Normal view

Inter “blindon” Chivu/ Kampionët e Italisë rinovojnë kontratën me trajnerin rumun

5 June 2026 at 12:54

Inter nuk heq dorë nga Kristian Chivu dhe për triumfin në Serinë A i ka si dhuratë një kontratë të re. Nuk është se kishte dyshime, por mediat italiane kanë zbuluar detajet e marrëveshjes së re mes klubit zikaltër dhe teknikut rumun.

Kontrata e re e Chivu do të jetë deri në qershor të vitit 2028, me klauzolë zgjatjen edhe për një tjetër vit. Po ashtu, kampionët italianë kanë vendosur të rrisin ndjeshëm të ardhurat e teknikut, që do të arkëtojë 4 milion euro në sezon.

Një vlerësim maksimal për trajnerin që u ul  në pankinën zikaltër si një zgjedhje emergjente, pasi kishte drejtuar vetëm 13 ndeshje në Serinë A me Parmën.

Por në sezonin e parë me Inter, ai tregoi të gjitha aftësitë e tij, duke ngritur një skuadër që kishte marrë një goditje të rëndë pas sezonit 2024/2025 të mbyllur pa trofe.

Me menaxhimin e tij ,Chivu mundi edhe skeptikët e shumtë, duke fituar trofeun e titullit kampion në Serinë A. Për këtë arsye, klubi zikaltër ka vendosur ta largojë atë nga të gjitha joshjet e rivalëve në Itali dhe Europë.

Përveç kontratës me rritje të rëndësishme, Inter i ka premtuar Kristian Kivu edhe shpenzime të rëndësishme në merkaton e verës, në mënyrë që sezonin e ardhshëm mision të jetë Champions League.

Inter ngre “scudetto”/ Zikaltërit festojnë në “San Siro” dhe në Sheshin “Duomo”

18 May 2026 at 12:43

Ishin të lodhur edhe pse ishte momenti për të kremtuar. Futbollistët e Interit nuk u dhanë dot fitoren mbi 75 000 tifozëve në stadiumin mitik “San Siro” të Milanos, por gjithsesi asgjë nuk mund ta prishte këtë ditë.

Zikaltërit luanin ndaj Veronës ndeshjen e fundit në shtëpi të këtij sezoni në Serinë A, dhe ishte koha për të ngritur trofeun dhe për të dalë me autobus në rrugët e kryeqendrës së Lombardisë.

Të rraskapitur pas një edicioni shumë të gjatë, dhe pas finales së Kupës së Italisë të fituar në mesjavë ndaj Lacios në Romë, yjet vendas nuk shkuan dot më shumë se barazimi 1-1 ndaj një kundërshtari që kishte rënë që më parë në Serinë B.

Në një përballje të hapur, me më shumë gjuajtje në portë nga miqtë, por me Interin që mbajti topin 75 për qind, trajneri Kristian Kivu kishte bërë ndryshime në formacion.

Titullarë ishin Açerbi, De Vraj, Karlos Augusto, Darmian, Diuf, Luis Enrike dhe Boni, e disa prej tyre dhanë edhe lamtumirën ndaj tifozëve dhe fanelës zikaltër.

Të dy golat I shënuan miqtë, autogol nga Edmundson në fund të pjesës së parë, dhe barazim nga Boui në 90’. Më pas erdhi ceremonia në qendër të fushës së “San Siros” me ngritjen e “skudetos”.

Itinerari vazhdoi me skuadrën të ngjitur në autobusin e hapur me dy kate të stilit anglez, nëpër rrugët e Milanos, dhe në Sheshin Duomo. Interi është në krye të Serisë A me 86 pikë në 37 ndeshje, 13 më shumë se Napoli, ndërsa Verona është e rëndë, në vendin e parafundit me vetëm 21 pikë./abcnews.al

Inter është “zoti” i Italisë/ Pronëson edhe Kupën, pak ditë pasi siguroi titullin kampion

14 May 2026 at 12:50

Kanë kaluar 16 vjet dhe duket se sërish gjithçka vjen nga stoli. Edhe pse Interi cilësohet prej kohësh si skuadra më e fortë e Italisë, duhet një timonier i zoti për të siguruar trofetë dhe pas Zhoze Murinjos, këtë po e bën Kristian Kivu.

Një ish-nxënës i portugezit udhëhoqi zikaltërit në triumfin e dytë në pak ditë, duke bërë që të dominojnë më në fund futbollin italian. Nëse fundjavën e kaluar u sigurua titulli në Serinë A, tashmë erdhi edhe Kupa e Italisë, fituar në finalen ndaj Lacios.

Sukses 2-0 edhe pse luhej në shtëpinë e kundërshtarit, në stadiumin “Olimpiko” të Romës. Gjithçka erdhi thjesht, me autogol nga Marushiç dhe rrjetën e zakonshme të kapitenit Lautaro Martinez.

Sulmuesi, edhe pse nuk ka shifra si ato të Harri Kejnit apo Kilian Mbapesë, sërish është i shkëlqyer me 22 gola e 6 asistë në 39 ndeshje të këtij sezoni.

