Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 19 January 2026Gazeta Si

Zgjedhjet presidenciale në Portugali, balotazh mes socialistëve dhe ekstremit të djathtë

19 January 2026 at 12:57

Gazeta Si – Kandidati i Partisë Socialiste, António José Seguro fitoi raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të Portugalisë dhe do të përballet në balotazh me André Venturën, kandidatin e partisë së ekstremit të djathtë Chega!

Seguro mori pak më shumë se 31 përqind të votave, ndërsa Ventura mori 23.4 përqind. Balotazhi do të mbahet më 8 shkurt.

Ky është një rezultat mjaft i habitshëm, duke pasur parasysh se sondazhet parazgjedhore e paraqisnin Venturën përpara.

Kjo është hera e parë që nga viti 1986 që asnjë kandidat nuk ka kaluar 50 përqind të votave në raundin e parë, pragu i kërkuar për të shmangur një balotazh.

Ndër kandidatët e tjerë, liberali João Cotrim Figueiredo mori 15.9 përqind, konservatori i pavarur Henrique de Gouveia e Melo 12.3 përqind dhe socialdemokrati Luís Marques Mendes 11.3 përqind.

Portugalia përkufizohet si një sistem gjysmëpresidencial. Kjo do të thotë që presidenti portugez nuk ka një rol kryesisht ceremonial, siç është rasti në shumë sisteme politike evropiane, përfshirë Italinë.

Ai ose ajo ka juridiksion mbi çështje të ndryshme, të tilla si siguria kombëtare dhe politika e jashtme. Në të njëjtën kohë, ai ose ajo nuk mban të gjitha kompetencat e ofruara nga sisteme të tjera gjysmëpresidenciale, shumë më të forta, përfshirë atë francez.

Presidenti shërben një mandat pesëvjeçar dhe mund të rizgjidhet maksimumi dy herë. Presidenti aktual është Marcelo Rebelo de Sousa, një anëtar i Partisë Social Demokratike liberale dhe konservatore, i cili u zgjodh për herë të parë në vitin 2016 dhe më pas u rizgjodh në vitin 2021.

Qendra e djathtë është aktualisht në qeveri, pasi fitoi me shumicë dërrmuese zgjedhjet e majit të kaluar, duke konfirmuar Luís Montenegro (gjithashtu i Partisë Social Demokratike) si kryeministër.

Chega arriti një rezultat historik dhe u bë partia më e madhe opozitare, duke zhvendosur socialistët. Pas fitores së tij, Montenegro e kishte përjashtuar bashkëpunimin me Chega-n, por në pesë muajt e parë të tij në detyrë, qeveria e tij e ka akomoduar atë me masa të ndryshme anti-emigracion.

The post Zgjedhjet presidenciale në Portugali, balotazh mes socialistëve dhe ekstremit të djathtë appeared first on Gazeta Si.

Luigj Petrosi, poeti që zbuloi për herë të parë këngën ‘O e bukura more’

19 January 2026 at 12:46

Gazeta “SI”- Më 19 janar përkujtohet poeti arbëresh Luigj Petrosi, një figurë kyçe e letërsisë dhe folklorit arbëresh, i njohur kryesisht për publikimin e këngës së njohur “O e bukura more”. Petrosi jetoi në një kohë kur komunitetet arbëreshe në Itali ruanin me fanatizëm gjuhën, traditat dhe këngët e tyre, si lidhje të ngushtë me atdheun e largët. Ai e kuptoi rëndësinë e ruajtjes së këngëve popullore jo vetëm si dokumente folklorike, por si pjesë të identitetit kulturor dhe historik të arbëreshëve. Përmes punës së tij, kënga “O e bukura more” mori jetë , duke kaluar nga tradita gojore në literaturë dhe duke u bërë një dokument i qëndrueshëm kulturor.

Kënga “O e bukura more” ka rrënjë të thella historike. Sipas filologut arbëresh Dhimitër Kamarda, kjo këngë ka origjinën tek arbëreshët e Italisë, të cilët u detyruan të largohen nga trojet e tyre në atë që njihet si Morea, sot pjesë e Peloponezit të Greqisë. Kamarda shpjegon se emri “More” nuk i referohet një personi apo vajze të bukur, por është toponimi i një treve të madhe historike nga ku u larguan shumica e arbëreshëve që sot jetojnë në Itali. Ai e dokumentoi për herë të parë tekstin e këngës në librin e tij të botuar në vitin 1866, “Appendice al Saggio di Grammatologia Comparata sulla Lingua Albanese”, duke ruajtur versionin origjinal popullor me ritëm tresh, që deri atëherë ishte transmetuar vetëm gojarisht ndër breza.

Kjo këngë nuk është thjesht një krijim muzikor; ajo memorizon kujtesën e madhe të një atdheu të humbur dhe ka kënduar për më shumë se 600 vjet si një këngë e mërgimtarëve. Përmes saj, arbëreshët dhe arvanitasit e Greqisë ruajnë lidhjen shpirtërore me trojet e tyre të dikurshme. Interpretimi i jashtëzakonshëm i artistëve italianë si Lavinia Mancusi dhe Gabriele Gagliarini e ka bërë këtë këngë të njohur dhe të dashur për publikun edhe jashtë komunitetit arbëresh.

Merita e Luigj Petrosit qëndron në faktin se ai e publikoi këngën duke e shkruar dhe duke ruajtur emocionet dhe ndjeshmërinë e saj, dhe kështu i siguroi një jetë të përjetshme në letërsinë e shkruar.

Kujtimi i Petrosit është një kujtim i të gjithë komunitetit arbëresh, i cili përmes “O e bukura more” gjen një zë të përbashkët për mallin, dashurinë dhe krenarinë për origjinën e tyre. Kënga është bërë simbol i identitetit arbëresh dhe i trashëgimisë kulturore që ka kaluar brez pas brezi, duke lidhur historinë, ndjenjën dhe artin në një krijim të përjetshëm

The post Luigj Petrosi, poeti që zbuloi për herë të parë këngën ‘O e bukura more’ appeared first on Gazeta Si.

Stresi në punë/ Kompanitë nuk respektojnë ligjin e shëndetit, mungojnë mjeku dhe psikologu

19 January 2026 at 12:33

Nga Gazeta Si- “Kam ditë jam i shqetësuar, sepse më duket se, sa herë hyj në zyrë të tjerë ikin. Nuk e di pse më largohen. U duket sikur vij erë, por unë nuk vuaj nga asnjë sëmundje. I kam bërë të gjitha analizat dhe kam dalë mirë”.

25-vjeçari, punonjës në një kompani private, tregon se prej disa muajsh po përjeton makthin e braktisjes nga kolegët e zyrë. Aq e fortë është bërë kjo ndjesi, sa ai tashmë po e flet dhe me drejtuesit në formën e ankesës.

“Më kanë vënë kamera, e di unë kush e ka bërë. Ja kam thënë dhe drejtueses, të merren masa”.

E pyetur nga Gazetasi.al, mjekja psikiatre Valentina Asabelli, thotë se presioni në punë po i vë të rinjtë në një situatë që po krijon çrregullime në funksionim.

