Gjashtë persona u plagosën me thikë, teksa dy prej tyre ndodhen në gjendje kritike, gjatë një demonstrate të komunitetit kurd në qytetin e Antwerpit në Belgjikë, mbrëmjen e së enjtes.
Ngjarja ndodhi pranë sheshit ‘Opera’, ku rreth 50 protestues ishin mbledhur për të kërkuar mbrojtje për kurdët që jetojnë në verilindje të Sirisë. Sipas policisë, protesta kishte qenë fillimisht paqësore.
Demonstrata nisi rreth orës 18:00 (me orën lokale) dhe po i afrohej fundit, kur situata u përshkallëzua rreth orës 19:20. Katër nga të plagosurit u gjetën pranë sheshit Opera, ndërsa dy të tjerë u lokalizuan në zona të afërta, përkatësisht në Rooseveltplaats dhe në rrugën Sint-Elisabethstraat. Të gjashtë personat kishin plagë të shkaktuara nga thika.
Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur oficerët e policisë neutralizojnë një të dyshuar, ndërsa në vendngjarje shihen flamuj kurdë dhe të PKK-së. Zëdhënësi i Policisë së Zonës së Antwerp-it, Wouter Bruyns, bëri të ditur për median belge ‘De Morgen’ se dy persona janë arrestuar. Sipas hetimeve fillestare, të dyshuarit ishin përzier mes protestuesve gjatë tubimit.
Forcat e policisë ndodhen tashmë në vendngjarje për të monitoruar demonstratën dhe arritën të ofrojnë ndihmën e parë menjëherë pas incidentit, deri në mbërritjen e ambulancave. Autoritetet nuk kanë dhënë ende informacion mbi identitetin apo motivet e mundshme të të dyshuarve.
“Një hetim i plotë po zhvillohet në vendngjarje, përfshirë analiza forenzike. Policia po u kërkon me këmbëngulje kalimtarëve të largohen nga zona”, deklaroi Bruyns, duke shtuar se për momentin nuk mund të ndahen detaje të tjera.
Organizatorët e protestës thanë se tubimi kishte qenë paqësor deri në momentin kur shpërtheu dhuna. Orhan Kilic, zëdhënës i organizatës kurde NavBel, e cilësoi sulmin si të motivuar politikisht. “Kjo lidhet drejtpërdrejt me çështjen kurde dhe me sulmet xhihadiste ndaj kurdëve në Siri. Është qartësisht e motivuar politikisht”, tha Kilic për DeMorgen. “Prej kohësh shohim organizata dhe individë me frymëzim islamik që na sulmojnë verbalisht, dhe tani duket se kjo ka kaluar edhe në dhunë fizike”.
Ndërkohë, tensionet në verilindje të Sirisë janë rritur ndjeshëm muajt e fundit. Forcat Demokratike Siriane (SDF), të udhëhequra nga kurdët dhe aleate kryesore të SHBA-së në luftën kundër ISIS-it, po përballen me sulme të intensifikuara nga forcat e qeverisë siriane. SDF kontrollon territore të rëndësishme dhe të pasura me naftë, gjë që e bën rajonin strategjik dhe konfliktin edhe më të ndërlikuar.
Autoritetet belge kanë deklaruar se hetimet do të vazhdojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar nëse sulmi ka qenë i organizuar apo i lidhur me tensionet politike dhe etnike ndërkombëtare.
Bashkimi Evropian ka dhënë kontributin e parë financiar prej 10 milionë eurosh për të mbështetur Tribunalin Special, i cili po krijohet për të hetuar dhe gjykuar krimet e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.
Ky tribunal po ngrihet nën kujdesin e Këshillit të Evropës.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, e njoftoi financimin mbrëmjen e sotme gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes me Këshillin e Evropës.
“BE-ja ka dhënë 10 milionë euro të parat për një Tribunal të ri Special për të ndjekur penalisht udhëheqësit rusë për rolin e tyre në luftën e Moskës kundër Ukrainës. Udhëheqësit e Rusisë janë përgjegjës për këtë luftë dhe ata duhet të mbajnë përgjegjësi. Nuk mund të ketë pandëshkueshmëri,” tha Kallas.
Ky njoftim vjen pas kritikave të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos, ku ai qortoi partnerët ndërkombëtarë për ritmin e ngadaltë në drejtimin e drejtësisë ndaj Vladimir Putin dhe për dënimin e krimeve të luftës ruse kundër Ukrainës.
Tribunali Special u krijua përmes një marrëveshjeje të nënshkruar në qershor 2025 mes Ukrainës dhe Këshillit të Evropës në Strasburg. Ai synon të sigurojë që udhëheqësit rusë të mbajnë përgjegjësi për agresionin dhe krimet e kryera gjatë luftës.
Një aksident i rëndë ka ndodhur ditën e sotme në Itali, ku ka humbur jetën një 20-vjeçar shqiptar.
Viktima është identifikuar si Klaudio Gjoka, ndërsa sipas mediave italiane, shkak u bë një përplasje midis një kamioni dhe një veture tip “Audi” që po drejtohej nga i riu shqiptar, raporton Tch.
Zjarrfikësit e Saluzzos, të cilëve iu desh të nxirrnin djalin, karabinierët dhe shërbimet e urgjencës shëndetësore ishin në vendngjarje, informon media italiane.
Të enjten, Shtëpia e Bardhë ka vazhduar gjuhën e ashpër ndaj ish-hetuesit të posaçëm dhe ish-kryeprokurorit të Dhomave të Specializuara, Jack Smith.
Në një lëvizje të pazakontë, zyra e presidentit publikoi në llogarinë zyrtare në Facebook një fotografi të Smithit pa ngjyra, shoqëruar vetëm me një fjalë të shkruar me të kuqe: “I ÇMENDUR”,
Jack Smith, i cili ka ndjekur pa sukses penalisht ish-presidentin Donald Trump, u shpreh të enjten para një paneli të Dhomës së Përfaqësuesve se Shtëpia e Bardhë “po kërkonte mënyra për të qëndruar në pushtet” pas humbjes në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
Presidenti rus, Vladimir Putin, filloi të enjten vonë një takim me tre emisarët amerikanë për të diskutuar një plan rreth përfundimit të luftës në Ukrainë, tha Kremlini.
