Në 'Darkën e të Nominuarve' pati një pyetje me spec nga publiku për Ludo Lee.
"Si mendon që ndihet që ndihet Edi kur i thua Limit mbaje Dolcen mos e lësho", ishte pyetja.
Kjo pasi Ludo dhe Eduard Kuçi kanë pasur një raport të afërt me njëri-tjetrin brenda.
Foto: YouTube
"Edi e ka përfunduar me Dolcen dhe e ka kuptuar se loja e Dolces ka qenë lojë. Besoj që Edi ka pasur ndjenja më shumë për Dolcen, Edi e ka kuptuar shumë shpejt se me Dolcen nuk ka vazhdim", u përgjigj banori.
Tutje tha: "Siç e kam parë unë nuk ka pasur ndjenja nga ana e Dolces, e ka shfrytëzuar. Unë nuk ndërhyj në raportin e Limit me Dolcen. As nuk kam drejtë të përzihem. Jam i lumtur që Edi nuk është më me Dolcen se nuk kishte vazhduar mirë për Edin".
Edi për rikujtim pati një afrimitet të madh me Dolcen, por që përfundoi shpejt.
E tani konkurrentja po shijon një lidhje të re dashurie me banorin Lim Hoti. /Telegrafi/
Ndërsa miliona venezuelianë presin të shohin se çfarë do të ndodhë me vendin e tyre të shkatërruar ekonomikisht dhe politikisht, ka lindur një betejë midis dy udhëheqëseve femra për kontroll mbi të ardhmen e kombit dhe për favorizimin e presidentit amerikan.
Në njërën anë është udhëheqësja e opozitës dhe laureatja e Çmimit Nobel, Maria Corina Machado, e cila u bë e njohur vitet e fundit për luftën e saj të paepur për demokraci në Venezuelë, duke u përballur me ish-diktatorin tashmë të rrëzuar, Nicolas Maduro.
Ajo ka qëndruar kryesisht e fshehur pas zgjedhjeve të kontestuara presidenciale të Venezuelës në vitin 2024, pas të cilave autoritetet zgjedhore të kontrolluara nga qeveria shpallën Maduron fitues - duke i lejuar atij të qëndronte në pushtet deri në kapjen e tij nga forcat speciale amerikane në një bastisje të jashtëzakonshme dy javë më parë.
Rivalja e saj është Delcy Rodriguez – zëvendëspresidentja e Maduros, e cila tani po merr rolin e saj të ri si presidente e përkohshme.
Rodriguez shihet si një anëtare e vendosur e gardës së vjetër dhe një mbrojtëse e fortë e Maduros; por ajo po ecën në një litar të tendosur të pasigurt në përpjekje për të qetësuar si Uashingtonin ashtu edhe besnikët e regjimit të Maduros në vend.
Në qendër të luftës së tyre është një figurë që ndodhet më shumë se 3,200 kilometra larg: presidenti Donald Trump, i cili urdhëroi bastisjen në Karakas dhe deklaroi se Shtetet e Bashkuara do ta “drejtonin” Venezuelën ndërkohë.
Edhe pse Trump deri më tani është përmbajtur nga një sulm i dytë ndaj Venezuelës, kërcënimi i ndërhyrjes ushtarake mbetet.
Kohët e fundit ai tha se administrata e tij do të fillojë të shënjestrojë kartelet e drogës në tokë, pas muajsh sulmesh ndaj anijeve të dyshuara të drogës në det.
Dhe ai ka mbajtur një armatë të madhe ushtarake amerikane në Karaibe për të vazhduar sulmet e forta në Karakas.
Ndoshta më e rëndësishmja, zgjedhjet e Trumpit mund të ndikojnë në të ardhmen e udhëheqjes së Venezuelës dhe në atë se kush do të marrë drejtimin.
Në sipërfaqe, duket e thjeshtë - Trump e ka lavdëruar Rodriguezin, por nuk ka pranuar ta mbështesë Machadon, pavarësisht se ajo ka mbështetës të fuqishëm brenda administratës së tij.
Por diskutimet e Trumpit me udhëheqës të tjerë botërorë kanë treguar se mendimet e tij mund të ndryshojnë shpejt.
Si Machado ashtu edhe Rodriguez kanë komunikuar drejtpërdrejt me presidentin e SHBA-së.
Të mërkurën, Trump tha se kishte folur me Rodriguez në telefon, duke e quajtur atë një "person të mrekullueshëm" dhe duke thënë se ata "po shkonin shumë mirë me njëri-tjetrin".
Machado po shkon një hap më tej me takimin me Trumpin ballë për ballë në Uashington, shkruan CNN.
Por udhëheqësja e opozitës mund të përballet me një betejë më të vështirë falë një çmimi për paqen.
Ajo ka disa aleatë të fuqishëm brenda Shtëpisë së Bardhë - Sekretari i Shtetit Marco Rubio ishte ndër ata që vlerësuan punën e saj dhe e nominuan për Çmimin Nobel për Paqen 2025.
