Normal view

Ajo ishte ministrja e parë e Zvicrës me origjinë hebraike: Ruth Dreifuss kritikon ashpër krimet e luftës të Izraelit në Gazë

30 July 2026 at 08:08


Më 1999 Ruth Dreifuss ishte presidentja e parë e një vendi që vizitoi refugjatët e Kosovës në Maqedoni: solli ndihma me avion dhe në kthim mori refugjatë. Tani ajo është 86-vjeçare, por shumë aktive në mbrojtjen e vlerave humanitare të Zvicrës. Këtë ajo e bën edhe nëpërmjet mospajtimit me politikat brutale të qeverisë së Izraelit kundër palestinezëve.

Ish-ministrja e parë me origjinë hebraike në Qeverinë e Zvicrës, Ruth Dreifuss, i është rikthyer aktivizmit publik me një thirrje drejtuar qeverisë zvicerane: të ushtrojë presion të drejtpërdrejtë politik, ushtarak dhe ekonomik ndaj Izraelit për të ndalur katastrofën humanitare në Gaza.

Në një bisedë me gazetën zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” mbi zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe rolin e diplomacisë zvicerane, 86-vjeçarja socialdemokrate nuk kursen kritikat ndaj udhëheqjes izraelite, por as ndaj plogështisë së Qeverisë së Zvicrës.

Megjithëse dënon ashpër sulmin e 7 tetorit 2023 nga Hamasi - të cilin e cilëson si një krim të tmerrshëm që traumatizoi shoqërinë izraelite - Dreifuss thekson se reagimi ushtarak i Tel Avivit i ka kaluar të gjithë kufijtë. “Shkatërrimi i Rripit të Gazës është joproporcional. Izraeli po shkel të drejtën e luftës dhe të drejtat e njeriut. Bombardimi i spitaleve, përdorimi i urisë si armë dhe pengimi i ndihmave humanitare përbëjnë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”, deklaroi ish-ministrja.

Ajo dënon po ashtu sulmet e kolonëve izraelitë ndaj popullsisë palestineze në Bregun Perëndimor, duke shprehur keqardhje se si ideja e mbrojtjes është kthyer në një pushtim që po e bën Izraelin edhe më të pasigurt. “Hakmarrja është fëmija i paligjshëm i pikëllimit”, shprehet ajo, duke kujtuar se kërkesat e saj më të larta ndaj Izraelit burojnë nga biografia e saj dhe shpresat që dikur lidheshin me këtë shtet si demokraci.

Lidhur me debatin nëse veprimet e Izraelit përbëjnë “gjenocid” - një nocion që përdoret nga partia e saj socialdemokrate - Dreifuss tregon kujdes juridik: “Gjenocidi kërkon provimin e qëllimit për shfarosje. Unë ia lë gjykimin gjykatave, por kjo nuk e zbut faktin se në Gaza po kryhen krime të rënda lufte”.

Ish-anëtarja e ekzekutivit zviceran prek edhe temën e ndjeshme të rritjes së antisemitizmit në Evropë. Ndonëse e dënon ashpër këtë dukuri, ajo argumenton se vetë qeveria izraelite ka dhënë brumë për këtë valë përmes ligjit që e vetëdefinon Izraelin si “shtet hebre”. Sipas saj, ky barazim artificial mes çdo hebreu në botë dhe veprimeve ushtarake të izraelit krijon një “justifikim të ri e të rrezikshëm” për reagime antisemite.

E pyetur për rolin e Zvicrës, Dreifuss është kritike ndaj qasjes aktuale të Qeverisë në Bernë. Ajo kërkon që Zvicra të shfrytëzojë marrëdhëniet e saj tradicionale për të kërkuar llogari nga Izraeli, përfshirë masat si bojkotimi i bashkëpunimit ushtarak apo ndalimi i importimit të produkteve nga territoret e pushtuara palestineze.

Dreifuss hedh poshtë idenë se neutraliteti zviceran kërkon heshtje: “Kur bëhet fjalë për të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe të drejtat e njeriut, nuk ka neutralitet”.

Ajo i përgjigjet ashpër edhe diplomacisë së ministrit të Jashtëm Ignazio Cassis, i cili e ka cilësuar “aftësinë për improvizim” si parim zviceran. “Kjo është një fjalë e keqe”, thotë Dreifuss. “Improvizimi nuk është strategji dhe nuk shpërblehet në aspektin afatgjatë. Zvicra si shtet i vogël ka interesin më të madh që e drejta ndërkombëtare të respektohet - dhe duhet t'i përmbahet vetë asaj pa u izoluar”.

Në biografinë e saj politike Ruth Dreifuss ka edhe një kapitull interesant që lidhet me Kosovën. Më 8 prill 1999 Dreifuss - atëbotë ishte presidente zvicerane dhe njëkohësisht ministre - aterroi në Shkup me një avion transportues dhe u solli ndihma refugjatëve të Kosovës në kampin Stankovec, ku po mbijetonin pasi kishin shpëtuar nga fushata e terrorit e pushtetit serb.

Ruth Dreifuss, sindikaliste shumëvjeçare, socialdemokrate dhe aktiviste për të drejtat e grave, ishte presidentja e parë e një shteti evropian që vizitoi refugjatët e Kosovës në Maqedoni. Pasi u shkarkuan ndihmat, Dreifuss mendoi se do të ishte dëm që avioni të kthehet i zbrazët në Zvicër. Aty për aty vendosi të marrë me vete edhe 20 refugjatë, mes tyre edhe familjen e Naile Demës, atëbotë vajzë 15-vjeçare, sot gazetare e njohur në Kosovë. Në Zvicër kishte politikanë të djathtë që protestuan.

Sivjet, 27 vjet më vonë, Ruth Dreifuss dhe Naile Dema u takuan në Bern. Që ky ishte një takim shumë emocional, është e tepërt të thuhet, vetëkuptohet.

Si ndodhi ky takim? Vitin e kaluar gazeta e majtë “Wochenzeitung”, e cila botohet në Zürich, publikoi një portret të gjatë të Ruth Dreifuss. Gjatë hulumtimit gazetarët hasën edhe në një fotografi ku shiheshin Ruth Dreifuss dhe Naile Dema në prill të vitit 1999. Pas shumë përpjekjeve, gazetarët arritën ta identifikonin vajzën që shihej në fotografi: ishte Naile Dema.

Gjashtë muaj pasi doli artikulli në “Wochenzeitung”, u organizua një takim në Bern mes ish-ministres Ruth Dreifuss dhe gazetares Naile Dema. Mbi këtë takim gazeta shkruan: “Ruth Dreifuss gjatë darkës interesohet veçanërisht të mësojë se çfarë është bërë me adoleshenten e dikurshme - dhe si traumat e luftës vazhdojnë të ndikojnë edhe sot në shoqërinë kosovare.

Ky takim i tregon asaj se sa të pabazuara ka qenë dikur frika e partive të djathta (zvicerane) se të gjithë refugjatët do të mbeteshin përgjithmonë në Zvicër. Shumë prej tyre u kthyen pas luftës për të rindërtuar vendin e tyre. Në atë kohë, Dreifuss jo vetëm që solli njëzet persona në Zvicër, por arriti që qeveria të lejojë strehimin humanitar për refugjatët nga Kosova. ‘Edhe sot do të ishte e nevojshme një politikë më e guximshme për njerëzit në zonat e luftës, si për shembull në Gaza’, thotë ajo”.

Parimore më 1999, e tillë edhe më 2026, ndonëse kohërat kanë ndryshuar. Kjo është Ruth Dreifuss. Përndryshe më 1998/99 Zvicra pati pranuar rreth 50 mijë refugjatë nga Kosova. Pas luftës shumica e tyre u kthyen vullnetarisht në Kosovë.

Ujërat e rrezikshëm në Zvicër: Të paktën 15 persona mbyten brenda një muaji

22 July 2026 at 15:20


Moti i nxehtë ka nxjerrë me mijëra qytetarë drejt lumenjve e liqeneve në Zvicër, mirëpo bilanci i javëve të fundit ka marrë përmasa shqetësuese.

Siç raporton mediumi publik zviceran SRF, brenda vetëm 30 ditëve në ujërat e shtetit helvetik kanë humbur jetën të paktën 15 persona, ku dy viktimat e fundit u regjistruan në lumin Aare.

Sipas Shoqatës Zvicerane të Shpëtimit të Jetës, shifrat e tanishme janë dukshëm më të larta krahasuar me dy vitet e kaluara. Përfaqësues të kësaj shoqate bëjnë me dije se, edhe në këndvështrimin historik, numri i aksidenteve fatale në ujë për këtë periudhë të sezonit konsiderohet mjaft i lartë.

Ekspertët e sigurisë ujore sqarojnë se pushuesit shpesh nënvlerësojnë rreziqet që mbart freskimi në ujëra të hapur, ku kushtet janë shumë më pak të parashikueshme se në pishina.

Në lumenj, rreziqet kryesore lidhen me rrymat e forta, pengesat e padukshme nën ujë dhe pikat e vështira për të dalë në breg.

Ndërkaq, në liqene notuesit shpesh gabojnë në vlerësimin e distancave nga bregu, ndryshimeve të papritura të temperaturës së ujit apo kushteve atmosferike.

Një rrezik i veçantë mbetet edhe goditja termike. Hyrja apo kërcimi i menjëhershëm në ujë të ftohtë pas qëndrimit në diell shkakton tkurrje të shpejtë të enëve të gjakut dhe rritje të menjëhershme të tensionit të gjakut, çka mund të çojë në ngërç, e deri në goditje në zemër.

Statistikat tregojnë se meshkujt përbëjnë shumicën e viktimave në këto ngjarje, kryesisht për shkak të gatishmërisë më të madhe për të marrë rreziqe dhe mbivlerësimit të aftësive të tyre notuese.

Për nga grupmoshat, më të prekurit mbeten të rinjtë si dhe personat e moshës mbi 65 vjeç, ku te këta të fundit ndikojnë negativisht edhe faktorët shëndetësorë. Në kushte normale, mesatarja vjetore e viktimave nga mbytja në ujërat e Zvicrës sillet rreth 50 persona në vit. /Telegrafi/

Shtete që vrasin

21 July 2026 at 10:29


Tre të vdekur në një autostradë pa sinjalistikë afër Shkupit dhe mbi 3000 të helmuar nga ujësjellësi në Gostivar - këta dy shembuj nuk janë të vetmit në Ballkan, ku papërgjegjësia e autoriteteve del vazhdimisht në sipërfaqe.

Nëse është plotësisht e vërtetë ajo që po raportojnë mediat për vdekjen e tre njerëzve nga Kosova në Maqedoninë e Veriut, atëherë kemi të bëjmë me një krim. Me një krim të paramenduar. Me një krim shtetëror.

Sipas raportimeve të mediave, banorëve të fshatit Bllacë dhe familjarëve të viktimave, aksidenti fatal ndodhi si pasojë e mungesës së sinjalistikës. Televizioni Alsat njofton se rruga, si në pjesën e epërme, ashtu edhe në hyrje të autostradës, "nuk ka asnjë shenjë që tregon se hyrja është e ndaluar".

Qeveria e Kosovës duhet të kërkojë një hetim të pavarur, të paanshëm dhe transparent për këtë aksident tragjik. Tre njerëz ishin nisur nga Kosova për të marrë një familjare në Aeroportin e Shkupit. Tani po kthehen në arkivole.

Papërgjegjësia e autoriteteve në punët publike kudo në Ballkan është alarmante. Dhe shpesh është vdekjeprurëse.

Në janar të vitit 2024, një pjesë e pullazit të ndërtesës së Komunës së Prishtinës në Dragodan u rrëzua si pasojë e erërave të forta dhe plagosi rëndë një vajzë 23-vjeçare. Ekspertët konstatuan se objekti ishte ndërtuar jashtë standardeve.

Pallati i Drejtësisë në Prishtinë u inaugurua me solemnitet dhe pompozitet në vitin 2014. Që atëherë nuk kanë reshtur problemet: dimrit mban acar, verës shndërrohet në saunë. Për shkak të temperaturave të larta, disa punonjës me sëmundje kronike janë liruar nga puna. Por kjo nuk është zgjidhje.

Pakujdesia, papërgjegjësia, mungesa e kontrollit dhe e inspektimeve kushtojnë shtrenjtë - me jetë njerëzish dhe me miliona euro nga buxheti. Për vite me radhë kemi parë se autostrada që lidh Kosovën me Shqipërinë nuk është mirëmbajtur si duhet dhe sidomos natën kalimi nëpër të ka qenë një aventurë e rrezikshme. Jo të gjitha, por një pjesë e aksidenteve në rrugët e Kosovës do të mund të ishin shmangur po të ishte infrastruktura në nivelin e duhur. Nuk është. Dhe për këtë ka një adresë përgjegjëse: qeveria e këtij vendi.

Një shembull tjetër i papërgjegjësisë institucionale duket të jetë edhe helmimi i mbi 3000 qytetarëve të Gostivarit nga uji i ujësjellësit. Të hënën u arrestuan tre drejtues të Ndërmarrjes Publike "Komunalec". Masa lidhet me dyshimet për ndotjen e ujit në sistemin e furnizimit të qytetit. Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut ndaloi konsumimin e ujit në këtë komunë me shumicë shqiptare pasi qindra qytetarë kërkuan ndihmë mjekësore për shkak të problemeve me stomakun. Në Gostivar tashmë është shpallur gjendje epidemike.

Më 1 nëntor 2024, në Novi Sad u shemb një pjesë e strehës së stacionit hekurudhor. Si pasojë humbën jetën 16 njerëz të pafajshëm. Rikonstruksioni i stacionit ishte kryer nga një kompani kineze me nënkontraktorë lokalë. Për mijëra qytetarë të Serbisë është e qartë se kjo tragjedi është pasojë e korrupsionit, keqqeverisjes dhe nepotizmit të Partisë Progresive Serbe (SNS), partisë së presidentit Aleksandar Vuçiq.

Afera e ashtuquajtur e inceneratorëve në Shqipëri rezultoi të ishte një skemë gjigante për plaçkitjen e buxhetit të shtetit. Vetëm projekti i inceneratorit të Tiranës u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë mbi 100 milionë euro, ndërsa objekti nuk u ndërtua kurrë. Paratë, natyrisht, përfunduan në xhepat e banditëve. Dëmin e paguajnë qytetarët. Plehrat nuk trajtohen sipas standardeve europiane. Kjo ka pasoja për shëndetin publik, cilësinë e ajrit dhe të ujit. Por kush bëhet merak në Ballkan për "detaje" të tilla?

Prej vitesh në Kosovë përsëriten aksidentet fatale në kantieret e ndërtimit. Punëtorët vdesin njëri pas tjetrit. Vetëm të hënën, Inspektorati Qendror i Punës ndaloi punimet në 13 vendpunishte në komunat e Prishtinës dhe Fushë Kosovës. Arsyeja ishte mungesa e masave elementare të sigurisë.

"Gjatë këtyre inspektimeve janë konstatuar shkelje të rënda të dispozitave ligjore, të cilat paraqesin rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e punëtorëve", thuhet në njoftimin e Inspektoratit.

Në Ballkan tragjeditë shpesh nuk janë fatkeqësi natyrore. Ato janë pasojë e korrupsionit, e papërgjegjësisë, e neglizhencës dhe e mungesës së llogaridhënies. Kur shteti nuk vendos sinjalistikë, nuk kontrollon cilësinë e ujit, nuk mbikëqyr ndërtimet dhe nuk mbron punëtorët, ai e ngarkon veten me faj për tragjeditë e përditshme. /Telegrafi/

Ai çasti kur i afrohesh kufirit të Serbisë…

19 July 2026 at 12:49



Ai çasti kur i afrohesh kufirit të Serbisë… Foto: Annette Riedl (dpa)

(Një skenë nga romani i Jehona Kicajt)

Secili mërgimtar e ka një rrëfim të vetin kur udhëton me veturë nga Zvicra, Gjermania, Austria e vendet skandinave në Kosovë. Më të guximshmit (ose më të pakujdesshmit) krenohen se “për 16 orë kanë arritur nga Zürichu” në Gjilan, për shembull.

Kjo është e frikshme. Më të kujdesshëm janë ata që ndalen e pushojnë diku gjatë rrugës, për shembull në Slloveni, pranë Liqenit të Bledit. Ose në Kroaci, ta zëmë në ndonjë fshat të bukur të Zagorjes, në hinterlandin e Zagrebit. Ditën tjetër, herët në mëngjes, i çlodhur mund të vazhdosh udhëtimin. Nuk është udhëtim i zakonshëm. Dhe kjo ka të bëjë me kufirin e Serbisë. Së më afër kufirit, aq më i madh shqetësimi i një familjeje mërgimtare. Është si frika e portierit nga penalltia.

Nuk e di ku do marrësh një goditje. Shkrimtarja gjermano-kosovare Jehona Kicaj e ka përshkruar këtë ndjesi në romanin e saj “ë”, i cili vitin që shkoi përpak e mori çmimin për romanin më të mirë në Gjermani. Kicaj shkruan: “Mësova që herët se duhej të heshtja sapo të arrinim në kufirin serb. Gjuha jote amtare mund të të vinte në rrezik nëse e flisje në vendin e gabuar. Sapo tabela e parë sinjalizonte kufirin, ne e fiknim muzikën dhe i fshehnim të gjitha kasetat shqiptare nën ulëset e veturës sonë. Nuk pipëtinim.

Heshtnim shumë kohë përpara se polici kufitar të jepte shenjë për të hapur xhamin. Vetëm babai fliste me të. Ai fliste rrjedhshëm serbisht, si shumë të tjerë të moshës së tij, e kishte mësuar në shkollë dhe më vonë në ushtri. Unë nuk kuptoja asnjë fjalë të vetme, por dalloja pasigurinë në tonin e zërit të tij. Ai nuk hezitonte për asnjë çast t’u përgjigjej pyetjeve të policit, e megjithatë i zgjidhte fjalët e tij me kujdes. Pastaj, toni i tij ndryshonte papritur dhe unë dëgjoja atë ashpërsinë specifike në zërin e tij. Sa herë që ai e mprehte tonin në këtë mënyrë, sa herë që dalloja atë ndryshim zëri, e dija se diçka do të ndodhte.

Më kujtohet që duart e nënës dridheshin kur baba i kërkoi t’ia jepte pasaportat, dhe se ajo nuk ishte në gjendje të hapte vetë zinxhirin e çantës së kuqe prej lëkure ku ndodheshin të gjitha dokumentet tona. Kokulur, ajo ia dha çantën e mbyllur. Më kujtohen vështrimet e ftohta të policit, me të cilat na ngulte sytë nga lart përmes xhamave të veturës, dhe se si na u desh të zbrisnim të gjithë e të zbraznim veturën.Më kujtohet zhurma e fortë e vulës, të cilën ai e vendosi në pasaportat tona vetëm pasi kishim futur brenda tyre disa kartëmonedha.

Pasaportat nuk na i ktheu në dorë, thjesht i shtyu tutje sikur të mos vlenin asgjë. Në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë pashë për herë të parë se si poshtëroheshin prindërit e mi. Kjo përvojë kufiri më ndjek edhe sot e kësaj dite në çdo kontroll pasaportash”.Me këtë skenë mund të identifkohen qindra-mijëra shqiptarë nga Kosova. Jehona Kicaj e ka përjetësuar për të gjithë. Në këto ditë vere, lexojeni romanin e saj. Në gjermanisht dhe - shpresoj së shpejti - edhe në shqip (botim i shtëpisë botuese “Buzuku”).

“Frankfurter Allgemeine Zeitung”: Aleksandar Vuçiqi mbështeti me muaj të tërë luftën e kriminelëve serbë kundër Bosnjës dhe u krenua me veprimet e tij

18 July 2026 at 19:30


Si i ri dhe vullnetar lufte, presidenti i sotëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, qëndroi në Sarajevë në shërbim të një politike kriminale - me pasoja që ndihet deri sot, shkruan gazetari gjerman Michael Martens në gazetën prestigjioze gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

Edhe varrezat vdesin. Kështu ka shkruar dikur fituesi jugosllav i Nobelit në letërsi, Ivo Andriq, në esenë e tij të botuar më 1954, “Në varrezat hebraike të Sarajevës”. Nga dikur 12’000 hebrenj të kryeqytetit të Bosnjës, atëbotë jetonin vetëm pak prej tyre. Shumica nuk e kishte mbijetuar pushtimin nga trupat gjermane dhe aleatët e tyre kroatë ndërmjet viteve 1941 dhe 1945; ishin vrarë në Aushvic, Bergen-Belsen ose në kampin e përqendrimit Jasenovac, të drejtuar nga kroatët.

Andriqi kishte pasur miq hebrenj, ai e njihte historinë e hebrenjve të Bosnjës: “Kur në fund të shekullit XV hebrenjtë u dëbuan nga Spanja, ata kërkuan strehë në vende të ndryshme, ku nuk kishte persekutim sistematik të hebrenjve dhe ku të paktën toleroheshin. Një nga këto vende ishte Turqia e atëhershme. Në shekullin XVI hebrenjtë spanjollë të dëbuar, sefardikët, shfaqen edhe në qendrat kryesore tregtare të Ballkanit, pra edhe në Sarajevë.”

