Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 15 January 2026Telegrafi

Iran, një javë pa internet - qytetarët të izoluar ndërsa protestat vazhdojnë

15 January 2026 at 20:50


Qeveria iraniane i ka ndërprerë aksesin në internet popullsisë së saj për një javë, sipas organit mbikëqyrës të sigurisë kibernetike NetBlocks, në atë që vëzhguesit e quajnë një nga ndërprerjet digjitale më të gjata të regjimit.

Të paktën 2,400 njerëz janë vrarë që nga fillimi i protestave, sipas një grupi për të drejtat e njeriut me seli në SHBA, shkruan CNN.

Por ndërprerja e energjisë do të thotë se numri i vërtetë i të vdekurve mund të jetë shumë më i lartë, pasi ndërprerja e komunikimeve e ka bërë më të vështirë për ta llogaritur atë.

Ndërprerja e energjisë ua bën pothuajse të pamundur iranianëve përhapjen e ndonjë mesazhi dhe ka nxitur rritje të dezinformimit me video të gjeneruara nga Inteligjenca Artificiale dhe pamje të vjetra që rishfaqen në internet.

Ndryshe, aeroplanmbajtësja amerikane USS Abraham Lincoln është drejtuar nga Lindja e Mesme.

Anija nuk e ka zbuluar publikisht vendndodhjen e saj, siç është e zakonshme për anijet ushtarake. /Telegrafi/

Arrestohen dy persona të dyshuar për vjedhje në institucione arsimore në Viti

15 January 2026 at 20:43


Me datën 15.01.2026, Njësia e Hetimeve të Stacionit Policor në Viti si rezultat i zhvillimit të veprimeve intensive hetimore ka arritur që të identifikoj dhe arrestuar dy persona të dyshuar meshkuj kosovar M.J. (viti i lindjes 2002) dhe B.K. (viti i lindjes 2006) me dyshimin për përfshirje të tyre në disa raste të vjedhjes së rëndë të ndodhura në tri institucione arsimore në komunën e Vitisë.

Të dyshuarit, dyshohet se në bashkëveprim në tri lokacione të institucioneve arsimore kanë vjedhur një sasi e konsiderueshme e pajisjeve dhe mjeteve, përfshirë laptop, iPad, projektorë dhe pajisje të tjera të teknologjisë e mjete të ndryshme pune.

Në kuadër të procedurave ligjore me urdhër të gjykatës kompetente, janë realizuar kontrolle në dy lokacione, gjatë të cilave janë gjetur dhe konfiskuar dëshmi materiale relevante përkatësisht sende të dyshuara të vjedhura, të cilat pas verifikimeve janë ndërlidhur me rastet në fjalë.

Të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës dhe të njëjtit me vendim të Prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Partia e Arjanit Hoxhës i bashkohet BDI-së

15 January 2026 at 20:27


Partia e Arjanit Hoxhës PDE sot ka marrë vendim që të pranojë ftesën e BDI-së për t'u bërë pjesë e saj.

"Kuvendi Qendror i Partisë Demokratike Evropiane, në mbledhjen e mbajtur sonte, shqyrtoi ftesën e Bashkimit Demokratik për Integrim për sa bashkimit të forcave politike në kuadër të një formacioni politik.

Duke konsideruar momentumin politik si të rëndësishëm për sa i takon unifikimit politik sa më të madh të shqiptarëve si dhe për të artikuluar sa më fuqishëm në kuadër të një zëri politik sidomos pas Kongresit të BDI-së, ndryshimeve të ndodhura dhe rezolutave të sjella, Kuvendi Qendror i Partisë Demokratike Evropiane vlerëson se duhet t’i jepet shans një bashkimi në kuadër të një partie politike që do të vazhdoje të jetë zëri kryesor i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Kuvendi Qendror autorizoi kryetarin e partisë për të vijuar bisedimet me kryetarin e BDI-së dhe për të gjetur formën dhe modelin më të mirë për përmbylljen këtij procesi", thuhet në njoftimin e PDE-së./Telegrafi/

Merrte pagë pa shkuar në punë për mbi dy vjet, arrestohet bibliotekisti dhe një zyrtar tjetër në Gjilan

15 January 2026 at 20:21


Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, pas hetimeve të zhvilluara nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) në Gjilan, në koordinim me prokurorinë kompetente.

