Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka shpreh shqetësimin për siç thonë përpjekjet e vazhdueshme për manipulim politik dhe instrumentalizim të simboleve të UÇK-së në protestën disaditore në Tiranë.
Kryetari i OVL e UÇK-së, Hysni Gucati përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se "është e papranueshme dhe fyese për dinjitetin e luftës sonë që në emër të UÇK-së, të flasin dhe të paraqiten individë apo grupe që për vite me radhë kanë tentuar ta zbehin, ta devijojnë dhe t’ia ulin vlerën luftës sonë çlirimtare".
Sipas tij, OVL e UÇK-së rithekson me përgjegjësi të plotë se kauza e UÇK-së nuk është dhe nuk mund të jetë instrument i asnjë agjende politike të ditës apo i interesave të ngushta personale e partiake.
"OVL e UÇK-së u bën thirrje organizatorëve të protestës në Tiranë që ta garantojnë integritetin e protestës dhe të mos lejojnë asnjë përpjekje për manipulim, keqpërdorim apo vetëdeklarim të rremë në emër të ish-ushtarëve apo veteranëve të UÇK-së. UÇK-ja është pjesë e historisë së lirisë dhe sakrificës së popullit tonë dhe duhet trajtuar me respekt, jo për përfitime politike", ka shkruar Gucati. /Telegrafi/
Një grup protestuesish vijon të qëndrojë përpara Kryeministrisë edhe mëngjesin e kësaj të hëne.
Protestuesit janë vendosur në disa stola metalikë pranë godinës, ndërsa në shkallët e Kryeministrisë janë vendosur edhe këpucë, të cilat sipas organizatorëve simbolizojnë emigrimin.
Qëndrimi i protestuesve nisi pas përfundimit të protestës së zhvilluar të shtunën. Një pjesë e tyre vijuan të qëndrojnë përpara godinës së qeverisë edhe gjatë gjithë ditës së diel, duke vazhduar praninë e tyre në zonë. /Euronews.al/
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në rrjetet sociale sa i përket protestave në Tiranë.
Ai ka ndarë një foto të nismëtarit Arben Kola, dhe me një shkrim poshtë saj ku ai citohet duke thënë për mediat: “Ka grupe greke dhe serbe në protestë, do t’i nxjerrim me emra”.
Në postimin e tij në Facebook, Kryeministri shkruan: “Ouuu….. Po ky vetë? Avash avash, të gjithë do dalin! Dhe flamingot do habiten me veten e tyre si ranë me kokë mes korbave e sorrave të shqiptarisë së rreme”.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë ka reaguar për mediat, duke bërë me dije se disa persona të maskuar kanë hequr dhe kanë përdhosur flamurin e Ambasadës së Izraelit në Tiranë gjatë protestës së mbrëmshme.
Në reagim, Ministria dënon me forcë aktin, duke theksuar se veprime të tilla nuk kanë asnjë lidhje me lirinë e shprehjes apo të drejtën për protestë paqësore, por përbëjnë shfaqje të urrejtjes dhe intolerancës.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë dënon me forcë heqjen dhe përdhosjen e flamurit të Ambasadës së Shtetit të Izraelit në Tiranë nga protestues të maskuar gjatë protestës së mbrëmshme”, thuhet në njoftim.
Sipas MEPJ, këto veprime janë të papajtueshme me vlerat demokratike dhe standardet evropiane, si dhe me parimet e respektit dhe bashkëjetesës që karakterizojnë shoqërinë shqiptare.
“Veprime të tilla janë shfaqje të urrejtjes dhe nxitjes së saj, dhe janë krejtësisht të papajtueshme me parimet e respektit dhe bashkëjetesës që Shqipëria i ka në themel”, thuhet në reagim.
Ministria thekson gjithashtu se Shqipëria mbetet e angazhuar për mbrojtjen e misioneve diplomatike dhe simboleve të tyre, në përputhje me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike.
Në reagim shprehet edhe solidariteti me Ambasadën e Shtetit të Izraelit, ndërsa theksohet se dhuna, intimidimi dhe gjuha e urrejtjes nuk do të kenë vend në një shoqëri demokratike.
Pas ditës së 19-të të protestës qytetare, Policia e Tiranës ka njoftuar se ka proceduar penalisht 27 shtetas, të cilët dyshohet se janë përfshirë në veprime që, sipas autoriteteve, kanë cenuar rendin dhe sigurinë publike gjatë tubimit të zhvilluar.
Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, personat e proceduar akuzohen se kanë penguar qarkullimin e mjeteve të transportit dhe kanë shkaktuar shqetësim për rendin dhe qetësinë publike. Policia pretendon se ata kanë orientuar pjesëmarrësit e protestës të lëvizin në disa akse të Tiranës, duke tejkaluar orarin dhe perimetrin e lëvizjes të njoftuar më parë për organizimin e tubimit.
Procedimi penal vjen pas veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga strukturat e policisë në lidhje me protestën, ndërsa hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes vijojnë. /Euronews.al/
Protestat e qytetarëve kundër ndërtimit në zonën e Zvërnecit kanë vijuar edhe këtë të mërkurë, duke shënuar ditën e 18-të të mobilizimit të tyre.
Ndryshe nga ditët e mëparshme, protestuesit janë mbledhur në sheshin “Skënderbej” në orën 19:00, pas ndryshimit të orarit për shkak të temperaturave të larta.
Pas grumbullimit në shesh, qytetarët kanë marshuar drejt Kryeministrisë, ku janë parë me pankarta dhe flamuj në duar, ndërsa kanë bërë thirrje për bashkim të qytetarëve në protestë dhe për vijimin e qëndresës së tyre. Ndër kërkesat e protestuesve është kërkuar edhe dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
Ashtu si në ditët e mëparshme, në protestë janë parë edhe prindër me fëmijë të mitur, të cilët kanë marrë pjesë në marshime që pritet të zgjasin deri në orët e vona të natës në rrugët e kryeqytetit.
Paralelisht, protesta është zhvilluar edhe në qytetin e Elbasanit, ku një grup qytetarësh janë mbledhur për të shprehur pakënaqësitë e tyre. Të rinj dhe qytetarë të tjerë kanë mbajtur pankarta dhe flamuj, ndërsa kanë mbajtur fjalime dhe kanë artikuluar kërkesa drejtuar qeverisë.
Gjatë protestës në Elbasan, një nga qytetarët e pranishëm u shpreh se qyteti po përballet me probleme të rënda të zhvillimit dhe menaxhimit, duke kritikuar politikat qeveritare.
