Një ngjarje e rëndë është regjistruar këtë të premte në Orikum të Vlorës, ku një çift bashkëshortësh është gjetur pa shenja jete në banesën e tyre.
Viktima, Sose Xhebro, rreth 40 vjeçe, dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e mbytjes. Sipas të dhënave paraprake nga grupi hetimor, dyshimet e para janë se ajo është vrarë nga bashkëshorti i saj, Llogora Xhebro, shkruan Euronews.al.
Po ashtu, dyshohet se pas vrasjes së bashkëshortes, Llogora Xhebro ka vrarë edhe veten. Rrethanat dhe dinamika e plotë e ngjarjes mbeten ende të paqarta dhe janë objekt i hetimeve në vijim.
Policia ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë familjare.
Temperaturat e ulëta që kanë zbritur deri në –2°C në qytetin e Vlorës, në datën 1 janar, nuk i kanë ndalur vëlla e motër, Gezim Brahimaj (57 vjeç) dhe Shpresa Tafili (60 vjeç), të cilët e konsiderojnë ujin e detit si një lloj terapie kundër sëmundjeve siç shprehen vetë.
Edhe në këto ditë të ftohta dimri, ata kanë sfiduar jo vetëm temperaturat e ulëta të ajrit, por edhe ujin e ftohtë të detit, duke u futur për not në zonën bregdetare të Vlorës. Sipas tyre, deti është pjesë e pandarë e jetës së tyre.
Gëzimi u shpreh se ata nuk janë ndarë kurrë nga deti, as gjatë verës dhe as gjatë dimrit, madje as në ditë me temperatura ekstreme si kjo e sotmja.
Si gëzimi edhe Shpresa me këtë rast, kanë përcjellë edhe një urim për të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen, duke i uruar: Gëzuar Vitin e Ri 2026, një vit të mbarë e të begatë dhe, mbi të gjitha, plot shëndet për të gjithë./Top Channel
Kreu i qeverisë Edi Rama ka reaguar lidhur me situatën në Vlorë, ku prej katër ditës ky qytet përballet me mungesën e ujit, pasi një defekti në ujësjellës.
Rama shkruan se sot mbërrijnë nga Stambolli pjesët e reja hidraulike për riparimin e difektit në ujësjellësin e Vlorës, që sipas tij ku në vitin 2009-2010 janë instaluar pjesë hidraulike jashtë standarteve, që nuk e kanë mbajtur dot më presionin e ujit dhe për pasojë tubacioni ka shpërthyr.
Ai u ka kërkuar ndjesë qytetarëve të Vlorës, teksa me humor shkruan: Vlonjatëve të mi u them ndjesë për tërë këtë peripeci të pamerituar dhe siç thoshin gjyshet tona plasi më në fund edhe syri i keq pas tërë këtyre viteve të mira për Vlorën, e ja që kush i do të keqen Vlorës, veç të keqen do i marrë.
“Drejt aeroportit të Stambollit për të ardhur sot brenda ditës, pjesët e reja hidraulike për riparimin e difektit të rëndë në ujësjellësin e Vlorës, ku në vitin 2009-2010 janë instaluar pjesë hidraulike jashtë standarteve, që nuk e kanë mbajtur dot më presionin e ujit dhe për pasojë tubacioni ka shpërthyer…
Respekt për punën e palodhur të punëtorëve të ujësjellësit Vlorë, që nën drejtimin e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, inxhinierit të njohur Flauers Shoshi, i cili prej disa ditësh e netësh gjendet në krye të operacionit të vështirë, po bëjnë të pamundurën për ta mbyllur këtë plagë të hapur në trupin e Vlorës prej një mine të vjetër nga një kohë e zezë për Vlorën
Vlonjatëve të mi u them ndjesë për tërë këtë peripeci të pamerituar dhe siç thoshin gjyshet tona plasi më në fund edhe syri i keq pas tërë këtyre viteve të mira për Vlorën, e ja që kush i do të keqen Vlorës, veç të keqen do i marrë”, shkruan ai. /TCH/
Një defekt në rrjetin e ujit të pijshëm ka lënë qytetin e Vlorës pa furnizim prej tre ditësh.
Situata ka krijuar shqetësim të madh te banorët, të cilët janë detyruar t’u drejtohen burimeve publike të ujit për të siguruar nevojat minimale ditore.
