Nga valëzimet romantike te topuzi elegant – tre stile nga një larje e vetme flokësh
Në vrullin e ditëve festive, shpesh nuk kemi shumë kohë për t’ia kushtuar flokëve dhe stilimit të tyre. Pothuajse gjithmonë ndodh të ndihemi të pakënaqura për mungesë frymëzimi. Këtë sezon dimëror 2026, guxuam të provojmë diçka ndryshe, pa caktuar termin te parukieri.
Ju prezantojmë tri frizura për tri ditë, të cilat mund të realizohen pas vetëm një larjeje dhe tharjeje të flokëve.
Para se të nisë euforia festive, ndani rreth një orë për t’i larë dhe stiluar flokët në valëzime romantike, gati për tapetin e kuq. Thajini flokët me tharëse, më pas ndajini në tufa dhe përdorni figaron për t’i valëzuar. Mbajeni çdo tufë me dorë derisa të ftohet, në mënyrë që valëzimet të formohen më mirë. Në fund, aplikoni një llak të lehtë për flokë dhe krehini butësisht me një furçë të butë për të krijuar valëzime të çliruara dhe natyrale, transmeton Telegrafi.
Ditën pasuese, mund t’i shfrytëzoni valëzimet që tashmë janë zbutur, duke i stiluar flokët në një topuz të lirshëm. Sërish, aplikoni pak llak të lehtë për t’i dhënë teksturë flokëve. Më pas, mblidhini në bisht dhe rrotullojini në një spiralë të butë, duke i fiksuar me karfica. Nëse keni flokë të gjatë ose të dendur, mund të përdorni një kapëse më të madhe dhe t’i lini majat të lira. Shtoni edhe pak llak për ta siguruar frizurën.
Ka zgjidhje edhe për ditën e tretë. Nëse gjatë ditëve festive nuk keni kohë të merreni me flokët, ekziston një mënyrë e thjeshtë që ato të duken sërish të kuruara. Bëhet fjalë për topuzin elegant, ose top knot. Krihini mirë flokët dhe aplikoni një krem nga rrënja deri te majat për t’i zbutur fijet dhe për ta lehtësuar stilimin.
Mblidhini flokët në një bisht të lartë, duke ndjekur vijën e mollëzave për të krijuar efekt ngritjeje. Ndajini flokët në dy pjesë dhe rrotullojini në formë nyje; përsëriteni edhe një herë, më pas fshihini majat dhe fiksuarini me karfica. /Telegrafi/
Nuk janë mobiliet e shtrenjta ato që krijojnë luksin, por ndjesia, drita, detajet dhe harmonia që e bëjnë një hapësirë të duket elegante, e ngrohtë dhe e menduar me kujdes
Kur mendojmë për luksin, shpesh na shkojnë ndër mend mobile të shtrenjta apo detaje dizajnerësh. Në realitet, luksi ka shumë pak lidhje me çmimin dhe shumë më tepër me ndjesinë. Një shtëpi që duket luksoze nuk është e ftohtë, e paarritshme apo sterile. Është një hapësirë ku hyn me lehtësim, ku dëshiron të ulesh, të qëndrosh dhe të marrësh frymë thellë. Luksi i vërtetë është një ndërthurje e rehatisë, identitetit personal dhe vëmendjes ndaj detajeve.
Një shtëpi që duket luksoze nuk është një shtëpi perfekte. Është një hapësirë ku ndiheni mirë, të sigurt dhe vetvetja. Kur bashkoni rehatinë, dritën, objektet personale, rregullin dhe elementet natyrore, krijoni një interier që nuk përpiqet të impresionojë, por e bën këtë në mënyrë krejt spontane.
Ekzistojnë disa rregulla të thjeshta që e krijojnë këtë efekt pothuajse pa u vënë re, por me siguri, transmeton Telegrafi.
Truku 1: Tekstura që ndihen nën gishta
shutterstock
Një shtëpi luksoze nuk perceptohet vetëm me sy, por përjetohet edhe përmes prekjes. Jastëkë të butë, batanije ku mund të mbështilleni, qilima që këmbët zbathur i njohin si diçka të këndshme, të gjitha këto ndërtojnë ndjesinë e ngrohtësisë dhe sigurisë. Nuk bëhet fjalë për grumbullim, por për materiale të zgjedhura me kujdes, që ftojnë kontaktin. Kur një hapësirë ka thellësi teksturash, ajo automatikisht duket më e pasur dhe më e menduar.
Truku 2: Dritë që ndryshon atmosferën
Ndriçimi është një nga elementet më të nënvlerësuara të interierit, por në fakt bën diferencë të madhe. Një dritë e vetme qendrore nuk krijon kurrë ndjesi luksi. Ndriçimi i ngrohtë, një llambë tavoline në qoshe, drita muri, llamba diskrete pranë shtratit apo divanit, qirinj që nuk shërbejnë vetëm si dekor, por edhe si burim atmosfere, të gjitha i japin hapësirës thellësi dhe qetësi. Drita që nuk verbëron, por qetëson, gjithmonë duket më e shtrenjtë.
Truku 3: Objekte që kanë histori
Një shtëpi që duket luksoze nuk ndërtohet kurrë vetëm me sende të reja dhe të përgjithshme. Në të ka objekte me histori. Një fotografi familjare në një kornizë të bukur, një pjatë e vjetër, një libër me dedikim, një pikturë e blerë gjatë udhëtimit apo një mobile që mbart kujtime. Këto detaje i japin hapësirës identitet. Ato tregojnë se në atë shtëpi dikush jeton vërtet, jo thjesht qëndron.
Truku 4: Rregulli që sjell qetësi
shutterstock
Luksi dhe kaosi nuk shkojnë bashkë. Një hapësirë e rregullt nuk do të thotë sterilitet, por qartësi. Kur çdo gjë ka vendin e vet, kur nuk ka tepri që e ngarkon ambientin, shtëpia bëhet më e lehtë për t’u jetuar. Pastërtia dhe organizimi krijojnë ndjesi kontrolli dhe qetësie - ky është një luks që sot vlerësohet më shumë se kurrë. Një hapësirë ku merr frymë lirshëm gjithmonë duket më e shtrenjtë sesa është.