Ndërkohë, protesta kryesore është përqendruar në Tiranë, ku pjesëmarrja mbetet më e lartë dhe ku pas fjalimeve protestuesit pritet të vijojnë marshimin nëpër rrugët e kryeqytetit.
Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë të gjatë për Vanity Fair, Itali, ku ka sqaruar mes të tjerash edhe për investimin në Zvërnec, apo ishullin e Sazanit, për synimin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, por edhe për karrierën e tij politike apo detaje nga jeta personale.
Intervista e plotë e Kryeministrit Rama për “Vanity Fair”:
Kryeministri Rama: Muret e kësaj zyre po lëvizin
Gazetarja: Në ç’kuptim?
Rama: Kur fitova zgjedhjet për herë të parë, në vitin 2013, i kërkova një këshillë Tony Blair-it. Ai m’u përgjigj: “Të qeverisësh një vend është si të qëndrosh përballë një afresku. Duhet të mbash distancën e duhur; nëse afrohesh shumë, humb pamjen e përgjithshme”. Problemi është se, shpesh, është vetë afresku që vjen drejt teje. Muret ngushtohen derisa të bëjnë të ndihesh si në një qeli nga e cila nuk mund të shpëtosh.
Gazetarja: Hapësirën jetike të kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, për të gjithë Edi, 62 vjeç, më 4 korrik, dy metra i gjatë, e shtrëngojnë nga njëra anë drejtësia, hetimet e së cilës për korrupsion kanë arritur deri te zëvendësja e tij Belinda Balluku; nga ana tjetër, opozita politike e Sali Berishës, lideri i së djathtës dhe ish-kryeministër, i cili nuk humbet rast pa e akuzuar se e ka shndërruar vendin në një “narko-shtet”. Pastaj janë afatet që duhen respektuar për t’u përshtatur me standardet, në shpresën e një anëtarësimi në BE në vitin 2027, objektivi kryesor i këtij mandati të tij të katërt.
Që nga 23 maji, mijëra njerëz janë derdhur në rrugët e Tiranës për të protestuar kundër dhënies së ishullit të Sazanit dhe bregdetit të Vlorës Jared Kushner-it dhe Ivanka Trump-it, të cilët synojnë të ndërtojnë resorte luksoze në zona të paprekura dhe të banuara nga pelikanë e flamingo.
Pikërisht flamingot janë bërë simboli i një lëvizjeje, “revolucioni i flamingove”, që vazhdon me slogane si “Shqipëria nuk është në shitje” dhe që shpejt ka shndërruar pakënaqësinë për çështjen mjedisore në një pakënaqësi më të gjerë ndaj establishmentit.
Kundër Ramës në radhë të parë, për dorëheqjen e të cilit kërkohet si brenda vendit ashtu edhe jashtë. Madje edhe senatori amerikan demokrat Bernie Sanders, në një postim, është shprehur kundër përuljes së qeverisë shqiptare përballë “oligarkisë globale”.
I rrethuar nga më shumë se një front, ish-basketbollisti i ekipit kombëtar dhe artisti i shquar, ish-kryetar i bashkisë së Tiranës dhe lider i Partisë Socialiste, ndërton mbrojtjen e tij duke vënë në dyshim pikënisjen.
Kryeministri Rama: Nëse do të ishte e vërtetë që po shesim tokën tonë tek oligarkë të gatshëm ta shkatërrojnë me mega-ndërtime, do të isha i pari që do të ndihesha i neveritur. Por a është e vërtetë?
Gazetarja: Na e thoni ju.
Kryeministri Rama: Është një narrativë e ndërtuar mbi gjysmë të vërteta që, duke kaluar nga goja në gojë, nga postimi në postim, janë shndërruar në një gënjeshtër gjigante.
Le të fillojmë nga gjysmë të vërtetat. Ka dy site: i pari, bregdeti i Vlorës ishte pronë private dhe është shitur te investitorët.
Ka nga ata që thonë se shitja nuk ka qenë e ligjshme dhe se dhëndri i Donald Trump-it, Jared Kushner, tani është nën hetim.
Ish-pronari ishte nën hetim për një çështje tjetër. Tani transaksioni është pezull derisa të sqarohet pronësia e ligjshme e tokave, që në Shqipëri mbetet një çështje delikate që nga rënia e regjimit dhe rishpërndarja e titujve të pronësisë. Sapo të sqarohet pronësia, shuma do t’i paguhet atij që i takon
Gazetarja: Po siti i dytë?
Kryeministri Rama: Është ishulli i Sazanit, i cili i përket shtetit. Dhe nuk ka asnjë synim për ta shitur. Po negociojmë një partneritet. Më pas do të nisin analizat mjedisore për t’u siguruar që natyra të mbrohet.
Gazetarja: Ju akuzoheni se keni ndryshuar ligjin për mbrojtjen e mjedisit pak para se të fillonin negociatat me Kushner-in, pikërisht për t’i hapur rrugën atij.
Kryeministri Rama: Ne e kemi përshtatur legjislacionin tonë me standardet europiane që parashikojnë nivele të ndryshme mbrojtjeje. Ka zona të paprekshme, si delta e lumit Vjosa, dhe zona ku mund të ndërtohet, gjithmonë duke respektuar standardet e BE-së.
Gazetarja: Protestuesit kërkojnë heqje të plotë dorë nga projekti?
Kryeministri Rama: Gjëja kurioze është se ende nuk ka një projekt konkret. Ka një ide, një ëndërr për të cilën po punojnë disa nga arkitektët dhe inxhinierët mjedisorë më të mirë në botë. Po flas për njerëz si Kengo Kuma, Jean Nouvel, Dong Yugan. Kur projekti të jetë gati, do ta bëjmë publik me krenari dhe do të hapim diskutime me ambientalistët.
Gazetarja: Megjithatë mbetet fakti që çdo ndërhyrje do të ndikojë në mjedis më shumë se mungesa e ndërhyrjes.
Kryeministri Rama: Në këtë rast, megjithatë, pakti parashikon që në fund të ketë më shumë zona të gjelbra se sa në fillim. Dyshimet lindin nga supozimi se zhvillimi ekonomik dhe mbrojtja e mjedisit janë domosdoshmërisht armiq. Ky është gabim. Vetëm turizmi luksoz mund ta shpëtojë vendin dhe natyrën e tij nga ndikimi shkatërrues i turizmit masiv. Por shumë nuk do të dëgjojnë sepse janë të fokusuar në gjëra të tjera.
Gazetarja: Në çfarë?
