Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Anulohet vendimi për zgjedhjen e Drejtorit të Institutit Albanologjik të Kosovës

26 January 2026 at 15:22


Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka bërë të ditur se për shkak të shkeljeve të dispozitave ligjore gjatë procesit të zgjedhjes ka anuluar vendimin për zgjedhjen e Drejtorit të Institutit Albanologjik të Kosovës.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se Këshilli Drejtues obligohet që, pa vonesë, të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për caktimin e ushtruesit të detyrës dhe shpalljen e konkursit.

"Si Ministri e Arsimit, mbesim të përkushtuar ndaj respektimit të legjislacionit dhe parimit të meritokracisë. Të gjitha shkeljet e adresuara në këtë vendim janë serioze dhe, për këtë arsye, do të procedohen më tej në organet kompetente", thuhet në njoftim. /Telegrafi/



Disa shkolla përballen me mungesë të ngrohjes, reagon Nagavci

12 January 2026 at 17:15


Sot në ka filluar gjysmëvjetori i dytë, por jo në të gjitha komunat e Kosovës.

Drenasi, Malisheva e Fushë Kosova kanë vendosur që ta shtyjnë fillimin e mësimit si pasojë e motit të pafavorshëm dhe vërshimeve.

Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci ka njoftuar se në disa komuna mësimi nuk ka nisur edhe për shkak të problemeve me ngrohje.

Nagavci në një bisedë për Kosovpress, ka thënë se kjo është kompetencë dhe keqorganim i komunave. Ndër tjera, theksoi se çdo orë e humbur duhet të zëvendësohet, për çka shtoi se do të bëhet plani dhe të ndahet me komunat.

“Kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me komunat edhe mbrëmë deri në orët e vona edhe sot po ashtu. Dhe në bazë të informacioneve që kemi, në tre komuna është shtyrë fillimi i vitit shkollor, në Malishevë për shkak të reshjeve edhe situatës së krijuar me vështirësi në komunikacion në qarkullim, ndërkohë që në Fushë Kosovë dhe në Drenas ka pasur probleme edhe për shkak të ngrohjes. Pra në tri komuna, në Drenas, në Malishevë dhe në Fushë Kosovë, është shtyrë fillimi i procesit mësimor”, deklaroi ajo.

Ministrja në detyrë e Arsimit bëri të ditur se edhe në disa komuna të tjera ka pasur shkolla që janë përballur me probleme të ngrohjes.

“Në Prishtinë kanë njoftuar se e kanë filluar mësimin në të gjitha shkollat. Në Ferizaj është vetëm në një shkollë. Në fshatin Tërn nuk ka filluar mësimi, në shkollat e tjera po. Kjo për shkak të problemeve me ngrohje. Në Kaçanik, në Lipjan dhe në Shtime e kanë filluar shkollat mësimin, por janë riorganizuar nga ana e komunës. Prizren, Suharekë edhe Dragash, edhe në Mamushë ka filluar mësimi sot me vonesë në dy shkollat e Prizrenit për shkak të problemeve me ngrohjen qendrore. Ndërkohë edhe në Vushtrri, mësimi nuk ka filluar në shkollën ‘Dëshmorët’ në Zhilivodë për shkak të problemeve me ngrohjen qendrore”, shtoi Nagavci.

Për këtë ajo ka fajësuar komunat, për çka deklaroi se është keqorganizim.

“Po, kjo është shumë problem, por është përgjegjësi e komunës, kompetencë ligjore e komunës. Gjithsesi, ata duhet të raportojnë në detaje edhe çdo orë e humbur duhet të zëvendësohet. Edhe natyrisht duhet të adresohet që probleme të tilla të mos ndodhin në të ardhmen, sepse është absurde që të mbeten pa lëndë të para ngrohëset në mes të periudhës së dimrit... Kjo është papërgjegjësi edhe keq organizim, nuk ka të bëjë me, si të them, sikurse te çështja e vërshimeve kur është diçka e paplanifikuar edhe në aspekt të faktorëve të jashtëm natyrorë në këtë rast”, u shpreh ajo.

E pyetur se si do të kompensohen orët e humbura, Nagavci tha shkurt se do të hartohet një plan.

Pas vërshimeve, procesi mësimor shtyhet deri më 12 janar në të gjitha shkollat

6 January 2026 at 23:46


Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka njoftuar se për shkak të reshjeve të fundit atmosferike dhe kushteve të vështirësuara në disa zona të vendit, fillimi i procesit mësimor shtyhet deri më 12 janar 2026.

Sipas njoftimit zyrtar, si pasojë e vërshimeve dhe situatës së rënduar në shumicën e komunave, si dhe e qarkullimit të vështirësuar për shkak të reshjeve të vazhdueshme, të cilat sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, është marrë vendim që pushimi dimëror të vazhdojë edhe për dy ditë shtesë në nivel vendi, përkatësisht më 8 dhe 9 janar.

“Mësimi për gjysmëvjetorin e dytë do të fillojë të hënën, më 12 janar 2026”, thuhet në njoftimin e MAShTI-t.

Ministria ka bërë të ditur se është në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe se, bazuar në informacionet e pranuara nga terreni, është konstatuar se fillimi i procesit mësimor i paraparë për ditën e enjte është i pamundur.

Po ashtu, theksohet se orët e humbura mësimore gjatë këtyre dy ditëve do të zëvendësohen gjatë pjesës së dytë të vitit shkollor 2025/2026 për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar.

MAShTI ka falënderuar prindërit, nxënësit dhe mësimdhënësit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin, duke theksuar se siguria e nxënësve dhe e stafit arsimor mbetet prioritet kryesor.

Kosova është përballur me përmbytje vitet e fundit, të cilat kanë shkaktuar kryesisht dëme materiale.

Vlerësohet se dëmtimi i shtretërve të lumenjve, si pasojë e nxjerrjeve të paligjshme të zhavorrit, kontribuon shumë në përmbytjen e zonave./Telegrafi.

Suksese të pjesshme dhe sfida të mëdha, bilanci i arsimit në Kosovë për vitin 2025

4 January 2026 at 11:18


Viti 2025 ka qenë një vit sfidues dhe kompleks për sektorin e arsimit në Kosovë, me rezultate të dukshme në disa fusha, por edhe me probleme të theksuara që prekin nxënësit, mësimdhënësit dhe komunat.

Drejtuesit e drejtorive komunale të arsimit dhe ekspertët shprehen se sfidat janë të shumta, duke filluar nga bllokada buxhetore dhe mungesa e fondeve, deri te cilësia e teksteve shkollore dhe mbyllja e disa shkollave fillor, raporton KosovaPress.

Në Prishtinë, drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Samir Shahini, ka përshkruar vitin 2025 si një ndër vitet më sfiduese për arsimin. Sipas tij, për herë të parë ka pasur një mungesë buxheti të paparë më herët dhe një “bllokadë buxhetore” nga Ministria e Financave që ka penguar realizimin e projekteve për arsim.

