Në fund të nëntorit dhe dhjetorit të vitit 1991 tensionet politike ishin në kulm. PD kërkoi daljen nga qeveria e stabilitetit ndërsa në disa rrethe kishin nisur mësymjet ndaj ndërrmarrjeve shtetërore. Ish-kryeministri Ylli Bufi në rrëfimet e tij të botuara në librin “NË FILLIMET E TRANZICIONIT” të botuar nga Uet Press”, tregon debatet në mbledhjet e qeveris, por edhe takimin në zyrën e Presidentit të asaj kohe Ramiz Alia
Dorëheqja e Qeverisë së Stabilitetit
Pas tërheqjes së ministrave të saj prej PD, disa prej ministrave u mblodhën në zyrën time. Të gjithë ishin shumë të revoltuar nga veprimi i Berishës dhe sidomos nga fjalët që ai kishte thënë në konferencën për shtyp.
Ç’duhej bërë tani? E vetmja gjë mbetej që unë të paraqisja te Presidenti i Republikës dorëheqjen në emër të qeverisë. Dikush nga ministrat tha se qeveria duhet t’u shpjegojë shqiptarëve atë që kishte ndodhur. Fillimisht, ishte fjala për një konferencë shtypi nga qeveria, por pastaj u sugjerua të bëhej një mbledhje, ku të merrnin pjesë edhe kryetarët e partive. Në fillim, e kundërshtova këtë propozim, sepse mendoja se gjithçka ishte thënë me kryetarët e partive. U insistua se shqiptarët nuk i dinë të vërtetat e prishjes së qeverisë, prandaj duhet t’ua themi këto. Kështu, u vendos të bëhet ajo mbledhje. Ishte një vendim i nxituar, i marrë në peshën e emocioneve të momentit.
Në mbledhje u ripërsëritën të gjitha argumentet që ishin përdorur edhe në mbledhjen e mëparshme me kryetarët e partive. Mbledhja zgjati rreth 2-3 orë, por, për shkak se transmetimi në televizionin shqiptar nuk ishte online, bobinat e regjistruara shkonin me një vonesë rreth një orë për transmetim. Kështu, transmetimi i mbledhjes vazhdoi edhe pas mesit të natës, një gjë e pazakonshme deri në atë kohë. Ministrat dhe përfaqësuesit e partive ishin ulur jo në vendet e tyre të zakonshme. Mbledhja u zhvillua shumë e tensionuar. Pothuaj të gjithë folën kundër veprimit të Sali Berishës. Më i ashpër ishte sidomos ministri Emin Mysliu, që shprehu hapur parandjenjën e kaosit që do të krijohej në vend pas rënies së qeverisë. Servet Pëllumbi, në emër të Partisë Socialiste, dënoi veprimin e papërgjegjshëm të PD dhe të Sali Berishës, duke thënë:
“Nuk është PS që e shkakton këtë krizë. PS ka mbajtur kurdoherë qëndrime të qarta e tolerante, të argumentuara, gjakftohta, e bindur që në fillim për formulën e qeverisë së stabilitetit dhe vazhdimisht është përpjekur ta mbështesë atë… Përkundrazi kanë qenë disa forca të tjera, të cilat me lloj-lloj epitetesh: kriptokomunistë, enveristë, punistë, merimanga komuniste etj., që nuk ngurruan t’ përdorin edhe në këtë auditor të nderuar, duan të sensibilizojnë opinionin kundër PS.
Të gjitha këto kontradikta vihen re në pozicionin e PD, bile nuk do ta zgjeroja për të gjithë PD, por për deklaratën e zotit Berisha. Nga njëra anë, lavdërohet qeveria dhe ministrat veç e veç, përfshirë edhe ministrat e PS, nga ana tjetër, po në këtë deklaratë, qeveria quhet e dështuar. Këto pozicione kontradiktore shprehin një synim të vetëm: synimin që për këtë krizë ta hedhin fajin mbi PS”.
Në fjalën time në mbledhjen e qeverisë u përpoqa që, me përgjegjësi dhe shqetësim, të shpjegoja situatën tejet të vështirë politike dhe ekonomike dhe pasojat e rënda destabilizuese që do të sillte prishja e qeverisë. Një nga argumentet kryesore që u theksua për vazhdimin e punës së qeverisë ishte dhe sigurimi në vazhdimësi i ushqimit të popullit. E konsiderova detyrë dhe përgjegjësi nga ana ime që në mbledhjen e qeverisë ta paraqisja me saktësi dhe transparencë gjendjen ushqimore. Këtë bënë dhe të gjithë ministrat, me bindjen se prishja e qeverisë në atë situatë shumë të vështirë ishte një veprim me pasoja tepër të rënda. Në këtë kontekst ishte dhe shprehja se qeveria e re do të kishte një rezervë vetëm për 6 ditë bukë. S. Berisha u përpoq që kaosin dhe të gjitha shkatërrimet që ndodhën në disa rrethe të vendit që synonin të destabilizonin vendin t’i lidhte me panikun që kishin shkaktuar fjalët e mia.
