Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayFaktoje

E ricikluar video e tensionit të pretenduar mes ministrit kinez dhe Netanyahut

16 April 2026 at 15:39

Pretendimi: Kjo video tregon një moment të tensionuar mes ministrit të Jashtëm kinez Wang Yi dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu

Verdikti: Mungon konteksti

———————————————————

Në prill 2026, në rrjete sociale dhe mediat shqipfolëse qarkulloi një videopretendohet se tregon një “moment të tensionuar” mes Ministrit të Jashtëm kinez Wang Yi dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu. Mediat pretendojnë se video “nxjerr në pah problemet në rritje mes dy vendeve.” Video po ndahet pikërisht në momentet që Kina u ofrua si një negociatore e re pas dështimit të bisedimeve të para të paqes mes ShBA dhe Iranit në Pakistan. 

Megjithatë, lexuesi i vëmendshëm mund të ketë vënë re se të dy burrat në video duken goxha më të rinj seç janë tani. Kjo sepse video që po qarkullon si pasqyruese e “problemeve në rritje mes vendeve” është mbi 10 vjeç.

Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se klipi që po qarkullon online është shkëputur nga një video më e gjatë e hedhur në Youtube nga llogaria e Zyrës së Kryeministrit izraelit më 18 dhjetor 2013.

Sipas përshkrimit të videos, ajo tregon deklaratat e Netanyahu dhe Yi në fillim të takimit të tyre, i cili u raportua në atë kohë edhe nga Ministria e Jashtme e Kinës. Sipas medias vendase, Netanyahu bëri thirrje për lidhje më të mëdhaja tregtare, ndërsa Wang Yi theksoi rëndësinë e bisedimeve të paqes me Palestinën. Netanyahu përsëriti se Irani nuk duhet të kishte “aftësi” për të zhvilluar armë bërthamore.

Më tej, video e plotë hapet me dy burrat që shtrëngojnë duart, përpara se të qëndrojnë pas podiumeve të ndara. Netanyahu më pas i uron Wang mirëseardhjen në Jerusalem.

Wang dhe Netanyahu shtrëngojnë duart përsëri në fund të fjalimit të kryeministrit izraelit.

Wang tha më pas se ishte shumë i lumtur që po vizitonte Izraelin për herë të parë si Ministër i Jashtëm.

“Shumë nga kolegët e mi më thanë se sapo vizituan Izraelin, do të dashuroheshin me këtë vend. Qëllimi i vizitës sime këtë herë është të zbuloj sekretin e kësaj,” vazhdoi Wang.

Ai gjithashtu theksoi “miqësinë e thellë dhe tradicionale” midis popullit të Kinës dhe Izraelit.

Kështu, kjo video që po qarkullon në prill 2026 si një moment tensioni që dëshmon ftohjen e marrëdhënieve diplomatike mes Kinës dhe Izraelit është xhiruar 13 vite më parë.

The post E ricikluar video e tensionit të pretenduar mes ministrit kinez dhe Netanyahut appeared first on Faktoje.al.

I rremë ky pranim i Netanyahut për sulmin ndaj Kullave Binjake

3 April 2026 at 14:21

Pretendimi: Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pranoi aksidentalisht se ishte pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 përpara se intervista të ndërpritej

Verdikti: E pavërtetë

————————————————————

Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon një klip i vjetër i kryeministrit të tanishëm izraelit Benjamin Netanyahu, shoqëruar me pretendimin se, në të, Netanyahu pranoi aksidentalisht se ishte pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, përpara se intervista të ndërpritej.

Në klipin e mësipërm, megjithatë, Netanyahu nuk pranon se ishte pas sulmeve të 11 shtatorit 2001. Ai dëgjohet të thotë: “thashë se Perëndimi vërtet nuk e kupton Islamin militant. Kështu që shkrova një libër në vitin 1995 dhe thashë se, nëse Perëndimi nuk zgjohet ndaj natyrës vetëvrasëse të Islamit militant, gjëja e ardhshme që do të shihni është që Islami militant do rrëzojë Qendrën Botërore të Tregtisë.

Qendra Botërore e Tregtisë në New York, qw pwrfshinte dhe Kullat Binjake, u shkatërrua nga një sulm terrorist më 11 shtator 2001.

Klipi i shkurtër ka qarkulluar në rrjete sociale në fund të marsit 2026, nganjëherë shoqëruar dhe me pretendimin se “ndoshta nuk do ta shihni më kurrë” sepse ai është “një nga videot më të ndaluara në botë.”

Megjithatë, me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se klipi është marrë nga një intervistë e Netanyahut, në atë kohë lider i opozitës në Izrael, me gazetarin amerikan Glenn Beck, transmetuar më 23 nëntor 2006 në median amerikane CNN.

Zbardhja e intervistës, e disponueshme në faqen zyrtare të CNN, jep kontekstin e klipit, të përkthyer nga anglishtja më poshtë.

BECK: Isha në Memorialin e Holokaustit në Uashington, D.C., dhe një nga dhomat më të fuqishme për mua ishte dhoma ku kishin të gjitha gazetat në mur dhe të gjitha titujt kryesorë. Dhe për mua, ajo që më bëri përshtypje ishte se Hitleri ishte shumë i qartë, shumë i qartë. Në thelb, ai thoshte: “Merrni hebrenjtë para se t’i vras.” Dhe të gjithë e mohonin.

