Normal view

Ministri Enea Karakaçi: Po punohet për rikthimin e plotë të energjisë në Durrës pas zjarrit në Shkozet

30 July 2026 at 21:51

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ka reaguar lidhur me ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike në Durrës, pas zjarrit të rënë në një magazinë private pranë rrjetit 110 kV në zonën e Shkozetit.

Sipas Karakaçit, situata vijon të jetë e rënduar, ndërsa shërbimet zjarrfikëse po punojnë për shuarjen e plotë të flakëve. Ai bën me dije se, për arsye sigurie dhe me kërkesë të zjarrfikësve, njëra prej linjave 110 kV vijon të mbahet e stakuar.

Ministri sqaron se në orën 15:40, si pasojë e zjarrit, u stakuan linjat 110 kV që furnizojnë nënstacionin e Shkozetit, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në qytetin e Durrësit.

Karakaçi thekson se brigadat e Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST) ndodhen në terren dhe do të ndërhyjnë për riparimin e dëmeve në linjën 110 kV sapo zjarri të shuhet plotësisht dhe të krijohen kushtet e nevojshme për një ndërhyrje të sigurt.

Sipas ministrit, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) ka marrë masa të menjëhershme për furnizimin e një pjese të zonave përmes linjave alternative, duke bërë të mundur rikthimin e pjesshëm të energjisë elektrike në Durrës.

Megjithatë, ai thekson se furnizimi përmes unazimeve nuk mund të vazhdojë për një kohë të gjatë për shkak të ngarkesës së lartë në rrjet.

“Ekipet e OST dhe OSSH janë në gatishmëri të plotë dhe po punojnë për rikthimin sa më të shpejtë të energjisë elektrike në të gjitha zonat e prekura”, thekson ministri Enea Karakaçi, duke u bërë thirrje qytetarëve për mirëkuptim deri në normalizimin e plotë të situatës.

The post Ministri Enea Karakaçi: Po punohet për rikthimin e plotë të energjisë në Durrës pas zjarrit në Shkozet appeared first on Euronews Albania.

Votimi i delegatëve, Lumir Abdixhiku rikonfirmohet kryetar i LDK-së

30 July 2026 at 21:45

Lumir Abdixhiku është rikonfirmuar në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), pasi mori mbështetjen e delegatëve në Kuvendin e partisë, të mbajtur këtë të enjte.

Abdixhiku, i cili është kryetari i katërt në historinë e LDK-së, siguroi votat e shumicës së delegatëve, duke ruajtur drejtimin e partisë edhe për një mandat.

Në punimet e Kuvendit morën pjesë rreth 330 delegatë, të cilët votuan për përbërjen e re drejtuese dhe konfirmimin e kryetarit.

Rikonfirmimi i Abdixhikut vjen pas diskutimeve të brendshme në parti dhe konsiderohet një votëbesim për drejtimin e tij në krye të LDK-së.

The post Votimi i delegatëve, Lumir Abdixhiku rikonfirmohet kryetar i LDK-së appeared first on Euronews Albania.

“Besa është një traktat i shkruar në ditë të vështira”, Çipa: Ja kujt i drejtohet “Prania Besnike”

30 July 2026 at 21:43

Gazetari, Aleksandër Çipa i ftuar këtë të enjte në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania ka folur lidhur me dokumentin e ri të kryeministrit Edi Rama, të quajtur “Besa” dhe protestat e qytetarëve. Gjatë fjalës së tij, Çipa u shpreh se protestat e vazhdueshme kanë rikthyer energjinë dhe shpresën e shoqërisë civile.

Sipas tij, sistemi politik në Shqipëri konsiderohet i kalbëzuar dhe jofunksional. Ai shtoi se kryeministri po përballet me konsumimin e gjatë në pushtet dhe koston politike të reformave të tij. Lidhur me “Besën”, ai tha se nuk është një dokument apo nismë e krijuar për publikun e gjerë, por një traktat në ditë të vështira.

“Diferenca mes pushtetit qendror ekzekutiv me pushtetin vendor qeverisës është ngushtuar si asnjëherë në historinë e shtetit shqiptar kësaj radhe, dhe këtë ka për ta ndjerë. E dyta, përqendrimi i bashkive, reduktimi i njësive administrative dhe krijimi i tre stilemave që është ose emërtimeve, që është bashkia, qyteti dhe njësia.

A është e paraprirë nga një strukturim paraprak se si do të funksionojë, si do të quhet X katund apo X fshat apo X mini-bashki që ka qenë dikur dhe ka qenë komunë? Do të quhet njësi. Po tek ajo njësia kush ka mbetur më? Sepse flasim për kapacitete administrative. Po të gjitha këto janë pjesë e këtij interpretimi.

Besa është një traktat të cilin e bën në ditë të vështira, në pozitë të vështirë, dhe jo për publikun, sepse ai e di shumë mirë që ndarja me publikun ka ndodhur.

