Në lidhje live për Euronews Albania ishte meteorologia Lajda Porja e cila bëri parashikimin e motit për javën.
Sipas saj, edhe këto ditë të mbetura nga dhjetori do të jenë tipike dimërore.
“Duke filluar nga nesër do të kemi vranësira të shpeshta dhe do të kemi reshje, të cilat do të fillojnë si fillim në zonat jugore sepse sistemi i vranësirave është duke u zgjeruar në jug të vendit, ndërsa mbasditja dhe mbrëmja do të përfshijnë të gjithë territorin.
E mërkura dhe e enjtja do të kenë reshje shiu në zonat e ulëta dhe vijën bregdetare, reshje dëbore në të gjithë zonën lindore, duke filluar që nga pjesa e verilindjes deri në juglindje”, u shpreh meteorologia.
Ajo theksoi gjithashtu se reshjet do të jenë me intensitet të ulët, nuk do ketë dëborë të konsiderueshme apo problematike, do ketë dëborë në të gjithë zonën malore.
“Kjo situatë e motit do të vijojë edhe ditën e enjte, ku dëbora do të jetë në sasi më të pakta, ndërsa e premtja dhe fundjava do të jenë pa reshje me vranësira të dendura, me lagështi dhe temperatura mjaft të ulëta deri në -5 gradë Celsius. Do të jetë java më e ftohtë e këtij viti.
Përsa i përket festave të fundvitit, do t’i festojmë pa reshje, por do të jenë shumë të ftohta pasi një masë e ftohtë nga Pol i Veriut po zbret gradualisht drejt Ballkanit.
Për Krishtlindje do të ketë dëborë në juglindje me sasi të pakta dëbore. Temperaturat në zonat malore do të jenë -5 ose -6 në verilindje”, u shpreh Porja.
Ndërkohë, masa e ftohtë do të qëndrojë për disa ditë edhe në ditët e para të vitit të ri.
Përsa i përket rajonit, aty do të ketë borë, kryesisht të mërkurën dhe të enjten në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut.
“Do të jetë dita e mërkurë ku reshjet do të jenë më të dendura, ndërsa të martën dhe të enjten do të jenë më të pakta”, përfundoi meterologia.
Në ceremoninë e prezantimit të Kreut të ri të SPAK, Klodian Braho janë të pranishëm edhe ndërkombëtarët. Të pranishëm ishin delegacioni i BE-se, ekspertet e OBDAD dhe ambasadori gjerman në Tiranë.
Braho mori zyrtarisht detyrën të enjten duke pasuar Altin Dumanin ndërsa sot po mbahet ceremonia e prezantimit të tij si drejtues i SPAK. Ceremoninë e ka hapur drejtuesja e KLP-së, Mirela Bogdani.
Dita e fundit e debatit për buxhetin e shtetit në Asamblenë e Madhe Kombëtare turke ishte e mbushur me ngjarje të dielën në mbrëmje, kur deputetët e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim në pushtet dhe Partisë Republikane Popullore (CHP) kryesore të opozitës u përleshën, duke shkëmbyer grushte.
Tensionet arritën kulmin gjatë seancës së buxhetit, me incidentin që zgjati rreth dhjetë minuta dhe duke e detyruar Kryetarin e Parlamentit, Numan Kurtulmus, të pezullonte seancën pasi forcat e sigurisë patën vështirësi në largimin e deputetëve të përfshirë në incidente.
Më pas, Parlamenti miratoi përfundimisht buxhetin e Qeverisë Qendrore për vitin 2026 me 320 vota pro dhe 249 kundër, ndërsa Akti i Përgjegjshmërisë i vitit 2024 u miratua me 316 vota pro dhe 247 kundër.
Sipas raportimeve, tensioni filloi pas një përballjeje verbale midis deputetit të partisë në pushtet në Bursa, Mustafa Varank, dhe nënkryetarit të grupit parlamentar të CHP-së, Gokan Gunaydin.
Kur nënkryetari i grupit parlamentar të CHP-së, Ali Mahir Başarır, u ngrit në protestë, tensioni u përshkallëzua me shpejtësi. Shkëmbimet verbale fillimisht u shndërruan në shtytje dhe më pas filluan grushte midis deputetëve nga të dyja partitë.
Altin Dumani i ka kalua stafetën drejtuesit të ri të SPAK Klodian Braho këtë të hënë.
Ai bëri disa falënderime për punën në krye të SPAK gjatë këtyre viteve, ndërsa theksoi se besueshmëria e institucionit tashmë është rritur ndjeshëm.
“Sot mbyllet një kapitull që ka qenë nga më sfiduesit në karrierën time. Në rrugën tonë jemi ndeshur me vendime të vështira. Sot mund të them me bindje se sot SPAK është më i besueshëm se më parë. Këto arritje janë rezultat i punës së palodhur të të gjithëve, prokurorëve të BKH, hetuesve financiarë, stafit administrativ, të kabinetit dhe çdo punonjësi që ka kontribuar me ndershmëri dhe kuraje.
Gjithashtu, dua ti shpreh mirënjohjen time partnerëve ndërkombëtarë. Një falënderim shkon edhe publikon, besimi i tyre ka qenë forca jonë. I uroj suksese edhe zotit Braho”, tha Dumani.
Pasi Altin Dumani i kaloi stafetën, kreu i ri i SPAK, Klodian Braho ka folur për herë të parë pas marrjes zyrtarisht të detyrës. Ai tha se fokusi gjatë ushtrimit të detyrës do të jetë funksionimi i brendshëm dhe funksionimi i ligjit.
Braho: Dua të vlerësoj paraardhësin nën detyrë, zotin Kraja, si dhe Dumanin për integritetin e tij. Në ushtimin e detyrës fokusi im do të mbetet funksionimi i brendshëm, funksionimi i ligjit. BKH dhe hetimi financiar janë shtylla të rëndësishme të SPAK.
Institucioni do të vijojë të komunikojë me mediat. Misioni i SPAK shkon përtej mandateve personale, besoj se jemi skuadër që punojmë përkrah në zbatim të Kushtetutës dhe ne interes të shqiptarëve.
Klodjan Braho ka marrë sot zyrtarisht detyrën, si drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, duke zëvendësuar Altin Dumanin.
Ashtu siç ishte përcaktuar, ceremonia nisi në orën 10:00, ku Altin Dumani i kaloi stafetën Klodjan Brahos, i cili u zgjodh si drejtuesi i ri i SPAK, pak ditë më parë duke marrë 7 vota nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Dumani i uroi suksese në këtë rrugëtim pasardhësit të tij, Braho.
Po kush është kreu i ri i SPAK? Klodian Braho, ka patur një rrugëtim të gjatë në sistemin e drejtësisë, duke mbajtur pozicione të rëndësishme në hetimin e rasteve të korrupsionit. Braho mban mbi supe edhe drejtimin e shumë çështjeve të “nxehta” që lidhen me politikën.