Shahini për KosovaPress ka theksuar zgjerimin e mësimit tërëditor nga pesë në shtatë shkolla, duke përfshirë edhe pesë fshatra rurale, ku numri i nxënësve ka kaluar nga 3 mijë e 100 në mbi 5 mijë, ndërsa pritet të shtohen edhe 10 shkolla të tjera në vitin 2026.

Ai ka nënvizuar nevojën urgjente për trajtim të arsimit si prioritet kombëtar.

“Viti 2025 ka qenë një vit shumë kompleks, në fushën e arsimit ka shënuar disa rezultate të prekshme dhe shumë të rëndësishme për zhvillimin edhe të cilësisë por edhe të infrastrukturës në shkolla. Në anën tjetër ka qenë viti më sfidues i mundshëm për të udhëhequr drejtorinë e arsimit por edhe për mësimdhënësit dhe nxënësit prindërit, duke qenë se si vit është shoqëruar për herë të parë me një mungesë buxheti të paparë më herët dhe në një injorim të thellë të komunës së Prishtinës në shtrirjen e mësimit tërëditorë... Zgjerimi i mësimit tërëditorë nga pesë në shtatë shkolla duke përfshi edhe prej tyre në zona rurale në pesë fshatra, në total nga 3 mijë e 100 nxënës sot kemi mbi 5 mijë nxënës. Do të shtojmë edhe 10 shkolla të tjera në shtatorin që vjen.. 20:08 Buxheti i vitit 2025 nuk ka arrit të shfrytëzohet në formën që është aprovuar që ka qenë rreth 37 milionë euro duke përfshirë pagat dhe mëditje, as ky buxhet nuk ka qenë i qasshëm gjatë gjithë kohës..21:58 Si shtet duhet të ulemi dhe rishikojmë urgjentisht se çka po shkon keq me arsimin. Është momenti i fundit që arsimi të trajtohet si një urgjencë kombëtare dhe në aspektin e seriozitetit”, ka thënë Shahini.

Në Prizren, drejtuesja e DKA-së, Luljeta Gutaj, ka theksuar realizimin e projekteve të planifikuara dhe investimet në zhvillimin profesional të mësimdhënësve. Sidoqoftë, ajo ka kritikuar Ministrinë e Arsimit për shpërndarjen e dobët të teksteve shkollore, veçanërisht për shkollat me tri gjuhë mësimore (shqip, turqisht dhe boshnjakisht), duke dëmtuar komunitetin prindëror dhe nxënësit. Tekstet kanë pasur gjithashtu gabime dhe nuk përkojnë me metodologjitë moderne të mësimdhënies.

“Të gjitha projektet tona, të planifikuara edhe në planin zhvillimor të arsimit në komunë, janë realizuar plotësisht, përjashto projektet që i kemi pasur në partneritet me ministrinë e arsimit, si psh funksionalizimi i institucioneve të edukimit të hershëm. Bashkëpunimi ka qenë deri diku i mirë, përveç në rastet e furnizimit me tekstet shkollore. Prizreni ka tri gjuhë mësimore, që nënkupton furnizimin edhe me tekste shkollore në të tria gjuhët mësimore, turqisht dhe boshnjakisht. Konsideroj se me mënyrën e shpërndarjes së teksteve shkollore është dëmtuar komuniteti prindëror, sidomos në zvogëlimin e buxhetit familjar të tyre. Shpesh jemi detyruar të kompensojmë mësimdhënësit nga buxheti i komunës, planifikimi i dobët buxhetor i ministrisë së arsimit na ka sjellë para sfidave të mëdha, të cilat megjithatë i kemi tejkaluar me ndihmën e komunës. Sa për tekstet shkollore, mësimdhënësit tanë kanë gjetur mjaft gabime dhe ata konsiderojnë se nuk përkojnë me zhvillimin e nxënësve duke pasur parasysh arritjet e reja dhe metodologjitë që zhvillojnë mendim kritik tek nxënësit”, ka thënë Gutaj.

Ndërsa, në Kamenicë, drejtori Afrim Dervishi ka raportuar se vitin 2025 e konsideron të suksesshëm për shkak të përmbushjes së projekteve të planifikuara dhe si projekt kryesor për 2026 realizimin e mësimit tërëditor. Ai ka shtuar se punimet për ushqimin e shëndetshëm për nxënësit janë në zhvillim dhe po rishikohen tekstet shkollore për të përmirësuar rezultatet e nxënësve.

“Viti 2025 ka qenë një vit i suksesshëm për ne, kemi arritur t’i përmbyllim të gjitha projektet që kemi planifikuar t’i realizojmë. Jeta në sistemin arsimor në shkolla është shumë dinamike dhe ne kemi arritur t’i dalim ballë, t’i realizojmë sukses dhe të përmbushim të gjitha kërkesat e shkollave për suksese më të larta.. Buxheti për drejtorinë e arsimit për 2025 ka qenë 1 milion e 200 mijë euro, për 2026 1 milion e 100 mijë euro.. Realizimi i planit tërëditor në shkollat e komunës, kemi bërë të gjitha përgatitjet përveç ushqimit, po punojmë në realizimin edhe të ushqimit të shëndetshëm për të gjithë fëmijët, ky është projekti më i madh që do të na marrë kohë ta realizojmë.. Rishikimi i teksteve ka filluar, do vazhdoj, është kompetencë e ministrisë, po përmirësohet, evidentojmë çdo vit përmirësim të tyre, ka me ndikuar në avancimin e rezultateve shkollore të nxënësve”, ka shtuar ai.

Sipas Sekretarit të Këshillit të Prindërve, Enver Balaj, arsimi ka përparuar në disa fusha, por mbyllja e disa shkollave fillore (1-5) dhe mungesa e vendeve të punës për mësimdhënësit mbetet shqetësuese. Ai ka kritikuar gjithashtu ngarkesën e lëndëve në tekstet shkollore dhe mungesën e përkujdesit qeveritar për rishikimin e tyre.

“Ne e kemi parë arsimin kosovarë për vitin 2025 që është bërë punë e madhe, për rritjen e cilësisë në procesin arsimorë dhe krijimin e mundësive dhe kushteve të mira, për të nxjerrë student sa më të mirë për të vazhduar tutje. Kemi një problem që dominon vitet e fundit në Kosovë, disa shkolla fillore 1-5 janë duke u mbyllur dhe mendoj se është shumë alarmante dhe shumë shqetësuese për sistemin arsimor. Shumë mësimdhënës të sistemit para universitar kanë mbetur pa vende pune për shkak të mbylljes së shkollave..4:26 Nuk do të ishte e arsyeshme me diskutua pjesën e teksteve shkollore e cila po krijon shumë probleme. Ne si prind kemi shqetësim te sistemi arsimor që do të duhej më tepër qeveria.. Ne duhet të rishikojmë shumë në tekste shkollore se 1-5 është shumë e ngarkuar në lëndë të ndryshme”, është shprehur Balaj.

