Pak minuta para nisjes së Prime-it të Big Brother VIP Kosova, banorja Elijona është nisur drejt spitalit, duke shqetësuar si banorët e tjerë ashtu edhe publikun e spektaklit.
Lajmin e konfirmoi moderatori Alaudin Hamiti, i cili sqaroi se gjendja e saj nuk është për t’u shqetësuar.
Ai bëri me dije se Elijona po merr trajtimin e duhur mjekësor dhe është nën kujdes profesional.
Ende nuk është e qartë nëse banorja do të rikthehet sonte gjatë spektaklit 'prime' ose pas mbarimit të tij.
Fansat e saj mbeten të tensionuar për zhvillimet e mëtejshme brenda shtëpisë së BBVK. /Telegrafi/
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se i kishte dhënë Iranit një afat për të arritur një marrëveshje, ndërsa Uashingtoni zhvendosi asete të rëndësishme ushtarake në Lindjen e Mesme përpara një sulmi të mundshëm ndaj Republikës Islamike.
I pyetur nga gazetarët në Zyrën Ovale nëse kishte vendosur një afat për Iranin përpara një sulmi të mundshëm, Trump konfirmoi se ia kishte komunikuar një të tillë drejtpërdrejt Teheranit, duke shtuar: "Vetëm ata e dinë me siguri".
Ai nuk e zbuloi kohën e këtij afati.
I pyetur nëse kishte një afat kohor se kur forcat amerikane në rajon mund të tërhiqeshin, Trump nuk dha asnjë përgjigje.
“Ata duhet të qëndrojnë diku. Mund të qëndrojnë pranë Iranit”, deklaroi presidenti amerikan.
Ai përsëriti “vlerësimin” e tij për anulimin e supozuar të mbi 800 ekzekutimeve të protestuesve antiqeveritarë nga regjimi — diçka që Teherani nuk e ka konfirmuar se po planifikonte ta bënte.
Bëhet e ditur se Trump kishte kërcënuar se do ta godiste regjimin nëse ai do të vriste protestues.
“Kemi një flotilje të madhe anijesh që po shkon drejt Iranit tani”, përsëriti ai.
“Shpresojmë që do të arrijmë një marrëveshje. Nëse arrijmë një marrëveshje, kjo është mirë. Nëse nuk arrijmë një marrëveshje, do të shohim se çfarë do të ndodhë”, përfundoi Trump. /Telegrafi/
Një tjetër skandal i madh ka goditur futbollin kinez, pasi autoritetet kanë konfirmuar dënime të rënda për 13 klube të përfshira në manipulim ndeshjesh dhe korrupsion.
Para nisjes së sezonit të ri në Superligën e Kinës, nëntë skuadra do ta fillojnë kampionatin me pikë të zbritura. Sanksionet vijnë pas një hetimi të gjerë që ka përfshirë trukime ndeshjesh, baste të paligjshme dhe transaksione të papërshtatshme brenda futbollit kinez.
Shanghai Shenhua, që sezonin e kaluar e mbylli kampionatin si nënkampione, ka marrë një nga dënimet më të ashpra, duke u ndëshkuar me minus 10 pikë në startin e sezonit. I njëjti dënim është dhënë edhe për Tianjin Tigers. Disa klube të tjera janë ndëshkuar gjithashtu, ndërsa katër prej tyre janë tashmë të rëna në China League One si pasojë e masave disiplinore të mëparshme.
Përveç penalizimeve sportive, të gjitha 13 klubet janë gjobitur financiarisht. Gjobat variojnë nga 21 mijë deri në 104 mijë funte, në varësi të seriozitetit të shkeljeve të secilit rast.
Federata Kineze e Futbollit ka theksuar se sanksionet janë vendosur për të mbrojtur integritetin e sportit. Në një deklaratë zyrtare, organi drejtues bëri të ditur se masat synojnë ruajtjen e disiplinës, pastrimin e ambientit futbollistik dhe garantimin e konkurrencës së ndershme.
Federata sqaroi gjithashtu se zbritja e pikëve dhe gjobat janë përcaktuar mbi bazën e shkallës, natyrës, seriozitetit dhe ndikimit shoqëror të shkeljeve të kryera nga secili klub, duke riafirmuar qëndrimin e tolerancës zero ndaj korrupsionit.
Ky zhvillim vjen pas një goditjeje edhe më të gjerë që nisi sezonin e kaluar. Në shtator të vitit 2024, 43 lojtarë dhe zyrtarë u dënuan me ndalim të përjetshëm nga futbolli, pasi u shpallën fajtorë për shkelje të rënda. Mes tyre ishte edhe ish-mesfushori i Evertonit, Li Tie.
48-vjeçari u burgos vitin e kaluar pasi pranoi se kishte manipuluar ndeshje, kishte marrë ryshfet dhe kishte ofruar ryshfet me qëllim sigurimin e një posti të lartë trajneri.