Kryeministri Rama: Te emri i investitorit: Kushner, bashkëshorti i Ivanka Trump. Por kur nisën takimet, presidenti i SHBA-së ishte Biden dhe nuk dihej nëse Donald Trump do të përfundonte në Shtëpinë e Bardhë apo në burg. Mendoj se është gabim të përdoret Shqipëria për të bërë beteja politike të vendeve të tjera.
Gazetarja: Kujt i referoheni?
Kryeministri Rama: Lista është e gjatë. Mes protestuesve ka sigurisht një komponent të nxitur nga Irani. Nuk është sekret që Shqipëria është nën presion: Teherani ka tentuar më parë të kryejë një sulm kibernetik ndaj sistemeve tona të sigurisë vite më parë. Nuk ia dolën. Dhe tani po provojnë sërish duke ndërtuar një narrativë anti-Izrael sipas së cilës ky projekt është një favor për Netanyahun. Çmenduri. Pastaj ka edhe konkurrentë turistikë, të cilët natyrisht kundërshtojnë zhvillimin tonë. Nuk mungojnë as kundërshtarët e mi politikë. Pjesa tjetër janë njerëz të mirë që e besojnë vërtet. Atyre u them: prisni të shihni projektin dhe pastaj gjykoni.
Gazetarja: Ndërkohë ata po i kërkojnë të largohet. A e mendon ndonjëherë këtë?
Kryeministri Rama: Për sa kohë do të ndiej zjarrin e pasionit, do të qëndroj. Nëse Shqipëria do të pranohej vërtet në BE, mbledhja e parë si shtet anëtar do të ishte rasti më i bukur për të dhënë dorëheqjen.
Gazetarja: A jeni ende i gatshëm të hiqni dorë nga e drejta e vetos?
Kryeministri Rama: Absolutisht. Europa duhet të jetë si një tryezë familjare ku ka hierarki. Nuk flas për kategori të ndryshme qytetarie, por BE-ja nuk mund të funksionojë me konsensus të plotë të të gjithëve.
Gazetarja: Sa i leverdis BE-së t’ju pranojë?
Kryeministri Rama: Një studim i fundit i Parlamentit Europian thotë se, në aspekt financiar, ta lësh Ballkanin Perëndimor jashtë është më e kushtueshme sesa t’a fusësh brenda.
Gazetarja: Ka edhe një mundësi politike për t’ia hequr atë zonë ndikimit të Moskës?
Kryeministri Rama: Jo për Shqipërinë, e cila nuk ka pasur marrëdhënie zyrtare me Kremlinin që nga viti 1960: asnjë vizitë shtetërore që atëherë. Tek ne, popullariteti i Putinit nuk kalon 2.7 për qind. E njëjta gjë nuk mund të thuhet për vende si Serbia, që e shohin Rusinë si një aleat të mundshëm.
Gazetarja: Megjithatë ju keni thënë disa herë se me Putinin duhet folur për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Kryeministri Rama: Po, do të ishte e udhës të hapet një tryezë negociatash, sepse Rusia është aty dhe do të mbetet. Dhe Europa ka një rol diplomatik, edhe në konflikte shumë të ashpra si ai mes Izraelit dhe Hamasit: ka gjak, por ka edhe dialog.
Gazetarja: Ju keni deklaruar gjithmonë se Shqipëria është mik i Izraelit. Sot si e shihni qeverinë e Netanyahut dhe veprimet e saj në Palestinë? Sipas të dhënave të fundit flitet për mbi 20 mijë fëmijë të vrarë.
Kryeministri Rama: Pas rënies së regjimit, Shqipëria ishte e izoluar, pa aleatë në Lindje apo në Perëndim. Kemi vuajtur shumë dhe tani që kemi marrëdhënie të mira me Izraelin, me vendet e Gjirit, me Turqinë, nuk mund të lejojmë një politikë “barrikadash”. Unë e konsideroj Hamasin të keqen absolute. A jam dakord me gjithçka që bën e djathta izraelite? Jo. A jam në pozitë t’i mbaj moral dikujt? Jo.
Gazetarja: A vlen e njëjta logjikë edhe për qendrat e pranimit të emigrantëve, pavarësisht se ju vetë vini nga një histori emigracioni?
Kryeministri Rama: Mendoj këtë se ne nuk duhet të bëjmë pyetje kur qeveria italiane na kërkon ndihmë, sepse ju nuk keni bërë pyetje kur ne kishim nevojë.
Gazetarja: Me Giorgia Melonin vini nga dy botë ideologjike shumë të largëta.
Kryeministri Rama: Nuk më duket se ajo është trashëgimtare e Mussolinit. Më duket më shumë trashëgimtare e Pentapartitit. Dhe nuk besoj se ideologjitë e ndryshme mund të pengojnë bashkëpunimin.
Gazetarja: A ka pasur një kohë kur ideologjia ishte gjithçka për ju?
Kryeministri Rama: Po ju them vetëm këtë: unë e kam mësuar italishten nga gjyshja ime, që ishte nga Venezia. Pastaj e lashë kur u bëra marksist dhe e konsideroja gjuhën tuaj si gjuhë fashistësh. Më vonë u riktheva, duke kuptuar se nuk mund të isha aq budalla.
Gazetarja: Për cilën periudhë flasim?
Kryeministri Rama: Adoleshenca ime. Ishte një djalë rebel, jo në kuptimin që ikja nga shtëpia. Ishte rebel në mendje. Nëna ime më thoshte: “Ajo gjuhë do të të çojë në ferr”.
Gazetarja: A kishte të drejtë?
Kryeministri Rama: Për pak më çoi në morg. Gjatë një periudhe para rënies së financave, dikush më bëri një pritë. Kishin fytyrat e mbuluara dhe shufra hekuri në duar. Më lanë në rrugë, pothuaj i vdekur. Ai episod mund të kishte ndryshuar jetën time.
Gazetarja: Domethënë?
Kryeministri Rama: Kisha vendosur të rrija në Paris, ku kisha shkuar me bursë si piktor. Pikturoja, ekspozoja, besoja te filozofët e rinj francezë. Sillesha si një intelektual i angazhuar.
Gazetarja: Pastaj?
Kryeministri Rama: Më vdiq babai, me të cilin isha shumë i lidhur. U ktheva në Shqipëri dhe po atë ditë të funeralit, kryeministri i atëhershëm, Fatos Nano, më ofroi postin e Ministrit të Kulturës. E kisha refuzuar më parë, por atëherë ndihesha fajtor sepse jetoja jashtë vendit. Pranova. Pak më vonë më vjen në shtëpi zëdhënësi i tij dhe më thotë: “Më duhet CV-ja jote”. Mora një copë letër dhe shkrova: “Jam Edi Rama, i lindur më 4 korrik, dhe kjo duhet të mjaftojë”.