Në Bosnjë, të “rrethuar nga paragjykimet dhe besëtytnitë e bashkëqytetarëve të tyre të konfesioneve të tjera”, ata flisnin në shtëpi spanjishten që kishin sjellë nga atdheu, nga e cila më pas u zhvillua ladinoja, “hebraishto-spanishtja”. “Ishte një bashkësi e vogël, e mbyllur hermetikisht nga forca e rrethanave dhe zakoneve, ku kishte pasuri të fituara me mund të madh, të ruajtura me ankth dhe vazhdimisht të rrezikuara, dhe edhe shumë më tepër varfëri të thellë”, shkruan Andriqi, i cili si fëmijë i lindur më 1892 nga një nënë vetëushqyese në Sarajevë, kishte njohur vetë varfëri të ashpër.

Por vetëm Lufta e Dytë Botërore e shkatërroi krejtësisht bashkësinë hebraike të qytetit, zhduku tërësisht familje ose i pakësoi aq shumë, sa prania e tyre shumë­shekullore u bë më e prekshme në varrezat hebraike sesa mes të gjallëve. “Një botë që nuk ekziston më”, vëren Andriqi më 1954 dhe prej kësaj nxjerr një kërkesë: nëse njerëzimi do ta meritonte emrin “njerëzim”, duhej të organizohej “kundër të gjitha krimeve ndërkombëtare në mënyrë që të ngrihen diga të sigurta dhe të vijë një ndëshkim real për të gjithë vrasësit e njerëzve dhe të popujve”.

Kush ecën sot nëpër varrezat e shkatërruara hebraike të Sarajevës, përmes barit deri në gju dhe shkurreve, pranë gurëve të ngulitur të varrit që si dhëmbë të shtrembër të një nofulle dalin nga toka, sheh pamje të ngjashme me ato që pa Andriqi para shtatëdhjetë vjetësh. Në varrezat ku rreth vitit 1630 u bë varrimi i parë, që nga viti 1966 nuk është varrosur askush më. Hapësira po humbet në rrënoja. Bashkësia e mbetur hebreje e Sarajevës është shumë e vogël për ta mirëmbajtur. Qyteti gati nuk merret fare me të. Në pjesën e sipërme të varrezave, më të vjetrën, mbishkrimet në shumicën e gurëve janë tashmë të zhdukura; vetëm në disa mund të dallohen ende fjalë në shkronja hebraike dhe arabe nga koha osmane, si edhe disa mbishkrime në ladino.

Më poshtë, në pjesën më të re, ku u varrosën hebrenjtë e Sarajevës pasi pushtimi osman nga viti 1878 u zëvendësua për katër dekada me okupimin habsburgas, rrjedha e emrave bëhet më e gjerë. Krahas familjeve të vjetra sefardike të Sarajevës vijnë tani edhe familjet ashkenaze, të ardhura nga Galicia dhe provincat e tjera lindore të Perandorisë austro‑hungareze. Përkrah Albaharive, Baruheve, Fincive, Kalderonëve dhe Maestrove, në varrezat hebraike të Sarajevës filluan të prehen edhe Singerët, Mondshajnët, Glykseligët, Shternbergët dhe Rozenbergët, derisa sefardikët dhe ashkenazët bashkë u gllabëruan nga Holokausti.

Por në varrezat hebraike shihen edhe gjurmët e shkatërrimeve që ndodhën vetëm dekada pas Luftës së Dytë Botërore. Veçanërisht qartë e tregon këtë një monument i ngritur pas luftës për viktimat hebraike të terrorit të pushtimit gjermano‑kroat. Në një pllakë guri shkruhet se monumenti u kushtohet “luftëtarëve të rënë” dhe viktimave hebraike të fashizmit në Bosnje‑Hercegovinë, por fjalët “viktima” dhe “Bosnjë” janë shqyer nga një granatë.

Kjo ndodhi gjatë luftës serbe kundër Bosnje‑Hercegovinës 1992-1995, kur kryeqyteti i Bosnjës, i vendosur në një luginë, u mbajt i rrethuar për 1425 ditë. Trupat serbe të gjeneralit Ratko Mladiq - i dënuar më vonë me burgim të përjetshëm nga Tribunali i OKB‑së për krimet e Jugosllavisë së dikurshme në Hagë - e kishin rrethuar qytetin. Artileria e tyre dhe snajperistët qëllonin çdo ditë mbi Sarajevë; shpesh nuk kishte as rrymë, as ujë të rrjedhshëm. Mbi 11’000 njerëz u vranë.

Një prej skenave të rrethimit ishte pikërisht varreza hebraike e Sarajevës. Pjesët më të larta të kësaj sipërfaqeje në shpat mali kontrolloheshin nga sulmuesit serbë. Prej andej snajperistët merrnin në shënjestër qytetin. Gjenerali britanik Michael Rose, i cili për një kohë komandoi trupat e mbrojtjes së OKB‑së në Sarajevë, dëshmoi para Tribunalit të Hagës se varrezat hebraike kanë qenë gjithmonë një pikënisje e rrezikshme për bombardimin e qytetit. Nga pozicionet në varreza u qëllua edhe një spital qyteti në lagjen Marienhof poshtë në luginë. Një kirurg i punësuar aty dëshmoi në gjykatë se disa herë pacientët dhe personeli ishin plagosur nga snajperistët që qëllonin nga drejtimi i varrezave hebraike.

Një burrë që si i ri vullnetar lufte ka qenë të paktën për një kohë i pranishëm në këtë veprim kriminal në varrezat hebraike të Sarajevës, do të bëhej më vonë i famshëm dhe i fuqishëm - presidenti i sotëm i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Nuk janë kundërshtarët apo shpifësit që e kanë nxjerrë në publik këtë detaj të shëmtuar të biografisë së tij; ai vetë ka treguar me krenari për këtë në intervista gjatë viteve ’90.

Intervistat u botuan në gazeta që sot janë mbyllur dhe kanë lënë pak gjurmë në internet. Disa prej mburrjeve të Vuçiqit për kohën e tij si vullnetar lufte nuk e kanë kaluar portën nga e kaluara e shtypur në të tashmen elektronike dhe kanë mbetur pak të njohura. Por kush kërkon në Bibliotekën Kombëtare të Serbisë në Beograd, në thellësitë e arkivave të letrës, gjen shumë gjurmë.

Në gusht 1994, për shembull, në revistën e ilustruar serbe “Duga” (Ylberi) u botua nën titullin “Aleksandri i majtë dhe i djathtë” një portret i dyfishtë i dy politikanëve të rinj serbë, të cilët sot janë ndër njerëzit më të fuqishëm të shtetit. “Aleksandri i djathtë” ishte Vuçiqi. “I majti” ishte Aleksandër Vulini, atëherë formalisht socialist, sot një nga njerëzit më të afërt të presidentit, ish‑shef i shërbimit sekret serb, i njohur për afërsinë e veçantë me Rusinë.

Më 1994, Vuçiqi tashmë konsiderohej politikan në ngritje në “Partinë Radikale Serbe” të çetnikut Vojisllav Sheshel, një parti që besohet se është krijuar ose të paktën e infiltruar pjesërisht nga shërbimi sekret serb. Për Sheshelin, politika e presidentit të atëhershëm të Serbisë, Sllobodan Millosheviq - gjithashtu i akuzuar më vonë në Hagë - nuk ishte mjaft radikale. Ai kërkonte një kurs edhe më ekstrem për të krijuar me luftë një shtet serbomadh dhe për të dëbuar nga aty etnitë “e padëshiruara”: kroatët, myslimanët boshnjakë dhe shqiptarët e Kosovës. Shesheli u akuzua më vonë po ashtu nga Tribunali i OKB‑së - dhe, ndryshe nga Millosheviqi, i cili ndërroi jetë nga infarkti para përfundimit të gjyqit, u dënua.

Më 1994, e gjithë kjo ende dukej një e ardhme që pak kush mund ta imagjinonte. Tribunali i Hagës sapo ishte themeluar, kishte pak mjete dhe shihej si i dobët. Pothuajse askush nuk besonte se ai do të mund t’i nxirrte ndonjëherë para drejtësisë figurat kryesore të krimeve të luftërave jugosllave. Vuçiqi, 24‑vjeçar, kishte studiuar për drejtësi në Beograd dhe jetonte ende tek prindërit në një pallat, kur gazetari i “Duga” e vizitoi në lagjen socialiste Novi Beograd. Jetonte në kushte modeste. Vuçiqi ndante një dhomë me të vëllain, Andrein; gazetari vëren në mur “trofe lufte”, pa i përshkruar në hollësi. Se nga vinin këto trofe, Vuçiqi rrëfen vetë me dëshirë: “Kur filloi lufta në Bosnjë, shkova në Sarajevën serbe dhe u paraqita si vullnetar.” E kishte bërë, thotë ai, “për ta mbrojtur serbizmin”.

Se si u zhvillua në praktikë kjo “mbrojtje e serbizmit” në Sarajevë, e ka dokumentuar Tribunali i Hagës, ndër të tjera, në procesin kundër gjeneralit të ushtrisë serbe të Bosnjës Dragomir Millosheviq. Ky u dënua më 2007 me 33 vjet burg për krime kundër njerëzimit: terror kundër civilëve, angazhim snajperistësh, bombardim me artileri të tregjeve dhe grumbullimeve të njerëzve. Çdo ditë, për vite. Dëshmitarë të shumtë thanë para gjykatës se gjatë viteve të rrethimit në Sarajevë nuk kishte vend të sigurt. Njerëzit mund të vriteshin ose plagoseshin kudo e kurdo.

Vuçiqi i tha revistës “Duga” më 1994 se kishte qenë “disa kohë në varrezat hebraike” para se të shkonte në Pale. Pikërisht nga ky qytet i vogël nën kontrollin serb, Radovan Karaxhiqi - edhe ai i dënuar me burgim të përjetshëm nga Tribunali i Hagës - e drejtonte luftën kundër Bosnjës dhe “spastrimet etnike”: masakrat me të cilat myslimanët boshnjakë dhe kroatët vriteshin ose dëboheshin nga zonat që serbët i pretendonin. Nuk del qartë nga intervista çfarë ka bërë saktësisht Vuçiqi në varrezat hebraike të Sarajevës.

A ka qëlluar edhe ai mbi qytetin? A ka vrarë civilë? Cili ka qenë roli i tij? E sigurt është se për pretendimin që qarkullon prej disa muajsh, se Vuçiqi atëherë paska shërbyer si udhërrëfyes për pasanikë të huaj që si “snajperistë fundjave” paguheshin për të vrarë nga pozicionet serbe gra dhe fëmijë në Sarajevë, nuk ka asnjë provë të besueshme. Por për ta kuptuar se presidenti i sotëm i Serbisë si i ri dhe vullnetar lufte ishte vënë në shërbim të një politike skajshmërisht kriminale, nuk ka nevojë për këto rrëfenja ekstremesh.

Se e ka mbështetur plotësisht këtë politikë, Vuçiqi e ka shpallur edhe në raste të tjera, për shembull në një numër të veçantë të revistës “Serbia e Madhe” - organ i Partisë Serbe Radikale - të shtatorit 1997. Në atë kohë Vuçiqi ishte ngritur në postin e sekretarit të përgjithshëm të partisë. Në numrin e shtypur në 50’000 kopje, i riu kujton shpërthimin e luftës në Bosnjë më 1992: “Në atë kohë vërtet krize për popullin tonë, unë gjendesha në një dilemë që e mundonte shumëkënd, veçanërisht brezin e ri. Dilema u zgjidh përmes qëndrimit tim dyzetditor si vullnetar në Sarajevë.” Nuk është e qartë se për çfarë dileme flet. Në tërësi, thotë ai më 1997, ka kaluar tetë muaj në zonat nën kontroll serb në Bosnjë, prej tyre “dy në front”.

Tre vite pas intervistës së vitit 1994 kishin ndodhur shumë gjëra në Bosnjë. Pas pushtimit të “zonës së mbrojtur nga OKB‑ja”, Srebrenicës, më 11 korrik 1995, trupat e Mlladiqit kishin ekzekutuar mbi 7000 myslimanë boshnjakë - një gjenocid, siç konstatoi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë më 2007. Kjo nuk luan rol në deklaratat e Vuçiqit. Në frymën e partisë së vet, ai i thotë gazetarit: “Nëse mendoni se jam angazhuar për kroatët apo myslimanët - nuk e kam bërë këtë, dhe nuk e kam aspak ndërmend të turpërohem për këtë.” Në vend të kësaj, Vuçiqi rithekson pretendimet serbe mbi pjesë të Bosnjës dhe Kroacisë.

Në të njëjtën kohë predikon durim. Ende ekziston “një polic i fuqishëm botëror”, thotë Vuçiqi, pa i përmendur hapur ShBA‑të. Por një ditë ekuilibri i forcave në botë duhet të ndryshojë. Vuçiqi sjell shembullin e Francës, e cila pas humbjes së Elsasit dhe Lorenës ndaj Prusisë më 1871 kishte pritur gati gjysmë shekulli për t’i marrë sërish këto krahina. “Edhe ne do të jemi të durueshëm, për ta marrë tokën tonë”, premton i riu radikal. Kur të ketë ndryshuar balanca e forcave, Serbia duhet “të tregojë dhëmbët” dhe t’i bashkangjisë Serbisë territoret nën kontroll serb në Bosnjë dhe Kroaci, përfshirë qytetin kroat të Danubit, Vukovarin: “Ne do ta mbrojmë Vukovarin së pari me mjete politike, dhe nëse është e nevojshme edhe me mjete ushtarake. Është toka jonë, sikurse edhe gjithë të tjerat.”

Këtë program Vuçiqi e kishte shpallur që në fund të vitit 1995, kur, për inatin e tij, nën ndërmjetësimin e presidentit amerikan Bill Clinton, u arrit më në fund që gjakderdhjes në Bosnjë t’i jepej fund me marrëveshjen e Dejtonit. Në numrin e dhjetorit të revistës “Serbia e Madhe” ai botoi një tekst me plot zemërim dhe me titullin “Dejtoni - një katastrofë serbe”. Aty e quante marrëveshjen “të ashtuquajtur marrëveshje paqeje”, që ishte “paqe vetëm për armiqtë tanë”.

Sot retorika e Vuçiqit ka ndryshuar. Ai e ka pranuar me retorikë marrëveshjen e Dejtonit dhe e respekton integritetin territorial të Bosnjës. Por në mediat e kontrolluara prej tij vazhdon të mbizotërojë një ton i hapur revanshist - pikërisht ashtu si kishte premtuar më 1997, kur me shikim nga Kroacia dhe Bosnja‑Hercegovina thoshte: kur partia e tij të vijë në pushtet në Serbi, “ne do të kujtojmë çdo ditë se ato territore janë toka jonë mijëvjeçare”.

Çfarë do të thonë këto fjalë sot? ShBA‑të, tri dekada më parë faktori vendimtar për ndaljen e luftërave në Ballkan, janë tërhequr ose madje i mbështesin nacionalistët e linjës së fortë në rajon. Evropianët nuk e mbushin zbrazësinë. Veterani serb i varrezave hebraike në Sarajevë i vëzhgon me kujdes këto zhvillime. Në sulmin e tij ndaj marrëveshjes së paqes në Bosnjë më 1995 ai kishte parashikuar: “Në fund, serbët do të ngrenë kokën dhe do t’i marrin tokat e tyre. Duhet vetëm edhe pak durim.” A është tani afër fundi i kësaj pritjeje?

Gazeta zvicerane “NZZ”: Paratë e taksapaguesve shqiptarë për Kanye West - reperi i skandaleve ndez edhe më tej zemërimin popullor kundër Edi Ramës

18 July 2026 at 13:32


Një koncert i muzikantit amerikan në Tiranë po kthehet në një katastrofë politike për kryeministrin Edi Rama, shkruan gazeta prestigjioze zvicerane “Neue Zürcher Zeitung”. Lëvizja protestuese ka kohë që ka kaluar pakënaqësinë fillestare.

Reperi amerikan i skandaleve, Kanye West, performoi të shtunën e kaluar në periferi të Tiranës - duke dhuruar një shfaqje prej më shumë se dy orësh në kurriz të taksapaguesve shqiptarë. Qeveria e kryeministrit Edi Rama i pagoi organizatorit privat të koncertit rreth 4.2 milionë euro, nga frika se ky i fundit mund të anulonte performancën e paralajmëruar me bujë të madhe për shkak të shitjeve të dobëta të biletave. Përmes një videoje në Facebook, kryeministri Edi Rama u shfaq dukshëm i irrituar dhe deklaroi se kjo ndihmë financiare shpëtoi Shqipërinë nga një turpërim i madh, shkruan “NZZ”.

Rama pretendoi gjithashtu se e dinte se kush e kishte fajin për rënien e shitjes së biletave: protestuesit e të ashtuquajturës "Revolucioni i Flamingove". Ai i akuzoi ata për shpifje dhe sabotim, duke thënë se përmes përhapjes së panikut po largonin fansat e muzikës. Prej javësh, në Shqipëri zhvillohen protesta të përditshme kundër qeverisë.

Shumë vende evropiane i kanë anuluar koncertet e Kanye West (i cili tani e quan veten Ye) për shkak të deklaratave të tij të përsëritura antisemite dhe raciste. Megjithatë, Rama, i cili njihet si pro-izraelit, urdhëroi ndërtimin e një stadiumi të përkohshëm të quajtur "Eagle Stadium" me një kapacitet prej 60’000 spektatorësh posaçërisht për këtë performancë. Ai besonte se po bënte një goditje të madhe marketingu, por kjo lëvizje i doli kundër.

Pasi u mor vesh se qeveria e tij i kishte tërhequr 4.2 milionë euro përmes një akti normativ urgjent nga Fondi i Emergjencave të buxhetit të shtetit shqiptar, shfaqja muzikore tashmë moralisht e diskutueshme u shndërrua në një skandal politik. Këto fonde janë të parashikuara në fakt për katastrofa natyrore të paparashikueshme, dhe përdorimi i tyre për të shpëtuar një koncert konsiderohet shkelje e ligjit.

Pas kësaj, opozita dorëzoi një padi në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ndaj Ramës dhe ministrit të tij të Kulturës për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tenderat publikë. Përveç shkeljes së ligjit, popullsia u revoltua veçanërisht nga arroganca e qeverisë së saj, e cila shpenzon para shtetërore për një koncert, ndërkohë që vendi vuan nga inflacioni i lartë dhe problemet strukturore. Manovra e Ramës erdhi në një moment mjaft të papërshtatshëm dhe tregon se sa shumë e ka humbur ai ndjeshmërinë ndaj atmosferës që mbretëron në popull. Ndihma financiare për koncertin e Kanye West ka ndezur sërish pakënaqësinë e thellë të shqiptarëve ndaj qeverisë së tyre.

Që nga fundi i majit, mijëra shqiptarë dalin në rrugë natë pas nate duke kërkuar dorëheqjen e Ramës. Shkëndija e kësaj vale protestash ishte një projekt turistik prej 4 miliardë eurosh i firmës së investimeve "Affinity Partners", në pronësi të dhëndrit të Donald Trump, Jared Kushner, në një zonë të mbrojtur natyrore në bregdetin e Adriatikut. Për të realizuar planet e ndërtimit, qeveria kishte hequr statusin e mbrojtur të zonës përmes një ndryshimi ligjor të diskutueshëm në vitin 2024. Ajo që nisi si një protestë e kufizuar mjedisore kundër projektit të ndërtimit, shpejt u zgjerua në një lëvizje të gjerë masive kundër sistemit politik. Si nga e majta ashtu edhe nga e djathta, qeveria akuzohet për korrupsion dhe abuzim med pushtetin.

Rama ka javë që reagon si i ofenduar dhe i palëkundur. Ai diskrediton protestuesit, duke i quajtur "agjentë të huaj" ose duke i fyer ata. Të martën, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Komisioneren e BE-së për Zgjerimin në Bruksel, ai premtoi papritur se do të rishikojë ligjin e diskutueshëm për zonat e mbrojtura, për ta sjellë atë në përputhje me standardet e BE-së. Rama synon ta anëtarësojë vendin e tij në BE deri në vitin 2030. Shqipëria është ndër vendet kandidate që ka ecur më tej me procesin e negociatave.

Çfarë nënkupton kjo përshtatje e paralajmëruar ligjore për projektin e Kushnerit mbetet e paqartë. Rama deri më tani nuk ka lënë asnjë dyshim se dëshiron t'i shkojë deri në fund këtij projekti. Ai e ka mbrojtur vazhdimisht planin e ndërtimit si një shans historik për promovimin e turizmit dhe si një bekim ekonomik për vendin.

Me të njëjtin argument ai justifikoi edhe pagesën prej rreth 4 milionë eurosh ndaj organizatorit të koncertit të Kanye. Në fund të fundit, sipas tij, pothuajse 25’000 vizitorë nga 80 vende të botës do të udhëtonin drejt Shqipërisë posaçërisht për këtë ngjarje. Ai pret të paktën 100 milionë euro të ardhura. Vëzhguesit e konsiderojnë këtë shifër si joreale, veçanërisht pasi sipas raportimeve të mediave shqiptare, shteti shpërndau falas biletat e panumërta të koncertit për të mbushur stadiumin.

Ai nuk arriti t'i bindë as protestuesit me këto argumente. Përmes zbulimeve të fundit nga agjencia e lajmeve Reuters, ata e shohin kritikën e tyre të konfirmuar. Agjencia e lajmeve ka pasur qasje në dosjet gjyqësore të SPAK-ut, e cila po heton mbi dyshimet për shpërdorim detyre dhe korrupsion lidhur me projektin e ndërtimit të Kushnerit.

