Normal view

Del një peshkaqen në breg në Vlorë

29 May 2026 at 22:44


Një peshkaqen i gjallë ka dalë në breg në Lungomare të Vlorës.

Ai ka dëmtime në trup, të cilat dyshohet se janë shkaktuar nga mjete lundruese.

Mendohet se dëmtimet nga helikat e kanë prerë në disa pjesë, duke bërë që peshkaqeni të humbasë drejtimin dhe i lënduar të dalë deri në bregdet, shkruan A2CNN.

Ngjarja ka ndodhur në zonën e shëtitores, ku ka edhe qarkullim të lartë të qytetarëve.

Pengmarrje në Vlorë, policia zbardh ngjarjen dhe arreston dy persona

21 May 2026 at 12:37


Një pengmarrje është regjistruar në qytetin e Vlorës, ndërsa policia ka njoftuar se ka arrestuar dy persona të dyshuar si autorë të ngjarjes.

Pengmarrja dyshohet të ketë ndodhur mbrëmjen e djeshme në qytetin e Vlorës ndërsa sipas informacioneve paraprake nga policia, dy persona rreth moshës 30 vjeç kanë marrë peng një shtetas tjetër, ndaj të cilit dyshohet se është ushtruar edhe dhunë fizike, njofton euronews.al

Shkak i dyshuar i ngjarjes është një shumë parash e marrë borxh nga personi i marrë peng.

Hetimet vijojnë, ndërsa personat e arrestuar po merren në pyetje nga Policia e Vlorës për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.


Zhduket e mitura në Vlorë pas konfliktit me mësuesin, familjarët apel për ta gjetur

18 May 2026 at 20:42


Një e mitur 14-vjeçare, e identifikuar si Kaltra, rezulton e zhdukur prej më shumë se pesë orësh, duke shkaktuar shqetësim te familjarët dhe të afërmit e saj.

Sipas informacioneve paraprake, e mitura është larguar nga shkolla pas një konflikti që dyshohet se ka ndodhur me një mësues lidhur me një vlerësim.

Pas përfundimit të orëve mësimore, ajo nuk është kthyer në banesën e saj.

Familjarët bëjnë apel për ndihmë nga qytetarët dhe autoritetet, duke kërkuar çdo informacion që mund të ndihmojë në gjetjen e saj.

Kushdo që ka parë vajzën ose ka informacion për vendndodhjen e saj, mund të kontaktojë në numrin: +355 69 471 8233

Gjendet e mbytur një 32-vjeçare në Vlorë, trupi u konstatua nga bashkëshorti i saj

11 May 2026 at 21:51


Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e së hënës në zonën e Plazhit të Vjetër në Vlorë, ku një 32-vjeçare është gjetur e mbytur në det.

Sipas të dhënave paraprake të policisë, viktima me inicialet E.T., dyshohet se vuante nga depresioni.

Trupi i saj është konstatuar nga bashkëshorti, i cili ka arritur ta nxjerrë nga uji, por pa shenja jete.

Menjëherë pas ngjarjes, në vendin e incidentit kanë mbërritur forcat policore dhe ekipet mjekësore, ndërsa trupi i pajetë është transportuar në morg për ekzaminime të mëtejshme mjeko-ligjore.

Bashkëshorti i viktimës është marrë në pyetje nga grupi hetimor, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje tragjike.

Policia po vijon hetimet për të përcaktuar shkaqet e sakta të rastit.

Një breshkë e rrallë gjendet e ngordhur në bregdetin e Vlorës

28 April 2026 at 23:49


Një breshkë detare e llojit Caretta caretta është gjetur e ngordhur në bregdetin e Vlorës, në zonën e Plazhit të Vjetër.

Sipas informacioneve paraprake, breshka ka dëmtime të rënda në pjesën e kokës, çka ngre dyshime se është goditur nga helikat e një mjeti lundrues, duke pësuar plagë fatale, shkruan A2 CNN.

Kanë qenë qytetarët ata që e kanë konstatuar trupin e pajetë në vijën bregdetare dhe kanë njoftuar për rastin.

Panik në Vlorë, kanosin me pistoletë një 35-vjeçar dhe tentojnë ta nxjerrin nga vetura duke e rrahur

14 April 2026 at 11:35


Policia e Vlorës ka arrestuar 3 persona të cilët kanosën me pistoletë një 35-vjeçar dhe tentuan ta nxirrnin me forcë nga automjeti i tij, duke e dhunuar.

