Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 9 January 2026Abc News

Zyrtarët amerikanë ‘zbarkojnë’ në Venezuelë për herë të parë që nga kapja e Maduros

By: Rovena
9 January 2026 at 19:43

Një ekip i Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara, i përbërë nga personel diplomatik dhe i sigurisë, ka udhëtuar sot drejt kryeqytetit të Venezuelës, Karakas.

Kjo është vizita e parë e tillë që nga kapja e presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, dhe shënon një hap të rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve, raporton skynews.

Sipas një zëdhënësi të Departamentit të Shtetit, qëndrimi i ekipit në Karakas ka për qëllim vlerësimin e mundësisë për rifillimin e operacioneve të ambasadës amerikane në vend.

Kjo lëvizje tregon një interes të SHBA-së për të rishikuar praninë diplomatike dhe për të vlerësuar situatën politike dhe të sigurisë në vend.

Departamenti i Shtetit kishte urdhëruar largimin e stafit të ambasadës amerikane nga Venezuela në vitin 2019, për shkak të tensioneve të thella politike dhe sfidave të sigurisë. Që nga ajo kohë, lidhja diplomatike mes dy vendeve ka qenë minimale, dhe kjo vizitë mund të jetë një shenjë e hapjes së mundshme të një dialogu më të drejtpërdrejtë.

Ndërkohë, Venezuela njoftoi të premten fillimin e një “procesi diplomatik eksplorues” me Shtetet e Bashkuara.

Ministria e jashtme tha se procesi synon “rivendosjen e misioneve diplomatike në të dy vendet,” si dhe adresimin e pasojave të asaj që e përshkruan si “agresion dhe rrëmbim” të presidentit Nicolás Maduro dhe gruas së tij, Cilia Flores.

CNN raportoi fillimisht për këtë zhvillim, duke theksuar rëndësinë e vizitës si një moment historik në marrëdhëniet SHBA-Venezuelë

Edhe djemtë, vaksinë për HPV/ ISHP: Edhe djemtë 13 vjeç vaksinohen, virusi transmetohet seksualisht

By: Rovena
9 January 2026 at 19:35

Nga janari, jo vetëm femrat, por, edhe meshkujt e moshës 13 vjeçare po aplikojnë vaksinën kundër Human Papilloma Virus. Ky virus njihet për  shkaktarin e kancerit të qafës së mitrës tek vajzat dhe gratë, por, nuk duhet të harrojmë që edhe meshkujt janë bartës dhe transmetues të këtij virusi, i cili kalohet nga njëri tek tjetri nëpërmjet kontaktit seksual, duke shkaktuar disa lloje të kancerit të lidhura me HPV-në.

“Papiloma virus është e dëmshme jo vetëm te vajza, por dhe te djemtë. Të djemtë shkakton probleme serioze duke shkaktuar në disa raste kancer të organeve gjenitale, një organ të traktit urogenital, kancer të faringit, domethënë dhe ata kanë shumë pasoja nga Human Papiloma virus”, tha Rovena Daja, Epidemiologe, ISHP.

Vaksina është fare e lehtë për tu gjendur, merret falas në çdo Qendër Shëndetësore. Sipas epidemiologes, Rovena Daja, prindërit janë informuar përmes fushatave sensibilizuese, por edhe në mënyrë direkte.

“Ne kemi të regjistruar të gjithë fëmijët që janë aktualisht deri në moshën 20 vjeç dhe numrat e telefonit të njërit prej prindërve shkon mesazhi në telefon ku informohet paraprakisht që fëmija juaj duhet të aplikojë aktualisht vaksinën ndaj HPV-së e cila aplikohet në moshën 13 vjeç dhe ky mesazh ju shkon prindërve si për djemtë ashtu edhe për vajzat”, shtoi epidemiologia.

Dozat e vaksinës për mbulimin e mbi 18 mijë djemve që këtë vit mbushin 13 vjeç janë shpërndarë tashmë në qendrat shëndetësore në të gjithë vendin.

Prej 4 vitesh në vend po aplikohet vaksina kundër HPV-së me detyrim tek vajzat e moshës 13 vjeçe, dhe sipas Institutit të Shëndetit Publik, janë vaksinuar në total rreth 46 mijë vajza kundër Human Papilloma Virus.

