyshim që çfarëdo lloj sistemi zgjedhor që ti të përdorësh, çfarëdo lloj reforme që ti të ndërmarrësh në menaxhimin e zgjedhjeve, vullneti politik është thelbësor. Në qoftë se njëra palë ka vullnet politik për të bërë partner me krimin e organizuar, për të ndikuar zgjedhjet, nuk ka reformë që e përballon këtë gjë. Në qoftë se njëra palë ka vullnetin për ta kthyer gjithë administratën në patronazhiste, për të marrë dhe përpunuar të dhënat konfidenciale të shtetasve dhe për të ndikuar deri te vota e emigrantëve për ta çuar në një drejtim siç ndodhi në zgjedhjet e fundit, nuk ka sistem zgjedhor që i jep zgjidhje kësaj. Merrni çfarëdolloj sistemi zgjedhor. Në qoftë se dikush ka vullnetin diabolik për ta bërë këtë siç ka rezultuar, kjo gjë nuk ka më zgjidhje dhe ne nuk merremi”, u shpreh Bozdo në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Duke iu referuar raportit të fundit të OSBE/ODIHR, ai nënvizoi se për herë të parë pas dekadash dokumentohet qartë përdorimi i parave të krimit, presioni mbi administratën publike, shkrirja e kufijve mes partisë dhe shtetit si dhe manipulimi i votës. Sipas tij, krimi zgjedhor në Shqipëri mbetet praktikisht i pandëshkuar.

“Nëse për çështjen e reformës zgjedhore gjërat janë pak më të qarta sepse është pavarësisht se quhet komision ad-hoc është një komision që ka punuar në mënyrë të përhershme. Çfarë kemi gjëra të qarta ne? Ne kemi gjëra të qarta që për herë të parë pas ndoshta 30 viteve kemi një raport të zi të OSBE ODIHR-it që përcakton atë që zoti Dervishi e tha me në mënyrë shumë konçize. Pra, përdorimin e parave të krimit, presionin shumë të fortë ndaj administratës publike, ë shkrirjen e kufijve midis partisë dhe shtetit dhe një manipulimin e votës, tjetërsimin e vullnetit. Këtë ne e dimë siç dimë që duhet punuar edhe mbi këtë sistem që është. Nuk e di nëse do ndryshojë sistemi zgjedhor apo jo. Kjo është çështje tjetër por për të për disa rekomandime me bazë të OSB ODIHRit për çështje të ndëshkueshmërish, veçanërisht të krimit zgjedhor për të cilin ne kemi pothuajse zero dënime. Krimi zgjedhor në Shqipëri nuk dënohet. Ne këtë kornizë e kemi të qartë siç kemi siç kemi të qartë kornizën”, theksoi ai.

“Berisha të hapë listat e anëtarësisë nëse…”, Salianji: ‘Sallat’ e mia sollën protestën para Kryeministrisë

By: A R
5 February 2026 at 21:25

Ervin Salianji tha për Real Story se opozita duhet të ketë epërsi morale ndaj qeverisë, duke theksuar se kjo arrihet vetëm duke qenë ndryshe nga kryeministri Rama.

Sipas tij, nëse Berisha ndihet i sigurt për mbështetjen që ka, duhet të lejojë hapjen e listës së anëtarëve, pasi e vetmja mënyrë për t’u sfiduar është vota.

Salianji theksoi se do të vijojë të jetë pjesë e Partisë Demokratike dhe se nuk ka asnjë problem me kolegët e tij. Ai shtoi se në PD kanë nisur të ndodhin disa ndryshime dhe se këto lëvizje kanë sjellë protesta para qeverisë.

“Opozita duhet të ketë epërsi morale mbi qeverinë, ne e kërkojmë këtë duke qenë ndryshe nga Rama. Në Himarë isha para një jave, ku u përjashtua e tërë partia për të zgjedhur dikë me 17 vota, këtu ka një problem.

Ka disa që thonë se Berisha ka 500 mijë vota, çfarë shqetësimi ka që do të përjashtojë listën e anëtarëve. Lidershipi përcakton kush janë anëtarët, një parti ka detyrimin të rrisë numrin e anëtarëve.

Këtu bie analiza se janë 500 mijë vota. Nëse Berisha ndihet i sigurt te mbështetja që ka, duhet të hapë listën e anëtarësisë. Nëse ka ndonjë mënyrë si sfidohet Berisha, është vota. Unë do të jem në PD, s’kam asnjë problem me kolegët. Duhet t’i hyjmë dhe të bëjmë përpjekje, deri tani kanë ndryshuar disa gjëra në PD. Këto salla e kanë bërë që të ketë protesta para qeverisë.

Nëse kishte një mbiarsye për të dalë populli në protestë, ishte vjedhja e zgjedhjeve. E kam kërkuar të dalin në protestë ditën e parë që u bë konstituimi. Kjo lëvizje i ka sjellë disa të mira. S’më kanë ndaluar dot kur kam qenë në burg, jo më tani.” 

Opinion: Plani i Trumpit që “Irani të dorëzohet” është një gabim fatal

By: A R
5 February 2026 at 21:19

Presidenti amerikan Donald Trump, edhe pse ka humbur autoritetin brenda vendit për shkak të ngjarjeve si të shtënat e ICE në Minnesota dhe inflacioni i rritur prej tarifave të tij, duket se ndihet ende i fuqishëm në politikën ndërkombëtare.

Ai ka arritur disa gjëra: ka shtyrë NATO-n drejt një marrëveshjeje për të ardhmen e Groenlandës, ka detyruar Europën të paguajë më shumë për mbrojtjen e saj dhe ka përdorur presion ndaj liderëve të tjerë si Nicolás Maduro dhe Benjamin Netanyahu.

Megjithatë, kur bëhet fjalë për Iranin, situata është shumë më komplekse se sa Venezuela.

Trump bazohet në dy burime kryesore informacioni për të vlerësuar dobësinë e Iranit: inteligjencën amerikane dhe atë izraelite. Të dyja janë të kufizuara dhe të prirura nga objektiva të ndryshme. Netanyahu kërkon ndryshim regjimi, jo vetëm sulme të kufizuara.

Ndryshe nga Venezuela, Irani ka kapacitete të mëdha ushtarake dhe ekonomike. Lideri suprem, Ayatollah Ali Khamenei, është jo vetëm kreu i shtetit, por edhe udhëheqësi shpirtëror i dhjetëra milionë myslimanëve shiit në mbarë botën dhe kontrollon Forcat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), që ka qindra mijëra trupa, forcë detare dhe ajrore dhe mund të bllokojë Ngushticën e Hormuzit, një nyje strategjike për tregtinë globale të naftës dhe gazit.