Në këto dokumente, një afarist shqiptar me banim në SHBA dyshohet se ka falsifikuar titujt e pronësisë për një nga parcelat e tokës ku pritet të ndërtohet resorti. Ai ia kishte shitur tokën firmës së investitorëve në prill.

Ndaj këtij sipërmarrësi, SPAK ka nisur një padi për trafik ndërkombëtar droge, pastrim parash e falsifikim dokumentesh dhe ka lëshuar një urdhër-arresti. Sipas Reuters, ai akuzohet konkretisht se ka trafikuar kokainë nga Amerika e Jugut drejt Evropës dhe ka pastruar përfitimet në sektorin e pasurive të paluajtshme në Shqipëri. Padia me sa duket nuk përmban akuza kundër Kushnerit apo investitorëve të tjerë të përfshirë në resortin e luksit. I dyshuari i hedh poshtë të gjitha akuzat. Banorët e asaj zone bregdetare i kanë kontestuar prej vitesh në gjykatë pretendimet e këtij njeriu mbi tokën. /Telegrafi/

Një përgjigje për një lexues nga Serbia

17 July 2026 at 08:18


Le të flasin faktet kundër miteve, revanshizmit dhe manipulimeve. Vetëm kështu e kaluara nuk shndërrohet në barrë të përgjakshme dhe e ardhmja bëhet shans për një jetë në paqe e mirëqenie.

Lexova një shkrim të kolegut Idro Seferi lidhur me deklaratën problematike (në të vërtetë kriminale dhe raciste) të ministres serbe Snezhana Paunoviq mbi dëshirën e pashuar të saj për dëbimin e të gjithë shqiptarëve nga Kosova. Gazetari kosovar me banim në Beograd e përshkruan intervistën e Paunoviqit si një rrëfim nacionalist që mohon kontekstin e represionit ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe i paraqet ata si fajtorë për gjithçka që ka ndodhur. Madje, i akuzon se kanë inskenuar edhe krimet e Serbisë.

Idro Seferi tregon se politikania serbe, e lindur në Pejë, flet për një spastrim etnik hipotetik ndaj shqiptarëve, minimizon helmimet e nxënësve në fillim të viteve 1990 dhe anashkalon krejtësisht masakrat, viktimat civile, kolonat e refugjatëve dhe djegien e shtëpive në rrethin e Pejës dhe gjetiu në Kosovë.

Përballë rrëfimit të saj ksenofob, Seferi sjell kujtimet e veta familjare - motrën e helmuar, dhunën e policisë serbe ndaj babait të tij, të rinjtë e vrarë gjatë ikjes drejt Shqipërisë - për të treguar se realiteti i shqiptarëve nuk mund të reduktohet në shpifje si ato të Snezhana Paunoviqit. Ai nënvizon se ministrja nuk flet për heqjen e autonomisë së Kosovës, për sistemin paralel arsimor dhe për qindra civilë të vrarë në komunën e Pejës, ndërsa thekson se çdo viktimë civile duhet të nderohet. Autori thekson se, megjithëse e kaluara nuk mund të ndryshohet, shoqëria mund të zgjedhë të mos e ndërtojë të ardhmen mbi mohimin e vuajtjes së tjetrit, por mbi empatinë dhe bashkëjetesën, duke shpresuar për një Ballkan ku askush nuk detyrohet më të shpërngulet për shkak të etnisë.

Siç ndodh në raste të tilla, reagimet e lexuesve në rrjetet sociale janë të shpejta. Disa pajtohen me autorin, disa nuk pajtohen, disa bëjnë propagandë. Njëri prej tyre, me emrin Aleksandar Barba Nikoliq, ankohej se në tekstin e Idro Seferit nuk qenkan përmendur, siç thotë ai, spastrimet etnike të kryera nga shqiptarët ndaj serbëve dhe veprimet separatiste gjatë një periudhe gati njëqindvjeçare. Ai i akuzon shqiptarët për bashkëpunim me Italinë fashiste, për refuzim të bashkëjetesës me serbët dhe për përdhosje të kishave e manastireve serbe. Në të njëjtën kohë, e paraqet veten dhe serbët si antifashistë, fitues në dy luftëra botërore dhe të gatshëm të jenë fitues edhe në një luftë të tretë, nëse ajo ndodh. Lexuesi nga Serbia thekson se serbët do të presin aq gjatë sa të jetë e nevojshme, por se një ditë do ta rikthejnë Patrikanën e Pejës si hapësirë të tyre “të lirë”.

Vendosa t'i korrigjoj disa nga pretendimet e Aleksandar Barba Nikoliqit, duke qenë i bindur se nuk do të ndryshoj asnjë nga bindjet e tij. Sepse, siç thuhet, ata që janë të bindur nga propaganda zor se binden edhe kur e vërteta u servohet në tabak argjendi. Sidoqoftë, më poshtë e gjeni përgjigjen time për Aleksandar Barba Nikoliqin. Teksti është shkruar në serbisht dhe ky është versioni i përkthyer në shqip:

Në komentin tuaj përpiqeni ta shndërroni një histori skajshmërisht komplekse në një narrativë të vetme, lineare, të “viktimës serbe”, gjë që bie ndesh me faktet relevante dhe me historiografinë serioze. Nëse vërtet dëshironi të flisni për “spastrime etnike”, duhet të pranoni se gjatë shekullit 20-të, e sidomos në vitet 1998-1999, u zbatua një fushatë sistematike dëbimi ndaj shqiptarëve të Kosovës. Raportet e UNHCR-it flasin për rreth 800’000 shqiptarë të dëbuar, ndërsa krimet e shumta kundër civilëve janë dokumentuar hollësisht nga organizata si Human Rights Watch dhe janë trajtuar në proceset para Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë (ICTY). Këto nuk janë “interpretime”, por fakte të verifikuara në dokumente shtetërore dhe në vendime të gjykatave ndërkombëtare.

Kur flisni për “racizëm” dhe “spastrime”, duhet të ballafaqoheni edhe me traditën e deklaratave haptazi raciste dhe me planet e politikës serbe ndaj shqiptarëve dhe popujve të tjerë. Qysh në fund të shekullit 19-të, kryeministri serb Vlladan Gjorgjeviq miratoi, më 1897, një urdhëresë me fuqi ligji që ndalonte hyrjen e “ciganëve dhe malazezëve” në Serbi dhe urdhëronte kthimin e tyre “pa asnjë konsideratë” nga kufiri. Në të njëjtin horizont politik, shqiptarët paraqiten rregullisht si “inferiorë” në kuptimin e qytetërimit, si një trup i huaj, gati i dehumanizuar.

Në shekullin e 20-të ky kontinuitet kalon nga fjalët në plane sistematike. Memorandumi i Vaso Çubrilloviqit "Iseljavanje Arnauta" (Dëbimi i arnautëve) i vitit 1937 i propozon qeverisë së Beogradit deportimin masiv të shqiptarëve si “zgjidhjen e vetme”. Çubrilloviqi flet qartazi për nevojën që “t’u bëhet jeta sa më e vështirë arnautëve”, rekomandon “ndjekje për shkeljet më të vogla”, diskriminim ekonomik, djegie fshatrash dhe lagjesh shqiptare, konfiskim toke dhe përdorimin e ushtrisë e të xhandarmërisë për t’i detyruar shqiptarët të shpërngulen në Shqipëri ose në Turqi. Dokumente parlamentare britanike dhe studime të reja (p.sh. analizat mbi marrëveshjen jugosllavo-turke) tregojnë se elemente të këtyre planeve u zbatuan realisht: presion policor, kufizim i pronësisë tokësore dhe marrëveshje me Turqinë për shpërnguljen e dhjetëra mijëra shqiptarëve myslimanë.

Pas vitit 1945, represioni nuk zhduket, por thjesht ndërron ambalazhin ideologjik. Aleksandar Rankoviqi, si shef i shërbimit sekret jugosllav dhe figurë kyçe e politikës serbe, krijon një shtet policor në Kosovë me arrestime masive, tortura, procese të montuara politike, çarmatosje selektive të shqiptarëve, emërim sistematik të jo-shqiptarëve në postet kryesore shtetërore dhe në ekonomi, si dhe përjashtim të shqiptarëve nga institucionet, ekonomia dhe jeta publike. Burime të shumta, përfshirë raportimet e shtypit jugosllav dhe analizat e reja akademike, përshkruajnë qindra të vrarë gjatë hetimeve, mijëra të burgosur e të sakatosur dhe një atmosferë permanente terrori nga viti 1945 deri në rrëzimin e Rankoviqit më 1966.

Sa i përket Luftës së Dytë Botërore, përpjekja për t'i paraqitur serbët vetëm si antifashistë është po aq ahistorike sa pretendimi se shqiptarët ishin vetëm kolaboracionistë. Është e vërtetë që një pjesë e shqiptarëve ka bashkëpunuar me pushtuesit italianë e gjermanë; po aq e vërtetë është se shumë shqiptarë iu bashkuan rezistencës partizane, përfshirë edhe Kosovën. Në Serbi, ndërkohë, ekziston një kolaboracionizëm i dokumentuar mirë: qeveria e Millan Nediqit, lëvizja e Dimitrije Lotiçit, si dhe segmente të lëvizjes çetnike të Drazha Mihajlloviqit, të cilat në faza të ndryshme kanë bashkëpunuar me okupatorin dhe kanë marrë pjesë në krime ndaj joserbëve, por edhe ndaj vetë serbëve. Vetë burimet gjermane shënojnë se Beogradi më 1942 u shpall “judenfrei” - “i pastruar nga hebrenjtë” - gjë që flet për një shkallë të lartë bashkëpunimi lokal në Holokaust. Kjo nuk i mohon sakrificat reale të shumë serbëve në lëvizjen partizane. Vetëm tregon se asnjë komb nuk ka monopol mbi statusin e viktimës apo të antifashistit.

Narrativa për një “të drejtë të përjetshme, ekskluzive” mbi territorin është një mit politik, jo kategori e së drejtës ndërkombëtare. Kosova historikisht ka qenë një hapësirë shumetnike nën sundime të ndryshme perandorake dhe me migrime të vazhdueshme. Manastiret mesjetare serbe janë, pa dyshim, pasuri e madhe kulturore dhe simbolike, por në të drejtën ndërkombëtare bashkëkohore ato nuk mjaftojnë për të pretenduar sovranitet, ashtu siç askush tjetër nuk mund të kërkojë territore vetëm mbi bazën e monumenteve të shekujve të mesjetës.

Për periudhën pas vitit 1999 është e vërtetë se ka pasur sulme ndaj kishave dhe manastireve serbe, veçanërisht gjatë dhunës së marsit 2004, dhe kjo është për t’u dënuar pa asnjë rezervë. Por rrëfimi për një “spastrim etnik të pandërprerë të serbëve” injoron faktin e dokumentuar se shqiptarët kanë qenë për dekada objekt diskriminimi, represioni dhe planeve për dëbim masiv - nga memorandumi i Çubrilloviqit dhe marrëveshjet me Turqinë, përmes politikës së Rankoviqit, e deri te shfuqizimi i autonomisë, spastrimi administrativ dhe represioni i regjimit të Millosheviqit në vitet 1980-1990.

Argumenti mbi Kushtetutën e Serbisë nuk i ndryshon faktet politike dhe as kornizën ndërkombëtare. Kosova është njohur nga më shumë se 100 shtete dhe funksionon si sistem i veçantë politik e institucional prej më shumë se dy dekadash. Parimi i vetëvendosjes së popujve, i aplikuar në shpërbërjen e Jugosllavisë për Slloveninë, Kroacinë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Maqedoninë, nuk mund të shpallet i vlefshëm vetëm aty ku i përshtatet Beogradit dhe i pavlefshëm në rastin e Kosovës.

Në fund, retorika e “luftës së tretë”, “mijëvjeçarit të pritjes” dhe “kthimit përfundimtar” nuk është shenjë force, por mungesë vizioni për të ardhmen. Kush e merr seriozisht antifashizmin nuk mund të mbajë gjallë mitologji të pastërtisë etnike, revanshizëm territorial dhe koncepte të fajit kolektiv. Kjo nënkupton të pranosh se edhe shteti yt dhe elitat e tua kanë prodhuar plane haptazi raciste dhe politika brutale represioni. Ballkani nuk vuan nga mungesa e historisë; ajo që i mungon është guximi politik për ta parë atë pa amnezi selektive.

Nata do të bëhet ditë - dhe kundër Argjentinës nuk luan vetëm Zvicra, por edhe një pjesë e historisë së Kosovës

11 July 2026 at 20:59


Zvicra në çerekfinale - kjo është më shumë se lojë. Një ese mbi artin e futbollit, triumfin në fushë dhe zhurmën jashtë saj; mbi një ëndërr që duhej të fillonte në Suedi, por u kurorëzua në Basel të Zvicrës; dhe mbi një koftor, rreth të cilit një djalë i vogël vraponte për t'u ngrohur.

1.

Ishte rastësi që Granit Xhaka u lind në Basel të Zvicrës. Prindërit e tij e kishin ndërmend të emigronin në Suedi. U ndalën për disa ditë te të afërmit e tyre në Basel, në këtë metropol të Zvicrës veriore. Dhe mbetën përgjithmonë në këtë pjesë të Zvicrës. Kur u lind Xhaka, Xherdan Shaqiri gati kishte mbushur një vit. I lindur në Gjilan, edhe Xherdani, si mijëra fëmijë të Kosovës, në fillim të viteve 1990 erdhi në Zvicër, afër Baselit, aty ku babai i tij punonte si argat. Në të vërtetë nuk erdhi vetëm, por pjesa tjetër e familjes iu bashkua babait në Zvicër. Jetonin në një banesë të vogël, pa ngrohje qendrore; kishte vetëm një koftor. Në një intervistë Xherdani ka treguar se, meqë në banesë shpesh ishte ftohtë, ai vraponte andej-këndej nëpër dhoma për t’u ngrohur. Nga këtu, me gjasë, dëshira e tij për të luajtur futboll, krahas përkrahjes nga babai, i cili po ashtu ishte më shumë se entuziast i futbollit.

2.

Nesër në mëngjes, në orën 03:00, Zvicra do të luajë kundër Argjentinës në çerekfinalen e Kampionatit Botëror të Futbollit. Këtë sukses Zvicra e ka pritur 72 vjet - për herë të fundit në çerekfinale është kualifikuar më 1954. Bota ishte krejt ndryshe atëherë, edhe futbolli; ndeshjet transmetoheshin në radio, rrallëkush kishte televizor. Gjermania u bë kampione në Bern (mposhti Hungarinë) dhe kjo fitore i dha aq vullnet shoqërisë gjermane, saqë pastaj filloi edhe mrekullia ekonomike gjermane. Një dekadë më herët Gjermania ishte nën rrënojat e krimeve e shkatërrimeve të shkaktuara nga nazizmi. Gratë në Zvicër nuk kishin të drejtë vote (më 1954). As nuk mund të kandidonin për poste politike. Suksesi historik i Zvicrës në vitin 2026 ka të bëjë edhe me kontributin e madh të sportistëve me origjinë nga viset shqiptare, futbollistë si Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri, Valon Behrami, Blerim Xhemaili, Admir Mehmedi e shumë të tjerë.

3.

Prania e futbollistëve me origjinë shqiptare në kombëtaren e Zvicrës nuk ka kaluar përherë pa tensione. Fansat shqiptarë ua kanë zënë për të madhe që nuk vendosën të luajnë për Kosovën, ndonëse kur Xhaka e Shaqiri filluan karrierën si profesionistë, Kosova nuk ishte anëtare e UEFA-s dhe FIFA-s. Ka fansa të tjerë që thonë se ata do të kishin mundur të vendosnin të luanin për Shqipërinë. Këto janë akuza të padrejta. Xhaka, Shaqiri dhe të tjerët që janë rritur dhe përgatitur si futbollistë në Zvicër janë jo vetëm shtetas zviceranë, por edhe shembuj pozitivë të integrimit në shoqërinë e re, e cila është atdheu i tyre. Ndonjë gjaknxehti ndër shqiptarë kjo mund të mos i pëlqejë, por nuk je më pak (mbase as më shumë) patriot nëse luan për Zvicrën. Vetë Xhaka e tha këto ditë: “Është privilegj që pata mundësinë ta vesh këtë fanellë për herë të 150-të. Ky vend (Zvicra), në të cilin kam lindur dhe jam rritur, i ka dhënë shumë familjes sime. Shpresoj që kjo të mos mbetet ndeshja ime e fundit”.

4.

Keqkuptime, mosdurim e tensione ka pasur edhe nga ana e disa qarqeve konservatore në Zvicër. Disa nuk mund të pajtohen që shoqëria ka ndryshuar, është bërë më diverse dhe jo të gjithë lojtarët mund të kenë mbiemrat Meier dhe Müller. Shumë futbollistë me origjinë jovendore kanë kaluar nëpër përvoja shpesh të pakëndshme. Romelu Lukaku i Belgjikës ka thënë se kur luante mirë, lavdërohej si sulmues belg. Kur ndeshjet nuk përfundonin me rezultat të mirë, ai ishte një sulmues belg me origjinë kongoleze. Karim Benzema ka thënë: “Nëse shënoj, jam francez. Nëse nuk shënoj, jam arab”. Mesut Özil ka lënë këtë fjali: “Jam gjerman kur fitojmë, por jam emigrant kur humbasim”. (Özil përfundoi në prehrin e presidentit autokratik turk, nuk ishte vendimi më i mirë i jetës së tij).

Kur më 2018 Zvicra e mposhti Serbinë në Kaliningrad me golat e Xhakës dhe Shaqirit, dy lojtarët me origjinë nga Kosova, të përkrahur edhe nga futbollistë të tjerë, imituan me gishta shqiponjën dykrenare. Mediat propagandistike serbe humbën kontrollin duke gënjyer se bëhej fjalë për një gjest nacionalist. Për fat të keq, këtë përrallë e besuan edhe disa media zvicerane. Por kishte dhe ka gazetarë seriozë zviceranë që nuk ranë në kurthin e ngritur nga zhurmaxhinjtë nga Beogradi. Megjithatë, një pakicë publicistësh zviceranë e sulmon vazhdimisht Xhakën, sepse u pengon “mentaliteti” i tij kryengritës dhe ajo “afera me shqiponjë”. Nuk është rastësi që ata publicistë zviceranë që e sulmojnë Xhakën janë edhe mbështetësit më të mëdhenj të Vladimir Putinit, Aleksandar Vuçiqit dhe kundërshtarët më agresivë të pavarësisë së Kosovës. Përkundër këtyre zërave, Granit Xhaka vazhdon të jetë futbollisti më i mirë në historinë e Zvicrës. Një shqiptar i helvetizuar (domethënë i integruar), që në çdo betejë futet i pamëshirshëm dhe i etur për sukses. Nuk kursen asgjë për kombëtaren e Zvicrës. Sonte, kur nata do të bëhet ditë, kundër Argjentinës nuk luan vetëm Zvicra, por edhe një pjesë e historisë së Kosovës.

5.

41 për qind e njerëzve që jetojnë në Zvicër kanë prejardhje të huaj. “Në kantonin e Zürichut kjo shifër është 47 për qind, ndërsa në Gjenevë arrin deri në 66 për qind”, shkruan gazeta “Tages Anzeiger”. A mund ta bashkojë edhe më shumë shoqërinë zvicerane suksesi i kombëtares së Zvicrës? “Tages Anzeiger” e ka pyetur Artan Islamajn. Ai është bashkëdrejtor i Institutit “Zvicra e Re” (Institut Neue Schweiz), i cili angazhohet për një Zvicër të larmishme. Ai e sheh atmosferën aktuale në Zvicër si mjaft të bukur, por shton gjithashtu: “Pranimi i zviceranëve me prejardhje migrimi në Zvicër vazhdon të jetë ende i varur nga suksesi. Pjesë e shoqërisë bëhesh vetëm nëse sjell rezultate”.

Por momentalisht është duke mbizotëruar vetëm gëzimi dhe entuziazmi. Shumë qytete u kanë lejuar restoranteve të punojnë gjithë natën. Pak njerëz do të flenë sonte në Zvicër. Nuk ka ndarje mes Zvicrës franceze dhe asaj gjermane, mes botës urbane dhe fshatarëve apo mes emigrantëve dhe zviceranëve. Humoristi nga Zvicra frankofone, Charles Nouveau, i tha “Tages Anzeiger”: “E vetmja ndarje që ekziston ende në vend, është ajo midis atyre që zgjohen për ndeshjen dhe atyre që nuk shkojnë fare për të fjetur”. Kur zviceranët bëjnë humor në llogari të tyre, ata citojnë shkrimtarin Friedrich Dürrenmatt, i cili ka thënë: “Është bukur të lindësh zviceran; është bukur të vdesësh zviceran. Por çfarë bën ndërkohë? Përgjigjja ime është në mënyrën zvicerane. Këtë ndërkohë e kaloj me punë”. Po të ishte gjallë, Dürrenmatt do ta ndërronte mendimin, do të vishte një dres të Zvicrës dhe do të valëviste një shall me kryq të kuq (ky ishte një test, sepse kryqi i flamurit të Zvicrës është i bardhë). Dürrenmatt ishte adhurues i madh i futbollit, sidomos i ekipit Neuchâtel Xamax dhe i ndiqte ndeshjet nga tribuna me teleskop. Për të, futbolli ishte më shumë se sport: ai e shihte si një formë teatri, me fushën si skenë dhe lojtarët si aktorë.

6.