Gazetarja: A jeni penduar që jeni kthyer?
Kryeministri Rama: Kur u ktheva në Paris për të marrë gjërat e mia, qava gjatë gjithë rrugës. Pas kësaj kurrë më. Kam pasur momente të vështira, por kam jetuar intensivisht. Jeta ime është si një film. Nuk kam asgjë tjetër për t’i kërkuar Zotit.
Gazetarja: A jeni besimtar?
Kryeministri Rama: Jam katolik, por nuk frekuentoj kishën. Isha shumë i lidhur me Papa Françeskun: ai më thoshte shpesh se lutej për mua dhe për Shqipërinë. Në një takim isha me bashkëshorten time, Linda, dhe djalin tonë, Zaho, i sapolindur. Familja jonë është multireligjioze: gruaja është myslimane, fëmijët nga martesat e para janë ortodoksë. E pyeta Papën: “Dhe ky i fundit çfarë duhet të bëhet?”. Ai tha: “Do ta vendosë vetë”.
Gazetarja: Edhe Papa Leone ju pëlqen?
Kryeministri Rama: E kam takuar vetëm një herë. Është ndryshe nga paraardhësi i tij: shumë më pak i hapur dhe ekstravert. Megjithatë më duket se ka një karakter të fortë dhe vullnet të mirë.
Gazetarja: A mendoni se do të jetë në gjendje të vendosë një kufi ndaj konflikteve?
Kryeministri Rama: Nuk besoj se ndalimi i luftërave është pjesë e mundësive të një Pape. Zëri i tij shërben për t’u treguar njerëzve një “kopsht” tjetër ku të shohin: si kultura apo arti.
Gazetarja: Çfarë hapësire ka sot arti në jetën tuaj?
Kryeministri Rama: Vizatoj sa herë që mundem, edhe në zyrë.
Gazetarja: Por përballë tavolinës tuaj të punës, megjithatë, nuk ka janë të varura vetëm pikturat e tua, por një vizatim i Zaho-s, me një mbishkrim: “Babi, jam krenar për ty”.
Kryeministri Rama: Nuk ka njohur diçka më të mirë. Nuk jam babai që do të doja të isha: puna nuk ma lejon.
Gazetarja: A jeni burri që do të donit të ishit?
Kryeministri Rama: Njerëzit thonë se fitoj zgjedhjet sepse nuk kam një opozitë të besueshme. Nuk e dinë se opozitën më kokëfortë e kam në shtëpi. Linda më sfidon gjithmonë të mendoj në një mënyrë tjetër, më të drejtë moralisht. Ajo është ekonomiste dhe aktiviste për të drejtat e njeriut. Nuk bën kompromiset që të heqin gjumin.
Gazetarja: Për çfarë po e humbni gjumin kohët e fundit?
Kryeministri Rama: E humb shpesh sepse nuk arrij të mbaj distancën e duhur, siç më këshillonte Tony Blair. Ndonjëherë ndihem i mbytur. Herë të tjera ndihem i vetmuar. E di që kam pranë njerëz besnikë, e di që kam familjen time, por kur duhet të marr vendime të caktuara nuk kam askënd tjetër. Sepse, sido që të shkojë, je ti ai që i merr ato vendime. Dhe je ti ai që i paguan pasojat. /Tch/
Qytetarë të shumtë kanë nisur të grumbullohen pasditen e kësaj të diele në Sheshin Skënderbej, duke shënuar protestën e 15-të radhazi kundër politikave qeveritare dhe projektit të investimit në zonën e Zvërnecit.
Qytetarët vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e qeverisë dhe të kryeministrit Edi Rama.
Tubimi ka nisur në qendër të kryeqytetit, ndërsa protestuesit pritet të marshojnë drejt godinës së Kryeministrisë, duke ndjekur itinerarin e protestave të mëparshme.
Sipas organizatorëve, protesta synon të përcjellë kundërshtimin ndaj vendimeve që lidhen me statusin e investitorëve strategjikë dhe ndryshimet ligjore që, sipas tyre, ndikojnë në zonat e mbrojtura mjedisore.
Mes kërkesave kryesore të protestuesve janë dorëheqja e qeverisë, rishikimi i politikave për investimet strategjike dhe anulimi i akteve ligjore të kontestuara.
Pas ndalesës para Kryeministrisë, ku pritet të mbahen fjalime dhe deklarata publike, marshimi do të vijojë në disa prej akseve kryesore të Tiranës.
Edhe këtë të martë, në orën 18:00, përfaqësues të shoqërisë civile, aktivistë dhe qytetarë u mblodhën në sheshin “Skënderbej”, në ditën e 10-të të protestës për çështjen e zonave të mbrojtura.
Ata kanë vijuar të kërkojnë dorëheqjen e qeverisë me thirrje të tilla si “Shqipëria është e shqiptarëve” dhe “Rama në burg, Berisha në burg”.
Nga aty, protestuesit marshuan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ndërsa më pas janë ndalur përpara Kryeministrisë, ku po vijojnë tubimin e tyre.
Paralelisht, protesta të ngjashme zhvillohen edhe në disa qytete të tjera të vendit, përfshirë Korçën, Vlorën etj.
Protesta që nisi fillimisht si reagim kundër projektit turistik në zonën e Pishë Poros dhe Sazanit, ka hyrë sot në ditën e dhjetë të saj. Lëvizja u zhvillua pas kundërshtimeve ndaj investimit të planifikuar në zonë të mbrojtur dhe më pas u zgjerua në një mobilizim më të gjerë qytetar.
Gjatë ditëve të protestës, qytetarët kanë artikuluar pesë kërkesa kryesore: largimin e qeverisë, shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investitorët strategjikë, anulimin e Paketës së Maleve, anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore. Në tubimet e zhvilluara në Tiranë dhe qytete të tjera janë dëgjuar gjithashtu thirrje kundër të gjithë klasës politike.
Organizatorët kanë njoftuar vijimin e protestave edhe në ditët në vijim, duke deklaruar se kërkesat e tyre mbeten të pandryshuara.
