Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 19 January 2026Main stream

Komuna e Shtimes njofton hapjen e thirrjes për Pagesa Direkte në sektorin e blegtorisë

19 January 2026 at 14:12


Komuna e Shtimes ka njoftuar qytetarët se Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përmes Agjencionit për Zhvillimin e Bujqësisë, ka hapur thirrjen për aplikim në kuadër të Programit të Pagesave Direkte për vitin 2025, duke vazhduar mbështetjen për sektorin e blegtorisë.

Sipas njoftimit, përkrahja financiare përfshin pagesa direkte për qumësht sipas kategorive të cilësisë, për therjet e raportuara të gjedhit, për viçat për majmëri, për zogjtë për majmëri (brojlerët), si dhe për akuakulturë, në përputhje me kriteret e përcaktuara nga programi përkatës.

Nga Komuna e Shtimes bëhet e ditur se afati për aplikim fillon më 19 janar 2026 dhe përfundon më 18 shkurt 2026, në ora 16:00, ndërsa fermerët e interesuar ftohen të aplikojnë brenda afateve të përcaktuara për të përfituar nga këto skema mbështetëse.

Autoritetet komunale u bëjnë thirrje bujqve dhe blegtorëve që për informacione shtesë dhe procedurat e aplikimit të ndjekin njoftimet zyrtare të Agjencionit për Zhvillimin e Bujqësisë. /Telegrafi/


Before yesterdayMain stream

Komuna e Shtimes vendos regjim të veçantë të qarkullimit më 15 janar, në përvjetorin e Masakrës së Reçakut

13 January 2026 at 15:23


Komuna e Shtimes ka njoftuar se më 15 janar do të zbatohet një regjim i veçantë i qarkullimit rrugor, me rastin e përvjetorit të Masakrës së Reçakut dhe aktiviteteve përkujtimore që do të zhvillohen gjatë kësaj dite.

Sipas njoftimit zyrtar, ky vendim është marrë në kuadër të takimeve koordinuese për organizimin e “Ditëve të Reçakut”, të zhvilluara me Policinë e Kosovës, dhe bazuar në masat e sigurisë të prezantuara nga autoritetet policore.

Rrugëtimi i organizuar do të zhvillohet në një drejtim. Ai do të nisë nga qyteti i Shtimes përmes rrugës “Tahir Sinani”, duke vazhduar drejt rrugës së Prizrenit. Hyrja në fshatin Reçak do të bëhet përmes rrugës “Lidhja e Prizrenit” (nga enti special), e cila do të shërbejë vetëm për hyrje, ndërsa qarkullimi do të jetë njëkahor deri te Memoriali në Reçak.

Pas përfundimit të homazheve, kthimi do të realizohet po ashtu në një drejtim, përmes rrugës “15 Janari”, duke vazhduar në rrugën “William Walker” deri në dalje. Qytetarët do të kenë mundësi të shfrytëzojnë edhe rrugën unazore (rrugën e re) për t’u kthyer drejt Shtëpisë së Kulturës në qytetin e Shtimes.

Nga Komuna e Shtimes sqarojnë se rrugët “William Walker” dhe “15 Janari” nuk do të shfrytëzohen për hyrje, por vetëm për dalje. Gjithashtu, do të ketë mbyllje në hyrje të rrugës “William Walker”, si dhe në afërsi të rrugës “Qorr Ilazi” nga drejtimi i fshatit Petrovë, e cila do të shërbejë vetëm për dalje.

Sa i përket parkimit, parkingu pranë Memorialit në Reçak do të jetë i dedikuar vetëm për krerët e shtetit, ambasadorë, delegacione të larta dhe familjarë të martirëve, veçanërisht për personat me nevoja të veçanta për shkak të moshës. Parkim shtesë do të sigurohet në oborret e familjarëve në fshatin Reçak, në oborrin e shkollës në Çestë të Reçakut, si dhe pranë Shtëpisë së Kulturës në Shtime, ku parkimi do të jetë i rregulluar gjatë mbajtjes së Akademisë Përkujtimore. Hapësirat përreth Bibliotekës do të jenë gjithashtu në dispozicion për pjesëmarrësit.

