Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 17 January 2026Gazeta Si

Në kërkim nga Mbretëria e Bashkuar për drogë, arrestohet 33-vjeçari në Shkodër

17 January 2026 at 10:54

Një 33-vjeçar është arrestuar në Shkodër pasi ishte shpallur në kërkim.

B. B., banues në Premal ishte shpallur në kërkim pasi gjykata e Shkodrës i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, me qëllim ekstradimin në Mbretërinë e Bashkuar.

Gjykata në Westminster të Mbretërisë së Bashkuar ka lëshuar ndaj tij urdhër arresti për veprën penale “Shkelja e ligjit për lëndët narkotike”, kryer në bashkëpunim.

The post Në kërkim nga Mbretëria e Bashkuar për drogë, arrestohet 33-vjeçari në Shkodër appeared first on Gazeta Si.

Përmban substancë të rrezikshme për fëmijët, AKU tërheq nga tregu qumështin formulë ‘BEBA’

17 January 2026 at 10:41

Nga Gazeta Si- Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka njoftuar bllokimin dhe tërheqjen nga tregu të disa produkteve të formulës për fëmijë, pas një alarmi të ardhur nga Sistemi Evropian i Njoftimit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshët (RASFF).

Sipas njoftimit, Shqipëria është informuar nga RASFF se pas kontrolleve të kryera nga autoritetet italiane, është konstatuar prania e substancës Cereulide në qumështin formulë BEBA për fëmijë me origjinë nga Holanda, e cila përbën një rrezik potencial për shëndetin e njeriut.

Produktet e identifikuara janë:

BEBA PRE 800G – Lot nr. 51250346AA, skadencë 05.2027

BEBA PRE 800G – Lot nr. 51720346AA, skadencë 06.2027

BEBA PRE 800G – Lot nr. 51660346AC, skadencë 06.2027

BEBA 1 800G – Lot nr. 51180346AB, skadencë 04.2027

BEBA 1 800G – Lot nr. 51450346AA, skadencë 05.2027

BEBA 1 800G – Lot nr. 51660346AB, skadencë 06.2027

BEBA SUPREME PRE 800G – Lot nr. 51720742F3, skadencë 06.2027

BEBA SUPREME 2 800G – Lot nr. 51550742F1, skadencë 06.2027

BEBA SUPREME 2 800G – Lot nr. 51550742F2, skadencë 06.2027

AKU bën me dije se sasia e produktit është bllokuar dhe do të asgjësohet.

The post Përmban substancë të rrezikshme për fëmijët, AKU tërheq nga tregu qumështin formulë ‘BEBA’ appeared first on Gazeta Si.

Tatimet ‘zbresin’ në terren, kontrolle për nëndeklarimin e pagave në sektorin e ndërtimit

17 January 2026 at 10:33

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka njoftuar se duke nisur nga 16 janari  kanë filluar kontrollet në terren për nëndeklarimin e pagave, me qëllim ‘pikasjen’ e ndërtuesve të cilët nuk deklarojnë pagat reale të punonjësve të tyre.

Kontrollet do të përfshijnë vetëm tek ato subjekte që nuk kanë respektuar pagat dysheme të caktuara nga tatimet prej 1 dhjetorit 2025. Për shkak të deklarimit të pagave më të ulëta sesa realisht janë, Tatimet muajin e kaluar publikuan listën e pagave për sektorin e ndërtimit, në varësi të çdo profesioni.

Me përjashtim të sanitarëve që do të kenë si dysheme pagën 60 mijë lekë, të gjithë të punësuarave e tjerë nuk duhet tu deklarohet rrogë nën 80 mijë lekë. Me këtë listë të tatimeve pagat dysheme në ndërtim e rritin automatikisht rrogën mesatare të sektorit nga 68 mijë lekë në 85 mijë lekë. Çdo biznes që nuk e respekton këtë vendim të tatimeve, do të konsiderohet me risk për nëndeklarim dhe do të jetë subjekt kontrollesh.

“Mosdeklarimi i punonjësve dhe nëndeklarimi i pagave të tyre konsiderohet një shkelje e rëndë pasi cënon garantimin e sigurimeve shoqërore dhe pensioneve. Për këtë qëllim ndaj çdo tatimpaguesi të vlerësuar me këtë risk do ndërmerren hetime dhe kontrolle të thelluara për çdo proces të aktivitetit të tyre, duke përfshirë edhe transaksionet me burime të ardhurash të dyshimta në bashkëpunim edhe me agjenci të tjera ligjzbatuese”, njofton Drejtoria e Tatimeve.

The post Tatimet ‘zbresin’ në terren, kontrolle për nëndeklarimin e pagave në sektorin e ndërtimit appeared first on Gazeta Si.

Sot 558-vjetori i vdekjes së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu

17 January 2026 at 10:22

Sot shënohen 558 vjet nga vdekja e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu (1405-17 janar 1468).

Gjergj Kastrioti Skënderbeu, personifikon jo vetëm figurën më të rëndësishme të popullit shqiptar, por gjithashtu edhe një epokë të tërë të historisë kombëtare.

Gjergj Kastrioti, i lindur në vitin 1403, ishte një figurë e shquar e historisë shqiptare, pjesë e familjes fisnike të Kastriotëve. I ati ishte Gjon Kastrioti, udhëheqës i qyteteve më të mëdha të asaj kohe, Krujës dhe Mirditës dhe e ëma ishte Vojsava. Ai mori edukim dhe stërvitje ushtarake në oborrin osman, ku u dërgua si peng në vitin 1415 dhe përsëri në 1423, një periudhë që i mundësoi atij njohuri të thella ushtarake dhe diplomatike.

Pas kthimit në atdhe, ai u ngrit si udhëheqës i shqiptarëve, duke krijuar një aleancë të gjerë që kundërshtoi avancimin osman në Ballkan. Skënderbeu është një emër i paharrueshëm i historisë kombëtare, i cili përfaqësoi guximin dhe qëndresën e paepur për lirinë dhe dinjitetin e shqiptarëve.

Gjergj Kastrioti Skënderbeu hyri në histori si një nga gjeneralët më të mëdhenj të kohës, si një strateg i shquar i luftimeve mbrojtëse, sepse me një ushtri të vogël mundi të përballonte dhe të shkatërronte taborët e ushtrisë osmane, më të organizuarat dhe më modernet për kohën.

Lufta e shqiptarëve me të në krye shënon një kthesë vendimtare në organizim politik të vendit, si dhe në forcimin e bashkimit kombëtar.

Pasi çliroi Krujën më 28 nëntor 1443 ai ngriti flamurin e Kastriotëve dhe më 2 mars të vitit 1444, në Katedralen e Shën Kollit të qytetit të Lezhës, Gjergj Kastrioti mbajti Kuvendin e Parë Kombëtar.

Me Kuvendin e Lezhës, Skënderbeu vuri themelet e një shteti arbëror. Ai ishte kuvendi ku u hodhën themelet e bashkimit kombëtar. Mobilizimi masiv i forcave shqiptare që filloi në Dibër, erdhi duke u zgjeruar deri në një kryengritje të përgjithshme. Brenda muajve të parë u çliruan disa principata dhe pjesa më e madhe e trojeve shqiptare.