Natyra të ndjeshme, të cilat e kanë të pamundur integrimin, janë gjendur para këtij presioni, i cili i bashkohet vështirësive të tyre të mëparshme familjare dhe sociale duke formuar çrregullime edhe më të rënda e të vështira.

Sipas ekspertëve, rastet e psikozave tek të rinjtë po rriten ndjeshëm.

Shqetësuese paraqitet mosha 20-35 vjeç, aktive për punë, të cilët shfaqin probleme të vetëvlerësimit të ulët, inferioritetit.

Në disa raste, pacientë të kësaj moshe kanë qenë dhe viktima të bullizimit në shkollë apo dhunës fizike dhe psikologjike në familje.

“Psikoza është një çrregullim i rëndë mendor që karakterizohet nga një dëmtim i thellë i funksionimit social dhe emocional. Ajo ndikon në personalitetin e individit, duke i bërë të vështirë dallimin midis realitetit dhe përjetimeve të tyre të brendshme. Pacientët me psikoza shpesh përjetojnë deluzione dhe halucinacione, të cilat i ndajnë plotësisht nga bota e jashtme dhe funksionimi normal i përditshëm. Ky çrregullim mund të jetë i përkohshëm ose kronik dhe ka një ndikim të madh në jetën e individit, duke ndikuar në marrëdhëniet shoqërore, aftësinë për të punuar dhe cilësinë e përgjithshme të jetesës”, thotë mjekja psikiatre.

Duke u fokusuar tek rasti i djalit 25-vjeçar, ekspertët theksojnë se personat me psikoza shpesh përballen me vështirësi në vendin e punës, për shkak të problemeve me përqendrimin dhe vendimmarrjen.

Megjithatë, me mbështetjen e duhur, ata mund të riintegrohen dhe të kenë një jetë profesionale të suksesshme.

“Psikoza është një gjendje e rëndë mendore që kërkon vëmendje dhe trajtim të specializuar. Me trajtimin e duhur, shumë pacientë mund të përmirësojnë cilësinë e jetës së tyre dhe të rikthehen në një funksionim të qëndrueshëm social dhe emocional”, thotë psikiatrja Valentina Likaj.

Mungesa e psikologut në punë

Ajo që vihet re rëndom në Shqipëri, është mungesa e psikologut në kompanitë publike dhe private.

Sipas psikologes Eksena Qirici, psikologu në vendin e punës është një domosdoshmëri në disa profesione.

“Në kultura si e jona ku vendi i punës konsiderohet luks, privilegj që ta ka dhënë dikush, sakrificë sublime, etj., aspekti psikologjik i funksionimit të punonjësit nuk përbën interes, sepse ne kemi një përgjigje “ka të tjerë që presin”.

Psikologe Eksena Qirici. Gazeta Si, Janar, 2026.

Sot, ka një njohje ndryshe të vlerës së mendjes dhe kjo krijon mundësi që të vihen në pah shumë keqfunksionime të kolegëve që kemi në vendin e punës”, thotë për Gazeta Si.al, psikologia Eksena Qirici.

Problemet e shëndetit mendor tek të rinjtë, e kanë zanafillën më herët, në fëmijërinë e tyre.

Një studim ndërsektorial u  krye në Shqipëri në vitin 2022, duke përfshirë një mostër përfaqësuese mbarëkombëtare prej 5454 nxënësish të moshës 11, 13 dhe 15 vjeç.

Rezultatet treguan se, prevalenca e indekseve më të dobëta të shëndetit mendor ishte 5.2% për shëndetin jo të mirë, 61% për ndjenjën e ulët, 59% për nervozizmin, 56% për nervozizmin, 33% për vështirësitë e gjumit, 31% për vetminë, 16% për humorin e ulët, 36% për vetëefikasitetin e ulët, 15% për ankthin dhe 35% për ndikimin negativ të COVID-19 në shëndetin mendor.

Vajzat, nxënësit më të vjetër dhe ata baballarët e të cilëve ishin të papunë shfaqën një prevalencë dukshëm më të lartë të shëndetit mendor më të dobët për shumicën e indekseve.

Fëmijët nga zonat rurale dhe ata nga familjet më pak të pasura kishin një prevalencë më të lartë të shëndetit më të dobët të vetëvlerësuar.

The post Stresi në punë/ Kompanitë nuk respektojnë ligjin e shëndetit, mungojnë mjeku dhe psikologu appeared first on Gazeta Si.

Vrasja e ish-policit, SPAK kërkon 32 vite burg për Leonard Dukën. E ëma e viktimës kërkon dënim me vdekje

19 January 2026 at 12:32

Gazeta Si – Prokuroria e Posaçme ka kërkuar 57 vite burg për vëllezërit Duka, konkretisht, 32 vite për Leonard Dukën dhe 25 vite për Erlis Dukën, të akuzuar për organizimin dhe vrasjen e ish-policit Santiago Malko në gusht të vitit 2019 në Tiranë.

Pas dy ditësh, më 21 janar, në orën 11:45 pritet vendimi final i Gjykatës së Posaçme për këtë çështje, ndërsa SPAK ka kërkuar burg edhe për 4 të dyshuar të tjerë si të përfshirë në ngjarje.

Gjatë seancës gjyqësore të kësaj të hëne, vetë Duka deklaroi pafajësinë. “Deklaroj që jam i pafajshëm dhe prokurori nuk ka asnjë fakt kundër meje. Kjo është e montuar nga policia që të më dëmtojnë mua. Kam besim te drejtësia”, tha ai. Ndërsa avokatja e tij, theksoi se konkluzionet e SPAK-ut nuk janë të bazuara në prova dhe në ligj.

Sipas avokates, përgjimet në “SKY ECC” nuk janë të ligjshme dhe se identifikimi që është bërë nga oficeri i Policisë Gjyqësore të kodeve, ka qenë “amator dhe jo i besueshëm”, pasi nuk është ndjekur procedura e standarde.

Gjatë seancës pati edhe debate në sallë. E ëma e viktimës në gjendje të rënduar emicionale kërkoi që Duka të dënohet me vdekje.

“Leonard Duka më ka vrarë djalin. Më solli Erlis Dukën dhe Ilir Selmanin dhe më tha që s’kam gjë me Santin, por doli e me vrau djalin në mes të rrugës. Unë nuk dua dënim të përjetshëm, dua dënim me vdekje për këtë”, tha ajo.

Ata akuzohen për “vrasje me paramendim”, “armëmbajtje pa leje”, “trafik narkotikësh”, vepra këto të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal.

I akuzuar si një organizatorët e vrasjes së Santiago Malkos në gusht 2019 në Tiranë, Leonard Duka u ekstradua nga Belgjika vitin e kaluar, pas arrestimit po atje në 14 shkurt 2023.

Për vrasjen e Santiago Malkos vijojnë në kërkim Elis Duka, Fatmir Hyseni, Aleksandër Maxhaku dhe Oltion Logu.

Më herët, GJKKO, dënoi me 28 vite burg Ilir Selmanin, ndërsa Gjykata e Lartë riktheu për gjykim dosjen e Blendi Tetës, i akuzuar po ashtu për këtë çështje.

Emri i Leonard Dukës doli dhe në dosjen e operacionit “Revanshi”, ku u zbardhën komunikime e biseda të zhvilluara në aplikacionin “Sky” dhe “Encrochat”.

