Normal view

Zjarri në Pyllin e Sodës në Vlorë merr përmasa të rrezikshme - thirrje qytetarëve të shmangin zonën

26 July 2026 at 17:35


Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë pasditen e së dielës në Pyllin e Sodës në Vlorë, duke krijuar një re të dendur tymi që ka mbuluar një pjesë të mirë të qytetit.

Vatra e zjarrit ka rënë brenda pyllit me pisha, pranë vijës hekurudhore në zonën e Zvërnecit, ndërsa tymi është i dukshëm nga disa lagje të Vlorës.

Banorët dhe pushuesit në qytetin e Vlorës në ndihmë të zjarrfikësve për të izoluar flakët dhe për t’i shuar ato. Flakët janë përhapur me shpejtësi, të favorizuara nga temperaturat e larta dhe era, duke detyruar forcat zjarrfikëse të vendosin në dispozicion të gjithë personelin për izolimin e vatrës.

Zjarri ka marrë përmasa të konsiderueshme dhe rrezikon të përfshijë një sipërfaqe të madhe me pyje dhe bimësi, ndërsa ekziston rreziku që flakët t’u afrohen edhe bizneseve dhe ambienteve të tjera pranë zonës.

Në terren ndodhen shërbimet zjarrfikëse, të mbështetura nga strukturat e tjera të emergjencës, të cilat po punojnë për të vënë nën kontroll situatën dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet pranë zonës së prekur dhe të respektojnë udhëzimet e forcave në terren, ndërsa operacioni për shuarjen e flakëve vijon.

Siç edhe më herët korrespondneti i Top Channel Mikel Marsi raportoi, menjëherë pas sinjalizimit, drejt zonës janë nisur forcat e Policisë dhe shërbimet zjarrfikëse, të cilat po punojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve. Sipas të dhënave paraprake, situata paraqitet e vështirë për shkak të përhapjes së zjarrit në një zonë me bimësi të dendur dhe erës që favorizon avancimin e flakëve.

Burime nga shërbimi zjarrfikës bëjnë me dije se aktualisht ne Vlorë janë aktive pesë vatra zjarri njëkohësisht, çka ka vështirësuar ndarjen e forcave në terren. Përveç zjarrit në Pyllin e Sodës, ndërhyrje po kryhen edhe në Dukat, pranë tunelit të Llogarasë, në zonën e Parkut të Mallrave dhe në Triport.

- YouTube www.youtube.com

Dallgë të mëdha dhe erë e fortë në Vlorë, ngrihet flamuri i kuq në plazhe

26 July 2026 at 17:30


Era e fortë dhe dallgët e mëdha kanë përfshirë mesditën e kësaj të diele plazhet e Vlorës, duke detyruar qindra pushues që kishin zgjedhur bregdetin e qytetit të largohen nga uji për të shmangur rrezikun.

Për shkak të përkeqësimit të kushteve në det, rojet e stacioneve të plazheve kanë ngritur flamurin e kuq, duke ndaluar hyrjen e pushuesve në ujë.

Ata u kanë bërë thirrje qytetarëve dhe turistëve të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e rojeve bregdetare, pasi dallgët e fuqishme dhe rrymat detare paraqesin rrezik serioz për jetën.

Autoritetet apelojnë që të shmangen noti dhe aktivitetet në det deri në përmirësimin e kushteve atmosferike.

Pas fillimit të largimit të pushuesve, janë krijuar radhë kilometrike automjetesh nga Zvërneci në drejtim të qytetit të Vlorës./Euroneews Albania

Furgoni me punëtorë del nga rruga në Vlorë - humb jetën 52-vjeçari, katër të tjerë të lënduar

26 July 2026 at 10:09


Një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë kanë mbetur të plagosur në një aksident të rëndë, të regjistruar rreth orës 06:10 të mëngjesit të sotëm në aksin rrugor Dukat–Orikum, në zonën e Fushë-Dukatit.

Sipas të dhënave paraprake, një furgon që transportonte punëtorë ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal anësor. Dyshohet se punëtorët ishin nisur nga Tirana drejt bregdetit.

