Normal view

Turistes së huaj i grabitet varësja e floririt në Lungomare të Vlorës, në kërkim autori

4 March 2026 at 22:31

Një turiste e huaj ka rënë pre e një grabitjeje në zonën e Lungomares në Vlorë.

Sipas informacioneve paraprake nga policia, një person i cili tashmë është identifikuar i ka marrë me forcë varësen e floririt nga qafa turistes dhe më pas është larguar me vrap nga vendngjarja.

Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë mbërritur në zonë dhe kanë nisur kontrollin e territorit për kapjen e autorit.

Ndërkohë, po punohet për arrestimin e të riut dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Lëvizte i armatosur, arrestohet i riu në Vlorë

3 March 2026 at 12:53

VLORË- Policia e Vlorës ka arrestuar një 21-vjeçar, i cili lëvizte me pistoletë në brez në rrugët e qytetit.

Ai u ndalua në lagjen “28 nëntori” dhe gjatë kontrollit fizik iu gjet në brez, një armë zjarri (pistoletë), e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

I riu u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”./abcnews.al

 

Vlorë/ Vodhi një motomjet gjatë natës, arrestohet autori

By: Rovena
23 February 2026 at 09:12

Një person ka rënë në prangat e policisë pasi ka vjedhur gjatë natës një motomjet, në qytetin e Vlorës.  Policia sekuestroi, në cilësinë e provës materiale, motomjetin e vjedhur.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”.

Aksident në Vlorë/ Makina merr para biçikletën, një i lënduar

20 February 2026 at 10:38

VLORË– Një aksident ka ndodhur në rrugën Transballkanike në Vlorë.

Një automjet ka përplasur një person, i cili po lëvizte me biçikletë.

I lënduari është dërguar me urgjencë në Spitalin e Vlorës për të marrë ndihmën mjekësore të nevojshme.

Sipas informacioneve të para, i lënduari është në gjendje të rëndë shëndetësore pasi ka marrë plagë në kokë.

Ndërkohë, policia ka shoqëruar drejtuesin e automjetit për veprime të mëtejshme procedurale./abcnews.al

Muaji i shenjtë i Ramazanit/ Myftiu i Vlorës mesazh urimi: Periudhë e lehtësimit shpirtëror dhe afrimit me Zotin

19 February 2026 at 08:46

Me nisjen e muajit të shenjtë të Ramazanit, Myftiu i Vlorë Ardit Hoxhllaku ka përcjellë një mesazh urimi dhe reflektimi për të gjithë besimtarët vlonjatë dhe shqiptarë.

Hoxhllaku ka theksuar rëndësinë e këtij muaji të bekuar, duke e cilësuar atë si një periudhë të lehtësimit shpirtëror, begatisë dhe afrimit me Zotin. Sipas tij, Ramazani është muaji i solidaritetit me njëri-tjetrin, i sakrificës, përkushtimit dhe ndihmës ndaj atyre që kanë më shumë nevojë.

Ai ka ftuar besimtarët që ta shfrytëzojnë këtë muaj për reflektim, përmirësim personal dhe forcim të lidhjeve familjare e shoqërore.

Myftiu ka konfirmuar gjithashtu se gjatë këtij muaji, Xhamia e Plumbit do të qëndrojë e hapur për besimtarët për faljet e mbrëmjes. Megjithatë, ai ka theksuar se rikonstruksioni i saj është tashmë një domosdoshmëri.

Xhamia vijon të qëndrojë e mbyllur pas përmbytjeve të tetorit 2024, çka ka krijuar vështirësi për zhvillimin normal të aktiviteteve fetare , ndërsa do te hapet vetëm gjate muajit te ramazanit

Ndërkohë, një mesazh për muajin e Ramazanit ka përcjellë edhe imami i xhamisë, Hajredin Dizdari, i cili ka uruar besimtarët për një agjërim të pranuar, paqe, shëndet dhe harmoni në familjet e tyre.

Besimtarët myslimanë nisin kështu muajin e madhërishëm të Ramazanit prej datës 19 shkurt, duke hyrë në një periudhë të rëndësishme adhurimi, reflektimi dhe përkushtimi shpirtëror.

VIDEO/ Stalla përfshihet nga flakët në Vlorë, digjen 22 lopë e viça

12 February 2026 at 17:42

Një stallë me gjedhë është përfshirë nga flakët në fshatin Armenë të Selenicë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Stalla ishte në pronësi të Bardhosh Haxhirajt, ndërsa nga zjarri janë djegur 22 lopë dhe viça, duke i shkaktuar fermerit një humbje të rëndë ekonomike.

Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se zjarri ka rënë si pasojë e një shkëndije elektrike, e cila ka përfshirë fillimisht ambientin e brendshëm të stallës dhe më pas është përhapur me shpejtësi.

Autoritetet po vijojnë verifikimet për të dokumentuar plotësisht rrethanat e ngjarjes./abcnews.al

Vlorë/ Sekuestrohen dy automjete, dyshohet se do të përdoreshin për ngjarje kriminale

9 February 2026 at 16:25

Policia e Vlorës ka parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale.

Mësohet se më datë 08.02.2026, policia e Vlorës ka ushtruar kontrolle të imtësishme në aksin rrugor dhe në territorin e fshatit Babicë e Madhe për dy automjete.

Si rezultat i kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë konstatuar të fshehura në një sipërfaqe ullishteje, në fshatin Babicë e Madhe, dy automjete të dyshuara të vjedhura, konkretisht:

-një automjet tip “Nissan”, me targa të huaja;

-një automjet tip “Audi Q5”, me targa të huaja; si dhe 3 bidona me lëndë djegëse (benzinë).

Nga veprimet e para hetimore rezulton këto automjete do të përdoreshin për kryerjen e një ngjarjeje të rëndë kriminale.

Automjetet dhe provat e tjera të sekuestruara po i nënshtrohen ekzaminimeve shkencore.

Grupi i posaçëm hetimor i DVP Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave si dhe për identifikimin dhe dokumentimin e autorësisë.

Aksident në Vlorë/ Motori elektrik përplaset me një automjet, lëndohet i riu

7 February 2026 at 20:27

VLORË- Një aksident është regjistruar pak momente më parë në zonën e Lungomares në Vlorë, ku një motor elektrik është përplasur me një automjet.

Si pasojë e përplasjes, drejtuesi i motorit elektrik ka mbetur i plagosur dhe është transportuar menjëherë me ambulancë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës për ndihmë mjekësore.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë, të cilat po punojnë për zbardhjen e rrethanave të aksidentit./abcnews.al

Përfshihet nga flakët banesa në Vlorë, shkak shpërthimi i bombolës së gazit

6 February 2026 at 13:05

Në banesën e shtetasit 68 vjeç, në pjesën e ballkonit ka rënë zjarr pasi ka plasur një bombol gazi. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Uji i Ftohtë”, në Vlorë.

Me ndërhyrjen e zjarrfikësve, zjarri u fik. Nga verifikimet e para nuk ka persona të lënduar, vetëm dëme materiale.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për sqarimin e rrethanave, përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit, si dhe për dokumentimin e plotë të rastit.

VIDEO/ Vlorë, përfshihet nga flakët një automjet, dyshohet për…

By: Rovena
5 February 2026 at 20:47

Një automjet është përfshirë nga flakët mbrëmjen e sotme në zonën e Ujit të Ftohtë, pranë vendit të njohur si “Te Rrapi”.

Sipas informacioneve paraprake, zjarri ka shpërthyer papritur, ndërsa flakët kanë shkrumbuar një pjesë të madhe të mjetit.

Ende nuk dihen shkaqet e ngjarjes, teksa dyshimet e para janë për një shkëndijë elektrike në automjet, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar.

Autoritetet pritet të zbardhin rrethanat e plota të incidentit./abcnews.al

Goditi me sende të forta 48-vjeçarin, arrestohet autori. I plagosuri u transportua të ‘Trauma’

5 February 2026 at 11:33

Një sherr ka ndodhur mes dy personave në Vlorë. Sipas policisë gjatë një konflikti që ka nisur për motive të dobëta, 41-vjeçari ka goditur me grushte dhe sende të forta një shtetas 48-vjeç.

48-vjeçari, pas plagëve të marra, po merr trajtim mjekim në Spitalin e Traumës.

Ndërkohë autori 41-vjeçar është arrestuar nga policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Vlorës dhe të Sarandës, për veprime të mëtejshme.

Tregtonin medikamente kontrabandë nga Italia/ Vlorë, arrestohet 53-vjeçari, procedohet penalisht i biri

By: Rovena
4 February 2026 at 17:07

Tregtonin në Vlorë, mallra që dyshohet se i kontrabandonin nga Italia, vihet në pranga 53-vjeçari, procedohet penalisht djali i tij. 53-vjeçari u kap në flagrancë duke transportuar medikamente mjekësore të dyshuara të kontrabanduara nga Italia.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve dhe identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme.

