Normal view

Sfida e kultivimit të mjedrës/ Fermeri në Kukës po investon në një kulturë ende pak të përhapur

By: Rovena
6 June 2026 at 21:00

Në Kukës po eksperimentohet kultivimi I mjedrës, një nga frutat më të kërkuara të pyllit.

Lavdrim Shehu është një nga fermerët që ka zgjedhur “të provojë fatin”.

Është në parcelën e tij dhe merret me shërbimin ndaj kësaj bime.

Nuk është specialist I fushës, por ka marrë trajnimet e nevojshme dhe ka vizituar edhe ferma që merren me kultivimin e mjedrës brenda e jashtë vendit.

Kosot për të ngritur një parcel të tillë janë të konsiderueshme.

Sfidat për mbjelljen e kësaj kulture janë të shumta, veçanërisht kur bëhet fjalë për temperaturat e larta.

Është marrë gjithë jetën me tokën duke u kujdesur për të, por mjedra është kulturë e re që kërkon shërbime specifike.

Shembulli më i mirë sipas tij është Kosova, që ka nisur më herët kultivimin e të tilla frutave.

Angazhimi për parcelën është i përditshëm dhe nevojitet një teknologji e përshtatshme.

Lavdrimi prej dy dekadash ka drejtuar organizatat rinore e ndër projektet e zbatuara me të rinjitë ishin edhe ato për nxitjen e tyre për t’u marrë me punë e angazhime të tilla. Këtë herë ka vendosur vetë të merret me këtë process.

Duke qënë se katër fermerë që merren me këtë kulturë, Lavdrimi thotë se njëri prej tyre ka ngritur edhe pikën e grumbullimit duke garantuar tregun.

Nuk harron të rikujtojë faktin dhe amanetin e të parëve për të punuar dhe administruar çdo pëllëmbë tokë, duke e kthyer atë në prodhuese.

Mjedra është frut me vlera të larta ushqyese, por vetitë kurative e kanë bërë ndër më të kërkuarat në tregjet ndërkombëtare, veçanërisht për industrinë farmaceutike.

 

 

Borizana, më shumë se një fshat/ Murat Xhafa: Një vendbanim me histori të lashtë

By: Rovena
6 June 2026 at 20:46

Në Fushë Krujë, në mesin e kujtimeve që nuk I merr dot koha, qëndron Borizana.

Për banorët e saj, Borizana mbart një histori të veçantë, ndaj nuk e konsiderojnë thjesht si një fshat.

Në moshën 80-vjeçare, Murat Xhafa rikthehet shpesh në vendlindje. Edhe pse prej vitesh jeton në Tiranë, lidhjen me Borizanën nuk e ka shkëputur kurrë.

“Borizana është vend historik 2200-vjeçar. Është vendbanim i shekullit të tretë dhe të dytë para erës sonë. Nga hulumtimet që kam bërë, këtu kanë jetuar fiset ilire taulante.”

Në rrëfimin e tij, historia nuk ndahet nga njerëzit. Për Muratin, Borizana është mozaiku i brezave që kanë jetuar, punuar dhe ndërtuar jetën në këtë vend.

Vetë ai i përket brezit që e jetoi nga afër periudhën e kooperativës bujqësore. Fillimisht brigadier, më pas drejtues në Borizanë, Mirditë e Krujë, ai kujton vitet kur puna në tokë ishte ritmi që përcaktonte jetën e komunitetit.

“1966 mbarova shkollën e mesme. Më pas isha brigadier. Në vitin 1973 shkova në shkollë të lartë dhe punova në Burizanë deri në vitin 1983. Pastaj vazhdova në Mirditë dhe më pas në Krujë.”

Në qendër të kujtimeve të banorëve qëndron një emër: Muharrem Sefa. Njeriu që për dekada drejtoi kooperativën dhe që, sipas bashkëkohësve të tij, ndikoi në zhvillimin ekonomik, kulturor dhe shoqëror të zonës.

“Muharrem Sefa, Qazim Laçi dhe Hasan Xhafa, ajo pesëshe drejtuesish, i dhanë një zhvillim të jashtëzakonshëm Borizanës.”