Në këto biseda, Duka thurte plane për eliminimin fizik të Ervis Martinajt dhe lidhjeve të afërta të tij shoqërore, siç ishte Erigers Mihasi.

Mbi këto dyshime për Leonard Dukën, SPAK ka ngritur akuzën e sigurimit të kushteve të vrasjes në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Dhunimi i babait të vëllezërve Duka, dyshohet se është edhe shkaku i armiqësisë mes ish-miqve Duka-Martinaj, që kaluan më tej në konflikt të përgjakshëm.

Nga hetimet dhe dëshmitë, rezulton se Malko kishte rrahur babanë e vëllezërve Duka dhe situata kishte denigruar më tej, teksa ish-polici cilësohej si mbështetës i “mbretit të kumarit”, Ervis Martinaj, i cili rezulton i zhdukur prej 8 gushtit 2022 pa asnjë gjurmë.

SPAK ka kërkuar masën e dënimit për:

Leonard Duka – 32 vjet burgim/ Dënimi të kryhet në një burg të sigurisë së Lartë.

Erlis Duka – 25 vjet burgim

Fatmir Hyseni – 32 vite burgim

Aleksandër Manxhaku– 22 vjet burgim

Oltjon Loga – 23 vjet burgim

Dritan Agai– 23 vjet burgim

The post Vrasja e ish-policit, SPAK kërkon 32 vite burg për Leonard Dukën. E ëma e viktimës kërkon dënim me vdekje appeared first on Gazeta Si.

Udhëzuesi për fermerët/ Si të ‘vilet’ 10% i rimbursimit të TVSH-së

19 January 2026 at 12:19

Nga Gazeta ‘SI’ – Administrata Tatimore ka detajuar skemën e re të mbështetjes për prodhuesit vendas, ku fermerët mund të përfitojnë një rimbursim prej 10% mbi vlerën e produkteve të tyre. Ky proces, i cili synon të lehtësojë kostot e inputeve bujqësore, kalon përmes një procedure specifike dokumentimi të njohur si autofaturimi.

Si funksionon autofaturimi?

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve sqaron se barra e dokumentimit bie mbi blerësin e regjistruar për TVSH-në (siç janë grumbulluesit, përpunuesit ose agroturizmet e certifikuara). Ky i fundit lëshon një autofaturë në emër të fermerit për mallrat ose shërbimet e blera.

Në këtë faturë duhet të shënohet domosdoshmërisht NIPT-i i fermerit dhe të gjithë elementet e tjera ligjore. Kjo vlerë fature shërben më pas si bazë për llogaritjen e kompensimit prej 10%.

Për të qenë pjesë e kësaj skeme, prodhuesit bujqësorë duhet të përmbushin katër kritere kyçe; Qarkullimi vjetor nuk duhet të kalojë kufirin minimal të regjistrimit të TVSH-së. Produktet ose shërbimet duhet të jenë rezultat i drejtpërdrejtë i punës së tyre bujqësore. Mallrat duhet t’u shiten personave të tatueshëm që nuk bëjnë pjesë vetë në skemat e kompensimit. Fermeri duhet të jetë i pajisur me NIPT, por pa pasur detyrim për deklarim periodik të TVSH-së.

Kompensimi llogaritet mbi bazën e vlerës totale të furnizimeve për një periudhë 6-mujore. Për të arkëtuar paratë, fermeri duhet të dorëzojë kërkesën elektronikisht ose me postë pranë Tatimeve, duke bashkëngjitur kopjen e faturave të lëshuara nga blerësi (autofaturat) dhe  numrin e llogarisë bankare.

Kalendari i aplikimeve për vitin 2026 ndahet në dy periudha, Janar-Qershor 2026: Aplikimi bëhet deri më 31 dhjetor 2026. Për periudhën Korrik-Dhjetor 2026: Aplikimi bëhet deri më 30 qershor 2027.

Sipas rregullores, administrata tatimore është e detyruar të kryejë kalimin e fondeve në llogarinë e fermerit brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës.

The post Udhëzuesi për fermerët/ Si të ‘vilet’ 10% i rimbursimit të TVSH-së appeared first on Gazeta Si.

Gjekmarkaj: PS ka frikë nga fjala jonë! Do përballemi në Kuvend e në sheshe

19 January 2026 at 12:15

Nga Gazeta ‘Si’- Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj gjatë mbledhjes së sotme të Konferencës së Kryetarëve akuzoi mazhorancën se sipas tij ka frikë nga fjala e opozitës.

Ai kujtoi nisjen e sesionit të ri parlamentar, teksa tha se në këto muaj, socialistët sipas tij kanë dhunuar rregulloren dhe opozitën.

Sipas Gjekmarkajt në 11 seanca, vetëm në një kanë arritur të bëjnë një debat normal sepse sipas tij, ata kishin frikë nga opozita për shkak të skandaleve të fundit që kanë përfshirë qeverinë.

“Katër muajt nga shtatori në dhjetor kanë qenë muajt më të shëmtuar të parlamentarizmit: dhunim i Rregullores, dhunim i opozitës. Në 11 seanca vetëm një a dy herë kemi bërë debat normal, sepse keni pasur frikë nga fjala e opozitës, të përfshirë nga skandalet tuaja!

Që të kemi vit të mbarë, duhet që drejtësia të mos merret peng, që viti të mos fillojë me hungërima, përçarje e çjerrje, se si doni t’i tregoni vendin opozitës! Ju them: mos guxoni! Do ta keni përballë opozitën në Kuvend dhe në sheshet e Shqipërisë! Meqë zoti Balla iu referua raportit të OSBE/ODIHR, i them se ai raport jua rrëzoi zgjedhjet e vjedhura të 11 Majit, ato dy të tretat që ju thoni!

Zoti Balla foli për një Shqipëri që nuk ekziston. Foli për vizione, duke shmangur atë që Shqipëria reale pret të dëgjojë, atë që qytetarët duan: dënimin e korrupsionit. Çfarë keni për të thënë për drejtësinë e marrë peng me dhunë nga mazhoranca? Për sekserin apo taksidarin e Republikës, që ta ka pushuar nga puna edhe ty si ministër, apo ndonjë tjetër këtu?

Hakmarrja e drejtësisë, jo ‘hakmarrja për drejtësi’, do të bjerë mbi ju, nga brenda dhe nga jashtë”, tha ai.

The post Gjekmarkaj: PS ka frikë nga fjala jonë! Do përballemi në Kuvend e në sheshe appeared first on Gazeta Si.

13 mijë të infektuar nga viruset respiratore dhe Covid, Shqipëria ‘mbërthehet’ nga epidemia

19 January 2026 at 12:13

Nga Gazeta Si- Shqipëria regjistroi javën e parë të muajit janar mbi 13 mijë raste të sëmurësh të prekur nga virozat respiratore dhe Covid-19.

Sipas ekspertëve, rritja e kurbës së rasteve tregon se po shkojmë drejt “vijës së kuqe” të pandemisë e cila ka pragun 15 mijë raste në javë.