Truku 5: Elementet natyrore si bazë
unsplash
Bimët, druri, guri, mermeri dhe materialet natyrore gjithmonë e ngritin nivelin e një ambienti. Gjelbërimi sjell jetë dhe ekuilibër, ndërsa druri dhe guri japin ngrohtësi dhe ndjesi qëndrueshmërie. Edhe një bimë e vetme, e vendosur mirë, mund të ndryshojë tërësisht përshtypjen e një dhome. Natyra në interier nuk është trend, por nevojë dhe pikërisht për këtë arsye duket elegante, e qetë dhe luksoze. /Telegrafi/
Dy përbërje nga kanabisi tregojnë efekte premtuese në ndalimin e rritjes dhe metastazimit të kancerit të vezoreve
Derivatet e kanabisit, përkatësisht barnat e prodhuara nga kanabisi, në të ardhmen mund të shndërrohen në një trajtim të ri për kancerin e vezoreve. Shkak për këtë pretendim është zbulimi i një ekipi shkencëtarësh që po teston efektet e dy përbërjeve kimike të përftuara nga kanabisi mbi qelizat e kancerit të vezoreve. Konkretisht, shkencëtarët kanë zbuluar se të dyja përbërjet shfaqin efekte premtuese antikancerogjene.
Kanceri i vezoreve është i vështirë për t’u diagnostikuar dhe edhe më i vështirë për t’u trajtuar
Edhe pse do të nevojiten më shumë kërkime që këto rezultate të shndërrohen në barna që mund t’u jepen pacientëve, këto gjetje përfaqësojnë një mundësi të rëndësishme për zhvillimin e terapive të reja dhe efektive për një kancer që diagnostikohet me vështirësi dhe trajtohet edhe më rëndë.
Kanceri i vezoreve mbetet një nga malignitetet gjinekologjike më vdekjeprurëse, i karakterizuar nga diagnostikimi i vonshëm, shkalla e lartë e rikthimit dhe mundësitë e kufizuara të trajtimit efektiv, theksoi dr. Siyao Tong nga Khon Kaen University, autori kryesor i studimit të publikuar në revistën Pharmacology.
Qëllimi ynë është të gjejmë barna alternative që mund të përmirësojnë efikasitetin dhe potencialisht të ulin toksicitetin, duke sjellë në fund shpresë të re për pacientët që përballen me këtë sëmundje sfiduese, nënvizon dr. Tong.
Sëmundja vdekjeprurëse merr jetën e shumicës së pacienteve
Nga të gjitha kanceret gjinekologjike, kanceri i vezoreve shkakton numrin më të madh të vdekjeve. Edhe pse ka pasur përparime në strategjitë e trajtimit, barnat aktuale nuk janë gjithmonë efektive dhe shpesh shoqërohen me efekte anësore të rënda. Ekspertët theksojnë se “opsione të reja janë urgjentisht të nevojshme”. Duke qenë se CBD (kanabidioli, i cili nuk është psikoaktiv) dhe THC (delta-9-tetrahidrokanabinoli, i cili është psikoaktiv) kanë treguar potencial kundër llojeve të tjera të kancerit, ekipi hulumtues vendosi t’i testojë ato mbi qelizat e kancerit të vezoreve.
Shkencëtarët përdorën dy linja të ndryshme qelizash të kancerit të vezoreve, njëra e ndjeshme ndaj barnave të bazuara në platinium dhe tjetra rezistente, dhe i ekspozuan këto linja ndaj CBD-së, THC-së ose kombinimit të të dyjave, për të vlerësuar nëse qelizat mund të mbijetojnë dhe të riprodhohen pas ekspozimit. Ata testuan gjithashtu një linjë qelizash të shëndetshme, për të parë nëse përbërjet shkaktonin dëmtime, transmeton Telegrafi.
Kombinimi i CBD-së dhe THC-së pengon migrimin e qelizave të kancerit të vezoreve
Shkencëtarët zbuluan se qelizat e të dyja linjave të kancerit, të trajtuara me CBD ose THC, formonin koloni më të vogla. Edhe pse të dyja përbërjet vepruan në frenimin e riprodhimit të qelizave kancerogjene, kombinimi i tyre dha rezultate veçanërisht të mira. Ndërsa asnjëra përbërje veçmas nuk shkatërroi një pjesë të madhe të qelizave të kancerit, kombinimi i tyre rezultoi shumë i suksesshëm.
Është e mundur që THC dhe CBD të veprojnë mbi qelizat e kancerit përmes mekanizmave të ndryshëm dhe, kur përdoren së bashku, efektet e tyre të fuqizohen. Është vërejtur se efekti inhibitor ishte më i theksuar kur CBD dhe THC u përdorën në raport 1:1, thekson dr. Tong.
Testet shtesë treguan se përbërjet pengojnë migrimin e qelizave, çka nënkupton se ato mund të ndalojnë përhapjen e kancerit të vezoreve në pjesë të tjera të trupit. Shumë paciente humbin jetën si pasojë e metastazave, ndaj një trajtim që i pengon ato mund të shpëtojë jetë.
Të dyja linjat qelizore u prekën në mënyrë të ngjashme, gjë që sugjeron se përbërjet mund të veprojnë njësoj mirë në lloje të ndryshme të kancerit të vezoreve. Përbërjet dhe kombinimet e tyre patën gjithashtu efekte minimale mbi qelizat e shëndetshme, duke treguar se trajtimet e bazuara në to mund të jenë më pak toksike dhe më të lehta për t’u toleruar sesa barnat aktuale.
Nevojiten studime in vivo që kanabinoidet të përdoren si terapi e re për kancerin e vezoreve
- Edhe pse studimi ynë është ende paraprak, ai vendos një bazë të rëndësishme për kërkime të ardhshme mbi aplikimet potenciale të CBD-së dhe THC-së në trajtimin e kancerit të vezoreve. Duke konfirmuar aktivitetin e tyre antikancerogjen dhe duke identifikuar mekanizmat molekularë kyç, pritet që gjetjet tona të nxisin studime të mëtejshme paraklinike. Nëse studimet e ardhshme i konfirmojnë këto efekte, terapia e kombinuar CBD-THC mund të kontribuojë në zhvillimin e strategjive të reja të trajtimit, shpjegon dr. Tong.
