Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 1 January 2026Telegrafi

Samsung po përgatit “baterinë e ëndrrave”

1 January 2026 at 19:00


Samsung, sipas mediave të huaja të teknologjisë, po punon në një teknologji të re të baterive që mund të çojë drejt krijimit të baterive me kapacitet shumë të madh për telefonat inteligjentë. Këto bateri mund të zgjasin shumë më gjatë mes ngarkimeve sesa bateritë aktuale.

Kompanitë raportohet se po testojnë bateri me një anode silicium-karboni, një material që mund të ruajë më shumë energji krahasuar me bateritë standarde litium-jon. Në teori, kjo teknologji mund të sjellë bateri me kapacitet deri në rreth 20 mijë mAh, që do të rritte ndjeshëm kohëzgjatjen e telefonit midis një ngarkimi dhe tjetrit.

Megjithatë, edhe pse rezultatet e testimeve duken premtuese, teknologjia ende nuk është gati për përdorim masiv, pasi Samsung vazhdon të përballet me sfida teknike – veçanërisht për stabilitetin afatgjatë dhe sigurinë e baterive.

Për këtë arsye, modelet e para që pritet të dalin në treg (p.sh. Galaxy S26 Ultra) nuk do të kenë një përmirësim të madh të kapacitetit të baterisë. Sipas raporteve, ato mund të kenë vetëm një rritje modestë, rreth 5200 mAh – pak më shumë se modelet aktuale.

Megjithatë, zhvillimi i kësaj teknologjie sinjalizon se në vitet e ardhshme, telefonat inteligjentë mund të ofrojnë autonomi shumë më të madhe pa pasur nevojë për ngarkime të shpeshta. /Telegrafi/

Prodhimi vendor i municionit, një nga sfidat më të mëdha por e realizuar me sukses

1 January 2026 at 18:43


Ish-ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, ka deklaruar se një nga sfidat më të mëdha, por edhe arritjet më të rëndësishme strategjike gjatë mandatit të tij, ka qenë inicimi dhe konkretizimi i industrisë së mbrojtjes në Kosovë, duke filluar me vendosjen e prodhimit vendor të municionit.

Në një intervistë për RTV Dukagjini, Mehaj ka theksuar se ky proces ka qenë kompleks dhe kërkues, por sipas tij është përmbyllur me sukses dhe me mbështetje të gjerë nga partnerë ndërkombëtarë.

“Një sfidë madhore, e cila njëkohësisht përbën edhe një ndër arritjet më të rëndësishme, ka qenë inicimi dhe konkretizimi i industrisë së mbrojtjes në Republikën e Kosovës, duke filluar me vendosjen e prodhimit vendor të municionit. Ky proces ka qenë kompleks dhe kërkues, por është realizuar me sukses. Për këtë iniciativë ekzistojnë dëshmi dhe mbështetje nga partnerë ndërkombëtarë, ministra e ish-ministra, disa prej të cilëve vazhdojnë ende të jenë pjesë e institucioneve qeveritare”, ka deklaruar Mehaj.

Sipas ish-ministrit, ky hap ka shënuar një moment të rëndësishëm drejt rritjes së vetëqëndrueshmërisë së Kosovës në fushën e mbrojtjes, duke reduktuar varësinë nga importi i municionit dhe duke krijuar bazë për zhvillimin afatgjatë të industrisë vendore të mbrojtjes, njofton Dukagjini.

Krahas inicimit të industrisë së municionit, Mehaj ka renditur edhe konsolidimin e bazës ligjore dhe institucionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës si arritje kyçe të mandatit të tij.

“Arritja jonë më e madhe gjatë drejtimit të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës ka qenë konsolidimi i plotë i bazës ligjore dhe institucionale për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Në këtë kuadër, janë miratuar dhe plotësuar ligje thelbësore, si heqja e kufizimit të numrit të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, miratimi i Ligjit për Policinë Ushtarake dhe Ligjit për Inteligjencën Ushtarake, të cilat kanë krijuar themele të qëndrueshme për funksionimin modern dhe profesional të saj”, ka thënë ai.

Mehaj, si pjesë tjetër e rëndësishme e mandatit të tij, thotë ka qenë edhe modernizimi i armatimit dhe pajisjeve ushtarake përmes marrëveshjeve shtet me shtet për të cilat ishte angazhuar personalisht.

“Një arritje e rëndësishme strategjike ka qenë gjithashtu nënshkrimi i marrëveshjeve për blerjen e pajisjeve të avancuara ushtarake, përfshirë mjetet ajrore pa pilot ‘Bajraktar’, mjetet ajrore pa pilot të tipit ‘Puma’, si dhe pajisje të tjera moderne nga shteti mik i Turqisë, përfshirë sistemet kundërtanke të tipit ‘OMTAS’. Po ashtu, janë iniciuar dhe nënshkruar marrëveshje shtet me shtet, të cilat kanë hapur rrugën për shumë blerje të mëvonshme strategjike në fushën e mbrojtjes”, ka deklaruar ish-ministri.

Ai ka përmendur gjithashtu përmirësimin e infrastrukturës ushtarake dhe kapaciteteve logjistike, duke theksuar se gjatë mandatit të tij janë siguruar prona strategjike për nevojat e ushtrisë.

Në planin operacional dhe ndërkombëtar, Mehaj ka theksuar pjesëmarrjen e FSK-së në ushtrime shumëkombëshe dhe rritjen e rolit të saj si partner i besueshëm i sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare, përfshirë edhe dërgimin e pjesëtarëve të saj në misione paqeruajtëse jashtë vendit.

Dështim total i shout me dronë për Vitin e Ri në Mal të Zi

1 January 2026 at 18:40


Shou i dronëve që u planifikua si një spektakël i madh për festimin e Vitit të Ri në qiellin mbi Qytetin e Vjetër të Budvës përfundoi në mënyrë të paharrueshme, por jo siç pritej.

Gjatë performancës që duhej të ndriçonte natën e ndërrimit të viteve, u shfaq një problem teknik, për shkak të të cilit dronët filluan të bien njëri pas tjetrit para shumë qytetarëve të mbledhur aty. Rreth 600 dronë ranë në det dhe në platformat para Kapetanisë së Portit, ndërsa pamjet e këtij momenti u shpërndanë shpejt në rrjetet sociale.

Policia e Budvës konfirmoi se ka kryer një hetim në vendngjarje dhe ka informuar Prokurorinë themelore në Kotor për incidentin. Fatmirësisht, askush nuk u plagos. Sipas informacioneve jozyrtare, dëmet materiale mund të arrijnë qindra mijëra euro.

— (@)

Ky shou me dronë u parapri nga një fishekzjarr, por arsyeja e saktë e defektit që shkaktoi rënien masive të pajisjeve teknologjike ende nuk dihet. Autoritetet lokale, përfshirë Organizatat Turistike dhe Komunën e Budvës, nuk kanë dhënë shpjegime zyrtare për shkaqet e incidentit, raporton vijesti.me.

Sipas mediave malazeze, disa pohojnë se nuk përjashtohet mundësia e ndërhyrjes së pajisjeve që pengojnë sinjalin, por këto pretendime nuk janë konfirmuar ende. Shou i dronëve, i cili duhej të ishte një nga momentet kryesore të festimeve të Vitit të Ri në Budva, përfundoi me zhgënjim për publikun dhe organizatorët.

