Normal view

Inter, një “tërmet me 6 ballë”/ Zikaltërit arrijnë përmbysje në “San Siro”, dorëzohet Pisa

24 January 2026 at 15:04

Ja edhe një tjetër çmenduri. Interi u çuditshëm nuk zhgënjen kurrë, dhe në nisje të kësaj fundjave bëri një autokritikë sipas mënyrës së tij.

Humbja në shtëpi me shifrat 3-1 ndaj Arsenalit në Champions, u harrua ose të paktën kështu pretendohet, dhe tifozët u kënaqën me suksesin 6-2 ndaj Pizës.

U kënaqën në fund, sepse skuadra e tyre I bëri fillimisht me zemër, siç ndodh jo rrallë.

Toskanët kryesuan 2-0 pas gabimeve të portierit Zomer, dhe golave të shënuar nga Moreo në vetëm 23’.

Po kaq i rrufeshëm edhe reagimi, pasi Federiko Dimarko hyri në fushë në vend të Luis Henrikes.

Zielinski me penallti, Lautaro Martinez dhe Pio Espozito përmbysën rezultatin përpara pushimit.

U desh të pritej gjatë në pjesën e dytë, por pas 82’ epërsia zikaltër dha fryte.

Shënuan Dimarko, Boni dhe Mkitarian.

“La Gazeta delo Sport” përcjell autokritikën e trajnerit Kivu për gabimet e portierit Zomer: E kam fajin unë me kërkesat për të!

E përditshmja lavdëron dyshen Pio Espozito-Lautaro, ndërsa shkruan se tek Interi ka një problem Luis Henrike, brazilianin e braktisi edhe tekniku I tij.

“Il Korriere delo Sport” ngre në qiell Dimarkon, duke e quajtur udhëheqësin e kësaj skuadre: Hyn dhe transformon Interin, gol dhe dy asistë!

Interi për momentin është shkëputur 6 pikë në krye të Serisë A, me 52 ndaj 46, ndonëse Milani nuk ka luajtur ende për këtë javë.

Vlen të theksohet se zikaltërit shënojnë shum, 50 rrjeta në 22 ndeshje, shumë më tepër se kuqezinjtë që janë në kuotën 34.

Arsenal, Zot në “San Siro”/ Inter merr një leksion anglez në fushën e tij në Champions

21 January 2026 at 12:48

Sërish është një skuadër angleze që po dominon. Nëse vjet ishte Liverpuli që arriti fitore pas fitoreje në fazën e grupit në Champions, stafetën këtë sezon e ka Arsenali.

Skuadra londineze, që po shkëlqen në çdo konkurrim, pasi arriti suksesin e shtatë radhazi, këtë herë në “San Siro”. Pasi mundën Bajernin në “Emirejts”, “topçinjtë” shkatërruan Interin në “San Siro” me shifrat 3-1.

Në një ndeshje të fortë, ku italianët nuk është se u dorëzuan, vendosi ritmi më i lartë i anglezëve. Gabriel Zhezus shënoi dy gola, për avantazhin 1-0 dhe pastaj 2-1, duke bërë të pavlefshme rrjetën nga kroati i ri, Petar Suçiç.

Sulmuesi hungarez, Viktor Gjëkeresh vulosi sfidën gjashtë minuta para fundit. Statistikat janë aty-aty në gjithçka, në gjuajtje në total e në kuadrat, në zotërim topi dhe në numër pasimesh, por Arsenali ishte më I rrufeshëm, pra më I rrezikshëm.

Kjo ishte disfata e tretë radhazi në Ligën e Kampionëve, pas atyre në Madrid ndaj Atletikos dhe në Milano kundër Liverpulit. “La Gazeta delo Sport” komenton: Interi nuk mjafton! Champions, Arseali shënon 3, e vështirë për në të tetat e finaleve!

Po ashtu, e përditshmja raporton fjalët e trajnerit Kivu që thekson se Arsenali pati nivel të çmendur, dhe se një ritëm i tillë nuk ekziston në Itali. “Oh Jezus”, – është titulli në “Il Korriere delo Sport”, që bën lojë fjalësh me mbiemrin e sulmuesit brazilian që shënoi dy gola: Zhgënjim në Champions!

Nga Anglia, “Deili Meil” shkruan se Topçinjtë e pathyeshëm bënë detyrën dhe u konfirmuan si favoritët në Ligën e Kampionëve! Arsenal kryeson renditjen me 7 fitore radhazi, pra me 21 pikë të plota, ndërsa për momentin është jashtë zonës që të kualifikon direkt, në vendin e 9-të dhe mund të zbresë edhe më poshtë.  Tashmë duhet fitore në Dortmund, por italianët nuk e kanë fatin në duart e tyre.

Një “finale” në Milano/ Inter-Arsenal është dueli kryesor i sfidave të xhiros së shtatë

20 January 2026 at 12:56

Nuk është ajo klasikja e madhe europiane. Gjithsesi, një Inter-Arsenal është një sfidë e shkëlqyer e Championsit dhe në “San Siro” sonte pritet një spektakël.