Forcat shqiptare me në krye Skënderbeun fituan një sërë betejash kundër ushtrive osmane, si në fushat e Pollogut, të Dibrës, të Ohrit e të Domosdovës, grykat dhe luginat e Shkumbinit, fushat e Ujit të Bardhë, të Livadit pranë Ohrit, të Vajkalit etj.

Pas vitesh lufte e rezistencë ndaj pushtimit osman, duke udhëhequr luftën e shqiptarëve për liri, Gjergj Kastrioti Skënderbeu vdiq në Lezhë.

Gjergj Kastrioti jo vetëm që mbrojti popullin e vendlindjen, por me luftën e tij e pengoi, madje e ndaloi edhe ekspansionin osman drejt Evropës, duke fituar mirënjohjen e shteteve evropiane dhe të Papatit të Romës, që kur qe gjallë, dhe shumë më tepër pas vdekjes.

The post Sot 558-vjetori i vdekjes së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu appeared first on Gazeta Si.

Nga Kushner tek Witkoff/ Bordi i Paqes për Gazën, Shtëpia e Bardhë publikon emrat e anëtarëve përfaqësues të Trump

17 January 2026 at 10:14

Shtëpia e Bardhë ka bërë publikë emrat e anëtarëve që do të përbëjnë “Bordin e Paqes” të ri të administratës Trump për Gazën.

Me presidentin e SHBA-së në krye, bordi do të mbikëqyrë punën e një komiteti teknokratësh palestinezë të ngarkuar me qeverisjen e përkohshme dhe rindërtimin e Gazës pas luftës.

Sipas deklaratës zyrtare, çdo anëtar i bordit do të ketë përgjegjësi për një portofol që konsiderohet kritik për stabilizimin e Gazës, megjithëse ndarja konkrete e këtyre roleve ende nuk është bërë publike.

Tony Blair, ish-kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar, është i vetmi anëtar themelues që nuk është shtetas amerikan. Blair drejtoi Britaninë nga viti 1997 deri në 2007 dhe ishte një figurë kyçe në Luftën e Irakut, çka e bën përfshirjen e tij në bord të diskutueshme për disa. Pas largimit nga detyra, ai shërbeu si i dërguar i Kuartetit ndërkombëtar për Lindjen e Mesme (OKB, BE, SHBA dhe Rusi) nga viti 2007 deri në 2015. Ai i ka cilësuar planet e Trump për Gazën si “shansi më i mirë për t’i dhënë fund dy viteve lufte, mjerimi dhe vuajtjeje”.

Marco Rubio, Sekretar i Shtetit i SHBA-së, do të luajë një rol qendror në politikën e jashtme të administratës Trump. Fillimisht kundërshtar i një armëpushimi në Gaza, Rubio më vonë e përshëndeti marrëveshjen Izrael–Hamas të tetorit si planin “më të mirë” dhe “të vetëm”. Ai gjithashtu ka kritikuar përpjekjet për aneksimin e Bregut Perëndimor nga Izraeli.

Steve Witkoff, i dërguari special i SHBA-së për Lindjen e Mesme dhe biznesmen i pasurive të paluajtshme, do të jetë pjesë e bordit. Ai ka njoftuar nisjen e fazës së dytë të planit të Trump për Gazën, që përfshin rindërtimin dhe demilitarizimin e plotë të territorit, përfshirë çarmatimin e Hamasit. Witkoff ka qenë gjithashtu i përfshirë në përpjekjet diplomatike për paqe mes Rusisë dhe Ukrainës.

Jared Kushner, dhëndri i presidentit Trump, ka luajtur një rol kyç në negociatat e politikës së jashtme të administratës, përfshirë konfliktet Rusi–Ukrainë dhe Izrael–Gazë. Ai është takuar me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për të diskutuar çështjet kyçe të pazgjidhura dhe ka deklaruar më herët se potenciali ekonomik i Gazës, veçanërisht bregdeti, mund të jetë shumë i madh nëse fokusi vihet te zhvillimi.

Marc Rowan, miliarder dhe CEO i Apollo Global Management, si dhe Ajay Banga, president i Bankës Botërore dhe ish-CEO i Mastercard, janë gjithashtu pjesë e bordit. Banga u nominua për drejtimin e Bankës Botërore nga ish-presidenti Joe Biden në vitin 2023.

Anëtari i fundit themelues është Robert Gabriel, këshilltar i sigurisë kombëtare i SHBA-së, i cili ka bashkëpunuar me Trump që nga fushata presidenciale e vitit 2016.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se Nickolay Mladenov, ish-i dërguar i OKB-së për Lindjen e Mesme, do të jetë përfaqësuesi i bordit në Gaza. Ai do të mbikëqyrë Komitetin Kombëtar për Administrimin e Gazës (NCAG), një trup prej 15 teknokratësh palestinezë të ngarkuar me menaxhimin e përditshëm të territorit pas luftës.

NCAG do të drejtohet nga Ali Shaath, ish-zëvendësministër në Autoritetin Palestinez, i cili aktualisht qeveris pjesë të Bregut Perëndimor që nuk janë nën kontrollin izraelit.

The post Nga Kushner tek Witkoff/ Bordi i Paqes për Gazën, Shtëpia e Bardhë publikon emrat e anëtarëve përfaqësues të Trump appeared first on Gazeta Si.

Arratisja e Altin Ndocit, zyrtarët e arrestuar dalin sot para gjykatës

17 January 2026 at 10:06

Tetë personat e arrestuar në lidhje me arratisjen e Altin Ndocit nga spitali i Durrësit do të dalin sot para Gjykatës së Durrësit, ku do të njihen me masën e sigurisë.

Mes të arrestuarve janë kryeinfermieri Aulon Çuko, zëvendësshefi i komanduar i policisë së burgut, Desdemon Pazaj, si dhe pesë efektivë të policisë së shoqërimit: Dorjan Saraçi, Sal Ferollari, Preng Marvataj, Fatjon Baçi dhe Aranit Çela. Në pranga ka rënë edhe shtetasja Violeta Uka, përgjegjëse për njoftimin e sallave operative gjatë shoqërimit.

Gjykata e Durrësit caktoi masën e “arrestit në shtëpi” për doktoreshën e spitalit të burgut, Ylfete Sema.

Gjithashtu, ditën e djeshme u arrestua edhe ish-drejtori i burgut të Durrësit, Indrit Cerloj, në kuadër të të njëjtit operacion.

Kujtojmë se Ndoci, një person me rrezikshmëri të lartë, arriti të arratisej nga spitali i Durrësit më 13 janar.

The post Arratisja e Altin Ndocit, zyrtarët e arrestuar dalin sot para gjykatës appeared first on Gazeta Si.

Yesterday — 16 January 2026Gazeta Si

SPAK dhe BKH kontroll në pallatin luksoz pranë rrugës ‘Myslym Shyri’

16 January 2026 at 21:49

SPAK dhe BKH kanë kryer kontrolle në një objekt në afërsi të rrugës “Myslym Shyri” në Tiranë mbrëmjen e sotme.

Sipas informacioneve paraprake, kontrollet janë kryer në një ambient të marrë me qira në pallatin luksoz dhe burimet tregojnë se po kryhen për llogari të një hetimi me partnerët italianë.

The post SPAK dhe BKH kontroll në pallatin luksoz pranë rrugës ‘Myslym Shyri’ appeared first on Gazeta Si.