Eksperti i arsimit, Rinor Qehaja, ka theksuar se gjatë vitit 2025 nuk ka pasur ndryshime substanciale në sistem, përkundër debatit publik mbi temat kryesore. Ai ka nënvizuar sfidat e vazhdueshme: tekstet shkollore jo të përshtatura, mungesa e llogaridhënies në rekrutimin e mësimdhënësve, dështimi në digjitalizim dhe mungesa e shkathtësive praktike tek nxënësit, duke u bërë një alarm për institucionet për ndryshime të domosdoshme.

“Sistemi arsimor nuk ka pasur një ndryshim substancial përgjatë këtij viti, ka pasur shumë debat publik për plotë tema, mirëpo shumë pak nga këto tema janë konvertuar në një ndryshim të prekshëm përbrenda arsimit. Ne vazhdojmë të ballafaqohemi me probleme të ngjashme, ato të teksteve shkollore, të mungesës së llogaridhënies brenda sistemeve arsimore të rekrutimeve të mësimdhënësve, të dështimit në digjitalizim, të gjitha këto të përmbledhura na rikthehen dhe barten tutje si probleme nga viti në vit.. 3:14 Pisa na tregon sa shumë nxënësit tanë mungojnë në shkathtësi të vërteta për jetë që ata do të mund të ktheheshin mësimet në përfitim për ta për gjenerim të vendeve të punës. Edhe këtë vit na rikujtoj se kush është rezultati, por mbi të gjitha është një alarm për institucionet tona për ndryshimet e domosdoshme”, ka thënë Qehaja.

Në këtë kontekst, viti 2025 shënoi një kombinim të përparimeve në disa fusha dhe sfidave strukturore që kërkojnë ndërhyrje urgjente për të garantuar një arsim cilësor dhe të barabartë për të gjithë nxënësit. /KP/

Dosja e Prokurorisë: Si Ministria e Arsimit pagoi 220 euro për një shportë bërlloku, ndërsa çmimi real ishte 12 euro

1 January 2026 at 19:32


Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 15 personave, 12 persona fizikë (zyrtarë të Ministrisë së Arsimit dhe pronarë e përfaqësues të kompanive) dhe tre persona juridikë, në lidhje me dallavere në procedura të tenderimit, me ç’rast pretendohet se janë paguar produkte deri në 1557% më shtrenjtë se çmimet reale të tregut.

Sipas aktakuzës së PSRK-së, në procedurën e prokurimit “Blerja e Pakove për fusha lëndore dhe mirëmbajtje” zyrtarë të MASHTI-i kishin vepruar kundërligjshëm duke kontraktuar produkte që çmimin në treg e kishin shumë më të ulët sesa që Ministria i kishte paguar gjatë viteve 2019-2021.

KALLXO.com ka siguruar dosjen e Prokurorisë Speciale.

Të akuzuar janë: Ardian Berisha, pronar i kompanisë “Shkëmbi Gllareva” Sh.P.K, Dashmir Limaj, Mërgim Limaj drejtor në kompaninë Fabrika e mobileve “Standard”, Agron Shemsi Shala, pronar i biznesit “A&F Projekti” SH.P.K., Fehmi Zylfiu i punësuar në MASHTI, Fadile Kokaj-Dyla, Murtez Hasan Zekolli, Xhemajl Buzuku, Agim Berdynaj, Arberita Mehmetaj – e punësuar në MASHTI dhe Naim Demir – i punësuar në MASHTI. ndër ta të akuzuar janë tre persona juridik. “A&F Projekti” Sh.P.K., Fabrika e mobileve “Standard” Sh.P.K dhe “Shkëmbi – Gllarevë” Sh.P.K.

Prokuroria me prokurorin special, Dren Paca, i ka akuzuar të lartcekurit se përmes procedurave të prokurimit u kanë mundësuar përfitim të kundërligjshëm.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, në prill të vitit 2019 deri në mars të vitit 2021, Arberita Mehmetaj si zyrtare përgjegjëse për prokurim dhe Naim Demiri udhëheqës i njësisë kërkuese dhe menaxher i kontratës në Ministri të Arsimit kanë keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim shpërblimin me kontratë për bizneset “A&F Projekt” Sh.P.K, “Fabrika e Mobilieve Standard”, N.N.P. “Standard Plus” dhe “Shkëmbi Gllarevë”.

Produktet në tenderin “Blerje të pakove të pajisjeve të nevojshme për fusha lëndore dhe mirëmbajtje” sipas Prokurorisë janë kontraktuar me çmim deri në 1557% më të larta se çmimi i tregut, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit prej mbi 1.5 milion euro.

Këtë, sipas Prokurorisë, të akuzuarit e kanë bërë duke mos përgatitur specifika teknike të qarta për artikujt e përfshirë në paramasë dhe parallogari.

Tutje, sipas aktakuzës së PSRK, janë vendosur kritere selektive dhe të panevojshme për dëshminë e angazhimit të ekspertëve, inxhinierëve dhe autorëve duke ndërtuar kritere përzgjedhëse që të favorizojnë bizneset fituese duke i përjashtuar padrejtësisht bizneset e tjera.

Shkelja tjetër sipas PSRK nga të akuzuarit është bërë duke mos e siguruar çmimin më të ulët të tregut, duke lejuar blerje të produkteve me çmime artificialisht të fryra.

Tutje në aktakuzë thuhet se përmes këtyre kontraktimeve është shkaktuar një dëm shtesë prej 137 mijë euro duke lejuar që të tejkalohet sasia e kontraktuar për tri produkte më të shtrenjta mbi 30% e sasisë për një produkt tjetër më të lirë.

Tutje akti akuzues thot se kontraktimi për këto produkte ishte paraparë që të kenë origjinë nga Bashkimi Europian, por që ishin lejuar që produktet të vinin nga Kina dhe Turqia.

Pra vlera e përgjithshme e dëmit që është shkaktuar nga këto veprime, sipas Prokurorisë, vlerësohet të jetë mbi 1.8 milion euro.

Për këtë të pandehurit ngarkohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në pikën dy të aktakuzës renditen si të akuzuar: Agim Berdyna – zyrtar kryesor administrativ, Xhemajl Buzuku – zyrtar përgjegjës i prokurimit, dhe Murtez Zekolli – zyrtar kryesor financiar dhe Naim Demiri – udhëheqës i njësive kërkuese dhe menaxher i kontratës dhe Arberita Mehmetaj – zyrtare e prokurimit tutje kanë aktivizuar aktivitete të prokurimit me titullin “Blerja e Pakove për fusha lëndore dhe mirëmbajtje” pa pasur nevojë për një aktivitet të tillë. Kjo, sipas Prokurorisë, është bërë me qëllim që t’i shpërblejnë me kontratë për përfitim pasuror bizneset “A&F Projekt”, “Fabrika e mobileve Standard” dhe “Standard Plus”.

Dy projekte të ndara, sipas Prokurorisë, të akuzuarit i kishin bashkuar në një të vetëm, njëri ndër ta sipas PSRK-së ishte “Blerja e Pakove për fusha lëndore dhe mirëmbajtje”, i cili ishte në fazë të zbatimit. Këtë projekt sipas Prokurorisë e kishin aprovuar duke i vënë në barrë shtetit për pagesë mbi 2.8 milionë euro.

