Goditet një tjetër rast i shitjes së lëndëve narkotike, në doza.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Dibër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Mat, në vijim të kontrolleve të njëpasnjëshme për goditjen e rasteve të shitjes së lëndëve narkotike, kanë evidentuar dhe goditur një tjetër rast të kësaj veprimtarie kriminale.
Si rezultat, u vu në pranga shtetasi F.P., 38 vjeç, banues në fshatin Suç, Klos, i cili u kap në flagrancë me 19 copë doza kanabisi gati për shitje, në ambientet e punës së tij (bilardo).
Lënda narkotike që posedonte ky shtetas dhe celulari i tij u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Dibrës, për veprime të mëtejshme./KM
Një konflikt për motive të dobëta mes dy drejtuesve të automjeteve u kthye në një ngjarje tragjike gjatë orëve të para të mëngjesit të 20 janarit, në aksin rrugor Thumanë-Fushë Krujë. Si pasojë, humbi jetën 57-vjeçari Petrit Ndou, ndërsa për ngjarjen u arrestua në flagrancë 28-vjeçari Andi Vokri.
Sipas policisë, i riu dyshohet se ka goditur disa herë me çekiç në kokë dhe trup Petrit Ndoun, i cili ndërroi jetë menjëherë në vendngjarje për shkak të plagëve të marra. Në dëshminë e dhënë në komisariat, Andi Vokri ka deklaruar se bëhej fjalë për një konflikt të çastit që, sipas tij, i ka dalë nga kontrolli. Ai ka pohuar se gjithçka nisi pasi një automjet i kishte zënë rrugën dhe kishte kërkuar të kalonte i pari për të shmangur një aksident, por pala tjetër nuk kishte pranuar dhe kishte ecur paralel.
Por ky version kundërshtohet fuqishëm nga familja e viktimës.
Bashkëshortja e viktimës, Gjystina Ndou, në një reagim të gjatë dhe të detajuar, shprehet se Petrit Ndou humbi jetën duke tentuar të shpëtonte tre persona të moshuar që ndodheshin në rrezik.
Sipas saj, rreth orës 00:00, ajo dhe bashkëshorti i saj po ktheheshin nga një festë familjare në Bushnesh. Në momentin që mbërritën pranë rrugës ku ndodhi ngjarja, vunë re dy automjete të bllokuara nga një mjet tjetër, që sipas saj ishte i agresorit. Ky i fundit po u bërtiste dhe po godiste automjetet, pasi drejtuesit e tyre nuk mund të hapnin rrugën për t’u zbrapsur.
Sipas familjes, agresori ka vijuar me ofendime dhe ka tentuar të vazhdojë dhunën, ndërsa Petrit Ndou ka orientuar dy automjetet e tjera që të zbrapseshin dhe të futeshin në një kthesë, duke i çuar në një vend të sigurt, ku ata qëndruan deri në fund të ngjarjes.
Pas këtij momenti, sipas dëshmisë së bashkëshortes, dy persona të tjerë kanë zbritur nga automjeti i Andi Vokrit për t’u konfliktuar me Petrit Ndoun. Gjystina Ndou ka tentuar t’i ndalojë, por agresori ka vazhduar sherrin, duke iu afruar sërish makinës së viktimës, duke i marrë çelësin e automjetit, duke goditur mjetin dhe duke e shtyrë edhe atë vetë.
E frikësuar, Gjystina Ndou i ka kërkuar me lutje bashkëshortit të largohej dhe të fshiheshin, pasi ishin tre persona agresorë dhe ekzistonte frika se mund të ktheheshin me armë apo mjete të forta. Çifti u fsheh për disa minuta dhe njoftuan policinë, si dhe familjarët që ndodheshin pranë.
Më pas, duke menduar se agresorët ishin larguar, Petrit Ndou është kthyer vetëm për të parë automjetin e tij. Pak më vonë, familjarët mbërritën në vendngjarje, ndërsa sipas dëshmisë, autorët e kanë goditur Petrit Ndoun nga pas në kokë, me një çekiç, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme./K.M
Negociatat mes Milanit dhe Mike Maignan janë drejt përfundimit, me portierin francez që pritet të rinovojë kontratën deri në vitin 2031.
Marrëveshja e re do të zgjasë për pesë vite dhe do ta mbajë Maignan pjesë të kuqezinjve edhe për dekadën e ardhshme. Paga e tij do të rritet nga 2.8 milionë euro neto në 5 milionë euro neto në sezon, plus bonuse të garantuara.
Kjo e vendos portierin në të njëjtin nivel financiar me lojtarët kryesorë të skuadrës, si Rafael Leao. Kostoja totale për klubin në sezonin 2026/27 parashikohet rreth 6.5 milionë euro, duke përfshirë pagën bruto dhe amortizimin.
Për rinovimin e kontratës kanë ndikuar edhe lehtësimet fiskale të ligjit italian. Situata e Maignan ndiqej nga klube si Chelsea dhe Manchester United. Këtë sezon, ai ka mbajtur portën e paprekur në 11 nga 24 ndeshje./K.M
Kreu demokrat i pyetur nga gazetarët ka komentuar edhe përdorimin masiv të gazit lotsjellës nga policia e Ramës.
“Do ta denoncojmë këtë akt si në institucionet ndërkombëtare, ashtu dhe brenda vendit. Është një shkelje flagrante, flagrante e konventave ndërkombëtare”, tha ai.
Marsi Korreshi: Zoti Berisha, si do t’i përgjigjet Partia Demokratike gazit masiv lotsjellës që u hodh në protestë ashtu sikurse e cekët edhe ju pak më parë, me gaz të skaduar, pra tre vite të skaduar? A do të marrë Partia Demokratike veprime konkrete duke qenë se vetë ju deklaruat se ai mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta në shëndetin e qytetarëve?