Ai ka hetuar inceneratorin e Elbasanit, duke nxjerrë urdhër arresti për shumë persona mes të cilëve Mirel Mërtiri, Stela Gugallja, Klodian Zoto dhe duke ndarë hetimin për ish zëvendës kryeministrin Arben Ahmetaj, i cili ndodhet në arrati.
Braho ka hetuar gjithashtu dosjen 5D ,duke dërguar në gjyq ish-drejtorët e Bashkisë së Tiranës. Po ashtu, një tjetër dosje e hetuar nga Braho është edhe ajo e njohur si “Toyota Auris” ku janë të përfshirë edhe shumë njerëz të drejtësisë. Kjo dosje është e ndarë në disa fraksione dhe janë duke u hetuar edhe pjesë të tjera të saj. Gjithashtu Klodian Braho është pjesë edhe e grupit të prokurorëve që firmosën dosjen për ish-ministrin e mbrojtjes Fatmir Mediu, tashmë në proces gjyqësor, nën akuzën për “shpërdorim detyre” në lidhje me rolin e tij si ministër në masakrën e Gërdecit.
Emri i tij është ende sot legjendar: Jakobi quhej si ‘i pasuri’ që në të gjallë të tij. Por rëndësia e tij shkon përtej pasurisë. Tregtari dhe bankieri nga Augsburgu në Gjermaninë jugore vendosi shinat për ekonominë e kohës moderne. “Për Fugge-n mund të thuash se ishte njeriu i parë, që bëri tregti në shkallë globale”, thotë Greg Steinmetz në një intervistë për DW.
Në 2015 ish-korrespondenti gjerman i Wall Street Journal e përkujtoi Fugger-in me biografinë “The Richest Man Who Ever Lived” (Njeriu më i pasur që ka jetuar ndonjëherë). Përpara se Karli V, që ishte edhe perandor i Perandorisë së shenjtë romake të kombit gjerman dhe mbret i Spanjës, të vendoste nën kontrollin e tij Amerikën e Jugut, nuk bëhej shumë tregti me pjesët e tjera të botës. “Nga Evropa tregtia behej me Indinë, me Indonezinë e sotme dhe Kinën. Por udhëtimet për në perëndim u bënë të mundura vetëm pas Kolombit. Pra kur flasim për tregtinë ndërkombëtare, ajo ishte me shumicë. A kishte tregti globale? Jo, sepse vetëm gjysma e botës ishte zbuluar nga evropianët. Dhe Fugger u gjend në fillim të këtij fenomeni”, thotë biografi i tij.
Arsimimi në Itali
Jakob Fugger lindi në një familje të pasur në Augsburg, themelet e së cilës i kishte hedhur gjyshi i tij Hans Fugger si endës mjeshtër. Në Venecia ai mësoi tregtinë dhe zhvilloi preferencën e tij për Rilindjen. Venecia e njohu me një inovacion, i cili përshpejtoi ngritjen e tij: mbajtjen e kontabilitetit me dy hyrje.
“Në atë kohë nuk kishte shkolla biznesi. Familjet i dërgonin djemtë e tyre në praktikë dhe gjermanët bënin shumë tregti në Venecia. Fugger u dërgua nga familja e tij në Venecia për të punuar dhe për të mësuar gjithçka që mundej. Ai mori me vete në Gjermani të gjitha sekretet veneciane, përfshirë kontabilitetin me dy hyrje dhe ishte i pari në Gjermani, që zbatoi këto metoda moderne”, shpjegon Greg Steinmetz.
Kështu Fugger e dinte gjithmonë, se sa para kishte, ndryshe nga shumë konkurrentë që vepronin pa regjistrime të sakta. Fugger kuptoi gjithashtu vlerën e informacioneve. “Ai kishte agjentë në çdo qytet të madh evropian dhe madje edhe në çdo qytet të Gjermanisë. Dhe njerëzit e furnizonin me informacione, me korrier dhe kalë dhe çdo mënyrë tjetër që mund t’i çoheshin këto mesazhe Fugger-it. Informacioni është gjithçka sot dhe kështu ishte edhe atëherë”, thotë Steinmetz. ” Ai që ishte në dijeni më herët për zhvillimet dhe i përdorte ato për biznes, ishte në avantazh. Dhe Fugger e kishte kuptuar këtë”.
Financuesi i Perandorëve
Pas vdekjes së vëllezërve të tij Jakob Fugger mori kontrollin e plotë të biznesit familjar në vitin 1510 dhe vazhdoi politikën e sigurimit të kredive për familjen e Habsburgëve nën perandorët Maksimilian I dhe Karli V. Ai fitoi akses në minierat e argjendit dhe të bakrit, kryesisht në Tirol dhe në Hungarinë e atëhershme. Ai nuk i zotëronte vetë minierat, por mbante të drejta për kërkimin, aksione dhe të drejta parablerjeje për xehet, një garanci që do të rezultonte shumë fitimprurëse.
Evropa ofronte pak nga ajo që kërkohej në atë kohë në Azi. “Evropa nuk eksportonte teknologji si sot. Nuk eksportonte mallra luksi. Nuk eksportonte makina. Por ajo kishte metale si argjendi, ari dhe bakri. Dhe këtu hyri në lojë Jakob Fugger”, shpjegon biografi i Fugger-it.
Bakër për botën
“Një rastësi shumë fatlume për koncernin minierar Fugger ishte fakti që në Indinë e asaj kohe, shumë më superiore se Evropa në teknologji dhe ekonomi, mungonte bakri dhe kërkesa për të ishte shumë e lartë”, thotë Martin Kluger për DW. Ai drejton shtëpinë botuese Context në Augsburg dhe Nuremberg dhe është autor i disa librave mbi historinë e familjes Fugger. “Një rastësi tjetër ishte se Vasco da Gama në vitin 1498 zbuloi rrugën detare për në Indi, pak pasi familja Fugger hyri në biznesin e minierave të bakrit në Neusohl – sot Banská Bystrica – në vitin 1495. Pra në një kohë kur kërkesa për bakër ishte më e lartë se kurrë, familja Fugger kishte rezerva, që morën papritmas vlerë shumë të madhe”, thotë Kluger.
Edhe në Evropë u rrit kërkesa për bakër në ndërtimin e anijeve, topave, për enët e kuzhinës, çatitë e pallateve të qyteteve dhe ndërtesave fetare. Sipas Kluger familja Fugger u “detyrua” si të thuash të hynte në biznesin e minierave: Habsburgët dhe mbreti i Hungarisë mezi i shlyenin borxhet, kështu që ata i dhanë asaj të drejta mbi minierat. “Fakti që aristokracia e lartë nuk ishte aq e aftë në biznes, shkonte në avantazh të familjes Fugger”, thotë Kluger.