Në total, më shumë se 70 persona kanë marrë ndalime të përjetshme si pjesë e këtij hetimi, duke nxjerrë në pah përmasat e mëdha të problemit në futbollin kinez./Telegrafi
Prodhimi industrial në dhjetor të vitit 2025 është rritur për 2.3 për qind në krahasim me dhjetorin 2024, ndërsa në vitin 2025 në krahasim me vitin 2024 për 1,9 për qind, kumtoi sot Enti shtetëror i statistikave.
Ndikim më të madh ndaj rritjes së prodhimit industrial në dhjetor 2025, në krahasim me dhjetorin 2024, ka rritje të prodhimit nëpër sektorët: Prodhim i prodhimeve ushqimore me 3,5 për qind, Prodhim i pijeve me 34.2 për qind dhe Prodhim i automjeteve motorizuese, rimorkiove dhe gjysmërimorkiove me 3.5 për qind.
Në sektorin Xehtari dhe nxjerrje të gurëve në dhjetor 2025, në krahasim me dhjetorin 2024, prodhimi industrial shënon rënie prej 6.6 për qind, në Industrinë përpunuese rritje prej 4.5 për qind, ndërsa në sektorin Furnizim me energji elektrike, gaz, avull dhe klimatizim rënie prej 3.9 për qind.
Sipas grupeve kryesore industriale, prodhimi në dhjetor 2025, në krahasim me dhjetorin 2024, shënon rritje tek Prodhimet intermediare, përveç energjisë për 9.8 për qind dhe prodhimeve të paqëndrueshme për konsum të gjerë për 2.4 për qind, përderisa rënie shënon tek Energjia për 3.9 për qind, Prodhimet kapitale për 0.8 për qind dhe Prodhimet e qëndrueshme për konsum të gjerë për 3.8 për qind.
Elon Musk i dërgoi një email Jeffrey Epstein në fund të vitit 2013 për të koordinuar një udhëtim në ishullin e Karaibeve të Epstein, tregojnë dokumentet e publikuara nga Departamenti i Drejtësisë.
Musk kishte pohuar më parë se kishte refuzuar përpjekjet e Epstein për ta bindur atë të vizitonte një nga dy ishujt që zotëronte Epstein - Great St. James dhe Little St. James.
Little St. James ishte një epiqendër e abuzimit të vajzave dhe grave të reja nga Epstein.
Më 13 dhjetor 2013, Musk i dërgoi një email Epsteinit: “Do të jem në zonën e Ishujve të Virgjër Britanikë/St Bart's gjatë festave. A ka ndonjë kohë të mirë për ta vizituar?”
Epstein u përgjigj dy ditë më vonë dhe tha se fillimi i vitit të ri do të ishte i mirë, duke shtuar: “Gjithmonë ka hapësirë për ty”.
Ditën e Krishtlindjeve, Epstein tha në një email tjetër: “2 ose 3 do të ishin perfekt. Do të vij të të marr.”
Musk u përgjigj fillimisht se do të duhej të fluturonte përsëri për në Los Angeles natën e 2 janarit, përpara se të thoshte se mund ta shtynte nisjen e tij një ditë më vonë.
“Kur duhet të shkojmë në ishullin tuaj më datë 2?”, e pyeti Musk Epsteinin.
Nga emailet nuk është e qartë nëse Musk e vizitoi përfundimisht.
Por emailet tregojnë një nivel komunikimi midis palës që nuk ishte zbuluar më parë.
Gjatë grindjes së tyre vitin e kaluar , Musk sugjeroi që presidenti Donald Trump kishte ngadalësuar publikimin e dosjeve të Epstein sepse emri i presidentit ishte në to.
Kjo ishte pjesë e prishjes së marrëdhënieve midis presidentit dhe një burri që kishte qenë një nga këshilltarët e tij më të ngushtë.
Në shtator, pasi emri i Musk u përfshi në një tjetër grup dosjesh, ai kërkoi të distancohej nga shkelësi i dënuar për krime seksuale.
Ai tha në atë kohë se “Epstein u përpoq të më bindte të shkoja në ishullin e tij dhe unë REFUZOVA”. /Telegrafi/
Mësimdhënësi Muhamed Hajredinaj, i akuzuar për nxitje të përçarjes dhe urrejtjes, ka dhënë versionin e tij lidhur me pretendimin se kishte hedhur flamurin kombëtar shqiptar dhe plisin në shportë të bërllokut.
Hajredinaj ka treguar se më 27.11.2024 kishte shkuar si çdo ditë tjetër në shkollë për të dhënë mësim, duke e ditur se orari atë ditë ishte me orar të shkurtuar pasi pritej organizim i festës së flamurit.