Në fund, dronët u ngritën në disa dhjetëra metra lartësi përpara se të fillonin të binin pa kontroll në tokë dhe në det – një skenë që, sipas dëshmitarëve, vetëm me fat kaloi pa pasoja serioze për njerëzit. /Telegrafi/

Raul i thotë të gjitha: Messi është më i mirë se Ronaldo dhe Zidane

1 January 2026 at 18:32


Legjenda e Real Madridit, Raul, ka befasuar opinionin futbolldashës duke lënë mënjanë përkatësinë klubore dhe duke e shpallur Lionel Messin më të madh se ikonat e “Los Blancos”, si Cristiano Ronaldo dhe Zinedine Zidane.

Ndryshe nga shumica e figurave të lidhura fort me “Santiago Bernabeu”, të cilët zakonisht zgjedhin CR7 në debatin e përhershëm për lojtarin më të mirë të të gjitha kohërave, Raul e pranon hapur se magjia e argjentinasit ka epërsi ndaj fuqisë së portugezit, shkruan Goal.com.

Debati i përjetshëm vazhdon

Messi ka qenë për vite me radhë “makthi” i Real Madridit, ndërsa përplasjet e tij epike me Cristiano Ronaldon shënuan një epokë të tërë të futbollit botëror.

Gjatë dy dekadave, dy superyjet fituan së bashku 13 Topa të Artë, duke e çuar nivelin e shkëlqimit individual në kufij të paparë më parë.

Edhe në fillim të vitit 2026, të dy vazhdojnë të jenë aktivë. Messi ka kontratë me fituesit e MLS Cup, Inter Miami, deri në vitin 2028, ndërsa Ronaldo është i lidhur me Al-Nassr me një kontratë dyvjeçare që do ta mbajë në fushë edhe pas ditëlindjes së tij të 42-të.

Pse Messi është mbi të gjithë

Raul, i cili shënoi 323 gola në 714 paraqitje për Real Madridin, ka luajtur me disa nga futbollistët më të mëdhenj në histori, por sërish Messin e vendos në majë.

“Kam pasur fatin të luaj me lojtarë si Zidane, Cristiano, Ronaldo, Figo… por mendoj se Messi është më i miri. Ai është shumë ndryshe. I bën gjërat të duken të lehta; ato që për të tjerët duken të pamundura, ai i bën sikur po luan në rrugë me miqtë”, u shpreh Raul.

Ylli i ri që po vjen

Edhe pse Messin e konsideron më të madhin e të gjitha kohërave, Raul pranon se një tjetër produkt i akademisë legjendare La Masia mund të dominojë futbollin në të ardhmen e afërt. Ai veçon Lamine Yamal, talentin adoleshent që po thyen rekorde që nga debutimi në moshën 15-vjeçare.

Tashmë 18-vjeçar, Yamal ka fituar titullin e La Ligës dhe Kampionatin Evropian, ndërsa vitin 2025 e mbylli si i dyti në renditjen për Topin e Artë. Megjithatë, Raul paralajmëron se mbi të nuk duhet ushtruar presion i tepruar.

“Të gjithë e dimë se do të jetë një lojtar i rëndësishëm, por Lamine nuk duhet të jetë shtylla e Kombëtares së Spanjës. Ka lojtarë më me përvojë që duhet ta ndihmojnë, në mënyrë që ai të jetë protagonist pa u ndjerë i detyruar të na shpëtojë çdo ndeshje”, theksoi Raul.

A do ta arrijë Yamal madhështinë?

Për shkak të stilit të lojës dhe faktit se është majtak që kalon lehtë kundërshtarët, Yamal krahasohet vazhdimisht me Messin. Edhe pse ai përpiqet të ndërtojë rrugën e tij, është e vështirë të shmangë hijen e futbollistit më të trofeshëm në histori.

Shumë parashikojnë se Yamal mund të ndjekë hapat e Messit dhe të bëhet fitues i shumëfishtë i Topit të Artë, por për momentin, Lionel Messi mbetet i pakonkurrencë në krye, si më i madhi i të gjitha kohërave. /Telegrafi/

Shqipëria merr komandën e batalionit shumëkombësh të Rezervës Operacionale të KFOR-it për vitin 2026

1 January 2026 at 18:30


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka zhvilluar sot një takim online me efektivët e Forcave të Armatosura që shërbejnë në misione paqeruajtëse jashtë vendit. Në këtë fillimviti, Kreu i Shtetit vlerësoi lart sakrificën e ushtarakëve shqiptarë, të cilët festojnë larg familjeve për të garantuar sigurinë në pikat më të nxehta të globit.

Gjatë bisedës me oficerët dhe ushtarët, Presidenti dha një lajm të rëndësishëm për vitin që sapo ka nisur: Shqipëria do të marrë komandën e batalionit shumëkombësh të Rezervës Operacionale të KFOR-it për vitin 2026.

“Kjo është një dëshmi e qartë e përkushtimit tonë ndaj mbrojtjes kolektive dhe sigurisë në rajon,” theksoi Begaj, duke e cilësuar këtë detyrë si një arritje madhore të ushtrisë shqiptare.

Prania shqiptare në botë

Presidenti listoi hartën e gjerë të angazhimit të trupave tona, duke treguar peshën që Shqipëria ka brenda Aleancës:

Në Rajon- Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë.

Krahu Lindor i NATO-s- Letoni dhe Bullgari.

Misione Strategjike- Irak, Sinai, Deti Egje dhe Sudani i Jugut.

Mbështetje për Ukrainën- Pjesëmarrje në strukturat mbështetëse ndaj agresionit rus.

Modernizimi si prioritet

Përballë sfidave komplekse gjeopolitike, Begaj nënvizoi se nuk mjafton vetëm shtimi i trupave, por kërkohet një forcë moderne.

“Sfidat kërkojnë një Forcë të Armatosur të aftë, me kapacitete mbrojtëse moderne, profesionale dhe të ndërveprueshme me partnerët tanë,” u shpreh ai, duke premtuar vijimin e investimeve në mbrojtje.

Fjala përshëndetëse e Presidentit Begaj në takimin online me efektivët e FARSH në misione dhe operacione jashtë vendit

I nderuar Ministër,

I nderuar Shef i Shtabit të Përgjithshëm,

Gjeneralë, komandantë dhe drejtues të Forcave të Armatosura,

Mbi të gjitha, të dashur ushtarë, nënoficerë dhe oficerë,pjesëmarrës në misione dhe operacione jashtë vendit,

Është kënaqësi e veçantë për mua të jemi së bashku në këto momente për t’ju përshëndetur dhe për t’ju uruar nga zemra gëzuar festat!

Uroj që viti që vjen të jetë i mbarë dhe i begatë jo vetëm për ju, por edhe për familjet tuaja!

Atmosfera festive dhe e gëzuar kërkon të jemi së bashku. Juve ju ka gjetur larg familjeve tuaja, por me një mision tërëndësishëm: të jeni në krye të detyrës dhe në shërbim të atdheut, në shërbim të paqes, të sigurisë dhe lirisë në mbarëglobin. Ju mbani lart flamurin e Shqipërisë dhe ne ndihemi krenarë për shërbimin tuaj!

Angazhimi juaj, nga Kosova, Bosnjë dhe Hercegovinë, Bullgari, Letoni, Detin Egje, Irak, Sinai, Sudanin e Jugut dhe në strukturat për mbështetjen e Ukrainës,janë dëshmi e qartë e angazhimit dhe përkushtimit të Shqipërisë ndaj paqes dhe sigurisë jo vetëm në rajon, por edhemë gjerë.

Paqja dhe siguria nuk kanë çmim dhe garantimi tyre duhet tëjetë i domosdoshëm. Sfidat gjeopolitike dhe të sigurisë janëkomplekse dhe kërkojnë që ne t’u përgjigjemi atyre sipas kërkesave jo vetëm duke rritur kontributin, por, mbi të gjitha, me një Forcë të Armatosur të aftë, me kapacitetembrojtëse, moderne, profesionale dhe të ndërveprueshme.

