Normal view

Përshkallëzohet konflikti diplomatik midis Parisit dhe Teheranit, dëbohen dy diplomatë iranianë

18 August 2026 at 22:42

Franca do të dëbojë dy diplomatë iranianë në ditët në vijim, tha sot Ministri i Jashtëm francez Jean-Noel Barrot në një postim në platformën X.

Njoftimi erdhi një ditë pasi Ministria e Jashtme iraniane njoftoi se nuk do të lejonte që dy punonjës të ambasadës franceze në Teheran, të cilët ishin përfshirë në një mosmarrëveshje diplomatike, të ktheheshin në Iran.

Muajin e kaluar, Ministria e Jashtme Franceze raportoi se punonjësit e ambasadës franceze në Teheran ishin ndaluar dhe kërcënuar nga anëtarë të shërbimeve iraniane të sigurisë.

The post Përshkallëzohet konflikti diplomatik midis Parisit dhe Teheranit, dëbohen dy diplomatë iranianë appeared first on Euronews Albania.

Ministria e Mbrojtjes: 4 vatra zjarri mbeten aktive, shuhet zjarri në Gurë-Lurë

18 August 2026 at 22:31

Situata e zjarreve në vend paraqitet në përmirësim. Ministria e Mbrojtjes njofton se deri në orën 20:00 të 18 gushtit janë regjistruar 7 vatra zjarri, nga të cilat 4 mbeten aktive dhe 3 janë nën monitorim.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 140 efektivë të Forcave të Armatosura, ndërsa ndërhyrja nga ajri është mbështetur nga 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.

Në Dajt të Tiranës vijon puna për izolimin e vatrës me 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe një helikopter. Nuk ka rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, vatra në Priskë është riaktivizuar, por po ndiqet nga forcat operacionale dhe nuk rrezikon banesat.

Në Lufaj të Mirditës, vatra mbetet aktive, por me intensitet të ulët dhe avancim të lehtë. Forcat janë pozicionuar pranë zonës dhe aktualisht nuk ka rrezik për banesat.

Situata mbetet aktive edhe në Malin e Tërbunit në Pukë, ku operacioni zhvillohet në terren të vështirë. Në terren janë angazhuar 13 zjarrfikës, 8 punonjës të Shërbimit Pyjor, 45 forca bashkiake, 22 vullnetarë dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura, të mbështetur nga dy helikopterë. Nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Ndërkohë, zjarri në Gurë-Lurë është shuar plotësisht pas një operacioni ku morën pjesë rreth 150 forca vendore, 30 efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy avionë “Air Tractor”.

Është shuar plotësisht edhe vatra në Bruç të Matit, ndërsa vatrat në Qafë Helmës, Tharr dhe Selenicë janë nën monitorim dhe nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë vendin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e tjera të Mbrojtjes Civile.

The post Ministria e Mbrojtjes: 4 vatra zjarri mbeten aktive, shuhet zjarri në Gurë-Lurë appeared first on Euronews Albania.

Protesta në Tiranë në ditën e 80-të, marshim drejt Kryeministrisë dhe thirrje për dorëheqjen e Ramës

18 August 2026 at 22:17

Protesta në Tiranë është zhvilluar edhe mbrëmjen e se martes, duke shënuar ditën e 80-të të tubimeve.

Protestuesit u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, prej nga nisën marshimin në drejtim të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Marshimi përfundoi përpara godinës së Kryeministrisë, ku protestuesit vijuan me thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Pjesë e kërkesave të tyre janë edhe rrëzimi i klasës politike dhe krijimi i një qeverie teknike.

The post Protesta në Tiranë në ditën e 80-të, marshim drejt Kryeministrisë dhe thirrje për dorëheqjen e Ramës appeared first on Euronews Albania.

Trump mohon negociatat me Iranin: Nuk po zhvillohen bisedime. Përplasje e re për Ngushticën e Hormuzit

18 August 2026 at 22:10

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se aktualisht nuk po zhvillohen negociata me Iranin, një ditë pasi dhëndëri i tij, Jared Kushner, tha se kontaktet mes Uashingtonit dhe Teheranit po vazhdojnë.

“Nuk po zhvillohen bisedime as nuk ka bisedime të planifikuara me Republikën Islamike”, shkroi Trump në Truth Social më 18 gusht, pasi afati 60-ditor që të dyja palët kishin për të arritur një marrëveshje përfundimtare paqeje skadoi një ditë më parë.

Trump tha se Ngushtica e Hormuzit është “e hapur dhe po funksionon” dhe se minat janë larguar, teksa Teherani tha se kjo rrugë ujore strategjike mbetet e mbyllur derisa Uashingtoni të plotësojë kushtet e caktuara në bazë të një marrëveshjeje të përkohshme të arritur në qershor.
Irani tha se në mesin e kushteve përfshihet edhe që SHBA-ja të heqë bllokadën detare dhe sanksionet kundër naftës, të zhbllokojë asetet e ngrira iraniane dhe t’u japë fund operacioneve ushtarake.