Por për ata që e njohën nga afër, Muharrem Sefa nuk mbahet mend vetëm për drejtimin.

“Muharremi ka qenë njeri i përsosur. Nuk donte të dinte për orën apo lodhjen. Ishte gjithmonë në punë. Kooperativën e çoi ndër më të mirat në Republikë.”

Dhe rezultatet, thonë veteranët, ishin të prekshme.

“Janë prodhuar drithëra buke, grurë, misër, luledielli, sera, perime. Arritëm deri në 175 lekë ditën e punës. Kemi qenë shumë mirë.”

Por Borizana nuk u bë e njohur vetëm për prodhimin bujqësor. Në qendrën e saj u ngrit një nga institucionet kulturore më të veçanta të zonës.

“Pallati i Kulturës u prit jashtëzakonisht mirë. Ishte këmbëngulja e Muharrem Sefës. Vinte estrada, vinin artistë, kishte aktivitete të vazhdueshme. Burizana ishte gjallëruar.”

“Ky pallat kishte rreth 600 vende. Kanë dhënë shfaqje Teatri Popullor, ansamble nga Kosova dhe artistë të njohur.”

Edhe sot, godina vazhdon të qëndrojë si një dëshmi e kohës kur kultura mblidhte njerëzit nga i gjithë rrethi. Por ajo që veteranët përmendin më shpesh nuk janë ndërtesat dhe as shifrat e prodhimit. Është bashkëjetesa.

“Borizana është vendi me marrëdhënie unike mes fiseve, lagjeve dhe komunitetit. Kemi respekt të jashtëzakonshëm për njëri-tjetrin dhe për besimin fetar. Kemi pesë teqe, kemi kisha. Historia e Burizanës lidhet me të gjitha periudhat dhe me të gjitha besimet që kanë bashkëjetuar këtu.”

Ndërsa kujtojnë të kaluarën, veteranët nuk flasin me nostalgji për pushtetin apo privilegjet. Ata flasin për njerëzit. Për respektin, për punën dhe për lidhjen me vendin ku u rritën.

Kur flet gjuha e Lezhës/ Akademiku Gjovalin Shkurtaj, monografi për pasurinë gjuhësore

By: Rovena
6 June 2026 at 20:23

Një studim i posaçëm mbi të folurën e zonës së Lezhës është bërë tashmë pjesë e literaturës shkencore përmes një botimi të ri të akademikut Gjovalin Shkurtaj.

Libri sjell një analizë të detajuar të pasurisë gjuhësore të kësaj treve, duke evidentuar fjalorin, shprehjet karakteristike dhe elementet etnolinguistike që janë ruajtur dhe transmetuar ndër breza. Autorit i intereson veçanërisht mënyra se si e folmja lokale është formësuar ndër vite nga ndërthurja e ndikimeve të ndryshme dialektore, si pasojë e lëvizjeve dhe vendosjeve të banorëve nga krahina të ndryshme të vendit.

Sipas Shkurtajt, pavarësisht kësaj larmie gjuhësore, ajo që ka mbetur e pandryshuar është identiteti komunikues i cili ka krijuar një gjuhë të përbashkët funksionale dhe të qëndrueshme, që lidh brezat dhe pasqyron zhvillimin kulturor të zonës.

Botimi është vlerësuar nga studiues, historianë, shkrimtarë dhe përfaqësues të pushtetit vendor, të cilët e kanë cilësuar si një kontribut të rëndësishëm në dokumentimin e memories gjuhësore të Lezhës dhe në ruajtjen e identitetit gjuhësor si pjesë e trashëgimisë kulturore shqiptare.

Në shenjë vlerësimi për kontributin e tij shumëvjeçar në studimin dhe pasurimin e gjuhës shqipe, akademiku Gjovalin Shkurtaj u nderua nga Këshilli i Qarkut Lezhë me një certifikatë mirënjohjeje.