Rama: RTSH-ja të riformatohet, privatizohet ose të mbyllet! S’ka më taksa për televizionin publik

16 January 2026 at 19:00

Në fjalën e tij përmbyllëse gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS, kryeministri Edi Rama u ndal edhe te situata e Televizionit Publik Shqiptar, duke deklaruar se RTSH nuk mund të vijojë më në formën aktuale.

Rama tha se duhet të shqyrtohen të gjitha opsionet, përfshirë mbylljen, riformatimin, privatizimin apo partneritetin, pasi përpjekjet për reformim deri më tani kanë dështuar. Sipas tij, nëse televizioni publik vazhdon siç është, nuk do të ketë më taksë për televizionin.

“Jemi munduar të krijojmë kushtet që televizioni publik të reformohet dhe kemi dështuar. Nuk e di çfarë do të bëjë drejtuesja e re, por deri tani bilanci i televizionit publik është dështim i suksesshëm. Që do të thotë nga borxhi në borxh dhe nga mospërfillja në mospërfillje. Kemi një kanal atje. Unë personalisht, hera e fundit që e kam parë televizionin publik ishte para vitit 1990, para përmbysjes, kur thonin ishin ca protesta. Që atëherë, unë nuk i kam parë. Kam shkuar, kam dhënë intervista, por as intervistat e mia nuk i kam parë. Duhet ndarë mendja, drejtuesit e televizionit publik të gjithë e dinë, nga unë nuk kanë marrë kurrë asnjë mesazh sepse unë nuk e shoh. Dhe kur ndonjëri nga ju më dërgon mesazhi: ‘Shih ç’po bën televizioni publik’, unë habitem. Si e ndjek? Por ama të gjithë i kam takuar pasi janë zgjedhur. I kam thënë vetëm një gjë, mbylleni. Nxirrni në ekran: ‘Televizioni Publik Shqiptar i kërkon ndjesë popullit shqiptar. I kërkon ndjesë të gjitha familjeve në Republikën e Shqipërisë dhe jashtë saj, i kërkon ndjesë dhe për të gjithë ata që nuk jetojnë më dhe që kanë qenë të detyruar të marrin shërbimin më mizerabël publik në glob. Ju premtojmë se do të kthehemi në ekran kur të jemi gati’. Të bëjnë reformë. Si ka mundësi që televizionet e tjera, me më shumë pak buxhet marrin më shumë sukses. Sepse buxhetin e tyre nuk e kanë të garantuar. Duhet ta krijojnë çdo ditë”, u shpreh kryeministri.

Ai solli si shembull edhe të drejtat televizive për ndeshjet e Kombëtares, duke thënë se RTSH kërkon t’i transmetojë, por nuk paguan detyrimet përkatëse, ndërsa pret financim nga taksat e qytetarëve.

“E duan të drejtën e FSHF-së për të transmetuar ndeshjet e Kombëtares sepse Kombëtarja duhet të transmetohet në televizionin publik, por lekët nuk i paguajnë. Pse? Doni lekët tona, shkoni te qeveria. Nuk kemi për t’i dhënë televizionit publik asnjë lek nga taksat e shqiptarëve, derisa televizioni publik t’i meritojë taksat e shqiptarëve. Mendoj se çdo opsion duhet të jetë në tavolinë. Edhe mbyllja përfundimtare, edhe privatizimi, edhe partneriteti, përveç kësaj që është. Por unë nuk marr pjesë në këtë”, tha ndër të tjera Rama.

The post Rama: RTSH-ja të riformatohet, privatizohet ose të mbyllet! S’ka më taksa për televizionin publik appeared first on Gazeta Si.

Rama me rezerva për ‘menaxhimin’ e Kuvendit: Do ta reformojmë! Legalizimi i rrugaçërisë bashkëfajësi

16 January 2026 at 18:53

Nga Gazeta ‘SI’- Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se PS do të ndërmarrë një nismë të ngjashme me praktikat e BE-së për zbatimin me rigorozitet të rregullores së Kuvendit, në fjalën e tij përmbyllëse të takimit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.

Rama kërkoi rritje të aktivitetit parlamentar dhe kritikoi opozitën për abuzim me procedurën, duke thënë se Kuvendi nuk duhet të merret peng dhe se praktika të tilla nuk lejohen në parlamentet e vendeve të BE-së. Ai sqaroi se nuk kërkon uljen e kohës së fjalës për opozitën, por ndalimin e bllokimit të punës parlamentare.

Kryeministri foli edhe për nevojën e reformimit të administratës së Kuvendit, me qëllim rritjen e cilësisë dhe shtimin e ekspertizës, veçanërisht për komisionet që lidhen me procesin e negociatave.

Duke komentuar përplasjet dhe tensionet në Kuvend, Rama tha se asnjë formë dhune apo cenimi i dinjitetit nuk tolerohet në një parlament demokratik dhe se masat duhet të merren menjëherë, sipas rregullores.

“Dua t’i referohem të konkluzioneve lidhur me domosdoshmërinë e  rritjes së aktivitetit diplomatik parlamentar gjë që do duhet të jetë në fokusin e kryetarit dhe jo vetëm tek, por tek të gjithë deputetët të përfshirë në grupet e miqësisë me parlamenteve të BE-së.

Besoj që është e qartë që ky proces kërkon edhe një administratë, një shërbim administrativ të kuvendit më cilësor. Kemi folur për reformën e brendshme prej disa vitesh ,janë bërë disa hapa, por një administrate e cila numëron rreth 350 vetë nga të cilët rreth 300 janë nën punës civilë, është goxha e madhe ne numër ndërkohë që barra e punës mbështetëse për komisionet, për deputetët, për kryetarin e kuvendit bie padyshim mbi një numër shumë të vogël sesa ai i përgjithshmi.

Nëse për arsye që i dimë që lidhen me sigurinë juridike të atyre që janë aty, do duhen forca të reja, duhet të shtojmë forca të reja. Ekspertizë në funksion të komisioneve për pikërisht për çështjet që lidhen me negociatat. Duhet ta ritheksoj që në ndarjen e mandateve në kuvend, diferenca është e madhe, në ndarjen e orëve të fjalës në Kuvend, po të shikosh duket ikur jemi në një parlament 1 me 49. Orët e vëna në dispozicion për opozitën janë anomalish shumë më tepër sesa orët që opozitat parlamentare në parlamentet e BE. Nuk po them t’i ulim orët opozitës, me ketë them që duhet të shikojmë sesi do të ndërpriten orët e marra me forcë, me abuzim. Në shkelje të plotë të etikës parlamentare duke përdorur procedurën për të marrë peng publikun për 1 ose 2 orë kur fillon kuvendi, dhe për të pushuar sallën e parlamentit duke i vendosur deputetët e shumicës,  në pozitën e tyre që janë aty si spektatorë të një teatri balte. Në asnjë parlament demokratik në asnjë parlament të BE nuk i lejohet asnjë force politike. Rregullorja e parlamenti nuk është e shkruar në gurë, bazuar tek praktikat e BE, duhet ndërhyrë menjëherë që fjala procedurë të mos jetë e barabartë për fjalën pengmarrje”, tha Rama.

The post Rama me rezerva për ‘menaxhimin’ e Kuvendit: Do ta reformojmë! Legalizimi i rrugaçërisë bashkëfajësi appeared first on Gazeta Si.

Financial Times: Hyrja e Ukrainës në BE, padrejtësi për Shqipërinë dhe Malin e Zi!