Aktorët kundërshtarë të Zvicrës sonte (apo nesër?) janë argjentinasit. Qe një shembull sa i përket aktrimit latinoamerikan. 22 qershor 1986, stadiumi i futbollit në qytetin e Meksikos. Në çerekfinale luan Argjentina kundër Anglisë. Katër vite më parë Argjentina kishte humbur luftën për ishujt Malvinas ose Falkland kundër Britanisë së Madhe. Skena në minutën e 51-të të ndeshjes ka hyrë në historinë e botës; ka edhe një shënim në Wikipedia mbi “Dorën e Zotit”: Diego Maradona bëhet sikur po godet topin me kokë dhe shënon gol me dorë. Dhe goli u pranua. Por katër minuta më vonë Maradona dëshmoi gjenialitetin e tij. Rrëmbeu topin dhe filloi një sllallom prej 60 metrash, thua se ishte slloveni Bojan Krizhaj. Në librin gazmor “Gebrauchsanweisung für Argentinien” (Doracak për Argjentinën), gazetari gjerman Christian Thiele e ka dokumentuar komentin e gazetarit sportiv argjentinas Víctor Hugo Morales kur Maradona shënoi golin e dytë: “Tani ai mund të pasonte te Burruchaga, jo, përsëri Maradona, gjenial! gjenial! gjenial! ta-ta-ta-ta-ta-ta-ta... dhe gooooool... goooool... Dua të qaj! Zot i shenjtë! Rroftë futbolli! GOL I JASHTËZAKONSHËM! Diego! Maradona! Më vjen për të qarë, më falni. Maradona, në një vrapim të pabesueshëm, në aksionin më të mirë të të gjitha kohërave! Ti dragua kozmik, nga cili planet ke ardhur te ne?”

Por viti 1986 është shumë i largët. Tani jemi në vitin 2026. A është Lionel Messi dragoi kozmik i Argjentinës, pasardhës i denjë i Maradonës? E sigurt është një gjë: çdo dragua mund të dështojë nën kthetrat e shqiponjës. Le të lavdërohen sa të duan argjentinasit se hanë më së shumti mish për banor, se kanë ujëvarat më të mëdha, akullnajën më të madhe, malin më të lartë jashtë Azisë në botë (Aconcagua, 6960 metra), rrugën më të gjerë në botë (Avenida 9 de Julio), rrugën më të gjatë në botë (Avenida Rivadavia).

Zvicra e ka Xhakën. I ka edhe disa përparësi të tjera. Por edhe ky shkrim duhet të ketë një fund. Ftohni birrat. “Hopp Schwiiz”./Telegrafi/

Kur zviceranët vranë një elefant

11 July 2026 at 17:15


Shënime nga ecjet në Zvicër (5): Në vitin 1866, në qytetin Murten afër Bernit, erdhi për të performuar cirku shëtitës amerikan “Bell & Myers”. Me vete kishte edhe dy elefantë. Njëri prej tyre humbi kontrollin, mbyti kujdestarin e tij dhe vetëm ushtria e Zvicrës ia doli ta ndalte – me një top.

Në kantonin e Freiburgut (ose: Fribourg), vendbanimet kanë nga dy toponime: gjermanisht dhe frëngjisht. Në këtë trevë bota gjermanishtfolëse zvicerane kalon në botën frëngjishtfolëse. Rrjedhimisht, Freiburgu është kanton dygjuhësor. Kantoni ka qasje në dy liqene (Neuenburgersee dhe Murtensee). Afër, por në kantonin e Bernit, gjendet Bielersee.


Murten tërheq vizitorët me qytetin e tij të vjetër pitoresk, kalldrëmet dhe shëtitoren e bukur buzë liqenit. (Për historinë e elefantit të paralajmëruar në titull, pak më vonë në këtë tekst). Aty pranë Murtenit gjenden vreshtat e rajonit Vully. Në 160 hektarë kultivohen e vilen mbi 26 lloje rrushi. Është i vetmi rajon i verës në Zvicër që shtrihet në dy kantone të ndryshme (Vaud dhe Fribourg).

Me 653 metra lartësi, kodra Mont Vully është simboli i rajonit me të njëjtin emër, “Le Vully”, që shtrihet midis liqenit të Neuchâtelit dhe atij të Murtenit. Vully shtrihet si në territorin e Fribourgut, ashtu edhe në atë të Vaudit.

Në atë ditë gushti të vitit të kaluar, kur kapërceva në këtë pjesë në këmbë, rrushi ishte pjekur tashmë. Joshja ishte e madhe, e parezistueshme, për të shijuar kokërr pas kokrre. Pastaj, pak përpjetë, pak teposhtë, pak lëndinave, pak pranë një kanali me ujë, arrita te liqeni i Neuchâtelit ose Neuenburg, siç i thonë folësit e gjermanishtes.

Në stacionin e trenit në Bern, mes tollovisë së mbrëmjes, rrëmujës së të premtes, ngutisë së njerëzve për t’u kthyer në shtëpi për fundjavë, ecte drejt trenit ministri zviceran i Drejtësisë. I qetë, pa truproje, pa valixhebartës, pa skena, pa krekosje, pa rrahagjokësi. Ministër, por edhe njeri. I barabartë me të gjithë.

Tollovia ishte edhe më e madhe në tren. Mes pasagjerëve kishte shumë ushtarë zviceranë; edhe ata ktheheshin në shtëpi. Disave prej tyre, në anën e majtë të gjoksit, u shiheshin mbiemrat nga Kosova. I mbanin në duar pothuaj të njëjtat armë si disa prindër të tyre dikur, por me një dallim të madh: ata – prindërit – më 1998 dhe 1999, me armë të tilla, qenë nisur drejt Shqipërisë për të hyrë në Kosovë në betejën finale për liri.

Nga çdo ecje, njeriu merr me vete disa rrëfime. Nga Murten mora me vete një histori me elefant. Në verën e vitit 1866, cirku amerikan “Bell & Myers” performoi në Murten. Kishte marrë me vete edhe dy elefanë aziatikë. Interesimi qe i madh; banorët po shihnin për herë të parë elefantë. Të nesërmen ndodhi hataja. Popullsia u alarmua me lajmin se elefanti mashkull kishte vrarë kujdestarin e tij dhe po bënte kërdinë nëpër qytet. I madh e i vogël u mobilizuan për ta frenuar elefantin dhe, dikur, pas shumë përpjekjesh, ia dolën ta ngujonin në një stallë. Por elefanti s’qetësohej, andaj u mor vendim për ta vrarë. Por elefanti nuk vritet me gurë. As me shigjetë. Mbase as me pushkë gjuetie. Përgjegjësit e qytetit kërkuan nga depoja e armëve të ushtrisë në Freiburg dy topa me municion, të cilët mbërritën në orën 11:00. Pas pak elefanti u neutralizua dhe mbeti i shtrirë për tokë. Predha që e vrau elefantin është e ekspozuar në Muzeun e Murtenit, ndërsa skeleti i elefantit në Muzeun e Historisë së Natyrës në Bern. Ka një rrugicë në Murten që e kujton elefantin; quhet Elefantengasse.

Veterinerët dhe historianët e sotëm kanë një shpjegim se përse u çmend elefanti aziatik i trupës amerikane të cirkut. Sipas tyre, elefanti ndodhej në të ashtuquajturën gjendje “Musth”, një situatë e jashtëzakonshme hormonale që i bën elefantët meshkuj jashtëzakonisht agresivë për shkak të një rritjeje masive të nivelit të testosteronit.

Zviceranët nuk e lanë të shkonte dëm elefanti. Dy kasapë vendorë ia rropën lëkurën dhe e copëtuan për t’ia shitur mishin popullatës. Nga elefanti u bë një çorbë. Thonë se ishte e shijshme, por mishi nuk përtypej lehtë.

Në zemrën e Zvicrës: 30 kilometra në këmbë - nga Luzerni në Sursee, gati 8 orë për të menduar, dëgjuar, lexuar

9 July 2026 at 08:11


Shënime nga ecjet në Zvicër (4).

Herët në mëngjes, kur sapo kishte nisur dita e shtunë, njëra nga të shtunat e vitit, arrita në Luzern. Natyrisht me tren. Me tren zviceran! Ata që i kanë lexuar tekstet e mia rregullisht e dinë arsyen pse po e nënvizoj: “tren zviceran”!

Në stacionin e trenit nuk shiheshin shumë njerëz që do të dilnin për të ecur nëpër kodra, male e alpe zvicerane - ose të paktën kështu më dukej. Alpinistët bien në sy me veshje me ngjyra të ndezura. Dhe kjo ka një arsye: në rast rreziku dallohen nga larg falë ngjyrave, për shembull e kuqja sinjalizuese.

Në stacionin e trenit në Luzern shumica e miletit vraponte për të kapur trenin e radhës. Temperatura rreth zeros apo nën zero. Ishte vjeshtë e vonshme. Pasi bleva disa ushqime në një dyqan të stacionit, vazhdova rrugën përgjatë lumit Reuss.

Promenada buzë lumit, shtëpitë në anën përballë, diga e vogël dhe natyrisht ura e famshme Kapellbrücke ia marrin njëra-tjetrës bukurinë. Ura u ndërtua në shekullin e 15-të si pjesë e fortifikimeve të qytetit. Një pjesë e madhe e saj u shkatërrua nga një zjarr në vitin 1993, por u rindërtua brenda tetë muajsh.

Nga larg shihej hoteli “Schweizerhof”, i cili më kujtoi një kohë të shkuar, para dy dekadave. Atëbotë qeveria zvicerane organizonte në këtë hotel takime mes politikanëve të Kosovës, të shqiptarëve të Maqedonisë dhe politikanëve serbë. Ishte një iniciativë e mbështetur nga një organizatë amerikane, ndërsa Zvicra e financonte. Politikanë të ndryshëm vinin këtu, kalonin mirë në hotelin e jashtëzakonshëm, edhe pse rezultate konkrete nuk dukeshin askund. Megjithatë, ishte një periudhë kur politikanë shqiptarë dhe serbë rrinin së bashku në një hapësirë të përbashkët, 4-5 vite pas luftës së Kosovës dhe 2-3 vite pas luftës në Maqedoni.

Më kujtohet njëri nga këshilltarët e kryeministrit të atëhershëm serb, Vojisllav Koshtunica, i cili e pyeti Arben Xhaferin:

“Zotëri Xhaferi, jeni mysliman apo katolik?”

Kjo pyetje tregonte dijen e kufizuar që një pjesë e elitave serbe kanë për shqiptarët - si për identitetin e tyre etnik ashtu dhe fetar. Në Prizren apo Gjakovë ndoshta mund të kishte njëfarë kuptimi të pyesje dikë nëse je katolik a mysliman, por për dikë nga Tetova ishte pyetje absurde. Shkuam te bari i hoteli me Arben Xhaferin dhe ia plasëm një të qeshure mbi këshilltarin injorant të Koshtunicës. “Nesër me siguri do të më pyes se pse di serbisht kaq mirë”, tha Arbën Xhaferi me ironi.

Në një nga ato samite shqiptaro-serbe në Luzern, ku merrnin pjesë edhe politikanë zviceranë si ministri i jashtëm Joseph Deiss, u shfaq edhe kryeministri i Shqipërisë së atëhershme, Fatos Nano. Ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Xhoana, me të cilën sapo ishte martuar. Për një moment, vëmendja e politikanëve ballkanikë u zhvendos krejtësisht nga çështjet politike; të gjithë u mblodhën rreth tavolinës ku u ul Nano me gruan, sepse dëshironin “ta shihnin nusen”.

Kaq sa i përket parave të taksapaguesve zviceranë të investuara për pajtimin shqiptaro-serb.

Pas këtyre mendimeve mëngjesore, vazhdova ecjen nëpër disa fshatra zvicerane. Terreni ishte i rrafshët, i këndshëm. Kalova pranë aeroportit ushtarak në Emmen, afër Luzernit, dhe më tej drejt qytezës së bukur Rothenburg, me shtëpitë e saj të vjetra, sheshe të rregulluara, rrugë të pastra dhe restorante me emra kafshësh: Luani, Demi, Kaprolli, e kështu me radhë. Vazhdova deri në Sempach, një vend me rëndësi të madhe historike, sepse këtu është zhvilluar një betejë shumë e rëndësishme në vitin e largët 1386, tre vite para Betejës në Gazimestan.

Beteja e Sempachut (9 korrik 1386) ishte një përleshje vendimtare midis Habsburgëve dhe Konfederatës së Zvicrës në rritje e konsolidim e sipër. Duka Leopoldi i III-të kërkonte të forconte kontrollin e tij mbi territoret midis Tirolit dhe tokave pranë Alpeve, por u përball me rezistencën e Luzernit dhe kantoneve aleate. Kur ushtria habsburgase marshoi drejt Sempachut, zviceranët u organizuan shpejt nën drejtimin e Petermann von Gundoldingen dhe arritën një fitore të qartë. Rrjedha e saktë e betejës mbetet e paqartë, pasi burimet primare janë të pakta; më vonë u krijua legjenda e Arnold Winkelriedit, i cili thuhet se u sakrifikua vullnetarisht dhe ndikoi në fitoren e zviceranëve.

Humbjet habsburgase ishin të rënda, përfshirë vdekjen e Leopoldit të III-të dhe shumë fisnikëve. Fitoret e Konfederatës së Zvicrës dobësuan ndikimin habsburgas dhe i lejuan qyteteve si Luzern, Bern dhe Solothurn të zgjerojnë territorin. Kujtimi i betejës mbetet i gjallë në Zvicër, një kishëz e ndërtuar pas përleshjes ende është atraksion jo vetëm turistik.

Rreth orës dy pasdite, në bregun e liqenit të Sempachut, u përballa me dilemën nëse duhet të ndalem këtu, të marrë autobusin dhe të kthehem në shtëpi. Ose të vazhdoj. Vendosa të eci deri në fund të shtegut të ditës, i cili filloi në Luzern dhe mbaron në Sursee - gjithsej 30 kilometra. Po, 30 kilometra!

Teksa e diktoj këtë tekst, jam afër Sursees, që do të thotë se pothuajse i kam përfunduar 30 kilometrat e parapara. Rruga ishte shumë e bukur, sidomos pjesa nga Sempach deri në Sursee, që kalon pranë liqenit, ku shihen shpendë të ndryshëm që pluskojnë në ujë ose fluturojnë mbi ujë.

Ecje të tilla të gjata, 7-8 orëshe, janë një mundësi e mirë për t’i telefonuar miqve të ndryshëm. Edhe sot i “shqetësova” disa nga rrethi im - për biseda të rëndësishme e të parëndësishme, thjeshtë për llafe (jo të kota).

Ndonjëherë, në raste të tilla, dëgjoj edhe libra. Në këtë udhëtim dëgjova një libër për pasionin që shkrimtari gjerman Thomas Mann kishte për detin. Është e pabesueshme sa shumë libra janë botuar në dekadat e fundit për familjen Mann. Gazeta gjermane “Die Zeit” madje e ka quajtur “familje mbretërore gjermane”. Britanikët kanë familjen e tyre mbretërore, Windsorët; gjermanët, pasi nuk kanë mbret, kanë familjen Mann - aristokratë nga rrethina e Hamburgut dhe me biografi jashtëzakonisht interesante, shkrimtarë të mëdhenj, figura tragjike që bëjnë vetëvrasje, homoseksualë (të hapur apo të fshehur, si Thomas Manni, patriarku i familjes). “Ne jemi një bashkësi e nderuar, por secili ka një dërrasë mangu”, vuri re Thomas Mann që në vitin 1942.

Përveç Thomas Mannit, edhe vëllai i tij, Heinrich Mann, ishte shkrimtar shumë i rëndësishëm. Është interesant fakti që Heinrich Mann dhe Albert Einstein kanë botuar së bashku një letër proteste në “New York Times”, pas vrasjes së albanologut Millan Shufllaj në Zagreb, më 1931, nga shërbimi sekret i Jugosllavisë së atëhershme.

Arrita të dëgjoj rreth 20-30 faqet e para të librit (ndërkohë edhe ky libër është lexuar). Është i mbushur me detaje të jetës së Mannit, të cilat pastaj i gjen të reflektuara në romanet e tij. Të gjitha këto biseda, telefonata, libra - nuk kanë lidhje me politikën ditore. Në fakt, dëgjimi i një libri të mirë, larg politikës, është një formë arratie nga çmenduria e politikës botërore, ku çdo ditë pritet të vendoset fati i Ukrainës, e cila po përballet me një ultimatum të ri për të dorëzuar dinjtetin dhe territorin.

Libri për Thomas Mannin që po dëgjoja përshkruan sesi familja Mann udhëtonte me tren nga Müncheni drejt Detit të Veriut. Buzë detit, Mann mban për dore vajzën Elisabeth dhe njërin nga tre djemtë e tij; vëmendje i kushton sidomos Elisabethës, e cila bën vazhdimisht pyetje, ndërsa Thomas Mann i përgjigjet me një elegancë të mrekullueshme e plot mirëkuptim.

Pastaj në radion publike gjermane dëgjova një kronikë interesante nga Singapori, ku qyteti planifikon të mbjellë mbi një milion pemë për të përballuar temperaturat gjithnjë e më të larta si pasojë e ndryshimeve klimatike. Dhe mendova: sa pemë janë mbjellë në Prishtinë në 25 vitet e fundit? Ndërsa llogaris ndërtimet e shumta, betonizimin, kaosin, rritjen e popullsisë, papastërtinë, kolonat e makinave që vijnë çdo ditë nga rrethina në kryeqytet, e kupton se qyteti ka ndryshuar shumë. Por si ka ndryshuar?

Kur largohem nga Prishtina, më pëlqen të udhëtoj me autobus; më duket si një ekspeditë sociale. Zakonisht, sheh studentë, të moshuar dhe ndonjë nënë me fëmijën e saj që kthehet nga ndonjë kontroll mjekësor në Prishtinë.

Gjendja në autobusë ka ndryshuar, kjo është përshtypja ime aspak reprezentative. Para 10 vitesh, autobusët të “terrorizonin” me muzikë të viteve 90-të - një përzierje tallavash, vajtimesh pseudo-patriotike dhe arabeskash të zhurmshme. Tani nuk ndodh më. Arsyeja është e qartë: të gjithë kanë telefona dhe kufje. Secili dëgjon çfarë të dojë - muzikë, podcast, libra. Me sa duket, edhe kompanitë e transportit e kanë kuptuar këtë. Nuk më ka rastisur prej vitesh të hip në autobus që lëshon muzikë nga ata televizorët e vegjël mbi kokën e shoferit. Por kjo mund të jetë, siç e thashë, një përshtypje imja. (8 orë janë të gjata, mendon njeriu për shumë gjëra, edhe për autobusët e Kosovës).

Në Sursee treni i orës 17:12 u nis në 17:12. /Telegrafi/

Një rezil nga Shqipëria në një televizion kosovar

7 July 2026 at 08:21


Mjafton një rezil, një pseudogazetar, një mikrofon dhe - abrakadabra - u bëre ekspert i historisë së Shqipërisë, ekspert i kores së tokës së Sazanit, ekspert i ranishtës së Zvërnecit dhe, natyrisht, edhe ekspert i Izraelit dhe Palestinës. Kjo nuk ka të bëjë aspak me lirinë e fjalës. Nuk ka të bëjë me gazetarinë. Kjo është një murtajë mediale. Dhe, si e tillë, duhet të luftohet.

Në vitin 1923 kryeministër i Shqipërisë ishte Ahmet Zogu. Atëbotë vendi po kalonte nëpër një fazë jostabiliteti politik, varfëria ishte e madhe, uria po ashtu. Më 1924 antropologu zviceran Eugène Pittard organizoi furnizimin e Shqipërisë me drithë për t’u ndihmuar njerëzve të mbijetonin. Më 1921 Eugène Pittard kishte propozuar themelimin e Kryqit të Kuq Shqiptar, pasi kishte parë mjerimin e refugjatëve nga Kosova dhe Maqedonia e sotme në territorin e Shqipërisë.

Në njërin nga këto vite të tmerrshme, pikërisht më 1923, sipas një rezili nga Shqipëria që fliste para ca ditësh në një emision të një televizioni kosovar, qenka bërë një plan që tokat shqiptare t’i marrë Izraeli, edhe më keq: t’i pushtojë. Jo vetëm Sazanin e Zvërnecin, por edhe Myzeqenë. Rezili nga Shqipëria tha pak a shumë këtë: «E kam në telefon planin, po deshët ua tregoj». Pastaj llomotiti diçka mbi konsullatën shqiptare në Vjenë, e cila në vitet 1930-të e paskësh denoncuar këtë plan. Në vitin 2026, sipas rezilit nga Shqipëria, maskarai Edi Rama paskësh bërë marrëveshje me Izraelin që ky projekt të realizohet. «E dimë ne planin e tyre», tha rezili, «vijnë ata, na thonë se duan të na marrin…». Rezili vazhdoi me ton kërcënues duke thënë se «na ka borxh Izraeli, se në Shqipëri nuk u vra asnjë izraelit gjatë Luftës së Dytë».