Amerikanët Steve Witkoff dhe Jared Kushner ishin të shoqëruar edhe nga Josh Gruenbaum, i emëruar rishtazi nga presidenti Donald Trump si këshilltar i lartë në Bordin e Paqes, i cili e ka për detyrë ndaljen e konflikteve ndërkombëtare, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Putini u përshëndet me emisarët amerikanë pak para mesnatës në Moskë, pasi Trumpi tha se një marrëveshje ishte “afër në masë të arsyeshme” dhe emisari Witkoff tha se bisedimet kanë arritur deri te një pikë e fundit.
Disa minuta pas fillimit të këtyre bisedimeve, Rusia tha se kishte kryer një patrullim të aeroplanëve bombardues strategjikë – diçka që e bën rregullisht si shfaqje e fuqisë.
Kremlini tha se Putini, njësoj si në takime të mëparshme me palën amerikane, u shoqërua nga ndihmësi i tij për politikë të jashtme, Yuri Ushakov, dhe emisari i posaçëm, Kirill Dmitriev.
Të mërkurën, presidenti amerikan tha se homologët e tij nga Rusia e Ukraina, Putini e Volodymyr Zelensky, do të ishin “budallenj”, nëse dështojnë që të bashkohen e të arrijnë një marrëveshje./
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka deklaruar se uniteti i Evropës ka funksionuar kundër kërcënimeve të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, raporton “The Guardian”.
Ai ka theksuar se takimi i liderëve evropianë i të enjtes, në mbështetje të Danimarkës, demonstron fuqinë e bashkimit të kontinentit.
“Kur Evropa është e bashkuar, e fortë dhe reagon shpejt, gjërat kthehen në normalitet dhe qetësi”, tha Macron.
Megjithatë, ai ka shtuar se Evropa duhet të qëndrojë “vigjilente” dhe të veprojë në “mënyrë të bashkuar”, duke theksuar se BE-ja ka “instrumente në dispozicion” në rast të kërcënimeve.
Ai gjithashtu ka bërë të ditur se Franca është e hapur të marrë pjesë në më shumë misione të NATO-s, përfshirë edhe në Arktik.
Këto komente vijnë pas kërcënimeve të presidentit Trump ndaj tetë shteteve evropiane, përfshirë Francën, lidhur me çështjen e Grenlandës. Ai kishte paralajmëruar vendosjen e tarifave prej 10% nga 1 shkurti dhe rritjen e tyre në 25% nga 1 qershori ndaj Danimarkës, Norvegjisë, Suedisë, Francës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Holandës dhe Finlandës. Megjithatë, të mërkurën Trump hoqi dorë nga këto tarifa.
Në këtë kontekst, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka deklaruar se marrëdhëniet transatlantike kanë marrë goditje të rëndë javën e fundit, por ka nënvizuar se Evropa nuk është e gatshme të heqë dorë nga dekada partneritet me SHBA-në. Ajo ka folur gjatë takimit joformal të liderëve të BE-së të mbajtur në Bruksel.
Një incident shqetësues është raportuar sot në Lipjan, ku një nxënës është kapur me një shufër metalike brenda ambientit shkollor.
Burime policore bëjnë të ditur se rasti ka ndodhur më 22.01.2026, rreth orës 08:30, në rrugën “Avdi Kelmendi”, kur Drejtori i SHMP “Adem Gllavica” ka njoftuar Policinë se te nxënësi E.B., rreth 15-vjeçar, gjatë kontrollit nga kujdestari i tij, është gjetur një shufër metali.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë patrulluese, ndërsa i dyshuari është intervistuar në prani të prindit (babait).
Sipas informatave, mjeti i dyshuar është konfiskuar nga Policia, ndërkohë që është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit dhe rasti është iniciuar si “Armëmbajtje pa leje”.
Daniel Serwer, profesor në John Hopkins University ka pasur fjalë të ashpra për Bordin e Paqes të inicuar nga Donald Trump, dhe aderimin e Kosovës në të që u materializua sot me nënshkrimin e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit.
Serwer nuk i përshkruan vlerë kësaj iniciative të Donald Trump, për të cilin pati kualifikime të rënda, por tha se e kupton dëshirën e Kosovës “për të blerë kredite” nga presidenti amerikan.
“Bordi i Paqes do të jetë thjeshtë mundësi për të qëndruar në një dhomë ndërsa Trump flet për një orë. Ndoshta as kaq. Kosova s’mund të përballojë 1 miliardë dollarë…”, tha ai për AP.
“Pse e bën tabu të flasësh për gruan dhe familjen tënde?”, ishte pyetja që publiku zgjodhi t’ia bënte Ludo Lee në 'Darkën e të Nominuarve'.
Megjithatë, Ludo nuk ngurroi të përgjigjej duke treguar edhe arsyet për këtë.
“Sepse familja është e shenjtë dhe ia kam premtuar familjes time, gjithmonë në shoubiz për me i nda gjërat ta kuptoni. Mentaliteti im Ludo shqiptar më ka sjell këtu ku jam, shoubizi është shoubiz", u shpreh ai.
Foto: YouTube
Tutje banori theksoi: "Unë e mbroj familjen dhe do ta mbroj gjithë. Jam krenar se e kam familjen time, është shumë e lehtë të kuptohet. Familja do të jetë privat përgjithmonë në anën e shoubizit”.
Ludo ka folur tejet pak për familjen e fëmijët dhe kjo mund të ketë qenë në interes të atyre që e ndjekin.
Por duket se kjo është mënyra e tij dhe se do t'i lë jashtë këtij rrugëtimi.
Ludo Lee ndërkaq po vazhdon të jetë personazh tejet i komentuar brenda shtëpisë. /Telegrafi/
Debati rreth Arktikut po bëhet më i nxehtë se kurrë, ndërsa presidenti i SHBA-së, Donald Trump vazhdon të këmbëngulë që Grenlanda të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara.
Por, ndërsa kërkesat e Trump që SHBA-të të marrin kontrollin mbi një territor që i përket njërit prej aleatëve të saj më të afërt dhe më të besueshëm e kanë hutuar botën, gara për Arktikun ka vazhduar për dekada.
Në këtë drejtim, CNN shkruan se nuk ka dyshim se Moska ka pasur një prani dominuese në rajonin e Arktikut, përcjell Telegrafi.
Ajo kontrollon afërsisht gjysmën e tokës dhe gjysmën e zonës ekonomike ekskluzive detare në veri të Rrethit Arktik.