Jam dakord me atë që thotë Kikia që dy janë targetet të cilat u adresohen këtij targeti. Edhe kjo që ne themi se është shumë e rafinuar, ne e kontestojmë këtë pjesën që e hodhi sot “Prania Besnike” se jo pa qëllim. Për kë prani e ka?

Nuk e ka fjalën për praninë e pluralizmit, e ka për familjen e vet politike. Sepse ai bën llogari gjithmonë me ato 800.000 votat, të cilat në kushtet e reduktimit mund t’i shkojnë 700. Nëse i shkojnë 700, ai bën dhe një skenar tjetër, thotë: grimcohen votat e opozitarizmit. Dhe në fakt kjo është një gjë kaq evidente”, tha ai.

The post “Besa është një traktat i shkruar në ditë të vështira”, Çipa: Ja kujt i drejtohet “Prania Besnike” appeared first on Euronews Albania.

Automjetet afrohen pranë vijës së detit, rriten shqetësimet për sigurinë e pushuesve

30 July 2026 at 21:43

Parkimi i automjeteve pranë vijës bregdetare vijon të mbetet një shqetësim në plazhet e Vlorës. Dhjetëra mjete ndalojnë çdo ditë fare pranë zonës ku qëndrojnë pushuesit, duke ngritur shqetësime për sigurinë, veçanërisht të fëmijëve dhe familjeve.

Pushuesit vendas dhe të huaj thonë se mungesa e hapësirave të dedikuara për parkim ka bërë që shumë drejtues mjetesh të afrohen deri në vijën e parë të detit. Sipas tyre, kjo situatë përbën rrezik dhe kërkon ndërhyrje më të fortë nga autoritetet.

“Këtu është qetë dhe kemi ku parkojmë, por është gabim që makinat të futen deri pranë detit. Duhet të ketë një vend të përcaktuar me kufizime. Është e rrezikshme dhe estetikisht shumë keq. Autoritetet duhet të bëjnë detyrën dhe policia të vendosë gjoba ndaj shkelësve”, shprehet një pushues.

Qytetarë të tjerë vlerësojnë investimet e kryera në Lungomare, por theksojnë se parkimi i pakontrolluar pranë bregdetit vazhdon të cenojë sigurinë dhe qarkullimin.

“Zona është përmirësuar shumë me Lungomaren, por kjo situatë nuk duhet të vazhdojë. Bashkia duhet të caktojë hapësira të posaçme për parkim. Makinat bllokojnë qarkullimin dhe rrezikojnë fëmijët që lëvizin me vrap në plazh. Nevojiten kontrolle të vazhdueshme nga Policia Rrugore”, thotë një tjetër pushues.

Përveç parkimit të automjeteve, pushuesit ngrenë shqetësime edhe për mungesën e koshave të mbeturinave, duke kërkuar më shumë vëmendje për mirëmbajtjen dhe pastërtinë e zonës.

“Plazhi është i mirë si hapësirë, por mungojnë koshat e mbeturinave. Problemi i makinave është serioz. Policia ndërhyri një ditë dhe largoi disa mjete, por kontrollet duhet të jenë të përditshme. Fëmijët janë më të rrezikuarit”, shprehet një pushues tjetër.

Sipas të dhënave zyrtare, Policia Rrugore dhe Policia Bashkiake kanë vendosur masa administrative ndaj drejtuesve që parkojnë automjetet në bregdet, ndërsa një pjesë e mjeteve janë larguar nga zona. Megjithatë, pavarësisht ndërhyrjeve, numri i automjeteve që vazhdojnë të parkojnë pranë vijës së parë të detit mbetet i lartë, duke mbajtur të hapur shqetësimin për sigurinë gjatë sezonit turistik.

The post Automjetet afrohen pranë vijës së detit, rriten shqetësimet për sigurinë e pushuesve appeared first on Euronews Albania.

Psikologët japin alarmin! Në rritje numri i të rinjve që konsumojnë lëndë narkotike

30 July 2026 at 21:40

Numri i adoleshentëve që konsumojnë lëndë narkotike po rritet vazhdimisht. Alarmi vjen nga psikologët, të cilët thonë se ky fenomen nuk po merr vëmendjen e nevojshme për t’u parandaluar.

Sipas psikologes, gjatë sezonit të verës konsumi i lëndëve narkotike rritet edhe më shumë.

Kur flitet për faktorët që ndikojnë në këtë fenomen, përveç kuriozitetit dhe problemeve në familje, psikologia thekson se shoqëria luan një rol vendimtar në nxitjen e adoleshentëve për të eksperimentuar me lëndët narkotike.

Edhe mjekët toksikologë kanë ngritur prej kohësh shqetësimin se të rinjtë shqiptarë po konsumojnë gjithnjë e më shumë lëndë narkotike. Sipas tyre, kombinimi i kokainës me alkoolin apo substanca të tjera është ndër format më të përhapura të konsumit.

