Rreth 700 mijë banorë në SHBA mbetën pa energji elektrike dhe pothuajse 10 mijë fluturime u anuluan të dielën, në prag të një stuhie të fuqishme dimërore që kërcënon të paralizojë shtetet lindore me reshje të dendura bore.
Meteorologët thanë se bora, shiu i ngrirë, akulli dhe temperaturat jashtëzakonisht të ulëta që sjell stuhia “përbindësh”, siç është pagëzuar, do të përfshijnë dy të tretat e lindjes së vendit, duke prekur rreth 180 milionë njerëz.
Duke e quajtur stuhinë “historike”, presidenti i SHBA-së Donald Trump shpalli gjendjen e emergjencës federale për fatkeqësi natyrore në Karolinën e Jugut, Virxhinia, Tenesi, Xhorxhia, Karolina e Veriut, Merilend, Arkansas, Kentaki, Luiziana, Misisipi, Indiana dhe Virxhinia Perëndimore, shkruan A2 CNN.
“Do të vazhdojmë ta monitorojmë situatën dhe të qëndrojmë në kontakt me të gjitha shtetet në rrugën e kësaj stuhie. Qëndroni të sigurt dhe ngrohtë,” shkroi Trump në një postim në Truth Social.
Shtatëmbëdhjetë shtete dhe Distrikti i Kolumbias kanë shpallur gjendje emergjence për shkak të motit, bëri të ditur Departamenti i Sigurisë Kombëtare.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka komentuar me tone skeptike dhe herë-herë përçmuese paraqitjen e presidentit amerikan Donald Trump në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, duke thënë se audienca nuk reagoi ndaj humorit dhe “akrobacive” të tij, në një atmosferë që sipas Vuçiqit ishte e mbushur me frikë dhe pasiguri globale.
Duke folur për përshtypjet nga Davosi, Vuçiq tha se Trump është “simpatik” dhe di si ta bëjë audiencën të qeshë, por se këtë herë përballë kishte një publik shumë serioz, i cili nuk reagoi siç ishte mësuar.
“Trump është simpatik, ai di si ta bëjë audiencën të qeshë, por audienca atje është shumë serioze dhe njerëzit nuk reagojnë gjithmonë ndaj akrobacive. Nuk më ka ndodhur kurrë të dëgjoja kaq pak reagime, kurrë më bosh”, tha Vuçiq.
Ai përshkroi Davosin si një vend ku dominonte frika, duke përmendur drejtuesit e kompanive më të mëdha teknologjike amerikane.
“Pashë humorin e njerëzve. Ishin njerëzit më të fuqishëm, krerët e kompanive si Nvidia dhe gjigantë të tjerë teknologjikë. Kurrë nuk kam parë një botë më të frikësuar, më nervoze dhe me më pak dëshirë për të marrë pjesë. Të gjithë donin të strehoheshin”, u shpreh presidenti serb, shkruajnë mediat serbe.
Vuçiq: Trump e nxori hapur se nuk ka parime për Kosovën
Në deklaratat e tij, Vuçiq u ndal edhe te Kosova, duke thënë se sipas tij, politika amerikane, përfshirë atë të Trumpit, nuk bazohet në parime.
“Në lidhje me Kosovën, nuk ka parime. Trump e nxori hapur. Na treguan histori boshe për katastrofa humanitare. Të mëdhenjtë do të vazhdojnë të luftojnë”, tha ai, duke shtuar se Serbia, sipas tij, po përpiqet të shohë drejt së ardhmes përmes analizave strategjike.
Megjithatë, Vuçiq u përpoq të balancojë kritikat me vlerësime pozitive për SHBA-në, duke thënë se është “mirënjohës” për disa vendime amerikane ndaj Serbisë.
Vuçiq përsëriti narrativën e tij të njohur për rënien e fuqisë evropiane, duke theksuar se Serbia, pavarësisht gjithçkaje, nuk ka alternativë tjetër gjeopolitike.
“Fuqia evropiane do të bjerë, kjo është e qartë për të gjithë. Ne nuk kemi vend tjetër përveç Evropës ku jetojmë. A do të marrim diçka nëse themi se jemi në rrugën lindore? Kemi marrëdhëniet më të mira me Kinën, por çfarë tjetër mund të bëjmë?”, tha Vuçiq.
Ai shtoi se politika e tij mbetet ajo evropiane, por gjithmonë duke mbrojtur interesat e Serbisë, duke lënë të hapur edhe mundësinë e ndryshimeve politike në të ardhmen, por vetëm përmes zgjedhjeve.
Deklaratat e Vuçiqit nga Davosi reflektojnë një prirje gjithnjë e më të dukshme për distancim retorik nga Donald Trump, duke e portretizuar atë si figurë populiste që nuk gjen më jehonë në qarqet elitare globale, ndërkohë që presidenti serb përpiqet të paraqitet si aktor racional.