“Nga totali i rasteve të regjistruara në sistemin e survejancës së ISHP, 80% e tyre janë raste me grip, çka tregon se Shqipëria tashmë gjendet “nën pushtetin” e gripit”, thonë ekspertët për Gazetasi.al.

Situata paraqitet më problematike tek fëmijët, kryesisht mosha pediatrike.

Mbi 300 pacientë të vegjël paraqiten çdo ditë në urgjencën e spitalit të Pediatrisë në QSUT.

Mjekët thonë se moshat pediatrike 0-6 vjeç janë rastet më të shpeshta që kërkojnë  ndihmë të specializuar mjekësore, pasi vijnë me simptoma të rënda, temperaturë e lartë, kollë dhe në disa raste dhe diarre.

Sipas mjekes pediatre, Suada Hilaj, prej muajit dhjetor, kapacitetet e urgjencës dhe spitalit pediatrik janë rritur ndjeshëm. Ndikim ka patur dhe ulja e ndjeshme e temperaturave gjatë muajit janar.

Mjekja Hilaj thotë se megjithëse simptomat janë pothuajse të njëjta, nga testet e kryera apo analizat, konstatohet në dominancë gripi i cili këtë vit qarkullon në dy variante, janë tipi Australian A/H3 dhe A/H1, ku varianti A/H3 ose gripi Australian ka rritur ndjeshëm numrin e të prekurve në rang vendi.

Pacientët e prekur kanë raportuar temperaturë të lartë deri në 38–40 gradë Celsius, ethe, djersitje, dhimbje të forta koke, dhimbje muskujsh dhe kyçesh, lodhje të theksuar, dobësi, kollë të thatë, dhimbje fyti, rrufë ose hundë të bllokuar, humbje oreksi, si dhe nauze, të vjella apo diarre, më shpesh te fëmijët.

Te grupet e rrezikut, përfshirë të moshuarit, fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kronike, gripi A/H3 mund të shoqërohet më shpesh me komplikacione, si bronkiti, pneumonia dhe përkeqësimi i sëmundjeve ekzistuese, veçanërisht ato të zemrës, mushkërive dhe diabetit.

The post 13 mijë të infektuar nga viruset respiratore dhe Covid, Shqipëria ‘mbërthehet’ nga epidemia appeared first on Gazeta Si.

Qeveria si aksioner tek Startup-et: Mbështetje dhe për bizneset e konsoliduara

19 January 2026 at 12:03

Nga Gazeta ‘SI’ – Një vendim i ri i ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, zgjeron mbështetjen për bizneset e llojeve start-up, duke përfshirë për herë të parë konceptin e “Scaleup-eve”.

Sipas dokumentit, tashmë ndihmë nga shteti do të përfitojnë edhe scale-up, bizneset e zhvilluara dhe të konsoliduara në treg.

Ndryshe nga rregullat e mëparshme të vitit 2024 të cilat shfuqizohen, vendimi i ri specifikon se shteti nuk do të ofrojë vetëm grante klasike. Instrumentet e reja financiare përfshijnë financimin me kapital (equity) ku shteti mund të investojë drejtpërdrejt në kapitalin e kompanive.

Mekanizmat e lehtësimit të rrezikut: Skema që mbrojnë sipërmarrësit nga dështimet e mundshme në inovacion dhe masa teknike si ofrimi i aksesit në laboratorë, infrastrukturë kërkimore dhe konsulencë ligjore apo financiare falas.

Një risi tjetër është monitorimi dhe Agjencia përgjegjëse do të ndjekë zbatimin e projekteve deri në 12 muaj pas përfundimit të tyre për të vlerësuar ndikimin real në ekonomi.

Për të shmangur abuzimet, qeveria parashikon ngritjen e një Komisioni për vlerësim dhe ankimin, ku anëtarët duhet të plotësojnë kritere të larta profesionale, përfshirë të paktën 10 vite përvojë pune për përfaqësuesit nga bota akademike dhe ekosistemi i startup-eve. Gjithashtu, çdo anëtar është i detyruar të nënshkruajë deklaratën e konfliktit të interesit përpara çdo procesi vlerësimi.

Për të garantuar transparencë, i gjithë procesi i aplikimit do të kryhet përmes portalit e-Albania. Afatet për thirrjet publike do të jenë të qarta, duke zgjatur nga 10 deri në 30 ditë pune.

Ky vendim hyn në fuqi më datë 22 janar 2026, pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve në ligjin bazë për startup-et

The post Qeveria si aksioner tek Startup-et: Mbështetje dhe për bizneset e konsoliduara appeared first on Gazeta Si.

Balla-opozitës: Nëse nuk i bashkoheni komisioneve për reformat, do punojmë pa ju

19 January 2026 at 12:00

Nga Gazeta ‘Si’- Në konferencën e kryetarëve të Kuvendit, kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla i është drejtuar demokratëve duke u thënë se po shkelin marrëveshjen e sesionit të kaluar parlamentar, ku u dakordësua bashkëpunimi për arritjen e reformës zgjedhore dhe asaj territoriale.

Grupi i PD-së është tërhequr nga komisionet përkatëse në shenjë revolte pas zgjedhjes së padrejtës sipas tyre të Avokatit të Popullit.

Balla bëri të qartë që nëse anëtarët e PD, do të refuzojnë t’i bashkohen komisioneve, PS do të jetë e detyruar për të vijuar punën e vetme.

“Mos humbisni kohë kot me thirrje dhe përbetime revolucionesh që nuk kanë për të ndodhur. Mos humbisni kohë kot as me ‘shtrimin e tapetit’ të alibisë për humbjen e radhës. Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me ju plotësisht për t’i dhënë Shqipërisë një Kod të ri Zgjedhor sipas standardeve më të mira zgjedhore, një Ndarje Administrative Territoriale funksionale, e gjithçka tjetër. Por duhet ta fiksoni mirë në mendje se ju nuk mund t’i bllokoni reformat. Kemi bërë një marrëveshje në sesionin e kaluar për ngritjen e komisioneve. Nëse ju sot thoni ‘tërhiqemi nga komisionet’, kjo është shkelje e marrëveshjes në mënyrë të njëanshme. Ne do të detyrohemi të vazhdojmë punën edhe pa ju” tha ai.

Balla shtoi se Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore duhet të adresojë rekomandimet e OSBE-ODIHR-it, ku përparësi të veçantë ka depolitizimi i plotë i administratës zgjedhore.

“Reforma zgjedhore, sa i përket Kodit Zgjedhor, kërkon të paktën 84 vota në Kuvend. Por ne e kemi bërë publike ambicien tonë për një reformë më të thellë, e cila të përfshijë edhe zvogëlimin e numrit të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë në të paktën 100 apo 101 deputetë. Dëgjova zotin Gjekmarkaj se opozitës i është mohuar e drejta e fjalës. Ka një indikator shumë domethënës nga sesioni i kaluar: koha e diskutimeve. Opozita ka marrë 48 orë diskutime, ndërsa shumica, bashkë me Qeverinë, 40 orë diskutime në seancë plenare”, tha Balla.

The post Balla-opozitës: Nëse nuk i bashkoheni komisioneve për reformat, do punojmë pa ju appeared first on Gazeta Si.