Në një postim të ndarë në Truth Social, Trump publikoi një hartë ku Ngushtica e Hormuzit cilësohej si “TERRITOR I RI I SHBA-së”, duke e shtyrë më tej një ide që e kishte hedhur për herë të parë më 14 gusht, kur tha se së shpejti do ta shpallte këtë rrugë ujore territor të SHBA-së. Zëvendësministri iranian i Punëve të Jashtme, Kazem Gharibabadi, u përgjigj më 15 gusht, duke thënë se ngushtica “do të mbetet iraniane”.

Trump iu rikthye kësaj ideje më 17 gusht, duke u thënë gazetarëve në Zyrën Ovale se do të ishte një ide e mirë, përpara se të postonte hartën të nesërmen. Gharibabadi e ripostoi hartën në X, duke e cilësuar pretendimin e Trumpit si një “iluzion” që do të korrigjohej.

Ngushtica, përmes së cilës para luftës kalonte rreth një e pesta e furnizimeve globale me naftë, është në qendër të mospajtimeve që kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulmet ndaj Iranit më 28 shkurt.

The post Trump mohon negociatat me Iranin: Nuk po zhvillohen bisedime. Përplasje e re për Ngushticën e Hormuzit appeared first on Euronews Albania.

Dyshohet për lëndë plasëse në një furgon në Vlorë, policia e tërheq me karrotrec

18 August 2026 at 22:04

Një fugon i braktisur prej dy ditësh në rrugën “28 Nëntori” në Vlorë ka ngritur dyshime për praninë e një lënde plasëse.

Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe po kryen verifikimet përkatëse pas sinjalizimit për një objekt të dyshimtë brenda automjetit.

Fugoni është tërhequr me karrotrec nga shërbimet e Policisë dhe do të dërgohet në komisariat, ku pritet të kryhen kontrolle të specializuara për të verifikuar nëse ka lëndë plasëse apo materiale të tjera të rrezikshme.

Paraprakisht, autoritetet kanë tentuar të identifikojnë pronarin e automjetit, por deri tani nuk ka rezultuar se kujt i përket.

Policia vijon verifikimet për të sqaruar situatën dhe origjinën e automjetit.

The post Dyshohet për lëndë plasëse në një furgon në Vlorë, policia e tërheq me karrotrec appeared first on Euronews Albania.

‘Nata Çame’ gjallëron Lungomaren e Vlorës, këngë e valle tradicionale para pushuesve

18 August 2026 at 21:01

Këngët, vallet dhe traditat e kulturës çame kanë gjallëruar mbrëmjen e djeshme Lungomaren e Vlorës, ku u zhvillua aktiviteti kulturor “Nata Çame”.

Ansamble dhe këngëtarë çamë performuan në skenë para qytetarëve dhe pushuesve, duke krijuar një atmosferë festive në një prej zonave më të frekuentuara të qytetit gjatë sezonit veror.

Përmes muzikës dhe valleve tradicionale, aktiviteti solli në vëmendje elemente të historisë, kulturës dhe trashëgimisë së Çamërisë.

“Nata Çame” u zhvillua në kuadër të aktiviteteve verore në Vlorë dhe tërhoqi një numër të madh pushuesish, të cilët u ndalën në Lungomare për të ndjekur performancat artistike.

Mbrëmja ndërthuri traditën dhe folklorin me atmosferën turistike të qytetit, duke e kthyer Lungomaren në një hapësirë feste dhe promovimi të kulturës shqiptare.

The post ‘Nata Çame’ gjallëron Lungomaren e Vlorës, këngë e valle tradicionale para pushuesve appeared first on Euronews Albania.

Katër të vdekur dhe 35 raste të virusit të Nilit Perëndimor në Maqedoninë e Veriut

18 August 2026 at 20:51

Rritja e vazhdueshme e rasteve të virusit të Nilit Perëndimor po shkakton shqetësim në Maqedoninë e Veriut, pasi autoritetet shëndetësore kanë regjistruar 35 raste të konfirmuara dhe katër vdekje deri më sot, me epideminë që prek kryesisht rajonin e Shkupit. Shumica e pacientëve janë mbi 60 vjeç, ndërsa disa kanë zhvilluar formën e rëndë neuroinvazive të sëmundjes, me encefalit ose meningjit.

Disa janë të shtruar në spital në Klinikën Universitare të Sëmundjeve Infektive në Shkup, ndërsa disa janë shtruar në njësitë e kujdesit intensiv.
Për shkak të shpërthimit, autoritetet kanë shpallur gjendje epidemie në disa komuna në Shkup, duke forcuar programet e kontrollit të mushkonjave dhe mbikëqyrjen epidemiologjike.

Rritja e rasteve ka qenë veçanërisht e shpejtë. Në fund të korrikut, u regjistruan vetëm tetë raste, por brenda pak javësh numri i tyre është rritur ndjeshëm në 35, duke e bërë shpërthimin e këtij viti një nga më seriozët me të cilët është përballur vendi që kur virusi u regjistrua për herë të parë në vitin 2011.
Autoritetet shëndetësore në Maqedoninë e Veriut po u bëjnë thirrje qytetarëve të përdorin solucione kundër insekteve, të shmangin ekspozimin në natyrë natën dhe të largojnë ujin e ndenjur nga oborret dhe ballkonet.