Ndërkohë, Komisioni Europian ka deklaruar se po ndjek nga afër zhvillimet në zonën Pishë Poro–Nartë dhe se i ka përcjellë shqetësimet Ministrisë së Mjedisit lidhur me mangësitë e mundshme të projektit. Zëdhënësi Guillaume Mercier bëri të ditur se punimet janë pezulluar dhe se pritet një vlerësim gjithëpërfshirës i ndikimit në mjedis, në konsultim me shoqërinë civile, duke kujtuar gjithashtu se projekti është objekt hetimi nga SPAK.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama deklaroi në një konferencë me gazetarë europianë se protesta është nxitur nga një akt dhune i një punonjësi sigurie ndaj një qytetari, për të cilin janë marrë masa të menjëhershme. Ai theksoi se nuk ekziston një projekt i miratuar për t’u anuluar, por vetëm një shprehje interesi dhe një proces konsultimi, duke e cilësuar investimin si një mundësi të rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe turistik të vendit.
Ndersa për këtë çështje, SPAK ka nisur gjithashtu një hetim, teksa ka bllokuar llogaritë bankare të pronarëve të tokës, duke vendosur sekuestro për shumën prej 195 milionë dollarësh, e transferuar drejt tyre nga vëllezërit nga Katari.
Ndërkohë, organi i akuzës po verifikon edhe një sërë vendimesh gjyqësore që lidhen me titujt e pronësisë, ndërsa thuhet se konfliktet ligjore mbi pretendimet për sipërfaqet e tokave vijojnë të mbeten ende të hapura.
Organizata Albanians for America (AFA) ka reaguar lidhur me protestat publike që po zhvillohen në Shqipëri për projektet e propozuara turistike dhe zhvillimore përgjatë bregdetit jugor, përfshirë debatet e fundit që lidhen me zonën e Zvërnecit.
Në një deklaratë zyrtare, AFA thekson se shqetësimet e ngritura nga qytetarët shqiptarë nuk duhet të interpretohen si kundërshtim ndaj investimeve amerikane apo partneriteteve ndërkombëtare.
“Shqiptarët prej kohësh e kanë mirëpritur angazhimin amerikan dhe vazhdojnë t’i konsiderojnë Shtetet e Bashkuara si një nga partnerët më të afërt dhe më të besueshëm të Shqipërisë,” thuhet në deklaratë.
Organizata nënvizon se investimet e huaja të përgjegjshme mund të krijojnë vende pune, të zgjerojnë mundësitë ekonomike dhe të kontribuojnë në prosperitetin afatgjatë të vendit.
Megjithatë, AFA vëren se zhvillimi i qëndrueshëm kërkon transparencë, llogaridhënie dhe përfshirje kuptimplotë të publikut në proceset vendimmarrëse.
Sipas organizatës, qytetarët kanë të drejtë legjitime të kërkojnë qartësi dhe informacion mbi projektet që mund të ndikojnë zonat e mbrojtura natyrore, komunitetet lokale, trashëgiminë kulturore dhe të ardhmen e vijës bregdetare shqiptare.
Siç thuhet në njoftim debati aktual tejkalon një projekt të vetëm investimi dhe prek çështje themelore të qeverisjes demokratike.
“Çështja me të cilën përballet Shqipëria sot lidhet me mënyrën se si merren vendimet me rëndësi kombëtare, si konsultohen komunitetet dhe si arrihet një ekuilibër ndërmjet zhvillimit ekonomik, mbrojtjes së mjedisit dhe sundimit të ligjit,” thekson AFA.
Organizata shprehet se demokracitë e forta ndërtohen kur institucionet dëgjojnë qytetarët, adresojnë shqetësimet publike në mënyrë të hapur dhe zhvillojnë iniciativa madhore përmes proceseve të qarta dhe të parashikueshme. Sipas saj, këto parime nuk përbëjnë pengesë për investimet, por janë bazë e rëndësishme për besimin afatgjatë të investitorëve dhe për rritjen e qëndrueshme ekonomike.
AFA gjithashtu thekson se, ndërsa Shqipëria vazhdon rrugën drejt integrimit evropian, besimi i publikut mund të forcohet përmes vendimmarrjes së hapur, qeverisjes së përgjegjshme dhe respektimit të pjesëmarrjes demokratike. /Telegrafi/
Protestat qytetare kundër projektit të planifikuar në Zvërnec kanë hyrë në ditën e nëntë radhazi, me tubime dhe marshime të vazhdueshme në kryeqytet.
Qytetarët u mblodhën sërish pasditen e së hënës në sheshin “Skënderbej” në orën 18:00, prej nga nisën një marshim në drejtim të Kryeministrisë, ku vijuan me thirrje kundër qeverisë dhe projektit në Zvërnec.
Në protestë u bashkuan edhe studentë, të cilët marshuan me parrullën: “Nuk i ke larë akoma hesapet me studentët”, duke shprehur pakënaqësi ndaj politikave qeveritare.
Gjatë gjithë marshimit, pjesëmarrësit kanë thirrur në kor slogane kundër qeverisë, përfshirë “Shqipëria e Shqiptarëve, jo e tradhtarëve”, ndërsa kanë kërkuar edhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Protesta pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar përshkallëzim të aktiviteteve nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh.
Sali Berisha para gazetarëve ka deklaruar sot se ka qenë dhe është dakord që në Zvërnec të investohet.
Ai tha se edhe para tre vitesh kur u njoftua se Jared Kushner do të investonte në vendin tonë, ai ka thënë ‘po’ sepse sipas tij, investitorët kishin paratë.
“Para tre vitesh, kur u tha se do vinte dhëndri i ish-presidentit Trump në atë kohë, unë kam thënë po.
Reagimi im ndaj këtij lajmi ka qenë ky, plotësisht dakord. Sepse i ka paratë. Thuhej që fondi saudit janë fondet publike të investimeve, është fond trilionësh dhe natyrisht paratë ishin. Arsyeja bazë pse kam thënë po ka qenë kjo dhe e kam lidhur me paratë.
Me këtë unë nuk kisha dyshim se Rama po blinte influencë politike, por përsëri për mua interesi i vendit dilte mbi këtë. Investimi në Zvërnec është marrëdhënie private. Sa i përket atyre që qajnë për ishullin, janë hipokritë sepse Sazanin, në mënyrë absolute, ua kemi ofruar investitorëve edhe unë edhe Nano dhe nuk është investim i thjeshtë.
Asgjë nuk prishet aty, o miq, Çudia e Sazanit është kjo… është ajo bimësi e mrekullueshme në një ishull pa ujë. Bimësia do ruhet, pra Sazani është tokë publike. Zvërneci është tokë private në tërësinë e saj. Është e banueshme, dakord, tani ne mbështetëm investimin e huaj”, tha Berisha.
