Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 24 December 2025Abc News

Kievi zbulon planin me 20 pika/ Eksperti: Ukraina kërkon garanci. Interesi më i madh i Rusisë integrimi në arenën europiane

By: Rovena
24 December 2025 at 21:50

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Andi Hoxhaj, pedagog në King’s College, tha se rruga drejt paqes në Ukrainë është më afër se kurrë, duke theksuar se vendi pritet të mos preket territoriallisht dhe kjo përbën një zhvillim pozitiv si për Ukrainën ashtu edhe për presidentin Volodymyr Zelensky.

I ftuar në emisionin “War Report” në ABC News, Hoxhaj nënvizoi se integrimi i Ukrainës në Bashkimin Europian deri në vitin 2028 shihet si një garanci alternative sigurie, në një kohë kur disa vende të BE-së kundërshtojnë anëtarësimin e saj në NATO, ndërsa garancia paqeruajtëse pritet të mbështetet nga Europa me SHBA-në në rolin e monitoruesit.

Thuhet që Ukraina nuk do të preket dhe kjo është diçka pozitive si për vendin ashtu edhe për Zelenskyn. Ukraina ka kërkuar gjithmonë që të ketë garanci në NATO, shikohet që Ukraina të bëhet pjesë e BE brenda vitit 2028 dhe kjo mund të jetë një garanci për të mbajtur Ukrainën.

Plani është goxha i qartë, ku thuhet se garancia paqeruajtëse do jetë nga europianët, kurse SHBA do jetë monitorues. Interesi më i madh i Rusisë është që të marrë një pjesë të atyre tokave që synon. Shumë vende të Bashkimit Europian janë shprehur kundër anëtarësimit të Ukrainës në NATO. Rusia ka objektiva të tjera, jo vetëm Ukrainën, do që të integrohet përsëri në arenën europiane.

Mendoj që rruga drejt paqes është shumë afër. Kjo është pjesë e një lojë të madhe gjeopolitike, që palët kërkojnë ta zgjidhin paqen në pak muaj”, tha Andi Hoxhaj.

Belgjika bashkohet me Afrikën e Jugut në rastin e gjenocidit kundër Izraelit në GJND

By: Re Nato
24 December 2025 at 21:31

Belgjika ka depozituar zyrtarisht një deklaratë ndërhyrjeje në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) në rastin që Afrika e Jugut ka ngritur kundër Izraelit për shkelje të Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit në Gaza.

Gjykata konfirmoi të martën se Belgjika ka dorëzuar deklaratën më 23 dhjetor, duke u mbështetur në Nenin 63 të Statutit të ICJ-së. Para Belgjikës, në këtë rast janë bashkuar tashmë vende të tjera si Brazili, Kolumbia, Irlanda, Meksika, Spanja dhe Turqia. Neni 63 garanton të drejtën e shteteve anëtare të një konvente për të ndërhyrë në çështje që lidhen me interpretimin e saj.

Belgjika theksoi se ndërhyrja e saj fokusohet tek Nenet I deri VI të Konventës së Gjenocidit, me vëmendje të veçantë tek Neni II, i cili lidhet me interpretimin e “qëllimit të veçantë” të kërkuar për qëllimin gjenocidal.

Gjykata ka ftuar Afrikën e Jugut dhe Izraelin që të dorëzojnë shqyrtime të shkruara mbi ndërhyrjen e Belgjikës, në përputhje me Nenin 83 të Rregullave të Gjykatës.

Afrika e Jugut ngriti çështjen kundër Izraelit më 29 dhjetor 2023, duke e akuzuar për shkelje të detyrimeve sipas Konventës së Gjenocidit në veprimet e tij ndaj palestinezëve në Gaza. Që nga ajo kohë, gjykata ka dhënë një sërë masash të përkohshme që urdhërojnë Izraelin të marrë hapa për të parandaluar aktet e gjenocidit.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, me seli në Hagë, është organi kryesor gjyqësor i OKB-së dhe gjykon mosmarrëveshjet ligjore midis shteteve.