Policia bën me dije se dje, pas marrjes së njoftimit për kanosjen dhe dhunimin e një shtetasi, në lagjen “Hajro Çakërri”, kanë organizuar menjëherë punën për zbardhjen e rrethanave të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe procedurale, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit: Xh. I., 31 vjeç, K. H., 34 vjeç dhe M. Z., 20 vjeç, të tre banues në Vlorë.

Nga hetimet e para dyshohet se këta shtetas kanë kanosur me pistoletë sportive, për motive të dobëta, shtetasin L. S., 35 vjeç, banues në Vlorë, i cili ndodhej brenda në automjetin e tij, në lagjen “Hajro Çakërri”, dhe më pas, kanë tentuar ta nxjerrin me forcë nga automjeti, duke e goditur me grushte dhe me tytën e pistoletës.

35-vjeçari po merr mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Gjatë kontrollit në automjetin në pronësi të babait të shtetasit K. H., shërbimet e Policisë gjetën të fshehur pistoletën sportive që dyshohet se është përdorur për kanosjen.

Pistoleta u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin ku u gjet dhe me automjetin të cilin dyshohet se janë larguar autorët nga vendi i ngjarjes.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kanosja” dhe “Plagosja e rëndë me dashje”, të kryera në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”. /Telegrafi/



Rama paralajmëron bizneset në Vlorë: Mos abuzoni me çmimet

13 April 2026 at 17:02


Çmimet nuk i vendos qeveria, por tregu. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me operatorët turistikë në Vlorë, ku nënvizoi se investimet në këtë industri kërkojnë vizion e strategji të qëndrueshme.

“Shqipëria do të ketë mundësi të tërheqë më shumë edhe jashtë sezonit në vjehstë nëse do të jetë e përgatitur për këtë. Në këto muaj ka pasur një rritje dhe duhet ta shfrytëzojmë këtë situatë. Çmimet nuk i vendos qeveria dhe qeveritë nuk kanë asnjë instrument për të kontrolluar e imponuar çmimet. Çmimet i vendos tregu, por në këtë industri i vendos vizioni strategjik i juaji për fatin e investimeve tuaja nëse po bëni inevstime vërtet masive e ambicioze. Një pjesë e juaja po punojnë me arkitekt të huaj. Hoteleria e ka investimin e madh por të ngadaltë duhet të mendoni për fatin e këtyre investimeve. Qëllimi është të lexojmë çfarë iu ka ndodhur të tjerëve”.

Ai paralajmëroi bizneset që të mos abuzojnë me çmime të larta dhe shërbime të dobëta. Sipas tij, një qasje e tillë mund të dëmtojë imazhin e destinacionit dhe të kthehet në “bumerang” për investimet, duke larguar turistët në favor të vendeve si Greqia, Turqia apo Kroacia.

“Në momentin kur befas janë gjendur përpara rezultatit të hapjes dhe transformimit në një destinacion të caktuar kanë vepruar si të dehur, duke ofruar shërbime të dobëta dhe çmime të larta. Dhe si rezultat i fluksit që u është gjendur përpara kanë pasur mendjen e ngushtë që njerëzit do ti kenë aty dhe kanë filluar të investojnë. Të investojnë për më shumë por duke kërkuar shumë. Çfarë u ka ndodhur, u kanë mbetur në derë investimet se nuk kanë ardhur njerëzit. Nëse Vlora merr njollën e vendit ku paguan më shumë sesa të ofrohet dhe ku paguan më shumë se duke shkuar në Greqi Turqi e Kroaci ju i keni bërë gropën vetes. Flas për gropën e investimeve. Duhet strategji afatmesme se do merrni një fitim të arsyeshëm dhe jo atë që do i merrni në moment se do t’u kthehet në bumerang”.

Rama nënvizoi se investimet në hoteleri janë afatgjata dhe kërkojnë strategji të qëndrueshme, jo fitime të shpejta. Ai shtoi se Vlora ka potencial të zhvillohet si destinacion ndërkombëtar, ku mund të jetojnë edhe të huaj, duke përmendur sigurinë si një nga avantazhet kryesore të Shqipërisë.