Megjithatë, studimi ka disa kufizime, thekson dr. Tong, pasi të gjitha eksperimentet janë kryer in vitro, ndaj rezultatet mund të mos pasqyrojnë plotësisht kompleksitetin e sjelljes së tumoreve në organizma të gjallë.
- Nuk kemi përfshirë modele in vivo dhe të dhëna farmakokinetike, të cilat janë thelbësore për të përcaktuar nëse CBD/THC mund të përdoret në mënyrë të sigurt dhe efektive klinikisht. Për më tepër, çështjet rregullatore dhe ligjore që lidhen me terapitë me kanabinoide mund të ndikojnë në kërkimet e ardhshme. Edhe pse rezultatet janë inkurajuese, nevojiten studime shtesë përpara se këto gjetje të aplikohen në trajtimin e pacientëve, përfundon dr. Tong. /Telegrafi/
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka falënderuar kryeministrin kanadez, Mark Carney, pas takimit të tyre në Halifax, ndërsa situata në Ukrainë vazhdon të tensionohet nga sulmet e fundit ruse.
Kryeministri i Kanadasë dënoi sulmet e fundit ajrore ruse ndaj Ukrainës si akte “barbarizmi”.
Në një postim në Telegram, presidenti ukrainas tha: “Rusia vazhdon të torturojë qytetet dhe qytetarët tanë. Moska ka refuzuar propozimet për armëpushim për Krishtlindje dhe po intensifikon sulmet me raketa dhe dronë”.
Ai shtoi se “ky është një sinjal i qartë se si ata e shohin diplomacinë. Deri tani, kjo nuk është marrë seriozisht”.
Zelenskyy pritet të flasë gjithashtu me aleatët evropianë sonte – do të njoftojmë për rezultatet e asaj telefonate sapo të kemi informacion.
Google ka nisur të testojë një veçori të pritur prej kohësh nga përdoruesit, duke mundësuar tani ndryshimin e adresës së emailit edhe për ata që përdorin @gmail.com.
Më parë, kjo mundësi ishte e disponueshme vetëm për përdoruesit që kishin lidhur shërbime të jashtme si Yahoo ose Outlook, ndërsa përdoruesit e Gmail nuk kishin këtë mundësi. Funksioni i ri është duke u shpërndarë gradualisht dhe pritet të bëhet i disponueshëm për të gjithë.
Çfarë përfshin ky ndryshim?
Nëse ndryshoni adresën (p.sh. nga filan.fisteku@gmail.com në une.fisteku@gmail.com), adresa e vjetër mbetet e lidhur me llogarinë tuaj.
Mbërritja e emaileve
Të gjitha mesazhet do të vazhdojnë të mbërrijnë në të njëjtin inbox. Të dhënat e tjera, si fotot dhe skedarët në Google Drive, mbeten të paprekura.
Hyrje me të dyja adresat
Përdoruesit mund të përdorin cilëndo nga dy adresat për të hyrë në shërbime si YouTube, Maps dhe Drive.
Kufizime kohore
Pas ndryshimit, nuk mund të bëhet një tjetër ndryshim ose të fshihet adresa e re për një periudhë 12-mujore.
Masa sigurie
Mund të bëhen deri në tre ndryshime: Çdo llogari mund të ndryshojë adresën deri në tre herë, që do të thotë se mund të ketë deri në katër adresa të lidhura.
Adresa origjinale mbetet e juaja dhe nuk mund të regjistrohet nga dikush tjetër.
Ky funksion është duke u bërë i disponueshëm për të gjithë përdoruesit e Gmail.
Një moment shumë emocionues ka ndodhur në shtëpinë e Big Brother VIP Albania, kur babai i Malit ka hyrë për të takuar djalin e tij.
Pas divorcit, ata nuk kanë pasur shumë kontakte dhe tani janë vite që nuk janë parë e takuar, çka ka sjellë emocione të forta mes tyre.
Mali para se të merrte lajmin se babai i tij ndodhej aty, tha: “Jam pak shpirt i lirë dhe s’e kam pritur që do të adaptohem kaq shpejt, edhe pse rri me pak njerëz, kam surprizuar veten. Nuk jam futur me strategji, jam futur të tregoj karakterin tim, kjo është e rëndësishme për mua”.
BBVA/YouTube
Ai foli me dashuri për nënën e tij: “Për nënën e përshëndes shumë, jemi si shokë. Nëna më ka dhënë jetën dhe i kam shumë borxhe dhe ishalla ia kthej një ditë. Më kanë përkrahur, sidomos nëna, për të gjitha gjërat që kam bërë dhe më ka thënë që je për atë format dhe ishalla e kam bërë krenare atë”.
Për marrëdhënien me vëllain, Mali tha: “Me vëllain i kemi mendimet të ndryshme, por e dua shumë, po me të dy i kam marrëdhëniet e ndryshme që i shijojmë. Shpresoj që t’i kem bërë krenarë dhe i kam qëndruar vetes ashtu si duhet”.
Babai i Malit ndau perspektivën e tij për mungesën e kontakteve: “Ma i bukuri, ma i miri, llokum. Kemi 7 vite e tre muaj që nuk jemi parë e takuar. Ka qenë periudhë shumë e vështirë. Unë me bashkëshorten time jemi ndarë dhe fëmijët kanë qenë të prekur. Ka pasur ditë që më takonin, më flisnin, por një ditë nuk erdhën as të më takonin e as të më flisnin”.
Ai shtoi se Mali nuk ka asnjë arsye që ta shmangë takimin: “E kam mbajtur si pëllumbin, edhe unë edhe gjyshja. Qajmë për të natë e ditë. Ai e ka hallin e nënës së vet”.
Mali foli edhe për marrëdhëniet e tjera familjare: “Violeta ka shtatë vëllezër dhe unë kam raporte shumë të mira me ta, edhe nëna m’i merr në telefon. Edhe me Njomzën edhe me Anisin, edhe ajo jeton në Gjermani dhe u uroj jetë të gjatë Njomzës dhe djalit të saj që bën një vjeç”.