Sipas Greg Steinmetz arsyeja pse Fugger nuk u shfuqizua nga huamarrësit e tij të fuqishëm, ose përse ata nuk refuzuan t`ia shlyenin atij kreditë, ishte “talenti i madh i Fugger: Ai e dinte se duhej të bëhej i domosdoshëm për të mbijetuar. Ai duhej të ishte personi i vetëm, tek i cili mund të drejtoheshin perandorët dhe princat, kur kishin nevojë urgjente për para. Perandori Maksimilian bënte vazhdimisht luftëra. Atij i duhej të paguante mercenarët, të cilët përndryshe do të ktheheshin në fshatrat e tyre dhe nuk do të luftonin për të”, thotë Steinmetz. “Dhe i vetmi, që mund t’i siguronte Maksimilianit shpejt paratë kur i nevojiteshin, ishte Fugger”.
Trashëgimia e Fugger-it
Si bankier Fugger revolucionarizoi kredinë, duke e bindur Papën të lehtësonte ndalimin nga kisha të fajdesë. Marrja e interesit nga të krishterët nuk u sanksionua më automatikisht. Arsyeja ishte e thjeshtë: “Nëse lexoni burimet përfshirë ato nga Vatikani, nuk është sekret që edhe Papa preferonte të nxirrte fitimet më të larta të mundshme”, u shpreh historiani i ekonomisë Lars Bërner në radion Deutschlandfunk.
Në këmbim Fugger mori një pjesë të të ardhurave të klerit, përfshirë shitjen kontroverse të indulgjencave, të cilat financuan kishën e shën Pjetrit në Romë dhe e shtynë Martin Luterin të ndërmerrte veprime. “Mund të debatojmë rreth asaj se si i modernizoi financat, si u mundësoi njerëzve të merrnin para hua me kamatë, si i ndihmoi Habsburgët të pushtonin gjysmën e botës, si e shkaktoi pa qëllim Reformacionin, duke zemëruar Martin Luterin. Por ajo që mbahet mend natyrisht, është projekti i tij i strehimit në Augsburg: Pa Fuggerei ( një lagje me ndërtesa sociale në Augsburg) askush përveç historianëve nuk do të fliste për Fugger, sepse ky ishte projekti i parë i strehimit social në botë”, thekson Steinmetz.
Fuggerei ekziston edhe sot. Banorët paguajnë nominalisht të njëjtën qira si para 500 vjetësh dhe apartamentet konsiderohen si model i strehimit social. Njerëz nga e gjithë bota vizitojnë kompleksin, ndoshta simboli më i dukshëm i trashëgimisë së Fugger.
Pasurinë e Fugger historianët e vlerësojnë të ketë qenë ndërmjet 300 deri në 400 miliardë dollarë amerikanë. Në varësi të llogaritjes ajo përbënte ndërmjet dy dhe dhjetë përqind të prodhimit ekonomik të Evropës të asaj kohe duke qenë kështu më shumë se pasuria e super të pasurve të sotëm si Elon Musk apo Jeff Bezos në raport me prodhimin ekonomik të SHBA. Për më tepër pasuria e tyre luhatet ndjeshëm në varësi të çmimit të aksioneve të kompanive të tyre në bursa. Ngjashëm me Jakob Fugger, Bill Gates, që dikur ishte vetë personi më i pasur në botë, po punon për trashëgiminë e tij me një fondacion. Megjithatë, thotë historiani i biznesit Boris Gehlen në intervistë me DW, miliarderët e sotëm kanë më pak rëndësi historike afatgjatë: “Trashëgimia e tyre nuk do të jetë aq e madhe sa ajo e Fugger”./DW
Klodian Braho ka nisur sot zyrtarisht punën si drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion. Braho është i treti prokuror në krye të SPAK ndërsa në fjalën e tij përshëndeti dy parardhësit, Arben Krajën dhe Altin Dumanin.
“Marrja e detyrës është një angazhim për të respektuar Kushtetutën, për të mbojtur pavarësinë e SPAK dhe pë të forcuar besimin e qytetarëve. Falë mbështetjes së ndërkombëtarëve, SPAK po përforcohet. Falënderoj paraardhësin në detyrë zotin Kraja për vendosjen e gurëve të parë në institucion për të marrë formën që ka sot si dhe Dumain për guximin dhe integritetin duke përforcuar figurën e SPAK.
Fokusi im do të mbetet forcimin i funksionimit të brendshëm. Instucioni do të vazhdojë të komunikojë në mënyrë të qartë me median dhe pubikun brenda kornizave ligjore. Misioni i SPAK shkon përtej mandateve individuale. Unë besoj se jemi një skuadër dhe duhet të punojmë krah për krah me përkushtim për zotimin tonë për respektimin Kushtetutës”, tha Braho.
Altin Dumani gjatë fjalës së tij u shpreh se sot u mbyll një nga kapitujt më sfidues për të. Më tej shtoi se ai dhe SPAK në përgjithësi janë ndeshur me presione, por tani Prokuroria e Posacme është më e fortë dhe më e besueshme.
“Më lejoni të them dy fjalë. Sot mbyllet një kapitull që ka qenë ndër më sfiduesi gjatë karrierës sime si prokuror. Ka qenë privilegj dhe përgjegjësi, jemi ndeshur me vendime të vështira, presion, kemi punuar me integritet dhe profesionalizëm. SPAK është më i fortë, i besueshëm se më parë. Shpreh mirënjohje partnerëve tanë ndërkombëtarë. Kontributi i tyre ka qenë i çmuar për ndërtimin e standardeve që kemi sot. Një falënderim shkon edhe për publikun shqiptar , besimi i tij ka qenë forca jonë më e madhe. I uroj shumë suksese zotit Braho duke e çuar para besimin e SPAK“, shprehet Dumani.
Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në zemër të Rusisë. Bëhet fjalë për një autobombë që ka vrarë një gjeneral të lartë rus në Moskë. Komiteti Hetues i Rusisë njofton se gjenerallejtënant Fanil Sarvarov vdiq të hënën në mëngjes pasi shpërtheu një lëndë eksploziv e vendosur poshtë një makine.
Sarvarov, 56 vjeç, ishte kreu i departamentit të trajnimit operativ të forcave të armatosura, shtoi komiteti. Raportohet se një pistë që po hetohet është se bomba u vendos me përfshirjen e shërbimeve të inteligjencës ukrainase. Qeveria në Kiev nuk ka komentuar. Hetuesit kontrolluan zonën për prova, në një parking makinash pranë një blloku apartamentesh në jug të kryeqytetit të Rusisë. Imazhet nga zona tregojnë një makinë të bardhë të dëmtuar rëndë me dyert e shpërthyera, të rrethuar nga automjete të tjera në një parking.