IRGC kontrollon gjithashtu pjesën më të madhe të ekonomisë së Iranit, duke përfshirë eksportin e naftës dhe aktivitetet financiare ndërkombëtare, madje edhe kriptomonedhat.

Çdo përpjekje e Trump për të marrë nën kontroll naftën iraniane do të kishte pasoja të mëdha gjeostrategjike, përfshirë ndikimin tek Kina, që importon rreth 90% të naftës së Iranit.

Nëse SHBA-të dhe Izraeli sulmojnë Iranin sërish, Irani nuk do të reagojë si Venezuela.

Ata do ta shohin një sulm të tillë si një kërcënim ekzistencial dhe do të përdorin të gjithë arsenalin e tyre raketor, duke synuar jo vetëm SHBA-të dhe Izraelin, por edhe partnerët rajonalë si Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Azerbajxhani. Lufta do të ishte e vështirë për t’u kufizuar dhe mund të përhapet shpejt në të gjithë rajonin.

Bisedimet e fundit SHBA-Iran, të planifikuara të mbahen në Oman, janë të vështira dhe të ngadalta.

Irani kërkon të shqyrtojë nëse SHBA-të janë të gatshme për negociata serioze dhe nuk do të dorëzohet nën presion. Teherani ka marrë masa të tilla si heqja e flotës së raketave balistike nga tryeza e negociatave, duke treguar se nuk do të pranojnë kompromis të njëanshëm.

Trump ka një rekord të dobët me Iranin.

Ai i hoqi SHBA-të nga marrëveshja bërthamore JCPOA, që ishte mënyra më e mirë për të kontrolluar programin e pasurimit të uraniumit. Historia tregon se Irani nuk është vend që dorëzohet lehtë ndaj presionit të jashtëm, u ka mbijetuar dekadave të izolimit, sanksioneve dhe tentativave për të rrëzuar regjimin e tij.

Në këtë kontekst, çdo sulm ose përpjekje për t’u dorëzuar me shpejtësi mund të jetë gabimi më i madh i politikës së jashtme të Trump.

Raporti i FIFA-s për merkaton e janarit: Klubet shqiptare nuk paguajnë për të blerë lojtarë

By: A R
5 February 2026 at 21:09

Kategoria Superiore është një nga kampionatet më aktivë në merkaton e janarit, por nuk shpenzon për të blerë futbollistë. Synimi i klubeve shqiptare janë transferimet e lojtarëve pa kontratë ose huazimet. Ky është përfundimi i raportit të FIFA-s vetëm pak ditë pas mbylljes zyrtare të merkatos.

Në kampionatin shqiptar kanë lëvizur 78 futbollistë në hyrje, duke e renditur atë të 20-tin në botë, teksa 26 janë larguar. Megjithatë, ekipet nuk kanë paguar asnjë për kartonin e lojtarëve. Në janar, klubet arkëtuan në total 383 mijë dollarë, ku sipas burimeve shifrën më të madhe e siguroi Dinamo nga shitja e Gasama Karambës në Turqi.

Në nivel global, Brazili është kampionati që ka afruar më shumë futbollistë në merkaton e janarit, plot 456. E dyta renditet Spanja, ndërsa në podium është Argjentina.

Kur bëhet fjalë për milionat e shpenzuar, në krye është gjithmonë Anglia me 363 milionë dollarë, e ndjekur nga Italia me 283 dhe Brazili i treti.

Kampionati që përfitoi më shumë nga shitjet e futbollistëve është ai francez me 218 milionë dollarë, ndërsa Serie A me 175 milionë.

Në total, në merkaton e janarit u transferuan 5,900 futbollistë në të gjithë botën për një vlerë 1.9 miliard dollarë.

Pse nuk shkojnë opozitarët në protestat e Sali Berishës?

By: Ylli Pata
5 February 2026 at 21:00

Nga Ylli Pata

Përtej nervozizmit dhe një diskursi përgjithësisht patetik, debati mbi protestat e natyrisht protestat e opozitës nuk ka një vijë lineare logjike. Në panele nalistët shpërthejnë, nxefen dhe bëhen viralë në tik tok apo reels-a të facebook.

Dhe kjo po ju pëlqen shumë, madje ka edhe politikanë apo zëra publikë të balancuar, që me të zbuluar viralitetin e një reel-si, kanë braktosur të shkruarin. Kryesisht i fusin dy tre fjali me gërma kapitale pa “ë” dhe “ç” dhe pastaj videon, ku aktrojnë në një studio televizive.

Në këto ditë, që u bënë javë e muaj që nga nëntori, temë kryesore është si rrëzohet Edi Rama dhe si duhet të jenë protestat. Dikush thotë se duhet të jenë të forta, madje shumë të forta, duke shtuar metafora savanash apo të botës së kafshëve që janë kohët e fundit si simbole politike.

Ka të tjerë që i mëshojnë më shumë kohëgjatjes, përkatësisht konsistencës që mund të krijojnë një efekt politik më të madh. Siç ka të tjerë, si përshembull një nga politikanët më të njohur në vend si Dashamir Shehi, i cili nuk lodhet së theksuari se fuqia e një opozite është tek ideja, platforma apo reformat që ajo promovon në një aksion politik.

Protestat fryhen me një objektiv të madh, rrëzimin e qeverisë, megjithatë objektivi real i tyre ësht krijimi i një fryme, i një efekti domino që të krijojnë një momentum politik rreth qendrës gravitacionale që është dora vetë Sali Berisha.

Për ta bërë më të prekshme analizën, thërrasim analogjinë si letër lakmusi. Le të marrim si model protestat e viteve 2003-2004 dhe të ashtuquajturat protesta për armët kimike të Bashar Al Asadit.

Protestat kundër qeverisë së Fatos Nanos, u organizuan nga një grup shoqatash, ku në qendër ishte MJAFT-i i Erion Veliajt dhe organizata e drejtuar nga Kreshkin Sspahiu. Të cilët kishin hapur dhe qartazi support ndërkombëtar në vullnet dhe financime.

Këto protesta krijuan një aleancë fluide me opozitën e Sali Berishës, grupet e rëndësishme mediatike, por edhe politikanë të mazhorancës së atëhershme, e cila ishte e ndarë dhe me luftë të brendshme.