“Nga dita e djeshme realizuam një zgjidhje e cila dha sërisht problem. Pati një furnizim të shkurtër për zonën e Lungomares dhe zonën e bregdetit. Qyteti sërisht vuan furnizimin me ujë, avaria është shumë serioze, shumë e rëndë, e cila do kohën e vetë. Mendojm se në orën 5-6 mbazdite do filloj furnizimi, duke ardhur sërisht nga stacionet e prodhimit drejt Lungomares dhe më pas ti japim një zgjidhje depos së qytetit”, është shprehur një punonjës i Ujësjellësit të Kanalizimeve në Vlorë.
Me dhjetëra qytetarë shihen çdo ditë në radhë, duke pritur njëri pas tjetrit për të mbushur bidonë dhe enë me ujë, pasi në banesat e tyre mungon furnizimi. Sipas tyre, mungesa e ujit po vështirëson jetesën e përditshme, sidomos për familjet me fëmijë dhe të moshuar.
“Vlora ka një javë pa ujë, e meriton. Për një popull që nuk reagon që është “dele” kështu do vejë. Një popull që s’është opozitar për qeverinë, ka mbaruar”, është shprehur një qytetar i Vlorës për këtë situatë.
Ende nuk ka një njoftim zyrtar për afatin e riparimit të defektit, ndërsa qytetarët kërkojnë zgjidhje të shpejtë dhe furnizim të rregullt me ujë të pijshëm. Situata mbetet problematike dhe kërkon ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse.
“Kemi tre ditë pa ujë. Taksat i paguajmë, ujin s’na i bjenë. Tre ditë skemi pikë ujë, taksat i paguajmë, çdo gjë i paguajmë, por ujë skemi”, është shprehur një qytetar tjetër. /euronews/
Mëngjesi i së premtes e ka gjetur detin në zonën e plazhit të vjetër dhe në Zvërnec, të tërhequr pas.
Një pjesë e rërës, poshtë tij, ka dal në sipërfaqe, duke të dhuruar një imazh të veçantë.
Zbatica shkaktohet gjatë 24 orëve e 50 minutave si pasojë e ndikimit të forcës tërheqëse të Hënës.
Por ajo sigurisht mund të shkaktohet edhe nga forca tërheqëse e diellit, por për shkak të largësisë së madhe, ndikimi i Diellit në formimin e fazave të detit është me i vogël se ai i Hënës.
Baticat dhe Zbaticat këto lëkundje ritmike vertikale të ujit të detit botërorë quhen me një emër të përbashkët fazat e detit.
Klubi durrsak, Teuta ka akuzuar lojtarët e tifozët e Flamurtarit të Vlorës për sulm fizik ndaj futbollistëve dhe ka kërkuar ndërhyrje urgjente nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF).
Teuta ka reaguar ashpër pas ngjarjeve të rënda të ndodhura në ndeshjen ndaj Flamurtarit në Vlorë, duke e cilësuar atë si një episod të paprecedentë dhune në futbollin shqiptar.
Sipas klubit, futbollistët Muço Boçi dhe Mario Beshiraj u goditën fillimisht nga lojtarët kundërshtarë dhe më pas nga tifozë që mësynë fushën në minutën e 69-të, duke shkaktuar kaos dhe panik në stadium.
Në reagimin zyrtar, Teuta thekson se lojtarët përjetuan tronditje të rëndë psikologjike, ndërsa kritikon vendimin e delegatit të ndeshjes për të kërkuar vazhdimin e lojës, pavarësisht situatës së krijuar.
Klubi shton se disponon edhe pamje të tjera që tregojnë se tifozët nuk u larguan realisht nga stadiumi, por u zhvendosën në tribunat pas porte.
Në fund, KF Teuta i bën thirrje FSHF-së të marrë masa konkrete, të hetojë plotësisht ngjarjen dhe të ndëshkojë përgjegjësit, duke paralajmëruar se skena të tilla dëmtojnë rëndë imazhin e futbollit shqiptar.
Postimi pa ndërhyrje i KF Teuta
Skandal në Vlorë! Futbollistët e Teutës dhunohen nga kundërshtarët! FSHF të marrë masa!
Një ngjarje e paprecedentë dhune u regjistrua në Vlorë, në ndeshjen Flamurtari–Teuta, ku futbollistët e ekipit tonë u dhunuan barbarisht nga kundërshtarët dhe tifozët vlonjatë.