Forumi Investiv i Odave Ekonomike të Ballkanit Perëndimor i ka dërguar letër Presidentes së Komsionit Evropian, Ursula von der Leyen në lidhje me masat që BE po aplikon ndaj shoferëve të transportit ndërkombëtar nga rajoni i Ballkanit Perëndimor.
Shoferët e kamionëve të vendeve të rajonit nga nesër kanë paralajmëruar protesta kundër sistemit të ri të hyrjeve/daljeve të Bashkimit Europian, një sistem digjital i projektuar për të regjistruar hyrjen dhe daljen e shtetasve të vendeve të treta në kufijtë e jashtëm të Zonës Shengen, duke përfshirë të dhënat përkatëse të udhëtimit. Ky sistem, sipas shoferëve ballkanas që transportojnë mallra, cënon mundësitë e tyre për të punuar, duke sjellë vonesa të gjata dhe procedura më të ndërlikuara në pikat kufitare.
Ne letrën e përbashkët të 6 Odave thuhet se “gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e ftojnë Komisionin Evropian për një zgjidhje urgjente në lidhje me rregulloren 90/180 për shoferët internacional të transportit”.
“Dhoma e Tregtisë së Ballkanit Perëndimorë është zë i bizneseve të bashkaur në këtë çështje, me kërkesë të sinqertë për vëmendjen tuaj, për të gjetur zgjidhje substanciale në këtë çështje”.
Në letër thuhet se “Bashkimi Evropian është rajoni më i rëndësishëm tregtar për partnerët investitorë të Ballkanit Perëndimor me 60% të tregtisë së jashtme, me rreth 370,000 kompani që prekën nga këto masa”.
Tutje thuhet se shtetet e Ballkanit Perëndimor janë kandidate për t’u bërë pjesë e BE-së, duke shtuar se duhet të përfitojnë nga këto masa, dhe jo e kundërta”.
Në fund të dokumentit janë nënshkrimet e 6 odave ekonomike, përfshirë edhe e Lulzim Rafunës nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), si dhe pesë vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor.
Pas përfundimit të rinumërimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), do të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.
Zëdhënësi Valmir Elezi ka deklaruar në FB-në e tij se “se procesi i rinumërimit i heq dilemat sa i përket rezultateve dhe kjo mund të zvogëlojë nevojën për ankesa”.
Duke folur mbi procesin e rinumërimit, Elezi ka deklaruar se “ashtu siç parashihet në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, subjektet politike dhe kandidatët do të mund të parashtrojnë ankesat e tyre në PZAP dhe, eventualisht, procesi mund të vazhdojë deri në Gjykatën Supreme”.
Tutje, ai shprehet se “procesi i rinumërimit i heq dilemat sa i përket rezultateve dhe kjo mund të zvogëlojë nevojën për ankesa, por KQZ duhet të presë afatin për paraqitjen dhe shqyrtimin e tyre para se të procedojë me certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve dhe njëkohësisht me përmbylljen e procesit zgjedhor”.
KQZ ka njoftuar të dielën se në QNR janë rinumëruar 65% apo 1,662 nga 2,557 vendvotime.
Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar (QKMK) ka njoftuar se nga data 26 janar, duke filluar nga ora 12:00, do të ndërpritet qarkullimi i kamionëve në të gjitha pikat kufitare të Kosovës me Serbinë. Sipas njoftimit zyrtar, masa vjen si pasojë e protestave që pritet të zhvillohen në territorin e Serbisë dhe që “mund të zgjasin deri në shtatë ditë”.
Protestat lidhen me kundërshtimin e shoferëve të kamionëve ndaj Sistemit të ri të Hyrjeve/Daljeve të Bashkimit Evropian, i cili synon regjistrimin digjital të hyrje-daljeve në zonën Shengen. Sipas kamionistëve të rajonit, ky sistem “sjell vonesa të gjata dhe procedura më të ndërlikuara në pikat kufitare”, duke rrezikuar aftësinë e tyre për të punuar.
QKMK paralajmëron se protestat “do të ndikojnë në qarkullimin e mjeteve të transportit dhe mallrave” dhe mund të mbingarkojnë trafikun në zonat kufitare.
Përdorimi total nga burimet e rinovueshme në të gjithë BE-në ka arritur pothuajse 50%, i nxitur nga energjia hidrike dhe, gjithnjë e më shumë, nga energjia diellore.
Austria kryeson BE-në për përdorimin e energjisë elektrike të rinovueshme, me pjesën më të lartë të energjisë që vjen nga burimet e gjelbra.
Sipas Eurostat, vendi u rendit i pari me një normë përdorimi të energjisë elektrike të gjelbër prej gati 90%, e rritur nga 16 hidrocentralet e saj.
Suedia vjen e dyta me 88%, e mundësuar kryesisht nga era dhe uji, ndërsa një vend tjetër nordik, Danimarka, vjen e treta me 80%, falë rrjetit të saj të gjerë të parqeve me erë në tokë dhe në det të hapur, shkruan Euronews, përcjell Telegrafi.
