Ambasadori i Holandës në Shqipëri, Reinout Vos, ka zhvilluar takimin e parë zyrtar me drejtuesin e ri të SPAK, Klodjan Braho.
Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, raporton se ambasadori Vos mbërriti që në orët e paradites në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ku u zhvillua takimi me kreun e SPAK.
Në një reagim zyrtar, Ambasada e Holandës në Tiranë bëri të ditur se vizita ishte një takim mirësjelljeje për të përgëzuar Klodjan Brahon për emërimin e tij dhe për arritjet e deritanishme të institucionit.
“Përmes projekteve tona MATRA dhe bashkëpunimit të fortë dypalësh, riafirmojmë mbështetjen tonë për SPAK-un dhe për forcimin e sundimit të ligjit në Shqipëri”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Shtetet e Bashkuara kanë përfunduar shitjen e parë të naftës venezuelase, me vlerë 500 milionë dollarë, sipas një zyrtari të administratës.
Shitje të tjera të naftës priten në ditët dhe javët në vijim, shtoi zyrtari.
Në ditët që kur Shtetet e Bashkuara sulmuan Venezuelën dhe kapën presidentin e saj, Nicolás Maduro, në fillim të këtij muaji, presidenti amerikan Donald Trump e ka bërë të qartë se planifikon të shfrytëzojë rezervat e mëdha të naftës së vendit.
Trump tha të premten se industria e naftës do të investojë të paktën 100 miliardë dollarë për të rindërtuar sektorin e energjisë të dëmtuar të Venezuelës – megjithëse nuk është e qartë se nga erdhi ky numër.
Planet e administratës për të përfituar nga nafta e Venezuelës, u pritën me skepticizëm nga drejtuesit e energjisë amerikane në Shtëpinë e Bardhë të premten.
“Është e painvesueshme,” u tha zyrtarëve CEO i ExxonMobil, Darren Woods, kur diskutuan pengesat për të bërë biznes në Venezuelë.
“Ekzistojnë një numër kornizash ligjore dhe tregtare që do të duhej të krijoheshin për të kuptuar edhe se çfarë lloj kthimesh do të merrnim nga investimi”, shtoi ai.
Disa drejtues të tjerë shprehën gjithashtu ngurrim për të bërë biznes në vendin e Amerikës Latine të sforcuar. Pas një takimi të gjatë në Shtëpinë e Bardhë të premten, Trump dhe ndihmësit e tij kryesorë kishin dalë pa ndonjë angazhim të madh nga kompanitë për të investuar miliarda dollarë në vend.
Detajet rreth shitjes së parë të naftës ishin të paqarta të mërkurën, por në një deklaratë, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Taylor Rogers, tha se “ekipi i presidentit Trump po lehtëson diskutime pozitive dhe të vazhdueshme me kompanitë e naftës që janë të gatshme dhe të vullnetshme të bëjnë investime të papara për të rivendosur infrastrukturën e naftës së Venezuelës”. Të mërkurën, Reuters raportoi se nafta bruto e Venezuelës po ofrohej me një zbritje për tregtarët krahasuar me naftën konkurruese nga vende të tjera, të tilla si Kanadaja.
SPAK ka shpallur pretencën për Altin Hajrin, i akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës në 2020.
Mwsohet se Prokuroria e Posaçme ka kërkuar burg përjetë për Hajrin. Biznesmeni Altin Hajri, pronar i kompleksit “Golden” në Shijak, ku dyshohet se është dërguar pas marrjes peng në Kamëz 49-vjeçari Jan Prenga, ndodhet aktualisht në arrati.
Besohet se shkak për eliminimin e Prengës janë bërë konfliktet për drogën që vëllai i Jan Prengës kishte në Angli me grupin kriminal që kishin lidhje edhe Hajrajt.
Vendimi i administratës Trump për të pezulluar përkohësisht vizat e emigrimit nga 75 vende të botës, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën, u kthye në kryefjalën e mediave në të dyja vendet.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka bërë të qartë se të huajt që emigrojnë në SHBA duhet ta mbajnë veten me punë, dhe jo të bëhen barrë e shtetit, dhe tani Departamenti i Shtetit po e bën rishikimin e plotë të të gjitha politikave, rregulloreve dhe udhëzimeve, për t’u siguruar që emigrantët nga këto shtete – që autoritetet amerikane i cilësojnë si vende me rrezik të lartë – të mos i shfrytëzojnë ndihmat sociale të shtetit amerikan dhe të mos bëhen barrë e parave publike.