Dy skuadra që janë në formë shumë të mirë në kampionatet e tyre kanë krijuar një histori të bukur me disa rezultate të shënuara.

Nuk harrohet triumfi i madh i londinezëve në Milano, me shifrat 5-1, nën udhëheqjen dhe golat e legjendës franceze Tieri Henri, të francezit tjetër Pire, apo të yjeve si Edu dhe Ljungberg.

Gjithsesi, sezonin e kaluar, Interi fitoi minimalisht 1-0, falë një goli shënuar me penallti nga Hakan Çalhanoglu.

Për fat të keq, lombardët nuk do ta kenë mesfushorin e fortë turk, që është I dëmtuar.

Bashkë me të edhe mbrojtësi holandez i krahut, Damfris, ndonëse kjo nuk e ka penguar skuadrën e trajnerit Kristian Kivu që të ketë një seri shumë të mirë në Serinë A, të cilën edhe e kryeson.

“La Gazeta delo Sport” mezi e pret ndeshjen: Ethe për 90 minuta! Champions, Interi ndaj Arsenalit për një mbrëmje të madhe!

Po “topçinjtë”?

Anglezët cilësohen favoritë për fitore ndonëse luajnë jashtë fushe, por gjithsesi parashikimet nuk I japin avantazh të madh.

Trajneri Mikel Arteta ka vetëm dy mungesa, italianin Kalafiori dhe Piero Hinkapinë, pa llogaritur Maks Doumanin.

Tifozët mund të kenë besim pasi idhujt e tyre po shkëlqejnë në çdo konkurrim.

Ata kryesojnë Premier Ligën, janë pranë finales së Kupës së Ligës në Angli, dhe kryesojnë Championsin me 18 pikë të plota, pra me 6 fitore në gjashtë ndeshje, ndërsa Interi është në vend të 6-të me 12 pikë./abcnews.al

Inter, me ritëm titulli/ Zikaltërit ia dalin në Udine, për momentin Milan 6 pikë prapa

18 January 2026 at 14:42

Ka vetëm një ndalesë në gati 3 muaj. Interi po e tregon veten si skuadra më e kompletuar dhe më e fortë në Serinë A, dhe suksesi në fushën e Udinezes konfirmoi momentin pozitiv.

Janë 8 fitore në 9 ndeshje që nga 23 nëntori kur u pësua humbja në derbi përballë Milanit.

Nga ajo kohë, vetëm Napoli e ka bllokuar në një barazim 2-2 në “San Siro” pak ditë më parë.

Në stadiumin “Friuli”, zikaltërit dominuan dhe nuk e vunë në dyshim epërsinë e tyre, edhe pse shënuan vetëm një gol, duke humbur shumë raste.

Lautaro Martinez realizoi shpejt, që në 20’, me topin të shërbyer nga talenti I ri Pio Espozito.

“Lautaro këndon, – titullon “La Gazeta delo Sport”, – kapiteni godet me asist nga Pio, Interi në +6! Kryesuesit dominojnë, 8 fitore në 9 të fundit në Serinë A! Të martën vjen Arsenali!”

Natyrisht, ky Inter nuk është pa probleme.

E ka pasur shumë të vështirë ndaj rivalëve direktë si Juventus, Milan apo Napoli, si edhe kundër Liverpulit apo Atletikos në Champions, dhe humbi një ndeshje që vlente titull në gjysmëfinalen e Superkupës ndaj Bolonjës.

Trajneri Kristian Kivu, më I miri I muajit të fundit në Serinë A, e di se ka ende shumë për të bërë, por duket se personaliteti I tij po e ndihmon skuadrën zikaltër që të shkojë drejt trofeve.

Inter kryeson Serinë A me 49 pikë ndaj 43 të Milanit që luan sonte në “San Siro” ndaj Leçes.

Inter, kampion i dimrit/ Zikaltërit mundin 1-0 një Lecce pa shqiptarë, kryesojnë në Itali

15 January 2026 at 12:37

Nuk mund të quhet ende një arratisje. Jo vetëm sepse Milani nëse fiton sonte afrohet në vetëm tri pikë, por edhe sepse distancat në Serinë A nuk janë aspak të mëdha.

Sidoqoftë, Interi arriti një tjetër fitore duke bindur, ndonëse e pati përsëri shumë të vështirë.

Një Leçe me mungesa, në të cilën nuk luajtën Ylber Ramadani I pezulluar dhe Medon Berisha i dëmtuar, pra pa shqiptarë në fushë, rezistoi deri 12’ para fundit, edhe pse në “San Siro” u luajt praktikisht me një portë.

Epërsi e madhe, monolog zikaltër deri në mërzi, dhe Pio Espozito shënoi golin që vlejti fitoren. Me këtë rrjetë, Interi i trajnerit Kristian Kivu, është kampion I dimrit në Itali.