Tani, më lejoni të luaj rolin e avokatit të djallit me ju. Kemi dëgjuar për të çmendur, veçanërisht në Iran, për një kohë shumë të gjatë. Çfarë ju bën të thoni se duhet ta pranojmë këtë të çmendur sipas fjalës së tij? Pse ky djalë është ndryshe nga ajo që kemi parë me fanatikët fetarë që janë vërtet të interesuar vetëm për pushtetin dhe jo për Apokalipsin?

NETANYAHU: Epo, po e merrja këtë pyetje në vitet 1990, dhe thashë se Perëndimi vërtet nuk e kupton Islamin militant. Kështu që shkrova një libër në vitin 1995 dhe thashë se, nëse Perëndimi nuk zgjohet ndaj natyrës vetëvrasëse të Islamit militant, gjëja e ardhshme që do të shihni është që Islami militant do rrëzojë Qendrën Botërore të Tregtisë.

Ideologjitë e tjera të çmendura nuk e bëjnë këtë, por myslimanët militantë po e bëjnë, dhe ata po konkurrojnë. Ata kanë dy lloje: lloji sunit, i udhëhequr nga Al Kaeda, i cili ka shkatërruar Qendrën Botërore të Tregtisë; lloji shiit, i udhëhequr nga Irani, i cili dëshiron ta tejkalojë këtë duke pasur armë bërthamore me të cilat mund të dominojnë botën, në fund të fundit të rrëzojë Amerikën.

Ne jemi thjesht objektivi i parë. Ata na urrejnë sepse ne jemi ju, dhe ne jemi stacioni i parë, në Lindjen e Mesme. Ata e urrejnë Izraelin sepse ai përfaqëson Amerikën. Ata nuk e urrejnë Amerikën për shkak të Izraelit, sepse ne jemi pjesë përbërëse e të njëjtit qytetërim të lirë, sipas mendjes së tyre, hedonist të urryer.

Ndryshe nga ç’pretendohet në rrjete sociale, intervista nga është marrë klipi mund të gjendet lehtësisht në Youtube që prej vitit 2008. Gjithashtu, klipi është marrë nga pjesa e parë e intervistës, e cila nuk ndërpritet, siç pretendon postimi.

Në 2006, kur u dha intervista, dhe në 1995, kur shkroi librin e përmendur ne klip, Netanyahu nuk ishte kryeministër i Izraelit, por lider i opozitës në parlamentin izraelit.

Në librin në fjalë, titulluar “Luftimi i terrorizmit: si demokracitë mund t’i mposhtin terroristët vendas dhe ndërkombëtarë”, “Qendra Botërore e Tregtisë” përmendet 11 herë. Në 10 nga 11 përmendjet e saj, autori i referohet sulmit të mëparshëm me shpërthim ndaj Qendrës Botërore të Tregtisë në vitin 1993. Përtej këtyre, në faqen 125, duke folur për grupet terroriste të kontrolluara nga Irani, Netanyahu parashikon se “në skenarin më të keq, pasojat mund të mos jenë një bombë në makinë, por një bombë bërthamore në bodrumin e Qendrës Botërore të Tregtisë.”

Kujtojmë se sulmet terroriste që shkatërruan Qendrën Botërore të Tregtisë më 11 shtator 2001 u kryen me dy avionë komercialë që u morën peng nga sulmuesit, jo me një bombë bërthamore siç ‘parashkoi’ Netanyahu në 1995.

Pretendimi se Benjamin Netanyahu pranoi aksidentalisht se ishte pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 mbetet i paprovuar.

The post I rremë ky pranim i Netanyahut për sulmin ndaj Kullave Binjake appeared first on Faktoje.al.

Pavarësisht ngjashmërisë, krerët e Argjentinës dhe Izraelit nuk kanë lidhje gjaku

24 March 2026 at 16:39

Pretendimi: Presidenti argjentinas Javier Milei dhe Benjamin Netanyahu janë kushërinj

Verdikti: E pavërtetë

———————————————————–

Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se presidenti argjentinas Javier Milei dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu janë kushërinj.

Postimi pretendon se dy krerët e shtetit kanë të njejtin gjysh, mw konkretisht “Nathan Mileikowsky, i lindur më 15 gusht 1825, në Bjellorusi”, dhe baballarët e tyre ishin vëllezër.

Që nga 2021, ka patur pretendime se Milei, në atë kohë deputet dhe kandidat presidencial, fillimisht quhej “Mileikowsky”, një mbiemër që ai supozohet se e ndryshoi për të fshehur një trashëgimi të supozuar hebraike. Megjithatë, kjo është e rreme.

Ngjashmëria midis “Milei” dhe “Mileikowsky” nuk është aq e fortë sa të sugjerojë se dy udhëheqësit politikë në fjalë kanë lidhje gjaku. 

Siç kanë verifikuar kolegët e Chequeado, të dhënat e Mileit në Dhomën e Deputetëve të Argjentinës tregojnë se emri i tij i plotë është Javier Gerardo Milei. E njëjta gjë konfirmohet duke kërkuar në faqen Dateas, ku është e mundur të aksesohet Kodi i tij i Identifikimit Tatimor (CUIT).

Një kërkim i Dokumentit të Identitetit Kombëtar (DNI) të përfshirë në atë CUIT tregon se i njëjti emër, Javier Gerardo Milei, shfaqet në regjistrin zgjedhor.

AFP dhe Chequeado kërkuan certifikatën e lindjes së Javier Milei nga Regjistri Civil i qytetit të Buenos Aires. Dokumenti, i dërguar më 9 tetor 2023, zbulon se presidenti ka lindur më 22 tetor 1970 dhe është regjistruar me emrin Javier Gerardo Milei.