Edhe vetë Trump, para inaugurimit të tij vitin e kaluar, e quajti Machadon një luftëtare të lirisë.
Por kjo mbështetje duket se u zbeh kur Machado fitoi Çmimin Nobel - të cilin Trump nuk e ka fshehur se e dëshiron për vete.
"Nuk mund të mendoj për askënd në histori që duhet ta marrë Çmimin Nobel më shumë se unë. Dhe nuk dua të mburrem, por askush tjetër nuk zgjidhi luftëra", tha Trump.
Pasi rrëzoi Maduron, Trump pretendoi se Machado "nuk ka mbështetjen ose respektin brenda vendit" për të qenë udhëheqës.
Machado është përpjekur “ta qetësojë” presidentin, duke ia dedikuar pjesërisht çmimin atij kur e fitoi tetorin e kaluar.
Në javët e fundit, ajo sugjeroi se do t'ia ofronte çmimin e saj Trumpit edhe pse Instituti Norvegjez i Nobelit ka thënë se nuk mund të transferohet.
Trump tha se do të ishte një nder të merrte çmimin e saj, por nuk u përgjigj drejtpërdrejt nëse kjo mund ta bënte të rishqyrtonte rolin e saj në Venezuelë.
Ndërkohë, Trump ka shprehur gjithashtu gatishmërinë e tij për t'u takuar "në një moment" me Rodriguez, e cila tani përballet me një akt të vështirë balancimi.
Nga njëra anë, Rodriguez e ka denoncuar hapur operacionin amerikan, duke e dënuar kapjen e Maduros si një “shkelje të hapur të sovranitetit të Venezuelës”.
Por tani ajo po përdor një ton më pajtues, duke ofruar një "agjendë bashkëpunimi" me SHBA-në.
Qeveria e saj ka filluar lirimin e të burgosurve të profilit të lartë si një gjest paqeje, përfshirë disa amerikanë.
Rodriguez ka pasur prej kohësh një marrëdhënie të ndërlikuar me SHBA-në.
Siç e ka theksuar rivalja e saj Machado, presidentja në detyrë është nën sanksione të SHBA-së për shkelje të të drejtave të njeriut - të cilat ajo i ka mohuar vazhdimisht.
Në të njëjtën kohë, ajo ka punuar për vite me radhë për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe - veçanërisht përmes naftës, me Venezuelën që ka rezervat më të mëdha të raportuara të naftës në botë. /Telegrafi/
Deputeti i PDK-së Xhavit Haliti ka folur edhe për postin e presidentit.
Sipas tij, PDK-ja duhet të marrë pjesë në tryezë dhe duhet ta mbështesë idenë e presidentit të opozitës.
“Dhe duhet ta mbështesë idenë që presidenti duhet me qenë nga PDK-ja, tani e bëjnë se bëjnë varet nga vendimet e partisë”, tha ai në RTV21.
Haliti u pyet edhe për themeluesin e PDK-së, i cili gjendet aktualisht në Hagë, Hashim Thaçi.
Ai nuk dha një prognozë se a do ta rikthente Thaçi PDK-në aty ku ishte.
“Varet prej tij, varet prej angazhimit, prej shumë faktorëve”, tha ai, duke shtuar se në PDK e ka aureolën e liderit të madh në parti.
Ai tha se PDK është partia e vetme që mund ta sfidojë Lëvizjen Vetëvendosje dhe Albin Kurtin.
“Tani për tani kush do me sfidu, LDK-ja?… Unë mendoj në qoftë se duam mundemi me bo shumë, shiko janë disa pengesa që unë nuk mundem me i zbërthy, por janë disa pengesa që na kanë detyru ndoshta nganjëherë edhe të heshtim dhe besoj që të bëhet më mirë”, shtoi deputeti PDK-së.
Presidenti i Real Madridit Florentino Perez e ka bërë prioritet afrimin e yllit të Manchester Cityt Erling Haaland në verën e vitit 2026.
Real Madridi aktualisht po kalon një krizë në aspektin sportiv, ndërsa bordi ka nisur punën që të gjejë problemin, si dhe të përforcohet për vitin e ardhshëm.
Sipas asaj që raporton gazetari i besueshëm Florian Plettenberg, dëshira e madhe njëkohësisht objektivi, është askush tjetër përpos Haaland, që po vazhdon të shkëlqejë te City.
Në bazë të këtij raportimi, Perez e sheh norvegjezin si “shpëtimtari” i Real Madridit, megjithatë është në dijeni se klubi madrilen nuk do ta ketë të lehtë një afrim të tillë.
Haaland ka kontratë afatgjatë me Cityn dhe një nënshkrim i mundshëm padyshim do ta tejkalonte shifrën prej 150 milionë eurove.
Mirëpo, lajmi pozitiv për gjigantin spanjoll është se Haaland nuk do ta refuzonte kalimin në “Santiago Bernabeu”, pasi e sheh Realin si klubi i ëndrrave është fans tepër i madh i futbollit spanjoll.