Sali Berisha: Do ta denoncojmë këtë akt si në institucionet ndërkombëtare, ashtu dhe brenda vendit. Është një shkelje flagrante, flagrante e konventave ndërkombëtare.
Por meqë jam këtu, do shtoj edhe dy fjalë. Edi Rama, Ramaduro, sot në mëngjes pas një nate plot makthe shkruante i vrenosur, i bërë zeher, i tmerruar, në përçartjen e tij në X, fliste për rrugaç lagjesh, për mercenarë, cilësonte të rinjtë guximtarë. Unë u them këtyre heronjve të vërtetë, se gjëja e parë që më erdhi ndërmend kur lexova ishte, ishin akuzat që diktatori i fundit komunist u bënte të rinjve të Tiranës kur i quante halabakë, rrugeçër në gjuhën e, në gjuhën që përdor sot Edi Rama.
Ndaj dhe i them kaq Edi Ramës, ata janë nderi i kombit, krenaria e popullit dhe qytetarëve shqiptarë dhe të garantoj se ata nuk e kanë për asgjë përballë një kryehajdut, një Ramaduro që mbrohet nga banda dhe krimi dhe fundi i tij i pashmangshëm, fundin e tij të pashmangshëm do ta firmosin të rinjtë dhe adoleshentët shqiptarë që ishin aq të shumtë, aq të shumtë dje në protestën që tronditi dheun./KM
Inter Miami ka pësuar një humbje bindëse në ndeshjen e parë të turneut parasezonal në Amerikën e Jugut, duke u mposhtur 3-0 nga Alianza Lima të shtunën mbrëma në Estadio Alejandro Villanueva.
Trajneri Javier Mascherano zbriti në fushë me një formacion të fortë që nga minuta e parë, ku u aktivizuan yjet kryesorë si Lionel Messi, Luis Suárez dhe Rodrigo De Paul, por pavarësisht kësaj, skuadra amerikane nuk arriti të shmangte disfatën.
Heroi i mbrëmjes për vendasit ishte veterani José Paolo Guerrero, i cili realizoi dy gola në pjesën e parë, duke i dhënë Alianza Limës një avantazh të dyfishtë para pushimit.
Inter Miami vazhdoi të vuajë edhe në fraksionin e dytë të lojës, ku Luís Ramos shënoi golin e tretë dhe vulosi rezultatin përfundimtar 3-0.
Kjo humbje përbën një start zhgënjyes për “Herons” në turneun parasezonal në Amerikën e Jugut, megjithatë stafi teknik mbetet i fokusuar në ndërtimin e skuadrës dhe rritjen e formës në prag të sezonit 2026 të MLS, me ndeshje të tjera testuese që priten në javët në vazhdim./KM
Shtetet e Bashkuara po përjetojnë një stuhi dimërore të përmasave të jashtëzakonshme, e cila po përhapet nga Malet Shkëmbore dhe jugperëndimi i vendit deri në bregun lindor, duke krijuar kushte ekstreme moti për dhjetëra shtete dhe duke vënë në rrezik jetën e rreth 140 milion njerëzve.
Reshje të dendura bore, shi i ngrirë, akull dhe temperatura shumë të ulëta kanë përfshirë një territor të gjerë, ndërsa autoritetet paralajmërojnë rrezik serioz për hipotermi dhe ngrirje të lëkurës.
Në disa zona të Minnesota-s dhe Dakotës së Veriut, temperaturat pritet të zbresin deri në -46°C, çka mund të shkaktojë dëmtime të rënda shëndetësore brenda pak minutash.
Si pasojë e kushteve të rënda të motit, më shumë se 40% e popullsisë amerikane ndodhet në panik, ndërsa mbi 8 mijë fluturime janë anuluar, duke shkaktuar kaos në transport dhe ndërprerje të shumta të udhëtimeve.
Shumë zona po përballen gjithashtu me rrezik të madh për ndërprerje të energjisë elektrike dhe dëmtime të infrastrukturës.
Në këtë situatë emergjente, presidenti Donald Trump ka miratuar shpalljen e gjendjes së emergjencës në disa shtete, duke u bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal.
“Qëndroni të sigurt dhe ngrohtë”, shkroi ai në një mesazh publik./K.M
Rruga nacionale Librazhd-Prrenjas është mbuluar nga balta dhe inertet pas reshjeve të fundit që kanë prekur zonën.
Drejtuesit e automjeteve janë përballur me një situatë të vështirë në qarkullimin përgjatë këtij aksi, ndërsa lëvizja bëhet e rrezikshme.
Po ashtu, rruga Librazhd-Prrenjas është përfshirë edhe nga trafiku, i cii ka qenë një problem konstant për të gjatë muajve të fundit.
Ndërkohë, firma e cila po kryen punimet për autostradën e korridorit VIII raportohet se ka zvarritur punimet, ndërsa kantieret e saj mbeten të hapura prej muajsh tashmë.
Sakaq, rruga është ndarë në disa lote, me tenderat që janë firmosur nga zv/kryeministrja e akuzuar nga SPAK dhe për të cilën kërkohet edhe arresti, Belinda Balluku./K.M
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se opozita do të vijojë me protesta, duke e cilësuar situatën politike si “kilometrin e fundit” dhe duke falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen dhe reagimin e tyre.
Në një deklaratë për mediat, Berisha theksoi se protestat nuk kanë karakter personal apo partiak, por janë, sipas tij, shprehje e ndërgjegjes qytetare. Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkohen, duke argumentuar se fondet e dyshuara si të vjedhura prekin interesat e të gjithëve, veçanërisht të brezave të rinj.
Kreu i PD-së vuri theksin te pjesëmarrja e të rinjve në protestë, duke e cilësuar atë si elementin më domethënës të tubimit. Sipas tij, prania e rinisë ka shkaktuar reagimin e ashpër të kryeministrit, të cilin e akuzoi për gjuhë fyese ndaj të rinjve protestues.