Vendimi do të hyjë në fuqi më 21 janar. Por cfarë është saktësisht viza e emigrimit? Kjo vizë i mundëson një shtetasi të huaj hyrjen në Shtetet e Bashkuara, me qëllim që të jetojë atje përjetë. Pra, në thelb, ajo shihet si bileta që i krijon përfituesit mundësinë të bëhet ligjërisht banor i përhershëm në SHBA, si mbajtës i “Green Card”.
Viza në fjalë u lëshohet atyre që duan të zhvendosen përherë në SHBA, ndërkohë që nga rregullat e reja përjashtohen ata që vizitojnë përkohësisht Shtetet e Bashkuara për turizëm, studime ose punë. Pasi i pranohet viza e emigrimit, personi zakonisht fiton të drejtën për të jetuar përherë në SHBA, për të punuar pa kufizime, dhe përfundimisht për të aplikuar për nështetësinë amerikane.
Nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, prej vendimit të Trumpit rezulton se nuk preket vetëm Serbia.
Pas shkarkimit nga detyra të drejtorit të burgut të Durrësit Indrit Cërloj, dhe gjithë zinxhirit komandues, është emëruar drejtori i ri komanduar i këtij institucioni.
Edmond Llabani është emëruar drejtor i komanduar i burgut të Durrësit.
Po ashtu nga detyra janë shkarkuar edhe i gjithë zinxhiri komandues i IEVP Durrës, konkretisht:
z. Afrim Zeqiraj – Shef i Policisë;
• z. Dezdemon Pazaj – Shef i Policisë IEVP Durrës (i komanduar);
• znj. Ylfete Sema – Shefe e Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor;
• z. Aulon Quku – Kryeinfermier;
• z. Dorjan Saraçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• z. Sali Ferrollari – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• z. Preng Marvataj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• z. Fatjon Braçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• z. Idajet Calamaj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• z. Aranit Çela – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• znj. Violeta Uka – Punonjëse e Policisë së Burgjeve.
Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me 40 rektorët e universiteteve publike dhe private në vend, ku në fokus ishte e ardhmja e arsimit të lartë dhe nevoja për rishikimin e ligjit aktual. Gjatë fjalës së tij, Rama tha se po planifikohet ndërtimi i një kompleksi studentor në Tiranë dhe Durrës, si një zgjidhje për problemin e qirave të larta. “Ka një potencial shumë të madh për të krijuar infrastrukturë qëndrimi të studentëve, duke pasur parasysh trenin që do të jetë në funksion së shpejti, do të jetë shumë e thjeshtë që studentët në tiranë të strehohen në kampusin e Durrësit, do të ndërtojmë një kompleks studentor shumë të mirë që të ndihmojmë studentet për shkak të qirave të larta në Tiranë e në Durrës. Jemi në një moment të ri ndryshimi për arsimin e lartë”, tha Rama.
Ai theksoi gjithashtu se ka ardhur koha për të reflektuar mbi zbatimin e ligjit, duke marrë parasysh ndryshimet e kohës dhe përvojën e krijuar nga praktika disavjeçare. Sipas kryeministrit, ligji për arsimin e lartë, i hartuar në bashkëpunim me vetë rektorët, ka nevojë për korrektime dhe jo për përmbysje. Ai nënvizoi se procesi i rishikimit do të realizohet përmes një grupi të përbashkët pune, ku universitetet do të kenë një rol kyç falë eksperiencës së tyre. Rama sqaroi se ky proces nuk do të nisë menjëherë në sesionin e ardhshëm parlamentar, por kërkon organizim dhe konsultim të gjerë.
“Është koha për të rivizituar ligjin e arsimit të lartë, ka kaluar periudhë e mjaftueshme për të reflektuar në atë ligj, ndryshimet e kohës por dhe konstatimet e praktikës në kornizën e ligjit. Ligji aktual siç e dini është shkruar në bashkëpunim me ju, me kontributin tuaj. Ky do jetë rasti përsëri, shpresoj dhe besoj që edhe për shkak të eksperiencës, nuk bëhet fjalë për përmbysje, si në rastin kur u shkrua ligji, por bëhet fjalë për korrektime. Nuk do pësim sesionin tjetër të parlamentit, të organizohemi me grup pune të përbashkët”, tha Rama.