Ai përfundoi duke shpjeguar vendimin e tij për të mos e takuar babain për momentin: “Nuk është e vështirë, po zgjedh mos të përmend, jo se kemi hequr përpara unë, nëna, motra dhe vëllai. Shumë pata qejf prej nënës ose motrës, shans të dytë i jepet njerëzve që gabojnë dhe mësojnë nga gabimet, jo atyre që vetëm gabojnë dhe nuk të lënë të ecësh përpara. Unë i uroj të gjitha të mirat në jetë, por kur të vijë dita do e takojë ku nuk ka kamera”. /Telegrafi/
Në shtëpinë e Big Brother VIP Albania, përkujdesja e Brikenës ndaj Stenaldos ka ngjallur reagime të ndryshme.
Ndërsa disa banorë e kanë perceptuar këtë si të shtirur, Stenaldo është shprehur se nuk pranon një kujdes të tillë, madje as nga njerëzit e tij më të afërt.
Brikena ka shpjeguar arsyen e sjelljes së saj: “Unë jam një person që jam një person i tillë, i kujdesshëm. E kanë parë edhe ata që janë këtu. Është një gjë që e bëj me të gjithë banorët. Jam tip që kam qejf të ndihmoj çdokënd”.
BBVA/YouTube
Nga ana tjetër, Stenaldo ka treguar kufijtë e tij personalë: “Është kënaqësi të kesh një vajzë si Brikena. Bukuria e Brikenës, është shumë e këndshme në të gjithë dimensionin e saj, por të hysh në BBV është të marrësh përsipër një sfidë. Ju më keni parë gjatë qëndrimit në shtëpi është e vështirë ta lë veten time kaq vulnerabël. Mendoj që është faktike, që asnjëri nuk i ka përjetuar. Këtë lloj përkujdesje nuk e pranoj as nga miqtë e mi më të ngushtë, as nga prindërit e mi, jo më në këto rrethana që jemi”.
Ky moment nxjerr në pah tensionin mes nevojës për mbështetje dhe dëshirës për pavarësi, duke reflektuar sfidat emocionale që sjell pjesëmarrja në lojë. /Telegrafi/
Rreth dy milionë qytetarë të Kosovës do të kenë mundësi të votojnë të dielën në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka konfirmuar se “përgatitjet janë përmbyllur që votimi të zhvillohet në 910 qendra gjithandej Kosovës”. Numërimi i votave për partitë politike do të nisë menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve, dhe rezultatet e para pritet të publikohen “para orës 20:00”.
Të drejtë vote kanë 1,999,024 persona. Një ditë para zgjedhjeve, KQZ njoftoi se “janë zhvilluar të gjitha përgatitjet e nevojshme për mbarëvajtjen e procesit”.
“Gjatë ditës së shtunë është shpërndarë materiali zgjedhor, përfshirë fletëvotimet nga depoja qendrore e KQZ-së për në qendrat komunale të numërimit, nga ku të dielën në mëngjes do të dërgohet në qendrat e votimit në më shumë se 900, të cilat do të hapen në orën 7:00 për qytetarët me të drejtë vote,” ka theksuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Përveç qendrave të rregullta të votimit, në secilën komunë do të ketë nga një qendër për votim me kusht.
“Procesi zgjedhor do të zhvillohet në 910 qendra të votimit në 2,557 vendvotime. Pra, në to do të mundësohet votimi i rregullt, ndërkaq në çdo komunë do të kemi nga një qendër votimi me gjithsej 57 vendvotime ku do të mundësohet procesi i votimit me kusht,” ka bërë të ditur Elezi.
Numërimi i votave për kandidatët për deputetë do të bëhet në qendrat komunale të numërimit dhe do të nisë të hënën. Siguria e procesit do të monitorohet nga Policia e Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Shtetit, ku janë angazhuar rreth 100 prokurorë dhe zyrtarë të sistemit prokurorial.
Përveç organizatave joqeveritare dhe disa ndërkombëtare, vëzhgues i zgjedhjeve është edhe Këshilli i Evropës, me 23 vëzhgues të akredituar.
Policia ka njoftuar se ka hartuar planin operativ për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të së dielës, në aspektin e sigurisë së procesit zgjedhor dhe koordinimit ndërinstitucional. Ajo inkurajon qytetarët të bashkëpunojnë dhe të raportojnë çdo rast të dyshuar ose veprim të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor.
Institucioni i Avokatit të Popullit gjithashtu do të vëzhgojë zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Ai do të monitorojë gjithashtu procesin e votimit në institucionet ku mbahen personat e privuar nga liria, në shtëpitë për persona të moshuar dhe pa përkujdesje familjare, si dhe në shtëpitë integruese në bashkësi.
Pas një takimi me KQZ-në, KEDS njoftoi se ka përmbyllur planin operativ për furnizim të pandërprerë me energji elektrike gjatë ditës së zgjedhjeve. KEDS ka bërë të ditur se do të angazhohen gjithsej 1,049 punëtorë, të organizuar në 140 ekipe në mbarë vendin.
Ndërsa viti 2025 po mbaron, sezoni i dhënies së dhuratave duket se është zgjeruar në skenën botërore, me presidentin amerikan Donald Trump që mori një shumëllojshmëri të jashtëzakonshme dhuratash këtë vit - disa simbolike, të tjera me vlerë miliona apo edhe miliarda dollarë.
Nga një aeroplan luksoz Boeing te shufrat e arit dhe madje edhe një kurorë e lashtë mbretërore, disa vende të huaja dukeshin të etura për të vendosur diçka nën pemën e Krishtlindjeve të presidentit .
Çdo dhuratë, e paraqitur në mes të diplomacisë formale, pasohej nga vendime të rëndësishme tregtare, mbrojtëse ose teknologjike që u sillnin dobi vendeve donatore.
Presidentët amerikanë lejohen të marrin dhurata të huaja kur ato deklarohen siç duhet dhe transferohen në pronësi të qeverisë sipas rregullave federale të etikës.
Megjithatë, këtë vit, vlera e dhuratave të lidhura me Trumpin i tejkaloi ato të marra nga çdo president amerikan në dekadat e fundit.
