Normal view

Meta reagon nga burgu për negociatat me BE: Kryeministri i bllokoi për 1 dekadë

1 November 2024 at 19:39

Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka reaguar nga burgu për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Përmes një postimi në rrjetin social Instagram, Meta e cilëson ekzaltim fals të kryeministrit për celjen e grupkapitujve, i cili sipas tij ka bllokuar vendin për më shumë se një dekadë.

“Ekzaltimi fals i Kryeministrit Rama për grupkapitujt, pasi e bllokoi integrimin europian të vendit për një dekadë është tregues i hipokrizisë dhe papërgjegjshmërisë të tij dhe bandës së “Rilindjes” për këtë proces që duhej të ishte përmbyllur prej kohësh. Shqipëria nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit më 2006, para Malit të Zi, Serbisë dhe vendeve të tjera, që e nënshkruan atë vite më pas. Ndërkohë ato i çelën negociatat më 2012 dhe 2014 dhe janë në një stad shumë më të avancuar edhe pse kishin problem me Gjykatat Ndërkombëtare dhe konflikte ndëretnike”, shkruan mes të tjerash Meta.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post Meta reagon nga burgu për negociatat me BE: Kryeministri i bllokoi për 1 dekadë appeared first on Euronews Albania.

Ilir Meta reagon nga burgu: Rrëmbim i planifikuar prej kohësh

28 October 2024 at 17:25

Ish-presidenti Ilir Meta ka reaguar me anë të një postimi të gjatë në Facebook 1 javë pasi u arrestua me urdhër të SPAK.

Meta shprehet se arrestimi i tij është bërë qëllimisht në prag të fushatës elektorale për ti garantuar regjimit të Edi Ramës 4 vjet të tjera në pushtet.

Postimi i plotë i Metës

Sot u mbush një javë nga rrëmbimi im i paligjshëm dhe kriminal nga tontonmakutët e regjimit të DumDumanit, që ka ndërtuar Edi Rama dhe mafia ndërkombëtare në vendin tonë.

Është e qartë si drita e diellit, që ky rrëmbim i planifikuar prej kohësh ndodhi tani pikërisht në prag të fushatës zgjedhore të 2025-ës, për t’i garantuar Narkoregjimit përmes Narkodrejtësisë edhe 4 vite të tjera sundim në kurriz të shqiptarëve dhe në dëm të interesave kombëtare.

Përse duhet të rrëmbehet në mes të autostradës, përmes një inskenimi që zgjati minuta të tëra, Presidenti i Partisë së Lirisë, partia e tretë parlamentare në vend prej 20 vjetësh dhe ish-Presidenti i Republikës, i cili gëzon mbrojtje të veçantë nga Garda e Republikës?

Sepse i është shmangur thirrjeve të SPAK-ut apo drejtësisë ndonjëherë?

Apo se ka kryer ndonjë krim në flagrancë?

A nuk e rrëmbyen edhe Aldo Moron, brigadat e kuqe me uniformë policie do t’i pyesja të gjithë ata pseudoanalistë, që janë të shqetësuar nga kundërshtimi im ndaj këtij akti kriminal dhe mafioz, pa asnjë dokument juridik, pa etikë dhe duke përdorur një forcë kafshërore, që vjen nga instiktet shtazore të atij që i urdhëron.

Jam shumë i qartë se ky rrëmbim është një konsensus i gjerë i përgatitur nga faktorët më malinj, të cilët i tmerron prania e Ilir Metës, në jetën publike, të vërtetat që ai thotë dhe që gjithmonë janë provuar, çmontimi i Ramaformës në Komisionin e Venecias, që ka asgjësuar shtetin e së drejtës dhe ka instaluar një juntë të rrezikshme policore, gjyqësore dhe bandash, aq sa edhe Vietnami i ka indekset e drejtësisë më të mira.

Rrëmbimi i Ilir Metës nga mafia në pushtet, me urdhër të tre mercenarëve të saj, Altin Dumani, Arben Kraja edhe Sotir Kllapi, u bë me qëllim që të më pamundësojë sa më shumë mbrojtjen në publik, në media e debate nga akuzat qesharake dhe të stisura të cilat nuk përmbajnë asnjë fakt apo provë penale kundër meje.

Hetimet ndaj meje kanë nisur që në Dhjetor 2019 në bazë të kallëzimit të një njeriu të dënuar nga Gjykata për dhunë në familje, si Romeo Karaj, i cili ishte edhe punonjës i regjimit, OSHE dhe dikur bashkëpunëtor i Kastriot Ismailit te CEZ-DIA.

Kjo çështje është filluar në kohën e përplasjes së madhe për mbrojtjen e Gjykatës Kushtetuese midis meje si President i Republikës dhe Qeverisë së “Rilindjes”, që donte të grabiste të gjithë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, që të kemi këtë Ramaformë që e dinë të gjithë shqiptarët.

Për vite të tëra, Altin Dumani, në bashkëpunim me Edi Ramën dhe Damian Gjiknurin, jo vetëm joshën shumë persona për të bërë deklarime të rreme, por edhe intimiduan shumë të tjerë, që kishin probleme me drejtësinë, për vjedhje dhe mashtrime, si rasti i Elvis Mataj, që ka qenë krahu i djathtë i Kastriot Ismailit, për t’i përdorur në gjyqin e arbitrazhit në Vjenë kundër tij, por edhe më pas për të bërë deklarata mashtruese lidhur me marrëdhëniet e mia me Kastriot Ismailaj.

Po kështu përmes Dritan Priftit dhe Tom Doshit u përpoqën të përdornin të afërm të tij për të më provokuar mua, që të ndërhyja për lirimin e tij dhe më pas i nxitën për të dhënë intervista të pavërteta.

Lidhur me këtë çështje, si Kryetar Kuvendi, i kam çuar informacion zyrtar Prokurorisë dhe i kam kërkuar të merreshin masa, pasi ata edhe mund ta eleminonin znj.Vojsava Ismaili e më pas të pretendonin se këtë e kisha bërë unë, gjoja si hakmarrje ose për të zhdukur një dëshmitare që kurrë në fakt s’ka ekzistuar si e tillë.

Altin Dumani e di shumë mirë se Kastriot Ismaili i kishte lidhjet me CEZ shumë përpara se unë të bëhesha Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Jashtëm, për shkak të partneres së tij amerikane Rebeka dhe nuk jam unë personi që e kam lidhur me çekët.

Po kështu Dumani e di shumë mirë se lidhjet me CEZ i mbante Ministria e Ekonomisë dhe Energjisë në emër të Qeverisë shqiptare, si aksionere me 24% në CEZ-Albania.

Dumani e di shumë mirë se marrëveshja midis CEZ-it dhe DIA është firmosur në 1 shtator 2010 dhe ishte marrëdhënie midis dy kompanive me interesa reciproke.

Ndërsa unë jam bërë Ministër i Ekonomisë më 16 shtator.

Po kështu ai e di shumë mirë se asnjë ditë, Kastriot Ismaili nuk ka qenë as kandidat për anëtar i Këshillit Mbikqyrës të CEZ-Albania, as anëtar i këtij Këshilli dhe as ndihmës i Ministrit sepse nuk ekziston asnjë akt i tillë.

Prania e tij gjatë vizitës që kam zhvilluar unë në Pragë gjatë një vizite pune të dokumentuar nuk ka të bëjë me faktin se ai ishte pjesë e delegacionit tonë, i cili është i dokumentuar nga urdhër-shërbimet.

Por ai ishte si partner zyrtar i CEZ-it që ishte edhe mikpritësi ynë së bashku me Ministrin e Ekonomisë.