Projekti në ishullin e Sazanit, Spiropali: Nuk ka asnjë plan për falje tokash

19 January 2026 at 11:54

Nga Gazeta ‘Si’- Ministrja për Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, mohoi kategorikisht çdo pretendim për falje tokash apo dhënie territoresh shqiptare, në lidhje me zërat për një vizitë të Ivanka Trump dhe projektin e përfolur “Kushner në Sazan”.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Spiropali theksoi se nuk ekziston asnjë plan për falje tokash dhe se askush nuk i ka kërkuar Shqipërisë të japë territore apo të angazhohet në veprime të tilla.

Ajo sqaroi se bëhet fjalë për projekte serioze zhvillimore, të cilat janë në përputhje me prioritetet e qeverisë shqiptare për zhvillimin ekonomik dhe turistik të vendit.

 “Jo vetëm familja e presidentit Trump, por të gjithë zyrtarët amerikane janë të mirëpritur në Shqipëri dhe nuk kemi asnjë detyrim të japim informacione mbi vizitat e tyre qoftë private apo të tjera. Nuk ka asnjë plan as për falje tokash, as për dhënie të territoreve shqiptare, por ka një partneritet të qartë. Të jeni të sigurt se asnjë nuk kërkon, as SHBA-të, as Trump, as familja e tij që Shqipëria të falë toka siç i quani ju apo të angazhohet në aktivitet të tilla në Shqipëri.

Ka projekte serioze që janë pjesë e projekteve tona zhvillimore dhe ne jemi krenarë për to siç jemi krenarë edhe për programe dhe projekte të tjera të cilat padiskutim do t’i bëjmë realitet në Shqipëri”, tha Spiropali.

Kryeministri Edi Rama duke folur për këtë çështje ka thënë se ishulli nuk do të shitet asnjëherë dhe se qeveria shqiptare do të jetë partnere me grupin që do të investojë aty. Ai ka theksuar se ky projekt do të jetë risi për zonën e Mesdheut.

The post Projekti në ishullin e Sazanit, Spiropali: Nuk ka asnjë plan për falje tokash appeared first on Gazeta Si.

E hëna blu: Miti i ditës më depresive të vitit

19 January 2026 at 10:57

Krishtlindjet dhe Viti i Ri mbaruan, jashtë është ftohtë dhe errësirë ​​dhe është koha që t’i ktheheni punës intensive.

E hëna blu, e njohur si dita më depresive e vitit, ka qenë në trend online prej vitesh.

Sipas TikTok, numri i postimeve të etiketuara me këtë term është rritur nga viti në vit në 68,600, një rritje prej 35%.

Edhe pse nuk fshihet asgjë shkencore pas saj, emri thuhet se u shpik nga psikologu Cliff Arnall në vitin 2004, dhe kjo ditë bie të hënën e tretë të janarit çdo vit.

Kjo është kundërshtuar nga të tjerë gjatë viteve.

Ai e shpiku atë pasi një kompani pushimesh i kërkoi një “formulë shkencore” për trishtimin e janarit.

Dr. Philip Clarke, lektor në psikologji thotë se ka filluar të flasë kundër “Të hënës blu” kur pa që kompanitë po përpiqeshin të shisnin produkte duke e përdorur këtë ditë si justifikim.

“Mund ta kuptoj pse njerëzit ndihen keq në janar, sapo ke kaluar festat, duke kaluar shumë kohë me familjen, duke u kënaqur shumë dhe tashmë gjithçka duket shumë më e errët. Gjëja kryesore për t’u mbajtur mend është se “E hëna Blu” nuk është provuar shkencërisht, nuk ka asnjë provë që janari sheh një rritje të referimeve për shëndetin mendor, megjithëse mund të duket kështu”, tha ai.

Megjithatë, ai mendon se një “përfitim vërtet i fortë” i konceptit është se i bën njerëzit të zhvillojnë ato “biseda të vështira” rreth depresionit dhe ankthit dhe “çfarë mund të bëjnë në të vërtetë për të ndihmuar me këtë”.

Ka pasur sugjerime për ta shndërruar “Të hënën Blu” në “Hënën e Breë”, me organizatën bamirëse të shëndetit mendor në Amerikë që inkurajon një bisedë me familjen dhe miqtë mbi bisedat virtuale.

Edhe pse Philip mendon se është e rëndësishme të mos e ngatërroni ndjenjën e depresionit me depresionin, ai ka këshilla që të gjithë mund t’i përdorin për një shëndet më të mirë mendor.

– Ushtrime fizike

“Ushtrimet fizike janë një gjë fantastike që njerëzit mund të bëjnë, pasi çlirojnë endorfina dhe kimikate të lumtura. Nuk ka pse të jetë ushtrim në palestër sepse kjo mund të jetë e bezdisshme për disa njerëz”, tha ai.

“Bëhet fjalë vetëm për rritjen e aktivitetit tuaj fizik.”

– Vlerësoni qëllimet tuaja të Vitit të Ri

“Shumë njerëz dështojnë në përmbushjen e qëllimeve të Vitit të Ri brenda dy ose tre javësh”, vuri në dukje ai.

“Por nëse keni dështuar, shikoni pse dhe përdoreni atë si një përvojë mësimi.

“Kjo u jep njerëzve shpresë se ata ende mund të punojnë drejt një qëllimi për vitin dhe të mos e qortojnë veten për këtë.”

– Vullnetarizëm

“Një arsye pse njerëzit e duan Krishtlindjen nuk është domosdoshmërisht marrja, por kënaqësia që marrin duke ndihmuar njerëzit”, shtoi ai.

“Kjo mund të jetë një mënyrë e mirë për të marrë një shtysë lumturie pa pasoja financiare.”

The post E hëna blu: Miti i ditës më depresive të vitit appeared first on Gazeta Si.

Kush ishte Bartolomeo Pareto dhe harta e vitit 1455 që u bë pjesë e përhershme e Muzeut ‘Gjergj Kastrioti’ në Krujë?

19 January 2026 at 10:57

Gazeta “SI” – Në një njoftim zyrtar në rrjetin social Facebook, ministri i kulturës Blendi Gonxhja vuri në dukje rëndësinë e një artefakti të jashtëzakonshëm me vlerë kombëtare dhe europiane, i cili u shtua në koleksionin e Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë.

Bëhet fjalë për hartën origjinale të Bartolomeo Paretos të vitit 1455, një nga dëshmitë më të rralla të hartografisë evropiane të shekullit XV, e cila ka vlerë të madhe jo vetëm për saktësinë e saj gjeografike, por edhe për rëndësinë historike dhe kulturore që mbart.

Kush ishte Bartolomeo Pareto dhe çfarë përmban kjo hartë e vitit 1455?

Harta e vitit 1455, e njohur si portolano, është një dokument i dekoruar me detaje të hollësishme, që përfshin pjesën më të madhe të Evropës, Afrikës Veriore dhe Lindjes së Mesme. Ajo është krijuar me kujdes të madh dhe tregon ndikimet e modeleve kartografike të Battista Beccario-s nga Gjenova dhe të Angelino Dulcert-it nga Spanja.