Sipas njoftimit zyrtar, njëri nga të dyshuarit, mashkull kosovar, i punësuar si bibliotekist në një shkollë me kontratë pune për kohë të pacaktuar, dyshohet se për një periudhë të gjatë kohore nuk është paraqitur në vendin e punës, ndërkohë që ka vazhduar të përfitojë paga mujore nga buxheti i Republikës së Kosovës.

Hetimet kanë zbuluar se nga viti 2023 deri në tetor të vitit 2025, i dyshuari ka shkaktuar dëm financiar në vlerë prej 19,067.69 euro, duke përfituar pagesa pa kryer obligimet e punës.

I dyshuari i dytë, po ashtu mashkull kosovar dhe në cilësinë e personit zyrtar, dyshohet se nuk ka raportuar mungesën e të parit pranë autoriteteve përkatëse, duke mundësuar vazhdimin e pagesave pa bazë ligjore dhe, sipas policisë, ka konsumuar të njëjtën vepër penale.

Të dy të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës dhe, me vendim të prokurorit, janë ndaluar për 48 orë.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se hetimet për këtë rast janë duke vazhduar.

Hoti kërkon dorëheqjen e Abdixhikut: Standardi i dorëheqjes pas humbjes së thellë është i qartë

15 January 2026 at 20:06


Hoti paralajmëron dorëheqjen nga organet e partisë nëse lidershipi i LDK-së nuk merr përgjegjësi.

Ish-kryeministri dhe anëtari i Kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoti, ka bërë thirrje për unitet dhe reflektim të përbashkët brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas rezultatit të dobët të zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025.

Në një shkrim në Facebook, Hoti theksoi se statuti i LDK-së është i qartë: në rast dorëheqjeje të Kryetarit, Kuvendi thirret për t’u njoftuar dhe më pas zgjedh kryetarin e ri, siç ka ndodhur edhe në vitin 2021.

Ai paralajmëroi se çdo devijim nga kjo procedurë përbën tentativë për të relativizuar përgjegjësinë politike të lidershipit.

Hoti theksoi se pas humbjes së thellë zgjedhore, LDK-ja ka nevojë për lidership të ri dhe një riorganizim gjithëpërfshirës në të gjitha nivelet, në mënyrë transparente dhe statutar.

"Standardi i dorëheqjes pas rezultatit të dobët zgjedhor është vendosur në vitin 2021. Ky standard është përqafuar dhe promovuar me këmbëngulje nga vetë z. Abdixhiku. Prandaj, çdo përpjekje për ta shmangur sot këtë standard është në kundërshtim të hapur me parimet që vetë lidershipi aktual i ka shpallur si vlera udhëheqëse", ka shkruar Hoti.

Ai paralajmëroi gjithashtu se, nëse lidershipi nuk merr përgjegjësinë e duhur, do të japë dorëheqjen nga organet drejtuese të partisë, duke e quajtur këtë qëndrim një akt politik parimor dhe jo emocional.

Sipas Hotit, LDK-ja ka potencial të madh politik, njerëzor dhe programor, dhe ky potencial duhet të vihet në shërbim të qytetarëve dhe shtetit përmes reformimit të thellë, gjithëpërfshirës dhe transparent.

Ai bëri thirrje që të gjithë anëtarët e Kryesisë, Këshillit të Përgjithshëm, kryetarët e degëve dhe delegatët e Kuvendit të LDK-së të kontribuojnë në zgjedhjen e lidershipit të ri dhe drejtimin e duhur të partisë./Telegrafi/


Pasaporta e Maqedonisë së Veriut renditet e 38-të në botë

15 January 2026 at 20:04


Indeksi i fundit i renditjes së pasaportave sipas "Henley" tregon ndryshime të gjera në lirinë e udhëtimit midis vendeve.