KF Teuta kërkon të informojë publikun për dhunën që ndodhi në stadiumin e Flamurtarit, ku Muço Boçi dhe Mario Beshiraj u goditën me grusht nga lojtarët e Flamurtarit dhe më pas nga tifozët që mësynë fushën në minutën e 69-të.
Një episod i tillë i tronditi lojtarët, të cilët kaluan në shok psikologjik, por çuditërisht delegati i ndeshjes, Armando Mandro, kërkoi që loja të vazhdonte dhe i kërkoi policisë të boshatiste tribunën përballë (C).
KF Teuta insistoi se ekipi nuk mund të riluante ndeshjen, pasi ishte në gjendje të rënduar psikologjike, por delegati vendosi që ndeshja duhej të vazhdonte, pa u interesuar për dhunën e paprecedentë që ndodhi në fushë.
Ndeshja u kthye në ferr dhe lojtarët nuk ishin të gatshëm të luanin futboll, por, ndonëse KF Teuta nuk ishte dakord, pranoi të vazhdonte ndeshjen pas urdhrit të delegatit.
KF Teuta ka në dispozicion edhe një tjetër video ku tifozët e Flamurtarit nuk u larguan nga stadiumi, por shkuan në tribunën pas porte.
KF Teuta kërkon nga FSHF-ja që të merren masat për këtë ngjarje të rëndë dhe të zbardhet dinamika e saj. Urojmë që skena të tilla të mos përsëriten më, pasi njollosin futbollin shqiptar.
Ka përfunduar pas rreth dy orësh seanca gjyqësore për tre personat e arrestuar si të dyshuar për pengmarrje në Vlorë. Gjykata ka vendosur dy masa sigurie “arrest në burg” dhe një masë “arrest në shtëpi”.
Sipas vendimit, për shtetasit Orest Çorapaj dhe Julian Zogaj është caktuar masa arrest në burg, ndërsa për Vilson Agaj është vendosur masa arrest në shtëpi.
Tre të dyshuarit pritet të hetohen në vijim për veprën penale të pengmarrjes, ndërsa organet e drejtësisë do të vijojnë procedurat ligjore për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Por çfarë ndodhi në Vlorë?
Policia zbuloi dhe liruar një shtetas nga Kosova, i cili mbahej peng prej dyjavësh në një apartament shumë pranë drejtorisë së policisë së Vlorës.
Pas zbulimit të apartamentit ku mbahej i lidhur pengu, policia identifikoi dhe arrestoi tre persona të dyshuar si pengmarrës, të cilët kishin kërkuar një shumë prej 70 mijë eurosh për lirimin e pengut të identifikuar si Fisnik Xhaka nga Mitrovica.
Ka qenë motra e këtij të fundit që ka telefonuar nga Suedia policinë e Vlorës pasi kishte humbur kontaktet me të vëllain, ndërsa një tjetër version është edhe fakti që e motra ka marrë policinë e Vlorës, kur pengmarrësit i kanë kërkuar 70 mijë euro për lirimin e të vëllait.
Sakaq, grupi hetimor i ngritur për këtë ngjarje ka dyshime në lidhje mbi njohjet që mund të ketë patur pengu me autorët e kësaj ngjarje, ky dyshimet janë se një aktivitet i mundshëm i paligjshëm mund t’i ketë bërë bashkë pengmarrësit dhe pengun, pasi ka të dhëna se pengu mund të ketë shkuar vetë në apartamentin, që është në pronësi të njërit prej të arrestuarve. /A2 CNN
Mbajtën peng dhe dhunuan një shtetas nga Kosova, me qëllim përfitimin e 70 mijë eurove, arrestohen në flagrancë tre persona.
Sipas një njoftimi për media sekuestrohen lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sativa dhe një radio marrëse-dhënëse e ngjashme me ato të Policisë.
Tutje thuhet se sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Vlorë dhe Seksioni për Mbështetjen Operacionale të Hetimit në DVP Vlorë, pas marrjes së informacionit nga familjarët se një pjesëtar i familjes së tyre mbahej peng në një apartament në qytetin e Vlorës, organizuan menjëherë punën për lokalizimin e banesës, kapjen e autorëve dhe lirimin e shtetasit të mbajtur peng.
“Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale, në kuadër të operacionit policor të koduar ‘Hostage’, u bë e mundur kapja në flagrancë e shtetasve: J. Z., 25 vjeç, O. Ç., 18 vjeç dhe V. A., 35 vjeç, të tre banues në Vlorë”.