Norma dukshëm mbi 50% u regjistruan gjithashtu në Portugali (66%), Spanjë (60%) dhe Kroaci (58%), ndërsa Italia dhe Franca u renditën në gjysmën e poshtme, përkatësisht të 18-të dhe të 21-të në BE.
Përqindjet më të ulëta të përdorimit të energjisë elektrike të gjelbër u gjetën në Maltë (11%), Republikën Çeke (18%), Luksemburg (20.5%), Hungari dhe Qipro (24%).
Këto shifra mbulojnë të gjithë energjinë elektrike që vjen nga burime të rinovueshme, përfshirë atë të importuar nga jashtë.
Ndërkohë, bëhet e ditur se përdorimi i energjisë elektrike të gjelbër në të gjithë Bashkimin Evropian është rritur ndjeshëm gjatë dy dekadave të fundit.
Në vitin 2004, ajo përbënte vetëm 16% të konsumit total të energjisë elektrike. Rreth 10 vjet më vonë, kjo shifër u rrit në gati 29%, dhe sot qëndron në 47.5%.
A do ta kalojë energjia diellore, energjinë hidro - si burimi kryesor i energjisë elektrike të gjelbër?
Energjia e erës aktualisht përbën pjesën më të madhe të burimeve të rinovueshme të përdorura për të prodhuar energji elektrike, me 38% të totalit, e ndjekur nga energjia hidro me 26%.
Megjithatë, rritja më e shpejtë është energjia diellore, e cila shkoi nga vetëm 1% në vitin 2008 në mbi 23% në vitin 2024, me 304 TWh.
Eksperti i energjisë në Bruegel, Ben McWilliams, i tha ‘Europe in Motion’ se "është pothuajse e sigurt që energjia diellore do të kalojë energjinë hidro në vitet e ardhshme".
"Zhvilluesit vazhdojnë të ndërtojnë centrale diellore me një ritëm rekord, ndërsa vendosja e energjisë hidrike nuk rritet", tha ai, duke shtuar se sa më shumë panele diellore të instalojë Evropa, aq më mirë për sigurinë energjetike.
"Çdo panel i ri diellor zvogëlon varësinë nga nafta, gazi dhe qymyri, dhe këto varësi janë kërcënimet e vërteta për sigurinë energjetike evropiane", theksoi McWilliams.
Mbështetja e BE-së nga energjia diellore në Kinë nuk është një problem afatgjatë
Edhe pse shumica dërrmuese e paneleve diellore të instaluara në BE prodhohen në Kinë, McWilliams përjashtoi idenë se kjo e bën Evropën më të brishtë mes tensioneve gjeopolitike.
"Panelet diellore janë një stok jo një rrjedhë; pasi BE të ketë instaluar një panel nga Kina, ai është aty përgjithmonë", tha ai. "Nëse - për çfarëdo arsye - importet e paneleve diellore nga Kina ndalen, kjo thjesht do të ngadalësonte ndërtimin e paneleve të reja diellore dhe furnizimi do të rritej diku tjetër (përfshirë brenda vendit) gjatë një periudhe dy-tre vjeçare".
Sipas Solar Power Europe, aktualisht ka 166 kompani në BE aktive në zinxhirin fotovoltaik, ose të energjisë së dritës.
Shumica dërrmuese e tyre janë në Gjermani, megjithëse kapaciteti më i madh i energjisë diellore për frymë prodhohet në Holandë, me rreth 1,044 W në vit. /Telegrafi/
Ura e Golikut, Monument Kulture i Kategorisë së Parë, e ndërtuar në fund të shekullit XVII, po përballet sot me rrezikun real të shkatërrimit.
Një nga veprat më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në zonën e Mokrës, e lidhur historikisht me degëzimin e rrugës antike Egnatia, po dëmtohet vazhdimisht nga gërmimet e paligjshme.
Prej vitesh, ura bie pre e kërkuesve të arit dhe materialeve arkeologjike, të cilët ndërhyjnë në mënyrë të përsëritur në strukturën dhe trupin e saj, duke cenuar seriozisht qëndrueshmërinë e monumentit.
Dëmtime të tilla janë konstatuar edhe së fundmi, por autorët mbeten të paidentifikuar, pasi gërmimet kryhen gjatë orëve të natës. Pasojat janë të dukshme: zgavra në themele, çarje në trupin e urës dhe shembje të pjesshme të materialit lidhës, dëmtime që përbëjnë rrezik serioz, shkruan A2 CNN.
Përveç ndërhyrjeve, edhe faktorët atmosferikë kanë luajtur rolin e tyre. Mbi 300 vite ekspozim ndaj reshjeve, ngricave dhe erozionit kanë përshpejtuar degradimin e urës, duke e bërë sot emergjente ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse.
Problemi nuk është i izoluar. Ashtu si Ura e Golikut, edhe varret monumentale të Selcës, vetëm pak kilometra më tutje, një tjetër sit arkeologjik me rëndësi të jashtëzakonshme, kanë rënë pre e grabitësve, të cilët gërmojnë pa asnjë pengesë, duke shkatërruar pasuri të pazëvendësueshme kulturore.