Vendet aziatike janë në krye: Singapori është i pari me 192 destinacione pa viza, ndërsa Japonia dhe Koreja e Jugut ndajnë vendin e dytë me 188. Vendin e tretë e ndajnë pesë vende evropiane - Danimarka, Luksemburgu, Spanja, Suedia dhe Zvicra (186 destinacione), ndërsa 11 vende evropiane janë në vendin e katërt (185). Vendin e pestë e ndajnë Hungaria, Portugalia, Sllovakia, Sllovenia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (184), ku është regjistruar një rritje e fortë gjatë dy dekadave të fundit.

Pas kësaj vijnë Kroacia, Republika Çeke, Estonia, Malta, Zelanda e Re (vendi i gjashtë), Australia, Letonia, Lihtenshtajni dhe Mbretëria e Bashkuar (e shtata), Kanadaja, Islanda dhe Lituania (e teta), Malajzia (e nënta), dhe Shtetet e Bashkuara u rikthyen në vendin e 10-të me 179 destinacione. Bullgaria dhe Rumania janë në vendin e 11-të (178).

Në rajon, më mirë e renditur është Serbia (vendi i 34-të, 136 vende), Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi (vendi i 38-të, 128), Bosnja dhe Hercegovina (vendi i 42-të, 122), Shqipëria (vendi i 43-të, 121) dhe Turqia (vendi i 46-të, 113). Kosova është më e renditura (vendi i 59-të, 81 vende), së bashku me Kinën dhe Botsvanën.

Në fund të listës janë vendet me konflikte ose kriza: Pakistani, Jemeni, Iraku, Siria, dhe e fundit është Afganistani me vetëm 24 destinacione pa viza./Telegrafi/

Miri tregon fjalët e bashkëshortes para se të hynte në Big Brother VIP Albania 5

15 January 2026 at 20:00


Raporti i Armir Shahinit me bashkëshorten e tij ka qenë në vëmendje gjatë ditëve të fundit për shkak të situatave që kanë ndodhur në Big Brother VIP Albania.

Kjo pas sjelljeve dhe afrimitetit që krijoi me Selin Bollatin, e cila është vetëm 23-vjeçe.

Megjithatë, si Miri ashtu edhe Selin kanë mohuar vazhdimisht se mes tyre ka ndjenja romantike.

Foto: Instagram

Gjatë një bisede me Artanin, Miri ka vendosur të flasë më hapur për jetën e tij personale, duke zbuluar detaje nga komunikimi që ka pasur me bashkëshorten para se të hynte në këtë format.

Ai ka treguar se partnerja është gjermane dhe se kanë diskutuar përpara futjes.

Pjesë nga biseda:

Miri: Unë e kam bashkëshorten gjemane.

Artan: S’ke nevojë se e di.

Miri: Nuk po ta them ty. Tani, unë kam bërë një pyetësor dhe te pyetja dy, nuk shkova në fund se nuk kisha nevojë, i thashë ‘unë do të hy atje, por ta kesh parasysh se ça mund të ndodhë atje’. Je dakord i thashë, e di ç’më tha ‘më plasi’. Tani do të hy thashë unë. /Telegrafi/

Juventusi synon të përfitojë edhe 20 milionë euro nga dy brazilianët e harruar

15 January 2026 at 19:46


Afati kalimtar i janarit ka hyrë në fazën më intensive dhe raportimet nga Italia bëjnë të ditur se Juventusi shpreson të arkëtojë rreth 20 milionë euro përmes shitjes së dy brazilianëve që prej kohësh kanë dalë nga planet kryesore të klubit.