Boni, Barela dhe Luis Enrike provuan të shënonin më shumë, por puljezët ishin një fortesë. Napoli ndërkaq gaboi.Me trajnerin Antonio Konte në tribunë të pezulluar, të besuarit e tij nuk ia dolën të thyenin Parmën edhe pse u luajt në stadiumin “Maradona”.

Një sfidë tipike janari, me dimër jashtë fushe dhe brenda saj, me një gol të anuluar ndaj skocezit Mektominej për pozicion jashtë loje, dhe sulme pafund të napolitanëve.

Inter kryeson Serinë A pas 19 javësh me 46 pikë ndaj 40 të Milanit që luante sonte ndaj Komos, ndërsa Napoli ka mbetur pak më prapa me 39 pikë.

Inter nis “fluturimin”/ Zikaltërit fitojnë 2-0 në “Tardini”, Parma dorëzohet pa kushte

8 January 2026 at 12:41

Ndoshta mund të jetë më në fund një vit i mbarë. Interi ka bërë kaq shumë gabime gjatë gjithë kësaj kohe, veçse momenti jep shumë shpresë për tifozët. Skuadra lombarde triumfoi 2-0 në stadiumin “Tardini” të Parmës, dhe ndoshta nisi një minishkëputje në Serinë A.

Në pritje të Milanit, dhe pas hapit të gabuar të Napolit, zikaltërit bënë detyrën, e madje e bënë shumë mirë. Jo vetëm me golat e shënuar nga Federiko Dimarko dhe Markus Turam, por edhe me lojë.

Emilianët, edhe pse luajtën në shtëpi, nuk arritën të bënin asgjë. Vetëm 3 gjuajtje gjithsej ndaj 21 të miqve, dhe pa e gjetur kurrë kuadratin, ndërsa Interi e bombardoi portierin Korvi me plot 9 goditje të sakta.

Merita e trajnerit Kristian Kivu duket e madhe për ekuilibrin që I ka dhënë ekipit, për mentalitetin dhe për lojën sulmuese. Jo më kot lombardët kanë shënuar 40 gola, shumë më tepër se kushdo në Serinë A këtë sezon.

“La Gazeta delo Sport” shkruan për përpjekjen për shkëputje të Interit, dhe për Napolin që u ndal: Zikaltërit krijojnë diferencë! “Sonte pritet Milani, na kujton “Il Korriere delo Sport”, që shton se Kivo shkallmon Parmën dhe se Interi ka diçka më tepër!”

Interistët padyshim u ndihmuan nga gabimi i rëndë i Napolit. Kampionët në fuqi madje ishin në prag të humbjes në stadiumin “Maradona” ndaj Veronës, edhe pse reaguan me karakter.

Freze dhe Orban realizuan dy herë për vizitorët, përpara sesa Skot Mektominai dhe Di Lorenco të shpëtonin të paktën pikë./abcnews.al

“Kokë a pil” me Asllanin/ Inter në telashe për fatin e mesfushorit të kombëtares shqiptare

7 January 2026 at 12:38

Një rikthim me këtë fanelë përjashtohet.

Inter dhe trajneri i tij, Kristian Kivu, i kanë të qarta idetë për të ardhmen dhe për projektin e tyre, dhe Kristian Asllani nuk është pjesë e tij.

Gjithsesi, klubi zikaltër ka përgjegjësi dhe detyrim për kartonin e mesfushorit të Shqipërisë sepse e zotëron gjithnjë ai, dhe dëshiron të marrë sërish paratë që shpenzoi për të.

Momenti duket shumë i vështirë sepse Torino, ku shqiptari ndodhet në huazim, nuk dëshiron ta mbajë më tej, ndërsa nuk dihet nëse karriera e tij do të vazhdojë në Itali apo jashtë saj.

Inter, sipas lajmeve në mediat në Apenine, pëlqen më shumë që Asllani të largohet nga Seria A, edhe pse ka klube në vend që interesohen për të.

Informacioni është që Parma dhe Sasuolo mund të jenë kandidatë potencialë për ta marrë 23-vjeçarin që nuk po gjen qetësi në karrierë.

Natyrisht, kohë ka pasi periudha e transferimeve vazhdon gjatë gjithë janarit, ndërsa pengesa më e madhe është shuma që lombardët kërkojnë për kartonin.

Interi shpenzoi 13 milionë euro për ta marrë nga Empoli, ndërsa prej Torinos kërkoi 11.5 milionë.

Tashmë, kjo shifër duket jashtë realitetit, por nëse mesfushori kuqezi gjen ekipin e duhur dhe luan mirë gjysmën e dytë të sezonit, në Spanjë apo Itali, situata mund të përmirësohet.

Inter rikthehet në krye/ Zikaltërit i përgjigjen me fitore bindëse rivalëve Milan e Napoli

5 January 2026 at 12:39

Nuk e kanë larguar ende epitetin “i çmendur”, ndonëse po përpiqen shumë. Interi i trajnerit Kristian Kivu, pavarësisht hapave të shpeshtë të gabuar si në Champions apo në Botërorin e Klubeve, si edhe në Superkupën e Italisë, u ngjit sërish në krye të Serisë A.