Berisha përfundoi duke deklaruar se opozita do të angazhojë të gjithë potencialin e saj në vijim të protestave, duke i konsideruar ato si mjetin kryesor të reagimit politik dhe qytetar në këtë fazë.
“Padyshim do ketë protesta dhe vetëm protesta. Jemi në kilometrin e fundit, të gjithë potencialin tonë, jemi mirënjohës pafund për përgjigjen qytetare. Një thirrje kam për çdo qytetar, edhe një herë, nuk është protestë kjo as për një person apo parti, është protestë e ndërgjegjes qytetare. Kur themi janë vjedhur qindra miliona euro nuk janë vetëm të fëmijëve të atyre opozitarëve që protestojnë, por të fëmijëve të gjithëve. Tipari më kardinal në atë protestë ishte rinia në veprim dhe ndaj tmerri i Ramës që i quajti rrugaçë lagjesh të rinjtë dinjitozë e guximtarë që kishin dalë për ndërgjegjen e tyre kundër tij”, tha Berisha mes të tjerash./K.M
Mijëra qytetarë u mblodhën në Tiranë në një protestë të organizuar nga opozita, duke shprehur revoltën ndaj korrupsionit dhe qeverisjes aktuale. Demonstrata u zhvillua përpara institucioneve kryesore shtetërore dhe Parlamentit, me kërkesën kryesore dorëheqjen e qeverisë pas akuzave për korrupsion ndaj zëvendëskryeministres.
Protestuesit mbanin pankarta me mesazhe si “Shqipëria, shtet njëpartiak” dhe “Ku kanë shkuar fondet e BE-së?”, duke denoncuar kapjen e shtetit, mungesën e transparencës dhe keqmenaxhimin e fondeve publike.
Sipas raportimeve, tensionet u rritën ndjeshëm pas përballjes së protestuesve me forcat e shumta të policisë të vendosura përreth Kryeministrisë dhe institucioneve të tjera.
Autoritetet angazhuan rreth 1,350 efektivë policie, ngritën barriera metalike dhe përdorën topa uji për shpërndarjen e turmës, çka u konsiderua nga opozita si reagim i tepruar dhe përpjekje për të shtypur zërin e qytetarëve. Përplasjet dhe përdorimi i mjeteve të forta nga policia e përshkallëzuan situatën, duke krijuar kaos dhe tension në kryeqytet.
Ngjarjet kanë marrë vëmendjen e mediave ndërkombëtare, të cilat raportojnë për një krizë të thellë politike dhe sociale në Shqipëri. Opozita deklaron se protestat do të vazhdojnë deri në rikthimin e demokracisë, transparencës dhe përgjegjshmërisë në qeverisje./KM
“Historia është gjykatësja supreme, para së cilës të gjitha sekretet dalin përfundimisht në dritë.”– Ismail Qemal Vlora (24 janar 1844, Vlorë, Shqipëri – 26 janar 1919, Peruxhia, Itali)
Ismail Qemal Vlora në këtë 182-vjetor të lindjes nuk ka nevojë për lavdinë tonë. Ne kemi nevojë për trashëgiminë e tij. Figura e Ismail Qemal Vlorës në historinë e Shqipërisë, mishëron vrullshëm idenë e shtetit, dinjitetit kombëtar dhe vizionit europian. Ai nuk ishte vetëm njeriu që ngriti flamurin në Vlorë më 28 Nëntor 1912. Ai është arkitekti i shtetit shqiptar të pavarur të orientuar drejt Perëndimit.
Sipas fjalëve të burrështetasit të shquar grek nga familja e njohur Levidis, ish-kryeparlamentari, autori dhe oratori i mbiquajtur “bilbili i parlamentit” grek Nikolaos D. Levidis (1848-1942): “Është mysliman nga feja, por armik fort fanatik i turqve. Ka të rritur në vehte, në gradën më të lartë, ndjenjën e rracës së tij. Ëndërron komb shqiptar me lidhje dhe vëllazërim me kombin grek. Ismail Qemal beu, greqishten e flet si grek intelektual, meqenëse ka studiuar në shkollën “Zosimea” të Janinës. Është politikan i dorës së parë, figurë politike me rëndësi të madhe, që di tërë çështjet që i interesojnë Ballkanit.”
Por më shumë se një shekull më pas, pyetja që shtrohet vetvetiu është se çfarë ka mbetur nga trashëgimia e tij?! Ismail Qemal Vlora nuk e shikonte shtetin shqiptar si një zgjatim të Perandorisë Osmane, as si një krijesë të brishtë ballkanike, e cila mbijeton mes fqinjëve grabitqarë. Përkundrazi, ai e konceptoi Shqipërinë si një komb modern, të aftë të ndërtojë institucione, të garantojë liritë qytetare dhe të bëhet pjesë e rrjedhës së qytetërimit perëndimor.
Ai ishte i vetëdijshëm për rreziqet e pangjermanizmit e pansllavizmit, për intrigat e fqinjëve dhe për fragmentarizimin e brendshëm shqiptar. Por, ai nuk pa aty arsye për dorëzim. Ai pa aty detyrimin për bashkim. Sot, kur shohim realitetin shqiptar, vërejmë një kontrast të dhimbshëm. Trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës nuk duhet të reduktohet vetëm në një datë kalendarike dhe në ngatërrimin e ditëlindjes çdo vit!
Nuk ekziston asnjë vend tjetër që ta ketë trajtuar “Atin Themelues”, në të njëjtën mënyrë si ne. Realiteti tregon se, sot që po flasim nuk ekziston asnjë muze në Shqipëri që të kremtoj jetën e themeluesit të shtetit modern shqiptar. Kjo sepse, historikisht në Shqipëri përvjetorët e Pavarësisë janë shfrytëzuar më tepër për të kremtuar kultin e individit të rradhës, sesa për të nderuar veprën e rilindësve.