Komuna e Shtimes u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë dhe shenjëzimin rrugor, në mënyrë që aktivitetet përkujtimore të zhvillohen me dinjitet dhe pa pengesa. /Telegrafi/


Në kujtim të Reçakut, Shtimja mbyll bizneset më 15 janar

13 January 2026 at 09:46


Komuna e Shtimes ka njoftuar se e enjtja, 15 janar 2026, do të jetë ditë pushimi për të gjitha bizneset që operojnë në territorin e komunës, në shenjë nderimi dhe respekti për sakrificën e martirëve dhe dëshmorëve të rënë në Masakrën e Reçakut.

Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë për Shërbime Publike, vendimi është marrë në bazë të rregullores komunale në fuqi dhe ka për qëllim shënimin e Ditës Përkujtimore të Masakrës së Reçakut, e cila ka rëndësi të veçantë historike dhe kombëtare.

Në këtë ditë, të gjitha subjektet afariste obligohen të jenë të mbyllura, përveç disa veprimtarive esenciale. Lejohet të punojnë vetëm furrat e bukës, barnatoret farmaceutike, pikat e shitjes së karburanteve dhe sektori i gastronomisë.

Nga Komuna e Shtimes bëhet e ditur se për kujdestari janë caktuar disa biznese të veçanta, të cilat do të ofrojnë shërbime për qytetarët gjatë kësaj dite pushimi.

Autoritetet komunale kanë bërë thirrje për respektimin e këtij vendimi, duke theksuar se mbyllja e bizneseve më 15 janar është një shprehje respekti dhe përkujtimi për viktimat e Masakrës së Reçakut. /Telegrafi/


“Endri Kajsiu”, një autor imagjinar dhe ndikimi i tij real në diskursin publik

9 January 2026 at 07:37

Në fund të vitit 2018, kur mijëra studentë mbushën sheshet për të protestuar kundër kushteve të mësimdhënies dhe kostove në rritje të universiteteve publike, qeveria u gjend përballë një prej sfidave më serioze të mandatit të saj të dytë. Kryeministri Edi Rama reagoi fillimisht me përbuzje, duke i përshkruar protestuesit si studentë ngelës, të motivuar […]

The post “Endri Kajsiu”, një autor imagjinar dhe ndikimi i tij real në diskursin publik appeared first on Reporter.al.

Pas reshjeve të borës, Kryetari i Shtimes: Qytetarët të adaptojnë lëvizjen ndaj kushteve atmosferike

8 January 2026 at 11:12


Pas reshjeve të borës që përfshinë komunën gjatë natës, kompania e mirëmbajtjes së rrugëve ka nisur punën që në orët e hershme të mëngjesit për të siguruar qarkullim të rregullt dhe të sigurt.

Kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu, njoftoi për qytetarët se mirëmbajtja e rrugëve do të vijojë gjatë gjithë ditës.

“Pas reshjeve të mbrëmshme të borës, kompania e mirëmbajtjes është në terren që nga orët e hershme të mëngjesit dhe ka filluar pastrimin e rrugëve”, tha ai.

Aliu apeloi edhe tek qytetarët për kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në rrugë: “Ju bëjmë thirrje për kujdes të shtuar në rrugë, veçanërisht gjatë vozitjes, duke iu përshtatur kushteve atmosferike”.

Qytetarët u rikujtuan se puna e ekipeve të mirëmbajtjes do të vazhdojë me kapacitete të plota, për të minimizuar rreziqet dhe vështirësitë në qarkullim. /Telegrafi/


Komuna e Shtimes apelon qytetarët për kujdes për shkak të reshjeve

6 January 2026 at 15:43


Komuna e Shtimes ka lëshuar një njoftim për qytetarët lidhur me reshjet e dendura që kanë përfshirë rajonin dhe që pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

“Situata aktualisht në komunën tonë është jashtë rrezikut, por kërkohet vigjilencë e vazhdueshme,” thuhet në njoftimin e komunës.

Autoritetet lokale apelojnë që qytetarët të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes, të shmangin zonat e përmbytura dhe të raportojnë çdo situatë që mund të rrezikojë sigurinë publike.

“Apelojmë te qytetarët që gjatë lëvizjes të tregojnë kujdes të shtuar dhe të informojnë autoritetet për çdo rrezik të mundshëm,” theksohet në njoftim.