Disa nga dhuratat u prezantuan së bashku ose pak para marrëveshjeve zyrtare tregtare, mbrojtëse, investimi ose teknologjike që përfshinin vendet donatore, duke përfshirë ndryshimet tarifore, kontratat e prokurimit dhe bashkëpunimin e zgjeruar të sigurisë.
Shkalla e dhuratave dhe koha e veprimeve pasuese politike kanë rikthyer vëmendjen në mënyrën se si shkëmbimet e dhuratave të huaja mund të ndërthuren me diplomacinë, tregtinë dhe sigurinë kombëtare gjatë mandatit të një presidenti në detyrë.
Dhuratat ishin ndër më të vlefshmet ose domethënëset që iu dhanë Trumpit në vitin 2025 dhe u pasuan nga veprime të SHBA-së në fushën e tregtisë, mbrojtjes, investimeve ose sigurisë me vendet donatore.
Katari: Boeing 747 luksoz dhe marrëveshje për aviacionin
Në vitin 2025, Katari siguroi një avion Boeing 747 me vlerë rreth 400 milionë dollarë për përdorim të mundshëm si Air Force One i ardhshëm.
Pentagoni e pranoi aeroplanin dhe më pas SHBA-ja dhe Katari finalizuan disa marrëveshje për aviacionin dhe mbrojtjen.
Këto përfshinin një marrëveshje historike për aviacionin komercial në të cilën Qatar Airways ra dakord të blinte deri në 210 aeroplanë Boeing me trup të gjerë, me vlerë afërsisht 96 miliardë dollarë, sipas kontratave të njoftuara gjatë vizitës së Trumpit.
Paketa më e gjerë e marrëveshjeve dypalëshe që mbulojnë aviacionin, mbrojtjen, teknologjinë dhe sektorët e lidhur me të, u raportua se tejkalonte 243 miliardë dollarë në vlerë totale.
Emiratet e Bashkuara Arabe: Miratimet e Investimeve dhe Teknologjisë në Kriptovaluta
Një investitor nga Abu Dhabi, i lidhur me shtetin, investoi afërsisht 2 miliardë dollarë në një monedhë të qëndrueshme, një monedhë digjitale të projektuar për të ruajtur një vlerë të qëndrueshme, e lidhur me një sipërmarrje biznesi të lidhur me Trumpin.
Në të njëjtën kohë, administrata Trump miratoi eksportet e çipave të përparuar të Al dhe zgjeroi bashkëpunimin teknologjik me Emiratet e Bashkuara Arabe, duke mbuluar infrastrukturën e Al dhe partneritetet teknologjike përkatëse.
Zvicër: Shufër ari, orë Rolex dhe ulje tarifash
Një delegacion udhëheqësish biznesi zviceranë i dhuroi Trumpit një shufër ari me vlerë afërsisht 130,000 dollarë, dhe një orë Rolex.
Disa ditë më vonë, SHBA-të ulën tarifat për mallrat zvicerane nga 39% në 15% sipas një kuadri të ri tregtar, i cili përfshinte edhe angazhime për investimet e ardhshme zvicerane në SHBA.
Ndërsa vetë shufra e arit ishte modeste në vlerë, ajo përkoi me një rregullim të madh tregtar në dobi të Zvicrës.
Koreja e Jugut: Kurora Ceremoniale dhe Angazhime për Investime
Gjatë një vizite në Korenë e Jugut në fund të tetorit, Trump mori një kopje të kurorës së artë të epokës Silla dhe Urdhrin e Madh të Mugunghwa, nderi më i lartë civil i vendit.
Gjatë së njëjtës vizitë, Koreja e Jugut angazhoi afërsisht 350 miliardë dollarë për investime me bazë në SHBA në sektorët e prodhimit dhe teknologjisë.
Të dy vendet gjithashtu ecën përpara me masat tregtare që prekin mallrat e automobilave dhe industriale.
Pakistani: Mineralet e rralla të tokës dhe Çmimi Nobel për Paqen
Në shtator, zyrtarët pakistanezë i dërguan Trumpit mostra të mineraleve të rralla të tokës, duke nxjerrë në pah industritë minerare dhe teknologjike të vendit.
Ata gjithashtu e rekomanduan zyrtarisht atë për Çmimin Nobel për Paqen 2026 për ndihmën në lehtësimin e tensioneve me Indinë.
Në këmbim, SHBA-të uli tarifat për mallrat pakistaneze në 19% - nën normën prej 25% të Indisë - dhe një firmë amerikane premtoi 500 milionë dollarë për nxjerrjen dhe përpunimin e metaleve të rralla në Pakistan. /Telegrafi/
Juventusi mori një fitore me rezultat 2-0 në udhëtim ndaj Pisas në kuadër të javës së 17-të në elitën e futbollit italian.
Ylli kosovar Edon Zhegrova u aktivizua në këtë ndeshje në minutën e 60-të dhe për 30 minuta lojë ai ishte mjaft aktiv.
Pas ndeshjes, ai ka analizuar momentin e skuadrës, duke vënë theksin te uniteti i grupit, roli i tij personal dhe puna taktike nën drejtimin e trajnerit Luciano Spalletti.
“Gjëja më e rëndësishme është që i gjithë grupi ka qenë i bashkuar. Dua t’i vë në dispozicion të ekipit cilësitë e mia. Pashë një Juventus kompakt gjatë gjithë ndeshjes".
"Spalletti? Po përpiqet të më përmirësojë edhe në fazën mbrojtëse, edhe pse kjo më është kërkuar edhe te klubet e mia të mëparshme dhe e di që në futbollin modern duhet të luash në të dyja fazat".
"Kam qenë jashtë për një kohë të gjatë, nuk kam luajtur shumë, por tani po jap kontributin tim", ka deklaruar ylli dardan./Telegrafi/
Barcelona dhe Paris Saint-Germain kanë ndarë disa lojtarë të përbashkët ndër vite, megjithëse së fundmi nuk ka dyshim se fluksi ka qenë më shumë drejt Parisit sesa drejt Katalonisë. Gjigantët francezë tashmë kanë hedhur sytë nga një tjetër sulmues që po aktivizohet te Barcelona.