Fragment nga certifikata e lindjes së Javier Milei, marrë më 10 tetor 2023

Emrat e prindërve të tij janë gjithashtu të listuar në certifikatë: Norberto Horacio Milei dhe Alicia Luján Lucich.

Për më tepër, në një procesverbal të mbledhjes së tetorit 2006 të Kompanisë së Transportit Tte Gral Roca SA, shfaqet edhe emri i babait të presidentit: Norberto Horacio Milei.

Nuk ka të dhëna publike ose zyrtare për ndonjë ndryshim të supozuar të emrit nga presidenti, dhe certifikata e tij e lindjes konfirmon se emri i tij i plotë është Javier Gerardo Milei.

Ndërkaq, familja e Netanyahut e ndryshoi mbiemrin nga “Mileikowsky”. Gjyshi i tij ishte Nathan Mileikowsky, një rabin dhe një pjesëmarrës aktiv në lëvizjen sioniste. Sipas Bibliotekës Virtuale Hebraike, Mileikowsky përdori mbiemrin “Netanyahu” në shkrimet e tij, duke i bërë fëmijët e tij të përvetësonin këtë mbiemër.

Një njoftim për shtyp i një takimi midis Milei dhe Netanyahu më 7 shkurt 2024, nuk përmendi asnjë marrëdhënie familjare midis të dyve. Çdo lidhje e mëtejshme ndoshta do të ishte përmendur, pasi Milei është një mbështetës i zëshëm i qeverisë izraelite dhe ka treguar interes për judaizmin pavarësisht se është rritur katolik.

Juan Luis González, një gazetar dhe autori i “El Loco“, një biografi e paautorizuar e Milei, tha për Lead Stories: “… dikush më tregoi për atë ngjashmëri në mbiemrat, por për aq sa di unë, ato nuk janë të lidhura.”

The post Pavarësisht ngjashmërisë, krerët e Argjentinës dhe Izraelit nuk kanë lidhje gjaku appeared first on Faktoje.al.

I gjeneruar ky imazh i Netanyahut nën rrënojat e bombardimeve

19 March 2026 at 12:44

Pretendimi: Vdekja e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu është konfirmuar dhe kjo foto tregon trupin e tij

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

————————————————————————–

Në media dhe rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon një imazh që duket se tregon kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu me një plagë në fytyrë duke u nxjerrë nga rrënojat e një ndërtese, shoqëruar me pretendimin se vdekja e tij ishte konfirmuar.

Mospërputhjet pamore tregojnë se imazhi i mësipërm është gjeneruar me programe kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI). Për shembull, lëndimet dhe mavijosjet në fytyrën e Netanyahut duken të panatyrshme. Imazhi është shumë i ‘lëmuar’ dhe pluhuri pranë fytyrës së Netanyahut duket artificial. 

Për më tepër, në një version të plotë të imazhit të Netanyahut të veshur me xhaketë, pjesa e xhaketës që po mbajnë shpëtimtarët ndryshon nga pjesa e xhaketës ku janë të ngjitura kopsat.

Deri në momentin e botimit të këtij shkrimi nuk ka asnjë raportim zyrtar apo mediatik të besueshëm se Netanyahu ka vdekur apo është plagosur.

Pas pretendimeve që qarkulluan në rrjet se Benjamin Netanyahu mund të jetë i vdekur ose i plagosur, kryeministri izraelit publikoi një video më 15 mars, ku shihet duke pirë kafe në një kafene dhe duke folur me një ndihmës.

The post I gjeneruar ky imazh i Netanyahut nën rrënojat e bombardimeve appeared first on Faktoje.al.

Gishti i gjashtë i Netanyahut një keqkuptim i hijes së dorës

19 March 2026 at 12:34

Pretendimi: Video e fjalimit të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu është gjeneruar me programe të inteligjencës artificiale (AI) sepse Netanyahu shfaqet me gjashtë gishta. Kjo tregon se në të vërtetë ai ka vdekur.

Verdikti: E pavërtetë

———————————————————-

Në mars 2026, në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, qarkulloi gjerësisht pretendimi se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ishte vrarë. Si dëshmi e këtij pretendimi ofrohet video e një fjalimi të ditëve të fundit, ku ai shfaqet me gjashtë gishta, gjë që tregon se video ishte gjeneruar me programe kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).

Pamjet e mësipërme janë marrë nga video e konferencës për shtyp të 12 marsit, e botuar nga qeveria izraelite dhe vetë Netanyahu në media sociale. Në fjalimin e tij drejtuar kombit, Netanyahu diskutoi luftën në Lindjen e Mesme dhe sulmet ndaj Iranit dhe Libanit. Kjo ishte konferenca e tij e parë publike që nga sulmi i përbashkët ndaj Teheranit i nisur me Shtetet e Bashkuara më 28 shkurt 2026.

Nuk ka prova që sugjerojnë se video në fjalë është gjeneruar nga inteligjenca artificiale. Shqyrtimi i të gjithë konferencës nuk zbulon asnjë gjurmë të gjashtë gishtërinjve të pretenduar ose mospërputhje të tjera logjike që tregojnë origjinë të gjeneruar.

Në pamjen e mësipërme (minuta 1:49), të përdorur si provë e supozuar, Netanyahu ka pesë gishta. ‘Gishti i gjashtë’ që mund të duket është në të vërtetë pëllëmba e dorës së Netanyahut, siç mund të shihet duke analizuar imazhin statik në detaje. Ajo që duket se është një gisht shtesë është në fakt një pjesë mishtore e dorës së tij që del në pah pranë hijes së gishtit të tij të vogël.