“Ukraina fitues dhe humbës i madh”/ Prenga: Zelensky të pranojë humbjen e vogël, për të kursyer…

By: Rovena
24 December 2025 at 21:31

Gjenerali Dede Prenga, i ftuar në emisionin “War Report” në ABC News, ka komentuar zhvillimet e fundit të luftës në Ukrainë, duke theksuar se situata aktuale e vendit përfaqëson njëkohësisht një fitore dhe një humbje të madhe.

Sipas tij, çdo përpjekje drejt ndaljes së luftimeve do të thotë jetë të kursyera, si në front ashtu edhe mes civilëve, ndërsa paralajmëroi se mesazhet pesimiste mund të ndikojnë negativisht në moralin e ushtarëve. Prenga vlerësoi reagimin e presidentit Volodymyr Zelensky si pozitiv në kushtet e presionit të shtuar, por nënvizoi se një marrëveshje eventuale do të përbënte përfitim të padrejtë për Rusinë, në një kohë kur presionet ruse janë intensifikuar si në vijën e frontit, ashtu edhe në thellësi të territorit ukrainas.

Ai shtoi se Bashkimi Europian nuk është aktualisht në pozicion për të luajtur një rol vendimtar, duke theksuar nevojën për trysni më të madhe nga BE dhe SHBA për të shmangur humbje më të mëdha.

“Unë dua të besoj dhe të theksoj me forcë, se Ukraina në këtë rast është fitues i madh, por edhe humbës i madh. Fitorja do të thotë jetë të kursyera jo vetëm në frontin e luftës, por edhe në jetë të pafajshme. Nuk duhet të jepen lajme të tilla sepse jep motiv negativ në ushtarët në vijën e frontit. Unë e shikoj si një reagim pozitiv të Zelenskyt, në pozicionin mes presionit që ndodhet. Finalizimin e një marrëveshjeje unë e shikoj si një përfitim të padrejtë nga pala ruse.

Janë intensifikuar presionet në thellësi, por edhe në vijën e frontit të luftës nga ana ruse. BE për fat të keq nuk është në pozitë për të luajtur rol vendimtar. Në këto kushte do të thoja që BE dhe SHBA duhet të ushtrojë trysni dhe Zelensky duhet të pranojë një humbje të vogël, për të kursyer një humbje të madhe”, tha Dede Prenga./abcnews.al

SHBA-ja i jep më shumë kohë NIS-it serb për t’i shitur aksionet shumicë ruse

By: Rovena
24 December 2025 at 21:14

Zyra amerikane për Kontrollin e Pasurive të Huaja ia ka lëshuar një licencë Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), duke zgjatur afatin e bisedimeve për shitjen e aksioneve të Rusisë në këtë kompani serbe deri më 24 mars 2026.

Televizioni shtetëror i Serbisë, RTS, raportoi të mërkurën se vendimi i OFAC-t, megjithatë, nuk e autorizon NIS-in të punojë gjatë bisedimeve për ta gjetur një pronar të ri.

Duke e komentuar lajmin, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha se për vendin e tij nuk do të thotë asgjë që pronarit rus i është dhënë afat shtesë.

“Derivatet janë të rëndësishme për ne”, tha Vuçiç.

Ai theksoi se për shkak të sanksioneve të SHBA-së ndaj NIS-it, Serbia është e detyruar të importojë sasi të mëdha karburanti çdo ditë dhe se problemi i furnizimit me energji duhet të zgjidhet shpejt.

Për shkak të pamundësisë për të importuar naftë të papërpunuar, Rafineria e Pançevës, e vetmja në vend dhe objekti më i rëndësishëm në pronësi të NIS-it, u mbyll më 2 dhjetor.

Qeveria serbe, e cila zotëron pak më pak se një të tretën e aksioneve në NIS, nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment në lidhje me lejen e OFAC-ut NIS-in të mërkurën. Kompania ruse Gazprom Neft zotëron 44.9 për qind të NIS-it dhe Gazprom 11.3 për qind.

Qeveria e Serbisë zotëron 29.9 për qind, ndërsa pjesa e mbetur u përket aksionarëve të vegjël dhe punonjësve. Zbatimi i sanksioneve amerikane ndaj NIS-it filloi më 9 tetor me qëllim që Rusia, siç njoftoi Uashingtoni, të mos jetë në gjendje t’i përdorë të ardhurave nga energjia për luftën në Ukrainë. SHBA-ja i ka kërkuar NIS-it ta largojë pronësinë ruse, nëse dëshiron t’i hiqen sanksionet.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha ditë më parë se Gazprom Neft kishte investuar më shumë se tre miliardë dollarë në NIS dhe se po zhvillohej një dialog me Serbinë për të zgjidhur problemet e kompanisë.