Mbetet të shihet nëse do të realizohet një transferim i tillë që padyshim do të niste një epokë të re galaktikësh te klubi më i madh në botë./Telegrafi/
Rrëfimet e dëshmitarëve të Masakrës së Reçakut vazhdojnë të mbeten dëshmi të gjalla të krimeve të kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.
Një prej tyre është edhe Ramë Shabani, i cili ka ndarë një përjetim tronditës nga momentet kur forcat serbe hynë në fshatin Reçak.
Duke përshkruar skenat e dhunës, Shabani rrëfen momentin kur forcat serbe i kishin mbledhur dhjetëra burra në oborrin e një shtëpie.
“Qikës ia dhanë një flakaresh, e nënës i than gjej armët, nënës tem. Nana i tha me pas pas armë, ti sun i kishe rrëzu gjithë këta burra këtu. Nuk kanë pas armë e tash lyp prej meje armë. E unë armë me të dhënë nuk kam i tha”, ka thënë Shabani në Debat Plus.
Në 'Darkën e të Nominuarve' pati shumë pyetje për Lim Hotin për Alba Pollozhanin.
Ajo theksoi se nuk e detyron askënd për lidhje dhe se meshkujt i luten asaj.
E njëjta shtoi gjithashtu se ka pasur shumë pak meshkuj në jetë, por që të gjithë e kanë lutur e i janë përgjëruar që të kthehet.
Foto: YouTube
"Alba nuk e detyron askënd me zor. Njerëzit vijnë vet te unë. Më beso ata pak meshkuj që janë ndarë nga unë sot e kësaj dite më luten më vijnë nga mbrapa dhe më përgjërohen dhe Alba kur e kryen me një person i jep një shans të dytë. Kam pasur shumë pak meshkuj, numërohen vetëm me një dorë", u shpreh ajo.
Tutje theksoi: "Të gjithë më kthehen, luten, përgjërohen dhe të gjithë vijnë me gatishmëri për martesë familje e gjëra të tjera".
E gjithë kjo nisi pasi Limi, ish-partneri i saj tani po shijon një lidhje me Dolcen.
Alba tha se ia dëshiron më të mirat dhe shumë suksese në marrëdhënien e tyre. /Telegrafi/
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se kryetari i partisë ka vepruar në pajtim të plotë me statutin e partisë.
“Lumir Abdixhiku ka dhënë dorëheqje më 28 dhjetor. Statuti i LDK-së e njeh aktin e dorëheqjes si akt personal dhe Lumi në këtë rast e din çka ka bo. Ka dal e ka marrë përgjegjësinë dhe ka vepruar në frymën e statutit të LDK-së”, ka thënë Lutfi Haziri në RTV Dukagjini.
Dorëheqjen e deputetes Hykmete Bajrami nga pozita e nënkryetares, Haziri e ka cilësuar si qëndrim personal të saj. Haziri ka folur edhe për raportin e tij me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“Unë jam nënkryetar i LDK-së dhe kam qenë kundërkandidat i Lumir Abdixhikut. Rrjedhimisht unë s’kam votuar për Lumir Abdixhikun në atë Kuvend. Dallimi me vota s’ka qenë i madh, por ia kemi zgjatur dorën njëri-tjetrit dhe asnjëherë nuk i kemi shfaqur dallimet”, ka thënë Haziri ndër të tjera.
Kjo vjen pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, theksoi vazhdimisht se ishulli Arktik ishte thelbësor për sigurinë e SHBA-së dhe se Amerika do ta merrte atë në një mënyrë ose në një tjetër.
Megjithatë, Danimarka dhe Grenlanda e hodhën poshtë idenë, duke deklaruar se ishulli i gjerë, strategjik dhe me popullsi të rrallë nuk ishte në shitje.
Postimi i Shtëpisë së Bardhë bëri që të rishpërndahet edhe një postim i Trumpit, ku ai e përsëriste qëllimin e tij për të blerë Grenlandën, duke e cilësuar atë si një kërkesë kritike për sigurinë kombëtare.
“Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për Grenlandën për qëllime të Sigurisë Kombëtare. Është jetike për Kupolën e Artë që po ndërtojmë”, tha Trump.
Ai theksoi se NATO do të ishte më efektive me Grenlandën nën kontrollin e SHBA-së, duke paralajmëruar se nëse SHBA-të nuk e fitonin atë, do ta fitonin Rusia ose Kina.
“NATO-ja bëhet shumë më e fuqishme dhe efektive me Grenlandën në duart e Shteteve të Bashkuara. Çdo gjë më pak se kjo është e papranueshme. NËSE NUK E BËJMË NE, DO TA BËJNË RUSIA APO KINA, DHE KJO NUK DO TË NDODHË!”, shtoi Trump. /Telegrafi/
Një nga temat e diskutimit në emisionin “Opinion” në Tv Klan mbrëmjen e sotme është vendimi më i fundit i Departamentit të Shtetit, sipas të cilit duke filluar nga 21 janari, do të pezullohet lëshimi i të gjitha vizave emigruese për aplikantët që janë shtetas të 75 vendeve, përfshirë edhe Shqipërinë, si dhe 4 vende të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Në një lidhje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, avokatja dhe ekspertja e emigracionit Olsa Alikaj Cano, foli për këtë çështje, duke sqaruar se për çfarë lloj vizash bën fjalë ky bllokim. Avokatja sqaroi se vendimi për pezullim prek vetëm aplikimet për viza emigruese, pra për qëndrim të përhershëm në SHBA dhe jo ato për qëndrim të përkohshëm, siç janë vizat turistike.