16 January 2026 at 18:25

Në një opinion të shkruar nga Henry Foy, drejtues i redaksisë së “Financial Times” në Bruksel, revista britanike kundërshton idenë e zgjerimit të BE-së me pranim të menjëhershëm të Ukrainës. Duke përmendur avancimin që ka bërë Shqipëria dhe Mali i Zi për t’u integruar në bllok, FT i jep zë zyrtarëve që e quajnë anëtarësimin e Ukrainës si të padrejtë për këto dy shtete.

Artikulli i plotë i FT:

Brukseli po harton propozime për të hequr sistemin e anëtarësimit në BE të përdorur që nga Lufta e Ftohtë, duke e zëvendësuar atë me një model të diskutueshëm me dy nivele, i cili mund të përshpejtojë hyrjen e Ukrainës në BE si pjesë e çdo marrëveshjeje paqeje për t’i dhënë fund pushtimit rus.

Plani i ristrukturimit, që po diskutohet në Komisionin Europian dhe që është ende paraprak, ka nisur tashmë të shqetësojë kryeqytetet e BE-së, të alarmuara nga një qasje e tipit “zgjerim i lehtësuar”, me pasoja të thella për unionin, sipas shtatë zyrtarëve të lartë të përfshirë në bisedime.

Ukraina, e cila u bë zyrtarisht vend kandidat për BE menjëherë pas pushtimit të plotë nga Rusia në shkurt 2022, e sheh anëtarësimin si një element themelor të së ardhmes së saj pas luftës dhe si një deklaratë përfundimtare të orientimit të saj pro-perëndimor.

Një referencë për anëtarësimin e Ukrainës në BE në vitin 2027 përfshihet në draftet e një plani paqeje me 20 pika, të udhëhequr nga SHBA-të dhe aktualisht në negociim, pavarësisht vlerësimeve të zyrtarëve të BE-së se vendit mund t’i nevojitet deri në një dekadë reformash për të përmbushur kriteret strikte të anëtarësimit.

Por zyrtarët e Komisionit kuptojnë se presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy do të jetë në gjendje të pranojë aspekte të tjera të një marrëveshjeje të mundshme paqeje, siç është heqja dorë nga territore në favor të Rusisë, vetëm nëse mund t’ia paraqesë anëtarësimin në BE si rezultatin pozitiv të procesit.

Plani paraprak që po diskutohet do t’i mundësonte Ukrainës të bashkohej me unionin, por me fuqi vendimmarrëse shumë më të kufizuara. Për shembull, të drejtat normale të votimit nuk do t’i jepeshin fillimisht Ukrainës në samitet e liderëve dhe në takimet ministrore, sipas zyrtarëve.

Sipas propozimeve ende në zhvillim, Kievi do të fitonte qasje graduale në pjesë të tregut të përbashkët të BE-së, në subvencionet bujqësore dhe në fondet e zhvillimit të brendshëm të unionit, pasi të përmbushte objektiva të caktuara pas-anëtarësimit.

Kjo do të ndryshonte rrënjësisht rregullat e anëtarësimit të miratuara në vitin 1993, të cilat kërkojnë që vendet të përmbushin një gamë të gjerë rregullash dhe standardesh të BE-së në shumë fusha politike, dhe të pranohen vetëm pasi të jenë plotësuar të gjitha kriteret.

“Kohë të jashtëzakonshme kërkojnë masa të jashtëzakonshme… Ne nuk po minojmë zgjerimin. Po zgjerojmë konceptin e zgjerimit,” tha një diplomat i lartë i BE-së, i njohur me këtë ide. “Rregullat janë shkruar më shumë se 30 vjet më parë dhe duhet të jenë më fleksibël. Ky është një moment që ndodh një herë në brez dhe duhet t’i përgjigjemi.”

Megjithatë, diplomatët nga shtetet anëtare të BE-së dhe nga vende të tjera aspirante, të përfshira në diskutime informale me Komisionin, kanë shprehur shqetësim të thellë për këtë koncept. Disa druhen se ai mund të ketë ndikim negativ në stabilitetin e ardhshëm të unionit, të zhvlerësojë vlerën e anëtarësimit dhe të dëmtojë vendet e tjera kandidate.

“Është një kurth i ngritur nga Putin dhe Trump, dhe ne po biem brenda tij,” tha një diplomat i dytë i BE-së, duke përmendur rrezikun për unitetin e bllokut.

“BE-ja është edhe një herë e bllokuar mes gurit dhe murit,” tha Mujtaba Rahman, drejtor për Europën në Eurasia Group. “Nuk ka zgjidhje tjetër veçse të përshpejtojë anëtarësimin e Ukrainës, por kjo do të hapë një Kutinë e Pandorës me rreziqe politike dhe të politikave publike që askush në Bruksel nuk i kupton plotësisht.”

Përparimi i Ukrainës në procesin ekzistues të anëtarësimit është bllokuar nga Hungaria, e cila ka penguar miratimin unanim të nevojshëm për hapjen dhe mbylljen zyrtare të secilit prej 35 kapitujve të anëtarësimit.

Zyrtarë të BE-së dhe Ukrainës besojnë se, nëse SHBA-të janë nënshkruese të marrëveshjes përfundimtare të paqes, kjo do ta detyrojë Budapestin dhe aleatin e tij të afërt, presidentin Donald Trump, të tërhiqen.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, të enjten e lidhi drejtpërdrejt anëtarësimin e Ukrainës me bisedimet e paqes: “Anëtarësimi është një garanci kyçe sigurie për Ukrainën, por edhe motori thelbësor për rritjen dhe prosperitetin e ardhshëm,” tha ajo.

Megjithatë, një grup i madh shtetesh anëtare të BE-së, ndonëse të gatshme të mbështesin Ukrainën, janë fuqishëm kundër çdo mase që do të krijonte hapësira në rregulla ose do të vendoste një sistem anëtarësimi me dy nivele, thanë katër diplomatë të bllokut.

Nuk mund të kesh një proces të bazuar në meritë me një datë përfundimi të paracaktuar,” tha një prej tyre.

“Nëse përpiqeni t’ua impononi këtë shteteve anëtare, ata nuk do ta pranojnë kurrë,” paralajmëroi një zyrtar i lartë i BE-së, duke thënë se kjo do të hapte një përçarje të rrezikshme mes Brukselit dhe vendeve anëtare.

Zyrtarë të tjerë thanë se çdo ndryshim i procesit të zgjerimit do të trazonte ambiciet e vendeve të tjera kandidate, duke ngritur pyetje më të gjera për mënyrën se si BE-ja ndërvepron me fqinjët e saj të afërt.

Mali i Zi dhe Shqipëria janë vendet më pranë anëtarësimit për sa i përket përparimit në kapituj dhe mund të ndihen sikur po u ofrohet një “çmim” më pak tërheqës, thanë tre nga shtatë burimet.

Po ashtu, do të ngriheshin pikëpyetje nëse vende të tjera që kanë bërë pak ose aspak përparim drejt anëtarësimit vitet e fundit, si Bosnja dhe Turqia, do të përfitonin nga i njëjti model “zgjerim i lehtësuar”.

Është e paqartë se si kjo do të ndikonte vendet e Zonës Ekonomike Europiane, si Norvegjia, që janë pjesë e tregut të përbashkët pa të drejta vote, apo vende të tjera partnere të afërta, por jo kandidate, si Mbretëria e Bashkuar.