Klubi i Sporteve Ujore Otrila vazhdon të dëshmojë se është një nga qendrat më të rëndësishme të zhvillimit të notit në Kosovë, me sportisten e këtij klubi, Hana Beiqi, që është shpallur sportistja më e mirë e vitit në not në vend.,
Ajo e merr këtë vlerësim të merituar për paraqitjet dhe rezultatet e jashtëzakonshme gjatë vitit. Beiqi është rekordere e Kosovës në disa disiplina të notit dhe konsiderohet një nga talentet më premtuese të sporteve ujore në vend.
Sukseset e saj janë rezultat i një pune të strukturuar, përkushtimi maksimal dhe një sistemi profesional trajnimi, që karakterizon filozofinë e punës së klubit Otrila.
Ky vlerësim nuk përfaqëson vetëm një arritje individuale për Hanën, por edhe një tjetër dëshmi të qartë të misionit të klubit Otrila për ndërtimin e sportistëve elitarë, zhvillimin e talenteve të reja dhe krijimin e standardeve të reja në not dhe sportet ujore në Kosovë.
Otrila vazhdon të investojë në vizion afatgjatë dhe zhvillim të qëndrueshëm, duke u shndërruar në një adresë të sigurt për talentet që synojnë nivelet më të larta të sportit. /Telegrafi/
Të paktën dy persona kanë vdekur ndërsa një stuhi masive dimërore përfshiu pjesën më të madhe të vendit këtë fundjavë, duke shkaktuar rënie të temperaturave dhe kushte të rrezikshme udhëtimi.
Departamenti i Shëndetësisë i Luizianës (LDH) tha se dy burra vdiqën për shkak të hipotermisë, me vdekjet e tyre që u konfirmuan si të lidhura me stuhinë.
Ndërkohë, kryetari i bashkisë së qytetit të Nju Jorkut, Zohran Mamdani, raportoi gjithashtu pesë vdekje në New York City të shtunën mes motit të dimrit, megjithëse tha se ishte shumë herët për të konfirmuar shkakun e vdekjes së tyre.
Kushtet e motit thuhet se sollën “shi të ngrirë” dhe borë të madhe në disa pjesë, duke shkaktuar ndërprerje të përhapura të energjisë elektrike, anulime fluturimesh dhe udhëtime të rrezikshme, ndërsa parashikuesit paralajmëruan se i ftohti i rrezikshëm do të vazhdonte pasi të mbaronin reshjet.
Shërbimi Kombëtar i Motit (NWS) paralajmëroi se bora, breshëri dhe shiu i ngrirë do të vazhdonin deri të hënën në pjesë të mëdha të vendit.
E meteorologia e NWS, Allison Santorelli, i tha Associated Press se stuhia ishte "kaq e përhapur", duke prekur zona të shumta, duke përshkruar një hapësirë prej afërsisht 2,000 miljesh.
Midland, Texas was covered in heavy snow Sunday morning during a massive winter storm sweeping the country.
Të dielën në mëngjes, rreth 213 milionë njerëz ishin nën një formë alarmi për motin e dimrit, me ndërprerje të energjisë që tejkalonin 870,000 klientë dhe që po rritej.
Përveç kësaj, më shumë se 10,000 fluturime u anuluan të dielën dhe 8,000 të tjera u vonuan, duke ndikuar në qendrat kryesore në Filadelfia, Uashington, Raleigh-Durham, Nju Jork dhe Nju Xhersi, sipas të dhënave të FlightAware të cituara nga AP. /Telegrafi/
Kuzhina Qendrore e Prishtinës, një nga shërbimet kyçe publike në kryeqytet, nga fillimi i këtij viti ka nisur zbatimin e orarit katërditor të punës, me tri ditë pushim në javë. Sipas drejtuesve, modeli i ri synon rritjen e efikasitetit dhe përmirësimin e organizimit të punës, pa ndikuar në shërbimet që ofrohen çdo ditë. Sociologët vlerësojnë se ky model përkon me praktikat evropiane dhe mund të kontribuojë në rritjen e mirëqenies dhe produktivitetit të punëtorëve.
Ganimete Kongjeli është pjesë e Kuzhinës Qendrore tash e 21 vjet. Si kryekuzhiniere, ajo thotë se ngarkesa e punës është rritur ndjeshëm, veçanërisht me shtimin e institucioneve që mbulohen nga kjo ndërmarrje. Megjithatë, sipas saj, puna po përballohet falë bashkëpunimit mes stafit.
“Një ditë është punë se ka punë shumë, është shtuar puna shumë. Është e vështirë pak, por nuk është edhe aq shumë me të gjithë bashkë këtu duke punuar, kemi bashkëpunim kemi marrëveshje edhe po ia dalim mirë”, thotë Kongjeli.