Për raste emergjente, qytetarët mund të kontaktojnë:

  • Zjarrfikësit: 193
  • Policinë: 192
  • Emergjencat: 112
  • Drejtorinë për Shërbime Publike: +383 44 172 839

Institucionet e Komunës së Shtimes janë në gatishmëri të plotë për monitorim dhe ndërhyrje sipas nevojës.

Komuna e Shtimes publikon orarin e kujdestarisë së barnatoreve për shërbime gjatë natës

31 December 2025 at 09:00


Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Shtimes ka bërë të ditur orarin zyrtar të kujdestarisë së barnatoreve që do të ofrojnë shërbime gjatë natës në qytetin e Shtimes.

Sipas njoftimit, orari i kujdestarisë së natës do të jetë nga ora 20:00 deri në 08:00, ndërsa ky shërbim do të realizohet në bashkëpunim me barnatoret private, me qëllim të garantimit të qasjes së qytetarëve në barna dhe shërbime farmaceutike edhe gjatë orëve të vona të natës.

Nga Komuna e Shtimes bëhet e ditur se ky organizim është ndërmarrë për të përmbushur nevojat shëndetësore të qytetarëve dhe për të siguruar shërbime të vazhdueshme farmaceutike, veçanërisht gjatë festave të fundvitit.

Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale u bën thirrje qytetarëve që, për nevoja urgjente, t’i referohen orarit të publikuar dhe të shfrytëzojnë shërbimet e barnatoreve kujdestare në përputhje me datat e përcaktuara. /Telegrafi/


Përurohet Stadiumi i Qytetit në Shtime, investim 2.5 milionë euro

26 December 2025 at 08:07


Stadiumi i Qytetit në Shtime ka marrë një pamje tërësisht të re, pas përfundimit të projektit të rindërtimit me vlerë rreth 2.5 milionë euro, të financuar nga Qeveria e Kosovës. Projekti është realizuar brenda një periudhe prej një viti e gjysmë dhe ka sjellë modernizimin e plotë të infrastrukturës sportive.

Në ceremoninë e përurimit morën pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, si dhe përfaqësues institucionalë, sportdashës dhe qytetarë.

Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e këtij investimi për zhvillimin e sportit dhe për komunitetin lokal.

“Me rreth 2.5 milionë euro investim dhe për një periudhë njëvjeçare e gjysmë, është krijuar një stadium që u shërben sportistëve, shikuesve dhe futbolldashësve të të gjitha moshave. Uroj që ky stadium të shfrytëzohet sa më shumë dhe klubit futbollistik ‘Vjosa’ i dëshirojmë suksese të vazhdueshme”, tha Kurti.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, vlerësoi se stadiumi tashmë i plotëson standardet për zhvillimin e ndeshjeve zyrtare profesionale.

“Këtu është arritur standardi i kërkuar për zhvillimin e ndeshjeve profesionale. Ky stadium i transformuar i shërben futbollistëve dhe publikut dhe është pjesë e angazhimit tonë për investime të vazhdueshme në sport, gjithandej Kosovës”, deklaroi Çeku.

Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, e cilësoi rindërtimin e stadiumit si investimin më të madh të realizuar ndonjëherë në këtë komunë.

“Ky projekt i jep dinjitet sportit lokal dhe hap perspektiva të reja për të rinjtë tanë. Punimet, që kanë nisur në mars të vitit 2024 dhe kanë përfunduar para vitit 2026, përfshijnë ndërtimin e tribunave të reja me 1,205 ulëse, zhveshtoreve dhe objekteve përcjellëse. Ne besojmë në talentin e sportistëve tanë dhe investojmë për ta”, tha Aliu, duke falënderuar Qeverinë për mbështetjen.

Rindërtimi i stadiumit në Shtime është pjesë e investimeve publike për avancimin e infrastrukturës sportive në Kosovë dhe pritet të shërbejë për klubin futbollistik “Vjosa”, si dhe për organizimin e aktiviteteve të tjera sportive. /Telegrafi/


Raportim publik në Shtime, Aliu flet për investimet dhe projekte strategjike

24 December 2025 at 08:40


Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, ka mbajtur sot takimin e dytë publik me qytetarë, ku ka prezantuar raportin për punët, projektet dhe investimet e realizuara gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2025.