Zyrtarët hungarezë dhe serbë kanë thënë në muajt e fundit se MOL i Hungarisë dhe ADNOC nga Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) janë të interesuara ta blejnë NIS-in. Grupi MOL dhe ADNOC nuk iu përgjigjën një pyetjeje nga Radio Evropa e Lirë në lidhje me blerjen e mundshme të NIS-it. Industria Serbe e Naftës iu shit Gazpromit në janar 2008, si pjesë e marrëveshjes ndërqeveritare ruso-serbe për bashkëpunim në industrinë e naftës dhe gazit, për 400 milionë euro./REL

OBSH: Një e treta e vdekjeve nga lëndimet në Europë lidhen me alkoolin

By: Re Nato
24 December 2025 at 20:57

Sipas një raporti të Organizata Botërore e Shëndetësisë, rreth një e treta e vdekjeve nga lëndimet në Europë lidhen drejtpërdrejt me konsumin e alkoolit.

OBSH e cilëson këtë një problem serioz të shëndetit publik, pasi alkooli dëmton gjykimin dhe koordinimin, duke rritur rrezikun për aksidente, dhunë dhe dëmtime të tjera.

Të dhënat tregojnë se ndikimi i alkoolit është i përhapur në të gjitha vendet europiane dhe prek të gjitha grupmoshat. Megjithatë, të rinjtë dhe burrat rezultojnë të prekur në mënyrë disproporcionale nga vdekjet dhe lëndimet e lidhura me alkoolin.

Masat parandaluese të rekomanduara nga OBSH

OBSH nënvizon nevojën për ndërhyrje të forta dhe të qëndrueshme, mes tyre:

Kufizime më të rrepta për disponueshmërinë dhe shitjen e alkoolit;

Fushata informuese dhe ndërgjegjësuese për rreziqet e konsumit;

Ndërhyrje të synuara për grupet me rrezik të lartë;

Forcim të kontrollit rrugor dhe zbatimit të ligjit kundër drejtimit të mjetit nën ndikimin e alkoolit.

Kosto sociale dhe ekonomike

Raporti vë në dukje edhe kostot e larta sociale dhe ekonomike të keqpërdorimit të alkoolit. Lëndimet e lidhura me të rëndojnë sistemet shëndetësore, shërbimet e emergjencës, zbatimin e ligjit dhe shërbimet sociale.

Në përfundim, OBSH bën thirrje për politika të koordinuara në nivel kombëtar dhe rajonal, me qëllim uljen e dëmeve dhe parandalimin e humbjes së jetëve të shmangshme nga incidentet e lidhura me alkoolin.

Vuçiç: Kam pritur më shumë nga Trump

By: Re Nato
24 December 2025 at 20:37

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë të mërkurën se Beogradi kishte pritur hapa të mëdhenj përpara nga administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, por se deri një ndikim i tillë nuk është ndier.

“Kur flasim edhe për tarifat, kur flasim për sanksionet ndaj NIS-it, asgjë nga këto nuk ka qenë në dobi të interesave të Serbisë. Njëkohësisht, kur u përballëm me çaste të vështira, nuk e morëm atë mbështetje as nga fuqitë e tjera të mëdha, as nga Lindja, as nga BE-ja”, tha Vuçiç në hapjen e Konferencës së Ambasadorëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Beograd.

Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione në tetor ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), kompanisë kryesore të naftës dhe gazit në Serbi, për shkak të pronësisë ruse.

Nga ana tjetër, Rusia nuk ka treguar gatishmëri për t’i shitur aksionet e saj shumicë në NIS, në mënyrë që ta bëjë të mundur heqjen e sanksioneve dhe ta ndihmojë Serbinë ta shmangë një krizë gazi.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha ditë më parë se Moska “ka ide” se si NIS-i mund të dalë nga kriza, por nuk dha hollësi.