Fitorja 3-1 ndaj Bolonjës ishte më shumë se e merituar, me zikaltërit që ishin dominues në “San Siro” që nga fillimi e deri në fund. Suksesi me shifrat 3-1 I lejoi të parakalonin Napolin e Milanin për të mbajtur vendin e parë, e për të qenë kandidatë kryesorë për “skudeton”.

Polaku Zielinski, kapiteni Lautaro Martinez dhe Markus Turam ishin autorët e golave. Për sulmuesin argjentinas janë 10 rrjeta këtë sezon, dhe është edicioni i shtatë radhazi që shënon me dy shifra, pra të paktën 10.

Vetëm tre lojtarë në historinë e Interit ia kanë dalë më shumë, Xhuzepe Meaca e Benito Lorenci për 9 sezone, dhe Alesandro Altobeli 8. “La Gazeta delo Sport” ka titullin për Interin e Madh, “Interona”: Dominon Bolonjën, garë me tre korsi për titullin kampion!”

I njëjti refren edhe nga “Il Korriere delo Sport”: Garë treshe, luftë për titullin! Maja Lautaro, Inter argëtohet, ndërsa Napoli është i përsosur!” Inter kryeson Serinë A me 39 pikë, Milani ka 38 dhe Napoli 37 pas 17 javësh kampionat./abcnews.al

Inter eliminohet nga Superkupa/ Bologna kalon zikaltërit në katërshe pas gjuajtjes së penalltive

20 December 2025 at 14:53

Rekordin e Juventusit nuk e arrinte dot, por trofeun e donte.

Gjithsesi, Interi I trajnerit Kristian Kivu, vazhdon me problemet që pati ekipi I Simone Inzagit, madje edhe më keq, dhe ja ku erdhi dështimi I radhës.

Skuadra zikaltër u eliminua në gjysmëfinalen e Superkupës së Italisë, që për të katërtin sezon radhazi mbahet në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Riad.

Këtë herë, kryesuesit e Serisë A u mposhtën nga Bolonja pas gjuajtjes së penalltive, ndërsa koha e rregullt përfundoi 1-1.

Në një përballje të fortë në stadiumin e Universitetit të Mbretit Saud, lombardët bënë më shumë, ndonëse edhe bolonjezët iu përgjigjën goditje pas goditjeje.

Markus Turam shënoi që në minutën e dytë, por Rikardo Orsolini barazoi për kuqeblutë me penallti në 35’.

Pas pushimit nuk pati ndryshim rezultati, ndonëse Interi mbati topin 61 për qind dhe pati më shumë gjuajtje drejt portës.

Penalltitë ishin dramë pasi u humbën pesë radhazi, tre prej të cilave nga interistët.

Ish-sulmuesi kryesor i Lacios dhe i Italisë, Çiro Imobile, shënoi 11-metërshin vendimtar duke I dhënë Bolonjës suksesin me shifrat e përgjithshme 4-3.

Të dielën, do të luhet finalja ndaj kampiones në fuqi të Italisë, Napolit, që mundi 2-0 Milanin në gjysmëfinalen e parë./abcnews.al

Inter, në testin “e kuq”/ Zikalterit synojnë të arrijnë sonte kualifikim në raundin tjetër

9 December 2025 at 12:38

Moment më të keq ka kohë që nuk mbajnë mend. Liverpuli duket si një i vdekur që ecën, dhe udhëtimi i radhës në Champions, pas katastrofës në shtëpi ndaj PSV Eindhovenit, e dërgon në Milano.

Të kuqtë udhëtuan drejt aeroportit Malpensa, ndërsa në metropolin e madh të Lombardisë do të kenë sfidën ndaj Interit.

Rival shumë I fortë, dhe në një çast krejt të pavolitshëm, kur Mohamed Salah shpërtheu hapur kundër trajnerit Arne Slot, duke shkatërruar edhe atë pak atmosferë pozitive që kishte mbetur në skuadër.

Në një sezon tepër të vështirë, në të cilin Liverpuli ka vetëm një fitore në 6 ndeshjet e fundit, dhe plot 9 humbje në 15 sfida që nga 23 shtatori.

Salah u stërvit me ekipin një ditë para ndeshjes, por u la në Angli, ndonëse tekniku Slot të paktën nuk ka shqetësime të rëndësishme në lidhje me dëmtimet apo pezullimet.

Yje të rëndësishëm si Virc, Isak, Soboslai, Ekitike, Van Dajk apo Alison janë gati.

Po Interi?

Italianët vijnë në këtë duel pas suksesit të thellë 4-0 ndaj Komos në Serinë A, ku shkëlqyen lojtarë të rëndësishëm si Lautaro Martinez, Markus Turam apo Çalhanoglu, ndërsa pozicioni është shumë I mirë, vetëm një pikë prapa kreut.

Në Champions, lombardët kanë katër fitore e vetëm një humbje, pësuar herën e kaluar në Madrid ndaj Atletikos, ndërsa trajneri Kristian Kivu është përpara një dileme.