Dhe imagjinoni, që kjo ishte rrjeta e tij e parë këtë vit në Kupë. Lacio nuk është se nuk bëri rezistencë, dhe Interi nuk është se dominoi plotësisht, por ishte suksesi nuk u vu në diskutim.

“Inter, janë dy, – titullon “La Gazeta delo Sport”, – E dhjeta kupë e Italisë pas “skudetos”! Dominon Lacion! Lautaro thotë se trajneri Kivu meriton notën 10!”

“Dobleta, – është kopertina e “Il Korriere delo Sportit”, – finalja e Kivusë! Ndeshje me një kah! Dominim i Interit, titulli dhe Kupa e Italisë!”

Për “Tutosportin” nga Torino, zikaltërit janë thjesht “tepër të fortë”: Nuk pati histori, 2-0 Lacios, kupa e 10-të e Italisë për Interin!”

Tashmë Italia është veshur me ngjyrat zikaltër, dhe objektivi I madh sezonin që vjen është suksesi në Champions.

Inter, prova për finalen e kupës/ Lazio shkatërrohet brenda në Romë, zikaltërit fitojnë 3-0

10 May 2026 at 13:42

Titulli është fituar e duket se kjo po ndihmon. Interi bëhet gati për finalen e Kupës së Italisë që do ta luajë të mërkurën e ardhshme ndaj Lacios në stadiumin “Olimpiko” të Romës, dhe përballja e kësaj fundjave në Serinë A ishte pikërisht një provë gjenerale përpara saj.

Kundërshtari ishte vetë Lacio, dhe arena ishte stadiumi “Olimpiko” I kryeqytetit.

Trajneri Kristian Kivu mori padyshim përgjigjet që deshi, në një fitore të thellë 3-0, që u arrit madje pa shkëlqyer aq shumë, dhe pa u sforcuar.

ZIkaltërit shënuan shpejt, që në 6’, me kapitenin Lautaro Martinez, dhe e mbyllën pjesën e parë në epërsi 2-0 kur shtoi gol edhe kroati I ri, Sucic.

Për Lacion vendase gjithçka mori fund sidomos pas kartonit të kuq të mbrojtësit Romanjoli, edhe pse nuk dukej se bardhekaltrit mund të bënin diçka me 11 lojtarë në fushë.

Veterani nga Armenia, Mkitarian, mbylli llogaritë 14 minuta para fundit, dhe Interi duket në formë shumë të mirë, plus që është tepër I qetë.

Skuadra nga Lombardia arriti në 85 pikë këtë kampionat të Serisë A, dy javë para fundit, 15 pikë mbi Napolin e vendit të dytë, ndërsa Juventus apo Milan janë shumë më prapa.

Mbetet të mbyllet siç duhet sezoni me fitoren e trofeut të dytë kombëtar, Kupës së Italisë, ndonëse Lacio pritet të japë një betejë krejt tjetër.

Inter, frikë para titullit/ Zikaltërit shumë pranë titullit pas barazimit 2-2 në Torino

27 April 2026 at 12:28

Nuk ishte fitore, por një hap që e afron shumë pranë objektivin. Interi vetëm arriti një barazim 2-2 në Torino, në ndeshjen e javës së 34-ët të Serisë A, por diferenca prej 10 pikësh me Napolin bën që titulli të jetë praktikisht në xhep.

Duhen edhe tri pikë javën që vjen, në sfidën që do të luhet në 3 maj në “San Siro” ndaj Parmës, për të festuar skudeton numër 21. E vërteta është që zikaltërit nuk morën atë që meritonin në Piemont.

Luajtën më mirë sesa Torino vendase, mbajtën topin 63 për qind, dhe bënë shumë më tepër gjuajtje, e ato në kuadrat ishin 5-2 për miqtë. Turam dhe Bisek, në 23’ e 61’, ishin autorët e golave për avantazhin 2-0 të lombardëve, që nuk e mbajtën dot rezultatin.

Simeone në 70’ dhe Vlashiç me penallti 9 minuta më pas i dhanë Toros barazimin. “La Gazeta delo Sport” titullon: Inter, është i joti, duke e pasur fjalën për titullin! Reagim i Torinos, por skudeto është 3 pikë larg! Drejtori Marota fton tifozët të jenë të qetë pas skandalit me arbitrat.

“Il Korriere delo Sport” merret pikërisht me akuzat dhe dyshimet se mos Interi është favorizuar në të kaluarën në garën për titull. Marota thotë se ne jemi jashtë kësaj, dhe se shpesh vendimet kanë qenë në dëmin e zikaltërve!

Gjithsesi, përtej kënaqësisë për titullin ekziston frika për një ndëshkim nëse vërtetohen dyshimet se Interi ka ndikuar me anë të dizenjatorit Roki në caktimin e arbitrave në disa ndeshje, ndërsa dyshimet e para janë për atë ndaj Veronës në janar 2024.