Dy të tretat e banorëve të rajonit Arktik jetojnë në Rusi.
Dhe ndërsa Arktiku përbën vetëm një pjesë të vogël të ekonomisë globale - rreth 0.4% sipas Këshillit Arktik, forumit që përfaqëson shtetet e Arktikut - Rusia kontrollon dy të tretat e PBB-së së rajonit.
Fuqia ushtarake e Rusisë në Arktik
Rusia ka zgjeruar prezencën e saj ushtarake në Arktik për dekada të tëra, duke investuar në objekte të reja dhe ekzistuese në rajon.
Sipas Fondacionit Simons, një organizatë jofitimprurëse kanadeze që monitoron sigurinë e Arktikut dhe çarmatimin bërthamor, ka 66 pika ushtarake dhe qindra instalime dhe pika të tjera mbrojtëse brenda rajonit më të gjerë të Arktikut.
Sipas të dhënave të disponueshme publikisht dhe hulumtimit të Fondacionit Simons, 30 janë në Rusi dhe 36 në vendet e NATO-s me territor Arktik: 15 në Norvegji - duke përfshirë një bazë britanike - tetë në Shtetet e Bashkuara, nëntë në Kanada, tre në Grenlandë dhe një në Islandë.
Dhe ndërsa jo të gjitha bazat janë krijuar të barabarta - ekspertët thonë se Rusia aktualisht nuk mund të krahasohet me aftësitë ushtarake të NATO-s - shkalla e pranisë ushtarake të Rusisë dhe ritmi me të cilin Moska e ka zgjeruar atë në vitet e fundit, është një shqetësim i madh.
Instituti Mbretëror i Shërbimeve të Bashkuara (RUSI), një grup ekspertësh për mbrojtjen me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, tha se Rusia në vitet e fundit ka investuar një sasi të konsiderueshme parash dhe ka bërë një sërë përpjekjesh në modernizimin e flotës së saj të nëndetëseve me energji bërthamore, e cila formon “shtyllën kurrizore” të fuqisë së saj ushtarake në Arktik.
Ndërsa vazhdon të luftojë në Ukrainë, Rusia ka përmirësuar gjithashtu aftësitë e saj në radarë, drone dhe raketa.
Por panorama nuk ishte gjithmonë kaq e rrezikshme.
Për vite me radhë pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, Arktiku ishte një nga zonat ku dukej sikur Rusia dhe vendet perëndimore “mund të bënin biznes së bashku”.
Këshilli Arktik, i themeluar në vitin 1996, u përpoq ta afronte Rusinë me shtatë vendet e tjera të Arktikut dhe të lejonte një bashkëpunim më të ngushtë për çështje të tilla si biodiversiteti, klima dhe mbrojtja e të drejtave të popujve indigjenë.
Për një kohë, pati edhe një përpjekje për të bashkëpunuar në fushën e sigurisë, me Rusinë që mori pjesë në dy takime të nivelit të lartë të Forumit të Shefave të Mbrojtjes të Arktikut përpara se të përjashtohej për shkak të aneksimit të paligjshëm të Krimesë në vitin 2014.
Shumica e formave të bashkëpunimit janë pezulluar që atëherë, me marrëdhëniet midis Perëndimit dhe Moskës që arritën një nivel të ri të ulët pas Luftës së Ftohtë pasi Rusia nisi pushtimin e saj të plotë të Ukrainës në vitin 2022.
Anëtarësimi i Finlandës dhe Suedisë në NATO në vitin 2023 dhe 2024 e ka ndarë në mënyrë efektive rajonin e Arktikut në dy gjysma afërsisht të barabarta: njëra e kontrolluar nga Rusia dhe tjetra nga NATO.
Trump ka thënë vazhdimisht se SHBA-të "kanë nevojë" për Grenlandën për arsye sigurie kombëtare, duke treguar ambiciet ruse dhe kineze në Arktik.
Ai ka argumentuar se Danimarka, e cila ka sovranitet mbi ishullin më të madh në botë, nuk është mjaftueshëm e fortë për ta mbrojtur atë nga kërcënimet e paraqitura nga të dy vendet.
Ndërsa nuk është një vend arktik, Kina nuk e ka fshehur interesin e saj në rajon.
Vendi e shpalli veten si një "shtet pranë Arktikut" në vitin 2018 dhe përshkroi një iniciativë të "rrugës polare të mëndafshit" për anijet në Arktik.
Në vitin 2024, Kina dhe Rusia nisën një patrullim të përbashkët në Arktik, pjesë e një bashkëpunimi më të gjerë midis të dyjave.
Hapja e rrugëve të reja
Por siguria nuk është arsyeja e vetme pse interesi për Arktikun po rritet.
Rajoni po transformohet më shpejt se çdo zonë tjetër e botës, ndërsa kriza klimatike thellohet, duke u ngrohur rreth katër herë më shpejt se mesatarja globale.
Akulli detar po tkurret me një ritëm të shpejtë. Por, ndërsa shkencëtarët paralajmërojnë se kjo mund të ketë pasoja tepër të dëmshme për botën natyrore dhe jetesën e njerëzve që mbështeten në të, ka shumë që argumentojnë se shkrirja e akullit detar mund të hapë gjithashtu një mundësi të madhe ekonomike në aspektin e minierave dhe anijeve.
Dy rrugë anijesh që ishin praktikisht të paqëndrueshme vetëm dy dekada më parë, tani po hapen për shkak të shkrirjes dramatike të akullit - megjithëse studiuesit dhe mbikëqyrësit mjedisorë kanë paralajmëruar se dërgimi i flotave të anijeve përmes këtij mjedisi të paprekur, të largët dhe të rrezikshëm është një katastrofë ekologjike dhe njerëzore që pritet të ndodhë.
Rruga Detare Veriore, e cila shtrihet përgjatë bregdetit verior rus, dhe Kalimi Veriperëndimor, që përqafon bregdetin verior të Amerikës së Veriut, kanë qenë praktikisht pa akull gjatë kulmit të verës.
Rruga Detare Veriore e shkurton kohën e lundrimit midis Azisë dhe Evropës në rreth dy javë, afërsisht gjysma e kohës që duhet përmes rrugës tradicionale të Kanalit të Suezit.