Tutje i akuzuari ka treguar se me të hyrë në klasë duke kryer përgatitjet që të filloj ora mësimore kishte vërejtur se disa prej nxënëse nuk kishin nxjerrë librat për të filluar mësimin.
Sipas versionit të Hajredinajt, është ngritur në këmbë dhe ka parë se një nxënës dhe një nxënëse nuk kishin të veshur uniformat e shkollës dhe ju ka bërë me dije që të vendosnin uniformat.
Tutje, njëri nxënës e kishte përfillur urdhrin e mësuesit, kurse sipas të akuzuarit, nxënësja e cila kishte qenë e mbështjellë me flamur nuk e kishte dëgjuar.
Largimin nga ora mësimore Hajredinaj, para gjykatës tha, se e kishte bërë që ta kursej nxënësen nga shënimi në vërejtje.
“Kur i kam thënë që të dal vajza, e kurseva nga vërejtja dhe kur ka fillu me dalë ka fillu me shpejtësi, jo në mënyrë të rregullt qysh mundet me dalë një nxënëse me mirësjellje. Dy nxënës me shenjë revolte kanë dalë, me shpejtësi dhe ma kanë vënë flamurin në kokë. Ka qenë aj djali që fillimisht e hoqi flamurin dhe një nxënës i cili nuk me kujtohet cili ka qenë, sepse kam qenë i ulur duke shkruar orën”- dha versionin e mbrojtjes i akuzuari.
Sipas tij, nuk kanë shkuar më shumë se 2 minuta kur ka ardhë zëvendës-drejtori i shkollës i cili sapo kishte hyrë në klasë nuk e kishte pyetur fare tashmë të akuzuarin për ndodhinë, por kishte filluar të ju mbaj fjalim nxënësve, e që sipas tij po i nxiste.
Sipas versionit të akuzuarit, nxënësit, ja kishin hedhur plisin në tokë të cilin e kishte larguar që kishte shkuar kah ana e shportës.
“Nxënësit ma kanë hedhë në tokë e kam largu dhe ka shkuar ka ana e shportës” – tha tutje i akuzuari.
Sipas tij, ajo çka ka ndodhë, ka ndodhur pa paramendim apo qëllim të caktuar, e aq më pak për qëllime fetare. I akuzuari ka thënë se feja e tij nuk e mëson që të bëjë diçka të tillë.
Paraprakisht seanca gjyqësore ka vazhduar me administrimin e provave materiale.
Pasi Prokuroria Speciale është tërhequr nga propozimi që të dëgjohet i mituri- nxënësi, ndërsa Gjykata në përbërje prej kryetarit të trupit gjykues, Leon Përlaskës, Violeta Namani dhe Avni Syla – anëtarë, i kanë refuzuar mbrojtësit së të akuzuarit propozimin për dëgjimin e disa dëshmitarëve.
Më të filluar seanca gjyqësore më 30.01.2026 është dëgjuar në cilësinë e dëshmitares Margareta Shabani.
Margareta Shabani, për mosardhjen e saj në seancë më 15.12.2025 për të dëshmuar, Gjykata i kishte shqiptuar gjobën e dytë në lartësi prej 100 euro si dhe u urdhërua sjellja me forcë për në seancën e radhës. Në seancën e datës 14.11.2025 dëshmitarja Margareta Shabani për mosardhjen e saj në seancë për të dëshmuar ishte gjobitur me 50 euro si dhe i kishte lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim.
Dëshmitarja në seancën e datës 30.10.2026 ka thënë se ajo e kishte organizuar festën e flamurit në këtë shkollë, si mësuese e muzikës, më 27.11.2024.
“Dita e flamurit ka qenë në një ditë prej festive dhe e kemi festuar me një program të shkurtë ku ka pasë muzikë, art dhe drama të ndryshme”- tha dëshmitarja.
Dëshmitarja ka thënë se e kishte parë momentin 5 minutësh, kur tashmë i akuzuari, ja kishte kap plisin një nxënësi dhe e kishte përplasur te koshi i mbeturinave duke e shoqëruar me fjalët “është e ndaluar në shkollë”.
“Por e kam pa momentin kur arsimtari ja ka kapë plisin nxënësit dhe e ka përplasë në drejtim të koshit të mbeturinave”- tha dëshmitarja.
Ajo tha se këtë moment e kishte parë teksa priste arsimtarin e gjuhës angleze që të dalë nga klasa me qëllim që të ndjek orën e muzikës e cila ishte planifikuar sipas orarit.
Sipas dëshmitares, tashmë i akuzuari e kishte kapur edhe një flamur dhe kishte tentuar që ta gjuante në shportë, por e kishin ndaluar nxënësit.