Çfarë rrezikon skuadra zikaltër? “Il Korriere dela Sera” bën një analizë të kësaj që po ndodh dhe thekson se nëse provohet nga Prokuroria që klubi zikaltër ka ndikuar tek shefi I arbitrave që të caktohen gjyqtarë të favorizuar prej tij, atëherë mund të ketë ndëshkim. Të mos harrojmë se disa vjet më parë Juventusit iu hoqën 10 pikë pasi u provua faji në mashtrime financiare me bilancin, që në Itali u quajtën “plusvalenca”./abcnews.al

Inter me vrap drejt titullit/ Cagliari mundet 3-0 në “San Siro”, pasi rezistoi një pjesë

18 April 2026 at 12:10

Tashmë askush nuk mund t’i ndalë. Yjet e ekipit më të mirë të Italisë, Interit, lanë pas një zhgënjim të futbollit të lavdishëm të kaltër, me eliminimin total nga kupat e Europës, duke treguar se jeta vazhdon.

Zikaltërit fituan 3-0 ndaj Kaljarit në stadiumin “San Siro”, duke u shkëputur në 12 pikë nga ndjekësja më e afërt, Napoli kampion në fuqi, i cili do ta luajë këtë të shtunë ndeshjen e javës së 33-të.

Kur duhen edhe 5 javë deri në përfundim, “skudeto” duket i qepur fort në fanelë.

Lombardët e trajnerit Kristian Kivu shpërthyen pas pushimit, pas një pjese të parë anonime.

E qartë se diferenca nga rivalët I bëri zikaltërit që ta merrnin lehtë. Në pjesën e dytë shënuan Markus Turam në 52’, Nikolo Barela në 56’ dhe polaku Piotr Zielinski në minutën e dytë shtesë.

Epërsia ishte e qartë dhe e padiskutueshme. Vendasit bënë 17 gjuajtje drejt portës kaljaritane, nga të cilët 5 në kuadrat, ndërsa miqtë nuk e gjetën kurrë portën dhe pse provuan 9 herë.

Fitore e merituar dhe kryesim i renditjes së Serisë A me 78 pikë ndaj 66 të Napolit, kur në dispozicion janë edhe 15 pikë gjithsej.

Interi e tregon klasin më të lartë se rivalët me 78 gola të shënuar, shumë më tepër se cilido kundërshtar, pasi napolitanët kanë vetëm 48 gola, Komo 57 e Juventus 55.

Asllani nuk “bind” Besiktas/ Mesfushori i Kombëtares pritet të rikthehet tek Inter në verë

10 April 2026 at 12:41

Deri në fund të sezonit mund të ndodhë gjithçka, por deri atëherë Kristjan Asllanit i duhet të bëjë “fenomenin” për të bindur Beshiktash të blejë kartonin e tij.

Vetëm në këtë mënyrë, mesfushori i kombëtares së Shqipërisë do të gjente qetësi për të ardhmen.

Por situate aktuale nuk është aspak në favor të tij, siç tregon edhe “La Gazzetta Dello Sport” në shkrimin kushtuar lojtarëve të huazuar të Inter dhe që në verë do të rikthehen në bazë.

Mes tyre është edhe Kristja Asllani, që sipas të përditëshmes prestigjoze nuk po arrin të ngjitet në pritshmëritë e mëdha që e kanë rrethuar prej vitesh.

Pas aventurës zhgënyese në pjesën e parë të sezonit me Torino, futbollisti i kombëtares së Shqipërisë u huazua për të dytën herë në janar te Besiktash.

Por paraqitjet e tij në tetë ndeshje nuk janë ngjitur asnjëherë mbi mesataren. Vetëm një asist është shumë për të bindur klubin turk të paguajë 12 milion euro, siç është rënë darkord më parë me Inter, për të blerë përfundimisht kartonin e tij.

E përditëshmja më e madhe sportive përtej Adriatikut e bën të sigurtë rikthimin e Asllanit te Inter në verë, por vetëm si tranzit.

Mesfushori nuk do të ketë sërish të ardhme te skuadra zikaltër, ndërsa klubi italian do të përpiqet të gjejë një tjetër sistemim për futbollistin, që këtë herë duhet të jetë përfundimtar.

Lautaro afron titullin/ Inter triumfon thellë falë kapitenit, Roma dorëzohet në Milano

By: Rovena
6 April 2026 at 10:56

A thua do t’i mbajnë nervat deri në fund?

Futbollistët e Interit lanë pas më në fund një periudhë të vështirë të sezonit, duke u kthyer te fitorja në Serinë A.

U desh të kaloheshin tri sfida, me një humbje e dy barazime, shto këtu edhe eliminimin e rëndë nga Championsi, dhe kjo tregon sesa i rëndësishëm ishte triumfi ndaj Romës.

Me të vërtetë një triumf, arritur me shifrat 5-2 dhe ndaj njërës prej skuadrave mëtë mirë të kampionatit.

Kapiteni Lautaro Martinez ishte udhëheqësi, ashtu siç I takonte, duke shënuar dy gola.

Sulmuesi argjentinas po shkon I sigurt drejt Këpucës së Artë, por më I rëndësishëm fakti që Interi po i afrohet fitores së “skudetos” duke pasur epërsi 9 pikë ndaj Milanit, edhe pse me një ndeshje më shumë.

“Skudeto është Lautaro, – titullon “La Gazeta delo Sport”, – Interi luan një ndeshje të madhe ndaj Romës. Ndihen ethet e titullit! Kapiteni mbron kryesimin!