Vlorë/ Kamionçina godet barrierat dhe bie nga lartësia, shoferi në gjendje të rëndë, transportohet në spital

2 February 2026 at 11:21

Një aksident ka ndodhur në Vlorë. Një kamionçinë ka dalë nga rruga duke goditur barrierat dhe më pas ka rënë nga lartësia duke përfunduar në afërsi të bregut.

Si pasoje është dëmtuar rëndë drejtuesi i mjetit. Efektivë të policisë kanë ndërhyrë menjëherë për t’i ardhur në ndihmë të lënduarit, i cili është dërguar me urgjence drejt spitalit rajonal të qytetit të Vlorës.

/abcnews.al/

Zhvendosja e Kadastrës së Vlorës në Tiranë/ Rama u përgjigjet kritikave: Shërbimi do jepet online, drejtori të tjera do zhvendosen

1 February 2026 at 09:44

TIRANË– Kryeministri i vendit Edi Rama në podkastin e përjavshëm “Falasim” iu dha përgjigje akuzave për zhvendosjen e zyrës së Kadastrës së Vlorës, në Tiranë.

Sipas Ramës, zhvendosja e zyrës në kryeqytet nuk cenon shërbimin ndaj qytetarëve.

Ai u shpreh se synimi i qeverisë është që institucioni i Kadastrës të jetë tërësisht e digjitalizuar, ku qytetarët do mund të aplikojnë online pa pasur nevojë të ënden zyrave të tjera, siç ka ndodhur deri tani.

Më tej, Rama u shpreh se rasti i zhvendosjes së Kadastrës nuk do jetë i vetëm, por paralajmëroi se të njëjtin fat do kenë edhe disa drejtori të tjera.

“Dy fjalë për zhvendosjen e zyrës së Kadastrës së Vlorës në Tiranë. Dhe janë dy fjalë që duhen thënë, sepse edhe një herë tjetër u ngatërrua qëllimisht ose më falni idiotësisht, adresa fizike e zyrës me shërbimin për qytetarët.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës, ka kaluar prej kohësh nga një model shërbimi primitiv me sportele, radha, ecejake, zvarritje etj, etj, në një model shërbimesh online, ende i pambyllur plotësisht në të gjithë ciklin e vet, por gjithsesi përmes platformës, e-Albania, ky model mundëson që shumica e procedurave kadastrale, nuk kanë nevojë për paraqitjen fizikisht në një sportel të qytetarit. Kartela pasurie, vërtetime, regjistrime aktesh, kontratash, rivlerësime, të gjithë aplikohen dhe ndiqen online nga kudo, ku ndodhet qytetari, edhe nga Amerika.

Tani, gjithë kjo zhurmë dhe ky tension që u ndje në atë lëvizje, lidhet, jo vetëm me një perceptim të gabuar apo edhe informim të mangët, por edhe me një mendësi, e cila duhet përmbysur dhe duhet përmbysur, duke pasur parasysh që e nesërmja e afërt, jo e largët e Kadastrës, është një shërbim si plot shërbime të tjera, pa sportele, pa godina fizike të shpërndara në territor, por me akses në çdo shërbim, si një e drejtë themelore dhe një e drejtë që merret përmes celularit, që merret përmes kompjuterit më të afërt dhe që nuk ka asnjë lidhje me vendodhjen e zyrës.

Ky, nuk është i pari si veprim për zhvendosjen e një drejtorie vendore në qendër dhe nuk është as i fundit. Të tjera drejtori do të zhvendosen dhe ndërkohë, ajo që po punojmë për ditë pa pushim është që të sigurojmë mbylljen e ciklit, pra, jo më aplikim online dhe pastaj marrje mbrapsht të shërbimit me postë, por aplikim online dhe marrja e shërbimit menjëherë po aty online.”, tha Rama.

 

E rëndë në Vlorë/ Zjarr në një banesë, humb jetën 85-vjecari. Policia: U asfiksua nga tymi

26 January 2026 at 12:35

Një 85 vjecar është gjetur i vdekur orët e para të mëngjesit në banesën e tij në Vlorë. Ngjarja është shënuar rreth orës 02:50, në fshatin Lapardha.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e asfiksisë nga tymi, i shkaktuar nga një zjarr aksidental i rënë në banesën e tij.

Njoftimi i policisë:

Sot, rreth orës 02:50, në fshatin Lapardha, Selenicë, është gjetur në banesë nga familjarët, i pajetë shtetasi K. A., 85 vjeç. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e asfiksisë nga tymi, i shkaktuar nga një zjarr aksidental i rënë në banesën e tij.