Që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, një numër zyrtarësh ushtarakë janë shënjestruar në kryeqytetin rus. Gjenerali Yaroslav Moskalik u vra në një sulm me bombë në makinë në Moskë në prill , ndërsa gjenerali Igor Kirillov vdiq në dhjetor 2024 kur një pajisje e fshehur në një skuter u shpërtheu nga distanca.
Një burim ukrainas i tha më vonë BBC-së se Kirillov u vra nga shërbimi i sigurisë së Ukrainës, megjithëse kjo nuk u konfirmua kurrë zyrtarisht. Si çështje politike, Ukraina nuk pranon ose nuk merr përsipër zyrtarisht përgjegjësinë për sulme të synuara.
Një punonjës në Pallatin Elysee në Paris është arrestuar për vjedhje të enëve të argjendit dhe porcelanit, mes një vale vjedhjesh në institucionet franceze të profilit të lartë, raporton “The Guardian”.
Hetuesit kanë arrestuar një burrë dhe dy bashkëpunëtorë të dyshuar. Ata akuzohen për vjedhje të sendeve me vlerë nga rezidenca zyrtare e presidentit francez në Paris dhe ishin përpjekur më pas t’i shesin në faqet e ankandit online si “Vinted”.
Kryepunëtori në Pallat njoftoi autoritetet për objekte të humbura, disa prej të cilave konsiderohen objekte të trashëgimisë kombëtare.
Sendet vlerësohen të kenë një vlerë totale rreth 40 mijë euro. Shumica e tyre vinin nga “Sevres Manufactory” në Paris, një fabrikë e famshme porcelani që është në pronësi të shtetit francez që nga viti 1759.
Hetuesit nisën të merrnin në pyetje stafin në Elysee pasi personeli i fabrikës vërejti disa gjësende të humbura që po shiteshin në faqet e ankandeve.
Finalizohet operacioni i koduar “Operacionalja 76”. Në pranga ka rënë 37-vjeçari, Gjergji Ceka alias Gjergj Kola.
Ky shtetas akuzohet nga Gjykata e Malagës, për kultivim të bimëve narkotike.
Gjithashtu ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Malagës, Spanjë, me vendimin e datës 14.11.2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Madridin, do të kryejë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi.
Dialogu thuajse do mungoje fare gjate kësaj dite për te dashuruarit. Kjo do çoje ne debate te njëpasnjëshme te cilat zor se do zgjidhen deri ne orët e mbrëmjes.
Beqaret do njohin personin me te cilin shume shpejt do fillojnë edhe një lidhje. Me financat duhet te bëni akoma edhe me shume kujdes duke qene se yjet do influencojnë negativisht.
Demi
Do merreni vesh mire me parterin tuaj gjate kësaj dite dhe pritet te kaloni momente te këndshme pranë tij. Beqaret do jene te parezistueshëm prandaj do kenë mundësi te shumta për te marre propozime dhe për te ndryshuar status.
Me financat mos u tregoni impulsive. Arsyeja duhet te jete ajo qe duhet te mbizotërojë ne çdo moment.
Binjaket
Do i qëndroni besnike partnerit tuaj gjate kësaj dite edhe pse te shumte do jene personat qe do ju tundojnë pa mase. Marrëdhënia do jete përgjithësisht e ngrohte.
Beqaret do kenë disa takime, por asnjeri prej tyre nuk do jete ashtu si ata e kishin ëndërruar. Mos bëni gjera qe nuk i dëshironi. Ne planin financiar do jeni me fat dhe situata do ketë përmirësime te mëdha.
Gaforrja
Marrëdhënia juaj ne çift do ketë probleme te shumta gjate kësaj dite. Për çdo gjë do konfliktoheni me te dhe do qëndroni me kokën mënjanë. Beqaret nuk do jene ne humorin e duhur për te filluar një histori dashurie, prandaj do mbeten serish vetëm. Financat duhet t’i menaxhoni me më tepër kujdes dhe maturi, përndryshe gjendja mund t’iu dale jashtë kontrollit.
Luani
Pas një periudhe jo shume te qete për jetën tuaj ne çift sot do rivendoset harmonia ne çift. Do jeni me tolerante dhe me te hapur me atë qe keni ne krah.
Beqaret qe ne mëngjes do kenë takime te jashtëzakonshme dhe nuk do ndihen për asnjë çast vetëm. Financat nuk do jene shume te mira, kështu qe mos rrezikoni shume duke shpenzuar pa fund.
Virgjëresha
Asgjë e keqe nuk ka për te ndodhur sot ne jetën tuaj ne çift kështu qe merrini gjerat si t’iu vijnë dhe dashurohuni si ta ndjeni.
Beqaret nuk do kërkojnë ndryshim te statusit sepse do ndihen mire ashtu si janë. Gjithë kohës do kenë diçka me çfarë te merren. Ne planin financiar do keni me shume fat se kurrë dhe gjendja do jete e shkëlqyer.
Peshorja
Mos kërkoni nga partneri qe t’ua sjelle Hënën ne toke sepse kjo është një gjë e pamundur, por mundohuni te kënaqeni me aq sa ai iu jep. Dashuria e tij për ju është e pashtershme. Beqaret do jene me shume fat dhe ka mundësi ta gjejnë personin e përshtatshëm.
Edhe financat do fillojnë te kenë disa përmirësime te vogla. Nuk do keni për çfarë te qaheni.
Akrepi
Nëse nuk tregoheni me te dashur me partnerin tuaj sot dhe nëse nuk e toleroni atë për disa gjera te vogla, mund te lindin debate te paimagjinueshme.
Ai nuk do jete ne humorin e duhur, prandaj mire do jete te veproni me delikatese. Beqaret nuk do kenë aspak te reja. Ne planin financiar mos u tregoni te pamatur me shpenzimet sepse do mbeten pa para.
Shigjetari
Do jeni plot energji dhe humor gjate kësaj dite ju te dashuruarit. Pranë partnerit do përjetoni emocione te papërshkrueshme dhe do ju duket sikur jeni ne ëndërr.
Ata qe janë vetëm nuk do mërziten edhe sikur te mos e gjejnë dashurinë sepse do kalojnë një dite te animuar. Ne planin financiar duhet te ndiqni një disipline strikte ne mënyrë qe te mos keni vështirësi.
Bricjapi
Do jeni konfuze sot ne jetën tuaj ne çift dhe ne shume momente nuk dini se çfarë te bëni. Partneri gjithashtu do jete si ne ajër.
Beqaret duhet te reflektojnë me kujdes para se te vendosin te pranojnë ftesën e dikujt sepse me pas nuk do ketë kthim mbrapa. Financat nuk do jene te këqija, megjithatë para se te shpenzoni kontrolloni njëherë portofolin.