“Me diçka të tillë po ngre pyetje shumë të mëdha dhe shumë të vështira,” tha një diplomat i tretë i lartë i BE-së. “Ka kaq shumë pasoja të paparashikuara të mundshme.”

The post Financial Times: Hyrja e Ukrainës në BE, padrejtësi për Shqipërinë dhe Malin e Zi! appeared first on Gazeta Si.

Alarmi nga BE: Në Shqipëri janë shitur fara susami me aflatoksinë nga Bolivia

16 January 2026 at 17:07

Nga Gazeta ‘SI’ – Në një ngarkesë farash susami të importuara në Shqipëri janë konstatuar nivele shumë të larta të aflatoksinës B1, një substancë tepër e rrezikshme për shëndetin e njeriut.

Bëhet fjalë për një ngarkesë të kompanisë “Neranxi”, me origjinë nga Bolivia, e futur në vend në fillim të muajit dhjetor. Pas analizave laboratorike të kryera në Holandë, ku ky produkt ishte eksportuar, është konstatuar prania e aflatoksinës mbi normat e lejuara.

Më 22 dhjetor 2025, RASFF i Komisionit Europian ka publikuar alert-in zyrtar për këtë ngarkesë, ndërsa në javën e parë të janarit AKU është njoftuar zyrtarisht, pasi Shqipëria rezulton një nga vendet importuese.

Sipas informacioneve të siguruara, kompania importuese ka futur rreth 300 kg fara susami, të cilat janë ripaketuar në sasi më të vogla dhe janë hedhur në treg, përmes rrjetit të dyqaneve të saj, por edhe në markete të tjera. Në momentin kur alert-i ka mbërritur në Shqipëri, pjesa më e madhe e sasisë ishte shitur, ndërsa vetëm një sasi e vogël është gjetur gjendje dhe është bllokuar.

Të dhënat e produktit të rrezikshëm:
Emri në etiketë: Natural Black Sesame Seeds non EU origin bag 25 kg
Origjina: Bolivia (jo-BE)
LOT: LO210100001

AKU njofton se sasia e konstatuar gjendje është bllokuar me destinacion asgjesimin, ndërsa konsumatorët që e kanë blerë këtë produkt duhet ta kthejnë menjëherë në pikat e shitjes.

The post Alarmi nga BE: Në Shqipëri janë shitur fara susami me aflatoksinë nga Bolivia appeared first on Gazeta Si.

Arratisja e Altin Ndocit nga spitali, arrestohet ish-drejtori i burgut të Durrësit (pamjet)

16 January 2026 at 16:13

Gazeta Si – Ish-drejtori Burgut të Durrësit, Indrit Cërloj, është arrestuar këtë të premte pas arratisjes spektakolare të Altin Ndocit nga spitali i Durrësit, teksa ndodhej për mjekim.

Policia e Durrësit njofton se Cërloj është lokalizuar dhe vënë në pranga, ndërsa akuzohet për shpërdorim të detyrës.

Po ashtu policia ka njoftuar se është caktuar arrest shtëpiak për shtetasen Ylfete Sema, mjekja e burgut të Durrësit.

Cërloj është shkarkuar dy ditë më parë nga posti që mbante me urdhër të ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari, ndërsa është pezulluar nga detyra gjithë zinxhiri komandues i burgut.

Pas arratisjes së Ndocit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve zbardhi të gjitha shkeljet që dyshohet të kenë kryer punonjësit e paraburgimit të Durrësit, me pasojë arratisjen e Altin Ndocit, teksa po vizitohej në spitalin e qytetit.

Në lidhje me këto shkelje, paraditen e së mërkurës u arrestuan 7 punonjës të Policisë së Burgjeve, si edhe kryeinfermieri.

Në një reagim zyrtar, DPB tha se nga verifikimet paraprake ka rezultuar se për shoqërimin e planifikuar të të paraburgosurit Ndoci në spitalin e qytetit, IEVP Durrës nuk ka informuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Komisariatin e Policisë Durrës.

Po ashtu, zyrtarët e burgut ku Altin Ndoci mbahej i izoluar, nuk kanë raportuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve as planifikimin dhe as realizimin e vizitës mjekësore, në kundërshtim me aktet nënligjore në fuqi.

Shkelje janë vërejtur edhe në respektimin e procedurave standarde për shoqërimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve. Verifikimi paraprak i shkeljeve çoi Prokurorinë e Durrësit në lëshimin e urdhër-ndalimeve për 8 persona: 7 efektivë të Policisë së Burgjeve dhe kryeinfermierin e IEVP Durrës.

Tetë punonjësit e ndaluar më parë për arratisjen e ndodhur në Burgun e Durrësit:

-Komisar Dezdemon Pazaj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

-Komisar Violeta Uka – Punonjëse e Policisë së Burgjeve;

-Kryeinspektor Dorjan Saraçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

-Inspektor Sali Ferrollari – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

-Inspektor Fatjon Braçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

-Inspektor Preng Marvataj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

-Kryeinspektor Aranit Çela – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

-Kryeinfermier Aulon Quku – Punonjës i IEVP Durrës.

The post Arratisja e Altin Ndocit nga spitali, arrestohet ish-drejtori i burgut të Durrësit (pamjet) appeared first on Gazeta Si.

Nga grabitjet te romani brenda burgut- Fatmir Pjetri i ‘Bandës së Babagjyshëve’ kryen ‘krimin’ e radhës

16 January 2026 at 14:19

Nga Gazeta “SI”- Fatmir Pjetri, i dënuar si pjesë e bandës së “Babagjyshëve”, ka tërhequr vëmendjen e publikut pasi publikoi në profilin e tij në Instagram një audioregjistrim, në të cilin akuzon Drejtorinë e Burgjeve se i ka mohuar lejen për të promovuar një roman të shkruar prej tij, me pretendimin se përmbajtja e tij përfshin skena dhune dhe del kundër institucioneve shtetërore.

I indinjuar për diskriminimin që i është bërë, ai shpreh në këtë audioregjistrim pakënaqësinë e tij për ndalimin e promovimit të librit përpara bashkëvuajtësve të tij.

Në një rrëfim ekskluziv për GazetaSi.al, Fatmir Pjetri ka sqaruar në detaje jo vetëm arsyen e ndalimit të romanit, por edhe procesin e gjatë të krijimit të tij, që nga koha kur është shkruar e deri te botimi. Sipas tij, romani “Jetë e guximshme” është kryevepra e tij.

“Romani im me titull ‘Jetë e guximshme’ është krijuar në kushte izolimi ekstrem, pasi isha i mbyllur në regjimin 41 bis në Burgun e Burrelit për dy vite. Aty është burg brenda burgut. Nuk ke asnjë kontakt me botën e jashtme, nuk ka gazeta as televizor, je i vetëm brenda katër mureve. E vetmja mënyrë argëtimi për mua ishte leximi. Dostojevski thoshte: ‘Më jepni një dramë dhe do t’ju jap një kryevepër’. Në këtë dramë dyvjeçare krijova veprën time, një roman me shumë personazhe, pa censurë, me skena aksioni dhe erotike, duke thyer tabutë. Kam folur për një realitet që ekziston, por që shumë pak persona e njohin.”

Pjetri thotë se arsyeja e ndalimit nga Drejtoria e Burgjeve të promovimit të romanit është absurde dhe diskriminuese.

