Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 15 January 2026Telegrafi

27 vjet nga masakra e Reçakut, sot ora e parë mësimore i kushtohet 15 janarit të vitit 1999

15 January 2026 at 07:50


Sot në gjitha shkollat e Republikës së Kosovës ora e parë mësimore do t’i kushtohet 15 janarit të vitit 1999, masakrës së Reçakut.

Po ashtu, do të ketë homazhe nga niveli komunal dhe shtetëror në varrezat e dëshmorëve dhe në kompleksin memorial në Reçak.

27 vjet më parë në Reçak të Shtimes, forcat serbe vranë dhe masakruan 45 civilë të paarmatosur, në mesin e tyre kishte gra, pleq e fëmijë.

Masakra e Reçakut tmerroi botën dhe zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore për Kosovën.

Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ish-ambasadori William Walker, e pati cilësuar Masakrën e Reçakut si krim kundër njerëzimit.

Ndryshe, në dhjetor të 2025, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 21 personave, me propozim për gjykim në mungesë, për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, lidhur me masakrën e kryer më 15 janar 1999 në fshatin Reçak të Komunës së Shtimes.

Sipas aktakuzës, të pandehurit O.S., R.M., K.J., G.R., Ž.T., B.J., M.L., R.M., D.DJ., B.M., D.J., M.Š., D.A., S.V., B.M., Z.S., M.J., G.P., D.N., Č.A. dhe Z.J., akuzohen se gjatë një operacioni të forcave policore dhe ushtarake serbe kanë vrarë 42 civilë shqiptarë.

“Sipas aktakuzës, në periudhën 1998 – 1999, të pandehurit, në bashkëkryerje, si pjesëtarë të Ushtrisë së ish-Jugosllavisë, Brigadës ‘’243 të Mekanizuar ’’, Armatës së III- të, e njohur si ‘’Korpusi i Prishtinës’’, si dhe pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MUP), kanë kryer edhe trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullsisë civile”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Sipas hetimeve të prokurorisë forcat serbe fillimisht e rrethuan fshatin Reçak nga zonat e njohura si “Pishat”, “Gështenjat” dhe “Çesta”, për ta granatuar më pas nga distanca me mjete ushtarake. Ata kanë hyrë shtëpi më shtëpi, kanë ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët, duke i detyruar këta të fundit të largohen nga fshati, ndërsa burrat e ndaluar janë ekzekutuar.

Prokuroria tutje thotë se hetimet kanë vërtetuar gjithashtu se civilët janë rrahur brutalisht me kondakë armësh, shqelma, dru, zinxhirë dhe mjete të tjera të forta.

Si pasojë e këtyre operacioneve, rreth 20 mijë civilë nga fshatrat Reçak, Topillë, Petrovë, Kraisht, Mullapolc dhe Dremjak janë dëbuar nga shtëpitë e tyre.

Prokuroria Speciale ka propozuar që gjykimi të mbahet në mungesë, pasi të pandehurit ndodhen jashtë Kosovës dhe janë të paarritshëm për organet e drejtësisë. /Telegrafi/

Moti në Shqipëri, përgjatë zonave luginore në mëngjes dhe mbrëmje mjegull

15 January 2026 at 07:22


Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se Shqipëria të enjten do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.

SHMU njofton se moti parashikohet alternime kthjellimesh e vranësirash kalimtare.

Edhe për sot parashikohet që përgjatë zonave luginore në orët e mëngjesit e të mbrëmjes të ketë mjegull.

Era do të fryjë me drejtim verilindje– juglindje, me shpejtësi mesatare 8 m/s.

Deti - Valëzimi forcës 1-2 ballë. /Telegrafi/




Rockstar Games ndalon misionet në GTA Online që lidhen me atentatin ndaj Charlie Kirk

15 January 2026 at 07:20


Pas një përditësimi në dhjetor 2025 që u dha lojtarëve mundësinë të krijojnë vetë misione, Grand Theft Auto Online dhe Rockstar Games kanë ndaluar misionet që simulonin atentatin ndaj aktivistit konservator Charlie Kirk.

Kirk u vra në shtator 2025 gjatë një paraqitjeje publike në Universitetin Utah Valley (UVU).

Rockstar Games ka shtuar emrin e tij në listën e termave të cenzuruar në lojë, që do të thotë se lojtarët tani nuk mund të krijojnë misione me emrin e tij të plotë apo të kërkojnë për to.

Megjithatë, ende ka përmbajtje që shfaqet kur kërkohet për fjalët “Charlie” ose “Kirk” veç e veç.

Një prej misioneve të krijuara nga lojtarët quhej “Mi smo Charlie Kirk”, ku loja përshkruante një snajperist të vendosur në një çati që duhej të qëllonte një personazh me emrin Charlie Kirk, duke përdorur një pushkë snajper.

Rockstar e hoqi këtë mision nga serverët e GTA Online dhe nuk është më i disponueshëm. /Telegrafi/

Brentford befasi në Ligën Premier: Igor Thiago udhëheq një sistem që funksionon

14 January 2026 at 23:54


Njëra nga surprizat e këtij sezoni në Ligën Premier është Brentford i Keith Andrews: dhe ylli i skuadrës, gjithnjë e më shumë, është sulmuesi Igor Thiago.