FOTOLAJM/ Spektakli i qiellit në Mbretërinë e Bashkuar, zbulohet shkaku i ‘pelerinës rozë’ në horizont

9 January 2026 at 19:34

Një qiell me ngjyrë rozë misterioze është vërejtur në mbrëmje në rajonin West Midlands të Anglisë, në kohën kur reshje të dendura bore zbardhën vendin si pasojë e stuhisë Goretti.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale nxitën spekulime se fenomeni mund të ishte një perëndim i pazakontë dielli ose madje shfaqja e Dritave Veriore. Megjithatë, shpjegimi rezultoi shumë më i thjeshtë.

Sipas autoriteteve dhe mediave britanike, burimi i ndriçimit rozë ishin dritat e përdorura në fushën e stadiumit të Birmingham City, të cilat ndihmojnë rritjen dhe rikuperimin e barit. Një fenomen i ngjashëm ishte raportuar edhe nga Hednesford Town Football Club, i cili sqaroi se dritat LED të stadiumit krijojnë këtë efekt vizual.

Eksperti shpjegoi se mbulimi i dendur i reve dhe reshjet e borës e bëjnë qiellin më reflektues, duke pasqyruar ndriçimin nga burimet e afërta dhe duke krijuar këtë pamje të pazakontë.

Tregu i punës në SHBA ngadalësohet ndjeshëm në 2025, punësimi në nivelin më të ulët që nga pandemia

9 January 2026 at 19:19

Krijimi i vendeve të reja të punës në Shtetet e Bashkuara ka shënuar një rënie të ndjeshme gjatë vitit 2025, duke regjistruar ritmin më të ulët që nga viti 2020, kur pandemia e Covid-19 tronditi ekonominë globale. Të dhënat e fundit të Departamentit Amerikan të Punës tregojnë se punësimi u rrit vetëm në mënyrë modeste në muajin dhjetor, duke reflektuar një vit të vështirë për tregun e punës në ekonominë më të madhe në botë.

Sipas raportit zyrtar, punëdhënësit amerikanë shtuan vetëm 50 mijë vende të reja pune në dhjetor, një shifër dukshëm më e ulët se pritshmëritë e analistëve. Megjithatë, norma e papunësisë pësoi një rënie të lehtë, duke zbritur në 4.4%, nga 4.5% që ishte në muajin nëntor.

Në total, fitimet në punësim gjatë vitit 2025 rezultuan më të ulëtat që nga viti 2020, kur shpërthimi i pandemisë solli humbje masive të vendeve të punës. Mesatarisht, SHBA krijoi vetëm 49 mijë vende pune në muaj gjatë 2025, një rënie drastike krahasuar me vitin pararendës, kur vlerësohej se krijoheshin rreth 2 milionë vende pune në muaj.

Departamenti i Punës gjithashtu rishikoi në ulje të dhënat për muajt tetor dhe nëntor, duke njoftuar se ekonomia amerikane kishte krijuar 76 mijë vende pune më pak sesa ishte raportuar fillimisht për këto dy muaj.

Ngadalësimi i punësimit po ndodh në një klimë ekonomike të ndikuar nga ndryshime të forta politike. Bizneset amerikane kanë operuar gjatë vitit nën efektet e politikave të reja të presidentit Donald Trump, përfshirë vendosjen e tarifave tregtare, shtrëngimin e politikave të emigracionit dhe uljen e shpenzimeve qeveritare. Pavarësisht këtyre ndryshimeve, ekonomia amerikane ka treguar rezistencë, duke u rritur me një normë vjetore prej 4.3% në tre muajt deri në shtator, e nxitur nga konsumi i qëndrueshëm dhe rritja e eksporteve.

Megjithatë, kjo rritje ekonomike nuk është shoqëruar me rritje të ndjeshme të punësimit. Sektorë si tregtia me pakicë dhe industria përpunuese raportuan humbje të vendeve të punës në dhjetor, ndërsa këto rënie u kompensuan pjesërisht nga punësimet në shëndetësi, bare dhe restorante.