Një tjetër çështje e rëndësishme e diskutuar ishte ndërkombëtarizimi i universiteteve shqiptare dhe përgatitja e tyre për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kryeministri vuri në dukje se universitetet, veçanërisht Universiteti i Tiranës, kanë bërë hapa të rëndësishëm drejt sigurimit të financimeve nga fondet evropiane, duke rritur kapacitetet përtej buxhetit të shtetit dhe duke krijuar mundësi të reja për pedagogët dhe kërkimin shkencor.
Rama theksoi se arsimi i lartë është një aleat strategjik i institucioneve të vendit në rrugën drejt BE-së dhe se sistemi universitar duhet të bëhet më kompetitiv, më i besueshëm dhe më i përgatitur për sfidat që vijnë.
Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan ka thënë të enjten se Ankaraja është kundër veprimeve ushtarake në Iran dhe përparësia e saj është të shmangë destabilizimin.
“Ne jemi kundër një ndërhyrje ushtarake kundër Iranit”, tha Fidan në një konferencë për shtyp në Stamboll, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Ai ka shtuar se Turqia do të vazhdojë iniciativat e saj diplomatike në lidhje me Iranin.
“Ata janë nën sanksione për shkak të disa politikave rajonale dhe ndërkombëtare që kanë ndjekur. Ne i themi Iranit, duhet të zgjidhësh problemet e tua në rajon”, shtoi ai.
Ministri i Jashtëm turk argumentoi gjithashtu se disa njerëz po i keqinterpretojnë protestat që vijnë nga problemet dhe ankesat e justifikuara ekonomike si një kryengritje kundër regjimit.
“Kjo po krijon një zonë gri”, citohet të ketë thënë ai.
I pyetur në lidhje me njoftimin e fundit të administratës Trump se vendet që bëjnë biznes me Iranin do të përballen me një tarifë të re prej 25%, e cila ka të ngjarë të zbatohet për Turqinë, Fidan tha se ishte vetëm një deklaratë dhe jo një “dekret konkret presidencial”.
Si rezultat, ai theksoi se Turqia ende nuk e ka vënë në axhendën e saj shqyrtimin e tarifave të reja.
Ushtarët e parë nga vendet evropiane mbërritën në Groenlandë pas deklaratës së presidentit amerikan Donald Trump se synon t’ia bashkojë ishullin Shteteve të Bashkuara të Amerikës, raporton Bild gjermane.
Një aeroplan transporti ushtarak i ushtrisë daneze u ul mbrëmë në aeroportin e kryeqytetit të Groenlandës, Nuuk, dhe në bord nuk kishte vetëm ushtarë danezë, por edhe përfaqësues të Forcave të Armatosura Franceze.
Ministria e Mbrojtjes në Berlin njoftoi se sot po dërgon 13 ushtarë në Groenlandë në një mision zbulimi, i cili duhet të zgjasë deri më 17 janar.
Siç u njoftua, ushtarët gjermanë do të shkojnë në Groenlandë me ftesë të Danimarkës dhe do të transferohen në qytetin e Nuuk me një aeroplan transporti Airbus E400M.
Njoftimi thotë se qëllimi është të “hetohet një kontribut i mundshëm ushtarak që do të mbështeste Danimarkën në sigurimin e sigurisë në rajon” .
“Me ftesë të Danimarkës, Gjermania do të marrë pjesë në kërkime në Groenlandë nga 15 deri më 17 janar 2026, së bashku me vende të tjera evropiane. Qëllimi është të shqyrtohet kuadri për kontribute të mundshme ushtarake për të mbështetur Danimarkën në sigurimin e sigurisë në rajon , për shembull në aspektin e aftësive të mbikëqyrjes detare”, tha Ministria Gjermane e Mbrojtjes në një deklaratë.
Sipas informacioneve të siguruara nga Bild, operacioni koordinohet nga Kopenhageni dhe jo përmes strukturave të NATO-s, sepse vendet nordike që janë anëtare të NATO-s , përfshirë Groenlandën, janë nën komandën e selisë së NATO-s në Norfolk, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por operacioni zhvillohet pa pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara.
Ushtarët gjermanë në Groenlandë janë nën komandën e Ministrisë Gjermane të Mbrojtjes, por me pjesëmarrjen e kabinetit të Kancelarit Friedrich Mertz.
Mediat raportojnë se ushtarë nga Holanda, Kanadaja, Suedia, Britania e Madhe dhe Norvegjia janë gjithashtu në rrugën e tyre për në Groenlandë .