“Qeveria nuk vendos çmimet por po u flas disa të vërteta si dikush që e do këtë qytet dhe dua që çfarë kemi mbjellë ta korrim jo në një stinë por për gjenerata. Vlora ka të gjitha mundësitë si qytet në Portugali në Spanjë, Turqi ku të vijnë të jetojnë edhe plot të huaj, është plotësisht e mundur. Shqipëria është një vend ku jetohet me siguri Dje isha në Dhërmi me disa miq, jo me Ivankën se e bënë sikur vjen në Vlorë çdo 2 muaj do vijë ajo çdo dy muaj por nuk jemi akoma në këtë fazë”, raporton A2CNN.

Rama nis inspektimet në Vlorë, fokus tek shëtitorja e Plazhit të Vjetër

13 April 2026 at 10:40


Kryeministri, Edi Rama ka zhvilluar këtë të hënë një vizitë inspektuese në qytetin e Vlorës, ku e ka nisur turin e takimeve në terren nga shëtitorja e Plazhit të Vjetër, një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore dhe turistike në zonë.

I shoqëruar nga kryetarja e bashkisë, Brunilda Mersini, si dhe nga inxhinierët e projektit, Rama është njohur nga afër me ecurinë e punimeve dhe detajet teknike të ndërhyrjes, e cila synon transformimin e kësaj hapësire në një zonë moderne dhe funksionale për qytetarët dhe turistët.

Gjatë inspektimit, u theksua rëndësia e përfundimit në kohë të projektit, si dhe standardet që duhet të përmbushë kjo shëtitore për të garantuar cilësi dhe qëndrueshmëri në shërbim të komunitetit.

Vizita në Vlorë pritet të vijojë edhe me inspektime të tjera në pika të ndryshme të qytetit, në kuadër të investimeve publike dhe përgatitjeve për sezonin turistik./euronews/

E rëndë në Vlorë, fëmija 2-vjeçar bie nga ballkoni i katit të katërt dhe ndërron jetë në spital

13 April 2026 at 08:50


Një fëmijë 2-vjeçar ka rënë nga ballkoni i një pallati shumëkatësh, dyshohet nga kati i katërt, në zonën e Skelës në Vlorë dhe ka ndërruar jetë në spital.

Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur ambulanca, të cilat e kanë transportuar të miturin drejt Spitalit Rajonal të Vlorës.

Mësohet se fëmija ka ndërruar jetë në spital për shkak të dëmtimeve të shumta të marra nga rënia.

Ngjarja është ende në zhvillim dhe priten informacione të tjera në vijim./tch/

Nën forca të shtuara policie, Ivanka Trump lë vilën qeveritare në Dhërmi

12 April 2026 at 10:57


Ivanka Trump ka lënë vilën qeveritare në Dhërmi rreth orës 09:30 të ditës të sotme nën shoqërimin e forcave të policisë.

Më pas, ajo është nisur nga zona e Ujit të Ftohtë në drejtim të qytetit të Vlorës dhe me pas ka vijuar drejt zonës së Zvërnecit, ku Ivanka Trump ka bërë një ndalesë të shkurtër pranë urës së Zvërnecit.


Aty, ajo ka qëndruar për rreth 15 minuta, duke vëzhguar edhe flamingot në lagunë.

Pas kësaj ndalese, ajo dhe delegacioni që e shoqëronte, së bashku me eskortën e sigurisë, janë drejtuar drejt Dhërmiut.

Burime për korrespondentin e Top Channel Mikel Marsi, bëjnë me dije se në Dhërmi pritet një takim mes Ivanka Trump dhe kryeministrit Edi Rama, ku gjithashtu është planifikuar edhe një drekë gjatë ditës së sotme. /tch/

- YouTube www.youtube.com

Ivanka Trump në Shqipëri, pritet takim me Edi Ramën

12 April 2026 at 09:00


Ivanka Trump ka mbërritur serish mbrëmjen e djeshme në qytetin e Vlorës.

Sipas informacioneve, ajo ka qëndruar gjatë natës në vilat qeveritare ne Vlorë.

Burime bëjnë me dije se gjatë ditës së sotme, Ivanka Trump pritet të udhëtojë drejt Dhërmiut ku ndodhet edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Mësohet se rreth orës 11:00 pritet një takim mes tyre në vilat qeveritare në Dhërmi, i cili do të pasohet nga një drekë e përbashkët.

Deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar lidhur me mbërritjen e Ivanka Trump apo zhvillimin e këtij takimi. /TCH/

Aksident i rëndë në Vlorë, lëndohen 3 persona - mes tyre dy fëmijë

11 April 2026 at 14:27


Një aksident është regjistruar në fshatin Gjorm, në rrugën e Lumit të Vlorës, ku një automjet ka dalë nga rruga dhe është përmbysur.

Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se tre persona kanë mbetur të plagosur, mes tyre edhe dy fëmijë nën moshën 14 vjeç.

Policia dhe shërbimet mjekësore kanë mbërritur në vendngjarje, ku po japin ndihmën e parë të lënduarve dhe po punojnë për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit./syri/

Pitbulli kafshon në kokë një 4-vjeçar në Vlorë

7 April 2026 at 14:30


Një qen i llojit pitbull ka kafshuar një fëmijë rreth moshës 4 vjeç.

Ngjarja ka ndodhur pak momente më parë, në shëtitoren Lungomare të Vlorës.

Qeni ka kafshuar fëmijën në kokë duke i shkaktuar plagë, me ç’rast është dërguar me urgjencë në spitalin rajonal të Vlorës për ndihmë mjekësore.

Sejko Veliu, punonjës në një projekt në Vlorë, ka qenë personi që ka shpëtuar vajzën e vogël nga qeni.

Ai tregoi për A2CNN ngjarjen që mund të kishte rezultuar fatale: “Qeni erdhi nga larg dhe e kafshoi në kokë vajzën. Kur e pashë, shkova e kapa qenin dhe e lidha me zinxhir te fyti. E lidha pastaj te shtylla se vajza do kishte ikur përndryshe. Shyqyr Zotit, shpëtoi”. /a2cnn/

Konflikti me një viktimë në Vlorë, babë e bir shkuan për t’u sqaruar! Zbardhen detaje të reja

4 April 2026 at 09:46


Zbulohen detaje të reja nga ngjarja e rëndë e ndodhur pasditen e së premtes në Vlorë ku pas konfliktit banal mbeti pa jetë 63-vjeçari, Ismail Aliaj.

Sipas burimeve të sigurta nga Policia e Vlorës ngjarja ka ndodhur për një konflikt të disa ditëve më parë që djali i viktimës i cili edhe ai mbeti i plagosur lehtë dhe mori ndihmën mjekësore në spital ka pasur me personin i cili ka goditur të atin e tij me grushte e shkelma dhe për pasojë ky i fundit ka gjetur vdekjen.

Konfirmuar nga burimet policore babë e bir ku njëri prej tyre mbeti viktimë, kanë shkuar në rrugë “Gjergj Araniti” për të gjetur autorin e ngjarjes dhe sqaruar konfliktin, raporton euronews.al.

Autori ka qenë në makinë në ato momente me familjen e tij pasi sapo ka nxjerr djalin nga spitali ku viktima më të birin i janë afruar.

Kanë debatuar me fjalë dhe më pas situata ka degraduar në fyerje e sharje.

Duke qenë se autori ka shtëpinë aty pranë kanë ndërhyrë në konflikt edhe dy shokë të tij. Aty ka nisur një konflikt fizik mes palëve duke u zënë me shkelma dhe grushte.

Autori e ka goditur 63-vjeçarin Ismail Aliaj dy herë me grusht dhe një herë tjetër me shkelm.

Viktima është përplasur në tokë e ka gjetur vdekjen. Konfirmuar gjithashtu se viktima ka pasur edhe probleme në zemër ku është operuar më parë dhe krahas goditjes mund të ketë qenë një ndër faktorët që i ka shkaktuar vdekjen.

Autori së bashku me dy shokët e tij më pas janë larguar me makinë nga vendi ngjarjes dhe janë shpallur në kërkim.

Viktimës i kanë djegur edhe automjetin rreth një muaj më parë por siç konfirmohet nga policia kjo ngjarje s’ka lidhje me djegien e makinave që ka pasur viktima.