Të dhënat pasqyrojnë një situatë të përzier për punëkërkuesit në SHBA: nga njëra anë, ritmi i punësimit është ftohur ndjeshëm gjatë vitit të kaluar, por nga ana tjetër, frika për pushime masive nga puna nuk është materializuar.

Në përgjigje të këtij ngadalësimi, Rezerva Federale e SHBA-së ka ndërhyrë duke ulur normën bazë të interesit për të stimuluar ekonominë. Banka qendrore i uli normat tre herë gjatë vitit të kaluar, duke filluar nga shtatori, pavarësisht shqetësimeve se inflacioni vazhdon të mbetet i lartë. Aktualisht, norma bazë e interesit qëndron rreth 3.6%, niveli më i ulët në tre vitet e fundit.

Megjithatë, brenda Rezervës Federale ka ndarje mendimesh se deri ku duhet të shkojnë uljet e mëtejshme të normave. Analistët vlerësojnë se të dhënat e fundit për tregun e punës nuk ofrojnë ende një drejtim të qartë për politikëbërësit.

“Raporti i sotëm konfirmon atë që është bërë e dukshme prej kohësh: tregu i punës nuk po funksionon më në favor të punëkërkuesve”, u shpreh Ellen Zentner, kryestrategjiste ekonomike në Morgan Stanley Wealth Management. Ajo shtoi se, deri sa të ketë sinjale më të qarta nga të dhënat ekonomike, Rezerva Federale ka gjasa të mbetet e ndarë në qëndrime, ndërsa ulje të tjera të normave pritet të ndodhin gjatë këtij viti, por jo pa durim nga tregjet.  / abcnews.al /

“Forcat e Xhenios në terren pas reshjeve”, Rama: Po ndërhyjmë në zonat problematike

By: Rovena
9 January 2026 at 19:15

Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet e tij sociale disa foto nga terreni, ku tregon angazhimin e forcave të Batalionit të Xhenios në zonat e prekura nga reshjet e dendura të shiut.

Në postimin e tij, Rama shkruan se në Gjirokastër, Kurbin dhe në të gjitha zonat ku situata e reshjeve ka shkaktuar problematika, forcat dhe mjetet e Batalionit të Xhenios janë në ndërhyrje të vazhdueshme. Sipas tij, po punohet për pastrimin e rrugëkalimeve të bllokuara si dhe për rregullimin e shtratit të lumenjve, me qëllim normalizimin e situatës dhe parandalimin e rrezikut për banorët.

Autoritetet vijojnë të jenë në gatishmëri.

 

VIDEO/ Stuhia e fuqishme përfshin Turqinë, kamioni rrëzohet në mes të rrugës

By: Rovena
9 January 2026 at 19:08

Një stuhi e fuqishme ka përshkuar këto ditë Turqinë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe kaos në shumë rajone.

Erërat e forta kanë përmbysur kamionë dhe automjete të mëdha në rrugë, ndërsa janë dëmtuar edhe çatitë e ndërtesave.

Përveç dëmeve në tokë, kushtet në det janë jashtëzakonisht të rrezikshme. Valët e larta dhe erërat e forta kanë shkaktuar kaos në portet bregdetare, duke vështirësuar lundrimin e anijeve dhe operacionet detare.

Autoritetet lokale kanë paralajmëruar qytetarët të shmangin udhëtimet e panevojshme dhe të marrin masa kujdesi për sigurinë personale.

🇹🇷 A powerful storm is raging in Turkey — strong winds are overturning trucks and tearing roofs off buildings

There is chaos at the piers as well, with violent conditions at sea. https://t.co/nDj2G4ND2M pic.twitter.com/24rRUmbe0g

— NEXTA (@nexta_tv) January 9, 2026

 

Stuhia, që konsiderohet një nga më të fuqishmet në vitet e fundit në vend, ka nxitur ndërhyrjen e ekipeve emergjente për të ndihmuar personat e prekur dhe për të siguruar rrugët dhe zonat më të rrezikuara. Rreziqet kryesore mbeten përmbytjet, rrëshqitjet e dheut dhe dëmet në infrastrukturën publike.

Qytetarët janë të paralajmëruar të jenë vigjilentë dhe të ndjekin njoftimet e autoriteteve përpara, gjatë dhe pas kalimit të stuhisë.