Së fundmi, ndërmarrja ka nisur zyrtarisht aplikimin e orarit katërditor të punës. Për Ganimeten dhe koleget e saj, ky vendim është pritur pozitivisht.
“Ne e kemi prit, kjo nuk është keq është shumë mirë me i pas 3 ditë pushim e 4 ditë punë”, thotë ajo.
Në Kuzhinën Qendrore të Prishtinës janë të punësuar rreth 110 persona, përfshirë kuzhinierë, staf shërbyes, administrativ dhe menaxhues.
“Duke parë këtë numër të punëtorëve dhe duke parë orarin 7 ditor që punojmë ne si ndërmarrje, ne përveç fëmijëve ne ushqejmë edhe shtëpinë e pleqve edhe zjarrfikësve edhe qëndrimet ditore e pleqve që është në Prishtinë, do të thotë ne detyrohemi të punojmë 7 ditë në javë. Duke parë këtë orar të punës, ne kemi arriturr në përfundimin që për ndërmarrjen, përveç që është profitabile, është edhe më produktive të kthejmë orarin 4 ditë në javë për gjithsecilin e punësuar sepse pastaj ne na vijnë që çdo i punësuar të punojnë 4 ditë por të hiqet e shtuna dhe e diela nga agjenda e punëtorëve për secilin që punojnë këtu”, thotë Asdren Osaj, kryeshef ekzekutiv i "Kuzhinës Qendrore".
Sipas drejtuesve, ky ndryshim nuk do të ndikojë në paga, në orët shtesë apo në vëllimin e punës, por synon një organizim më efikas të ndërrimeve dhe shmangien e përplasjeve në orare. Sipas sociologes Dhurata Prokshi, kjo nismë përkon me praktikat që po aplikohen gjithnjë e më shumë në vendet e Bashkimit Evropian.
"Është një nismë shumë e mirë e cila përkon me praktikat të cilat kanë filluar një numër i madh i vendeve të Bashkimit Evropian t'i aplikojnë me qëllim që të sigurohet mirëqenia e punëtorëve, të ngritët cilësia e efikasitetit dhe e punës së tyre dhe të kuptohet që kontrata në mes punëdhënësit dhe i punëtorit, nuk është një veprim i njëanshëm dhe nuk është vetëm në dobinë apo në benefitin e punëtorit, por është qëndrueshmëria ajo që sigurohet duke krijua kushte të mira", thotë Prokshi.
Ajo thotë se modele të tilla duhet të shihen si pilot-projekte, por me analiza të mirëfillta dhe transparencë në zbatim, në mënyrë që të jenë të qëndrueshme dhe të aplikueshme edhe në institucione të tjera.
“Por, gjithsesi Kosova, institucionet e publike por edhe ato private duhet të luftojnë të gjithë akterët relevant, që të ndërtojnë treg atraktiv, i cili është edhe tregues se sa një shoqëri është e shëndetshme dhe se sa e ka në prioritet, sa e ka në fokus, të mirën apo mirëqenien e përgjithshme të popullatës së vetë e cila është në masë të madhe aktive apo realizohet përmes pjesëmarrjes në jëtë publike, gjegjësisht përmes pjesëmarrjes në treg të punës", thotë Prokshi.
“Kuzhina Qendrore” e Prishtinës funksionon në bazë të hyrave vetanake dhe nuk varet nga subvencionet apo grantet e institucioneve publike. Sipas drejtuesve, kjo u jep më shumë fleksibilitet për të testuar dhe zbatuar modele të reja të organizimit të punës, pa cenuar shërbimin ndaj qytetarëve./RTK
Victoria Beckham kaloi fundjavën në shoqëri të kolegeve të saj nga grupi “Spice Girls” duke marrë pjesë në festën e 50-vjetorit të Emma Bunton në Soho Farmhouse.
Në rrjete sociale ndau një foto nga ngjarja me urimin: “Gëzuar ditëlindjen shpirtit më të bukur. Ju dua shumë, vajza”.
E vetmja anëtare që mungoi ishte Mel B.Ky moment erdhi vetëm disa ditë pas një periudhe të vështirë për Victorian.
Djali i saj 26-vjeçar, Brooklyn Beckham, publikoi një deklaratë ku shprehte se nuk dëshiron pajtim me familjen.
Ai akuzoi veçanërisht të ëmën duke thënë se ajo kishte ndërhyrë në vallëzimin e tij të parë në dasmë dhe kishte vepruar në mënyrë të papërshtatshme para të gjithëve.
Brooklyn shtoi gjithashtu se prindërit e tij kishin tentuar të pengonin lidhjen e tij dhe se për të, marka Beckham dhe promovimi publik i vlerave familjare ishin gjithmonë prioritet.
Burime pranë familjes thonë se Victoria ndjehet e zhgënjyer nga këto deklarata, pasi e ka mbrojtur djalin nga lajmet negative gjatë gjithë viteve. /Telegrafi/
Pas dy golave të shënuar të shtunën mbrëma ndaj Villarrealit, Kylian Mbappe duket gjithnjë e më i favorizuar për të fituar Topin e Artë 2026. Të paktën kështu beson Eden Hazard.