Ndërsa pjesë të rrugës përdoreshin nga Rusia gjatë kohës sovjetike për të arritur dhe furnizuar vende të largëta, sfidat që paraqiste nënkuptonin se ajo u shpërfill kryesisht si një opsion për transportin ndërkombëtar detar.
Kjo ndryshoi në fillim të viteve 2010 kur kalimi u bë më i arritshëm dhe që atëherë numri i udhëtimeve përmes tij është rritur nga një numër i vogël çdo vit në rreth 100.
Rusia ka rritur përdorimin e rrugës që nga viti 2022, duke e përdorur atë për të transportuar naftë dhe gaz në Kinë pasi sanksionet e shkëputën atë nga klientët e saj të mëparshëm evropianë.
Në mënyrë të ngjashme, Kalimi Veriperëndimor është bërë gjithashtu më i zbatueshëm, me numrin e lundrimeve të drejtpërdrejta që është rritur nga disa në vit në fillim të viteve 2000 në deri në 41 në vitin 2023.
Një rrugë e tretë, qendrore që do të çonte anijet direkt përmes Polit të Veriut mund të bëhet gjithashtu e mundur në të ardhmen, megjithëse niveli i shkrirjes së akullit që do të ishte i nevojshëm për këtë do të sillte pasoja alarmante, duke përshpejtuar ngrohjen e planetit, duke rritur ekstremet e motit dhe duke shkatërruar ekosistemet e çmuara në zonë.
Rusia ka rritur përdorimin e rrugës që nga viti 2022, duke e përdorur atë për të transportuar naftë dhe gaz në Kinë pasi sanksionet e shkëputën atë nga klientët e saj të mëparshëm evropianë.
Në mënyrë të ngjashme, Kalimi Veriperëndimor është bërë gjithashtu më i zbatueshëm, me numrin e lundrimeve të drejtpërdrejta që është rritur nga disa në vit në fillim të viteve 2000 në deri në 41 në vitin 2023.
Një rrugë e tretë, qendrore që do të çonte anijet direkt përmes Polit të Veriut mund të bëhet gjithashtu e mundur në të ardhmen, megjithëse niveli i shkrirjes së akullit që do të ishte i nevojshëm për këtë do të sillte pasoja alarmante, duke përshpejtuar ngrohjen e planetit, duke rritur ekstremet e motit dhe duke shkatërruar ekosistemet e çmuara në zonë.
Sa i përket minierave, ekziston mundësia që shkrirja e akullit të mund të ekspozojë tokën që më parë ishte e pamundur të shfrytëzohej.
Grenlanda në veçanti mund të jetë një pikë e nxehtë për qymyr, bakër, ar, elementë të rrallë të tokës dhe zink, sipas “Geological Survey of Denmark and Greenland”.
Megjithatë, studiuesit thonë se do të ishte jashtëzakonisht e vështirë dhe e kushtueshme të nxirreshin mineralet e Grenlandës sepse shumë nga depozitat minerale të ishullit janë në zona të largëta mbi Rrethin Arktik, ku ka një shtresë akulli polar me trashësi një milje dhe errësira mbretëron pjesën më të madhe të vitit.
Ideja se këto burime mund të nxirreshin lehtësisht në dobi të SHBA-së u përshkrua për CNN si "plotësisht e çmendur" nga Malte Humpert, themelues dhe bashkëpunëtor i lartë në Institutin Arktik.
Ndërsa Trump kohët e fundit është përqendruar në aspektet e sigurisë së Grenlandës, ish-këshilltari i tij i sigurisë kombëtare Mike Waltz i tha Fox News në vitin 2024 se fokusi i administratës në Grenlandë ishte "rreth mineraleve kritike" dhe "burimeve natyrore". /Telegrafi/
Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës (ShKShMK) ka njoftuar për rrezik të shtuar nga ortekët në zonën e Brezovicës, pas raportimit të një aksidenti orteku të ndodhur sot në një zonë jashtë shtegut të rregulluar.
Sipas njoftimit, orteku është iniciuar nga disa skitarë, por fatmirësisht personat e përfshirë kanë shpëtuar pa lëndime trupore.
ShKShMK bën të ditur se më 18 janar 2026, gjatë kontrollimit të shtresave të borës në zonën e Brezovicës, teknikët e kërkim-shpëtimit kanë identifikuar dy shtresa problematike të borës.
Shtresa më shqetësuese, sipas tyre, është ajo bazë mbi vegjetacion, e njohur si “Ground-based Persistent Weak Layer – Depth Hoar”.
Si pasojë e reshjeve të fundit të borës, të shoqëruara me erëra të forta nga juglindja, janë krijuar akumulime të shtresave të konsoliduara të borës, të cilat kanë rritur peshën dhe presionin mbi shtresat e dobëta ekzistuese. Bazuar në vlerësimin aktual, ky kombinim faktorësh ka krijuar kushte të pafavorshme dhe rrezik të shtuar për ortekë.
Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor apelon për kujdes maksimal gjatë skijimit dhe aktiviteteve bjeshkatare, veçanërisht në faqet veriore, duke theksuar se rreziku nuk përjashtohet as në orientime dhe pozita të tjera gjeografike.
Qytetarëve u rekomandohet që të shmangin lëvizjet jashtë shtigjeve të sigurta, të informohen paraprakisht për kushtet e borës dhe motit, të përdorin pajisje adekuate të sigurisë dhe të mos veprojnë individualisht në terrene të rrezikshme./Telegrafi/
Liga Profesionale Saudite po përgatit një ofensivë të madhe në tregun e transferimeve këtë verë, me Mohamed Salah dhe Vinicius Jr të identifikuar si dy objektivat kryesorë.
Klubet saudite kanë shqyrtuar tashmë mundësinë e transferimit të Salah gjatë këtij afati, por Liverpooli nuk ka treguar asnjë gatishmëri për negociata. Sulmuesi egjiptian, tashmë 33 vjeç, ende nuk ka vendosur nëse është gati të largohet nga futbolli elitar evropian në fund të sezonit.
Interesi nga Arabia Saudite pritet të intensifikohet gjatë verës, kur klubet do të kenë më shumë fleksibilitet për të realizuar transferime të bujshme, për shkak të skadimit të disa kontratave të profilit të lartë.
Situata e Vinicius Jr po ndiqet gjithashtu nga afër, pasi bisedimet për një kontratë të re me Real Madridin kanë ngecur. Marrëveshja aktuale e brazilianit skadon në vitin 2027, çka e mban ende të hapur të ardhmen e tij.
