Shtetet e Bashkuara kanë kryer një sulm sot në 3 janar ndaj disa objektivave në Venezuelë, përfshirë bazat ushtarake, në orët e para të mëngjesit të së shtunës. Tensionet me Karakasin lidhet edhe me luftën kundër narkotrafikut.
Operacioni i parë i njohur i SHBA-së brenda territorit venezuelan, një sulm me dronë ndaj një strukture portuale në bregun e vendit, u krye në fillim të dhjetorit nga Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA). Presidenti Donald Trump deklaroi më 26 dhjetor se “është një strukturë e madhe nga e cila nisen anijet… zona ku ngarkohen drogërat…e tani nuk ekziston më”. CNN konfirmoi se operacioni u drejtua nga CIA.
Që nga fillimi i vitit 2025, Trump autorizoi CIA-n të kryente operacione në Amerikën Latine, por deri tani sulmet e SHBA-ve ishin kryesisht detare, duke shkatërruar mbi 30 anije dhe shkaktuar rreth 80 viktima. Sulmi në Venezuelë shkatërroi një mol dhe disa anije të ankoruara, pa shkaktuar viktima. Një burim anonim i CNN tha se operacioni kishte karakter kryesisht simbolik, pasi mjetet portuale janë vetëm një nga shumë përdorimet për trafik droge nga grupi Tren de Aragua, që dërgon drogën drejt SHBA-ve dhe Evropës.
Historia e ndërhyrjeve amerikane në Amerikën Latine
SHBA-të dhe CIA kanë një histori të gjatë ndërhyrjesh në Amerikën Latine, shpesh të fshehta. Që nga fundi i shekullit XIX, me Luftërat e Bananeve në Amerikën Qendrore, për të mbrojtur interesat e kompanive amerikane.
1823 – Doktrina Monroe: Presidenti James Monroe deklaroi se “Amerika është për amerikanët”, duke paralajmëruar fuqitë evropiane të mos ndërhynin në hemisferën perëndimore.
1904 – Korolari Roosevelt: SHBA rivendikoi “të drejtën e ndërhyrjes” në çështjet e brendshme të vendeve latino-amerikane.
1934 – Politika e Fqinjësisë së Mirë: Presidenti Franklin D. Roosevelt premtuan mosndërhyrje, që u ndërpre gjatë Luftës së Ftohtë për të ndaluar ndikimin sovjetik.
CIA mori pjesë në shumë grushtshtete dhe operacione antikomuniste:
Guatemala (1954): mbështeti grushtshtetin ndaj presidentit Arbenz.
Kubë (1961): Invasioni i dështuar i Gjirit të Derrave kundër Fidel Castros.
Brazil, Ecuador, Bolivia (1960–1971): Financimi i qeverive ushtarake dhe grushtshteteve.
Operacioni Condor (1970–’80): mbështetje për diktatura në Kili, Argjentinë, Brazil, Uruguay, Paraguay dhe Bolivia; përndjekje, tortura, zhdukje të kundërshtarëve politikë.
El Salvador (1981): masakër e rreth 1000 civilëve në fshatin El Mozote.
Grenada (1983) dhe Panama (1989): operacione ushtarake për të rrëzuar qeveri marksiste dhe për arrestimin e Manuel Noriegas.
Rasti i Venezuelës
Venezuela nuk është Panamaja; një pushtim tokësor i SHBA-ve nuk duket praktik. Strategjia e Trump synon presionin për të detyruar presidentin Nicolás Maduro të dorëzohet ose të largohet drejt një vendi aleat (Rusi, Kinë, Kubë). Por Maduro qëndron i vendosur, duke nxitur një “fazë të armatosur të revolucionit” dhe duke mobilizuar qytetarët për mbrojtjen kombëtare përmes Komiteteve Integrale të Bazës Bolivariana, që do të shërbejnë si rrjet spiunimi dhe organizim social.
‘Lufta’ mes Karakasit dhe Uashingtonit duket se do të jetë e gjatë, duke rrezikuar qytetarët e zakonshëm dhe mijëra të burgosurit pa gjyq në Venezuelë.