Në këtë sezon, sulmuesi i Real Madridit ka regjistruar tashmë 11 gola në Ligën e Kampionëve dhe 21 gola në La Liga, shifra që e vendosin kapitenin e përfaqësueses franceze në rrugën e një sezoni historik, potencialisht më të mirin e karrierës së tij.
Forma e jashtëzakonshme individuale e bën Mbappen një nga kandidatët kryesorë për çmimin më prestigjioz individual në futboll.
Megjithatë, për të kurorëzuar këtë objektiv, ylli i “Los Blancos” do të duhet edhe sukses në aspektin kolektiv. Në një vit Kupe Bote, trofetë me klubin dhe një paraqitje e fortë me Francën do të jenë vendimtare.
I pyetur nga “Telefoot”, Eden Hazard u shpreh i bindur se ish-sulmuesi i PSG-së ka gjithçka që i nevojitet për ta fituar Topin e Artë.
“Që në fillim të sezonit, ai e ka vendosur shiritin shumë lart. A mund ta fitojë Mbappe Topin e Artë? Mendoj se po. Do t’i duhet të fitojë Ligën e Kampionëve, La Liga-n dhe të shkojë larg në Kupën e Botës. Por nuk kam asnjë dyshim për të: Topin e Artë, ai do ta fitojë”, deklaroi ish-reprezentuesi belg.
Me ritmin aktual dhe rolin vendimtar që po luan si te Real Madridi ashtu edhe te Franca, Mbappe duket gjithnjë e më pranë një sezoni që mund ta çojë në majën absolute të futbollit botëror./Telegrafi
Një grup kryesor venezuelian për të drejtat e njeriut thotë se të paktën 80 të burgosur politikë janë liruar nën presionin e SHBA-së.
Alfredo Romero, kreu i Foro Penal, tha se grupi i tij po verifikonte identitetin e atyre që u liruan nga burgjet në të gjithë vendin të shtunën - dhe ka të ngjarë të ketë lirime të tjera.
Ky është grupi i fundit i të ndaluarve të liruar që kur SHBA-të arrestuan presidentin venezuelian Nicolás Maduro në një bastisje dhe e çuan atë në New York për t'u gjykuar për akuzat e trafikimit të drogës në fillim të këtij muaji.
Të premten, presidentja e përkohshme e Venezuelës, Delcy Rodriguez, bëri të ditur se më shumë se 600 të burgosur ishin liruar - por Foro Penal thotë se kjo shifër është fryrë.
Romero njoftoi lirimet në mediat sociale.
Ai gjithashtu postoi një imazh të kolegut të Foro Penal, Kennedy Tejeda, i cili tha se ishte mbajtur në burgun Tocorón, në perëndim të kryeqytetit Karakas që nga gushti i vitit 2024.
Në një postim në X, avokati i Foro Penal, Gonzalo Himiob, tha se numri i lirimeve mund të rritet mbi 80 "ndërsa vazhdojmë me verifikimin".
Më parë, Foro Penal tha se shumë prej atyre që u liruan javët e fundit nuk u janë hequr akuzat kundër tyre.
Kjo i ka lënë ata në një situatë të pasigurt ligjore dhe atyre u është ndaluar të flasin publikisht, tha grupi.
Para zhvillimeve të kësaj fundjave, grupi kishte konfirmuar lirimin e vetëm 156 të burgosurve politikë që nga 8 janari.
Disa figura të opozitës vendase dhe të paktën pesë shtetas spanjollë janë midis atyre që janë konfirmuar të liruar deri më tani.
Veçmas, Rodriguez bëri të ditur se do të kishte një telefonatë të hënën me Komisionerin e Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, për t'i kërkuar OKB-së të verifikojë listat e të liruarve deri më tani.
Grupet dhe aktivistët e të drejtave të njeriut e kanë akuzuar prej kohësh qeverinë për përdorimin e ndalimeve për të heshtur kritikët.
Qeveria venezueliane ka mohuar mbajtjen e të burgosurve politikë, duke këmbëngulur se ata u arrestuan për aktivitet kriminal.
Shumë u ndaluan pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024, kur Maduro shpalli fitoren pavarësisht kundërshtarëve dhe shumë vendeve që kundërshtuan rezultatet. /Telegrafi/
Talenti brazilian Endrick, i huazuar te Lyoni nga Real Madridi, tregoi edhe një herë pse konsiderohet si një nga sulmuesit e rinj më premtues në botë, duke shkëlqyer me një paraqitje fantastike ndaj Metz, ku ekipi i tij Lyon fitoi 5-2.
Ky ishte het-triku i tij i parë me Lyon, ku është i huazuar dhe ka lënë përshtypje shumë të mira deri më tani.
Në minutën e 10-të, Corentin Tolisso depërtoi nga krahu i djathtë dhe dërgoi një pasim të saktë në zonë, ku Endrick u gjend në pozicion perfekt dhe me shumë qetësi e parakaloi portierin, duke i dhënë Lyonit epërsinë 1-0.