Protestat krijuan një frymë, por edhe një efekt politik, pasi mazhoranca po shkonte drejt një dezintegrimi, që u vulos me krijimin e LSI. Kryeministri Fatos Nano humbi edhe mazhorancën në Kuvend, pasi një pjesë e deputetëve socialistë nuk i votonin ministrat dhe ai qeverisi me zv.ministra. Kjo atmosferë shkoi për dy vjet deri në zgjedhje ku mazhoranca nuk e mori mandatin e tretë dhe opozita e Sali Berishës erdhi në qeveri. Protestat, që ishin mjet dhe formë komunikimi, ishte një rrugë drejt një procesi që u konsakrua me zgjedhjet. Suksesi i tyre, përpos masivitetit dhe galvanizimit civik, erdhi edhe si pasojë e aleancave me shoqërinë, politikën, mediat dhe madje edhe mazhorancën.

Në vitin 2013, pak muaj pasi kishte ardhur në pushtet, Edi Rama u përball me një kërkesë të rëndësishme nga SHBA që mund t’i siguronin mazhorancës por edhe vendit një mbështetje të madhe amerikane.

Shkatërrimin në një process monitorimi të një arsenali të armëve kimike të Asadit. Këtë aksion, SHBA e shoqëroi me premtime për mbështetje të fortë politike dhe financiare.

Të alarmuar se me këtë akt Edi Rama do të fuqizohej shumë dhe menjëherë, Sali Berisha dhe Ilir Meta, së bashku me aleatët e tyre vendosën t’i kundërvihen fort.

PD organizoi dhe financoi grupe “civike” për të protestuar fort kundër këtyre arsenaleve, sa u arrit për herë të parë nga disa ambjentalistë të opozitës që të protestohet edhe para ambasadës Amerikane.

Ilir Meta, i cili ishte kreu i Kuvendit në aleancë qeverisëse me Edi Ramën dhe kondiciononte politikisht shumicën qeverisëse në Kuvend. Ai e kundërshtoi hapur këtë propozim amerikan, duke dalë kundër. Kundër doli edhe Ben Blushi, atëherë deputet i Partisë Socialiste që ishte kritik me Edi Ramën dhe lidershipin e tij.

Pas një “reflektimi” disa ditor, Edi Rama bëri llogaritë politike dhe pa që mazhoranca e tij mund të çahej pa bërë akoma tre muajt e parë në krye të vendit. Dhe doli publikisht duke e refuzuar propozimin amerikan. “JO” që ka pasur një kosto të rëndësishme për vendin, ndërkohë që arsenalet e municioneve të armëve siriane u shkatërruan pa zhurmë në Itali, e cila mori lekët.

Po përse kishin sukses këto protesta? Pasi ata kishin një objektiv të aktuar, një përfshirje të rëndësishme në grupet e interesit dhe më e rëndësishmja aleanca të forta politike.

Sot, protestat e Sali Berishës çfarë synojnë? Të përdorin teorinë e “fait açompli”-faktit të kryer që të krijojnë e gjenerojnë një process politik me detyrim përcktim.

Mungesa e njerëzve nuk ka dyshim që është thjeshtë një refuzim i qartë dhe i prerë ndaj Sali Berishës. PD vetëm në Tiranë ka mbi 10 mijë anëtarë, ku vetëm ata të dalin në rrugë mund të bëjnë protesta të plota e masive.

Por siç dihet, PD e Sali Berishës nuk e kontrollon partinë e ndarë, trazuar dhe frustruar nga procesi i dhunshëm që provokoi pas shpalljes Non Grata.

I frustruar për këtë refuzim nga ata qytetarë që janë dukshëm kundër mazhrancës, Sali Berisha kërkon të prodhojë një process politik nga lart. Madje fute dhe “abalistat” pro tij që ta krijojnë si imperative krijimin e në fronti kundër Edi Ramës. Front që në fakt opozitarët e duan, por jo me Sali Berishën, e këtë e kanë treeguar qoftë me votë, qoftë nga sondazhet. Kërkimi që njerëzit ta duan me zor është pikërisht shkaku i dështimit të protestave. Pse Berisha nuk bën një eksperiment, le ‘ja lërë organizimin, drejtimin dhe foltoren e protestës së 10 shkurtit një ekipi të ri dhe ta provojë a ka ndryshim në formë dhe përmbajtje? Nuk humb gjë, barazimin e ka në xhep dhe ndoshta edhe e rrëzon Edi Ramën!

Makina përfshihet nga flakët gjatë lëvizjes, bllokohet rruga në zonën e Ujit të Ftohtë

By: E S
5 February 2026 at 20:52

Një automjet është përfshirë nga flakët ditën e sotme në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, duke shkaktuar bllokim të përkohshëm të qarkullimit rrugor.

Makina ka marrë flakë gjatë lëvizjes dhe brenda pak minutash është përfshirë totalisht nga zjarri.

Menjëherë janë njoftuar shërbimet zjarrfikëse, të cilat kanë mbërritur në vendngjarje

Një skandal dhe kapërcim shumë i madh ligjor, etik dhe deantologjik nga prokurorët Dado dhe Dumani

5 February 2026 at 20:44

Nga Ylli Manjani

Në qoftë e vërtetë se prokurorët Dado e Dumani kanë argumentuar në sallë gjyqi, se Erion Veliaj paska pajtuar avokatë të huaj dhe, se për këtë shkak meriton të rrijë në burg, konsiderohet kapërcim shumë i madh ligjor, etik dhe deantologjik.

Prokurorit nuk ka ç’i duhet hiç se kë zgjedh mbrojtës i pandehuri. Aq në pak i duhet se nga është avokati, sa lekë paguhet dhe çfarë thotë ai (avokati pra) në Amerikë, apo gjetkë.

Prokurorit i djeg më shumë ç’thotë gjykata, ose ILD apo KLP, jo avokatët amerikanë në Amerikë…

Çudi e madhe!

E pabesueshme!

Ende uroj të mos jetë e vërtetë..

Po të jetë e konsideroj vërtetë skandal, që meriton vemendje.

Ç’problem ka për prokurorinë tonë nëse dikush zgjedh avokatë të huaj?!

Pastaj pse u djeg kaq shumë që një avokat i huaj flet në Amerikë për Erion Velinë?!

Tani ose prokurorët kanë prova kundër Tij dhe nuk kanë përse interesohen se ç’thuhet në Amerikë, ose pastaj ajo që thuhet atje u djeg shumë sepse dosjen këtu e mbajnë në këmbë pa prova.

Se puna e prokurorit është prova, jo llafet kudo ku ato thuhen. Kur ke provën llafet nuk të bljnë përshtypje. Por kur merresh me llafe, tregon se ske provat. Nuk di llogjikë tjetër, me thënë të drejtën.