 

 

Nën “Amantia”, gjurmë të reja historie/ Gërmimet e fundit në Parkun Arkeologjik zbulojnë struktura të shekullit III

By: Rovena
6 June 2026 at 20:14

Zbulimet më të fundit në Parkun Arkeologjik të Amantias i përkasin periudhës së shekullit të III para erës sonë dhe hedhin dritë mbi një zonë të vendosur jashtë kufijve të qytetit antik, e cila mendohet të ketë pasur funksione ndihmëse në shërbim të aktivitetit ekonomik dhe të jetës së përditshme.

Sipas arkeologëve, struktura e zbuluar mendohet të ketë shërbyer si një objekt i thjeshtë funksional, i lidhur me aktivitetin bujqësor ose si një pikë ndalesë për kafshët e transportit, duke plotësuar kështu panoramën mbi organizimin e periferisë së qytetit të lashtë.

Gërmimet, të cilat kanë zgjatur rreth një muaj, janë drejtuar nga arkeologu Kledian Çipa, i cili thekson se objekti i identifikuar paraqet karakteristika të qarta të një ndërtese me funksion ekonomik, për shkak të mënyrës së thjeshtë të ndërtimit dhe mungesës së elementeve dekorative apo monumentale.

Gjatë punimeve në terren, nuk janë evidentuar objekte të lëvizshme arkeologjike, çka sipas specialistëve sugjeron se ambienti mund të jetë ripërdorur në periudha të mëvonshme, përfshirë edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe më pas. Kjo ka vështirësuar identifikimin e qartë të funksionit të tij fillestar.

Sipas Çipës, kërkimet janë përqendruar edhe brenda mureve të qytetit antik, në sektorin e fortifikimit, ku vazhdon puna e nisur që vitin e kaluar. Në këtë zonë është zbuluar një strukturë e madhe ndërtimore, e cila mendohet të ketë qenë pjesë e organizimit të brendshëm të qytetit.

Sipas të dhënave paraprake, kjo godinë dhe vetë sistemi i fortifikimit kanë qenë në përdorim për një periudhë të gjatë historike, nga shekulli III para erës sonë deri në shekujt V–VI pas erës sonë, përpara se të shkatërroheshin, me shumë gjasë si pasojë e dyndjeve barbare, gjurmët e të cilave janë ende të dukshme në formë djegiesh.

Ndërkohë, në zonën e gërmimeve dyshohet edhe për identifikimin e një strukture kulle, e cila pritet të konfirmohet në vijim të punës kërkimore. Nëse vërtetohet, ky element do të ndihmojë në plotësimin e mëtejshëm të kuadrit mbi organizimin urban dhe mbrojtës të qytetit antik të Amantias.

Arkeologët vlerësojnë se këto gjetje përbëjnë një tjetër hap të rëndësishëm në pasurimin e njohurive mbi Amantian, ndërsa në këtë park pritet që kërkimet dhe gërmimet të vijojnë edhe në faza të tjera.

Për cilin nga dy politikanët kryesorë keni opinion më pozitiv? Ja përgjigjet e shqiptarëve

4 June 2026 at 21:02

Sondazhisti Eduart Zaloshnja, i ftuar në “Real Story”, zbuloi përgjigjen e sondazhit lidhur me pyetjen se “Për cilin nga dy politikanët kryesorë keni opinionin më pozitiv?”

Shqiptarët janë përgjigjur 48.5 % për Edi Ramën. Ndërsa 19.2 % për Sali Berishën.

Sakaq pyetjes asnjë nga të dy janë përgjigjur 32.3%.

/abcnews.al/

Albatros Rexha: Vendosja e telave në Zvërnec ishte e shëmtuar, por erdhi pas dëmtimit të pronës private

4 June 2026 at 20:48

TIRANË– Analisti Albatros Rexha, në “Real Story” u shpreh se vendosja e telave në Zvërnec ishte një gjë e shëmtuar, e cila nuk la shije të mirë te qytetarët.

Gjatë diskutimit në studio, Rexhaj tregoi dhe motivet që sipas tij çuan drejt këtij vendimi të kritikueshëm.

Ai theksoi se ditë më përpara, gjatë natës, persona të ndryshëm kanë dëmtuar dhe u kanë vënë flakën pajisjeve, vlera e të cilave arrin në mijëra euro.