“Il Korriere delo Sport” komenton: Shfaqje e Interit! Roma është shumë e thyeshme dhe bie! Kivu riniset dhe shkon në +9 ndaj Milanit!

Për zikaltërit shënuan edhe Çalhanoglu, Turam e Barela, ndërsa Romës nuk I mjaftuan Mançini e Pelegrini.

Skuadra e trajnerit Kristian Kivu e meritoi me epërsi në lojë, në zotërim topi, e në gjuajtje.

Pas 31 javëve, Interi ka 72 pikë dhe një golaverazh të shkëlqyer me 71 gola të shënuar e 26 të pësuar, shumë më të mirë të rivalëve, por fati I titullit mund të varet edhe nga derbi I sotëm mes Napolit e Milanit

Inter ka humbur “rrugën”/ Zikaltërit ndalen nga Fiorentina në Serinë A, krizë e plotë

23 March 2026 at 12:40

Media italiane e thonë saktë. Ky Inter sikur ka humbur, dhe ajo që dukej e sigurt tashmë është vënë fort në diskutim.

Barazimi 1-1 në fushën e Fiorentinës bëri që zikaltërit të jenë tani më pranë rivalëve që po fitojnë.

Milani është 6 pikë larg, dhe Napoli 7 pikë, ndërsa në Apenine thuhet se trajnerët Alegri e Konte janë mjeshtra për t’ia dalë kur gara është tepër e fortë në fund.

Edhe pse milanezët kaluan shpejt në epërsi, Espozito shënoi që në minutën e parë, sërish vendasit luajtën më mirë.

Fiorentina barazoi relativisht vonë, në 77’, por “vjollcët” patën 13 gjuajtje ndaj 9 të miqve, edhe goditjet në kuadrat ishin të barabarta, nga katër.

Mungesa e kapitenit dhe sulmuesit kryesor, Lautaro Martinez, po ndihet fort, ashtu si edhe lodhja.

Trajneri Kivu zëvendësoi pas pushimit radhazi yjet Çalhanoglu, Barela, Turam e Damfris, por asgjë nuk bëri punë.

“Interi ka humbur, – shkruan “La Gazeta delo Sport”, – Kivu nuk di më që të fitojë. Milani dhe Napoli besojnë. Turam është kthyer në çështje!”

“Il Korriere delo Sport” përdor fjalën fiorentine, “il braçino”, që ka kuptimin se vendasit ia hodhën zikaltërve, që tashmë janë në ankth!

Interi vazhdon të kryesojë Serinë A me 69 pikë kur duhen edhe 8 javë deri në përfundim, Milani ka 63 e Napoli 62, ndërsa pas pushimit do të vijë direkt ndeshja e ashpër ndaj Romës.

Inter pa rival në Itali/ Zikaltërit lenë pas zhgënjimin në Champions, sukses në ligë

1 March 2026 at 13:37

ITALI– E kemi thënë që ai që quhej dikur më I bukuri ka nevojë për një revolucion. Skuadrat e Serisë A nuk janë edhe aq në modë në Champions, ndonëse Interi është nënkampion në fuqi I kontinentit, dhe pikërisht zikaltërit patën nevojë për një sukses që të harronin atë që ndodhi në mesjavë.

Ekipi nga Lombardia e la pas më në fund eliminimin që në plej ofin e Ligës së Kampionëve, madje prej norvegjezëve modestë të Bodo Glimtit, duke fituar ndaj Xhenoas në kampionatin italian.

Në “San Siro”, në prani të një numri tepër të madh tifozësh, milanezët ia dolën me golat e shënuar nga Dimarko, lojtari I tyre më I mirë I momentit, dhe që doli më I miri I ndeshjes, si dhe nga Hakan Çalhanoglu me penallti.

I pari në pjesën e parë, ndërsa mesfushori veteran turk pas pushimit në 70’. Suksesi ishte I drejtë, pasi Interi bëri trefishin e gjuajtjeve gjithsej dhe pesëfishin e atyre në kuadratin e portës.

Edhe pse kritikat pas disfatës në Champions ishin të forta, trajneri Kristian Kivu nuk është dakord me trajtimin e të besuarve të tij dhe kërkoi më shumë respekt pas ndeshjes.

Kryesuesit e Serisë A mbajnë vendin e parë me 67 pikë, tepër të shkëputur nga ndjekësit, Milan e Napoli./abcnews.al

 

Inter ëndërron mrekullinë/ Skuadra zikaltër luan sonte ndeshjen e kthimit në Champions

By: Rovena
24 February 2026 at 12:36

Nëse ka një ekip që ia del, ky jemi ne.

Këto janë disa nga fjalët e trajnerit të Interit, Kristian Kivu, përpara përballjes vendimtare të sezonit sonte në Champions.

Skuadra zikaltër, edhe pse favorite, u mund me shifrat 3-1 në Norvegji nga Bodo Glimt, dhe tani do të duhet një ndeshje e madhe për t’u kualifikuar për në raundin e dytë, dhe për të mos rrezikuar sezonin.