Kryeministri suedez Ulf Kristerson njoftoi dje në një njoftim në platformën X se ushtarët e parë suedezë janë në rrugën e tyre për në Groenlandë dhe se së bashku me ushtarë nga një grup vendesh aleate, ata do të “përgatitin së bashku hapat e ardhshëm brenda stërvitjes daneze ‘Operacioni Arktik i Qëndrueshmërisë’”.
Ai theksoi se “Suedia po dërgon personel nga forcat e saj të armatosura me kërkesë të Danimarkës”.
Ambasadori francez për çështjet polare dhe oqeanike, Olivier Poivre d’Arvor, i tha më parë Franceinfo se “rreth 15” ushtarë francezë, “specialistë për malet e larta” janë vendosur tashmë në qytetin Nook, në Grenlandë.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar vazhdimisht javët e fundit se synon të marrë kontrollin e Groenlandës , për shkak të problemeve të sigurisë në Arktik, pra për shkak të kërcënimit të supozuar nga Rusia dhe Kina, dhe Qeveria e SHBA-së nuk e ka përjashtuar mundësinë e një marrjeje me forcë të ishullit./ET
Gazetarja Klodiana Lala ka komentuar në studion e News24 arratisjen e Altin Ndocit nga spitali rajonal i Durrësit, duke ngritur dyshime serioze se ngjarja nuk ka qenë e rastësishme, por e planifikuar prej kohësh.
Sipas saj, Ndoci e kishte menduar arratisjen që në momentin kur u vendos në paraburgimin e Durrësit, një strukturë ku, sipas Lalës, ai nuk duhej të ishte futur për shkak të rrezikshmërisë së lartë. “Mendoj se ka pasur bashkëpunëtorë jashtë që e kanë ndihmuar në lëvizjen e tij dhe kam dyshime edhe për bashkëpunëtorë ose informatorë brenda sistemit,” u shpreh ajo.
Gazetarja kritikoi ashpër mënyrën se si institucionet reaguan pas arratisjes, duke thënë se në një vend normal me polici funksionale do të ishin vënë në lëvizje menjëherë të gjitha kapacitetet e sigurisë.
Sipas saj, do të duhej të ishin nxjerrë në terren qentë e specializuar, të ngriheshin dronë dhe helikopterë për gjurmim ajror dhe të informohej komuniteti për personin e rrezikshëm që ishte në arrati./ET
Bashkëshortja e presidentit francez, Brigitte Macron, ka qenë pjesë e fushatës “Pieces Jaunes” prej vitesh dhe, për të inkurajuar qytetarët të dhurojnë fonde, ajo e gjeti veten në rolin e një DJ-je.
Konkretisht, Brigitte Macron vizitoi Disneyland me Didier Deschamps, dhe si pjesë e aktiviteteve për mbledhjen e fondeve për fëmijët, ajo e gjeti veten në rolin e një balerine dhe DJ.
Rreth 300 fëmijë u mblodhën në eventin special për të takuar zonjën e parë të Francës. Më pas, Macron kërceu me humor të mirë dhe mori rolin e DJ-it, duke miksuar këngën “Forever Young” nga Alphaville.
Të pranishmit e shpërblyen atë me duartrokitje të zjarrta dhe reagime pozitive.
Fushata Pieces Yellows do të zgjasë deri më 7 shkurt dhe, nëpërmjet mbledhjes së fondeve, jeta e fëmijëve dhe adoleshentëve të shtruar në spital do të përmirësohet./et
Gjyqi i ish-ministrit Ilir Beqaj, i akuzuar në lidhje me koncesionin e sterilizimit, është shtyrë në datën 3 shkurt në orën 12:00, pas debatit mbi aksesin në provat hetimore dhe infrastrukturën e nevojshme për t’i lexuar ato.
Drejtoria e Burgjeve ka kthyer përgjigje për kërkesën e mbrojtjes së Beqajt për të lexuar fashikujt hetimor përmes një kompjuteri të pa lidhur me internetin, duke theksuar se nuk disponon infrastrukturën e nevojshme për këtë procedurë.
Në seancë, Beqaj e ka cilësuar mungesën e ekspertizës dhe marrjen e provave si një përballje me presion politik. Ai u shpreh se gjatë hetimeve paraprake kërkoi që SPAK të kryente ekspertizën e provave, por kjo nuk ndodhi, ndërsa sipas tij, SPAK ka aplikuar “metodën e persekutimit publik”.