Pjesë nga biseda në studio:
Blendi Fevziu: Ky vendim nuk prek asnjë nga vizat e vizitorëve apo jo?
Olsa Alikaj Cano:Keni shumë të drejtë. Deklarata e Departamentit të Shtetit Amerikan bën fjalë vetëm për vizat e emigrantëve. Vizat jo-emigrante, nuk janë vetëm ato të turistëve, ka viza fetare, viza të artistëve, të diplomatëve, të vizitorëve, është një listë e madhe, janë shumë viza jo-emigrante. Ata kanë të drejtë të aplikojnë për viza, këto intervista do vazhdojnë.
Blendi Fevziu:Më fal, përfshirë edhe vizat e studentëve?
Olsa Alikaj Cano:Vizat e studentëve janë viza jo-emigrante, pra janë të vlefshme. Çdo vizë që është për një periudhë jo të gjatë, pra është e përkohshme, vetëm për të ardhur, të mbarosh punë dhe të kthehesh. Janë ca viza pune, sigurisht, është një periudhë e vogël që të vish, të punosh pak dhe të kthehesh.
Blendi Fevziu: Cilat aplikime pezullohen?
Olsa Alikaj Cano: Aplikimet që pezullohen janë aplikimet me qëllim emigranti, i njohin gjithë shqiptarët. Janë vizat për bashkimet familjare. Këto janë vizat që po bllokohen. Aplikimet e nënshtetasve amerikanë për familjarët e tyre, për bashkëshortët, vëllezërit, motrat, prindërit, fëmijët. Këto janë kryesoret. Pjesa e Lotarisë Amerikane, pra qëllimi për të marrë Green Card, për të jetuar tërë kohën në SHBA, përjetësisht. Janë disa viza të punëtorëve, të sponsorizuara nga punëdhënësit, për personat apo individët me shkollë të lartë. Ka disa viza fetare që janë të veçanta, viza speciale. Këto janë vizat që janë pezulluar për momentin.
Blendi Fevziu: Dihet se sa do zgjasë pezullimi?
Olsa Alikaj Cano:Ne nuk kemi asnjë informacion për këtë pezullim. Kjo qeveri është shumë eficente, besoj se do i marrin vendimet shpejt dhe do i verifikojnë të dhënat shpejt.
Blendi Fevziu: A ka një kriter se përse Shqipëria dhe Kosova janë në këtë listë dhe Serbia e vende të tjera nuk janë? Pra cili ka qenë kriteri që është përdorur për të përfshirë këto 75 vende në listë?
Olsa Alikaj Cano:Sipas të dhënave që kemi, lista e 75 vendeve është lista e shteteve me rrezik të lartë, pra që nënshtetasit e këtyre vendeve vijnë në SHBA, ‘abuzojnë’ le të themi dhe që janë barrë financiare publike e SHBA-ve. Besoj se ka një lidhje me postimin e presidentit Donald Trump të katër janarit, një listë e 120 shteteve, shtetasit e të cilëve marrin ndihmë financiare/sociale në SHBA. Shqiptarët ishin mbi 45%. Ndoshta shtetet që kanë marrë ndihmë sociale/publike, janë risk financiar i atyre që paguajnë taksa në SHBA. Ndoshta kjo është.
Blendi Fevziu: Ka shumë shqiptarë që vijnë me viza të zakonshme dhe kërkojnë më pas të marrin Green Card përmes procedurave ligjore.
Olsa Alikaj Cano: Plot, madje sot kisha një kliente që ishte shumë e interesuar për familjen. Kemi shumë viza që po presin të bëhet intervista. Të gjithë janë të alarmuar. Shqiptarët këtu vijnë me vizë shumica, ndaj më habiti lista e presidentit tonë. Nuk e di ku e kanë marrë këtë listën, sepse nuk është e verifikuar lista e personave që marrin ndihmë sociale.
Midis informimit dhe vetëdiagnozës: si ta përdorim inteligjencën artificiale pa rrezikuar shëndetin
Gjithnjë e më shumë njerëz, para se të telefonojnë mjekun ose të caktojnë një kontroll, fillimisht “bëjnë” një bisedë me inteligjencën artificiale. ChatGPT është bërë për shumëkënd bashkëbiseduesi i parë kur shfaqet një simptomë, mbërrin një rezultat analizash ose lind një dilemë lidhur me shëndetin. Kjo në vetvete nuk duhet të jetë problem. Problemi lind kur harrojmë dallimin mes informimit dhe trajtimit.
Kompania OpenAI ka paralajmëruar ChatGPT Health, i cili pritet të jetë një hapësirë e veçantë ku përdoruesit do të mund të bisedojnë me chatbot-in ChatGPT për shëndetin e tyre.