Edhe pse lombardët janë në krye në Serinë A, dhe janë favoritë absolutë për të fituar “skudeton”, sërish Liga e Kampionëve është trofeu që synohet më shumë, si dhe mund të quhet “pata që bën vezët e arta”.

Sipas të përditshmes milaneze, “La Gazeta delo Sport”, Kivu do të bëjë pesë ndryshime në formacion.

Mungesa ka, dhe të rëndësishme si kapiteni Lautaro Martinez apo Damfris, ndërsa titullarë pritet të jenë Turam dhe Pio Espozito në sulm, Dimarko, Mkitarian, Zielinski, Barela e Luis Enrike në mesfushë si dhe Bastoni, Akanxhie Bisek në mbrojtje, me Zomerin në portë.

“Nxirrni golat, është thirrja pikërisht nga “La Gazeta delo Sport”, – Champions, Interi kërkon përmbysjen ndaj Bodos! Nga Dimarko tek Pio Espozito, ja kartat e Kivusë!”

Kivu deklaon se e respekton rivalin, por ka besim absolut tek skuadra dhe te kualifikimi, ndërsa kritikoi një gazetar që e cilësoi një turp humbjen në Norvegji.

Bodo ndërkaq ka ardhur me ide të qarta në “San Siro”, dhe nuk ka ndërmend të bëjë rolin e viktimës.

Trajneri Knutsen është I qetë sepse nuk pati ndeshje në kampionati në fundjavë dhe ekipi I tij është I freskët dhe nuk priten ndryshime në formacion.

Interi konsiderohet favorit për fitoren, ndonëse kualifikimi nuk do të jetë aspak I lehtë.

Inter vazhdon arratisjen/ Zikaltërit arrijnë fitoren e shtatë radhazi në kampionatin italian

By: Rovena
22 February 2026 at 12:57

Ende nuk ka përfunduar, por caku po dallohet qartë.

InteriiI trajnerit Kristian Kivu mund të jetë jo i denjë si pretendent I madh në Champions, por kur vjen puna tek Seria A, duket si padron.

Skuadra zikaltër, nën drejtimin e teknikut rumun, duhet më e vëmendshme dhe pa asnjë lëkundje në Itali, dhe po shpërblehet për këtë.

Suksesi 2-0 në Leçe ishte një tjetër hap i madh drejt titullit kampion, të cilin e ka merituar çdo vit që nga 2020-ta, por e ka fituar vetëm dy herë në 6 vjet.

Lombardët ia dolën në stadiumin “Via del Mare” me gola nga Mkitarian në 75’ dhe Akanxhi 8 minuta para fundit, pra pritën gjatë, por epërsia ishte e plotë.

Njëzetetre gjuajtje gjithsej dhe 8 në kuadrat, ndërsa vendasit nuk patën asnjë në portë.

“Interi merr arratinë, – shkruan “La Gazeta delo Sport”, – fluturon në +10 me fitoren e shtatë radhazi! Bie muri i Leçes!”

I njëjti refren edhe nga “Il Korriere delo Sport”: Arratisje e Interit! Kivu është në +10 nga Milani! Çështje e ritmit!”

Për puljezët në fushë si titullar dhe deri në fund ishte mesfushori kuqezi Ylber Ramadani, ndërsa Medon Berisha mbetet ende jashtë.

Inter kryeson Serinë A me 64 pikë kur duhen edhe 12 javë deri në fund, dhe rivalët Milan e Napoli janë larg.

Inter fitore dhe “luftë”/ Juventus mundet në sekondat e fundit, 3-2, në “San Siro”

15 February 2026 at 13:34

Ishte derbi edhe më shumë sesa vetëm për futboll.

Inter-Juventus është një nga tre sfidat e mëdha të futbollit italian, dhe njëra nga dy prej tyre që cilësohen “Derbi të Italisë”, dhe përveç spektaklit në fushë pati edhe konflikt të ashpër.

Interi fitoi 3-2 dhe u shkëput sërish në krye të Serisë A italiane, ndonëse Milani ka një ndeshje më pak, e shkaku I përplasjeve dhe polemikave ishte sërish arbitrimi.

Në rezultatin 1-1, Kalulu I Juves mori të verdhën e dytë për ndërhyrje ndaj Bastonit, pra u përjashtua me të kuq.

Pamjet filmike me ngadalësim tregojnë se prekja ishte fare e lehtë, thuajse nuk ekzistonte fare, por kartoni qendroi në fuqi, e miqtë luajtën me 10 lojtarë që nga minuta 42.

Pra më shumë se një pjesë loje, ndërsa protestat ishin të ashpra.

“La Gazeta delo Sport” sqaron se VAR-i nuk mund të ndërhynte në këtë rast, sepse kjo sipas rregullores ndodh vetëm kur ka karton të kuq direkt, jo për dy të verdha, diçka që pritet të ndryshojë.

“Arratisje Inter, acarim I Juves, – titullon kjo e përditshme, – arbitri La Pena gabon, I verdhi I dytë bardhezi nuk ekzistonte!”

Më i ashpër “Il Korriere delo Sport”: Dëm! Derbi I shkatërruar! Kalulu, një I kuq absurd! Interi mposht Juven! Komoli: Padrejtësi!”