Njëri prej tyre është Arthur Melo, i cili vazhdon të jetë nën kontratë me Juventusin, pavarësisht se pjesën më të madhe të tre viteve e gjysmë të fundit e ka kaluar larg Torinos, në formë huazimi te Liverpool, Fiorentina, Girona dhe së fundmi te Gremio në Brazil.

29-vjeçari iu bashkua Juventusit në një marrëveshje shkëmbimi me Miralem Pjanic, transferim që në atë kohë u raportua se kishte një vlerë prej 72 milionë eurosh, plus deri në 10 milionë euro bonuse dhe shtesa.

Me kontratë të vlefshme deri në vitin 2027, La Gazzetta dello Sport raporton se Arthur ende vlerësohet rreth 10 milionë euro në bilancin financiar të Juventusit, shifër që pritet të bjerë në rreth 6.5 milionë euro gjatë verës.

Sipas të njëjtës gazetë, Arthur tashmë ka zhvilluar bisedime me drejtuesit e Gremios për një transferim të përhershëm, pas një periudhe pozitive gjatë vitit 2025.

Përveç Arthurit, Juventusi mund të përfitojë së shpejti edhe nga aktivizimi i një klauzole përqindjeje nga shitja e Kaio Jorge.

Sulmuesi 23-vjeçar u transferua te Juventusi nga Santos në vitin 2021, ndërsa eksperienca e tij në Serie A u nda mes ekipit të parë, skuadrës U23 dhe një huazimi te Frosinone në sezonin 2023/24. Në verën e vitit 2024, ai u lejua të largohej nga Juventusi, duke iu bashkuar Cruzeiros për një shumë të raportuar prej 7.2 milionë eurosh.

Kaio Jorge e mbylli sezonin 2025 të kampionatit brazilian (që zhvillohet nga marsi deri në dhjetor) si golashënuesi më i mirë i ligës, me 21 gola në 33 paraqitje. Ai regjistroi gjithashtu tetë asistime në kampionat, si dhe pesë gola dhe një asist në tetë ndeshje të Kupës së Brazilit.

Paraqitjet e tij të shkëlqyera kanë tërhequr vëmendjen e disa prej klubeve më të mëdha në Brazil, përfshirë Flamengon, e cila raportohet se ka paraqitur një ofertë prej 32 milionë eurosh për ta transferuar sulmuesin nga Cruzeiro.

Në reagim ndaj interesimit, Cruzeiro ka rinovuar kontratën e Kaio Jorge deri në vitin 2030, gjë që nënkupton se një largim i mundshëm në të ardhmen e afërt do të ndodhte për një shumë edhe më të lartë se oferta aktuale e Flamengos.

Kjo situatë është në favor të Juventusit, pasi bardhezinjtë raportohet se kanë të drejtë në 30 për qind të shumës që do të përfitohet nga transferimi i ardhshëm i Kaio Jorge, duke e bërë këtë operacion një burim të rëndësishëm të ardhurash për klubin italian./Telegrafi

Zelensky falënderon Shqipërinë për mbështetjen

15 January 2026 at 19:46


Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pas takimit me ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka shprehur mirënjohje ndaj Shqipërisë për, siç tha ai, mbështetjen ndaj vendit të tij që nga fillimi i luftës.

Spiropali po zhvillon një vizitë zyrtare në Kiev, ku zhvilloi takime me homologun e saj Andrii Sybiha dhe me presidentin Zelensky.

Zelensky tha se vizita e ministres shqiptare vjen në një kohë sfiduese për Ukrainën dhe popullin e saj, duke e cilësuar atë si një sinjal të fortë të mbështetjes.

Gjithashtu, ai tha se gjatë takimit kanë diskutuar bashkëpunimin ushtarak, përfshirë prodhimin e mbrojtjes, integrimin e Ukrainës dhe Shqipërisë në Bashkimin Evropian – një qëllim i përbashkët i dy vendeve – si dhe zhvillimin e iniciativës PURL (Lista e Kërkesave Parësore për Ukrainën), duke përfshirë mundësinë e pjesëmarrjes së Shqipërisë këtë vit.