The post Psikologët japin alarmin! Në rritje numri i të rinjve që konsumojnë lëndë narkotike appeared first on Euronews Albania.

Protestë në Poliçan kundër Reformës Territoriale, digjen teserat e PS

30 July 2026 at 21:32

Dhjetëra qytetarë u mblodhën këtë të enjte në Poliçan për të protestuar kundër planit për shkrirjen e bashkisë së tyre në kuadër të Reformës së re Territoriale.

Me pankarta në duar, protestuesit shprehën kundërshtimin ndaj projektit, ndërsa në një prej tyre shkruhej: “Fëmijët na i larguat, tani doni të na fshini nga harta”. Banorët kërkojnë që Poliçani të vijojë të funksionojë si bashki më vete.

Momenti më i spikatur i protestës ishte dorëheqja publike e kryetarit të Partisë Socialiste në Poliçan, Erjon Zylyftari. Para qytetarëve ai deklaroi se prekja e Bashkisë së Poliçanit përbën “një padrejtësi dhe një turp të madh”, duke njoftuar largimin nga posti drejtues.

Pas këtij veprimi, disa qytetarë dogjën në shesh teserat e anëtarësisë së Partisë Socialiste, ndërsa në shenjë kundërshtimi hodhën në flakë edhe tekstin e propozimit për ndarjen e re territoriale.

Në përfundim të tubimit, banorët firmosën një peticion përmes të cilit kërkojnë që Bashkia e Poliçanit të mos përfshihet në ndryshimet e propozuara nga Reforma Territoriale.

Sipas draftit të Reformës Territoriale 2.0, të dorëzuar në Kuvend nga Partia Socialiste, Bashkia e Poliçanit parashikohet të shkrihet dhe t’i bashkohet Bashkisë së Beratit, në kuadër të planit për uljen e numrit të bashkive në Shqipëri nga 61 në 46.

Rezerva ndaj këtij propozimi ka shprehur edhe kryebashkiaku i Poliçanit, Adriatik Zotkaj, i cili është shprehur se shkrirja e bashkive të vogla do të përshpejtojë shpopullimin e qyteteve.

Banorët këmbëngulin se Poliçani duhet të mbetet bashki më vete dhe kundërshtojnë përfshirjen e tij në Bashkinë e Beratit.

The post Protestë në Poliçan kundër Reformës Territoriale, digjen teserat e PS appeared first on Euronews Albania.

Kikia: ‘Besa’ është Kushtetuta e Patronazhistëve, lindi pasi Ramës nuk i dolën llogaritë

30 July 2026 at 21:22

Gazetari dhe analisti, Mentor Kikia i ftuar këtë të enjte në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania ka folur lidhur me zhvillimet më të fundit politike dhe dokumentin e ri të kryeministrit Edi Rama, të quajtur “Besa”.

Sipas Kikisë, “reflektimi” i Ramës nuk vjen nga shqetësimi për qytetarët ose ekonominë, por sepse protestat e fundit i shkaktuan disa humbje politike

Kikia argumenton se nisma “Besa” nuk është një strategji zhvillimi ekonomik apo forcim i institucioneve, por një “Kushtetutë e patronazhistëve”.

“Protesta e detyroi Ramën të reflektojë dhe Rama po reflekton në mënyrë absolute pas protestës, por nuk po reflekton as për flaming, as për qytetarët, as për ekonominë. Po reflekton për vete, po reflekton për partinë.

Sepse Rama është politikani më me këmbë në tokë në Shqipëri, kontrollon gjithçka, di gjithçka, mat gjithçka. Dhe protesta e Ramës i shkaktoi disa humbje. Tani po e rendis disa. Humbi Berishën. Humbi Berishën si Gogol të cilin e përdorte për të trembur votuesit gri që të thoshin “Po ika unë, erdhi ky”.

Protesta ja hoqi ekskluzivitetin Partisë Demokratike si partia e vetme që organizonte mitingje, protesta e tjerë e tjerë. I hoqi licencën e opozitarizmit, sepse protesta në vetvete motivoi një opozitarizëm qytetar që rezultoi të ishte shumë herë më i madh se sa opozitarizmi politik. Dhe Berisha nuk është më gogoli me të cilin Rama mund t’i trembi zgjedhësit e të thotë ‘Ej, është ky, po ika unë’”, tha ai.

“Besa nuk është një strategji e re politike në raport me zhvillimin ekonomik, për të bërë gati Shqipërinë e 2030-s, për të forcuar shtetin dhe institucionet, për të krijuar një mjedis të ri social, për të motivuar të rinjtë të martohen, të bëjnë fëmijë, apo të rinj të tjerë të kthehen në Shqipëri. Besa është Kushtetuta e Patronazhistëve.