Në këto 114-vite Shqipëri, vendosja e portretit të Themeluesit në zyrat e shtetit shqiptar në vitin 2013, është akti më vlerësues ndaj veprës së tij. Ndërkohë, vlonjati më “durim-madh” që ka njohur historia jonë, pret prej 114-vitesh ngritjen e një monumenti dinjitoz në kryeqytetin e shtetit të themeluar prej tij. Ndërkaq edhe rrugët apo sheshet e çdo qyteti apo fshati shqiptar, do të ishin më të nderuara po të mbanin emrin e tij. Sepse, Ismail Qemal Vlora ishte shqiptar kur nuk kishte Shqipëri.
Ne shqiptarët kemi vuajtur boll këto 114-vite nga sindroma “që gjithçka fillon nga mua”. Sot, ne duhet të shkëputemi prej saj. Me qëllim ndërtimin e një të ardhmeje të begatë ne duhet që t’i edukojmë brezat nën shembullin e njerëzve të mëdhenj. Nëpërmjet lidershipit të Ismail Qemal Vlorës, ne mund të kuptojmë se si mund të ndërthuret më së miri racionaliteti dhe empatia në zgjidhjen e problemeve të kohës tonë. Sikur të gjithë ata që e kanë drejtuar Shqipërinë në këto 114-vite, do ta kishin pasur si “Yll Polar” trashëgiminë e Ismail Qemal Vlorës, ju garantoj që ne sot do të kishim një Shqipëri shumë më të begatë.
Institucionet tona nuk po arrijnë akoma që të pasqyrojnë idealin e tij të shtetit të së drejtës. Demokracia jonë shpesh ngjason më shumë me lojën e mbijetesës politike sesa me kulturën e lirisë. Europa mbetet horizonti ynë. Por, shpesh kjo keqpërdoret si slogan. Në vend që të kemi udhëheqës që frymëzohen nga guximi i Ismail Qemal Vlorës, ne shohim politikanë të thyer përpara interesave të ngushta vetjake.
Trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës është Bibla dhe Kurani i shqiptarizmës. Trashëgimia e tij është udhërrëfyesi ynë politik e moral. Aty ne duhet të mësojmë, kurajën për të menduar shtetin mbi interesin personal. Vullnetin për të ndërtuar institucione e jo për t’i shkatërruar ato. Orientimin perëndimor si zgjedhje strategjike e kombit, jo si mjet propagande. Kulturën e kompromisit kombëtar përballë interesave të ngushta personale.
Sot, kur vendi përballet me largimin masiv të të rinjve, me dobësinë e institucioneve, me polarizimin politik dhe pabarazinë sociale, trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës na fton që të reflektojmë. A kemi bërë ne gjithçka për ta ndërtuar Shqipërinë sipas ëndrrës së tij?!
Ismail Qemal Vlora nuk kërkonte nderime. Ai kërkonte që Shqipëria të jetonte me dinjitet mes simotrave të saj europiane. Detyra jonë sot nuk është thjesht të kujtojmë “Themeluesin”. Detyra jonë është që të ringjallim vizionin e tij në politikë, në shoqëri dhe në institucione. Sepse nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës, mbetet vetëm aq sa ne jemi në gjendje që ta mbajmë gjallë me vepra, jo me fjalë.
Ka 114 vite që Shqipëria lindi si shtet, dhe emri i Ismail Qemal Vlorës mbetet i lidhur pazgjidhshmërisht me themelin e saj politik, institucional e diplomatik. Ai nuk ishte thjesht Shpallësi i Pavarësisë, por krijuesi i një vizioni për shtetin modern shqiptar, të ndërtuar mbi ligjin, dinjitetin dhe përfaqësimin kombëtar.
Por sot, a e kemi ruajtur ne thelbin e kësaj trashëgimie?! Apo kemi ngecur tek simbolika e thjeshtë, ndërkohë që shpirti i vizionit të tij harrohet?! Sa herë kemi guxuar ne që ta matim veten me standardin e tij?
Ismail Qemal Vlora jetoi me bindjen se Shqipëria nuk mund të mbijetonte pa institucione të forta. Nuk mund të mbijetonte pa një elitë që i shërben kombit, jo vetes. Sot, ne shumë shpesh, shohim të kundërtën. Institucione të dobësuara nga korrupsioni, politika të zhytura në konflikt interesi. Një shoqëri që largohet gjithnjë e më shumë nga besimi tek shteti.
Trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës nuk është vetëm Pavarësia. Është ideja se shteti duhet të jetë i denjë për qytetarët e vet. Pyetja që duhet t’i bëjmë vetes është e thjeshtë, a kemi ne sot guximin dhe karakterin që ai tregoi në kohën më të vështirë të kombit tonë?! Apo jemi bërë thjesht konsumatorë të historisë, duke harruar misionin e saj?!
Zgjedhjet tona janë pasqyra e shpirtit tonë. Një dhunti kjo e falur nga Zoti. Nëse duam ta nderojmë me të vërtetë trashëgiminë e Ismail Qemal Vlorës, ne duhet që të rindërtojmë besimin tek shteti. Të përforcojmë institucionet. Të vendosim meritën përpara klientelizmit. Të vendosim të mirën e përbashkët përpara interesit vetjak. Vetëm kështu trashëgimia e tij mund të shndërrohet në një kujtesë të gjallë të Shqipërisë që ai ëndërroi. Një shtëpi e denjë për qytetarët e saj./K.M
Në burgun e Shkodrës ka ndërruar jetë 20-vjeçari Nicolae Ionnut Erion Deliver, i lindur në Rumani dhe banues në Shkodër.