Ne do të vijojmë të shtojmë kontributet tona në misione dhe operacione jashtë vendit dhe patjetër do të jemi pjesëmarrës kudo ku Aleanca të kërkojë.

Marrja e komandës së batalionit shumëkombësh të Rezervës Operacionale të KFOR-it për vitin 2026 është dëshmi e qartë e përkushtimit tonë ndaj mbrojtjes kolektive, ndaj paqes, ndajdhe sigurisë. Shpreh bindjen se drejtimi i kësaj strukture të rëndësishme do të jetë një tjetër arritje e Forcave tona të Armatosura.

Edhe një herë, ju uroj gëzuar festat, shëndet dhe mbarësi për ju dhe familjet tuaja!

Faleminderit shumë për shërbimin tuaj!

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe Forcat e Armatosura!

/RTSH/

Selvije Jao me fjalë prekëse për Shpatin: Kam ngecur në ditën kur ti ishe pranë nesh

1 January 2026 at 18:20


Selvije Jao, bashkëshortja e artistit të ndjerë Shpat Kasapi, ka zgjedhur ta kujtojë atë në një nga netët më emocionuese të vitit - natën e ndërrimit të viteve - përmes një postimi prekës në InstaStory.

Me disa fjalë të thjeshta, por thellësisht të ndjera, ajo ka shprehur dhimbjen dhe mallin që vazhdon ta shoqërojë edhe pas ndarjes nga jeta të artistit.

“Zemra nuk njeh kalendar. Unë kam ngecur në ditën kur ti ishe pranë nesh, Shpat”, ka shkruar ajo.

Foto: Instagram

Ky mesazh ka prekur ndjekësit dhe admiruesit e çiftit, të cilët kanë reaguar me komente mbështetëse dhe ngushëlluese, duke vlerësuar dashurinë dhe lidhjen e fortë që ata ndanin.

Kujtimi i Kasapit mbetet i gjallë jo vetëm përmes muzikës së tij, por edhe përmes fjalëve dhe ndjenjave që bashkëshortja e tij vazhdon të ndajë me publikun.

Nata e Vitit të Ri, që për shumëkënd simbolizon fillime të reja dhe shpresë, për Selvijen duket se ka qenë një moment reflektimi dhe mallëngjimi, duke treguar se humbja e një njeriu të dashur nuk njeh data festive apo kalendar – ajo jeton përditë në zemër. /Telegrafi/

"Safe City", ulet dukshëm numri i aksidenteve në trafik

1 January 2026 at 18:20


Periudha testuese e implementimit të sistemit “Safe City” ka ulur për 20 për qind numrin e aksidenteve dhe për 37 për qind numrin e të lënduarve nga aksidentet në trafik. Të dhënat sipas autoriteteve i referohen territorit të Shkupit, dhe krahasimi është bërë me dhjetorin e vitit të kaluar. Kryeministri, Hristijan Mickoski nënvizoi se sistemi po jep rezultate, pasi për dallim prej dhjetorit të 2024-tës ku kishte 5 viktima, në dhjetor të 2025 numri i viktimave ishte zero.

“Në Shkup, në muajin dhjetor 2024 për shkak të aksidenteve në trafik, jetën e humbën 5 persona, ndërsa këtë vit asnjë… Ose numri i përgjithshëm i personave që jetën e tyre e humbën si rezultat i aksidenteve në trafik në 2024-tën është 142 persona, ndërsa në vitin 2025 është 131. Me ulje dramatike të numrit në dhjetor, kjo nënkupton se edhe në qytetet ku është ky lloj sistemi, qytetarët vosizin me kujdes, por njësoj edhe në autostrada ku tashmë ka të instaluara pajisje të tilla”, deklaroi Hristijan Mickoki, Kryeministër.

Toshkovski tha se deputetët duhet t’i kenë parasysh këto statistika dhe pret që të gjithë 120 të votojnë ligjin për kundërvajtje, në mënyrë që sistemi “Safe City” të hyjë në fuqi plotësisht më 1 shkurt.

“Nëse qytetarët tregojnë rezultate të tilla në drejtim pozitiv vetëm në korniza të periudhës testuese unë jam i sigurt se deputetët do ta kenë këtë parasysh, që këtë lloj të sistemit të mençur, duhet ta implementojmë ashtu siç duhet, jo vetëm në korniza të testimit. Pres nga të gjithë 120 deputetët në korniza të kuvendit të votojnë pozitivisht, të kalojë ligji për kundërvajtje, sepse vetëm ai është me dy të tretat e votave, të tjerat kanë përfunduar”, tha Hristijan Mickoki, Kryeministër.

Sistemi Safe City duhej të hynte në fuqi nga sot, por i njëjti u prolongua për më 1 shkurt. Muajin e kaluar filloi periudha testuese e sistemit, ku qytetarët e Shkupit, kanë filluar të marrin sms porosi me vërejtje për shkelje të konstatuara nga kamerat e mençura. Por, implementimi mbetet peng i ligjit për kundërvajtje në trafik, për të cilin nevojiten dy të tretat e votave në Kuvend. Ndërsa përveç ligjit për kundërvajtje ka mbetur edhe Kodi Penal, për të cilin nevojitet shumicë e thjeshtë. /Alsat.mk

Disa lagje në kryeqytet mbesin pa ujë

1 January 2026 at 18:17


Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, bën të ditur se disa zona në kryeqytet kanë mbetur pa ujë të pijshëm.

Sipas njoftimit, si pasojë e një defekti në rrjetin e ujësjellësit, pa furnizim me ujë të pijshëm kanë mbetur gjysma e lagjes Hajvalia, Veterniku, Lagjja Qëndresa, konsumatorët “prapa qendrës Grand Store” dhe zona kah Rezonanca – Lagjja Premium.

“Ekipet e mirëmbajtjes janë në terren dhe po punojnë me intensitet për sanimin sa më të shpejtë të defektit. Rikthimi i furnizimit do të bëhet menjëherë pas përfundimit të punimeve”, thuhet në njoftim.

Kompania bën të ditur se ekipet e mirëmbajtjes janë në terren dhe po punojnë me intensitet për sanimin sa më të shpejtë të defektit. Rikthimi i furnizimit do të bëhet menjëherë pas përfundimit të punimeve.

​Bllokadë, akuza dhe mosfunksionalizim: Krejt çka ndodhi në Kuvend gjatë vitit 2025

1 January 2026 at 17:59


Viti 2025 u shënua si një nga periudhat më problematike për funksionimin e Kuvendit të Kosovës, duke u karakterizuar nga bllokada e vazhdueshme politike, akuza të ndërsjella mes subjekteve politike dhe mungesë e theksuar e funksionalitetit institucional. Mosfunksionalizimi i Kuvendit, vonesa në konstituimin e tij dhe dështimi për të formuar qeverinë, pamundësuan që të zgjedhurit e popullit të ushtrojnë rolin kushtetues, gjë e cila ndikoi drejtpërdrejt sipas njohësve të Kuvendit në paralizimin e institucioneve kyçe dhe në thellimin e pasigurisë politike dhe ekonomike në vend. Kuvendi dështoi po ashtu të votojë disa marrëveshje ndërkombëtare në vlerë mbi 1 miliard euro, e po ashtu si pasojë e dështimit të formimit të qeverisë nuk u votua as buxheti për vitin 2026.