Ndërsa disa brenda Ligës Saudite e shohin Salah si një ikonë globale që do ta ngrinte ndjeshëm profilin e kampionatit, të tjerë besojnë se Vinicius Jr përfaqëson një investim më strategjik dhe afatgjatë.
Vera pritet të jetë vendimtare për ambiciet e Ligës Profesionale Saudite, e cila synon të vazhdojë afrimin e yjeve më të mëdhenj të futbollit botëror./Telegrafi
Endrit Nika, i akuzuar se ka hedhur nga kati i gjashtë të një hoteli në Fushë-Kosovë të dashurën e tij argjentinase, sot më 22.01.2026 ka dhënë versionin e tij lidhur me këtë ngjarje.
Endrit Nika nga Prokuroria akuzohet se pas një mosmarrëveshjeje paraprake me të dashurën e tij M.K.U., me dashje që ta privojë nga jeta, e kishte nxjerrë kornizën e dritares duke e hedhur tanimë të ndjerën nga dritarja e dhomës së hotelit nga kati i gjashtë, me ç’rast viktima kishte pësuar lëndime të rënda trupore dhe, përkundër trajtimit mjekësor, ajo kishte ndërruar jetë në QKUK.
I akuzuari Endrit Nika tha se tani të ndjerën për herë të parë e kishte takuar në Barcelonë gjatë kohës sa ai kishte qenë në pushime me shoqërinë e tij.
Ai tha se kur kishte takuar tani të ndjerën për herë të parë, ai ishte ndjerë sikur e kishte takuar shpirtin binjak.
Ai tha se disa herë kishte shkuar në Barcelonë për ta takuar tani të ndjerën, dhe pas 1 muaji e gjysmë që ishin njoftuar e ndjera kishte shkuar te ai në Zvicër për të bashkëjetuar më të.
Sipas Nikës, raporti i tij dhe tani të ndjerës kishte qenë shumë i mirë, dhe ata verën e vitit 2023 kishin ardhur bashkë në Kosovë për dasmën e vëllait të tij.
Ai raportet mes tij dhe tani të ndjerës i përshkroi si shumë të mira, ndërsa tha se në ditën kritike, konflikti mes tyre kishte filluar për shkak të xhelozisë së të ndjerës.
Ai tha se pas ahengut që kishte qenë në shtëpinë e tyre në Gllanasellë ata ishin nisur për të shkuar në hotelin ku kishin qëndruar në Fushë-Kosovë.
Nika tha se kur kishin mbërritur në parking para hotelit në Fushë-Kosovë tanimë e ndjera në veturë ia kishte derdhur një pije në kokë.
I akuzuari tha sa pas kësaj ishte munduar t’ia heqë nga dora pijen dhe të dytë kishin dalë nga vetura. Sipas Nikës tashmë e ndjera gjatë kohës kur kishin dalë nga vetura e kishte ofenduar, dhe më pas ai e kishte shtyrë me derë.
Tutje, Nika tha se pasi kanë shkuar në dhomë ai i kishte thënë të ndjerës që të qëndrojë në hotel ndërsa ai dëshiron të shkojë në shtëpinë e tij në Gllanasellë, por ai tha se tashmë e ndjera i kishte thënë të qëndrojnë bashkë.
I akuzuari tha se në momentin kritik kur ka ndodhur ngjarja ai kishte qenë në korridor, dhe tha se e kishte dëgjuar një zhurmë dhe pasi ishte kthyer në dhomë e kishte parë që xhami statik dhe tashmë e ndjera nuk janë.
“U nisa me marrë ni maicë dhe para derës së hymjes e nijta një zhurmë, tri zhurma kenë si me gjujtë najsen në tokë dhe u nal, s’u ni kurrgjë në dhomë. U ktheva prapë edhe e pash që xhami statik nuk është aty mo, nuk ishte në vendin e vet, pastaj e hapa një dritare këqyra poshtë dhe e pash që Clara është në tokë, ka ra”- deklaroi i akuzuari.
Pas kësaj i akuzuari tha se ka pësuar atak paniku.
“Prej atyshit m’kapi panika, ia nisi frymëmarrja dhe pisikita dy-tri herë: “Clara, Clara, Clara” dhe sapo e mbledha forcën u ula në krevat se m’u dok krejt si film, si andërr e keqe se qaty ke deri sa e mblodha veten”- tha i akuzuari.
Tutje, i akuzuari tha se ishte nisur për të shkuar poshtë te tani e ndjera.
“Shkova te Clara edhe aty shkova iu afrova ngat edhe do ujë ia qitsha mbi kry se e dijsha që s’guxoj me e prekë, tani unë fola me Clarën, m’tha: Thuju prindërve të mi se ju dua, edhe unë i thash: O zemër vet ki me ju thanë, veç mbledhe veten, bonu e fortë”- tha i akuzuari.
Nika tha se ai i ishte drejtuar recepsionistes së hotelit duke i thënë se si është e mundur që të shkëputet xhami statik dhe të bjerë një njeri.
Ai tha se në momentin kur ishte arrestuar nga Policia kishte qenë shumë i shqetësuar për gjendjen e tani të ndjerës.
Paraprakisht në seancën e sotme në cilësi të dëshmitares është dëgjuar doktoresha Blerina Gashi, e cila kishte qenë doktoresha në ekipin e urgjencës që kishte shkuar të vendi i ngjarjes për t’i ofruar ndihmë tani të ndjerës.
Ajo tha se më të pranuar telefonatën ajo bashkë me dy infermiere dhe me shoferin e autoambulancës ishin nisur për të shkuar te vendi i ngjarjes.
Gashi tha se kur kishte arritur ajo me ekipin e urgjencës në vendin e ngjarjes tani e ndjera kishte qenë në parking anash një veture e shtrirë dhe përreth saj kishte pasur xhama të thyer.
Ajo tha se kur ishte afruar te tani e ndjera ajo kishte pasur vetëdije, dhe pasi e kishin vendosur në autoambulancë ajo i kishte bërë disa pyetje tani të ndjerës.
“Gjatë rrugës kam biseduar me të ndjerën fillmisht e kam pyetur për emër dhe mbiemër në gjuhën angleze dhe më është përgjigjur, e kam pyetut sa vjet i ka, pas këtyre dy pyetjeve e kam pyetur se a ke dashtë me u hedh vetë? Më është përgjigjë veç me “jo” në gjuhën angleze. E kam pyetur pastaj: Atë ka shtyrë dikush? Prapë më është përgjigjur me: “Jo”” – tha dëshmitarja.