Prandaj është e rëndësishme të dimë se ku ChatGPT mund të jetë një aleat i dobishëm dhe ku roli i tij duhet të përfundojë.
Çfarë është në të vërtetë ChatGPT Health
ChatGPT Health është një përvojë e krijuar posaçërisht brenda ChatGPT-së, e dedikuar për biseda rreth shëndetit. Ideja e tij nuk është të zëvendësojë mjekun, por t’i ndihmojë njerëzit të ndihen më të informuar, më të përgatitur dhe më të sigurt kur përpiqen të kuptojnë shëndetin e tyre.
Shëndeti tashmë është një nga arsyet më të shpeshta pse njerëzit përdorin ChatGPT. Qindra miliona njerëz çdo javë bëjnë pyetje për simptoma, analiza, ushqim dhe mirëqenie të përgjithshme. ChatGPT Health është zhvilluar pikërisht nga kjo nevojë, por me shtresa shtesë privatësie dhe mbrojtjeje të të dhënave, të përshtatura posaçërisht për informacionet e ndjeshme shëndetësore.
Brenda kësaj përvoje është e mundur lidhja e sigurt me kartelat mjekësore elektronike dhe aplikacionet për ndjekjen e shëndetit dhe zakoneve të jetesës, në mënyrë që përgjigjet të bazohen në kontekstin personal shëndetësor, e jo vetëm në informacione të përgjithshme. Bisedat mbeten private dhe të ndara, me kufij të qartë të përcaktuar.
Është e rëndësishme të theksohet se ChatGPT Health nuk është i destinuar për vendosjen e diagnozave apo përshkrimin e terapive. Roli i tij është të ndihmojë njerëzit të kuptojnë termat mjekësorë, rezultatet dhe rekomandimet, si dhe të përgatiten më mirë për bisedën me mjekun. Ai është zhvilluar në bashkëpunim me mjekë nga e gjithë bota dhe është menduar si mbështetje, e jo si zëvendësim i mjekut, transmeton Telegrafi.
Çfarë është në rregull të pyesësh ChatGPT-në kur bëhet fjalë për shëndetin
Inteligjenca artificiale mund të jetë një burim i dobishëm informacioni të përgjithshëm dhe edukativ, veçanërisht kur duam të kuptojmë atë që tashmë na është thënë ose shkruar.
Është në rregull të pyesësh:
çfarë do të thotë një term i caktuar mjekësor
si manifestohet zakonisht një sëmundje
cilat janë simptomat më të shpeshta të një gjendjeje të caktuar
çfarë tregojnë analizat laboratorike që kemi
si duket procedura diagnostikuese
cilat janë rekomandimet e përgjithshme për një stil jetese të shëndetshëm
Në këtë kuptim, ChatGPT mund të ndihmojë që të mos ndihemi “të humbur” përballë termave mjekësorë dhe të shkojmë te mjeku më të përgatitur, me pyetje më të qarta.
Çfarë është e rrezikshme të pyesësh, edhe pse shumëkush e bën
Problemi lind kur informacionin fillojmë ta përjetojmë si vlerësim personal.
Është e rrezikshme të pyesësh:
nëse simptomat që kemi nënkuptojnë një diagnozë konkrete
sa e rrezikshme është diçka pikërisht në rastin tonë
nëse duhet të shqetësohemi apo mund të presim
nëse na nevojitet terapi apo jo
ChatGPT nuk e sheh personin, nuk e njeh historinë e tij mjekësore, nuk e di çfarë barnash merr, çfarë sëmundjesh të tjera ka apo çfarë zakonesh jetese ndjek. Gjithçka që mjeku merr parasysh, inteligjenca artificiale nuk mund ta vlerësojë.
Prandaj përgjigjja mund të duket bindëse, por të jetë e gabuar ose e paplotë.
Pse terapitë, dozat dhe diagnozat nuk janë për inteligjencën artificiale
Hapi më i rrezikshëm është kërkimi i terapive konkrete, dozave apo këshillave për barna.
Terapia nuk është kurrë vetëm emri i një ilaçi. Ajo përfshin dozën e saktë, kohën e përdorimit, kombinimet me barna të tjera, kundërindikacionet dhe rreziqet individuale. Ajo që i ka ndihmuar dikujt, mund t’i shkaktojë dëm serioz dikujt tjetër.
E njëjta gjë vlen edhe për diagnozat. Diagnoza nuk është një listë simptomash, por një përfundim që nxirret mbi bazën e ekzaminimeve, analizave dhe përvojës klinike. Këtë nuk mund ta zëvendësojë asnjë algoritëm.
Pse njerëzit gjithsesi e pyesin AI-në për shëndetin
Arsyet janë të kuptueshme. Pritjet janë të gjata, frika është e pranishme dhe nevoja për përgjigje të shpejta është e madhe. Është më e lehtë të pyesësh sesa të presësh. Por përgjigjja e shpejtë nuk është e njëjtë me përgjigjen e saktë.