Viti 2025 u shënua si një nga periudhat më problematike për funksionimin e Kuvendit të Kosovës, duke u karakterizuar nga bllokada e vazhdueshme politike, akuza të ndërsjella mes subjekteve politike dhe mungesë e theksuar e funksionalitetit institucional. Mosfunksionalizimi i Kuvendit, vonesa në konstituimin e tij dhe dështimi për të formuar qeverinë, pamundësuan që të zgjedhurit e popullit të ushtrojnë rolin kushtetues, gjë e cila ndikoi drejtpërdrejt sipas njohësve të Kuvendit në paralizimin e institucioneve kyçe dhe në thellimin e pasigurisë politike dhe ekonomike në vend. Kuvendi dështoi po ashtu të votojë disa marrëveshje ndërkombëtare në vlerë mbi 1 miliard euro, e po ashtu si pasojë e dështimit të formimit të qeverisë nuk u votua as buxheti për vitin 2026.

Megjithatë, deputetët e legjislaturës së fundit, pavarësisht se nuk patën asnjë lloj vendimmarrjeje, të njëjtit, u paguan nga buxheti i shtetit prej momentit të betimit në prill të vitit 2025, e deri në shpërndarjen e tij më 20 nëntor. Madje, 67 deputetë të legjislaturës së nëntë do të vazhdojnë të marrin pagë kalimtare për 1 vit nga legjislativi.

Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Melos Kolshi, thotë për KosovaPress se legjislatura e nëntë ka dështuar ta përmbushë rolin e saj kushtetues për përfaqësimin e qytetarëve.

Sipas tij, deputetët dhe subjektet politike kanë vënë interesat partiake dhe ato personale përpara interesit të përgjithshëm, duke e bërë legjislaturën jo vetëm të dobët, por edhe të dëmshme për vendin.

“Legjislatura e kaluar, me plot bindje, e them se ka qenë një prej legjislaturave më të dobëta që ka njohur Republika e Kosovës. Përveç që ka qenë e dëmshme, kjo legjislaturë ka qenë edhe e padobishme për shkak se qytetarët kanë dalë në zgjedhje për t’i zgjedhur deputetët dhe t’i përfaqësojnë ata. Mirëpo ndodhi krejtësisht e kundërta, ku deputetët dhe subjektet politike kanë vendosur interesin partiak apo interesat e ngushta të tyre para interesave të përgjithshme, ku Kosova u përball me shumë pasoja... Deputetët e Kuvendit të Republikës kanë të drejtë që të paguhen, edhe pse e dinë se puna e tyre ka qenë e barasvlershme me zero, apo mund të themi më poshtë se zero, pasi s’kanë arritur t’i kryejnë të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre. Paga e tyre ka filluar të rrjedhë prej momentit kur janë betuar si deputetë, pasi kështu ia lejon ligji dhe Kushtetuta. Por secila pagë e deputetit duhet të shpërblehet me punë nga ta”, thekson ai.

Në anën tjetër, Vullnet Bugaqku nga Instituti i Kosovës për Demokraci (KDI), thotë për KosovaPress se kriza politike dhe mungesa e funksionalizimit të Kuvendit ka bërë që të dështojë mbikëqyrja parlamentare ndaj ekzekutivit si dhe agjencive dhe ndërmarrjeve publike.

Ai përmend edhe ushtrimin e dyfishtë të funksioneve nga disa anëtarë të kabinetit qeveritar, të cilët vazhduan punën si ministra në detyrë, derisa ishin certifikuar edhe si deputetë të Kuvendit.

“Kemi pasur mungesë të mbikëqyrjes parlamentare, ku shumë agjenci dhe borde që kontrollohen nga Kuvendi kanë pasur vendimmarrje tejet arbitrare. Kemi pasur probleme edhe me ushtrimin e dyfishtë të funksioneve të zyrtarëve, të cilët vepronin edhe si ministra dhe deputetë. Kjo shkaktonte arbitraritet në vendimmarrjen e tyre... Vendi ka mbetur pa buxhet dhe kjo sigurisht, në rast se pas këtyre zgjedhjeve nuk rregullohet çështja e konstituimit të institucioneve, ne rrezikojmë të hyjmë edhe në një krizë financiare. Shto faktin se në rrafshin ekonomik kemi inflacion të lartë, kemi probleme me energji dhe s’kemi një qeveri legjitime që kontrollohet nga një Kuvend legjitim... Janë dhënë paga për 120 deputetë të Kuvendit të Kosovës, të cilët gjatë tërë vitit nuk e kanë kryer asnjë funksion të tyre që i takon sipas Kushtetutës. Në kuptimin e mbikëqyrjes parlamentare, hartimin dhe mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve dhe kërkimit të llogaridhënies për një qeveri e cila ka mandat të skanojë”, potencon ai.

Kolshi nga IKD thekson se moskonstituimi i Kuvendit ka bllokuar funksionimin e shumë institucioneve të pavarura që varen nga legjislativi. Ai përmend raste si Radio Televizioni i Kosovës (RTK), Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave, Avokati i Popullit, si dhe institucione të tjera që presin zgjedhjen e anëtarëve të bordeve për të funksionalizuar punën e tyre.

Sipas tij, vazhdimi i kësaj gjendjeje rrezikon që këto institucione të humbin funksionalitetin dhe të mos arrijnë të veprojnë në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën.

“Kemi pasur probleme të tjera, të cilat përfshihen ose lidhen direkt me moskonstituimin e Kuvendit. Shumë institucione presin që të zgjedhen nga Kuvendi apo anëtarët e tyre të bordeve. Rasti i RTK-së, rasti i Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave, Avokatit të Popullit dhe shumë institucioneve të tjera, të cilët presin një Kuvend të konstituar për t’i zgjedhur anëtarët dhe funksionalizuar bordet. Duke vazhduar kështu, secili nga këto institucione të pavarura rrezikon të humbë funksionin e tij dhe mos të arrijë të veprojë ashtu siç i lejon ligji dhe Kushtetuta”, shton Kolshi.

Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit të kaluar, tentoi dy herë të formojë qeverinë e re, me mandatar fillimisht liderin partiak Albin Kurti dhe më pas nënkryetarin e saj Glauk Konjufca, mirëpo të njëjtit morën vetëm 56 vota të deputetëve në Kuvend nga 61 të nevojshme.

Pas dështimit të dytë, Presidentja Osmani nxori dekretin për shpërndarjen e legjislaturës së nëntë dhe më pas caktoi datën 28 dhjetor për zgjedhjet e parakohshme./KosovaPress

Pamjet e reja tregojnë fillimin e zjarrit në barin e mbushur me njerëz në resortin e skijimit në Zvicër

1 January 2026 at 17:53


Një video e publikuar nga BBC dhe mediat ndërkombëtare ka shfaqur momentet e para të zjarrit që shpërtheu herët në mëngjes në barin “Le Constellation”, në stacionin e njohur të skive në Crans‑Montana, Zvicër.

Pamjet dramatike tregojnë flakët duke u përhapur me shpejtësi nëpër tavanin e barit të ndriçuar dobët, ndërsa më pas shfaqet ndërtesa e mbuluar nga tymi dhe zjarri.

Në fillim të videos dëgjohej ende muzika e festës dhe shihej qartë që brenda barit ndodheshin shumë njerëz që po shijonin festimin e Vitit të Ri. Vetëm pak çaste më vonë, situata u bë kaotike, pasi flakët përfshinë pjesën më të madhe të ambientit të brendshëm, duke shkaktuar panik dhe përpjekje të dëshpëruara për të shpëtuar.

Ngjarja ndodhi gjatë natës së Vitit të Ri, një nga momentet më të populluara në stacionet e skive, dhe rezultoi në dhjetëra të vdekur dhe rreth 100 të plagosur. Shumë prej të mbijetuarve kanë raportuar dëme të rënda emocionale dhe traumë pas përjetimit të këtij zjarri masiv.