Përmes një njoftimi, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bën të ditur se Nicolae Ionnut Erion Deliver ishte transportuar me urgjencë drejt spitalit më të arfërt, pasi ishte vënë re gjendja e tij e rënduar shëndetësore, por fatkeqësisht nuk ka arritur të mbijetojë.
Ky shtetas ishte arrestuar në tetor të vitit 2024 për ‘vjedhje me dhunë’ dhe “prodhim dhe shitje narkotikësh”. Ndërkohë po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në vdekjen e këtij shtetasi.
Njoftimi për mediat:
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve informon opinionin publik se, në datën 25.01.2026, në IEVP Shkodër, ka ndërruar jetë shtetasi Nicolae Ionnut Erion Deliver, i datëlindjes 23.03.2005, lindur në Rumani dhe banues në Shkodër.
Ky shtetas ishte arrestuar më datë 07.10.2024 dhe ishte akomoduar në IEVP Shkodër më datë 10.10.2024, me masë sigurimi “Arrest në burg”, për veprat penale “Vjedhje me dhunë” dhe “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”.
Sipas informacionit paraprak, gjatë paradites së sotme, shtetasi është konstatuar nga personeli i shërbimit duke qëndruar në shtrat, çka ka sjellë njoftimin e menjëhershëm të personelit shëndetësor të institucionit. Pas vlerësimit mjekësor, janë konstatuar parametra jetësorë të ulët dhe i është dhënë ndihma e parë mjekësore, me rekomandim për dërgim të menjëhershëm në urgjencën e spitalit rajonal.
Menjëherë është nisur me urgjencë drejt Spitalit të Koplikut, si struktura më e afërt shëndetësore. Gjatë transportimit i është dhënë ndihma mjekësore nga stafi shëndetësor. Në urgjencën e Spitalit të Koplikut i është dhënë ndihma mjekësore e menjëhershme, por më pas mjeku i urgjencës ka konstatuar se shtetasi ka ndërruar jetë (exitus letalis).
Institucioni ka njoftuar menjëherë organet kompetente dhe po bashkëpunon plotësisht për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve shpreh gatishmërinë për të vënë në dispozicion çdo informacion të mëtejshëm, në përputhje me ligjin.
Në një postim në Truth Social, presidenti amerikan Donald Trump reagoi ndaj incidentit të përgjakshëm në Minneapolis, ku një agjent i Shërbimit të Imigracionit dhe Doganave (ICE) qëlloi dhe vrau një burrë.
Trump theksoi se agjentët e ICE ishin të pambrojtur, pasi mungonte mbështetja e policisë lokale, dhe akuzoi kryetarin e bashkisë së Minneapolis dhe guvernatorin e Minesotës për “nxitje të trazirave” duke kërkuar largimin e agjentëve federalë pas dy incidenteve fatale
“Lërini patriotët e ICE të bëjnë punën e tyre!”,shkroi Trump në postimin e tij dhe shtoi se shumë oficerë policie ishin penguar të merrnin masa, duke detyruar ICE-në të mbrohej vetë.Në të njëjtën kohë, Trump kritikoi guvernatorin e Minesotës dhe kryetarin e bashkisë së Minneapolis të dy demokratë për veprimet e tyre, duke i akuzuar se po mbështesin një situatë kaotike me retorikën e tyre, duke e përshkruar atë si të rrezikshme dhe arrogante.
Ai shtoi se ky “nxitim trazirash” ka për qëllim të largojë vëmendjen nga një çështje më serioze që ndodhet në shtetin e Minesotës.“Ku janë dhjetëra miliarda dollarë që janë vjedhur nga shteti dikur i madh i Minesotës? Ne jemi këtu për shkak të mashtrimit të madh financiar që ka ndodhur këtu. Miliarda dollarë janë humbur, dhe kriminelët të cilët janë lejuar të infiltrohen në shtet për shkak të politikës së kufijve të hapur të demokratëve, kanë kontribuar në kaosin që po shohim”, shkruan Trump.
Ai gjithashtu shprehu shqetësim për situatën e sigurisë, duke akuzuar autoritetet vendore për mbulimin e keqmenaxhimit dhe për aspekte të tjera të mundshme të korrupsionit. Ai theksoi se shumë kriminelë të huaj të paligjshëm, përfshirë ata të dhunshëm, janë arrestuar dhe larguar nga Minesota nga agjentët e ICE.
“Ne duam paratë mbrapsht dhe i duam TANI. Mashtruesit që vodhën këto para do të shkojnë në burg, aty ku u takon. Kjo nuk është ndryshe nga një grabitje masive bankash”,shkroi Trump në postimin e tij.
Ai përfundoi postimin me një mesazh të fuqishëm: “12,000 kriminelë të huaj të paligjshëm, shumë prej të cilëve të dhunshëm, u arrestuan dhe u larguan nga Minesota.
Nëse do të ishin ende atje, do të shihnit diçka shumë më të keqe se ajo që po shihni sot.
Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një vizitë pune në Jeruzalem, Izrael, më 25–27 janar, me rastin e pjesëmarrjes së tij në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit.
Në këtë vizitë, Kryeministri shoqërohet nga delegacioni shqiptar dhe bashkëshortja e tij, Linda Rama.
Ditën e hënë, më 26 janar, ora 11:00 – 12:30 Kryeministri Rama do të zhvillojë një takim kokë më kokë me Kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili do të pasohet nga takimi mes dy delegacioneve, në përfundim të të cilit do të ketë edhe deklaratë për shtyp.
Paralelisht, Linda Rama, në shoqërinë e znj. Herzog, bashkëshortes së Presidentit të Izraelit, Isaac Herzog, do të zhvillojë një vizitë në Bibliotekën Kombëtare.