Skuadra zikaltër e pati shumë të vështirë, edhe pse luajti në epërsi numerike për të paktën 48 minuta, dhe suksesin e arriti fare në fund.

Kambiaso shkaktoi autogol për 1-0 të vendasve, dhe po Kambiaso barazoi për “zebrat”.

Pas pushimit, pranë fundit erdhën golat e tjerë, Espozito për Interin në 76’ e Lokateli për barazimin e dytë në 83’.

Polaku Zielinski shënoi në minutën e 90-të duke vendosur një ndeshje tepër të fortë në stadiumin “San Siro”.

Pas këtij suksesi, Interi kryeson Serinë A me 61 pikë ndaj 53 të Milanit, por rivalët kanë luajtur një ndeshje më pak.

 

Inter nuk fal as në Kupë/ Zikaltërit kualifikohen në gjysmëfinalen e kompeticionit

5 February 2026 at 13:08

Habia e parë ishte se përse shkuan në një stadium tjetër.

Interi e kishte në shtëpi ndeshjen çerekfinale të Kupës së Italisë ndaj Torinos, por ajo nuk u luajt në “San Siro”, veçse në Monzë.

Çfarë ndodhi?

Arsyeja është e thjeshtë dhe e rëndësishme, në impiantin legjendar të Milanos do të mbahet këtë të premte ceremonia e hapjes së Lojrave Olimpike Dimërore, ndaj edhe nuk mund të luhej futboll.

Interi gjithsesi nuk e vuajti aq shumë këtë zhvendosje, duke fituar 2-1 e duke kaluar në gjysmëfinale.

Trajneri Kristian Kivu bëri ndryshime të rëndësishme në formacion, dhe nuk kishte si ndodhte ndryshe për shkak të ngarkesës së madhe sezonale në Serinë A dhe në Champions, plus Superkupën e Italisë dhe Kupën e Botës për Klubet që në verë.

Vetëm të tillë si Mkitarian, Açerbi apo Turam ishin ndër titullarët e aktivizuar.

Golat u shënuan nga Boni në pjesën e parë dhe Diuf menjëherë pas pushimit, ndërsa për Torinon realizoi sulmuesi kroat I ardhur tani në janar, Sandro Kulenoviç.

Interi kërkon Kupën e 10-të të Italisë, ndërsa për herë të fundit fitoi në 2023, dhe pret rivalët në gjysmëfinale.

Sonte do të luhen sfidat Atalanta-Juventus, Napoli-Komo dhe Bolonja-Lacio./abcnews.al

Inter, fitore me kapsolla/ Zikaltërit arrijnë fitoren e katërt radhazi në ligën italiane

2 February 2026 at 11:49

Mund të kishte përfunduar shumë keq. Interi rrezikonte ta humbiste në tavolinë ndeshjen e Serisë A në fushën e Kremonezes, dhe paradoksalisht duhet të falenderojë portierin kundërshtar.

Sapo kishte nisur pjesa e dytë, kur një kapsollë apo thjesht një mjet piroteknik u lëshua nga tribuna prapa portës drejt Emil Auderos.

Numri 1 i vendasve pati probleme në vesh dhe në këmbë, por me ndershmërinë absolute vazhdoi ndeshjen.

Nëse do të kishte kërkuar zëvendësimin, zikaltërit rrezikonin humbjen 3-0 në tavolinë.

Këtë shkruan edhe “La Gazeta delo Sport”.

“Interi arratiset dhe falenderon Auderon, – është titulli I saj, – fluturon në +8, një veprim I çmendur I një ultrasi zikaltër!”

Tashmë, pritet që klubi lombard të dënonet me gjobë 50 000 euro ose më shumë, dhe që të të mbyllet tribuna e tifozëve ultras.

Njeriu që bëri këtë veprim u arrestuar ndërsa kishte humbur tre gishta në përpjekje për të hedhur një kapsollë tjetër.

Duke u kthyer tek ndeshja, Interi ia doli me meritë 2-0 dhe ka nisur një shkëputje në krye të renditjes.

Kapiteni Lautaro Martinez që në 16’ dhe polaku Piotr Zielinski në 31’ I dhanë epërsinë që në pjesën e parë dhe suksesi nuk u vu në diskutim.

Kjo, edhe pse Kremoneze u përpoq të tregohej e rrezikshme në momente të caktuara, por Interi ishte shumë më I fortë dhe më I talentuar.

Zikaltërit kryesojnë Serinë A me 55 pikë ndaj 47 të Milanit, por që do të luajë këtë të martë ndaj Bolonjës.

Inter sfidon “murin e verdhë”/ Champions, zikaltërit do të luajnë sonte në ferrin e Dortmund

28 January 2026 at 12:31

Do të jetë një finale, e sërish mund të mos mjaftojë. Dortmund-Inter është një nga ndeshjet me më shumë tension dhe emocion sonte në Champions, ndërsa dy skuadrave u duhet vetëm fitorja.

Gjithsesi, asnjëra prej tyre nuk e ka fatin në dorën e saj. Dortmund është në vendin e 16-të dhe një sukses mundet edhe t’i sigurojë një vend në 8 të parat, pra ta kualifikojë direkt, ndërsa humbja mund ta eliminojë.