Autoritetet zvicerane kanë deklaruar se zjarri ka qenë aksidental dhe kanë nisur hetime të thelluara për të përcaktuar shkakun e saktë. Sipas tyre, faktori njerëzor, instalimet elektrike ose përdorimi i pajisjeve të ndezura mund të kenë kontribuar në shpërthimin e flakëve, por asgjë nuk është konfirmuar ende.

Ky incident riktheu vëmendjen mbi sigurinë në ambiente të mbushura me njerëz gjatë festave, duke theksuar rëndësinë e protokolleve të emergjencës dhe sistemeve të alarmit në stacione dhe lokale të ngjashme. Shumë ekspertë të sigurisë kanë theksuar se një aksident i tillë mund të shmanget nëse respektohen standardet e sigurisë dhe kontrollohen rregullisht pajisjet elektrike dhe sistemet kundër zjarrit.

Ngjarja tragjike në Crans‑Montana mbetet një paralajmërim serioz për menaxherët e ambienteve publike dhe autoritetet, duke treguar sa shpejt një festë mund të shndërrohet në një tragjedi kur zjarri përhapet në një hapësirë të mbushur me njerëz. /Telegrafi/

The moment fire in Swiss ski resort breaks out on New Year’s Eve.

The fire has left dozens of people feared dead and more than 100 injured pic.twitter.com/6tsZH5uVcZ
— Sky News (@SkyNews) January 1, 2026

Çfarë ju tregojnë shqetësimi dhe nervozizmi i brendshëm gjatë festave

1 January 2026 at 17:40


Kur pritshmëritë, lodhja emocionale dhe mungesa e kufijve dalin në sipërfaqe pikërisht atëherë kur “duhet” të pushojmë

Festat shpesh shihen si një periudhë qetësie, afrimiteti dhe pushimi. Megjithatë, për shumë njerëz ato shoqërohen me një ndjenjë të brendshme shqetësimi, nervozizmi dhe lodhjeje emocionale që bie ndesh me idenë e asaj që “duhet” të ndodhë. Kur gjithçka rreth nesh flet për gëzim dhe relaks, ndërsa brenda ndjejmë tension, lind edhe një ndjenjë faji pse nuk po e përjetojmë këtë kohë “siç duhet”.

Nëse e keni vënë re këtë tek vetja, është e rëndësishme të dini se nuk jeni të vetmit. Dhe mbi të gjitha, kjo ndjenjë nuk është shenjë dobësie, por një sinjal i rëndësishëm.

Kur pushimi nuk sjell qetësi

Në aspektin psikologjik, shqetësimi gjatë festave nuk është rastësor. Kjo periudhë ndërpret rutinën e zakonshme dhe ndryshon strukturën e ditës. Kur angazhimet profesionale zbehen, mbeten hapësira ku mendja dhe trupi nuk kanë më ku të fshihen pas detyrimeve të përditshme. Pikërisht atëherë dalin në sipërfaqe ndjenjat që gjatë vitit janë shtyrë anash: lodhja e akumuluar, pakënaqësia e pashprehur, nevoja për pushim të vërtetë.

Shpesh, festat sjellin një paradoks të brendshëm. Nga njëra anë dëshironi të ngadalësoni, të jeni më të pranishëm, të pushoni. Nga ana tjetër, shtohen pritshmëritë: takime, vizita, organizime, përgjegjësi emocionale. Kjo krijon një konflikt mes asaj që dëshironi dhe asaj që ndjeni se duhet të bëni, duke e kthyer pushimin në burim tensioni, transmeton Telegrafi.

Nervozizmi si sinjal i mbingarkesës së brendshme

Nervozizmi që shfaqet gjatë festave rrallë lidhet me njerëzit përreth. Ai më shpesh buron nga presioni i brendshëm për të qenë i mjaftueshëm, i disponueshëm dhe i fortë për të gjithë. Frika për të mos zhgënjyer, vështirësia për të thënë “jo” dhe ndjenja se pushimi duhet merituar, rrisin ngarkesën emocionale.

Trupi e përjeton këtë presion në mënyrë shumë konkrete. Tension në kraharor, ngurtësi në qafë, lodhje e vazhdueshme, irritim i shpejtë ose ndjesi shqetësimi pa arsye të qartë janë shenja të një sistemi nervor që mbetet në gjendje vigjilence. Edhe kur rrethanat duken të qeta, trupi nuk arrin të relaksohet, sepse ka mësuar se qetësia nuk është gjithmonë e sigurt.

Për ta përballuar këtë gjendje, shumë njerëz zgjedhin aktivitetin e vazhdueshëm. Organizimi, gatimi, pastrimi dhe planifikimi sjellin një ndjenjë kontrolli. Kur lodhja bëhet e madhe, vjen nevoja për shpërqendrim përmes telefonit, ushqimit, serialeve apo alkoolit. Këto janë strategji të kuptueshme vetërregullimi, por ato e qetësojnë vetëm përkohësisht shqetësimin.

Çfarë ndihmon realisht kur ritmi ndalet

Nga këndvështrimi psikologjik, shqetësimi dhe nervozizmi gjatë festave tregojnë se nevoja për pushim dhe kujdes ndaj vetes është shtyrë prej kohësh. Festat thjesht e bëjnë këtë mungesë më të dukshme. Për këtë arsye, ndalimi dhe ngadalësimi shpesh shoqërohen me rezistencë. Nëse ndalimi ju duket i pakëndshëm, kjo mund të jetë shenjë se trupi nuk është mësuar të relaksohet pa ndjerë faj ose ankth.

Ajo që ndihmon nuk është organizimi edhe më i mirë, por thjeshtimi. Vendosja e kufijve të butë, rikthimi i gjumit të rregullt, momentet e vogla qetësie pa produktivitet, shkëputja nga zhurma digjitale dhe pranimi se nuk keni pse të jeni gjithmonë të disponueshëm, janë hapa të rëndësishëm drejt rregullimit të brendshëm.

Shqetësimi dhe nervozizmi gjatë festave nuk janë diçka që duhet shtypur ose injoruar. Ato janë mesazhe. Tregojnë se ritmi, pritshmëritë ose mënyra se si kujdeseni për veten kanë nevojë për rishikim. Kur filloni t’i dëgjoni këto sinjale, festat mund të shndërrohen nga burim tensioni në një mundësi për të ndërtuar një marrëdhënie më të shëndetshme me pushimin, qetësinë dhe veten tuaj. /Telegrafi/

Nikolloski: Në vitin 2026 po hyjmë me më shumë projekte për Maqedoninë

1 January 2026 at 17:40


Zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski, uron Vitin e Ri 2026, duke thënë se “po hyjmë në vitin e ri me një ritëm të shtuar dhe më shumë projekte për Maqedoninë”.

Ai e ka konsideruar vititn 2025 si vit të suksesshëm.

“Hidhini një vështrim prapa në vitin e madhërishëm 2025, me shumë projekte të filluara dhe të përfunduara. Po hyjmë në vitin e ri 2026 me një ritëm të shtuar dhe më shumë projekte për Maqedoninë! Gëzuar, lumturi dhe gëzim të madh në vitin 2026”, shkroi zëvendëskryeministri Nikolloski në Facebook.

Enver Petrovci, Shpat Kasapi dhe Shemi - të famshmit shqiptarë që vdiqën gjatë vitit 2025

1 January 2026 at 17:28


Viti 2025 në shoubizin shqiptar ka qenë i mbushur me emocione, nga rikthime të bujshme dhe koncerte madhështore, deri te polemikat dhe skandalet që mbajtën publikun në ankth.