Dreqi e marrtë: si është e mundur që një personi të tillë, pra një rezili nga Shqipëria, i cili mund të ishte edhe nga Kosova, t’i jepet një hapësirë e tillë mediale? Si është e mundur të gënjehet kaq shumë, faqe botës, pa asnjë pasojë? Nuk ka pasur marrëveshje mes Shqipërisë dhe Izraelit më 1923, sepse Izraeli është themeluar më 1948. Në vitet 1930-të shoqatat hebraike në Europën Perëndimore, të tmerruara nga planet e nazistëve gjermanë për t’i dëbuar hebrenjtë nga shtëpitë e tyre në Gjermani e gjetiu në Europë, përmendën edhe Shqipërinë si vend ku mund të strehohej një pjesë e të përndjekurve hebrenj. Konsulli shqiptar në Vjenë, Kol Rrota, e njoftoi Ministrinë e Jashtme në Tiranë për këto diskutime dhe sugjeroi që hebrenjtë të mos pranohen. Rrota shkruan me gjuhën e antisemitëve të kohës dhe ofendon popullin e tij duke e quajtur «prej natyre antisemit» (një rrenë që do të demantohej në vitet në vijim me shpëtimin e qindra hebrenjve në Kosovë e Shqipëri).

Sipas historianes zvicerane Franziska Zaugg, e cila sapo ka botuar një libër me vlerë mbi shpëtimin e hebrenjve nga shqiptarët, rrjeti qendror i këtij aksioni humanitar ishte Kosova. Kjo mund të mos u pëlqejë historianëve të shkollës komuniste në Tiranë dhe ithtarëve të tyre, të cilët historinë e shohin me shabllonin bardh e zi.

Sa i përket konsullit Kol Rrota: ai shërbente në Vjenë, një qytet ku nazizmi në vitet 1930-të gëzonte përkrahje të madhe, ndoshta edhe më shumë se në Gjermani, me përjashtim të kryeqytetit të lëvizjes naziste, Münchenit. Pas Luftës së Dytë Botërore shumica e austriakëve u rritën me gënjeshtrën se ishin viktimat e para të Adolf Hitlerit; në të vërtetë ishin duartrokitës të tij të zellshëm dhe shërbëtorë në krime - deri në Ballkan. Miti se Austria ishte viktima e parë e Hitlerit është rrëzuar ndërkohë falë qasjes kritike ndaj historisë nga ana e vetë austriakëve.

Është e qartë se një konsull si Kol Rrota nuk ka pasur asnjë mundësi dhe asnjë kompetencë të vendoste për pranimin e refugjatëve hebrenj. Për këtë do të vendoste qeveria mbretërore në Tiranë dhe Mbreti Zog. Ata nuk e ndoqën më tej këtë çështje, por as hebrenjtë nuk insistuan aq, sepse te shumica mbizotëroi dëshira e kthimit në truallin e zanafillës.

Në vitin 2026 këto fakte nuk merren fare parasysh në moçalin medial shqiptar. Mjafton një rezil, një pseudogazetar, një mikrofon dhe - abrakadabra - u bëre ekspert i historisë së Shqipërisë, ekspert i kores së tokës së Sazanit, ekspert i ranishtës së Zvërnecit dhe, natyrisht, edhe ekspert i Izraelit dhe Palestinës. Kjo nuk ka të bëjë aspak me lirinë e fjalës. Nuk ka të bëjë me gazetarinë. Kjo është një murtajë mediale. Dhe, si e tillë, duhet të luftohet - edhe kur është fenomen periferik.

Videoja me rezilin nga Shqipëria që flet gjepura në televizionin e Kosovës është pëlqyer gati 8 mijë herë, ndërsa është klikuar 231 mijë herë dhe është shpërndarë mbi 1100 herë. Gazetari (ose, më mirë të themi, pseudogazetari) i ka krijuar atij këtë mundësi. Nuk i ka bërë asnjë pyetje kritike. E ka lënë të flasë, të shpifë, të mashtrojë, të manipulojë faktet historike.

Shqiptarët kanë qindra arsye për të protestuar kundër qeverisë më të korruptuar që nga rënia e komunizmit në Shqipëri, por nuk duhet të tolerohen në hapësirën publike dhe në botën digjitale huliganë të etur për protagonizëm. Kundër kësaj zgjebe nën petkun e gazetarisë duhet të protestojnë shoqatat e gazetarëve, sepse detyrë e tyre është të mbrojnë etikën e profesionit dhe jo vetëm të kakarisin nëpër zyra ambasadash sa për të siguruar ndonjë fond.

Fenomeni i vënies në dyshim në mënyrë sistematike të të vërtetave objektive dhe të verifikuara nga profesionistët ka pasoja të rënda për çdo shoqëri, e sidomos për ato shoqëri ku kompetenca mediale e publikut nuk është shumë e zhvilluar. Në shoqëri të tilla shfaqen rezilë të llojllojshëm dhe minimin e besimit në të vërtetën e shndërrojnë në biznes. Kësisoj delegjitimohet jo vetëm e vërteta, por edhe çdo qenësi publike.

Në ambiente të tilla, faktet s’kanë ndikim; ato shërbejnë vetëm për përdredhjen e emocioneve, për të prodhuar «të vërtetat e ndjera» - këto janë rrena. Rrenat e epokës postfaktike! Agjitacioni i vazhdueshëm kundër çdo zëri racional dhe përdorimi i qëllimshëm i ideologjive konspirative synon ta bëjë të pamundur pajtimin publik për gjërat që shihen me sy dhe janë të pamohueshme. Kështu polarizohet shoqëria.

Përgjegjësia e mediave qëndron në ruajtjen konsekuente të gazetarisë cilësore, në mënyrë që rrjetet manipuluese dhe ndikimet e qëllimshme të zbulohen plotësisht. Ndarja e shoqërisë në grupe që besojnë verbërisht dhe në të tjera që e refuzojnë në mënyrë radikale edhe provën e qartë, e shkatërron kuptimin e përbashkët të realitetit që është i domosdoshëm për çdo demokraci.

Kur gënjeshtra sistematike dhe mohimi i fakteve normalizohen, zhduket baza e përbashkët për diskursin politik dhe kompromisin. Pastaj i hapet udhë defunksionalizimit të sferës publike dhe të institucioneve demokratike. /Telegrafi/

Një ecje mes krismave të armëve, alpeve dhe lumit - dhe një tjetër…

6 July 2026 at 17:09


Shënime nga ecjet në Zvicër (3).

1.

Njerëzit e parë që bien në sy pak pas stacionit të trenit në Nesslau në trevën e Toggenburg në Zvicrën lindore - janë ushtarë. Duket se ruajnë një objekt. Shtegu, i cili do të marrë fund në fshatin Wildhaus pas gati 8 orë ecjeje (!) dhe 20 kilometra të kalura, fillon e vazhdon pranë lumit të bukur Thur. Pas pak shfaqet një ujëvarë dhe uji shfrytëzohet për një punë të mençur: për prodhimin e energjisë elektrike.

Fshati tjetër quhet Stein dhe shtrihet mes trevës së Alpsteinit, vargmaleve Churfirsten dhe malit Speer. Më 1905 këtu u hap një fabrikë e skive dhe rajoni u bë i njohur me skiatorë. Bujqësia, zejtaria dhe turizmi janë degët më të rëndësishme të ekonomisë. Kështu, fshat pas fshati, i afrohem alpeve të Säntis dhe pjesës veriore të Toggenburgut të epërm. Një pjesë e madhe e terrenit këtu është e bllokuar nga ushtria, e cila ushtron me lloj-lloj armësh, prej mortajave deri te mitralozët. Dy ushtarë thonë: “Mos e lësho rrugën, përndryshe s’ka problem. Mos u shqetëso nga ushtima e armëve”. Ok.

Të shtënat e pandërprera krijojnë një atmosferë lufte (ose së paku simulim lufte). Pas një ore ecjeje, edhe kjo përvojë merr fund dhe fshati Wildhaus nuk duket aq larg. Në orën 16:34 autobusi dykatësh i postës zvicerane startoi drejt Nesslaut, aty ku kisha zbritur në mëngjes.

Disa të dhëna për rajonin: Kantoni i St. Gallen shtrihet në një sipërfaqe prej 2052 km² dhe ka 504’686 banorë. 30,6 për qind e territorit është e mbuluar nga pyjet. Kantoni ka 95 liqene. Ky rajon karakterizohet nga maja mbresëlënëse malore si Ringelspitz, që arrin lartësinë 3247 metra, dhe Säntis me 2502 metra. Në këtë zonë është i pranishëm gjeli i egër, një shpend i rrallë që mund të rritet deri në një metër gjatësi dhe trembet lehtë. Mbarë kantoni ka 4394 kilometra shtigje për ecje. Këtë rrjet e mirëmban shoqata St. Galler Wanderwege me ndihmën e 150 vullnetarëve të përkushtuar. Çdo vit, ata investojnë energji të konsiderueshme duke zëvendësuar rreth 200 tabela orientuese dhe duke përdorur deri në 100 kilogramë bojë për të rifreskuar markimet që udhëzojnë alpinistët.

2.

Ecja e radhës mund të përmblidhet me këtë titull: mund të ishte në Toscanë, por është afër Zürichut. Andelfingeni është një fshat tipik zviceran. Kur them tipik, nënkuptoj: i bukur. Shumë i bukur! Këtu është ruajtur tradita, gjë që vërehet në arkitekturën e zonës - dominojnë shtëpitë e vjetra, të cilat janë habitshëm të mirëmbajtura. Por në Andelfingen ka depërtuar me kujdes e vëmendje edhe moderniteti.

Lumi Thur i shton hijeshinë fshatit, i cili mund të quhet edhe qytezë. Ura prej druri mbi këtë lumë dëshmon për historinë e gjatë të banimit të Andelfingenit si një pikë kalimi, pikë doganore dhe si qendër rajonale.

Kur nisesh pak pas orës 09:00 nga Andelfingeni drejt Eglisaut, një tjetër fshat i hijshëm, destinacioni duket i largët. Ndonëse terreni është i rrafshët, duhen përshkuar mbi 20 kilometra në këmbë. Megjithatë, kjo rrugë nuk është sfidë, por kënaqësi. Natyra të kujton vende-vende Toscanën e famshme të Italisë: ara të punuara me kujdes, livadhe me një gjelbërim shpërthyes, rrugë fushore që duken të pafundme dhe lisa të gjatë që ngjasojnë me plepat (ndoshta edhe janë të tillë).

Më tej, lumi Thur bashkohet me lumin e Rajnës (Rhein), i cili vjen nga Ujëvara e Rajnës - ujëvara më e fuqishme në Europë dhe një atraksion i madh turistik.

Tani ecja vazhdon përgjatë Rajnës deri në Eglisau, i cili shtrihet mes vreshtave dhe lumit. Ndoshta ky fshat është edhe më i bukur se Andelfingeni. Muzeu i Eglisaut gjendet në një ndërtesë me vlerë të lartë historike. Në këtë shtëpi vreshtarësh të vitit 1670, janë ekspozuar në tre kate dëshmi të historisë së qytezës, administrimit, lundrimit dhe peshkimit.

Në një dhomë të veçantë prezantohet historia e ndërtimit: modele të ndryshme, piktura, gravura, plane dhe fotografi dokumentojnë qartë zhvillimin arkitekturor.

Guvernatori i fundit i Eglisaut, Salomon Landolt, përfaqësohet përmes disa guasheve, akuareleve dhe një pikture në vaj. Në katin nën çati, peshkimi i salmonit, dikur një veprimtari mjaft e rëndësishme, përbën pikën qendrore të koleksionit. Metodat e ndryshme të peshkimit paraqiten përmes pajisjeve, modeleve dhe një videoje. (Rreth 20 kilometra, 5 orë ecje).

Me Wilhlem Tellin, Skënderbeun dhe shumë imagjinatë pranë Liqenit të Luzernit

2 July 2026 at 08:09


Shënime nga ecjet në Zvicër (2).

Madhështia e tij, Liqeni i Luzernit në gjermanisht quhet Vierwaldstättersee (që i bie Liqeni i Katër Kantoneve Pyjore): këtu, sipas legjendës, është zemra e Zvicrës. Mite, histori, legjenda, dokumente me rëndësi - në këtë zonë gjenden.

Ditë më parë ecja në këtë trevë filloi në fshatin Flüelen, buzë liqenit, dhe vazhdoi buzë liqenit deri në katundin Morschach, ku njerëzit e shtynin kohën me verë të bardhë, birrë e pije të tjera në pritje të ndeshjes së futbollit mes Zvicrës dhe Katarit.

Shtegu mund të zgjatet e shkurtohet sipas dëshirës, sot i kalova nja 15 kilometra, për 4 orë. Panorama është mahnitëse, shtegu i rregulluar me kujdes, me banka për pushim, aty-këtu me shkallë prej druri.

Këndejpari, në qytezën e Schwyzit, gjendet muzeu Bundesbriefmuseum, ku ruhet karta origjinale e pavarësisë; ajo daton nga viti 1291, kur përfaqësues të tri kantoneve (Uri, Schwyz, Unterwalden) i dhanë besën njëri-tjetrit për të qëndruar bashkë dhe të lirë përgjithmonë.

Pas nja dy orë ecjeje shfaqet fshati i bukur Sisikon, ndërsa përballë, matanë liqenit, është livadhi Rütli, bari më i shenjtë i Zvicrës - në atë livadh ishte dhënë besa për të hedhur themelet e Zvicrës më 1291.

Në gjermanisht emri zyrtar i Zvicrës është Schweizerische Eidgenossenschaft - në shqip mund të përkthehet si Besëlidhja Zvicerane.

Tre kilometra para Sisikonit ofrohet një rast për t’u futur thellë në historinë e vendit. Aty gjendet Tellskapelle, Kishëza e Wilhelm Tellit, heroit nacional zviceran, për të cilin nuk ka dëshmi se ka ekzistuar. Por për çka ekziston letërsia?

Klasiku gjerman Friedrich Schiller e ka përjetësuar Tellin në një dramë. Katër murale të Tellskapelle shpjegojnë historinë zanafillore të Zvicrës. Telli refuzoi t’i përulej kapelës së guvernatorit austriak Gessler (murali i parë), i cili, si ndëshkim, e detyroi atë të qëllonte me shigjetë një mollë mbi kokën e djalit të tij (murali i dytë).

Telli bëri një gjuajtje të përsosur, por pranoi se shigjetën e dytë e kishte ruajtur për të vrarë tiranin nëse djalit do t’i ndodhte gjë. Sundimtari i huaj, Gessleri, urdhëroi arrestimin e Tellit.

Ndërsa po e bartnin me një varkë mbi liqen, shpërtheu një stuhi dhe rojet ia dhanë drejtimin e varkës Tellit, i cili ishte lundrues me përvojë.

Telli përfitoi nga rasti, kërceu mbi një shkëmb dhe iku, por më parë ia dha një shkelm varkës, duke i lënë ata që e arrestuan në mes të stuhisë liqenore (murali i tretë).

Në muralin e katërt shihet livadhi Rütli. Telli nuk e la me kaq pasi shpëtoi. Ai i zuri pritë Gesslerit në një rrugicë të ngushtë malore dhe e vrau me shigjetë.

Më 2024 regjisori nga Irlanda e Veriut, Nick Hamm, solli në kinema filmin „Wilhelm Tell“, një version i hollivudianizuar i mitit zviceran. Edhe në film Telli e qëllon mollën me shigjetë. Por para se të bëjë këtë akt heroik, ai, sipas regjisorit, ka një të kaluar si pjesëmarrës në kryqëzata.

Është i martuar me një myslimane (arabe), të cilën e ka shpëtuar bashkë me djalin e saj. Pas kthimit në Zvicër djali pagëzohet me emrin Walter.

Tani ndokush mund të pyesë: e si kanë qenë reagimet në Zvicër? A pati një fushatë zemërimi? A pati mallkime ndaj regjisorit, i cili heroin nacional zviceran e martoi me një arabe? A pati fushatë linçuese? Përgjigjjja: jo, asgjë nga këto. Arti është art. Dhe arti ka të drejtë të merret me interpretime dhe me provokime.

Nuk besoj që një regjisor i huaj apo edhe shqiptar do të shpëtonte lehtë nga mllefi kolektiv patriotik shqiptar sikur të bënte një film për Skënderbeun, i cili është i martuar me një afrikane, të birin e së cilës heroi kombëtar shqiptar e birëson. /Telegrafi/

Nga Vevey në Villeneuve: Magjia e Liqenit të Gjenevës, shkrimtari Lord Byron, piktori Oskar Kokoschka dhe lidhjet shqiptare

30 June 2026 at 08:07


Shënime nga ecjet në Zvicër (1).

Kurrë s’është e tepërt të lavdërohet transporti publik i Zvicrës. Kushton një dreq e gjysmë, por kushtet e udhëtimit i afrohen parajsës. Brenda tri orëve, nganjëherë më pak se tri orë duhen për të shkuar nga një cep tjetër i Zvicrës në cepin tjetër.

Për shembull nga Zürichu në Vevey, në Zvicrën franceze, buzë Liqenit të Gjenevës. Nga këtu një shteg të shpie bregut të liqenit deri në fshatin Villeneuve. (Rreth 14 kilometra, ecje me nge, nja 4 orë).

Vevey arriti kulmin e zhvillimit dhe popullaritetit gjatë Belle Époque në fund të shekullit të 19-të. Hotelet madhështore, promenada buzë liqenit, palmat dhe lulet bien menjëherë në sy, edhe sot. Klima këtu është jashtëzakonisht e butë, pothuaj mesdhetare. Këtu është selia e koncernit botëror të artikujeve ushqimorë Nestlé.

Vevey është shumë krenar për lidhjen me aktorin e famshëm Charlie Chaplin, i cili jetoi këtu nga viti 1952 deri në vdekjen e tij në 1977. Një muze dhe një përmendore pranë liqenit janë dëshmi e pranisë së Chaplinit. Gjatë një udhëtimi në Londër në vitin 1952, Chaplin mësoi se atij i ishte mohuar kthimi në SHBA.

Drejtori i FBI-së, J. Edgar Hoover, e kishte vendosur atë, një britanik që kishte lavdëruar angazhimin e Rusisë kundër Hitlerit, në listën e tij të komunistëve. Në atë kohë senatori amerikan Joseph McCarthy zhvillonte një gjueti shtrigash kundër artistëve që i konsideronte të majtë. Chaplin vendosi të shpërngulej në Zvicër me gruan e tij Oona. Në Vevey ky çift jetoi me tetë fëmijët e tyre të përbashkët.

Në këtë pjesë të rivierës së liqenit të Gjenevës kanë jetuar e lënë gjurmë edhe artistë të tjerë. Në Montreux vizitorët i përshëndet një përmendore e këngëtarit të famshëm Freddie Mercury (1946-1991). “Nëse dëshiron paqe mendore, eja në Montreux”, është një porosi e tij.

Mercury jo vetëm që jetoi këtu, por gjithashtu regjistroi gjashtë nga albumet e tij me grupin Queen, përfshirë “Made in Heaven”. Statuja u ngrit në kujtim të tij në vitin 1996. Ajo është lehtësisht e dallueshme nga lulet që adhuruesit e tij ende vendosin aty.

Më 1961 në Montreux erdhi Vlladimir Nabokovi, shkrimtari i njohur rus, autor i romanit “Lolita”. Nabokovi nuk erdhi nga Bashkimi Sovjetik, por nga SHBA-të, ku kishte ligjëruar 20 vjet dhe kishte fituar mjaft para me romanin e tij “Lolita”, saqë mund t’ia lejonte vetes një jetë në Montreux.

Para tij rajonin e Liqenit të Gjenevës e kishin vizituar shkrimtarë të famshëm rusë si Nikollai Gogol, Fjodor Dostojevski dhe Lev Tolstoi. Nabokovi e adhuronte luksin. Vitet e tij në rivierën zvicerane i kaloi në një suitë në “Hotel Montreux Palace”. Në kohën e lirë zinte flutura.

Kompozitori rus Igor Stravinski erdhi pranë liqenit të Gjenevës për arsye shëndetësore. Ai kompozoi këtu disa nga kryeveprat e tij, dhe sot auditori në Qendrën e Kongreseve në Montreaux mban emrin e tij.

Shkrimtari dhe gazetari anglez Graham Greene erdhi në këtë pjesë të Zvicrës në vitin 1953 për të vizituar Charlie Chaplinin në Corsier-sur-Vevey, e më vonë vajzën e tij në Chaulin-sur-Montreux. Më 1990, pak para vdekjes, Graham Greene u shpërngul përfundimisht në Corseaux afër Vevey.

Ky tekst nuk duhet të përfundojë pa dy detaje që lidhen me shqiptarët. Rrugës nga Vevey në Villeneuve, afër Montreux, gjendet Kalaja Chillon, e vendosur në bregun e liqenit. Ajo është monumenti më i vizituar në Zvicër.

Një pjesë të madhe të famës së saj ajo ia detyron poemës së Lord Byronit “I burgosuri i Chillonit”. Po, bëhet fjalë për atë Byronin e famshëm nga Anglia që ka bredhur edhe viseve shqiptare, ka shkruar poezi e poema, ka pozuar me veshje kombëtare shqiptare dhe e ka vizituar Ali Pashë Tepelenën.

Në Vevey, Montreux dhe Villeneuve ka jetuar edhe piktori i madh austriak Oskar Kokoschka (1886-1980). Ai kishte lidhje me avangardën artistike të Berlinit para se të bëhej figurë qendrore e ekspresionizmit.

Kokoschka u vendos në vitin 1953 në Villa Delphin në Villeneuve dhe jetoi aty me gruan e tij Olda deri kur vdiq më 1980 në spitalin e Montreux. Më 1939 Kokoschka takoi në Londër piktorin shqiptar Çatin Saraçi.