Gjithashtu në njoftim thuhet se nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas në një apartament në rrugën “Janaq Kilica”, lagjja “Osman Haxhiu”, kishin rrëmbyer dhe mbajtur peng që prej datës 28.11.2025 shtetasin F. X., 39 vjeç, banues në Mitrovicë, Kosovë, duke e dhunuar fizikisht dhe duke i kërkuar shumën prej 70 000 eurosh për lirimin e tij.
“Gjatë operacionit policor u bë e mundur lirimi i menjëhershëm i shtetasit të mbajtur peng, i cili ka marrë dhe kujdesin e nevojshëm shëndetësor. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesë, në posedim të shtetasit J. Z., u gjet dhe u sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit Cannabis Sativa, si dhe një radio marrëse-dhënëse e ngjashme me ato të Policisë”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprat penale “Rrëmbim ose mbajtja peng e personit”, e kryer në bashkëpunim,
“Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”. /Telegrafi/
Katër persona të dyshuar për pengmarrje në qytetin e Vlorës, janë shoqëruar nga policia.
Katër të shoqëruarit nga policia e Vlorës dyshohet se kanë marrë peng një shtetas kosovar, të cilin e mbanin në një banesë në afërsi të Rrugës së Re.
Policia e Vlorës bën me dije se shtetasit ishin nga fshatrat e Lumit të Vlorës dhe i kërkonin personit 70 mijë euro.
Shtetasi kosovar është mbajtur peng prej dy javësh dhe sipas policisë dyshohet se është dhunuar.
Ndërkohë, motra e pengut, që jeton në Suedi, ka njoftuar policinë e Vlorës, e cila ka bërë të mundur gjetjen e banesës dhe shoqërimin e katër personave./Top Channel
Një operacion i përbashkët mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve greke rezultoi në zbulimin dhe sekuestrimin e një arsenali të konsiderueshëm armësh zjarri dhe municioni luftarak.
Gjatë kontrolleve në banesa të disa shtetasve shqiptarë të dyshuar për vrasje me pagesë, u gjetën tre armë automatike, qindra fishekë dhe krehra armësh. Armët dhe municioni ishin fshehur në banesën e një prej të arrestuarve në Greqi, i cili dyshohet për përfshirje në aktivitete kriminale dhe u arrestua dy ditë më parë me akuza për vrasje dhe pjesëmarrje në grup kriminal, që posedonte armë zjarri.
Operacioni policor, i koduar “Provat”, u zhvillua në disa qytete shqiptare, përfshirë Gjirokastrën, Vlorën dhe Lezhën, pas shkëmbimit të informacionit me autoritetet greke për kapjen e disa shtetasve shqiptarë.
Në Labovë e Kryqit, Policia e Gjirokastrës gjeti të fshehura armët dhe municionin në banesën e shtetasit Dh. M., 45 vjeç. Përveç kallashnikove dhe armës tjetër automatike, kontrolli zbuloi qindra fishekë të kalibrave të ndryshëm, të dyshuar të trafikuar.
Armët e sekuestruara do të dërgohen tek Instituti i Policisë Shkencore për ekspertim teknik, ndërsa hetimet ndaj të dyshuarve vijojnë në bashkëpunim të ngushtë me homologët grekë.
Struktura e Policisë Kriminale, në koordinim me DVP-të e Gjirokastrës, Vlorës dhe Lezhës, po dokumenton veprimtarinë kriminale të katër shtetasve shqiptarë: Dh. M., 45 vjeç nga Labova e Kryqit; A. B., 32 vjeç nga Kudhësi, Himarë; F. P., 39 vjeç nga Lezha; dhe P. Th., 31 vjeç nga Muzina, Sarandë. Të katërt dyshohen si vrasës me pagesë.
Materialet procedurale janë dorëzuar pranë Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Hetimet vazhdojnë për të identifikuar të gjitha lidhjet dhe aktivitetet kriminale të të dyshuarve.
Një i moshuar ka humbur jetën aksidentalisht në Vlorë pasi është rrëzuar nga lartësia.
Policia tha se ngjarja ndodhi në lagjen “28 Nëntori”, ku shtetasi P. J., 74 vjeç, dyshohet se gjatë ngjitjes për në tarracën e pallatit është rrëzuar nga kati i gjashtë dhe si pasojë, ka ndërruar jetë, raporton euronews.al.
Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Prokuroria e Vlorës ka sekuestruar pasuri me vlerë rreth 4 milionë euro, në pronësi të shtetasit Fatos Pelivan Canaj dhe familjarëve të tij, të cilët po hetohen për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, të parashikuara nga nenet 186 dhe 287 të Kodit Penal.
Sekuestrimi u krye në kuadër të procedimit penal nr. 25/2023, pas hetimeve që zbuluan një sërë pasurish të luajtshme dhe të paluajtshme, për të cilat dyshohet se kanë origjinë të pajustifikuar.
Lista e pasurive të sekuestruara përfshin:
Truall me sipërfaqe 1600 m² në emër të P. C.;
Bodrum 841.75 m² në emër të F. C.;
Disa njësi shërbimi me sipërfaqe 36–324 m² në emër të F. C.;
Dy apartamente në emër të shoqërisë “F” shpk;
Një ndërtesë 115 m² në emër të F. C.
Prokuroria bën të ditur se hetimet vijojnë për të verifikuar burimin e pasurive dhe lidhjet e mundshme me aktivitet kriminal.
Njoftimi i plotë:
Prokuroria e Vlorës sekuestron 4 milionë euro pasuri; prona, apartamente, troje e biznese të shtetasit P.C. nën hetim për dy vepra penale
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Vlorë u sekuestruan pasuritë e shtetasit P.C. dhe të familjarëve të tij nën hetim për dy vepra penale ‘Falsifikimi i dokumenteve’ dhe ‘Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’ të parashikuara nga nenet 186 dhe 287 të Kodit Penal.
Hetimet e zhvilluara mbi procedimin penal nr.25 të vitit 2023 çuan në sekuestrimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të këtij shtetasi prona, ndërtesa, biznese dhe truall, të cilat shkojnë në vlerën rreth 4 milionë euro.
Më konkretisht, me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Vlorë u sekuestruan pasuritë e mëposhtme:
Pasuri e llojit ‘Truall’, me sipërfaqe 1600 m2, me adresë në Vlorë në emër të shtetasit P.C.;
Pasuria e llojit ‘Bodrum’, me sipërfaqe 841.75 m2, me adresë në Vlorë në emër të shtetasit F.C.;
Pasuria e llojit ‘Njësi’, me sipërfaqe 112.82 m2, me adresë në Vlorë në emër të shtetasit F.C.;
Pasuria e llojit ‘Njësi’, me sipërfaqe 36.14 m2, me adresë në Vlorë në emër të shtetasit F.C.;
Pasuria e llojit ‘Njësi’ me sipërfaqe 59.5 m2, me adresë në Vlorë në emër të shtetasit F.C.;
Pasuria e llojit ‘Njësi’, me sipërfaqe 47.27 m2, me adresë në Vlorë në emër të shtetasit F.C.;
Pasuria e llojit ‘Njësi’, me sipërfaqe 97.42 m2, me adresë në Vlorë në emër të shtetasit F.C.;
Pasuria e llojit ‘Apartament’, me sipërfaqe 72.36 m2, me adresë në Vlorë në emër të shoqërisë ‘F’ shpk;
Pasuria e llojit ‘Apartament’, me sipërfaqe 89.90 m2, me adresë në Vlorë në emër të shoqërisë ‘F’ shpk;
Pasuria e llojit ‘Njësi’, me sipërfaqe 324.17 m2, me adresë në Vlorë në emër të shtetasit F.C.;
Pasuria e llojit ‘Njësi’, me sipërfaqe 318.16 m2, me adresë në Vlorë në emër të shtetasit F.C.; dhe
Pasuria e llojit ‘Ndërtesë’, me sipërfaqe 115 m2, me adresë në Vlorë në emër të shtetasit F.C. /tch/
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e ditës së djeshme në Vlorë, pasi në portën e jashtme të banesës së një 63-vjeçareje ka shpërthyer një sasi lënde plasëse.
Policia bënë me dije se si pasojë e shpërthimit ka pasur vetëm dëme materiale. Sakaq, po punohet ende për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Ndërkohë 63-vjeçarja Bakie Soto deklaron se nuk ka asnjë konflikt me askënd dhe nuk e kupton nga ka ardhur shpërthimi apo për çfarë arsye.