Ajo tha se veprimet e tyre kanë qenë monitorimi vazhdimisht në frymëmarrjen e viktimës dhe se a ka puls në mënyrë të vazhdueshme.
Dëshmitarja tha se nuk i kujtohet se çka i kanë dhënë si medikamente tani të ndjerës gjatë kohës sa kanë qenë në autoambulancë.
“Nuk më kujtohet se a i kam dhanë diçka, urdhëri ka qenë i tillë nëse gjindet vija venoze,.. I kam urdhëruar infermieret që të gjendet vija venoze të vendoset kanilla me medikamente, sipas protokollit i jepim tramadoll dhe metokloparmil,.. Nuk më kujtohet a është vendosë a jo diçka urdhrat kanë qenë po tani nuk po më kujtohet” – deklaroi dëshmitarja.
Ajo tha se pasi tani të ndjerën e kanë dërguar në Qendrën Emergjente në Prishtinë, e ka shkruar raportin dhe më pas janë larguar.
Ajo tha se ka menduar se do të thirret nga Policia apo nga Prokuroria që të japë dëshmi lidhur me rastin por meqë nuk ishte thirrur për këtë arsye nuk kishte shkuar që të japë dëshmi në mënyrë vullnetare lidhur me rastin
Trupi gjykues refuzoi propozimin e mbrojtjes për dëgjimin e dy infermiereve që kishin qenë me doktoreshën Blerina Gashi në ekipin e urgjencës me arsyetimin se dëshmitarja Blerina Gashi i ka dhënë të gjitha përgjigjjet.
Me propozim të prokurorit Armend Hamiti, seanca e sotme (22.01.2026) u ndërpre dhe e radhës u caktua për në muajin shkurt 2026, ku i akuzuari Endrit Nika pritet të vazhdojë mbrojtjen e tij.
Aktakuza në këtë rast po përfaqësohet nga prokurori Armend Hamiti.
Kjo çështje është duke u trajtuar në Departamentin e Krimeve të Rënda nga trupi gjykues i përbërë nga Gazmend Bahtiri (kryetar i trupit gjykues) dhe dy anëtarët, Gëzim Ademi dhe Alltëne Murseli.
DOSJA E PROKURORISË
Sipas aktakuzës së datës 11.02.2025, i pandehuri Endrit Nika po akuzohet se më 01.08.2023 në Fushë-Kosovë, në hotel “Sonoma”, pas një mosmarrëveshjeje paraprake me të dashurën e tij, tani të ndjerën M.K.U., paraprakisht e godet në vazhdimësi dhe tenton ta shkelë me veturë te parkingu jashtë hotelit, dhe pasi që hynë në hotelin – dhomën ku ishin duke qëndruar, i pandehuri Endrit Nika me dashje që ta privojë nga jeta tani të ndjerën ka vazhduar përleshjen dhe goditjet ndaj të dëmtuarës, duke e dërguar në qoshe të dhomës nga ku nuk ka pasur mundësi të largohet e dëmtuara dhe nga goditjet dhe shtyrjet që i ka bërë tani të ndjerës i pandehuri Nika e ka nxjerrë kornizën e dritares duke e hedhur nga dritarja e dhomës së hotelit nga kati i gjashtë, me ç’rast tani e ndjera M.K.U. ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe përkundër trajtimit mjekësor e njëjta ka ndërruar jetë në QKUK.
Andaj për shkak veprimeve të lartpërmendura Endrit Nika nga Prokuroria po akuzohet se ka kryer veprën penale – vrasje e rëndë, raporton Kallxo.
Volodymyr Zelensky deklaroi se Ukraina ka arritur ta ndalë rritjen e madhësisë së ushtrisë ruse në rrethanat aktuale.
Presidenti ukrainas pohoi se Moska po humb rreth 45 mijë trupa në muaj.
“Vitin e kaluar, në këto muaj, shifra ishte rreth 15 mijë. Pra, Rusia nuk po mendon për këtë, por ne po mendojmë. Ne mendojmë se si po humbasin dhe sa ushtarë po humbasin. Ne e dimë se ata mobilizojnë 40–43 mijë persona në muaj dhe fillojnë të humbasin 45 mijë. Nga këta 43 mijë, duhet ta dini se rreth 10–15 për qind dezertojnë dhe ka edhe të plagosur. Por ushtria e tyre ka ndaluar së u rrituri. Kjo është e rëndësishme”, deklaroi lideri ukrainas.
Zelensky shtoi se e vetmja mënyrë që Rusia ta përmbysë këtë situatë do të ishte thirrja e më shumë njerëzve për shërbim ushtarak.
Ai gjithashtu u bëri thirrje pjesëmarrësve në Davos që kanë mundësi të sjellin investime në Ukrainë, ta bëjnë këtë, përpara se të përmbyllte fjalimin e tij.
Ndryshe, Zelensky ka deklaruar se “takimi i parë trepalësh” mes Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara pritet të mbahet nesër. /Telegrafi/
Liverpooli nuk ka ndërmend ta lejojë Federico Chiesan të largohet në formë huazimi gjatë afatit kalimtar të janarit, përveç nëse në tavolinë vjen një ofertë e përshtatshme për transferim të përhershëm, raportojnë mediat britanike.
Pavarësisht interesimit nga Juventusi dhe Napoli, klubi anglez mbetet i vendosur në qëndrimin e tij, duke i dhënë përparësi përfitimit financiar dhe jo një largimi të përkohshëm të sulmuesit italian.
Chiesa ka kaluar një periudhë jo të lehtë në “Anfield”, me minuta të kufizuara në dispozicion dhe një dëmtim të lehtë së fundmi, çka ka nxitur interesimin e klubeve nga Serie A për një rikthim të mundshëm në Itali.
Megjithatë, drejtuesit e Liverpoolit nuk e shohin me sy të mirë një huazim, sidomos në këtë fazë të sezonit, dhe janë të gatshëm të negociojnë vetëm nëse paraqitet një ofertë serioze për transferim të plotë.
Federico Chiesa iu bashkua Liverpoolit në verën e vitit 2024 nga Juventusi, por ende nuk ka arritur të sigurojë një vend të rregullt titullari nën drejtimin e trajnerit Arne Slot.