SPAK çon Becin për gjykim/ Bashkiaku i Shkodrës nën akuzë, si ish drejtor i KESH

By: Rovena
9 January 2026 at 18:50

SPAK ka dërguar për gjykim dosjen në ngarkim të kryebashkiakut të Shkodrës Benet Beci dhe ndaj 6 zyrtarëve të tjerë, të akuzuar për shkelje të barazisë në tendera. Kryebashkiaku Beci akuzohet nga SPAK se gjatë kohës që drejtonte Korporatën Elektroenergjitike Shqiptare se ka shkelur ligjin në tenderin për “Zhvillimin strategjik të sektorit energjetik” në vitin 2019.

I pandehuri Benet Beci, në detyrën e Administratorit të Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare sh.a., në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, në bashkëpunim me anëtarët e njësisë së prokurimit, kanë paracaktuar dhe krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për shoqërinë fituese të kësaj procedure prokurimi.

6 të pandehurit e tjerë kanë qenë anëtarë të njësisë së prokurimit dhe të komisionit të vlerësimit të ofertave, të cilët akuzohen se paracaktuan dhe krijuan avantazhe për shoqërinë fituese të tenderit.
Benet Beci, Adela Ruko, Edlira Mitrushi, Jonid Kazani, Yllka Nishku, Premtim Dauti, Rudin Gjoni
SPAK i komunikoi mbylljen e hetimeve kryebashkiakut të Shkodrës më 19 dhjetor 2025, ndaj tij u regjistrua procedim penal për shkelje e barazisë në tendera apo ankande publike, kryer në bashkëpunim, më 23 tetor të vitit 2024.
Hetimet nisën pas zbërthimit të telefonit të ish-drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberit, ku u zbuluan biseda kompromentuese për abuzimin me këtë tender. Benet Beci është hetuar në gjendje të lirë, teksa veprën penale, thotë SPAK, e ka kryer në kohën kur ka mbajtur detyrën e titullarit të KESH (Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare).

Tryeza e revolucionit portokalli/ Mungojnë partitë e reja, por jo ambiciet për qeveri teknike

By: Rovena
9 January 2026 at 18:50

Tryeza opozitare u mblodh, të rinjtë nuk erdhën, por Berisha shpejt i zëvendësoi me të vjetër. Dasmë nuk pati, por gaz dhe hare po.

Në vend Shehajt, erdhi Ermal Hasimja. Me kushte dhe kritika.

“Le të ndryshojë ndryshimin e Kodit zgjedhor që do të çonte në eliminimin e këtyre partive të vogla.”

Por Berisha e trajtoi Hasimen, si dikur ish këshilltarin e vet.

“Ka ndonjë që preferon të jetë opozitë e opozitës, por opozita e opozitës është patericë e qeverisë”

Në vend të TIkut ne bulevard, erdhi Binaj nga Syri TV. Kandidati i pavarur i Tiranës, nuk priti radhën për të folur. Kishte punë më të rëndësishme.

“Më falni, a mund ta marr fjalën unë, se duhet të marr fëmijën nga shkolla. Do ju harxhoj 30 sekonda. Jemi sharë mjaftueshëm, o duhet të merremi vesh, o mos qahemi pastaj. Më falni që po iki.”

Pas ikjes se parakohshme nga Shqipëria te Lea Ypit, në tryezën u vu re një radhë e gjatë pretendentësh për qeverinë teknike, mes propozimeve për greva e demonstrate. Por Berisha ua frenoi pak entuziazmin dhe korrigjoi shenjestren.

“Iu bëj thirrje qytetarëve, kudo që të shihni ministra, i gjuani me vezë ose domate. Ne jemi forca politike opozitare, nuk vijmë në pushtet me dhunë.”

Kurse sa përtej oqeanit, edhe Berisha është bindur se Tramp nuk ka kohë të arrestojë Ramën.

“Ideja se mund të vijnë të na e heqin nga jashtë është e gabuar.”

Por këto janë punë konservatorësh, ndaj dhe u desh ndërhyrja e Kujtim Gjuzit.

“Se po thuhet këtu që PD s’ka marrëdhënie me ndërkombëtarët, prisni, ne këtu kemi zv.presidentin e CDI”> sigurisht e kishte fjalën për doktorin.