Vitet e fundit kanë parë emra si Neymar Junior, Rafinha Alcnatara, Lionel Messi dhe së fundmi Ousmane Dembele të transferohen drejt “Parc des Princes”.
Lojtari më i fundit që ka tërhequr interesin e PSG-së, dhe që aktualisht ende i përket Manchester United, është Marcus Rashford.
Sipas Mundo Deportivo, Rashford po monitorohet nga PSG, e cila thuhet se është e gatshme të paguajë deri në 50 milionë euro për ta realizuar transferimin.
Barcelona ka një opsion blerjeje prej 30 milionë eurosh në fund të sezonit, por ende nuk është e sigurt nëse do ta aktivizojë atë.
Disa kanë sugjeruar se Barcelona mund ta aktivizojë opsionin dhe më pas të tentojë ta shesë Rashfordin, por për ta bërë këtë do të duhej fillimisht ta regjistronte lojtarin.
Reprezentuesi anglez ka pasur një rol të vështirë te Barcelona. I kërkuar të luajë shpesh dhe herët për të zëvendësuar të dëmtuarin Raphinha dhe gjithë kontributin e tij në skuadrën e Hansi Flick, Rashford tani po detyrohet të lë gjurmë kryesisht nga stoli.
Deri tani këtë sezon, ai ka shënuar shtatë gola dhe ka dhënë 11 asistime në 24 paraqitje, kryesisht duke luajtur nga krahu i majtë. Kjo përkthehet në një kontribut për gol çdo 87 minuta për Rashfordin./Telegrafi/
Liga Arabe, Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) dhe Bashkimi Afrikan (AU) i janë bashkuar shumë vendeve që kritikojnë njohjen zyrtare nga Izraeli të rajonit të shkëputur të Somalilandit në veri të Somalisë si shtet të pavarur.
Somalilandi, një rajon në Bririn e Afrikës, shpalli pavarësinë nga Somalia në vitin 1991 dhe ka kërkuar njohje ndërkombëtare për dekada të tëra, me presidentin Abdirahman Mohamed Abdullahi që e ka bërë këtë një përparësi kryesore që kur mori detyrën vitin e kaluar.
Izraeli njoftoi të premten se e konsideronte Somalilandin si një “shtet të pavarur dhe sovran”, duke u bërë vendi i parë që bëri një deklaratë të tillë.
Njoftimi e shtyu Somalinë ta quante vendimin një “sulm të qëllimshëm” ndaj sovranitetit të saj që do të dëmtonte paqen rajonale.
Në një deklaratë të premten, blloku kontinental i AU-së hodhi poshtë veprimin e Izraelit dhe paralajmëroi se rrezikonte “të vendoste një precedent të rrezikshëm me pasoja të gjera për paqen dhe stabilitetin në të gjithë kontinentin”.
Kryetari i Komisionit të AU-së, Mahmoud Ali Youssouf, tha se institucioni “hedh poshtë me vendosmëri çdo iniciativë ose veprim që synon njohjen e Somalilandit si një entitet të pavarur, duke kujtuar se Somalilandi mbetet një pjesë integrale e Republikës Federale të Somalisë”.
Sekretari i Përgjithshëm i Ligës Arabe, Ahmed Aboul Gheit, e quajti veprimin e Izraelit “një shkelje të qartë të së drejtës ndërkombëtare dhe një shkelje flagrante të parimit të unitetit dhe sovranitetit të shteteve”.
“Çdo përpjekje për të imponuar njohje të njëanshme përbën një ndërhyrje të papranueshme në punët e brendshme të Somalisë dhe vendos një precedent të rrezikshëm që kërcënon sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe ndërkombëtar”, paralajmëroi ai.
Këshilli i Gjirit e quajti zhvillimin “një shkelje të rëndë të parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe një shkelje të hapur” të sovranitetit të Somalisë.
“Kjo njohje përfaqëson një precedent të rrezikshëm që do të minojë themelet e stabilitetit në rajonin e Bririt të Afrikës dhe do të hapë derën për tensione dhe konflikte të mëtejshme, duke kundërshtuar përpjekjet rajonale dhe ndërkombëtare që synojnë forcimin e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare në rajon”, tha Sekretari i Përgjithshëm i GCC-së, Jasem Albudaiwi.
Bashkimi Evropian tha se respekton integritetin territorial dhe sovranitetin e Somalisë, duke bërë thirrje për dialog midis qeverisë kombëtare somaleze dhe Somalilandit.
Ministrat e jashtëm të Somalisë, Egjiptit, Turqisë dhe Xhibutit gjithashtu dënuan njohjen e Somalilandit nga Izraeli, duke thënë: "Ministrat konfirmuan refuzimin dhe dënimin e plotë të njohjes së rajonit të Somalilandit nga Izraeli, duke theksuar mbështetjen e tyre të plotë për unitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial të Somalisë".
Katari, Irani, Arabia Saudite, Pakistani, Kina dhe Nigeria ishin ndër vendet e tjera që dënuan veprimin e Izraelit.
Autoriteti Palestinez gjithashtu hodhi poshtë njohjen e Somalilandit nga Izraeli.
Somalia kërkoi që Izraeli të tërhiqte njohjen e Somalilandit si të pavarur, duke e dënuar këtë veprim si një akt "agresioni që nuk do të tolerohet kurrë".
Megjithatë, udhëheqësi i Somalilandit, Abdullahi, e përshëndeti vendimin e Izraelit si një “moment historik” dhe tha se kjo shënoi fillimin e një “partneriteti strategjik”.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, gjithashtu komentoi për këtë çështje.
I pyetur nëse Uashingtoni planifikonte ta njihte edhe Somalilandin, Trump tha "jo".
“A e di ndokush se çfarë është me të vërtetë Somaliland?”, tha ai. /Telegrafi/
Kandidati për Kryeministër nga LDK, Lumir Abdixhiku në Debat Plus të Dukagjinit ka thënë se nuk ofendon Kurtin e elektoratin e tij, sado që s’pajtohet me atë çfarë përfaqëson.