The post Katër të vdekur dhe 35 raste të virusit të Nilit Perëndimor në Maqedoninë e Veriut appeared first on Euronews Albania.

Policia zbardh dinamikën e vrasjes së 20-vjeçarit portugez në Ksamil, 11 të arrestuar dhe 2 në kërkim (EMRAT)

18 August 2026 at 20:33

Policia ka arrestuar 11 persona dhe ka shpallur në kërkim dy të tjerë në lidhje me vrasjen e 20-vjeçarit portugez në Ksamil, ngjarje e ndodhur në orët e para të mëngjesit të 18 gushtit.

Në pranga ka rënë edhe 29-vjeçari S. L., alias S. V., nga Hasi, i dyshuar si autori që ka goditur disa herë me thikë viktimën. Ai u kap në Levan të Fierit, i fshehur në bagazhin e një automjeti që drejtohej nga një 31-vjeçare me shtetësi turke. Në makinë ndodhej edhe një 38-vjeçar turk. Sipas Policisë, dy shtetasit turq kishin njohje me 29-vjeçarin dhe po e transportonin drejt Tiranës.

Në lidhje me ngjarjen janë arrestuar gjithsej 11 persona, mes tyre dy shtetas turq, disa kamarierë të lokalit ku nisi konflikti dhe katër persona që kishin shërbyer si pjesë e sigurisë së lokalit.
Policia bën me dije se konflikti ka nisur rreth orës 05:15 në ambientet e lokalit “Principote” dhe më pas ka vijuar në plazhin “Paradise”. Gjatë përplasjes, 29-vjeçari S. L., alias S. V., dyshohet se ka goditur me thikë disa herë 20-vjeçarin portugez, ndërsa D. H., 29 vjeç, i shpallur në kërkim, dyshohet se e ka goditur viktimën me grushte.

Sipas hetimeve paraprake, të dy akuzohen për “Vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim.

Në konflikt dyshohet se janë përfshirë edhe katër kamarierë të lokalit, të cilët, sipas Policisë, kanë goditur me grushte 20-vjeçarin para se ai të goditej me thikë.

Në momentin e ngjarjes, në lokal ndodheshin edhe katër persona me detyrë sigurie, mes tyre punonjës të strukturave të Policisë dhe të sigurisë publike. Sipas Policisë, ata nuk kanë ndërhyrë për të parandaluar konfliktin dhe pas ngjarjes nuk kanë njoftuar autoritetet.

Ndërkohë, në lokalin “Principote” ndodhej edhe pronari, B. B., 36 vjeç, i cili është shpallur në kërkim. Sipas hetimeve, ai është larguar pas ngjarjes pa e kallëzuar atë në autoritetet përkatëse.

Në kuadër të hetimit, në Komisariatin e Policisë Sarandë janë shoqëruar 41 persona.

U arrestuan shtetasit:

Sokrat Lipan alias Sokrat Vata
Nuh Mahmutoglu, dhe Ezgi Perlak, të dy me shtetasi turke
Serxhi Selimi,
Ervis Bunci,
Ildi Cekani
Murat Zhabina
Miosid Matushaj
Luciano Seferi,
Romeo Shehu
Kristi Koshi
U shpallën në kërkim shtetasit

David Heurtevent,
dhe Bekim Bulica;

The post Policia zbardh dinamikën e vrasjes së 20-vjeçarit portugez në Ksamil, 11 të arrestuar dhe 2 në kërkim (EMRAT) appeared first on Euronews Albania.

Franca po heton ndërhyrjen e mundshme ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2027

18 August 2026 at 20:19

Sipas raportimeve të mediave lokale, Zyra e Prokurorit Publik të Parisit ka njoftuar se po heton ndërhyrjen e dyshuar të huaj në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.

Zyra e prokurorit tha se hetimi ka të bëjë me fushatat e shpifjes dhe dezinformimit që synojnë kandidatin presidencial të partisë Horizons të qendrës së djathtë, Edouard Philippe, dhe kandidatin e Partisë së Rilindjes, Gabriel Attal, në javët e fundit, dhe se po shqyrtohet ndërhyrja e mundshme ruse.

Ish-kryeministri dhe kandidati presidencial Attal, në një deklaratë në fillim të këtij muaji, akuzoi Rusinë për ndërhyrje në zgjedhjet e vendit të tij. Attal gjithashtu pretendoi se Rusia po mbështeste Marine Le Pen, kandidaten e partisë së ekstremit të djathtë Tubimi Kombëtar (RN).

Në Francë, Presidenti Emmanuel Macron, i cili ka shërbyer dy mandate radhazi, nuk do të jetë në gjendje të kandidojë për rizgjedhje vitin e ardhshëm.