Po kështu Kastriot Ismaili nuk ishte as person në kërkim dhe as i lidhur me bandat siç janë sot shumica e atyre që fluturojnë me çarterin e Edi Ramës, shpenzimet e të cilit nuk deklarohen kurrë dhe për të cilat Dumani s’ka guxim të shqetësohet.

Dumani spekullon kur thotë se unë nuk kam thënë të vërtetën lidhur me udhëtimin në Pragë, i cili ka qenë shumë i saktë.

Pra mund të kemi qëlluar në një avion, por jo për qëllime të përbashkëta.

Dhe kjo është logjike sepse qëllim i përbashkët do të thotë për shembull të ikësh me dikë për pushime në të njëjtin vend.

Por në rastin konkret qëllimi im ishte nxitja e drejtuesve të CEZ për të mos zvarritur investimet që ishin jetike për shkak të dimrit ku kishim hyrë.

Lidhur me pretendimet se pas kësaj vizite u realizua ulja e çmimit nga ERE në favor të CEZ, më duhet të sqaroj se ERE ishte një institucion i pavarur nga Qeveria.

Jo vetëm kaq, por Ministria e Ekonomisë dhe Energjisë e kundërshtoi përmes KESH-it vendimin e saj në të gjitha gjykatat.

Për më tepër kjo përplasje e Qeverisë me ERE solli pasojë edhe dorëheqjen ose shkarkimin e Kryetarit të ERE.

Por kjo nuk i leverdis Altin Dumanit të përmendet edhe pse ishte te dëshmia ime sepse ai ka marrë detyrën e kamikazit të Partisë për të ndërtuar një tablo sinoptike fake, me qëllim montimin e akuzave politike pa prova.

Për 4 vite Dumani bëri çdo përpjekje për t’i marrë deklarime të rreme Kastriot Ismailit në burg kundër meje, por nuk ia arriti qëllimit.

Këtë e dinë të gjithë në burgun e Fierit dhe SPAK.

Në pamundësi për të provuar një fakt penal nga kjo çështje, SPAK lëshoi plot delinkuentë për të bërë kallëzime të tjera pafund për çështjet e lobingjeve, të deklarimit të pasurive, të çështjeve shëndetësore, etj.

Përfundimisht më duhet të deklaroj shkurt se në gjithë pretendimet që ngre SPAK-u për hetimet 20-vjeçare ndaj meje, ka vetëm dy raste që më duhet të sqaroj.

Mosdeklarimi sipas tyre i shpenzimeve të mia shëndetësore në vitin 2013 në Vjenë prej 7341 Euro.

Dhe në Nëntor 2014, shuma prej 7984 Euro në klinikën, Austri.

Pra bëhët fjalë vetëm për 15 mijë Euro total në 20 vite hetime.

Më duhet të sqaroj se kjo ka ardhur për shkak të garancive (të pavërteta) nga ish-bashkëshortja ime se çdo gjë ishte paguar, e deklaruar sipas ligjit.

Pastaj çdo gjë tjetër ishte vetëm një makinacion për të më veshur mua përgjegjësi që nuk më takojnë pasi me procesin e deklarimit të pasurisë apo shpenzimeve shëndetësore dhe mjekësore merrej ish-gruaja ime në mirëbesim të plotë duke patur edhe avokatin dhe noteren për këto çështje, por edhe shumicën e pronave.

Lidhur me lobingjet, siç e sqarova edhe në sallën e gjyqit, në dijeninë time çdo gjë është bërë sipas ligjeve shqiptare dhe amerikane dhe kurrë nuk kam autorizuar veprime të paligjshme.

Në sallën e gjyqit me shkresë konkrete demonstrova sesi kompania “McKeon Group” kishte regjistruar në FARA (Departamenti i Drejtësisë) një konkratë të nënshkruar nga një avokat greko-amerikan Fideszis, pa dijeninë dhe autorizimin tim dhe të LSI.

Në 20 Janar, Presidenti i “McKeon Group” i kërkoi zyrtarisht FARA (Departamenti i Drejtësisë) të korrigjonte atë marrëveshje pasi Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z.Ilir Meta na tha se ky person s’ka qenë i autorizuar nga ai dhe LSI dhe se qëllimet e bashkëpunimit janë të tjera.

Po kështu më duhet të sqaroj se lidhur me dy kompanitë e lobimit të prezantuara nga shqiptaro-amerikani, Adrian Shatku, në dijeninë time çdo vendim i LSI ka qenë i ligjshëm në respekt të ligjit shqiptar dhe amerikan.

Nëse SPAK-ut i rezultojnë diferenca midis deklarimeve në KQZ dhe përfitimeve nga kompanitë e lobimit për interes të LSI-së, SPAK-u dhe FBI i kanë patur të gjitha mundësitë të verifikojnë se cilët persona ose kompani kanë paguar në USA dhe t’i vendosin në ndjekje penale.

Është e padiskutueshme që unë Ilir Meta të kem autorizuar dikë të bëjë veprime të tilla ose të kem patur dijeni.

Por SPAK-ut nuk i intereson e vërteta e përgjegjësisë por përpjekja për të krijuar tymnajën që përderisa këto janë deklaruar si shërbime ndaj LSI dhe Ilir Metës, paguesi është Ilir Meta, kur kjo është e pavërtetë dhe SPAK-u dhe FBI e dinë se cilët janë paguesit që duhet të përgjigjen para ligjeve shqiptare dhe amerikane.

Po kështu më duhet të distancohem me neveri nga aludimet dhe insinuatat që bën SPAK-u nga tabulatet e telefonave të sekuestruara ish-bashkëshortes time se unë kam ndikuar në favor të biznesmenit shqiptaro-amerikan, Adrian Shatku dhe kam qenë në dijeni të përfitimeve nga ish-bashkëshortja ime.

Kjo është një përpjekje e dëshpëruar e SPAK-ut për të shtuar një insinuatë më shumë në fletërrufenë e gjatë.

Akoma më i turpshëm është konkluzioni se unë kam përfituar nga kartat që ish-bashkëshortja ime paska marrë dhe përdorur nga Adrian Shatku, gjë që s’do ta kisha lejuar kurrë.

Po kështu konkluzioni se Kryetari i Kuvendit ka ndërhyrë për të bërë një ndryshim ligjor në favor të një biznesmeni është absurd.

Procedura e ligjbërjes është e përcaktuar se si nis dhe konkludohet dhe roli i Kryetarit të Kuvendit është si ai i çdo deputeti tjetër në votim, në bazë të bindjes së tij.

Si nuk u shqetësua SPAK-u për shumë ligje me porosi dhe emra të përveçëm që bëri Edi Rama dhe u denoncuan nga Presidenti i Republikës?

Akoma më absurd është konkluzioni se meqënëse Kryetari i Parlamentit ka biseduar me Kryetaren e AKEP-it për shqetësimet e ngritura nga e vetmja kompani shqiptare në fushën e telekomunikacionit, PLUS, qënkan ndërhyrje për favorizim kur ankesa e tyre ishte se po diskriminoheshin nga kompanitë e huaja.

Ndërkohë që te PLUS, kishim aksionerë shqiptarë dhe shqetësim i tyre nuk mund të injorohej.

Si përfundim për sot, e gjithë Fletërrufeja e SPAK-ut kundër meje është një justifikim për të realizuar aktin e rrëmbimit dhe izolimit të thellë politik, me qëllim që në koordinim me Edi Ramën, Erion Velinë, SHISH dhe bashkëpunëtorët e tyre të infiltruar në Partinë e Lirisë të rrëmbejnë drejtimin e kësaj force politike, për ta kthyer në një freskore të regjimit.