Sa i përket tarifave amerikane mbi produktet e huaja, të cilat Trumpi i vendosi në prill të vitit 2025, nga shtetet e Ballkanit Perëndimor më e goditura është Serbia.

Tarifat doganore të SHBA-së për Serbinë që nga ajo kohë janë 37 për qind, ose dy për qind më të larta se tarifat e reja doganore të vendosura për produktet nga Bosnja.

Tragjedia ajrore në Turqi, autoritetet përjashtojnë sabotimin: Dyshohet për defekt teknik

By: Rovena
24 December 2025 at 20:19

Shefi i Shtabit të Ushtrisë libiane, Mohammed Ali Ahmed al-Haddad, së bashku me shtatë persona të tjerë, përfshirë zyrtarë libianë dhe pjesëtarë të ekuipazhit, kanë humbur jetën në një aksident ajror pranë kryeqytetit turk, Ankara, njoftoi kryeministri libian, Abdul Hamid Dbeibeh.

Komunikimi me aeroplanin që transportonte delegacionin libian u humb pak pas ngritjes nga Aeroporti Esenboga i Ankarasë, me destinacion Tripolin. Sipas ministrit turk të Brendshëm, Ali Yerlikaya, mbetjet e avionit janë gjetur rreth dy kilometra në jug të fshatit Kesikkavak, në rajonin Haymana.

Avioni ishte një Falcon 50 me numër 9H-DFJ dhe pak para zhdukjes nga radarët ishte bërë një kërkesë për ulje emergjente, pa mundur të ristabillohej komunikimi.

Një zyrtar turk deklaroi për Al Jazeera se hetimet e para përjashtojnë çdo sabotim, dhe shkaku i aksidentit dyshohet të jetë defekt teknik.

Al-Haddad ishte shef i Shtabit të Ushtrisë libiane që nga shtatori 2020, emëruar nga Fayez Al Serraj, dhe konsiderohej një nga figurat më të rëndësishme ushtarake të qeverisë së Tripolit.

Ai kishte lidhje të ngushta me Turqinë, duke përfshirë vizita në anije lufte turke dhe marrëveshje të përbashkëta ushtarake.

Në vitin 2023 nënshkroi një marrëveshje me Italinë për trajnimin e forcave speciale libiane, ndërsa në 2024 u takua me drejtuesit e Africom për të diskutuar mbështetjen e unifikimit të ushtrisë libiane dhe forcimin e sigurisë kufitare.

Shpërthim dramatik i vullkanit Kīlauea Hawaii, lava ngrihet qindra metra në ajër

By: Rovena
24 December 2025 at 19:55

“Shatërvanë spektakolarë” lave të ndezur shpërthyen nga vullkani Kīlauea në Hawaii të martën, më 23 dhjetor.

Sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së (USGS), lava nga gryka jugore u ngrit deri në 420 metra në ajër, ndërsa nga gryka veriore arriti rreth 280 metra.

Ngjarja u klasifikua si Episodi 39 i aktivitetit vullkanik. Shpërthimi përfundoi papritur më 24 dhjetor, pas gati gjashtë orësh aktivitet të pandërprerë.

Gjatë kësaj kohe, vlerësohet se u hodhën rreth 10 milionë metra kub lavë.

Kīlauea është një nga vullkanet më aktivë në botë dhe po përjeton një periudhë shpërthimesh që ka rreth një vit që vazhdon.

Merz: Gjermania e angazhuar që paqja dhe siguria të mbizotërojnë në Evropë

By: Re Nato
24 December 2025 at 19:49

Kancelari gjerman Friedrich Merz nënvizoi angazhimin e qeverisë së tij për të siguruar që paqja dhe siguria të mbizotërojnë në Evropë, në mesazhin e tij video të Krishtlindjeve.

“Në këto muaj dhe vite, bëhet fjalë për paqen, për sigurinë dhe për prosperitetin e të gjithë kontinentit tonë”, tha Merz, i cili është shfaqur si një mbështetës i flaktë i Ukrainës.

“Në këtë frymë, ne ndihemi të përkushtuar ndaj Gjermanisë dhe Evropës. Varet nga ne”, shtoi ai.

Qeveria do të bëjë detyrën e saj dhe do të punojë me durim dhe këmbëngulje për të çuar përpara interesat e Gjermanisë, tha ai.