Rama e sqaroi qartë shumë sot dhe unë befas u ndjeva i drithëruar nga saktësia me të cilën Rama e qartësoi. Është i sinqertë. Por është e frikshme në raport me shtetin. Sepse gjithçka që Rama tha sot ishte: Partia do zgjidhë hallet e qytetarëve, partia do bisedojë me njerëzit, partia do mbajë shënim, partia do i takojë qytetarët, partia do merret me këtë, partia, partia mbi gjithçka. Partia mbi bashkinë, partia mbi shtetin, mbi pushtetin, mbi institucionet”, shtoi ai.

The post Kikia: ‘Besa’ është Kushtetuta e Patronazhistëve, lindi pasi Ramës nuk i dolën llogaritë appeared first on Euronews Albania.

Raketa ruse shkatërron fabrikën e dronëve të firmës amerikane në Kiev

30 July 2026 at 20:54

Një fabrikë dronësh në Kiev u shkatërrua nga një raketë balistike ruse. Mësohet se fabrika ishte në pronësi të një korporate amerikane të regjistruar në Delaware.

Kjo është hera e parë që Moska ka synuar një kompani amerikane në konflikt. Askush nuk u vra në sulm, sipas një burimi të njohur me kompaninë.

Terminal Autonomy prodhon dronë precizë me goditje të thellë me sisteme udhëzimi që janë rezistentë ndaj sinjaleve penguese ruse, sipas një personi të njohur me kompaninë.

Fraza “autonomi terminale” i referohet fazës përfundimtare të sulmit të një droni kamikaz, në të cilën inteligjenca artificiale merr përsipër kontrollin e armës pasi forca mbrojtëse bllokon valët e radios ose shërbimin celular.

Anthony Vinci, një ish-oficer i lartë i inteligjencës amerikane tha se rusëve nuk u intereson se kush e zotëron fabrikën e prodhimit.

“Është ende një objektiv. Ata nuk u intereson nëse është amerikane apo e dikujt tjetër”, tha ai.

Në fillim të korrikut, presidenti amerikan Donald Trump tha se SHBA-të do t’i jepnin Ukrainës licencën për të prodhuar raketa anti-ajrore Patriot 

Agjencia shtetërore ruse e lajmeve Tass raportoi për herë të parë për sulmin të dielën, duke cituar ministrinë ruse të mbrojtjes si burim. Raporti nuk zbuloi se një kompani amerikane zotëronte fabrikën, por përmendi se “specialistë nga një kompani ukrainase-amerikane” kishin punuar atje.

The post Raketa ruse shkatërron fabrikën e dronëve të firmës amerikane në Kiev appeared first on Euronews Albania.

Dita e 61-të e protestës, qytetarët mblidhen para Kryeministrisë

30 July 2026 at 20:39

Protesta qytetare vijon në ditën e 61-të të saj teksa kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Qytetarë dhe aktivistë janë mbledhur fillimisht në sheshin “Skëndërbej” në orën 19:00 ku më pas marshuan drejt bulevardit përpara Kryeministrisë.

Pjesëmarrësit në protestë kanë bërë të ditur se tubimet do të vijojnë edhe në javët në vazhdim, deri në përmbushjen e kërkesave të parashtruara.

Kërkesa kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimi i mënyrës së funksionimit të klasës politike. Pas fjalimeve të qytetarëve para Kryeministrisë, pritet të ketë edhe marshim të protestuesve në rrugët e Tiranës.

The post Dita e 61-të e protestës, qytetarët mblidhen para Kryeministrisë appeared first on Euronews Albania.

Mijëra emigrantë hyjnë në Ceuta të Spanjës, autoritetet kërkojnë shpalljen e emergjencës kombëtare

30 July 2026 at 20:35

Autoritetet e Ceutës i kanë kërkuar qeverisë spanjolle në Madrid të shpallë gjendjen e emergjencës kombëtare dhe të angazhojë ushtrinë, pasi mijëra emigrantë kanë hyrë në territorin spanjoll nga Maroku, duke tejkaluar kapacitetet e forcave kufitare.

Pamjet e filmuara në plazhin Tarajal tregojnë qindra persona që kalojnë pranë digave mbrojtëse, ndërsa të tjerë vrapojnë në plazh dhe në rrugët e qytetit, në përpjekje për të hyrë në territorin spanjoll.

Sipas autoriteteve lokale, situata në kufi është përshkruar si “kaotike”, ndërsa qendrat e pritjes janë mbingarkuar për shkak të fluksit të madh të mbërritjeve. Megjithatë, qeveria spanjolle ka bërë të ditur se, sipas legjislacionit në fuqi, fenomeni i emigracionit nuk përbën bazë ligjore për shpalljen e emergjencës kombëtare, duke theksuar se po vijon koordinimin me autoritetet marokene për të rikthyer kontrollin në kufi.

The post Mijëra emigrantë hyjnë në Ceuta të Spanjës, autoritetet kërkojnë shpalljen e emergjencës kombëtare appeared first on Euronews Albania.