(Një sqarim këtu për lajmëtarët e SPAK-ut në media: numri i fletëve në një çështje hetimore nuk tregon sasinë e provave. Pra kur raportonise ka 50 000 faqe dosja, nuk do me thënë se janë 50 000 prova.

Madje shumë nga ato faqet nuk kanë përse të shkojnë fare në gjykatë. Në gjykatë çohen prova, jo fletë, as fjalë.
Kujdes sepse pa dashje po manipuloni publikun!)

Nejse por gjith kjo gurgule absurde në emër të ligjit, reformës, pandëshkueshmërisë e ku e di unë se ç’thonë tjetër jakobinët në këtë vend, nuk është normale. Me standartet e proçesit të rregullt, nuk ka asnjë lidhje.

Nuk e kisha menduar edhe këtë që në sallë gjyqi, argument i prokurorisë të jetë “u bone ti të marrësh avokatë amerikanë..”

Nuk po pyes këtu se në cilin ligj bazohet ky budallëk, se referimi në ligj është bërë luks sot….
Shumë i çuditur jam!

Rikthehen në qarkullim monopatinat?! Ministrja Koçiu përgënjeshtron lajmin: Udhëzimi mbetet në fuqi

By: E S
5 February 2026 at 19:57

Ministrja e Brendshme Albana Koçiu reagoi të enjten pas raportimeve në disa media se ndalimi i monopatinave elektrike nuk po zbatohet më dhe se ato janë rikthyer në përdorim, duke i cilësuar këto pretendime si të pavërteta.

Në një postim në rrjetet sociale, Koçiu përgënjeshtron lajmet dhe thekson se udhëzimi për ndalimin e përkohshëm të monopatinave vijon të jetë në fuqi dhe se nuk ka asnjë vendim për shfuqizimin e kësaj mase. Sipas saj, Policia e Shtetit vazhdon kontrollet në terren për zbatimin e plotë të udhëzimit, në përputhje me njoftimet zyrtare të bëra më herët.

Ministrja shton se masa është marrë për të garantuar sigurinë rrugore dhe për të mbrojtur jetën e qytetarëve, veçanërisht të të rinjve. Duke cituar të dhënat e Policisë së Shtetit dhe të shërbimeve të traumës Koçiu tha se gjatë periudhës së zbatimit të ndalimit ka pasur një rënie të ndjeshme të aksidenteve

Sipas Koçiut, Ministria e Punëve të Brendshme po vijon vlerësimin e situatës në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, për të përcaktuar vendimmarrjen e mëtejshme, duke pasur në qendër sigurinë dhe jetën e çdo qytetari.

Mitrovicë veri dhe Zveçan, Lista Serbe pushon nga puna shqiptarët pa asnjë arsyetim të bazuar

By: E S
5 February 2026 at 19:49

Punëtorët shqiptarë që punojnë në katër komunat veriore po largohen nga puna. Ky veprim po vjen pas ardhjes në pushtet të Listës Serbe.

Vedat Musa është një prej dy zyrtarëve të komunës së Zveçanit që është larguar nga puna me vendim të kryetarit Dragisha Milloviç.

Musa tregon se ai është larguar me arsyetimin se nuk ka treguar performancë, pavarësisht se kishte pasur vlerësime pozitive për pesë muaj para se të vijë në pushtet Lista Serbe.

“Paramendojeni, ai e kishte marrë vendimin për shkëputjen e kontratës së punës dhe më pas më pyeste si e kam emrin dhe në cilën drejtori punoj. Kjo tregon se ai nuk e ka pasur idenë se kush jam dhe çfarë pune bëj, e jo më të marrë vendim për shkarkimin tim nga puna”, tregon Vedat Musa.

Pa asnjë arsyetim të bazuar, nga puna janë larguar edhe 14 punëtorë shqiptarë nga Komuna e Mitrovicës së Veriut me vendim të kryetarit Millan Radojeviç.

Zyrtarët shqiptarë në Mitrovicë të Veriut thonë se ndaj shqiptarëve po aplikohen standarde të dyfishta.

“Janë 11 ushtrues detyrave të cilët janë larguar arbitrarisht, gjithashtu edhe nga Zyra e Komuniteteve janë larguar 3 shqiptarë të cilët nuk i kanë përmbushur sipas tyre 6-mujorin në të cilin duhet të vazhdojnë tutje por të tillë kemi edhe nga komuniteti serb të cilët nuk e kanë përmbushur 6-mujorin por të cilët nuk largohen”, thotë Aida Doli, zëvendëskryetare e Asamblesë nga Komuniteti Shqiptar.

Këto veprime kanë ngjallur frikë te punonjësit e tjerë shqiptarë që druajnë se mund të mbesin pa punë.

“Normalisht që nëse i largon nga puna vetëm pse janë shqiptarë pa asnjë masë disiplinore, pa asnjë gabim nga ana e tyre, është shumë shqetësuese kjo tendencë e qeverisjes së re që është duke e bërë tani”, vijon Doli.

Përpos largimit të punonjësve shqiptarë nga komunat veriore, në Mitrovicë të Veriut ka filluar shfuqizimi i vendime të tjera. Fillimisht, është marr vendim për t’u larguar nga Asociacioni i Komunave të Kosovës si dhe të ndryshohet vendimi për riemërimin e rrugëve në mbi 80 rrugë të Mitrovicës së Veriut.

“Të gjitha procedurat për këto dy pika, si për Asociacionin dhe për shfuqizimin e emërimit të rrugëve kanë bërë shkelje procedurale të cilat besoj që ministritë do t’i evidentojnë këto shkelje procedurale të cilat duhet të kthehen mbrapsht për shkak se përveç ngutit vetëm t’i shfuqizojnë dhe të dalin mirë para Beogradit këta i shkelin edhe procedurat”, thekson Doli.

Pas zgjedhjeve lokale në vjeshtën e vitit të kaluar, Lista Serbe rimori kontrollin e katër komunave veriore, pas një periudhe ku këto komuna u qeverisën nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.

“Veliaj paguan avokat amerikanë për t’u mbrojtur prej tyre”, zbardhet audio e akuzave të Altin Dumanit dhe Olsi Dados para gjykatëses

By: E S
5 February 2026 at 19:42

Në seancën e datës 1 shkurt në GJKKO, ku u shqyrtua kërkesa e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për zëvendësimin e masës së arrestit me burg, është shënuar një tjetër ngjarje e shëmtuar me drejtësinë e re shqiptare.