“Të gjithë të tjerët që kanë vuajtur dënimin e tyre në këtë institucion i kanë promovuar librat e tyre pa asnjë problem. Edhe romani im ishte programuar të promovohej te bashkëvuajtësit e mi në datë 14 janar, por Drejtoria e Burgjeve e anuloi prezantimin më 12 janar, me arsyetimin se romani promovon dhunën, përmban skena erotike dhe flet kundër institucioneve qeveritare. Ata e paragjykuan librin vetëm nga kopertina, pa e lexuar fare.”shprehet Pjetri

Sipas tij romani “Jetë e guximshme”, sipas tij, është një roman i shkruar pa komplekse, duke tentuar të thyejë tabu, ndërsa ai shpjegon edhe procesin e krijimit të tij nga faza fillestare deri në botim fizik.

“Për t’u arratisur nga dhuna psikologjike që përjetojnë të burgosurit në regjimin 41 bis, fillova të shkruaj nga 8 deri në 10 orë në ditë. Kur përfundova bis-in, kisha shkruar 1200 faqe A4 vetëm vitin e fundit. Në këto faqe është shkruar edhe një ditar për të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur në periudhën e izolimit.  Në romanin “Jetë e guximshme” bëhet fjalë për një ngjarje që zhvillohet në zemër të Europës, në një hark të shkurtër kohor, dhe që përfshin kapërcime të herëpashershme në kohë. Personazhi kryesor, Viktor Delano, zgjohet në një spital me shtatë plumba në trup. Aty fillon dhe tregon historinë e jetës së tij deri në momentin e atentatit. Ka dashuri, grabitje, vjedhje diamantesh e florinjsh. Historia është e thjeshtë, e kuptueshme nga të gjitha shtresat, me skena surprizuese dhe zhvillime të papritura që lexuesin e mbajnë të mbërthyer deri në fund. Romanin tim e ka redaktuar profesor Çelik Petriti dhe është shtypur nga shtëpia botuese Arte Grafik. Ai qarkullon në treg dhe është i aksesueshëm për të gjithë.”

Botuesja: Janë rritur kërkesat për librin pas autoinçizimit

Botuesja e romanit, Artemida Nako nga ArteGraphic  shpjegon për GazetaSi.al detajet e botimit fizik të romanit “Jetë e guximshme”

“Libri ka dalë nga botimi në datën 9 janar dhe pak ditë më pas i vëllai i Fatmirit ka tërhequr disa kopje me idenë e promovimit në burg. Kopertina është dizajnuar sipas kërkesave të Fatmirit për të shprehur sa më qartë atë çka ai ishte përfshirë në roman. Me kërkesë të tij, si një vjegë për të tërhequr lexuesin, kemi bërë edhe disa shënime si “Ky libër mban skena erotike dhe akte dhune”, por edhe për të paralajmëruar se libri në fakt është për lexues mbi 18 vjeç.

Nako përfundon duke theksuar se libri është paragjykuar duke e moslejuar promovimin nisur vetëm nga kopertina.

“Unë mendoj se arsyeja e ndalimit të promovimit është vetëm për shkak të shënimit në kopertinë, sepse po të lexohet, ajo është letërsi dhe imoraliteti nuk ekziston kur bëhet fjalë për letërsi. Kemi plot shkrimtarë që kanë shkruar tema të tilla si Bukowski e shumë të tjerë, por gjithçka gjykohet në kuadrin e letërsisë.”

Por çfarë është letërsia dhe krijimi sipas Fatmirit dhe pse ishte kaq i fortë përjetimi që u desh ta hidhte në letër.  Ai e shpjegon duke u shprehur se:  “Shkrimi është gjëja më e bukur që ka shpikur njerëzimi. Me anë të shkrimit ne shprehim dashurinë, dhimbjen dhe mërzinë.” përmbyll Fatmir Pjetri rrëfimin për GazetaSi.al

33-vjeçari Fatmir Pjetri nga Puka, pas ardhjes në Shqipëri në vitin 2013, u bë pjesë e “Bandës së Babagjyshëve”. Sipas akuzës, ai ka marrë pjesë në të gjitha grabitjet e bandës, që shtriheshin në të gjithë vendin , Tiranë, Kuçovë, Durrës, Berat, Lezhë, Fushë-Krujë, Laç e Shkodër. Grabitja që bëri më shumë bujë ishte ajo në një qendër tregtare në Tiranë, ku u plaçkit një argjendari. Pas kësaj ngjarjeje ai u arrestua më 24 nëntor të 2017. Pjetri kryente çdo grabitje pa lënë gjurmë, pa shkaktuar viktima dhe brenda vetëm tre minutash.

Pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar, ai deklaroi: “Nuk e di cili shpik për emrin tim, jam i pafajshëm. Policia të më akuzojë me fakte reale, jo me sajesa”.

Fatmir Pjetri u ekstradua nga Hollanda në Shqipëri në vitin 2019, ku po kryen dënimin për krimet e kryera, në burgun e Burrelit, aty ku para pak ditësh iu refuzua edhe “krimi i radhës” ; prezantimi i romanit.

The post Nga grabitjet te romani brenda burgut- Fatmir Pjetri i ‘Bandës së Babagjyshëve’ kryen ‘krimin’ e radhës appeared first on Gazeta Si.

Lufta kundër krimit dhe drogës, VonHorn: Do ndjekim prioritetet e Trumpit në Shqipëri

16 January 2026 at 13:58

Gazeta Si – Nancy VanHorn deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë të fokusuara në forcimin e mëtejshëm të institucioneve të drejtësisë në Shqipëri.

Në ceremoninë e mbylljes së trajnimit të udhëhequr nga FBI për hetuesit e SPAK dhe BKH në Tiranë, ajo tha se Amerika do të ndjekë me këmbëngulje prioritetet e presidentit Trump, duke forcuar institucionet që luftojnë krimin e organizuar dhe trafikun e narkotikëve.

Duke ritheksuar deklaratën e sekretarin Amerikan të Shtetit, Marco Rubio, i cili tha se grupet kriminale po shkaktojnë destabilizim dhe emigrim masiv në shtete të ndryshme, Van Horn theksoi se krimi i organizuar do të luftohet duke forcuar SPAK-un, BKH-në dhe Akademinë e Sigurisë së Shqipërisë.

Sipas saj, lufta kundër krimit është një prioritet absolut i SHBA-ve.

“Dhe siç tha Sekretari Rubio, organizatat ndërkombëtare kriminale dhe terroriste, veçanërisht ato të angazhuara në trafikimin e narkotikëve, janë kërcënimi më i madh për sigurinë e Shteteve të Bashkuara në Hemisferën Perëndimore, ku këto grupe po destabilizojnë shtet-kombet dhe po i çojnë në emigrim masiv. Ne do të ndjekim me këmbëngulje prioritetet e Presidentit Trump në Shqipëri, duke forcuar institucionet që luftojnë krimin e organizuar dhe trafikun e narkotikëve si SPAK, BKH dhe Akademia e Sigurisë”, – u shpreh Van Horn.

The post Lufta kundër krimit dhe drogës, VonHorn: Do ndjekim prioritetet e Trumpit në Shqipëri appeared first on Gazeta Si.