Në futbollin anglez, surprizat e vërteta zakonisht nuk zgjasin shumë: ose transformohen në realitete të konsoliduara, ose zhduken shpejt.

Brentfordi i këtij sezoni – dhe veçanërisht në këtë fillim të vitit 2026 – duket se i përket me vendosmëri kategorisë së parë.

"Bletat" nuk po përfitojnë thjesht nga një seri rezultate pozitive, por po konfirmojnë në fushë qëndrueshmërinë e një projekti që vazhdon të prodhojë rezultate dhe performanca të nivelit të lartë.

Trashëgimia e Thomas Frank dhe efekti Keith Andrews

Dalja nga skena e Thomas Frank do të mund të kishte përfaqësuar një pikë kritike. Trajneri danez ka qenë për vite me radhë simboli i Brentford modern, ai që e ka përkthyer në fushë modelin analitik të klubit. Por vendimi për të promovuar Keith Andrews ka garantuar jo vetëm vazhdimësinë, por edhe një përmirësim të dukshëm të cilësisë.

Të dhënat nga pjesa e parë e sezonit tregojnë se Brentfordi po performon më mirë se në periudhën e fundit nën drejtimin e Frank, si në prodhimin ofensiv ashtu edhe në kontrollin e ndeshjeve.

Andrews ka përmirësuar disa mekanizma kyç, përfshirë menaxhimin më të matur të ritmeve, presionin më të saktë dhe më pak shpenzues, si dhe shfrytëzimin më të mirë të hapësirave gjatë posedimit të topit.

Skuadra duket më stabile emocionalisht, më pak e varur nga episodet e veçanta dhe më koherente në performancat javore. Ky është një tregues i qartë i forcës së sistemit të Brentford, që funksionon pavarësisht nga ndryshimet e trajnerit, duke vlerësuar punën e tij.

Igor Thiago, referencë teknike e sulmit

Në këtë kontekst të strukturuar, Igor Thiago është shfaqur si terminali kryesor ofensiv. Pesë golat e shënuar në vitin 2026 janë një pasojë natyrale e një performance të qëndrueshme dhe përdorimit inteligjent brenda sistemit.

Thiago nuk është një sulmues që jeton vetëm nga finalizimi; kontributi i tij është i dukshëm në shumë aspekte, si aftësia për të ngritur skuadrën, punimi me shpinë ndaj portës, prezenca e vazhdueshme në zonën kundërshtare dhe pjesëmarrja aktive në fazën e presionit.

Në Ligën Premier, ai ka regjistruar 16 gola dhe 1 asist në 21 paraqitje, një gol çdo 109 minuta, duke u renditur menjëherë pas Haaland që ka 20 gola.

telegrafi.com

Një nga elementët më tërheqës të këtij Brentford është varieteti i zgjidhjeve ofensive. Skuadra nuk mbështetet në një skemë të vetme apo një lojtar të vetëm, por ndërton lojën e saj përmes parimeve të qarta: shfrytëzimi racional i hapësirave, verticalizime selektive dhe vëmendje e madhe ndaj cilësisë së rasteve të krijuara.

Igor Thiago është pika kyçe e këtij sistemi, por jo i vetmi motor. Performanca e tij lidhet me një kontekst kolektiv që funksionon, duke e bërë sulmin e Bees më të vështirë për t’u lexuar dhe neutralizuar krahasuar me të kaluarën.

Brentford, tashmë një siguri

Në këtë pikë të sezonit, Brentford nuk mund të konsiderohet më thjesht një surprizë. Performancat, numrat dhe vazhdimësia e treguar tregojnë një skuadër tashmë stabilisht konkurruese në Ligën Premier.

Keith Andrews ka ditur të marrë një trashëgimi komplekse dhe ta transformojë në një mundësi për rritje, ndërsa Igor Thiago përfaqëson fytyrën ofensive të një projekti që vazhdon të demonstrojë se metoda, koherenca dhe racionaliteti mund të bëjnë ende diferencën në futbollin modern anglez. /Telegrafi/

Arrestohen dy shqiptarë për vjedhje veturash në Zvicër dhe Itali, publikohen pamjet e kapjes

14 January 2026 at 23:53


Policia e Shtetit në Shqipëri ka realizuar operacione të koduara, si “Stolen Line” dhe “Relay”, për goditjen e trafikut të automjeteve dhe transportimit të paligjshëm të emigrantëve.

Sipas raportimeve zyrtare, dy persona janë proceduar penalisht për trafikim automjetesh, me vlerë totale rreth 90,000 euro, të cilat dyshohet se janë vjedhur në Zvicër dhe Itali.

M. S., 36 vjeç, akuzohet për trafikun e një automjeti tip “Benz” me vlerë rreth 80,000 euro, i cili rezultoi i vjedhur në Zvicër.

E.M., 29 vjeç, dyshohet për trafikun e një automjeti tip “Opel” me vlerë rreth 10,000 euro, i vjedhur në Itali.