Beqaj e krahasoi situatën me gjyqet e vitit 1946, duke treguar se atëherë si dhe tani, provat nuk janë paraqitur siç duhet, ndërsa publiku shpesh ndërhyn në proces. “Gjyqi im është si në 1946: prokuroria çoi një person në gjyq, gjyqtarja pyeti ku janë provat, prokurori tha hap penxheren, gjyqtarja e hapi dhe turmat thërrisnin ‘kriminel, kriminel’ – kështu dhe SPAK-u,” deklaroi Beqaj.
Gjykata ka vendosur të japë kohë mbrojtjes dhe të pandehurit për të dëgjuar audiot e seancës paraprake dhe ka shtyrë vendimin për në datën 3 shkurt, ora 12:00./et
Edmond Llabani është emëruar drejtor i ri i komanduar i Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Durrës, pas shkarkimit të drejtuesit të mëparshëm, Indrit Cërloj.
Shkarkimi i Cërlojt u firmos të mërkurën nga Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, një ditë pas arratisjes së të paraburgosurit Altin Ndoci, i cili u largua gjatë një shoqërimi për kontroll mjekësor në spitalin e qytetit.
Që të mërkurën është pezulluar nga detyra i gjithë zinxhiri komandues i IEVP Durrës. Verifikimet paraprake kanë zbuluar se institucioni nuk ka raportuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve as planifikimin dhe as realizimin e vizitës mjekësore të të paraburgosurit, në kundërshtim me aktet nënligjore në fuqi. Po ashtu, rezulton se nuk janë respektuar procedurat standarde të shoqërimit të të paraburgosurve dhe të dënuarve./et
Kryeministri Edi Rama njoftoi se përveç kampusit universitar të Tiranës do të ndërtohet edhe një kampus në Durrës, ku siç u shpreh kryeministri do të strehohen edhe studentët e Tiranës.
Në një takim që kreu i qeverisë pati me rektorët e Universiteteve, ai tha se kjo do të zgjidhe edhe një nga problemet që kanë studentët, sic janë qiratë e shtrenjta në kryeqytet.
Kryeministri deklaroi se studentët do ta kenë edhe më të thjeshtë pasi shumë shpejt do të jetë në funksion edhe treni që lidh Tiranën me Durrësin.
“Kemi dy kampuse, kampusi i Tiranës, kemi hapur procesin për kompusin e Universitetit Aleksandër Moisiu. Ka një potencial për të krijuar infrastrukturë qëndrimi rezidence të studenteve, duke pasur parasysh trenin që dot ë jetë në funksion së shpejti, do të jetë e thjeshtë që studentë në Tiranë të kenë mundësi te strehohen në Durrës. Do të ndërtojmë një kompleks studentor shumë të mirë në mënyrë që të ndihmojmë zgjidhjen e një problemi të madh që kanë studentët për shkak të çmimeve të larta që kanë qiratë në Tiranë. Jemi të bindur që jemi në një moment të ri ndryshimi për arsimin e lartë, por ndryshe nga ndryshimi i parë tani kemi një bazë, eksperiencë. Ka shumë më tepër qartësi brenda universitetit”, theksoi ndër të tjera Rama./et
Kreu i PD Sali Berisha në një konferencë me gazetarët u shpreh se shteti figuron vetëm në drogë dhe në letër. Berisha u shpreh se kryeministri Edi Rama është një hajdut dhe se ka bërë vjedhje të tmerrshme.
I ndalur tek situata e përmbytjeve, Berisha tha se gjithçka ka ndodhur nga mungesa e përgjegjësisë, dhe vjedhja e taksave të qytetarëve.
“Zjarret dogjën njerëz të gjallë, familje e shtëpi si asnjëherë tjetër dhe satelitët i verboi korrupsioni. Më dramatike është situata e përmbytjeve, e bërë nga dora e njeriut. Jo shiu, shiun nuk e ka sjellë njeriu. Në Ultërsirën e Durrësit dy hidrovorë të fuqishëm dhe dy kanale kryesore që e mbrojnë territorin e këtij qarku oshin jashtë funksioni. Hidrovori i Hamallës, patronazhistët i kishin vjedhur tre pompa të fuqishme. Zhduku të tria, vjedh pompat e vjedh motorët dhe pafytyrësisht deri sot asnjë njeri nuk është bërë përgjegjës. Por me qëndrimet e veta të kujton njerëz primitiv dhe fajësonte qytetarë se kanë hedhur letra në kanale. Ndërkohë kanë marra taksa miliona euro por, kanë përfunduar në xhebat e lubive të qeverisë dhe banditëve të qeverisë”, tha Berisha.