The post Franca po heton ndërhyrjen e mundshme ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2027 appeared first on Euronews Albania.

KE për hapjen e urës mbi Ibër: Presim konsultime dhe koordinim

18 August 2026 at 20:04

Komisioni Evropian (KE) tha të martën se pret “koordinim efektiv dhe konsultime kuptimplota ndërmjet komunave të prekura dhe institucioneve qendrore të Kosovës” për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër – që lidh Mitrovicën e Jugut, të banuar me shumicë shqiptare, dhe atë të Veriut, të banuar me shumicë serbe.

Zëdhënësja e KE-së, Anita Hipper, tha në një konferencë për media më 18 gusht se qëndrimi i Bashkimit Evropian (BE) për urën është i qartë.

“Ajo që kërkojmë, gjithashtu, është që Policia e Kosovës të garantojë sigurinë e të gjitha komuniteteve, në përputhje me parimet demokratike, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, në mënyrë që të gjithë të ndihen të sigurt”, deklaroi Hipper.

Duke folur për gjendjen aktuale, ajo rikujtoi se ura është e hapur për këmbësorë, por jo ende për qarkullimin e automjeteve.

“Ne e kemi bërë vlerësimin tonë, janë ndërmarrë hapa në këtë drejtim. dhe qëndrimi ynë mbetet se ende presim koordinim efektiv dhe konsultime kuptimplota, të cilat duhet të përmirësohen”, tha Hipper.

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, ndërkaq, në një letër drejtuar emisarit të posaçëm evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, tha se Beogradi ka pranuar me shqetësim deklaratën e zëdhënëses së BE-së.

Sipas tij, në këtë deklaratë, BE-ja shprehu vlerësimin e saj se kushtet për rihapjen e urës janë përmbushur, raporton Tanjug.

Në letër, Petkoviq tha se një vlerësim i tillë është veçmas shqetësues për Beogradin, pasi, siç tha, nuk paraqet as situatën aktuale në terren as faktin që parakushtet për të cilat palët ishin pajtuar në kuadër të kornizës së dialogut, nuk janë përmbushur.

Deklarata e BE-së vjen pasi misioni paqeruajtës i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë – KFOR, njoftoi më 10 gusht se ka nisur “tranzicionin gradual” të pranisë së tij të përhershme në urë.
KFOR-i tha se vendimi lidhet me përmirësimin e situatës së sigurisë, dhe se procesi do të jetë gradual dhe në varësi të kushteve. Ky mision, megjithatë, do të vazhdojë të mbajë prani të dukshme në Mitrovicën e Jugut dhe atë të Veriut, si dhe në veri të Kosovës, në përgjithësi.

Ura kryesore mbi Ibër ishte bllokuar pas luftës së vitit 1999 dhe, ndër vite, ka qenë vatër e tensioneve etnike.

Kosova dhe Serbia u pajtuan për hapjen e urës në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Sipas planit të zbatimit, të dakorduar më 2016, ura duhej të hapej për trafik në janar të vitit 2017.

Punimet për revitalizimin e saj, në të cilat u investuan rreth 1.5 milion euro, përfunduan më 2018. Megjithatë, ura nuk u hap asnjëherë për automjete.

Në vitin 2024, përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për hapjen e saj nxitën kundërshtime nga serbët lokalë, dhe kërkesa nga bashkësia ndërkombëtare që çdo veprim të bëhej përmes koordinimit.

The post KE për hapjen e urës mbi Ibër: Presim konsultime dhe koordinim appeared first on Euronews Albania.

Rusia po ngre baza sekrete për dronë në distancë goditjeje nga NATO-ja

18 August 2026 at 20:00

Rusia ka instaluar baza sekrete të afta për të lëshuar dronë të fuqishëm thellë brenda vendeve të NATO-s, sipas një hetimi të Telegraph.

Një artikull gazete zbulon prova të dhjetë bazave të Kremlinit me platforma lëshimi të ndërtuara rishtazi për dronët kamikazë më të përparuar me rreze të gjatë veprimi.

Disa nga bazat tashmë po përdoren për bombardime të rënda në Ukrainë, pasi afërsia e tyre me kufirin lehtëson strategjinë e sulmeve ajrore masive që mbingarkojnë mbrojtjen ajrore gjithnjë e më të kufizuar të Kievit.

Në të njëjtën kohë, megjithatë, këto baza përbëjnë një kërcënim afatgjatë për aleatët e NATO-s, pasi i sjellin ato brenda rrezes së dronëve sulmues të përparuar të Vladimir Putinit, komenton Telegraph.

Analistët paralajmërojnë se kjo teknologji, e cila po zhvillohet me shpejtësi, mund të kthehet edhe kundër Evropës në rast lufte, pasi nga disa nga bazat, dronët më të fuqishëm rusë mund të arrijnë në Varshavë .

Zyrtarët evropianë dhe amerikanë të inteligjencës vlerësojnë se Rusia po shqyrton mundësinë e një “provokimi të armatosur” në territorin polak, me sulme me dronë dhe raketa, pa përjashtuar mundësinë e operacioneve mashtruese kundër infrastrukturës kritike me qëllim fajësimin e Ukrainës për to.