Por jo vetëm Gjuzi: gara brenda opozitës për poste në qeverinë teknike ishte aq e ethshme, sa tryeza doli jashtë kontrollit.

“Unë jam kryetari i Kuvendit të Veriut, më vjen keq që shoh këtu opozitarë që kanë 3 ditë shohin për kollaren më të bukur që do vijnë.”

“Ju lutem, kemi ardhur këtu për të folur me radhë, apo do flasë ky gjithë kohën”

“Zonjë, të lutem, a ma jep dot fjalën, sepse po shkon vetëm majtas, jemi dhe ne djathtas”

 

 

“I bindem vetëm moralit tim”/ Trump: Nuk kam nevojë për ligjin ndërkombëtar

9 January 2026 at 18:22

Nuk ka asgjë që mund ta ndalojë Donald Trump, e madje as ligji ndërkombëtar.

I pyetur në një intervistë për Nju Jork Times, nëse ka ndonjë kufizim në fuqitë e tij globale, Trump e bëri të qartë se ai vepron si dëshiron.

“Morali im, mendja ime është e vetmja gjë që mund të më ndalojë. Nuk kam nevojë për ligjin ndërkombëtar”, tha Trump.

Kur u pyet më tej nëse administrata e tij duhej t’i përmbahej ligjit ndërkombëtar, Trump tha po, por e bëri të qartë se ai vetë është arbitri kur kufizime të tilla zbatohen për shtetet e bashkuara.

Kreu I shtëpisë së bardhë nuk hoqi dorë as nga ambicia e tij për të marrë Groenlandën.

Ai madje pranoi se kjo situatë mund të çojë në një moment në një zgjedhje, mes NATO-s ose ishullit në kontroll të Danimarkës.

Trump përsëriti se Groenlanda është shumë e rendësishme për Shtetet e Bashkuara dhe pronësia e saj është psikologjikisht e nevojshme për sukses.

Qeveritë e Danimarkës dhe të Groenlandës i hedhin poshtë propozimet e Trump për të blerë ose pushtuar ishullin.

Kryeministrja daneze Frederiksen tha javë se një përpjekje ushtarake për të pushtuar Groenlandën do të shënonte fundin e NATO.

Vende europiane si Franca, Gjerania, Spanja, Italia apo Mbretëria e Bashkuar e kanë bërë të qartë se Groenlanda I përket vetëm popullit të saj. Kryeministrja italiane Georgia Meloni theksoi se Trump nuk do te ndërhyjë usharakisht në ishull, por nëse e bën, ajo nuk do e mbështesë.

“Nuk ka probleme në infrastrukturë”/ Përmbytjet, kryetarja e Vlorës: Dalim në terren për vlerësimin e dëmeve

By: Rovena
9 January 2026 at 18:21

Kryetarja e Bashkisë së Vlorës, Brunilda Mersini, ka bërë të ditur se situata në qytetin e Vlorës po shkon drejt normalizimit pas përmbytjeve që kanë prekur zonën për të katërtën ditë radhazi. Në një komunikim për “Tirana Live” në ABC News, ajo theksoi se zona më problematike ka qenë Bishani, por se në orët e fundit niveli i ujit është tërhequr ndjeshëm.

Sipas saj, të gjitha strukturat janë angazhuar në terren, ndërsa evakuimi i banorëve të fshatit Novoselë është kryer me sukses falë bashkëpunimit të shpejtë të komunitetit. Mersini bëri me dije se infrastruktura nuk ka pësuar dëme, por ka ankesa nga fermerët dhe bizneset për humbje të shkaktuara nga përmbytjet, të cilat do të vlerësohen në ditët në vijim.

“Ka qenë problematike zona e Bishanit, por para pak minuatash kemi parë që uji është tërhequr shumë. Të gjitha strukturat janë të gjitha në terren. Falenderoj shumë banorët e fshatit Novoselë pasi u janë përgjigjur në kohë rekord thirrjeve tona për evakuim.  Infrastruktura nuk ka pësuar dëme. Bashkia e Vlorës ka një strukturë të posaçme për situatat e emergjencës.