Më tej ai shtoi se Rama nuk shpalli gjendjen e emergjencës që të mos ketë detyrim ligjor për të kompensuar dëmet një për një për qytetarët./et
Në takimin me 40 rektorët e universiteteve në vend, kryeministri Edi Rama tha se është koha për të rishikuar ligjin për arsimin e lartë.
Sipas Ramës, duhen bërë korektime në këtë ligj dhe shtoi se rektorët do të kontrubojnë në këtë proces, për shkak të eksperiencës që ata kanë.
“Ndërkohë, duke vlerësuar sinqerisht bashkëpunimin që kemi ndërtuar dhe vijimsinë e komunikimit në një rrugë, sa instituconale aq edhe të hapur informale, na ka dhënë mundësinë të jemi në kontakt me njëri-tjetrin dhe të dëgjojmë, të kuptojmë më shumë në kohë reale, është koha për të rivizituar ligjin e arsimit të lartë, ka kaluar periudhë e mjaftushme për të reflektuar në atë ligj, ndryshimet e kohës por dhe konstatimet e praktikës në kornizën e ligjit. Ligji aktual siç e dini është shkruar në bashkëpunim me ju, me kontributin tuaj. Ky do jetë rasti përsëri, shpresoj dhe besoj që edhe për shkak të eksperiencës, nuk bëhet fjalë për përmbysje, si në rastin kur u shkruajt ligji, por bëhet fjalë për korrektime. Nuk do pësim sesionin tjetër të parlamentit, të organizohemi me grup pune të përbashkët.”, theksoi kryeministri./e.t
Nga Fejzo Subashi.
Ne jemi një shoqëri e edukuar pa kulturë, një komb që ëndërron më shumë sesa punon, që kërkon të marrë më shumë sesa jep, që i mëshon pa limit të drejtës së tij, duke harruar për të drejtat e liritë e tjetërit dhe shoqërisë. Pra, ne nuk jemi të varfër në edukatë. Jemi të varfër në kulturë qytetare. Dhe kjo varfëri nuk shërohet me ëndrra, por me përgjegjësi, e cila duhet të jetë si qytetare dhe si shoqëri. Nuk ndërtohet jeta duke kthyer sytë nga qielli. Nuk ndërtohet as kombi, as dinjiteti, as e ardhmja, duke pritur vetëm nga shteti, vetëm se je shtetas. Nuk bëhesh amerikan apo europian as me asistencë, as me hile, as me punë të pista e të paligjshme. Me këtë mendësi nuk je thjesht barrë për vendin ku ke status emigranti; je problem edhe për kombin tënd, për bashkatdhetarët e tu dhe për brezat që vijnë pas teje.
Ndoshta nuk do t’u vijë mirë shumëkujt, por vendimi i SHBA-së për pezullimin e vizave është i drejtë, i vonuar dhe i domosdoshëm. Dhe po, ky vendim do të ndiqet edhe nga vende të tjera europiane, sepse problemi nuk është Amerika apo Europa , se problemi jemi ne.
Ne jemi një shoqëri që krenohet me “edukatën”, por ka mungesë serioze të kulturës së përgjithshme. Dhe këtu është nyja. Edukata është vetëm një element i kulturës, jo vetë kultura. Mund të flasësh bukur, të përshëndesësh me mirësjellje, të ulesh drejt në karrige dhe prapë të mos kesh kulturë qytetare, ligjore, pune, përgjegjësie dhe bashkëjetese.
Ne jemi ëndërrimtarë të mëdhenj. Ëndrrat tona shpesh i kalojnë hapësirat, mundësitë dhe kapacitetet reale që kemi. Nuk ka asgjë të keqe të ëndërrosh, por e keqe është të mos pranosh kufijtë e realitetit dhe të refuzosh rrugën e gjatë të punës, disiplinës dhe sakrificës. Ne duam rezultatin, jo procesin. Duam suksesin, jo mundimin. Duam statusin, jo përgjegjësinë.