Sipas Prokurorisë, shkeljet nuk kanë përfunduar me kaq, pasi gjatë përpilimit të dosjes së tenderit nuk i kanë përgatitur qartë specifikat që duhet të kryhen për artikujt e kontraktuar me ç’rast janë kontraktuar produkte me çmim më të lartë se i tregut për 1900%.

Tutje PSRK pretendon se të akuzuarit i kanë ndryshuar kriteret e projekteve vetëm dy ditë para hapjes së ofertave dhe nuk janë siguruar që ta kontraktojnë çmimin më të ulët se ai i tregut dhe kanë shkurtuar afatin për dorëzimin e ofertave.

Me këtë të dyshuarit akuzohen se kanë kryer veprën penale – keqpërdorim i detyrës zyrtare.

Aktakuza përmban disa pika për veprime të ngjashme të të akuzuarve.

Në pikën tre të aktakuzës, të pandehur janë: Xhemajl Buzuku – zyrtar përgjegjës i prokurimit, Fadile Dyla – zyrtare kryesore administrative, Naim Demiri – menaxher i kontratës, Fehmi Zylfiu – zyrtar kryesor i financave. Ata nga 12 shkurti 2024 e deri më 29 mars 2024 pasi kishte përfunduar zbatimi i kontratës kornizë nga projekti “Blerja e Pajisjeve për mbrojtjen e objekteve arsimore – Pakot e pajisjeve të nevojshme për fusha lëndore dhe mirëmbajtje” kanë vepruar me dashje e në kundërshtim me ligjin me qëllim që t’u mundësojnë përfitim pasuror bizneseve “A&F Projekt”, “Fabrika e Mobileve Standard” Sh.P.K dhe N.N.P. “Standard Plus”, duke i kompensuar këto biznese për inflacionin e kontratës mbi 445 mijë euro.

Pika katër e aktakuzës thot se Agron Shala, Mërgim Limaj, Dashmir Limaj dhe Ardian Berisha si pronarë të bizneseve “A&F Projekt”, N.N.O “Standard Plus”, Fabrika e Mobileve “Standard” dhe “Shkëmbi Gllarevë” në lidhje me tenderin e MASHTI-t “Blerja e Pakove të pajisjeve të Nevojshme për fusha lëndore dhe mirëmbajtje” kanë bërë mashtrim të autoritetit kontraktues, në këtë rast MASHTI-t.

Mashtrimi sipas PSRK është bërë duke prezantuar kontrata të punëtorëve gjoja se janë duke punuar në këto firma me qëllim që të plotësojnë kriteret për ta fituar projektin. Tutje mashtrimi sipas PSRK është bërë duke mos dorëzuar vërtetimet tatimore të rreme.

Në pikën pesë të aktakuzës, Dashmir Limaj si pronar i biznesit “Standard Plus” edhe pse ka qenë në dijeni se inxhinierët Anita Kabashi dhe Adnan Mustafa nuk kanë qenë asnjëherë të punësuar në kuadër të biznesit të tij kanë mundësuar përdorimin e dokumenteve të rreme me qëllim që të plotësojnë njërin nga kriteret për t’u shpallur kompani fituese.

Me këtë akuzohen për vepër penale të falsifikimit të dokumenteve.

Në këtë aktakuzë, e cila është ngritur nga prokurori Dren Paca, janë të akuzuar 15 persona, 12 persona fizikë dhe tre persona juridikë: “A&F Projekti” Sh.P.K, Fabrika e Mobileve “Standard” Sh.P.K., dhe “Shkëmbi – Gllarevë” Sh.P.K.

Kurse persona fizikë të akuzuar janë: Ardian Berisha – pronar i kompanisë “Shkëmbi – Gllarevë” Sh.P.K., Dashmir Limaj, Mërgim Limaj – drejtor në kompaninë Fabrika e Mobileve “Standard”, Agron Shemsi Shala – pronar i biznesit “A&F Projekti” Sh.P.K., Fehmi Zylfiu i punësuar në MASHTI, Fadile Kokaj – Dyla, Murtez Hasan Zekolli, Xhemajl Buzuku, Agim Berdynaj, Arberita Mehmetaj – e punësuar në MASHTI dhe Naim Demiri – i punësuar në MASHTI./Kallxo.com

313 fëmijë nga familjet në asistencë sociale përfitojnë nga Programi i Kuponëve për edukimin e hershëm

15 December 2025 at 14:12


Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka njoftuar se ka përfunduar procesin e përzgjedhjes së përfituesve të Programit të Kuponëve për fëmijët e familjeve që janë pjesë e Skemës së Asistencës Sociale.

Sipas njoftimit zyrtar, në këtë fazë të zbatimit të programit janë përzgjedhur 313 fëmijë, të cilët do të përfitojnë mbështetje për ndjekjen e institucioneve private të licencuara të edukimit dhe kujdesit të fëmijërisë së hershme. Programi përfshin edhe mbulimin e shpenzimeve të transportit, në rastet kur plotësohen kriteret e përcaktuara.

MASHTI bën të ditur se përzgjedhja e përfituesve është realizuar përmes një sistemi të automatizuar të rastësishëm, në përputhje me Udhëzuesin e Programit, duke garantuar transparencë dhe paanshmëri për të gjithë aplikuesit. Pas përzgjedhjes automatike, Komisioni për Vlerësimin e Aplikimeve ka kryer verifikimin e dokumentacionit dhe të dhënave të dorëzuara.

Familjet aplikuese do të njoftohen individualisht përmes platformës e-Kosova. Të gjitha familjet do të pranojnë SMS njoftues, ndërsa familjet përfituese do të marrin dokumentin zyrtar të kuponit në llogarinë e tyre në e-Kosova.

Ndërkohë, familjet që kanë ankesa apo paqartësi lidhur me vendimin kanë të drejtë t’i paraqesin ato pranë Komisionit të Ankesave të MASHTI-t, përmes platformës e-Kosova ose përmes emailit ankesa.kuponat@rks-gov.net brenda afatit ligjor prej 15 ditësh nga data e marrjes së vendimit fillestar. /Telegrafi/


Prezantohet Kurrikula e re për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme për moshën 0-6 vjeç

27 November 2025 at 13:49


Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbëria Nagavci, së bashku me zëvendësministrin në detyrë të Arsimit, Arsim Ademi, morën pjesë në prezantimin e Kurrikulës së re për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme (EFH) për fëmijët e moshës 0–6 vjeç, në kuadër të Konferencës Kombëtare “Së bashku për edukim cilësor në fëmijërinë e hershme”.

Ministrja Arbërie Nagavci theksoi se Kurrikula e re paraqet një vizion modern dhe gjithëpërfshirës, i cili e vendos fëmijën në qendër të procesit mësimor.