Kjo gjë nuk ka për të ndodhur kurrë ndaj i kërkoj Sekretarit të Përgjithshëm, z.Tedi Blushi, Kryesisë dhe gjithë strukturave tona anembanë vendit, t’i japin përgjigjen e merituar këtij skenari ogurzi për demokracinë, se Partia e Lirisë nuk mund të bëhet Partia e Tradhtisë.

 

 

 

The post Ilir Meta reagon nga burgu: Rrëmbim i planifikuar prej kohësh appeared first on Euronews Albania.

Avokati i Popullit nis hetimet mbi procedurat e arrestimit të ish-presidentit Meta

By: fra nc
28 October 2024 at 13:43

Avokati i Popullit ka nisur hetimet administrative mbi veprimet e Policisë së Shtetit në zbatimin e urdhrit të ekzekutimit të masës së sigurisë ndaj ish-presidentit Ilir Meta.

Avokati i Popullit do të shqyrtojë mënyrën se si është kryer arrestimi dhe nëse policia ka respektuar procedurat ligjore dhe standardet e të drejtave të njeriut.

Është e rëndësishme të theksohet se ky hetim nuk do të merret me faktin penal ose me domosdoshmërinë e masës së arrestimit, pasi këto çështje nuk bien brenda mandatit të Avokatit të Popullit.

Fokusimi do të jetë në mënyrën e zbatimit të ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të individëve të përfshirë.

Sipas Avokatit të Popullit, kjo është një iniciativë që synon të sigurojë transparencë dhe llogaridhënie mbi veprimtarinë e organeve të rendit.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Avokati i Popullit nis hetimet mbi procedurat e arrestimit të ish-presidentit Meta appeared first on Euronews Albania.

Berisha komenton akuzat e ngritua ndaj Metës: Goditje e kundërshtarëve politikë

By: fra nc
25 October 2024 at 13:57

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj akuzave të fundit të ngritura nga SPAK ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, ku pretendohet se këta të fundit kanë shfrytëzuar pozitat e tyre shtetërore për të favorizuar biznesmenë për interesa private. Nënë konferencë me gazetarët, Berisha theksoi se çdo akuzë politike duhet të trajtohet me përgjegjësi dhe të mos përdoret si mjet për të dëmtuar reputacionin e individëve, veçanërisht kur implikohen figura të njohura të politikës shqiptare.

Berisha ngriti dyshime për paanshmërinë e SPAK, ku tha se në dosjen e pretenduar është dhe kryeministri Rama ndaj të cilit nuk është bërë asnjë hetim.

Pjesë nga deklarata e Berishës:

Së pari, garantoj çdo shqiptar se kurrë nuk do të mbroja një akt korruptiv nga cilido që të ishte.

Por, kurrë nuk pranoj dot akuza politike ndaj cilitdo qofshin ato.

Unë do ndalem vetëm në dy prej tyre më kryesore.

Siç keni lexuar ju dhe unë, Altin Mercenari shkruan në paçavuren e tij se Monika Kryemadhi dhe Meta kanë favorizuar biznesmenin Shatku me një linjë intekonjeksioni.

Por çfarë thotë dokumenti, çfarë thotë korrespondenca e Monika Kryemadhit me Shatkun?

Zonja Kryemadhi i thotë Shatkut në mesazh se unë e takova zotin Rama dhe e pyeta se çfarë po bën me problemin e Shatkut. Edi Rama m’u përgjigj, bëjeni urgjent.

Dhe Shatku ia kthen, ky është lajmi më i mirë i vitit.

Isa, unë, ti dhe çdo qytetar, në këtë rast kuptojmë që ka një raport Kryemadhi-Shatku-Rama dhe del shumë qartë se dhuratëmadhi është Rama.

Ndaj dhe Shatku shprehet se ky është lajmi i vitit për mua.

Tani, a mund të pranojë ndërgjegjja njerëzore një akuzë të ngritur ndaj Kryemadhit dhe Metës dhe jo ndaj Edi Ramës, dhuratëmadhit?

A mund të pranosh, në qoftë se ka korrupsion, po diskutojmë ato që kanë dalë?

A mund të pranosh akuzën për një përpjekje që ka bërë, me vendim këta hoqën dorë nga ajo vilë dhe nuk e morën.

Hynë në marrëveshje me një biznesmen për një vilë për t’i kaluar një ligj në parlament dhe më vonë hoqën dorë nga kjo vilë dhe ligjin ia kaluan.

Me këtë gjë, Lëpirës Dumani kalon imagjinatën e Xhorxh Oruellit, tejkalon imagjinatën e Franc Kafkës, tejkalon çdo lloj akti me shkrim të ish-xhelatëve të Sigurimit të Shtetit.

Ilir Meta dhe Kryemadhi kishin gjithsej 20 deputetë, një ligj nuk mund të kalojë kurrë përveçse për tutkunë, apo për Dumdumanin dhe grupin e tij kriminal në SPAK.

Unë e kuptoj që ka njerëz pse thonë kaq ashpër Berisha?

Me këtë akt ata kanë fyer çdo shqiptar, kanë përdhosur Kushtetutë, parlament dhe çdo gjë tjetër.

Një njeri me 20 deputetë nuk mund të kalojë kurrë një ligj në parlament, ligjin e kalon ai që ka shumicën në parlament.

Ai që ka shumicën quhet Edi Rama, por Lëpirës Dumani është i gatshëm të lëpijë edhe këpucët e tij dhe të shpërfytyrohet në një shkallë të tillë para shqiptarëve dhe jo ta pyesë atë.

Çfarë thotë Edi Rama për këtë ligj? Me datën 9 tetor të vitit 2014, Edi Rama e quan këtë ligj, ligj epokal për minierat dhe thotë se nuk është një ligj dosido, por një ligj strategjik që ndan epokat.

Tani, kujt t’i besoj unë, Edi Ramës që thotë se ligji që e kërkon biznesmeni ndan epokat, apo t’i besoj Altin Dumanit që akuzon për korrupsion për këtë ligj që kaloi, se ai nuk mund ta kalonte me 20 deputetë, Ilir Metën?

Së fundmi, Altin Dumani, Edi Rama dhe bastardi i Enver Hoxhës me trafikantin Ilir Shullazi janë përgjegjësit kryesorë për aktin më të shëmtuar në historinë e këtij shteti në 32 vitet e fundit dhe në historinë e Europës, pusinë, goditjen, zvarritjen, rrëmbimin brutal të një qytetari në hetim, të një ish-kryeministri, ish-presidenti, ish-kryetar parlamenti, vetëm për urrejtjen e Edi Ramës.

Më thonë se Edi Rama i konfirmoi një kolegu tuaj, që e ka shumë për zemër, se e bëra, nuk mund të mos e bëja atë kundër Ilir Metës.

Unë i them, turpi të mbuloftë, faqezi, tregove se je bastard i babait tënd xhelat që urdhëronte varjen e kundërshtarëve politikë për mendimet ndryshe dhe vargjet e tij.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Berisha komenton akuzat e ngritua ndaj Metës: Goditje e kundërshtarëve politikë appeared first on Euronews Albania.

“Arrestimet janë mesazh për mua, Gaz Bardhin”, Belind Këlliçi: Ja përse u godit Meta

24 October 2024 at 21:23

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ishte i ftuar në emisionin “Now” me Erla Mëhillin, ku diskutoi mbi arrestimet e fundit të figurave të rëndësishme të opozitës.

Ai theksoi se këto arrestime përbëjnë një mesazh të qartë për politikanët që guxojnë të denoncojnë aferat e mazhorancës.

Këlliçi u shpreh se arrestimi i ish-presidentit Ilir Meta është një sinjal për të gjithë opozitarët, përfshirë deputetët si Gazment Bardhi dhe të tjerë që kritikojnë sistemin.