Gjithashtu, gjatë operacionit “Relay” u arrestua në flagrancë edhe shtetasi O. T., 36 vjeç, banues në Krujë, pasi u kap duke transportuar me automjet tre emigrantë që tentonin të kalonin ilegalisht drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Materialet e procedimit i janë dorëzuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

Maroku eliminon Nigerinë pas penalltive dhe prek finalen e Kupës së Afrikës

14 January 2026 at 23:52


Kombëtarja e Marokut ka siguruar kualifikimin në finale, pas triumfit në penallti ndaj kombëtares së Nigerisë, pasi 120 minuta nuk mjaftuan për t’u përcaktuar fituesi.

Maroku u shfaq më kërkues në pjesën e parë, duke rrezikuar që në minutat e hershme.

Brahim Diaz dhe Achraf Hakimi provuan nga distanca, ndërsa rasti më i pastër erdhi në minutën e 39-të, kur Noussair Mazraoui u ndal nga një pritje spektakolare e portierit Stanley Nwabali, një nga figurat kryesore të ndeshjes për Nigerinë.

Nigeria reagoi me kundërsulme të rrezikshme, ku Ademola Lookman testoi portierin Bono, ndërsa loja u karakterizua edhe nga ndërhyrje të forta dhe kartonë të verdhë, me Calvin Bassey dhe Raphael Onyedika që u ndëshkuan.

Në pjesën e dytë, Maroku vazhdoi presionin. Abde Ezzalzouli pati dy raste shumë të mira për shënim, por në të dyja herët u ndal nga pritjet vendimtare të Nwabalit.

As ndryshimet taktike nga Walid Regragui, përfshirë aktivizimin e Youssef En-Nesyri, nuk arritën të ndryshojnë rezultatin.

As koha shtesë nuk solli zgjidhje, pavarësisht freskimit të skuadrave me zëvendësime dhe përpjekjeve të fundit për të gjetur golin e fitores.

Pas 120 minutash, rezultati mbeti i pandryshuar, duke e çuar ndeshjen drejt ekzekutimit të penalltive.

Në penallti më të saktë u treguan Maroku që fituan me rezultat 4-2 dhe tashmë do të përballen në finale me Senegalin./Telegrafi/

Të përshirë edhe Kosova e Shqipëria – çfarë dihet rreth pezullimit të vizave për imigrantët nga 75 vende nga SHBA-të?

14 January 2026 at 23:50


Departamenti i Shtetit tha të mërkurën se do të pezullojë përpunimin e vizave të imigrantëve për qytetarët e 75 vendeve.

Dhe sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, bëhet fjalë për shtetasit e të cilëve administrata e Donald Trump i ka konsideruar të prirur të kenë nevojë për ndihmë publike ndërsa jetojnë në Shtetet e Bashkuara.

Departamenti i Shtetit, i udhëhequr nga Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, tha se kishte udhëzuar zyrtarët konsullorë të ndalonin aplikimet për viza imigrantësh nga vendet e prekura në përputhje me një urdhër më të gjerë të lëshuar në nëntor që shtrëngoi rregullat rreth imigrantëve potencialë që mund të bëhen "barrë publike" në SHBA.

Pezullimi, i cili do të fillojë më 21 janar, nuk do të zbatohet për aplikantët që kërkojnë viza jo-emigruese, ose viza të përkohshme turistike ose biznesi, të cilët përbëjnë shumicën dërrmuese të kërkuesve të vizave.

Kështu, siç parashikojnë mediat, kërkesa për viza jo-emigruese pritet të rritet ndjeshëm në muajt dhe vitet e ardhshme për shkak të Kupës së Botës 2026 dhe Lojërave Olimpike 2028, të cilat të dyja do të jenë pritëse ose bashkë-pritëse në SHBA.

"Administrata Trump po i jep fund abuzimit të sistemit të imigracionit të Amerikës nga ata që do të përfitonin nga populli amerikan", ka thënë departamenti në një deklaratë.

“Përpunimi i vizave imigruese nga këto 75 vende do të ndalet ndërsa Departamenti i Shtetit rivlerëson procedurat e përpunimit të imigracionit për të parandaluar hyrjen e shtetasve të huaj që do të merrnin ndihmë sociale dhe përfitime publike”.

Kujtojmë se administrata e Presidentit Donald Trump ka kufizuar tashmë rëndë përpunimin e vizave imigruese dhe jo-imigruese për qytetarët e dhjetëra vendeve, shumë prej tyre në Afrikë, Azi dhe Amerikën Latine.

E udhëzimet e nëntorit mbi të cilat bazohet vendimi i së mërkurës u drejtuan zyrtarëve të Ambasadës dhe konsullatave të SHBA-së që të verifikojnë në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të plotë aplikantët për vizë për të demonstruar se ata nuk do të kenë nevojë të mbështeten në përfitimet publike nga qeveria në asnjë kohë pas pranimit të tyre në SHBA.

Ndërsa ligji federal tashmë kërkonte që ata që kërkojnë qëndrim të përhershëm ose status ligjor të provonin se nuk do të ishin një barrë publike, Trump në mandatin e tij të parë zgjeroi gamën e programeve të përfitimeve që mund të skualifikonin aplikantët, dhe udhëzimet në kabllogram duket se shkojnë më tej në fushëveprim.

Kështu, imigrantët që kërkojnë të hyjnë në SHBA tashmë i nënshtrohen një ekzaminimi mjekësor nga një mjek i cili është miratuar nga një Ambasadë e SHBA-së.