Ai gjithashtu ka informuar Spiropalin mbi përpjekjet diplomatike me partnerët për paqe dhe për forcimin e sanksioneve kundër Federatës Ruse, duke theksuar rëndësinë e sanksioneve për të minuar aftësinë e Rusisë për të vazhduar luftën.

Zelensky ka dekoruar Spiropalin me Urdhrin e Princeshës Olga, Klasi I.

“Faleminderit për mbështetjen ndaj Ukrainës! Jemi shumë mirënjohës ndaj Shqipërisë për mbështetjen e saj që nga fillimi i kësaj lufte”, tha Zelensky. /AA/

LSDM: Me Mickoskin dhe OBRM-PDUKM-në, nuk ka paga më të larta as në Ushtri

15 January 2026 at 19:39


Nuk ka pasur rritje të pagave në Ushtri për dy vjet, me Mickoskin dhe OBRM-PDUKM-në nuk ka paga më të larta as në mbrojtje, akuzojnë nga LSDM.

"Gjatë epokës së LSDM-së, pagat u rritën në të gjithë sektorët, pagat rriteshin vazhdimisht për 7 vjet dhe paratë përfundonin te qytetarët.

Me OBRM-PDUKM-në, paratë përfundojnë në tendera kriminalë, qeveria e Mickoskit nuk ka para për paga më të larta në Ushtri, nuk ka para për një pagë minimale më të lartë, nuk ka para për paga më të larta.

Krimi dhe korrupsioni, së bashku me politikat e izolimit të qeverisë së Mickoskit, reflektojnë drejtpërdrejt në përkeqësimin e ekonomisë, ato nënkuptojnë më pak para, investime të përgjysmuara, pasiguri.

Vrima në buxhet është e madhe, mungojnë rreth 2 miliardë euro.

Kjo është ajo që po sjellin politikat e izolimit, fushata anti-BE dhe SHBA-të. Kjo është arsyeja pse me VMRO-në jemi në një grup vendesh me Somalinë", thonë nga LSDM./Telegrafi/

Tragjedi në Slloveni: 28-vjeçari nga Kosova humb jetën pas aksidentit me autocisternë

15 January 2026 at 19:33


Një 28-vjeçar nga Kosova, Leun Kastrati nga fshati Turjakë i Malishevës, ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë që ndodhi në Slloveni.

Lajmi është bërë i ditur nga faqja e fshatit Turjakë, e cila shprehu ngushëllimet më të thella për familjarët e viktimës dhe njoftoi se do të informojë për kohën e varrimit.

Aksidenti ndodhi në autostradën A1, mes Lubjanës dhe Mariborit, pranë Slovenska Bistricës, kur një autocisternë me karburant u përmbys dhe përfshi nga flakët.

Lidhur me këtë ngjarje tragjike kanë raportuar edhe mediat në Slloveni.

Përveç viktimës, dy persona të tjerë u lënduan.

Sipas raportimeve të policisë, aksidenti ndodhi rreth orës 08:00 të mëngjesit. Shoferi i autocisternës, duke udhëtuar drejt Mariborit, humbi kontrollin mbi mjetin, u përplas me barrierën ndarëse dhe më pas u përmbys në kahun e kundërt të autostradës, ku u përplas edhe një furgon.

Shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta, ndërsa autoritetet po vazhdojnë hetimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes./Telegrafi/

Bella Hadid rikthehet më provokuese se kurrë: Fustani i kuq që sfidoi çdo rregull

15 January 2026 at 19:24


Stil, sensualitet ekstrem dhe një kreacion Schiaparelli që la gjithçka në hije

Bella Hadid është rikthyer në tapetin e kuq më e bukur se kurrë - nëse kjo është fare e mundur kur bëhet fjalë për të…

Supermodelja dhe një nga gratë më të bukura në botë, Bella Hadid, u shfaq në premierën e serialit “The Beauty”, ku ajo ka edhe një rol, dhe edhe një herë la të gjithë pa fjalë me bukurinë e saj dhe me një fustan që dukej pothuajse joreal.