Duke vëzhguar klipin e plotë dhe pamje të tjera nga e njëjta video, është e qartë se Netanyhau ka pesë gishta, siç dallohet nga thonjtë, dhe se anomalia vizuale zhduket kur këndi i dorës dhe ndriçimi ndryshojnë.

Postimet në rrjete sociale e ngatërrojnë vizualisht eminencën hipotenare, emri për fryrjen në bazën e gishtit të vogël të njeriut, të dorës së tij me një gisht të gjashtë.
Pas këtyre akuzave, Netanyhau publikoi në rrjetet sociale në 14 mars një video ky shfaqej duke blerë kafe në një lokal të thjeshtë në Jeruzalem të quajtur The Sataf.  “Po vdes për kafe”, ishte përgjigja e tij ironike, duke treguar gishtat e dorës para kamerës.

The post Gishti i gjashtë i Netanyahut një keqkuptim i hijes së dorës appeared first on Faktoje.al.

Avioni qeveritar dhe jo Netanyahu u strehua në Gjermani pas sulmeve të Iranit

6 March 2026 at 16:47

Pretendimi: Të dhënat e fundit të sinjalit të gjurmimit të Netanyahut nga një bazë të dhënash e Mossad, e hakuar nga grupet kibernetike pakistaneze, konfirmojnë se ai është diku në një bunker në Berlin, në Gjermani.

Verdikti: E paprovuar

————————————————-

Ndërsa Irani dhe Izraeli shkëmbejnë sulme raketore pas vrasjes së udhëheqësit iranian Ali Khamenei, në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, qarkulloi pretendimi se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po fshihet këto ditë diku në Berlin. 

Postimi i mësipërm pretendon gjithashtu se “të dhënat e fundit të sinjalit të gjurmimit të Netanyahut nga një bazë të dhënash e Mossad, e hakuar nga grupet kibernetike pakistaneze, konfirmojnë se ai është diku në një bunker në Gjermani.”

Megjithatë postimi nuk shoqërohet me ndonjë burim apo referencë se nga vjen ky informacion.

Zanafilla e pretendimit mund të jetë lajmi që qarkulloi në media, bazuar mbi të dhënat e shërbimit të gjurmimit të fluturimeve Flightradar24, se avioni i qeverisë izraelite u nis nga Izraeli herët pasditen e 28 shkurtit dhe bëri një rrotullim mbi Mesdhe përpara se të fluturonte për në Gjermani në mbrëmje.

Sipas Reuters, burime nga qeveria gjermane thanë se Izraeli e ka dërguar avionin e tij qeveritar në Gjermani dhe e ka parkuar atë në aeroportin e Berlinit për siguri. Fluturimi ishte regjistruar paraprakisht nga qeveria izraelite, thanë burimet qeveritare, duke shtuar se në bord ishin vetëm anëtarët e ekuipazhit.

Megjithatë, nuk ka prova që Netanyahu ishte në avion.

Një fotografi e postuar nga zyra e tij e tregon atë duke marrë pjesë në një takim sigurie në Kirya, në Tel Aviv, me shefin e shtabit të ushtrisë izraelite dhe drejtorin e Mossad një ditë pasi aeroplani u ul në Berlin.

Kryeministri Netanyahu në një takim sigurie në Kirya

Një video e postuar më 2 mars e tregon atë në vendin e një sulmi me raketa iraniane në Beit Shemesh. Prania e tij atje u konfirmua nga një sërë mediash.

Në ditët në vijim, gjithashtu, Netanyahu ka postuar pamje në rrjetet e tij sociale nga vizita në disa baza ajrore, dhe spitalin Hadassah

Një zëdhënës i ministrisë së jashtme gjermane, pyetur në lidhje me uljen e aeroplanit në Berlin, tha për Euronews se qeveria izraelite “na pyeti nëse mund ta parkonin aeroplanin këtu.”

Sipas zëdhënësit, vetëm ekuipazhi i fluturimit dhe piloti ishin në bordin e fluturimit.

Në fakt, Gjermania, e cila është anëtare e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC), do të ishte e detyruar ligjërisht të arrestonte Netanyahun nëse ai shkel në tokën gjermane. Kjo, sepse Netanyahu është subjekt i një urdhër-arresti të lëshuar nga ICC për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte të kryera në Rripin e Gazës.

The post Avioni qeveritar dhe jo Netanyahu u strehua në Gjermani pas sulmeve të Iranit appeared first on Faktoje.al.

E gjeneruar kjo foto me peshqir e gruas së Netanyahu

24 February 2026 at 16:10

Pretendimi: Kjo foto tregon gruan e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, Sara Netanyahu.

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

—————————————————————-

Një imazh që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon Sara Netanyahum, gruan e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, me peshqir në ballkon duke mbajtur një gotë me çfarë duket si birrë.

Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se imazhi i mësipërm qarkullon në rrjet që nga Janari i këtij viti, krahas pretendimeve se Benjamin Netanyahu ishte kthyer në Izrael pas festës së Vitit të Ri të organizuar nga presidenti amerikan në resortin e tij në Mar-a-Lago por e shoqja kishte ndenjur pas në Miami, ShBA. 

Megjithatë, siç vërehet në imazhin e mësipërm, në këtë version thuajse identik të imazhit, ndryshon vetëm veshja e gruas, e cila nuk është më e veshur me peshqir, por me pizhama.