Kemi ankesa edhe nga fermerët dhe bizneset që kanë dëme nga përmbytjet. Në ditët në vijim do të jemi në terren për vlerësimin e dëmeve. Kjo është retorikë politike, që duhet të jemi solidarë, nuk bëhet politikë me natyrën”, tha Mersini.

Zjarr në depon e “Comodita Home”/ Gjilan, autoritetet: Ende nuk është zbuluar shkaku i flakëve

By: Rovena
9 January 2026 at 17:58

Një nga depot e fabrikës Comodita Home në Gjilan është përfshirë nga flakët pasditen e së enjtes. Vetë kompania njoftoj se fatmirësisht punëtorët janë evakuuar me kohë dhe nuk ka asnjë të lënduar.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë ekipet policore dhe njësitë e zjarrfikësve, në përpjekje për ta lokalizuar zjarrin.

Aktualisht, ende nuk janë konstatuar shkaqet e ndezjes së zjarrit dhe nuk mund të përllogaritet vlera e dëmit material.

Comodita Home është një nga kompanitë më të mëdha që opërojnë brenda territorit të Kosovës, por tregu i saj është ndërkombëtar.

Kalon rreziku në Kosovë/ Autoritetet: Klina dhe Drini i Bardhë në pikën kritike

By: Rovena
9 January 2026 at 17:52

Në shumicën e komunave të prekura nga përmbytjet në Kosovë rreziku ka kaluar, megjithatë në komunën e Klinës ka ende monitorim të situatës.

Sipas autoriteteve lokale, Klina dhe Drini i Bardhë janë në nivele maksimale.

Një ditë më parë situata u komplikua në Mitrovicën e Jugut, ku lumi Sitnica doli nga shtrati dhe detyroj evakuimin e dhjetëra familjeve të lagjes “2 korriku”.

Janë gjithsej 22 familje që janë të prekura nga vërshimet në këtë komunë, ndërsa të evokuarit kanë gjetur strehim te të afërmit e tyre.

Brigada e Zjarrfikësve në Mitrovicë të Jugut, ka bërë të ditur se situata në këtë pjesë të qytetit mbetet e vështirë, pasi uji ka përfshirë pothuajse gjithë zonën.

Një nga komunat e para të prekura nga përmbytjet, Malisheva, tani ka filluar të bej një bilancin e dëmeve në banesa, toka bujqësore dhe biznese, ndërsa nuk është më aktive gjendja e emergjencës dhe situatës së jashtëzakonshme.

Në Malishevë dhe Drenas është ngritur tashmë Komisioni për Vlerësimin e Dëmeve, ndërsa ndaj qytetarëve është bërë edhe ftesë që të parashtrojnë vet dëmet në Zyrat e Pritjes së Komunave.

Thirrje të njëjtë ka bërë edhe Komuna e Rahovecit. Sipas njoftimit, qytetarët duhet t’i raportojnë dëmet deri më 14 janar.

Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave ka njoftuar se situata me vërshimet në Kosovë ka shënuar përmirësim pas ndërprerjes së reshjeve të shiut dhe fillimit të reshjeve të borës.

Me gjithë përmirësimin e situatës me lumenj, reshjet e borës dhe ngricat të shoqëruara me temperatura të ulëta kanë shkaktuar vështirësi në qarkullim rrugor, por edhe të qytetarëve.

Disa prej tyre janë ankuar për mospastrim të rrugëve dhe të trotuareve me kohë, sidomos në Prishtinë.

Me gjithë problemet, autoritetet përgjegjëse kanë thënë se rrugët nacionale dhe ato rajonale janë duke u mirëmbajtur dhe janë të kalueshme.

Trump: Mes NATO-s dhe Groenlandës, mund të ketë ‘një zgjedhje’!

9 January 2026 at 17:48

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se mund të ketë një zgjedhje mes ndjekjes së kontrollit mbi Grenlandën dhe ruajtjes së aleancës së NATO-s, duke sugjeruar se pa udhëheqjen e Uashingtonit, aleanca do të ishte e pafuqishme.

Në një intervistë për The New York Times, Trump pohoi gjithashtu se morali i tij personal është kufizimi i vetëm real në përdorimin e autoritetit ushtarak global të Shteteve të Bashkuara, duke minimizuar rolin e ligjit ndërkombëtar në formësimin e veprimeve amerikane.