Gjatë adresimit të tij, kryetari Aliu ka paraqitur projektet e përfunduara dhe ato në zhvillim në sektorë të rëndësishëm si infrastruktura, arsimi, shëndetësia, mirëqenia sociale dhe shërbimet publike. Ai theksoi se buxheti i Komunës së Shtimes për vitin 2025 ka qenë mbi 11 milionë euro, duke mundësuar realizimin e projekteve me ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Kjo ishte një periudhë e mbushur me angazhim të vazhdueshëm dhe rezultate konkrete që kanë zgjidhur probleme dhe kanë lehtësuar jetën e qytetarëve tanë. Ky ishte gjashtëmujori i fundit i kapitullit të punës në mandatin e parë, ndërsa mandati i ri na gjen me përgjegjësi edhe më të madhe dhe me shumë punë përpara”, ka deklaruar kryetari Aliu.

Në fushën e arsimit, ai njoftoi për rritjen e subvencioneve, funksionalizimin e katër çerdheve ku aktualisht përfitojnë rreth 250 fëmijë, si dhe investime pothuajse në të gjitha shkollat e komunës. Po ashtu, gjatë këtij viti janë ndarë 120 bursa për studentët nga Komuna e Shtimes.

Sa i përket infrastrukturës, kryetari Aliu veçoi projektet e kanalizimeve atmosferike, ndriçimit publik, realizimin e projektit të unazës së brendshme, si dhe ndërtimin dhe rivitalizimin e shumë rrugëve lokale, përfshirë rrugët e reja të Malësisë në fshatrat Topillë, Rancë dhe Devetak.

Një nga projektet më të rëndësishme, sipas tij, është rrënimi i objektit përpara ndërtesës së komunës, që do të hapë rrugë për realizimin e projektit të sheshit të qytetit dhe ndërtimin e parkingut nëntokësor.

Kryetari Aliu foli gjithashtu për investimet në shëndetësi dhe mirëqenie sociale, duke përmendur vazhdimin e punimeve për ndërtimin e objektit të ri të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, ndërtimin e entit special, objektit të administratës komunale dhe rregullimin e shtratit të lumit, projekte këto me vlera milionëshe.

Në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, ai theksoi investimet në sallat sportive, subvencionimin e botuesve të rinj, organizimin e festivalit tradicional “FolkFest”, mbajtjen për herë të parë të festivalit për fëmijë në Shtime, si dhe themelimin e Korit të Qytetit, krahas aktiviteteve të tjera kulturore.

Po ashtu, kryetari njoftoi për fillimin e punimeve për ndërtimin e Varrezave të Dëshmorëve në Shtime, projekt ky me vlerë rreth gjysmë milioni euro.

Në përmbyllje, kryetari Qemajl Aliu ka ritheksuar përkushtimin e tij dhe të qeverisjes komunale për vazhdimin e punës në shërbim të qytetarëve dhe për përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së jetës në Komunën e Shtimes. /Telegrafi/


Shkolla “Bajram Curri” në Mollopolc të Shtimes po rinovohet me mbështetje të KFOR-it Turk

19 December 2025 at 15:40


Shkolla “Bajram Curri” në Mollopolc po kalon një proces të rinovimit të plotë, falë bashkëpunimit mes komunës së Shtimes dhe LMT-KFOR-it Turk.

Kryetari i komunës, Qemjal Aliu, vizitoi dje punimet së bashku me ekipin e KFOR-it, duke vlerësuar përkushtimin dhe mbështetjen për këtë investim.

Projektin përbëjnë rregullimi i nyjeve sanitare, renovimi i sallës së arsimtarëve, përmirësimi i banjove, lyerja e mureve dhe vendosja e dyerve të reja.

Sipas kryetarit Aliu, ky investim synon përmirësimin e kushteve për nxënësit dhe stafin arsimor, duke krijuar një ambient më të sigurt dhe të përshtatshëm për mësim.

“Vlerësojmë mbështetjen e KFOR-it Turk për këtë investim që përmirëson kushtet për nxënësit dhe stafin arsimor. Vazhdojmë me punë të mira”, shkroi kryetari Aliu./Telegrafi/


Aliu: Po përmbyllet faza e fundit e asfaltimit të disa rrugëve në Shtime

18 December 2025 at 13:41


Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, ka bërë të ditur se faza e fundit e asfaltimit të rrugëve në këtë komunë është drejt përfundimit, para përkeqësimit të kushteve atmosferike.

