Suedia do të shtrëngojë rregullat e shtetësisë mes përpjekjeve për të ulur emigracionin
Suedia do të shtrëngojë rregullat e shtetësisë. Aplikantët që do të përballen me një pritje më të gjatë, prej tetë vitesh, para se të mund të aplikojnë, një prag minimal page dhe një test mbi njohuritë e tyre për shoqërinë suedeze, tha të hënën qeveria e qendrës së djathtë.
Qeveritë e njëpasnjëshme kanë shtrënguar politikat e emigracionit që nga viti 2015, kur rreth 160,000 azilkërkues kërkuan strehim në Suedi. Por qeveria e koalicionit minoritar po parashikon se një qëndrim edhe më kufizues ndaj emigracionit do të rezultojë popullor mes votuesve në zgjedhjet parlamentare të shtatorit.
“Këto kërkesa janë shumë më të ashpra sesa situata aktuale sepse aktualisht në thelb nuk ka kërkesa për t’u bërë shtetas,” u tha gazetarëve ministri i Emigracionit, Johan Forssell.
Qeveria tha se aplikantët për shtetësi suedeze do të duhet të jetojnë në vend për tetë vite, nga pesë që janë aktualisht, të kenë të ardhura mujore mbi 20,000 korona suedeze (2,225 dollarë), dhe të jenë në gjendje të kalojnë një test gjuhe dhe kulture.
“Duket e arsyeshme që duhet të dini nëse Suedia është monarki apo republikë, nëse doni të jeni shtetas,” tha Forssell.
Kushdo me precedent penal, qoftë në Suedi apo jashtë saj, do të duhet të presë më gjatë përpara se të aplikojë. Dikush që ka vuajtur, për shembull, një dënim me katër vite burg, do të duhet të presë 15 vite para se të mund të aplikojë për shtetësi.
Demokratët e Suedisë, kundër emigracionit, të cilët mbështesin qeverinë e koalicionit minoritar, kanë fajësuar dekada të tëra politikat e emigracionit, që sipas tyre kanë shkaktuar një valë krimi bandash që ka përfshirë vendin.
Rregullat e reja pritet të hyjnë në fuqi më 6 Qershor.
Javën e kaluar qeveria tha se do të shtrëngonte rregullat për azilkërkuesit. / Reuters
The post Suedia do të shtrëngojë rregullat e shtetësisë mes përpjekjeve për të ulur emigracionin appeared first on Revista Monitor.