Verdhezinjtë kanë mungesa si mesfushorin Zabicer si dhe mbrojtësin Zyle, të cilët janë të dëmtuar, ndërsa mbrojtësi i krahut Svenson është i pezulluar. Trajneri Niko Kovaç ka besim, edhe pse forma e ekipit nuk ka qenë e qendrueshme, as në Ligën e Kampionëve dhe as në Bundesligë.

Edhe Interi ka problemet e veta. Trajneri Kristian Kivu do të duhet të bëjë pa mesfushorët e rëndësishëm Barela e Çalhanoglu, ashtu si edhe pa mbrojtësin holandez Damfris, që është jashtë prej shumë kohësh.

Titullarë në mesfushë priten Sucic, Zielinski dhe Mkitarian, në portë Zomer edhe pse I kritikuar, ndërsa në sulm janë yjet në formë si kapiteni Lautaro Martinez dhe Markus Turam.

Për zikaltërit gjithashtu duhet fitorja për të shmangur plej ofin, por gjithsesi ata nuk kanë rrezik eliminimi. Bilanci total është lehtësisht në favor të italianëve, me dy fitore, një barazim e një humbje, por këtë rast vlen më shumë ajo që ka ndodhur në Gjermani.

Borusia fitoi sfidën e fundit mes tyre në fushën e vet, 3-2 në 2019, ndërsa shumë herët, në 1964, në ish-stadiumin “Vestfalenshtadion” dueli përfundoi 2-2./abcnews.al

Inter, një “tërmet me 6 ballë”/ Zikaltërit arrijnë përmbysje në “San Siro”, dorëzohet Pisa

24 January 2026 at 15:04

Ja edhe një tjetër çmenduri. Interi u çuditshëm nuk zhgënjen kurrë, dhe në nisje të kësaj fundjave bëri një autokritikë sipas mënyrës së tij.

Humbja në shtëpi me shifrat 3-1 ndaj Arsenalit në Champions, u harrua ose të paktën kështu pretendohet, dhe tifozët u kënaqën me suksesin 6-2 ndaj Pizës.

U kënaqën në fund, sepse skuadra e tyre I bëri fillimisht me zemër, siç ndodh jo rrallë.

Toskanët kryesuan 2-0 pas gabimeve të portierit Zomer, dhe golave të shënuar nga Moreo në vetëm 23’.

Po kaq i rrufeshëm edhe reagimi, pasi Federiko Dimarko hyri në fushë në vend të Luis Henrikes.

Zielinski me penallti, Lautaro Martinez dhe Pio Espozito përmbysën rezultatin përpara pushimit.

U desh të pritej gjatë në pjesën e dytë, por pas 82’ epërsia zikaltër dha fryte.

Shënuan Dimarko, Boni dhe Mkitarian.

“La Gazeta delo Sport” përcjell autokritikën e trajnerit Kivu për gabimet e portierit Zomer: E kam fajin unë me kërkesat për të!

E përditshmja lavdëron dyshen Pio Espozito-Lautaro, ndërsa shkruan se tek Interi ka një problem Luis Henrike, brazilianin e braktisi edhe tekniku I tij.

“Il Korriere delo Sport” ngre në qiell Dimarkon, duke e quajtur udhëheqësin e kësaj skuadre: Hyn dhe transformon Interin, gol dhe dy asistë!

Interi për momentin është shkëputur 6 pikë në krye të Serisë A, me 52 ndaj 46, ndonëse Milani nuk ka luajtur ende për këtë javë.

Vlen të theksohet se zikaltërit shënojnë shum, 50 rrjeta në 22 ndeshje, shumë më tepër se kuqezinjtë që janë në kuotën 34.

Arsenal, Zot në “San Siro”/ Inter merr një leksion anglez në fushën e tij në Champions

21 January 2026 at 12:48

Sërish është një skuadër angleze që po dominon. Nëse vjet ishte Liverpuli që arriti fitore pas fitoreje në fazën e grupit në Champions, stafetën këtë sezon e ka Arsenali.

Skuadra londineze, që po shkëlqen në çdo konkurrim, pasi arriti suksesin e shtatë radhazi, këtë herë në “San Siro”. Pasi mundën Bajernin në “Emirejts”, “topçinjtë” shkatërruan Interin në “San Siro” me shifrat 3-1.

Në një ndeshje të fortë, ku italianët nuk është se u dorëzuan, vendosi ritmi më i lartë i anglezëve. Gabriel Zhezus shënoi dy gola, për avantazhin 1-0 dhe pastaj 2-1, duke bërë të pavlefshme rrjetën nga kroati i ri, Petar Suçiç.

Sulmuesi hungarez, Viktor Gjëkeresh vulosi sfidën gjashtë minuta para fundit. Statistikat janë aty-aty në gjithçka, në gjuajtje në total e në kuadrat, në zotërim topi dhe në numër pasimesh, por Arsenali ishte më I rrufeshëm, pra më I rrezikshëm.

Kjo ishte disfata e tretë radhazi në Ligën e Kampionëve, pas atyre në Madrid ndaj Atletikos dhe në Milano kundër Liverpulit. “La Gazeta delo Sport” komenton: Interi nuk mjafton! Champions, Arseali shënon 3, e vështirë për në të tetat e finaleve!