Në një njoftim të publikuar në Facebook, Aliu theksoi se punimet po realizohen me qëllim të lehtësimit të qarkullimit për qytetarët dhe përmirësimit të infrastrukturës rrugore.

“Faza e fundit e asfaltimit të rrugëve po përfundon para përkeqësimit të motit, për qarkullim më të lehtë për qytetarët”, ka shkruar Aliu, duke shtuar se Komuna e Shtimes do të vazhdojë me realizimin e projekteve infrastrukturore.

Ai theksoi se angazhimi i komunës për investime në infrastrukturë nuk do të ndalet, me synimin për krijimin e kushteve më të mira për jetesë dhe lëvizje të qytetarëve. /Telegrafi/


Ndryshon qendra e votimit për qytetarët që kanë votuar në Gjimnazin “Naim Frashëri” në Shtime

15 December 2025 at 13:55


Komuna e Shtimes ka njoftuar se për zgjedhjet e ardhshme është ndryshuar lokacioni i Qendrës së Votimit nr. 220, ku deri më tani votimi është zhvilluar në objektin e Gjimnazit “Naim Frashëri”.

Sipas njoftimit zyrtar, qytetarët që kanë qenë të regjistruar për të votuar në këtë qendër, këtë herë do ta ushtrojnë të drejtën e votës në objektin e Shkollës së Mesme të Ulët “Emin Duraku”, në Shtime, në rrugën “Skender Salihaj”.

Nga Komuna e Shtimes bëhet e ditur se ky ndryshim është bërë si pasojë e punimeve që aktualisht janë duke u zhvilluar në objektin e Gjimnazit “Naim Frashëri”.

Autoritetet komunale kanë kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve dhe i kanë ftuar ata që të informohen me kohë për lokacionin e ri të votimit, në mënyrë që procesi zgjedhor të zhvillohet pa pengesa. /Telegrafi/


Observatori Kombëtar kap për herë të parë video dhe fotografi të Jupiterit dhe Saturnit

12 December 2025 at 10:01


Observatori dhe Planetariumi Kombëtar i Kosovës ka shënuar një arritje historike në fushën e astronomisë vendore, duke realizuar për herë të parë video dhe fotografi të planetëve gjigantë, Jupiterit dhe Saturnit.

Vrojtimet u bënë përmes kamerës planetare të integruar në teleskopin Schmid Cassegrain 14", pajisje moderne që po mundëson një nivel të ri kërkimi dhe dokumentimi shkencor.

Në njoftimin e publikuar nga Komuna e Shtimes dhe vetë Observatori Kombëtar, theksohet se pamjet e kapura shënojnë një hap të rëndësishëm në zhvillimin e vrojtimeve astronomike në Kosovë, raporton Telegrafi.



Përmes këtyre imazheve, janë regjistruar me sukses brezat karakteristikë të Jupiterit dhe unazat e famshme të Saturnit, duke sjellë për publikun shqiptar pamje autentike të këtyre trupave qiellorë.

Stafi i Observatorit u shpreh se ky moment është “emocion i veçantë” dhe përfaqëson vetëm fillimin e një faze të re, më profesionale dhe më të avancuar në hulumtimin e universit nga Kosova.

Institucioni njofton se së shpejti do të publikohen edhe imazhe të tjera mahnitëse të trupave qiellorë, duke premtuar një rrugëtim të ri shkencor që do të frymëzojë të rinjtë dhe pasionantët e astronomisë në vend. /Telegrafi/


Komuna e Shtimes fillon dekorimin e qytetit për festat e fundvitit

10 December 2025 at 08:15


Komuna e Shtimes ka nisur dekorimin e rrugëve kryesore dhe hapësirave publike në kuadër të përgatitjeve për festat e fundvitit.

Punimet po realizohen nga kompania kontraktuese e angazhuar nga komuna.

Përmes vendosjes së ndriçimit dhe elementeve dekorative, synohet krijimi i një atmosfere më festive dhe atraktive për qytetarët gjatë kësaj periudhe.