“PS veproi e vetme”, PD publikon propozimin për ndarjen territoriale! 100 bashki dhe 6 rajone

30 July 2026 at 19:41

Partia Demokratike ka bërë publike propozimin e saj për reformën administrativo-territoriale, duke kundërshtuar mënyrën e ndjekur nga Partia Socialiste në këtë proces, të cilën e cilëson si të njëanshme.

Drafti i PD-së, i hartuar nga ekspertët e saj, parashikon krijimin e 100 bashkive dhe 6 rajoneve. Dokumenti u është shpërndarë deputetëve të grupit parlamentar demokrat nga bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Territoriale, Luciano Boçi.

Në mesazhin drejtuar deputetëve të PD-së, Boçi shkruan:

“Të nderuar deputetë, me miratimin e Kryetarit të PD dhe të Kryetarit të grupit, ju përcjell listën e bashkive (100) të paraqitur në raport nga ekspertët tanë. Secili mund të bëjë më pas prononcimin e vet. Falenderime!”

Propozimi i opozitës vjen pas përplasjeve mes palëve politike në Komisionin për Reformën Territoriale, ku PD ka akuzuar shumicën socialiste se ka vepruar pa konsensus dhe pa marrë parasysh sugjerimet e opozitës.

Sipas demokratëve, modeli me 100 bashki dhe 6 rajone synon një organizim më të balancuar të pushtetit vendor dhe një përfaqësim më të gjerë të komuniteteve lokale.

The post “PS veproi e vetme”, PD publikon propozimin për ndarjen territoriale! 100 bashki dhe 6 rajone appeared first on Euronews Albania.

Vihet nën kontroll zjarri në Shkozet, po punohet për shuarjen e flakëve. Dy zjarrfikës në spital nga asfiksia

30 July 2026 at 19:28

Detaje të reja janë zbardhur lidhur me zjarrin e rënë në zonën e Shkozetit. Forcat zjarrfikëse prej 3 orësh po punojnë për shuarjen e flakëve teksa mësohet se është bërë e mundur vënia nën kontroll e situatës.

Për shuarjen e zjarrit janë angazhuar 5 mjete zjarrfikëse, 4 autobotë, 1 autoshkallë dhe 24 punonjës të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, MZSH. Ndër të tjera, theksohet se përshkak të tymit, dy zjarrfikës kanë shfaqur probleme dhe janë transportuar në spital. Ndërkohë vijon puna për shuarjen plotësisht të flakëve.

Njoftimi i plotë:

Azhornim i situatës së zjarrit në zonën e Shkozetit. Forcat zjarrfikëse të Bashkisë Durrës po vijojnë prej më shumë se tre orësh operacionin intensiv për shuarjen e zjarrit të rënë në një magazinë  në zonën e Shkozetit.

Në operacion janë angazhuar 5 mjete zjarrfikëse, 4 autobotë, 1 autoshkallë dhe 24 punonjës të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit (MZSH). Në mbështetje të operacionit janë angazhuar gjithashtu edhe forcat dhe mjetet e Portit të Durrësit, si edhe Stacioni i MZSH-së Shijak.

Falë ndërhyrjes së shpejtë, profesionalizmit dhe koordinimit të të gjitha strukturave të angazhuara, zjarri është vënë nën kontroll. Aktualisht po vijon puna për shuarjen e plotë të vatrave të mbetura dhe sigurimin e perimetrit.

Gjatë operacionit, dy efektivë të shërbimit zjarrfikës, Nadir Kapaj dhe Maliq Gjyli, janë transportuar në spitalin rajonal Durres për shkak të asfiksimit si pasojë e tymit dhe zjarrit, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore. Gjendja e tyre paraqitet e qëndrueshme.

Aktualisht nuk ka rrezik për përhapje të mëtejshme të flakëve. Shkaqet e zjarrit do të bëhen të ditura pas përfundimit të hetimeve nga autoritetet përgjegjëse.

Bashkia Durrës u uron zjarrfikseve të lënduar shërim sa më të shpejtë dhe shpreh mirënjohjen për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë këtij operacioni në mbrojtje të jetës dhe pronës së qytetarëve.

The post Vihet nën kontroll zjarri në Shkozet, po punohet për shuarjen e flakëve. Dy zjarrfikës në spital nga asfiksia appeared first on Euronews Albania.

752 persona në një ditë, numër rekord i emigrantëve që kaluan Kanalin Anglez 

30 July 2026 at 19:18

Autoritetet britanike regjistruan të mërkurën mbërritjen e 752 emigrantëve që kaluan Kanalin Anglez me varka të vogla, një numër rekord që nga fillimi i vitit, sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme.

Ata bënë udhëtimin e rrezikshëm në bordin e nëntë gomoneve. Rekordi i mëparshëm për mbërritjet në 24 orë ishte 710, i vendosur më 15 qershor.