Ujori
Pas një periudhe jo shume te mire për jetën tuaj ne çift, sot do pajtoheni me partnerin dhe do kaloni momente te këndshme me te. Do i kuptoni gabimet e kryera. Beqaret do kenë veçse takime, por asgjë me tepër sesa aq. Me financat duhet te merreni pak me tepër.
Peshqit
Klima ne jetën tuaj ne çift do ngrohet edhe me shume gjate kësaj dite. Do bini ne një mendje për gjithçka me atë qe keni ne krah dhe do ndiheni mjaft mire.
Beqaret mund te kenë edhe dashuri me shikim te pare nëse dalin dhe tregohen me te hapur. Dielli do jete planeti qe do i favorizoje financat.
Kantautorja irlandeze bën atë që bëjnë muzikantët më të mirë: kristalizon në mënyrë perfekte kohën e saj, ndërsa në mënyrë frymëzuese mban një qëndrim kundër saj.
Nga John Harris
Si është ndjerë njeriu të jetë gjallë në vitin 2025? Përgjigjja bazë ndoshta prek disa aspekte të përvojës së shekullit të 21-të. Njëri është tmerri dhe konflikti që duket se përcaktojnë lajmet pothuajse çdo ditë. Një tjetër qendërzohet rreth presioneve materiale që mbërthejnë gjithnjë e më shumë vendet gjoja paqësore: kriza e pafundme e kostos së jetesës dhe pamundësia për miliona njerëz për të pasur një punë të sigurt, një shtëpi të besueshme dhe një ide disi të qëndrueshme për të ardhmen.
Diçka tjetër kërkon vëmendje: përzierja gjithëpërfshirëse e absurditetit, ligësisë dhe zemërimit të ushqyer nga interneti. Bigotizmi lulëzon kudo. Ajo që ne ende e quajmë në mënyrë qesharake “media sociale” tani duket se operon mbi bazën se historia ideale përzien elemente jashtëzakonisht të pabesueshme me nxitjen e indinjatës morale. Mund të kontrolloni profilin tuaj në një gjendje kureshtjeje të lehtë, por e gjeni veten menjëherë të tërhequr në atë që rezulton prej saj: stuhi të mëdha talljeje, urrejtjeje dhe bërtitjeje të polarizuar.
Çmimet më të mëdha duket se u shkojnë figurave publike që arrijnë ta kthejnë gjithë këtë në avantazhin e tyre me cinizëm – që është historia thelbësore e kujtdo, nga yjet moderne të pornografisë, te “influencuesit” ekstremistë, e deri te presidenti aktual i SHBA-së. Zhurma që rezulton duket se vetëm shton ndjenjën e anomisë dhe çorientimit, veçanërisht tek brezi që lindi në një botë të rimodeluar nga interneti. Marr email tri ose katër herë në javë që pikturojnë këtë tablo, të përmbledhur qartë në një deklaratë për shtyp nga Shoqata Britanike për Këshillim dhe Psikoterapi: “Të rinjtë po mbijetojnë, nuk po lulëzojnë; shumë prej tyre ndihen të shkëputur dhe pesimistë për të ardhmen e tyre.”
Gazetaria ndoshta mund të gërvishtë vetëm sipërfaqen. Evokimi dhe eksplorimi i vërtetë i gjithë këtij lëmshi surreal është detyrë e romaneve, dramave, filmave dhe muzikës. Dhe kur vjen puna te muzika, ky vit ka sjellë një perlë të vërtetë: Euro-Country, albumi i tretë i kantautores irlandeze Ciara Mary-Alice Thompson, e njohur më mirë si CMAT.
Për të cituar krijuesen e tij 29-vjeçare: “Çdo këngë prek një detaj emocional të asaj se si është të rritesh në këtë epokë të kapitalizmit dhe çfarë na ka bërë ai të gjithëve.” Është një album plot me vizione njerëzish që bëhen gjithnjë e më të vetmuar dhe të tjetërsuar, por që gjithashtu mban qëndrim për humanizmin bazë: ai dhëmb, në thelb, dhe kombinon portretet e një bote gjithnjë e më të zymtë me një insistim të nënkuptuar se ne të gjithë mund të luajmë rolin tonë për diçka më të mirë.
Nuk është domosdoshmërisht e nevojshme t’i dini të gjitha këto për të vlerësuar gjenialitetin e CMAT. Shumë nga këngët e saj më të mira janë për çështje të zemrës. Kushdo që e ka parë atë live do ta dijë se ajo është një prezencë ekstravagante, qesharake dhe plot vetëbesim në skenë. Por pika kryesore mbetet: muzikantët më të mirë janë gjithmonë “rrufe-pritësit” e kohës së tyre, dhe ajo është padyshim shembulli më i mirë i vitit 2025.
Disa nga tekstet më depërtuese të albumit fokusohen në vendlindjen e saj. Kopertina e Euro-Country paraqet Thompson duke dalë nga një shatërvan në një zonë tregtare pranë qytetit të saj të lindjes, Dunboyne. Vendi prej nga vjen ajo, ka thënë ajo, po karakterizohet gjithnjë e më shumë nga “qendrat tregtare, çimentoja dhe rrugët”, ku “për vite me radhë nuk ka pasur pothuajse asnjë shërbim social… dhe të gjithë kanë qenë vetëm në Facebook, duke lundruar dhe duke u radikalizuar nga e djathta ekstreme.”
Nëse vërtet dëshironi të kuptoni se si ekonomia e ashpër mund të jetë një fyerje për shpirtin njerëzor, Irlanda mund të jetë prizmi i përsosur. Shtatë vjet më parë, pashë një vend ku, siç thuhej rreth e rrotull qytetit: “Familjet e pastreha qëndrojnë në hotele, dhe turistët qëndrojnë në shtëpi.”
Kjo është ajo për të cilën flet kënga titullare e Euro-Country. “Ishte normale,” këndon Thompson, “të ndërtoje shtëpi që qëndrojnë bosh edhe tani.” Ajo i referohet edhe asaj që u ndodhi njerëzve që besuan te ëndrra dhe mbetën të rrënuar: “Isha 12 vjeç kur baballarët filluan të vrisnin veten rreth meje.” Është një varg i fuqishëm për t’u shkruar dhe kënduar.
Ka këngë të tjera që shkrijnë personalen me politiken. Iceberg flet për pasigurinë – financiare dhe personale – që i thyen njerëzit. Por momenti kyç i triumfit të albumit është The Jamie Oliver Petrol Station, i cili kap në mënyrë perfekte rrotullimin e pështirë dhe të përshpejtuar të shekullit të 21-të. Ai portretizon Thompson duke ndaluar në autostradë për një sanduiç, duke gjetur një pikë shitjeje me emrin e kuzhinierit të famshëm dhe duke shpërthyer në një tërbim që as ajo vetë nuk e kupton. “Po e çoj dëm kohën duke vluar nga mërira,” këndon ajo. Telefoni i saj është një prezencë e nënkuptuar: vargjet më thumbuese mund të ishin postuar lehtësisht në internet. Teksti lë të kuptohet diçka e vërtetë: ndërsa ne shfryjmë kundër njerëzve të tjerë, shkaqet reale që na vendosin në atë gjendje – strehimi, punët dhe të tjerat – vazhdojnë të na bluajnë.