“E kam pa arsimtarin duke e kap flamurin dhe duke tentuar që ta gjuaj, ndërsa nxënësit e kanë ndaluar, nuk e di a ka qenë plis apo flamur mirëpo nxënësit e kanë kundërshtuar një veprim të tillë”- tha dëshmitarja.
Fjala përfundimtare rreth këtij rasti do të mbahet më 9 shkurt 2026.
Gjykimi për këtë rast ka filluar rishtazi pasi ka pasur ndryshime të anëtarëve të trupit gjykues në këtë çështje penale.
Ky rast po trajtohet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës nga trupi gjykues i përbërë nga Leon Përlaska (kryetar i trupit gjykues), Violeta Namani-Hajra dhe Avni Syla (anëtarë).
Gjykata e Prishtinës e ka lënë në fuqi aktakuzën ndaj të akuzuarit Muhamed Hajredinaj, i akuzuar për veprën penale – nxitja e përçarjes dhe mosdurimit.
Shqyrtimi fillestar lidhur më këtë rast është mbajtur më 12.05.2025.
Në seancën fillestare, i akuzuari Hajredinaj kishte deklaruar se nuk e pranon fajësinë për veprën penale të cilën po akuzohet nga Prokuroria Speciale.
“Nuk ndihem fajtor” – kishte thënë i akuzuari Hajredinaj.
Dosja e Prokurorisë
Sipas dosjes së Prokurorisë, më 27.11.2024, rreth orës 08:00, në objektin e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Xhemail Mustafa” në Prishtinë, i pandehuri Hajredinaj duke vepruar në cilësinë zyrtare si arsimtar i Gjuhës angleze, me qëllim të nxitjes së urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit midis grupeve kombëtare, etnike dhe fetare në Kosovë ka ndërmarrë veprime konkrete.
Në aktakuzë thuhet se sapo ka hyrë në klasën 6/4 dhe i përballur me pamjen e nxënësve me simbole kombëtare shqiptare me rastin e festës së flamurit kombëtar shqiptar, i pandehuri për shkak të bindjeve të tij fetare, të cilat i ka shprehur edhe më parë në prani të nxënësve ka marrë flamurin kuq e zi dhe plisin dhe me gjithë kundërshtimet e nxënësve i ka hedhur ato në shportën e mbeturinave.
Tutje në aktakuzë thuhet se ai e ka larguar nga ora mësimore një nxënëse, e cila i mbante këto simbole kombëtare, me qëllim të pjesëmarrjes në programin festiv të organizuar nga Shkolla për Ditën e Flamurit – për çka- me këto veprime të kryera publikisht ka nxitur urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve kombëtare, etnike dhe fetare.
Për shkak të veprimeve të lartpërmendura i pandehuri Hajredinaj nga Prokuroria Speciale po akuzohet se ka kryer veprën penale – nxitja e përçarjes dhe mosdurimit./Kallxo.com
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është përmbyllur procesi i rinumërimit të fletëvotimeve të 2,557 vendvotimeve, në të cilat, më 28 dhjetor 2025 u zhvillua procesi i votimit.
Sipas vendimit të parë të KQZ-së, më 13 janar 2026, në 10 komuna ishte planifikuar të rinumëroheshin 100% të vendvotimeve (Dragash, Kaçanik, Leposaviq, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug), ndërkaq në 28 komunat tjera, vetëm nga 10% e vendvotimeve (Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut).
Pas vendimit të dytë të KQZ-së, më 19 janar 2026, në proces të rinumërimit u përfshinë edhe vendvotimet tjera të këtyre komunave.
Kujtojmë se KQZ-ja mori këto vendime për rinumërim me qëllim të të garantimit të saktësisë së rezultateve zgjedhore dhe për të siguruar që vullneti i qytetarëve të Republikës së Kosovës të regjistrohet dhe të reflektohet në mënyrë të saktë, ashtu siç është shprehur prej tyre në fletëvotime.
Ndryshe, që nga mbajtja e zgjedhjeve më 28 dhjetor 2025, autoritetet e zbatimit të ligjit kanë zhvilluar intervista me qindra persona, kanë ndaluar dhjetëra të tjerë dhe kanë vazhduar hetimet nën dyshimet për manipulim të votave të kandidatëve për deputetë në disa komuna të vendit.
Si pasojë e këtyre dyshimeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mori vendim për rinumërim të plotë të votave për kandidatët në të gjitha komunat e Kosovës, ndërsa votat për subjektet politike nuk u përfshinë në këtë proces dhe mbetën të pandryshuara.
Megjithë parregullsitë dhe vjedhjet e votave brenda partive politike, ndarja e mandateve të deputetëve për subjektet politike ka mbetur e njëjtë, pa ndryshime në përbërjen e përgjithshme të Kuvendit.