“Pse u vendosën tela? Më vërtetë është gjë e shëmtuar, dhe mënyra si është bërë, është bërë pa shije. Kushdo që ka bërë, duhet të ishte menduar dy herë.

Por unë pyeta dhe doli, që dy tre ditë më herët, aty ishin futur njerëz natën dhe kishin dëmtuar pronën private, ku kishin dëmtuar pajisjet, sepse vetëm një pajisje kushton 200 mijë euro. Ia kanë vënë flakën, janë bërë dëme.

Për ato askush nuk flet. Ideja për të mbrojtur atë pronë private, nuk ka lindur nga ajri”, tha ai./abcnews.al

“Leja e zhvillimit është dhënë për pronë private”/ Ministrja Ibrahimaj: Zvërneci, mundësi e munguar për ekonominë

4 June 2026 at 20:47

Ministrja Delina Ibrahimaj e ka cilësuar projektin e mundshëm në zonën e Zvërnec si një mundësi të rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe turistik të vendit.

Gjatë një interviste në emisionin “Real Story” në ABC News, Ibrahimaj tha se Shqipëria ndodhet në konkurrencë të drejtpërdrejtë me vendet e rajonit për tërheqjen e turistëve dhe se investime të tilla mund të sjellin turizëm elitar dhe ndikim pozitiv në ekonomi.

“Çështja është krejtësisht e jona. Ne jemi në konkurrencë për turizëm me të gjitha vendet fqinje dhe një projekt i tillë do tërheqë turizëm elitar”, u shpreh ministrja.

Ajo sqaroi se aktualisht nuk ekziston një projekt i detajuar i paraqitur për zhvillim dhe se autoritetet kanë dhënë vetëm një leje për kryerjen e analizave dhe studimeve paraprake.

“Sot nuk kemi një projekt për të thënë se çfarë do të ndërtohet dhe ku do të ndërtohet. Kemi investitorë seriozë, kaq mund të komunikojmë. Leja e dhënë është për të bërë analiza”, deklaroi Ibrahimaj.

Duke komentuar incidentet dhe tensionet e raportuara në zonë, ministrja dënoi aktet e dhunës dhe theksoi se institucionet kanë marrë masat e nevojshme për ruajtjen e rendit.

Sa i përket debatit për rrethimin e një pjese të territorit, ajo tha se masa ishte ndërmarrë për mbrojtjen e pronës private, por nënvizoi se plazhi nuk është pronë private dhe duhet të mbetet i aksesueshëm.

“Po bëhet një investim në një pronë private dhe leja për zhvillimet është dhënë për të bërë studime. Çështja e konfliktit të pronës është një çështje që u përket instancave përkatëse”, tha ministrja.

“U mbajt disi i mbyllur”, Minxhozi: Mungesa e transparencës për Zvërnecin, problem delikat

4 June 2026 at 20:42

TIRANË- Analisti Skënder Minxhozi, ngriti shqetësimin për mungesën e transparencës rreth projektit të planifikuar në Zvërnec, duke e cilësuar këtë si një çështje delikate për shkak të ndikimit që projekte të tilla mund të kenë mbi mjedisin, trashëgiminë kulturore dhe zonat e mbrojtura.

Ai krahasoi nivelin e informacionit të dhënë për aeroportin e Vlorës me atë të projektit në Zvërnec, duke theksuar se për këtë të fundit ka pasur shumë pak transparencë, pavarësisht se bëhet fjalë për një investim me vlerë shumë më të madhe.

Minxhozi tha në “Real Story” se projekti është trajtuar kryesisht në kuadër të rëndësisë së tij gjeopolitike, ndërsa ka munguar prezantimi i detajeve konkrete për publikun.

“Problemi i transparencës është një problem delikat, sepse çështjet e zhvillimit e sektorit turistik, që prekin trashëgiminë kulturore, ambienti dhe shumë gjëra të tjera, zona sensitive, kërkojnë veç të tjerash komponente komunikimi.