Në fjalimin e tij që zgjati pak më shumë se dy minuta, Merz u kthye pas në një vit plot ngjarje që e pa të merrte drejtimin e ekonomisë më të madhe të Evropës pas zgjedhjeve të shkurtit.

Kancelari, i cili udhëheq një qeveri koalicioni të përbërë nga blloku i tij konservator dhe Social Demokratët, pranoi se arritja e kompromisit nuk ka qenë gjithmonë e lehtë.

“Pati diskutime dhe jo gjithçka shkoi plotësisht mirë”, theksoi ai.

Shumë vendime sapo kanë filluar të zbatohen ose do të hyjnë në fuqi në planin afatgjatë, tha ai.

“Na duhet durim dhe këmbëngulje, po aq sa edhe shtysa për të vazhduar të vendosim më të mirën për vendin tonë çdo ditë”, tha Merz.

Arrestohet ambasadori i Polonisë në Francë

By: Re Nato
24 December 2025 at 19:35

Ambasadori i Polonisë në Francë është shkarkuar nga posti i tij, në pritje të rezultateve të një hetimi ndaj tij për “ndikim të pahijshëm” që përfshin një institucion që jepte diploma të falsifikuara.

Jan Emerick Rosyszewski, ambasador në Paris që nga viti 2022, u arrestua të martën me të mbërritur në Aeroportin Frederic Chopin të Varshavës dhe dha një deklaratë para hetuesve nga Byroja Qendrore Kundër Korrupsionit (CBA), sipas gazetës online Goniec.pl.

“Ministri (i Jashtëm) Radoslaw Sikorski ka vendosur ta shkarkojë atë nga detyrat e tij derisa të sqarohen dyshimet” rreth përfshirjes së tij në këtë rast, tha një zëdhënës i ministrisë për agjencinë e lajmeve PAP. Ndërkohë, zëvendësi i Rociszewski-t, Wieslaw Tarka, po merr detyrën e kreut të misionit diplomatik të Polonisë në Paris.

Përveç diplomatit, çështja përfshin zyrtarë të lartë qeveritarë dhe ish-deputetë nga partia konservatore Ligj dhe Drejtësi (PiS).

Të dyshuarit besohet se kanë marrë pjesë ose kanë përfituar nga dhënia e diplomave MBA (Master në Administrim Biznesi) nga një universitet privat i themeluar nga njëri prej tyre. Qëllimi ishte t’u mundësohej mbajtësve të këtyre diplomave të emëroheshin në pozicione kyçe në shërbimin publik.

Ambasadori mohon çdo përfshirje në mashtrim.

Sipas CV-së së tij zyrtare, ai studioi në Varshavë, Lublin, Poloni, dhe në Institutin e Studimeve Politike të Parisit, dhe zotëron një “MBA Ekzekutive”. Në të kaluarën, ai ka mbajtur pozicione të larta në shumë banka, kompani sigurimesh dhe shërbime financiare, duke përfshirë AXA dhe BNP Paribas. Ai ishte gjithashtu nënkryetar dhe më pas kryetar i bordit të drejtorëve të bankës polake PKO Bank Polski.

VIDEO/ Përfshihet nga flakët një banesë në Vlorë

By: Rovena
24 December 2025 at 19:06

Një banesë është përfshirë nga flakët në zonën e Plazhit të Vjetër. Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat kanë ndërhyrë për shuarjen e zjarrit dhe parandalimin e përhapjes së tij në banesat përreth.

Fatmirësisht, nga ngjarja nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Shkaqet e rënies së zjarrit mbeten ende të paqarta dhe pritet një verifikim i mëtejshëm nga autoritetet përkatëse.

Tragjedi me emigrantët në Mesdhe/ Mbytet anija në ujërat e Tunizisë, humbin jetën 116 refugjatë nga Libia

By: Re Nato
24 December 2025 at 19:04

Një tjetër ngjarje dramatike ka tronditur Mesdheun qendror, ku dyshohet se të paktën 116 emigrantë kanë humbur jetën pas fundosjes së varkes me të cilin po udhëtonin drejt Europës. Informacioni është konfirmuar nga organizata humanitare Sea Watch.