Ata u bënë miq të mëdhenj, ndanë një studio në Kensington në Stratford Road, punuan së bashku. Oskar Kokoschka ishte adhurues i punës së Çatin Saraçii, i cili ishte lindur në Shkodër. Dëshmi e miqësisë së tyre është edhe një portret i Saraçit i punuar nga Kokoschka. /Telegrafi/

I çmenduri shpalli luftë në Gazimestan, të mençurit këputën telat gjemborë

28 June 2026 at 15:39


Pse 28 qershori i vitit 1989 tregon shumë për historinë e Kosovës?

1. Para 28 qershorit ishte 26 qershori. I vitit 1989. Atë ditë, në revistën gjermane “Der Spiegel”, doli një intervistë me kritikun letrar nga Kosova, Ibrahim Rugova. Ishte intervista e parë e tij në shtypin perëndimor. Në faqet 159 dhe 160, lideri i ardhshëm historik i Kosovës, me një akribi bindëse, renditi faktet historike, rreziqet që kanoseshin nga shovinizmi në rritje brenda shoqërisë serbe dhe e përfundoi intervistën me një paralajmërim profetik: “Nëse Serbia vazhdon të përpiqet të shtypë identitetin tonë kombëtar, atëherë do të ketë një kryengritje”.

2. Më 28 qershor 1989, në Gazimestan aterroi me helikopter Sllobodan Millosheviqi. Propaganda serbe tha se aty ishin tubuar 2 milionë serbë për të (për)kujtuar Betejën e Fushë Kosovës kundër osmanëve, të zhvilluar 600 vjet më parë. Agjencia e lajmeve Reuters e vlerësoi në 600 mijë numrin e pjesëmarrësve. Burime të tjera pretendojnë se atë ditë në Kosovë u mblodhën 1 milion serbë e serbe. Ata erdhën me trena, me autobusë, me vetura private. Ceremonia nisi me muzikë klasike të Beethovenit, me një kor prej 100 popash dhe me himnin shtetëror. Porosia më brutale nga fjalimi i Millosheviqit ishte kjo: “Gjashtë shekuj më vonë, sot, sërish jemi në beteja dhe para betejave. Ato nuk janë të armatosura, megjithëse as të tilla ende nuk përjashtohen”.

I çmenduri ishte i sinqertë: i paralajmëroi luftërat kundër popujve të tjerë, luftërat për Serbinë e Madhe. Mbarë udhëheqja serbe e jugosllave ishte e pranishme në Gazimestan. Kryeministri jugosllav Ante Markoviq, një ekonomist i përkrahur nga Perëndimit, por pa mbështetje nga liderët komunistë, kryetari i Kryesisë së Jugosllavisë, Janez Dërnovshek, një slloven që më parë kishte bërë karrierë si diplomat jugosllav, mes tjerash në Kajro të Egjiptit, ministri i Mbrojtjes Velko Kadijeviq, një nga figurat më proruse në udhëheqjen e kohës, ministri i Punëve të Brendshme Petar Graçanin, ministri i Jashtëm Budimir Lonçar, i cili në një intervistë për gazetën franceze “Le Monde” gënjeu se shqiptarët janë ardhacakë në Kosovë.

Morën pjesë edhe përfaqësues diplomatikë të rreth 50 vendeve, të akredituar në Jugosllavi. Interesante ishte se kush nuk mori pjesë në këtë orgji nacionaliste serbe: anëtari kroat i Kryesisë jugosllave, Stipe Shuvar, ambasadorët e pothuajse të gjitha vendeve perëndimore, mes tyre edhe ambasadori amerikan Warren Zimmermann - për këtë ai u ndëshkua nga Millosheviqi, i cili refuzoi ta pranonte në audiencë për nëntë muaj.

3. Shënimi i 600-vjetorit të Betejës së Kosovës ishte më shumë një rast për të mobilizuar nacionalizmin serb me mite e legjenda. “Disa javë më parë në Serbi trazimi kombëtar ndihej në çdo hap. Eshtrat e knezit serb Lazar, i cili mbeti i vrarë në Betejën e Kosovës, shëtiteshin nëpër ish-Jugosllavi dhe shërbenin si vende pelegrinazhi. Në Gazimestan, ikonat e Jezu Krishtit, Car Llazarit dhe Sllobodan Millosheviqit shiteshin bashkë”, shkruan historiani britanik Noel Malcolm në librin e tij mbi historinë e Bosnjës. Sa dhe çka dihet për Betejën e Kosovës të vitit 1389?

Ka aq pak burime primare, saqë është e dyshimtë nëse Beteja e Kosovës është zhvilluar fare. Këto fjalë i ka thënë Sima Cirkoviqi, një nga historianët e paktë serbë që janë përpjekur të mbajnë pak distancë profesionale ndaj Betejës së Kosovës. Si në pothuajse asnjë betejë tjetër, te Beteja e Kosovës vërehet fuqia shkatërruese e kujtesës. Ajo përdoret e keqpërdoret nga ideologët serbë për t’u viktimizuar si popull, për ta shfrytëzuar si beton për forcimin e nacionalizmit dhe hegjemonizmit, si dhe për të treguar gjoja superioritet ndaj popujve të tjerë.

Për këtë nuk zgjidhen mjete manipulimi. Çka “dihet” për Betejën e Kosovës është kryesisht prodhim i propagandës së shekullit të 19-të, kur shumë popuj përjetuan zgjimin e tyre kombëtar. Në shekullin e 20-të – me përjashtim të periudhës së sundimit të Josip Broz Titos – miti i Betejës së Kosovës u përdor nga Beogradi për të legjitimuar pushtimet, vrasjet masive, gjenocidin në Srebrenicë dhe krimet gjithandej në Ballkan. Nga ky këndvështrim, miti serb i Fushë Kosovës është i rëndësishëm, por jo për nga vlerat, por për nga fuqia e tij destruktive.

4. Për fatin e Ballkanit më e rëndësishme dhe më vendimtare është Beteja e Dytë e Kosovës e vitit 1448. Asaj i priu hungarezi Janosh Huniadi. Një koalicion katolik kundër një koalicioni islamik. Beteja përfundoi me disfatën e Huniadit. Kjo betejë, shkruan historiani zviceran Oliver Jens Schmitt, e vulosi fatin e Ballkanit, jo ajo e vitit 1389. Ka supozime, por s’ka dëshmi të bindshme që Skënderbeu ka marrë pjesë në Betejën e Kosovës të vitit 1448. E dëshmuar, ndërkaq, është se komandantët serbë nuk morën pjesë në luftën e vitit 1448. Ata tashmë ishin shndërruar në vasalë të Perandorisë Osmane, duke i ndihmuar sulltanët të pushtonin Ballkanin.

Që nga shekulli i 19-të, ideologët nacionalë serbë e mashtrojnë botën perëndimore se në Fushë Kosovë e kanë mbrojtur krishterimin dhe Perëndimin. E kundërta është e vërtetë, sidomos sa i përket betejës së vitit 1448. Për ta diskredituar Huniadin, në epikën popullore serbe pretendohet se Huniadi vonë ka arritur në Kosovë (“Kasno Janko na Kosovo stiže”), pra kur erdhi më 1448 tashmë ishte vonë. Gjithsesi, vonë për serbët, të cilët tashmë ishin aranzhuar me rolin e vasalëve të sulltanëve. Konstrukti mitik i Betejës së Kosovës së vitit 1389 e shpalosi krejt fuqinë e mobilizimit politik për aventura të përgjakshme më 28 qershor 1989.

5. Më 26 qershor 1989, Ibrahim Rugova paralajmëroi Perëndimin mbi rrezikun e gjakderdhjes në Ballkan si pasojë e kërcënimeve të nacionalizmit serb. Ditën tjetër, më 27 qershor, ministrat e Jashtëm të Hungarisë dhe Austrisë – Gyula Horn dhe Alois Mock – u takuan afër pikës kufitare Sopron dhe Klingebach dhe prenë simbolikisht telat me gjemba të kufirit midis dy vendeve. Fotografia e tyre hyri në histori si moment i heqjes së Perdes së Hekurt.

6. Revista e pavarur serbe “Vreme”, para disa vitesh, pati botuar një kronologji të ngjarjeve që shënuan vitin 1989 në Jugosllavi. Më 28 shkurt, në Beograd u mbajt një tubim i madh, gjatë të cilit turma kërkoi arrestimin e liderit të atëhershëm partiak të Kosovës, Azem Vllasi. Sllobodan Millosheviqi tha se do të ketë arrestime. Dhe kjo ndodhi. Vllasi u arrestua dhe u nxor para gjyqit në Mitrovicë, ku u zhvillua një proces i montuar politik. Millosheviqi propozoi një hua popullore për rilindjen ekonomike të Serbisë. Nga Italia në Cetinje u transferuan mbetjet mortore të mbretit Nikolla dhe mbretëreshës Milena.

“Vreme” përmend edhe rastin e Boris Muzheviqit, anëtar i Kryesisë së Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë nga Sllovenia. Muzheviq u keqtrajtua nga polici serb Petko Gavriq për shkak se gjoja s’ishte ndalur me urdhër të policisë dhe s’kishte leje për drejtimin e automjetit. Duhet plotësuar këtu këtë ngjarje me informata shtesë: Gavriq nuk pati asnjë pasojë, ndërsa Muzheviq hyri në historinë sllovene si “i rrahuri i parë” - një shenjë e qartë e eskalimit të situatës nga nacionalizmi serb në rritje. Fakti që një funksionar i lartë slloven i federatës mund të goditej nga një polic serb pa pasoja tregonte se as pozita e lartë nuk të mbronte dhe se institucionet federale kishin filluar të shpërbëheshin. Muzheviq, përkthyes në sllovenisht i teksteve të filozofit marksist italian Antonio Gramsci, vdiq në tetor të vitit të kaluar.

Një ndër episodet më tragjikomike të vitit 1989 ishte “treni i vëllazërim-bashkimit” nga Sllovenia në Serbi. Ndërsa udhëheqja serbe e tensiononte situatën me mitingje nacionaliste anekënd Jugosllavisë, politikani komunist slloven Jozhe Smole organizoi një udhëtim me tren nga Sllovenia në Serbi me qëllim të qetësimit të gjandjes. Në Beograd, Smole vallëzoi me politikanen serbe Radmila Angjellkoviq. Në mediat e kohës ajo, për shkak të stilit të vallëzimit, u quajt “Rada Llambada”. Smole, po aq sa komunist, ishte edhe realist. Trenin e vitit 1989 e përshkroi kështu: “Tren i vëllazërimit po, tren i bashkimit – jo. Jemi tepër të ndryshëm për të qenë bashkë”.

7. Më 1989 vdiq Danilo Kish, njëri nga kritikët më të ashpër të nacionalizmit serb, i cili ishte shpërngulur në Francë. Atëbotë përmendej si kandidat për Çmimin Nobel për Letërsi. (Përkthyes i veprave të tij në shqip ishte edhe Jusuf Gërvalla). Kish u lind më 1935 në Suboticë; babai ishte hebre hungarez, nëna malazeze. Kish i shpëtoi Holokaustit pasi prindërit e pagëzuan si të krishter në vitin 1939. I ati i tij u ekzekutua në kampin e Auschwitzit. Së bashku me të ëmën dhe të motrën, Kish u vendos në Mal të Zi në vitin 1947 me ndihmën e Kryqit të Kuq.

Pas luftës, Kish studioi letërsi në Beograd (1954-1958) dhe filloi të punonte si përkthyes nga hungarishtja, frëngjishtja dhe rusishtja. Në të njëjtën kohë, ai publikoi poezi, ese dhe tregime të shumta, si dhe romane e vëllime me tregime që nga viti 1962. Romani i tij “Një varr për Boris Davidoviqin”, i botuar në vitin 1976, ndikoi që të shihej me sy të keq nga regjimi. Ishte po ashtu në shënjestër të elitës nacionaliste letrare dhe politike serbe.

Më 1989 basketbollisti Vlade Divac nënshkroi kontratë trevjeçare me Lakers. Në Beograd erdhën për vizitë delegacione nga Afrika, Azia e Amerika Latine për samitin e radhës të Lëvizjes së të Painkuadruarve. Lideri i Libisë Muamar al-Gadafi i dhuroi një deve Kopshtit Zoologjik të Beogradit. Ishte ndër ngjarjet e pakta humoristike të atij viti. /Telegrafi/

100 vjet Ingeborg Bachmann: Shënime nga strajca e kujtimeve dhe një ftesë për lexim

28 June 2026 at 08:19


1. Ingeborg Bachmann (1926-1973) është ndoshta autorja më interesante e hapësirës gjermanishtfolëse, së paku e shekullit të 20-të.

2. Ajo ishte e bindur se për zjarrin mund të shkruash vetëm nëse e ke djegur dorën.

3. Profecia e saj është trishtuese: ajo vdiq nga zjarri në banesën e saj. Rrethanat, edhe sot, janë të errëta, të mistershme.

4. Ingeborg Bachmann ishte bija e një nazisti nga Klagenfurti i Austrisë. Pas Luftës së Dytë provoi dhe përjetoi të pamundshmen: u dashurua me Paul Celanin, poet hebre nga Ukraina, autor i poezisë frikshëm madhështore “Fuga e vdekjes”. Celan vdiq duke u hedhur në lumin e Seines (Paris). Bachmann i shkroi Celanit: “Është një dashuri e bukur kjo të cilën e jetoj bashkë me ty, dhe vetëm sepse kam frikë se mos them shumë, nuk them se ajo është më e bukura”.

5.“Të gjithë burrat janë të sëmurë.” Ingeborg Bachmann besonte se fashizmi fillon te raporti mes dy njerëzve.

6. Megjithatë, edhe pa burra s’bën, siç e tregojnë lidhjet e saj spektakulare. Bachmann tërhiqte shikimet e tyre. Nganjëherë i testonte burrat. Sapo i shihte tre burra, bënte sikur i ra diçka nga çanta në tokë. Dhe vështronte se si atyre tre burrave u bashkohej edhe një i katërt për t’ia dhënë gjësendin që i kishte rënë në tokë.

7. Ingeborg Bachmann ishte feministe pa e cilësuar veten të tillë.

8. Ajo shkroi për (pa)mundësitë e dashurisë. Lidhja e saj katërvjeçare me shkrimtarin zviceran Max Frisch nxit debate edhe sot. Ekzistojnë dy tabore: adhuruesit e Ingeborg Bachmannit dhe mbrojtësit e Max Frischit. Adhurueset e Bachmannit e urrejnë Max Frischin; në sytë e tyre ai është “reklamaxhi” që sheh vetëm veten, “terrorist i normalitetit” ose “pashërueshëm i shëndoshë” - këto janë disa nga etiketat që i ngjiten atij.

9. Në banesën e përbashkët afër Zürichut, Bachmann gjeti ditarin e Max Frischit, nga përmbajtja e të cilit u ndie e lënduar. Bëri atë që bëjnë njerëzit në afekt: e asgjësoi. Kështu nisi larja e hesapeve mes tyre.

10. Bachmann shkroi romanin “Malina” (1971), një histori dashurie tragjike. Max Frisch shkroi romanin “Le të themi se quhem Gantenbein” (1964). Në të dy veprat rrjedhin përvoja nga lidhja e tyre. Bachmann shkruan: “Do të vijë një ditë kur njerëzit do të rizbulojnë savana dhe stepa, do të shpërndahen jashtë dhe do t’i japin fund skllavërisë së tyre, kafshët do t’u afrohen njerëzve nën diellin e lartë, atyre që janë të lirë, dhe do të jetojnë në harmoni (...)”. Frisch shkruan: “Çdo njeri shpik herët a vonë një histori që e merr për jetën e tij [...] ose një varg të tërë historish”.

11. Bachmann pinte duhan. Ishte modë e kohës, ishte edhe akt rezistence ndaj burrave (burrat dhe duhani, një histori më vete). Njëqind Gitane në ditë. Markë franceze, duhan i zi korb; tymi i tij ua zverdhte gishtat e dorës si këmbët e sokolit.

12. Të dhëna biografike. Ingeborg Bachmann u lind në vitin 1926 në Klagenfurt, një qytet afër kufirit me Slloveninë. Studioi filozofinë, gjermanistikën dhe psikologjinë në tri qytete austriake: Innsbruck, Graz dhe Vjenë. Në punimin e doktoratës u mor me filozofin Martin Heidegger. Pasi botoi poezitë e para në shtypin e kohës, filloi të punojë për radiostacionin e ushtrisë amerikane në Vjenë, “Rot-Weiss-Rot”, ku u mor kryesisht me përpunime radiofonike të dramave bashkëkohore anglo-amerikane dhe franceze. Në vitin 1953 u shpërblye me Çmimin e Grupit 47 për vëllimin e saj të parë me poezi - “Die gestundete Zeit” (“Koha e shtyrë”).

13. Bachmann shkruan: “Rininë e kalova në Kärnten, në jug, pranë kufirit, në një luginë që ka dy emra - një gjerman dhe një slloven. Shtëpia ku paraardhësit e mi banuan brez pas brezi - austriakë dhe vendas sllovenë - mban edhe sot një emër që tingëllon i huaj. Kështu, pranë kufirit ndodhet sërish kufiri: kufiri i gjuhës - dhe unë ndihesha në shtëpi si andej, ashtu edhe këndej, me historitë e shpirtrave të mirë dhe të këqij të dy e tre vendeve; sepse matanë maleve, pas një ore rrugë, shtrihet Italia. Besoj se ngushtica e kësaj lugine dhe vetëdija e të qenmit afër kufirit kanë ndikuar që të kem mall për vende të largëta. Kur mbaroi lufta, u largova dhe mbërrita me padurim e pritshmëri në Vjenë, që kishte qenë e paarritshme në imagjinatën time. Ajo u bë sërish një atdhe në kufi: midis Lindjes dhe Perëndimit, midis një të kaluare të madhe dhe një të ardhmeje të errët. Dhe, nëse më vonë kam shkuar edhe në Paris e Londër, në Gjermani dhe Itali, kjo thotë pak, sepse në kujtesën time rruga nga lugina drejt Vjenës do të mbetet gjithmonë rruga më e gjatë”.

14. Në 100-vjetorin e lindjes së Ingeborg Bachmannit janë ribotuar vepra të saj. Janë botuar letërkëmbime. “Ingeborg Bachmann - dikush që dikur isha unë” titullohet portreti më i ri filmik. Po mbahen lexime, seminare, takime (për)kujtimore, janë hapur ekspozita. Romani i saj “Malina” do vihet në skenë si operë në Berlin.

Fleur Jaeggy, shkrimtare zvicerane 85-vjeçare, sapo ka botuar një rrëfim mbi miqësinë e saj me Ingeborg Bachmannin; quhet “Ditët e fundit të Ingeborgut”. Ato ishin, siç u tha, shoqe. Ishin edhe diçka më shumë? Dashuria më e madhe e jetës së tyre? Supozim. Spekulim. Në verën e vitit 1971, kur liria dukej e pakufishme, ato u nisën me një Alfa Romeo të kuq nga Roma drejt bregdetit të Toskanës. Donin të kalonin një muaj bashkë. Të izoluara nga bota. Det. Diell. Not. Jetë. Nganjëherë vinin njerëz për vizitë: shkrimtari italian Italo Calvino, shkrimtari gjerman Uwe Johnson. Dy vjet më vonë Bachmann vdes dhe për Fleur Jaeggyn fillon një fazë e gjatë pikëllimi. Mbi 50 vjet më vonë ajo vjen me këtë libër me pak fletë e me shumë domethënie.

15. Dhe, për fund, edhe kjo nga Bachmann: “Ashtu siç përpiqet shkrimtari t’i nxisë të tjerët drejt së vërtetës nëpërmjet përshkrimit, ashtu edhe të tjerët e nxisin atë, kur ia bëjnë me dije, nëpërmjet lavdërimit dhe qortimit, se kërkojnë prej tij të vërtetën dhe duan të arrijnë në atë gjendje ku u hapen sytë. E vërteta është e përballueshme për njeriun”.

“A ishte gjyshi im nazist?” - me një klikim gjermanët tani zbulojnë historitë e familjeve të tyre

27 June 2026 at 15:57


Më shumë se 10 milionë gjermanë e gjermane u anëtarësuan në partinë naziste. Arkivi Kombëtar Amerikan i ka bërë tani publike fletëanëtarësitë e tyre, pastaj gazetat gjermane kanë publikuar në rrjet makina kërkimi: tani miliona gjermanë po interesohen për të kaluarën e familjarëve të tyre.

I.

80 vjet më parë shumë familje gjermane morën një pako me ushqime. Në pako shkruante me shkronja të mëdha «CARE». Dhurata vinte nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat më 1945 kishin mposhtur regjimin barbar nazist. Brenda pakos kishte çokollatë, kafe, gjalpë, vaj, qumësht pluhur etj. Shumë nga këto produkte gjermanët nuk i kishin parë kurrë. Kishte qytete gjermane që i luteshin autoriteteve të mos i linin të vdisnin urie. 30 milionë njerëz ishin të zhvendosur. Organizata «CARE» u themelua në nëntor 1945 nga 22 shoqata bamirëse amerikane, me emrin «Cooperative for American Remittances to Europe». Pakot e para arritën në Bremerhaven të Gjermanisë veriore më 15 korrik 1946. Vetëm gjatë viteve 1946/47 tre milionë njerëz mbijetuan falë «CARE». Kur sovjetikët bllokuan Berlinin, «CARE» ishte organizata e vetme private që vazhdoi ndihmën për Berlinin Perëndimor.

II.