Po këta specialistë referuan materiale në Prokurori pasi, më datë 29.11.2025, rreth orës 23:38, në rrugën “Ali Demi”, lagjja “Partizani”, në portën e jashtme të banesës së shtetases B. Z., 63 vjeçe, ka shpërthyer një sasi lënde plasëse, nga e cila janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Nën drejtimin e Prokuorisë vijon puna për identifikimin, kapjen e autorëve dhe dokumentimin e plotë të ngjajres./tch/
Në qendër të Vlorës, aty ku 113 vite më parë, Shqipëria u shpall shtet i pavarur dhe sovran, qëndron madhështor Monumenti i Pavarësisë, realizuar nga Artistët e Popullit, skulptorët Mumtaz Dhrami, Kristaq Rama dhe Shaban Hadëri.
Në mes të veprës, që u vendos në këtë shesh në vitin 1972, është vendosur statuja e kreut të parë të shtetit shqiptar, ndërsa portretet e tjera reflektojnë tiparë të luftëtarëve veriorë e jugorë.
Në një intervistë për Top Channel, Mumtaz Dhrami kujton bisedat me Byronë Politike nga ideja te miratimi i monumentit.
“Vërejtjet lidhen me natyrën statike të figurave, në letrën që na dërgoi Enver Hoxha na tha që figurat janë të zbukuruara, por lufta i hedh poshtë paradat dhe kostumet dhe vërejtje të tjera që na bënë na ndryshojmë tërësisht kompozimin, duke hequr ngarkesat e tepërta, duke i dhënë më tepër dinamikë, duke shtuar figurën e rilindasit, për të treguar që luftërat vazhduan edhe me penë, jo vetëm me armë. E bëmë kompozimin më të fuqishëm në mënyrë vertikale, duke shtuar figurën e flamurtarit”, shprehet Dhrami.
Dy vite punë për të arritur te inaugurimi që u bë me rastin e 60-vjetorit të pavarësisë. Talenti, përkushtimi dhe bashkëpunimi mes kolegësh solli një vepër që tashmë i përket përjetësisë.
Skulptori thotë: “Ishim tolerantë dhe mirëkuptues ndaj punës së njëri-tjetrit. E pranonim kur diçka kolegu e kishte bërë më mirë, egoja personale bëhej kurban për punën e përgjithshme, për të ruajtur unitetin plastik”.
Puna në terren në një monument që arrin 17 metër lartësi nuk ishte e lehtë. Dhrame tregon si Rama u aksidetua teksa skaliste heronjtë.
“U thye shkalla, u rrëzua dhe u godit në kokë. Nuk kishte mundësi të ngjitej më pas në skelë, e kishte të pamundur të punonte te figura e flamurtarit sipër. Atë figurë e realizova unë me Shabanin dhe u punuam direkt në allçi. Pjesa tjetër është punuar në baltë. Është derdhur më pas në bronz dhe është montuar e gjitha”, shprehet skulptori.
Teksa sheh me krenari dhe emocion këtë vepër të trashëgimisë sonë kulturore, artisti nuk fsheh revoltën për ndryshimet që ka pësuar ndër vite, që sipas tij shkatërrojnë raportin e monumentit me spektatorin.
Mumtaz Dhrami shton: “Kjo platformë është zëvendësuar me tre palë shkallë që i bëjnë keq monumentit. Monumenti duhet të vazhdonte deri në tokë, jo të vendoseshin këto shkallët si tortë. Arkitektët nuk u konsultuan me autorët, dy kolegët e tjerë kishin ndërruar jetë, por mua mund të më pyesnin. Edhe po të ishin gjallë kolegët e mi, do të thoshin të njëjtën gjë, sepse nuk lidhet fare me psikologjinë e monumentit. Humbet raporti i monumentit me spektatorin”.
Sikurse u paralajmërua një ditë më parë nga Instituti i Gjeoshkencave dhe Shërbimi Meteorologjik Ushtarak (SHMU) moti në vendin tonë është përkeqësuar. Vlora është përfshirë mëngjesin e kësaj të hëne (17 nëntor) nga stuhi ere, ndërsa pritet të nisin reshjet e shiut.
Për shkak të përkeqësimit të kushteve të motit, autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve për kujdes dhe të shmangin situatat problematike, shkruan rtsh.al.
Ndërkohë lundrimi detar për mjetet e vogla, anijet e peshkimit dhe tragetet kanë pezulluar punën, ndërsa shumë prej bizneseve në Lungomaren e Vlorës kanë mbyllur dyert për shkak të stuhisë së erës.