VIDEO/ Aksident në Vlorë, përplasen dy automjete

23 January 2026 at 10:16

VLORË- Një aksident rrugor ka ndodhur mëngjesin e sotëm në rrugën “Transballkanike” në Vlorë.

Në aksident janë përfshirë dy automjete dhe fatmirësisht nuk ka persona të lënduar.

Automjetet janë me targa greke, ndërsa në vendngjarje ka mbërritur edhe policia, e cila ka nisur hetimet për shkaqet e aksidentit/abcnews.al

Jared Kushner në Vlorë/ Dhëndri i Trump, takime në Shqipëri për investimet

21 January 2026 at 10:27

Jared Kushner, dhëndri i Presidenti të SHBA, Donald Trump ka mbërritur këtë mëngjes në qytetin e Vlorës.

Pritet që dhëndri i presidentit Trump të zhvillojë disa takime private në Vlorë me arkitektë mbi projektet dhe investimet në qytetin bregdetar.

Mbërritja e Kushner është shoqëruar me masa të forta sigurie nga policia e Vlorës, sic duket edhe në pamjet e siguruara nga ABC News.

Aksident në aksin Vlorë-Orikum/ Makina del nga rruga, lëndohet shoferja dhe 16-vjeçari

19 January 2026 at 10:48

Një aksident ka ndodhur në aksin rrugor Vlorë–Orikum. Drejtuesja e automjetit tip Benz, ka humbur kontrollin e makinës dhe ka përfunduar jashtë rruge.

Si pasojë e aksidentit, kanë mbetur të dëmtuar lehtë shoferja dhe pasagjeri, rreth 16 vjeç.

Të lënduarit kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Pas evakuimit, nis strehimi/ Banorët e Vlorës do të vendosen në konviktet e qytetit

8 January 2026 at 12:18

Strukturat vendore të emergjencave civile, Policia e Shtetit, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, si edhe një ekip i Forcave të Armatosura, janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës dhe në gatishmëri të plotë për menaxhimin e çdo zhvillimi.

Deri më tani në Vlorë janë evakuuar rreth 200 krerë bagëti, ndërkohë që shërbimet shëndetësore ndodhen në lëvizje të pandërprerë, të gatshme për të ofruar asistencë në çdo moment.

Janë evakuuar 12 familje, ndërsa është përgatitur plani për evakuime të tjera. Kanalet kulluese janë pastruar dhe po kontrollohen vazhdimisht, ndërsa të gjitha strukturat përkatëse janë në gatishmëri të plotë për të reaguar ndaj çdo nevoje të banorëve dhe për të garantuar sigurinë e tyre.

Banorët e evakuuar janë akomoduar në konviktet e qytetit, ndërkohë që po bashkëpunohet edhe me hotelet, me qëllim sigurimin e kapaciteteve shtesë të strehimit, në rast të rritjes së nevojave.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të ndjekin udhëzimet zyrtare dhe të bashkëpunojnë me strukturat në terren për menaxhimin sa më të mirë të situatës.

Përmbytjet në fshatin Vajzë/ Iu dëmtua banesa nga rrëshqitja e dherave, kryefamiljari tregon momentet e panikut: Në mes të natës ranë muret e jashtme

7 January 2026 at 12:37

Banorët e fshatit “Vajzë” të cilëve iu rrezikua banesa pas shembjes së dherave nga reshjet e dendura të shiut janë shprehur të shqetësuar.

Në një intervistës për “ABC News”, ata treguan momentet e frikës dhe panikut kur kuptuan se ndodheshin të rrezikuar. Një prej kryefamiljarëve, tregoi se gjatë natës, ranë muret e jashtme të banesës dhe aty dolën menjëherë jashtë, pasi ishin të gjithë të rrezikuar.

Ai shprehet i shqetësuar, për situatën dhe kërkon një zgjidhje.

“Nga ora 02: 00 e natës ranë muret e jashtme. Dhe më pas u ngritëm dhe menjëherë kemi dalë jashtë. Kemi shpëtuar për pak. Presim që shtëpia të batohet nga momenti në moment, nuk guxojmë të futemi brenda të marrim diçka. Shtëpitë janë të reja. Deri tani nuk kemi asnjë informacion. Policia dhe nga bashkia kanë ardhur, por ende nuk kemi asnjë sqarim”, ka thënë ai.

“Nuk marr dot asnjë gjë. Është e rrezikshme”, u shpreh një tjetër kryefamiljar.

❌