Nga grabitjet te romani brenda burgut- Fatmir Pjetri i ‘Bandës së Babagjyshëve’ kryen ‘krimin’ e radhës
Nga Gazeta “SI”- Fatmir Pjetri, i dënuar si pjesë e bandës së “Babagjyshëve”, ka tërhequr vëmendjen e publikut pasi publikoi në profilin e tij në Instagram një audioregjistrim, në të cilin akuzon Drejtorinë e Burgjeve se i ka mohuar lejen për të promovuar një roman të shkruar prej tij, me pretendimin se përmbajtja e tij përfshin skena dhune dhe del kundër institucioneve shtetërore.
I indinjuar për diskriminimin që i është bërë, ai shpreh në këtë audioregjistrim pakënaqësinë e tij për ndalimin e promovimit të librit përpara bashkëvuajtësve të tij.
Në një rrëfim ekskluziv për GazetaSi.al, Fatmir Pjetri ka sqaruar në detaje jo vetëm arsyen e ndalimit të romanit, por edhe procesin e gjatë të krijimit të tij, që nga koha kur është shkruar e deri te botimi. Sipas tij, romani “Jetë e guximshme” është kryevepra e tij.
“Romani im me titull ‘Jetë e guximshme’ është krijuar në kushte izolimi ekstrem, pasi isha i mbyllur në regjimin 41 bis në Burgun e Burrelit për dy vite. Aty është burg brenda burgut. Nuk ke asnjë kontakt me botën e jashtme, nuk ka gazeta as televizor, je i vetëm brenda katër mureve. E vetmja mënyrë argëtimi për mua ishte leximi. Dostojevski thoshte: ‘Më jepni një dramë dhe do t’ju jap një kryevepër’. Në këtë dramë dyvjeçare krijova veprën time, një roman me shumë personazhe, pa censurë, me skena aksioni dhe erotike, duke thyer tabutë. Kam folur për një realitet që ekziston, por që shumë pak persona e njohin.”
Pjetri thotë se arsyeja e ndalimit nga Drejtoria e Burgjeve të promovimit të romanit është absurde dhe diskriminuese.
“Të gjithë të tjerët që kanë vuajtur dënimin e tyre në këtë institucion i kanë promovuar librat e tyre pa asnjë problem. Edhe romani im ishte programuar të promovohej te bashkëvuajtësit e mi në datë 14 janar, por Drejtoria e Burgjeve e anuloi prezantimin më 12 janar, me arsyetimin se romani promovon dhunën, përmban skena erotike dhe flet kundër institucioneve qeveritare. Ata e paragjykuan librin vetëm nga kopertina, pa e lexuar fare.”shprehet Pjetri
Sipas tij romani “Jetë e guximshme”, sipas tij, është një roman i shkruar pa komplekse, duke tentuar të thyejë tabu, ndërsa ai shpjegon edhe procesin e krijimit të tij nga faza fillestare deri në botim fizik.
“Për t’u arratisur nga dhuna psikologjike që përjetojnë të burgosurit në regjimin 41 bis, fillova të shkruaj nga 8 deri në 10 orë në ditë. Kur përfundova bis-in, kisha shkruar 1200 faqe A4 vetëm vitin e fundit. Në këto faqe është shkruar edhe një ditar për të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur në periudhën e izolimit. Në romanin “Jetë e guximshme” bëhet fjalë për një ngjarje që zhvillohet në zemër të Europës, në një hark të shkurtër kohor, dhe që përfshin kapërcime të herëpashershme në kohë. Personazhi kryesor, Viktor Delano, zgjohet në një spital me shtatë plumba në trup. Aty fillon dhe tregon historinë e jetës së tij deri në momentin e atentatit. Ka dashuri, grabitje, vjedhje diamantesh e florinjsh. Historia është e thjeshtë, e kuptueshme nga të gjitha shtresat, me skena surprizuese dhe zhvillime të papritura që lexuesin e mbajnë të mbërthyer deri në fund. Romanin tim e ka redaktuar profesor Çelik Petriti dhe është shtypur nga shtëpia botuese Arte Grafik. Ai qarkullon në treg dhe është i aksesueshëm për të gjithë.”
Botuesja: Janë rritur kërkesat për librin pas autoinçizimit
Botuesja e romanit, Artemida Nako nga ArteGraphic shpjegon për GazetaSi.al detajet e botimit fizik të romanit “Jetë e guximshme”
“Libri ka dalë nga botimi në datën 9 janar dhe pak ditë më pas i vëllai i Fatmirit ka tërhequr disa kopje me idenë e promovimit në burg. Kopertina është dizajnuar sipas kërkesave të Fatmirit për të shprehur sa më qartë atë çka ai ishte përfshirë në roman. Me kërkesë të tij, si një vjegë për të tërhequr lexuesin, kemi bërë edhe disa shënime si “Ky libër mban skena erotike dhe akte dhune”, por edhe për të paralajmëruar se libri në fakt është për lexues mbi 18 vjeç.

Nako përfundon duke theksuar se libri është paragjykuar duke e moslejuar promovimin nisur vetëm nga kopertina.
“Unë mendoj se arsyeja e ndalimit të promovimit është vetëm për shkak të shënimit në kopertinë, sepse po të lexohet, ajo është letërsi dhe imoraliteti nuk ekziston kur bëhet fjalë për letërsi. Kemi plot shkrimtarë që kanë shkruar tema të tilla si Bukowski e shumë të tjerë, por gjithçka gjykohet në kuadrin e letërsisë.”
Por çfarë është letërsia dhe krijimi sipas Fatmirit dhe pse ishte kaq i fortë përjetimi që u desh ta hidhte në letër. Ai e shpjegon duke u shprehur se: “Shkrimi është gjëja më e bukur që ka shpikur njerëzimi. Me anë të shkrimit ne shprehim dashurinë, dhimbjen dhe mërzinë.” përmbyll Fatmir Pjetri rrëfimin për GazetaSi.al
33-vjeçari Fatmir Pjetri nga Puka, pas ardhjes në Shqipëri në vitin 2013, u bë pjesë e “Bandës së Babagjyshëve”. Sipas akuzës, ai ka marrë pjesë në të gjitha grabitjet e bandës, që shtriheshin në të gjithë vendin , Tiranë, Kuçovë, Durrës, Berat, Lezhë, Fushë-Krujë, Laç e Shkodër. Grabitja që bëri më shumë bujë ishte ajo në një qendër tregtare në Tiranë, ku u plaçkit një argjendari. Pas kësaj ngjarjeje ai u arrestua më 24 nëntor të 2017. Pjetri kryente çdo grabitje pa lënë gjurmë, pa shkaktuar viktima dhe brenda vetëm tre minutash.
Pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar, ai deklaroi: “Nuk e di cili shpik për emrin tim, jam i pafajshëm. Policia të më akuzojë me fakte reale, jo me sajesa”.
Fatmir Pjetri u ekstradua nga Hollanda në Shqipëri në vitin 2019, ku po kryen dënimin për krimet e kryera, në burgun e Burrelit, aty ku para pak ditësh iu refuzua edhe “krimi i radhës” ; prezantimi i romanit.
The post Nga grabitjet te romani brenda burgut- Fatmir Pjetri i ‘Bandës së Babagjyshëve’ kryen ‘krimin’ e radhës appeared first on Gazeta Si.