Si ta përdorim me mençuri ChatGPT-në kur bëhet fjalë për shëndetin
ChatGPT mund të jetë një aleat i mirë nëse e dimë vendin e tij. Si ndihmë për të kuptuar, e jo si verdikt. Si përgatitje për bisedën me mjekun, e jo si zëvendësim i kontrollit.
Nëse ajo që lexojmë na shqetëson ose na frikëson, kjo është shenjë se duhet t’i drejtohemi një profesionisti, e jo të vazhdojmë të kërkojmë përgjigje vetë.
Teknologjia mund të na ndihmojë të jemi më të informuar, por nuk mund të marrë përgjegjësinë për shëndetin tonë. ChatGPT di shumë, por nuk na njeh.
Shëndeti vazhdon të ruhet në bisedën me mjekun, në kontrollet mjekësore dhe në besimin që ndërtojmë me ata që na trajtojnë. /Telegrafi/
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka folur për procesin e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit, pas zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit, duke theksuar se qëndrimi aktual i LDK-së është që posti i presidentit të mbulohet nga një emër i pranueshëm për të gjitha partitë politike.
Haziri theksoi se, ndonëse Lëvizja Vetëvendosje ka shënuar fitore historike në zgjedhje dhe ka siguruar shumicën për formimin e institucioneve të reja, çështja e presidentit mbetet ende e hapur dhe kërkon konsensus politik.
Ai rikujtoi se herën e kaluar deputetët e LDK-së e kishin votuar për presidente, Vjosa Osmanin për hir të stabilitetit politik. Sipas tij, këtë herë situata është ndryshe dhe vendimi nuk do të merret në të njëjtën mënyrë.
“Për momentin qëndrimi i jonë është se duhet një emër i pranueshëm për të gjithë. Që ushtron detyrën e presidentit/tes. Ky është qëndrimi zyrtar që e kemi… realisht deputetët e LDK-në herën e kaluarën e kanë dhënë votën për stabilitet politik dhe pa inati. Dhimbja ka qenë e madhe por e kanë dhënë. Kësaj herë do ta vlerësojnë krejt ndryshe votën për president”, ka thënë Haziri.
Albacete ishte të mërkurën mbrëma në vëmendjen e të gjithëve, kur arriti ta eliminojë Real Madridin në 1/8 e finales në kuadër të Kupës së Mbretit.
Skuadra që garon në divizionin e dytë fitoi me rezultat 3-2, duke e shënuar golin e fitores në minutën e fundit përmes Betancor (90+5’).
Sidoqoftë, ajo që e ka bërë edhe me të çmendur këtë fitore është fakti që vendasit kishin pushuar shtatë nga lojtarët e formacionit të parë sepse nuk besonin se mund ta eliminonin 15 herë kampionin e Evropës.
Albacete i kishte larguar nga formacioni lojtarët si Marino, Vallejo e Gomez, të cilët janë të padiskutueshëm në 11-she pasi iu janë dashur për divizionin e dytë, ku po luftojnë për mbijetesë.
Fitorja e Albacete vlerësohet si më e madhja në historinë e klubit, e më e bukura tani që llogaritet se ka qenë ekipi “B”. Përndryshe, skuadra e divizionit të dytë një xhiro më parë kishte eliminuar Celta Vigon.
Ndërkohë, Real Madridi vazhdon krizën e madhe pavarësisht ardhjes së Arbeloas në krye. “Los Blancos” tashmë kanë nisur punën për një trajner të ri, i cili do ta marrë drejtimin e klubit madrilen në verë./Telegrafi/
Pyetjet nga publiku për Alba Pollozhanin kanë qenë të shumta dhe për raportin e saj me Lim Hotin e Dolcen.
"A mendon që Dolce ta bën për inat ndaj teje këtë me Limin", ka qenë një tjetër pyetje që iu bë.
"Nuk e di pse publiku e ka parë në mënyrë të tillë. Unë kam diçka me Dolcen, ia kam shprehur Dolces mbaje këtë si moment. Por vetëm me raportin Alba Dolce", u shpreh ajo.
Foto: YouTube
Mes tjerash bëri një paralajmërim me Dolcen, por duke lënë jashtë Limin.
"E di që duket në publik se mund të jem xheloze ndaj Dolces. Është realisht diçka Alba - Dolce".
"Unë vetëm e di që i them Dolces le të jetë e përgatitur në lidhje me këtë gjë dhe po e shoh që njerëzit tërhiqen përfshirë edhe Dolcen. Nuk merret me atë nëse po ma bën për inat", theksoi mes të tjerash.
Dolce tani ka nisur një histori dashurie me ish-partnerin e Albës, Limin. /Telegrafi/
Udhëheqësja e opozitës së Venezuelës, Maria Corina Machado, u tha gazetarëve jashtë Kapitolit të SHBA-së se ia dorëzoi Donald Trumpit medaljen e saj të Çmimit Nobel për Paqen.
Kishte pasur spekulime nëse ajo do t’ia jepte çmimin presidentit të SHBA-së gjatë takimit të tyre në Shtëpinë e Bardhë.
