Nga Mero Baze
Edi Rama kërkoi që socialistët të hedhin themelin e një reforme të re kushtetuese në vend, që synon reformimin e Parlamentit, ndarjen administrative të Shqipërisë, e lidhur kjo edhe me ligjin elektoral dhe aspekte të tjera kushtetuese që mund të dalin rrugës.
Ideja e një reforme të re kushtetuese është e kushtëzuar nga dy faktorë vendimtarë.
Faktori i parë është opozita e Sali Berishës. Në parim, Sali Berisha pranon reforma vetëm në interes të tij politik. Në rastin konkret, Sali Berisha ka interes jetik mbijetesën politike në krye të opozitës për të vazhduar të jetë faktor bllokues qoftë edhe për reforma të tilla. Kështu që çdo përpjekje për reformë kushtetuese duhet të kalojë tek dëshirat e Berishës për një ligj elektoral që e mban atë në krye të opozitës. Një i tillë u bë më 2009. Nuk besoj se Shqipëria ia ka borxh, pas gati 20 vjetësh Berishë, t’i bëjë edhe një ligj për pleqëri. Kështu që ka pak gjasa që ai të bjerë dakord për ndonjë reformë kushtetuese. Socialistët është mirë ta paraqesin opsionin e tyre, por gjasat që Berisha t’u japë votën janë të pakta, nëse këta nuk i japin atij garanci që të ruajë pushtetin në krye të PD-së. Deri tani i kanë dhënë vetëm garanci financiare, duke i mundësuar familjes së tij të zhvillojë prona të fituara në mënyrë të dyshimtë dhe rrugë korruptive. Por kjo nuk është e mjaftueshme për Berishën. Ai e di që ato i humbet nëse humbet PD-në. Pasuria e tij më e madhe buron nga të qenit pronar i PD-së dhe jo pronar i tokave në bregdet. Prandaj ky proces mund të përfundojë i njëanshëm dhe i pavotueshëm në Kuvend.
Faktori i dytë vendimtar është Bashkimi Evropian. Shqipëria ka ambicie të ekzagjeruara që mund të anëtarësohet në BE në vitin 2029. Personalisht nuk shpresoj se kjo do të arrihet, jo thjesht si parashikim, por si pamundësi që ne të kryejmë reforma thelbësore dhe konkrete në fushën e shtetit juridik, mjedisit dhe bujqësisë, tre probleme të mëdha që Shqipëria është larg vëmendjes reale.
Në përpjekje për të fituar me çdo çmim konsensusin e Evropës, kryeministri Rama ka urdhëruar deputetët të mos kenë asnjë hezitim për të miratuar ligjet që ofrohen nga BE-ja dhe direktivat e ardhura prej tyre.
Një nga direktivat më të forta të tyre është beteja e drejtësisë me korrupsionin, e cila jo në pak raste i ka hapur rrugën linçimeve politike, mungesës së procedurës ligjore në hetime dhe heqje lirie, si dhe debateve mbi sigurinë juridike të qytetarëve shqiptarë, të cilët po marrin një drejtësi më të keqe se ajo që kanë pasur para Reformës në Drejtësi.
Mali i dosjeve nëpër gjykata, sorollatjet pa fund të qytetarëve shqiptarë, rikthimi i shumë çështjeve për rigjykim nga Gjykata e Lartë etj., i kanë bërë qytetarët shqiptarë më të pashpresë se kurrë për rezultatet e reformës në drejtësi.
Guximi për të reformuar Reformën në Drejtësi është në kundërshtim me frymën e BE-së, e cila tek gjithë Reforma në Drejtësi shikon si pozitive vetëm ndëshkueshmërinë e politikanëve.
Dakord jam, por Reforma u bë t’u japë drejtësi qytetarëve shqiptarë dhe jo si gijotinë për politikën shqiptare. Si e tillë, nëse e lë gjendjen kështu deri më 2029, këtu do të jetë kriminalizuar gjithë klasa politike dhe nga ana tjetër qindra mijëra qytetarë shqiptarë do të kenë marrë më pak drejtësi se sa kishin para vitit 2016. Atëherë bilanci do të jetë edhe më i keq. Ne do të dukemi një vend i njollosur nga drejtësia dhe njëkohësisht një vend pa drejtësi. Dhe kjo do guxim politik për t’u përballur. Ashtu siç thoshte Konica, në pritje të ëndrrave do të na kalben dëshirat.
Nuk po flas pastaj për anët teknike të standardeve të BE-së, që do të duhet të mbyllin një sy për t’i pranuar. Çështja e pronës, gjendja primitive e fshatit, mjedisi dhe fusha të tjera të zhvillimit si bujqësia janë probleme më vete, por për të cilat mund të ketë një shkelje syri.
Kështu që para Reformës Kushtetuese, Edi Rama ka mundësi të bëjë disa reforma ligjore të ligjeve të rëndësishme të vendit: Kodin Penal, Civil, ndarjen territoriale, ligjin elektoral, ligjin për shtypin, etj., për të shtruar rrugën drejt një reforme të plotë kushtetuese.
Dhe për t’i bërë të gjitha këto, ai duhet t’i rikthehet një qeverisjeje me përgjegjshmëri të lartë politike. Teknicienët janë pasuria më e madhe e këtij vendi për të na futur në Bashkimin Evropian, por qeverisja dhe qeveria duhet të reformohen bazuar mbi përgjegjshmërinë politike. Teknicienët mund të udhëheqin çdo agjenci apo njësi të integrimit në vend, por jo qeverinë. Kur u kërkon deputetëve të lidhen me bazën dhe të ruajnë raportet me elektoratin, duhet ta bësh këtë, dhe kur ruan përfaqësimin politik në qeveri në gjithë qarqet që ata të kenë ku të trokasin. Deputetët që shkojnë përditë në zonë elektorale dhe duhet t’i bien telefonit të një ministri që nuk është deputet, është pak paradoksale.
Në kushtet kur socialistët kërkojnë t’i përfshijnë në një betejë afatgjatë për të kontrolluar situatën në Parlament, situatën në terren dhe procesin e integrimit, ata duhet të kthehen në debatues të mëdhenj në këtë vend dhe njerëz që marrin peshë politike duke u përballur me problemet.
Sot Grupi Parlamentar Socialist ngjan si grup anonimësh, ku të gjithë bëjnë kujdes vetëm të mos i përmendë Berisha dhe nuk përfshihen në asnjë debat as për të mbrojtur qeverinë, as qeverisjen, pasi realisht ndjehen të huaj për të.
Ata nuk i njeh askush për luftëtarë. Politika shqiptare ia ka deleguar debatin politik paneleve televizive me gazetarë me honorare që të pyesin para emisionit me kë të bëhen gjatë emisionit. Ky është fundi i politikës dhe i përgjegjshmërisë politike të Partisë Socialiste dhe PD-së së Berishës. Është aq i theksuar si fenomen, sa edhe vetë Edi Rama zgjedh të bëjë debat politik me Fevziun dhe Klodiana Lalën në vend të Berishës. Dhe kjo nuk është fyerje për dy gazetarët, por për politikën shqiptare, e cila ka zhdukur aktorët politikë dhe ka deleguar debatin politik tek shtypi, dhe pastaj debaton me të.
Kthejeni politikën tek politikanët dhe mbajeni debatin politik tek ata dhe do të kuptoni që shtypi nuk ka më asnjë rëndësi. Përveç rastit kur të bën transparencën e mëkateve.