Rekordi absolut mbetet 1,305 mbërritje në fillim të shtatorit 2022. Që nga fillimi i vitit, 14,128 persona kanë kaluar me anije në Britani, një numër i zvogëluar me 42% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Rekordi u vendos në të njëjtën ditë kur autoritetet franceze thanë se katër emigrantë u gjetën të vdekur pasi u përpoqën të kalonin Kanalin Anglez. Të paktën 14 persona kanë vdekur në Francë këtë vit në të njëjtën mënyrë.

Autoritetet po zbulojnë gjithashtu se kontrabandistët po përdorin anije gjithnjë e më të mëdha për të marrë më shumë njerëz në bord. Më herët këtë javë, një 19-vjeçar u paraqit në gjykatë në Britani me akuzën se ishte kapiteni i një anijeje të tillë që mbante 167 persona.

The post 752 persona në një ditë, numër rekord i emigrantëve që kaluan Kanalin Anglez  appeared first on Euronews Albania.

PS kërkon shkrirjen e bashkisë Maliq dhe bashkimin me Korçën, banorët thërrasin protestë të dielën

30 July 2026 at 19:09

Banorët e bashkisë së Maliqit kanë njoftuar këtë të enjte se do të ngrihen në protestë lidhur me hartën e re territoriale ku shkrihen 15 bashki. Nga këto ndryshime preket edhe Maliqi teksa PS kërkon bashkimin e saj me Korçën. Banorët kanë njoftuar protestë ditën e dielë në orën 19:00 para bashkisë.

Sipas projektligjit, 28 bashki do të konsolidohen në 13 bashki të reja. Bashkitë që propozohet të shkrihen janë: Fushë-Arrëz, Klos, Rrogozhinë, Dimal, Poliçan, Patos, Divjakë, Selenicë, Maliq, Këlcyrë, Memaliaj, Libohovë, Cërrik, Belsh dhe Përrenjas.

The post PS kërkon shkrirjen e bashkisë Maliq dhe bashkimin me Korçën, banorët thërrasin protestë të dielën appeared first on Euronews Albania.

Kina hedh poshtë raportimet se po armatos Iranin me raketa kundërajrore: Aspak e vërtetë

30 July 2026 at 19:07

Kina mohoi të enjten një raport në media se Irani pritej të merrte një grup fillestar prej deri në 400 raketash mbrojtëse ajrore të prodhuara në Kinë brenda disa javësh, duke e quajtur raportin “jo të vërtetë dhe aspak faktik”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning, tha në një konferencë për shtyp në Pekin se vendi e ka bërë “të qartë qëndrimin e tij mbi çështjet përkatëse në shumë raste”.

“Raportet nuk janë të vërteta dhe aspak faktike”, tha ajo, duke theksuar se Kina “gjithmonë punon për paqen dhe përfundimin e konfliktit”.

Pakistani të mërkurën gjithashtu e hodhi poshtë “kategorikisht” raportin, i cili pretendonte se Islamabadi do të siguronte tranzitin për dërgesën.

“Të gjitha spekulimet e tilla janë të pabaza dhe të zhveshura nga e vërteta”, tha krahu i medias ushtarake të Pakistanit, Marrëdhëniet me Publikun Ndër-Shërbime.

“Spekulime të tilla hidhen poshtë kategorikisht,” shtoi ajo.

Reuters raportoi më parë se Irani pritej të merrte dërgesën e parë të sistemeve të mbrojtjes ajrore brenda disa javësh, ndërsa kërkon të rindërtojë mbrojtjen e tij mes luftës me SHBA-në.

Sipas një plani të rënë dakord nga palët, dërgesat fillestare do të bëheshin me aeroplan nga Urumqi në Kinën perëndimore dhe do të kalonin tranzit nëpër Pakistan përpara se të arrinin në Iran, thuhet në raport, duke cituar burime të paidentifikuara.

Burimet nuk sqaruan nëse dërgesa do të kalonte nëpër Pakistan me rrugë ajrore apo rrugore.

The post Kina hedh poshtë raportimet se po armatos Iranin me raketa kundërajrore: Aspak e vërtetë appeared first on Euronews Albania.

Nga arkitekte në “zonjën e raketave”, historia e gruas që po armatos Ukrainën në mes të luftës

30 July 2026 at 19:03

“E bëjmë ndërsa raketat na fluturojnë mbi kokë”. Me këto fjalë Iryna Terekh përshkruan realitetin e punës së saj në krye të një prej kompanive më të rëndësishme të mbrojtjes në Ukrainë, duke prodhuar raketa, dronë dhe sisteme interceptimi në mes të luftës me Rusinë.

Terekh, ish-arkitekte dhe e mbijetuar e masakrës së Buchas, sot drejton kompaninë Fire Point, e cila është kthyer në një nga emrat më të diskutuar të industrisë ushtarake ukrainase.