Më shpesh kopjojmë sesa ndërtojmë. Kopjojmë modele që nuk i kuptojmë, stile jete që nuk i përballojmë dhe role që nuk i kemi fituar. Në vend që të zgjedhim mundësinë reale për të arritur të tjerët, zgjedhim shkurtoren, mashtrimin, justifikimin. Dhe kur dështojmë, sepse kjo ndodh shpesh, përgjegjësinë nuk e kërkojmë te vetja, por gjithmonë diku tjetër: te shteti, te qeveria, te Amerika, te Europa, te fati, te “të këqinjtë”. Po, po, qeveritë dhe klasa politike kanë faj dhe përgjegjësi të madhe. Por është hipokrizi e pastër të flasim vetëm për ta, ndërkohë që si individë sillemi njësoj: kërkojmë përfitim pa meritë, rregulla pa respektuar rregullat dhe të drejta pa pranuar detyrime. Ne e mbajmë veten për patriotë, por patriotizmin e kemi reduktuar në postime në Facebook, flamuj virtualë dhe fjalë të mëdha boshe. Në praktikë, shumë prej nesh e dëmtojnë imazhin e Shqipërisë çdo ditë. Vendimi i pezullimit të vizave nga SHBA, nuk është ndëshkim ndaj shqiptarëve, apo Shqipërisë, por është një pasqyr ku duhet të shikohet secili nga ne. Dhe ajo pasqyrë nuk na pëlqen, se na tregon ashtu si jemi, si dukemi në realitet dhe nuk na tregon ashtu si duam. Derisa të mësojmë se nuk ka integrim pa disiplinë, nuk ka liri pa përgjegjësi dhe nuk ka dinjitet pa punë, çdo derë e mbyllur do ta quajmë padrejtësi. Në të vërtetë, ajo është pasqyra jonë. Dhe pasqyrat nuk kanë faj, ato vetëm tregojnë. Jemi gati ta thyejmë pasqyrën si fajtore që nuk na pëlqen shëmbëlltyra, e megjithëse ai është realiteti.
Çfarë integrimi është ai kur edhe pas dhjetëra vitesh jetese jashtë, e quan veten ende “emigrant”, jo qytetar? Çfarë integrimi është ai kur vjen në Shqipëri dhe sillesh si zot i vendit, apo ti je zeusi, ndërsa kur ikën mbush thasët me mish të thatë, gjizë, djathë, vaj, qepë e domate, sikur po largohesh nga një zonë lufte? A nuk ndjen turp kur këto thasë hapen nëpër doganat e Europës?
A është i padrejtë vendimi i SHBA-së, kur ende pa mbërritur atje, madje pa u nisur, bëhen premtime groteske, betime boshe dhe mburrje qesharake se “do marr gjithë fisin, me kuç e me maç”, sikur Amerika është pronë jote private? Dhe kur mbërrin atje, synimi nuk është integrimi, puna e ndershme dhe respekti për ligjin, por dollari i shpejtë dhe asistenca.
Më keq akoma, disa duan të bëhen brenda ditës “padronë”, “të fortë”, “të parët e qytetit”, duke u zhytur në punët më të pista të mundshme. Kjo sjellje ka minimizuar imazhin e Shqipërisë dhe ka zbehur punën, sakrificën dhe dinjitetin e atyre shqiptarëve që me meritë kanë bërë emër dhe na kanë bërë krenarë në botë.
Prandaj, pezullimi i vizave nuk është problem. Problemi është kultura jonë e përgjegjësisë. Derisa të mësojmë se nuk bëhesh qytetar i botës pa qenë më parë qytetar i vetes dhe i vendit tënd, çdo derë që mbyllet do të na duket padrejtësi. Në fakt, është thjesht pasojë. Dhe pasojat, herët a vonë, gjithmonë vijnë, don apo nuk dëshiron ti.
Tiranë më 15.01.2026.
Çdo dimër, bota përreth nesh duket më e qetë dhe pothuajse e zbrazët nga insektet. Nuk dëgjojmë më zhurmën e tyre, nuk përballemi me mushkonja dhe nuk kemi nevojë për sprej mbrojtës. Megjithatë, kjo mungesë nuk do të thotë se insektet janë zhdukur. Përkundrazi, ato thjesht kanë ndryshuar mënyrën e jetesës për të mbijetuar temperaturat e ulëta.
Sipas biologëve, dimri për insektet nuk është periudhë aktiviteti, por fazë mbijetese. Shumë prej tyre hyjnë në një gjendje pezullimi biologjik, ku metabolizmi ngadalësohet ndjeshëm, lëvizja reduktohet dhe energjia ruhet në maksimum. Në këtë gjendje, insektet strehohen në vende të mbrojtura si çarje shkëmbinjsh, trungje pemësh, nën gjethe, bodrume apo pas dritareve.