Madje sipas tij një pushtet që kërcënon demokracinë e vendit, është rrezik.
“Unë nuk e ofendoj as Kurtin as elektoratin e tij.Mund të mos pajtohem me atë çfarë përfaqëson".
"Një pushtet që kërcënon demokracinë e vendit, ai kërcënon më shumë se sa vetëm fjalë, është e rrezikshme. Turmat janë të rrezikshme. Ata kanë rrënuar çdo urë të komunikimit me ne. Ne kemi qenë korrekt me ta, ata kanë ofenduar dhe propaganduar. Në anën tjetër besoj që mirë që e kanë kuptuar se gjuha duhet të ndërrohet”, tha Abdixhiku.
Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane (LQShA) ka publikuar një deklaratë publike përmes së cilës shpreh shqetësim për zhvillimet e fundit politike dhe diplomatike që lidhen me Kosovën, duke theksuar nevojën për qartësi morale dhe mbrojtje të interesit kombëtar.
Në deklaratë thuhet se, ndërsa mbështetja evropiane për qeverinë e Serbisë dhe njohja evropiane e Kosovës si forcë pro-perëndimore dhe pro-amerikane në Ballkan po zbehet, brenda Kosovës po vërehet një kthim prapa i kësaj vale mbështetëse.
LQShA vlerëson se kjo është koha që Kosova të riafirmojë përkushtimin e saj ndaj rolit historik që shqiptarët kanë luajtur ndër shekuj, duke jetuar në harmoni si shqiptarë dhe si besimtarë të feve të ndryshme – katolikë, myslimanë, ortodoksë, hebrenj dhe laikë – si vlerë themelore e shoqërisë kosovare.
Organizata u bën thirrje të gjitha partive politike në Kosovë që interesin kombëtar ta vendosin mbi interesat partiake, duke mbrojtur sovranitetin, demokracinë dhe sundimin e ligjit.
Po ashtu, LQShA u bën thirrje diplomatëve amerikanë dhe evropianë që të mos ndërhyjnë në zgjedhjet e Kosovës dhe të mos mbajnë anë në procesin zgjedhor, duke respektuar vullnetin e qytetarëve.
Në deklaratë kërkohet edhe nga Komisionet për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së që të mbështesin arritjet e qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, veçanërisht në zbatimin e ligjit dhe rendit në veri të vendit, si dhe në ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
LQShA shprehet kundër krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe pa njohjen paraprake të pavarësisë së Kosovës nga Serbia, duke e cilësuar këtë si të papranueshme për shtetësinë e vendit.
Deklarata është nënshkruar në emër të Bordit të LQShA-së nga Shirley Cloyes Dioguardi, këshilltare për Çështjet e Ballkanit, dhe Joe DioGuardi, president i organizatës.
Manchester United po shqyrton një lëvizje surprizë në afatin kalimtar të janarit për një nga yjet e Kupës së Afrikës së Kombeve, i cili ka shënuar gol edhe kundër Nice, klub në pronësi të INEOS, më herët gjatë këtij sezoni.
Sulmuesi 26-vjeçar i Auxerre dhe përfaqësueses së Malit, Lassine Sinayoko, ka tërhequr vëmendjen e departamentit të rekrutimit të “Djajve të Kuq”, të cilët tashmë po e konsiderojnë seriozisht paraqitjen e një oferte gjatë afatit kalimtar të janarit.
Sipas Africa Sport, Manchester United është i interesuar për transferimin e sulmuesit, kontrata aktuale e të cilit me Auxerre skadon verën e ardhshme.
Raporti shton se klubi anglez ka zhvilluar “negociata serioze” me lojtarin dhe përfaqësuesin e tij, me synimin për ta siguruar si lojtar të lirë verën e ardhshme.
United synon të finalizojë bisedimet me Sinayokon gjatë këtij muaji, në mënyrë që ai të transferohet në “Old Trafford” në fund të sezonit 2025/26.
Aktualisht, klubi po negocion kushtet personale dhe shpreson të arrijë një marrëveshje përfundimtare së shpejti.
Sinayoko ndodhet momentalisht në aktivitet me kombëtaren e Malit në Kupën e Afrikës së Kombeve.
Sulmuesi 26-vjeçar është i aftë të luajë në disa pozicione të repartit ofensiv, ndërsa trajneri Ruben Amorim synon të forcojë edhe më tej sulmin, pavarësisht afrimeve të mëparshme si Matheus Cunha, Bryan Mbeumo dhe Benjamin Sesko gjatë afatit kalimtar veror./Telegrafi/
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka komentuar deklaratat e liderëve të Vetëvendosjes për gjuhën ndaj partisë që drejton.
Ai ka thënë se nuk ia fal Albin Kurtit kur doli në foltore e tha që LDK-në po e do Serbia.
“Këta kanë kërku 500 mijë vota, nuk kanë lyp partner. Nuk kërkon partner në studio, ndërton partneritet, respekt ndaj votuesit. Momentin që Kurti del në foltore e i drejtohet LDK-së juve po iu do Serbia, ka rrënu secilën urë bashkëpunimi. Pa qartësim të kësaj, nuk mundet me iu afru LDK-së".
"Kemi qenë shumë korrekt. LDK-ja në EPP ka mbajt prezencë solide, kemi ofruar resolute për liberalizim të vizave. Sa herë që ka pasur nevojë kemi ofru komunikim. Nuk i bëjmë publike, janë tema me interes publik. Në momente shumë të vështira, LDK i ka thënë atij jemi në tërësi të përbashkët, për interesa e qëllime. Kemi folur për aleatë e aleanca. Nuk e kemi prit që ai ndërton gjuhë kundër LDK-së”, tha Abdixhiku në RTV Dukagjini.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se deri më tash ka përfunduar votimi në 25 përfaqësitë diplomatike të Kosovës dhe se dalja e qytetarëve për të votuar është 15.597 ose 81.29 për qind nga gjithsej 19.187 votues të regjistruar, raporton KosovaPress.
Kryesuesi i KQZ-së Kreshnik Radoniqi në konferencën e tretë për media, tha se gjatë gjithë ditës së sotme kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësitë diplomatike dhe se procesi i votimit në përgjithësi ka qenë i qetë.