Në selinë e kompanisë në Kiev, motoja “Quis nisi nos” – “Kush, nëse jo ne” – simbolizon përpjekjen për të ndërtuar kapacitete të reja ushtarake vendase. Produkti kryesor i kompanisë është raketa e lundrimit “Flamingo”, e cila sipas Terekh ka aftësi të godasë objektiva në distanca të gjata.

Një prej këtyre raketave raportohet se ka përshkuar rreth 1800 kilometra për të goditur një impiant të kompanisë ruse Avitek në Kirov, duke transportuar një kokë luftarake prej 1150 kilogramësh.

Terekh deklaron se kompania ka kapacitet për të prodhuar deri në 200 raketa në muaj, por ritmi i prodhimit varet nga kontratat dhe financimi. Sipas saj, nëse një pjesë e fondeve evropiane do të drejtohej për programin “Flamingo”, prodhimi mund të rritej ndjeshëm.

Ajo foli edhe për dronët FP-1 dhe FP-2, duke thënë se interesi ndërkombëtar është rritur, por prioriteti mbetet furnizimi i ushtrisë ukrainase.

“Një armë që nuk është testuar në kushte reale nuk ka kuptim. Fusha e betejës ukrainase është prova më e vështirë”, tha Terekh, duke shtuar se shumë kompani perëndimore tashmë po bashkëpunojnë me Ukrainën për kërkimin dhe zhvillimin e teknologjive ushtarake.

Duke folur për projektin evropian të mbrojtjes ajrore Freyja, ajo tha se synimi është krijimi i interceptorëve me kosto më të ulët sesa sistemet ekzistuese si Patriot missile system. Sipas saj, një interceptor i ri evropian duhet të kushtojë më pak se një milion dollarë, ndërsa një raketë Patriot mund të kushtojë disa milionë.


Terekh zbuloi gjithashtu se Ukraina po zhvillon një program të vetin balistik. Raketa FP-7 ndodhet në fazën e certifikimit, ndërsa FP-9 pritet të nisë testimet në vjeshtë.

E pyetur për kritikat dhe polemikat rreth kompanisë së saj, ajo u shpreh se vendimet politike u takojnë institucioneve shtetërore, por paralajmëroi se akuzat pa prova mund të dëmtojnë interesat e Ukrainës gjatë luftës.

Në moshën 36-vjeçare, Terekh thotë se nuk e kishte imagjinuar se do të drejtonte një kompani raketash. “Nuk ka rëndësi vetëm çfarë prodhon. Rëndësi ka arkitektura e sistemit”, u shpreh ajo.

The post Nga arkitekte në “zonjën e raketave”, historia e gruas që po armatos Ukrainën në mes të luftës appeared first on Euronews Albania.

BE ngre pikëpyetje për ligjin italian mbi njohjen e fytyrës: Kamera në kohë reale dhe pa miratim gjyqësor

30 July 2026 at 19:01

Një dekret i qeverisë italiane që zgjeron përdorimin e teknologjisë së njohjes së fytyrës nga policia po ngjall shqetësime në Bruksel, pasi mund të jetë në kundërshtim me AI Act, rregulloren europiane që rregullon përdorimin e inteligjencës artificiale.

Sipas burimeve të La Repubblica, Komisioni Europian ka nisur tashmë, në mënyrë joformale, të shqyrtojë përputhshmërinë e ligjit italian me të drejtën e BE-së. Italia do të duhet ta njoftojë zyrtarisht Komisionin pasi dekreti të hyjë në fuqi dhe vlerësimi pritet të nisë jo më herët se shtatori.

Në qendër të debatit është neni 5 i AI Act, i cili ndalon përdorimin e sistemeve të identifikimit biometrik në kohë reale në hapësira publike, përveç disa rasteve të jashtëzakonshme, si kërkimi i personave të zhdukur, viktimave të trafikimit apo përballja me një kërcënim të menjëhershëm terrorist ose ndaj jetës së njerëzve.

Megjithatë, projektligji italian parashikon që policia të mund të aktivizojë njohjen biometrike për të gjithë personat që ndodhen në një vend të caktuar publik. Vendimi do të merret nga prefekti i policisë (questore), pa autorizim paraprak nga gjykata, ndërsa regjistrimet do të mund të ruhen deri në shtatë ditë.

Kjo bie ndesh me rregulloren europiane, e cila kërkon që përdorimi i këtyre sistemeve të autorizohet paraprakisht nga një autoritet gjyqësor ose një autoritet administrativ i pavarur. Edhe në rastet urgjente, AI Act parashikon që miratimi i mëvonshëm të jepet nga një autoritet i pavarur dhe jo vetëm nga prokurori.

Një tjetër pikë që pritet të shqyrtohet nga Komisioni Europian është ruajtja e regjistrimeve për shtatë ditë, pasi kjo ngre çështje që lidhen me mbrojtjen e privatësisë dhe të dhënave personale.