Thompson bën atë që bëjnë këngëtarët dhe tekstshkruesit më të mirë: kristalizon kohën e tyre duke mbajtur qëndrim kundër saj. Në shumë vepra të mëdha arti, ka gjithmonë një ndjenjë sfide. Arti i saj është plot me të, prandaj është një përcjellës aq brilant i diçkaje që ky vit ndonjëherë kërcënoi ta shuante: një lloj shprese shumë njerëzore.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla prezantoi sot vizionin dhe hapat konkretë të transformimit të sektorit bujqësor dhe rural në kuadër të procesit të integrimit europian, duke theksuar se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është një proces që kërkon përgatitje, angazhim dhe bashkëpunim të të gjithë aktorëve të zinxhirit bujqësor.
Ministri Salla u ndal te çelja zyrtare e Grupit të Kapitullit 5 në Konferencën e 7-të Ndërqeveritare më 17 nëntor, ku përfshihen Kapitujt 11, 12 dhe 13, që mbulohen nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Ai theksoi se këta kapituj janë ndër më dinamikët dhe kërkojnë jo vetëm përafrim të legjislacionit dhe zbatim të standardeve, por edhe transformim të thellë dhe modernizim të sektorit.
Sot jemi këtu për të nisur një dialog mbi rrugëtimin e sektorit bujqësor dhe rural drejt destinacionit tonë të përbashkët në familjen e madhe evropiane. Në Konferencën e 7-të Ndërqeveritare, më 17 Nëntor, u çel zyrtarisht Grupi i Kapitullit 5 ku përfshihen edhe tre kapitujt që mbulon MBZHR. Kapitujt 11, 12, 13, janë dinamikë që kërkojnë angazhim si në përafrimin e legjislacionit dhe zbatimin e standarteve, por kërkojnë edhe një transformim dhe modernizim të sektorit. Kjo arrihet me punën që do të bëjë Qeveria por kërkon pjesëmarrjen dhe angazhimin e gjithësecilit prej jush. Anëtarësimi i vendit në Bashkimin Europian sjell përfitime për fermerët, operatorët e biznesit, konsumatorët dhe ekonominë e vendit.
Nga ana tjetër sjell, gjithashtu, detyrime…
Pra, përfitimi nuk vjen automatikisht, vjen kur të gjithë aktorët janë të përgatitur me investim, dokumentim dhe cilësi në çdo hallkë të zinxhirit.
Në Kapitullin 11, përmes Politikës së Përbashkët Bujqësore, fermeri vendoset në qendër.
Qëllimi është i qartë: një bujqësi më konkurruese, më e qëndrueshme, me më shumë siguri ushqimore, më shumë kujdes për mjedisin dhe ndryshimet klimatike.
Për t’i arritur këto, BE parashikon mbështetje financiare konkrete: pagesa direkte, grante për investime dhe masa për të forcuar tregun.
Por kjo mbështetje ka kushtëzime…
Për të përfituar, duhet të zbatohen praktikat e mira bujqësore dhe mjedisore dhe të respektohen kërkesat për menaxhimin e fermës dhe të aktivitetit të saj.
Ne synojmë që nga fondet europiane të përfitojnë rreth 150 mijë fermerë.
Pikërisht për këtë, në dy vitet e ardhshme:
– Do të përditësojmë regjistrin e fermës dhe regjistrin e blegtorisë;
– Dhe do të ngremë sistemin e identifikimit të parcelave të tokës, pilotimi i të cilit ka nisur.
Gjithashtu, duke nisur që nga viti i ardhshëm, NE do të përshtasim në mënyrë graduale skemën kombëtare me skemat që aplikohen në vendet e BE-së.
Një sfidë tjetër e rëndësishme për prodhuesit tanë është edhe përmbushja e standardeve të cilësisë dhe të tregtimit të produkteve.
Për këtë arsye, MBZHR po përgatit paketën ligjore dhe do të nisë një proces komunikimi dhe trajnimi me prodhuesit dhe operatorët e tregut.
Dhe në fund, një element që bën diferencën: organizimi i fermerëve në grupe prodhuesish.
Kjo na ndihmon të kapërcejmë problemin e ekonomisë së shkallës dhe, njëkohësisht, është mënyra më efektive për të përthithur fondet europiane në masa të caktuara mbështetjeje.
Në Kapitullin 12, siguria ushqimore bëhet standard pune në të gjithë zinxhirin. Ne jemi të angazhuar për të arritur zbatim të plotë të legjislacionit të BE-së.
Përtej përafrimit ligjor, detyrimi është zbatimi real i këtyre akteve në terren për të arritur standardet nga fermerët tek stabilimentet dhe operatorët e biznesit ushqimor.
Të gjithë bizneset duhet të arrijnë të njëjtat standarde me ato të BE-së. Kjo shoqërohet me kosto por njëkohësisht dhe mundësinë për të tregtuar në tregun e përbashkët.
Ndërveprimi i ngushtë mes institucioneve publike dhe operatorëve është elementi kyç, për efekt të kontrollit zyrtar, por sidomos për ndërtimin e standardeve dhe zbatimin në praktikë.
Në Kapitullin 13, kërkesat janë shumë konkrete: digjitalizim, monitorim, raportim dhe kontroll.
Nga ana jonë, angazhimi është të forcojmë mbledhjen e të dhënave dhe raportimin elektronik me strukturat e BE-së.
Ne e dimë mirë që këto transformime nuk i përballon dot askush vetëm.
Kjo është arsyeja pse sot Ne lancojmë “EuroAgro Albania 2025-2030”, si një mekanizëm praktik që t’ju ndihmojë të përgatiteni hap pas hapi.
Platforma konkretisht do të sjellë:
Një linjë të dedikuar asistence e quajtur “Numri Blu”
Platformë digjitale informative dhe asistent virtual në Portalin e Fermerit
Pika informuese, materiale udhëzuese dhe trajnime
Në të njëjtën kohë, platforma do të shtrihet përmes bashkive, shërbimeve të ekstensionit, dhomave të tregtisë dhe shoqatave profesionale, që informacioni të mbërrijë shpejt dhe i plotë tek të gjithë.
Në mbyllje, ju ftojmë të bëheni pjesë aktive e këtij procesi, të kërkoni orientim, të përdorni mjetet që po vendosim në dispozicion dhe të nisim përgatitjen që sot.
Nga ana jonë, ne do të sigurojmë kushtet dhe mbështetjen e nevojshme për pjesëmarrje.