Sicc raporton korrespondenti i Top Channel në Vlorë, Mikel Marsi, shkak i aksidentit mund të ketë qenë përgjumja e drejtuesit të mjetit ose një arrest kardiak. Rrethanat e plota pritet të sqarohen nga hetimet.

Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën Ilir Haka, 52 vjeç. Të plagosur kanë mbetur Saimir Haka, 22 vjeç, Qazim Haka, 44 vjeç, Sako Rexha, rreth 22 vjeç, si dhe një tjetër person, ende i paidentifikuar.

Për shkak të deformimit të mjetit, u desh ndërhyrja e zjarrfikësve, të cilët prenë pjesë të sediljeve për të nxjerrë të plagosurit, të cilët kishin mbetur të bllokuar mes llamarinave dhe hekurave të furgonit, që kishte përfunduar pjesërisht i përmbysur në kanal.

Të plagosurit u transportuan me autoambulanca drejt Spitalit Rajonal të Vlorës për të marrë ndihmën mjekësore, ndërsa trupi i viktimës u dërgua në morgun e spitalit.

Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat po kryejnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit. /TCH/

Zjarr mbi tunelin e Vlorës, flakët i afrohen banesave te Uji i Ftohtë

20 July 2026 at 16:41


Një zjarr është regjistruar mesditën e kësaj të diele në zonën e Ujit të Ftohtë, mbi tunelin e Vlorës.

Flakët përfshinë një sipërfaqe me shkurre dhe bimësi të ulët, ndërsa, të favorizuara nga temperaturat e larta dhe era, u përhapën me shpejtësi duke iu afruar zonës së banuar.

Për disa momente pati rrezik që zjarri të përfshinte edhe banesat pranë.

Në vendngjarje mbërritën forcat e Policisë dhe shërbimet zjarrfikëse, të cilat ndërhynë menjëherë për izolimin e vatrës së zjarrit dhe mbrojtjen e banesave, shkruan A2CNN.

Operacioni për shuarjen e plotë të flakëve vijon, ndërsa autoritetet po punojnë për të shmangur çdo rrezik të mëtejshëm.

Pushuesit lahen mes flakëve në Himarë

13 July 2026 at 23:53


Pamje shqetësuese vijnë nga zona e Llamanit në Himarë, ku një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë kodrat me shkurre dhe bimësi, ndërsa flakët vijojnë të jenë aktive pranë vijës bregdetare.

Në videot e postuara në rrjete sociale, shihen pushues që vazhdojnë të lahen në det, ndërsa vetëm pak metra larg tyre ngrihen flakë dhe re të dendura tymi që kanë mbuluar zonën.

Ndërkohë, zjarrfikësit vijojnë betejën për të izoluar dhe shuar vatrën e zjarrit. Në terren ndodhen mbi 17 efektivë të shërbimit zjarrfikës, forca të Policisë së Himarës dhe strukturat e Emergjencave Civile, të cilat po punojnë pa ndërprerje për të vënë situatën nën kontroll dhe për të shmangur përhapjen e mëtejshme të flakëve.



Zbardhen detaje nga ekzekutimi i Edmond Sulës, dyshohet se u qëllua nga vrasës me pagesë

13 July 2026 at 23:39


Detaje të reja janë zbardhur për vrasjen e Edmond Sulës, 50 vjeç i cili u vra të dielën pak pas mesnatën në fshatin Bërxullë të Vorës. Burime nga grupi hetimore bëjnë të ditur se ka dyshime se autorët kanë qenë vrasës me pagesë.

Sipas asaj që është parë edhe në pamjet filmike të kamerave të sigurisë autori e ka pritur 50- vjeçarin pranë banesës së tij deri në momentin që ka zbritur nga automjeti i tij dhe është drejtuar për të hyrë në banesën e tij.

Më pas e ka qëlluar me një plumb në kokë duke i marr jetën.

Autori është larguar në këmbë nga vendi i ngjarjes deri në momentin që është marr nga një makinë që dyshohet se kanë qenë bashkëpunëtorët e tij.