Sipas AI Act, shtetet anëtare duhet t’i njoftojnë Komisionit Europian rregullat kombëtare brenda 30 ditëve nga miratimi i tyre. Kjo do të thotë se gjatë shtatorit, Komisioni do të duhet të vlerësojë nëse ligji italian është në përputhje me legjislacionin europian. Sipas sinjaleve të para nga Brukseli, ky vlerësim pritet të jetë i vështirë për qeverinë italiane.

The post BE ngre pikëpyetje për ligjin italian mbi njohjen e fytyrës: Kamera në kohë reale dhe pa miratim gjyqësor appeared first on Euronews Albania.

Përfshihet nga flakët një automjet në Novoselë, zjarrfikësit drejt vendit të ngjarjes (VIDEO)

30 July 2026 at 18:54

Një automjet është përfshirë nga flakët pak minuta më parë në zonën e Novoselës, në Vlorë.

Sipas informacioneve paraprake, zjarri ka përfshirë makinën ndërsa shërbimi zjarrfikës është nisur drejt vendit të ngjarjes për të bërë të mundur shuarjen e flakëve dhe parandalimin e përhapjes së tyre.

Ende nuk dihen shkaqet e rënies së zjarrit, ndërsa pritet ndërhyrja e zjarrfikësve dhe informacioni zyrtar për rrethanat e ngjarjes.

The post Përfshihet nga flakët një automjet në Novoselë, zjarrfikësit drejt vendit të ngjarjes (VIDEO) appeared first on Euronews Albania.

Zjarri në Shkozet, bllokohet qarkullimi i automjeteve në disa segmente. Policia: Përdorni rrugë alternative

30 July 2026 at 18:42

Një zjarri i rënë pasditen e sotme në zonën e Shkozetit ka shkaktuar paralizim të qarkullimit të automjeteve në disa prej akseve kryesore hyrëse dhe dalëse të qytetit të Durrësit.

Për shkak të përhapjes së flakëve dhe prezencës së tymit, me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve, është bllokuar plotësisht lëvizja e mjeteve në: Unazën e qytetit të Durrësit; mbikalimin e Shkozetit, segmenti rrugor “Martin Camaj” në drejtim të Plepave dhe në segmenti kryesor rrugor Kavajë-Durrës.

Policia e Shtetit u bëri thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve dhe qytetarëve që të shmangin kalimin në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugë alternative deri në normalizimin e plotë të situatës.

“Durrës. Për shkak të zjarrit të rënë në zonën e Shkozetit, është bllokuar qarkullimi i automjeteve në Unazën e qytetit, në mbikalimin e Shkozetit, në segmentin rrugor “Martin Camaj”, në drejtim të Plepave, si dhe në segmentin rrugor Kavajë-Durrës.

Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve të shmangin lëvizjen në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugë alternative, deri në normalizimin e situatës.

Shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse dhe strukturat e tjera përgjegjëse, ndodhen në terren dhe po punojnë për menaxhimin e situatës, shuarjen e zjarrit, garantimin e sigurisë dhe rikthimin e qarkullimit sa më shpejt të jetë e mundur”, njofton policia.

The post Zjarri në Shkozet, bllokohet qarkullimi i automjeteve në disa segmente. Policia: Përdorni rrugë alternative appeared first on Euronews Albania.

Parisi shpallet qyteti më i mirë në botë për ushqimin në rrugë

30 July 2026 at 18:31

Parisi është shpallur qyteti më i mirë në botë për ushqimin në rrugë, sipas një studimi të ri që ka analizuar ofertat gastronomike në 100 qytetet më të vizituara të globit.

Studimi, i realizuar nga Radical Storage, ka marrë në shqyrtim 6,897 shitës të ushqimit në rrugë, duke vlerësuar cilësinë, shumëllojshmërinë e kuzhinave, çmimet, si dhe mundësitë për ushqime vegjetariane, vegane dhe pa gluten.

Kryeqyteti francez kryeson renditjen me 7.2 pikë nga 10. Rreth 69.1% e 401 restoranteve të analizuara në Paris kanë marrë të paktën katër yje, ndërsa qyteti ka një dendësi prej 3.82 shitësish të ushqimit në rrugë për kilometër katror.

Në vendin e dytë renditet Athina, me 6.9 pikë, e ndjekur nga Selaniku me 6.1 pikë. Athina spikat për shumëllojshmërinë e kuzhinave, ndërsa Selaniku për përqindjen e lartë të ushqimeve të përballueshme.

Rodos është qyteti me ushqimin në rrugë më të vlerësuar, pasi 82% e shitësve të analizuar kanë marrë katër yje ose më shumë. Ndërsa Londra kryeson për shumëllojshmërinë, me oferta nga 39 lloje të ndryshme kuzhinash.

Në dhjetëshen e qyteteve më të mira për ushqimin në rrugë përfshihen gjithashtu Barcelona, Roma, Hanoi, Budapesti dhe Amsterdami.

The post Parisi shpallet qyteti më i mirë në botë për ushqimin në rrugë appeared first on Euronews Albania.

❌