Nga një pjesë e regjistrimit audio të seancës në fjalë, e siguruar nga mbrojtësit e Veliajt, zbulohet se si në sallën e gjyqit ish drejtuesi i SPAK, Altin Dumani kërkon që të përjashtojë nga ushtrimi i të drejtave kushtetuese jo vetëm kryebashkiakun Veliaj, por edhe mbrojtësit e tij.

Në audion e siguruar nga mbrojtësit e Veliaj, Dumani dëgjohet të thotë: “I pandehuri ka pajtuar edhe një studio jo shqiptare, ka paguar, është paguar një këst të paktën 300.000 dollarë për mbrojtjen ndërkombëtarisht të tij. Mund fare mirë, le të kontaktojë, ose të hapim një fond për të përballuar edhe shpenzimet e avokates së caktuar kryesisht, e cila do të shkojë në Durrës dhe ta takojë të pandehurin me qëllim që të dakordësojnë në lidhje me ecurinë e procesit. Por, unë sërish mendoj që jemi në kushtet kur i pandehuri dhe mbrojtja e tij e zgjedhur, apo e caktuar, nuk përfitojnë nga e drejta për të shprehur kërkesat sipas parashikimeve të Kodit të Procedurës Penale”.

Një deklaratë që tregon se procesi ka pushuar së qeni një procedim penal dhe duket se po shndërrohet haptazi në një proces personal, pa asnjë lidhje me figurën dhe detyrimet e një magjistrati.

Por, skandali bëhet edhe më i madh kur prokurori tjetër i çështjes, Ols Dado kërkon përpara gjykatës që Veliaj duhet të qëndrojë në burg sepse po ushtron të drejtën e tij për t’u mbrojtur. Sipas asaj që prokurori Dado artikulon në audion në fjalë, fakti që mbrojtja ndërkombëtare e Veliajt po informon institucionet partnere dhe po ekspozon publikisht shkeljet e procesit, përbën arsye për izolim. E thënë ndryshe: i pandehuri nuk duhet as të mbrohet, as të flasë, as të kërkojë mbrojtje përtej kufijve, sepse çdo dritë e hedhur mbi procesin “i nxin faqen” drejtësisë. Në këtë përmbysje të plotë të parimeve kushtetuese, prokurori Dado nuk e sheh më burgun si masë të fundit, por si mjet disiplinues ndaj atij që guxon të mbrohet dhe të dëshmojë përpara opinionit dhe institucioneve ndërkombëtare.

Prokurori Dado: “Përtej argumenteve që paraqiti prokurori i çështjes, do të doja t’i sjell në vëmendje gjykatës që gjatë kësaj periudhe, jemi vënë në dijeni pasi elementë të ri në lidhje me nenin 228 të Kodit të Procedurës Penale, të nenit 163 në lidhje me kushtet e përcaktimit të masës së sigurimit personal, jemi vënë në dijeni për një fushatë lobimi të shtetasit Erion Veliaj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me një fond financimi rreth 221 mijë dollarë. Nga burimet të hapura, është një shkrim – ka shumë shkrime, por do të doja që këtë gjykata ta shqyrtonte si provë – në gjykimin tonë kjo fushatë lobimi e cila ka shkuar deri në nivelet më të larta politike administrative të Shteteve të Bashkuara nuk përbën një mbrojtje juridike për veprimtari të funksionit politik, synon deligjitimimin e organeve që po gjykojnë aktualisht çështjen dhe tregon vullnetin e të pandehurit për të shmangur procesin penal. Pra, mbrojtja nga procesi penal dhe jo mbrojtja në procesin penal duket se është synimi kryesor i të pandehurit Erion Veliaj gjatë këtyre muajve të hetimit paraprak, por dhe të gjykimit në seancë paraprake. Për ne është një element shumë i rëndësishëm që tregon se klima e krijuar në raport me prokurorinë e posaçme, por dhe me gjyqtarin në hetim paraprak. Të mos harrojmë këtu që nga burime të hapura gjithashtu, këta aktorë të sistemit të drejtësisë, pra edhe prokurorë të prokurorisë së posaçme, por edhe gjyqtarë janë cilësuar si anëtarë aktivë të një partie që i përket opozitës në Shqipëri. Janë cilësuar të lidhur, ose të paktën vetëm prokurori, me interesa të ngushta zhvillimore ndërtuese. Kjo është një situatë që krijon një klimë ndikimi jo vetëm tek organet e drejtësisë dhe aq më tepër mund të imagjinojmë efektin që krijon tek dëshmitarët, por dhe tek dëshmitarët e drejtësisë që janë pjesë jetike, thelbësore e këtij procesi.

Dado: Po në lidhje… zonja kryetare, prokuroria e posaçme nuk e di se sa do të ishte me vend që ndoshta i ka paraqitur i pandehuri vendimin e gjykatës së shkallës së parë.

Gjyqtarja: Faktikisht nuk janë elemente kryesisht por nëse i keni shumë mirë.

Dado: Ne i kemi sepse na është dashur neve për t’u orientuar si dhe aktin ose dokumentin që sapo cituam nga burime të hapura, por edhe tre urdhrat e pasqyrimit të ndryshimeve të veprës penale.

Gjyqtarja: Po që pasqyrojnë….

Dado: Që pasqyrojnë ndryshimet ose më saktë rëndimin e pozitës juridike të pandehurit pas momentit të zbatimit të masës së sigurimit arrest me burg më 10 shkurt 2025./tema/

Pse emigranti nga Librazhdi u zhgënjye me Kanadanë?

5 February 2026 at 19:33

Nga Thoma Gëllçi

Është një gjë shumë e vështirë të përshkruash një shqiptar emigrant që është politikisht i djathtë. Një shqiptar i djathtë është pa pasuri, pa punë dhe emigrant. Është një aristokrat ideologjik pa prona, një konservator i vendosur që nuk ka çfarë të ruajë përveç bindjeve. Ai flet me zjarr për taksat e larta, edhe pse s’ka paguar kurrë taksa serioze, mbron pronën private edhe pse banon me qira. Ai e urren shtetin, por pret që shteti t’i zgjidhë të gjitha; mallkon emigracionin, por jeton prej tij; dhe e quan veten “i djathtë i pastër” me krenarinë e një njeriu që s’ka asgjë për të humbur, përveç iluzioneve politike që i ka marrë me vete në valixhe. Ky ishte edhe personazhi ynë, Luani, që erdhi në Kanada duke emigruar nga një fshat i Librazhdit.