Lidhur me ndërtimin në një zonë të mbrojtur, Berisha tha se kjo ndodh kudo dhe se BE e ka përcaktuar me kritere. Po ashtu tha se Thethi dhe Valbona janë ndërtime në park kombëtar, e se kjo nuk dëmton por zhvillon zonën.
“Mund të zhvillohen ndërtime në zona të mbrojtura, BE ka përcaktuar standardet sesi zhvillohet zona e peizazhit. Në katër shkallë kalon. Doktrina nuk e përjashton. Atëherë mbetet të ndërtojmë vetëm në shkrepa dhe përroje. Por ne duhet t’i zhvillojmë në përshtatje të plotë me peizazhin. Thethi dhe Valbona janë në parqe kombëtare të dyja”, tha ai. /Tch/
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me protestën e zhvilluar kundër projektit në Zvërnec, duke deklaruar se Shqipëria do të ecë përpara me projektet e saj pavarësisht kundërshtimeve.
Në një mesazh të publikuar në Facebook, Rama e cilësoi postimin e tij si një “video-kartolinë të pazakonshme nga Shqipëria e shqiptarëve”, ndërsa theksoi se qeveria do të vijojë zbatimin e programit për të cilin, sipas tij, ka marrë mandatin nga qytetarët.
‘MIRËMËNGJES, dhe me ndjesën për këtë video-kartolinë të pazakonshme nga “Shqipëria e shqiptarëve”, e duke i siguruar të gjithë se Shqipëria do bëhet sipas kontratës që kemi lidhur për herën e katërt në majin e shkuar me 83 vota, pavarësisht se ça thonë e ça duan këta shqiptarët që e dinë Shqipërinë pengun e verbërisë së tyre dhe atdhedashurinë podium për të sharë me libër shtëpie tradhëtarët e armiqtë imagjinarë Shqipërisë, ju uroj një ditë të mbarë me një përqafim të veçantë për ata të mitë që kanë mbetur akoma peng i një proteste të cilës i ka humbur çdo arsye reale e nisjes’, shkroi Rama. /Telegrafi/
Policia turke qëlloi gaz lotsjellës dhe hyri me forcë në selinë e partisë kryesore opozitare për të dëbuar udhëheqjen e saj të rrëzuar të dielën, duke nxitur një krizë në zemër të demokracisë së Turqisë.
Re gazi lotsjellës u përhapën brenda ndërtesës së Partisë Republikane Popullore (CHP), ndërsa ata që ishin brenda bërtisnin dhe hidhnin objekte në hyrje ndërsa policia thyente një barrikadë të improvizuar. Nuk pati raportime për të lënduar gjatë ndërhyrjes, transmeton Telegrafi.
Një gjykatë turke rrëzoi kreun e CHP-së, Ozgur Ozel, të enjten, duke anuluar rezultatet e kongresit të CHP-së ku ai u zgjodh në vitin 2023, duke përmendur parregullsi. Të dielën, guvernatori i Ankarasë urdhëroi dëbimin e atyre që ishin brenda selisë.
Gjykata rivendosi në vend të Ozel ish-kryetarin e CHP-së, Kemal Kilicdaroglu, i cili humbi ndaj presidentit Tayyip Erdogan në zgjedhjet kombëtare atë vit, transmeton Telegrafi.
Analistët kanë thënë se e shohin vendimin e gjykatës si një provë të ekuilibrit midis demokracisë dhe autokracisë për Turqinë, anëtare të NATO-s, dhe se kjo mund të zgjasë sundimin 23-vjeçar të Erdoganit.
Tregjet financiare ranë të enjten, ndërsa investitorët u shqetësuan për rënien demokratike, përpara se të rimëkëmbeshin të premten.
"Jemi nën sulm", tha Ozel në një mesazh video të ndarë në X ndërsa forcat e sigurisë hynë, përpara se të dilte nga ndërtesa pas ndërhyrjes së policisë, duke u zotuar se CHP-ja do të jetë që tani e tutje "në rrugë, në sheshe, duke marshuar drejt pushtetit".
Më pas ai udhëhoqi mbështetësit në një marshim drejt parlamentit turk 6 km larg, ku mbajti një fjalim para mijëra njerëzve, të cilët brohoritën "tradhtar Kemal", "bir i pallatit, Kilicdaroglu" dhe "krah për krah kundër fashistëve".
"Derisa kjo luftë ta çlirojë partinë nga pushtimi, selia jonë është këtu", i tha Ozel turmës përpara se të hynte në kuvend. Ligjvënësit e CHP-së të shtunën e zgjodhën atë si udhëheqës të grupit parlamentar të partisë.
Ndërsa ai fliste, një kanal televiziv tregoi anëtarë të ekipit të Kilicdaroglu të ulur në një zyrë në selinë e CHP-së, por udhëheqësi i rikthyer u raportua se ishte në shtëpi dhe ende nuk kishte bërë një deklaratë për situatën.
Udhëheqja e rrëzuar e CHP-së u bëri thirrje mbështetësve të saj të protestojnë në tre lokacione në qytetin më të madh të Turqisë, Stamboll, të dielën në mbrëmje. /Telegrafi/
Banorë të shumtë të Rugovës kanë protestuar sot para objektit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, duke kundërshtuar vendimin për pezullimin e mallrave dhe shërbimeve ndërtimore në Rugovë.
Gjatë protestës, në vendngjarje ka dalë edhe ministrja në detyrë, Fitore Pacolli, e cila ka tentuar të diskutojë me protestuesit.
Megjithatë, banorët kanë refuzuar ta dëgjojnë, ndërsa njëri prej tyre është shprehur se nuk dëshiron as t’ia zgjasë dorën ministres dhe se, sipas tij, ajo “s’ka çfarë kërkon në Rugovë”.
Asambleja Anti-Kapitaliste me rastin e 1 Majit organizoi një protestë nën sloganin “Vota jote injorohet, vota s’mundet”.
Mirëpo në kuadër të kësaj proteste disa persona u arrestuan nga Policia afër Kuvendit të Kosovës.
Në një prononcim për Telegrafin, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Prishtinën, Enis Pllana konfirmoi arrestimin e disa personave me arsyetimin se kanë refuzuar urdhërat e zyrtarëve policorë.