Këtu e themi thënë nëse për aeroportin e Vlorës t’i futesh në internet dhe gjen  dhjetëra, në mos qindra raportime, dokumentar, intervista se si do jetë ende pa u hedhur asnjë lopatë asfalt, për këtë projekt që vlen shumë fish më shumë.

Ky u mbajt me këtë komponent të gjeopolitike, u mbajt disi i mbyllur. Ka ardhur koha që të kemi një vetëdije tjetër sa i përket ruajtjes së natyrës në tërësi, këtë do ta shohim dhe do ta provojmë në negociata e vështira që do kemi në kapitull përkatës të aderimit, sepse ndodhemi në një kontinent, ku ambientalizmi është një lloj “feje” e padeklaruar dhe e rëndësishme që  është deri në fanatizëm”, tha Minxhozi./abcnews.al

Minxhozi në “Real Story”: Projekti në Zvërnec duhet të vijojë, nuk mund t’i thuash “jo” një investimi prej 4 miliardë dollarësh

4 June 2026 at 20:26

TIRANË- Analisti Skënder Minxhozi, i ftuar në emisionin Real Story”, u shpreh se projekti i planifikuar në Zvërnec duhet të vazhdojë, duke theksuar se Shqipëria nuk mund t’i thotë “jo” një investimi me përmasa të tilla.

Sipas Minxhozit, pavarësisht se ende nuk ka një projekt të finalizuar, rëndësia e nismës lidhet jo vetëm me zhvillimin ekonomik, por edhe me dimensionin gjeopolitik që ajo sjell për vendin.

Ai vlerësoi se Shqipëria nuk ka njohur më parë investime të kësaj shkalle dhe se shifra prej rreth 4 miliardë dollarësh e bën projektin një mundësi të rëndësishme për zhvillimin.

“Për Zvërnecin, vetë ministrja dhe kryeministri thonë se ende nuk ka një projekt. Mendoj se mund të flasim për të gjithë atë zonë dhe për të gjithë këtë marrëdhënie që bëhet gati të marrë formë, më shumë në planin gjeopolitik, të rëndësisë që ka kjo për Shqipërinë. A duhet të vazhdojë?

Nuk mund t’i thuhet kurrsesi jo një projekti, i cili ka një shifër mbi të, ku ne s’e kemi parë kurrë si shtet, Shqipëria nuk njeh përmasa të tilla. Mendoj se nëse më parë kemi pasur problem me mashtruese, që vinin nga bota dhe që premtonin gjithçka dhe kemi mbajtur një gropë në mes të Tiranës, që do ishte mrekullia e Tiranës, ajo ishte sit ë thuash metafora e asaj që premtohej dhe nuk bëhej. Sot mendoj se problemi është e kundërta, është masa e madhe e projektit. Në një ambient, i cili është i vogël, sepse në Shqipëri gjithçka është e vogël, ne kemi gjithsej 400 km bregdet”, tha ai.

Ai theksoi se protestuesit kanë zgjedhur betejën e gabuar me qeverinë, pasi në mes qëndron një projekt, i cili do të sjellë investime në përmasa të larta.

Ne na ofrohet një projekt, i cili në dukje është i stërmadh për këllqet tona, pra për Vlorën, por edhe për Shqipërinë.Ai popull aty, e publikut shqiptare që proteston, e ka lënë disi mënjanë Zvërnecin, sepse ka dalë shprehja që sot e dëgjoja jo tek një, por te disa të intervistuar që: Zvërneci është maja e Ajsbergut, kalojnë të Rrjolli ,bregdeti etj. Kanë gjetur betejën e gabuar me qeverinë kur në mes janë 4 miliardë dollarë, sepse nuk është një gjë e vogël. Nuk është kollaj ti thuash jo.”, tha Minxhozi./abcnews.al

Zvërneci, a duhet bërë projekti? Ministrja Ibrahimaj: Nuk është dorëzuar një projekt, është dhënë leje për analizën mjedisore

4 June 2026 at 20:14

Ministrja Delina Ibrahimaj ka folur për projektin e diskutuar të Zvërnec, duke sqaruar se aktualisht nuk ekziston një projekt i dorëzuar zyrtarisht në qeveri për shqyrtim.