Qëndrimi dhe prezenca e Bella Hadid janë faktorë të padiskutueshëm në çdo paraqitje të saj, por kësaj radhe meritat shkojnë edhe për shtëpinë prestigjioze të modës Schiaparelli, krijimin e së cilës e kishte veshur modelja bukuroshe.

Fustani prej mëndafshi në ngjyrë të kuqe, nga koleksioni për vjeshtën 2025, dominoi tapetin e kuq në Nju Jork dhe u shndërrua menjëherë në temën kryesore të mbrëmjes, transmeton Telegrafi.

Ajo që e bënte këtë veshje veçanërisht të guximshme është fakti se fustani ishte pothuajse i tëri transparent, vetëm me disa palosje në formë diamanti ishin mbuluar gjoksi dhe beli. Do të thoshte kush se nën një fustan të tillë nuk ka vend për asgjë tjetër.

bella hadid for the beauty premiere pic.twitter.com/LcUlHNDVS2
— 𝓕avs (@favspopculture) January 15, 2026

Pamjen e kompletoi me këpucë sateni me taka të larta në të njëjtën nuancë të kuqe dhe me vathë efektshëm, ndërsa flokët i kishte mbledhur në një topuz elegant, që i jepte gjithë paraqitjes një dozë sofistikimi klasik.

Shumëkush u pajtua se Bella Hadid është larg çdo konkurrence kur duket kaq perfekte. Nuk është aspak çudi që, sipas teorisë së raportit të artë, ajo është shpallur si gruaja më e bukur në botë.

Rikthimi i saj në tapetin e kuq konfirmoi edhe një herë pse Bella Hadid vazhdon të mbetet një nga ikonat më të fuqishme të modës dhe bukurisë në botë.

/Telegrafi/

Komandanti i FSK-së viziton bazën e aviacionit të Gardës Kombëtare të Ajovës në SHBA

15 January 2026 at 19:21


Në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka vizituar bazën e aviacionit të Gardës Kombëtare të Ajovës, e cila konsiderohet një nga njësitë kyçe të kësaj garde.

Gjatë kësaj vizite, Gjeneral Jashari u njoftua nga afër me aftësitë dhe kapacitetet operacionale të bazës, përfshirë helikopterët e modelit Black Hawk që janë në dispozicion të Gardës Kombëtare të Ajovës. Stafi i njësisë prezantoi procedurat e trajnimit të personelit të aviacionit, proceset e mirëmbajtjes së helikopterëve, infrastrukturën mbështetëse si dhe inspektimet e nevojshme për funksionimin e sigurt të tyre.

Në takim morën pjesë edhe drejtues të lartë të Gardës Kombëtare të Ajovës, me ç’rast Gjeneral Jashari dhe Gjeneral Osborn u pajtuan për krijimin e grupeve të përbashkëta punuese, të cilat do të fokusohen në planifikimin e ngritjes së kapaciteteve të aviacionit në kuadër të FSK-së. Ky bashkëpunim do të përfshijë trajnimin, operimin, mirëmbajtjen si dhe ndërtimin e infrastrukturës adekuate.

Në përfundim të vizitës, GLT Jashari vlerësoi lart profesionalizmin dhe përvojën e kësaj njësie, duke falënderuar stafin e bazës së aviacionit për gatishmërinë dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj FSK-së. Ai theksoi se helikopterët Black Hawk përfaqësojnë një kapacitet shumë të rëndësishëm dhe të domosdoshëm për zhvillimin e mëtejmë të Forcës së Sigurisë së Kosovës në të ardhmen./Telegrafi/

Alba për Limin: Kur pashë që ia puthte gjithë trupin Dolces, sa moment i shpifur

15 January 2026 at 19:20


Alba Pollozhani ka folur për lojën e saj pas hyrjes së Lim Hotit në Big Brother VIP Kosova.