Pak para përfundimit të pjesës së parë, në minutën e 45-të, Endrick u gjend sërish përballë portierit dhe me gjakftohtësi e dërgoi topin në rrjetë për ta thelluar rezultatin në 4-1.
Sulmuesi i ri e kompletoi het-trikun nga pika e bardhë, duke realizuar penalltinë për rezultatin 5-2.
Golat e shënuar nxorën në pah lëvizjen e shkëlqyer, mendimin e shpejtë dhe talentin natyral të Endrickut, duke konfirmuar ndikimin e menjëhershëm që ai po e ka në Ligue 1 me fanellën e Lyonit. /Telegrafi/
Gjatë javës së ardhshme në Kosovë pritet të mbajë mot i ndryshueshëm, kryesisht i vranët dhe i shoqëruar me reshje shiu.
Sipas parashikimeve meteorologjike nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, reshjet më intensive priten ditën e hënë, lokalisht me intensitet mesatar deri të lartë.
Autoritetet rekomandojnë kujdes të shtuar në komunikacion, veçanërisht në zonat urbane dhe ato me rrezik për grumbullim të ujit në rrugë.
“Sugjerim për popullatën: Të hënën shmangni udhëtimet e panevojshme gjatë reshjeve intensive. Përshtatni shpejtësinë me kushtet e rrugës. Tregoni kujdes të shtuar në zonat me mjegull gjatë mesjavës”, thuhet në njoftimin e institutit.
Temperaturat minimale gjatë javës do të lëvizin nga -1 deri në 5 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga 6 deri në 10 gradë Celsius.
Të mërkurën parashikohen kushte për mjegull në disa zona, kryesisht në viset mesatare, lugina dhe përgjatë relievit malor, çka mund të zvogëlojë dukshmërinë në orët e mëngjesit.
Era do të fryjë nga drejtime të ndryshme, me shpejtësi deri në 5 m/s.
Parashikimi ditor i motit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës
E hënë Mot i vranët dhe me reshje shiu, lokalisht mesatare deri të larta. Në viset malore pritet shi me borë. Temperaturat: minimale 3–5°C, maksimale 6–8°C. Era do të fryjë nga juglindja me shpejtësi 1–5 m/s.
E martë Mot i vranët, vende-vende me riga shiu. Temperaturat: minimale 2–4°C, maksimale 5–8°C. Era nga verilindja, 1–5 m/s.
E mërkurë Mot i vranët me intervale me diell. Në mëngjes mjegull në zonat mesatare dhe pranë relievit malor. Temperaturat: minimale -1–1°C, maksimale 6–9°C. Era nga verilindja, 1–4 m/s.
E enjte Mot i vranët, vende-vende me riga shiu. Temperaturat: minimale 1–4°C, maksimale 7–10°C. Era nga verilindja, 1–5 m/s.
E premte Mot i vranët, me riga shiu në disa zona. Temperaturat: minimale -1–1°C, maksimale 6–9°C. Era nga veriperëndimi, 1–3 m/s.
Një person është lënduar dhe një veturë është dëmtuar si pasojë e rrëzimit të fasadës së një objekti, për shkak të erërave të forta që po mbizotërojnë në Fushë Kosovë.
Drejtori i Shërbimeve Publike në Fushë Kosovë, Izja Mjeku, ka bërë të ditur se rreth orës 21:00 kanë pranuar një telefonatë për një incident të ndodhur në afërsi të shkollës “Mihal Grameno”, ku ka rënë fasada e një objekti banesor.
Si pasojë e këtij rasti, një person i rastit ka pësuar lëndime trupore, një veturë është dëmtuar, ndërsa është shkaktuar rrezik edhe për pjesëmarrësit në komunikacion.
“Sapo kemi pranuar informatën, ekipet e Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Shërbimeve Publike, kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe, së bashku me qytetarët, kanë ndërhyrë për pastrimin e zonës dhe eliminimin e rrezikut”, ka deklaruar Mjeku.
Sipas tij, personi i lënduar është dërguar për trajtim mjekësor dhe aktualisht po merr ndihmën e nevojshme në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF).
Drejtoria e Shërbimeve Publike ka apeluar tek qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, për shkak të erërave të forta që pritet të vazhdojnë edhe në orët në vijim.
Guvernatori i Minesotës, Tim Walz, ka mbajtur një konferencë për media pasi një burrë u qëllua për vdekje nga agjentët e ICE nga Minneapolis.
Walz e mbyll konferencën për shtyp duke i bërë homazhe Prettit, duke thënë se ai ishte infermier i terapisë intensive dhe “djalë i dashur nga komuniteti”.
Ai i bën thirrje udhëheqjes federale të ndalojë “përbaltjen” e Prettit, duke shtuar se familja e tij “ka vuajtur mjaft” duke u detyruar të varrosë djalin e saj.