Shumë specie nuk e kalojnë dimrin në formën e rritur. Fluturat, për shembull, mbijetojnë si vezë, larva të fshehura në natyrë. Edhe mushkonjat nuk zhduken plotësisht: disa femra gjejnë strehë në ambiente të mbyllura, ku qëndrojnë pothuajse të palëvizshme deri në ngrohjen e motit. Kjo shpjegon pse ndonjëherë, gjatë ditëve më të buta të dimrit, mund të shfaqet një mushkonjë brenda shtëpisë.
Ndërkohë, insektet sociale si bletët dhe milingonat e përballojnë dimrin në grup. Ato ulin aktivitetin dhe përdorin rezervat ushqimore për të ruajtur temperaturën dhe jetën e kolonisë.
Edhe pse dimri duket i heshtur, jeta e insekteve vazhdon fshehurazi. Ato nuk zhduken, por presin. Me ardhjen e pranverës, aktiviteti i tyre rifillon natyrshëm, duke rikthyer zhurmën dhe gjallërinë e stinës së ngrohtë.
Edi ka shprehur hapur dëshirën e tij për t’u rikthyer sërish në shtëpinë e Big Brother VIP Kosova 4, duke iu drejtuar drejtpërdrejt fansave përmes një mesazhi publik në rrjetet sociale. Ish-banori i BBVK ka përdorur llogarinë e tij në Instagram për të kërkuar mbështetjen e publikut, duke i ftuar ndjekësit që të reagojnë masivisht në faqet dhe postimet zyrtare të formatit.
Në mesazhin e publikuar, Edi u ka bërë thirrje fansave që të komentojnë në çdo hapësirë publike ku përmendet Big Brother VIP Kosova, duke kërkuar rikthimin e tij në lojë. “E kam një lutje, në çdo postim te faqja zyrtare e Big Brother, në çdo gazetë, në çdo postim të komentoni dhe të kërkoni rikthimin e Eduard Kuqit (Edit). Hajde sepse ju mundeni ta riktheni Edin në Big Brother”, ka shkruar ai, duke lënë të kuptohet se ende shpreson në një mundësi të dytë.
Kujtojmë se Edi u eliminua nga gara pas një televotimi vendimtar, ku publiku u pyet nëse ai duhej të vazhdonte apo jo qëndrimin në shtëpi. Ky vendim erdhi pas një sërë situatash të tensionuara, ku ai kishte drejtuar ofendime të rënda ndaj publikut dhe banorit Ardit, duke shkaktuar reagime të shumta dhe debat të gjerë në opinionin publik.
Në fund, ishte vetë publiku ai që vendosi për largimin e Edit nga BBVK 4. Megjithatë, me mesazhin e fundit, ai duket i vendosur të kërkojë një rikthim, ndërsa mbetet për t’u parë nëse kjo thirrje do të marrë përgjigje pozitive nga produksioni dhe publiku i spektaklit.
Babai i 26-vjeçarit Martin Çeço ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Apelit në Tiranë, e cila la në “arrest shtëpie” tre të dyshuarit për vrasjen e të birit.
I tronditur dhe i revoltuar, ai deklaroi se ndihet i braktisur nga drejtësia dhe se familja e tij po përballet me një dhimbje të pashërueshme që prej qershorit 2022.
Ai u shpreh se djali i tij “nuk kishte asnjë faj” dhe se krimi, sipas tij, u krye nga persona që tashmë janë identifikuar dhe kanë dhënë edhe deklarime për ngjarjen, por që sot po përfitojnë nga lehtësimi i masave të sigurisë.
Ai gjithashtu paralajmëroi se do të marrë vetë hak për djalin e tij.
“Skam çfarë të them më. Djali më iku pa asnjë faj. Do t’i përvëloj ata me benzinë, do t’i përvëloj, nuk i lë, arrest shtëpie, lirim janë ato. Mua nuk më dhimset jeta fare, po nuk i zhduka ata.
Ata janë autorët, e kanë thënë vetë dhe tani i lirojnë. Djali nuk pati as takime me çupën, asgjë, dy dashnorë i kishte. Nuk bëri krim nënata, por bëri djali im,”
Ata kishin dalë në Maliq dy veta për të zhdukur djalin tim. I kanë thënë ‘hap gojën, do t’ju zhdukim’, e vranë djali im pa faj.
Dënuan ata 25 vjet, thanë ky krim dënohet me burgim të përjetshëm, tani i liruan fare. Ka mbi 3 vjet, skam ç’të them më, do t’i djeg dhe do t’ua them djalit tim: e realizova planin tënd. Nuk dua të jetoj më, nuk e bëj veten të më arrestojnë, do vras veten në mes të gjyqit”. tha ai.