Ajo komentoi gjithashtu edhe raportin e tij të krijuar me konkurrenten tjetër, Dolcen.

Kjo pasi dyshja kanë treguar një afrimitet të madh, e madje duke u shfaqur edhe në momente intime.

Foto: Instagram

"Kur e pashë që i shkoi Dolces sipër po ia puthte gjithë trupin e di sa moment i shpifur m'u duk. M'u duk si copë mishi i shpifur. Thjesht jam treguar budalla", u shpreh ajo.

Tutje tha: "Më ka prishur komplet gjithë lojën këtu. Dua të dal jashtë nuk mundem. Dua të largohem nga ambientet këtu".

Alba dhe Limi ndërkaq duket se kanë mbyllur historinë e tyre të dashurisë jashtë këtij formati.

Sa i përket Limit, ai ka theksuar se nuk hyri për Albën dhe se nuk ka ndjenja për të. /Telegrafi/

Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë

15 January 2026 at 19:16


Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurit S.R., për shkak të dyshimit për përfshirje në veprat penale: Bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese, Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare, Sulmi ndaj personit zyrtar, dhe Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale huliganizmi. Masa e paraburgimit është caktuar për 1 muaj.

Gjyqtari i procedurës paraprake vlerësoi se paraburgimi është masa më adekuate, pasi nëse i pandehuri lihet në liri, ekziston rreziku që ai të arratiset duke pasur nënshtetësi serbe, të ndikojë tek dëshmitarët ose bashkëkryesit e tjerë, apo të asgjësojë prova.

S.R. dyshohet se më 29 maj 2023, së bashku me persona të tjerë nga Kosova dhe Serbia, ka marrë pjesë në dhunë ndaj forcave paqeruajtëse të KFOR-it në perimetrin e komunës së Zveçanit, duke tentuar pengimin e vendosjes së rendit kushtetues. Si rezultat i sulmeve, u lënduan të paktën 30 pjesëtarë të KFOR-it, nga të cilët 3 nga predhat e armëve të zjarrit, dhe u shkaktuan dëme materiale të konsiderueshme, përfshirë djegien e disa automjeteve.

Palët kanë të drejtë të ankohen ndaj këtij aktvendimi në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë./Telegrafi/


“Plisat” hedhin gjësende në parket, ndërpritet ndeshja Ylli – Prishtina

15 January 2026 at 19:16


Ndeshja mes Golden Eagle Yllit dhe KB Prishtinës është ndërprerë pas vetëm shtatë minutave lojë.

Ishin tifozët e Prishtinës “Plisat” që hedhen gjësende në parket, prandaj edhe gjyqtari përkohësisht e suspendoi lojën.

E tërë kjo situatë erdhi si pakënaqësi e tifozëve kundër vendimit të Prishtinës për ta emëruar Bekë Berishën si kryetar të klubit.

MKRS-ja e kundërshtoi këtë vendim, megjithatë mbetet për t’u parë se si do të zhvillohet situata në ditët e ardhshme.

Kujtojmë, aktualisht Ylli ishte në epërsi të madhe prej nëntë pikëve 17-8, ndërsa kishin mbetur edhe 3 minuta e 12 sekonda për t’u mbyllur çereku i parë./Telegrafi

Moti për fundjavë në Maqedoni

15 January 2026 at 19:13


Moti me diell me vranësira të pakta deri në mesatare do të vazhdojë edhe nesër.

Në disa lugina në orët e mëngjesit do të ketë kushte për dendësi të madhe të mjegullave.

Nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike njoftojnë se gjatë fundjavës do të mbizotërojë mot i ndryshueshëm me vranësira dhe i ftohtë.

Sipas parashikimeve, këtë fundjavë do të ketë reshje lokale shiu dhe bore.