“Ju e dini se çfarë patë, dhe më pas dëgjuat njerëzit më të fuqishëm në botë… t’ju tregojnë atë që po shikonit, se ky ishte një terrorist vendas”, tha Walz, duke shtuar se agjentët federalë e mbyllën vendin e krimit, “duke fshirë provat”.
Ai tha se dikush duhet të mbajë përgjegjësi për të shtënat dhe përsëriti thirrjet që Trump të largojë agjentët e ICE nga Minneapolis.
“Kjo është një pikë kthese, Amerikë”, tha ai. “Nëse nuk mund të biem të gjithë dakord se përbaltja e një qytetari amerikan, përdhosja e gjithçkaje që ai përfaqësonte dhe kërkesa për të mos besuar atë që pamë [është e gabuar], nuk di çfarë t’ju them tjetër,” shton ai.
Zyra e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti ka folur lidhur me Forumin Ekonomik Botëror që u mbajt në Davos.
Kryeministria zbulon detaje nga ky forum dhe nga takimet e zhvilluara nga kryeministri i Kosovës.
Gjatë takimit të Kurtit me Komisioneren për Zgjerim Marta Kos, kryeministri ka theksuar rëndësinë e trajtimit serioz të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian si dhe marrja e statusit të vendit kandidat, tha Zyra e Kurtit pë Euro News Albania.
“Për herë të dytë qeveria e Kosovës e organizon Shtëpinë e Kosovës në Davos të Zvicrës. Kryeministri Kurti merr pjesë në ngjarjet që organizohen atje si dhe ka takime bilaterale me përfaqësues të lartë të shteteve aleate, mike dhe partnere, jo vetëm në Shtëpinë e Kosovës, por edhe në margjina të Forumit Ekonomik Botëror.
Këtë vit, Kryeministri Kurti ishte i ftuar edhe në Shtëpinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Davos, për të marrë pjesë në një panel diskutimi, ndërsa ishte prezent edhe gjatë fjalimit të President Trump, të mbajtur ditën e mërkurë të kësaj jave.
Takime të tjera bilaterale, u zhvilluan me Komisioneren për Zgjerim, Marta Kos, Kryeministrin e Luksemburgut Luc Frieden, këshilltarin për Siguri Kombëtare të Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Poëell, ministrin e Promovimit të Eksportit, Tregtisë Ndërkombëtare dhe Zhvillimit Ekonomik të Kanadasë, Maninder Sidhu, ministrin e Ekonomisë dhe Industrisë të Estonisë, Erkki Keldo, ministrin e Energjisë Elektrike, Ujit dhe Energjisë së Ripërtërishme, njëherësh ministër në detyrë i Financave dhe ministër i Shtetit për Çështjet Ekonomike dhe Investimet të Shtetit të Kuvajtit, Dr. Sabeeh Al-Mukhaizeem.
Me Komisioneren Kos, temë kryesore e ngritur nga Kryeministri ishte rëndësia e trajtimit serioz të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, dhe marrja e statusit të vendit kandidat.
Me shtetet partnere u diskutuan një sërë temash, mes të cilave mundësitë për investime të huaja, fuqizim i bashkëpunimit në sektorë me interes të përbashkët si industria minerare, teknologjia, digjitalizimi, energjia, mbrojtja”, shkruhet në reagimin e zyrës së kryeministrit Kurti për Review të Euro News Albania.
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon me intensitet të lartë procesi i rinumërimit të fletëvotimeve, bazuar në vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Sipas të dhënave të fundit nga QNR, deri më tani është përmbyllur rinumërimi për 66% të vendvotimeve.
Në shifra konkrete, nga gjithsej 2,557 vendvotime për të cilat KQZ kishte marrë vendim për rinumërim, tashmë është përfunduar procesi për 1,699 prej tyre.
Në kuadër të detyrave të rregullta policore, më datë 25.01.2026, rreth orës 15:20, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Mitrovicë Veri kanë ndaluar për kontroll një automjet me targa vendore në rrugën “Knjaz Milosh”.
Gjatë kontrollit të automjetit, policia ka hasur në një sasi pantallonash, për të cilat drejtuesi i automjetit, E.G., nuk ka mundur të prezantojë dokumentacionin përkatës mbi origjinën dhe posedimin e mallit.
Në përputhje me procedurat ligjore, rasti është proceduar për trajtim të mëtejmë në Doganën e Kosovës.
Policia e Kosovës vazhdon angazhimin e saj në parandalimin dhe luftimin e kontrabandës dhe fton qytetarët që të bashkëpunojnë duke raportuar çdo veprim të dyshimtë në numrin 192 ose në stacionin më të afërt policor. Policia garanton veprime të shpejta dhe zbatim të rregullt të ligjit ndaj të gjithë atyre që tentojnë të shkelin ligjin.
Policia e Kosovës do të vazhdojë me kontrolle të rregullta në funksion të ruajtjes së rendit dhe ligjit, si dhe sigurisë së të gjithë qytetarëve pa dallim.