Gripi dhe Flama, Shqipëria ndalon importin e shpendëve nga 3 vende

16 January 2026 at 13:22

Nga Gazeta Si- Shqipëria ka ndaluar importi e kafshëve të gjalla, shpendëve të gjallë shtëpiakë, zogjve 24-orësh, mishit të freskët, vezët dhe materialin biologjik të shpendëve nga Sllovenia, Spanja dhe Polonia.

Ky vendim ka ardhur pasi në këto vende janë zbuluar raste të sëmundjes së gjuhës blu tek kafshët dhe flamës e gripit të shpendëve.

Konkretisht, sëmundja e gjuhës blu është zbuluar në Slloveni, flama në Spanjë dhe influence aviare në Poloni.

Sipas urdhrave të publikuar në Fletoren Zyrtare, ndalohet importi dhe tranzitimi për në territorin e Shqipërisë i të gjitha kafshëve të gjalla dhe shpendëve nga këto 3 vende.

The post Gripi dhe Flama, Shqipëria ndalon importin e shpendëve nga 3 vende appeared first on Gazeta Si.

Fjalori i ri i Gjuhës Shqipe/ Zhupa: Mungesë profesionalizmi. Akademia e Shkencave do thirret në dëgjesë!

16 January 2026 at 13:00

Gazeta “SI”- Deputetja e Partisë Demokratike, njëherësh kryetare e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Ina Zhupa, deklaroi sot se fjalori i ri i gjuhës shqipe, i përgatitur nga Akademia e Shkencave, paraqet shqetësime serioze për mungesë profesionalizmi.

Sipas saj, “atje gjenden lehtësisht gafa, diskriminim, mospërputhje me përkufizimet e termave sipas ligjeve etj”.

“Gjuha është themeli i kulturës kombëtare. Fjalori i një gjuhe nuk është thjesht një listë fjalësh, por akt kulturor, shkencor dhe kombëtar. Pikërisht për këtë arsye, fjalori i gjuhës shqipe duhet të jetë i saktë, i përgjegjshëm dhe në përputhje me zhvillimin bashkëkohor të shoqërisë”, nënvizoi Zhupa.

Ajo theksoi se fjalori i ri, i hedhur në konsultim publik, përmban gafa dhe qëndrime që nuk mund të anashkalohen dhe që janë tejet problematike.

Zhupa bëri të ditur se do të kërkojë një seancë dëgjimore me Akademinë e Shkencave, e cila duhet të japë shpjegime profesionale lidhur me mënyrën e hartimit të këtij fjalori.

“Është interesi publik, për aq kohë sa bëhet fjalë për një fjalor zyrtar, të bërë me fonde publike dhe që përbën një element thelbësor të identitetit kombëtar. Kjo seancë dëgjimore nuk do të trajtohet aspak si politike, por si çështje kulturore dhe kombëtare. Gjuha shqipe meriton seriozitet, profesionalizëm dhe përgjegjësi të lartë institucionale, si dhe një diskutim serioz”, theksoi ajo.

Gjithashtu, Zhupa solli edhe disa shembuj që, sipas saj, janë qartësisht shfaqje e një pune jo cilësore dhe problematike në shumë nivele, duke përmendur futjen e fjalës “abandonim” në fjalorin shqip-shqip apo përdorimin e fjalës “onlajn”.

Ajo ndaloi veçanërisht te, sipas saj, “përkufizimi thellësisht diskriminues i fjalëve ‘djalë’ dhe ‘vajzë’”.

“Në fjalorin e ri, ‘djalë’ përshkruhet me nota pozitive: trim, i urtë, shtyllë e shtëpisë, shpresë. Ndërsa ‘vajzë’ shoqërohet me një sërë përkufizimesh negative, fyese dhe moralisht paragjykuese”, theksoi Zhupa ndër të tjera.

Sipas saj, “fjalori nuk mund të jetë as ideologjik, as paragjykues, as i pakujdesshëm ndaj historisë gjuhësore dhe identitare. Ai formëson mendimin, edukon brezat dhe përcakton se çfarë konsiderohet ‘shqip e saktë’”.

The post Fjalori i ri i Gjuhës Shqipe/ Zhupa: Mungesë profesionalizmi. Akademia e Shkencave do thirret në dëgjesë! appeared first on Gazeta Si.

Hakerimi i materialeve të SPAK, Berisha: Rama, personi që mund ta ketë urdhëruar

16 January 2026 at 12:58

Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha u ndal tek hakërimi i materialeve të Prokurorisë së Posaçme, duke marrë për bazë një mesazh të dërguar lidhur me “skemën e hakërimit”.

Në pjesën e dosjes që ka publikuar Sali Berisha, të pandehurit Arnold Rrokaj dhe Zambak Gjoni komunikojnë me njëri tjetrin.

Sipas pjesës së dosjes që ka bërë publik Berisha Rrokaj i dërgon mesazh Gjonit ku flasin për hakerimin e sistemit, ndërsa përmendet edhe kryeministri Edi Rama.

“Përshëndetje doktor, një informacion të veçantë tek dosja e hakërimit të sistemit të SPAK-ut. Hakëruesi përmend emrin e Ramës si personi që mund të ketë urdhëruar hakërimin.

Pjesë nga dosja: Me datë 12 shkurt 2025, ora 21:17, Arnold Rrokaj, i dërgoi Zambak Gjonit një foto që duket sifaqe interneti, e cila mund të aksesohen sistemet e SPAK-ut. Më pas, ai dërgon një sms me përmbajtjen ‘a mos e hapsha dot’. Më pas Arnold Rrokaj i dërgon sërish sms Zambak Gjokajt se ‘do t’i shkruajë Ramës dhe hajt t’ua bëjmë robt. Pra, Arnold Rrokaj e kishte numrin e Ramës.’”, lexon Berisha denoncimin.

Duke vijuar me këtë denoncim, Berisha shprehet se krijohet bindja e ndërhyrjes së paautorizuar, me pretendimin e shpërndarjes së informacionit tek palë të treta.

“Dhe Arnold Rrokaj sapo të hapte faqen, do i dërgonte Ramës të dhënat e faqes, hajt t’u bëjmë këtë dhe atë, me gjuhën e Lubisë, se këtë gjuhë kishin ata me njëri-tjetrin, jo pallosh e kështu e ashtu. Nga përmbajtja e këtij komunikimi, krijohet bindje e arsyeshme se veprimet e të hetuarit kanë të bëjnë me ndërhyrje të paautorizuar në sistemet e SPAK-ut, me qëllim dëmtimin e tyre përmes shpërndarjes së tyre tek persona të tretë. Duke ia dërguar Ramës dokumentet, atij do ia dërgoj, thotë. Në vijim, me datën 21 shkurt, pra 10 ditë më vonë, i hetuari Zambak kërkon informacion edhe për arrestimin e shtetasit Engjëll Agaçi. Pra, Engjëll Agaçit i kishte urdhër-arresti nga Antimafia Italiane apo shkaqe të tjera.

Arnoldi shprehet: Ja ta shikoj njëherë, po ç’rëndësi ka kush prokuror e ka, nga këta që kam unë, nuk e ka njeri. Se këta i paskan pasur të ndarë prokurorët se cilët do të hakerojnë”, tha ai.

The post Hakerimi i materialeve të SPAK, Berisha: Rama, personi që mund ta ketë urdhëruar appeared first on Gazeta Si.