Pasojat konkrete nga këto manipulime kanë rezultuar vetëm me largimin nga Kuvendi të deputetit të komunitetit turk, Fikrim Damka, vendi i të cilit është zëvendësuar nga bashkëpartiaku i tij, Ergul Mazrek.
Sipas hetimeve, manipulimi i votave dyshohet se është kryer në dy forma kryesore: përmes shtimit të votave drejtpërdrejt në sistem nga numëruesit, në rastet kur qytetarët kanë votuar më pak se 10 kandidatë, si dhe përmes transferimit të votave nga një kandidat tek tjetri brenda së njëjtës parti politike.
Këto parregullsi kanë çuar në nisjen e hetimeve në disa komuna, ku një numër komisionarësh dhe vëzhguesish kanë përfunduar në paraburgim, ndërsa prokuroria ende nuk ka ftuar për intervistim deputetët emrat e të cilëve kanë spikatur me dallime të mëdha votash, megjithëse nuk është përjashtuar mundësia që edhe ata të përfshihen në procedurat hetimore në vijim./Telegrafi/
Shefi i OKB-së u ka thënë shteteve anëtare se organizata është në rrezik të “kolapsit të afërt financiar”, duke përmendur tarifat e papaguara dhe një rregull buxhetor që e detyron organin global të kthejë paratë e pashpenzuara.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka folur vazhdimisht për përkeqësimin e krizës së likuiditetit në të cilën ndodhet organizata, por ky është paralajmërimi i tij më i ashpër deri më tani dhe vjen ndërsa kontribuesi kryesor i saj është se Shtetet e Bashkuara po tërhiqen nga multilateralizmi në shumë fronte.
“Kriza po thellohet, duke kërcënuar zbatimin e programit dhe duke rrezikuar kolapsin financiar. Dhe situata do të përkeqësohet më tej në të ardhmen e afërt”, shkroi Guterres në një letër drejtuar ambasadorëve të datës 28 janar.
SHBA-të kanë shkurtuar fondet vullnetare për agjencitë e OKB-së dhe kanë refuzuar të bëjnë pagesa të detyrueshme në buxhetet e tyre të rregullta dhe ato paqeruajtëse.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e ka përshkruar OKB-në si organizatë me “potencial të madh”, por tha se ajo nuk po e përmbush këtë potencial dhe ka krijuar një Bord Paqeje, i cili disa kanë frikë se mund ta minojë organin e vjetër ndërkombëtar.
E themeluar në vitin 1945, OKB-ja ka 193 shtete anëtare dhe punon për të ruajtur paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, për të promovuar të drejtat e njeriut, për të nxitur zhvillimin social dhe ekonomik dhe për të koordinuar ndihmën humanitare.
Në letrën e tij, Guterres tha se “vendimet për të mos respektuar kontributet e vlerësuara që financojnë një pjesë të konsiderueshme të buxhetit të rregullt të miratuar tani janë njoftuar zyrtarisht”.
Por, ai nuk tha se për cilin shtet ose shtete po i referohej.
Sipas rregullave të OKB-së, kontributet varen nga madhësia e ekonomisë së secilit shtet anëtar.
SHBA-të përbëjnë 22% të buxhetit bazë, të ndjekura nga Kina me 20%.
Por deri në fund të vitit 2025, kishte një rekord prej 1.57 miliardë dollarësh në detyrime të papaguara, sipas Guterres, pa i përmendur ato.
“Ose të gjitha shtetet anëtare duhet të respektojnë detyrimet e tyre për të paguar plotësisht dhe në kohë - ose shtetet anëtare duhet të rishikojnë rrënjësisht rregullat tona financiare për të parandaluar një kolaps të afërt financiar”, tha ai.
Guterres ngriti një grup pune për reformën vitin e kaluar, të njohur si UN80, i cili synon të ulë kostot dhe të përmirësojë efikasitetin.
Për këtë qëllim, shtetet ranë dakord të shkurtojnë buxhetin e vitit 2026 me rreth 7% në 3.45 miliardë dollarë.
Megjithatë, Guterres paralajmëroi në letër se organizata mund të mbetet pa para deri në korrik. /Telegrafi/
Ish-sulmuesi i Real Madridit, Eden Hazard, ka shuar përfundimisht çdo mundësi që në të kaluarën të kishte veshur fanellën e Barcelonës, duke theksuar se ëndrra e tij e vetme ka qenë gjithmonë klubi madrilen.
Në një intervistë të fundit, belgu ishte i prerë kur u pyet për një transferim të mundshëm te rivalët katalanas.
“A do t’i isha bashkuar Barcelonës? Jo. Ëndrra ime ka qenë Real Madridi që kur isha i vogël”.
Hazard tregoi se dëshira për të luajtur në “Santiago Bernabeu” e ka shoqëruar që në hapat e parë të karrierës së tij.
“Kur fillova të luaja futboll, gjithmonë i thosha babait tim se doja të luaja për Madridin”.