Një zyrtar i NATO-s i tha Telegraph se aleanca është “e gatshme të mbrojë çdo centimetër të territorit aleat” dhe se do të vazhdojë të “rritë nivelin e gatishmërisë për të penguar dhe mbrojtur kundër çdo kërcënimi, përfshirë dronët”.

Duke përdorur dokumente të rrjedhura dhe imazhe satelitore, gazeta Telegraph ka identifikuar të paktën 59 platforma të reja lëshimi përgjatë kufirit rus me Bjellorusinë dhe Ukrainën.

Një pjesë e infrastrukturës ushtarake për dronë është krijuar duke shndërruar baza dhe aeroporte civile, ndërsa vende të tjera lëshimi janë ndërtuar në zona të largëta të fshatrave ruse.
Analiza e imazheve nga DroneSec, një firmë inteligjence e specializuar në dronë, tregoi se rreth 20 nga shinat e instaluara rishtazi ishin më të gjata, duke sugjeruar se ato mund të përdoren për të lëshuar dronët sulmues me rreze të gjatë veprimi më modernë të Rusisë.

Moska po përmirëson me shpejtësi versionin e saj të dronit iranian Shahed, duke zhvilluar versione më të reja, me shpejtësi të lartë, me motor reaktiv, që mund të godasin objektiva pothuajse 1,000 kilometra larg. Përdorimi i këtyre versioneve të reja nga bazat e identifikuara do ta sillte kryeqytetin polak brenda mundësive të Putinit, vëren Telegraph në analizën e saj.

Kremlini pretendon se edhe versionet më të ngadalta dhe më të vjetra të dronëve mund të arrijnë në brigjet e Mbretërisë së Bashkuar.

Nuk ka asnjë tregues se Rusia po planifikon një sulm të tillë, megjithatë udhëheqësit e NATO-s po përgatiten për mundësinë e një konflikti të ardhshëm.

Versionet më të fundit të dronëve rusë (Geran-4 dhe Geran-5) mund të fluturojnë me shpejtësi të mjaftueshme për të shmangur sistemet e mbrojtjes ajrore ndërsa mbajnë një ngarkesë prej 90 kilogramësh, sipas dokumenteve të qeverisë ukrainase të publikuara në internet.

Agjencia e inteligjencës ushtarake ukrainase GUR ka paralajmëruar gjithashtu se Rusia po pajis dronët Geran me raketa ajër-ajër, duke synuar avionët e përfshirë në mbrojtjen e Kievit.

Imazhet zbuluan një rritje të ndjeshme të pranisë së këtyre dronëve të përparuar, me një bazë të aftë për të ruajtur më shumë se 1,000 dronë në të njëjtën kohë. Platforma shtesë lëshimi janë gjithashtu në ndërtim e sipër në disa objekte kyçe , duke demonstruar ambicien e Moskës për të rritur më tej kërcënimin që paraqesin dronët e saj.

Sipas informacioneve nga Telegraph, bazat furnizohen nga fabrikat e municioneve në të gjithë vendin.

Kremlini e ka “zgjeruar ndjeshëm” rrjetin e tij të dronëve në një përpjekje “për të sulmuar Ukrainën dhe për të ruajtur kërcënimin e sulmeve të tilla ndaj shteteve anëtare të NATO-s”, sipas Mike Monick, CEO dhe themelues i DroneSec, i cili analizoi imazhet satelitore.

“Zgjerimi i këtyre objekteve të lëshimit tregon se si Rusia ka rritur aftësinë e saj për të lëshuar një numër më të madh dronësh, ndërkohë që përdor teknologjinë për t’i bërë dronët që përdor më efektivë kundër operacioneve për t’i kapur ato. Këta dy faktorë kombinohen për t’i lejuar Rusisë të përdorë një numër gjithnjë e në rritje të sistemeve ajrore pa pilot për sulme në Ukrainë, ndërkohë që rrisin vështirësitë me të cilat përballen forcat ukrainase në kapjen e dronëve më të rinj rusë.”

Një zyrtar i NATO-s i tha Telegraph: “Dronët kanë ndryshuar rrënjësisht natyrën e luftës moderne dhe janë bërë një faktor vendimtar në fushën e betejës. Ne po e zgjerojmë me shpejtësi aftësinë tonë për të prodhuar, përdorur dhe neutralizuar dronë në një shkallë të gjerë”.

Hetimi i Telegraph dokumenton zgjerimin e shpejtë të aftësive të Kremlinit me dronë dhe ngre pyetje shqetësuese në lidhje me ambicien e Putinit për të përshkallëzuar kërcënimet kundër aleatëve të NATO-s.

Të dhënat e monitorimit me burim të hapur tregojnë se shtatë nga dhjetë objektet e identifikuara nga Telegraph u përdorën në disa nga bombardimet e fundit ruse kundër Kievit./ Protothema

The post Rusia po ngre baza sekrete për dronë në distancë goditjeje nga NATO-ja appeared first on Euronews Albania.