Me afatin kalimtar që po i afrohet mbylljes, çdo lëvizje e mundshme e italianit do të varet nga një ofertë e konsiderueshme që mund ta bindë klubin anglez të ndahet me të. /Telegrafi/
77-vjeçari Hazir Haziri nga Podujeva është liruar mbrëmë nga burgu në Serbi, ku ishte mbajtur për rreth katër muaj, ndonëse ndaj tij nuk ishte vërtetuar asnjë vepër penale. Ai ishte arrestuar muaj më parë nga autoritetet serbe pa arsyetim të qartë dhe, sipas familjarëve, ishte mbajtur padrejtësisht në paraburgim.
Haziri ishte dërguar në një nga burgjet qendrore në Serbi, ku, siç rrëfen vetë ai, ishte përballur me kushte të rënda dhe provokime nga të burgosur të tjerë. Ai ka treguar se për shkak të këtyre rrethanave, për një periudhë të gjatë kishte shmangur daljen nga qelia.
Pas lirimit, Haziri sot ka rrëfyer përjetimet e tij në prani të familjarëve dhe miqve, duke e cilësuar këtë periudhë si shumë të vështirë. Ai ka shprehur mirënjohje për të gjithë ata që e kanë ndihmuar dhe përkrahur gjatë kësaj kohe, përfshirë Zyrën Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd.
Sipas tij, përvoja e gjeneratës së tij, e cila gjatë viteve ’60 e deri në vitin 2000 ka vuajtur dënime të gjata në burgjet serbe në kushte të rënda, i ka dhënë forcë për ta përballuar paraburgimin.
Haziri ka treguar se, edhe në ditët e fundit të qëndrimit në burg, ishte informuar se do të vazhdonte të mbahej për shkak të pretendimeve lidhur me një telefon dhe një ekspertizë, por se mbrëmë është njoftuar papritur për lirimin e tij, gjë që fillimisht nuk e kishte besuar.
Pas lirimit, Hazir Haziri ka apeluar tek qytetarët shqiptarë që të shmangin kalimin tranzit përmes Serbisë, për shkak të rrezikut të ndalimeve dhe arrestimeve pa bazë./RTK
Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Ekuador, ku persona të armatosur, të maskuar si oficerë policie, sulmuan një fushë futbolli dhe vranë tre persona me gjakftohtësi gjatë një ndeshjeje rekreative.
Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, sulmi ndodhi në një komunitet të rrethuar pranë qytetit portual të Guayaquil.
Ajo që filloi si një ndeshje e zakonshme mbrëmjeje në një fushë futbolli artificial, u shndërrua brenda pak minutash në skenë tmerri.
Tre burra të maskuar, të veshur si policë, hynë papritur në kompleks, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Lojtarët, duke kuptuar se diçka nuk shkonte, u shtrinë menjëherë në tokë për të shmangur vëmendjen.
Sulmuesit identifikuan shpejt objektivin e tyre – një burrë i veshur me të zeza në qendër të fushës.
Ai u dhunua dhe më pas u qëllua për vdekje nga afër, ndërsa të tjerët shikonin të tmerruar.
I gjithë sulmi zgjati rreth pesë minuta, pas së cilës autorët u larguan me shpejtësi.
Información revela que alias “Marino”, líder de Los Lagartos, fue asesinado en la cancha de la Isla Mocolí tras una traición interna; se movía entre España, Dubái y Cuba. pic.twitter.com/qF7rTIm6KF — Catalina Garcia (@CataGarciaTA) January 9, 2026
Pas të shtënave, dy trupa të tjerë u gjetën në zonën përreth, duke e çuar numrin e viktimave në tre.
Sipas gazetës ekuadoriane El Universo, sulmuesit fillimisht kishin neutralizuar rojet e sigurisë së komunitetit, duke i rrahur, lidhur dhe duke u marrë armët, përpara se të kryenin ekzekutimin.
Një nga viktimat u identifikua si Stalin Rolando Olivero Vargas, i njohur me nofkën “Marino”, 40 vjeç.
Ai ishte ish-i dënuar dhe dyshohej të ishte lider i bandës kriminale Los Lagartos, e cila vepron në jug të Guayaquilit.
Trascienden nuevas imágenes del triple crimen registrado en la isla #Mocolí, donde le quitaron la vida a alias “El Marino”, cabecilla de Los Lagartos, y a dos de sus acompañantes. Los atacantes vestían prendas similares a las de la Policía.
Sipas ministrit të Brendshëm, John Reimburg, Vargas mund të jetë shënjestruar nga një bandë rivale.
Dy viktimat e tjera janë Jefferson Xavier Salon Olivero (33) dhe Richard Josue Mina Vergara (29), të cilët, sipas autoriteteve, kishin precedentë të rëndë penalë, përfshirë trafik droge dhe vepra të rënda penale.
Autoritetet zbuluan gjithashtu se Vargas kishte menduar të largohej nga banda e tij për t’iu bashkuar një grupi rival, gjë që besohet se mund të ketë çuar në eliminimin e tij. Deri më tani nuk është bërë asnjë arrestim, ndërsa hetimet për ngjarjen mbeten në vazhdim. /Telegrafi/
Ylli i futbollit Cristiano Ronaldo po e konsideron seriozisht pensionimin nga futbolli vitin e ardhshëm.
Pesë herë fituesi i Topit të Artë që ka fituar thuajse të gjitha trofetë në futboll është duke konsideruar të ardhmen, ndërsa një nga opsionet më të mundshme është largimi nga Al Nassr si dhe t’i “varë këpucët”.
Sipas asaj që raporton gazetari i njohur Ben Jacobs, Ronaldo pritet të largohet nga Al Nassr në verën e vitit 2027 dhe po konsideron seriozisht pensionimin nga futbolli.
Në bazë të raportimit, Ronaldo tashmë ka vendosur që të ndërpresë bashkëpunimin me klubin arab, me këta të fundit që po shpresojnë ta mbajnë duke i ofruar përqindje në aksionet e skuadrës.
Arabia Saudite po shpreson ta mbajë Ronaldon si ambasador, si dhe t’i jap plotë 15 për qind të aksioneve të Al Nassr, aty ku do të bëhet drejtuesi i klubit, një objektiv që portugezi e ka shprehur publikisht disa herë.