Vështirë që tekniku rumun të mbajë të njëjtin formacion, pasi zikaltërit po luajnë ndeshjen e katërt në vetëm 10 ditë, pra ndryshimet mund në formacion mund të jenë Bisek në mbrojtje, Suçiç në mesfushë dhe Boni në sulm.

Dy ekipet kanë gjashtë ndeshje mes tyre në Champions, me 4 fitore të anglezëve dhe dy të italianëve.

Kualifikimet janë 2-1 për Liverpulin që fitoi ndeshjen e fundit në “San Siro”, 2-0 në 16 shkurt 2022.

 

Inter merr “komandën”/ Skuadra zikaltër konfirmohet favorite, fiton 2-0 kundër Lazio

10 November 2025 at 12:28

Ndryshimi i trajnerit dhe oshilacionet e javëve të para ngritën shumë dyshime. Por kjo i përket së shkuarës. Inter është kthyer në vendin e parë dhe në rolin si pretendent kryesor në garën për titullin kampion në Serie A.

Një tjetër konfirmim për këtë erdhi me fitoren e pastër 2-0 kundër Lazio. Zikaltërit në fushë dhe tifozët në tribunat e “San Siro” nuk duhet të prisnin gjatë për të nisur festën.

Pa u plotësuar tre minutat e para të sfidës, Lautaro Martinez shënoi golin e epërsisë për të zotët e shtëpisë. Lacialët provuan të ktheheshin në lojë, por në minuitën e 62-të morën goditjen e KO me Bonny që shënoi golin e dytë.

Fitorja e Inter mund të ishte më e thellë, por sistemi VAR anuloi realizimin e Zielinsky pas vetëm katër minutash. Gjithsesi, interistët mbetën të lumtur, pasi fitorja 2-0 I ngjit në kuotën e 24 pikëve dhe në vendin e parë të klasifikimit të Serie A, që duhet ta ndajnë me Romën.

Skuadra e drejtuar nga Gianpiero Gasperini, gjithashtu I shtoi një tjetër sukses sezonit të shkëlquer me fitoren 2-0 kundër Udinese. Një 11 metërsh i kthyer në gol nga Lorenzo Pelegrini shbllokoi në fundin e pjesës së parë sfidën në “Olimpiko”.

Pas pushimit, Zeki Çelik shënoi golin e dytë dhe atë që vulosi triumfin e Romës, që përtej çdo parashikimi në fillim të sezonit, tashmë ka hyrë zyrtarisht në “klubin” e pretendentëve për titull.

Nëse Inter dhe Roma kryesojnë renditjen, një meritë ka edhe Napoli. Kampionët e Serie A lëshuan kreun pas humbjes 2-0 në transfertën kundër Bologna.

Dalinga dhe Lukumi, me golat e tyre në pjesën e dytë I dhuruan disfatën skuadrës së Antonio Conte, që duhet të ribëjë edhe një herë llogaritë për këtë sezon./abcnews.al

Inter, kampion i financave/ Klubi zikaltër vendos rekordin e të ardhurave në futbollin Italian

16 October 2025 at 13:20

Të paktën për një dekadë hallet nuk kanë të përfunduar. Futbolli italian ka pësuar humbje financiare vit pas viti, por ja më në fund ku vjen një lajm I mirë.

Interi, edhe pse e përfundoi sezonin e kaluar me zero tituj, siç thoshte Murinjo, sërish ia pa hajrin për paratë.

Pas përfundimit të bilanceve, rezultati është fitim prej 35 milionë eurosh për zikaltërit në edicionin 2024-2025.

Një përmbysje e situatës sepse në 2023-2024 mbyllja ishte në të kuqe me -36 milionë euro.

Situata nuk është përmirësuar nga ulja e shpenzimeve, por nga rritja e të ardhurave në pjesëmarrjen në Serinë A, Champions dhe Kupën e Botës për Klubet.

Po ashtu, ka edhe një element tjetër në dokumentet financiare që të bën optimist. Klubi nga Lombardia siguroi të ardhura prej 546 milionë eurosh vitin e kaluar sportiv, me një rritje tepër të madhe plot 37 për qind.

E përkthyer në para, rritja është 147 milionë euro. Ky është një rekord jo vetëm për Interin, por edhe rekordi historik I futbollit italian që kur kanë nisur të mbahen bilancet.

Klubi nga Milano la pas në mënyrë të ndjeshme rekordin e mëparshëm të vendosur nga Juventusi në sezonin e parë të Kristiano Ronaldos, 2018-2019, me 464 milionë euro, pra një tejkalim prej rreth 80 milionë eurosh./abcnews.al

Inter bëhet sërish i frikshëm/ Zikaltërit bindin në “San Siro”, Cremonese bie me shifrat 4-1

By: Rovena
5 October 2025 at 14:15

Nuk mund të thuhet se besimi është kthyer si më parë. Do t’i duhet shumë këtij Interi për të bindur se mund të luftojë me Napolin e Milanin për titullin në Itali, por gjithsesi momenti është pozitiv.