Ndjekje si në filma në Vlorë, makina me drejtues 14-vjeçarin përplas disa automjete, lëndohen dy efektivë

1 April 2026 at 08:20



Një ngjarje e pazakontë dhe e rrezikshme ka ndodhur në Vlorë, ku një i mitur rreth 14 vjeç ka qenë në drejtimin e një automjeti, ku ndodhej edhe një bashkëmoshatar i tij.

Sipas informacioneve paraprake, ata dyshohet se kanë goditur disa automjete gjatë lëvizjes, çka ka bërë që të ndiqen nga patrullat e policisë së rendit dhe asaj rrugore në disa zona të ndryshme të qytetit, raporton A2CNN.

Gjatë ndjekjes, drejtuesi i mjetit ka përplasur një automjet të forcave “Shqiponja” dhe më pas një tjetër mjet policie, duke shkaktuar plagosjen e dy efektivëve, të cilët janë transportuar për ndihmë mjekësore.

Pas ngjarjes, autori është larguar drejt banesës së tij dhe më pas është dorëzuar në komisariat. Policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Aksident i rëndë në Vlorë, automjeti përplas një grua - autori ikën nga vendngjarja

31 March 2026 at 13:30


Një aksident rrugor është regjistruar pak orë më parë në rrugën Transballkanike, pranë Vlorës, ku një automjet ka përplasur një grua.

Sipas raportimeve paraprake, e lënduara është transportuar me urgjencë për ndihmë mjekësore, raporton euronews.al

Ndërkohë, drejtuesi i mjetit një benz me targa gjermane ka lënë makinën pas aksidentit dhe është larguar me vrap. Policia ndodhet në vendngjarje për të identifikuar drejtuesin që të bëjnë të mundur arrestimin e tij.

Hodhi inerte në trotuar duke ndotur ambientin, dënohet 33-vjeçari në Vlorë

21 March 2026 at 11:46


Policia e Shtetit ka bërë të ditur se ka dënuar një 33-vjeçar në Vlorë për hedhje të inerteve në trotuar, duke ndotur kështu ambientin dhe penguar lëvizjen e lirë të këmbësorëve.

I njëjti është proceduar edhe penalisht, ndërkaq dënimi për të është 20.000 lekë, diku rreth 200 euro.

“Strukturat e Policisë në Vlorë, gjatë monitorimit të territorit me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë, si dhe për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, kanë evidentuar dhe goditur një rast të ndotjes së mjedisit dhe bllokimit të lëvizjes së lirë të këmbësorëve.

Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe verifikimeve në terren, u procedua penalisht shtetasi A. A., 33 vjeç, banues në Vlorë.

Ky shtetas, pasi kishte kryer punime rikonstruktive në banesën e tij, kishte hedhur inertet në trotuar, duke cenuar sigurinë dhe qarkullimin e lirë të qytetarëve, si dhe duke ndotur mjedisin.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprën penale “Menaxhimi i mbetjeve”, parashikuar nga neni 201/a i Kodit Penal.

Paralelisht me veprimet procedurale të kryera nga Policia e Vlorës, këtij shtetasi, nga Policia Bashkiake Vlorë, në zbatim të legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e mjedisit urban, iu vendos masa administrative 20.000 lekë”, thuhet në njoftim.

Policia e Vlorës apelon për qytetarët që të mbrojnë mjedisin dhe të denoncojnë në numrin 112 çdo paligjshmëri që konstatojnë. /Telegrafi/


Gjendet një morenë e ngordhur në bregdetin e Vlorës, çuditen pushuesit

16 March 2026 at 16:37


Një pamje e rrallë dhe disi rrëqethëse ka surprizuar pushuesit dhe banorët vendas në bregdetin e Vlorës.

Një krijesë detare me gjatësi të konsiderueshme dhe dhëmbë të mprehtë është gjetur e dekompozuar në rërë, duke nxitur menjëherë kuriozitetin e të pranishmëve.

Bëhet fjalë për një Moray eel, e njohur në zonë si morena, një specie peshku grabitqar që jeton kryesisht në ujërat e thella dhe mes shkëmbinjve në det.

Trupi i saj i gjatë cilindrik, i ngjashëm me një gjarpër detar, si dhe nofulla e fuqishme me dhëmbë të mprehtë e bëjnë një nga grabitqarët më karakteristikë të botës nënujore.