Lavrov kërcënon Britaninë: Rrezikon të shihet si pjesë e luftës në Ukrainë

18 August 2026 at 19:53

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se Rusia ka të drejtë ta konsiderojë përfshirjen e drejtpërdrejtë të Britanisë në sulmet ndaj territorit rus si pjesëmarrje në luftën në Ukrainë, raportoi agjencia e lajmeve Interfax.

Komentet e tij erdhën pas publikimit të një artikulli të Times të shtunën se dronët e prodhuar në Britani ishin përdorur për herë të parë në sulme me rreze të gjatë veprimi ndaj Rusisë. Pas publikimit, ambasada ruse në Londër paralajmëroi Britaninë për “pasoja” të paspecifikuara për furnizimin e Kievit me dronë.

Kryeministri britanik Andy Burnham tha sot se Britania do ta mbështesë Ukrainën “100%” në luftën e saj kundër Rusisë dhe do të qëndrojë pranë Kievit “në orën e saj të nevojës”. Moska më parë ka akuzuar specialistët britanikë për pjesëmarrje në sulme në tokën ruse, duke thënë se roli i Britanisë do të “merret parasysh” në përgjigjen e saj.

The post Lavrov kërcënon Britaninë: Rrezikon të shihet si pjesë e luftës në Ukrainë appeared first on Euronews Albania.

Kapet në flagrancë zjarrvënësi në Mirditë, Lamallari thirrje Prokurorisë: Çojeni çështjen deri në fund (VIDEO)

18 August 2026 at 19:35

Një person është arrestuar në flagrancë nga Policia në Mirditë, pasi dyshohet se ka ndezur qëllimisht disa vatra zjarri në fshatin Gziq të Rrëshenit.

Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, i cili ka reaguar përmes një postimi, duke kërkuar që çështja të hetohet deri në fund dhe autori të përballet me përgjegjësinë penale, nëse fajësia provohet.

Sipas Lamallarit, personi i arrestuar, banues në fshatin Gziq, dyshohet se ka ndezur tre vatra zjarri, duke shkaktuar djegien e rreth 400 metrave katrorë sipërfaqe pyjore.

Vatrat janë vënë nën kontroll nga shërbimet e Policisë së Mirditës, të cilat, sipas zëvendësministrit, kanë qenë në ndjekje në terren prej tre ditësh. I dyshuari dyshohet gjithashtu se është i përfshirë në disa raste të tjera zjarrvënieje në territorin e Bashkisë Mirditë.

Lamallari u ka bërë thirrje strukturave të drejtësisë që të vijojnë hetimet dhe të sigurojnë prova të plota për rastin.

“Apeli im për Prokurorinë është i drejtpërdrejtë: kjo çështje duhet të shkojë deri në fund. Hetim i plotë, prova të plota dhe përgjegjësi penale për autorin, nëse fajësia provohet”, ka deklaruar ai.

Sipas Lamallarit, arrestimi i të dyshuarit ka parandaluar edhe përhapjen e mëtejshme të zjarreve në zonë.

“Zjarri i qëllimshëm është krim me autor”, është shprehur ministri, duke theksuar se Policia do të vijojë identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar për zjarrvënie, ndërsa Prokuroria dhe gjykatat duhet të ndjekin procedurat përkatëse ligjore.

Hetimet për rastin në Mirditë vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjeve dhe përcaktimin e përgjegjësive.

The post Kapet në flagrancë zjarrvënësi në Mirditë, Lamallari thirrje Prokurorisë: Çojeni çështjen deri në fund (VIDEO) appeared first on Euronews Albania.

Abdixhiku pas takimit me Kurtin: U dakorduam që të vijmë me emra konkretë në takimin e ardhshëm

18 August 2026 at 19:25


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas takimit me kryeministrin në detyrë e njëherit edhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se janë dakorduar që në takimin e ardhshëm të shkohet me emra konkretë për presidentin a presidenten e Republikës së Kosovës.

Për këtë çështje, Abdixhiku ka deklaruar se kanë kërkuar kohë për ta diskutuar e konsultuar edhe brenda subjekteve një emër specifik.

“Nuk duam një president të parëndësishëm por një figurë që është e respektuar dhe e ushtron më dinjitet funksionin më të lartë shtetëror. Kosova ka figura të tilla, por gjendja dhe çështja është shumë sensitive. Kërkuam periudhë diskutuese të brendshme brenda subjekteve tona dhe konsultative me shoqërinë secili në mënyrë e vet para se të vijmë me emra konkret në takimin e ardhshëm. E di që fokusi është për emra specifik, për këtë na duhet ende kohë. E mira është se gjërat janë shumë më të qarta, kërkojmë vetëm stabilitet institucional. U dakorduam që të vijmë me emra konkret në takimet e ardhshmë por në fund të ketë një emër”, ka thënë Abdixhiku.