Nëse bëhemi bashkë në këtë rrugëtim, Bujqësia 2030 do të kthehet në një standard pune dhe treg i ri mundësish.
Një aksident rrugor është shënuar mbrëmjen e sotme 21 dhjetor në aksin Levan–Tepelenë, në fshatin Poçem, ku një kamion i ngarkuar me fruta agrume (portokalle dhe mandarina) është përfshirë në një ngjarje aksidentale.
Sipas informacioneve paraprake, mjeti tip Volvo, me targa AA 859 SJ, ka dalë nga rruga për shkaqe ende të paqarta. Si pasojë e aksidentit, ka mbetur i lënduar drejtuesi i mjetit, shtetasi O. Rr., i cili është transportuar me ambulancë drejt spitalit për ndihmë mjekësore. Burime nga spitali bëjnë me dije se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, pasagjeri O. Sh. ndodhet në vendin e ngjarjes dhe, fatmirësisht, nuk ka pësuar dëmtime, raporton gazetarja Anila Sefa për Klan News.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, zjarrfikësja dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit, si edhe për normalizimin e qarkullimit në këtë segment rrugor./K.M
Numri i falimentimeve të korporatave në Gjermani në tre tremujorët e parë të këtij viti arriti nivelin më të lartë në 11 vite. Kush po goditet më rëndë dhe a mund të përmirësohet situata së shpejti?
“Vala e falimentimit vazhdon”, citoi Reuters Volker Treyer, analist kryesor në Dhomën Gjermanetë Industrisë dhe Tregtisë (DIHK). “Kompanitë e vogla dhe të mesme në veçanti po futen në telashe”, tha ai të premten.
Një anketë e DIHK tregoi se pothuajse një në tre kompanime më pak se 20 punonjës kanë frikë nga një përkeqësim i situatës së biznesit. Këto kompani përbëjnë rreth 85 përqind të të gjitha kompanive në vend.
Në të njëjtën ditë (12 dhjetor 2025), Zyra Federale e Statistikave njoftoi se deri në fund të shtatorit, gjykatat gjermane kishin regjistruar 18.125 kërkesa për hapjen e procedurave të falimentimit kundër kompanive – pothuajse 12 përqind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo e bëri numrin e falimentimeve të kompanive në Gjermani në tre tremujorët e parë të vitit 2025 më të lartin në njëmbëdhjetë vjet.
Sa më të vogla, aq më të prekshme
Që kompanitë e vogla janë veçanërisht të prekshme konfirmohet edhe nga profesori i ekonomisë, Stefan Müller. Falimentimet “po ndodhin kryesisht në sektorin e biznesit të vogël”, tha për DW kreu i kërkimit të falimentimit në Institutin Leibniz për Kërkime Ekonomike në Halle. Kur bëhet fjalë për numrin e të punësuarve, “madhësia mesatare është dhjetë punonjës, por shumica e kompanive janë më të vogla”.
Edhe pse nuk luan një rol vendimtar në këtë analizë, vala aktuale e falimentimeve është e dukshme edhe në sektorin privat: numri i falimentimeve personale u rrit gjithashtu në Gjermani vitin e kaluar. Në nëntë muajt e parë të këtij viti, u regjistruan 57.824 raste të falimentimit të konsumatorëve – më shumë për tetë përqind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ndikimi në tregun e punës
Edhe pse “shpata e falimentimit” kryesisht qëndron mbi bizneset e vogla me vetëm pak punonjës, numri i vendeve të punës të humbura ose të rrezikuara seriozisht është rritur gjithashtu ndjeshëm për shkak të rritjes së falimentimeve në shoqëritë e partneritetit dhe kapitalit.
Kjo u llogarit nga Instituti Leibniz për Kërkime Ekonomike, i cili përcaktoi se rreth 170.000 vende pune u prekën këtë vit. Para pandemisë së koronavirusit, kishte më pak se 100.000.
Klaus-Heiner Rell, ekonomist në Institutin për Ekonominë Gjermane në Këln, nuk do të donte të mbivlerësonte ndikimin e këtij trendi në tregun e punës. Edhe pse, siç na shkroi ai, “falimentimi kontribuon në një rritje të lehtë të papunësisë, zhvillimi i situatës nuk është dramatik”.
Stefan Müller e sheh situatën më ndryshe. Sipas llogaritjeve të tij, në vitin 2025 duhet të “llogaritemi në rreth 200.000 vende pune të prekura – që është relativisht e lartë. Në vitet para pandemisë, ishte rreth gjysma e këtij numri”. Disa nga këto vende pune “ndoshta do të humbasin në të vërtetë, sepse falimentimet çojnë në mbylljen e kompanive”.
Megjithatë, ai thekson gjithashtu se shumë vende pune po krijohen në kompani të tjera. Efektet në tregun e punës janë “në përgjithësi të tolerueshme. Nuk duhet harruar se në procesin e pastrimit të tregut, punëtorët shpesh kalojnë nga kompani të dobëta në kompani të mira”.
Zhvillime të pritura?
Për Stefan Müller, shifrat aktuale nuk janë krejtësisht të papritura: “Në përgjithësi, një rritje në numrin e falimentimeve mund të pritej. Megjithatë, shkalla është disi e habitshme”. Klaus-Heiner Rell nuk është i befasuar: “Në parim, ky zhvillim pritej, duke pasur parasysh kohëzgjatjen e dobësisë ekonomike, numri i falimentimeve mund të kishte qenë edhe më i lartë”.
Rell nuk i sheh arsyet për numrin e madh të falimentimevevetëm në anën e sipërmarrësve: “Arsyeja kryesore është ndoshta ekonomia e ngadaltë pothuajse trevjeçare, me një ekonomi në stanjacion ose pak në rënie”.
Çmimet e energjisë, lufta e Rusisë në Ukrainë dhe kalimi në neutralitetin klimatik po kontribuojnë gjithashtu në këtë, duke e bërë edhe më të vështirë për kompanitë të bëjnë biznes.
“Në çfarë mase politikat e vonuara të reformave dhe kompanitë individuale me përshtatje të vonuara kanë kontribuar në probleme është e vështirë të përcaktohet,” thotë Rel.
Steffen Müller gjithashtu nuk dëshiron t’ia hedhë fajin vetëm një pale: “Arsyet e falimentimit janë gjithmonë shumë individuale.” Problemet shpesh lindin nga vendime të gabuara individuale, të tilla si përzgjedhja e dobët e produktit, konfliktet midis menaxhmentit dhe punonjësve, mosmarrëveshjet me pronarë të rëndësishëm ose palë të tjera të interesuara.