Po ashtu, e përditshmja raporton fjalët e trajnerit Kivu që thekson se Arsenali pati nivel të çmendur, dhe se një ritëm i tillë nuk ekziston në Itali. “Oh Jezus”, – është titulli në “Il Korriere delo Sport”, që bën lojë fjalësh me mbiemrin e sulmuesit brazilian që shënoi dy gola: Zhgënjim në Champions!

Nga Anglia, “Deili Meil” shkruan se Topçinjtë e pathyeshëm bënë detyrën dhe u konfirmuan si favoritët në Ligën e Kampionëve! Arsenal kryeson renditjen me 7 fitore radhazi, pra me 21 pikë të plota, ndërsa për momentin është jashtë zonës që të kualifikon direkt, në vendin e 9-të dhe mund të zbresë edhe më poshtë.  Tashmë duhet fitore në Dortmund, por italianët nuk e kanë fatin në duart e tyre.

Një “finale” në Milano/ Inter-Arsenal është dueli kryesor i sfidave të xhiros së shtatë

20 January 2026 at 12:56

Nuk është ajo klasikja e madhe europiane. Gjithsesi, një Inter-Arsenal është një sfidë e shkëlqyer e Championsit dhe në “San Siro” sonte pritet një spektakël.

Dy skuadra që janë në formë shumë të mirë në kampionatet e tyre kanë krijuar një histori të bukur me disa rezultate të shënuara.

Nuk harrohet triumfi i madh i londinezëve në Milano, me shifrat 5-1, nën udhëheqjen dhe golat e legjendës franceze Tieri Henri, të francezit tjetër Pire, apo të yjeve si Edu dhe Ljungberg.

Gjithsesi, sezonin e kaluar, Interi fitoi minimalisht 1-0, falë një goli shënuar me penallti nga Hakan Çalhanoglu.

Për fat të keq, lombardët nuk do ta kenë mesfushorin e fortë turk, që është I dëmtuar.

Bashkë me të edhe mbrojtësi holandez i krahut, Damfris, ndonëse kjo nuk e ka penguar skuadrën e trajnerit Kristian Kivu që të ketë një seri shumë të mirë në Serinë A, të cilën edhe e kryeson.

“La Gazeta delo Sport” mezi e pret ndeshjen: Ethe për 90 minuta! Champions, Interi ndaj Arsenalit për një mbrëmje të madhe!

Po “topçinjtë”?

Anglezët cilësohen favoritë për fitore ndonëse luajnë jashtë fushe, por gjithsesi parashikimet nuk I japin avantazh të madh.

Trajneri Mikel Arteta ka vetëm dy mungesa, italianin Kalafiori dhe Piero Hinkapinë, pa llogaritur Maks Doumanin.

Tifozët mund të kenë besim pasi idhujt e tyre po shkëlqejnë në çdo konkurrim.

Ata kryesojnë Premier Ligën, janë pranë finales së Kupës së Ligës në Angli, dhe kryesojnë Championsin me 18 pikë të plota, pra me 6 fitore në gjashtë ndeshje, ndërsa Interi është në vend të 6-të me 12 pikë./abcnews.al

Inter, me ritëm titulli/ Zikaltërit ia dalin në Udine, për momentin Milan 6 pikë prapa

18 January 2026 at 14:42

Ka vetëm një ndalesë në gati 3 muaj. Interi po e tregon veten si skuadra më e kompletuar dhe më e fortë në Serinë A, dhe suksesi në fushën e Udinezes konfirmoi momentin pozitiv.

Janë 8 fitore në 9 ndeshje që nga 23 nëntori kur u pësua humbja në derbi përballë Milanit.

Nga ajo kohë, vetëm Napoli e ka bllokuar në një barazim 2-2 në “San Siro” pak ditë më parë.

Në stadiumin “Friuli”, zikaltërit dominuan dhe nuk e vunë në dyshim epërsinë e tyre, edhe pse shënuan vetëm një gol, duke humbur shumë raste.

Lautaro Martinez realizoi shpejt, që në 20’, me topin të shërbyer nga talenti I ri Pio Espozito.

“Lautaro këndon, – titullon “La Gazeta delo Sport”, – kapiteni godet me asist nga Pio, Interi në +6! Kryesuesit dominojnë, 8 fitore në 9 të fundit në Serinë A! Të martën vjen Arsenali!”

Natyrisht, ky Inter nuk është pa probleme.

E ka pasur shumë të vështirë ndaj rivalëve direktë si Juventus, Milan apo Napoli, si edhe kundër Liverpulit apo Atletikos në Champions, dhe humbi një ndeshje që vlente titull në gjysmëfinalen e Superkupës ndaj Bolonjës.

Trajneri Kristian Kivu, më I miri I muajit të fundit në Serinë A, e di se ka ende shumë për të bërë, por duket se personaliteti I tij po e ndihmon skuadrën zikaltër që të shkojë drejt trofeve.

Inter kryeson Serinë A me 49 pikë ndaj 43 të Milanit që luan sonte në “San Siro” ndaj Leçes.

❌