Ata kontrollohen për sëmundje ngjitëse, si tuberkulozi, dhe u kërkohet të zbulojnë çdo histori të përdorimit të drogës ose alkoolit, gjendjeve të shëndetit mendor ose dhunës. Ata gjithashtu duhet të kenë një numër vaksinash.

Dhe direktiva e re i zgjeroi ato me kërkesa më specifike.

Ajo tha se zyrtarët konsullorë duhet të marrin në konsideratë një sërë detajesh specifike në lidhje me njerëzit që kërkojnë viza, duke përfshirë moshën, shëndetin, statusin familjar, financat, arsimin, aftësitë dhe çdo përdorim të mëparshëm të ndihmës publike pavarësisht nga vendi.

Ajo theksoi gjithashtu se ata duhet të vlerësojnë aftësitë e aplikantëve në anglisht dhe mund ta bëjnë këtë duke kryer intervista në anglisht.

Ekspertët thanë në atë kohë se kjo mund të kufizojë më tej se kush mund të hyjë në vend në një kohë kur administrata republikane tashmë po i shtrëngon këto rregulla.

Ndërkohë është publikuar edhe lista me vendet e prekura nga pezullimi i njoftuar të mërkurën, që janë: Afganistani, Shqipëria, Algjeria, Antigua dhe Barbuda, Armenia, Azerbajxhani, Bahamas, Bangladeshi, Barbadosi, Bjellorusia, Belize, Butani, Bosnja dhe Hercegovina, Brazili, Burma, Kamboxhia, Kameruni, Kepi i Gjelbër, Kolumbia, Kongo, Kuba, Dominika, Egjipti, Eritrea, Etiopia, Fixhi, Gambia, Gjeorgjia, Gana, Grenada, Guatemala, Guinea, Haiti, Irani, Iraku, Bregu i Fildishtë, Xhamajka, Jordania, Kazakistani, Kosova, Kuvajti, Kirgistani, Laosi, Libani, Liberia, Libia, Maqedonia e Veriut, Moldavia, Mongolia, Mali i Zi, Maroku, Nepali, Nikaragua, Nigeria, Pakistani, Republika e Kongos, Rusia, Ruanda, Shën Kits dhe Nevis, Shën Lucia, Shën Vincenti dhe Grenadinet, Senegali, Sierra Leone, Somalia, Sudani i Jugut, Sudani, Siria, Tanzania, Tajlanda, Togo, Tunizia, Uganda, Uruguai, Uzbekistani dhe Jemeni. /Telegrafi/

Timothy Busfield përballet me akuza të reja për sulm seksual ndaj një të miture

14 January 2026 at 23:46


Aktori dhe regjisori amerikan Timothy Busfield (68) po përballet me një akuzë të re për sulm seksual.

Akuza e fundit lidhet me një incident që, sipas raportit, ndodhi disa vite më parë në Sacramento të Kalifornisë, dhe përfshin një vajzë që ishte 16 vjeç në atë kohë.

Nga rruga, Busfield u dorëzua në policinë e Albuquerque më 13 janar, pasi një urdhër arresti për të ishte lëshuar disa ditë më parë. Po atë ditë, ai u akuzua për dy akuza për kontakt seksual kriminal me një të mitur dhe një akuzë për abuzim me fëmijë. Prokurorët kërkuan që ai të mbetej në paraburgim deri në fillimin e gjyqit.

Kërkesa për kujdestari, e paraqitur më 14 janar, përmend gjithashtu një ankesë të re të paraqitur në polici nga Colin Swift, babai i viktimës së dytë të dyshuar. Sipas dokumentit, Swift i tha policisë se Busfield dyshohet se e ka sulmuar seksualisht vajzën e tij gjatë një audicioni në Teatrin B Street.

Foto: Getty Images

“Gjatë një audicioni në Teatrin B Street, 16-vjeçarja deklaroi se Busfield e puthi, i vuri duart poshtë pantallonave dhe i preku pjesët intime”, thuhet në aktakuzë.

I njëjti dokument thotë se Busfield dyshohet se iu lut familjes që të mos e raportonte rastin në polici nëse e lejonin të shkonte në terapi. Sipas të dhënave të gjykatës, Swift është psikoterapist me profesion dhe në atë kohë ai mendonte se kjo ishte më e mira që mund të bënte.

Busfield është themeluesi i Teatrit B Street, të cilin e themeloi në vitin 1986 me emrin Teatri për Fëmijë, Inc.

Si kujtesë, përveç këtij raporti, Busfield akuzohet gjithashtu për sjellje të paligjshme seksuale ndaj dy djemve, binjakë 11-vjeçarë, identitetet e të cilëve nuk janë bërë publike.

Sipas një urdhër-arresti të lëshuar më 9 janar, prindërit e djemve thanë se djemtë e tyre u takuan me Busfield në sheshxhirimin e serialit të FOX "The Cleaning Lady", ku Busfield punonte si regjisor. /Telegrafi/

Mediat e huaja: Pentagoni ka përgatitur opsione për veprime ushtarake kundër Iranit

14 January 2026 at 23:28


Donald Trump duket se e ka zbutur retorikën e tij në lidhje me veprimet e mundshme ushtarake të SHBA-së në Iran, pasi tha se i është thënë se "vrasjet në Iran po ndalen".