Pavarësisht se në deklarimet para uniformave blu familjarët e viktimës janë shprehur që nuk kanë informacion për ndonjë konflikt që mund të ketë pasur, grupi hetimorë dyshon se ngjarja të këtë ndodhur për një konflikt pronësie pasi Edmond Sula merrej me shit-blerje pronash.

Ai nuk ishte i panjohur për policinë pasi në të kaluarën ishte proceduar për disa vepra penale si rrahje, grabitje dhe konflikte të tjera. 50-vjeçari njihej si person me influencë nga komuniteti ku jetonte pasi qëndronte gjithmonë në të njëjtën kafe ku bënte edhe takime që lidheshim më shitblerjen e pronave.

Madje ai kishte në emrin e tij të regjistruar edhe një kompani për shitblerje dhe dhënie me qira makinash.

Deri tani nuk ka persona të ndaluar, ndërsa autoritetet po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve./RTSH

700 doza droge gati për shitje në Vlorë, arrestohen 5 persona mes tyre dy italianë

12 July 2026 at 12:58


Policia e Vlorës ka finalizuar operacionin e koduar “WEST”, në kuadër të goditjes së shpërndarjes së lëndëve narkotike, duke arrestuar në flagrancë 5 persona, mes tyre edhe dy shtetas italianë.

Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë dhe me mbështetjen e shërbimeve operacionale, pas sigurimit të informacioneve operative për disa persona që dyshohej se transportonin dhe shpërndanin drogë në qytetin e Vlorës.

Në pranga ranë shtetasit N. K., 20 vjeç, R. H., 20 vjeç, M. M., 23 vjeç, të tre banues në Lezhë, si dhe shtetasit italianë C. L., 42 vjeç, banues në Romë, dhe C. S., 37 vjeç, banues në Palermo.

Sipas Policisë, pesë personat u ndaluan në zonën e Zvërnecit. Gjatë kontrollit fizik, kontrollit të automjetit që përdornin dhe të banesës ku qëndronin në lagjen “Uji i Ftohtë” në Vlorë, u gjetën dhe u sekuestruan rreth 700 doza lëndësh narkotike të llojeve të ndryshme, përfshirë “Tusi”, “Ketaminë”, “MDMA”, kokainë, ekstazi dhe kanabis.

Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një shumë parash, e dyshuar se ishte përfituar nga aktiviteti kriminal, si dhe 8 aparate celularë.

Nga hetimet paraprake dyshohet se personat e arrestuar shpërndanin lëndët narkotike në ambiente të ndryshme, përfshirë plazhe dhe lokale të zonës.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim. /Euronews/

Vrasje me armë zjarri në Vlorë, 50-vjeçari ekzekutohet në derën e banesës

12 July 2026 at 08:19


Një ngjarje e rëndë është regjistruar pas mesnate në Vorë, ku një 50-vjeçar ka mbetur i vrarë si pasojë e të shtënave me armë zjarri.

Sipas informacionit paraprak, ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:10, në fshatin Bërxullë. Viktima, shtetasi me inicialet Edmond Sula alias Ali Sula, rreth 50 vjeç, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në derën e banesës së tij.

Në vendngjarje ka mbërritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për të zbardhur rrethanat e krimit, si dhe për sigurimin e provave që do të ndihmojnë në identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve.

Ndërkohë, shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po zhvillojnë kontrolle intensive në zonë, në kuadër të operacionit për lokalizimin dhe arrestimin e autorëve./tch/

U rrëzua teksa po zbriste nga urbani i linjës - lëndohet një grua e moshuar në Vlorë

4 July 2026 at 12:30


Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në zonën e “Ujit të Ftohtë”, pasi një grua e moshuar ka rënë nga autobusi urban dhe është transportuar në Spitalin Rajonal të Vlorës në gjendje të rëndë.

Ngjarja ka ndodhur përgjatë Lungomares, teksa po zbriste nga autobusi i linjës, ku një zonjë e moshuar ra nga shkallët e urbanit.

Siç raporton Top Channel, zonja u përplas përtokë në betonin e shëtitores, duke pësuar lëndime.