“Kur i shtoni kësaj kostot në rritje të shpejtë, ndryshimet strukturore, pasiguritë gjeopolitike dhe tarifat, dobësitë dhe gabimet individuale çojnë më shpejt në falimentim,” thotë Müller. Përfundimi i tij është: “Se kompanitë plotësisht të shëndetshme dhe të pozicionuara mirë që janë ndër më të mirat në industrinë e tyre duhet të zhduken vetëm për shkak të kushteve më të dobëta të kornizës – kjo ndoshta nuk ndodh shpesh.”
Vetëm një shkëndijë e vogël shprese
Shoqata e Administratorëve dhe Mbikëqyrësve të Falimentimit në Gjermani (VID) e sheh situatën aktuale relativisht me qetësi. Presidenti i VID Christoph Niering i tha Agjencisë Gjermane të Shtypit: “Pas efekteve të kompensimit të periudhës së koronavirusit dhe rritjes së lidhur me falimentimet, zhvillimi po kthehet në normalitet.” Megjithatë, kjo nuk është ende “një përmbysje e trendit, por është dritë në fund të tunelit”.
Stephen Müller shprehet në mënyrë të ngjashme: “Në vitin 2026, ndoshta do të jemi rreth nivelit të lartë të vitit 2025”. Megjithatë, ky është vetëm “lajm i mirë kushtimisht, sepse ngadalë kemi arritur në zonën e kuqe”. Pra, nuk duhet të ketë përkeqësim. Sepse një vështrim në grupin kryesor të shoqërive të partneritetit dhe kapitalit tregon: “Ne u përballëm për herë të fundit me përmasa të ngjashme 20 vjet më parë”.
Ekonomisti Klaus-Heiner Rell gjithashtu sheh një shkëndijë shprese: “Nëse ekonomia rritet me rreth një përqind vitin e ardhshëm, siç presin institute të ndryshme, edhe falimentimet duhet të qetësohen”. Megjithatë, ulja e numrit të falimentimeve nuk do të vijë vetvetiu: “Problemet strukturore si tarifat amerikane, konkurrenca nga Kina dhe kostot e energjisë mbeten të pranishme”./KM
Prefektura Niigata e Japonisë pritet të miratojë të martën rifillimin e centralit bërthamor Kashiwazaki-Kariwa, më i madhi në botë, në një vendim që shënon një hap historik në rikthimin gradual të vendit drejt energjisë bërthamore pas katastrofës së Fukushimës në vitin 2011.
Centrali, i vendosur rreth 220 kilometra në veriperëndim të Tokios, ishte mbyllur së bashku me dhjetëra reaktorë të tjerë pas tërmetit dhe cunamit shkatërrues që shkaktuan aksidentin më të rëndë bërthamor që nga Çernobili. Që nga ajo kohë, Japonia ka rifilluar funksionimin e 14 nga 33 reaktorët që konsiderohen ende teknikisht të përdorshëm.
Rihapja e Kashiwazaki-Kariwa do të ishte e para nën menaxhimin e Tokyo Electric Power Company (TEPCO), kompania që operonte edhe centralin e Fukushimës, fakt që ka nxitur shqetësime të mëdha te komuniteti lokal. Edhe pse TEPCO ka deklaruar se ka forcuar masat e sigurisë dhe është angazhuar të investojë rreth 641 milionë dollarë në prefekturën Niigata gjatë dekadës së ardhshme, opinioni publik mbetet i ndarë.
Sipas një ankete të zhvilluar nga prefektura në muajin tetor, rreth 60% e banorëve mendojnë se kushtet për një rinisje të sigurt nuk janë ende përmbushur, ndërsa pothuajse 70% shprehin mungesë besimi ndaj TEPCO-s.
Megjithatë, qeveria e kryeministres Sanae Takaichi e mbështet hapur këtë hap, duke theksuar nevojën për siguri energjetike, kostot e larta të importeve të gazit natyror të lëngshëm (LNG) dhe qymyrit, si edhe rritjen e kërkesës për energji elektrike nga qendrat e të dhënave të inteligjencës artificiale. Në këtë kuadër, Japonia ka vendosur si objektiv të dyfishojë pjesën e energjisë bërthamore në përzierjen e saj energjetike, duke synuar që ajo të arrijë në 20% deri në vitin 2040, pavarësisht kundërshtive dhe debatit të vazhdueshëm shoqëror./KM
Një substancë e re, e konsideruar tashmë si kërcënimi më serioz për antidopingun ndërkombëtar, po alarmon Agjencinë Botërore Antidoping (WADA). Bëhet fjalë për M101, një derivat i hemoglobinës së nxjerrë nga një krimb detar i quajtur Arenicola marina, i cili po përdoret në eksperimente për të rritur në mënyrë artificiale fuqinë dhe qëndrueshmërinë fizike.
Eksperimentet janë zhvilluar në laboratorë në Bjellorusi dhe Kinë, ku shkencëtarët kanë testuar substancën mbi cricetë të artë, të pagëzuar simbolikisht “Lance A”, “Lance B” e të tjerë, në një referencë të hapur ndaj çiklistit amerikan Lance Armstrong. Pas injeksioneve me M101, kapaciteti i gjakut për të transportuar oksigjen është rritur deri në dhjetë herë, duke i shndërruar kafshët në “super-atletë”.
Sipas të dhënave eksperimentale, M101 transporton 156 molekula oksigjeni, krahasuar me vetëm katër që transporton hemoglobina njerëzore, dhe funksionon në mënyrë efikase në temperatura shumë më të gjera se ato të trupit të njeriut. Kjo sjell rritje të ndjeshme të forcës dhe rezistencës, pa efektet anësore tipike të doping tradicionale si Epo apo transfuzionet e gjakut.
Pika më shqetësuese për autoritetet antidoping është fakti se hemoglobina me origjinë jo-njerëzore nuk zbulohet nga kontrollet klasike dhe nuk ndryshon parametrat kryesorë të gjakut, duke e bërë të paefektshme pasaportën biologjike të sportistëve. Për këtë arsye, M101 është futur në “listën e zezë” të WADA-s dhe është diskutuar gjerësisht në konferencën e fundit në Busan, Koreja e Jugut.
Fillimisht i zhvilluar nga një laborator francez për përdorim mjekësor, në ruajtjen e organeve për transplant, në sallat e operacionit dhe në situata emergjente M101 ka përfunduar edhe në tregun e zi, duke ngritur dyshime për përdorim të paligjshëm në sportin elitar.
Ekspertët paralajmërojnë se zbulimi i kësaj substance është i vështirë dhe kërkon analiza të shtrenjta, të cilat duhet të kryhen brenda pak orësh nga përdorimi, për shkak të jetëgjatësisë së shkurtër të saj në organizëm. Laboratorët antidoping në Europë po punojnë për zhvillimin e metodave të reja të kontrollit, përpara se fenomeni të përhapet më tej.
Një gjë është e qartë: dopingu po hyn në një fazë të re dhe shumë më të sofistikuar, ndërsa institucionet ndërkombëtare janë në garë me kohën për të mos mbetur pas./kb