Por përgatitjet për një ndërhyrje të mundshme kanë filluar këtë javë, raportoi NBC News, shkruan Sky News.

Sipas mediumit në fjalë, Trump të martën i ka përshkruar ekipit të tij të sigurisë kombëtare se çfarë donte të arrinte çdo veprim ushtarak i SHBA-së në Iran.

Dhe Pentagoni tani ka përshtatur opsione për të përmbushur objektivat e tij ushtarake, thanë për NBC News dy zyrtarë amerikanë dhe një person i njohur me diskutimet.

Këto opsione do t'i paraqiteshin Trump të mërkurën, mësoi transmetuesi.

I pyetur nëse presidenti u dha udhëzime ndihmësve të tij mbi objektivat e tij në Iran, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se "të gjitha opsionet janë në dispozicion të Presidentit Trump për të adresuar situatën në Iran".

Sipas një zyrtari të dytë të Shtëpisë së Bardhë, Trump u informua të martën për numrin e protestuesve të vrarë gjatë një takimi mbi Iranin të kryesuar nga JD Vance dhe kërkoi më shumë informacion mbi këtë temë.

Ndërkohë, Donald Trump ka dhënë hollësi mbi deklaratat e tij të mëparshme se SHBA-së i është thënë se vrasjet në Iran "po ndalen" dhe ekzekutimet nuk do të kryhen.

Presidenti amerikan tha se kishte marrë informacionin nga "burime shumë të rëndësishme nga pala tjetër".

"Do ta zbulojmë, do ta zbuloj pas kësaj", tha ai në lidhje me vërtetësinë e pretendimeve për vrasje.

"Por më thanë se nuk do të ketë ekzekutim dhe shpresoj se kjo është e vërtetë", shtoi ai.

I pyetur nëse këto nënkuptonin se veprimi ushtarak amerikan ishte jashtë diskutimit, Trump tha: "Do ta vëzhgojmë dhe do të shohim se cili është procesi, por na është dhënë një deklaratë shumë e mirë nga njerëz që janë të vetëdijshëm për atë që po ndodh". /Telegrafi/

Jefte Betancor, heroi që eliminoi Real Madridin me dy gola, thotë se dikur ka dashur ta lë futbollin

14 January 2026 at 23:25


Albacete shkroi historinë në Kupën e Mbretit duke eliminuar gjigantin spanjoll, Real Madrid, dhe hero i madh i kësaj ndeshjeje ishte pa dyshim sulmuesi Jefté Betancor.

25-vjeçari u shfaq në momentet vendimtare, duke shënuar dy gola kyç që vulosën fitoren dramatike 3-2 të Albacete.

Pas ndeshjes, Betancor shpërtheu në emocione, duke folur për golat, karrierën dhe dedikimin për djalin dhe gruan e tij.

telegrafi.com

"Gjëja më e madhe që më ka ndodhur në futboll. Është ajo për të cilën ëndërron si fëmijë. Për ekipin tim, i cili ka punuar si i çmendur. Kjo i shkon të gjithë familjes sime, të cilën e dua."

"Nëntë vjet më parë doja ta lija futbollin. Sot, duke ëndërruar dhe duke punuar, shikoni si jemi..."

"Ishte shumë e vështirë, por ekipi dha 100%. E meritonim. Kjo është për djalin tim dhe gruan time, do ta vendosim në kornizë", deklaroi Betancor.

Jefté Betancor është tashmë emri që të gjithë tifozët e Albacete dhe futbollit spanjoll do ta kujtojnë si njeriun që shkaktoi tronditjen më të madhe të Kupës së Mbretit këtë sezon. /Telegrafi/

Para syve të Dolces, Limi flet për të kaluarën me Albën: I kam thënë s’më pëlqen stili, por veç me bë diçka tjetër

14 January 2026 at 23:24


Në një bisedë të fundit brenda shtëpisë së Big Brother VIP Kosova, Ludo e ka pyetur Limin rreth ndjenjave të tij ndaj Albës, duke kërkuar të kuptojë se çfarë i ka tërhequr tek ajo.

Pyetja nxiti një përgjigje të sinqertë dhe reflektive nga Lim, i cili tha se nuk mund të flasë thjesht për të kaluarën, por sqaroi se kishte pasur një qasje më të ndërlikuar ndaj banores.

Ai tregoi se i kishte shprehur Albës se nuk i pëlqen stili i saj apo mendimet që ajo shpreh, duke shtuar megjithatë se ekziston një gjë tjetër që e ka tërhequr.

“Ka nisë një lojë dhe edhe atje po mundohesha t’i tregoja që nuk më pëlqen stili yt, nuk më pëlqejnë mendimet e tua, mua nuk më pëlqen asnjë gjë. Por, më pëlqen më bë diçka tjetër”, tha Limi, duke lënë të kuptohet se tërheqja e tij ndaj Albës nuk ka të bëjë me tiparet e jashtme apo qëndrimet e saj, por me diçka më të thellë dhe më personale.

Ky moment nxiti kuriozitet dhe komente brenda shtëpisë, duke shtuar tension dhe pritshmëri për zhvillimet e ardhshme midis banorëve.