Njësoj si Kurti edhe Abdixhiku deklaroi se në këtë takim nuk është diskutuar për emra por për profile. Mundësinë e një marrëveshjeje bashkëqeverisëse me Lëvizjen Vetëvendosje, Abdixhiku e ka quajtur çështje të mbyllur.

The post Abdixhiku pas takimit me Kurtin: U dakorduam që të vijmë me emra konkretë në takimin e ardhshëm appeared first on Euronews Albania.

Aksident me vdekje në Tiranë, humb jetën 55-vjeçarja

18 August 2026 at 19:07

Një aksident me pasojë vdekjen është regjistruar mbrëmjen së martes në zonën e ‘Misto Mames’, në Tiranë.

Sipas policisë, rreth orës 18:30, një automjet që drejtohej nga një 23-vjeçar, me inicialet O. V., ka përplasur këmbësoren D. P., rreth 55 vjeçe.

Si pasojë e përplasjes, 55-vjeçarja ka ndërruar jetë.

Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në komisariat, ku po kryhen veprimet e mëtejshme procedurale.

Ndërkohë, grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.

The post Aksident me vdekje në Tiranë, humb jetën 55-vjeçarja appeared first on Euronews Albania.

Kurti pas takimit me LDK-në: Jam optimist për marrëveshje për Presidentin

18 August 2026 at 18:45

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e ka vlerësuar pozitivisht takimin me përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke shprehur optimizëm për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e Presidentit të vendit.

Pas takimit, Kurti tha se diskutimet u përqendruan te kriteret dhe vlerat që duhet të ketë kandidati për President, në mënyrë që të sigurojë mbështetjen e nevojshme në Kuvend.

“Kemi folur për kriteret, vlerat dhe meritat që duhet të ketë një figurë për t’u votuar për President. Tash ne i kthehemi partive tona për konsultime, por jam optimist për marrëveshje”, deklaroi Kurti.

Ai nuk dha detaje nëse gjatë takimit është diskutuar ndonjë emër konkret për postin e Presidentit, ndërsa palët pritet të vijojnë konsultimet brenda strukturave të tyre politike.

Takimi mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së vjen në kuadër të përpjekjeve për të gjetur një dakordësi politike për zgjedhjen e kreut të shtetit.

The post Kurti pas takimit me LDK-në: Jam optimist për marrëveshje për Presidentin appeared first on Euronews Albania.

Përplasen dy skuterë në Vlorë, plagosen dy drejtuesit

18 August 2026 at 18:34

Një aksident rrugor është regjistruar pasditen e kësaj të marte në bulevardin “Ismail Qemali” në Vlorë, në zonën e njohur si Aleksandria.

Dy skuterë janë përplasur me njëri-tjetrin, ndërsa si pasojë e aksidentit kanë mbetur të lënduar të dy drejtuesit e mjeteve.

Të plagosurit janë transportuar drejt Spitalit Rajonal të Vlorës, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.

Paraprakisht nuk raportohen detaje të tjera për gjendjen shëndetësore të të lënduarve.

The post Përplasen dy skuterë në Vlorë, plagosen dy drejtuesit appeared first on Euronews Albania.

Bizhuteritë e dasmës ‘modeste’ të Cristiano Ronaldo dhe Georgina Rodriguez arrijnë vlerën e 50 mln dollarëve

18 August 2026 at 18:23

Cristiano Ronaldo mund të jetë martuar me partneren e tij prej shumë vitesh, Georgina Rodriguez, në një ceremoni të thjeshtë por çifti gjithsesi u kujdes të dukej mbresëlënës.

Ata u martuan në 10-vjetorin e ditës kur u takuan për herë të parë në dyqanin Gucci në Madrid, ku Rodriguez punonte në atë kohë. Çifti, së bashku me pesë fëmijët e tyre, ishin veshur me veshje elegante për të cilat u përkujdes marka Gucci.

Por asgjë te bizhuteritë e nuses nuk ishte e thjeshtë. Sipas konfirmimit të Page Six Style, ajo zgjodhi disa prej bizhuterive më të çmuara të arkivave të Chopard dhe u mbulua me më shumë se 250 karatë diamante të markës franceze, transmeton KosovaPress.

Pjesa kryesore e pamjes së saj të nusërisë ishte gjerdani ‘Chopard Garden of Kalahari’, i cili përfshin një varëse me një diamant të jashtëzakonshëm 50-karatësh, si dhe më shumë se 146 karatë gurësh më të vegjël.

Georgina zgjodhi për vath dy varëset e tjera, njërën me një diamant në formë dardhe prej 25 karatësh dhe tjetrën me një diamant në formë zemre prej 26 karatësh. Në total, gjerdani dhe tri varëset kanë një vlerë prej rreth 50 milionë dollarësh.

Nusja tha gjithashtu “Po” duke mbajtur unazën e saj gjigante të fejesës, për të cilën ekspertët thanë se mund të vlejë rreth 5 milionë dollarë dhe potencialisht të ketë më shumë se 30 karatë.
Sa u përket unazave të martesës, zgjedhja e çiftit ishte po aq thjeshtë sa dhe ceremonia e tyre, duke preferuar unaza të thjeshta ari.