“Ky show është një mesazh i qartë jo vetëm për Ilir Metën, por për këdo opozitar. Është një mesazh edhe për mua që denoncoj përditë aferat e Bashkisë Tiranë, është mesazh edhe për Gaz Bardhin, edhe për çdo  deputet të Partisë Demoklratike që godet mazhorancën. Është dhe për Metën, dhe për Berishën, dhe për aSalianjin që sot është në burg. Tregon se godet këdo që denoncon. Thënë këtë nëse do kishim një arrestim normal të zotit Meta, do istye në turpin e tij që nëse këto reagime do ti kishte bërë pa arsye”, tha Këlliçi.

LEXONI GJITHASHTU:

The post “Arrestimet janë mesazh për mua, Gaz Bardhin”, Belind Këlliçi: Ja përse u godit Meta appeared first on Euronews Albania.

“Trajtim preferencial te burgu 313”, Ferhati: Ja ç’do të ndodhë me ish-presidentin

24 October 2024 at 20:55

Gazetari i Euronews Albania, Eni Ferhati ishte pjesë e emisionit “Now me Erla Mëhillin” këtë të enjte për të diskutuar rreth asaj se çfarë pritet të ndodhë tashmë me ish-presidentin Ilir Meta.

Ky i fundit u arrestua pak ditë më parë me urdhër të SPAK pasi mbi të rëndonin akuzat korrupsion, mosdeklarim parash dhe fshehje pasurie.

Pas vendimit të GJKKO për të lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Metën, pasditen e së mërkurës ish-presidenti në përfundim të seancës u transportua nga forca të shumta policie drejt burgut 313 në Tiranë.

Gazetari Ferhati sqaroi se për shkak të statusit si funksionar publik, Meta do të ketë një trajtim preferencial në paraburgimin, pasi nuk do të qëndrojë në qeli me persona me rekorde kriminale apo të cilët janë të akuzuar për vepra të ndryshme penale.

Pas njohjes me vendimin e GJKKO, avoktët e ish-presidentit do të anikojnë vendimin brenda 5 ditësh në Apelin e Posaçëm, për të kërkuar zbutjen e masës së sigurisë.

“Në bazë të ligjit për trajtimin e personave të paraburgosur ai është mbajtur nën observim sepse janë procedura standarde. Pyetet për sëmundjen, për konfliktet me persona të tjerë. Në bazë edhe të pozicionit të tij ai do të ketë një trajtim, preferencial, nuk mun dtë rrijë në një qeli me persona të dënuar për vepra të tjera penale apo që kanë rekorde kriminale. Edhe zyrtarë të tjerë kanë këtë benefit. Kjo sipas statusit të paraburgosurit. Paraburgimi i Fierit ka kushte shumë të mira. Tani avokatët do ndjekin rrugën ligjore, do bëhet një ankimim tek Gjykata e Posaçme e Apelit bredna 5 ditësh për të parë a do zbutet masa e sigurisë apo jo”, tha Ferhati.

LEXONI GJITHASHTU:

The post “Trajtim preferencial te burgu 313”, Ferhati: Ja ç’do të ndodhë me ish-presidentin appeared first on Euronews Albania.

GJKKO lë në burg Metën, Blushi: Akt i rëndë që tregon rënien e shtetit ligjor

23 October 2024 at 20:22

Pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për Luftrat e Krimit të Organizuar (GJKKO) për të lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për ish-presidentin Ilir Meta, sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka mbajtur një konferencë për mediat.

Blushi e quajti vendimin “politike të kamikazëve të ramaformës” dhe e cilësoi atë si një akt të rëndë që tregon rënien e shtetit ligjor në Shqipëri.

Ai akuzoi GJKKO-në se është e kapur nga mafia ndërkombëtare dhe e urdhëruar nga Edi Rama.

“Vendimi i sotëm politik të kamikazëve të ramaformës në GJKKO, apo Gjykatën Kombëtare Kundër opozitës, për të lënë në burg politik, pa prova dhe pa fakte, presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i ndikuar nga mafia ndërkombëtare dhe i urdhëruar personalisht nga Edi Rama është akt i rëndë që tregon rënien e shtetit ligjor. Tregon kapjen për fyti dhe asgjësimit të drejtësisë të vendosur në shërbim të pushtetit.

Ky vendim i turpshëm, i neveritësh, i papranueshëm, kundër opozitës, konfirmon rëshqitjene Shqipërisë në diktatorë, ëshë vijim i agresionit të pastër terrorist të narkoshtetit dhe mafies ndërkombëtare kundër presidentit Ilir Meta, PL, opozitarizimit të vërtetë, demokracisë, që u konsumua sot në sallën e gjyqit”, tha Blushi.

LEXONI GJITHASHTU:

The post GJKKO lë në burg Metën, Blushi: Akt i rëndë që tregon rënien e shtetit ligjor appeared first on Euronews Albania.

VIDEO| GJKKO lë në burg Ilir Metën, ish-presidenti niset drejt 313-ës

23 October 2024 at 18:32

Pas njohjes me masën e sigurisë nga GJJKO, ish-presidenti Ilir Meta është transportuar nga forca të shumta policie drejt burgut “313” në Tiranë.

GJKKO ka vendosur të lërë në fuqi masën e arrestit me burg për Metën, të mos ndryshojë masat për Monika Kryemadhin dhe Ema Çokun, ndërsa ka ndryshuar masën për Piro Xhixhon, duke e kaluar nga “arrest shtëpie” në “detyrim paraqitje”.

Seanca, e cila ka zgjatur rreth 4 orë, pasi nisi në orën 13:30, ka vlerësuar kushtet e zbatimit të masave të sigurisë lëshur mbi Metën, sa i takon çështjes së CEZ DIA, hetimit pasuror të familjes Meta, por edhe lobimit të ish-LSI në SHBA.

Vetë Meta dhe Kryemadhi janë mbrojtur vetë para gjyqtarit Erjon Çela, ndërsa akuza përfaqësohej nga 3 prokurorë: Altin Dumani, Arben Kraja dhe Sotir Kllapi.

LEXONI GJITHASHTU:

The post VIDEO| GJKKO lë në burg Ilir Metën, ish-presidenti niset drejt 313-ës appeared first on Euronews Albania.

Kryemadhi: Meta në burg për operacionin tim të mitrës, as në spital s’më erdhi

23 October 2024 at 18:23

GJKKO la në fuqi masën e sigurisë detyrim paraqitjeje për deputeten e Partisë së Lirisë Monika Kryemadhi dhe arrest me burg për ish-presidentin Ilir Meta.

Në një deklaratë për mediat Kryemadhi i cilësoi absurditete akuzat e prokurorisë ndaj Ilir Metës, i cili siç tha po mbahet në burg për akuzat e mia.

Ajo tha se për çdo gjë që akuzohet Ilir Meta nuk ka asnjë lidhje me atë, ndaj i kishte kërkuar avokatit që të kërkonte detyrim paraqitjeje për Metën dhe burg për të.

“Për çdo gjë që akuzohet Ilir Meta nuk ka asnjë lidhje, CEZ DIA ka nisur në 2018 duke qenë se në 6 vjet hetime nuk kanë pasur asgjë e kanë bashkuar me akuzat për mua. Ishte qesharake kur thanë se Kryemadhi ka hequr mitrën në bashkëpunim me Ilir Metën, as në spital s’më ka ardhur se merrej me reformën në drejtësi. Nuk është problemi që Meta është i rrezikshëm e bëjnë se duan të bëjnë, me urdhër të Ramës”, tha Kryemadhi.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post Kryemadhi: Meta në burg për operacionin tim të mitrës, as në spital s’më erdhi appeared first on Euronews Albania.