Ky është tregues se imazhi që po qarkullon në rrjetet shqipfolëse është gjeneruar me anë të programeve kompjuterike me inteligjencë artificiale (AI). 

Duke përdorur Grok, programin AI të X/Twitter, Faktoje gjeneroi imazhin me peshqir duke futur imazhin me pizhama dhe duke i kërkuar programit ta “veshë atë me peshqir banje,” siç vërehet në videon e mëposhtme.

Ndërkaq, edhe vetë imazhi me pizhama rozë është gjeneruar me AI, duke përdorur si bazë një foto të vërtetë që tregon të birin e Netanyahu, Yair, në të njejtin ballkon.

Foto e gjeneruar e Sara Netanyahu (majtas) dhe foto reale e Yair Netanyahu, shkrepur në Miami, ShBA në Shkurt 2024 (djathtas)

Krahasim i fotos së gjeneruar dhe asaj reale

Foto e Yair Netanyahu, djali i Benjanim dhe Sara Netanyahu, në ballkonin e një apartamenti luksoz në Florida, ShBA, u botua në shkurt 2024 nga tabloidi britanik Daily Mail.

Krahas fotos së mësipërme, tabloidi në atë kohë botoi dhe foto nga kënde të ndryshme të Yair Netanyahu në të njejtën situatë.

Nëse imazhi i Sara Netanyahu në ballkon do të ishte i vërtetë, foto nga kënde të ndryshme, si ato të Yair, do të ishin gjithashtu të disponueshme në rrjet.

The post E gjeneruar kjo foto me peshqir e gruas së Netanyahu appeared first on Faktoje.al.

Gjyqtari i aksidentuar nuk po gjykonte hetimin ndaj Netanyahut

2 February 2026 at 16:47

Pretendimi: Gjyqtari Benny Sagi që po gjykonte kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahun për korrupsion ka vdekur në një aksident

Verdikti: Gjysëm e vërtetë

————————————————————–

rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon lajmi se gjyqtari izraelit Benny Sagi, i cili pretendohet se po gjykonte kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahun për korrupsion, ka vdekur në një aksident.

Ky lajm u përhap fillimisht nga tabloidi britanik Daily Mail, me një artikull të titulluar “Gjyqtari në rastin e korrupsionit të Netanyahut vritet ‘pasi e goditi një automjet’”.

Megjithatë, në artikullin e Daily Mail referenca për gjyqin e Netanyahut tashmë nuk shfaqet më. Titulli i përditësuar tani është” “Gjykatësi i lartë izraelit vritet ‘pasi një automjet që po dilte nga rruga doli në autostradë dhe u përplas me motoçikletën e tij'”.

Është e vërtetë që Benny Sagi, kreu 54-vjeçar i Gjykatës së Qarkut Be’er Sheva, u vra në një aksident me makinë më 4 janar 2026, kur një automjet u përplas me motoçikletën që ai po drejtonte. Një burim tjetër raporton se automjeti ishte një xhip dhe shoferi, i cili dyshohet se drejtonte nën ndikimin e drogës, u ndalua nga autoritetet lokale.

Megjithatë, Sagi nuk do të gjykonte akuzat për korrupsion kundër Netanyahut.

Çështjet e korrupsionit kundër Netanyahut, të njohura si “Çështjet 1000, 2000 dhe 4000”, bien nën juridiksionin e Gjykatës së Qarkut të Jeruzalemit. Trupi gjykues përbëhet nga gjyqtarët Rivka Friedman-Feldman (kryetare e trupit gjykues), Moshe Bar-Am dhe Oded Shoham (në foton më poshtë), të cilët të gjithë janë ende në detyrë.

Trupi gjykues i çështjeve të korrupsionit kundër Netanyahut

Benny Sagi nuk ka qenë kurrë anëtar i këtij trupi gjykues dhe as nuk ka pasur një rol të drejtpërdrejtë në ato gjyqe.

Aktiviteti gjyqësor i Sagit është ndërthurur me çështje të lidhura me Netanyahun përmes të ashtuquajturës “Çështje Nëndetësesh” (Çështja 3000), që lidhet me korrupsionin e dyshuar sistemik në lidhje me blerjen e nëndetëseve dhe anijeve detare nga ThyssenKrupp i Gjermanisë, me vlerë miliarda dollarë. Hetimi përfshin ish-oficerë të lartë të Marinës Izraelite, zyrtarë publikë dhe bashkëpunëtorë të ngushtë të kryeministrit.

Megjithatë, Netanyahu nuk është akuzuar kurrë zyrtarisht në këtë rast. Në vitin 2023, Komisioni Shtetëror i Hetimit publikoi dokumente që konfirmonin se Netanyahu, së bashku me individë të tjerë të intervistuar, kishin dhënë dëshmi. Në shtator 2024, Zyra e Prokurorit Izraelit vendosi të mos hapë një hetim penal për përfshirjen e kryeministrit në “Çështjen 3000”.

The post Gjyqtari i aksidentuar nuk po gjykonte hetimin ndaj Netanyahut appeared first on Faktoje.al.

Politikani që u rrëzua nga protestuesit nuk është Netanyahu

30 September 2025 at 14:52

Pretendimi: Kjo video tregon kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu që rrëzohet në tokë nga protestuesit

Verdikti: E pavërtetë

———————————————————

Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon kryeministrin izraelit Netanyahu që rrëzohet përdhe në mes të një turme protestuesish.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti videon origjinale, të postuar në X/Twitter më 21 shtator 2025.