“E mbështetur në filozofinë e të nxënit përmes lojës, mirëqenies, zhvillimit holistik dhe kompetencat e shekullit XXI, kurrikula është hartuar në përputhje me udhëzuesin e IBE-UNESCO-s”, u shpreh Nagavci.

Ministrja rikujtoi po ashtu se edukimi në fëmijërinë e hershme mbetet prioritet kombëtar, i konsoliduar përmes Ligjit të ri për EFH dhe Strategjisë së Arsimit të Kosovës.

Duke prezantuar investimet e realizuara, ministrja njoftoi se MAShTI ka ndërtuar 14 çerdhe të reja, Bashkimi Evropian përmes BE-IPA ka mbështetur 6 të tjera, ndërsa 31 çerdhe janë aktualisht në ndërtim dhe 2 në proces kontraktimi, ndërsa për vitin 2025 janë planifikuar edhe 19 çerdhe të reja.

Ajo theksoi edhe qasjen inovative të adaptimit të objekteve shkollore në çerdhe, deri tani 11 objekte janë shndërruar me sukses, 6 janë në proces dhe 4 të tjera janë planifikuar.

Shefja e UNICEF-it në Kosovë, Veronika Vashchenko, e cilësoi lansimin e Kurrikulës si një moment historik për Kosovën, duke theksuar bazën e saj shkencore dhe rëndësinë kritike që kanë vitet e para të jetës për zhvillimin e trurit.

Ajo u shpreh se kurrikula trajton fëmijët si individë kureshtarë, aktivë dhe kreativë, dhe përfaqëson një investim të mençur me përfitime të mëdha arsimore, sociale dhe ekonomike.

Ndërsa, Ambasadori i Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, vuri në pah rëndësinë e arsimit duke cituar Kofi Annan dhe theksoi partneritetin e fuqishëm mes Luksemburgut, UNICEF-it dhe institucioneve të Kosovës që nga viti 2014.

Ai nënvizoi se përkrahja për fëmijët më të cenueshëm ka qenë gjithmonë në qendër të bashkëpunimit dhe e quajti lansimin e kurrikulës së re një hap transformues që pritet të sjellë rezultate më të mira në të nxënë, zhvillim socio-emocional dhe shëndet afatgjatë. /Telegrafi/

MASHTI: Orët e humbura sot në Prishtinë do të zëvendësohen

18 November 2025 at 16:20


Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka njoftuar se gjatë ditës së sotme procesi mësimor është zhvilluar normalisht në të gjitha komunat e Kosovës, me përjashtim të Prishtinës, ku mësimi është pezulluar për shkak të kushteve të vështira atmosferike dhe problemeve në komunikacion.

Sipas komunikatës, Inspektorati i Arsimit ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me drejtoritë komunale të arsimit dhe ka mbledhur informacione nga të gjitha rajonet për ecurinë e procesit mësimor.

Nga këto të dhëna, rezulton se shkollat në gjithë vendin, përfshirë ato me dy ndërrime kanë funksionuar pa ndërprerje.

Ndërkohë, Drejtoria Komunale e Arsimit në Prishtinë ka vendosur pezullimin e mësimit për të gjitha shkollat, pas vlerësimit të gjendjes së rënduar të motit dhe vështirësive në qarkullim.

MAShTI ka bërë të ditur se Inspektorati i Arsimit do të monitorojë zbatimin e zëvendësimit të orëve të humbura, në përputhje me Udhëzimin Administrativ të MAShTI-t Nr. 01/2025 për Kalendarin e Vitit Shkollor 2025/2026.

Ministria theksoi se do të vazhdojë komunikimin me komunat dhe institucionet arsimore për të siguruar vijueshmëri të procesit edukativo-arsimor, duke e vendosur në prioritet sigurinë e nxënësve. /Telegrafi/

Imami Maliqi reagon pas vendimit të Supremes për bartjen e shamisë në shkolla

30 October 2025 at 13:29


Imami Labinot Maliqi ka reaguar publikisht pas vendimit të Gjykatës Supreme, e cila konfirmoi kompetencën e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) për të përcaktuar rregulla mbi uniformën shkollore.

Në reagimin e tij, imami Maliqi thekson se Ministria ka autoritet ligjor për të rregulluar uniformën shkollore, por jo për të ndërhyrë në bindjet fetare të nxënësve.

“Mbulesa e kokës nuk është pjesë e uniformës zyrtare, nuk e zëvendëson atë dhe nuk e përjashton atë, por përbën shprehje të lirë të besimit individual,” tha ai.

Sipas tij, shamia me fytyrë të dukshme nuk bie ndesh me uniformën shkollore, përkundrazi, nxënëset që e bartin atë kanë respektuar gjithmonë rregullat dhe disiplinën në shkolla. Maliqi shton se ndalimi i shamisë “nuk lidhet me uniformën, por është shndërruar në mjet përjashtimi dhe diskriminimi ndaj nxënëseve besimtare”.

Reagimi i plotë pa ndërhyrje:

"Reagim publik mbi vendimin e Gjykatës Supreme dhe të drejtën për bartjen e shamisë në shkolla. Vendimi i Gjykatës Supreme që e konfirmon kompetencën e MAShTI-t për të përcaktuar rregulla mbi uniformën shkollore është formalisht i vlefshëm, por në thelb mbetet i diskutueshëm në raport me të drejtat themelore të njeriut dhe parimin e barazisë. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka autoritet ligjor për të përcaktuar rregulla që lidhen me uniformën shkollore, pra me mënyrën se si nxënësit paraqiten dhe vishen gjatë procesit arsimor.

Megjithatë, ky autoritet nuk përfshin të drejtën për të rregulluar bindjet fetare të nxënësve, siç është mbulesa e kokës, e cila nuk është pjesë e uniformës zyrtare te shkollës, nuk e zëvendëson atë, nuk e përjashton atë, por është shprehje e lirë e besimit individual. Shamia me fytyrë të dukshme nuk bie ndesh me uniformën shkollore.


Përkundrazi, në praktikë, nxënëset që e bartin shaminë kanë respektuar gjithmonë uniformën zyrtare të shkollës dhe rregullat e saj.

Asnjëherë nuk është dokumentuar ndonjë rast ku nxënëset me mbulesë të kenë refuzuar uniformën apo disiplinën shkollore. Për këtë arsye, ndalimi i mbulesës nuk lidhet me uniformën, por është shndërruar në mjet përjashtimi dhe diskriminimi ndaj nxënëseve besimtare, gjë që bie ndesh me frymën e Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi. Dispozita e Udhëzimit Administrativ Nr. 06/2014, neni 3, pika 1.13, ndalon “bartjen e uniformës fetare”. Megjithatë, kjo dispozitë nuk e jep asnjë përkufizim se çfarë nënkuptohet me “uniformë fetare” dhe nuk e përfshin shaminë si veshje të tillë.

Kjo mungesë e sqarimit ka hapur rrugë për interpretime të pasakta dhe zbatim arbitrar, ku shamia e cila në fenë islame nuk konsiderohet uniformë apo simbol, por normë fetare, është përdorur padrejtësisht nga disa drejtues shkollash me qasje islamofobe për të përjashtuar nxënëset që e bartin shaminë.