80 vjet më vonë e kaluara naziste vazhdon të jetë e pranishme në shoqërinë gjermane. Disa familje kujtojnë ndihmën amerikane nëpërmjet pakove «CARE», të tjerat - duhet të jenë miliona familje ndërkohë - janë duke kaluar shumë kohë në uebfaqet e gazetës «Süddeutsche Zeitung» dhe të përjavshmeve «Der Spiegel» dhe «Die Zeit». Këto media të rëndësishme gjermane kanë instaluar në faqet e tyre digjitale makina kërkimi, nëpërmjet të cilave gjermanët mund të verifikojnë nëse paraardhësit e tyre - gjyshi, gjyshja, daja, tezja - kanë qenë apo jo anëtarë të partisë naziste NSDAP. Si u bë kjo e mundur? Sërish falë amerikanëve. Më saktë: në mars të këtij viti Arkivi Kombëtar i SHBA-së publikoi në internet miliona karta anëtarësimi të NSDAP-së. Tani, për të marrë përgjigjen e thjeshtë në pyetjen se «a ka qenë gjyshi im anëtar i partisë naziste», nuk duhet të hulumtohet me javë të tëra nëpër arkiva - mjafton një klikim dhe brenda pak sekondash sistemi e jep përgjigjen.

III.

Nga këndvështrimi i jashtëm përballja e gjermanëve me të kaluarën shikohet si shembullore. Por kjo histori është pak më komplekse. Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore gatishmëria për të pranuar krimet e nazistëve pothuaj nuk ekzistonte. Shumë nazistë vazhduan karrierën e tyre në administratën e re. Kancelari i parë i Gjermanisë Perëndimore, Konrad Adenauer, kështu e arsyetoi tolerimin e nazistëve në sistemin e ri: «Nuk derdhet uji i ndotur kur s'ke ujë të pastër».

Katër ngjarje apo zhvillime ndikuan që shumë gjermanë të heqin dorë nga mohimi i krimeve naziste. E para: procesi kundër Adolf Eichmannit më 1961-62. Eichmann ishte organizatori kryesor i deportimit të mbi 1,5 milionë hebrenjve. Në maj të vitit 1960 ai u kap nga shërbimi sekret izraelit Mossad në Argjentinë, ku ishte fshehur pas Luftës së Dytë Botërore. Eichmann u gjykua në Jerusalem dhe u dënua me varje. (Një fusnotë: fotografitë ikonike të Eichmannit në sallën e gjyqit dhe në qeli i ka shkrepur Gjon Mili, fotografi i famshëm amerikan me origjinë shqiptare. Mili u lind më 1904 në Korçë dhe nëpërmjet Rumanisë emigroi në SHBA). Procesi kundër Eichmannit e ballafaqoi masën e madhe të gjermanëve me krimet naziste.

Ngjarja e dytë lidhet me lëvizjen e studentëve të vitit 1968. Të rinjtë e rebeluar pyetën prindërit: «Çfarë bëtë ju gjatë nazizmit?» Këtu nisi thyerja e heshtjes brenda familjeve. Ngjarja e tretë ka të bëjë me serinë televizive amerikane «Holocaust» të vitit 1979, në të cilën luajti edhe aktorja e famshme Meryl Streep. Kjo seri nuk prezanton shifra abstrakte, por përshkruan fate konkrete viktimash. Miliona gjermanë e shikuan serinë dhe panë se çfarë tragjedish kishte shkaktuar nazizmi. Ngjarja e katërt i përket fjalimit historik të presidentit Richard von Weizsäcker, mbajtur më 8 maj 1985, në 40-vjetorin e përfundimit të luftës. Ai e quajti 8 majin e vitit 1945 si «ditë çlirimi», jo ditë humbjeje.

IV.

Bërja publike e fletëanëtarësimeve u jep mundësi gjermanëve që sërish, tash në epokën digjitale, të gërmojnë në të kaluarën e familjeve të tyre. «Süddeutsche Zeitung» ka botuar, për shembull, një tekst impresiv të një gazetareje, e cila ishte rritur me rrëfimin se gjyshi i saj ishte vetëm hero. Ai ishte vrarë nga nazistët më 1945 pasi ishte angazhuar që qyteti i tij i lindjes t'u dorëzohej amerikanëve, ngaqë rezistenca nuk kishte më kuptim. Tani një klikim në makinën e kërkimit ka nxjerrë në sipërfaqe një anë tjetër të gjyshit të saj: ai rezulton të ketë qenë anëtar i partisë naziste. A ishte kryengritës? Jo, është përgjigjja e prerë e një arkivisti. Por a mund të etiketohet vetëm si nazist? Jo. Sepse në një moment ai tregoi kurajë civile kundër nazistëve. Historia është e ndërlikuar. Një gazetar tjetër i «Süddeutsche Zeitung» pyet veten se përse stërgjyshja e tij u anëtarësua në partinë naziste, ndonëse më 1939 në Szpęgawsk, në jug të Gdańskut polak, nazistët pushkatuan rreth 7000 polakë. Afër vendit të krimit gjendej prona familjare e paraardhësve të gazetarit.

V.

Gazeta «Süddeutsche Zeitung» i ka kushtuar gjithmonë vëmendje të veçantë përballjes me të kaluarën naziste të Gjermanisë. Kjo lidhet edhe me faktin se selia e saj ndodhet në München, qytet që gjatë regjimit nazist njihej si «Kryeqyteti i Lëvizjes» («Hauptstadt der Bewegung»), shkruan në një njoftim «Süddeutsche Zeitung». Në München u themelua partia naziste NSDAP. Këtu Adolf Hitleri ndihej si në shtëpinë e vet. Në München administrohej edhe regjistri qendror i anëtarëve të NSDAP-së.

Nganjëherë historia prodhon ngjarje të pabesueshme. Numri i parë i «Süddeutsche Zeitung» u shtyp me pllaka tipografike të prodhuara nga shkrirja e shkronjave prej plumbi të përdorura për shtypjen e librit të Hitlerit, «Mein Kampf» («Lufta ime»).

Që në fillimet e saj, gazeta synonte t'u drejtohej, siç thuhej në parathënien e numrit të parë të 6 tetorit 1945, të gjithë atyre që ishin të bashkuar «në urrejtjen ndaj shtetit totalitar dhe në neverinë ndaj çdo gjëje që përfaqësonte nacional-socializmin».

Një vendim absurd i Qeverisë së Kosovës

24 June 2026 at 15:12


3 milionë euro për të subvencionuar policat e mërgimtarëve me rroga të Zvicrës - kjo nuk duhet të jetë zgjidhje e përhershme. Ndani këto para për ndonjë punë më të dobishme për Kosovën!

Qeveria e Kosovës paska vendosur të ndajë 3 milionë euro për të subvencionuar policën kufitare, siç thuhet, «për mërgatën tonë që vjen me vetura në vizitë përgjatë kësaj periudhe», pra gjatë verës.

Vendimi i parë për të mbuluar shpenzimet e policës u mor që në vitin 2020, kur VV bashkëqeveriste me LDK-në (formalisht vendimin e pati nënshkruar ministrja e Financave që vinte nga LDK-ja). U tha atëbotë se bëhej fjalë për një «zgjidhje të përkohshme» derisa të gjendej zgjidhja e përhershme, pra anëtarësimi i Kosovës në sistemin europian të Kartonit të Gjelbër.

Zyrtarë të Kosovës kanë përmendur dy arsye pse Kosova nuk po pranohet në këtë sistem: a) Kosova nuk është anëtare e OKB-së dhe b) numri i madh i veturave të pasiguruara.

Para se të vinte në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje premtoi se do të angazhohej për ta zgjidhur këtë problem. Nuk e zgjidhi, madje atë «zgjidhjen e përkohshme» (subvencionimin) duket se e ka bërë zgjidhje të përhershme. Ndan para çdo vit për të subvencionuar policën e sigurimit.

Kjo praktikë duhet të marrë fund. Në të kaluarën polica e sigurimit ka kushtuar mbi 40 euro për një muaj. Ndërkohë është zbritur në 20.

Për dy javë kushton vetëm 15 euro. Kjo shumë është e përballueshme për çdo mërgimtar, sidomos kur merret parasysh se mërgimtarët udhëtojnë gratis me vetura nëpër autostradat e Kosovës.

Në Zvicër vinjeta vjetore për autostradë kushton 40 franga. Nëse një mërgimtar niset nga Zürichu për në Kosovë, ai duhet të paguajë gati 10 euro për vinjetën e Austrisë, 15 euro për tunelin Tauern, 9 euro për tunelin Karavanke (në kufi me Slloveninë). Nuk mbaron me kaq.

Vetëm për të kaluar nëpër Slloveni vinjeta kushton 16 euro. Rreth 20 euro duhet t’i paguhen shtetit kroat për të kaluar në autostradën e tij nga kufiri me Slloveninë deri në kufi me Serbinë.

Minimum 15 euro paguan kush kalon me veturë nëpër Serbi. (Pak a shumë këto janë çmimet, mund të ketë ndonjë ndryshim minimal). Total rreth 90 euro vetëm për tarifa rrugore nga Zürichu deri në kufi me Kosovën.

Kosova është ndër vendet më të varfra në Europë. Rroga mesatare është vetëm 639 euro (të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës nga qershori 2025). Rroga mesatare në Zvicër është rreth 7400 euro. Dallimi mes buxheteve të dy vendeve më mirë të mos përmendet fare këtu.

Qeveria duhet t’ia shpjegojë opinionit pse nuk po arrihet zgjidhja për Kartonin e Gjelbër. Këtë duhet ta bëjë duke komunikuar me opinionin. Me gjuhë të thjeshtë, me argumente bindëse. Vetëm kështu sigurohet edhe mirëkuptimi i njerëzve. Moskomunikimi është ofendim i opinionit.

Një ndër pyetjet, të cilave duhet t’u përgjigjet urgjentisht qeveria, është edhe kjo: a vazhdon të jetë arsye për mospranimin e Kosovës në sistemin e Kartonit të Gjelbër numri i madh i veturave të pasiguruara në Kosovë?

Nëse po, atëherë pse nuk rregullohet kjo punë? Nëse jo, cilat janë arsyet e tjera për këtë bllokadë? A ka deputetë të partisë në pushtet që merren me këtë çështje apo të gjithë e kanë kufizuar punën e tyre me kopalla nëpër Facebook dhe me futje pykash?

3 milionë euro për të subvencionuar policat e mërgimtarëve me rroga të Zvicrës - kjo nuk duhet të jetë zgjidhje e përhershme. Mendoj se shumë mërgimtarë do të pajtoheshin nëse këto 3 milionë euro do të ndaheshin për bursa studentësh nga Kosova që studiojnë shkencat teknike në ndonjë universitet europerëndimor apo amerikan.

Kjo vetëm një ide. Me siguri ka edhe ide të tjera më të mira. Për shembull kjo shumë mund të investohet në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në mënyrë që më pak pacientë të shkojnë për trajtim në Stamboll apo në Shkup.

Qeveria duhet të ketë më shumë menaxherë që kryejnë punë dhe më pak llafazanë. Më së miri do të ishte: të mos ketë fare llafazanë. /Telegrafi/

Kosova, Tetova dhe sheshet e Tiranës - ose: komedia e kërkimit të armikut të jashtëm

22 June 2026 at 17:08


E kam shkruar disa herë - së fundi më 6 qershor - se protesta në Tiranë u përket qytetarëve të Shqipërisë. Ata janë të revoltuar me regjimin e tyre, i cili u rri mbi kokë, dhe ata duhet të përballen me të. Kjo nuk është protestë që u përket kosovarëve dhe tetovarëve (as atyre imagjinarë të kryeministrit të Shqipërisë, i cili është bërë shumë i zellshëm në kërkimin e armiqve të jashtëm, poliagjentëve dhe imperialistëve të algoritmit). Duket se ka shikuar si tepër filma të Kinostudios “Shqipëria e Re”.

Partitë politike të Kosovës, edhe pas tri javësh protestash masive në Shqipëri, kanë zgjedhur të heshtin. Kjo do të thotë se duan të tregojnë qartë që nuk përzihen në zhvillimet politike në Shqipëri. Kjo qasje duhet përshëndetur.

Mund të ketë individë nga Kosova që zbresin në sheshet e Tiranës për të mbështetur protestën. Mund të ketë të tillë edhe nga Tetova. Por roli i tyre është i papërfillshëm, inekzistent. Megjithatë, kryeministri i Shqipërisë nuk duhet të humbë kohë me tekste të gjata në rrjete sociale. Nëse vërtet mendon se flamingot po i vijnë nga Ferizaj dhe jo nga Zvërneci, atëherë le t’ua ndalojë hyrjen në Shqipëri flamingove kosovare, edhe atyre që eventualisht kanë ardhur me kamion dhe kanë gënjyer se janë nga diaspora. Një kamion mund të bart ndoshta 70 veta. Por 70 mijë të tjerë në qendër të Tiranës janë shtetas të Shqipërisë.

Megjithatë, Edi Rama mund t’i zbulojë lehtë këta edepsëz e edepsëze kosovarë. Shefen e shërbimit sekret e ka importuar nga Kosova me buçima tamtami dhe ajo, me siguri, ka kapacitet që, me hafijet e saj, të zbulojë armikun e jashtëm kosovar. Me ata kosovarët e tjerë që mbrojnë çdo mbrapshti të Edi Ramës, as kryeministri i Shqipërisë, as regjimi i tij, as ministrat e tij nuk kanë asnjë problem. Kosovarët kritikë janë të padëshiruar, ndërsa kosovarët që i duartrokasin qeverisë së Shqipërisë janë të mirëpritur. Të parët ofendohen se po flasin “atë dialektin e rëndë kosovar”; të dytët - pa marrë parasysh sa të çalë mund ta kenë diksionin - trajtohen sikur të ishin pjesëmarrës në Kongresin famoz për standardizimin e gjuhës më 1972.

Meqë kryeministri i Shqipërisë paska aq shumë dëshirë që fajin për ngjarjet në vendin e tij t’ua lërë njerëzve jashtë Shqipërisë, e sidomos shqiptarëve të Kosovës, është e udhës të kujtojmë këtu se, nëse ka një politikan të Tiranës që brutalisht ka ndërhyrë negativisht në çështjet e Kosovës, emri i tij është Edi Rama.

Ka qenë i pari që i vendosi sanksione Kosovës, duke anuluar mbledhjet e përbashkëta të qeverive.
Ka shkruar një letër-propozim për asociacionin e komunave serbe në Kosovë dhe ua ka dërguar kancelarit gjerman dhe presidentit francez. (Merreni me mend sikur një kryeministër apo president i Kosovës të shkruante një dokument për një autonomi të pakicës greke në Zvërnec dhe këtë letër t’ia dërgonte qeverisë gjermane, franceze dhe greke.)

Edi Rama e ka quajtur veriun e Kosovës “tokë e askujt”. (Si tingëllon në Tiranë po të dilte një udhëheqës kosovar e të thoshte: “Zvërneci - kjo tokë e askujt?”)

Sa herë që presidenti i Serbisë ka rënë në hall për shkak të politikave të tij autokratike, kryeministri i Shqipërisë i ka dalë në ndihmë - herë duke qortuar BE-në (imagjinojeni!) pse po i kërkonte Serbisë t’u bashkohej sanksioneve kundër Rusisë, herë duke shkruar editorial bashkë me Aleksandër Vuçiqin për një gazetë gjermane, ku të dy tregoheshin të gatshëm të hiqnin dorë nga anëtarësimi i plotë në BE.

Me pothuajse të gjithë kryeministrat e Kosovës Edi Rama ka pasur përplasje - njërin deshi ta hidhte në gjyq (R. Haradinajn), tjetrin (I. Mustafën) e qortoi pse nuk deshi të bëhej pjesë e “Mini-Schengenit Ballkanik”, projektit për zemër të Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiqit; me Albin Kurtin Rama ka një raport të veçantë: dikur e quante partinë e Kurtit “pasuri kombëtare”, ndërkohë raportet janë prishur. Për këtë, një pjesë të fajit e bart edhe Kurti për shkak të ambicieve të tij fluturuese në të kaluarën, përfshirë pjesëmarrjen në zgjedhje në Shqipëri. Për fat të mirë nuk e ka përsëritur këtë gabim në zgjedhjet e fundit në Shqipëri.

E kam shkruar vite më parë dhe po e përsëris: asnjë ndryshim në Shqipëri nuk vjen, nuk mund të vijë dhe nuk duhet të vijë nga jashtë. Ndryshimi vjen nga brenda, kur të piqen kushtet. Secili kryeministër i Kosovës duhet të përqendrohet në punët e Kosovës. Ato duhet të gëzojnë prioritet. Përrallat e VV-së për “bashkim kombëtar sapo të vijmë në pushtet” mbetën - përralla. Vetëm naivët mund të kenë besuar se bëhej fjalë për premtim serioz. Ama këto përralla dikur i pëlqenin Edi Ramës. Pothuaj në sinkron me VV-në, ai më 2018, gjatë një fjalimi në Kuvendin e Kosovës me rastin e 10-vjetorit të pavarësisë, propozoi që Shqipëria dhe Kosova të kenë një president të përbashkët. Deputetët e VV-së hynë në sallë vetëm kur nisi të flasë ylli i tyre nga Tirana, Edi Rama. Fillimin e seancës vëvëistët e bojkotuan meqë ua vriste veshët dhe ndjenjat patriotike himni i Kosovës. Buxheti i Kosovës, ndërkaq, nuk i ka penguar kurrë këta njerëz. Ata të tjerët para tyre në pushtet jo se jo.

Po shihet tashmë se përzierja e eksponentëve të VV-së në Maqedoni nuk u solli ndonjë të mirë shqiptarëve të atjeshëm. Kjo nuk do të thotë se do të kishin kaluar më mirë me BDI-në në pushtet, e cila u zhyt në korrupsion dhe - siç po shihet hapur - nuk ka zgjidhur shumicën e çështjeve për të cilat po diskutohet: gjuha, emërtimi i shesheve dhe rrugëve në Tetovë etj.

Madje, edhe me Hashim Thaçin kryeministri Edi Rama pati mospajtimet e tij. Më 2019, Thaçi refuzoi të marrë pjesë në samitin e Ohrit, një takim trepalësh ku ishin të pranishëm kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, për të diskutuar rreth nismës së ashtuquajtur “Mini-Shengeni Ballkanik” (më vonë i njohur si “Ballkani i Hapur”, ndërkohë i harruar). Në rolin e vëzhguesve morën pjesë në takim edhe kryeministri i Bosnjës, Zoran Tegeltija, dhe kanakari i Edi Ramës nga Mali i Zi dhe vikari i vetëshpallur i Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Dritan Abazoviq, i cili atëbotë ishte kryeministër në Podgoricë. Thaçi e arsyetoi mospjesëmarrjen duke thënë se nuk mund të ishte pjesë e samiteve të organizuara nga shtete apo me pjesëmarrjen e shteteve që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Ai iu referua Serbisë dhe Bosnjës. Afërsisht në të njëjtën kohë kur u mbajt samiti në Ohër, Thaçi dha një intervistë për Top Story në Top Channel, ku deklaroi se në vitet 90-të dyshohej për një takim të fshehtë në Ohër mes Sali Berishës, Sllobodan Millosheviqit dhe Kiro Gligorovit, ngjarje për të cilën pretendohej se aktivisti Remzi Hoxha kishte siguruar video-prova para se të rrëmbehej dhe të zhdukej. “Mendoj se dy njerëz e kanë pasur atë video, Azem Hajdari dhe Ali Uka; asnjëri prej tyre nuk jeton, dhe këtë mund ta thotë vetëm Sali Berisha, se ku ndodhet”, pati shtuar Thaçi. Politikanët shqiptarë kurrë s’kanë qenë të njohur për gjuhë të kujdesshme, shpesh deklaratat e tyre janë brutale, e tillë është edhe deklarata e Sali Berishës kundër Thaçit në tetor 2019 dhënë në Ora News: “Argati i Beogradit meriton vetëm atë që i kam thënë, është argat i Vuqiçit, mjeran i damkosur në mbarë Kosovën dhe tani në mbarë Europën. Shkoi në samitin e Berlinit për të shitur tokat e vendit të tij”.

Rama është përzier në Kosovë më shumë se Sali Berisha me marrëzitë e tij në vitet 1990, kur bënte thirrje që Kosova të pranonte një autonomi “brenda Jugosllavisë” dhe kur e përdorte Adem Demaçin, i cili kishte qejf të keqpërdorej, për t’i bërë presion Ibrahim Rugovës që kosovarët t’u bashkëngjiteshin protestave të opozitës serbe në Beograd kundër manipulimeve të zgjedhjeve lokale nga ana e Sllobodan Millosheviqit (thua se shqiptarët e Kosovës këtë hall kishin, ndërsa mezi mbijetonin nën aparteidin e regjimit të Beogradit). Në atë kohë, disa politikanë të opozitës shqiptare dhe kritikë të ashpër të Berishës shkuan për vizitë në Beograd për të përkrahur opozitën serbe dhe për t’ia bërë me dije se nuk mendojnë si ata “kosovarët primitivë”, të cilët kërkojnë pavarësi, sepse pavarësia e Kosovës, siç e pati thënë më vonë një kryeministër socialist i Shqipërisë, nuk i përshtatet Europës moderne, andaj i pati premtuar një mediumi gjerman se do të flasë me Ibrahim Rugovën. Me gjasë për t’ia ndryshuar mendjen. Një mision i pamundur!