Kur Luani mbërriti në Kanada, ishte i bindur për dy gjëra: e para, se kishte ardhur në vendin e demokracisë së vërtetë; e dyta, se demokracia e vërtetë duhet të ishte e djathta konservatore dhe jo ata zagaret e Sorosit që duan të prishin familjen dhe të prodhojnë vaksina.

Ai ishte emigrant i ri, por i vjetër në përvojë politike. Kishte parë më shumë protesta sesa para në xhep, më shumë konferenca shtypi sesa filma, dhe më shumë akuza për tradhti se gjithë librat dhe filmat e spiunazhit së bashku. Ai e dinte ç’ishte opozita.
Në Shqipëri kishte lënë pas një politikë që e njihte mirë: qeveria qeveris, opozita i bie qeverisë, populli shikon, analistët flasin, dhe asgjë nuk ndryshon. Por të paktën aty ka emocione. Kanadaja, mendonte ai, do t’i jepte të njëjtën gjë, por me borë dhe dollarë.
Gabim fatal.

Që ditën e parë vuri re se diçka nuk ishte në rregull. Njerëzit nuk flisnin me zë të lartë. Autobusët vinin në kohë. Askush nuk parkonte në dy rreshta me sinjalet ndezur. Edhe qentë dukej sikur i respektonin rregullat.
Por Luani ende shpresonte. Demokracitë e mëdha, i thoshte vetes, janë të qeta në sipërfaqe, por ziejnë nga brenda si vullkan.

Vajtja e Luanit në Kanada koincidoi me kongresin e Partisë Konservatore, që në Kanada e quanin Konventë. Aty ai pa në televizor liderin e konservatorëve, një djalë të ri që e kishte emrin si francez, Pierre, që po fliste me zjarr se si konservatorët do ta zhvillonin Kanadanë. Luanit nuk i pëlqeu që ai ishte aq i ri dhe që nuk përdori fjalët mafioz, vrasës, kriminel, tradhtar etj. për liderin e së majtës, por megjithatë, kur pa entuziazmin e atyre mijëra njerëzve në sallë, u kënaq. E ndjente se energjia e atij kongresi do të shpërthente në ditët në vijim në rrugët e Torontos.

E vërteta e goditi një mëngjes, ndërsa pinte një kafe që nuk i ngjante kafesë, por një kujtimi të largët për kafe. Po shfletonte rrjetet sociale, kur pa fotografinë që do t’i ndryshonte jetën politike.

Lideri i opozitës konservatore kanadeze, pra i djathti, njeriu i shpresës, mbajtësi i flamurit, ishte ulur përballë kryeministrit liberal.

Jo duke u zënë.
Jo duke u sharë.
Jo duke kërcënuar.
Po flisnin.
Qetë.
Në karrige të rehatshme.

Luani ndjeu sikur dikush i kishte derdhur ujë të ftohtë mbi bindjet e tij.
— Jo… jo… — pëshpëriti. — Kjo duhet të jetë montazh.

Ai lexoi shkrimin shoqërues. Aty thuhej se opozita kishte “ofruar ndihmë”, “diskutuar reformat” dhe “shprehur shqetësim institucional”.
Këtu, zemra e Luanit bëri një zhurmë të çuditshme. Jo nga emocionet, por nga zhgënjimi.

— Ndihmë?! — bërtiti. — Opozita ndihmon vetëm veten! Kjo është rregull i artë!

Në Shqipëri, një veprim i tillë do të quhej tradhti kombëtare, pazare, ose të paktën “lëvizje e dyshimtë”. Do të kishte emisione të posaçme, analiza me grafika dhe thirrje për protesta urgjente, edhe nëse binte shi.

Në Kanada, njerëzit thoshin: “Sa mirë që flasin.”
Kjo ishte fjalia që e vrau përfundimisht Luanin.

Ai doli për shëtitje, për të pastruar mendjen. Por rrugët nuk i vinin në ndihmë. Askush nuk po bllokonte asgjë. Nuk kishte turmë. Nuk kishte pankarta. Madje edhe semaforët punonin pa skandal.

Në një kafene, dëgjoi dy qytetarë që flisnin për politikë. Njëri tha se opozita kishte disa ide të mira. Tjetri u pajtua.
Luani gati u ngrit në këmbë për t’u shpjeguar se nuk pajtohesh me kundërshtarin, por e akuzon.

E tmerrshmja ishte kur dëgjoi se pas kësaj opozita i kishte të gjitha shanset që të merrte pushtetin. Kjo e skandalizoi komplet. Si do merrej pushteti kështu?

Ditët kalonin dhe zhgënjimi i tij rritej. Opozita nuk digjte goma. Nuk kërcënonte me bojkot. Nuk fliste për “fundin e demokracisë” çdo javë. Ajo sillej sikur një ditë mund të qeveriste vërtet.
Kjo për Luanin ishte dyshuese.

Një mbrëmje, pa sërish lajme. Sërish dialog. Sërish bashkëpunim. Sërish fjalë si “institucion”, “stabilitet”, “interes kombëtar”. Po edhe ky kryeministri, ishte burrë apo jo?! Si e pranonte të bisedonte me këtë që e kishte sharë vetë Trumpi!?
Ai e mbylli televizorin.

— Kjo nuk është e djathtë, — tha. — Kjo është tradhti ndaj parimeve të vërteta të së djathtës.
Atë natë, Luani mori vendimin e madh. Vendimin burrëror. Vendimin ideologjik.

Do të kthehej në Shqipëri.
Jo sepse Kanadaja ishte e keqe. Përkundrazi. Por nuk ishte e djathtë.

Në Shqipëri, e djathta ishte e vërtetë. E vrazhdë. E zhurmshme. E gatshme të humbiste gjithçka për të mos folur qetë. Atje, liderët, edhe kur shkonin për kafe me kundërshtarin, apo hanin dhe pinin me njëri-tjetrin, i harronin të gjitha sapo futeshin në Parlament. Sapo merrnin një mikrofon në dorë, shndërroheshin në të djathtë të thekur.

Luani bleu biletën e kthimit me lehtësim. Në aeroport, pa edhe një lajm tjetër: opozita kanadeze kishte propozuar një nismë të përbashkët me qeverinë.

Ai buzëqeshi me përbuzje.
— Demokraci leshi, — tha. — Kjo s’është për mua.

Një ndjenjë malli e përfshiu të gjithin. Iu mbushën sytë me lot kur kujtoi Sali Berishën, Mul Nokën, Taulant Ballën, Zegjinenë.
Kur avioni u ngrit, ai ndjeu se po kthehej në shtëpi. Jo domosdoshmërisht në një vend më të mirë, por në një vend ku kishte lirinë për të qenë i djathtë i vërtetë.