Nga komuna kanë bërë të ditur se dekorimet do të shtrihen në disa pjesë të qytetit, me qëllim që Shtimja të marrë një pamje më të gjallë dhe më mikpritëse për festat që po afrojnë. /Telegrafi/


Kuzeska: Kush i dha të drejtë Mickoskit të negociojë për të sjellë migrantë në vend, Maqedonia nuk ka mundësi të merret me këtë sfidë

7 December 2025 at 13:12


"Mediat britanike me reputacion, si "The Times", raportuan se qeveria e Mickoskit është në bisedime me Britaninë e Madhe që Maqedonia të bëhet një destinacion bazë për kthimin e emigrantëve. Të gjitha gënjeshtrat pas të cilave kuzhinat e OBRM-PDUKM-së dhe qeveria u përpoqën të fshiheshin janë zhytur në ujë", thotë zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.

Nga LSDM thonë se migrantët mbeten sfidë për shumë shtete të fuqishme, prandaj nuk ka arsye pse Maqedonia e Veriut t'i pranojë të njejtët.

"Kjo është një çështje serioze kombëtare dhe shtetërore, e lidhur kryesisht me sigurinë, stabilitetin dhe të ardhmen e vendit. A është ky lajmi i madh ekonomik që Mickoski po shpallte me marrëveshjen e supozuar me Mbretërinë e Bashkuar? A është bërë një vlerësim sigurie për sjelljen e emigrantëve nga Britania. A janë parashikuar rreziqet dhe më e rëndësishmja, a kemi një përgjigje për pyetjen - Pse Britania i refuzoi ata, dhe ne do t'i pranonim. Vendet e zhvilluara dhe financiarisht të forta evropiane, Suedia, Britania, Gjermania, kanë një problem të madh në përballimin e kësaj sfide, qytetarët e tyre protestojnë çdo ditë për këto probleme. Britania ka problemin e parë me emigrantët që ka vazhduar për shumë kohë. Nëse këto vende shumë të zhvilluara nuk mund të përballen me problemin, as Maqedonia nuk do të jetë në gjendje. Kjo shoqëri nuk mund ta durojë këtë. Nuk ka çmim për të paguar", tha Kuzeska.

"Maqedonia nuk mund ta zgjidhë problemin e njerëzve që ikin nga luftërat dhe varfëria. Në televizionin kombëtar britanik, analistët tashmë po e përmendin Maqedoninë si një vend që mund të pranojë përgjithmonë disa nga migrantët. Kush i dha Mickoskit leje të negociojë për migrantët? Askush! LSDM do t'i kundërshtojë këto politika anti-shtetërore të Mickoskit dhe OBRM-PDUKM-së me gjithë kapacitetin e saj", tha Kuzeska.

Tirana Bank shpallet “Banka e Vitit në Shqipëri” nga The Banker "Financial Times"

4 December 2025 at 15:00


Tirana Bank është vlerësuar me titullin prestigjioz “Banka e Vitit 2025 në Shqipëri” nga The Banker, një nga publikimet më të rëndësishme të sektorit financiar global dhe pjesë e grupit Financial Times.

Me një histori të gjatë që nga viti 1926, The Banker njihet për analizat etij në tregun financiar, metodologjinë rigoroze të vlerësimit dhe reputacionin ndërkombëtar në mbi 160 tregje bankare.

Ky çmim i rëndësishëm vendos në fokus punën e konsoliduar të Tirana Bank gjatë viteve të fundit, një periudhë e karakterizuar nga rritja e qëndrueshme, konsolidimi i performancës financiare, transformimi digjital dhe orientimi drejt përvojës së klientit. Në ceremoninë zyrtare të mbajtur në Londër, përfaqësues të bankës morën trofeun si një dëshmi e qartë e standardeve të arritura.

Vlerësimi nga The Banker vjen pak muaj pas shpalljes së bankës si “Banka më e Mirë në Shqipëri 2025” nga Euromoney, duke e bërë këtë vit një prej kapitujve më të rëndësishëm në historinë e institucionit: dy prej emrave më të besueshëm në industrinë financiare ndërkombëtare konfirmojnë të njëjtën gjë, Tirana Bank po shkëlqen!