Morena zakonisht qëndron e fshehur në vrima shkëmbore dhe ushqehet me peshq të vegjël, kallamarë apo krustace. Ajo është e përhapur edhe në Detin Mesdhe, përfshirë brigjet shqiptare, por rrallëherë shihet në sipërfaqe apo në breg.

Ekspertët shpjegojnë se raste të tilla ndodhin kur peshku del nga habitatet e tij për shkak të sëmundjeve, dëmtimeve apo ndryshimeve të kushteve në det, duke përfunduar më pas në breg nga dallgët.

Pamja e saj ka tërhequr vëmendjen e kalimtarëve dhe pushuesve, të cilët janë ndalur për ta parë nga afër këtë krijesë të pazakontë detare që rrallë shfaqet në brigjet e Vlorës.

- YouTube youtu.be

Alarm për gjitarët detarë, foka e rrallë e Mesdheut gjendet e ngordhur në Vlorë

13 March 2026 at 17:17


Shoqata e Ruajtjes dhe e Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) ka bërë të ditur se më 9 mars 2026 një individ i fokës së Mesdheut është gjetur i ngordhur në zonën e Gadishullit të Karaburunit, në qarkun e Vlorës.

Sipas njoftimit, dy ditë para gjetjes së trupit, turistë kishin publikuar në rrjetet sociale pamje të një foke në të njëjtën zonë. Në video, kafsha shfaqte shenja jete, por edhe sjellje jo të zakonshme për ekologjinë e kësaj specieje, çka ngriti dyshime për gjendjen e saj shëndetësore.

Pas marrjes së informacionit, PPNEA ndërmori një aksion kërkimi në det. Më pas, në bashkëpunim me veterinerë të trajnuar për trajtimin e gjitarëve detarë, u bë e mundur nxjerrja e kafshës nga bregu dhe transportimi i saj për ekzaminime të mëtejshme.

Individi u dërgua në Qendrën Kërkimore SharkLab Adria në Vlorë ku u kryen ekzaminime të detajuara dhe procedura e nekropsisë.

Gjatë këtij procesi janë marrë mostra biologjike sipas protokolleve shkencore, të cilat do të analizohen në laborator për të përcaktuar shkakun e ngordhjes së kafshës.

Sipas ekzaminimeve morfologjike paraprake, individi rezulton të jetë një femër e maturuar. Pas përfundimit të analizave dhe procedurave shkencore, trupi i saj do të dërgohet në Muzeu e Shkencave të Natyrës në Tiranë, ku do të përgatitet për balsamim për qëllime shkencore, edukative dhe ndërgjegjësuese.

Ekspertët theksojnë se Foka e Mesdheut është një nga gjitarët detarë më të rrallë në botë. Popullata globale e kësaj specieje vlerësohet të jetë më pak se 1000 individë, ndërsa në Shqipëri prania e saj është shumë e rrallë. Raste të tilla konsiderohen të rëndësishme për të kuptuar kërcënimet me të cilat përballen gjitarët detarë në rajon dhe për të forcuar përpjekjet për mbrojtjen e tyre./Telegrafi/


Tentoi të vidhte një furgon në Vlorë, arrestohet 23-vjeçari nga Kosova

11 March 2026 at 09:38


Policia e Vlorës arrestoi një shtetas nga Kosova i cili tentoi të vjedhë një furgon në këtë qytet. Në pranga u vu shtetasi G. P., 23 vjeç, banues në Pejë, Kosovë.

“Ky shtetas u kap më datë 10.03.2026 , rreth orëve të para të mëngjesit, në lagjen “24 Maji”, në momentin që po tentonte të vidhte një automjet tip furgon. Ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve të Policisë bëri të mundur kapjen e tij në flagrancë dhe parandalimin e vjedhjes.

Gjatë kontrollit personal, shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një mjet prerës (thikë).

Nga veprimet hetimore të kryera rezulton se i njëjti shtetas dyshohet të jetë autor edhe i një vjedhjeje tjetër, të ndodhur më datë 06.03.2026, ku është marrë një shumë parash në një lokal në lagjen “10 Korriku”, në qytetin e Vlorës”, bëri me dije policia.

Policia vijon punën për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje dhe për verifikimin e përfshirjes së këtij shtetasi edhe në raste të tjera vjedhjeje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Vlorë për veprat penale “Vjedhja” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”. /Telegrafi/


❌