Sipas informacioneve, ajo ka pësuar lëndime në pjesën e fytyrës, kokës dhe gjymtyrëve. Qytetarët kanë lajmëruar menjëherë policinë dhe ambulancën. E moshuara, për shkak të plagëve të marra, është transportuar drejt Spitalit të Vlorës. /Tch/

Pushimet kthehen në tragjedi, 29-vjeçarja shqiptare mbytet në plazhin e Vlorës

3 July 2026 at 18:48


Një vajzë e re është gjetur e mbytur këtë të premte në plazhin e Vlorës.

A. Gjilaj, 29 vjeçe, ka humbur jetën në det, teksa ndodhej në zonë për pushime me familjen.

Ngjarja ka ndodhur në plazhin Porto Novos, i njohur ndryshe si një nga plazhet e rrezikshme për shkak të rrymave. E reja ka qenë duke pushuar në këtë zonë, ku ndodhet edhe një tabelë që paralajmëron rrezikun nga rrymat detare.

Trupi është transportuar me gomone, pasi rruga për automjete është e vështirë dhe e ngadaltë për shkak të terrenit me gropa.

Sipas informacioneve, ka qenë e pamundur për ta shpëtuar, pasi ajo ka qenë pa shenja jete.

Zjarr i përmasave të mëdha përfshin fshatin Llakatund në Vlorë, era favorizon flakët

29 June 2026 at 14:04


Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë mesditën e kësaj të hëne fshatin Llakatund të Vlorës. Siç shihet edhe nga pamjet, flakët kanë marrë përmasa të konsiderueshme dhe kanë dalë jashtë kontrollit, duke u përhapur me shpejtësi.

Problematike paraqitet edhe era, e cila po favorizon përhapjen edhe më të shpejtë të zjarrit. Ndërkohë, nuk raportohet ende për mbërritjen e zjarrfikëses në vendngjarje. /Euronews.al/

Momente paniku në Vlorë - parashutisti bie në det, shpëtohet nga dy pushues

18 June 2026 at 14:56


Një incident i rrezikshëm është regjistruar në bregdet, ku një parashutist është rrëzuar në det gjatë tentativës për ulje, duke rrezikuar të mbytej.

Dy pushues, që ndodheshin pranë vendit të ngjarjes, janë hedhur menjëherë në ujë dhe kanë notuar drejt tij, duke arritur ta nxjerrin në breg dhe t’i shpëtojnë jetën.

Pas dhënies së ndihmës së parë, i dëmtuari është transportuar me urgjencë drejt spitalit për të marrë ndihmë të specializuar mjekësore. /Tch/





Përfshihet nga flakët apartamenti në lagjen Pavarësia në Vlorë

16 June 2026 at 08:19


Është përfshirë nga flakët një apartament në katin e 8-të të një pallati në lagjen Pavarësia, në Vlorë.

A2 CNN raporton se incidenti ndodhi rreth orës 01:00 të mëngjesit sotëm pranë ish-Kombinatit.

Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat kanë punuar për disa orë për të vënë nën kontroll flakët dhe për të parandaluar përhapjen e zjarrit në apartamentet përreth. Operacioni ka qenë i vështirë për shkak të lartësisë.

Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa dëmet materiale në banesë kanë qenë të konsiderueshme.

Shkaqet e zjarrit ende nuk janë bërë të ditura, ndërsa pritet që ekspertët të kryejnë verifikimet përkatëse për të përcaktuar rrethanat e ngjarjes.

Goditet grupi kriminal me rrezikshmëri të lartë, arrestohen shtatë persona – njëri prej tyre autor i vrasjes në Vlorë

9 June 2026 at 10:29


Në kuadër të operacionit të koduar “Grupi”, Policia e Vlorës arrestoi Turi Algjonin. Kujtojmë që Aligjoni dyshohet se dy ditë më parë ka plagosur një të ri me pistoletë në zonën e Çoles, pjesë e lagjes 24 Maji në Vlorë. Personi që u qëllua ishte duke dalë nga një lokal pranë rrethrrotullimit të lagjes 24 maj.

Sipas njoftimi thuhet se është arrestuar edhe i dyshuari për plagosjen që ndodhi dy ditë më parë në Vlorë, po ashtu arrestohen edhe 6 shtetas, nga të cilët 2 në kërkim kombëtar dhe 1 në kërkim ndërkombëtar.