Por ajo tha se kjo u bë në "njohje të angazhimit të tij unik ndaj lirisë", shkruan skynews.
Nuk është e qartë nëse Trump e ka pranuar medaljen.
Si kujtesë, Machado fitoi Çmimin Nobel për Paqen për vitin 2025 - një nder që vetë Trump e dëshironte qartë - për përpjekjet e saj në fushatën kundër regjimit shtypës të Nicolas Maduros në Venezuelë.
SHBA arrestoi Maduron për ta nxjerrë në gjyq për vepra penale të lidhura me drogën, në një bastisje të guximshme, në fillim të këtij muaji. /Telegrafi/
Kryesia e Aleancës për Shqiptarët së Arben Taravarit ka vendosur njëzëri të japë dorëheqje kolektive në prag të Kuvendit dhe Kongresit partiak.
"Në mbledhjen e fundit të Kryesisë së Partisë, pas një debati konstruktiv dhe demokratik, Kryesia e Aleancës për Shqiptarët vendosi njëzëri të japë dorëheqje kolektive në prag të Kuvendit dhe Kongresit partiak.
Ky vendim u mor me bindjen se partia ka nevojë për freski organizative, përfshirje të kuadrove të reja dhe reforma të thella e gjithëpërfshirëse, të cilat do ta forcojnë më tej profilin politik dhe funksionimin e brendshëm të Aleancës për Shqiptarët, si dhe si reflektim mbi rezultatin zgjedhor të zgjedhjeve lokale.
Drejtimin e partisë, deri në mbajtjen e Kuvendit dhe Kongresit partiak, do ta ushtrojë kryetari i Aleancës për Shqiptarët, z. Arben Taravari, ndërsa Kuvendi i Partisë do t’i konstatojë zyrtarisht dorëheqjet.
Sipas afateve statutare, Kuvendi i Partisë do të mbahet në mesin e muajit shkurt, ndërsa Kongresi i Partisë pritet të mbahet më së voni deri në vjeshtën e këtij viti.
Aleanca për Shqiptarët mbetet e përkushtuar ndaj parimeve të demokracisë së brendshme, reformimit të vazhdueshëm dhe përfaqësimit dinjitoz të interesave të shqiptarëve", thonë nga ASH.
AC Milan ka shënuar fitore të rëndësishme në udhëtim ndaj Comos, duke përmbysur rezultatin dhe triumfuar me shifrat 1-3, në një ndeshje ku Adrien Rabiot ishte figura kryesore.
Vendasit kaluan të parët në epërsi në minutën e 10-të, kur Marc Oliver Kempf u shkëput më lart se mbrojtja pas një goditjeje nga këndi dhe me kokë realizoi për 1-0.
Como vazhdoi të rrezikojë, por në minutën e 41-të Mike Maignan shpëtoi Milanin me një pritje vendimtare ndaj një goditjeje nga afërsia të Lucas Da Cunha.
Momenti kyç i pjesës së parë erdhi në minutën e 44-të, kur Kempf shkaktoi penallti. Christopher Nkunku u tregua i saktë nga pika e bardhë në minutën 45+1, duke barazuar rezultatin në 1-1.
Në pjesën e dytë, Milani mori kontrollin e lojës dhe në minutën e 55-të përmbysi rezultatin. Adrien Rabiot përfitoi nga një top i mbetur në zonë dhe me një goditje të saktë realizoi për 1-2.
Francezi e vulosi fitoren në minutën e 88-të me një supergol nga distanca, duke e dërguar topin në këndin e poshtëm të portës për rezultatin përfundimtar 1-3.
Milani me këtë fitore zë pozitën e dytë me 43 pikë, derisa Como zë vendin e gjashtë me 34 sosh./Telegrafi
Shtëpia e Bardhë thotë se Irani do të përballet me "pasoja të rënda" nëse vrasjet e regjimit vazhdojnë.
"Presidenti dhe ekipi i tij i kanë komunikuar regjimit iranian se nëse vrasjet vazhdojnë, do të ketë pasoja të rënda", tha sekretarja e shtypit Karoline Leavitt.
Ajo tha se Donald Trumpit iu tha nga Irani se "vrasjet dhe ekzekutimet do të ndalen".
Leavitt shtoi se 800 ekzekutime iraniane të planifikuara të zhvilloheshin dje u ndaluan, shkruan skynews.
Ajo u pyet nga një gazetar rreth një transmetimi të dukshëm të televizionit shtetëror iranian, i cili paraqet një kërcënim të nënkuptuar ndaj Trumpit.
Gazetari e kishte fjalën për një imazh të atentatit të dështuar ndaj Trumpit në Pensilvani i cili u shoqërua me mesazhin "këtë herë nuk do të shkojë keq".
“Të jem e sinqertë me ty, nuk e kam parë këtë”, u përgjigj Leavitt.
"Do ta shqyrtojmë dhe do ta lëmë presidentin dhe ekipin e tij të sigurisë kombëtare ta shqyrtojnë atë pamje", shtoi ajo. /Telegrafi/
Pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit në Kosovë, ku Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e Albin Kurtit arriti rezultatin më të mirë në historinë e saj me 51 për qind të votave.