GJKKO jep vendimin për ish-presidentin Ilir Meta

23 October 2024 at 18:10

Pasditen e kësaj të mërkure ka përfunduar shqyrtimi i kërkesës nga SPAK për masën e sigurisë “arrest me burg” për ish-presidentin, Ilir Meta.

GJKKO ka vendosur të lërë në fuqi masën e arrestit me burg për Metën, të mos ndryshojë masat për Monika Kryemadhin dhe Ema Çokun, ndërsa ka ndryshuar masën për Piro Xhixhon, duke e kaluar nga “arrest shtëpie” në “detyrim paraqitje”.

Seanca, e cila ka zgjatur rreth 4 orë, pasi nisi në orën 13:30, ka vlerësuar kushtet e zbatimit të masave të sigurisë lëshur mbi Metën, sa i takon çështjes së CEZ DIA, hetimit pasuror të familjes Meta, por edhe lobimit të ish-LSI në SHBA.

Vetë Meta dhe Kryemadhi janë mbrojtur vetë para gjyqtarit Erjon Çela, ndërsa akuza përfaqësohej nga 3 prokurorë: Altin Dumani, Arben Kraja dhe Sotir Kllapi.

VENDIMI I GJKKO:

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe
Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, bazuar në nenet
112, 237 dhe 248 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 130, datë 23.10.2024, vendosi:

1. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “arrest në burg” e
parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale ndaj personit nën hetim Ilir Metaj, e
caktuar me vendimin nr. 125, dt. 20.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës
së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar si i dyshuar për kryerjen e
veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të
zgjedhurve vendorë” në 3 (tre) raste nga të cilat në dy raste në bashkëpunim,
“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në
bashkëpunim dhe më shumë se një herë, dhe “Refuzimi për deklarim,
mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të
personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi që ka detyrimin
ligjor për deklarim” të parashikuara nga nenet 260 e 25, 287/2 dhe 257/a/2 të
K.Penal.

2. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Detyrimi për tu paraqitur
në policinë gjyqësore” e parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale ndaj personit nën
hetim Monika Kryemadhi, e caktuar me vendimin nr. 125, dt. 20.10.2024 të
Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e
Organizuar, e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i
funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 2 (dy) raste dhe
në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë
kriminale” e kryer në bashkëpunim dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi,
fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të
zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi që ka detyrimin ligjor për
deklarim” të parashikuara nga nenet 260 e 25, 287/2 dhe 257/a/2 të K.Penal.

3. Personi nën hetim Monika Kryemadhi detyrohet të paraqitet në Zyrat e Policisë
Gjyqësore, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të
Organizuar të hënën e parë të çdo muaji në orën 12.00.

4. Zëvendësimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në
shtëpi” e parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, e caktuar ndaj personit nën
hetim Piro Xhixho me vendimin nr. 125, dt. 20.10.2024 të Gjykatës së Posaçme
të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me masën e
sigurimit personal “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore” e parashikuar
nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale.

5. Personi nën hetim Piro Xhixho detyrohet të paraqitet në Zyrat e Policisë
Gjyqësore, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të
Organizuar të hënën e parë të çdo muaji në orën 13:30.

6. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Detyrimi për tu paraqitur
në policinë gjyqësore” e parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale ndaj personit
nën hetim Ema Çoku, e caktuar me vendimin nr. 125, dt. 20.10.2024 të Gjykatës
së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e
dyshuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose
veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim e parashikuar nga neni 287/2 i
K.Penal.

7. Personi nën hetim Ema Çoku detyrohet të paraqitet në Zyrat e Policisë Gjyqësore,
të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të hënën
e parë të çdo muaji në orën 13:00.

8. Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar
si dhe shërbimet e policisë gjyqësore, për ekzekutimin e këtij vendimi.

9. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brënda 5 (pesë) ditëve në Gjykatën e
Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, afat i cili fillon nga
dita njoftimit të vendimit të gjykatës.

LEXONI GJITHASHTU:

The post GJKKO jep vendimin për ish-presidentin Ilir Meta appeared first on Euronews Albania.

“Meta kërcënoi prokurorin në sallë”, avokati: Asnjë i pandehur që njoh s’e ka bërë

23 October 2024 at 17:50

Avokati Edmond Petraj tha në një intervistë për Euronews Albania, se ish-presidenti Ilir Meta kërkon trajtim psikologjik pasi po bën veprime të pajustifikueshme.

Petraj u shpreh se Meta e kërcënoi prokurorin drejtpërdrejt në sallën e gjyqit, i cili cilësohet si një veprim shumë i rëndë që nuk e ka hasur asnjëherë më parë tek një i pandehur.

“Veprimi që Meta bëri sot nuk i shkon një personaliteti politik 30-vjeçar dhe me gjendjen e tij të rënduar e priste një ditë të tillë në bankën e të akuzuarve. Ai ka kaluar në një situatë ku me çdo kusht kërkon trajtimin e vet psikologjik me kushtin që të justifikohet me gjërat që po bën. Në të gjitha rastet që kam pasur nuk kam rastisur asnjëherë që një i pandehur të kërcënojë prokurorin në mënyrë të drejtpërdrejtë në sallën gjyqësore. Iliri e kërcënoi prokurorin “shiko ti se ç’do të bëj unë”, ky është një veprim shumë i rëndë”, tha avokati Petraj.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post “Meta kërcënoi prokurorin në sallë”, avokati: Asnjë i pandehur që njoh s’e ka bërë appeared first on Euronews Albania.

Përfaqësuesit e PL mblidhen përpara GJKKO, Caka: Meta nuk u arrestua, por u rrëmbye

By: fra nc
23 October 2024 at 10:04

Përfaqësues të Partisë së Lirisë janë mbledhur përpara Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion, ku pritet të jepet masa e sigurisë ndaj ish-presidentit Ilir Meta.

Zëvendëssekretarja e Partisë së Lirisë, Silva Caka, tha se organizimi i mbështetësve të Metës përpara gjykatës nuk është bërë nga strukturat e Partisë së Lirisë, por ka qenë një veprim vullnetar i gjithsecilit për të shprehur mbështetjen ndaj Ilir Metës.

“Ka qenë një kërkesë e zotit Meta që të mos kishte një organizim përpara SPAK-ut. Kjo është një vullnet i secilit prej nesh dhe nuk ka ndonjë organizim nga Partia e Lirisë,” tha Caka.

Ajo u ndal gjithashtu te arrestimi i ish-presidentit, duke e cilësuar atë si një veprim banditesk dhe një shkelje të të drejtave të njeriut.

“Është shumë e qartë që nuk ishte një mënyrë arrestimi, por një tentativë rrëmbimi që, fatmirësisht, nuk pati pasoja më të rënda. Skenari nuk ishte i tillë, dhe ju besoj e keni të qartë. Është shumë e kuptueshme mënyra si duhet të shoqërohet një ish-president; ta arrestosh në atë mënyrë, pa logo policie, pa uniforma dhe pa një urdhër-arresti, është një shkelje e hapur e lirive themelore të të drejtave të njeriut”, tha ajo.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Përfaqësuesit e PL mblidhen përpara GJKKO, Caka: Meta nuk u arrestua, por u rrëmbye appeared first on Euronews Albania.

“Meta do arratisej në Hungari si Gruevski”, Curri: Çfarë zbuloi përgjimi i policisë

22 October 2024 at 21:32

Analisti Arjan Curri tha në emisionin Now në Euronews Albania se polica kishte informacione që Meta mund të arratisej drejt Hungarisë.