Pas fitores së thellë në Champions ndaj Sllavias së Pragës, erdhi suksesi me diferencë të njëjtë, me 3 gola, këtë herë ndaj Kremonezes.

Natyrisht, kundërshtari nuk është nga më të fortët, edhe pse ka shkaktuar të papritura këtë vit, diçka që nuk e bëri dot këtë herë në “San Siro”, siç ia doli kundër Milanit.

Festivali ishte I plotë me katër autorë golash të ndryshëm, si Lautaro Martinez në 6’, Ange-Joan Boni në të 38’, Federiko Dimarko pas pushimit në 55’ dhe Nikolo Barela në 57’.

Pra, gjithçka u mbyll shumë shpejt, dhe frymëzimi ishte në kulm, diçka që tifozët shpresojnë të ketë vazhdimësi.

“Mbërrin Interi, paralajmëron “La Gazeta delo Sport”, katër gola dhe një natë në krye! Boni dominon ndaj Kremonezes me një gol dhe tre asiste!”

“Shumë Boni, vlerëson “Il Korriere delo Sport”, një gol dhe 3 asiste, Kremoneze dërrmohet! Një bukuri e Interit, çfarë pokeri 4-1!”

Interi tani ka 12 pikë në 6 javë të Serisë A, ndërsa më parë ka pësuar dy humbje.

Shpresat për titull janë në një sezon me konkurrencë të ashpër nga Napoli, Milani, Roma e Juventusi./abcnews.al

 

“La Scala” i ri i futbollit/ Milan e Inter blejnë “San Siro”, do ndërtojnë një impiant modern

30 September 2025 at 12:55

Milan dhe Inter mund të jenë rivalë të përjetshëm, por për momentin mund të festojnë një sukses të përbashkët. Pas vitesh betejash gjyqësore dhe administrative, dy gjigandët e Serie A më në fund kanë fituar të drejtën për të blerë përfundimisht stadiumin “San Siro”, ku do të ndërtojnë një impiant modern.

Këshilli komunal i Milano vendosi të lejojë shitjen e atij që cilësohet si “La Scala” e futbollit, ndërsa dy klubet kishin rënë dakord më parë për të ndarë përgjysmë shpenzimet për blerjen dhe më pas rindërtimin e stadiumit të ri në të njëjtin vend.

Vetëm pak javë më parë, Milan dhe Inter prezantuan edhe projektin e impiantit të ri, duke e cilësuar atë si një katedrale modern që i shtohet qytetit të Milanos.

Sipas këtij projekti, stadiumi i ri do të kushtojë pak më shumë se 1.2 miliard euro.

Ai do të ketë një kapacitet prej 71 mijë e 500 vendesh, ndërsa do të jetë gjithashtu një hapësire multifunksionale, me hotele, restorante dhe qëndra tregëtare.

Pas përfundimit të procedurave burokratike për kalimin e pronësisë të “San Siro” te Milan dhe Inter, punimet do të nisin në fund të sezonit të sezonit, ndërsa inagurimi i impiantit të ri sipas projektit do të bëhet në vitin 2031.

 

 

Inter largon “fantazmat” në Champions/ Skuadra zikaltër harron turpërimin në finalen e sezonit të shkuar

18 September 2025 at 12:51

Inter duket se e ka harruar humbjen turpëruese 5-0 në finalen e sezonit të shkuar kundër Paris SG. Skuadra zikaltër nisi edicionin e ri të turneut më të rëndësishëm të futbollit europian për klube me fitoren 2-0 në transfertën kundër Ajaks.

Në “Johan Cruyff Arena” protagonist absolute ishte Markus Turam, me sulmuesin francez që shënoi të dy golat e suksesit për skuadrën e tij.

Pavarësisht tentativa, fati I sfidës ndryshoi rrjedhë vetëm në fundin e pjesës së parë. Në minutën e 42-të, Turam gjeti rrugën e rrjetës për avantazhin e Inter.

Vendasit e Ajaks nuk kishin kohë të reagonin me rikthimin në fushë pas pushimit. Vetëm dy minuta nga rinisja e sfidës, Turam shënoi golin e dytë personal dhe atë që vulosi fitoren e skuadrës italiane.

Një sukses që vlen dyfish për foarmacionin zikaltër të drejtuar nga Kristian Kivu. Si fillim për tre pikët e para në këtë sezon të Champions, por edhe për të larguar fantazmat e asaj finale të pak muajve më parë./abcnews.al

Inter “ngacmohet” me Asllanin/ Mediat italiane i kujtojnë shqiptarin pas humbjes ndaj Juventus

17 September 2025 at 12:34

Nuk e pati të lehtë të linte këtë fanelë. Kristian Asllani e mendoi veten si një yll të vërtetë të Interit, një ëndërr që nuk u realizua, edhe pse po e kupton se nuk është fundi I karrierës së tij sportive.