Në orën 14:00, Kryeministri Rama, i shoqëruar nga Linda Rama, do të mbërrijë në Knesset “Plaza”, Parlamenti i Izraelit, ku do të pritet me një ceremoni të posaçme shtetërore nga Kryetari i Knessetit. Ceremonia përfshin rojet e nderit, ekzekutimin e himneve kombëtare, si dhe vendosjen e kurorave në monumentin e ushtarëve të rënë dhe në monumentin e viktimave të terrorit.
Më pas, Kryeministri Rama do të firmosë Librin e Përshtypjeve në Hollin Shagall.
Në orën 14:30, Kryeministri Rama dhe delegacioni shqiptar do të zhvillojnë një takim me Kryetarin e Knessetit, Amir Ohana.
Në orën 16:15, do të nisë seanca plenare speciale e Knessetit, e shoqëruar nga hyrja ceremoniale në sallë. Gjatë kësaj seance do të mbajnë fjalën Kryetari i Knessetit, z. Amir Ohana, Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, Lideri i Opozitës, Yair Lapid, si dhe Kryeministri Edi Rama, i cili do t’i drejtohet Parlamentit të Izraelit me një fjalim historik sipas protokollit të posaçëm që Knesseti u ka rezervuar një numri të kufizuar udhëheqësish të huaj dhe së fundmi Presidentit të SHBA, Donald J. Trump.
Në orën 17:15, do të zhvillohet një pritje zyrtare në nder të Kryeministrit Rama, me pjesëmarrjen e ambasadorëve dhe të ftuarve të posaçëm, në Jerusalem Hall të Knessetit.
Ndërsa, Linda Rama do të ketë një takim të veçantë me gratë parlamentare.
Më 27 janar, Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit, ku do të mbajë një fjalë, në praninë e Presidentit të Izraelit, Isaac Herzog.
Gjatë qëndrimit në Jeruzalem, Kryeministri Rama do të kryejë gjithashtu vizita simbolike në Western Wall (Muri i Lotëve) dhe në Kishën e Varrit të Krishtit.
Rasti i Eugert Merizajt ka shkaktuar zemërim në Britani, pasi u zbulua se ai fitoi rreth 20 mijë paund nga një transmetim i drejtpërdrejtë në TikTok, i regjistruar nga brenda qelisë së tij në një burg të Manchesterit.
Sipas raportimeve, Merizaj e ka realizuar fitimin në vetëm shtatë minuta, duke përdorur një telefon të futur në mënyrë të paligjshme në burg. Ai mori pjesë në një ndeshje Tiktoku, një format ku dy përdorues transmetojnë njëkohësisht dhe përpiqen të bindin ndjekësit të dërgojnë dhurata virtuale.
Përdoruesit e platformës paguajnë për këto dhurata, të cilat shndërrohen në pikë. Fitues shpallet ai që grumbullon më shumë pikë, të cilat më pas kthehen në para.
Gjatë transmetimit, Merizaj dëgjohet duke u bërë thirrje ndjekësve të dërgojnë më shumë dhurata dhe të shpërndajnë videon për të rritur numrin e shikuesve, ndërsa lexon me zë emrat e personave që kontribuojnë.
Ai përdorte disa llogari në TikTok, ndërsa ajo kryesore kishte mbi 45 mijë ndjekës. Kjo i lejoi të grumbullonte 5,429,625 pikë, me vlerë rreth 20 mijë paund. Të ardhurat besohet se janë depozituar në llogarinë e një miku të tij jashtë burgut.
Në transmetime të tjera live, Merizaj shihet duke pirë cigare dhe duke u shfaqur me veshje firmato, ndërsa në një komunikim me ndjekësit thotë me krenari se autoritetet nuk mund ta deportojnë në Shqipëri pa firmën e tij.
Merizaj është dënuar në vitin 2022 me 32 vite burg për vrasjen e Hemawand Ali Hussein, i cili u qëllua për vdekje nga afër brenda një banese në Hartlepool në vitin 2019.
Sipas rregullave të shpallura vitin e kaluar në Mbretërinë e Bashkuar, shtetasit e huaj të dënuar për vepra penale pritet të deportohen pas një pjese të dënimit. Megjithatë, në nëntor të vitit të kaluar, gjykata e Fierit njohu vendimin e gjykatës britanike dhe pranoi që Merizaj të vuajë dënimin në Shqipëri. Ai do të transferohet në burgun e Peqinit, pasi t’i zbritet koha e vuajtur në Mbretërinë e Bashkuar.
Politikani opozitar, Nick Timothy, reagoi ndaj rastit duke thënë se sistemi i drejtësisë duhet të mbrojë publikun dhe të ndëshkojë kriminelët, duke shtuar se raste të tilla nuk duhet të tolerohen.
Pas sinjalizimit, TikTok bëri të ditur se ka bllokuar të gjitha llogaritë e përdorura nga Merizaj dhe ka ndërprerë mundësinë e tërheqjes së fondeve.
Nga ana e saj, një përfaqësues i Ministrisë britanike të Drejtësisë i tha gazetës The Sun se sjellja është plotësisht e papranueshme, se përmbajtjet janë hequr menjëherë dhe se ka nisur një hetim urgjent, duke paralajmëruar masa shtesë për të frenuar futjen e sendeve të paligjshme në burgje.
Rruga nacionale Librazhd-Prrenjas është mbuluar nga balta dhe inertet pas reshjeve të fundit që kanë prekur zonën.
Drejtuesit e automjeteve janë përballur me një situatë të vështirë në qarkullimin përgjatë këtij aksi, ndërsa lëvizja bëhet e rrezikshme.
Po ashtu, rruga Librazhd-Prrenjas është përfshirë edhe nga trafiku, i cii ka qenë një problem konstant për të gjatë muajve të fundit.
Ndërkohë, firma e cila po kryen punimet për autostradën e korridorit VIII raportohet se ka zvarritur punimet, ndërsa kantieret e saj mbeten të hapura prej muajsh tashmë.