Në Tiranë nuk po proteston Kosova.
Shqipëria po proteston! Dhe këtë duhet ta kuptojnë politikanët e Partisë Socialiste dhe ata të Partisë Demokratike.
Nuk po protestojnë agjentë rusë.
Nuk po protestojnë agjentë serbë.
Nuk po protestojnë agjentë grekë.
Nuk po protestojnë agjentë iranianë.
Masa e madhe po proteston kundër një modeli politik, i cili pasuron një shtresë të hollë duke grabitur resurset e shtetit dhe varfëron shumicën.
A ka në këtë masë të madhe njerëz të papërgjegjshëm? Huliganë? Ka. Por të tillë ka në çdo protestë masive. Sikur Edi Rama të kishte fituar zgjedhjet vetëm me balerinë, violinistë dhe qëndistare të flamujve kombëtarë, do të kishte të drejtë t’i mallkonte demonstruesit me flamingo nën dritaret e zyrës së tij.

Heqja e flamurit të shtetit të Izraelit nga godina e Ambasadës izraelite në Tiranë, për shembull, është një akt i shëmtuar dhe i dënueshëm. Për aq sa mund të shihet, këtë akt e ka kryer një person i maskuar, ndërsa përreth tij gjendeshin dhjetëra të tjerë me fytyrë të zbuluar. Që prej shpërthimit të protestave, ka qenë i pranishëm rreziku që në turmë të depërtojnë fanatikë pseudomyslimanë, njerëz që nuk ndiejnë as për kombin shqiptar, as për detin shqiptar, as për të ardhmen e vendit. Ata kanë agjendë globale. Kjo agjendë e tyre nuk përputhet askund me interesat e protestuesve me ndjeshmëri mjedisore.

Përgjegjës për këtë që ndodhi para Ambasadës izraelite janë si autorët e drejtpërdrejtë të këtij veprimi të ndyrë, ashtu edhe të gjithë ata që u bënë pjesë e tij. Ata duhet të arrestohen dhe të marrin dënimin që meritojnë, në përputhje me ligjet e shtetit shqiptar.

Megjithatë, kjo ngjarje nxjerr në pah edhe disa të vërteta shqetësuese: ky akt vështirë se do të kishte ndodhur, po të kishte vepruar policia me profesionalizmin e kërkuar. Në këtë rast, dështimi i saj është i plotë. Detyra e policisë ishte e qartë: të mbronte misionin diplomatik izraelit. Siç bën çdo shtet serioz. Edhe më i rëndë duket dështimi i shërbimit sekret shqiptar. Nëse një shërbim nuk arrin të parandalojë skena të tilla në zemër të kryeqytetit, atëherë lind natyrshëm pyetja: për çfarë ekziston? E gjithë kjo që ndodhi flet shumë edhe për sistemin e sigurisë të ngritur nga qeveria aktuale në Tiranë, një sistem i kriminalizuar, që u shërben më fort nevojave të politikës së ditës sesa interesave të shtetit.

Organizatorët e protestave duhet të tregohen të vëmendshëm, që të mos lejojnë depërtimin e ca mendjehumburve, të cilët, para se të “çlirojnë” Sazanin e Zvërnecin, ëndërrojnë të “çlirojnë” Gazën - madje, ndoshta, pasi të kenë shfletuar esenë mbi Kosovën të intelektualit palestinez Edward Said, figurë me të cilën pëlqejnë të identifikohen kritikët e kolonializmit.

Më 1999, Said llomotiste se Bill Clintoni “e ka shfrytëzuar krizën e Kosovës për të ndrequr dëmin që i bëri vetes me çështjen Lewinsky”, ndërsa shtronte pyetjen se cilat do të ishin, në të ardhmen, marrëdhëniet e shqiptarëve të Kosovës me Serbinë, “e cila ka një të drejtë sovraniteti të pamohueshëm në këtë krahinë”.

Nuk është befasi që ka njerëz që duan ta keqpërdorin protestën për agjendat e veta. Para disa ditësh, disa komunistë mendjehumbur të kasabasë së Zürichut dolën në një shesh për të protestuar, meqë, pas Gazës, dhëndri i Trumpit paskësh dëshiruar të merrte edhe Sazanin. Këtyre hutaqëve iu bashkuan edhe disa djem e vajza shqiptare me flamuj kombëtarë, duke mos pranuar të kuptonin se Gaza dhe Sazani nuk kanë asgjë të përbashkët, as në histori, as në hall.

Shqetësimi i vetëm i protestuesve do të duhej të ishte përballja me një qeveri arrogante në Tiranë, e cila merr vendime mbi kokat e qytetarëve, pa pyetur askënd, pa sqaruar kushtet e investimit dhe pa dëgjuar shqetësimet e banorëve. Kjo protestë mund të quhet që tani historike, sepse i ka treguar regjimit se durimi ka një kufi dhe se, përtej atij kufiri, nis mosbindja dhe zemërimi qytetar. Tërheqja zvarrë e protestuesit në Zvërnec kishte një simbolikë të fuqishme - një pamje që të jepte ndjesinë se, në të njëjtën mënyrë, po tërhiqet zvarrë edhe Shqipëria nga një kastë politikanësh të korruptuar, të lidhur pazgjidhshmërisht me një rreth oligarkësh.

Kjo është protestë kundër një kryeministri që thotë se nuk di asgjë për grupet okulte që paratë e fituara nga tregtia globale me drogë i investojnë në ndërtimin e rrokaqiejve në Tiranë dhe resorteve turistike në Adriatik dhe Jon. Si është e mundur kjo? Kush i lëshon lejet për ndërtime të tilla? Kush i kontrollon transferet e parave? Ku janë policia, shërbimi sekret, prokuroria, policia financiare? Politika? Ministrat?

Fajtore qenka Kosova! Pasi nuk funksionoi propaganda për diskreditimin e tërë protestuesve me lloj-lloj akuzash dhe me vokabular enverhoxhist, mes tyre më e tmerrshmja ishte kur kryeministri i krahasoi djemtë dhe vajzat e Shqipërisë, shumë prej të cilëve votues të dëshpëruar të tij, me falangat (jo flamingot!) e Benito Mussolinit. T’i quash bashkëkombësit e tu fashistë? Apo sorra e korba? Kjo është gjuhë shqetësuese. Dhe nuk është gjuhë e nivelit të kryeministrit. Kjo gjuhë nuk duhet të ketë vend në hapësirën publike.

Në të njëjtën kohë, asnjë fjalë nga kryeministri për Belinda Ballukun, e cila, sipas SPAK-ut, u shpërblye me një vilë sipas parimit: unë ty tenderin, ti mua vilën në Dhërmi. Asnjë fjalë për skemën e dyshuar për pastrim parash. Asnjë fjalë për dyshimet se miliona nga tregtia me kokainë po futen në ekonominë shqiptare. Asnjë fjalë për dëmet e mëdha që iu shkaktuan buxhetit nga afera e inceneratorëve. Asnjë fjalë për futjen në parlament të figurave që më shumë e kanë vendin në burg sesa në institucionin e lartë të përfaqësimit të vullnetit popullor. Kryeministri i Shqipërisë me gjasë nuk ka qenë kurrë në Aruba, në atë ishullin e famshëm ku thuhet se një grup shqiptarësh që nuk shquhen për respektim të ligjeve bënë plane për investime në Shqipëri. Por detyrë e kryeministrit është të kujdeset që kapitali i siguruar nga shitja e kokainës të mos depërtojë nga Aruba në Adriatik. Kur e ka marrë pushtetin është betuar se do të punojë për të mirën e Shqipërisë, jo në dëm të saj.

Athua për të gjitha këto probleme të Shqipërisë fajet i paskësh Kosova? Sa herë që regjimi në Tiranë përballet me probleme, fajtorë kujdestar gjenden shqiptarët e Kosovës. Kjo politikë etiketimesh me nuanca racizmi të internalizuar nuk i zgjidh hallet e Edi Ramës. Ka potencial vetëm të shkaktojë tensione mes shqiptarëve në rajon.

Lexova një ish-ministër të Ramës që tha se nuk ka “hajvanllëk më të madh sesa të vish nga Kosova për ta rrëzuar qeverinë në Tiranë”. Ky ish-ministër dhe të ngjashmit do të tingëllonin të besueshëm, po të kishin guxuar në të kaluarën t’i kërkonin kryeministrit të tyre që të mos i bënte dëme Kosovës me paradat e tij kuazidiplomatike. A bëhej fjalë edhe aty për hajvanllëk, nëse duam të ruajmë “origjinalitetin e sharjeve” të politikanit nga Tirana?

Meqë kryeministri i Shqipërisë këto ditë ka qejf të flasë shumë për sorra e korba, qe edhe një shembull me lopë. Vite më parë, një blegtor zviceran nuk pajtohej me praktikën e prerjes së brirëve të lopëve dhe arriti të organizonte një referendum mbarëkombëtar për t’i kërkuar shtetit subvencionimin e fermerëve që nuk e aplikonin këtë praktikë. Ndërsa në Zvicër një shoqëri e tërë ndalet, debaton dhe voton edhe për një çështje të tillë - duke dëshmuar se qytetari është pronari real i shtetit, pavarësisht se në fund nisma u refuzua në referendum - në Shqipëri ndodh krejt e kundërta.

Kryeministri dhe rrethi i tij i ngushtë marrin vendime brenda natës për projekte gjigante që tjetërsojnë natyrën, duke falur për një shekull zona të mbrojtura e ishuj, si dhe duke miratuar ligje arbitrare për hotele luksoze me 10 mijë dhoma, pa zhvilluar asnjë konsultim publik dhe pa sqaruar çështjet elementare të pronësisë. Dallimi është thelbësor: nëse në Zvicër shteti dëgjon popullin edhe për brirët e lopëve, në Shqipëri pushteti i tregon “brirët” popullit, duke e injoruar plotësisht. Kjo arrogancë institucionale tani po përballet me mllefin e qytetarëve. Nëse parafrazojmë George Büchnerin, atëherë mund të profetizojmë: mllefi i qytetarëve ka nisur të shpërthejë muret e pushtetit, por të gjithë mund t’i djegin gishtat.

Kryeministri nuk mund të sillet sikur dhjetëra-mijëra qytetarë të mllefosur janë pjesë e një komploti botëror kundër tij. Kjo paranojë vetëm mund të eskalojë situatën.

Shqipëria ka arritur suksese të mëdha në dy dekadat e fundit. Hyrja në NATO dhe heqja e vizave dikur dukeshin të paimagjinueshme. Integrimi në BE dukej më larg se një udhëtim në mars. Shqipëria sot është destinacion turistik shumë i pëlqyer sidomos në Europën Perëndimore. Imazhet e shqiptarëve të leckosur e të poshtëruar nga komunizimi, pamjet e tyre si të mallkuar nga fati duke zbritur nga anija “Vlora” në Bari më 1991, figurat e tyre naive të përjetësuara në filmin “Lamerica” të Gianni Amelios - këto, fatmirësisht, i përkasin të kaluarës. Vetëm nga viti 2021 numri i turistëve ka arritur në dymbëdhjetë milionë - ky është më shumë se dyfishim. Turizmi gjeneron më shumë se një të pestën e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB), i cili së fundmi ishte rreth 26 miliardë euro. Do të ishte e padrejtë që Edi Ramës të mos i njihej asnjë meritë për këtë.

Por shumë shqiptarë besojnë se çmimi që po paguan Shqipëria, megjithatë, është shumë i lartë. Pse? Sepse prapa shkëlqimit dhe fasadave ka shumë mashtrim. Shumë korrupsion. Dhe shumë keqpërdorime. Edhe sikur Edi Rama të jetë njeriu me duart më të pastra në botë, të gjitha këto kanë ndodhur faktikisht para syve të tij si kryeministër. Nuk i pa apo nuk deshi t’i shihte? Apo i toleroi derisa krimi u bë bashkëpronar i qeverisjes? Këto janë pyetjet e vështira dhe përgjigjje po kërkojnë mijëra qytetarë të Shqipërisë. Përmendja e Kosovës nga regjimetet e Ramës dhe nga ky vetë është vetëm një tentim absurd për të prodhuar mjegull.

Vdiq Sllavenka Drakuliq, shkrimtarja më e njohur kroate në botë dhe mbrojtësja e zëshme e Kosovës

21 June 2026 at 08:15


Sllavenka Drakuliq ishte një mjeshtre e përshkrimit të dhimbjeve shpirtërore dhe trupore. Në esetë dhe librat e saj kjo autore kroate foli për viktimat - si mbrojtëse e tyre dhe si përbuzëse e nacionalizmit.

Sllavenka Drakuliq ishte jo vetëm shkrimtare. Ishte ndër gratë e para që, në zymtësinë e komunizmit jugosllav, shkroi mbi feminizmin. Më 1984! Drakuliq ishte eseiste. Vrojtuese e mprehtë e fenomeneve shoqërore. Gazetare. Kolumniste e gazetës kroate «Jutarnji list». Aktiviste e të drejtave të njeriut. Një grua që i kaloi kufijtë e Jugosllavisë. Një damë nga Zagrebi, e cila dekadat e fundit i kaloi në bashkëshortësi me publicistin dhe shkrimtarin suedez Richard Swartz, i cili pas studimeve në Pragë mbeti përjetësisht i lidhur me Europën Lindore dhe veçanërisht me Ballkanin (mes tjerash, Swartz ka qenë dëshmitar i rënies së komunizmit në Shqipëri).

Siç njofton «Jutarnji list», Drakuliq vdiq të shtunën në moshën 77-vjeçare, pak kohë pasi botoi librin e saj «Pse nuk mësova të gatuaj» (Zašto nisam naučila kuhati), të cilin e publikoi shtëpia botuese kroate Fraktura.

Drakuliq e nisi karrierën si gazetare dhe shkroi në revistat kroate «Start» dhe «Danas», të cilat në vitet 1970 dhe 1980 lexoheshin edhe nga shtresa e hollë intelektuale e Prishtinës.

Romanin e saj të parë, «Hologramet e frikës» (Hologrami straha), e botoi më 1987. «Libri pati një jehonë të madhe në të gjithë territorin e ish-Jugosllavisë, ndërsa Drakuliq prezantoi në letërsinë bashkëkohore, në një mënyrë mbresëlënëse, diskursin femëror dhe autobiografik», shkruan «Jutarnji list».

Në fillim të viteve 1990, Drakuliq u vu në shënjestër të publicistëve nacionalistë të afërt me presidentin Franjo Tuxhman. Drakuliq dhe Jelena Lovriq, Rada Ivekoviq, Vesna Kesiq dhe Dubravka Ugreshiq u quajtën «shtrigat e Rios» në një artikull anonim të botuar në revistën «Globus» të Zagrebit. Nën titullin «Feministet kroate përdhunojnë Kroacinë», ato u akuzuan se gjatë kongresit të PEN-it në Rio de Zhaneiro supozohej të kishin lobuar kundër mbajtjes së kongresit të radhës në Dubrovnik. Shkrimtaret u njollosën si armike të shtetit dhe u akuzuan për orientim antikroat. Teksti u mor pafytyrësisht me prejardhjen e tyre, statusin martesor e familjar, si dhe me biografitë e tyre intime. Dubravka Ugreshiq më 1992 u largua nga Kroacia për shkak të fushatës primitive ndaj saj. Më vonë u kuptua se autor i tekstit të ndyrë ishte publicisti Sllaven Letica, i cili ishte edhe partner tenisi i Franjo Tuxhmanit. Vetëm në vitin 2004 revista «Globus» u detyrua t’i paguante një dëmshpërblim Sllavenka Drakuliqit.

Gjatë viteve 1990 dhe në dekadën e parë të shekullit XXI, Drakuliq shkroi shpesh ese për mediat më prestigjioze si «The New York Times», «Frankfurter Allgemeine Zeitung», «La Repubblica» dhe «El Mundo». Kryetemë e shkrimeve të saj ishte rrëshqitja e Jugosllavisë në luftë dhe arsyet që çuan drejt shumë tragjedive njerëzore. Në këto shkrime Drakuliq shpesh trajtoi edhe çështjen e Kosovës. Në tekstin «Si e mësuam urrejtjen», shkruar në maj të vitit 1999, pra gjatë sulmeve të NATO-s kundër regjimit serb, Drakuliq ngriti një akuzë të ashpër kundër shoqërisë serbe. Sipas saj, serbët refuzonin të pranonin përgjegjësinë e tyre për luftën në Ballkan. Kjo verbëri e tyre autiste ndaj tmerrit në Bosnjë dhe në Kosovë çoi në një mungesë të plotë të dhembshurisë.

Drakuliq i gjente arsyet te logjika e shpërfilljes. Shqiptarët në Jugosllavi, sipas saj, ishin thjesht të padukshëm, sepse të tillë i dëshironte regjimi. Shqiptarët e Kosovës, nënvizonte Drakuliq në «Frankfurter Allgemeine Zeitung», «ekzistonin të ndarë nga ne, si njerëz që mezi vëreheshin diku në skajet e shoqërisë, me gjuhën e tyre të çuditshme, nga e cila askush nuk kuptonte asnjë fjalë, me organizimin e tyre fisnor dhe konfliktet e gjakmarrjes». Kjo qasje ndikonte që edhe dhimbjet e tyre të mos merreshin parasysh, gjë që është e pafalshme, sipas Drakuliqit.

Pas vdekjes së Sllobodan Millosheviqit në qelinë e tij në Hagë, në mars të vitit 2006, gazeta «Jutarnji list» e pyeti autoren kroate nëse mund të vendosej drejtësia pasi Sllobodan Millosheviqi kishte vdekur pa iu shqiptuar dënimi. Drakuliq u përgjigj kështu: «Drejtësia në fakt nuk mund të vendoset kurrë plotësisht, përveçse në mënyrë simbolike - por është shumë e rëndësishme që të hulumtohen krimet e luftës, të zhvillohen gjyqet dhe të dënohen fajtorët, sepse pa këtë njeriut nuk i mbetet gjë tjetër veç gjakmarrjes. Në rastin konkret, viktimat e politikës së Millosheviqit mbeten madje edhe pa këtë kënaqësi simbolike, gjë që është e tmerrshme. Nëse kjo mund t’u shërbejë si ndonjë ngushëllim, Millosheviqi vdiq në një qeli burgu, vetëm si qen, duke përjetuar kështu edhe vetë fatin e shumë viktimave të politikës së tij. Megjithatë, atë gjithsesi do ta arrijë një lloj tjetër drejtësie, ajo historike. Qëllimi i mbrojtjes së tij ishte të vërtetonte se roli i tij në historinë e Serbisë ishte heroik dhe se ai po e mbronte vendin e tij nga një konspiracion ndërkombëtar. Tani të tjerët do të gjykojnë për këtë, domethënë do të ndodhë pikërisht ajo që Millosheviqi u përpoq dëshpërimisht ta shmangte duke udhëhequr vetë mbrojtjen e tij».

Drakuliq është autore e një sërë librash të rëndësishëm publicistikë, si: «Si mbijetuam» (Kako smo preživjeli), «Ata nuk do të vrisnin as një mizë» (Oni ne bi ni mrava zgazili), «Café Europa», «The Balkan Express», «Trupi i trupit të saj» (Tijelo njenog tijela), «Përsëri në kafenenë Europa» (Ponovo u kavani Europa). Librat e saj janë përkthyer në mbi 20 gjuhë. Përkundër problemeve shëndetësore (pati dy transplantime veshkash në SHBA), ajo nuk iu shmang temave të dhimbshme. Në shqip nuk është përkthyer asnjë libër i saj.

Në një intervistë për magazinën «Moderna vremena» ajo tha: «Natyrisht që sëmundja më bëri të njihem me dhimbjen; isha e detyruar të përballesha me të dhe të mendoja se si ta shprehja. Sepse dhimbja, në të vërtetë, i shpëton gjuhës, ajo na ikën; është e vështirë ta shprehësh dhimbjen sepse ajo të zhvesh dhe të kthen në një gjendje primare, përpara se të ekzistonte gjuha. Prandaj trupi u bë një nga temat e mia qendrore, veçanërisht trupi i femrës. Gjithashtu, gjithmonë më ka interesuar edhe tema e vdekjes. Unë u gjenda herët në situatën ku më duhej të mendoja për të, që në moshën tridhjetëvjeçare. Nuk mund të them se në atë kohë e kisha ndërgjegjësuar plotësisht, por ishte një përvojë e jashtëzakonshme që ma ndryshoi jetën. Shumë vite më vonë, shoh rreth vetes se shumica e njerëzve që kanë qenë të shëndetshëm gjatë gjithë jetës fillojnë të mendojnë për vdekjen. Them se vetëdija për vdekjen ma ndryshoi jetën, sepse që në moshë shumë të re kuptova se koha ime ishte e kufizuar - si e gjithë të tjerëve, vetëm se njerëzit zakonisht nuk kanë nevojë të mendojnë aq radikalisht për këtë. Kuptova se doja të bëja vetëm atë që ishte me të vërtetë e rëndësishme për mua. Mendoj se për këtë arsye kam qenë më pak e prirur ndaj kompromiseve. Për shembull, nuk pranoja të punësohesha në vende që nuk më interesonin ose që nuk më sillnin ndonjë gëzim. Krijova një hierarki specifike vlerash, ku në krye të asaj shkalle vendos atë që është më e rëndësishmja për ty - dhe për mua, më e rëndësishmja ishte të rritja vajzën time dhe të shkruaja».

Gazeta tjetër kroate «Veçernji list» kështu e përmblodhi jetën e saj: «Ajo shpërfaqi me guxim të gjitha plagët e shoqërisë sonë - patriarkatin, luftën, e madje edhe sëmundjen e saj».

❌