Një ditë më parë, ministria e Mbrojtjes shpërndau njoftimin e Institutit të Gjeoshkencave dhe SHMU-së, se kjo javë do të shoqërohet nga reshje me intensitet të lartë në të gjitha qarqet e vendit, të shoqëruara me shtrëngata dhe në zona të caktuara me reshje bore.
Dielli dhe temperaturat e ngrohta vijojnë në Vlorë.
Ditët me diell dhe temperaturat e mrekullueshme kanë kthyer bregdetin e Vlorës në një terapi të vërtetë natyrore për adhuruesit e detit.
Qytetarë vlonjatë, por edhe vizitorë të ardhur nga zona të ndryshme të vendit, janë parë sot duke shijuar plazhin dhe ujin e pastër të detit.
Fanatikët e notit dhe të detit nuk mungojnë as këtë periudhë, madje shumë prej tyre sfidojnë temperaturat e ujit, duke e kthyer qëndrimin në det një zakon të përditshëm.
Përgjatë gjithë vijës bregdetare, shihen pushues të moshave të ndryshme që relaksohen nën rrezet e diellit.
Veçanërisht të shumta janë familjet me fëmijë, të cilat kanë shfrytëzuar motin e ngrohtë për të kaluar kohë në natyrë, duke shijuar blunë e detit dhe atmosferën e qetë që ofron qyteti bregdetar.
Temperaturat e larta për këtë periudhë kanë gjallëruar plazhin e Vlorës, duke e bërë alternativ të mirë për te kaluar fundjavën./Top Channel
Policia e Shtetit ka bërë të ditur se kanë përfunduar veprimet e para hetimore për dokumentimin e plotë të plagosjes së rëndë me mjet prerës të një 39-vjeçari, ndërsa lidhur me këtë javë vënë në pranga dy autorët.
Specialistët për Hetimin e Krimeve kundër Personit në Vlorë arrestuan shtetasit D. S., 23 vjeç, dhe G. P., 26 vjeç, banues në Vlorë.
“Nga veprimet hetimore rezultoi se rreth orës 04:30, në lagjen ‘Uji i Ftohtë’, në rrugën ‘Dhimitër Konomi’, gjatë një konflikti për motive të dobëta, këta 2 shtetas kanë plagosur rëndë me mjet prerës (thikë) shtetasin V. K., 39 vjeç, banues në Mal të Zi, duke e goditur në pjesë të ndryshme të trupit”, thuhet në njoftim.
I dëmtuari ndodhet në Spitalin Rajonal Vlorë, nën kujdesin e mjekëve.
Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë. /Telegrafi/
Një mobileri në lagjen “28 Nëntori” në Vlorë është përfshirë nga flakët në orët e hershme të mëngjesit.
Në pamjet e siguruara nga Top Channel shihet momenti i vënies së zjarri të biznesit të mobilierisë në Vlorë.
Sipas burimeve policore, rreth orës 03:00 të mëngjesit, një person i maskuar është filmuar nga kamerat e sigurisë teksa i afrohet objektit, thyen xhamin e derës me një çekiç dhe më pas, duke përdorur një bidon të mbushur me benzinë, i vë flakën mobilierisë.
Autori më pas është larguar me shpejtësi nga vendngjarja.
Flakët janë vënë re nga një fqinj, i cili ka njoftuar menjëherë pronarin e biznesit, Eduart Aliko. Ky i fundit ka mbërritur në vendngjarje vetëm pak minuta më pas dhe ka parë se kati i parë i mobilerisë ishte përfshirë tërësisht nga zjarri.
Në vend kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve, megjithatë dëmet materiale janë të konsiderueshme.
Policia ka rrethuar zonën dhe ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Pamjet e kamerave të sigurisë janë sekuestruar si provë materiale. /tch/
Kati i parë i një mobilierie është përfshirë nga flakët në orët e para të mëngjesit të kësaj të marte, në lagjen 28 nëntori në qytetin e Vlorës.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00, ndërsa flakët janë përhapur me shpejtësi në ambientet e brendshme të biznesit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Sipas informacionve paraprake dyshohet se zjarri i rënë në mobilerinë është i qëllimshëm.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat zjarrfikëse, të cilat bënë të mundur izolimin e zjarrit dhe shmangien e përhapjes së tij në katet e tjera të objektit apo në bizneset përreth.
Policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të zjarrit. /Euronews/