Si pasojë, Udhëzimi Administrativ në fjalë ka prodhuar diskriminim, stigmatizim dhe përjashtim të vajzave me mbulesë islame, duke cenuar drejtpërdrejt nenin 24 (barazia para ligjit), nenin 38 (liria e besimit) dhe nenin 47 (e drejta për arsimim) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe Ligjin Nr. 05/L-021 për Mbrojtje nga Diskriminimi dhe Ligjin Nr. 04/L-032 për Arsimin Parauniversitar.

Një ndalesë e tillë nuk mbron rendin publik apo sigurinë. Përkundrazi, i kontribuon diskriminimit, stigmatizimit dhe prapambeturisë së femrës, duke e penguar zhvillimin e saj arsimor dhe profesional.

Ajo krijon një pengesë të panevojshme për emancipimin e gruas dhe përfaqëson një formë të përjashtimit gjinor, e cila bie ndesh me parimet themelore të barazisë dhe drejtësisë sociale. Shamia me fytyrë të dukshme nuk pengon identifikimin, nuk cenon procesin mësimor, dhe nuk prish rendin shkollor. Kufizimi i saj është jo proporcional dhe në kundërshtim me standardet evropiane për të drejtat e njeriut, të lirisë fetare dhe të drejtës për arsimim.

Prandaj, kërkoj që MAShTI ta shfuqizojë tërësisht apo ta rishqyrtojë nenin 1.13 dhe ta harmonizojë me Kushtetutën, ligjet në fuqi, standardet demokratike, praktikat evropiane dhe ato të vendeve anglisht-folëse, duke e riformuluar ndalesën në këtë frymë:“Ndalohet bartja e 'uniformës' fetare që mbulon fytyrën ose pengon identifikimin e nxënësve."Një rishikim i tillë do të rikthente koherencën institucionale, do të mbronte të drejtat themelore të njeriut, dhe do të dërgonte mesazhin se Kosova është shtet që respekton lirinë, dinjitetin dhe zhvillimin e gruas si shtyllë e shoqërisë demokratike"./Telegrafi/



Për pesë vjet mbi 21 mijë nxënës më pak në shkollat e Kosovës

8 October 2025 at 19:57


Numri i nxënësve në shkollat fillore dhe të mesme të ulëta në Kosovë ka shënuar një rënie të vazhdueshme gjatë pesë viteve të fundit.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), gjatë vitit shkollor 2020/2021 në institucionet arsimore të vendit ishin regjistruar gjithsej 229 mijë e 664 nxënës.

Pesë vjet më vonë, në vitin 2024/2025, ky numër ka rënë në 208 mijë e 515 nxënës, që do të thotë 21 mijë e 149 më pak krahasuar me vitin 2020.

Statistikat tregojnë se rënia ka qenë e vazhdueshme çdo vit:

Në vitin 2021/2022 janë regjistruar 224 mijë e 429 nxënës;

2022/2023, numri ka rënë në 220 mijë e 578;

Ndërsa në 2023/2024, janë regjistruar 215 mijë e 431 nxënës.

Planifikimi i 16-vjeçarit për sulm terrorist në Pejë, shkollat në Kosovë s'kanë plane evakuimi dhe kontroll


2016/09/shkollat.jpg

Universiteti i Gjakovës me arritje historike – shumica e profesorëve justifikojnë titujt akademikë

7 October 2025 at 16:37


Universiteti “Fehmi Agani” i Gjakovës ka shënuar një sukses të rëndësishëm në fushën e arsimit të lartë. Për herë të parë që nga themelimi, shumica e profesorëve të këtij institucioni justifikojnë titujt e tyre akademikë, sipas raportit të fundit të Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), përcjell Telegrafi.

Të dhënat tregojnë një rritje të dukshme të integritetit akademik dhe publikimit shkencor:

59% e profesorëve justifikojnë titujt, krahasuar me 35% në vitin 2020;

167 punime shkencore janë publikuar në revista të indeksuara në Scopus dhe Web of Science;



37% e tyre gjenden në kuartalet e para të Scopus-it (Q1 dhe Q2);

80% e stafit akademik kanë të paktën një publikim shkencor, ndërsa Fakulteti i Mjekësisë kryeson për produktivitet.

Sipas raportit, punimet e profesorëve të Universitetit të Gjakovës janë publikuar në revista nga 34 shtete të ndryshme, me Poloninë dhe Zvicrën si vendet ku botohet më shumë.

Ky progres e rendit Universitetin e Gjakovës në mesin e institucioneve publike me performancë më të lartë në ngritje, duke dëshmuar përkushtim ndaj standardeve të kërkimit shkencor dhe transparencës akademike.

Raporti është publikuar në kuadër të projektit HEI’25, të financuar nga Austrian Development Agency (ADA) me mbështetjen e MAShTI-së, Agjencisë së Kosovës për Akreditim, dhe zbatuar nga Qendra për Arsim e Kosovës (KEC) dhe ORCA. /Telegrafi/

Ndahen edhe 2.5 milionë euro për përmbylljen e rimbursimit për tekstet shkollore

7 October 2025 at 12:56


Në mbledhjen e sotme të Qeverisë në detyrë të Kosovës, është miratuar edhe kërkesa e MASHTI-t për ndarjen edhe të 2 milionë e 500 mijë euro shtesë për të përmbyllur procesin e rimbursimit të teksteve dhe materialeve shkollore.

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati theksoi se është e rëndësishme që të përmbyllet ky proces.

“Bëhet fjalë për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumën prej 2.5 milionë euro që është kërkesë e MASHTI-t në mënyrë që të përmbyllet edhe pjesa e mbetur e rimbursimeve për blerjen e materialeve dhe teksteve mësimore”, tha Murati.

Ndryshe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), ka njoftuar të gjithë koordinatorët e shkollave se platforma për verifikimin e aplikimeve për subvencionimin e teksteve shkollore dhe materialeve mësimore në e-Kosova do të qëndrojë e hapur deri të premten, më datën 10 tetor 2025, ora 23:59./Telegrafi/

Disa prindër ende pa pagesa për tekstet shkollore, MASHT hesht për vonesat

25 September 2025 at 10:37


Gati një muaj pas fillimit të vitit të ri shkollor 2025/26, shumë prindër ende nuk i kanë marrë mjetet financiare për tekstet shkollore.

Në redaksinë e Telegrafit kanë mbërritur disa ankesa nga qytetarë, të cilët shprehen se pagesat nuk janë ekzekutuar ende, duke u shkaktuar kështu vështirësi financiare në përballimin e shpenzimeve shkollore për fëmijët e tyre.

Lidhur me këtë situatë, Telegrafi ka dërguar pyetje në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk ka marrë ndonjë përgjigje zyrtare.

Po ashtu, redaksia ka tentuar të kontaktojë edhe ministren në detyrë të Arsimit, Arbërie Nagavci, por e njëjta nuk ka kthyer përgjigje.