Sakaq, rruga është ndarë në disa lote, me tenderat që janë firmosur nga zv/kryeministrja e akuzuar nga SPAK dhe për të cilën kërkohet edhe arresti, Belinda Balluku.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasit H.M., L.M. C.N., A.P., A.M. dhe E.N. për veprat penale ‘Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave’, ‘Falsifikim i dokumentit’ si dhe ‘Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve’ parashikuar nga nenet 186/2, 189/2, dhe 293/a/2 të Kodit Penal.
Nga hetimet mbi procedimin penal nr.2812, 2025, të nisura mbi bazën e materialeve të referuara nga Departamenti i Policisë Kriminale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Shërbimit Diplomatik/ Zyra për Hetimet kriminale jashtë SHBA-së, rezultoi se shtetasi A.H., së bashku me disa shtetas te tjerë shqiptarë janë kontrabanduar në rajonin e Karaibeve, me qëllim më pas për të kaluar ilegalisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas të dhënave, personi i dyshuar që ka organizuar këtë aktivitet është shtetasi shqiptar H.M. alias A. M., i hetuar më parë me të njëjtin aktivitet të kontrabandës njerëzore. Të dhënat tregojnë se ky shtetas u ka kërkuar të paktën tre shqiptarëve që për t’i dërguar në Amerikë dhe Kanada të paguajnë çmimin prej 35.000 dollarësh. Internerari që ndjek ky shtetas për të kontrabanduar njerëz fillon nga Shqipëria ku rektrutohen dhe më pas nga vendet e Europës drejt Republikës Domenikane, e prej andej me dokumenta false drejt Kanadasë ose nëpërmjet Porto Rikos duke përdorur dokumenta udhëtimi false për në Florida ose në shtete të tjera të ShBA-së.
Nga hetimet, rezultoi e provuar se shtetasi H.M. ka pajisur me dokumenta të falsifikuara disa shtetas shqiptarë për t’u larguar në mënyrë të paligjshme drejt SHBA-së dhe ka konsumuar elementet e veprës penale të “Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, “Falifikim i dokumentit” si dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” parashikuar nga neni 186, 189 dhe 298 të K.Penal, e provuar në disa raste. Po ashtu nga interceptimet telefonike është provuar se shtetasi H. M., gjatë kohës që është duke u hetuar me masë sigurie “Arrest në burg” nga ambjentet e paraburgimit të Fushw-Krujës ka përdorur dy numra të ndryshëm për të komunikuar me familjarët e tij, duke konsumuar në këtë mënyrë elementët e veprës penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim” më shumë se një herë, parashikuar nga neni 324/a/2 i K.Penal.
Nga veprimet e kryera janë mbledhur prova se edhe shtetasja L.M., është e përfshirë në aktivitetin e bashkëshortit të saj me veprime konkrete si në shoqërimin në udhëtimin e tyre për në Republikën Domenikane si dhe duke përfshirë në bashkëpunim edhe vëllain e saj A.P., në marrjen e porosive nëpërmjet linjave të udhëtimit Tropojë -Tiranë. Ajo ka konsumuar veprën penale të “Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, “Falifikim i dokumentit” si dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” parashikuar nga neni 186, 189 dhe 298 të K.Penal.
Nga kqyrja e të dhënave telefonike, është provuar se shtetasi E.N. i punësuar pranë agjencisë turistike, ka ndihmuar duke i vënë në disposicion foto të dokumentave të dy shtetasve të huaj, me qëllim që shtetasi H.M., ky i fundit të mundësojë kalimin e shtetasve të ndryshëm duke përdorur dokumenta model. Mënyrë kjo, e përdorur në disa raste nga shtetasi H. M., janë konsumuar elementët e veprës penale të “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” parashikuar nga neni 298 të K. Penal.
Po kështu shtetasi A.P., në bashkëpunim me të afërmit e tij me veprime konkrete ka marrë dokumenta të falsifikuara që do të mundësonin kalimin në mënyrë të kundërligjshme të një shtetasi duke konsumuar elementët e veprave penale “Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, “Falifikim i dokumentit” si dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” parashikuar nga neni 186, 189 dhe 298 të K. Penal.
Ndërsa shtetasi C.N., duke qenë shofer automjeti ka mundësuar transportin e dokumentave të falsifikuara duke konsumuar elementët e veprës penale të “Falsifikim i leternjoftimeve, pasaportave ose vizave”, “Falifikim i dokumentit” parashikuar nga neni 186 dhe 189 të K. Penal kryer në bashkëpunim.
Shtetasi A.M., duke i vënë në dispozicion të hetuarit H. M., të dhënat e pasaportës/pasaportën e tij Britanike si model për të prodhuar dokumenta të tjera të falsifikuara, për të bërë të mundur një mënyrë më të sigurtë kalimi për shtetas të tjerë për të ikur në Kanada dhe me këto veprime ka konsumuar elementët e veprës penale të “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” parashikuar nga neni 298 të K. Penal.
Sa më sipër, në mbështetje të nenit 331 të Kodit të Procedurës Penale, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë kërkoi dërgimin në gjyq e të pandehurve:
H.M., akuzuar sipas neneve 186/2, 189/2, 298/3 dhe 324/a/2 të K.Penal; L.M.., akuzuar sipas neneve 186/2, 189/2, 298/3 të K.Penal; A.P., akuzuar sipas neneve 186/2, 189/2, 298/3 të K.Penal; C.N., akuzuar sipas neneve 186/2, 189/2 të K.Penal; A.M., akuzuar sipas nenit 298/3 të K.Penal; dhe E.N., akuzuar sipas nenit 298/3 të K.Penal.