“Sigurisht, Barça, mënyra se si luajnë, Messi… por, Hala Madrid, miku im”.
Në fund, Hazard arriti ta realizojë ëndrrën e tij në vitin 2019, kur u transferua te Real Madridi nga Chelsea. Megjithatë, aventura e tij në Spanjë rezultoi zhgënjyese, pasi belgu shënoi vetëm shtatë gola gjatë katër viteve me klubin madrilen./Telegrafi
Një këmbësor i mitur është plagosur rëndë pasditen e sotme në një aksident trafiku që ka ndodhur në Vizbeg të Shkupit, njoftojnë nga policia.
Sipas informacioneve zyrtare, aksidenti ka ndodhur sot (30.01.2026) rreth orës 17:03, në kryqëzimin e bulevardit “Sllovenia” me rrugën “J. Magistrala”, ku një automjet i tipit “Opel” me targa të Shkupit, i drejtuar nga F.Ç. (44) nga Shkupi, ka goditur një këmbësor të mitur, gjithashtu nga Shkupi.
I mituri është transportuar me automjet të Ndihmës së Shpejtë në Qendrën Emergjente “Nënë Tereza”, ku mjekët kanë konstatuar lëndime të rënda trupore, pas çka ai është mbajtur për trajtim në Klinikën e Kirurgjisë Pediatrike.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme bëjnë të ditur se po ndërmerren masa për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit dhe për sqarimin e plotë të rastit.
Meta përballet me gjyq javën e ardhshme në një padi të ngritur nga New Mexico, nën akuzat për ekspozimin e fëmijëve dhe adoleshentëve ndaj shfrytëzimit seksual në platforma dhe për përfitimin prej tij, çështja e parë e këtij lloji kundër gjigantit të rrjeteve sociale që arrin në një juri.
Padia, e ngritur nga Prokurori i Përgjithshëm i New Mexicos, Raul Torrez, pretendon se kompania promovoi përmbajtje të paligjshme dhe mundësoi shfrytëzimin seksual të fëmijëve në platformat e saj Facebook, Instagram dhe WhatsApp.
Padia pretendon se Meta lejoi akses të pakufizuar te përdoruesit e mitur dhe i lidhi ata me viktimat, duke çuar shpesh në abuzim në botën reale dhe trafikim të qenieve njerëzore.
Gjyqi, i cili është planifikuar të fillojë me përzgjedhjen e jurisë të hënën në Gjykatën e Distriktit të Santa Fe, pritet të zgjasë shtatë ose tetë javë.
Meta i mohon akuzat dhe thotë se ka masa të gjera mbrojtëse për të mbrojtur përdoruesit e rinj.
Rasti lindi nga një operacion i fshehtë, të cilin Torrez, një ish-prokuror, dhe zyra e tij e drejtuan në vitin 2023.
Si pjesë e çështjes, hetuesit krijuan llogari në Facebook dhe Instagram duke u paraqitur si përdorues më të rinj se 14 vjeç.
Llogaritë morën materiale me përmbajtje seksuale eksplicite dhe u kontaktuan nga të rritur që kërkonin përmbajtje të ngjashme, duke çuar në akuza penale kundër tre individëve, sipas zyrës së Torrez.
Shteti gjithashtu akuzon Meta-n për dizajnimin e platformave të saj për të maksimizuar angazhimin pavarësisht provave se ato po dëmtonin shëndetin mendor të fëmijëve.
Karakteristika si lëvizja e pafundme dhe videot me luajtje automatike i mbajnë fëmijët në faqe, duke nxitur sjellje varësie që mund të çojë në depresion, ankth dhe vetëlëndim, pretendon padia.
Shteti po kërkon dëmshpërblim monetar, si dhe një urdhër që i drejton Meta-s të bëjë ndryshime për të përmirësuar sigurinë e fëmijëve gjatë përdorimit të platformave. /Telegrafi/
Për më shumë se 70 vjet, ka qenë zgjedhja e preferuar për blerësit në kërkim të sedanit më luksoz.
Edhe me alternativa të forta nga marka si BMW dhe Genesis në vitet e fundit, S-Class ende mbretëron suprem në segmentin premium.
Mercedes nuk ka plane të heqë dorë nga modeli. Tani njihuni me Mercedes-Benz S-Class 2027 .
Klasa e re S nuk i shmanget elementëve të dizajnit që e kanë përcaktuar atë për dekada të tëra, si nga brenda ashtu edhe jashtë.
Brenda, Klasa S merr përmirësime delikate, por të dukshme.
Paneli i instrumenteve dhe ekrani qendror me prekje tani janë krejtësisht të ndara.
Mercedes e quan konfigurimin e ri "Superscreen".
Ai përbëhet nga një panel instrumentesh digjital, një ekran me prekje qendror dhe një ekran për pasagjerët.