Ministrja Nagavci nuk ka bërë asnjë deklarim publik kohët e fundit për ecurinë e procesit të subvencionimit të teksteve shkollore, dhe nuk është e qartë nëse ky proces është përmbyllur me sukses.

Në postimet e saj të fundit në rrjetet sociale, vërehet se ajo e ka përqendruar vëmendjen kryesisht në fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 12 tetorit.

Më 25 gusht, Nagavci kishte bërë të ditur se pagesat e para për tekstet shkollore ishin ekzekutuar, por që nga ajo ditë nuk është dhënë asnjë njoftim tjetër zyrtar në lidhje me vazhdimin e procesit.

Ndërkohë, disa ditë më parë, Qeveria në një mbledhje të mbajtur njoftoi se ka ndarë mbi dy milionë euro për Ministrinë e Arsimit, me qëllim përmbylljen e këtij procesi të subvencionimit të teksteve shkollore. /Telegrafi/

Qeveria ndan mbi dy milionë euro për MASHT-in, për përmbylljen e subvencionimit për tekstet shkollore

19 September 2025 at 10:19


Qeveria në detyrë është duke mbajtur mbledhjen e radhës, ku janë miratuar disa vendime.

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, tha se Ministria e Arsimit ka bërë kërkesë për ndarjen e mjeteve financiare, në mënyrë që të përmbyllet subvencionimi për tekstet shkollore.

“Ministria e Financave ka pranuar kërkesën e MASHT-it, për 2 milionë e 41 mijë e euro per subvencionimin e teksteve shkollore”, tha Murati.

Kjo pikë u miratua pa asnjë kundërshtim nga anëtarët e kabinetit qeveritar./Telegrafi/

MAShTI për ndryshimin e çmimeve të librave: Shqetësimet janë adresuar në Inspektoratin e Tregut

3 September 2025 at 19:34

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka bërë të ditur se në bashkëpunim me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe koordinatorët e verifikimit në shkolla, është duke monitoruar nga afër procesin e subvencionimit me tekste dhe materiale shkollore për të gjithë nxënësit në Kosovë.

Sipas njoftimit, bazuar në Udhëzimin Administrativ 13/2026, nxënësit nga klasa e 6-të deri në të 9-tën nuk kanë nevojë të blejnë tekste, pasi ato bartën nga gjeneratat e kaluara.

Në lidhje me shqetësimet e ngritura për ndryshimet e çmimeve të shënuara në kopertinat e librave, MAShTI ka sqaruar se ministria nuk ka pasur rol në përcaktimin e tyre, pasi nuk ka pasur proces tenderimi dhe as negocim të çmimeve. Sipas tyre, këto raste tashmë janë adresuar në Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut dhe në Autoritetin e Konkurrencës.

“Çdo tendencë për manipulim apo përfitim të paligjshëm nga shtëpitë botuese do të trajtohet nga organet përkatëse, duke u ndërmarrë masat e nevojshme në kuadër të legjislacionit në fuqi”, thuhet në reagim.

Ministria ka theksuar se subvencioni për tekstet shkollore mbetet i garantuar për të gjithë nxënësit, përfshirë ata të komuniteteve joshumicë dhe ata me kujdestar ligjor.

Gjithashtu, këtë vit janë shtuar masat e verifikimit për përfituesit, përmes moduleve shtesë ku koordinatorët e shkollave inspektojnë dhe verifikojnë çdo nxënës në institucionin përkatës, me qëllim që të mos ketë abuzime dhe askush të mos mbetet pa tekste.

The post MAShTI për ndryshimin e çmimeve të librave: Shqetësimet janë adresuar në Inspektoratin e Tregut appeared first on Telegrafi.

Nesër nis viti shkollor, SBASHK: Grevë s’ka, por vonesa me tekstet shkollore

31 August 2025 at 11:48

Nesër, më 1 shtator fillon viti i ri shkollor 2025/2026 në të gjitha shkollat e Kosovës, por problemet e zakonshme që e kanë përcjellë fillimin e vitit arsimor në vitet e kaluara, rrezikojnë të përsëriten sërish veçanërisht për sa i përket mungesës së teksteve shkollore.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, në një deklaratë për Telegrafin, ka shprehur shqetësim të thellë për situatën, duke theksuar se problemi më i madh me të cilin mund të përballen nxënësit dhe mësimdhënësit është mungesa e teksteve shkollore.

“Halli më i madh do të jetë tekst shkollore. Kemi frikë se do të përsëritet gjendja e dy viteve të mëparshme, kur ka pasë vonesa me një muaj e më shumë,” ka deklaruar Jasharaj.

Sipas tij, edhe pse përgatitjet teknike për fillimin e vitit shkollor duket të jenë në vijë, problemet themelore si teksti, infrastruktura dhe dialogu me institucionet mbesin të pazgjidhura.

Jasharaj gjithashtu ka sqaruar se SBASHK-u nuk ka planifikuar ndonjë grevë për fillim të vitit shkollor, për shkak të mosfunksionimit të institucioneve shtetërore, veçanërisht pas zgjedhjeve të fundit dhe mungesës së konstituimit të qeverisë.

“Me 20 gusht e mbajtëm takimin konsultativ me Kryesinë dhe me udhëheqësit sindikalë dhe erdhëm në përfundim se në mungesë të institucioneve, pra pa konstituimin e institucioneve, nuk kemi as me kë të dialogojmë e as të bëjmë veprime sindikale, sepse veprimet sindikale bëhen nëse nuk ka dialog. Tash nuk ka dialog, sepse nuk ka me kë SBASHK-u të zhvillojë dialog,” theksoi ai.

Ai shtoi se SBASHK-u do të kërkojë takim me institucionet posa të konstituohen, dhe nëse edhe atëherë nuk ka vullnet për dialog, mund të ndërmerren veprime sindikale.

“Posa të bëhen këto institucione të Kosovës, ne do të provojmë me ta të ulemi të bisedojmë. E në qoftë se ata vazhdojnë ta injorojnë dialogun, atëherë do të kemi edhe veprime sindikale për të cilat vendos Këshilli i Drejtues i SBASHK-ut,” tha Jasharaj për Telegrafin.

Ndërkohë, Ministria e Arsimit ka njoftuar se nga data 15 gusht, mund të aplikohet për subvencionimin e teksteve dhe materialeve mësimore përmes platformës e-Kosova.
Për vitin shkollor 2025/2026, do të ndahen 80 euro për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë për blerjen e teksteve dhe materialeve mësimore, ndërsa me të njëjtën shumë do të subvencionohen nxënësit nga klasa e gjashtë deri në klasën e nëntë për blerjen e fletoreve të punës dhe materialeve mësimore.

Sipas MAShTI-t, brenda gjashtë ditëve të para të hapjes së aplikimit janë pranuar gjithsej 144,337 aplikime përmes platformës e-Kosova dhe deri më tani nuk është pranuar asnjë ankesë nga prindërit.