"Temperatura ditore ulen. Më pas, deri në mesin e javës së ardhshme, moti do të jetë i qëndrueshëm dhe i thatë", njoftojnë nga DPHM./Telegrafi/

FC Prishtina përforcohet me futbollistin holandez

15 January 2026 at 19:09


FC Prishtina e ka kompletuar transferimin e mbrojtësit të djathtë, Sylian Mokono nga klubi holandez VVV-Venlo.

26-vjeçari ka një karrierë të madhe në Holandë, ku ka mbrojtur fanellën e disa klubeve.

Përmes një komunikate zyrtare, Prishtina i uroi mirëseardhje futbollistit më të ri.

“Sylian Mokono i bashkohet FC Prishtinës. Mbrojtësi i djathtë holandez është përforcimi më i ri i skuadrës sonë në këtë afat kalimtar dimëror”.

“26-vjeçari është produkt i akademisë së FC Utrecht, ku ka kaluar disa grupmosha deri te ekipi i parë. Mokono ishte pjesë e Heracles Almelo, me të cilin u shpall kampion në ligën e dytë të Holandës, ndërsa së fundmi ka qenë pjesë e skuadrës VVV-Venlo.

Sylian Mokonos i dëshirojmë mirëseardhje dhe shumë suksese me fanellën bardhekaltër”, shkroi klubi.

Ndërkohë, nën drejtimin e Afrim Tovërlanit – Prishtina po synon që këtë edicion të rikthejë titullin kampion./Telegrafi

Osmani takon Piripatin, diskutuan për zgjedhjet dhe bashkëpunimin  Kosovë-SHBA

15 January 2026 at 19:04


Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim të Ngarkuarën me Punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anu Prattipati.

Gjatë takimit u diskutua mbi mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe rëndësinë e përmbushjes së standardëve më të larta demokratike, të cilat u vlerësuan lart nga të dyja palët. U theksua nevoja për konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve, duke respektuar plotësisht kushtetutën e vendit.

Presidentja Osmani dhe Prattipati shkëmbyen gjithashtu pikëpamje për një sërë çështjesh të rëndësishme në bashkëpunimin bilateral, ku Presidentja Osmani ripërsëriti përkushtimin e Kosovës për të ecur krah për krah me Shtetet e Bashkuara, në frymën e besimit të ndërsjellë, vlerave të përbashkëta dhe bashkëpunimit strategjik.

Në fund të takimit, Prattipati përcolli Presidentes Osmani dhe Zotërisë së Parë urimet për Vit të Ri nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe Zonja e Parë, Melania Trump./Telegrafi/


Ylli i Man Cityt drejt largimit përkundër dëshirës së Pep Guardiolas

15 January 2026 at 18:52


Sipas “Manchester Evening News”, Bernardo Silva pritet të largohet nga Manchester City si lojtar i lirë në verë, pavarësisht dëshirës së Pep Guardiolës për ta mbajtur atë në skuadër.

Duke folur pas fitores ndaj Newcastle, trajneri i Cityt e bëri të qartë se dëshiron ta mbajë Silvën për aq kohë sa të jetë e mundur në klub.

“Ne duam ta mbajmë Bernardon këtu sa më gjatë që të jetë e mundur”, kishte deklaruar Guardiola pas ndeshjes.

Megjithatë, raportimi thekson se Guardiola është i vetëdijshëm për dëshirën e mesfushorit portugez për t’u larguar në fund të sezonit.

Bernardo Silva kishte folur më herët gjatë këtij sezoni për të ardhmen e tij, duke pranuar se vendimi tashmë është marrë, por pa dhënë detaje.

“Vendimin e kam marrë, por nuk është momenti për ta zbuluar”, ishte shprehur Silva.

Nëse ky largim konfirmohet, Manchester City do të humbasë një nga lojtarët më të rëndësishëm të epokës së Guardiolës, ndërsa e ardhmja e portugezit pritet të jetë një nga temat më të diskutuara të merkatos verore./Telegrafi

❌
❌