“Disa persona kanë refuzuar urdhërat e zyrtarëve policor dhe të njëjtit janë shoqëruar në stacion për identifikim”, ka thënë shkurt Pllana. /Telegrafi/
Dhjetëra punëtorë të sektorit privat protestuan me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, duke ngritur shqetësimet për kushtet e rënda të punës, pagat e ulëta dhe mungesën e zbatimit të ligjeve në fuqi.
Protesta e organizuar në kryeqytet nga Federata Sindikale e Punëtorëve të Sektorit Privat, nisi nga sheshi “Zahir Pajaziti”, për të vazhduar para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.
Kryetari i Federatës, Jusuf Azemi, theksoi se është e padrejtë se sektori privat nuk e ka marrë pagën e 13-të.
“Ne sot po marrim pagë 239 euro...10:43.. Këta njerëz të cilët vërtet gjakun tonë po na e marrin me pambuk dalëngadalë.... 10:55...Sektori publik mori pagën e 13-të, u gëzuam shumë sepse menduam që edhe ne do t'i marrim. Është një padrejtësi të cilën vetëm punëtorët e sektorit privat të Kosovës mund ta mbajnë mbi shpatullat e veta. Përderisa kryeministri ynë, kryeparlamentari dhe gjithë të tjerët brenda një muaj dite në buxhetin e tyre u rrit për 6000 euro, neve të nderuar edhe sot po marrim 239 euro. Kjo gjithçka mund të jetë, vetëm nuk është liri dhe nuk mund të jetë barazi, por edhe nuk mund të jenë ato fjalë që na i thonë para zgjedhjeve”, tha ai.
Azemi kritikoi edhe vendimmarrjen e institucioneve, duke theksuar mbështetjen e vetëm një deputeti të Kuvendit të Kosovës, Besnik Tahirit, kishte ngritur zërin se rroga e 13-të i takon edhe sektorit privat.
“Paramendojeni që nga 120 deputetë të Parlamentit të Kosovës, i vetmi një person Besnik Tahiri luftoi me çdo forcë, çdo fuqi që edhe ne ta kemi pagën e 13-të sepse ne jemi trefish më shumë sesa punëtorët e sektorit publik. Ne trefish e mbushim buxhetin e sektorit publik, sektorit të shtetit dhe ne dëmtohemi, ne na kanë prurë në një pozicion për ta shtrirë dorën”, tha ai
Ai gjithashtu ngriti shqetësimin për sigurinë në punë dhe mungesën e mbikëqyrjes së ligjeve. Azemi theksoi se pagat që po vonohen me muaj të tërë dhe që askush nuk po mban përgjegjësi, po shtyn se të rinjtë të largohen edhe nga vendi.
“Ne nuk trajtohemi si njerëz. Por megjithatë, mos harroni, keni me e pagu këtë faturë edhe po e paguani, sepse rininë e qitët jashtë. Është shumë normale, nuk ka diçka që kam improvizuar...17:01..Therrasim t'i thirrni vetëdijes sepse njerëzit, punëtorët shohin. Kam bindje që të gjithë kemi me dhanë llogari, edhe unë si kryetar sindikate, po edhe këta njerëz që i kemi brenda. Prandaj, është koha e fundit që t'i kthehemi realitetit", tha ai.
Ndërkaq një përfaqësues e punëtorëve të sektorit privat, Raba Dushi, theksoi lodhjen dhe zhgënjimin e punëtorëve të këtij sektori duke thënë se secili nga ata të paktën një herë është përballur me padrejtësi dhe se nuk zbatohen të drejtat që iu takojnë.
“Çdo ditë dëgjojmë raste të vdekjeve. Askush nga institucionet nuk po vepron…. 02” 50…Ju e dini, me pagat që kemi, mezi ia dalim nga muaji në muaj. Shpenzimet po rriten çdo ditë, gjërat esenciale vështirë po përmbushen. Shumica e trajtimeve mjekësore kërkojnë orientim privat, që për ne është sfidë financiare dhe mezi i mbulojmë. Çmimet e ushqimeve janë çdoherë në rritje e pagat tona nuk lëvizin… 03:52… Qeveri, mos na humbni shpresën për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. Të paktën që fëmijët tanë mos t’i motivoni ata të largohen duke ndërtuar mbi punëtorin e shtypur. Ligjet që nuk zbatohen nuk vlejnë. O drejtësi, o s’ka qetësi”
Një përfaqësueses tjetër e punëtorëve, Afërdita Hoxha, gjatë protestës deklaroi se kërkesat e tyre nuk lidhen me luksin, por me sigurimin e të drejtave themelore dhe dinjitetit në punë.
Duke ngritur shqetësimin për mungesën e mbrojtjes ligjore, ajo shtoi se punëtorët vazhdojnë të përballen me pasiguri dhe trajtim të pabarabartë
“Jemi lodhur duke u nënvlerësuar, jemi lodhur duke mos u dëgjuar. Zëri ynë është zëri i mijëra punëtorëve që çdo ditë e mbajnë këtë vend në këmbë, por që nuk trajtohen siç e meritojnë… 05:04..Unë sot nuk flas në emrin tim, por në emër të çdo nëne që punon e nuk i del paga deri në fund të muajit; në emër të çdo të riu që mendon të largohet nga vendi sepse nuk sheh të ardhme këtu… 05:33…Pse mbesim në këtë gjendje duke u shkelmuar herë nga një pronar kompanie e herë nga tjetri? A ka ligje për ne punëtorët publiko-privatë që na bartin si valët e detit nga një kënd në tjetrin? Pse këta punëtorë nuk e kanë të definuar statusin e tyre? Ne e dimë këtë, sepse edhe në varfërinë tonë po jetoni ju pushtetarë jetën e luksit. Derisa juve ju shkon koha e pushtetit duke ndërruar avionët nga një skaj në tjetrin të botës, ne punëtorët po shqetësohemi po na u sëmur ndonjë familjar e nuk e dimë si ta mjekojmë”, tha ajo
Ajo u bëri thirrje institucioneve që të reflektojnë dhe të veprojnë në interes të qytetarëve duke e kritikuar që si të zgjedhur të populllit, sipas saj i kanë lënë jashtë ligjit, të marrin pagën 239 euro.
“Deputetë të Parlamentit të Kosovës dhe Qeveri: a ju vjen turp kur dilni para fushatave zgjedhore nëpër kompani private dhe deklaroni se do të luftoni me mish e me shpirt për punëtorët e sektorit privat, ndërsa në fakt luftoni për vete? Morët pagën e 13-të dhe nuk ju dëgjohet zëri se ka diku në skaj të Kosovës një i varfër që s'mund të nget bukë”, theksoi ajo.