Përveç detajeve të bregdetit dhe porteve, harta përmban edhe elemente artistike dhe simbolike që i japin asaj një vlerë të dyfishtë: si mjet navigimi dhe si vepër arti. Një nga detajet më të veçanta është paraqitja e ishullit fantazmë Antilia në Oqeanin Atlantik, një element i njohur nga mitet dhe hartat e kohës, i cili u zhduk nga hartat e shekullit XVI.

Portolani përmban gjithashtu të dhëna të rëndësishme historike dhe kulturore për Ballkanin dhe Evropën e Mesme. Shënimet e tij vendosin në hartë jo vetëm qytete dhe porte, por edhe emra të figurave të shquara. Një nga veçantitë e  kësaj harte është se vendos emrin e Skënderbeut si toponim në qendër të Ballkanit, duke dëshmuar se figura e heroit shqiptar ishte e njohur dhe e respektuar nga oborret mbretërore të Europës dhe të botës së krishterë. Kjo e bën hartën një burim unik për historianët dhe studiuesit e marrëdhënieve politike dhe kulturore në Europën e shekullit XV.

Pas vdekjes së jezuitit valencian Juan Andrés në vitin 1817, gjurmët e hartës humbën përkohësisht, por ajo u rizbulua në vitin 1877 në një depo të asaj që atëherë quhej Biblioteka Vittorio Emanuele, pranë Kolegjit Romak, nga gjeografi italian Pietro Amat di San Filippo. Ky zbulim u dokumentua në revistën shkencore “Memorie della Società Geografica Italiana” në vitin 1878, duke rikthyer kështu në vëmendje një nga hartat më të rëndësishme të shekullit XV dhe duke e bërë të aksesueshme për studiuesit dhe koleksionistët. Sot, kjo hartë jo vetëm që është një pjesë e vyer e koleksioneve europiane, por përbën edhe një urë lidhjeje midis historisë shqiptare dhe asaj evropiane, duke treguar se Shqipëria dhe heronjtë e saj ishin pjesë e kulturës dhe politikës ndërkombëtare shumë shekuj më parë.

Kush ishte Bartolomeu Pareto?

Krijuesi i kësaj harte, Bartolomeo Pareto, ishte një prift dhe kartograf gjenovez, i njohur për mjeshtërinë e tij në hartografinë nautike. Nuk dihet shumë për jetën e tij të hershme, por është e dokumentuar se ai jetoi dhe punoi në Gjenova, ku u shugurua prift në vitin 1455, pas shërbimit si akolit papnor. Ky funksion sugjeron kontakte me oborrin papnor në Romë, megjithëse titulli ishte më shumë një nder sesa një detyrë aktive. Në vitin 1453, një mbledhje e Këshillit të Shën Gjergjit e përshkroi si “i vetmi gjenovez ekspert në artin e hartimit të hartave nautike” dhe i dha një përjashtim fiskal deri në 12 libra, duke njohur rëndësinë e veçantë të punës së tij për navigatorët gjenovezë. Para vitit 1455, Pareto ndërmori një udhëtim të gjatë detar, gjatë të cilit kaloi Detin e Alboranit, dhe që nga viti 1460 shërbeu si famullitar i kishës së Shën Gjergjit në Gjenova.

Përveç hartës së vitit 1455, nga Pareto kanë mbijetuar disa fragmente të një harte të Gadishullit Italian të vitit 1457 dhe një fragment i një mappamundi, i ruajtur në Muzeun e Pallatit Topkapı. Ai vdiq para datës 9 nëntor 1464, kur drejtimi i kishës së Shën Gjergjit iu caktua kanonikut Pietro de’ Carderini. Përmes veprës së tij, dhe veçanërisht hartës së vitit 1455, Bartolomeo Pareto la një trashëgimi të paharrueshme në hartografinë evropiane dhe një dëshmi të rëndësishme të lidhjeve kulturore dhe politike midis Gjenovës, Vatikanit dhe Europës së shekullit XV, duke bërë që emri i tij të mbetet një pikë referimi për studiuesit e historisë së hartografisë dhe kulturës evropiane.

Një kopje hartës e certifikuar sipas standardeve shkencore u soll për herë të parë në Shqipëri nga kartografi  shqiptar Artan Shkreli në vitin 2017 dhe sot ruhet në Muzeun Kombëtar të Shqipërisë, ku është ekspozuar dhe e aksesueshme për publikun, studiuesit.

The post Kush ishte Bartolomeo Pareto dhe harta e vitit 1455 që u bë pjesë e përhershme e Muzeut ‘Gjergj Kastrioti’ në Krujë? appeared first on Gazeta Si.

Berisha: Vendimi i GJK ndaj meje anti-kushtetues, por nuk u shfuqizua!

19 January 2026 at 10:49

Gazeta Si – Sali Berisha, pasi zbatoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, si i pandehur në aferën “Partizani”, u ndal te Gjykata Kushtetuese, e cila i dha të drejtë para pak ditësh, duke shpallur si jokushtetues vendimin për “arrestin e shtëpisë” ndaj tij të vendosur nga GJKKO.

“Gjykata Kushtetuese është një seksion i organizatës së Partisë Socialiste. Komenti i parë. Atë çështje, Gjykata Kushtetuese e trajtoi pas 8 muajve paraqitje, në një kohë kur çdo çështje që ka të bëjë me qeveritarëve, e trajton brenda 2-3 javëve. Gjykata Kushtetuese në një vendim të koduar partiak, shpalli jokushtetuese ndaj meje, por nuk e shfuqizoi atë, – tha Berisha – Ndërkohë, nga ai vendim ka pasoja edhe sot. Pra, duke pretenduar që nuk është më në fuqi, por në fuqi janë pasojat e tij. Vendimi në çdo doktrinë, vendimi duhej shfuqizuar. Mori një vendim në favor të ‘Lubisë’ dhe lubive të tjera që do të shkojnë aty. Vendimeve të tjera i hapi rrugë që t’i shfuqizojë. Vendimin tim nuk e shfuqizojë me pretendimin që nuk është në fuqi. Pasoja e atij vendimi është fakti që unë jam sot përpara jush”, tha ndër të tjera Berisha.

Në lidhje me çështjen “Partizani” për të cilën akuzohet kryedemokrati, avokatët e tij kanë kërkuar që të thirret si dëshmitar edhe kryeministri Edi Rama. Berisha e akuzoi kreun e qeverisë se është ai që ka firmosur dhe që i ka bërë dëm shtetit.

“Uroj që gjykatësit ta thërasin në sallën e gjyqit dhe po të kenë guximin ta shpallin të pandehur në sallën e gjyqit. Mesa duket Lubia po e merr me vete”, tha Berisha.

Gjatë deklaratës së tij, ai akuzoi Policinë e Shtetit për dekonspirimin e aksionit të SPAK, siç e cilësoi ai, të mashtrimit me “Call Center”-at, i investiguar nga emisioni italian, “Le Ienne”.

“Kjo veprimtari kriminale është absolutisht e tëra, në mbikëqyrjen e narkopolicisë. Njëlloj si dikur për çdo rrënjë kanabis paguhej tarifa prej 300 eurosh kur ato ishin të shëndetshme se jepnin 1 mijë euro fitim, çdo qendër për çdo kompjuter u paguan tarifa zyrtarëve të policisë të cilët mbyllin sytë para një veprimtarie të tillë ku vjedhin dhe mashtrojnë. Në këto qendra ushtrohet një mashtrim masiv i qytetarëve fatkeqë që besojnë ku ju thuhet sillni shumën se do marrësh kaq, ke humbur në bursë, do të të gjejmë ne kaq dhe me radhë. Është kjo veprimtari e shtetit mafioz”, tha Berisha.