Pas 99 ndeshjeve me zikaltërit, 4 golave të shënuara e 5 asisteve, pas trofeve si titulli kampion, Kupa e Italisë e dy Superkupa italiane, ai u detyrua të largohej për tek Torino, pasi refuzoi me vendosmëri që të shkonte në Spanjë.

Kanë kaluar vetëm dy ndeshje, dhe mesfushori i Kombëtares shqiptare sikur e ka marrë një gjysmë revanshi.

E përditshmja kryesore në Apenine, “La Gazeta delo Sport”, kritikon Interin për largimin e 7 lojtarëve të cilët tani po luajnë shumë mirë në skuadrat e reja.

Pavar, Zalevski, Taremi, Arnautoviç, Stankoviç apo Asllani. Për 23-vjeçarin shqiptar, pas fitoren 1-0 të Torinos në fushën e Romës, “La Gazeta shkruan” se ai nuk shihet shumë në lojë, por ndihet jashtëzakonisht shumë, se është truri i përhershëm i Torinos, i pazëvendësueshëm!

Në vetëm dy ndeshje me “granatët”, në krah të shokut të tij në kombëtare, Ardian Ismajli, ai është titullar ashtu si mbrojtësi kuqezi, dhe ka luajtur 161 minuta, pra mbi 80 minuta për çdo sfidë.

Thuajse gjatë gjithë kohës. Natyrisht, te Torino vështirë të luftohet për tituj si tek Interi, dhe Championsin ndoshta duhet ta harrojë, por për shqiptarin e ri rëndësi ka që të luajë vazhdimisht dhe të  ndihet i vlerësuar, madje i pazëvendësueshëm./abcnews.al

“Bie” Inter, fiton Juventus/ Zikaltërit munden papritur në “San Siro” nga Udinese

1 September 2025 at 12:41

Trajner i ri, zanat i vjetër. Simone Inzagi është larguar, por tek Interi ndodhin sërish katastrofa, madje që në fillim.

Skuadra zikaltër, e cilësuar si një nga dy pretendentet kryesore për titull bashkë me Napolin, bëri një nga ato gabime që vënë në dyshim një projekt e që mund të shkatërrojnë një sezon.

Udineze fitoi 2-1 në “San Siro”, në duelin e Serisë A, edhe pse u ndodh në dizavatazh, ndërsa vendasve nuk u bëri punë zotërimi I madh I topit, me 68 për qind të totalit.

Trajneri Kristian Kivu kërkon kohë dhe tha se Interi I tij është një kantier I hapur, ndërsa friulanët realizuan që në pjesën e parë, me autorë të golave, Dejvis dhe Alta.

Gjithsesi ka kritika për taktikën e zgjedhur prej tij, që tekniku preferoi Damfris në vend të Pavarit, dhe që mbrojtja ishte tepër e dobët.

“Zonja ime, – titullon “La Gazeta delo Sport”, – Vlahovic hyn dhe shënon sërish! Edhe Juventusi ka pikë të plota! Përmbysje e pamendueshme e Udinezes në “San Siro”! Bie Kivu: Jemi kantier I hapur.”

I njëjti refren edhe nga “Il Korriere delo Sport”: Po Vlahoviçi? Dushani është madhështor! Një tjetër gol, Juventusi është I tiji! Rrënim I Interit, “flop” në “San Siro”, Kivu përmbyset nga Udineze!”

Me të vërtetë, një nga fituesit e javës në Serinë A ishte sulmuesi I Serbisë dhe skuadra piemonteze.

Dushan Vlahoviç shënoi 11 minuta pasi hyri në fushë, duke vendosur një ndeshje të vështirë në stadiumin “Marasi” ndaj Xhenoas.

Edhe pse “zebrat” bënë më shumë, sërish vendasit u duk se po e merrnin barazimin, por në futboll është goli që bën diferencën./abcnews.al

Inter fiton falë shqiptarit/ Portieri i Kombëtares U19, Alan Taho, hero për zikalterit

27 August 2025 at 14:11

Në fushë hyri si kampion, edhe pse nuk pati meritë në atë trofe. Portieri i Shqipërisë U19, Alen Taho, ishte titullar për ekipin e Shpresave të Interit në finalen e Superkupës ndaj Kaljarit, fituar pas penalltive.

Gardiani kuqezi u bë protagonist, edhe pse fillimi I finales ishte katastrofal për të. Gaboi duke bërë që ekipi të pësonte gol që në nisje, por gjithsesi kjo goditje nuk e shkatërroi.

Edhe pse pati fat, ruajti qetësinë ndërsa Interi reagoi. Moskoni barazoi në 29’, por në 37’ erdhi goli i dytë i sardëve, për të cilin Taho këtë herë nuk është se pati faj.

Në 82’, Labeli barazoi për zikaltërit në 2-2, dhe tek gjuajtjet e penalltive, shqiptari ishte vendimtar. Ai priti penalltinë e parë të ishullorëve, duke bërë që Interi I trajnerit Benito Karbone të fitonte 5-3, pasi nuk gaboi asnjë gjuajtje.