“Të vlerësohesh si ‘Banka e Vitit në Shqipëri’ nga The Banker është një arritje jashtëzakonisht e rëndësishme për ne. Ky çmim, së bashku me vlerësimin e marrë nga Euromoney, tregon qartë se puna jonë po perceptohet dhe vlerësohet si brenda vendit ashtu edhe ndërkombëtarisht. Jemi krenarë për gjithçka që kemi ndërtuar dhe të vendosur të vazhdojmë me të njëjtin ritëm ambicioz.”, u shpreh z. Dritan Mustafa, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Tirana Bank.

Sipas metodologjisë së Financial Times, çmimet “Banka e Vitit” vlerësojnë institucionet bankare në disa kritere themelore: rritjen dhe stabilitetin financiar, transformimin teknologjik, cilësinë e përvojës së klientit dhe kontributin real në ekonominë e vendit. Tirana Bank u dallua në mënyrë të veçantë në secilin prej këtyre dimensioneve, falë rezultateve të matshme dhe kulturës institucionale të përqendruar tek performanca dhe inovacioni.

Ky vlerësim ndërkombëtar i shton peshë reputacionit të bankës dhe e pozicionon edhe më fuqishëm si një institucion dinamik dhe me rol të rëndësishëm në zhvillimin e sektorit financiar në Shqipëri.

Nxënësit e IAAP në Shtime shkëlqejnë në premierën e dramës “Flamur n’Stuhi”

26 November 2025 at 08:39


Në ambientet e Shtëpisë së Kulturës u shfaq sot premiera e dramës shkollore “Flamur n’Stuhi”, e realizuar nga nxënësit e IAAP Shtime nën udhëheqjen artistike të Florie Jahiri Ademaj dhe Skender Asllani, ndërsa koreografia u përgatit nga Selatin Rizani.

Shfaqja u ndoq nga një numër i madh pjesëmarrësish, mes tyre edhe zyrtarë komunalë: Lulzim Sahiti, shef i sektorit të arsimit; Tringa Xhelili, zyrtare në DKA; si dhe Labinot Rexha, drejtor i IAAP Shtime.

Nxënësit sollën një interpretim të përkushtuar dhe emocional, duke krijuar një atmosferë mbresëlënëse që u shpërblye me duartrokitje të gjata nga publiku. Me energji, talent d he disiplinë, ata arritën të sjellin në skenë një rrëfim të fuqishëm dhe aktual, përcjell Telegrafi.

Drama trajtoi një prej kapitujve më të rëndësishëm të historisë shqiptare: festat e Nëntorit dhe epokën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Përmes skenave artistike, u përcollën mesazhe të forta për sakrificën, lirinë dhe krenarinë kombëtare, duke e shndërruar shfaqjen në një udhëtim emocional për publikun. /Telegrafi/


Rama i përgjigjet ish-drejtorit të Google: Diella nuk është “qeverisje me algoritëm”

21 November 2025 at 10:50

TIRANË, 21 nëntor/ATSH/- Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur një komenti të shkruar nga ish-drejtori ekzekutiv i Google, Erik Shmidt në “The New York Times”, i cili thoshte se me ministre AI, Shqipëria po shkonte drejt qeverisjes nga algoritmet.

“Shqipëria është vendi i parë që ndërmerr një hap të vërtetë drejt “algokracisë”: qeverisjes me anë të algoritmit”, e nis editorialin Shmidt, për cilin Rama thotë se është zhgënjyer.

Kreu i ekzekutivit shkruan se Diella nuk është as sunduese, as zëvendësuese e demokracisë, por “kujdestare publike e konceptuar për ta bërë demokracinë të funksionojë më mirë dhe shërbimet publike më të shpejta, më të drejta dhe më transparente”.

“Kam shumë respekt për z. Schmidt. Lidershipi e tij në Google dhe idetë e tij mbi marrëdhënien midis teknologjisë dhe shoqërisë kanë frymëzuar një brez të tërë politikëbërësish, përfshirë edhe mua. Por si kryeministër i Shqipërisë, u zhgënjeva kur lexova përshkrimin e tij për Diellën, nismën shqiptare të qeverisjes me A.I., si “një hap drejt ‘algokracisë’: qeverisjes nga algoritmet”.