Ai tregoi se nga informacionet e policisë që duhen marrë me rezerva, gjatë qëndrimit të tij në Kosovë fundjavën e shkuar, Meta ka bërë një telefonatë me Hungarinë që është përgjuar dhe që pretendohet të ketë qenë një tentativë arratisjeje në këtë vend siç bëri ish-kryeministri i RMV, Gruevski.

“Policët kanë thënë se Ilir Meta po planifikonte një arratisje. Sipas përgjimeve ka qenë që nga e premtja në Kosovë, të gjitha me rezerva por ne do i themi se jemi gazetarë. Sipas policisë ka ndodhur një telefonatë nga Kosova me Hungarinë, sipas policisë gjithmonë, që kjo telefonatë është përgjuar kishte dyshime për një arratisje drejt Hungarisë, duke imituar Gruevskin që ka qenë në të njëjtat pozita me drejtësinë në RMV. Por sipas të njëjtave burime, nuk ka marrë garanci nga autoritetet hungareze. Ju e dini vizitën e fundit të Ramës në Hungari dhe takimin me Orban dhe miqësinë që kanë kështu që mund të ketë lobuar edhe vetë Rama që ky plan i arratisjes të mos kishte sukses. Sepse për mua Ramës i intereson arrestimi i krerëve të opozitës që të ketë shumicë absolute kushtetuese”, tha Curri.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post “Meta do arratisej në Hungari si Gruevski”, Curri: Çfarë zbuloi përgjimi i policisë appeared first on Euronews Albania.

“Thotë jam Vasil Laçi”, Curri: Ju tregoj çfarë po ndodh me Metën në burg

22 October 2024 at 21:06

Analisti Arjan Curri tha në emisionin Now në Euronews Albania se e kishte parashikuar muaj më parë arrestimin e Metës dhe masën për Kryemadhin.

Ai tregoi se ka marrë informacioneve nga blloku i sigurisë ku po mbahet Meta sipas të cilave ish-presidenti është sërish në gjendje të rënduar emocionale.

“Sot kam informacione që na vijnë nga qendra e paraburgimit, që Meta është sërish në gjendjen të rënduar emocionale. Na thonë nga brenda qendrës së sigurisë se sa herë që shikon policët sërish Meta ngre zërin dhe reagon ndaj tyre. Nuk e pranon idenë në psikikën e tij, edhe pse mund ta ketë ditur teorikisht e ka të pamundur faktin që mund të jetë i arrestuar. Thonë që ka kërkuar vegla force për të bërë stërvitje dhe nuk ja kanë dhënë akoma. Më thonë që këndon gjithë kohës dhe bën pompa në mungesë të veglave dhe sa herë shikon policët ju bërtet dhe ju thotë jam Vasil Laçi. Vasil Laçi është i riu atentator që donte të vriste Viktor Emanuelin kur erdhi në Shqipëri, atentat që dështoi, i kam nga brenda informacionet. Unë i kam bërë thirrje Metës të arratiset se kjo drejtësi tenton të jetë respresive”, tha Curri.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post “Thotë jam Vasil Laçi”, Curri: Ju tregoj çfarë po ndodh me Metën në burg appeared first on Euronews Albania.

“Rrëmbim terrorist i Metës”, Blushi: 2 efektivët, pjesë e bandave të Durrësit

22 October 2024 at 15:00

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Së Lirisë, Tedi Blushi tha në një konferencë për mediat se kanë arritur të identifikojnë dy nga efektivët e Policisë së Shtetit, të cilët ditën e djeshme tërhoqën me forcë nga makina ish-presidentin Ilir Meta dhe ekzekutuan vendimin për arrestimin e tij.

Sipas tij këta persona kanë lidhje me bandat e Durrësit.

“Jemi ende duke bërë verifikime. Ishte një efektiv i moshës 27 vjeç, pa eksperiencë në strukturat e policisë i cili jo vetëm ka guxuar ti afrohet makinës, por edhe ka shërbyer aty si roje trafiku.

Sa i takon horrave që nxorën forcërisht presidentin e Partisë së Lirisë nga automjeti pa u identifikuar se të cilës strukturë ishin, ata ishin terroristë dhe asgjë më shumë.

Ne kemi evidentuar nga ata dy persona me precedentë penalë, të cilët është e paqartë se si janë bërë pjesë e policisë së shtetit, por kanë të shkuar të errët dhe lidhje me bandat e Durrësit.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post “Rrëmbim terrorist i Metës”, Blushi: 2 efektivët, pjesë e bandave të Durrësit appeared first on Euronews Albania.

Avokati flet pas takimit me Ilir Metën në paraburgim: Zero prova! Izolim politik

22 October 2024 at 13:25

Avokati Genc Gjokutaj ka vizituar këtë të martë ish-presidentin Ilir Meta i cili prej ditës së djeshme ndodhet në ambientet e paraburgimit te Mine Peza.

Pas takimit me të Gjokutaj tha për mediat se vendimi për arrestimin e Metës është bërë pa prova, ndërsa izolimi i tij është një sulm politik si pasojë e denoncimeve kundër korrupsionit që ai ka bërë.

“Ky ishte një takim rutinë me zotin Meta. Pas leximit të vendimit, nuk flitet për asnjë provë. Izolimi i tij është politik.

Zoti Meta është pjesë e opozitës e cila sot është në një sulm të padrejtë, jo juridik, por politik nëpërmjet instrumenteve të agjensive ligjzbatuese dhe të drejtësisë.

Zero prova, shkaku i izolimit të zotit Meta është çështja e sovranitetit dhe denoncimet për korrupsionin e kësaj qeverie që është sot në pushtet. Deri më tani nuk ka informacion se kur do mbahet seanca e radhës”,-tha avokati.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Avokati flet pas takimit me Ilir Metën në paraburgim: Zero prova! Izolim politik appeared first on Euronews Albania.

Apeli i Kryemadhit: O në rrugë, o do mbyllim gojën për burgun e radhës

22 October 2024 at 13:13

Deputetja Monika Kryemadhi, në një prononcim për mediat pas arrestimit të ish-bashkëshortit të saj, Ilir Meta, shprehu skepticizmin e saj ndaj reformës në drejtësi.

Ajo theksoi se ka votuar për këtë reformë, por e sheh si selektive dhe të lidhur ngushtë me politikën.

Kryemadhi sugjeroi se ka dy alternativa: të dalin në protestë në mënyrë të vazhdueshme ose të mbeten në shtëpi dhe të presin pa vepruar, me shanset që dikush tjetër nga opozita të burgoset.

Ajo kritikoi deklaratat e SPAK-ut, duke thënë se ato duken si një shërbim për Edi Ramën, dhe e inkurajoi ndërkombëtarët të mos e akuzojë për sabotim, pasi u përpoq të kontribuojë përmes padive për inceneratorët.

“Nuk kam besuar tek kjo reformë, e kam votuar këtë reformë. Ne kemi dy rrugë, o të dalim në rrugë dhe të mos ikim më nga rruga, jo të dalim të bëjmë protest një orë e të bëjmë xhiro. Ose do mbyllim gojën, të rrimë të gjithë në shtëpi edhe të presim rradhën. Unë nuk e kam besuar kurrë reformën në drejtësi sepse është selektive. Nuk besoj tek një reformë në drejtësi, ku dje deklarata e SPAK-ut tergoi haptazi që je Departamenti i Marrdhënieve me Publikun për Edi Ramën. Unë ndërkombëtarëve do t’jua jap shansin , që nesër të mos më thonë që ti nuk kontribuove, por e sabotove”, tha Kryemadhi.

The post Apeli i Kryemadhit: O në rrugë, o do mbyllim gojën për burgun e radhës appeared first on Euronews Albania.