The post Berisha: Vendimi i GJK ndaj meje anti-kushtetues, por nuk u shfuqizua! appeared first on Gazeta Si.

‘UCL’ – Cilat janë skuadrat e kualifikuara në 1/16 dhe në play-off?

19 January 2026 at 10:49

Nga Gazeta “Si” – Njëzet e katër skuadra do të kualifikohen për fazën eliminatore të edicionit 2025/26.

Pas raundit të 6-të, Paris Saint-Germain, Manchester City dhe Atalanta janë ekipet e fundit që siguruan vendin në 1/16-at ose në play-off.

Ato i bashkohen Arsenalit dhe Bayern München, që janë kualifikuar për më tej në kompeticion.

Tetë skuadrat e para në renditjen e përgjithshme kualifikohen drejtpërdrejt në 1/16, ndërsa ekipet që klasifikohen nga vendi i 9-të deri në të 24-in do të luajnë play-off dhe fituesit avancojnë mes 16 më të mirëve.

Rruga drejt Budapestit

The post ‘UCL’ – Cilat janë skuadrat e kualifikuara në 1/16 dhe në play-off? appeared first on Gazeta Si.

E rëndë në Shkodër, 16-vjeçarja humb jetën pas një arresti kardiak

19 January 2026 at 10:44

Një ngjarje tragjike ka ndodhur dje në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ku një vajzë 16-vjeçare ka humbur jetën, pas një gjendjeje emergjente shëndetësore.

Sipas informacionit paraprak, dyshohet se shkaku ka qenë një arrest kardiorespirator, i cili ka çuar në ndalimin e funksioneve vitale të zemrës dhe mushkërive.

Ende nuk dihen shkaqet që kanë çuar në këtë tragjedi.

The post E rëndë në Shkodër, 16-vjeçarja humb jetën pas një arresti kardiak appeared first on Gazeta Si.

Muriqi shkruan historinë

19 January 2026 at 10:42

Nga Gazeta “Si” – Sulmuesi dardan i Mallorca-s po kalon një nga sezonet më të mirë të karrierës te Mallorca dhe jo vetëm.

Gjatë fundjavës që lamë pas, ai shënoi tregolëshin e parë me fanellën e kuqe duke marrë edhe topin e ndeshjes në fund të saj.

Por jo vetëm, ai tani është shënuesi i dytë më i mirë në historinë e Mallorca-s. Deri pak ditë më parë ai ndiqte Juan Arango-n në kuotën e 45 golave.

Ndërsa nga kjo e hënë ai është ndjekësi i vetëm i Samuel Eto’o (54) me 48 gola.

Kapja dhe kalimi i Legjendës kamerunase, duket thjeshtë cështje kohe për shtatlartin dardan.

Ai ndaj Bilbao-s ishte tregolëshi i dytë në karrierën për klube, pasi atij në vitin 2015 kur luante për Giresunspor në Kategorinë e dytë në Turqi.

Muriqi ka shënuar edhe dy tregolësha të tjerë me Kombëtaren e Kosovës ndaj San Marinos dhe Islandës.

The post Muriqi shkruan historinë appeared first on Gazeta Si.

Ari thyen rekord pas kërcënimeve të Trump

19 January 2026 at 10:40

Ari u rrit në një nivel rekord dhe bursat ranë, në hapjen e kësaj të hëne, pasi përpjekjet e Donald Trump për të marrë Groenlandën kërcënuan të ringjallnin një luftë tregtare me Europën dhe i shtynë marrëdhëniet transatlantike përballë krizës më të rëndë të viteve të fundit.

Tensionet rreth Groenlandës shpërthyen gjatë fundjavës, pasi presidenti amerikan deklaroi se do të vendoste tarifa ndaj tetë vendeve europiane, përfshirë Gjermaninë, Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar, duke filluar nga muaji i ardhshëm, nëse ato nuk mbështesin ambiciet e tij për të marrë kontrollin e ishullit Arktik.

Në përgjigje, kryeqytetet e BE-së po shqyrtojnë mundësinë e vendosjes së tarifave ndaj SHBA-së në vlerën 93 miliardë euro ose kufizimin e aksesit të kompanive amerikane në tregun e bllokut.

Ari u rrit deri në 2.1%, duke arritur në 4,690 dollarë për onz, ndërsa argjendi u rrit me 4.4%, pasi investitorët kërkuan asete të sigurta. Tregjet europiane të aksioneve u hapën në rënie. Indeksi Stoxx Europe 600 hapi tregtimin me rënie 1.5%, përpara se të rikuperonte pjesërisht dhe të tregtohej me 0.9% më poshtë.

Kontratat futures në SHBA, që ndjekin indeksin S&P 500 dhe Nasdaq 100, ranë përkatësisht me 0.9 % dhe 1.2 %. Tregjet amerikane spot janë të mbyllura të hënën për shkak të Ditës së Martin Luther King Jr.

“Vendosja e tarifave përfaqëson një përshkallëzim të retorikës së Trump për Grenlandën dhe tregon se ai është serioz në përshkallëzimin e situatës për ta marrë atë,” tha Mohit Kumar nga Jefferies.

Trump ka përdorur javët e fundit një gjuhë gjithnjë e më agresive ndaj Grenlandës, të cilën presidenti amerikan e konsideron jetike për sigurinë e SHBA-së dhe të lakmuar nga Rusia dhe Kina.

Grenlanda është një territor gjysmë-autonom i Danimarkës, e cila administron disa fusha politike, por nuk mban përgjegjësi për politikën e jashtme dhe të sigurisë.

Nga ana tjetër, edhe dollari ra, pasi tregtarët nisën të shqetësohen se përkeqësimi i marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Europës mund t’i shtyjë investitorët globalë të reduktojnë më tej ekspozimin ndaj aseteve amerikane ose të mbrojnë pozicionet e tyre përmes hedging-ut.

“Pikëpamja se mund të ketë një rikthim të strategjisë ‘Sell America’ ka sjellë një dobësim të ri,” tha Derek Halpenny nga MUFG.

Franga zvicerane, një monedhë strehë e sigurt e preferuar, ka përfituar nga kjo situatë, duke e ulur dollarin me 0.4% në pak nën 0.8 franga zvicerane. Ndërkohë, lëvizjet në euro dhe paund kanë qenë më të kufizuara.

“Duke parë tregjet e këmbimit valutor gjatë vitit të fundit apo më shumë, njerëzit i kanë parë këto ngjarje të vijnë e të shkojnë,” tha Geoffery Yu, strateg i lartë në BNY. “Në këtë fazë, ata nuk po reagojnë shumë fort.”/FinancialTimes

The post Ari thyen rekord pas kërcënimeve të Trump appeared first on Gazeta Si.