Sistemi përdor versionin më të fundit të ndërfaqes MBUX të Benz, duke shtuar veçori si inteligjenca artificiale gjeneruese dhe integrimi nativ i Google Maps.
Kjo teknologji shtrihet edhe në ulëset e pasme, ku dy ekrane janë montuar në mbështetëset e ulëseve të përparme.
Pasagjerët e pasmë marrin dy telekomanda MBUX plotësisht të lëvizshme, dhe për herë të parë, Mercedes ofron aplikacione native si Disney+ dhe YouTube direkt përmes sistemit MBUX.
Ndoshta përmirësimi më i madh për S-Class 2027 është nën kapakun e motorit.
S580 fuqizohet nga një motor krejtësisht i ri V8 4.0 litra. Motori prodhon 530 kuaj fuqi.
Mercedes gjithashtu e mban opsionin hibrid plug-in në linjë për vitin 2027.
Në të gjithë gamën, fuqia transmetohet në të katër rrotat përmes një transmisioni automatik me nëntë shpejtësi.
Çmimi për Mercedes-Benz S-Class 2027 nuk është njoftuar ende. Megjithatë, me modelin aktual të vitit 2026 që fillon nga 120,850 dollarë, mos prisni që versioni i ri të vijë më lirë. /Telegrafi/
Zyrtarët e doganave në Bjellorusi thanë se një veturë e dërguar në vend rezultoi të kishte brenda një udhëtar të çuditshëm: një rakun.
Autoritetet Doganore të Bjellorusisë thanë se vetura ishte një nga disa në një kontejner transporti që mbërriti në vend me anije.
Hetuesit e doganës e vunë re rakunin dhe e çuan kafshën në Stacionin Veterinar të Distriktit Oshmyany.
Rakuni, i quajtur tani Senya, do të jetë në karantinë deri më 3 shkurt, kohë kur autoritetet do të vendosin nëse ai do të ketë një shtëpi të re në Kopshtin Zoologjik të Grodnos apo në Pyllin Naliboki. /Telegrafi/
Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda, ka caktuar masën e paraburgimit ndaj pesë (5) të pandehurve, nën dyshimin e bazuar se kanë kryer disa vepra penale që lidhen me të drejtën e votimit dhe keqpërdorimin e detyrës zyrtare.
Sipas njoftimit të gjykatës, gjatë ditës janë mbajtur tri (3) seanca dëgjimore, bazuar në kërkesat e Prokurorisë Themelore në Prizren për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve.
Gjyqtarët e procedurës paraprake kanë vendosur që katër (4) të pandehurve, A.Sh., I.B., B.S. dhe H.P., t’u caktohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila mund të zgjasë deri më 28 shkurt 2026.
Sipas gjykatës, ekziston dyshim i bazuar se secili prej tyre ka kryer veprën penale falsifikim i rezultateve të votimit, nga neni 216 paragrafi 2, në lidhje me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndërkaq, ndaj të pandehurit N.B. është caktuar masa e paraburgimit prej një (1) muaji, po ashtu deri më 28 shkurt 2026, nën dyshimin se ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 414 paragrafi 3, nënparagrafi 3.2 i Kodit Penal, që lidhet me moskryerjen me dashje të një detyre të domosdoshme të përcaktuar me ligj.
Gjykata ka theksuar se argumentimi i këtyre dyshimeve do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
Këto vendime përbëjnë vazhdimësi të rastit të trajtuar më 24 janar 2026, kur ndaj njëzet e tre (23) të pandehurve ishte caktuar masa e paraburgimit për vepra penale kundër të drejtës së votimit./Telegrafi/
Nuk ju duhen freskues të shtrenjtë – mjafton një zgjidhje natyrale që funksionon prej vitesh
A ju ka ndodhur të hapni dollapin dhe, në vend të aromës së rrobave të pastra, të ndjeni një erë të rëndë lagështie? Ky është një problem i shpeshtë, por zgjidhja nuk qëndron te freskuesit e shtrenjtë, të cilët vetëm e mbulojnë erën. Efekti i vërtetë vjen nga kuptimi i shkakut dhe përdorimi i metodave të thjeshta, natyrale.
Pse merr erë dollapi?
Fajtori kryesor është lagështia, e kombinuar me hapësirën e mbyllur, errësirën dhe qarkullimin e dobët të ajrit. Këto kushte krijojnë ambient ideal për mykun dhe kërpudhat, të cilat lëshojnë gaze specifike, të njohura si përbërje organike të paqëndrueshme mikrobiale (MVOC). Edhe rrobat e lara mirë mund t’i përthithin këto aroma nëse nuk janë tharë plotësisht ose qëndrojnë gjatë në dollap.