Protestuesit përsëritën kërkesat e tyre, të cilat sipas tyre kanë mbetur të pandryshuara që nga viti i kaluar. Ata kërkojnë rritjen e pagës minimale në 600 euro, zbatimin e plotë të ligjeve ekzistuese, nënshkrimin e marrëveshjes kolektive, sigurime shëndetësore funksionale dhe trajtim të barabartë me sektorin publik.
Gjithashtu, u kërkua krijimi i një fondi për punëtorët që humbin jetën ose lëndohen në vendin e punës, pagesa e stazhit dhe themelimi i një Gjykate të Punës. /Kp/
Me pankarta në duar, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë ka nisur protesta për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, e organizuar nga Federata Sindikale e Punëtorëve të Sektorit Privat.
Në pankartat e protestuesve janë të vendosura mbishkrimet, “Mos na shkelni, mjaft pritëm”, “Për pesë vite në punë vdiqën 97 punëtorë”, “Jemi lodh, parlament-qeveri të kujt jeni?”, e të tjera.
Me thirrjen simbolike “Të mëdhenjtë pasurohen, të vegjlit mbijetojnë”, ishte paraparë të mbahej një protestë për 1 Maj – Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, por dështoi për shkak se nuk kishin njoftuar policinë.
Protesta e organizuar nga shoqata e bizneseve të vogla, ishte paraparë të mbahej para Komunës së Prishtinës dhe para Zyrës së BE-së.
Kryetari i Shoqatës së Bizneseve të Vogla, Sadudin Hasani, bëri të ditur se protesta është anuluar për shkak të mosrespektimit të afateve ligjore për organizimin e saj, por theksoi se kërkesat dhe shqetësimet e tyre mbeten të njëjta.
“Ne për sot kemi thirrë protestë të Shoqatës së Bizneseve të Vogla, për të protestuar për të drejtat e punëtorëve, për kushte më të mira, me rastin e festës së 1 Majit. Mirëpo, për arsye se nuk i kemi përmbajtur afateve sipas ligjit që përcaktohen për thirrje të protestës, na është dashur ta anulojmë protestën, por megjithatë do të japim një deklaratë për mediat”, deklaroi Hasani.
Ai u shpreh se shqetësimet kryesore lidhen me shkeljen e të drejtave të punëtorëve në bizneset e vogla, përfshirë mungesën e respektimit të pagës minimale dhe kushteve të punës.
“Në këtë rast, kërkojmë nga institucionet që t’i respektojnë të drejtat e punëtorëve të bizneseve të vogla, sepse ka shumë punëtorë që iu shkelen të drejtat, dhe nuk respektohet as paga minimale e as kushtet e punës”, tha ai.
Hasani po ashtu inkurajoi punëtorët që përballen me parregullsi në vendet e tyre të punës që të reagojnë dhe të kërkojnë të drejtat e tyre, duke theksuar rëndësinë e dinjitetit në punë.
“Për punëtorët të cilët shohin parregullsi në punë, i inkurajojmë ata që të ngrisin zërin për të drejtat e tyre, dhe kështu që të punojnë punën ku ata bëjnë, ta kryejnë me dinjitet, të kenë dinjitet për punën që bëjnë”, u shpreh Hasani.
Në mesazhin e tij për 1 Majin, ai theksoi se institucionet duhet të jenë në shërbim të qytetarëve dhe të mos sillen si pronarë të vendeve të punës, ndërsa ngriti edhe çështjen e trajtimit të pabarabartë të bizneseve të vogla krahasuar me ato të mëdha.
“Mesazhi ynë është që institucionet dhe përfaqësuesit institucionalë janë në shërbim të qytetarëve, dhe ata të sillen në këtë raport me qytetarët jo si pronarë të vendeve të punës ku punojnë, por të sillen si shërbyes ndaj qytetarëve. Gjithashtu, sa i përket të drejtave të bizneseve të vogla, bizneset e vogla kanë të drejtë të shfrytëzojnë hapësirën, ashtu ku nuk shkelen rregullat, njëjtë sikurse bizneset e mëdha. Bizneset e vogla mund të kenë 100 metra katrorë ose 30 metra katrorë, ndërsa kemi biznese që shfrytëzojnë me mijëra metra katrorë dhe ata nuk kanë pengesa ashtu siç kemi ne”, deklaroi ai.
Përveç kësaj, Hasani bëri të ditur se gjatë ditës ishte planifikuar të realizohej edhe një aksion simbolik pranë zyrës së Bashkimit Evropian, për të tërhequr vëmendjen mbi, siç tha, mungesën e zbatimit të standardeve demokratike në rastet kur shkelen të drejtat e punëtorëve.
“Ne kemi pasur sot edhe një aksion simbolik te zyra e BE-së, për t’ua bërë me dije atyre se kanë shfrytëzuar shumë mjete financiare për demokratizimin e institucioneve në Kosovë, mirëpo ne po shohim që aty ku po shkelen të drejtat, nuk mund të ketë demokraci”, tha Hasani.
Shoqata e Bizneseve të Vogla ka paralajmëruar se do të vazhdojë të ngrejë zërin për të drejtat e punëtorëve dhe për trajtim më të barabartë të bizneseve të vogla në raport me ato të mëdha. /KP/
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punës në Prishtinë janë paralajmëruar tri protesta nga organizata të ndryshme, të cilat do të zhvillohen në orare dhe lokacione të ndryshme gjatë ditës.
Sipas njoftimeve zyrtare, protestën e parë do ta mbajnë përfaqësuesit e bizneseve të vogla me moton “Mjaft më me diskriminim!”, duke nisur nga ora 09:00 para Komunës së Prishtinës dhe më pas duke vazhduar drejt zyrës së Bashkimit Evropian.
Ndërkaq, nga ora 10:00, Federata Sindikale e Punëtorëve të Sektorit Privat organizon protestë në sheshin Sheshi "Zahir Pajaziti", në kuadër të shënimit të kësaj dite.
Po ashtu, asambleja Anti-Kapitaliste ka paralajmëruar protestën e saj nga ora 12:00, me sloganin “Vota jote injorohet, vota s’mundet”, po në të njëjtin shesh në Prishtinë.
1 Maji njihet si Dita Ndërkombëtare e Punës. Ky manifestim lindi nga lufta e punëtorëve për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës.
1 Maji është një festë e themeluar në kujtim të martirizimit në sheshin “Haymarket” dhe për të përkujtuar dhe festuar Ditën e Solidaritetit Ndërkombëtar të Punëtorëve. /Kp/