Djali 14 vjeçar i cili u shoqërua nga policia pas protestës së dhunshme të Partisë Demokratike ku u lënduan 11 efektivë policie ka dalë nga ambientet e Komisariatit nr 1 duke shpjeguar se si u kap nga forcat e rendit.
“Isha në xhami. Isha duke larë fytyrën prej gazit. Ika unë dhe isha tu pa policët. Më erdhën 5 civila. Më kanë kthyer duart, me futen prangat, me ulën poshtë xhamisë, më gjuajtën dhe më sollën këtu. Ndenja këtu 2-3 orë . I kam dhënë mbiemër dhe bënin ca letra. Nuk e di se çfarë po bënin! Më erdhën disa deputetë si quhen ata, dhe ata më nxorrën.”
Minoreni ishte në mesin e 23 militantëve të Partisë Demokratike, të cilët, u shoqëruan në Komisariatin numër 1 pasi sipas policisë, u konstatuan se kanë gjuajtur me gurë dhe sende të forta në drejtim të forcave të rendit.
Altin Ndoci vazhdon prej 13 janarit të jetë një i shumëkërkuar, i cili la pas këtu në burgun e Durrësit një valë pikëpyetjesh. Bashkë me hetimin penal që të prokurorisë, një tjetër hetim administrativ nxjerr në dritë se çfarë rregullash u shkelën.
Gjatë eskortimit në spital të Altin Ndocit, stafi plotësoi fiktivisht formularin e treguesve për arratisjen. Në kohën kur komisioni kishte evidentuar shtatë tregues të riskut të lartë të Ndocit, për të u përshkrua risk standard. Edhe shoqërimi i të burgosurit nuk u përdorën armët e gjata dhe ai u dërgua disa herë drejt spitaleve pa qenë e domosdoshme nga një grup policësh që ishin të njëjtë mes 29 efektivëve që ishin në detyrë.
Përveç transferimeve urgjente të atyre që kategorizohen si të rrezikshëm, për të gjitha burgjet ripërsëriten edhe njëherë kërkesat.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve urdhëron edhe njëherë vlerësimin e riskut të të burgosurve dhe paraburgosurve që shoqërohen jashtë perimetrit të sigurisë. Shoqërimi i tyre për urgjenca shëndetësore, ekzaminime dhe konsulta duhet të kryhet vetëm në spitale publike. Në raste të pamundësisë të qendrave spitalore shtetërore, mund të bëhen përjashtime drejt spitaleve private, por për shkak të mungesës së sigurisë ata nuk mund të hospitalizohen. Shkresa mban firmën e drejtorit të përgjithshëm dhe është shpërndarë në të gjitha burgjet.
Sakaq, në burgun e Durrësit, ku i burgosuri Altin Ndoci u shoqërua pa njoftuar Policinë e Shtetit dhe me një grup të vogël policësh, hetimet sollën nevojën për largimin e shumë të burgosurve. Kanë mbetur ende si të paraburgosur ish-funksionarë si Ilir Beqaj dhe Erion Veliaj, si dhe të dënuar që u transferuan gjatë të shtunës nga një burg tjetër.
Me arratisjen që ndodhi, ende nuk dihet se kush ka mbetur i forti i këtij burgu.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve informon opinionin publik se, në datën 25.01.2026, në IEVP Shkodër, ka ndërruar jetë shtetasi Nicolae Ionnut Erion Deliver, i datëlindjes 23.03.2005, lindur në Rumani dhe banues në Shkodër.
Ky shtetas ishte arrestuar më datë 07.10.2024 dhe ishte akomoduar në IEVP Shkodër më datë 10.10.2024, me masë sigurimi “Arrest në burg”, për veprat penale “Vjedhje me dhunë” dhe “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”.
Sipas informacionit paraprak, gjatë paradites së sotme, shtetasi është konstatuar nga personeli i shërbimit duke qëndruar në shtrat, çka ka sjellë njoftimin e menjëhershëm të personelit shëndetësor të institucionit. Pas vlerësimit mjekësor, janë konstatuar parametra jetësorë të ulët dhe i është dhënë ndihma e parë mjekësore, me rekomandim për dërgim të menjëhershëm në urgjencën e spitalit rajonal.
Menjëherë është nisur me urgjencë drejt Spitalit të Koplikut, si struktura më e afërt shëndetësore. Gjatë transportimit i është dhënë ndihma mjekësore nga stafi shëndetësor. Në urgjencën e Spitalit të Koplikut i është dhënë ndihma mjekësore e menjëhershme, por më pas mjeku i urgjencës ka konstatuar se shtetasi ka ndërruar jetë (exitus letalis).
Institucioni ka njoftuar menjëherë organet kompetente dhe po bashkëpunon plotësisht për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve shpreh gatishmërinë për të vënë në dispozicion çdo informacion të mëtejshëm, në përputhje me ligjin.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se opozita do të vijojë me protesta, duke e cilësuar situatën politike si “kilometrin e fundit” dhe duke falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen dhe reagimin e tyre.
Në një deklaratë për mediat, Berisha theksoi se protestat nuk kanë karakter personal apo partiak, por janë, sipas tij, shprehje e ndërgjegjes qytetare. Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkohen, duke argumentuar se fondet e dyshuara si të vjedhura prekin interesat e të gjithëve, veçanërisht të brezave të rinj.
Kreu i PD-së vuri theksin te pjesëmarrja e të rinjve në protestë, duke e cilësuar atë si elementin më domethënës të tubimit. Sipas tij, prania e rinisë ka shkaktuar reagimin e ashpër të kryeministrit, të cilin e akuzoi për gjuhë fyese ndaj të rinjve protestues.
Berisha përfundoi duke deklaruar se opozita do të angazhojë të gjithë potencialin e saj në vijim të protestave, duke i konsideruar ato si mjetin kryesor të reagimit politik dhe qytetar në këtë fazë.