Fjala e Limit ka rikthyer vëmendjen tek raportet komplekse dhe lojërat e ndjenja që shpesh shfaqen në Big Brother VIP Kosova.

“Falë jush fituam një ndeshje, ejani përsëri”, tifozët e Albacetes tallen me Real Madridin

14 January 2026 at 23:11


Real Madridi pësoi një tronditje duke u eliminuar nga Kupa e Mbretit, pas disfatës me rezultat 2-1 në udhëtim te Albacete.

‘Los Blancos’ erdhën në këtë sfidë pas humbjes së pësuar me rezultat 3-2 në finale të Superkupës së Spanjës nga Barcelona dhe me një trajner të ri në stol.

Menjëherë pas përfundimit të finales, klubi madrilen mori vendimin për të ndarë rrugët me trajnerin Xabi Alonso, duke e zëvendësuar atë menjëherë me Alvaro Arbeloan.

Sidoqoftë, ky ndryshim nuk duket se ka sjellë ndonjë risi te gjiganti spanjoll pasi ata u eliminuan nga Kupa e Mbretit nga një skuadër që renditet e 17-ta në La Liga 2.

🚨 Albacete fans are chanting: "Thank you for coming, we finally won a game, please come back next week!"
— Madrid Zone (@theMadridZone) January 14, 2026

Para kësaj ndeshje Albacete kishe tri ndeshje radhazi pa fitore dhe ky fakt ka bërë që tifozët e klubit të tallen me Real Madridin.

“Faleminderit që erdhët, ne me në fund fituam një ndeshje. Ju lutem ejani sërish javën tjetër”, po këndonin në kor tifozët e Albacetes pas përfundimit të ndeshjes.

Pas kësaj disfate, Real Madridi tashmë do të përqendrojë forcat në La Liga, aty ku xhiron e ardhshme do të jetë nikoqire e Levantes në ‘Santiago Bernabeu’./Telegrafi/

Ndërmjetësuesit emërojnë njeriun që do të udhëheqë organin teknokratik të Gazës

14 January 2026 at 23:03


Egjipti, Katari dhe Turqia kanë njoftuar se ish-zëvendësministri palestinez Ali Shaath do të drejtojë një komitet të ri teknokratik të ngarkuar me administrimin e Gazës së pasluftës, duke e quajtur këtë veprim një hap kyç drejt stabilizimit të territorit të shkatërruar.

Në një deklaratë të përbashkët të mërkurën, tre ndërmjetësuesit thanë se formimi i komitetit ishte "një zhvillim i rëndësishëm" që mund të përmirësonte kushtet humanitare dhe të ndihmonte në zhbllokimin e fazës së dytë të vonuar të armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-ja.

Njoftimi erdhi ndërsa i dërguari special i Presidentit të SHBA-së Donald Trump, Steve Witkoff, shpalli zyrtarisht nisjen e fazës së dytë të planit të armëpushimit.

Faza e dytë e armëpushimit në Gaza

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, faza tjetër përqendrohet në demilitarizimin, qeverisjen teknokratike dhe rindërtimin e Gazës, e cila është lënë kryesisht në rrënoja pas më shumë se një viti bombardimesh izraelite.

"Faza e Dytë krijon një administratë palestineze teknokratike kalimtare në Gaza, Komitetin Kombëtar për Administrimin e Gazës", tha Witkoff, duke shtuar se do të mbikëqyrë rindërtimin dhe çarmatimin e të gjitha grupeve të armatosura të paautorizuara.

Witkoff paralajmëroi se Hamasi duhet t'i përmbahet plotësisht detyrimeve të tij sipas marrëveshjes, përfshirë kthimin e pengut të fundit të ndjerë, duke thënë se mosveprimi në këtë drejtim do të sillte "pasoja serioze".

Ai gjithashtu vlerësoi Turqinë, Egjiptin dhe Katarin për përpjekjet e tyre të ndërmjetësimit.

Më herët të mërkurën, fraksionet palestineze të takuara në Kajro shprehën mbështetje për organin e ri kalimtar, duke kërkuar hapa të shpejtë për t'i lejuar atij të marrë menjëherë përgjegjësinë për qeverisjen e Gazës dhe rivendosjen e shërbimeve publike thelbësore.

Grupet thanë se komiteti do të koordinohej me një "këshill paqeje" ndërkombëtar që pritet të mbikëqyrë dhe miratojë rindërtimin e Gazës, ndërsa ndërmjetësit shtyjnë për të mbështetur armëpushimin dhe për të parandaluar një kthim në një dhunë në shkallë të gjerë. /Telegrafi/

Xabi Alonso shkoi pasi humbi El Clasicon - por sot Real Madridi u poshtërua dhe eliminua nga Albacete

14 January 2026 at 23:03


Në një rezultat që do të mbetet në kujtesën e tifozëve madrilenë për një kohë të gjatë, Real Madrid është eliminuar nga Kupa e Mbretit nga skuadra e nivelit të dytë, Albacete, pas një ndeshjeje dramatike që përfundoi 3-2 për vendasit.

Albacete surprizoi që në fillim, duke kaluar në avantazh në minutën e 42’, kur Javi Villar shfrytëzoi një goditje nga këndi dhe e dërgoi topin me kokë në qoshen e sipërme të portës, duke e bërë rezultatin 1-0.