Sipas përshkrimit në hebraisht, video tregon një turmë protestuesish që i bllokojnë hyrjen në një event të partisë në pushtet Likud deputetit Eli Dellal.

Një video e incidentit e xhiruar nga një kënd tjetër u postua nga po e njëjta llogari. Personi që ra në videon e mësipërme dhe personeli i policisë i pranishëm atje janë qartë të dukshëm. Nga kjo video është e qartë se personi në video nuk është kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.

Deputeti Eli Dellal (majtas) është burri që shfaqet në video, jo Netanyahu (djathtas)

Sipas raportimevemedia izraelite, më 20 shtator 2025, një aktivitet u organizua në Kfar Saba, Izrael, nga partia Likud për të festuar Vitin e Ri Izraelit. Jashtë sallës së aktiviteteve, disa parti opozitare dhe organizata antiqeveritare, përfshirë të afërm të pengjeve, demonstruan duke kërkuar një marrëveshje armëpushimi me Gazën dhe lirimin e pengjeve izraelitë të mbajtur nga Hamasi.

Raportimet thonë se kur deputeti i Likud Eli Dallal u përpoq të kalonte përmes protestuesve, protestuesit e rrethuan atë. Kur situata u nxeh, oficerët e policisë të pranishëm u përpoqën ta largonin Dallal nga vendi i ngjarjes. Në këtë kohë, Dallal humbi kontrollin dhe ra përtokë.

The post Politikani që u rrëzua nga protestuesit nuk është Netanyahu appeared first on Faktoje.al.

Netanyahu asnjë ultimatum për liderin ushtarak afrikan

By: FAKTOJE
23 September 2025 at 10:04

Pretendimi: Netanyahu ka kërcënuar presidentin e Burkina Fasos për mineralet e rralla

Verdikti: I pavërtetë

Barbara Halla

Së fundmi në rrjete sociale shqiptare është shpërndarë pretendimi se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i ka dhënë një afat 48 orësh presidentit të Burkina Fasos, Ibrahim Traoré.  Sipas pretendimit, ultimatumi i Netanyahut lidhet me rikthimin e kontratave që i japin Izraelit qasje ndaj mineraleve të rralla të vendit. Në morinë e problemeve diplomatike që po kalon Izraaeli si dhe luftimeve të ashpra në Gaza, një përfshirje e mëtejshme në Afrikë mbetet një mision i pamundur.  Megjithatë, nuk ka asnjë provë që Netanyahu të ketë dhënë një ultimatum të tillë.

Postimi ka një link drejt një video ku pretendon se ndodhet reagimi i Traoré ndaj ultimatumit. Në video shihet imazhi i udhëheqësit ushtarak të Burkina Fasos, i cili flet në mënyrë jo të zakonshme, duke krijuar dyshime se bëhet fjalë për një krijim të Inteligjencës Artificiale.

Asnjë media serioze ndërkombëtare nuk ka raportur që Netanyahu të ketë lëshuar një ultimatum ndaj Traoré. Agjencitë e mëdha të lajmeve– si Reuters, BBC, Al Jazeera apo AFP, nuk ka raportuar ndonjë kërkesë të ngjashme. Një kërkim në shtypin rajonal afrikan gjithashtu nuk sjell asnjë lajm që e mbështet këtë pretendim. Postimi në Facebook mesa duket është thjesht një teori konspiracioni antisemite në rrjete sociale, ose një përpjekje për dezinformim me motive politike.

Është e vërtetë që qeveria e Burkina Fasos, nën udhëheqjen e Traoré, po përpiqet të marrë më shumë kontroll mbi burimet natyrore të vendit. Përgjatë vitit të fundit, në Burkina Faso u miratua një kod i ri minerar, duke nacionalizuar minierat e vendit, sidomos ato të arit, dhe duke rinegociuar kontratat me kompanitë e huaja.

Në fakt, në internet kanë qarkulluar shpesh video apo fjalime të pavërteta të Traoré, sidomos fjalime ku ai shprehet kundra Perëndimit. Këto fjalime shpesh janë të gjeneruara përmes Inteligjencës Artificiale, siç e ka verifikuar dhe francezja Agence France Press dhe skuandra e saj e verifikuesëve të fakteve. Këto video apo deklarata që tërheqin interes në rrjetet sociale rezulton se promovohen kryesisht nga propaganda ruse me qëllim rritjen ndërkombëtare të figurës së Traore pas largimit të partnerëve evropianë dhe forcimit të ndikimit rus në Afrikë.

The post Netanyahu asnjë ultimatum për liderin ushtarak afrikan appeared first on Faktoje.al.

I gjeneruar përqafimi i Trump dhe Netanyahut me famëkeqin Epstein

21 July 2025 at 17:00

Pretendimi: Ky imazh tregon presidentin amerikan Donald Trump, kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, dhe trafikantin Jeffrey Epstein duke u përqafuar.

Verdikti: Gjeneruar me AI

——————————————————————

Një imazh që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, duket se tregon një përqafim mes presidentit amerikan Donald Trump, kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, dhe famëkeqit Jeffrey Epstein.

Imazhi i sipërm, megjithatë, është gjeneruar me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI).

Treguesit e zakonshëm të gjenerimit me AI, si përngjasimi pamor me një pikturë më shumë se me një fotografi dhe gjymtyrët e deformuar, janë të dukshëm me sy të lirë.

Jeffrey Epstein, financier dhe pedofil amerikan, u vetëvra në burg në vitin 2019, ndërsa priste të gjykohej për trafikim seksual të të miturve.