Zgjedhjet i dhanë LVV-së shumicën për formimin e Qeverisë, ndërsa presidenti mbetet ende një pikëpyetje.
Në këtë kontekst, avokati Shkëlzen Sopjani komentoi në FIVE të TV Dukagjinit mbi rëndësinë e veprimeve të partive opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Sipas Sopjanit, LDK-ja mund të fitojë kohë dhe të rifitojë ndikim vetëm përmes bashkëpunimit me Kurtin, i cili ka “dy karta shumë të forta” në zgjedhjen e presidentit.
Ai theksoi se, nëse Kurti mbështet Vjosa Osmanin si kandidate për presidente, kjo mund ta vendosë LDK-në në një pozicion delikat, ndërsa PDK-në nëse mbështetet një kandidat tjetër.“Shpëtimi i LDK-së është një proces më i ngadaltë, më i mirë menduar. Prej bazës e lart. Në këtë proces LDK-në i vyen me ble kohë. Mundësia e vetme e LDK-së me fitu atë kohë, është të bashkëpunojnë me Kurtin. Sepse të zgjedhja e presidentit Albin Kurtit i ka dy karta shumë të forta".
"Nëse shkon me Vjosa Osmanin, që së paku ende nuk ka indicie të qarta që do të shkoj me Osmanin si kandidate për presidente… përkundra janë disa lëvizje që lënë të kuptohet që mund të jetë dikush tjetër. Nëse shkon me një kandidat tjetër mund ta vendos në pozitë të jashtëzakonisht të keqe PDK-në dhe ta dëmtoj PDK-në. Nëse PDK-ja nuk e voton kandidatin në fjalë. Apo nëse shkon me Vjosa Osmanin prapë e vendos në pozitë shumë të keqe LDK-në. Pra Kurti e ka ‘win win’. Duhet të jenë shumë të kujdesshme se si do t’i qasen zgjedhjes së presidentit. Sepse me një kandidat apo tjetër i vendos në pozitë të pa lakmueshme qoftë PDK-së, qoftë LDK-në dhe ajo u kushton me elektorat”, ka thënë Sopjani.
Luis Enrique shpreson që eliminimi i hershëm dhe befasues i Paris Saint-Germain nga Kupa e Francës të shërbejë si motivim për skuadrën e tij në vazhdim të sezonit.
Jonathan Ikone shënoi golin e vetëm të ndeshjes, teksa Paris FC triumfoi 1-0 në “Parkun e Princave”, duke bërë që PSG të eliminohej para fazës së 1/8 së finales vetëm për herë të dytë në 20 vitet e fundit.
Para përballjes me skuadrën që mban vendin e katërt, Luis Enrique u bëri thirrje lojtarëve të tij që të japin një reagim të fortë, për të rikonfirmuar ambicien për të konkurruar në të gjitha frontet këtë sezon.
“Pas një humbjeje, të gjithë duan të rikthehen menjëherë. Ne e analizuam ndeshjen”.
“E dimë se bëmë gjithçka për të fituar kundër Paris FC, por ndonjëherë përballesh me një portier që ndalon gjithçka. Kështu është futbolli, por duhet të vazhdosh përpara”.
“Të premten luajmë kundër një prej skuadrave më të mira të kampionatit dhe është detyra jonë t’i japim ndeshjes të gjithë përbërësit e nevojshëm”.
“Është e rëndësishme të dimë se e merituam fitoren. Qartë. E humbëm ndeshjen, e pranojmë rezultatin dhe i uruam Paris FC fat për vazhdimin e kompeticionit”.
“Por shpresoj që kjo të na shërbejë si motivim për të dhënë edhe më shumë në kampionat dhe në Ligën e Kampionëve”.
Lille, megjithatë, do të jetë një provë shumë e fortë për PSG-në. Skuadra e drejtuar nga Bruno Genesio ka fituar shtatë nga dhjetë ndeshjet e fundit në Ligue 1 dhe synon rikthimin në Ligën e Kampionëve.
Takimi i fundit mes dy ekipeve në kampionat u zhvillua në tetor, kur Ethan Mbappe, vëllai i ish-yllit të PSG-së, Kylian Mbappe, shënoi golin e barazimit në minutën e 85-të për rezultatin 1-1.
“Kur e analizuam Lille, pamë se ata bëjnë shumë gjëra mirë, si me topin ashtu edhe pa të. Ka shumë cilësi në ekipin e tyre”.
“Do të luajmë në shtëpi dhe do të jetë një test i mirë për të parë se si do të reagojmë pas humbjes. Shpresojmë të bëjmë një paraqitje të mirë”.
“Po luajmë kundër një skuadre të madhe pas një humbjeje dhe e dimë që do të jetë një ndeshje e vështirë, gjithmonë ka qenë e tillë sa herë jemi përballur me ta”.
“Duam të fitojmë për të vazhduar përpara në kampionat”./Telegrafi