Real Madrid reagoi menjëherë në minutën e 45+3’, me Franco Mastantuono që barazoi, duke e çuar rezultatin në 1-1 në pushim.

Albacete u rikthye në avantazh në minutën e 82’, kur Jefte Betancor finalizoi një rifutje në këndin e sipërm të majtë, duke sjellë rezultatin në 2-1.

Real Madrid tentoi të barazonte përsëri me golin e Gonzalo Garcia në minutën e 90+1, por surpriza e vërtetë ndodhi në minutën e fundit shtesë.

Zhvillohej minuta e 94’, kur sërish Jefte Betancor shfrytëzoi huti në mbrojtjen mbretërore dhe shënoi golin vendimtar për 3-2, duke vulosur eliminimin e “Los Blancos” nga Kupa.

Ky eliminim për Real Madrid është një lajm i rëndë, dy ditë pasi shkarkuan trajnerin Xabi Alonso, ndërsa në vend të tij erdhi Alvaro Arbeloa. /Telegrafi/

Arsenal bën hap të madh drejt finales, fitore ndaj Chelseat në përballjen e pesë golave

14 January 2026 at 22:56


Arsenali ka hedhur një hap shumë të madh drejt finales së EFL Cup, pasi ka triumfuar 3-2 ndaj Chelseat në ndeshjen e parë gjysmëfinale, në një përballje spektakolare dhe të mbushur me emocione deri në minutën e fundit.

“Topçinjtë” e nisën ndeshjen fuqishëm dhe kaluan në epërsi që në minutën e 7-të, kur Declan Rice ekzekutoi saktë një goditje nga këndi dhe Ben White u ngrit më lart se të gjithë për të realizuar me kokë.

Goli u rishikua nga VAR-i, por u konfirmua, duke i dhënë Arsenalit avantazhin e hershëm. Pjesa e parë u karakterizua nga raste nga të dyja anët dhe disa kartonë të verdhë, por rezultati mbeti 0-1.

Në fillimin e pjesës së dytë, Arsenali goditi sërish. Në minutën e 49-të, Viktor Gyökeres ishte më i shpejti në zonë dhe përfitoi nga një top i kthyer për të shënuar golin e dytë, duke i vështirësuar edhe më shumë gjërat për Chelsean.

Megjithatë, vendasit reaguan shpejt dhe në minutën e 57-të, Alejandro Garnacho shfrytëzoi një krosim të saktë nga Pedro Neto për të ngushtuar shifrat në 1-2.

Arsenali riktheu qetësinë në minutën e 71-të, kur Martin Zubimendi finalizoi saktë një aksion të bukur ofensiv për golin e tretë, duke e çuar rezultatin në 1-3.

Por Chelsea nuk u dorëzua dhe vetëm 12 minuta më vonë, Garnacho realizoi golin e tij të dytë personal, duke e bërë rezultatin 2-3 dhe duke rihapur sfidën. Edhe ky gol u kontrollua nga VAR-i, por u pranua.

Minutat e fundit ishin të tensionuara, megjithatë, Arsenali arriti ta menaxhojë avantazhin dhe të dalë fitues nga kjo përballje e parë.

Me këtë triumf 3-2 në transfertë, Arsenali shkon në ndeshjen e kthimit me një avantazh të rëndësishëm dhe është shumë pranë finales së EFL Cup, ndërsa Chelsea do të ketë nevojë për një paraqitje perfekte për të përmbysur gjithçka. /Telegrafi/

Gashi për takimin e liderëve: Më gëzon fakti që Kuvendi po kthehet në epiqendër të zgjidhjes së problemeve

14 January 2026 at 22:49


Kryetari i Kuvendit të RMV-së, Afrim Gashi, ka komentuar ngjarjet e fundit politike në vend në një intervistë për Televizionin Alsat.
Gashi ka komentuar takimin e sotëm të liderëve të partive politike në vend. Ai ka nënvizuar rëndësinë e kthimit të institucionit të Kuvendit në epiqendër.
“Do kisha dashur të nënvizoj dy elemente. I pari është nga informacionet që kam për takimin që ka rrjedhur brenda liderëve, ka qenë një takim shumë konstruktiv, mendoj se u tha edhe nga vet pjesëmarrësit. Dhe më gëzon shumë fakti që si demokraci po piqemi. Dialogu është i hapur, kemi mundësi të ulemi, të diskutojmë. Duhet ta kuptojmë se kjo është demokracia parlamentare. Duhet shpesh të ulemi në tavolinë edhe me ata që nuk mendojnë si ne. Dhe mendoj se kjo është një vlerë e shtuar. Dhe ky fakt më gëzon. Dhe elementi i dytë më gëzon fakti që Kuvendi po kthehet në një qendër ku do të duhet të zgjidhen çështjet".
"Gjatë kohë Kuvendi ka qenë vetëm çështje kolaterale-anësore ku të gjitha marrëveshjet janë bërë diku tjetër dhe janë implementuar në Kuvend. Më gëzoi shumë fakti që liderët janë marrë vesh që bisedimet konkrete për zgjidhjen e problemeve do të vazhdojnë nesër në Kuvend në nivel të koordinatorëve për ligjet konkrete, për zgjidhjet konkrete ”, deklaroi Gashi.