Por ndër të gjitha ngjarjet që shënuan vitin janë humbjet e disa prej personazheve të famshëm.

Ky vit na kujton se jeta artistike nuk është vetëm spektakël dhe dritë skenash, por edhe përballje me humbje dhe boshllëqe që lënë një mungesë të ndjeshme në kulturën tonë.

Figura të njohura dhe të dashura nga publiku shqiptar si Enver Petrovci, Shpat Kasapi dhe Shemsi Krasniqi – Shemi u ndanë nga jeta gjatë vitit të kaluar.

Secili prej tyre la pas një trashëgimi të pasur artistike, me kontribute që shtrihen në muzikë, teatër dhe ekran, dhe secili ndikoi në mënyrë të veçantë në formësimin e skenës kulturore shqiptare.

Enver Petrovci

Enver Petrovci

Enver Petrovci, aktori i shquar dhe figura e njohur e skenës dhe ekranit shqiptar, ndërroi jetë më 22 shtator 2025, në moshën 71-vjeçare.

Një karrierë e gjatë dhe e pasur e ndau Petrovcin nga shumë breza, duke u shquar për rolet e tij të paharrueshme në teatër, film dhe televizion.

Ai ishte një mjeshtër i dramës, i aftë të interpretonte si në repertor klasik, ashtu edhe në rolet moderne, duke lënë gjithmonë një gjurmë të fuqishme tek publiku dhe kritikët.

Enver Petrovci

Petrovci u nderua për profesionalizmin dhe përkushtimin e tij ndaj artit, duke u shfaqur në shumë produksione të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare.

Prezenca e tij në skenë ishte gjithmonë imponuese dhe aftësia e tij për të hyrë në karakterin e roleve të ndryshme bëri që ai të konsiderohej një nga aktorët më të mëdhenj shqiptar.

Humbja e tij është një humbje e thellë për teatrot, ekranin dhe kulturën shqiptare në përgjithësi.

Shpat Kasapi

Shpat Kasapi

Shpat Kasapi, këngëtari i njohur nga Tetova, ndërroi jetë më 26 nëntor 2025 në moshën 40-vjeçare si pasojë e një sulmi në zemër.

Ai ndodhej në Itali, së bashku me partneren e tij, Selvije Jaon dhe djalin Roelin, kur vdekja e tij e papritur tronditi familjen, fansat dhe gjithë komunitetin muzikor.

Kasapi ishte një nga zërat më të dashur të muzikës shqiptare të brezit të ri dhe të mesëm.

- YouTube www.youtube.com

Karriera e tij muzikore filloi që në adoleshencë dhe ai shquhej për stilin e veçantë të interpretimit, kombinimin e muzikës me elemente moderne dhe fuqinë emocionale që transmetonte në secilën këngë.

Hitet e tij u dëgjuan jo vetëm në Shqipëri dhe Kosovë, por edhe më gjerë, duke e bërë Shpatin një emër të njohur në komunitetet shqiptare jashtë vendit.

Gjatë viteve, ai arriti të ndërtojë një repertor të pasur me këngë që preknin tema të dashurisë, jetës dhe emocioneve të përditshme.

Ndër hitet më të njohura të tij mbeten: “Valle kosovare”, “Axhamiu”, “S’e pranon”, “Kush të ndau prej meje” etj.

- YouTube www.youtube.com

Humbja e tij papritur është një goditje e madhe për muzikën shqiptare, duke lënë një boshllëk që do të ndihet për shumë vite.

Shemsi Krasniqi - Shemi

Shemsi Krasniqi - Shemi

Shemsi Krasniqi, i njohur si Shemi, këngëtari i grupit të famshëm “Ilirët”, u nda nga jeta më 22 dhjetor 2025 në moshën 64-vjeçare.

Ai u gjet pa shenja jete në banesën e tij në Prishtinë, dhe raportohet se shkaku i vdekjes ishte një sulm në zemër.

Shemi ishte një nga figurat më të dashura të muzikës shqiptare, duke u shquar për zërin e tij të veçantë dhe energjinë që transmetonte në çdo performancë.

Me grupin “Ilirët”, ai solli hite që u dëgjuan dhe u kënduan ndër breza, duke lënë gjurmë të paharrueshme në muzikën popullore dhe moderne.

- YouTube www.youtube.com

Kontributi i tij nuk ishte vetëm në këngë, por edhe në mënyrën se si grupi formoi stilin dhe identitetin e muzikës së kohës.

Humbja e Shemit shënon një kapitull të trishtë në historinë e muzikës shqiptare dhe lë pas një trashëgimi artistike të çmuar.

Viti 2025 në shoubizin shqiptar ishte një vit i përzier emocionesh: nga rikthimet dhe performancat e bujshme te polemikat dhe skandalet, por edhe humbjet që lanë boshllëk të madh në art dhe kulturë.

Ikonat Enver Petrovci, Shpat Kasapi dhe Shemsi Krasniqi – Shemi nuk janë më mes nesh, por veprimtaria e tyre, talenti dhe ndikimi që kanë pasur do të mbeten të paharrueshme për publikun shqiptar. /Telegrafi/

Fillimviti me acar në Kosovë, IHMK: Temperatura në Vërbicë të Gjilanit -15°C

1 January 2026 at 17:26


Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se gjatë orëve të mëngjesit të së enjtes, më 1 janar 2026, janë regjistruar temperatura minimale shumë të ulëta në disa zona të vendit, duke shënuar një nga ditët më të ftohta të këtij dimri.

Sipas të dhënave zyrtare deri në orën 14:00, temperatura më e ulët e ditës është regjistruar në Vërbicë të Zhegocit, në Komunën e Gjilanit, ku termometri ka zbritur në -15°C.

Temperatura tejet të ulëta janë shënuar edhe në zona të tjera, përfshirë:

Podujevë -13.6°C
Brezovicë -13.1°C
Kërpimeh -12.9°C
Batllavë -12.6°C
Pollatë dhe Rogoqicë -12.4°C
Bilinicë -12.0°C
Kamenicë -11.9°C
Komoran -11.6°C
Përlapnica -11.6°C
Skenderaj -11.3°CBajgorë dhe Kijevë -11.4°C

Edhe qytetet kryesore janë përballur me temperatura të ulëta, ku në Prishtinë janë matur -8.3°C, në Prizren -9.0°C, në Ferizaj -10.2°C, në Pejë -8.2°C, në Gjilan -9.7°C, ndërsa në Mitrovicë -9.8°C.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka apeluar për kujdes të shtuar, sidomos për drejtuesit e automjeteve dhe qytetarët në zonat malore dhe rurale, për shkak të ngricave dhe kushteve të vështira atmosferike që po mbizotërojnë në vend.

Sipas parashikimeve, moti i ftohtë pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim, me temperatura që do të mbesin nën zero në pjesën më të madhe të territorit të Kosovës.


“Talenti që posedon Kosova i padiskutueshëm”, Dardan Shabanhaxhaj i hapur ta veshë fanellën dardane, komenton edhe formën te Rubin Kazani

1 January 2026 at 17:23


Kosova ka bërë një progres të madh nën drejtimin e Franco Fodas dhe kanë fuqinë për të bërë diçka të madhe, kështu ka deklaruar ylli i Rubin Kazanit Dardan Shabanhaxhaj në një intervistë ekskluzive për Telegrafin.

Shabanhaxhaj është bërë i padiskutueshëm në formacionin e Rubin Kazanit këtë edicion, ku ka zhvilluar 23 paraqitje, për të kontribuar me dy gola e dy asistime.

24-vjeçari në një intervistë për Telegrafi thotë se puna e madhe ka ndikuar që të arrijë në këtë pikë.