Në të gjitha raportet zyrtare të kohës tregohet se ngjarjet shkatërrimtare, që ndodhën në Laç, në FushëArrëz, në Peqin, në Lushnjë, në Pogradec dhe në ndonjë vend tjetër, kanë ndodhur në periudhën e fushatës elektorale për zgjedhjet e 22 marsit. Këto veprime kanë filluar në 3.12.1991 në qytetin e Mamurrasit dhe kanë vazhduar në datat 4,5,6 dhe 7.12.1991 edhe në Thumanë, Laç, Milot dhe në zonat përreth tyre, përfshirë rrethin e Pukës.
Pra, këto veprime kanë filluar pikërisht një ditë para se S.Berisha të deklaronte në konferencën e tij të shtypit në datën 4.12.1991 dorëheqjen e ministrave të PD nga qeveria. Gjithashtu, ngjarjet e Fushë-Arrëzit nuk kanë ndodhur për shkak të fjalëve të mia në mbledhjen e qeverisë, sepse ato kishin filluar për motive të tjera më parë se të mbahej mbledhja e qeverisë.
Kështu, para se të ndodhte ngjarja e Fushë-Arrëzit, në rrethin e Pukës ishin vjedhur dhe shkatëruar mbi 50 magazina dhe dyqane të rrjetit të tregtisë në 29 fshatra të këtij rrethi. Vetë ngjarja e Fushë-Arrëzit ka qenë e organizuar më parë, përderisa qysh para një jave Komiteti Ekzekutiv i rrethit kishte informacion se do të hapnin dhe do të vidhnin pikërisht këto magazina të konfeksioneve në Fushë-Arrëz.
Të nesërmen, më datën 5 dhjetor, paradite, shkova te Presidenti i Republikës për t’i paraqitur atij dorëheqjen. Ai më kërkoi që këtë akt ta bëja pas takimit konsultativ që ai do të bënte përsëri me forcat politike, ku më ftoi të merrja pjesë edhe unë. E pranova propozimin e tij. Në takimin me Presidentin e Republikës, të zhvilluar në datat 5 dhe 6 dhjetor, morën pjesë përfaqësuesit e pesë partive politike pjesëtare të marrëveshjes politike të majit 1991, mbi bazën e së cilës u krijua Qeveria e Stabilitetit. Nga Partia Socialiste mori pjesë Servet Pëllumbi; nga Partia Demokratike, Sali Berisha; nga Partia Republikane, Sabri Godo; nga Partia Socialdemokrate, Skënder Gjinushi dhe nga Partia Agrare, Meno Gjoleka. Mora pjesë edhe unë, ende në detyrën e Kryetarit të Këshillit të Ministrave. Në këtë takim Presidenti i Republikës insistoi që partitë të arrinin në një mendim të përbashkët për krijimin e një qeverie të re, duke pasur parasysh vënien e interesave të larta të vendit mbi interesat partiakë.
Sali Berisha nuk pranoi që PD të ishte pjesë e asnjë lloj formule të qeverisë. Gjinushi dhe Gjoleka ishin më të hapur, ndërsa ra në sy që Godo mbështeste vend e pa vend Berishën për çdo gjë që ai thoshte. Berisha kërkoi që qeveria të formohej nga Partia Socialiste.
Por ky propozim nuk u pranua nga S. Pëllumbi. Kështu, iu hap rrugë formulës së krijimit të një qeverie teknike, e cila do të drejtonte administratën shtetërore deri në zgjedhjet e reja që do të mbaheshin në mars të vitit 1992. Në fund të takimit, Presidenti më kërkoi që qeveria e kryesuar prej meje të vazhdonte kryerjen e detyrave të saj deri në formimin e qeverisë së re. Pas përfundimit të këtij takimi, më 6 dhjetor, shkova në zyrën e Presidentit dhe i paraqita atij zyrtarisht dorëheqjen time dhe të gjithë qeverisë që kryesoja. Në tekstin e dorëheqjes theksoja se dorëheqja e qeverisë ishte e detyruar nga kriza qeveritare, që shkaktoi largimi i ministrave të Partisë Demokratik