Sipas të dhënave paraprake, nga kjo tragjedi ka shpëtuar vetëm një person, i cili është gjetur dhe shpëtuar nga një anije peshkimi nga Tunizia. Mjeti lundrues ishte nisur të enjten nga brigjet e Libisë, por pak pas largimit kishte dërguar një sinjal emergjence SOS.

Avioni i vëzhgimit Seabird, i angazhuar në monitorimin e itinerareve të emigrantëve në Mesdhe, nuk arriti të gjurmonte mjetin, çka ngriti dyshime të hershme se anija mund të ishte mbytur.

Ndërkohë, organizata Alarm Phone ka bërë një rindërtim të detajuar të ngjarjes, duke sqaruar se mbytja dyshohet të ketë ndodhur gjatë natës së 19 dhjetorit. Sipas tyre, rreth orës 14:00, organizata u informua për një varkë që ishte nisur nga qyteti libian Zuwara, me 117 persona në bord. Edhe pse mungonte një koordinatë GPS, Alarm Phone njoftoi menjëherë rojën bregdetare dhe organizatat joqeveritare përkatëse, ndërsa gjatë gjithë ditës u tentua pa sukses vendosja e kontaktit përmes një telefoni satelitor.

Pas dy ditësh, në mbrëmjen e 21 dhjetorit, Alarm Phone u informua se peshkatarë tunizianë kishin gjetur një burrë të vetëm në një varkë druri. Ai ka deklaruar se ishte nisur nga Zuwara dy ditë më parë dhe se ishte i vetmi i mbijetuar nga udhëtimi.Sipas dëshmisë së tij, vetëm disa orë pas nisjes, kushtet atmosferike u përkeqësuan ndjeshëm, me erëra që arritën shpejtësinë deri në 40 kilometra në orë.

Vitet e fundit, qindra njerëz kanë humbur jetën në Detin Mesdhe gjatë përpjekjeve për të mbërritur në Evropë me mjete të pasigurta, duke shtuar thirrjet e organizatave humanitare për bashkërendim më të fortë të operacioneve të shpëtimit dhe krijimin e rrugëve më të sigurta te migrimit.

“PD nuk motivon më”/ Artur Nura: Berisha si “aktor i serialeve turq”, vazhdon me moralin e vjetër

By: Rovena
24 December 2025 at 18:38

Analisti pranë ABC News, Artur Nura, ka komentuar zhvillimet në Partinë Demokratike gjatë emisionit “Tirana Live”, duke e krahasuar qasjen politike të Sali Berishës me një “serial turk” me motive të përsëritura dhe pa risi.

Sipas Nurës, Berisha nuk po arrin të sjellë figura të reja apo të motivojë elektoratin, ndërsa protestat e organizuara prej tij i cilëson modeste dhe pa ndikim.

Ai theksoi se interesat personale dhe përplasjet e brendshme po ndikojnë në strategjinë e opozitës, duke shtuar se raporti i Berishës me PD-në dhe qëndrimi i tij ndaj drejtësisë lidhen më shumë me ruajtjen e kontrollit mbi partinë sesa me synimin për të marrë pushtetin.

“Berishën e shikoj gjatë gjithë kohës me një film serial turk, në një kohë të caktuar me të njëjtat gjëra. Serial turk, me motive të vjetra dhe që nuk sjell asgjë. Me një protestë modeste të organizuar. Berisha nuk sjell më personazhe të rinj, nuk motivon më. Është vetëm një kafshë politike e PD. Berisha nuk ka mungesë koherence, por fërkim interesash, i intereson që të jetë në krye të PD.

Në mënyrë racionale flet për korrupsionin, organizon protesta. Ka një mungesë morali. PD-në e ka si një pronë të tij, sepse duke shkuar në proceset penale si lider i opozitës, kjo intereson atij, duke mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj drejtësisë, kjo i intereson Berishës jo që të marrë pushtetin. Salianji është pasqyra që i tregon Berishës ku ka qenë, kjo e shqetëson Berishën sepse i prish strategjinë e mbajtjes së opozitës, të PD-së. Salianji di të përballet me militantët dhe të mbledhë njerëz njësoj si Berisha”, tha Nura.