Tutje në njoftim bëhet e ditur se janë sekuestruar 4 armë zjarri pistoleta, municion luftarak, 3 automjete, njëri prej tyre i blinduar, celularë dhe një shumë parash.

“Në vijim të veprimeve intensive për goditjen e veprimtarive kriminale dhe kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative se disa shtetas lëviznin të armatosur dhe me mjete të blinduara dhe ndër ta ishte dhe autori i plagosjes së rëndë me dashje, të ndodhur më datë 07.06.2026, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe të Sektorit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit, në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier, dhe në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, finalizuan operacionin policor të koduar ‘Grupi’ “.

Po ashtu bëhet e ditur se “Si rezultat, në një lokal në fshatin Vranisht, gjatë operacionit u godit një grup kriminal me rrezikshmëri të lartë shoqërore që vepronte në qytetet e Vlorës dhe Fierit. Gjithashtu, u arrestuan në flagrancë shtetasit F. Sh.(A.), 52 vjeç, N. D.(Q.), 50 vjeç, M. B., 35 vjeç dhe A. D. alias A. Th. alias I. D., 51 vjeç, ky i fundit i shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga Italia, pasi Gjykata e Apelit Lecce, Itali, në vitin 2024, e ka dënuar me 6 vjet e 8 muaj burgim, për veprat penale ‘Trafikimi i lëndëve narkotike’ dhe ‘Pjesëmarrja në organizatë kriminale’, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.

Siç thuhet në njoftim gjatë operacionit po në këtë lokal, në të njëjtën tavolinë, u kapën dhe shtetasit T. A., 55 vjeç (i dyshuar autor i plagosjes së ndodhur më datë 07.06.2026) dhe D. Ç., 48 vjeç, të shpallur në kërkim kombëtar, të dyshuar për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

“Gjatë operacionit u sekuestruan 4 armë zjarri pistoleta të markave “Glock”, “Sig Sauer” dhe “Canik”, municion luftarak, 7 celularë, 1850 euro dhe 3 automjete (2 prej tyre, me targa të huaja dhe njëri prej tyre, i blinduar). Nga hetimet rezultoi se njëri nga automjetet e sekuestruara, tip “BMË X5”, ishte përdorur nga shtetasi T. A., për t'u larguar nga vendi i ngjarjes, pas plagosjes me armë zjarri, të shtetasit F. L., 26 vjeç, ngjarje e ndodhur më datë 07.06.2026, në Vlorë”.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të aktivitetit kriminal të këtij grupi.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/


Një i vdekur dhe 5 të plagosur, zbardhen të tjera detaje nga aksidenti tragjik në Vlorë

9 June 2026 at 08:44


Detaje të reja janë zbardhur lidhur me aksidentin e rëndë të ndodhur këtë të martë në Vlorë, ku janë përfshirë tre automjete.

Sipas informacioneve paraprake, në aksident janë përfshirë një automjet tip “Benz” me targa AB 248 EB, një automjet tip “BMW” me targa AB 291 EF dhe një automjet tip “Seat” me targa AB 679 NY.

Pas përplasjes së fortë, mjetet janë përfshirë nga flakët. Si pasojë e aksidentit ka humbur jetën shtetasi Flamur Kabello, i cili udhëtonte me automjetin tip “BMW”.

Ndërkohë, në spital janë transportuar drejtuesi i automjetit tip “Benz”, si dhe katër shtetas egjiptianë që udhëtonin me të.

Nga hetimet e para dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë një manovër e gabuar dhe lëvizja me shpejtësi e njërit prej automjeteve të përfshira në ngjarje. (A2 Televizion)

Të shtëna me armë në Sevaster të Vlorës, plagoset një person

5 June 2026 at 08:08


Një plagosje me armë është regjistruar mbrëmjen e djeshme në fshatin Sevaster të Vlorës. Mësohet se është plagosur Sh.K, rreth 37 vjeç.

Sakaq, bëhet e ditur se i plagosuri ka marrë plagë në këmbë dhe se është dërguar në spital me makinë nga familjarët deri në fshatin Kotë, ndërkohë aty e ka marrë ambulanca, e cila e ka përcjellë në spital.