Trump: Nuk më dhatë Nobelin, nuk kam detyrim të mendoj më vetëm për paqen

19 January 2026 at 10:33

Nga Gazeta ‘Si’- Presidenti amerikan Donald Trump ka shkaktuar tronditje mes aleatëve të NATO-s pas një letre të pazakontë drejtuar kryeministrit të Norvegjisë, Jonas Gahr Støre, ku deklaron se “nuk ndihet më i detyruar të mendojë vetëm për paqen”, pasi nuk iu akordua Çmimi Nobel për Paqe.

Letra, e konfirmuar si autentike nga vetë kryeministri norvegjez, lidhet drejtpërdrejt me kërcënimet e Trump për të marrë nën kontroll Groenlandën dhe për të vendosur tarifa të rënda tregtare ndaj vendeve europiane.

“Kam bërë më shumë për NATO-n se çdo person tjetër që nga themelimi i saj, dhe tani NATO duhet të bëjë diçka për Shtetet e Bashkuara”, thuhet se ka deklaruar ai, duke shtuar: “Bota nuk është e sigurt nëse nuk kemi Kontroll të Plotë dhe Total mbi Groenlandën”.

Trump po i përgjigjej një letre nga zoti Støre, i cili kishte shprehur kundërshtimin e tij ndaj propozimit për të vendosur tarifa eksporti ndaj atyre që janë të gatshëm të mbrojnë ishullin, përfshirë Norvegjinë dhe Mbretërinë e Bashkuar.

“I dashur Jonas: Duke qenë se vendi juaj vendosi të mos ma japë Çmimin Nobel për Paqe për faktin se kam ndalur më shumë se 8 luftëra, nuk ndiej më detyrimin të mendoj vetëm për Paqen, edhe pse ajo do të mbetet gjithmonë mbizotëruese, por tani mund të mendoj edhe për atë që është e mirë dhe e drejtë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet se ka shkruar zoti Trump.

A source confirms to me that this disturbing letter from Trump to the Norwegian PM is real.

"Dear Jonas: Considering your Country decided not to give me the Nobel Peace Prize for having stopped 8 Wars PLUS, I no longer feel an obligation to think purely of Peace…" https://t.co/QpmFPwFMdw

— Shashank Joshi (@shashj) January 19, 2026

“Danimarka nuk mund ta mbrojë atë tokë nga Rusia apo Kina. Dhe, pse vallë kanë ata ‘të drejtën e pronësisë’? Nuk ka dokumente të shkruara. Është vetëm fakti që një anije zbarkoi aty qindra vite më parë, por edhe ne kishim anije që zbarkonin aty”.

Tabloidi norvegjez VG pretendon se ka folur me Kryeministrin Støre, i cili ka konfirmuar se letra është autentike. Kryeministri ka thënë gjithashtu se i ka bërë të ditur zotit Trump vazhdimisht se dihet botërisht që qeveria norvegjeze nuk vendos se kush e fiton Çmimin Nobel për Paqe.

Sipas Trump, Danimarka nuk ka aftësi ta mbrojë Groenlandën nga Rusia apo Kina, ndërsa ai e konsideron kontrollin amerikan mbi ishullin si thelbësor për sigurinë globale.

Presidenti amerikan ka paralajmëruar vendosjen e tarifave fillimisht 10% e më pas 25% ndaj disa vendeve të NATO-s, derisa, sipas tij, të arrihet një “marrëveshje për blerjen e plotë të Groenlandës”.

Deklaratat kanë nxitur reagime të ashpra nga liderët europianë. Kryeministri britanik Keir Starmer i ka cilësuar këto kërcënime “krejtësisht të gabuara”, ndërsa Bashkimi Evropian po shqyrton përdorimin e instrumenteve të forta tregtare kundër SHBA-së. Protesta janë zhvilluar edhe në Groenlandë, ku qytetarët kanë deklaruar se ishulli “nuk është në shitje”. Kriza rrezikon seriozisht unitetin e NATO-s dhe marrëdhëniet transatlantike.

The post Trump: Nuk më dhatë Nobelin, nuk kam detyrim të mendoj më vetëm për paqen appeared first on Gazeta Si.

Parashikimi i ‘SI’ për bursat gjatë javës: Euro dobësohet, rritet Bitcoin

19 January 2026 at 10:23

Nga Gazeta ‘SI’ – Për sa kohë EUR/USD do të tregtohet nën vlerën 1.1634, trendi do të jetë bearish me target 1.1445. Tregtimi mbi vlerën 1.1634 hap rrugën për ritestimin e rezistencës 1.17.

Për sa kohë GBP/USD do të tregtohet nën vlerën 1.3415, trendi do të jetë negativ me objektiv 1.33. Tregtimi mbi vlerën 1.3415 do të pasohej me testimin e rezistencës 1.346.

Për sa kohë USD/JPY do të tregtohet mbi vlerën 157.8, trendi i fillimjavës do të jetë rritës me target 158.8. Tregtimi nën vlerën 157.8 do të ndiqej nga rënie e mëtejshme me target 157.25.

Për sa kohë DOW JONES do të tregtohet nën vlerën 49550, trendi do të jetë rënës me objektiv 48800. Tregëtimi mbi vlerën 49550 hap rrugën për avancim të mëtejshëm me objektiv 49900.

Për sa kohë CRUDE OIL do të tregtohet nën vlerën 59.7, trendi do të jetë negativ me target 57.5. Tregtimi mbi vlerën 59.7 do të ndiqej nga ecuri pozitive drejt rezistencës 60.4.

Për sa kohë BTCUSD do të tregtohet mbi vlerën 94850, trendi do të jetë pozitiv me objektiv 101700. Tregtimi nën vlerën 94850 e thellon rënien drejt suportit 92700.

The post Parashikimi i ‘SI’ për bursat gjatë javës: Euro dobësohet, rritet Bitcoin appeared first on Gazeta Si.

Zgjerohet programi i depistimit të kancerit të qafës së mitrës, përfshihen gratë 35-55 vjeç

19 January 2026 at 10:22

Nga Gazeta Si- Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar zgjerimin e fashës së moshës për gratë që përfitojnë nga programi i depistimit, duke përfshirë tashmë edhe grupmoshën 35-55 vjeç.

Ky zgjerim synon të nxisë ndërgjegjësimin dhe përfshirjen e grave në programin e depistimit, të rrisë mundësitë për diagnostikim të hershëm të kësaj sëmundjeje, si dhe të ulë rrezikun afatgjatë të saj.

Kanceri i qafës së mitrës është një nga kanceret që mund të parandalohet pothuajse plotësisht, përmes vaksinimit kundër HPV-së dhe depistimit të rregullt.

Thuajse në të gjitha rastet, kanceri i qafës së mitrës shkaktohet nga Virusi i Papilomës Humane (HPV).

HPV-ja është infeksioni më i zakonshëm i transmetuar seksualisht. Njihen me shumë se 200 tipe e nëntipe HPV-je, por jo të gjitha këto shkaktojnë kancer të qafës së mitrës.

Programi i Depistimit të Kancerit të Qafës së Mitrës në Shqipëri më parë përfshinte gratë e grupmoshës 40-49 vjeç, një herë në 5 vite.

The post Zgjerohet programi i depistimit të kancerit të qafës së mitrës, përfshihen gratë 35-55 vjeç appeared first on Gazeta Si.

❌
❌