“Ne kemi zgjedhur ta bëjmë në dhomën e ndenjes së shtëpisë sonë këtu, ku hamë mëngjesin, drekën dhe darkën dhe ku jetojmë realitetin e jetës sonë,” i tha Rodriguez Vogue për ceremoninë e thjeshtë.
Georgina u shpreh se dasma e tyre ishte më e pazakonta nga gjërat që ata përjetojnë çdo ditë, gjë që e bëri ditën e tyre edhe më të veçantë.

“Dua diçka intime, me partnerin tim dhe fëmijët tanë, në shtëpi,” shtoi ajo. “Sepse kështjella, shtëpi, ishuj, kuaj, makina: të gjitha këto i kemi në dispozicion çdo ditë. Por diçka intime — kjo është më e pazakontë për ne”, përfundoi Rodriguez.
Nusja premtoi gjithashtu se do të organizojë një dasmë të madhe në një moment të mëvonshëm, dhe ne presim që edhe fustani i nusërisë të jetë po aq spektakolar.

The post Bizhuteritë e dasmës ‘modeste’ të Cristiano Ronaldo dhe Georgina Rodriguez arrijnë vlerën e 50 mln dollarëve appeared first on Euronews Albania.

Mourinho pas prezantimit zyrtar te Real Madridi: Është si të kthehesh në shtëpi

18 August 2026 at 18:11

Jose Mourinho ka folur për rikthimin e tij te Real Madridi, duke e cilësuar këtë moment si një kthim në shtëpi. Trajneri portugez do të drejtojë madrilenët në LaLiga për herë të parë që nga viti 2013.

Real Madridi do ta nisë sezonin e ri të shtunën ndaj Espanyolit, ndërsa klubi ka bërë një revolucion gjatë verës, duke afruar Mourinhon dhe gjashtë përforcime të reja Yan Diomande, Marc Cucurella, Bernardo Silva, Ibrahima Konate, Denzel Dumfries dhe Carlos Espi.

Mourinho ishte trajner i Real Madridit nga viti 2010 deri më 2013, periudhë gjatë së cilës fitoi një titull të LaLigës dhe një Kupë të Mbretit. Pas largimit nga Madridi, ai drejtoi Chelsean, Manchester Unitedin, Tottenhamin, Romën, Fenerbahçen dhe Benficën, përpara se të rikthehej në Santiago Bernabeu për të marrë drejtimin nga Alvaro Arbeloa.

“Real Madridi, nga pikëpamja profesionale, është maja e karrierës së një trajneri. Kjo është ana profesionale. Pastaj është ana emocionale. Është si të kthehesh në shtëpi. Emocionalisht, është më e bukur se herën e parë”, deklaroi Mourinho.

Mourinho gjithashtu iu drejtua tifozëve të klubit, duke theksuar lidhjen e tij me Real Madridin.
“Unë jam njëri prej jush. Gjithmonë kam qenë, që nga dita kur erdha, dhe tani jam sërish këtu me këtë përgjegjësi. Mund ta imagjinoni se çfarë do të thotë për mua të punoj për Real Madridin”, u shpreh ai.

Në periudhën e parë në Madrid, Mourinho zhvilloi një rivalitet të madh me Barcelonën e Pep Guardiolës. Në sezonin 2011/12, skuadra e tij vendosi rekorde në LaLiga për pikët e grumbulluara dhe golat e shënuar.

The post Mourinho pas prezantimit zyrtar te Real Madridi: Është si të kthehesh në shtëpi appeared first on Euronews Albania.

Emiratet e Bashkuara Arabe në alarm, zbulohet kërcënim raketor ndaj vendit

18 August 2026 at 18:06

Ministria e Mbrojtjes e Emirateve të Bashkuara Arabe ka njoftuar se sistemet e mbrojtjes ajrore të vendit kanë zbuluar një kërcënim raketor.

Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, ministria u ka bërë thirrje qytetarëve dhe banorëve që të ndjekin vetëm njoftimet dhe udhëzimet e publikuara nga burimet zyrtare.

Autoritetet kanë paralajmëruar gjithashtu se tingujt e fortë që mund të dëgjohen në zona të ndryshme mund të lidhen me operacionet e përgjimit dhe reagimit të sistemeve të mbrojtjes ajrore ndaj kërcënimeve raketore.

Ministria e Mbrojtjes deklaron se strukturat e saj janë në “gatishmëri të plotë” dhe të përgatitura për t’iu përgjigjur çdo kërcënimi që mund të cenojë sovranitetin, sigurinë dhe stabilitetin e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Deri në publikimin e këtij njoftimi, nuk janë dhënë detaje të tjera mbi origjinën e kërcënimit apo nëse janë shkaktuar dëme.

The post Emiratet e Bashkuara Arabe në alarm, zbulohet kërcënim raketor ndaj vendit appeared first on Euronews Albania.

❌