Diella nuk është as sunduese dhe as zëvendësuese e demokracisë. Ajo është një shërbyese civile digjitale, një kujdestare publike e konceptuar për ta bërë demokracinë të funksionojë më mirë dhe shërbimet publike më të shpejta, më të drejta dhe më transparente.

Për dekada me radhë, Shqipëria, si shumë demokraci të reja, është përballur me korrupsion në prokurimet publike. Kur rregullat shkelen, nuk janë algoritmet që dështojnë, por njerëzit.

Diella është ndërtuar për të zbatuar ligjet dhe procedurat ekzistuese paanshmërisht dhe pa ndikim politik. Vlerat që ajo zbaton — drejtësia, transparenca, efikasiteti — nuk janë abstraksione matematikore; ato janë parime demokratike, të kodifikuara dhe plotësisht të auditueshme.

Me Diellën, çdo vendim është i gjurmueshëm, i shpjegueshëm dhe i hapur për apelim. Kjo nuk është “qeverisje me algoritëm”. Është qeverisje përmes ligjit, e zbatuar nga teknologjia, nën vëzhgimin e qytetarëve.

Qëllimi i Shqipërisë nuk është t’ia dorëzojë pushtetin makinave, por por të çlirojë njerëzit nga joefikasiteti dhe tundimi. Ne nuk po ndërtojmë një algokraci në Shqipëri. Ne po ndërtojmë një demokraci digjitale”-thuhet në editorialin e Ramës për “The New York Times”. /TCH/

The post Rama i përgjigjet ish-drejtorit të Google: Diella nuk është “qeverisje me algoritëm” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Komuna e Shtimes shpall gjendje emergjente pas reshjeve të shiut

18 November 2025 at 23:45


Pas vlerësimit të gjendjes në terren gjatë orëve të mbrëmjes, kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, ka shpallur gjendje emergjente në gjithë territorin e komunës për shkak të reshjeve të pandërprera të shiut.

“Të nderuar qytetarë, reshjet e pandërprera të ditëve të fundit kanë shkaktuar vështirësi serioze në disa zona të komunës. Duke u bazuar në kompetencat dhe përgjegjësitë tona institucionale, kam marrë vendimin që në gjithë territorin e Komunës së Shtimes të shpallim gjendje emergjente, me qëllim që të reagojmë me efikasitet dhe të mbrojmë sigurinë e të gjithëve", tha kryetari Aliu.

Ai njoftoi gjithashtu se gjatë ditës së nesërme do të mblidhet sërish Shtabi Emergjent, i cili tashmë gjendet në terren dhe po zhvillon veprimet e nevojshme për menaxhimin e situatës.

Nga orët e hershme të mëngjesit, të gjitha drejtoritë komunale me njësitë dhe shërbimet vartëse, së bashku me Shërbimin e Zjarrfikësve dhe Policinë, janë angazhuar maksimalisht për ta mbajtur situatën nën kontroll.

Komuna njofton se në disa fshatra gjendja paraqitet më e rënduar, por ekipet dhe shërbimet komunale me makineri të specializuar po ndërhyjnë për trajtimin e dëmeve dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve.

Komuna e Shtimes u bën thirrje banorëve që të jenë të kujdesshëm dhe të ndjekin njoftimet zyrtare deri në normalizimin e plotë të situatës. /Telegrafi/

Komuna e Shtimes paralajmëron qytetarët për rrezik të mundshëm nga vërshimet

18 November 2025 at 12:37


Komuna e Shtimes ka njoftuar qytetarët se reshjet e fundit kanë krijuar kushte atmosferike të pafavorshme, të cilat mund të shkaktojnë ngritje të nivelit të ujërave dhe vërshime në disa zona të komunës.

Qytetarëve u kërkohet të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, sidomos pranë rrjedhave ujore, kanaleve dhe zonave ku grumbullohet uji, si dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat me rrezik të lartë.

Çdo situatë emergjente mund të raportohet në numrat: 193 – Zjarrfikësit, 192 – Policia, 112 – Emergjencat +383 44 172 839 – Drejtoria për Shërbime Publike.

Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Njësia Emergjente e Komunës së Shtimes janë në gatishmëri të plotë për ndërhyrje sipas nevojës.

Komuna bën thirrje për kujdes të vazhdueshëm dhe falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin. /Telegrafi/


❌
❌