Ky është viti i tretë radhazi që Ministria e Arsimit aplikon këtë formë të subvencionimit. /Telegrafi/

The post Nesër nis viti shkollor, SBASHK: Grevë s’ka, por vonesa me tekstet shkollore appeared first on Telegrafi.

Programi i Kuponëve: MASHT jep mbështetje deri në 150 euro për fëmijët me asistencë

25 August 2025 at 17:00

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka njoftuar se është hapur thirrja për regjistrimin e institucioneve të edukimit në fëmijërinë e hershme në Programin e Kuponëve.

Sipas njoftimit, thirrja përfshin të gjitha komunat ku veprojnë institucione private dhe publiko-private të licencuara.

“Programi i Kuponëve i cili do të zbatohet deri në qershor 2028, synon të mbështesë familjet e regjistruara në Skemën e Asistencës Sociale, përmes rimbursimit të institucioneve që ofrojnë edukim dhe transport për fëmijët. MASHTI njofton se, shuma e rimbursimit për edukimin e fëmijës do të përcaktohet nga çmimi i tregut dhe komuna përkatëse, deri në 150 euro në muaj për fëmijë”, thuhet në njoftim.

Pagesa e transportit do të mbulohet vetëm për institucionet që ofrojnë këtë shërbim, ndërsa shuma do të përcaktohet nga Komisioni për Vlerësimin e Aplikimeve, në varësi të komunës dhe distancës rrugore. Në këtë thirrje mund të aplikojnë edhe institucionet pjesë e pilotimit në komunat e Prishtinës, Gjilanit dhe Lipjanit.

Regjistrimet janë të hapura nga 25 gushti deri më 8 shtator 2025.

The post Programi i Kuponëve: MASHT jep mbështetje deri në 150 euro për fëmijët me asistencë appeared first on Telegrafi.

A do të ketë veprime sindikale në prag të vitit të ri shkollor, dekorohen nga SBASHK-u

20 August 2025 at 13:43

Nga Sindikata e Bashkuara e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ditë më parë deklaruan se nëse deri më 20 shtator nuk fillon dialogu me MASHT-in, sindikata do ta thërrasë Këshillin drejtues për të shqyrtuar situatën dhe mund të ndërmarrë veprime sindikale, përfshirë edhe grevën.

E SBASHK-u sot lidhur me këtë çështje ka lëshuar një njoftim për media.

SBASHK thekson se duke parë se ende nuk kemi institucione me të cilat do të dialogonim, apo ndaj të cilave do të drejtoheshin veprimet sindikale, SBASHK-u deklaron se është i gatshëm për veprime – qoftë për takime e dialog, qoftë për veprime sindikale e grevë.

Lexoni të plotë njoftimin:

Duke respektuar vendimin e Kongresit të Jashtëzakonshëm për angazhime, që me dialog me Qeverinë dhe MASHTI-n deri më 20 gusht të realizohen kërkesat legjitime të anëtarësisë, e nëse institucionet nuk tregojnë gatishmëri për dialog të bëhen përgatitje për veprime sindikale, Kryesia e SBASHK-ut mbajti sot, më 20 gusht, takim dhe, në konsultim edhe me shumë prej kryetarëve të nivelit komunal e të universiteteve, analizoi situatën aktuale duke shprehur shqetësim për moskrijimin e institucioneve, me të cilat do të zhvilloheshin takime dhe do të provohej fillimisht që me dialog të zgjidheshin kërkesat legjitime të anëtarësisë.

Në rast se vullneti i institucioneve për dialog do të mungonte, atëherë do të ndërmerreshin veprime sindikale, pa përjashtuar as grevën e përgjithshme.

Duke parë se ende nuk kemi institucione me të cilat do të dialogonim, apo ndaj të cilave do të drejtoheshin veprimet sindikale, SBASHK-u deklaron se është i gatshëm për veprime – qoftë për takime e dialog, qoftë për veprime sindikale e greva – dhe kështu do të veprojë, duke respektuar zërin e anëtarësisë me të krijuar institucionet e shtetit tonë. /Telegrafi.

The post A do të ketë veprime sindikale në prag të vitit të ri shkollor, dekorohen nga SBASHK-u appeared first on Telegrafi.

Nisin aplikimet për subvencionimin e teksteve shkollore për vitin 2025/2026

By: Kult Plus
15 August 2025 at 18:22

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka hapur sot aplikimet për subvencionimin e teksteve dhe materialeve mësimore përmes platformës e-Kosova.

Për vitin shkollor 2025/2026, prindërit do të përfitojnë:

80 euro për nxënësit e klasave I-V, për blerjen e teksteve dhe materialeve mësimore;

80 euro për nxënësit e klasave VI-IX, për blerjen e fletoreve të punës dhe materialeve mësimore.

Tekstet shkollore për klasat VI-IX do të përdoren nga gjenerata e kaluar, sipas praktikës së viteve të fundit dhe udhëzimit administrativ përkatës.

Procesi i aplikimit është lehtësuar, pasi llogaritë bankare të prindërve të regjistruara më parë do të përdoren sërish. Pas verifikimit nga shkolla dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit, mjetet do të transferohen në xhirollogaritë bankare të prindërve.

📌 Aplikimi bëhet online në: ekosova.rks-gov.net

MAShTI ka uruar të gjithë nxënësit për një vit të mbarë dhe të suksesshëm shkollor./KultPlus.com

Miratohet kalendari për vitin shkollor 2025-2026

14 August 2025 at 14:53

Ministria e Arsimit ka miratuar Udhëzimin Administrativ për kalendarin e vitit shkollor 2025-2026, i cili përcakton datat e fillimit dhe përfundimit të vitit shkollor në të gjitha institucionet publike dhe private.

Kështu kë bërë të ditur ministrja në detyrë, Arbërie Nagavci.

“Ky udhëzim përcakton datat e fillimit dhe përfundimit të vitit shkollor në të gjitha institucionet, duke përfshirë nivelet nga parashkollori deri te shkollat e mesme, si dhe pushimet dhe festat zyrtare, duke siguruar një kalendar të qartë dhe të strukturuar për nxënësit dhe mësimdhënësit”, ka shkruar Nagavci.

Ajo falënderoi grupin punues për përkushtimin.

“Faleminderit të gjithë anëtarëve të grupit punues, mësimdhënësve dhe përfaqësuesve të Drejtorive Komunale të Arsimit për punën e tyre të palodhur në hartimin e këtij kalendari gjithëpërfshirës”, u shpreh ministrja në detyrë.

Ministrja në detyrë gjithashtu shtoi se janë duke  bërë përgatitjet më të mira për t’ju siguruar një vit shkollor të suksesshëm, plot mundësi për mësim dhe zhvillim.

“Ju uroj një fillim të suksesshëm dhe një vit shkollor plot arritje e përvoja të reja”, ka shkruar Nagavci. /Telegrafi/

The post Miratohet kalendari për vitin shkollor 2025-2026 appeared first on Telegrafi.

❌
❌