Austriakët prezantojnë makinat e reja për F1 2026 (Foto & Video)

16 January 2026 at 12:39

Nga Gazeta “Si” – Austriakët e “Red Bull” prezantuan një dizajn të ri dhe mbresëlënës për sezonin 2026 në Formula 1. Event spektakolar u mbajtu në “Michigan Central Station”.

Skuadra me bazë në Milton Keynes shfaqi pamjen e re gjatë një ceremonie madhështore në Detroit, qytetin e Ford-it, me të cilin po bashkëpunon për të zhvilluar motorrin e parë “Made in Red Bull” në historinë e Formula 1.

Piloti Martin Sonka, e bëri prezantimin edhe më të veçantë me një akrobaci të jashtëzakonshme ajrore, duke hequr mbulesën e makinës nga ajri.

Dizajni i ri shënon një rikthim te fundi shkëlqyes (gloss), i përdorur për herë të parë kur kompania e pijeve energjike debutoi në këtë sport në vitin 2005.

Katër herë kampioni i botës, Max Verstappen, do të shoqërohet këtë sezon nga Isack Hadjar, i cili vjen nga skuadra simotër, “Racing Bulls”.

Binomi do të synojë të rikthejë titullin Botëror që “Red Bull, e fitoi për herë të fundit në vitin 2023 për Konstruktorë.

“Racing Bulls” u bë një nga skuadrat e para të Formula 1 që kanë prezantuar dizajnin e makinës për sezonin 2026, gjatë një eventi të veçantë në Detroit.

Mbrëmja në stacionin e trenit “Central Michigan” priti “Racing Bulls” edhe Red Bull në prezantimin e dizajnit në qytetin e njohur si shtëpia amerikane e Ford-it. Sezoni 2026 do të mbahet mend si hera e parë që “Red Bull Ford Powertrains” do të veprojë si prodhues i motorrit për të dyja skuadrat.

Pilotët Liam Lawson dhe Arvid Lindblad – kostumet e garës së të cilëve ishin prezantuar disa ditë më parë – ndihmuan në zbulimin e dizajnit të makinës për vitin 2026.

Eventi u ndoq nga 1.500 të ftuar, ndërsa tifozët e përjetuan momentin edhe përmes transmetimit live.

The post Austriakët prezantojnë makinat e reja për F1 2026 (Foto & Video) appeared first on Gazeta Si.

Rama kërkon ndryshime në administratën e Kuvendit: Godinë e re për Parlamentin

16 January 2026 at 12:38

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama ka kërkuar ndryshime në administratën e Kuvendit, duke theksuar nevojën për modernizim institucional, transformim teknologjik dhe ndërtimin e një godine të re për Parlamentin e Shqipërisë.  

Gjatë fjalës së tij, në mbledhjen e grupit parlamentar socialist Rama theksoi se procesi i draftimit të ligjeve kërkon më shumë informacion të ndërsjellë dhe përfshirje aktive të deputetëve.

Sipas tij ndryshimet brenda pushtetit legjislativ do të vijojnë pas reformimit të komisioneve parlamentare.

“Aspektin e ndryshimeve brenda pushtetit, organizimit të pushtetit legjislativ që e filluam me komisionet. Sot patjetër që qoftë nga kryetarët e komisioneve, qoftë nga anëtarët e interesuar për të diskutuar do dëgjojmë se çfarë opinioni keni lidhur me këtë formulë të re që kemi me numrin e komisioneve, ndarjen etj. Dhe duhet ta vazhdojmë me administratën e Kuvendit e cila kemi kohë që themi duhet të modernizohet dhe duhet të mbështetet nga një transformim i rëndësishëm teknologjik. Punë për të cilën me siguri do të flasë kryetari”, u shpreh Rama.

Rama theksoi se modernizimi i administratës së Kuvendit dhe vendosja e një kalendari të qartë për godinën e re të Parlamentit janë pjesë e të njëjtit vizion për rritjen e efikasitetit dhe energjisë pozitive në punën e deputetëve.

“Nga ana tjetër duhet sigurisht që të vendos vendosim edhe piketat me një kalendar të qartë për godinën e re të parlamentit të Shqipërisë. Të gjitha këto bashkë shkojnë në të njëjtin drejtim. Natyrisht që asnjëra nga këto nuk pengon një pjesë të madhe të punës që bëjmë, po të gjitha këto bashkë ndihmojnë për t’i dhënë më shumë hapësirë dhe më shumë energji pozitive punës së deputetëve, të cilët duhet të mos e ndërpresin, përkundrazi ta artikulojnë më mirë punën që filloi shumë mirë pas zgjedhjeve në territor”, vijoi kreu i qeverisë.

Sipas tij shumica prej 83 mandatesh imponon përgjegjësi të mëdha, duke theksuar se objektivi kryesor mbetet mbyllja e negociatave me BE-në deri në fund të vitit 2027.

The post Rama kërkon ndryshime në administratën e Kuvendit: Godinë e re për Parlamentin appeared first on Gazeta Si.

Anëtarësimi/ Rama: Kushte që nuk i merrni dot me mend! Çdo draft që vjen nga BE duhet miratuar

16 January 2026 at 12:28

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama ndërsa foli për sfidat e anëtarësimit të Shipërisë në Bashkimin Europian, tha se kushtet nga kjo e fundit nuk janë të lehta.

Megjithatë, ai shtoi se kur përfaqësuesit europianë bëjnë propozimet e tyre apo vendosin piketat, ato duhen miratuar.

Sipas tij Shqipëria nuk është në kushtet për të negociuar draftet që vijnë nga BE.

 “Kemi pasur deri më sot disa raste që në mënyrë të natyrshme, procesi i diskutimeve dhe miratimit të ligjeve që kanë të bëjnë me anëtarësimin në BE është vonuar apo marrë lehtë si një proces ku ne kemi lirinë të fusim duart sipas opinioneve tona. Ne nuk e kemi këtë liri, që të jemi të qartë, kemi lirinë që të negociojmë me BE-në.

Nuk kemi lirinë që pasi negociojmë, të diskutojmë, që do të thotë negociatat mbi një draft që hyn në të gjithë mekanizmin e gjerë dhe kompleks të arkitekturës së ligjit europian negociohet me Komisionin, I imponohet qeverisë dhe vjen në Parlament. Kur vjen, duhet miratuar, jo diskutuar! Sepse që t’i hyjmë diskutimit të një ligji të tillë, dujhet të diskutojmë a duhet të hyjmë në BE apo jo.”

Më tej, nënvizoi një “gabim” që sipas tij e ka bërë dhe vetë, bashkë me kolegë në politikë. Ai i udhëzoi ata të mos krahasojnë Shqipërinë me vendet e tjera të Evropës.

“Marrin një draft dhe i referohen vendeve të tjera në BE, shiko se Franca nuk e ka, Gjermania…Miqtë e mi, këtë gjë po e ndaj me ju si eksperiencë dhe duke shpresuar se ju e dini që unë nuk jam lehtësisht i përthyeshëm, ju ftoj të jeni të gjithë të përthyeshëm në këtë pikë. Sepse kur ngrihet kjo pyetje, përgjigja është se që ta bëni si Franca duhet të jeni Franca. Ju jeni Shqipëria! Kushtet janë këto, nëse doni. Nëse s’doni, mund ta bëni si të doni!”, argumentoi Rama.

The post Anëtarësimi/ Rama: Kushte që nuk i merrni dot me mend! Çdo draft që vjen nga BE duhet miratuar appeared first on Gazeta Si.

❌
❌