“Deri në këtë kohë ka përfunduar votimi në 25 përfaqësitë diplomatike në shtetet, si: Turqi, Gjermani, Zvicër, Francë, Belgjikë, Norvegji, Austri, Suedi, Slloveni, Danimarkë, Itali, Kroaci, Holandë, Republikë Çeke, Hungari dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas kohës lokale në Kosovë, në orën 01:00 pas mesnatës, do të përfundojë votimi në 4 përfaqësitë tjera, në SHBA dhe Kanada...Sipas të dhënave nga 25 përfaqësi diplomatike ku është mbyllur votimi, por edhe nga të dhënat e orës 13:00 nga votimi në ShBA dhe Kanada, nga 19.187 votues të regjistruar, kanë votuar 81.29 për qind apo 15,597 votues. Sipas procedurave, këto fletëvotime nuk do të numërohen në përfaqësi diplomatike, por gjatë ditëve në vazhdim do të sillen në Kosovë dhe numërimi i tyre do të bëhet në vendin tonë”, ka thënë Radoniqi.
Radoniqi ka pasur edhe një porosi për ditën e nesërme të procesit zgjedhor në Republikën e Kosovës.
“Për nesër bëj apel për të gjithë këshillat e vendvotimeve dhe këshillave komunal që të jenë në nivel detyre dhe të respektojnë rregullin dhe ligjin zgjedhore të KQZ-së. Na pret një ditë e gjatë nesër, një ditë ku do t’iu ofrojmë qytetarëve të drejtën e votës, andaj shpresojmë që të gjithë janë në nivel të këtyre dhe të respektojnë rendin dhe ligjin”, tha Radoniqi.
Me rreth një mijë lëndë të trashëguara nga misioni i EULEX-it dhe me një numër të konsiderueshëm aktakuzash të ngritura për krime lufte, vetëm pesë prokurorë të Prokurorisë Speciale përballen me mbledhjen e fakteve për ndërtimin e aktakuzave. Gjatë dekadës së fundit janë ngritur 80 aktakuza ndaj 260 personave.
Trajtimi i çështjeve penale për krime lufte paraqet vështirësi të mëdha për shkak të mosbashkëpunimit të Serbisë. Megjithatë, lehtësim ka sjellë ndryshimi i Kodit të Procedurës Penale, i cili nga viti 2023 parasheh mundësinë e gjykimit në mungesë. Që nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Prokuroria Speciale ka ngritur 20 aktakuza në mungesë ndaj 102 personave, përfshirë rastin e masakrës së Mejës dhe dëbimin e popullsisë civile.
“Për 20 vjet nuk kemi pasur një autoritet të mirëfilltë për hetimin e këtyre veprave penale. Mundësitë tona janë krijuar kryesisht gjatë pesë viteve të fundit, brenda kapaciteteve që kemi. Vetë fakti se kemi një numër të konsiderueshëm aktakuzash tregon se jemi duke shkuar në drejtimin e duhur. Zgjidhja për këtë çështje është hartimi i një strategjie nacionale për adresimin e të gjitha problemeve në fushën e krimeve të luftës”, tha Ilir Morina, prokuror në Prokurorinë Speciale.
Gjatë vitit 2025 janë ngritur 11 aktakuza për krime lufte, prej të cilave 7 në mungesë. Ndërkohë, janë shpallur 10 aktgjykime, 9 dënuese dhe 1 lirues, me 9 persona të arrestuar.
“Zhvillimet më të mëdha kanë ndodhur si pasojë e ndryshimit të Kodit të Procedurës Penale, me lejimin e gjykimeve në mungesë. Meqë prokurorisë dhe gjykatës u është mundësuar vazhdimi i gjykimeve edhe pa praninë e të akuzuarve, ka pasur rritje të numrit të aktakuzave dhe të gjykimeve në përgjithësi. Bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është zero: nuk ka shkëmbim informatash, dokumentacioni, as dërgim ftesash apo njoftimesh për rastet që po hetohen ndaj shtetasve të tyre. Çdo refuzim për bashkëpunim përbën pengesë për një hetim të mirëfilltë dhe një gjykim të drejtë, si dhe pengon vërtetimin e fakteve”, theksoi Nisa Ferati nga FDHK.
Aktualisht, për masakrën e Mejës është ngritur aktakuzë në mungesë ndaj 53 personave, pjesëtarë të policisë dhe ushtrisë serbe. Për këtë rast është mbajtur shqyrtimi fillestar, ndërsa masakra e Reçakut vazhdon të jetë ende në fazën e hetimeve.
Sfidë e vazhdueshme në trajtimin e rasteve të krimeve të luftës mbetet edhe numri i vogël i gjyqtarëve, si pasojë e avancimeve në gjykata, çka po ndikon drejtpërdrejt në efikasitetin e këtyre proceseve./RTK
Një autobus doli nga rruga në Guatemalë dhe ra në një përrua të thellë, duke lënë të vdekur 15 pasagjerë dhe 15 të tjerë të lënduar, thanë autoritetet të shtunën, dhe shpallën tre ditë zie kombëtare.
Aksidenti ndodhi të premten në mbrëmje jashtë qytetit të Totonicapan përgjatë një rruge të njohur si Rruga Ndëramerikane, raporton Associated Press.
“Më vjen thellësisht keq për tragjedinë që ndodhi përgjatë Rrugës Ndëramerikane”, tha Presidenti Bernardo Arevalo në një deklaratë në mediat sociale. “Ne po koordinojmë të gjitha veprimet e nevojshme për të ndihmuar ata që janë prekur.”
Aksidentet rrugore janë të zakonshme në Guatemalë, një vend malor ku rregulloret e transportit zbatohen lirshëm dhe ku shumë qytete dhe qyteza janë të lidhura me rrugë të ngushta me dy korsi.
Në tetor, Observatori Kombëtar i Sigurisë së Transportit, një agjenci qeveritare, tha se 446 automjete të transportit publik në vend ishin përfshirë në aksidente në vitin 2025. Këto aksidente rezultuan në 111 vdekje dhe më shumë se 600 persona të plagosur deri në tetor.