Imazhi i mësipërm po qarkullon ndërsa administrata Trump e gjen veten në mes të një stuhie pakënaqësie publike për shkak të vendimit të saj për të mos publikuar asnjë dosje shtesë hetimore mbi Epstein, pasi premtoi të nxirrte një të ashtuquajtur “listë klientësh” të njerëzve të lidhur me Epstein që mund të kenë marrë pjesë në akte të paligjshme.

Për ta bërë edhe më të prekshme imazhin, personazheve në foto i është shtuar edhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, duke rikujtuar prejardhjen hebreje të Epstein si dhe përfshirë në imazh një nga politikanët më të akuzuar në rrjet si fajtor për vrasjet e mijëra civilëve në Gaza.

Për të parandaluar që përmbajtje të tilla të keqinterpretohen, është e rëndësishme që çdo video, foto ose material tjetër i gjeneruar ose i manipuluar me inteligjencë artificiale të shënohet si i tillë. Kjo do të ndihmojë në informimin e audiencës dhe në mbrojtjen e tyre nga dezinformimi. Facebook i detyron përdoruesit të etiketojnë imazhet dhe videot e gjeneruara me AI si të tilla.

The post I gjeneruar përqafimi i Trump dhe Netanyahut me famëkeqin Epstein appeared first on Faktoje.al.

Netanyahu nuk u largua në Greqi nga frika e raketave iraniane

23 June 2025 at 14:39

Pretendimi: Kjo video e avionit zyrtar izraelit në aeroportin e Athinës dëshmon se kryeministri izraelit Netanyahu u largua nga vendi nga frika e sulmit hakmarrës iranian.

Verdikti: Mungon konteksti

———————————————————–

Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, duket se tregon avionin shtetëror zyrtar izraelit në aeroportin e Athinës. Ajo shoqërohet me pretendimin se “Kryeministri izraelit Netanyahu dyshohet se u largua nga vendi nga frika e sulmit hakmarrës iranian.”

Që nga 13 qershori, Izraeli ka nisur një seri “sulmesh parandaluese” kundër programit bërthamor të Iranit dhe objektivave të tjera ushtarake dhe vendbanimeve civile, duke vrarë të paktën 550 persona deri më tani, përfshirë Hossein Salami, komandantin e Gardës Revolucionare Islamike. Irani është përgjigjur menjëherë me një seri sulmesh me raketa balistike ndaj Izraelit.

Më 13 qershor, ndërsa forcat ushtarake izraelite po nisnin një sulm ushtarak kundër Iranit, avioni zyrtar i Kryeministrit dhe Presidentit izraelit, i përdorur si transport zyrtar gjatë vizitave ndërkombëtare dhe i njohur si “Krahu i Sionit”, u nis nga aeroporti Ben Gurion i Tel Avivit për t’u ulur në Athinë, Greqi.

Megjithatë, aeroplani nuk mbante as Netanyahu, as Presidentin Isaac Herzog, por Noam Katz, ambasadorin izraelit në Greqi. Sipas burimeve në Ministrinë e Jashtme izraelite të cituara nga CNN Greece, avioni shtetëror u përdor për ambasadorin sepse transporti ajror komercial për në Izrael ishte pezulluar pas sulmit të Izraelit ndaj Iranit.

Ambasadori ishte i vetmi pasagjer në bord.

Nuk ka prova zyrtare që Greqia i ka ofruar mbrojtje ndërkombëtare Netanyahut. Kryeministri izraelit u konsultua në telefon më 14 qershor me Kyriakos Mitsotakis, kryeministrin e Greqisë, i cili theksoi nevojën për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza dhe një ulje të përshkallëzimit të sulmeve ushtarake me Iranin.

The post Netanyahu nuk u largua në Greqi nga frika e raketave iraniane appeared first on Faktoje.al.

Netanyahu nuk u shpërfill nga Trump pas rinisjes së bombardimeve

20 March 2025 at 13:55

Pretendimi: Kjo video tregon se kryeministri izraelit Netanyahu u shpërfill nga presidenti amerikan Trump pas thyerjes së armëpushimit në Palestinë në Mars 2025

Verdikti: Mungon konteksti

—————————————————————-

Rinisja e bombardimit të Rripit të Gazës nga Izraeli më 18 mars 2025 shënon fundin e një armëpushimi të shumëpritur mes Izraelit dhe grupit Hamas, të nënshkruar më 19 janar 2025, për të cilin shumë mbështetës të presidentit amerikan Trump përgëzojnë këtë të fundit.

Në një përpjekje për të pajtuar këtë imazh të Trump si një promovues i paqes me realitetin e bombardimeve që vranë mbi 400 palestinezë në një natë, në rrjete sociale po qarkullon një video që pretendohet se tregon hatërmbetjen e Trump ndaj kryeministrit izraelit Netanyahu.

Sipas përshkrimit që shoqëron videon, në të tregohet një vizitë e Netanyahut në ShBA pas prishjes së armëpushimit në 18 mars. Gjatë kësaj vizite, pretendohet se ai nuk u prit nga askush nga administrata e Donald Trump. Kjo, sipas postimit, “tregon se sa shumë dakort ka qenë Trump me bombardimet e orëve të fundit në Gaza.”

Megjithatë, me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme është botuar në rrjet që në fillim të shkurtit 2025, mbi një muaj përpara bombardimeve të 18 marsit.

Në fillim të shkurtit 2025, Netanyahu mbërriti në Washington për bisedime me Trump, ndërsa negociatat për fazën e dytë të armëpushimit të Gazës supozohet se do të fillonin.