Shqipëria, në hartën e data centers/ Cilat qytete kanë kushtet më të mira për investime digjitale?

By: E S
5 February 2026 at 19:25

Ndërsa kërkesa globale për qendra të të dhënave po rritet me ritme të shpejta, edhe Shqipëria po shihet gjithnjë e më shumë si një destinacion potencial për investime në data centers. Faktorët kyç janë energjia, konektiviteti dhe disponueshmëria e truallit.

Teknologjia cloud, inteligjenca artificiale dhe shërbimet digjitale po rrisin ndjeshëm nevojën për data centers në Europë. Në këtë kontekst, Shqipëria po hyn gradualisht në radar, falë pozicionit gjeografik, burimeve energjetike dhe zhvillimit të infrastrukturës.

Sipas analizave të tregut, boshti Tiranë – Durrës mbetet zona më e fortë aktualisht për projekte të këtij lloji. Tirana përqendron pjesën më të madhe të stafit teknik, kompanive IT dhe konsumit digjital, ndërsa Durrësi ofron dalje ndërkombëtare përmes portit dhe lidhjeve të fibrës optike, duke e bërë këtë korridor ideal për data centers të tipit colocation dhe cloud rajonal.

Në valën e dytë të interesit po hyn jugperëndimi i vendit. Fier dhe Vlorë po konsiderohen si zona me potencial të lartë, për shkak të hapësirave të mëdha industriale dhe projekteve energjetike në zhvillim. Ekspertët theksojnë se, nëse konsolidohet boshti energjetik me gaz dhe burime të rinovueshme, kjo zonë mund të shndërrohet në destinacion për campus data centers dhe projekte energji-intensive, përfshirë ato të lidhura me inteligjencën artificiale.

Një tjetër qytet që po tërheq vëmendje është Korçë. Me temperatura mesatare më të ulëta dhe hapësira të mëdha për zhvillim, Korça ofron avantazh natyror për ftohje, duke ulur kostot operative. Kjo e bën zonën interesante për green data centers dhe për site rezervë jashtë korridorit kryesor Tiranë–Durrës.

Ndërkohë, veriu i vendit, veçanërisht zonat pranë Vau i Dejës, po shihet si një mundësi për modele hibride energjie, duke kombinuar hidrocentralet ekzistuese me projekte solare. Këto zona janë më të përshtatshme për projekte pilot dhe data centers me profil ESG.

Ekspertët theksojnë se gjigandët ndërkombëtarë nuk zgjedhin qytete sipas emrit, por sipas një pakete të qartë kriteresh: furnizim energjie 24/7, lidhje të shpejta interneti, tokë për zgjerim dhe risk të ulët operacional. Në këtë garë, Tirana dhe Durrësi kryesojnë për konektivitet, Fier–Vlorë për energji dhe hapësirë, ndërsa Korça për efikasitet klimatik.

Shqipëria ka disa pika reale konkurruese për data centers. Sfida mbetet koordinimi i investimeve në energji, rrjet dhe planifikim territorial, për ta kthyer këtë potencial në projekte konkrete dhe për ta pozicionuar vendin si nyje digjitale në rajon.

Mbi 7 mijë raste me kancer në 2025, 2.5% rritje çdo vit! Dominon kanceri i gjirit, shtohen rastet në aparatin tretës

By: E S
5 February 2026 at 19:18

Mbi 7 mijë raste të reja me kancer janë regjistruar në Shqipëri vitin që lamë pas. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, rastet me kancer gjiri, në mushkëri dhe në lëkurë, përbëjnë rreth 40% të totalit të pacientëve të diagnostikuar.

“Ajo që bie sy është një rritje e vazhdueshme që nga 2015 kur kemi filluar të përdorim këtë metodologji të regjistrit të kancerit në Shqipëri. Pra ka një rritje vjetore prej 2.5- 2.6% çdo vit”, tha Alban Ylli nga ISHP.

Edhe pse për vitin e kaluar kanceri i gjirit renditet i pari për nga numri i rasteve të reja, me 805 të diagnostikuar, në dekadën e fundit vihet re një rritje më e shpejtë e kancerit të aparatit tretës, deri në 5.9% në vit.

“Kanceri i zorrës së trashë i cili po rritet me 4.7% në vit. Siç e thashë pak më parë është ende në vendet e fundit Shqipëria në Europë, por kjo tregon që ai do vijë duke u rritur. Pra duhet përgatitur për rritjen e tij të ndjeshme, edhe kanceri i stomakut. Unë personalisht kam shpresuar që ai të fillojë të vendoset në kontroll, por edhe ai po vijon të rritet”, tha Ylli.

Një shqetësim i madh mbetet kanceri i mushkërive, i cili sipas ekspertëve lidhet ngushtë me konsumin e duhanit.

“Mbi 50 vjeç ne kapim 3.6% mesatarisht çdo vit më shumë se vitin e kaluar, pra motori i rritjes së kancereve në Shqipëri në mënyrë të qartë dhe të dukshme është rritja e moshës mesatare është rritja e numrit të rasteve të verifikuara në moshat më të shtyra”, vijoi ai.

Gjatë forumit “Kontrolli i Kancereve në Shqipëri: Parandalim, Depistim dhe Kujdes ndaj Pacientit”, ministrja e Shëndetësisë Evis Sala njoftoi krijimin e Institutit Kombëtar të Onkologjisë dhe ndërtimin e një Rrjeti Kombëtar të Kancerit, që do të mundësojë ofrimin e shërbimit onkologjik afër pacientit. Po ashtu, në bashkëpunimn me Italinë, synohet ngritja e një qendre për trajtimin multidisiplinar të kancerit, kërkimin shkencor dhe hartimin e politikave onkologjike të bazuara në evidencë.

Ministrja u ndal edhe te problematika e radioterapisë, duke konfirmuar vendosjen e akseleratorit të tretë linear në Shërbimin Onkologjik.

“Përmirësimin e kapaciteteve të trajtimit me radioterapi. Kjo ka qenë një problematikë e vazhdueshme e shërbimit onkologjik. Falë një bashkëpunimi të shkëlqyer me agjencinë atomike me qendrën në Vjenë ku isha javën e kaluar shumë shpejt do të kemi tre akseleratorë linearë funksionalë dhe sigurisht po punojmë të sjellim aparatin e ri modern të brakiterapisë sa më shpejt”, tha Sala.