Faktorë të tjerë përfshijnë:
lagështi të lartë në banesë
rrjedhje uji nga tubacionet
vendosjen e rrobave të veshura dhe të djersitura në dollap
Prandaj, hapi i parë është eliminimi i erës ekzistuese, përpara se të kaloni te zgjidhjet afatgjata, transmeton Telegrafi.
Aleatë natyralë kundër erës së keqe
Sodë buke Neutralizon erërat, pa i maskuar ato. Vendosni një enë të hapur në dollap dhe ndërrojeni një herë në muaj.
Qymyr aktiv Struktura e tij poroze thith lagështinë dhe aromat. Mund të përdorni qese të gatshme ose disa copë qymyr për skarë (pa aditivë), të futura në një çorape të vjetër.
Oriz dhe vajra esencialë Hidhni oriz të papërpunuar në një kavanoz dhe shtoni 10–15 pika vaj esencial (livando, limon ose çajdruri). Orizi thith lagështinë, ndërsa vaji përhap aromë të freskët.
Shkumës shkollor Lidhni disa copë dhe varini në dollap, thith lagështinë dhe zvogëlon erën e ndenjur.
Parandalimi është çelësi
Zakone të thjeshta bëjnë diferencën më të madhe:
Ajrosja Çdo mëngjes, mbani dyert e dollapit hapur të paktën 15 minuta. Lini 1–2 cm hapësirë mes rrobave që ajri të qarkullojë. Nëse është e mundur, dyert me grila janë zgjidhje ideale për ventilim të vazhdueshëm.
Kontrolli i lagështisë Mos vendosni kurrë rroba të lagështa në dollap. Xhaketat, veshjet sportive dhe pajisjet e jashtme duhet të thahen plotësisht më parë. Qeskat silikoni nga kutitë e këpucëve shpërndajini në rafte dhe xhepa.
Pastrimi i rregullt Dy herë në vit, zbrazni plotësisht dollapin. Fshini raftet dhe muret me një leckë të lagur në përzierje ujë + uthull e bardhë (1:1). Uthulla shkatërron sporet e mykut dhe aroma zhduket brenda një ore.
Me këto truke të thjeshta të futura në rutinën tuaj, dollapi shndërrohet në një hapësirë të pastër, të freskët dhe të këndshme për rrobat, pa produkte të shtrenjta dhe pa erëra të pakëndshme. /Telegrafi/
Filmi shqiptar “Shame and Money” i regjisorit Visar Morina ka arritur të fitojë çmim në festivalin prestigjioz “Sundance” në kategorinë “World Dramatic Competition”.
Filmi flet për burrin e përkushtuar ndaj familjes, i cili përpiqet të sigurojë jetesën, teksa presionet financiare shtohen.
Edhe pse nëna dhe kunati i tij i ofrojnë ndihmë, pranimi i mbështetjes ia lëndon dinjitetin.
“Shame and Money” arriti të jetë në top 4 filmat e përzgjedhur për këtë çmim, në konkurrencë me 10 filma gjithsej.
Në filmin me skenar nga Morina dhe Doruntina Basha, luajnë Astrit Kabashi, Flonja Kodheli, Fiona Gllavica, Alban Ukaj, Tristan Halilaj, Kumrije Hoxha, Labinot Lajçi dhe Rebeka Qena.
Filmi pati premierë botërore në “Sundance 2026” dhe ky ishte projekti i tij i dytë i regjisorit Morina që konkurroi në këtë festival prestigjioz pas “Exile” në vitin 2020. /Telegrafi/
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka deklaruar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk ka të drejtë t’i shpallë rezultatet përfundimtare pa u konsumuar afati ligjor prej 48 orësh për paraqitjen e ankesave lidhur me administrimin e procedurave të numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).
Sipas Cakollit, legjislacioni zgjedhor e njeh shprehimisht të drejtën e subjekteve politike dhe kandidatëve për të ankimuar çdo shkelje të supozuar gjatë procesit të numërimit në QNR, brenda 48 orëve nga momenti kur ndodh shkelja e pretenduar.
Ai ka theksuar se ankimimi i procedurave në QNR përbën çështje të ligjshmërisë procedurale dhe është i dallueshëm nga ankimimi që ka të bëjë me ligjshmërinë e rezultateve përfundimtare si të tilla.
“Nuk ka asnjë fazë të procesit zgjedhor – përfshirë edhe numërimin në QNR – që të jetë e përjashtuar nga kontrolli ligjor. Çdo veprim që e bën të pazbatueshme të drejtën për ankesë përbën mohim të mjetit juridik të garantuar me ligj”, ka theksuar Cakolli.
Reagimi i tij vjen në kohën kur procesi zgjedhor po shkon drejt përmbylljes, mes debateve për ligjshmërinë e procedurave të numërimit dhe respektimin e afateve ligjore për ankesa.