VIDEO/ Pamje spektakolare, shpërthen vullkani Kilauea në Hawaii

By: Re Nato
24 December 2025 at 18:32

“Shatërvanë spektakolarë” lave të ndezur shpërthyen nga vullkani Kīlauea në Hawaii të martën, më 23 dhjetor.

Sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së (USGS), lava nga gryka jugore u ngrit deri në 420 metra në ajër, ndërsa nga gryka veriore arriti rreth 280 metra.

On the first anniversary of the start of the current summit eruption (Episode 1), lava is fountaining once again at Kīlauea (Hawaiʻi ) — Episode 39 has begun!

The episode began at about 8:10 p.m. HST. Both the north and south vent are fountaining. As of about 8:45 p.m., lava… pic.twitter.com/kxO7Lf7NsI

— USGS Volcanoes🌋 (@USGSVolcanoes) December 24, 2025

Ngjarja u klasifikua si Episodi 39 i aktivitetit vullkanik.

BREAKING: Episode 39 of Kilauea’s ongoing eruption has begun. 😍 pic.twitter.com/PumM5qQMz0

— Volcaholic 🌋 (@volcaholic1) December 24, 2025

Shpërthimi përfundoi papritur më 24 dhjetor, pas gati gjashtë orësh aktivitet të pandërprerë.

Gjatë kësaj kohe, vlerësohet se u hodhën rreth 10 milionë metra kub lavë.

Kīlauea është një nga vullkanet më aktivë në botë dhe po përjeton një periudhë shpërthimesh që ka rreth një vit që vazhdon.

Kimioterapia në spitale rajonale/ Rama takon paciente në Onkologjik: Nuk do vijnë të gjithë në QSUT

By: Rovena
24 December 2025 at 18:18

Pacientët me kancer nuk do e marrin shërbimin e Kimioterapisë vetëm tek Onkologjiku por edhe në spitalet rajonale.

Gjatë një takimi në prag të festave me pacientë, mjekë dhe infermierë, kreu i qeverisë, nënvizoi rritjen e buxhetit me 50 milionë euro më shumë për shëndetësinë, ku një fond i posaçëm shkon për barnat onkologjike.

Kreu i qeverisë premtoi rritje të pagave për bluzat e bardha si dhe përfshirjen e inteligjencës artificiale në proceset e trajtimit të pacientëve.

Më herët, Rama inspektoi dhe kantieret e hapura në Qendrën Spitalore Nënë Tereza. Spitali i Kardiologjisë do të hapet në muajin mars ndërsa së shpejti do të nisë puna ndërtimin nga e para të pediatrisë infektive.

Kurse parkingu i ri prej 1400 vendesh, që përfshin platformë për uljen e helikopterëve të emergjencës apo ashensor për ambulancat do të hapet në shtator të vitit të ardhshëm.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit tërhiqet nga premtimi për të ndërtuar vendbanime në Gaza

By: Rovena
24 December 2025 at 17:47

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, u tërhoq nga një premtim të martën se Izraeli do të krijonte vendbanime në Gaza, pas kritikave se deklarata shkon kundër planit të paqes të udhëhequr nga SHBA-të për Rripin e Gazës.

Duke folur në një vendbanim izraelit në Bregun Perëndimor, Katz tha se “me ndihmën e Zotit”, Izraeli do të krijojë grupe pionierësh në Gazën veriore “në vend të vendbanimeve që u evakuuan”.

“Ne do ta bëjmë këtë në mënyrën e duhur, në kohën e duhur”, shtoi ai.

Videoja u përhap në mediat sociale dhe u kritikua gjerësisht. Orë më vonë, zyra e Katz lëshoi një deklaratë duke sqaruar se komenti i tij ishte bërë në një “kontekst sigurie”, duke përsëritur se Izraeli “nuk ka ndërmend të krijojë vendbanime në Rripin e Gazës”.

Deklarata e Katz bie ndesh me planin 20-pikësh të armëpushimit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe komentet e mëparshme nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili ka përjashtuar vazhdimisht pushtimin e Gazës. Ndërkohë, plani i armëpushimit i ndërmjetësuar nga SHBA-ja, kërkon tërheqjen pothuajse totale të forcave izraelite dhe nuk përmend vendbanimet izraelite në enklavë.