“Falë shëndetit të mirë, punës së pandalur dhe përkushtimit maksimal, kam arritur të jem aty ku jam sot. Çdo hap ka qenë rezultat i sakrificës dhe besimit në veten time”.

Edhe pse lojtari nga Kosova po kalon formë të mirë, Rubin Kazani ndodhet në mesin e tabelës. Ai e pranoi se objektivi gjithnjë është titulli, por kësaj radhe kanë për qëllim vetëm ta mbarojnë edicionin në top pesë.

“Synimet e skuadrës janë të qarta: Premier Liga e Rusisë. Megjithatë, si Rubin Kazan, objektivi ynë real dhe afatshkurtër është të renditemi në pesëshen e parë dhe të ndërtojmë një ekip konkurrues për të ardhmen”.

Dardan ShabanHaxhaj

Te Rubin Kazani përpos Shabanhaxhaj luajnë edhe mesfushori i Kosovës Veldin Hoxha, si dhe sulmuesi i Shqipërisë Mirlind Daku.

I pyetur se si po kalon me ta, Shabanhaxhaj deklaroi se po provojnë ta ndihmojnë Veldinin që ta mësojë sa më mirë gjuhën shqipe.

“Padyshim është një ndjenjë shumë e mirë të kesh shqiptarë pranë vetes, dhe fatmirësisht jemi tre. Sa i përket komunikimit, me Veldinin përpiqemi vazhdimisht dhe ai tregon dëshirë të madhe për të mësuar gjuhën shqipe”.

Dardan ShabanHaxhaj dhe Mirlind Daku kur ishin pjesë e Mura

“Kalojmë shumë kohë së bashku, sidomos në hotele dhe gjatë udhëtimeve, gjë që e bën edhe më të lehtë këtë proces dhe forcon lidhjen mes nesh”.

Shabanhaxhaj në fundin e muajit nëntor rinovoi me Rubin Kazanin pavarësisht ofertave të ndryshme, por konfirmoi se ka dëshirë që të ndryshojë kampionat në të ardhmen e afërt.

“Po, ka pasur disa oferta, përfshirë edhe një nga Qiproja. Megjithatë, ato nuk përmbushnin kushtet dhe vizionin që Rubin Kazan ofron, veçanërisht në aspektin profesional dhe material”.

“Dëshira për një hap të ri ka qenë gjithmonë prezente, por mbetem me shpresë dhe besim se shumë shpejt do të vijë momenti i duhur për një angazhim të ri, aty ku mund të jap maksimumin tim”.

Dardan ShabanHaxhaj

Shabanhaxhaj në nivelin ndërkombëtar ka përfaqësuar Austrinë, por ka të drejtë të luajë për Kosovën ose Shqipërinë, meqenëse ka luajtur vetëm në grupmoshat U21.

Ai dha lëvdata të mëdha për përforcimin e Kosovës nën drejtimin e Fodas, ndërsa beson se “Dardanët” mund të kualifikohen në Botërorin 2026.

“Si çdo sportist dhe qytetar, i kam ndjekur me vëmendje si Kombëtaren e Shqipërisë ashtu edhe atë të Kosovës. Megjithatë, zemra ime ndalet te Kosova”.

“Franco Foda ka krijuar një klimë shumë pozitive brenda ekipit dhe talenti që posedon Kosova është i padiskutueshëm. Kjo u dëshmua edhe në ndeshjet e kualifikuesve për Botëror, ku shihet qartë progresi dhe rruga që kemi bërë”.

Dardan ShabanHaxhaj

“Play-offi? Edhe pse dy ndeshjet e fundit janë shumë të vështira, besoj fuqishëm se ekipi ka potencialin të bëjë diçka të madhe”.

Shabanhaxhaj pranoi se është i hapur për ta përfaqësuar ndonjërën kombëtare, por fillimisht i duhet të bëjë paraqitje të mira me Rubin Kazanin.

“Sinqerisht, jam shumë i fokusuar te fillimi i sezonit pranveror dhe te paraqitje ime me Rubin Kazan. Besoj se paraqitjet e mia do të flasin vetë dhe më pas është në dorën e ndonjërës Federatë që të më ftoj, kuptohet dëshira tek unë është e madhe”, përfundoi ai për Telegrafin.

Dardan ShabanHaxhaj kur ishte pjesë e Kosovës U16

Përndryshe, Shabanhaxhaj e di si është të veshësh fanellën e Kosovës, pasi ishte pjesë e grupmoshës U16./Telegrafi

Si të largoni aromat e pakëndshme të ushqimit dhe duhanit pas kallaballëkut në shtëpi

1 January 2026 at 17:13


Zgjidhje të thjeshta për freski natyrale pasi shtëpia ka qenë plot

Pas ditëve me shumë mysafirë dhe qëndrimeve të gjata në ambiente të mbyllura, shtëpia shpesh mbetet e mbushur me aroma të forta ushqimi dhe erë tymi cigaresh, të cilat mund të qëndrojnë gjatë në ajër dhe në tekstile.

Megjithatë, këto erëra të pakëndshme mund të largohen me disa metoda të thjeshta dhe efektive.

Ajrosni gjatë gatimit

Një nga këshillat më praktike që rekomandojnë ekspertët e Homes & Gardens është i ashtuquajturi “rregulli i kuzhinës së hapur”. Ky ritual i vogël ajrosjeje ndihmon që ajri të mbetet më i pastër edhe kur gatuhet për shumë persona.

Ideja është të hapni dritaren për pak minuta sa herë që hapni furrën, sidomos kur përgatisni ushqime me aromë intensive. Në këtë mënyrë, avulli dhe aromat e nxehta dalin jashtë para se të përthithen nga ambienti dhe mobiliet.

Kjo teknikë është veçanërisht e dobishme në periudha kur ajrosja bëhet më rrallë, por edhe ajrosja e shkurtër mund të reduktojë ndjeshëm aromat e rënda në banesë.

Freskim natyral i ajrit pas gatimit

Ushqimet me aromë të fortë mund të mbeten gjatë në ajër, sidomos kur gatuhet për shumë mysafirë. Për t’i neutralizuar, mund të përdorni një metodë të thjeshtë dhe natyrale.

Zieni ujë me limon ose portokall dhe shtoni erëza si kanellë apo anis. Aroma e këndshme që përhapet në shtëpi ndihmon në neutralizimin e erërave të rënda dhe krijon një ndjesi freskie dhe pastërtie, transmeton Telegrafi.

Ajrosni të gjitha hapësirat

Një këshillë bazike, por shpesh e nënvlerësuar, është ajrosja e rregullt e dhomave. Ajri i freskët ndihmon në largimin e shpejtë të aromave që krijohen nga gatimi, duhani apo prania e shumë personave në një hapësirë.

Edhe hapja e dritareve për pak minuta në të gjitha dhomat mund të sjellë një ndryshim të ndjeshëm në cilësinë e ajrit.

Si të hiqni erën e duhanit nga tekstilet dhe mobiliet

Era e tymit të duhanit është veçanërisht e qëndrueshme, sepse grimcat ngjiten pas perdeve, qilimave dhe mobilieve të veshura me tekstil.

Ekspertët rekomandojnë pastrim të thellë të këtyre sipërfaqeve. Spërkatja e sodës së bukës mbi divane, tapete dhe qilima, dhe lënia e saj për disa orë para pastrimit me fshesë elektrike, ndihmon në thithjen e aromave të pakëndshme.

Nxjerrja e jastëkëve, jorganëve dhe tekstileve të tjera në ajër të hapur ndihmon gjithashtu në largimin e aromave, falë ventilimit natyror dhe rrezeve UV.