Marrëveshja e armëpushimit duhet të përfshinte tre faza. Në fazën e parë, e cila përfundoi në fillim të marsit, Hamasi liroi 33 pengje në këmbim që Izraeli të lironte rreth 1900 të burgosur palestinezë dhe të lejonte ndihma dhe mallra të tjera të hyjnë në Rripin e Gazës.

Ndërsa armët ranë në heshtje dhe mijëra njerëz të zhvendosur u kthyen në shtëpitë e tyre, Hamas dhe Izraeli duhet të fillonin negociatat për të filluar fazën e dytë. Një fazë e tretë do të ishte përqendruar eventualisht në rindërtimin e territorit.

Megjithatë, Izraeli nuk pranoi të kalonte në fazën e dytë të marrëveshjes që do të përfshinte një fund të përhershëm të luftës. 

Netanyahu kishte kërkuar të zgjaste fazën fillestare të shkëmbimit për të siguruar lirimin e sa më shumë robërve izraelitë pa ofruar asgjë në këmbim ose përmbushur detyrimet ushtarake dhe humanitare të marrëveshjes.

Grupi palestinez Hamas refuzoi të vazhdonte në këto kushte, duke këmbëngulur që Izraeli të respektonte kushtet e armëpushimit dhe të fillonte menjëherë negociatat për fazën e dytë, e cila përfshinte një tërheqje të plotë të Izraelit nga Gaza dhe një ndalim të plotë të luftës.

ShBA dhe Izraeli e kanë cilësuar preferencën e Hamasit për t’iu përmbajtur kushteve të marrëveshjes origjinale të armëpushimit, në vend që të rinegociojnë kushtet e saj, si një “refuzim” për të zgjatur armëpushimin.

Më 10 shkurt, Trump i dha një ultimatum Gazës: nëse Hamasi nuk i liron të gjithë pengjet deri në mesditën e 15 shkurtit, atëherë ai do të bënte thirrje për anulimin e armëpushimit dhe “le të shpërthejë i gjithë ferri”. Ai shtoi se kjo ishte vetëm këshilla e tij, duke thënë se “Izraeli mund ta kapërcejë atë”. 

Trump paralajmëroi edhe në fillim të Marsit se palestinezë do “vdisnin” nëse Hamasi nuk lironte pengjet e mbetura. “LIRONI PENGJET TANI, OSE DO TË KETË FERR PËR TË PAGUAR MË MË VONË!” tha ai.

Një zyrtar izraelit tha për Wall Street Journal se Trump i dha Izraelit miratimin pasi Hamasi dështoi të dorëzonte pengjet. Izraeli më pas njoftoi administratën Trump përpara se të kryente sulmin, sipas gazetës.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt konfirmoi se Trump ishte “konsultuar nga izraelitët për sulmet e tyre në Gaza”, tha ajo për Sean Hannity në Fox News.

“Siç e ka bërë të qartë Presidenti Trump, Hamasi, Houthit, Irani, të gjithë ata që kërkojnë të terrorizojnë jo vetëm Izraelin, por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të shohin një çmim për të paguar. I gjithë ferri do të çlirohet,” tha Leavitt.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Brian Hughes tha se Hamasi “mund të kishte liruar pengjet për të zgjatur armëpushimin, por në vend të kësaj zgjodhi refuzimin dhe luftën”.

Më 18 mars, ambasadorja amerikane në detyrë në OKB tha se përgjegjësia për rifillimin e luftës në Gaza i takonte “vetëm” Hamasit.

The post Netanyahu nuk u shpërfill nga Trump pas rinisjes së bombardimeve appeared first on Faktoje.al.

E gjeneruar foto e Trump dhe Netanyahu në Gaza Riviera

19 February 2025 at 14:59

Pretendimi: Ky imazh tregon presidentin amerikan Trump dhe kreyministrin izraelit Netanyahu në një plazh në Gaza

Verdikti: Gjeneruar me AI

—————————————————————-

Pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi planin e tij për të zhvendosur popullsinë palestineze nga Rripi i Gazës dhe për ta rizhvilluar atë nën pronësinë e Shteteve të Bashkuara, në rrjete sociale po qarkullon një imazh që duket se tregon Trump dhe kreyministrin izraelit Benjamin Netanyahu, i cili e ka mirëpritur me entuziazëm planin e Trump, duke marrë rreze në një plazh në “Gaza Riviera”.

Imazhi është qartazi i rremë, duke qenë se Rripi i Gazës mbetet një zonë lufte dhe plazhet e tij mbajnë ende gjurmët e 15 muajve të luftës.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se një version i imazhit të mësipërm ishte postuar më parë në forumin Reddit. Në cep të këtij versioni të imazhit duket një tregues i origjinës së tij.

Logo në cepin e djathtë, poshtë, i përket Grok, një program gjenerues i inteligjencës artificiale i zhvilluar nga xAI. Grok përdor Aurora, një model nga-teksti-në-imazh, për të gjeneruar imazhe. Si modelet e tjera nga-teksti-në-imazh, Aurora gjeneron imazhe nga përshkrimet e dhëna nga përdoruesi.

Prania e ‘nënshkrimit’ të tij dëshmon se imazhi i mësipërm është gjeneruar me anë të programit të inteligjencës artificiale (AI).

Facebook i detyron përdoruesit të etiketojnë imazhet dhe videot e gjeneruara me AI si të tilla.

The post E gjeneruar foto e Trump dhe Netanyahu në Gaza Riviera appeared first on Faktoje.al.

❌
❌