Raportohet gjithashtu se i plagosuri ndodhet jashtë rrezikut për jetën, raporton euronews.al.

Rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta, ndërkohë policia po vijon me zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Arrestohet roja i sigurisë që sulmoi fizikisht një qytetar gjatë tubimit në Zvërnec, hetim disiplinor policisë Vlorë

31 May 2026 at 10:03


Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka njoftuar se është identifikuar, kapur dhe arrestuar punonjësi i shoqërisë private të sigurisë së kantierit, i cili shfaqet në pamjet filmike duke goditur me grusht shtetasin E. S gjatë tubimit një ditë më parë në Zvërnec.

Sipas Policisë së Shtetit, në vijim të veprimeve hetimore u bë identifikimi dhe shoqërimi i punonjësit të shoqërisë private të sigurisë, shtetasit Gerald Biba, 32 vjeç, banues në Durrës.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, ai u arrestua në flagrancë, i dyshuar për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”.

Nga hetimet paraprake rezulton se ky shtetas ka goditur me grusht shtetasin E. S. dhe më pas, në bashkëpunim me shtetasit A. G. dhe G. V., të cilët janë proceduar penalisht, e kanë tërhequr me forcë drejt vendit të rezervuar për rojet, duke i shkaktuar dëmtime të lehta trupore.

Ndërkohë, paralelisht me veprimet hetimore, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale për nisjen e menjëhershme të hetimit disiplinor ndaj të gjithë zinxhirit komandues të DVP Vlorë, në lidhje me masat e marra dhe menaxhimin e tubimit të zhvilluar një ditë më parë. /euronews/

Del një peshkaqen në breg në Vlorë

29 May 2026 at 22:44


Një peshkaqen i gjallë ka dalë në breg në Lungomare të Vlorës.

Ai ka dëmtime në trup, të cilat dyshohet se janë shkaktuar nga mjete lundruese.

Mendohet se dëmtimet nga helikat e kanë prerë në disa pjesë, duke bërë që peshkaqeni të humbasë drejtimin dhe i lënduar të dalë deri në bregdet, shkruan A2CNN.

Ngjarja ka ndodhur në zonën e shëtitores, ku ka edhe qarkullim të lartë të qytetarëve.

Pengmarrje në Vlorë, policia zbardh ngjarjen dhe arreston dy persona

21 May 2026 at 12:37


Një pengmarrje është regjistruar në qytetin e Vlorës, ndërsa policia ka njoftuar se ka arrestuar dy persona të dyshuar si autorë të ngjarjes.

Pengmarrja dyshohet të ketë ndodhur mbrëmjen e djeshme në qytetin e Vlorës ndërsa sipas informacioneve paraprake nga policia, dy persona rreth moshës 30 vjeç kanë marrë peng një shtetas tjetër, ndaj të cilit dyshohet se është ushtruar edhe dhunë fizike, njofton euronews.al

Shkak i dyshuar i ngjarjes është një shumë parash e marrë borxh nga personi i marrë peng.

Hetimet vijojnë, ndërsa personat e arrestuar po merren në pyetje nga Policia e Vlorës për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.


Zhduket e mitura në Vlorë pas konfliktit me mësuesin, familjarët apel për ta gjetur

18 May 2026 at 20:42


Një e mitur 14-vjeçare, e identifikuar si Kaltra, rezulton e zhdukur prej më shumë se pesë orësh, duke shkaktuar shqetësim te familjarët dhe të afërmit e saj.

Sipas informacioneve paraprake, e mitura është larguar nga shkolla pas një konflikti që dyshohet se ka ndodhur me një mësues lidhur me një vlerësim.

Pas përfundimit të orëve mësimore, ajo nuk është kthyer në banesën e saj.

Familjarët bëjnë apel për ndihmë nga qytetarët dhe autoritetet, duke kërkuar çdo informacion që mund të ndihmojë në gjetjen e saj.

Kushdo që ka parë vajzën ose ka informacion për vendndodhjen e saj, mund të kontaktojë në numrin: +355 69 471 8233

❌