Ky ishte trofeu I parë për portierin e Shqipërisë U19, ndërsa sapo ka nisur karrierën tek Shpresat zikaltër. Festa ishte e madhe në Arenën Çivika “Xhani Brera” në Milano, dhe besohet se Taho do të arrijë në elitën italiane dhe do të jetë portieri I ardhshëm I kombëtares shqiptare./abcnews.al

Inter e nis me “manita”/ Torino dorëzohet pa kushte. Fitorja për të harruar turpin në finalen e Ligës se Kampionëve

26 August 2025 at 12:39

Pranvera nuk vjen me një lule, dhe këtë film e kemi parë edhe më parë.

Interi e nisi Serinë A me një sukses të madh, 5-0, përballë Torinos në “San Siro”, dhe më shumë se 75 000 tifozët në stadium padyshim që ishin të lumtur.

Trajneri Kristian Kivu hyri në kampionat me këmbën e djathtë, siç thuhet, dhe shpresa është që të harrohet katastrofa në finalen e Championsit, me humbjen 5-0 ndaj PSG-së, por sidomos që të fitohen trofe.

Nga ajo që u pa, objektivat mund të arrihen.

Markus Turam ishte më I miri në fushë, dhe jo vetëm sepse shënoi dy gola, ndërsa kapiteni Lautaro Martinez e tundi një herë rrjetën.

Dyshja e sulmit duket “top”.

Në mesfushë, kroati Suçiç nuk bëri të qahej mungesa e mjeshtrit Çalhanoglu, ndërsa presingu ishte asfiksues që në fillim.

Bastoni shënoi në 18’, Turam dyfishoi që në pjesën e parë, ndërsa pas pushimit, Lautaro realizoi në 51’, Turam në 62’ dhe Boni mbylli spektaklin gati 20 minuta para fundit.

“Dallga Inter, – shkruan “La Gazeta delo Sport”, – super nisje e Kivut, 5 gola Torinos! Spektakël I Turamit, shënojnë Lautaro, Bastoni, Boni, paraqitje e bukur nga Suçiç! Asllani te “granatat”!”

“Një manitë fshin tjetrën, – ngushëllohet “Il Korriere delo Sport”, – Interi provon të harrojë Mynihun dhe asfalton Torinon, 5-0! Spektakël nga Kivu! Çfarë filmi me Turam-Lautaro!”

Kristian Kivu është një trajner pa përvojë, por pjesë e Interit të madh të Murinjos, e ndoshta do ta ketë karakterin që të mos lejojë një dështim si ai i sezonit të kaluar.

Inter, dështim botëror/ Zikaltërit eliminohen në 1/16, Fluminense fiton 2-0

1 July 2025 at 12:35

Ja pra që dikush duhej të mbetej. Ky dikush është Fluminense, skuadra nga Rio de Zhaneiro, që do të vazhdojë ta mbrojë nderin e Brazilit në Kupën e Botës për Klubet.

Në stadiumin me emrin imponues “Banka e Amerikës” në Sharlotë, valixhet I bëri gati Interi, njëra nga ato skuadra të Europës që pritej të ishte pretendente për trofeun.

Fluminense ia doli me zgjuarsi dhe cinizëm, duke e lënë ekipin zikaltër që të bënte lojën, e duke u bazuar te kundërsulmi dhe goditjet e shpejta.

Që në 3’ kaloi në epërsi me golin e shënuar nga Zherman Kano, dhe më pas nuk lejoi që Interi të konkretizonte epërsinë.

Rezultati u vulos vonë, në minutën e 3-të shtesë nga Herkules, ndërsa dështimi u ndje shumë në Itali.

Natyrisht, kritikave nuk mund t’i shpëtonte as Kristian Asllani që ishte titullar, ashtu siç nuk shpëtuan edhe të tjerët.

“Eurosport” I dha notën e dobët 4.5, ndonëse vetëm të tillë si Barela, Suçiç, Zomer apo Karboni ishin më të vlerësuar sesa ai.

Shqiptari u cilësua që bëri gabime të shumta, ndërsa mori edhe të verdhë.

Më pozitiv “Skaj Sporti” me një notë mjaft më të lartë, 5.5, edhe pse jo mjaft e mirë.

Shigjetimet më të mëdha I mori mbrojtja, që pësoi dy gola.

Ndërkaq, një kunj për interistët erdhi nga kapiteni I Fluminenses, Tiago Silva, ish-lojtar I Milanit që luan edhe në moshën 40-vjeçare.

“Gjithë kohën mendoja për këtë, mendoja për Milanin. Jam I sigurt që tifozët milanistë sot janë të kënaqur. Ishin me ne, pra kjo fitore është edhe për ata”.

Fluminense shpreson të arrijë gjysmëfinale, ndërsa në 4 korrik luan përballë ekipit të Arabisë Saudite, Al Hilal, që shkaktoi të papriturën e madhe duke eliminuar Mançester Sitin.

❌