“Ecëm për dore me Metën 33 vite”, Kryemadhi: Ja kush e shkatërroi familjen time

22 October 2024 at 12:56

Deputetja Monika Kryemadhi dha një prononcim për mediat pas arrestimit të ish-bashkëshortit të saj, Ilir Meta.

Ajo njoftoi se komunikimi mes tyre ka qenë i papërfillshëm për shtatë muaj, me përjashtim të momentit kur u paraqit çështja e divorcit.

Kryemadhi e cilësoi arrestimin e Metës si një masë që synon të thellojë konfliktin e tyre familjar.

Ajo shprehu se dyshimet që kanë lidhje me të, janë përpjekje për t’ia kaluar atij.

Në fjalën e saj, Kryemadhi theksoi se konflikti i tyre nuk është thjesht një ngjarje personale, por ndikon në të dy ata, të cilët kanë kaluar 33 vjet së bashku.

Ajo e lidhi  situatën me përpjekjet e saj për të luftuar korrupsionin, duke përmendur çështjen e inceneratorit të Tiranës si një faktor që ka kontribuar në krizën e familjes së saj.

“Komunikimi im me Ilir Metën është prej 7 muajsh zero, me përjashtim të ditës kur erdhi çështja e divorcit më erdhi në shtëpi. Nuk kam më komunikm me të. Sigurisht në këtë çështje do punojmë të ndarë. Unë di të them që masa e arrestit për Ilir Metën është një masë arresti që tenton për të zhvilluar më tej konfliktin tonë familjar. Gjërat që ata dyshojnë tek unë duan t’ja vendosin Ilir Metës. Unë nuk do e takoj në burgh. Po edhe sikur të dua unë, nuk pranon ai. Arrestimi më të madh se arrestimi shpirtëror nuk ka. Nuk i uroj askujt konfliktin tim familjar, nuk është konflikt id y njerëzve që janë njohur me shkuesi, apo për interes. Kanë qenë dy të cilët janë dashur shumë me njëri-tjetrin. Kemi ecur për dore për 33 vjet dhe dëshira ime për të luftuar inceneratorin e tiranës, çoi në pagimin e një fature shumë të madhe që çoi në peishjen e familjes time” –tha Kryemadhi.

LEXONI GJITHASHTU:

The post “Ecëm për dore me Metën 33 vite”, Kryemadhi: Ja kush e shkatërroi familjen time appeared first on Euronews Albania.

Arrestimi i Metës në lajmet ndërkombëtare, bën ‘xhiro’ në Itali dhe mediat anglofone

22 October 2024 at 08:38

Nuk ka vonuar shumë dhe lajmi për arrestimin e Ilir Metës ka bërë xhiron e mediave ndërkombëtare. Të parat që kanë raportuar vënien e tij në pranga kanë qenë ato italiane.

“Arrestohet ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta”, është titulli i agjencisë së lajmeve “ANSA”.

Agjencia e vë theksin tek fakti se, që prej viteve ’90, Meta ka mbajtur postet më të larta të shtetit, atë të kryeministrit, presidentit, kryetarit të Parlamentit dhe ministrit të Jashtëm.

Në faqe të parë, por jo në plan të parë, lajmi mbi kryetarin e Partisë së Lirisë ka zënë vend edhe tek edicioni online i së përditshmes “La Repubblica”. Gazeta vë në dukje se vënia e tij në pranga vjen në një kohë kur e gjithë vëmendja ndërkombëtare është mbi Shqipërinë, për shkak të marrëveshjes Rama-Meloni për emigrantët.

Edhe Rainews ka shkruar për arrestimin e Metës nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Edhe portali në fjalë e vë theksin tek postet e rëndësishme që ka mbajtur kryetari aktual i Partisë së Lirisë.

Pasqyrim është bërë edhe në media të tjera italiane, si “Il Fatto Quotidiano”, “Tgcom” e të tjera.

Nga mediat anglofone, “Balkan Insight” i ka vënë lajmit titullin “Ish-presidenti i Shqipërisë Ilir Meta arrestohet për korrupsion”. Sipas agjencisë së lajmeve, ish-kreu i qeverisë dhe i shtetit ra në pranga edhe për pastrim parash dhe mosdeklarim të aseteve të ij.

Edhe “ABC Neës” raportoi lajmin duke u fokusuar po ashtu tek akuzat që rëndojnë ndaj ish-kreut të shtetit, mes të cilave spikat ajo për pastrim parash.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Arrestimi i Metës në lajmet ndërkombëtare, bën ‘xhiro’ në Itali dhe mediat anglofone appeared first on Euronews Albania.

Arrestimi i Ilir Metës, SPAK njoftim zyrtar: Publikon akuzat

21 October 2024 at 18:42

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka dalë në një njoftim zyrtar pas arrestimit të ish-Presidentit Ilir Meta.

Në njoftimin zyrtar janë renditur edhe akuzat për të cilat ai dyshohet se ka konsumuar vepër penale.

Njoftimi i plotë:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar mbi bazën e kallëzimit të shtetasit R. K. kryer në ish Prokurorinë e Krimeve të Rënda,  procedimin penal Nr. 55 të vitit 2019. Objekti i hetimit të këtij procedimi janë veprimet korruptive të zyrtarëve të shtetit në lidhjen dhe zbatimin e kontratës së shërbimit CEZ-DIA.

Ndërkohë që po vijonin hetimet për këtë procedim, mbi bazën e kallëzimeve të shtetasve H. V. dhe I. B., Prokuroria e Posaçme ka rregjistruar procedimin penal nr.122 të vitit 2022 për veprat penale “Korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë shtetëror dhe të zgjedhurve vendorë”, “Pastrim i produkteve të veprës penale dhe veprimtarisë kriminale”, “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i cdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga nenet 260 dhe 25, 287/2 dhe 257/a/2 i K.Penal.

Në vijim të hetimeve, procedimet e sipërcituara janë bashkuar në një procedim të vetëm në vitin 2024.

Nga sa më sipër, janë dokumentuar disa episode ku subjektet e këtij procedimi penal I.M. dhe M. K. në bashkëpunim mes tyre por edhe me funksionarë të tjerë publikë janë përfshirë në kryerjen e disa veprave penale.

1- Është provuar se ish-Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, I. M., ka përdorur autoritetin dhe influencën e tij për të ndërhyrë në procesin e lidhjes së kontratës ndërmjet shoqërisë “Debt International Advisory” dhe kompanisë CEZ Shpërndarje. Kjo kontratë kishte për objekt asistimin në identifikimin dhe arkëtimin e borxheve të prapambetura.

Këto marrëdhënie ngushtësisht të ndërlidhura kanë ndikuar drejtpërdrejtë në procesin e përzgjedhjes së DIA-s për të kryer shërbimet e mbledhjes së borxheve të CEZ-it, pavarësisht se shoqëria nuk përmbushte të gjitha kriteret ligjore dhe profesionale për të menaxhuar detyrime të kësaj natyre.

Shoqëria “Debt International Advisory”, përmes kësaj marrëveshjeje ka përfituar në mënyrë të parregullt shumën prej 649,803,520 lekësh, e cila është konfirmuar nga një vendim gjyqësor i formës së prerë.

Hetimet e deritanishme kanë zbuluar se I.M. ka kërkuar dhe pranuar shuma të konsiderueshme parash nga z. K. I., gjatë periudhës kur ai mbante funksionin e Ministrit, detyrë e cila përfshinte mbikëqyrjen e procesit të privatizimit të CEZ-it dhe lidhjen e kontratave për mbledhjen e borxheve,  duke konsumuar kështu elementët e veprës penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.

2- Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi I. M. në sajë të funksionit të tij si Kryetar i Kuvendit dhe bashkëshortja e tij, M. K. si deputete e Kuvendit, në vitin 2014 kanë përdorur influencën e tyre duke ndikuar tek drejtuesit e institucioneve të ndryshme shtetërore si dhe tek drejtuesit e kompanive të telefonive celulare, me qëllim futjen në tregun e fibrave optike si dhe lidhjen e marrëveshjes së interkonjeksionit midis kompanisë  “U… C… INC” dhe një kompanie private telefonike celulare.

Si rezultat i kësaj influence të paligjshme subjektet në hetim I.M dhe M.K. kanë përfituar pjesën e tyre në përqindje nga fitimi i kompanisë, dhe janë pajisur me karta krediti nga administratori i shoqërisë. Shpenzimet e kryera nëpërmjet këtyre kartave, nuk janë deklaruar në deklaratat periodike të pasurive nga të hetuarit.

Personi nën hetim P. Xh., duke shfrytëzuar autoritetin e tij si Kryetari i AKEP, i zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë me propozimin e subjektit politik “Lëvizja Socialiste Për Integrim” (LSI), në zbatimi të porosive të marra nga subjektet  I. M. dhe M. K., jo vetëm ka ndikuar tek drejtuesit e kompanisë telefonike celulare për finalizmin e marrëveshjes por nga ana tjetër, ka lejuar kompaninë private të ushtrojë aktivitetin e saj në shkelje të ligjit të AKEP. Për këto arsye, personat nën hetim I.M. dhe M.K. ka dyshime se kanë konsumuar veprën penale të “Korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve”, në bashkëpunim, të ndihmuar edhe nga personi tjetër nën hetim P. Xh., i cili akuzohet për të njëjtën vepër penale.

3- Gjatë hetimit ka rezultuar gjithashtu se çifti I.M. dhe M.K., kanë hyrë në marëdhënie korruptive me biznesmenin S.M., duke përfituar përkohësisht një vilë si shpërblim për influencën e paligjshme që ata ushtronin ndaj funksionarëve publikë të emëruar nga LSI, në interes të aktiviteteve ekonomike të bizmesmenit në fjalë. Personi nën hetim M.K., me porosi të biznesmenit në fjalë, ka marrë përsipër edhe ndryshimin e një ligji në Kuvendin e Shqipërisë (ligj i cili u ndryshua sipas kërkesës së biznesmenit S.M.).

4- Përgjatë periudhës 2016-2017, I. M. me cilësinë e Kryetarit të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, ka lidhur dhe ekzekutuar kontrata për shërbimi konsulence dhe lobimi me kompanitë Global Security and Inovative Solution LLC dhe  Grupi McKeon Inc në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga hetimi rezulton se një pjesë e financimit të kontratave është bërë me transferta bankare nga llogaritë e subjektit politik, Lëvizja Socialiste për Integrim, ndërkohë që shuma prej 463.546,26 USD nuk është transferuar nga llogaritë bankare të këtij subjekti politik. Po kështu rezulton se kjo shumë monetare, e cila nuk është transferuar nga llogaritë bankare të  forcës politike  nuk është pasqyruar në bilancet e subjektit politik Lëvizja Socialiste për Integrim, të depozituara pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.

5- Për peridhën 2009-2010, nga ana e personave nën hetim, I. M., M. K. dhe F. K., është blerë, një apartament dublex me vendndodhje në zonën e njohur si “ish bllok”,  i deklaruar si i finacuar me kredi bankare. Nga hetimi ka rezultuar se shuma prej 310,000 Euro që kanë shërbyer për blerjen e katit të parë të dublex, janë derdhur Cash në sistemin bankar nga F. K., dhe shuma 335,000 Euro e marrë kredi nga F. K., është shlyer gjithashtu me para të depozituara në bankë të nivelit të dytë në Republikën e Shqipërisë, në Mars-Nëntor 2010. Këto para dyshohet se kanë origjinën nga aktiviteti i paligjshëm i shtetasve I.M. dhe M.K. si dhe kredia bankare është përdorur si mbulesë dhe mënyrë për të futur në sistemin bankar shuma të konsiderueshme monetare.

6- Nga hetimi ka rezultuar se shtetasit I.M. dhe M.K. nuk kanë deklaruar shpenzimet mjekësore të kryera gjatë periudhës 2013-2019, në vlerën totale prej 106.125 Euro. Nga këto shpenzime, 86.891 Euro janë paguar në cash. Hetimet kanë zbuluar se në deklaratën e Interesave Private Vjetore për vitin 2019, të dorëzuar në ILDKPKI më 29 Maj 2020, këta subjekte nuk kanë deklaruar shpenzimet shëndetësore në vlerën prej 9.000 Euro të kryera në një klinikë private jashtë vendit si dhe dhe shumën 100.000 Euro në llogarinë bankare dy emërore, të cilat i përkasin E.M. dhe F. K.  Subjektet I.M. dhe M. K. dyshohet se kanë konsumuar veprën penale “Refuzimit për deklarim, mosdeklarimi, fshehja dhe deklarimi i rrëmë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë” parashikuar nga neni 275/a të Kodit Penal.

Prokuroria e Posaçme ka kryer hetime në kuadër të procedimeve penale nr. 55 të vitit 2019 (dërguar për kompetencë nga Prokuroria për Krime të Rënda), 122 të vitit 2022 (regjistruar mbi bazën e kallëzimit të shtetasit I.B.), 125 të vitit 2022 (regjistruar mbi bazën e kallëzimit të shtetasit H.V.), 165 të vitit 2022 (regjistruar mbi bazën e kallëzimit të shtetasit I.B.), të cilët janë bashkuar në një procedim të vetëm duke u numërtuar procedimi penal nr.55/2019.

Pas kryerjes së veprimeve të shumta hetimore dhe analizës së provave, në datën 09.10.2024 Prokuroria e Posaçme iu drejtua Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me kërkesën për caktim mase sigurimi ndaj katër shtetasve.

 

Me vendimin nr.125 datë 20.10.2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka vendosur:

  1. Caktimin e masës së sigurimit personal  “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj personit nën hetim I. M., i dyshuar për kryejen e veprave penale; “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”  në 3 (tre) raste nga të cilat në dy raste është kryer në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i cdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim” parashikuar nga nenet  260 dhe 25, 287/2 dhe 257/a/2 i K.Penal.
  2. Caktimin e masës së sigurimit personal “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj personit nën hetim, M. K., e dyshuar për kryerjen e veprave penale; “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”  në 2(dy) raste dhe në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i cdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim” parashikuar nga nenet  260 dhe 25, 287/2 dhe 257/a/2 i K.Penal.
  3. Caktimin e masës së së sigurimit personal “Arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj personit nën hetim P. Xh. i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 260 dhe 25 të Kodit Penal.
  4. Caktimin e masës së sigurimit personal “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj personit nën hetim E. Ç., e dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal.

Po në datën 20.10.2024 Prokuroria e Posaçme ka urdhëruar Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit që të ekzekutojë masat e sigurimit të caktuara me vendimin nr.125 datë 20.10.2024. Policia e Shtetit ka ekzekutuar sot në datën 21.10.2024 masat e sigurimit të mësipërme ndaj katër personave nën hetim.

Hetimet vazhdojnë me administrimin e provave sa i përket implikimit të personave të tjerë që dyshohet se janë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme kriminale.

Gjejmë rastin që të falenderojmë Drejtorinë e  Përgjithshme të Policisë së Shtetit si dhe autoritetet e zbatimit të ligjit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Austrisë, Italisë, San Marinos, Qipros për ndihmën dhe bashkëpunimin e treguar.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Arrestimi i Ilir Metës, SPAK njoftim zyrtar: Publikon akuzat appeared first on Euronews Albania.

❌