Gjatë një interviste në emisionin “Real Story” në ABC News, Ibrahimaj u shpreh se debati rreth Zvërnecit ka marrë përmasa serioze dhe duhet trajtuar me përgjegjësi.

“Nga këndvështrimi i qeverisë, nuk ka një projekt të dorëzuar në qeveri që të flitet konkretisht me sipërfaqe. Ka një leje që është dhënë për të bërë analiza mjedisore, ka edhe një projekt potencial që është rrëzuar”, deklaroi ministrja.

Ajo theksoi se, pavarësisht mungesës së një projekti të formalizuar në këtë fazë, iniciativa konsiderohet me rëndësi të veçantë për zhvillimin e vendit.

“Padiskutim që është projekti më i rëndësishëm që ne kemi”, u shpreh Ibrahimaj gjatë intervistës.

/abcnews.al/

Krisafi: Marrëveshja SHBA-Iran mbetet e vështirë, Teherani ka humbur mbështetjen e rajonit

3 June 2026 at 21:52

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ledjon Krisafi, vlerëson se mundësia për arritjen e një marrëveshjeje mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mbetet e kufizuar, pasi sipas tij Teherani nuk ndodhet ende në një pozicion që ta detyrojë të bëjë lëshime të rëndësishme.

Në një intervistë në emisionin “War Report” në ABC News, Krisafi tha se për të pasur një marrëveshje të qëndrueshme, Irani duhet të pësojë humbje më të mëdha se ato që ka pësuar deri më tani.

“E shoh të vështirë që të arrihet me një marrëveshje. Sepse që të arrihet një marrëveshje e mirë, duhet që Irani të mundet më shumë se sa është mundur deri tani. Ky Iran tani vështirë të japë në tavolinë diçka që nuk e ka humbur në betejë”, u shpreh ai.

Sipas Krisafit, Irani e ka humbur luftën në aspektin strategjik, pasi veprimet e tij kundër vendeve të Gjirit kanë sjellë pasoja të kundërta nga ato që synonte.

“Në thelb mendoj që Irani e ka humbur luftën sepse duke i goditur vendet e Gjirit ka bërë një gabim strategjik, pasi tashmë ato kanë kaluar në krahun amerikan dhe izraelit. Dhe kjo ishte për faktin se Irani i goditi. Askush nuk e mendonte se do të godiste Katarin apo Emiratet e Bashkuara Arabe”, deklaroi eksperti.

Ai shtoi se zhvillimet e fundit kanë ndryshuar balancat politike në Lindjen e Mesme dhe kanë rritur izolimin e Iranit në rajon.

“Sot mendoj që Irani e ka rajonin më shumë kundër vetes”, përfundoi Krisafi.

Ish-prokurori Ervin Karanxha: SPAK të hetojë pronat në bregdet, transparenca është e domosdoshme

3 June 2026 at 21:00

Ish-prokurori Ervin Karanxha, i ftuar në “Real Story” inkurajoi Prokurorinë e Posaçme që të hetojë çështjen e pronave në Vlorë, por edhe në pjesë të tjera të bregdetit të vendit.

Ai theksoi se është detyrë e organeve ligjore që të zbardhin rrethanat dhe pretendimet ngritura nga banorët qoftë në Zvërnec, por dhe në zona të tjera.

Më tej Karanxha u shpreh se personalisht nuk është kundër investimeve, por shtoi se është garantimi i transparencës është i obligueshëm

“Ajo zonë është zonë problematike, madje dh shërbimi sekret, që ne folëm për informacionet që kanë në lidhje me tjetërsimin pronave, duhet të kishin inflamacion, sepse psh, po e marr teorikisht, nëse ky që merr këto para nuk është pronar dhe të marrë këtë shumë parash, do të thotë se ku është shteti shqiptar, Ai e ka me dokumente pronën. Titujt e pronësisë janë të 2008, kanë qenë vendime të kontestueshme në vitin 2008  për kthimin e pronave.