Një zyrtar amerikan që foli në kushte anonimiteti dënoi deklaratën e Katz: “Sa më shumë provokon Izraeli, aq më pak vendet arabe do të duan të punojnë me ta”. Uashingtoni pret që “të gjitha palët t’i përmbahen angazhimeve që kanë bërë” sipas planit të armëpushimit, shtuan ata.

Katz po i referohej njësive ushtarake Nahal që në të kaluarën u lejonin të rinjve të kombinonin aktivitetet pioniere me shërbimin ushtarak. Shumë nga postet e themeluara nga njësia vazhduan të evoluonin në vendbanime të plota.

Izraeli evakuoi vendbanimet e tij në Gaza dhe tërhoqi të gjitha trupat e tij sipas Çlirimit të vitit 2005.

Disa zyrtarë në koalicionin e ekstremit të djathtë të Netanyahut i kanë bërë më parë thirrje Izraelit të rindërtojë vendbanimet në Gaza, pas sulmit të udhëhequr nga Hamasi më 7 tetor 2023 në Izraelin jugor dhe luftës pasuese Izrael-Hamas.

Natën e së martës, kolonët izraelitë sulmuan një shtëpi palestineze në Bregun Perëndimor të pushtuar, tha një zyrtar palestinez. Kolonët thyen një derë dhe një dritare dhe qëlluan gaz lotsjellës brenda një shtëpie në qytetin As Samu’.

Tre fëmijë palestinezë u desh të dërgoheshin me urgjencë në spital. Sulmuesit mbytën gjithashtu tre dele dhe plagosën katër të tjerë në stallë, sipas zyrtarëve. Një zyrë që dokumenton sulmet brenda një organi qeveritar palestinez, Komisionit të Rezistencës ndaj Murit dhe Vendbanimeve, publikoi pamje nga kamerat e sigurisë në të cilat shihen pesë kolonë të veshur me maska dhe rroba të errëta, disa të pajisur me shkopinj gome.

Policia thotë se po heton incidentin dhe shtoi se arrestoi pesë kolonë me dyshimin për hyrje pa leje në tokën palestineze, dëmtim të pronës dhe shpërndarje të sprejit me piper, në vend të gazit lotsjellës.

Venezuela akuzon SHBA-në për “zhvatje” për sekuestrimin e cisternave të naftës

By: Re Nato
24 December 2025 at 17:44

Venezuela ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për “zhvatjen më të madhe” në një seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Nju Jork.

Konfiskimi nga Uashingtoni i dy cisternave të naftës venezueliane ishte “më i keq se pirateria”, tha ambasadori venezuelan në OKB.

Mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurimit u thirr për të diskutuar sekuestrimin e anijeve cisternë, e cila u zhvillua në brigjet e Venezuelës në fillim të këtij muaji.

SHBA-të kanë thënë gjithashtu se po ndjekin një tanker të tretë nafte nga Venezuela.

Presidenti Trump ka akuzuar presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro, se drejton një kartel droge dhe tha se bandat kanë vepruar pa u ndëshkuar për një kohë shumë të gjatë.

Më 16 dhjetor, Trump urdhëroi një bllokadë detare të të gjitha cisternave të naftës të sanksionuara që hynin dhe dilnin nga Venezuela.

Presidenti amerikan ka thënë se SHBA-të do ta mbajnë ose do ta shesin naftën bruto që kanë marrë, si dhe vetë anijet.

SHBA-të kanë rritur praninë e tyre ushtarake në Detet e Paqësorit dhe Karaibeve në muajt e fundit, duke dërguar 15,000 trupa dhe një sërë transportuesish aeroplanësh dhe anijesh luftarake në zonë.

Është vendosja më e madhe në rajon që kur SHBA-të pushtuan Panamanë në vitin 1989 dhe qëllimi i deklaruar është të ndalojë rrjedhën e fentanilit dhe kokainës në SHBA.

SHBA-të kanë kryer sulme ndaj atyre që i konsiderojnë anije venezueliane që transportojnë drogë, duke synuar më shumë se 20 anije dhe duke vrarë të paktën 100 persona.

Disa ekspertë thonë se sulmet mund të shkelin ligjet që rregullojnë konfliktet e armatosura.

❌
❌