Bolton paralajmëron rrezikun e paqëndrueshmërisë në Ballkan, nënvizon rolin e NATO-s

14 January 2026 at 22:47


Ish-këshilltari për Sigurinë Kombëtare i presidentit Donald Trump, John Bolton, deklaroi se politika e Shteteve të Bashkuara për shpalljen e personave “non grata” nuk përdoret si mjet për goditje politike, por bazohet vetëm në interesat e sigurisë kombëtare amerikane.

I ftuar në emisionin “Off the Record” - A2CNN, Bolton theksoi se vendimet për sanksionime dhe shpallje “non grata” merren mbi baza faktike dhe gjeopolitike, dhe jo si rezultat i lobimeve apo debateve të brendshme politike në vendet e prekura.

Sipas tij, edhe pse këto vendime mund të kenë pasoja politike lokale, kjo nuk është arsyeja që i motivon Shtetet e Bashkuara.

Duke folur për marrëdhëniet Kosovë–Serbi, Bolton sqaroi se administrata e parë Trump mbështeste idenë që palët vetë të gjenin një zgjidhje të përhershme, pa imponim nga jashtë.

Ai tha se SHBA nuk ishte kundër përshtatjes së territoreve, për sa kohë që kishte dakordësi mes dy vendeve dhe gjithçka bëhej brenda kuadrit ligjor.

Sipas Bolton, zgjidhja përfundimtare është thelbësore për të shmangur ndërhyrjen e aktorëve të jashtëm që synojnë destabilizimin e Ballkanit.

Bolton vlerësoi se rreziku i paqëndrueshmërisë në Ballkan mbetet real, sidomos në kontekstin e luftës në Ukrainë dhe ambicieve të Rusisë.

Ai theksoi se stabiliteti i rajonit është në interes të SHBA-ve dhe se NATO mbetet shtylla kryesore e sigurisë, pavarësisht sfidave aktuale në marrëdhëniet transatlantike.

- YouTube www.youtube.com

Interi fiton minimalisht ndaj Lecce dhe shkëputet në krye

14 January 2026 at 22:42


Interi ka fituar 1-0 ndaj Lecce në ndeshjen e mbetur të javës së 16-të në Serie A, duke siguruar tri pikë shumë të rëndësishme dhe duke u shkëputur i vetëm në krye të tabelës me 46 pikë.

Ndeshja në “Via del Mare” ishte e luftuar dhe me ritëm, me Interin që dominoi posedimin, por hasi vështirësi për ta thyer mbrojtjen e organizuar të vendasve.

Rastet nuk munguan, sidomos në pjesën e parë, ku Nicolo Barella dhe Ange-Yoan Bonny u ndalën nga portieri Wladimiro Falcone, ndërsa një penallti e akorduar fillimisht për zikaltërit u anulua pas rishikimit në VAR, duke shkaktuar protesta nga lojtarët e Interit.

Në pjesën e dytë, trajneri Cristian Chivu ndërhyri me disa zëvendësime për t’i dhënë më shumë freski lojës. Presioni i Interit u shtua, por Lecce rrezikoi në disa momente, sidomos me Antonino Gallo, i cili u ndal nga një pritje vendimtare e Yann Sommer.

Momenti vendimtar i ndeshjes erdhi në minutën e 78-të. Pas një aksioni të vazhdueshëm në zonë, Francesco Pio Esposito ishte më i shpejti për të reaguar ndaj topit të kthyer dhe e dërgoi në rrjetë për golin e fitores 1-0.

Pak çaste më vonë, Lautaro Martinez pati një tjetër rast, por Falcone reagoi sërish mirë.

Me këtë fitore, Interi shkon në kuotën e 46 pikëve dhe shkëputet në krye të Serie A, pasi Milani si i dyti ka gjashtë pikë më pak. /Telegrafi/

Standings provided by Sofascore

Transferohet nga Çekia në Kosovë një i dënuar, kurse një i dyshuar ekstradohet nga Gjermania

14 January 2026 at 22:35


Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, ka realizuar me sukses transferim të një të dënuari dhe ekstradimin e një të dyshuari nga Çekia përkatësisht Gjermania për në Kosovë.

Sipas njoftimit, me datë 1 janar 2026 është transferuar shtetasi i Kosovës, i dënuar në shtetin e Çekisë për veprën penale “vrasje në tentativë”. I njëjti pas transferimit i është dorëzuar shërbimit korrektues të Kosovës për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit pasi që një pjesë të dënimit e kishte vuajtur në shtetin e lartcekur.

“Ndërsa me datën 14.01.2026 është ekstraduar nga Gjermania për në Kosovë, shtetasi i Kosovës, pasi që i njëjti kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës, për përfshirje në veprat penale mbajtje në posedim dhe kontroll të armës, lëndim trupor dhe kanosje. Ekstradimi u realizua falë bashkëpunimit mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe shtetit Gjerman, ku i dyshuari pas ekstradimit, u është dorëzuar njësiteve përkatëse policore për vazhdim me procedurat tjera ligjore”, thuhet në njoftim.

Në fund thuhet se Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, do vazhdoj me shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale që ndërlidhen me hetimin e kryesve të veprave penale, si dhe aktivitete tjera në gjurmimin, kapjen-arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit.

❌
❌