Cristiano Ronaldo is likely to leave Al Nassr in the summer of 2027, and the five-time Ballon d’Or winner could potentially retire from football.
Even if he extends by a further year, plans are being put in place to prevent a sharp decline in global interest when… pic.twitter.com/n5r3duQgA3 — The Nassr Tribune™️ (@AlNassrTribune) January 22, 2026
Kujtojmë, Ronaldo aktualisht është i fokusuar për ta fituar titullin në Arabinë Saudite, si dhe Kupën e Botës me kombëtaren e Portugalisë, trofeu i vetëm që ende nuk e ka shijuar.
Përpos tyre, ish ylli i Real Madridit ka bërë të qartë se ka për objektiv të bëhet golashënuesi i parë që shkon në shifrën e 1 mijë golave./Telegrafi
Një kontroll në kohën e duhur mund të parandalojë probleme të mëdha më vonë dhe t’i japë fëmijës siguri, shëndet oral dhe një buzëqeshje të natyrshme
Ass.Dr.Sci. Visar Disha Specialist i Protetikes Stomatologjike Specialist i Ortodoncisë dhe Ortopedisë së Nofullave Specialist i Kirurgjisë Orale dhe Implantologjisë Tel. +38344559287
Shumë prindër pyesin: “Kur është koha e duhur për t’ia vendosur fëmijës aparatin dentar?” Kjo pyetje është thelbësore, sepse drejtimi i dhëmbëve nuk lidhet vetëm me pamjen estetike, por edhe me shëndetin oral dhe zhvillimin e duhur të nofullës.
Vizita e parë tek ortodonti rekomandohet të bëhet rreth moshës 6-7 vjeçare, kohë kur dalin dhëmbët e përhershëm dhe mund të vërehen qartë shenjat e para të keqvendosjes së dhëmbëve.
Pse është i rëndësishëm zbulimi i hershëm?
Ndërhyrja në kohë ka shumë përparësi:
Parandalim i problemeve më të mëdha – Sa më herët të zbulohet shtrembërimi i dhëmbëve ose moszhvillimi i duhur i nofullës, aq më lehtë korrigjohet.
Zhvillim i shëndetshëm i nofullave – Aparatet e hershme ortodontike mund të udhëheqin rritjen e nofullës, duke krijuar hapësirën e duhur për dhëmbët e përhershëm.
Vetëbesim i lartë për fëmijën – Një buzëqeshje e bukur ndikon drejtpërdrejt në sigurinë emocionale dhe sociale të fëmijës.
Shenjat që prindërit nuk duhet ti injorojnë !
Prindërit mund të dallojnë disa tregues të hershëm që fëmija mund të ketë nevojë për aparat ortodonik:
Dhëmbë të shtrembër ose të grumbulluar
Kafshim i parregullt (dhëmbët e poshtëm mbulojnë të sipërmet)
Hapësira të mëdha mes dhëmbëve (diastema)
Kafshim i hapur (dhëmbët e sipërm nuk kontaktojnë me dhëmbët e poshtëm)
Frymëmarrje me gojë
Vështirësi në shqiptim ose përtypje
Nëse vëreni këto shenja,është koha të konsultoheni me ortodontin.
Llojet e aparateve ortodontike për fëmijë
Aparatet e lëvizshme – përdoren kryesisht në moshat më të vogla, për të ndihmuar rritjen e nofullës dhe për të korrigjuar shenjat e para të shtrembërimit të dhëmbëve.
Aparatet fikse (braketat) – aplikohen zakonisht pas daljes së dhëmbëve të përhershëm, për të arritur drejtimin e plotë të dhëmbëve dhe përmirësimin e kafshimit.
Ortodonti është ai që vendos se cili aparat është më i përshtatshëm për fëmijën tuaj, në bazë të moshës dhe nevojave klinike.
Cilat janë përfitimet e drejtimit të hershëm të dhëmbëve?
Pamje estetike dhe buzëqeshje natyrale.
Higjienë orale më e lehtë dhe parandalim i kariesit.
Përtypje dhe të folur më i saktë.
Vetëbesim dhe buzëqeshje e sigurt në çdo situatë.
Mesazhi im
Koha më e mirë për të kontrolluar nëse fëmija ka nevojë për aparat dentar është rreth moshës 6-7 vjeçare. Një vizitë e thjeshtë tek Ortodonti mund të bëjë diferencën mes një trajtimi të shkurtër dhe efektiv ose një procesi më të gjatë e të vështirë në të ardhmen.
Mos e lini vendimin për më vonë – një konsultë e hershme i jep fëmijës tuaj mundësinë për të pasur jo vetëm dhëmbë të drejtë, por edhe një buzëqeshje që do ta shoqërojë gjithë jetën. /Telegrafi/
“Kush të ka zhgënjyer më së shumti deri tani?”, ishte pyetja e publikut që e bëri të mendonte Alba Pollozhanin.
Por banorja nuk hezitoi të përgjigjej, duke përmendur edhe raste konkrete.
“Për ta thënë realitetin jam zhgënjyer nga çdokush në sasi të ndryshme, por kjo jo patjetër për faj të tyre”, u përgjigj Alba.
Foto: YouTube
"Një rast konkret tani ka qenë me Labin që afrimitetin tim njerëzor e ka përkthyer komplet për të sulmuar moralin tim si femër. Realisht më ka prekur e pranoj, po sidoqoftë çdokush dëshmon veten e vet. Ndonjëherë bëhet e tepërt ngarkesë. Vet unë, nuk dua të dëgjoj fjalë të tilla", tutje tha.
"Për momentin Albës i ka rënë pak disponimi a më bën mua të dobët, jo nuk më bën. Jam e sigurt që mund të kem bërë gabime kundrejt të tjerëve, por Alba nuk shpif. Të vij Labi të shpif diçka që nuk ka qenë të më prek te morali. E kam pritur siç pres nga të tjerët këtu brenda", shtoi mes të tjerash.
"Limin nuk mund ta komentoj dhe ta fus me të gjithë banorët e tjerë. Te Limi është përzier edhe çështje tjetër përpos lojës. Kemi pasur një histori dhe kam zgjedhur heshtjen në drejtim të Limit. Deri diku ndihem e zhgënjyer nga Limi", tha Pollozhani.
Në nominim veç Albës janë edhe Arditi, Hygerta, Labinoti dhe Ludo Lee. /Telegrafi/