Ka pasur dhe çështje penale, qoftë në Prokurorinë e Tiranës, madje ka pasur çështje penale kur ka qenë vetë prokuror Altin Dumani bashkë me një prokurorin Armand Gurakuqin kanë pasur çështje në lidhje me falsifikimin e pronave.

Në zonën e bregdetit bëhet fjalë. Në zonën e Durrësit bëhet fjalë për rastin që ka qenë, por kanë pasur shumë raste, dhe Dumani e di pak a shumë situatën. Këto çështje duhet të verifikohen, pronësia nga ka rrjedh, sepse në fund fare në qoftë se kjo tokë s’ka pronar dhe është marrë në mënyrë të paligjshme pse jo, shteti mund të hyjë si investitor, si përfitues. Unë personalisht nuk jam kundër investimit të pronës, por të kemi transparencë. “, tha ai.

“Vendi s’duhet të humbë investitorë të mëdhenj”/ Avokati: Miliarda dollarë do të krijonin xhelozi për ata që nuk duan suksesin e Shqipërisë

3 June 2026 at 20:52

Avokati Idajet Beqiri ka kërkuar një angazhim të SPAK për të hetuar rrethanat që lidhen me çështjen e Zvërnecit, duke theksuar se situata e krijuar përmban elementë që duhet të shqetësojnë organet e drejtësisë.

Në një intervistë në emisionin “Real Story” në ABC News, Beqiri tha se protesta po zhvillohet në një moment të ndjeshëm për vendin, në një kohë kur Shqipëria po tërheq vëmendje të konsiderueshme në arenën ndërkombëtare për investimet e huaja.

“Mënyra se si u krijua situata do ta shqetësonte organin e akuzës për të parë se çfarë problemesh ka në këtë mes. Këta njerëz janë pronarët e ligjshëm, të cilëve u është marrë prona, dhe kur krijohet një situatë e tillë komplekse, nis një çështje që duhet hetuar. Kjo protestë bëhet në një kohë kur jemi në një situatë shumë komplekse dhe të rënduar. Shqipëria, duam apo nuk duam ta pranojmë, po përjeton prurje të jashtëzakonshme investimesh. Projekte që mund t’i sjellin vendit miliarda dollarë do të krijonin xhelozi edhe në vende shumë të zhvilluara, e aq më tepër te ata që nuk duan suksesin e Shqipërisë”, deklaroi Beqiri.

Megjithatë, ai theksoi se pjesa më e madhe e protestuesve janë të motivuar nga çështja e pazgjidhur e pronave dhe jo nga interesa të tjera.

“Protestuesit e vërtetë janë nisur më shumë nga plaga e pronës. SPAK duhet të futet seriozisht në këtë çështje”, përfundoi avokati.

“Janë hapur mbi 1 mijë adresa false”/ Karamuço: Protesta në Tiranë po shfrytëzohet nga qarqe të errëta

3 June 2026 at 20:17

Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, ka ngritur alarmin për aktivitetin e shtuar në rrjetet sociale dhe portalet online lidhur me çështjen e Zvërnecit dhe protestat e zhvilluara në Tiranë.

Në një intervistë në emisionin “Real Story” në ABC News, Karamuço deklaroi se pas zhvillimeve të fundit janë aktivizuar një numër i madh adresash dhe platformash që, sipas tij, synojnë nxitjen e tensioneve dhe destabilizimin e situatës.

“Kërkojnë të nxisin nacionalizmin dhe të ngrenë në këmbë grupe personash apo komunitete të caktuara me qëllime destabilizimi. Gjatë 48 orëve të fundit, në rajon dhe në vendet fqinje, në lidhje me çështje shqiptare janë aktivizuar mbi 1 mijë adresa falso dhe janë hapur portale të reja që fokusohen vetëm te çështjet që lidhen me protestat dhe Shqipërinë në Tiranë”, deklaroi Karamuço.

Sipas ekspertit, përdorimi i llogarive të rreme dhe krijimi i platformave të reja informative janë tregues të përpjekjeve për të amplifikuar debatet dhe për të ndikuar në opinionin publik përmes përmbajtjeve që lidhen me zhvillimet e fundit në vend.

/abcnews.al/

❌