Për pastrim shtesë të hapësirave, mund të përdorni edhe uthull të bardhë, e cila neutralizon në mënyrë efektive aromat e forta.

Nëse në shtëpi përdorni sistem ventilimi ose pastrues ajri, ndërrimi i rregullt i filtrave është shumë i rëndësishëm. Edhe pse filtrat nuk i largojnë të gjitha aromat, ata përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e ajrit kur kombinohen me ajrosjen dhe pastrimin e rregullt. /Telegrafi/

Rifillon numërimi i votave për kandidatë në 11 komuna

1 January 2026 at 17:01


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se të enjten, më 1 janar 2026, në ora 16:00, ka rifilluar procesi i verifikimit të rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime, si dhe numërimi i votave të kandidatëve për deputetë në 11 komuna të Kosovës.

Procesi ka rifilluar në Qendrat Komunale të Numërimit në komunat: Prishtinë, Pejë, Prizren, Podujevë, Mitrovicë e Jugut, Gjakovë, Malishevë, Lipjan, Gjilan, Ferizaj dhe Suharekë.

Sipas KQZ-së, deri më tani janë procesuar mbi 2,009 nga gjithsej 2,557 vendvotime, apo më shumë se 78.57% e tyre, nga të gjitha Qendrat Komunale të Numërimit në nivel vendi.

Ndërkohë, 27 komuna me gjithsej 1,033 vendvotime i kanë përmbyllur aktivitetet e numërimit deri të mërkurën, më 31 dhjetor 2025, në ora 12:00. Këto komuna janë: Mamushë, Shtërpcë, Junik, Hani i Elezit, Kllokot, Partesh, Mitrovicë e Veriut, Novobërdë, Zveçan, Viti, Zubin Potok, Ranillug, Dragash, Istog, Obiliq, Gllogoc, Deçan, Shtime, Klinë, Kamenicë, Fushë Kosovë, Leposaviq, Graçanicë, Vushtrri, Rahovec, Skënderaj dhe Kaçanik.

KQZ ka bërë të ditur se pas përfundimit të numërimit të çdo vendvotimi, të dhënat po transmetohen në platformën zyrtare për publikimin e rezultateve zgjedhore./Telegrafi/


Zgjedhja e Avokatit të Popullit, Mickoski paralajmëroi takime me deputetët dhe grupet parlamentare për shumicën e Badenterit

1 January 2026 at 17:00


Kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëronnë periudhën e ardhshme takime me deputetët dhe grupet parlamentare me qëllim që të zgjidhet çështja me zgjedhjen e Avokatit të Popullit, për të cilën kërkohet shumica e Badenterit.

“Do të bisedojmë me disa deputetë dhe grupe parlamentare për të kapërcyer këtë problem. Vlerësojmë se duhet të kapërcehet sepse është pjesë e Raportit që po përgatit Komisioni Evropian për përparimin e Maqedonisë si shtet. Dhe nëse të gjithë duam të ecim përpara, nëse të gjithë kemi dëshirë ta shohim vendin si pjesë të barabartë brenda Bashkimit Evropian, atëherë nuk shoh asnjë arsye pse një zgjidhje e tillë të mos mbështetet dhe e gjithë kjo të mos përfundojë”, deklaroi sot Mickoski gjatë një vizite në Kavadar.

Pas daljes në pension të Avokatit të Popullit të deritanishëm Naser Ziberi, Komisioni Parlamentar për Zgjedhjet dhe Emërimet propozoi Faton Selamin si Avokat të Popullit, por ai nuk mundi të votohet sepse nuk kishte mjaftueshëm deputetë për të votuar sipas Badinterit, pra mungonin votat nga Fronti Evropian i udhëhequr nga BDI.

Rumania dhe Kroacia blejnë armë nga Amerika për Ukrainën

1 January 2026 at 16:56


Rumania dhe Kroacia kanë njoftuar zyrtarisht se do të bashkohen në programin e NATO-s PURL, një iniciativë për blerjen e armëve nga Shtetet e Bashkuara për të mbështetur Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit.

Ky program synon të sigurojë pajisje ushtarake dhe armë moderne për ushtritë e vendeve anëtare të NATO-s që mbështesin Ukrainën, duke rritur kapacitetin mbrojtës dhe efektivitetin e tyre në terren.

Sipas njoftimit, Rumania dhe Kroacia do të blejnë armë me vlerë 80 milionë dollarë për dërgesën e parë, duke përfshirë armë të ndryshme që mund të përdoren në frontin ukrainas.

BREAKING:

Romania and Croatia announce that they are joining the NATO PURL program of buying weapons from USA for Ukraine.

The two countries will buy weapons for $80 million in the first batch 🇷🇴🇭🇷🇺🇸🇺🇦 pic.twitter.com/0ZTZmp7VPa
— Visegrád 24 (@visegrad24) December 31, 2025

Ky vendim vjen si pjesë e përpjekjeve të koordinuara të NATO-s dhe aleatëve perëndimorë për të forcuar mbrojtjen e Ukrainës dhe për të treguar angazhimin e tyre të vazhdueshëm ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të saj.

Ekspertët ushtarakë shprehin se blerja e këtyre armëve nga dy vendet mund të ketë një ndikim të konsiderueshëm në rritjen e kapaciteteve të Ukrainës për të përballuar presionin ushtarak dhe për të mbrojtur qytetarët e saj.

Ky është gjithashtu një mesazh i qartë i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe i solidaritetit të NATO-s ndaj situatës së tensionuar në rajonin e Europës Lindore.

Në fakt, bashkimi i këtyre dy vendeve në këtë program nënvizon edhe rolin aktiv të Rumanisë dhe Kroacisë si anëtare të NATO-s që kontribuojnë drejtpërdrejt në stabilitetin dhe sigurinë rajonale. /Telegrafi/

Trajneri që po befason në garat ndërkombëtare është favorit kryesor të marr drejtimin e Chelseat

1 January 2026 at 16:47


Enzo Maresca nuk është më trajner i Chelseat. Bordi i klubit londinez është ndarë nga trajneri italian, më pak se dy vjet pasi ai kishte nënshkruar një kontratë pesëvjeçare.

Vendimi ka ardhur pas një serie prej tri ndeshjesh pa fitore, si dhe për shkak të një marrëdhënieje të tensionuar mes Marescës dhe menaxhmentit të klubit, raportojnë mediat britanike.

Sipas burimeve angleze dhe ndërkombëtare, favoriti kryesor për ta pasuar Marescën është Liam Rosenior, trajneri 41-vjeçar anglez që aktualisht drejton Strasburgun. Dy klubet kanë të njëjtët pronarë, çka e bën një lëvizje të mundshme më të lehtë për t’u realizuar.

I pari në Ligën e Konferencës

Rosenior mori drejtimin e Strasburgut në fillim të sezonit të kaluar dhe e udhëhoqi ekipin drejt vendit të shtatë në Ligue 1 – pozitë që klubi e mban edhe pas 16 xhirove të sezonit aktual.

Në Ligën e Konferencës, Strasburgu shkëlqeu duke e përfunduar fazën e ligës në vendin e parë, me 16 pikë nga maksimumi i mundshëm prej 18.

Karrierën si trajner, Rosenior e nisi në vitin 2022 si trajner i përkohshëm i Derby County, ku drejtoi ekipin për 12 ndeshje. Më pas, nga nëntori 2022 deri në maj 2024, ai ishte në krye të Hull City.

Si futbollist, Rosenior ka mbi 15 vjet përvojë në Ligën Premier dhe Championship, duke luajtur për Fulham, Reading, Ipswich, Hull City dhe Brighton. /Telegrafi/

❌
❌