Deklaratat e tij kanë nxitur reagime dhe debate mbi angazhimin e SHBA-së ndaj NATO-s dhe rendit ndërkombëtar.

Përmbytjet, ferri i Ferrasit/ Fier, në 20 shtëpi të fshatit uji shkatërroi gjithçka

By: Rovena
9 January 2026 at 17:46

Banorët e Ferrasit prej tre ditësh kanë fjetur ku të munden larg banesave të tyre, tek fqinjët, të afërmit apo edhe në makina.

Dëmet janë të mëdha. Kamera e Abc News Shoqëroi banorë të zonë brenda shtëpive të përmbytura.

Edhe pse uji i Vjosës është tërhequr në shtrati, shenjat dhe dëmet që la pas janë të dukshme. Banoret kanë shpëtuar bagëtinë dhe ato pak sende që kanë mundur duke i nxjerrë në rrugë.

Ndërkohë në disa zona sipas banorëve uji ka arritur deri në afro dy metra. Ata thonë se në afërsi të autostradës Vlorë-Levan, është krijuar efekti i hinkës pasi është ngushtuar shtrati i lumit Vjosa.

Në Ferras përllogariten të paktën 70 banesa që janë prekur nga përmbytjet ndërsa 20 prej tyre uji ka shkatërruar gjithçka. Emergjencat civile vazhdojnë të jenë në terren. Ndërkohë strukturat vendore pritet te nisin edhe përllogaritjet e dëmeve.

13 të vdekur nga sulmet izraelite në Gazë, Trumpi pritet ta shpallë Bordin e Paqes

By: Rovena
9 January 2026 at 16:53

Të paktën 13 persona janë vrarë nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës, sipas zyrtarëve shëndetësorë, ndërkohë që presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pritet të shpallë krijimin e Bordit të Paqes për ta mbikëqyrur armëpushimin e brishtë.

Zyrtarët shëndetësorë dhe familjarët e viktimave thanë se në mesin e të vrarëve është të paktën një fëmijë. Sulmet ndodhën në veri të Gazës dhe në zonat lindore të qytetit të Gazës. Të 13 viktimat u raportuan të enjten vonë, raporton AP.

Ushtria izraelite deklaroi të premten se kishte goditur infrastrukturë të Hamasit dhe luftëtarë në jug dhe veri të Gazës, si përgjigje ndaj një rakete të lëshuar nga militantët nga zona e qytetit të Gazës, e cila dështoi.

Armëpushimi me faza mes Izraelit dhe Hamasit ndodhet ende në fazën fillestare, ndërsa po vazhdojnë përpjekjet për të gjetur mbetjet e pengut të fundit izraelit në Gaza.

Zyrtarë amerikanë thanë se presidenti Trump pritet të shpallë javën e ardhshme emërimet në Bordin e Paqes, të cilin ai ka deklaruar se do ta drejtojë vetë. Ky hap konsiderohet i rëndësishëm për planin e tij të paqes për Lindjen e Mesme. Megjithatë, procesi ka përparuar ngadalë që nga hyrja në fuqi e armëpushimit, rreth tre muaj më parë.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu tha të enjten se diplomati bullgar Nikollaj Mlladenov do të jetë drejtori i përgjithshëm i bordit.

Mlladenov ka qenë ministër i mbrojtjes dhe i jashtëm i Bullgarisë dhe ka shërbyer si i dërguar i OKB-së në Irak, si dhe si i dërguar i posaçëm i OKB-së për procesin e paqes në Lindjen e Mesme nga viti 2015 deri në vitin 2020.

Gjatë kësaj periudhe, ai kishte marrëdhënie të mira pune me Izraelin dhe shpesh ndërmjetësonte për të ulur tensionet mes Izraelit dhe Hamasit.

Sipas planit të Trumpit, Bordi i Paqes do të mbikëqyrë krijimin e një qeverie teknokrate palestineze, çarmatimin e Hamasit, vendosjen e një force ndërkombëtare sigurie, tërheqje të mëtejshme të trupave izraelite dhe rindërtimin e Gazës. Deri më tani, SHBA-ja ka raportuar pak përparim në këto drejtime.

❌
❌