Sipas të dhënave zyrtare kanceri përbën shkakun e dytë të vdekjeve pas sëmundjeve të zemrës duke kontribuar në rreth 16% të të gjitha vdekjeve në vendin tonë.

“Skandali Epstein trondit Britaninë, jo SHBA-në”, analiza e CNN: Starmer në rrezik, Trump i paprekur

By: E S
5 February 2026 at 19:07

Publikimi i ri i dosjeve të Jeffrey Epstein po shkakton një stuhi politike në Mbretërinë e Bashkuar, që rrezikon seriozisht postin e kryeministrit Keir Starmer, ndërsa në Shtetet e Bashkuara, presidenti Donald Trump duket se i ka shpëtuar pasojave politike.

Sipas analizës së CNN, edhe pse Starmer nuk ka pasur lidhje personale me Epstein, ai ndodhet nën presion ekstrem për shkak të emërimit të Peter Mandelson si ambasador në SHBA, pavarësisht njohjeve të tij me financierin e dënuar për krime seksuale. Sipas dosjeve të reja, Mandelson mund të ketë ndarë informacione konfidenciale me Epstein gjatë krizës financiare të vitit 2008. Mandelson ka dhënë dorëheqjen nga të gjitha postet dhe po hetohet penalisht.

Starmer ka kërkuar falje publike personave të prekur nga Epstein dhe ka pranuar se gaboi duke i besuar Mandelsonit, por revolta brenda Partisë Laburiste ka vënë në pikëpyetje vazhdimin e mandatit të tij.

Në kontrast, Trump, emri i të cilit përmendet në disa dokumente hetimore, nuk përballet me asnjë akuzë penale dhe nuk ndjen presion politik serioz. Autoritetet amerikane kanë deklaruar se nuk do të ketë ndjekje të reja penale, ndërsa Trump ka bërë thirrje që vendi “të ecë përpara”.

Analistët theksojnë se ndryshimi qëndron te sistemi politik: në Britani, institucionet e llogaridhënies dhe presioni parlamentar funksionojnë më fort, ndërsa në SHBA Trump mban kontroll të madh mbi Departamentin e Drejtësisë dhe Kongresin republikan.

Skandali Epstein, shtatë vite pas vdekjes së tij, vazhdon të ketë ndikim global, duke tronditur politikën britanike dhe duke thelluar krizën e udhëheqjes për Keir Starmer, ndërsa në Uashington mbetet kryesisht pa pasoja politike.

Trump për Forcat e Armatosura të SHBA-së: Kemi një ushtri ku të gjithë janë si Tom Cruise, por më të gjatë

By: El Be
5 February 2026 at 18:56

Donald Trump foli për gjithçka dhe për të gjithë gjatë fjalimit të tij në Mëngjesin Kombëtar të Lutjes në Uashington, duke nisur nga ushtria amerikane e deri te mënyra se si, sipas tij, mund të pritet edhe vetë në Parajsë.

“Kemi kaq shumë njerëz që duan të futen në ushtri”, tha ai, duke lavdëruar forcat e armatosura: “Kemi një ushtri ku të gjithë duken si Tom Cruise, por janë më të gjatë”.

Presidenti amerikan foli gjerësisht edhe për politikën e tij të emigracionit, e cila sipas tij, ka çuar deri tani në largimin e mijëra emigrantëve të parregullt nga Shtetet e Bashkuara.

Ai u shfaq edhe i ashpër ndaj kritikëve që e akuzojnë se është diktator: “Unë nuk jam diktator, ata janë. Ata janë si Gestapo, arrestojnë njerëz që shkojnë në kishë dhe i trajtojnë në mënyrë të tmerrshme”.

Në një tjetër moment, Trump paralajmëroi se ata që sulmojnë të krishterët “e dinë se do të përballen me një reagim të dhunshëm dhe të pamëshirshëm nga presidenti Trump”.

“E di që nuk tingëllon bukur”, shtoi ai, “por kështu janë gjërat”.

Blerta Celibashi në pritje të ëmbël, zbulohet gjinia e anëtarit më të ri që do i bashkohet familjes mbretërore

By: El Be
5 February 2026 at 18:38

Princi Leka dhe Blerta Celibashi po përgatiten për zgjerimin e familjes. Pas zyrtarizimit të lidhjes së tyre disa muaj më parë, ata ndodhen në pritje të fëmijës së parë së bashku.

Sipas informacioneve të konfirmuara nga burime pranë çiftit për “Popart.al”, Blerta Celibashi është shtatzënë dhe foshnja pritet të jetë djalë.

Për Princ Lekën, ky do të jetë fëmija i dytë, pasi ai ka një vajzë nga martesa e mëparshme me Elia Zaharian.

Burimet bëjnë me dije se shtatzënia po zhvillohet normalisht dhe çifti ka zgjedhur ta mbajë këtë fazë të jetës së tyre larg vëmendjes publike.

Edhe pse spekulimet kishin qarkulluar prej kohësh, vetëm së fundmi është bërë e qartë se lajmi është i saktë dhe se përgatitjet për ardhjen e fëmijës kanë nisur.

Deri tani, Princ Leka dhe Blerta Celibashi nuk kanë dhënë një reagim zyrtar lidhur me këtë zhvillim.

KLGJ nuk e pranoi dosjen, ILD nis shqyrtimin për gjyqtaren Irena Gjoka

By: El Be
5 February 2026 at 18:31

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka nisur shqyrtimin për gjyqtaren Irena Gjoka. Në ILD kërkesën e ka dërguar një anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor

Ankesa është bërë nga një anëtari i KLGJ me objekt fillimin e hetimit për shkelje disiplinore ndaj magjistratit Irena Gjoka, gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

ILD do ta shqyrtojë ankesën në përputhje me parashikimet ligjore, konkretisht, pjesa V, kreu II i ligjit nr. 96/2016 për statusin e gjyqtarëve e prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

Prokuroria e Përgjithshme në janar përfundoi verifikimin për gjyqtaren lidhur me deklarimet e saj në Formularin e Vetëdeklarimit të datës 22 prill 2016. Procesi nisi pas kërkesës së Komisionit të Zhvillimit të Karrierës në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe pretendimeve se Gjoka kishte fshehur probleme nga e kaluara në shtetin grek.

Irena Gjoka ka gjykuar dosje të rëndësishme që përfshijnë politikanë, zyrtarë të lartë dhe personazhe të krimit të organizuar, duke e bërë këtë proces një verifikim me interes të lartë publik.

 

❌
❌